• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

9 Rezultate kërkimore mbi Luftën Nacional-Çlirimtare dhe Luftën Civile në Shqipëri, 1943-1945

November 5, 2014 by dgreca

Shkruan: Romeo Gurakuqi/ Universiteti Europian i Tiranes/
Jemi në Konferencën Shkencore kushtuar 70 Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, dhe vendosjes së atij Regjimi, që në manualet e të drejtës publike konsiderohet se Regjim i Terrorit Komunist, pas tërheqjes strategjike së trupave gjermane, nën goditjet e Aleateve në planin Europian dhe nën ferrin e krijuar në Shqipërinë Jugore, nga goditjet e partizanëve shqiptarë të LNÇ, të drejtuar nga komunistët, dhe të mbështetur fuqimisht nga forcat ajrore të RAF dhe të Long Range Desert Group.
Përkujtimi i 70 të perfundimi të Luftës së Dyte Boterore per Shqiperinë dhe fillimit te vendosjes se Regjimit të Terrorit, është një moment krejtësisht i veçantë reflektimi, jo vetëm për politikën shqiptare për t’u europianizuar njimendesisht, por edhe për Historiografinë shqiptare, për t’u çliruar një herë e mirë nga dogmat e historiografisë së ndërtuar nën presion dhe dhunë anti-akademike, dhe titujt e dogmës themelore dhe dogmave derivuese.
Pavarësisht titullimit, tezat që do paraqes dhe përkufizimet që do të përpiqem të jap, janë rezultat i një konsultimi në detaje:
1. I arritjeve të të gjithe historiografisë komuniste shqiptare mbi përiudhen, të cilen, unë dhe ju në këte sallë e njohim në perfeksion;
2. I një dokumentacioni të pamatë arkivor që vjen nga dy arkiva kryesore perëndimore: National Arkives në Londer dhe National Archives në SHBA, volumi i printuar i të cilave në studion time është respektivisht 8000 faqe dhe 1500 faqe.
3. Arritjet e historiografavë më të spikatur perëndimore dhe kujtimet e Julian Amery, David Smiley, Reginald Hibbert.
Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri është thelbësore për të kuptuar atë çfarë ka ndodhur në këtë vend në të gjithë përiudhën vijuese, në pikëpamje politike dhe zhvillimore. Rezultatet kërkimore që do të konkretizohen së shpejti me një botim voluminoz mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, i kam përmbledhë dhe po i paraqes në formën e disa përfundimeve:
1. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste, solli shkatërrimin e strukturës së brendshme konstitucionale dhe prapësimin e statusit ndërkombëtar të vendit. Përpjekja utopike e forcave nacionaliste, në vjeshtën e vitit 1943, për rivendosjen e Legalitetit të 1 shtatorit 1928, rezultoi e pamundur, naive, jo realiste, nën “kurthin” e krijuar nga nazistët gjermanë dhe komunistët shqiptarë, të dirigjuar nga emisarët e Marëshallit Tito dhe Enver Hoxha. Përndryshe, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore për Shqipërisë, solli jo vetëm mbarimin e shpresave të publikut për kthimin e Legalitetit Konstitucional pararëndës dhe rendit të normalitetit të vendit, por edhe me shkatërrimin në mënyrë të pakthyeshme të rendit social, hierarkisë shoqërore, disbalancimin politik ndëkrahinorë për shkak të mbivendosjes së dhunshme të brigadave partizanë jugore në Veri, shkatërrimin e vlerave kulturore që qendrat urbane të spikatura të Shqipërisë kishin ndërtuar në disa dekada, shkatërrimin e Shqipërisë së Veriut dhe kryeqendrave të saj: Shkodra, Tirana, Durrësi, Gjakova, dhe zonave të papushtuara si Mirdita, Dukagjini, Malësia në përgjithësi. Së bashku me ato u rrenuan në mënyrë të pakthyeshme intitucionet e lirisë, të konstitucionalizmit, të pluralizmit politik, institucionet religjioze dhe e gjithë klasa intelektuale dhe ajo e mesme e vendit. Ky proces regresist do ta shndërrojë Shqipërinë në një njollë të madhe të varfërisë dhe prapamebetjes për 7 dekada me radhë në Europë, produkt i datës simbolike 29 nëntor 1944.
2. Sa i takon rezistencës shqiptare kundër pushtuesve mund të arrihen këto konkluzione të përgjithshme:
a.Para sulmit të Gjermanisë naziste kundër BRSS, rezistenca në Shqipëri ka qenë sporadike dhe e drejtuar nga grupimet nacionaliste.
b. Italianët në pranveren dhe verën e 1943, pushtuesit gjermanë gjatë Operacionit Gjerman të Dimrit 1943-44 dhe Operacioni i Qershorit 1944, shkatërruan respektivisht me nga 1/3, dmth gati 70% të Shqipërisë së Jugut, rrënuan jetët e fshatarit shqiptar, i cili si të vetmen rrugë për shpëtim pati rrëmbimin e armëve dhe luftën e armatosur guerrilase kundër pushtuesit.
c.Rezistenca guerrilase shqiptare në Shqipërinë e Jugut, në Pezë, Martanesh, qartësisht deri në 11 shtator 1943, ka qenë produkt i një veprimtarie intensive, paralele dhe të pavarur të tre grupimeve kryesore guerrilase, renditja e të cilave më poshtë tregon edhe shkallën e vendosmërisë, por jo fillesen: a. Lëvizja Nacional Çlirimtare, b. Balli Kombëtar, dhe C. forcat e pavarura nacionaliste të Veriut dhe Jugut.
d.Ashpersia e sjelljes së trupave italiane ndaj popullsisë civile në Jug, shërbeu në krijimin e një vatre permanente të rezistence atje, pauperizimi i popullsisë fshatare që sherbeu më pas si një fornitor social për rezistencën. Ky potencial çlirimtar i fshatarsisë shqiptare në Jug të vendit, me një përpunim sistematik, të programuar me një propagandë dezinformuese, u orientua, në mënyrë intensive, së paku nga pranvera 1944, jo vetëm kundër okupatorit gjerman dhe bashkëpunëtorëve të tyre që kryen vepra kriminale vellavrasjeje, por edhe ndaj të gjithë organizatave, individëve dhe krahinave e qyteteve paqesore të vendit në Veri, duke shkatërruar dhe kompromentuar rëndë procesin çlirimtar, aspiratën e lirisë për të gjithë, çështjen shtetërore, atë konstitucionale dhe definitivisht atë nacionale, duke pranuar në heshtje dhe në bashkëpunim, rrënimin e Kosoves, Hotit, Grudës dhe Maqedonisë perendimore. Më shumë se sa një Luftë Nacional-Çlirimtare, lëvizja e ushtrisë së Enver Hoxhës ka qenë, sikurse edhe ai e ka pranuar shumë herë, një Revolucion i Mirëfilltë Komunist, që për mendimin tim kompromentoi në fillesë procesin çlirimtar, që edhe pa luftën e tyre aq barbarisht të programuar, do të kishte ardhur, madje më paqesisht, drejt lirisë. Revolucioni Komunist, i adresuar kryesisht kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë të ndryshëm politikisht, me pas kundër gjermanëve, i zhvilluar në rrethanat e një procesi tërheqjeje të vazhdueshme të forcave naziste nga Ballkani, pati në themel të vetin një përmbajtje të thellë të luftës civile.
3. Në lidhje me pozicionin e LNÇ në rezistencën kundër pushtuesit mund të konkludojmë:
LNÇ ka qënë organizata kryesore që ka zhvilluar një luftë gati të pa kompromis kundër pushtuesit gjerman. Por ajo organizatë, nuk arriti të bëhej, as në fillesë, një organizatë gjithpërfshirëse dhe u kontrollua që në krye nga komunistët shqiptarë dhe jugosllavë. PKSH kishte organizimin e vet që punonte nën mbulesën e LNÇ, mbasi perveç tre anëtarëve nacionaliste: Abaz Kupi, Myslim Peza dhe Baba Faja,[1] të gjithë rangjet e larta të LNÇ kontrolloheshin nga antarët e PKSH. Kjo ka vlerë për periudhën pas Labinotit (korrik 1943). [2] Për të gjithë kohën e jetës së LNÇ lëvizja është mbajtur në duart e anëtarëve më të besuar të PKSH, të cilët formonin celulen e brendshme themelore të LNÇ. PKSH kontrollonte drejtpërdrejtë përmes komisarëve, drejtimet politike të të gjithë anëtarëve të LNÇ dhe indirekt anën ushtarake dhe administrative të LNÇ. Pas Konferencës së Korrikut 1943 në Labinot, LNÇ mori një organizim më të plotë. Organizma të tjerë të LNÇ perveç Presidiumit që luante rolin drejtues ishte dhe Asambleja e Këshillit Qendror dhe Këshilli Ekzekutiv, i cili funksiononte gjithë kohën. Këshilli ekzekutiv i LNÇ përbëhej nga nga tre ose më shumë seksione. LNÇ merrte urdhëra nga Komiteti Qendror i PKJ, organizëm që kishte kontakte të drejtpërdrejta me Mosken, përmes emisarëve jugosllavë të Titos. Emrat e dy personave përfaqësues të PKJ të atashuar pranë Këshillit të LNÇ kanë qenë (Ali Dushanovic) Dushan Mugosha dhe (Veledini) Miladin Popoviç, të dy ishin njëkohësisht anëtarë të Këshillit Regjional të Metohisë në Pejë. Jugosllavët pretendonin pranë autoriteteve ushtarake britanike se përfaqësuesit e tyre ishin dërguar në Shqipëri për të organizuar Lëvizjen e Rezistencës, por vetë LNÇ vetë nuk e ka pranuar para autoritetev të BLO, një pretendim të tillë. Ekzistonte gjithashtu edhe një ndërlidhje e drejtpërdrejtë në mes LNÇ dhe Svetozar Vukmanoviç Tempo, I dërguar i posaçem i Titos në Ballkan (ambasadorë shetitës). Po ashtu një lidhje e ngushtë ekzistonte në mes Këshillit të LNÇ në Kosovë dhe Titos. Delegati i Titos Velimir Stoiniç (kryetar i Misionit Ushtarak Jugosllav i mbërritur në Shqipëri në gusht 1944) pretendonte se LNÇ ishte në urdhërat e drejtpërdrejta të Titos.[3] LNÇ deri në janar 1944, nuk kanë bërë ndonjë deklaratë për qellimet e pas luftës, me perjashtim se kanë pranuar si bazë të programit, Karten e Atlantikut, Deklaraten Eden- Molotov- Hull: shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe deklaratat e angazhimet e tjera të Aleatëve. Ato favorizonin një Federatë Ballkanike të drejtuar në linjat komuniste. Gradualisht LNÇ në rrjedhën e vitit 1944 do të behej partia më e fuqishme në Shqipëri, politikisht, dhe administrativisht më e organizuara dhe në të njëjtën kohë organizata më aktive në luftën kundër fuqive të Boshtit. Ajo filloi të krijonte epersi edhe numerike mbi organizatat rivale me trupa të rregullta të lëvizshme, duke pasur në të njejtën mënyre edhe vlerën më të madhe ushtarake në Shqipëri. Për të gjitha këto arsye, ushtarakët britanikë e konsideruan këtë organizatë, si më të vlefshmën në dhenien e ndihmës, në arritjen e objektivave ushtarake britanike sa më shpejt në këtë vend. Por komportimi i tyre linte për të deshiruar citohet Peter Lucas në raportin amerikan: “nuk ishin asgje më shumë se sa disa çunakër të papërgjegjshëm, që nuk dinin asgjë për komunizmin, bënin vetëm pislleqe vrastare, së bashku me luftën kundër okupatorit, duke ushtruar terror gjithandej ku gjenin kundërshti, pa dallim. Kjo prirje e tyre sa vinte dhe do shtohej drejt rrugës së tyre për të ardhur në pushtete, në këtë kohë jemi vetëm në fillmet e aktivitetit çlirimtar edhe terrorist.[4]
4. PKSH në mënyrë të qendrueshme ka ecur disa hapa para në veprimin e saj politik në raport me forcat nacionaliste dhe këtu kam parasysh, BK, Legalitetin, Lidhjen Dibrane dhe Nacionalistët e pavarur. Ato testuan madje edhe sistemin që mund të aplikonin, duke arritur të bënin thirrje popullore në emër të LNÇ, si një organizatë aktive e drejtuar për çlirimin e Shqipërisë. Përndryshe BK u prir që në fillim për të ruajtur forcat e veta, për të mos u ballafaquar drejtpërdrejtë as me italianët dhe po ashtu as me gjermanët, me mendimin për ta ruajtur forcën e vet pas luftës kur do të duhej të rezistohej serish ndaj ambicieve serbe për mbizotërim në Shqipëri.
5. Perçarja ndershqiptare mes LNÇ, BK dhe forcave nacionaliste, ka marrë formën e vet te plotë në muajin tetor 1943, për të marrë më pas një rrugë pa kthim. Fillesat e kësaj përçarjeje janë me heret dhe ato përbëhën nga këto hapa:
A.Konferencës së Labinotit, korrik 1943, LNÇ synoi me këmbëngulje një përzjerje me forcat e djathta, duke qenë se këto forca kishin edhe mbështetjen nominale politike të shteteve perëndimore të Aleancës Antifashiste. Misioni Ushtarak Aleat, i cili mori pjesë si vëzhgues në punimet e Konferencës së Labinotit, i kërkoi me forcë Abaz Kupit të punonte në të mirë të kësaj përzjerjeje në interes të rezistencës së bashkuar antifashiste. Pas Konferencës së Labinotit të datës 8 korrik 1943 u bë nj ë deklaratë prej FNÇ , e cila shpallte krijimin e Këshillit Ekzekutiv të FNÇ , i përbërë nga: Aba z Kupi, Baba Faja Martaneshi, Myslim Peza, Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Haxhi Lleshi, Mustafa Gjinishi dhe Sejfulla Maleshova. Konferenca e Labinotit e konsolidoi FNÇ si një organizatë politike dhe u s htarake, dhe n ë kushtet e mungesës së përfaqësuesve të BK, edhe një dallim krejtësisht të qartë në mes FNÇ dhe BK .
B. Presioni i opinionit publik të brendshëm dhe kryesisht arsyeja e vendosjes si një lëvizje plotësisht e njësuar para Aleatëve, s oilli në mbledhjet e njëpasnjëshme që u mbajtën në fund të muajit korrik në Tapizë dhe në fillim të gushtit në Mukje, në mes Abaz Kupit, Dr. Ymer Dishnica, Myslim Peza dhe Mustafa Gjinishi, të cilët përfaqësonin LNÇ dhe Midhat Frashëri, dhe Hasan Dosti që përfaqësonin Ballin Kombëtar. Përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, duke nënvleftësuar forcën në rritje të LNÇ dhe duke menduar se ende inisiativa e punëve të brendshme shqiptare ishte në duart e forcave kombëtariste të së djathtës tradicionale shqiptare, e pranuan me ngurim një marrëveshje paraprake. Marrëveshja parashikonte krij iomin e një Komiteti Provizor mbi bazën e përfaqësimit të barabartë. U ra dakord që të formohej një Komitet për Shpëtimin e Shqipërisë, në të cilin LNÇ dhe BK të përfaqësoheshin së bashku. Përfaqësuesit e LNÇ nuk e hodhën poshtë pikpamjen e BK se Shqipëria që duhej shpëtuar ishte Shqipëria e plotë e krijuar gjatë luftës, por ata paten verejtjen se për këtë do të duhej të bëheshin referendum për përcaktimin e të ardhmes së territoreve të lartpermendura. Konferenca u shty dhe takimi për ratifikimin e marrëveshjen u ra dakord të mbahej në fillim të muajit gusht 1943. Marrëveshja e arritur në Mukje me 1 dhe 2 gusht u hodh poshtë dhe u dënua nga Komiteti Qendror i PKSH. Me 8 gusht u lëshua një qarkore me porosinë e përgjithhme që çfarëdo bashkëpunimi me BK duhej ndërprerë.[5] Pastaj Komitetit Qendror i LNÇ, në mënyrë të përsëritur e shtyu mbledhjen e dytë dhe në fund e hodhi poshtë Marrëveshjen e Përkohshme të Mukjes, në fillim të muajit shtator 1943, mbi bazën e arsyeve të mëposhtme:
I.Gjashtë përfaqësuesit e LNÇ në Komitetin e Përbashkët do të përfshinin dy mbështetës të krahut të djathtë (Abaz Kupin dhe Mustafa Gjinishin). Për rrjedhojë, krahu i djathtë i spektrit politik të vendit, gjithmonë do të kishte shumicën në arritjen e vendimarrjes;
II. Balli Kombëtar synonte me shpallë” “n jJë Shqipëri të Pavarur”, ndërkohë që Komiteti Qendror i LNÇ ishte kundër përdorimit të këtij emërtimi.[6]
C Ardhja e trupave pushtuese gjermane në Shqipëri rastisi me kohen kur PKSH, në krye të LNÇ kishte filluar tashmë gradualisht kundërvënien, dhe më pas edhe veprimin e armatosur kundër BK. Pas deshtimit të Marrëveshjes së Mukjes: Qendrimi i BK ka qenë më tepër pasiv se sa aktiv: të shmangej shkatërrimi i panevojshëm, të pritej dita për kryengritjen kombëtare kur fuqia pushtuese të ndodhej përballë disfatës përfundimtare, të ruhej Shqipëria për shqiptarët dhe të mbrohej ajo nga komunizmi.[7]
6. Periodizimi i Luftës Civile
Duke filluar nga muaji nëntor 1943 dhe në vijim, përshirë edhe post çlirimin, në Shqipëri janë zhvillluar paralelisht dy luftra: I- Lufta kundër pushtuesit të ri gjerman dhe II_një luftë civile që ka pasur në njerën anë LNÇ e drejtuar nga Enver Hoxha, dhe në anën tjetër disa subjekte: A Ballin Kombëtar. B. Forcat e qeverisë shqiptare: xhandarmerinë dhe ushtrinë të krijuar me bazament kryesor rekrutët nga Kosova dhe tokat irridente; Ballafaqimi me këto subjekte, fillon në nëntor 1943 dhe vazhdon deri në fund të vitit 1944, ndarë në disa faza, varësisht, vdekjes dhe ringjalljes së LNÇ, në operacionin e Dimrit dhe atë të Qershorit. Në ballafaqimin me këto dy subjekte është përdorur si arsyetim i luftës së nisur nga LNÇ, pranimi i ndihmës, qendrimi oportunist i klasifikuar si bashkëpunim dhe bashkëpunimi i qartë i segmenteve të caktuara në subjekteve të lartpermendura. C.Subjekte të treta në luftën civile kanë qenë 1.organizata e Legalitetit,2. Lidhja Dibrane, 3.Grupi i Tiranës, 4.Paria e Shqipërisë së Veriut në tërësi, të cilët nuk kanë bashkëpunuar në asnjë rast me okupatorin, por nën kërcënimin e flakës komuniste që pritej të godiste pa dallim, dhe kërcënimit të represionit gjerman, kanë mbajtur një qendrim pritës, asnjanës. Ky adresim i dytë i Luftës Civile nga ana e LNÇ, ka filluar hapur në momentin kur divizionet e UNÇSh nga Shqipëria e Jugut, kapercyen Shkumbinin, invaduan Shqipërinë e Veriut dhe kryen një proces purifikues pa dallim, duke shkatërruar, nën maskën e goditjes së okupatorit, të gjithë strukturën sociale, ekonomike dhe kulturore të kësaj pjese të vendit në një formë të pakthyeshme.
Faza e parë e Luf tës Civile mes LNÇ dhe BK, ka zgjatur nga muaj i nëntor 19 43 deri në fund të janarit 1944. Atë e filloi LNÇ dhe e vazhdoi BK me ndihmën e gjermanëve dhe trupave qeveritare. Faza e parë e kësaj lufte rezultoi me shpartallimin e partizanëve të LNÇ në qendër, masivisht edhe në Jug, përndyshe në Veri LNÇ ishte gati inekzistente. Faza e dytë e Luftës Civile mund të konsiderohet se fillon në muajin prill 1944 dhe zgjat deri në në fund të qershorit 1944 dhe në këtë fazë LNÇ ka përballë jo vetëm BK por edhe forcat e riorganizuar të xhandarmërisë dhe ushtrisë së qeverisë shqiptare, nga Kosova. Faza e Tretë e Luftës Civile fillon pas datës 22 qershor 1944 dhe deri në fund të dhjetorit 1944: Lufta Civile vendosi përballë LNÇ-së, të gjithë forcat nacionaliste, perveç BK të dyshuar për kolaboracionizëm, edhe të gjithë forcat e prijësve dhe bajraktarëve të Shqipërisë së veriut që skishin asnjë lloj lidhjeje me kolaboracionizmin, por veç kishin qendruar asnjanës.
Kush ishin nxitësit e luftës civile? Shqiptarët operonin në një skemë të madhe ndërkombëtare, të cilën ata vetë nuk arritën ta shikonin lehtësisht në atëkohë. Dy janë kurthet politike dhe ushtarake në të cilat u vendosën krahët politikë të Shqipërisë: Së pari, skema gjermane, ka qenë e përqendruar në nxitjen e nacionalizmit dhe patriotizimit tradicional, përmes skemës së pavarësisë dhe neutralitetit të Shtetit shqiptar në kufijtë entikë. Dhe së bashku me atë ka qenë demaskimi i politikës ekstremistë të PKSH dhe LNÇ, kundër parësisë tradicionale të Shqipërisë. Për këtë ka shërbyer zbulimi i qarkoreje sekrete, të lëshuar nga LNÇ, kapur nga gjermanët dhe publikuar nga BK në Fier. Kjo qarkore hidhte shumë drite mbi shumë probleme. Për shembull, paragrafi i fundit i faqes 3 të Qarkores së LNÇ, shkruante se, “është e nevojshme që në rast të një zbarkimi Aleat, Këshilli i LNÇ do të duhet të jetë partia në kontroll të situates”. Në faqen 6 thuhej se “LNÇ duhet ta paraqesë BK tek populli si shkaktari i luftës civile dhe duhet të nxisë të gjithë popullin, ta bëjë BK përgjegjës para historisë, si përçarës të popullit shqiptar”. Autenticiteti i kësaj letre me fillesë drejtuesit e LNÇ, u vertetua prej BLO, nga një letër që ishte marrë prej nipit partizan të Lef Nosit, Frederik Nosi. Kjo letër që Lef Nosi mori nga i nipi, përmbante fjalë për fjalë gati të gjitha formulimet e përmbajtuna në Qarkoren e LNÇ. Në letër shkruhet gjithashktu se “LNÇ duhet të punojë shumë për të diskretituar BK në mes popullit” dhe “duhet të sulmojë kryetarët e tij reaksionarë në një mënyrë edhe më vendimtare”. Patrioti me famë dhe pa njollë Idhomen Kosturi që pasoi Lef Nosin si kryetar i ri i parlamentit, në këtë frymë, u vra në një atentat nga ana e komunistëve dhe të gjithë ata që pranuan të përfshihen në qeverinë nacionaliste nën gjermanët, pra edhe Lef Nosi vetë, e dinin që do i priste i njejti fat prej komunistëve kështu që nuk kishin zgjidhje tjetër veç të bënin gjithshka kundër atyre. Gjermanët kishin interes ta bënin publike këtë dokument, për të futur në grindje palët rivale politike në Shqipëri dhe për ta shmangur vëmendjen nga trupat e saj të pushtimit. Kësisoj, kjo politikë gjermane është shkaku i parë i shpërthimit të Luftës Civile në Shqipëri.[8] Duhet të kujtojmë se kur Enver Hoxha lëshoi urdhërin e fillimit të Luftës Civile, ai bëri llogaritë e faktorit kohë gabim, duke besuar se Aleatët do të zbarkonin brenda pak javësh. Dhe ai synonte të ishte forca politike-ushtrake mbizotëruese kur të vinin Aleatët, gjë që nuk ndodhi. Së dyti, Britanikët kanë përcaktuar si nxitës dhe nismëtar të Luftës Civile në Shqipëri, respektivisht si nxitës të politikës së Enver Hoxhës, Ali Dushanoviç, alias Dushan Mugosha, një komunist i nacionalitetit serb nga Peja. Partizanët e Shqipërisë së jugut e thërrisnin atë me emrin Aliu nga Peja. Zbulimi i këtij fakti për britanikët u bë nga Mestan Ujaniku, një komandant i rëndësishëm i guerrilasve shqiptar që vepronte në zonën Berat- Skrapar. Në një letër që daton me datë 14 nëntor 1943, ai dhe Xhelal Staravecka, një udhëheqës tjetër partizan i Skraparit, ishin revoltuar aq shumë prej luftës vellavrasesë të imponuar ndaj shqiptarëve prej komunistit serb Dushanoviç.[9] Kështu, pas nëntorit 1943, Enver Hoxha ndërmori një luftë guerrile kundër nazistëve, ai zhvilloi një luftë civile kundër BK nacionalist, luftë që e fitoi…[10] Ai e ka parë luftën në Shqipëri, në thelbin ë interesa të tij, një luftë izoluar nga konteksti ndërkombëtar dhe interesat e Aleancës antifashiste, dhe ky përkufizim vlen të shtohet në rishkrimin e kësaj pjesë të historisë. Tre grupimet kryesore politike në Shqipërinë e kësaj kohe, LNÇ, BK dhe Legaliteti, synonin të mërrnin drejtimin e vendit pasi gjermanët të ishin larguar. Ndryshimi kishtë të bënte me faktin që komunistët kishin dëshirën për të luftuar përkrah Aleatëve kundër pushtuesve, pasi kjo u shërbente interesit të tyre. Deri në këtë kohë ata ishin gati të luftonin dhe të vdisnin për kauzen e tyre. Dhe kauza e tyre ishte revolucioni, ndryshimi. Balli Kombëtar dhe Legaliteti kërkonin të ruanin status-quo-në. Ata ishin kundër ndryshimeve. Në përfundim, BK bashkëpunoi me gjermanët pushtues në një qeveri që përfundoi e cilësuar kuislinge dhe, së toku me gjermanët luftoi kundër partizanëve. Legaliteti e mbylli luftën pa u bashkuar me asnjë palë [11] Faktet tregojnë se LNÇ precipitoi një luftë klasash që në këtë kohë të fundit të vitit 1943 dhe fillimit të vitit 1944, vendosur në dukje edhe nga analistët britanikë të ngjarjeve në Shqipëri dhe në këtë sipërmarrje ata janë përkrahur fort me tifozllek prej gjermanëve. Qendra e gravitetit politik të Shqipërisë ishte e renduar më shumë nga e djathta (pjesa më e madhe e popullsisë së Shqipërisë ishte antikomuniste në mënyrë të natyrshme dhe për arsye të kuptueshme) dhe gjatë janarit 1944 dhe fillimit të shkurtit 1944, me ndihmën e gjermanëve forca e së majtës komuniste ishte reduktuar në një mbetje të papërfillshme.[12]
7. Rezistenca ndaj gjermanëve ka qenë pjesë integrale e planit të LNÇ për të ardhur në pushtet. LNÇ shpresonte ta arrinte këtë nepërmjet përdorimit të forcës së armëve, eliminimit të kundërshtarëve politikë pa dallim dhe me mbështetjen e Aleatëve. Ishte kjo e vetmja mënyrë për të nxjerrë jashtë lojes politike armiqtë e vet ideologjikë, klasat tradicionale të shoqërisë shqiptare duke e kthyer balancën e pushtetit nga vehtja. Një gjë e tillë ishte e mundshme duke pasur parasysh se mbështetësit kryesore të një levizjeje majtiste, që vinin nga shtresat e ulëta të shoqërisë, kishin pak për të humbur në rrethanat e raprezaljeve armike. Lufta civile ishte e përqendruar në Jug dhe në pjesën lindore. Në Verilindje të Shqipërisë, popullsia ishte kundër partizanëve kryesisht sepse frikësohej nga raprezaljet gjermanë.
8. Shqipëria Veriperendimore në një masë të madhe shumë ka qenë tërësisht kundër LNÇ.
• Shqipëria veri-perëndimore dhe Veriore, në Malësitë Shqiptare, nuk ka pasur luftë, deri në momentin e invadimit të brigadave partizane në dy muajt e fundit të vitit 1944.[13] Shqipëria e Veriut ka pasur një strukture sociale të ndryshme nga Shqipëria e Jugut dhe ka qenë deri në invadimin komunist, nën kontrollin e disa lidhjeve të prijësve. Me përjashtim të zonave pranë rrugëve kryesore të komunikimit dhe çlirimit të Tiranës, i gjithë operimi i UÇNSH në Veri është zhvilluar kryesisht, me disa përjashtime, kundrejt Lidhjeve, Legalitetit, Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut, të cilën: NUK BASHKEPUNUAN ME PUSHTUESIT. LNC kreu nje okupim te paster te Shqiperise se Veriut qe u vendos nen Terror, pa dalim, duke kapercyer teresisht pragun e ndihmes clirimtare, lirise, dhe respektit te Shqiptarit te Veriut dhe qytetnimit Gege.
Historia e Grupit të Tiranës, të Rezistencës Nacionaliste është një histori me vehte, krijuar në rrethanat e parashikimit të katastrofes të ardhshme në vendit nën Regjimin e Terrorit, të instaluar se bashku me çliirimin nga okupatori.
Cilat kanë qenë grupimet e Veriut?
Lidhja e Bajraktarëve të Veriut:
Këto lidhje koinsistojnë në grupime të ndryshme dhe parësi të fise të ndryshme, që drejtohen nga barjaktarët dhe prijësit e tyre feudalë, të cilët u përpoqën të ruajnë identitetet e tyre në rrethanat e kaosit të përgjithshëm shqiptar të Luftës së Dytë Botërore. Përspektivat edhe prirjet e tyre janë të ngjashme me programet politike të BK dhe Zogistëve. Grupet më të rëndësishme të Shqipërisë së Veriut kanë qenë si më poshtë vijon:
1. Fiset Katolike të Mirditës nën Gjon Markagjonin, i cili nuk bëri deri në janar 1944 ndonjë deklaratë të hapur mbi qendrimin e tij ndaj gjermanëve, por raportet britanike thojnë se ai u kishte premtuar gjermanëve dikund tek 800 milicë, në këmbim të ruajtjes së paprekur të krahinës. Gjon Markagjoni ka qenë një katolik i bindur dhe shef i rëndësishëm i një krahinë tëresisht katolike, kundërshtar i komunistëve. Ai kontrollonte plotësisht Krahinën e Mirditës dhe ishte në gjendje të mobilizonte 2000 njerëz. I biri i tij, Mark Markagjoni mori pjesë në Komitetin Ekzekutiv, Shtator 1943. Mendoj se rasti i tij, është rast i pastër bashkëpunimi, qoftë me italianët, qoftë me gjermanët.
2. Lidhja Dibrane: Kolapsi i Italisë ndodhi pik ërisht në kohën kur PKSH lëshoi thirrjen për luftë kundër forcave nacionaliste. Para përpjekjeve të vazhdueshme të PK SH për të vendosur nën kontroll të plotë LNÇ në muajin shtator 1943 forcat nacionaliste shqiptare t ë krahinës l indore dhe verilindore, u mblodhën në Dibër në përpj e kj e për krijimin e një organizate që do të ushtronte kontroll mbi zonën e Dibre s dhe Lumës , në opozitë me LNÇ . N ë krye të kësaj përpjekje u vendos Fiqri Dine . Bajraktarët e Dibrës, ku ndër më të rëndësishmit kanë qenë Cen Elezi, Miftar Kaloshi, Selim Kaloshi, Hakif Lleshi dhe Halil Alija, formuan një “Komitet Kombëtar” dhe u shpallën për Zogun, me përjashtim të Cen Elezit i cili raportohej se ishte bashkuar me LNÇ, por përfundoi me BK. Raportet britanike të muajit janar-shkurt 1944 tregojnë se ata nuk ishin të përgatitur të luftonin gjermanët për shkak të frikës se raprezaljeve. Pjesa më e madhe e tyre ishin kundër partizanëve dhe mendohet se kishin nën zotërim dikund tek 2000 forca njerezore.[14] Në këtë lidhje u përfshinë ose bashkupunan edhe Muharrem Bajraktari, Hysni Dema, pjestar ë të familjeve Elezi dhe Kaloshi, Ali Maliqi dhe sipas të gjitha gjasave edhe Abaz Kupi . [15]
3. Muharrem Bajraktari në fakt kishte krijuar një lidhje të vetën në Veri të Dibres në zonën e Lumës. Ai ishte kundër partizanëve, ishte në kontakte shumë miqësore me grupin britanik Stables dhe nuk bëri asnjëherë luftë kundër gjermanëve. Ai kishte rreth 400 njerez nën armë dhe mbante një qendrim pro zogist.
4. Zona e Gjakovës dhe e Malësisë drejtohej nga një grup Bajraktarësh të organizuar në një lidhje me organizma varësish. Ata ishin në konktakt me Abaz Kupin dhe në marrëdhenie kontakti me gjermanët për shkak të nevojave të tyre të shfrytëzimit të minierave të kromit nga të cilat ata nxirrnin perfitime.
5. Familja Kryeziu në Malësinë e Gjakovës ka qenë më e rendësishmja. Ajo është bashkuar me lëvizjen partizane por ka mbajtur një qendrim probritanik dhe pro krijimit të Shqipërisë Etnike, gjë që kishte ngjallur edhe armiqësinë e komunistëve shqiptarë që ishin pro jugosllav dhe kundër britanikëve. Enver Hoxha më kalimin e kohës do të hakmerret ndaj Gani Kryeziut dhe këshilltarit të tij kryesor Zai Fundo.
6. Rajoni tjetër i Kosovës ishte i ndarë në shumë ndikime: ekzistonte një Këshilli i LNÇ nën drejtimin e Fadil Hoxhës në zonën perëndimore të Kosovës me dikund 200 partizanë kosovarë të dy nacionaliteteve. Ministri i brendshëm Xhafer Deva kishte arritur të ngrinte milicinë e vet në këtë zone
7. Për fiset katolike në Veri të Shkodres dhe zonat në veri të rrugës Shkodër-Kukës, ka qenë tërësisht jashtë skenës politike dhe ushtarake shqiptare dhe i vetmi angazhim që rezulton është se ato kishin bërë një ofertë BLO për të ngritur çeta me mbeshtetjen britanike,[16] oferta që do u kushtojnë shumë kur komunistët do të vinin në pushtet
8. Raporti i forcave politiko ushtarake në Shqipëri ka ndryshuar drejt fundit të viti 1943 dhe fillimit të vitit 1944: balanca pas operacionit të dimrit ndryshon përkohësisht dhe është si vijon: Udhëheqës të blokut nacionalist, formuan GRUPIN e TIRANES, si një grupim i veçantë politik mbi grupimet e përshkruara më sipër, i palidhur me gjermanët, organizatë që do të operonte për t’u përgatitur për rrethanat e një kolapsi gjerman për parandalimin e invazionit komunist: përbëhej nga Kupi, Gjon Markagjoni, Cen Elezi i Lidhjes se Prijësve të Dibres, Mehdi Frashëri, që ishte Regjent në këtë kohë, Fiqri Dine që ishte ministër i brendshëm në Administratën e kryeministrit Eqrem Libohova. Përpjekje u bënë për të përfshirë edhe Muharrem Bajraktarin, por ai vazhdoi të preferonte të qendronte në kendin e zonës së tij duke u kredhur në endrrën e tij të një levizjeje antisllave dhe antikomuniste të financuar nga britanikët dhe të drejtuar nga ai vetë.[17] Grupi i Tiranës kërkoi mbështetjen e shumë nacionalistëve të pavarur, të cilet deri më aso kohe nuk e kishin identifikuar vehten me partitë kryesore politike të Shqipërisë. Politika e Grupit të Tiranës ishte që të afrohej sa më afër të ishte e mundur me qeverinë që konsiderohej kolaboracioniste, me synim të manovronte drejt një pozicioni në të cilin ata në mënyrë efektive të mund të vendoseshin në kontroll të xhandarmërisë, ushtrisë dhe administratës, në mënyrë që ndryshimi i kuadrit politiko-ushtarak, t’i gjente me institucione të ngritura. Dukej qartë se, në rrethanat kur humbja e Boshtit ishte një realitet që po prekej me dorë, lufta kundër gjermanëvë filloi të humbiste për Grupin e Tiranës (nacionalistët), dhe ata filluan të shetqësohe vetëm në konsolidimin e pozicioneve të tyre me çdo mënyrë të mundshme, me qellim që neser të mund të përballonin kërcënimet e jashtme prej serbevë dhe komunistëve, aleatë të tyre në planin e brendshem. Në kendvështrimin e analistëve britanikë të BLO, ky grup nuk mundej me një të rënë të lapsit të etiketohet si grup kolaboracionistësh: Mehdi Frashëri, Cen Elezi, Fiqri Dino dhe Abas Kupi janë burra të provuar në patriotizëm.Nepërmjet krijimit të pauze pritjeje me gjermanet, ky grupim synonte të akumulonte fuqinë e nevojshme me përballue problemet në të ardhmen.[18] Mirëpo në vend që të ruante pastertinë, Grupi i Tiranës filloi të marrë gjithnjë e më shumë elementë nga kolaboracioni tradicional. Si një tregues për këtë, është përfshirja në orbiten e grupimit të Shefqet Verlacit, Kryeministrit Kukull në kohën e Italisë dhe një prej feudalëvë të mëdhenj të Shqipërisë si edhe e avokatit të shquar Skender Muço, udhëheqës BK në zonën e Vlorës. Nga ana tjetër, gjermanët në bashkëveprim me Dr. Xhafer Deven, Ministër i brendshëm, organizuan dhe zhvilluan një mbledhje të fshehtë me prijësit e Dibrës dhe Kosovës. Përfaqësues të 60 komunave dhe bashkive morën pjesë në një takim që u zhvillua në Rugovë. Gjermanët i shpjeguan shqiptarëve se fronti i tyre ishte tani shumë i shtrirë, por ata mund të mbronin Shqipërinë nga Aleatët, në qoftë se shqiptarët mbronin vendin nga komandat e brendshmë të britanikëve, duke premtuar armë dhe municione.[19] Ky hap siç duket ka qenë fatal për kompromentimin e këtij grupimi që gradualisht do të dezintegrohet.

9. Anëtaret e caktuar të BK pas fillimit të Luftës Civile, bashkëpunuan dhe gjetën strehë tek forcat gjermane të pushtimit, besuan në demagogjinë e pushtuesit, njëlloj si nacionalistët e spikatur që u përfshinën në Qeverinë dhe qeveritë e Regjencës. Nuk ka asnjë dokument të shkruar nga Komiteti Qendror i BK për urdhnimin e bashkëpunimit. Gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhej organizata, mund ta kuptojmë nga një letër që zonja Aferdita Gjakova dergon në Foreign Office. Ajo ishte një grua shumë e arsimuar, shkolluar në një kolegj Amerikan dhe konsiderohej nga raportet, si një ndër gratë më të zgjuara të Shqipërisë. Ajo në raportin e hollësishëm të saj mbi Gjendjen e Shqipërisë nga pushtimi italiane deri në fillim të vitit 1944, publikon një letër që ajo kishte mare dy ditë para largimit në fund të vitit 1943 dhe fillim të 1944, për në Turqi nga udhëheqësi i BK, Mid’hat Frashëri. Është shumë e rendësishme për të kuptuar sinqeritetin deri në naivitet, patriotizmin epik të tij dhe fatkeqësinë në të cilen Shqipëria dhe ai e shokët e tij ndodheshin. Ai shkruan: “1 Tregoji shqiptarëve në Turqi dhe miqve tanë anglezë dhe amerikanë se BK nuk është duke bashkëpunuar me gjermanët. Gjermania nuk ka të njëjtat pretendime territorial mbi Shqipërinë sikurse pati Italia. Ne nuk do të luftojmë trupat gjermane në një luftë të hapur spse ne e dime çmimin e lartë që ne do të na duhet të paguanin për çdo asion të tillë. Shumë nga fshatrat tanë janë në rrënim dhe shumë nga shqiptarët tanë kanë humbur tashmë jeten. 2. Tregoji miqve tanë në çfarë gjenjde anarkie është vendi jonë tani. Komunistët të çorientuar dhe drejtuar keq nga pasuesit e Titos dhe oficierë rusë janë duke shkaktuar shkatërrimin e këtij vendi. Unë jam konsultuar me partizanë shqiptarë, unë u kam këkruar atyre të jenë vetëm shqiptarë të mire, por ata nuk pranojnë asnjë këshillë. Ata thojnë se ata do të rindërtojnë Shqipërinë pas lufte. 3. Ky vend është shumëi dashur për ne dhe ne do të organizojmë njësitë tona luftarake për me mbrojtë atë dhe kufijtë e tij. Ne do të jemi të detyruar eventuallisht të përdorim armët tona kundër komunistëve. 4 Ne kemi bashkuar të gjithë nacionalistët për kauzen e përbashkët- për të dobësuar dhe shkatërruar komunizmin. Nuk ekziston ndonjë dallim tash e mbrapa në mes grupeve pro zogiste dhe anti zogiste.” Zonja Gjakova shkruan në fund të këitj shpjegimi të pare se kur unë e takova Mid’hat Frashëri ai dukej i lodhur dhe i mplakur. A pati deshiruar që organizata e tij të ishte një sukses por deshtoi.[20]
10. A është qeveria e parë shqiptare nën gjermanët një qeveri tipike kuislinge? Qeveria e formuar përshinte njërëz të njohur, pro-britanikë dhe më preardhje ngaliberal demokracia shqiptare dhe orientimi perendimor. Në fakt Gjermania luajti një kartë të zgjuar duke përfituar nga statura, kalibri i lartë i këtyre burrave, në krahhasim me ata që u shërbyen italianëve, për të shmangur cilësimin e anëtarëve të qeverisë shqiptarë me emërtimin kuislingë nga opinion publik jo aq i ftilluar i shqiptarëve të kohës. Duhet të kuptojmë se pas katër vitesh pushtim Italian, lufta e shqiptarëve ishte më së shumti një betejë për çlirimin nga italianët.. pushtimi Italian ishte për shqiptarët një kujtimi i një përiudhe të pastabalizuar në të cilën shteti i tyre qendroi. Kjo sepse edhe fuqitë e mëdha të kohës, në heshtje, njohen statusin e ri të Shqipërisë të inkorporuar nën Italinë Fashiste dhe regjimin fashist Italian. Në qoftë se në vendet e tjera arritja e gjermanëvë ka nënkuptuar zakonisht kolapsin e qeverisë vendase, në Shqipëri ardhja e gjermanëve rastisi më rënien e një regjimi të huaj të urryer.[21] Margaret Hezllaku, shefja e seksionit shqiptar të Force 133 britanike në Kajro, ka bërë këtë përcaktim lapidar qeverinë e Regjencës: “Vijat e politikës së qeverisë do të kishin gjetur miratimin tonë të ngrohtë, nëse nuk do të kishim qenë në luftë me një vend, forcat e armatosura të të cilit tani kishin pushtuar Shqipërinë… Për me tepër ata i kanë bërë thirrje rinisë që t’i shmanget luftës civile dhe ta ruajë të paprekur Shqipërinë, të cilen ata, burrat më të vjetër në qeveri, e kishin bërë, por të cilen ata, të rinjtë, do ta trashëgonin nesër. Në të vertetë, këta burra të vjeter duhet të kenë një dhimbje të madhe duke vështruar kaosin, në të cilin e ka zhytur vendin lëvizja guerrile. Ata renden për të hequr qafe sundimin e degraduar turk. Ata u rritën për të luftuar për pavarësinë, shumë njerëz si vellëzërit Butka dhe i ndjeri Preng Pasha i Mirditës e bënë në vitet e burgimit, të internimit e të mërgimit. Kur u arrit pavarësia, ata, si myslimanët dhe të krishterët, I kthyen fytyrat nga Perëndimi dhe ata bënë për vete e ndihmuan bresin më të ri për të fituar një fare shkalle të qytetërimit pernëdimor. Ata u gëzuan duke pare qevëritë e mëpastajme, që ia hoqën popullssë armët, të cilat shërbenin vetëm për të ruajtur barbarinë mesjetare. Tania ta shohin se akrepat e orës janë kthyer prapa në vitin 1920 ose më parë, armët janë në duart e çdo njeriu, jeta e njëriut nuk vihet në hesap dhe anarkia asht harbuar. Ata nuk do të ishin aspak njerëzorë nese nuk do të bënin pyetjen a do ta vlente dëmi ekonomik e politik që do të pësonte vendi, ai përfitim që kishte impenjimi ushtarak I Aleatëve, I cili arrihej nga taktika guerrile duke goditur e duke ikur”.[22]
Taktiken djallëzore të nazistëve, shqiptarët e kuptuan si një moment për rivendosjen dhe rithemelimin e Shtetit Shqiptar, nepërmjet mjeteve kushtetuese. Në pikëpamje kushtetuese, Shqipëria preu lidhjet me Italinë dhe shpalli vehtën të lirë dhe të pavarur. Autoritetet e reja shfuqizuan ligjet e aprovuara nga prilli 1939. Nepërmjet kësaj u anullua edhe shpallja e luftës bërë në emër të Shqipërisë nga ana e Italisë, kundër Kombeve të Bashkuara, dhe ky akt ndodhi pa e përfshirë vehtën e saj në detyrimin për të bërë ndonjë aleancë të veçantë me Gjermaninë, shtetin që kishte ushtritë e veta në vend. Kështu, me këtë akt, zotëruesit e Shqipërisë së brendshme, afirmuan statusin asnjanës, të një shteti përkohësisht të pushtuar, i cili në mungesë të ndonjë organi të njohur nga Kombët e Bahskuara, ishte ma i mundshmi që mund të pritet për sëndërtimin e pjesës konstitucionale.[23] Bëhët fjalë për një situate të pangjashme, intriguese dhe mjaft komplekse që kalonte Shqipëria e qeverisë së Regjences së parë. Nëpërmjet këtij gjesti që gjermanëve, nuk do i kushtonte asgjë, qeveria shqiptare e Regjencës synoi të ruante iluzionin se ajo zotëronte lirinë e veprimit dhe se Shqipëria ishte faktikisht një vend i lirë, gjë që nuk rezulton i vertetë. Sipas Berdt Fischer, “shumë aspekte të përvojës shqiptare nën pushtimin gjerman janë sa unike, aq edhe të diskutueshme. Kushtet e brendshme të veçanta të Shqipërisë, si dhe nevojat e pushtuesve gjermanë, mundësuan krijimin e disa regjimeve kukulla, shumë prej të cilave injoruan shenjat më të dukshme të fashizmit dhe paraqiten politike ekonomike dhe politike reformiste, arritën të sigurojnë një masë të konsideruehsme mbështetjeje popullore”[24].

Konkluzioni që mund të kuptohet nga këto parashtrime është ky që Shqipëria në tërësi do ishte viktimë e një politike të madhe mes të mëdhenjve: gjermanët që me politikën e tyre të pushtimit dhe demtimit ekonomik dhe politik, po vijonin punën e italianëve me një skemë shumë më të zgjuar. Britanikët dhe amerikanët, të interesuar për shkatërrimin e gjermanëve kudo në vendet ku ndodhëshin, përfshirë dhe Shqipërinë, ndihmuan guerriljen me frymëzim komunist të LNÇ, ndërkohë që nuk e ofruan këtë ndihmë ndaj forcave nacionaliste që po qendronin në pasivitet. Klasa e vjetër nacionaliste e Shqipërisë u zu në kurthin e ngritur nga pushtuesit dhe komunistët e Enver Hoxhës, vendosi të ndiqte një politikë paqësore dhe stabilizuese të brendshme, pa bërë llogari me rrethanat makro dhe situatën sociale të shkatërruar në planin e brendshëm. Kjo ka qenë politika që i fundosi ata që ishin vërtetë eterit e kombit shqiptar, për t’i hapur rrugën me pas një grupimi terroristësh komunistë, që vertetë do të kryejnë procesin e shoqërimit dhe pastrimit të gjermanëve okupues nga Shqipëria, por njëkohësisht do të shkatërrojnë edhe Shqipërinë në tërësi, Shqipërinë e Veriut në veçanti, rendin tradicional të gjërave dhe lanë në harrësë dhe amortizuan dhe shkatërruan të gjithë procesin e rikthimit të ligjshmërisë konstitucionale të vendit.
Romeo Gurakuqi

[1] Ishin edhe Ndoc Çoba dhe Kamber Qafmolla. I pari u internua në Itali dhe nuk ishte aktiv në Front dhe tjetri ishte formalisht kryetari Këshillit të Përgjithshëm NÇ të formuar në Pezë.
[2] Deri atëherë komunistët ishin më në hije edhe në çetat partizane. Pothuajse të gjitha ato kishin komandantë të fuqishëm nacionalistë: Mestan Ujaniku, Xhelal Staravecka, Peza, Lleshi, Baba Faja etj dhe komisarët politikë, ishin nën hijen e tyre. Pas korrikut 1943 me kriimin e Shtabit dhe sidomos pas shtatorit 1943, kontrolli i PKSH bëhet më i dukshëm, më i qartë dhe më i fortë.
[3] PRO.FO.371.43549, faqe 100-129, Memorandum on Albania by Major Maclean.
[4] Peter Lucas, Misioni Amerikan në Shqipëri, Operacionet secrete të OSS-it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Tiranë, 2007, faqe 84.
[5] Është një qarkore, e cila urdhëron për mos publikimin e traktit të mbledhjes së Mukjes. Në të thuhet, “Qëndrimi ynë ndaj Ballin nuk ka ndryshuar, Balli duhet të pranojë luftën pa kompromise kundër pushtuesit”. Gjithashtu, porosit për të filluar propaganda kundër Ballit. AQSH, F. 14/APL, D. 11, f; 13-14. Reginald Hibbert, Fitorja e hidhur, Lufta nacionalÇlirimtare e Shqipërisë, Tiranë 1993, faqe 92-93.
[6] PRO.HS 7/70, S.O.E History 37/B, Allied Military Mission, Albania 1942-1945, part I faqe 12.
[7] Reginald Hibbert, Fitorja e hidhur, Lufta nacionalÇlirimtare e Shqipërisë, Tiranë 1993, faqe 42.
[8] PRO.FO.371.43549, B8/1/1/274/162, Albania, Fortnightly Appreciation, 2nd December, 1943.
[9] PRO.FO.371.43549, Albania, Force 133, Fortnigtly Appreciation for the period ending 9.1.44
[10] Peter Lucas, Misioni Amerikan në Shqipëri, Operacionet secrete të OSS-it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Tiranë, 2007, faqe 8.
[11] Peter Lucas, Misioni Amerikan në Shqipëri, Operacionet secrete të OSS-it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Tiranë, 2007, faqe 33.
[12] PRO.FO.371.43549, R 2329, From Cairo to Foreign Office For Howard from Steel, Fabruary 12, 1944.
[13] PRO.FO.371.43549, B8/1/1/274/175, Albania, Fortnightly Appreciation, 15.12.1943
[14] PRO.FO.371.43549, faqe 100-129, Memorandum on Albania by Major Maclean.
[15] PRO.HS 7/70, S.O.E History 37/B, Allied Military Mission, Albania 1942-1945, part I faqe 13
[16] PRO.FO.371.43549, faqe 100-129, Memorandum on Albania by Major Maclean.
[17] PRO.FO.371.43550, Ref. B8/1A/PL/349, Review for week ended 22ndh March 1944.
[18]PRO.FO.371.43550, Ref. B8/1A/PL/370, Review for week ended 29th March 1944.
[19] PRO.FO.371.43550, Ref. B8/1A/PL/390, Review for week ended 8th April, 1944.
[20] PRO.FO.371.43549, R 2421, Raport on Albania, by Mrs Aferdita Gjakova. January 27, 1944.
[21] PRO.FO 371.43550 Memorandum prepared by H. Hodgkinson, Office of SOSO, Bari April 1944, Secret” Albania: 1944
[22] PRO.FO.371.43549, B8/1/1/274/175,Albania, Fortnighlty Appreciation, faqja 3-4 e raportit.
[23] PRO.FO 371.43550 Memorandum prepared by H. Hodgkinson, Office of SOSO, Bari April 1944, Secret” Albania: 1944.
[24]Berndt Fischer, Politizimi i Historisë. Rasti i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, në: politika dhe Historia, edited by, Fatos Tarifa, Romeo Gurakuqi, Ermal Hasimja, UET Press, Tiranë 2012, faqe188

Filed Under: Histori Tagged With: 9 rezultate, dhe luften Civile, mbi Liften, Nacional-Clerimtare, Romeo Guarakuqi

Jeta dhe vepra e Dom Simon Filipaj-t

November 5, 2014 by dgreca

Nga SABRI GJONI/*
Të nderuar vëllezër e motra,
I nderuar Zotëri Dedë Filipaj dhe të afërm tjerë të Dom Simon Filipajt,
I nderuar kryetar i Shoqatës “Dom Simon Filipaj”, zotëri Tomë Shkreli,
Të nderuar klerikë: zotëri Dom Pjetër Popaj dhe te tjere
Ndihem i privilegjuar dhe kam nderin të ju përshëndes dhe të ju dëshiroj të gjithë juve mirëseardhjen në këtë darkë, tashmë tradicionale, që çdo vit shtrohet për të shënuar përvjetorin e themelimit të Shoqatës humanitare e atdhetare, që mban emrin e klerikut të devotshëm, studiuesit me përmasa gjithëkombëtare, përkthyesit të Biblës e mbi të gjitha burrit të ndershëm dhe atdhetarit të palëkundur, të të ndjerit Dom Simon Filipaj. Pra kjo shoqatë ka nderin, por edhe përgjegjësinë e madhe, që mban emrin e të madhit Dom Simon Filipaj, i cili u nda nga kjo jetë para 15 vjetësh, por veprat e mëdha të tij e bëjnë të pavdekshëm përgjithmonë. Ndihem krenar dhe mburrem për faktin që edhe unë kam pasur nderin të jem njëri ndër themeluesit e kësaj shoqata, e cila prej themelimit e deri më sot ka bërë shumë për vendlindjen tonë, duke u ndihmuar vëllezërit tanë në vendlindje, pa dallim përkatësie fetare. Por me këtë rast, në mënyrë të veçantë, dua ta përgëzoj shoqatën për angazhimin dhe financimin e plotë të ngritjes së shtatores madhështore të këtij vigani dhe luftëtari të palodhshëm për binomin fishtian “Për fe e atdhe”, e cila u zbulua dhe u përurua më 2 shtator të këtij viti në Shëngjergj të Ulqinit, para kishës ku shërbeu prej viti 1966 e deri në ditën e vdekjes, para 15 vjetësh.
Dua me këtë rast të përshëndes në mënyrë të veçantë priftin tonë, zotëri Dom Pjetër Popaj. Them me qellim priftin tonë, sepse ai me veprat dhe sjelljen e tij njerëzore dhe me fjalët e tij të ëmbla e të mençura, bërë për vete edhe ato që nuk i takojmë fesë katolike, por jemi të një gjaku dhe flasim të njëjtën gjuhë. Madje, në biseda të lira, duke be shaka u them disa bashkëvendësve të mi: “ Perandorisë osmane iu deshën disa shekuj që të na bëjë për veten, por kam përshtypjen se Dom Pjetër Popajt po i nevojiten vetëm disa dekada, që në mënyrë paqësore të na kthejë për veten, sepse ai po di se me kë shoqëroret. Po shoqërohet me Imamin Edin Gjonin dhe nëse arrin t’ia mbush mendjen atij, atëherë me të tjerët do ta ketë shumë lehtë.
Dua të mahitem pak, por vërtet jam i gëzuar që kam rastin t’i përshëndes nga afër dhe para jush dy klerikët tanë: Dom Pjetër Popaj dhe Imamin Edin Gjoni, shembull i shkëlqyer i diasporës shqiptare në Nju Jork, shembull shumë i rrallë, jo vetëm për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera. Këta dy klerikë të devotshëm rrinë bashkë, pas një tavoline, pothuajse në të gjitha tubimet që organizon komuniteti ynë shqiptar, qofshin ato fetare e kombëtare, qofshin përgëzime familjare e personale. Kur njëri prej tyre e bekon darkën, tjetri shprehet se mjafton nje bekim, meqë të gjithë jemi të një kombi dhe i lutemi të njëjtit Zot. E potencova këtë shembull, jo për të lavdëruar dy klerikët tanë, por për të treguar një të vërtetë dhe një shembull konkret në këto kohë të vështira, kur armiqtë tanë përsëri kanë çuar kokë dhe po mundohen që fenë ta shfrytëzojë për qëllime të veta të errta, që askurrë nuk kanë gjetur vend në mesin tonë, as nuk do të gjejnë as sot dhe askurrë, sa të kemi klerikë shembullorë, siç janë klerikët tanë Dom Pjeter Popaj e Imam Edin Gjoni dhe siç ishin në Malësinë tonë i ndjeri Patër Gjergj Marstjepaj dhe zotëri Rexhep Lika, sot kryeimam i Ulqinit. Njerëz të tillë kemi pasur shumë, të zgjuar e atdhetarë, që ditën t’u tregojnë njerëzve tane rrugën e vërtetë që duhet të ndjekin. Të tillë ishin edhe Imzot Fan Noli dhe Faik Konica, për veprat e mëdha të të cilëve nuk është e nevojshme të flas unë, meqë janë të njohura botërisht.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Për jetën e lavdishme dhe për veprën madhore të klerikut dhe atdhetarit Dom Simon Filipaj janë organizuar dhe mbajtur shumë tubime shkencore, në të cilat është folur gjerësisht për jetën dhe veprën madhore të shqipëruesit të librit të shenjtë “Bibla”. Edhe ju keni dëgjuar e lexuar shumë për këtë, andaj nuk dua të ju lodhi me përsëritjen e gjërave që i keni të njohura shumë mirë, por dua ta shfrytëzoj këtë rast, që të flas shkurtimisht për Dom Simon Filipajn ashtu si e njoha unë atë dhe familjen e tij, pra nga këndvështrimi im.
Të ndjerin, por të pavdekshmin, Dom Simon Filipaj pata fatin ta takoj për herë të parë para rreth njëzet vjetëve, para se ai të botonte Biblën e përkthyer në gjuhën shqipe. Mirëpo familjet tona janë njohur para afro një shekulli, konkretisht para rreth 80 vjetësh, kur i ndjeri Dom Simoni dhe vëllai i tij Deda, të cilin dëshiroj ta përshëndes ngrohtësisht, ndiqnin klasën e parë të shkollës fillore dyvjeçare në fshatin Selitë, shkolla e parë në Anë të Malit, në këtë fshat për mua më të bukurin dhe më të dashurin në botë, meqë në të edhe unë u linda dhe lëshova këtë shtat. Më vonë Deda dhe xhaxhai im punuan vite me radhë në të njëjtën ndërmarrje, duke rritur njohjen dhe miqësinë ndërmjet dy familjeve tona. Kjo lidhje dhe afërsi familjare nuk u ndërpre as pas vdekjes së xhaxhait tim, por vazhdoi dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Unë personalisht u takova për herë të parë me Dom Simon Filipajn kur isha student, dhe kjo ndodhi falë familjes sime e cila gjithmon fliste shpesh dhe me admirim të madh për familjen Koçaj e në veçanti për Dedën dhe të ndjerin Dom Simonin. Meqë Dom Simonin e donte dhe e çmonte shumë, kishte dëshirë të më njoftonte me të. Isha shumë i ri atëherë kur pata fatin ta takoj atë, në shtëpinë e vëllait të tij Gjergjit, në Këllezën. Ky ishte takimi i parë njohës, por nga shumë takime të mëvonshme nga ai mësova shumë gjëra, mes tjerash edhe për familjen Gjonaj, të cilës i takoj edhe unë. Nga takimet me të kam fituar përshtypjen se ai ishte burim i pashtershëm i të dhënave historike, filozofike, etnografike, filologjike dhe i shumë shkencave tjera, por edhe njohës i shkëlqyer i shumë gjuhëve të huaja, duke përfshirë këtu edhe latinishten dhe greqishten e vjetër. Oratoria e tij e mrekullueshme dhe njohuritë e tij të gjithanshme, ngjallën tek unë një kuriozitet të madh, në kohën kur isha student. Bisedat me të më lanë përshtypjen e një mozaiku ngjyrash, nuancash e kontrastesh, njësoj si gjurmët e kohëve të lashta, që paloheshin në këtë trevë. Ai i konceptonte përjetimet e tij në konceptin e kulturave të lashta ballkanike e mesdhetare, të pandara nga realiteti historik dhe gjeografik. Por mbi të gjitha dëshira e tij më e madhe ishte që ta shihet popullin e vet të arsimuar dhe të lirë, dy gjëra që më së shumti i mungonin popullit shqiptar në përgjithësi. Të gjitha këto dhe shumë të tjera, Dom Simon Filipajt i japin epitetin e atdhetarit të madh, klerikut të devotshëm dhe studiuesit të palodhshëm. Dua të ceki se orët që i kalova me të në takimin e parë, m’u dukën vetëm disa minuta. Kur u ndamë e falënderova për kohën që ma kushtoi dhe për mikpritjen, siç e ka traditë edhe sot e kësaj dite familja Filipaj, përndryshe traditë kjo e lavdishme e popullit tonë.
Dom Simon Filipaj ka lindur në fshatin Kllezën, një fshat i vogël i Anës së Malit, i banuar vetëm me popullatë shqiptare. Fatkeqësisht kjo trevë, si edhe shumë treva tjera shqiptare në Mal të Zi dhe në ish Jugosllavi, padrejtësisht iu dhanë Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë, në shekullin nëntëmbëdhjetë. Natyrisht se pushteti i ri asnjëherë nuk dëshiroi të hapë shkolla në gjuhën amtare të banorëve të kësaj ane, por qëllimisht e linte pas dore arsimimin e shqiptarëve. Megjithatë, as kjo mungesë e madhe e as kushtet e vështira materiale, nuk e penguan priftin e ardhshëm që të ndjek shkollimin. Falë vullnetit të tij të madh e të pathyeshëm, ai kreu shkollën fillore në gjuhën serbe. Gjimnazi që ndoqi pastaj në Tivar, në periudhën kohore 1939-1941, i hapi rrugën Simonit të ri dhe i krijoi mundësinë e vazhdimit të mësimit në Seminarin Jezuit të Shkodrës prej vitit 1941 deri në vitin 1945, kur në pushtet erdhi diktatura komuniste, armiku më i madh i klerikëve shqiptarë, në veçanti të atyre katolikë, por edhe i gjithë popullit shqiptar, i cili ishte i detyruar ta duronte atë plot 45 vjet. Dom Simoni, që më vonë do të marrë titullin e lartë fetar Imzot (Monsinjor), studimet filozofiko-teologjike i vazhdoi në Zagreb, në periudhën kohore 1946-1950, ku kam pasur nderin të kryej edhe unë studimet universitare.
Në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar lufta civile në ish Jugosllavi kishte arritur kulmin. Nacionalistët, gjegjësisht shovinistët serbë e malazezë ishin tërbuar. Kishin harruar Zotin dhe bënin krimet më çnjerëzore që njeh historia e këtyre trojeve të trazuara. Dom Simon Filipaj iu kundërpërgjigj atyre me botimin në gjuhën shqipe të librit të shenjtë “Bibla”, në vitin 1994, përkthimit të të cilës i kushtoi vite e dekada të tëra, duke i treguar në këtë mënyrë botës se shqiptarët janë njerëz të besimit e të paqes; se e duan fenë dhe Zotin; se me krenari i luten Perëndisë dhe i shqiptojnë fjalët e Zotit në gjuhën e tyre të bukur shqipe. Këtë përkushtim të madh të tij e lavdëroi dhe e çmoi shumë edhe Papa Gjon Pali i Dytë, të cilit Dom Simoni ia dhuroi me kënaqësi një kopje të “Biblës” në gjuhën shqipe. Ati i shenjtë e përgëzoi priftin tonë për këtë vepër të madhe që Dom Simoni ia dhuroi kombit të vet.
E shfrytëzoj këtë rast që edhe nga kjo foltore ta falënderoj zotëri Dedë Filipajn për nga një kopje të “Biblës” që na i dhuroi mua dhe djalit të xhaxhait tim Dr. D. Gjonit, në vitin 1994, kur edhe u botua. Këtë dhuratë të vlefshme dhe këtë libër të shenjtë e ruaj në bibliotekën time personale dhe ua kam lënë porosi pasardhësve të mi që ta ruajnë me shumë kujdes në bibliotekën tonë familjare.
Të nderuar vëllezër e motra,
Disa herë e kam pyetur veten: A është dhuratë e Zotit që një vend kaq i vogël të lind një njeri kaq të madh, siç ishte i ndjeri Dom Simon Filipaj? A është dhuratë e Perëndisë fakti që ky vend i vogël të japë edhe shumë viganë të tjerë gjatë periudhave të ndryshme historike? Vetëm rreth 20 kilometra larg Klleznës, konkretisht në fshati e vogël Brisk (Ljare) të Krajës, lindi autori i veprës së parë në gjuhën shqipe, që dihet deri më sot, Dom Gjon Buzuku. Megjithëse nga botimi i “Mesharit” në vitin 1555 e deri në ditën e botimit të “Biblës” në gjuhën shqipe kanë kaluar pesë shekuj, ironia e kohës ka dashur që rrethanat në të cilat e panë dritën këto dy vepra kolosale, pothuajse ishin të njëjta. Mendoj se qëllimet dhe rëndësia e këtyre dy veprave janë të ngjashme, mos të them identike. Ky fakt na mundëson që të bëjmë një krahasim në kontekstin e peshës dhe të mirave që ato i sollën popullit shqiptar.
Gjon Buzuku e botoi “Mesharin” në vitin 1555, në kohën kur popullit shqiptar i kanosej rreziku nga Perandoria Osmane, kurse Dom Simon Filipaj e botoi “Biblën” në shqip në vitin 1994, në kohën kur populli shqiptar përballej me rrezikun e shfarosjes nga fqinjët e tërbuar sllavë. Gjon Buzuku është autori i veprës së parë, që njohim deri më sot, në gjuhën shqipe, kurse Dom Simon Filipaj është përkthyesi i parë dhe i vetëm i “Biblës” së plotë në gjuhën shqipe. Botimi i “Mesharit”, jo vetëm se është vepra e parë në gjuhën shqipe, por mundësoi edhe vazhdimësinë e krijimtarisë letrare e kulturore në kushte shumë të vështira të pushtimit osman të trojeve tona, duke u krijuar mundësinë shqiptarëve që t’i luten Zotit në gjuhën e tyre të bukur shqipe. Nga ana tjetër përkthimi dhe botimi i “Biblës” në gjuhën shqipe, siç shprehet përkthyesi i saj Dom Simon Filipaj, ua bëri të mundshme shqiptarëve që “të flasin me Zotin në gjuhën shqipe”.
Si njëra ashtu edhe vepra tjetër, kishin për qellim ndriçimin e mendjes së njerëzve në kohërat më të vështira. Të dy këta klerikë të devotshëm e viganë të kulturës sonë donin që tek shqiptarët të zhvillonin kulturën e qytetërimit, të dritës dhe të dashurisë njerëzore, porosi kjo kryesore edhe e “Biblës”. Njëkohësisht ata, me veprat e veta madhore, i treguan botës se populli shqiptar është autokton dhe më i vjetri në këto troje dhe se ai ka një gjuhë dhe kulturë të veçantë e të begatshme, që dallohen nga gjuhët dhe kulturat e tjera të Ballkanit.
Një vit para se të përkthehej në gjuhën shqipe Besëlidhja e Re, po ashtu nga Dom Simon Filipaj, në vitin 1979 Nëna Tereza, nëna e botës, siç e quan biografi i saj Dom Lush Gjergji, fitoi Çmimin Nobël për paqe, që iu nda me plot meritë për shërbimet që kryente ndaj njerëzve, në radhë të parë ndaj fëmijëve të padëshiruar dhe të harruar nga të gjithë, por jo nga ajo. Nënë Tereza u kujdes për njerëzit në nevojë, larg atdheut të saj, pa marrë parasysh racën, kombin ose përkatësinë tyre fetare dhe duke u përballur me rreziqe të llojllojshme nga sëmundje të rrezikshme e vdekjeprurëse. Gjithë ai humanizëm që kishte në shpirtin e saj, Nënë Terezën e dallon nga të gjitha gratë e tjera. Ky çmim i lartë dhe nderim i madh Nënë Terezës iu dha në kohën kur në ish Jugosllavi po përgatitej, në fshehtësi të madhe, një furtunë katastrofike: një dhunë e tmerrshme ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe në trojet tjera të tyre etnike. Me veprën e saj të ndritshme dhe të lavdishme ajo dëshmoi para botës se populli shqiptar askurrë nuk heq dorë nga humanizmi dhe se ndriçimi arrihet duke predikuar me dashuri të veçantë fjalët e Zotit.
Nuk duhet harruar as të vërtetën se Nënë Tereza u angazhua palodhshëm dhe në frymën kombëtare shqiptare për t’i ndihmuar bijtë dhe bijat e Kosovës në rrugën e tyre drejt lirisë. Gjatë një lutjeje në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ajo iu drejtua presidentit të atëhershëm amerikan Bill Klintonit me këto fjalë: “Zoti president, ky është presidenti im dhe i Kosovës. Të lutem ma kij kujdes popullin tim”. Siç e dini e ju, presidenti Klinton e kreu amanetin e Nënë Terezës, duke sulmuar në mars të vitin 1999 forcat ushtarake dhe paraushtarake të shtetit të atëhershëm Serbia dhe Mali i Zi, për t’i shpëtuar shqiptarët nga gjenocidi serb. Po në atë kohë edhe Papa Gjon Pali i Dytë mori në mbrojtje presidentin Ibrahim Rugova, në momentin kur e priste vdekja e sigurt. Zoti i bekoftë Amerikën, Vatikanin dhe Papën që na shpëtuan nga një tragjedi kombëtare!
Populli shqiptar kurrë nuk duhet t’i harrojë këto të mira dhe duhet t’i mbajë gjithmonë sytë drejt Perëndimi. Shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës duhet te bëjnë te pamundurën qe ta luftojnë pamëshirshëm radikalizmin që po tenton të hyjë mes nesh. Fjala e urte popullore thotë: “Një i marrë hedh gurin ne ujë, por njëqind të urtë nuk mund ta nxjerrin”. Pra, këto dy shtete duhet të kujdesen shume para se ndonjë i marre ta hedh gurin në ujë.
Veprat e këtyre viganëve, edhe njëherë dëshmojnë faktin se trualli shqiptaro-ilire gjithmonë ka dhënë dhe vazhdon të japë njerëz të mëdhenj, që i kanë shërbyer gjithë njerëzimit, siç janë disa papa (besohet 4 sish), Nene Tereza, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e shumë të tjerë. Njëkohësisht veprat e këtyre njerëzve të mëdhenj janë fakt i pamohueshëm dhe paraqesin mënyrën më të mirë për të demaskuar gënjeshtrat e fqinjëve sllavo-grekë se gjoja ata po luftojnë për të mbrojtur civilizimin evropian nga shqiptarët. Derisa fqinjët tanë sllavë grumbullonin armë për të realizuar aspiratat e vete pushtuese shekullore, Nënë Tereza dhe Dom Simon Filipaj bënin të pamundurën për të përhapur fjalët e Zotit: dashuri, mirëkuptim dhe paqe midis njerëzve të mbarë botës. Papa Gjon Pali i Dytë, ky njeri i shenjtë, me vizion të gjerë dhe shumë largpamës, e kishte të qartë se shqiptarët nuk paraqesin kërcënim për krishterimin dhe kulturën europiane, andaj edhe e mori presidentin Rugova në mbrojtje. Ky veprim human i Atit të shenjtë ishte një mbështetje e madhe për gjithë popullin shqiptar në ato momente të vështira, kur popullit tonë i kanosej rreziku i shfarosjes së plotë. Për këtë populli ynë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, duhet të jetë mirënjohës dhe të mos harrojë kurrë mbështetjen që i dhanë atij Vatikani dhe Papa Gjon Pali i Dytë. Po ashtu duhet t’i jemi mirënjohës Papa Françeskut, për faktin se Shqipërinë e zgjodhi si shtetin e parë në Evropë që e vizitoi në shtator të këtij viti. Kjo vizitë historike dhe pritja madhështore që i bëri i gjithë populli ynë, pa dallim të përkatësisë fetare, dëshmoi dhe këtë e theksoi edhe vet Ati i shenjtë, se shqiptarët janë popull evropianë, kurse Shqipëria dhe trojet tjera shqiptare pjesë e Evropës së civilizuar.
Dua te them me këtë rast se kleri katolik shqiptar: Dom Simon Filipaj, Gjon Buzuku, Pjeter Budi, Pjeter Bogdani dhe shumë të tjerë, gjatë historisë sonë mijëvjeçare, gjithmonë luajtën rol vendimtar ne mbrojtjen e kulturës dhe trashëgimisë sonë te lashte si dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare. Shpresoj se ne ardhmen akademikët dhe studiuesit e tjerë shqiptarë do të merren më shumë me botime dhe publikime te veprave, te cilët vlerësojnë objektivisht rolin e rëndësishëm qe luajtën klerikët katolikë shqiptarë ne ndriçimin dhe vazhdimësinë e kulturës shqiptare dhe ne mbrojtjen e popullit shqiptar.
Të dashur bashkëvendës,
Për Dom Simon Filipajn mund të flas me orë të tëra, sepse jeta e tij ka qenë vërtetë e bujshme dhe e begatshme. Ai është nderuar jo vetëm sa ishte në jetë, por edhe pas vdekjes, nëse mund të shprehem kështu, meqë njerëzit e mëdhenj, siç ishte ai, janë të pavdekshëm. Meqë sonte jemi tubuar në një mbrëmje përkujtimore, për të nderuar veprën e madhe të Dom Simon Filipajt, e jo në një seminar ose simpozium shkencor, dua te përfundoj, duke ju kërkuar ndjesë për kohën që ua mora, e ndoshta edhe për lodhjen e shkaktuar nga fjala ime. Po e mbyll pra këtë fjalë të rastit duke Ju përshëndetur të gjithë juve dhe duke ju dëshiruar shëndet e suksese në jetë. Mbi të gjitha i lutem Zotit që populli shqiptar gjithmonë të jetë i bashkuar, jo vetëm kur është i rrezikuar, por edhe në përgëzime të ndryshme, qofshin fetare,qofshin kombëtare.
Rroftë populli shqiptar! I përjetshëm qoftë bashkimi kombëtar!
* Fjalimi i avokatit Sabri Gjonit për Jetën dhe veprën e Dom Simon Filipaj-t, mbajtur me 19 tetor 2014 në New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Avokat, e Dom Simon Filipaj-t, Jeta dhe vepra, Sabri Gjoni

“Mrekullitë e një qyteti”, në Qendrën e Informimit të BE-së në Tiranë

November 5, 2014 by dgreca

Në Qendrën e Informimit të BE-së u organizua një ekspozitë fotografike me në qendër të saj arkitekturën e një qyteti specifik.
Projekti bashkon fotografë, arkitektë dhe dizenjues nga e gjithë bota në një aktivitet kushtuar fotografisë, organizuar nën kujdesin e veçantë të Zonjës së Parë, znj. Odeta Nishani.
Tema e ekspozitës rrotullohet rreth lidhjes së arkitekturës me fotografinë, me qëllimin për të kapur madhështinë dhe bukurinë e arkitekturës së një qyteti. Projekti u prezantua në 12 maj dhe organizatorët ftuan në Tiranë një sërë artistësh ndërkombëtarë të paraqitin punët e tyre rreth një qyteti të veçantë.
Ekspozita përbëhet nga 13 punë të fotografëve të ndryshëm nga e gjithë bota si p.sh. Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Zvicra, Greqia dhe Shqipëria. Disa nga artistët pjesëmarrës janë: Eric de Broche, Elena Kuznetsova, Phillip Schaerer, Emi Toska, Simona Rota, David Galjaard, Ëaërzek Kolbusz dhe Rodolfo Felici.
Fotot e ekspozuara janë përzgjedhur nga një juri e përbërë nga artistë e fotografë të njohur si: Mark Sink (president), Kristen Hatgi Sink, Jean-Jacques Terrin, Milva Giacomelli, dhe Pascal Hamon. Faza përfundimtare e projektit do të jetë një ekspozitë në Laboratoire de la Creation Gallery në Paris më 15 prill 2015.
Aktiviteti organizohet nga Dream City Fest (DCF), një organizatë jo-fitimprurëse shqiptare, misioni i së cilës është të testojë kufjtë e arkitekturës/artit dhe ta përballë atë me disiplina të ndryshme. DCF shërben gjithashtu edhe si një platformë diskutimesh ndërmjet artistësh, arkitektësh, kuratorësh, kritikësh arti dhe ekspertësh të fushave të ndryshme.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Mrekullitë e një qyteti”, në Qendrën e Informimit, të BE-së në Tiranë

Messi barazon legjendën Raul

November 5, 2014 by dgreca

“Pleshti” kap shifrën e 71- golave të shënuar në Ligën e Kampionëve/
Bayern mund Romën, CSKA mund Citin, ja rezultatet -Ja të kualfikuarat e Ligës së Kampionëve-/
Nga Arbi Fortuzi/-, Lionel Messi me dygolëshin e shënuar mbrëmjen e sotme përballë Ajaxit në Amsterdam, në fitoren e Barcelonës 2-0 në grupin F ka thyer rekordin e mbajtur prej vitesh nga ish bomberi i Real Madrid Raul Gonzales.
“Pleshti”, siç është dhe nokfta e argjentinasit me dygolëshin e sotëm është ngjitur në kuotën e 71 golave në Ligën e Kampionëve, po aq sa edhe Raul, pas tyre vjen Cristiano Ronaldo me 70 gola. Tashmë lufta për lojtarin me më shumë gola në historinë e Ligës së Kampionëve dhe është më shumë se kurrë e hapur mes argjentinasit dhe portugezit.
Dyshja, Ronaldo- Messi prej një gjysëm dekade i kanë shpallur “luftë” njëri-tjetrit. Messi ndryshe nga Ronaldo ka fituar 4 topa të artë radhazi, si askush tjetër më parë, ndërsa Ronaldo është fituesi në fuqi i topit të artë, ndërsa mban dhe rekordin e lojtarit me më shumë gola brenda një sezoni të Ligës së Kampionëve. Kujtojmë portugezi shënojë 15 gola sezonin e shkuar të kampionatit Europian të futbollit për klube, duke u shpallur dhe kampion Europe me Real Madrid.
Kujtojmë, që Barcelona kreu detyrën përballë Ajaxit në Amsterdam. Blugranat shënuan dy gola përmes të përhershmit Lionel Messi. Barcelona e renditur në grupin F do të përballet me PSG-në për vendin e parë të grupit në fjalë, pasi edhe Francezët realizuan mësëmiri detyrën e tyre përballë Apoelit duke fituar me rezultatin 1-0 falë golit të Cavanit (PSG 10 pikë. Barcelona 9 pikë, Ajax 2 dhe Apoel 1 Pikë).

Bayern mund Romën, CSKA mund Citin, ja rezultatet
Ja të kualfikuarat e Ligës së Kampionëve-Bayern Munych ka mundur me rezultatin 2-0 Romën dhe është matematikisht mes 16 skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e zhvilluar në “Bayern Arena”, e vlefshme për grupin E u vendos nga dyshja Riben- Gotze, nga një gol për secilën pjesë.
Rezultat surprizë ishte humbja e Manchester Citit përballë CSKA-Moskës në Angli. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1 për rusët, heroi i të cilëve ishte Doumbia me dygoleshin e tij. City në pjesën e dytë për shkak të nervozizmit mbeti me 9-të lojtarë, pasi gjyqtari takimit ndëshkoi dy herë me karton të kuq anglezët. Fitore dhe kualifikim u regjistruan edhe për Barcelonën, PSG-n dhe Porton, ndërsa Chelsea barazoi ndaj Maribor në fushën e këtyre të fundit.
Ja rezultatet dhe kualifikimi për secilin grup:
Grupi “E”
Bayern Munych-Roma 2-0
Machester City-CSKA 1-2
Renditja: Bayern 12 Pikë; Roma dhe CSKA 4 pikë, City 2 pikë).
Grupi F
Ajax-Barcelona 0-2
PSG-Apoel 1-0
Renditja: PSG 10 pikë; Barcelona 9 pikë, Ajax 2 pikë dhe Apoel 1 pikë
Grupi G
Maribor-Chelsea 1-1
Sporting Lizbonë-Shalke 4-2
Rendtija: Chelsea 8 pikë, Shalke 5 pikë, Sporting 4 pikë dhe Maribor 2 pikë
Grupi H
Athletico Bilbao-Porot 0-2
Shaktar- Bate Borizov 5-0
Renditje: Porto 10 pikë; Shaktar 8 pikë; Bate Borizov 3 pikë dhe Athletico Bilbao 1 pikë.( Ne Foto: Messi dhe Raul, foto e publikuar ne profilin twitter te Barcelones-Kortezi ATSH)

Filed Under: Sport Tagged With: Liga e Kampioneve-, Messi barazon legjendën Raul

NGA SUEDIA NË DURRËS

November 5, 2014 by dgreca

Shkruan: Kadri Tarelli/
Në këto dit të bukura fundtetori 2014, në Durrës erdhi Sokol Demaku, një ndër veprimtarët më në zë në fushën e mësuesisë, krijimtarisë letrare dhe publicistikës, të mërgimtarëve shqiptar që jetojnë e punojnë në Suedi. Për nikoqirët durrsak dhe miqtë e hershëm të tij është diçka e pritur, pasi Sokoli e ka bërë zakon që me plot miq suedëzë, bashkëkombas shqiptarë Kosove, mësues, nxënës dhe prindër, të jetë çdo vit i mirëseadhur në Durrës. Herët e tjera ka qëndruar më gjatë, pasi veprimtaritë ishin ndërshkollore, njëkohësisht shoqëruar me takime e biseda për bashkëveprim me organe të pushtetit vendor, Bashki dhe DAR. Këtë vit qëndroi vetëm një ditë, shumë pak, por të mbushur me plot veprimtari të dobishme e mbresëlënse.
Si fillim një vizitë në bibliotekën e qytetit, ku u prit nga drejtore Mirela ylli dhe koordinatore Teuta Dhima. Biseda mes miqsh dhe krijuesish rrodhi lirshëm, sepse njohja dhe bashkëpunimi është krijuar dy vite të shkuar. S`ka si ndodh ndryshe, sepse çuditërisht ky soji i letrarëve krijues, sa shpejt e gjejnë gjuhën e mirëkuptimit mes njëri-tjetrit. Një sasi librash dhuratë për bibliotekën shoqëruan fjalën e Sokolit për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë, kërkesë që u mirëprit nga stafi drejtues, duke premtuar vazhdimësinë e lidhjes dhe miqësinë e krijuar. Kurdoherë, vizitat mundësojnë projekte ndihme e bashkëpunimi, aq të nevojshëm e të dobishëm për shqiptarët kudo që janë, të mirëpritura, sidomos për mërgimtarët dhe fëmijët e tyre.
Deshira për të vazhduar gjatë bisedën e ngrohtë ishte e madhe, por koha nuk premtonte, pasi nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto”, ishin në pritje. Për ta ishte e para herë që takoheshin me shkrimtarin, poetin dhe përkthyesin Sokol Demaku, i cili shoqërohej nga shkrimtari i njohur z. Viron Kona. Prezantimin e bëri nën/drejtori i shkollës z. Avdyl Buçpapaj, si mik i hershëm i Sokolit dhe nismëtar i lidhjes këtu e gjashtë vjet më parë, kur ishte drejtor i shkollës “Demokracia” të Durrësit. Drejtori Xhevdet Hoxholli, stafi drejtues dhe nxënësit e shkollës i uruan Sokolit mirëseardhje, suksese në krijimtari, falëndrim për librat e dhuruar dhe shprehën deshirën për shkëmbime vizitash mes nxënësve të shkollës së e tyre me të shkollës së Borasit. Në shenjë miqësie u shkëmbyen dhurata simbolike.
Në atmosferë miqësie dhe dashurie, Sokoli, me pak fjalë paraqiti para lexuesve dhe krijuesve të vegjël të shkollës, tre libra për fëmijë. I pari “Djali dhe tigri”, i dyti “Gjueti diamantesh”, të dy të përkthyer mjeshtërisht nga Sokoli, ndërsa i treti është libri “Një vështrim antropologjik dhe kulturor magjepës në veriun e largët”, me autor vetë Sokol Demakun. Në atë kuvendim aq të ngrohtë, cilido kuptoi mesazhin njerëzor, mësimor, pedagogjik dhe metodik, që vjen nga Suedia e largët nëpërmjet këtyre librave, që me formën dhe përmbajtjen janë modele për t`u njohur, zotëruar e zbatuar. Vlera e tyre është e shumëfishtë, jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, e mëpastaj edhe për krijuesit, pasi njihemi me përvojën suedeze në ndërtimin e demokracisë dhe edukimit të brezave të rinj. Ata i kushtojnë vëmendje të veçantë punës me fëmijët, duke u kujtuar vazhdimisht porosinë: “Mos shqetëso! Mos prish!”. Këto fjalë, besoj se janë thirrje edhe për ne. Mund t`i dëgjojmë!?
Vizita në shkollën “Demokracia”, u shëndërua në çaste feste, sepse Sokoli është mik i vjetër dhe shumë i njohur nga nxënësit dhe mësuesit. U prit nga drejtori i ri, z. Iljas Bande dhe n/drejtorët Zabit Rexhepi dhe Fuat Zerdelia, pa qënë nevoja e prezantimit, pasi ai e ndjen veten si pjestar i atij kolektivi të madh. Spektakël letërsie dhe emocione në sallën e vogël të koncerteve. Mësuesi Thoma Shtambari dhe nxënësit, me oratori të rrallë shpalosën vlerat e librit “Djaloshi dhe tigri”, shumë kopje të të cilit, Sokoli ua pat dhuruar një vit më parë. Nxënësit, duke falënderuar mikun e tyre për librat e rinj dhuratë për bibliotekën e shkollës, përcollën dëshirën për vazhdimin e vizitave të ndërsjellta mes nxënësve të dy shkollave.
Në orët e mesditës, pritje në shkollën 9-vjeçare “14 nëntori”. Drejtore Merita Thartori (Kuçi), mjeshtre e organizimit të takimeve me artistë dhe shkrimtarë, ishte në merak si do të dilte biseda, pasi vetë nxënësit, (letrarët e rinj), kishin kërkuar që, me shkrimtarin dhe poetin Sokol Demaku, të zhvillonin kuvendimin në formë intreviste. Ata ishin njohur me librin “Djaloshi dhe tigri”. Pyetjet nuk pushonin. Sa të vërtetë janë fëmijët në pafajësinë dhe çiltërsinë e moshës! Në zërin e Sokolit, ndjehej kënaqësia për pyetjet e gjetura e të mençura. Biseda shkoi gjatë, por askush nuk tundej nga vendi. Kjo është magjia e bashkëbisedimit me shkrimtarë dhe poetë. Sokol Demaku, tashmë edhe mik i kolektivit të mësuesve dhe nxënësve të shkollë “14 Nëntori”, dhuroi libra, duke premtuar për takime të tjera, mbase edhe vizita të ndërsjellta në të ardhmen.
Në këtë shkrim, detyrimisht u përshkruan të katër takimet, pasi ishin të ndryshëm në formë, por të njëjtë në përmbajtje; Lidhje, bashkëpunim, shkëmbim mesazhesh të miqësisë dhe mirëkuptimit, dhurim librash, që vetiu sjell njohje dhe shkëmbim kulturash dhe afrim mes shqiptarëve dhe popujve. Kjo është pamja e parë, si të thuash e dukshme. Duke gjykuar më thellë, më duhet të them se është një përvojë mjaft e dobishme, që duhet mbajtur gjallë e duhet përgjithsuar tek kolegët drejtorë shkollash dhe kolektivat mësimore të Durrësit e më përtej. Si drejtues i vjetër shkolle dhe njëkohësisht gazetar, gjatë këtyre dy dekadave demokraci, jam njohur me shumë lidhje shkollash të Durrësit me simotra në vende të ndryshme, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Shpesh kam qënë pjestar, ndaj kam përjetuar çaste të bukura në takime dhe vizita të ndersjellta dhe jam ndjerë mirë. Por koha solli zbehje e më pas fshirje të lidhjeve, aq sa ka mbetur vetëm kujtimi i tyre në memorjen e pak mëuesve dhe nxënësve, në rastin më të mirë, nëpër disa artikuj të gazetave, apo në faqet e nonjë libri historik të shkollës. Nuk gaboj të them, se e vetmja lidhje që po i qëndron kohës është kjo mes shkollës “Demokracia”në Durrës dhe shkollës “Fjardingskolan” në Suedi. Ajo që e vlen të theksohet është se, kjo miqësi nuk mbeti me kaq, sepse u zgjeruan hapsirat. Bashkëpunimi, siç shihet, është zgjeruar edhe me dy shkolla të tjera të Durrësit, për të vazhduar më tej në Tiranë dhe në Vushtri, në Kosovë, etj. Kjo lidhje përbën një përvojë dhe ,pasuri për jetën arsimore të Durrësit dhe arsimit shqiptar. Ndaj meritojnë falëndrim dhe mirënjohje dy nismëtarët, Sokol Demaku dhe Avdyl Buçpapaj, të cilët pavarësisht vështirësive, që për palën tonë i prekim përdit, kanë mundur me të gjitha format, të mbajnë e forcojnë bashkëpunimin, në dobi të edukimit të nxënësve, në shkëmbimin dhe pasurimin e përvojës.
Atdhedashuria dhe patriotizmi shprehen me fjalë, por duken me vepra.
Urime dhe takime të tjera po kaq të bukura e të dobishme.

Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës

Filed Under: Kulture Tagged With: Kadri Tarelli, NGA SUEDIA NË DURRËS, Sokol Demaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4315
  • 4316
  • 4317
  • 4318
  • 4319
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT