• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ DRONI” I GJALLË SHQIPTAR,QË BASHKON TROLLIN ETHNO-KULTUROR KOMBËTAR!

November 5, 2014 by dgreca

Nga Guxim Alimani/
10 vite më parë, në metropolin e kombit e nën hijen e monumentit të heroit tonë kombëtar Skënderbe, si për të marrë pagëzim, forcë e bekim , deputeti i parlamentit shqiptar Azgan Haklaj do të shfaqej me një pishtar të ndezur në dorën e djathtë. Mijërat e qytetarëve të tubuar në atë manifestim, veshur me larmi etnografike e me simbole nacionale që valëviteshin, dëgjuan përbetimin e politikanit e të kulturologut tashmë të mirënjohur për vendosmëri e qëndresë : “ Ky pishtar i ndezur sot në Tiranë, do të na paraprijë në rrugën e pandalshme të bashkimit shpirtëror mbarëshqiptar e me të në dorë do të tejshkojmë gjithë trullin autokton, ethnik kombëtar”. Një utopi ky përbetim për shumicën, për këtë iniciativë kurajoze por aspak e tillë për Azganin.
Shumë ëndrra shqiptare me shekuj janë munduar t’i qasen realitetit sikundër edhe sot, por në Ballkanin paqebrishtë, ku ethet e nacionalizmit e shovinizmit, mbajnë akoma në limite ekstreme temperaturën, në realitetin e dhimbshëm të copëzimit të trojeve tona në pesë shtete, hapi i Azganit po tejkalonte edhe optimizmin iluminist të personazheve volteriane. Por, ai ja arriti dhe sot si mbi Olimp, pishtari flakadan vazhdon të ndriçojë për të mos u shuar. Tirana e Prishtina, Gucia e Mitrovica, Preshava e Medvegja, Selaniku e Tuzi, Shkupi e Ulqini, Qafë-Bota e Prizreni, Gjakova e Deçani, Juniku e Ferizaj, Dibra e Madhe, Plava, Tivari, Struga e Gostivari do ta përjetonin materializimin e premtimit e përbetimit të Azganit. Art, kulturë, muzikë, etnografi, folklor e letërsi, si në një magji baladash u bënë një për kombin.
Dhe jo vetëm kaq, por të mbështjellë dhe me një mesazh të shqiptuar qartë e me guxim nga Azgani: “Jemi një komb, kemi një qëndrim, një gjuhë, një kulturë dhe aspirojmë veç bashkim“.
Aspak e lehtë për Azganin kurajoz, por deri në kufijt e pabesueshmërisë . Sepse nuk bëhej fjalë për unifikim të kulturës anglo-saksone në trevat e shteteve të Komunuelthit, por flitej për terrenin e ujqërve idhnakë të sllavo-shovinizmit ballkanas që edhe sot kur po rrekëllehet dekada degjitale e milieniumit të ri, skermitin akoma dhëmbët si çakej.
E këtë do ta vërtetonte nota e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Kjo notë do t’i drejtohej diplomacisë shqiptare duke kundërshtuar energjikisht veprimin e Azgan Haklajt në Preshevë e Bujanovc, se ai paska shpalosur flamurin e kombit të vet si dhe planin e tij të bashkimit shpirtëror e kulturor shqiptar !
Poetët e krijuesit nga më të mirët të trevave tona e kanë portretizuar Azganin me metafora të zgjedhura , ndaj unë nuk di ku t’i marr fjalët, komplimentet e përcaktorët që lipsen që të mund të shtoj diçka me modesti në portretin poetik të këtij burri atdhetar e fisnik. E në këto kushte po vjedh mjeshtrin e vargut shqip Hamit Aliaj “ Azgan , bohem i lirisë , marathonomak i bashkimit e demokracisë”.
Diçka e rrallë fenomeni Azgan jo aq për iluminizmin, që shumë personalitete kanë projektuar në studio e libra për kombet e tyre. E veçanta, magjikja, e papërseritshmja tek ky fenomen, qëndron në idealizmin gërshetuar me vullnet, në trimërinë të bashkuar me ndërgjegje , jo vetëm për të predikuar por për të prekur e bekuar vetë, po, po vetë ai trollin ethnik shqiptar në çdo anë, në çdo skaj, me mesazhin e fortë e të qartë në çdo detaj.
Azgani është i tillë, i gatuar veçmas me lirinë e pabesueshme të vendosmërisë së vet. Shpërblimin e punës së vet Azgani e pret e i gëzohet me shumë kur ajo ngelet anonym, por që ka bërë vend në rindërtimin e qelizave të bashkimit kombëtar.
Por ja që gjendet një personalitet, si Presidenti shqiptar, zoti Bujar Nishani, që merr rrugën këtë vjeshtë të hershme për në Alpe dhe pikërisht në vendin ku lindën heronjtë homerianë, nderon Azgan Haklajn me titullin e lartë “ Mjeshtër i Madh”.
Ditë më parë, mbi Beograd fluturoi një dron. Ishte një dron digjital. Bisha serbe në folenë e saj lëshoi xixa eksitimi e ulurimë tërbimi. Por ju siguroj se kjo s’është asgjë perballë një droni njerëzor si Azgan Haklaj, i cili për mëse një dekade, jo vetëm ka fluturuar, por ka aterruar në çdo pëllëmbë të tokës Iliro-Dardane, jo veç me simbole në duar, por me mesazhe me zë e piskamë, duke lëshuar në kohët moderne kushtrimin e të parëve për bashkimin me patjetër të të gjithë shqiptarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: “ DRONI” I GJALLË SHQIPTAR, Guxim Alimani, Kombetar, QË BASHKON, TROLLIN ETHNO-KULTUROR

SHBA, Republikanët Kontrollojnë Senatin

November 5, 2014 by dgreca

Në Shtetet e Bashkuara, tani që republikanët do të jenë në kontroll të Senatit pas zgjedhjeve të djeshme të mesit të mandatit, presidenti Barak Obama pritet të përballet me një panoramë të ndryshme të politikës së jashtme, gjatë dy viteve të tij të fundit në detyrë.
Kontrolli i republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit do të kufizojë hapësirën e presidentit për të manovruar në dy prej objektivave kryesore të politikës së jashtme, thotë profesori i Universitetit Amerikan Guy Ziv.
“Kjo do t’i krijojë shumë më tepër vështirësi Presidentit Obama për atë lloj progresi që ai do të donte të shihte në dy drejtime: negociatat bërthamore me Iranin dhe procesin izraelito-palestinez të paqes. Për fat të keq të dyja këto çështje kanë qenë përdorur gjatë disa viteve si top futbolli për luftë politike në Kongres.”
Bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit janë planifikuar të përfundojnë në fund të këtij muaji. Negociatorët ndërkombëtarë po përpiqen të bindin Iranin që të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të disa sanksioneve ekonomike.
Shumë republikanë në Senat nuk dëshirojnë një marrëveshje që ta lejonte Teheranin të vazhdojë çdo lloj pasurimi të uraniumit, por presidenti Obama ka tashmë autoritetin për t’i hequr sanksionet amerikane pa miratimin e Kongresit.
Analisti i Institutit Cato Justin Logan thotë se kjo mund të ndryshojë tani që republikanët do të veprojnë më me forcë ndaj Iranit.
“Ka mundësi që republikanët, duke qenë tani në kontroll, të paraqesin projektligje për sanksione kundër Iranit që nuk mund të anashkalohen nga Presidenti. Por kjo do të kërkonte që Kongresi të merrte përgjegjësi për këtë politikë dhe historikisht republikanët kanë qenë shumë të kujdesshëm për këtë lloj përgjegjësie.”
Senatori republikan John McCain ka qenë ai që ka ngritur zërin më shumë kundër mbështetjes së ngadaltë amerikane për rebelët e moderuar në Siri dhe mund të kërkojë një rol ushtarak më aktiv, thotë analisti i Këshillit të Atlantikut Robert Manning.
“Gjasat janë që Senatori McCain të marrë kryesinë e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senat, dhe mendoj se kjo mund të ngjallë polemika në aspektin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe disa prej aktiviteteve tona ushtarake në Lindjen e Mesme apo rajone të tjera.”
Ndonëse SHBA kanë filluar një program për të trajnuar dhe armatosur rebelët sirianë, kjo çështje nuk ka të ngjarë të shkojë larg duke pasur parasysh luftën kundër militantëve të shtetit islamik.
“Një program i tillë ekziston. Ai nuk po zbatohet në atë mënyrë që do të dëshironte Senatori McCain. Pra unë mendoj se ndryshimi këtu do të varet nga drejtimi që do të marrin gjërat në Senat dhe se si republikanët e Senatit mund të ndikojnë në pasqyrimin e çështjeve në media.”
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki thotë se diplomatët amerikanë bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë me cilindo palë që ka kontrollin në Kongres.
“Departamenti i Shtetit është një institucion jopartiak, ku ne punojmë me demokratët dhe republikanët, kështu që ne do ta vazhdojmë punën duke patur këtë në mendje.”
Përsa i përket Sekretarit të Shtetit John Kerry, gjatë fushatës ka patur njoftime në shtyp që citonin burime të administratës Obama, ku ai kritikohej si “i shkëputur” nga Presidenti në punën e tij si kryediplomat. Por sipas zëdhënëses Psaki, Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se ai do të vazhdojë në këtë detyrë.(Kortezi VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Kontrollojnë Senatin, Republikanët, SHBA

Miqtë e shqiptarëve në kongres dhe senatin e SHBA janë fitues

November 5, 2014 by dgreca

*Miqtë e shqiptarëve, në kongres dhe senatin e SHBA janë fitues në disa shtete….. /
* Fitore bindese e ansambleistit Shqiptar, Mark GJONAJ
*SHBA – Zgjedhjet afatmesme 2014 : Gary Peters, Senatori që do të jetë edhe zëri i shqiptarëve në Michigan !
Nga BEQIR SINA, New York/
NEW YORK : Zgjedhjet 2014 , të ashtuquajtura afatmesme ose të pjesëshme, ndërsa u mbajtën në një moment kur amerikanët janë të shqetësuar për çështje të tilla jetike si ekonomia dhe papunësia, dhe rënja “drastike” e popullaritetit, të Presidentit Obama – për ne shqiptarët e Amerikës, ashtu si dhe votuesit Amerikanë, patën të njëjtin qëllim dhe u votua e njëjta gjë -” Që miqtë e shqiptarëve, në kongres dhe senatin e SHBA prej sot janë fitues në disa shtete……për të qenë edhe zëri i shqiptarëve në Senat dhe Kongres”.
Por, me një ndryshim dhe një rëndësi të veçantë, tek disa nga rezultatet të këtyre zgjedhjeve për ndonjë kandidatë, të mbështetur veçmas për në Kongres apo Senat, pavarësisht, se ai mund të ketë qenë nga partia Republikane apo Demokrate,mjafton që ai të jetë dëshmuar si mik i shqiptarëve. Bëhet fjalë pë ata që janë fituesit, në zgjedhjet e mbrëmshme të 4 nëntorit, dhe që ne shqiptarët e Amerikës, i kemi quajtur miqt tanë, në Capitol Hill – Washington D.C..
Mes këtyre fitoreve, të 4 nëntorit, në Michigan, Illinoi, New York, Massachusetts, Connecticut, New Jersey, Pennsylvania, Virginia, Florida, Texsas, Arizona, padyshim që bie në sy dhe ia vlen të përmendet fitoria në Michigan, e kongresmenit Gary Peters, bashkë-kryetar i grupit të çështjeve shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve të kongresit amerikan, që tashmë merr mandatin e Senatorit për një mandat 4 vjeçar.
Senatori Gary Peters, mbasi shërbeu disa mnadatura si kongresmen, duke vizituar Tiranën, Prishtinën, Podgoricën, dhe vendbanime të tjera shqiptare në Ballkan, u takua dhe punojë me shqiptarët e Amerikës, tash merr për herë të parë merr mandatin për të shërbyer katër vjet në Dhomën e lartë të përfaqësuesve në Senat. Ai fillon nga detyra në 3 janar 2015. Kur edhe do të hapet sesioni i 113 i Senatit. Dekadat e fundit, ai ka qënë shumë i afërt me shqiptarët, dhe është i mbështur fuqimisht, gjatë gjithë fushatave të tij elektorale nga grupe lobiste shqiptare. Madje jo vetëm ata që jetojnë në Michigan, por edhe nga grupe shqiptarësh nga Washingtoni, Illinoi, Virginia, Nju Jorku e Detroiti.
Peters fitoi të martën përballë kandidatit Republikan Koach Brothers.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, e cila rezultoi me largimin njëherë e përgjithmonë të Sërbisë nga Kosova, Peters u zgjodh kongresist , dhe thuhet se ai ka marr dhe votën e padiskutueshme të shqiptarve në atë distrikit(Distriktin 18-të) ku ai dhe ju mbrojti të drejtat edhe të tyre, si mik i shqiptarëve në çdo aktivitet.
Senatori demokrat nga Michigani, Gary Peters, nga Detroiti, ka marrëdhenie shumë të të mira me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe këtë e ka treguar që nga koha e luftës në Kosovë, ku i njejti ishte që mbështeti në Kongres bombardimet ajrore të cilat zgjatën 78 ditë, mbi pozicionet dhe caqet ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.
Dëshmi e lidhjeve të mira me shqiptarët e Amerikës, ishte dhe takimi më i fundit në Nju Jork, kur ai u takua vitin e kaluar në shtëpinë e veprimtarit Martin Shkreli një sipërmarrës dhe veprimtar i komunitetit. Takimi me komunitetin ishte i iniciuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA), dhe u udhëheqë nga Drejtori i Përgjithshëm ei NAAC Avni Mustafaj , Martin Shkreli dhe veprimtari i dalluar i komunitetit z. Harry Bajraktari.
Në atë takim të ngrohtë, morën pjesë dhjetra aktivistët e veprimtarët e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro -Amerikan (KKSHA), afaristë e biznesmen të suksesshëm, si Richard Lukaj dhe të tjerë.
Ndërkohë, në atë që këtu thirret “election night party”, ku shtabi elektoral në Detroit i senatorit Peters, organizojë dhe festën e natës së fitores, në mbrëmjen e 4 nëntorit, mes mbështetesve të tij, mori pjesë edhe një grup i mbështetesve shqiptar nga Michigani.
Kështu të paktën njofton në rrjetin social revista Kuvendi nga Detroiti ku ajo shkruan në rrjetin social facebook se “Në MGM Grand Hotel para pak minutash, aty rreth ores 10:00 pm te dates 04 Nendor 2014, Gary Peters feston fitoren, duke u bere Senator i Shtetev te Bashkuara te Amerieks edhe me ndihmen e shqiptareve, te cilet ne nje mase te konsiderueshme votuan per te”.
Më tej revista Kuvendi shkruan se kjo fushatë e nisur që para dy vitesh, u përkrah që në fillim nga Konsulli i Nderit te RSH në Detroit z. Ekrem Bardha dhe e bija Donika, nga Qendrat fetare sidomos nga Kisha e Shen Palit dhe Don Fran Kola, nga Kisha e Zojes dhe Don Ndue Gjergji si dhe nga Teqja Bektashjane, nga Dega e Vatres ne Michigan me kryetarin Alfons Grishaj dhe nga këshilli drejtues i saj, nga aktivistet e njohur si: avokati Jozeph Dedvukaj, Zef Dedvukaj, Selë Çela, Petrit Doda, Valentin Lumaj, Mondi Rakaj, biznesemeni i njohur Agim Lumani etj.
Ndërkohë, mbrëmë vonë siç njofton shtabi lektoral i senatorit Peters, një mik i dëshmuar i shqiptarëve në Capitol Hill – për aq vite sa ai shërbeu si kongresmen nga Michigani, tha se “Ne e bëmë atë! Për shkak të punës tuaj të vështirë, ne kemi marrë një fitore vendimtare.”
Gary Peters, tregojë edhe bisimin e tij tek kjo fitore duke thënë se ai që nga fillimi, kishte thënë se këto zgjedhje do të jenë në lidhje me bërjen më të mirën për Michiganin – sidomos për klasën e mesme. “Sonte, kemi dëshmuar, u shpreh Peter, se idetë e mira me bazën e organizimit mund të qëndrojnë deri në humbjen – para dhe interes të veçantë si kandidat që pata unë në këtë garë nga Koch Brothers”.
Ndërsa, sqaroi mbështetsit e tij përfshirë edhe shqiptarët, se fitorja e mbrëmshme ishte fundi i një fushate të gjatë – “crisscrossing”, prej nga në takimet me pronarët e bizneseve të vogla dhe familjet e klasës së mesme, duke dëgjuar idetë dhe shqetësimet e Michiganësve nga të gjitha “qoshet” e shtetit”.
“Unë jam i përulur me të vërtetë nga rezultatet, deklaroi Peters, duke shtuar se sonte me votat tuaja ju më dhatë mundësin për të përfaqësuar për një mandat pesë-vjeçar, Michiganin në Shtetet e Bashkuara në Capitol Hill – Dhoma e Senatit”.
Dhe premtojë se tani puna e vërtetë fillon – duke ndihmuar ekonominë, që Michigani të rritet, qysh me mbrojtjen e Liqeneve të Mëdha – për të siguruar që të gjithë kanë qasje në kujdesin shëndetësor, pra atë që meritojnë. “Por së pari, sonte, kam kërkuar për të marrë një moment për të thënë: Falemnderit duke pritur që gjërat e mëdha që do të kemi për të përmbushur për Michiganin për të shkuar përpara.
Senatori Peters, i cili ka vizituar Shqipërinë dhe Kosovën, thotë se ka parë atje shumë shtëpi ku valëvitej jo vetëm flamuri shqiptar, por edhe flamuri amerikan krahas tij.
Gary Peters në Ligjëvenësin amerikan ka qenë anëtar i grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan. Ai ka pohuar se është krenar që është mik i popullit shqiptar dhe udhëheqës aktiv i këtij grupi të Kongresit.
Peters është shprehur se do të vazhdojë të mbështesë lidhjet e pandërprera midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe do të punojë për të forcuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Mirëpo, në anën tjetër, komuniteti shqiptar një komunitet mjaft aktiv në SHBA – iu gëzua mbrëmë edhe fitorveve të miqëve të shqiptarëve janë fitues në disa shtete, dhe krenohet me fotoren e tyre.
Të marrim shembull Eliot Engel, i cili në New York për vendin e kongresmenit në Dhomën e Përfaqesuesve, ka fituar mbi rreth 75 për qind të votave. Eliot Engel, është miku më i madh i shqiptarëve për më shumë se 25 vjet. Të gjithë e dinë se çfarë kontributi ka dhënë ai për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për demokratizimin e Shqipërisë.
“Mirpo megjithse nga dy parti të “kundërta” me njëra tjetrën Eliot Engel nga Partia Demokrate dhe Mark Grim nga Partia Republikane, kanë qenë së bashku – të paktën me ne shqiptarët. Ata të dy në Kongres kanë punuar së bashku për të mirën e shqiptarëve, për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, dhe Luginës së Preshevës,” ka pohuar zoti Bajraktari një veprimtari i dalluar i komunitetit në fushatën e kongresmenit Eliot Engel.
Zoti Harry Bajraktari, i cili ka kontribuar pothuajse në të gjitha fushatat elektorale tha se premton që ne si komunitet në SHBA :” do të vazhdojmë gjithnjë të punojmë me miqtë tanë amerikanë, pavarësishtë se ata janë nga partia republikane apo demoktare, veçse për të mirën e shqiptarëve, ashtu siç kemi punuar deri më tash, që të ruajmë miqtë tanë dhe do të vazhdojmë të punojmë për të zënë edhe miq të tjerë si në Senat, Kongres e qeverinë Amerikane e tjer.”
Edhe Kongresmeni Jerrold “Jerry”, Nadler, i cili është një anëtar i lartë i Partisë Demokratike në Kongresin Amerikan – dhe përfaqëson Qarkun 10-të të zonës elektorale e cila përmbledh pjesën e poshtme të Manhattanit, duke përfshirë shumicën e anës perëndimore të Manhattanit dhe pjesës jugore të Brooklynit, fitoi pa shumë probleme.
Një veprimtari për mbledhjen e fondeve, u mbajt në fund të fushatës së tij për Kongresmenin Jerry Nadler , në lokalin e Fondacionit Kolombi i Qytetarëve, në Manhattan, qytetin e New Yorkut. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe PAC, e udhëhequr nga ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi së bashku edhe disa anëtarë të Bordit të LQSHA, zoti Faik Lita (me vajzën e tij, Siana), Rifat Mehmeti (me djalin e tij, Flamur), dhe Luan Bukolla, Oliver Papraniku, dhe vëllai i tij Larry dhe dhjetëra mbështetës të komuniteteve të tjera përfshirë edhe shqiptarë amerikanë të fushës së biznesit, Bujar Gjata nga Rrënjët Shqiptare, iu gëzuan mbrëmë fitores së Nadler.
Mark Gjonaj , 43 vjeç , i cili bëri histori kur mundi në mandatin e kaluar Assemblywoman në detyrë Naomi Rivera, e rishkroi mbrëmë historinë e tij duke marrë edhe një mandat tjetër në Distriktin 80të të Bronxit. .
Mark Gjonaj nga Reçi i Ulqinit, është shqiptari i parë që ka fituar në zgjedhjet lokale në New York si anëtar i asamblesë së qytetit. Ai ka patur një mandat të suksesshëm duke fituar edhe mbrëmë me mbi 80 përqind.
Shqiptarët e Nju Jorkut, u treguan përsëri të disiplinuar dhe shumë të organizuar në procesin e votimit duke bërë të mundur fitoren e shqiptarit të parë si përfaqësues i tyre në asamblen e Nju Jorkut.
Gjonaj – i cili është biri i dy emigrantëve shqiptarë, i lindur dhe rritur në Bronx, i kushton një pjesë të madhe të jetës së tij për aktivitetet e të gjitha komuniteteve, si dhe duke ndihmuar komunitetin shqiptaro-amerikan në të gjithë zonën e New Yorkut.
Ai mori detyrën në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, më 1 janar 2013, duke sjellë me vete përvojat e tij – si biri i një emigranti – një pronari të biznesit të vogël dhe praktikat e vështira për të jetuar dhe punuar në lagjen Bronx. Ai është i pari shqiptarë i Amerikës, në historinë e emigracionit që zgjidhet me votat elektorale në një detyrë kaq të lart në shtetin e New Yorkut.
Gjatë fushatës së tij, Assemblymani Gjonaj – ka premtuar se përsëri në mandatin tjetër, ai do të jetë i pranishëm në të gjitha ngjarjet e planifikuara në Qarkun e 80-të, duke u gjendur pranë të gjitha komuniteteve, indianëve, Jews, kinezve, rusve, shqiptarëve, hispanikëve, atyre me ngjyrë, arabve , italianëve dhe të tjerëve.
Gjonaj u lind më Arthur Avenue në Zonën Fordham të Bronxit, nga prindër emigrantë shqiptarë, të cilët kishin emigruar dekada më parë nga Reçi i Ulqinit . Pas 10 vjet në zonën Fordham , familja e tij u zhvendos në zonën Pelham Parkway . Nëna e tij punoi si një punonjëse në Spitalin Jacobi dhe babai i tij ka punuar si inspektor ndërtimi .
Zgjedhja e tij në mandatin e parë, i ka bërë jashtëzakonisht krenar të gjithë shqiptarët në Amerikë, madje edhe ata në vendlindjen e tyre, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri, e kudo që ka shqiptarë.

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Engel, fitojne, miqte e shqiptareve, ne Kongres

Gary Peters feston fitoren edhe me shqiptaret!

November 5, 2014 by dgreca

Nga Pjeter Jaku/
Në MGM Grand Hotel, aty rreth ores 10:00 pm te dates 04 Nendor 2014, Gary Peters feston fitoren, duke u bere Senator i Shtetev te Bashkuara te Amerieks edhe me ndihmen e shqiptareve, te cilet ne nje mase te konsiderueshme votuan per te.
Që pas votimit ne nje nga shkollat e Sterling Hts, aty rreth ores 7:00 pm shpejtova te mesoja per rezultatet paraprake. Edhe pse sipas konfirmimeve te mediave te rendishsme si CCN, perpara ishin republikanet, ne Michigan kongresmeni i deritashem Gary Peters, kishte ngjitur nje shkallë, duke u bërë Senator.
Kjo fushatë e nisur që para dy vitesh, u përkrah që në fillim nga Konsulli i Nderit te RSH në Detroit z. Ekrem Bardha dhe e bija Donika, nga Qendrat fetare sidomos nga Kisha e Shen Palit dhe Don Fran Kola, nga Kisha e Zojes dhe Don Ndue Gjergji si dhe nga Teqja Bektashjane, nga Dega e Vatres ne Michigan me kryetarin Alfons Grishaj dhe nga këshilli drejtues i saj, nga aktivistet e njohur si: avokati Jozeph Dedvukaj, Zef Dedvukaj, Selë Çela, Petrit Doda, Valentin Lumaj, Mondi Rakaj, biznesemeni i njohur Agim Lumani etj.
Të gjithë këta festuan sonte me Senatorin Gary Peters!
Urime per GARY PETERS!

Filed Under: Featured Tagged With: feston fitoren edhe, Gary Peters, me shqiptaret, Pjeter Marku

PARAHISTORIA E LUFTËS DHE “ÇLIRIMIT”

November 5, 2014 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/ITALI/
Po i afrohemi 29 nëndorit, të cilin këtë vit Shqipëria zyrtare do t’a festojë me një zell të veçantë si vit jubilar, 70-vjetor i “çlirimit”, sinonim i vendosjes në Tiranë të “gubernës komuniste” të Enver Hoxhës e të diktaturës së pashembullt gjysëm shekullore që e pasoi.
Do të evokohen “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës, nën drejtimin e “komandantit legjendar”, sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorëzohen me një shifër imagjinare të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historiografinë 70 – vjeçare, si për të dëshmuar faktin se ishte një gjetje e bukur e imagjinatës së ndonjerit që vendosi t’i japë çdo km. katror të truallit shqiptar një martir të luftës për komunizmin.
Për afër gjysëm shekulli nëndori për shqiptarët qe muaji i shumëpritur i festave. Festoheshin me rradhë të gjitha datat e shënuara të lindjes e të fitores së komunizmit. Fillohej nga dita e grushtit të shtetit bolshevik të 1917 – ës në qytetin e Pjetrit të parë, për të pasuar në përkujtimin e themelimit të partisë komuniste shqiptare nga Miladin Popoviçi, i dërguari i posaçëm i Josif Broz Titos për Shqipërinë. Muaji përfundonte me festën e madhe të “çlirimit” të 29 nëntorit, që eklipsonte atë të një dite më parë, e vetmja ditë me të vërtetë e shënuar në historinë e gjatë të Vendit. Pas komunizmi, që vazhdoi të ushqejë rrënjët e origjinës me mungesën e dënimit të krimeve e pasojave të tyre, duke i paguar një farë pengu “ndryshimeve demokratike”, i hoqi nga qarkullimi zyrtar festat e 7 dhe 8 nëndorit.
“ Nëndoriada” qe për dhjetëvjeçarë me rradhë burim frymëzimi për poetë e artistë të të gjitha përmasave e festat e nëndorit gjithmonë burim shprese për qindra e mijra të burgosur politikë që prisnin me ankth vite me rradhë një gjest “zemërgjërësie” të Zeusit të Olimpit në drejtim të tyre. Për gjithë periudhën e gjatë të sundimit komunist historia u shkrua simbas orekseve të fituesve, u tjetërsua e u interpretua simbas shijeve dhe interesave të tyre. Kështu komunistët qenë të parët që luftuan e u sakrifikuan për të çliruar Vendin, qenë të parët që ju kundërvunë pushtuesve nazifashistë, qenë të vetmit që luftuan në mënyrë të papajtuar me “ armiqtë më të mëdhenj të lirisë së njerëzimit”, fashistët italianë e nazistët gjermanë. Ndofta shumëkujt spontanisht gjatë asaj kohe i vinin pyetje që ngelnin pa përgjigje ose akoma më keq mbeteshin të pashprehura. Shifrat dhe ngjarjet nuk përkonin me të vërtetën e jetuar prej shqiptarëve, kurse historia e shkruar fliste për gjysmën e dytë të periudhës së pushtimit, duke vënë në gjumë letargjik gjysmën e parë të saj, parahistorinë.
Dihet se Shqipëria u pushtua më 7 prill 1939, kur ende lufta e dytë botërore nuk kishte filluar. Do të kalonin ende disa muaj para se korridori i Gdanskut të bëhej shkëndija e atij zjarri të stërmadh që do të pushtonte Evropën. Nga 1939 deri më 1941 qëndresa kundër italjanëve ishte diçka sporadike dhe e paorganizuar. U krijuan aty këtu çeta luftëtarësh, kryesisht me orjentim monarkist, që nuk pajtoheshin me pushtimin. Kuptohet se efektiviteti i veprimit të tyre ishte tepër i vogël, si pasojë e ndryshimit të madh të raportit të forcave në fushë. Komunistët që, për gjysëm shekulli, kanë rrahur gjoksin e kanë stërfolur për meritat dhe vetmohimin e tyre në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, i anashkalojnë historisë dhe ngjarjeve të atyre dy viteve, që në terma kohe përbëjnë gjysmën e gjithë “epopesë” së shkruar. Është folur e shkruar për demostrata të mëdha të zhvilluara në Tiranë e qytete të tjera e të drejtuara nga komunistët e personalisht nga Enver Hoxha. Nuk i përgjigjen së vërtetës këto pohime, mbasi udhëheqësi i ardhshëm i partisë në atë periudhë englendisej në librarinë Flora dhe në rrethet shoqërore të borgjezisë, ku pranohej në sajë të lidhjeve farefisnore. Qetësia relative, pothuajse miratuese, e komunistëve në këta dy vite shoqërohej me argumentime teorike, simbas të cilave pushtimi kishte dhe anët e tij pozitive mbasi do të jepte ndihmesën e tij në krijimin e klasës puntore, si pasojë e futjes së marredhënieve kapitaliste në prodhim. Më vonë këto teori u konsideruan disfatiste e ju veshën atyre komunistëve që nuk pranuan të venë në qafë kularin e Miladin Popoviçit.
A ishte i rastësishëm pasiviteti i komunistëve shqiptarë në këta dy vite, ishte pasojë e mosorganizimit, e grindjes mes grupeve të ndryshme, siç është servirur në libra e në propagandë? Po të hedhim vështrimin më larg, në marredhëniet ndërmjet komunizmit botëror me qëndrat e tij drejtuese Kremlinin dhe Kominternin, me Boshtin qëndror e kryesisht Gjermaninë hitleriane, do të kuptojmë më mirë arsyen e vërtetë të atyre qëndrimeve. Më 23 gusht 1939, vetëm dhjetë ditë më parë se të shpallej lufta, në Moskë ministri i jashtëm gjerman, baroni fon Ribentrop nënëshkroi një
“pakt mossulmimi” me kolegun e vet sovjetik Molotov. Ai nuk ishte thjesht një angazhim i ndërsjelltë i dy shteteve më të fuqishme diktatoriale të kontinentit për të mos sulmuar njëri tjetrin, por ishte një marrëveshje banditësh për të rindarë territore e skllavëruar popuj. Efektet qenë të menjëherëshme me ndarjen e Polonisë dhe pushtimin e republikave pribaltike.
Ai traktat ishte përfundimi i një sërë konsideratash e llogarish që, në strategjinë e dy diktatorëve më mizorë të shekullit, do të ndryshonte historinë dhe gjeopolitikën e Kontinentit e të globit. Ai traktat u pasua nga të tjera marrëveshje të fshehta e të hapura, që filluan të ndryshojnë dhe qëndrimin zyrtar të dy Vendeve e propagandave përkatëse karshi njëri tjetrit. Stalini kishte lavdëruar luftën “ antikapitaliste “ të Gjermanisë kundër Anglisë e Francës, “ shkaktarët e vërtetë të luftës”, simbas Molotovit. Më 7 shtator 1939 Stalini i njoftonte Dimitrovit, sekretar i parë i Kominternit, se “ nuk do të ishte keq nëse Gjermania do të dobësonte pozitat e kapitalistëve më të pasur (veçanërisht të Anglisë )”. Si pasojë e strategjisë së re të BS e të Stalinit direktiva e Kominternit qe e prerë : “Qëndrimi i mbrojtjes kombëtare është i papranueshëm për komunistët në këtë luftë (…) çështja e fashizmit luan sot një rol të dorës së dytë, çështja kryesore përfaqësohet nga lufta kundër kapitalizmit, origjina e të gjitha luftrave. Taktika e Frontit popullor nuk është më e zbatueshme.” Të gjithë morën nga Moska udhëzimet për “t’i çjerrë maskën legjendës së natyrës antifashiste të luftës”. Filluan në seri autokritikat aspak dinjitoze, në stil shqeto komunist të udhëheqësve të partive komuniste, që gjithmonë kishin zbatuar direktivat, por që tani duhet të merrnin mbi vehte barrën e ndryshimit të tyre…Francezët pranuan se kanë gabuar në të besuarit e “legjendës së karakterit antifashist të luftës”, ndërsa ajo kishte karakter imperialist me piksynim diktaturën e kapitalit !!??. Palmiro Toliati pranonte se Musolini ka përmirësuar kushtet e punonjësve në Itali dhe deklaronte: “Un nuk ve në qendër luftën për të rrëzuar Musolinin “. Ishte 7 mars 1941!!!
Kur në prill të 1940-ës Gjermania pushtoi Danimarkën dhe Norvegjinë, shtypi komunist, si gjithmonë zëdhënës besnik i partive komuniste, i ngarkonte përgjegjësinë kryesore jo Gjermanisë, por kundërshtarëve të saj dhe vetë viktimave të agresionit, ndërsa Qeveria sovjetike i uroi privatisht Gjermanisë “ sukses të plotë në nismat e saj mbrojtëse “. Më 25 nëntor 1940, plot 74 vite më parë, Molotovi thirri ambasadorin e Gjermanisë në Moskë për të firmosur një marrëveshje historike. BS kishte vendosur të bashkohej me boshtin Romë-Berlin-Tokio për të thyer fuqitë pluto – judaike – masonike, siç quheshin rëndom në propagandën komuniste e fashiste demokracitë e Perëndimit. Ky vendim ishte përgjigje e kërkesës së Hitlerit bërë verbalisht Molotovit gjatë vizitës së tij në Berlin disa ditë më parë.
Synimet e BS në këtë situatë idili dhe sinkronizimi me Gjermaninë naziste gjatë viteve 39-41 ishin në përfitimet territoriale në pjesët e perandorisë britanike që konsiderohej në shpërbërje e sipër, në shtimin e influencës në Ballkan e në përpjekjet për kontrollin e ngushticave, pika strategjike me rëndësi të jashtzakonëshme në kohë lufte e paqeje. Gjermania ishte e interesuar t’a kishte në anën e saj kollosin rus për të gjunjëzuar qëndresën angleze e në shërbim të këtij synimi Ministria e propagandës naziste ndaloi çdo “ qëndrim kundër marksizmit dhe bolshevizmit në shtyp dhe në propagandën gjermane “ si pasojë e një protokolli shtesë të fshehtë të paktit Ribentrop-Molotov. Më 19 korrik 1940, në një fjalim të mbajtur në Rajshtag, Fyhreri deklaronte: “Marredhëniet ruso- gjermane janë përcaktuar përfundimisht… çdo shpresë se mund të lindin tensione të reja është foshnjarake.” Autoritetet gjermane theksonin faktin se “ për Gjermaninë dhe Rusinë punët kishin vajtur mirë gjithmonë kur kishin qënë mike dhe keq kur kishin qënë armike”.
Kjo ishte atmosfera e marredhënieve mes dy sistemeve totalitare në dy vitet e para të luftës. Ajo u prish me sulmin rrufe të gjermanëve, për të cilët traktatet ktheheshin në copa letre të grisëshme, sapo t’ua kërkonte interesi, më 22 qershor 1941. Çfarë nuk vazhdoi të funksjononte në mekanizmin koordinues të strategjisë globale të dy diktaturave? Deliri i plotfuqishmërisë së Hitlerit që mendoi se në pak kohë do të asgjësonte, nëpërmjet forcës, kërkesat, gjithnjë në rritje, të Stalinit për pushtet në skakjerën botërore. Si drita e diellit është e qartë se nuk ishin motivet e idealevet apo të ideologjisë ato që përcaktuan ndarjen mes dy tiranëve, qenë çështje interesash e vlerësime të gabuara të forcave. Marredhëniet e ngushta mes dy tiranive ishin shprehje dhe rezultat i përkimit të interesave. Gjithshka tjetër, që propaganda e kohës motivonte, ishte një fletë fiku që shërbente për të mbuluar të vërtetën e për të trullosur dhjetra milionët që do të bëheshin mish për top.
Kështu lufta për “ mbrojtjen e lirisë së popujve dhe idealeve të demokracisë” që, për më shumë se një gjysëm shekulli, bota komuniste e shpalosi pa prerë si motivin kryesor të sakrificave e të fitores mbi nazifashistët, ishte një mashtrim i përbindshëm në dritën e së vërtetës historike, të fakteve e dokumentave. Po ashtu ishte një tjetër mashtrim “ lufta kundër komunizmit”, që propaganda nazifashiste e kishte vënë në qendrën e argumentave të saj për të justifikuar tragjedinë më të madhe të historisë së kontinentit.
Në këtë kontekst mungese parimesh e idealesh dhe komunistët shqiptarë nuk mund të bënin përjashtim. Ata soditën të kënaqur frutet e bollëkut që solli Italia deri në vjeshtën e vitit 1941, ishin në letargji derisa Titoja, prokonsulli i Stalinit për Ballkanin, nëpërmjet të dërguarit të tij të posaçëm, Miladin Popoviçit, do t’ju kujtonte se kishte ardhur koha të organizoheshin e të luftonin mbasi “atdheu i socializmit” ishte në rrezik. E gjithë vepra e tyre konsistoi në zbatimin e urdhërave që sillnin nga shtabi qëndror i ushtrisë jugosllave Popoviçët, Mugoshët, Stojniçët, Tempot etj emisarë të druzhe Titos. Dëshmi e këtyre qëndrimeve janë themelimi i partisë komuniste në tri ditë mbas tre vite kundërshtish e mosmarrëveshjesh të grupeve komuniste, vënia në krye të saj e një personazhi të lakueshëm e të paaftë kur në orbitën e botkuptimit komunist shqiptar kishte personalitete të forta si Llazar Fundo, Zef Mala, Sejfulla Malëshova, Sadik Premtja etj., prishja e njëanëshme e marrëveshjes së Mukjes, asgjësimi gradual e sistematik i elementëve të shëndoshë e atdhetarë në gjirin e lëvizjes, thika e ngulur mbas shpine çështjes kombëtare nëpërmjet mungesës së këmbënguljes për thirrjen e referendumit për vetëvendosje në Kosovën e pasluftës, kompromiset e heshtjet kriminale në kurriz të mijra viktimave të vëllezërve të Kosovës.
Po t’i shtojmë kësaj tablloje gjysëm shekulli terrori nën hijen e kultit të Stalinit, mungese lirie, varfërie skajore, prapambetje proverbiale, sakrificash pa fund për të ndërtuar bunkerë më duket se festat e nëndorit, duke përjashtuar ditën e ndritur të Pavarësisë, meritojnë të kthehen në ditë zie.

Nëndor 2014 Eugjen Merlika

Filed Under: Featured Tagged With: DHE “ÇLIRIMIT”, Eugjen Merlika, PARAHISTORIA E LUFTËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4316
  • 4317
  • 4318
  • 4319
  • 4320
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT