• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

– Priftëreshat e Ilirisë janë edhe rojtaret e këtij misioni të Teutës

November 5, 2014 by dgreca

PERSONAZH/ Flet shkrimtarja Mira Meksi: Kam ndërtuar Ilirinë time dhe Teutën time/
“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” psikologjia e personazheve realë historikë, i përgjigjet botës ilire/
Nga Albert ZHOLI/
Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” ka ngjallur shumë diskutime në publik. Por edhe vetë kritika nuk është treguar e heshtur për të treguar indiferente. Mund të themi se romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një ndër romanet më intrigues në treg, për vetë subjektin, fabulën, mënyrën e rrëfimit, ngjarjet e shumta dhe me karakter të thellë historik. Ky roman përbën në vetvete një letërsi ndryshe, që përkon me risitë e kësaj mënyre të shkruari tek krijuesit tanë.
Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një roman me ngjyresë historike. Në ç’raport qëndron historikja me fiksionin në roman?
Meqenëse, ka një mangësi të konsiderueshme të dokumentacionit historik, duket sikur peshorja anon nga fiksioni, trilli; nga legjendat dhe mitet. Në të vërtetë, shtyllat e fuqishme që mbajnë ngrehinën e romanit janë historike: personazhet historikë, kronologjia e ngjarjeve dhe zhvillimeve historike, betejat, ideali i Teutës. Gjithsesi, ky roman me ngjyresë historike ka një veçanti: objekt rrëfyes ka Kujtesën. Mbi të gjitha, është një roman historik, ku psikologjia e personazheve realë historikë, por edhe atyre të fiksionit, i përgjigjet asaj epoke, botës ilire.
Personazhi kryesor, Teuta, paraqitet edhe si mishërimi hyjnor i gjarprit-totem të Ilirisë. Me çfarë mekanizmi keni punuar për ta realizuar këtë?
Miti i lashtë grek i Kadmit dhe Harmonisë, të parëve me prejardhje hyjnore të ilirëve, miti bazik i këtij romani, rrëfen për birin e tyre Ilyriosin, që foshnjë e mbështolli gjarpri duke i përçuar vetitë e tij hyjnore. Për analogji, në roman Teuta ushqehet me limfën e gjarprit–totem të ilirëve dhe shndërrohet kështu në mishërimin njerëzor të tij.
Romani juaj nis me një skenë të fuqishme, ku mbretëresha e Ilirisë, Teuta, përgatitet të vrasë veten. Përse keni zgjedhur një fund të tillë për Teutën mbretëreshë dhe luftëtare? Historike, fiksion?
Të dyja bashkë. Historia nuk thotë asgjë për fatin e Teutës pas luftës së parë iliro-romake dhe pushtimit të Ilirisë prej Romës. Ka gojëdhëna që rrëfejnë për vetëvrasjen e mbretëreshës Teutë, por trupi i saj nuk u gjend kurrë. Ky ka qenë një ngacmim për t’i dhënë asaj një fat të tillë në roman, por edhe vetë rrjedha ngjarjeve aty të shpinte. Nga ana tjetër, ngacmimi vuri në lëvizje mekanizmin e trillit, i cili iu përgjigj idesë se, edhe pas zhdukjes fizike, Teuta, apo më mirë shpirti i saj, do të vazhdonte të printe Ilirinë.
Vetëvrasja e saj duket si një akt i vullnetshëm i saj, por helmi që përdor është “mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, i cili është edhe titulli i romanit. Duket sikur kjo vetëvrasje është një akt i përgatitur që më parë, apo sikur është jashtë vullnetit të saj. A mund të na e sqaroni?
Gjithçka lidhet me misionin e epërm të Teutës, e cila përveçse është strategia e luftërave pushtonjëse të Ilirisë dhe farkëtarja e lavdisë së vendit të saj, është edhe shpirti i popullit të saj dhe përtëritësja e prejardhjes së tij hyjnore. Priftëreshat e Ilirisë janë edhe rojtaret e këtij misioni të Teutës. Ato i druhen dobësisë njerëzore të mbretëreshës, zemra e së cilës dashuron një burrë. Mallkimi i tyre në formën e helmit është pikërisht për të vrarë zemrën njerëzore, në çastin kur ajo do të bëhet pengesë për të përmbushur misionin e Teutës. Pa dashur të zbuloj më shumë nga romani, mund të them se vetëvrasja e Teutës është njëkohshëm edhe e vullnetshme edhe e diktuar nga fuqitë jashtë saj.
Si në përgjithësi të gjithë romanet që keni shkruar, rrëfimi bëhet në retrospektivë. Njëlloj si te romanet “Porfida Ballo në Versailles”, apo “E kuqja e Demave”, edhe në këtë roman, skena e fillimit është edhe skena përmbyllëse. Po shkruhet që ky libër ka strukturën e trupit të një gjarpri, një gjarpri që kafshon bishtin e tij. Çfarë simbolike mbart e gjithë kjo?
Është tamam kështu, kujtesa e gjarprit të skalitur si tatuazh në trupin e Teutës i rrëfen ngjarjet pasi ato kanë ndodhur. Dhe nuk i shpëton asnjë detaj, madje qashtërsia e tyre është e jashtëzakonshme. Në retrospektivë. Romani hapet me një skenë nistore, e cila është edhe skena përmbyllëse në mbarimin e saj. Është struktura e një uroborosi, gjarprit që kafshon bishtin e tij dhe që bart një simbolikë sa të fuqishme, aq edhe të lashtë. Është simboli i vijimësisë, i ciklit të mbyllur të jetës dhe i përjetësisë.
Shkrimtari sillet edhe si historian, pa dyshim. Dhe është zgjedhja e tij. Historianët e lashtë, por edhe ata modernë një pjesë, japin si shkak të fillimit të luftës së parë romako-ilire vrasjen e ambasadorëve romakë prej Teutës. Në romanin tuaj ndodh krejt ndryshe. Cila të jetë vallë e vërteta historike?
E kam shpallur që në krye të herës se nuk mëtoj të jap të vërtetën historike me këtë roman. Kam ndërtuar Ilirinë time dhe Teutën time, sigurisht duke u bazuar në fakte historike, në realitetin e asaj kohe, por edhe në mite dhe legjenda, e duke ia nënshtruar të tërën prosedeve të trillit romanesk. Polibi i lashtësisë, sidomos, shkakun e luftës së parë iliro-romake, e paraqet si hakmarrjen e Romës ndaj Teutës, për vrasjen e ambasadorit të saj menjëherë pas audiencës që dy të dërguarit e Romës patën me Teutën, dhe ku i kërkuan të ndalonte piraterinë ilire që bënte kërdinë mbi anijet tregtare italike. Historianë modernë kanë hedhur dyshimet e tyre mbi shkaqet e vërteta që shtynë Romën të ndërmerrte veprime ushtarake kundër Ilirisë. Kam interpretuar edhe unë faktet historike që njohin një shumësi interpretimesh. Në roman, vrasja e ambasadorit romak është thjesht një Casus Belli, një shkak për luftë i sajuar dhe i kërkuar nga Roma, e cila mëtonte të kishte zotërimin e porteve të Hadrias, të cilat ishin në dorën e Teutës.
Beteja e Medionit, por edhe betejat detare janë përshkruar me një hollësi të jashtëzakonshme. Kemi llojet e anijeve, armatimet, formacionet e ushtrisë, teknikat e luftimit. Dhe janë zhvilluar përpara gati 2300 vjetësh. Si ia keni dalë t’i përshkruani kësisoj?
Historianët e lashtësisë kanë dhënë jo pak fakte historike mbi betejat kryesore që unë kam përshkruar në roman. Jo vetëm për betejën e Medionit, por edhe të Kerkyrës, ku Polibi jep deri edhe emrin e komandantit të flotës së Ligës së etolëve dhe akejve. Detajet për to, mënyrat e luftimit të kohës, por edhe ndërtimin e anijeve, lembeve, katafrakteve, triremave dhe pesëremave, por edhe armët e përdorura, – dhe ushtria ilire e Teutës, si ajo e tokës, ashtu edhe flota e saj, qenë të pajisura me armatimet më moderne të kohës, – u morën për analogji nga betejat e kohës që zhvilluan grekët apo qoftë edhe romakët, dhe për të cilat ka shumë më tepër të dhëna historike. Pjesa tjetër është një studim i mirëfilltë në bazë skemash i këtyre betejave dhe përshkrimi i tyre.

***
Prozatore, përkthyese letrare, publiciste dhe botuese
Themeluese dhe drejtore e revistës letrare ( 3 numra në vit) 16 vjeçare Mehr Licht, anëtare e rrjetit europian të revistave letrare eurpiane EUROZINE
Themeluese dhe drejtuese e dy kanaleve televizive ne Tirane dhe shkup “Alsat Tv”
Aktiviteti Letrar
Ka përkthyer nga gjuha e huaj në shqip autorë si:
Dumas, M. Yourcenar, M. Duras, Baudelaire,Lamartine, Rimbaud etj dhe Marquez, Borges, Neruda, Paz, Sabato, Allende, Javier Marias, Vargas Llosa, Saramago, Fuentes, Cela, Lorca, Bernardo Atxaga, etj
Ka përkthyer nga shqipja në frëngjisht dhe në spanjisht:
“30 vjet Poezi” të I. Kadare; Antologjia e Poezisë së sotme shqipe në spanjisht
Vepra origjinale dhe punime: Romanet: “Frosina e Janinës”; “Porfida –Ballo në Versailles”, “ E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave”
“ Planeti i ngrirë”; “Fantazma me sy njeriu”
(Romane për adoleshentë)
Novelë: “ Ballo në Versailles”
Përmbledhje me tregime: “ Mali i shpirtrave”; “Buzë të panjohura gruaje”; “Zonja plake e Parisit”
Antologjia e Poezisë së sotme Aragonase Eseistikë: “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”
Letërsi për fëmijë: Katër përmbledhje me përralla dhe një novelë e ilustruar: “Magjistrica e 12 pasqyrave”

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Zholi, Mira Meksi, priftereshat e Ilirise

Absurdi i ligjit grek të luftës me Shqipërinë

November 4, 2014 by dgreca

Ksenofon Krisafi:Absurdi i ligjit grek të luftës me Shqipërinë/
Për tokën dhe detin e Shqipërisë. Qasje juridiko-ndërkombëtare”, është botimi më i fundit i profesor Ksenofon Krisafit, promovuar dje në mbrëmje në “UET”. Në të, ai ka përfshirë artikuj e intervista botuar në media të shkruara vitet e fundit, lidhur me marrëveshjet e dëmshme që Shqipëria në kohë të ndryshme ka lidhur me shtetet fqinje. Skandali i zbuluar nga “Gazeta Shqiptare”, ai i marrëveshjes së detit me Greqinë, pas një investigimi që zgjati muaj të tërë e u pasqyrua në disa artikuj është edhe fokusi i profesor Krisafit. Për shkak të dëmit të madh që i bënte vendit tonë, ajo u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. “GSh” boton sot një pjesë prej librit, saktësisht një intervistë të profesorit.
Një analizë e marrëdhënieve shqiptaro-greke në këndvështrimin e luftës italo-greke dhe akteve juridike të prodhuara si rrjedhim i saj ëshët trajtuar në librin e Arben Putos. Cili është vlerësimi juaj për këtë çështje?
Duke iu referuar marrëdhënieve shtetërore shqiptaro-greke, dallohet qartë se në periudha të caktuara ato kanë përjetuar batica dhe zbatica. Përkeqësimet e dukshme nisën në kohën e shfaqjes violente të nacionalizmave, atëherë kur filluan ndërhyrjet e politikës në jetën e komuniteteve dhe kur politika e jashtme greke u personifikua me doktrinën shoviniste të Megali Idesë – Idesë së Madhe. Në mënyrë të veçantë, nga mesi i shekullit XIX, synimet greke për ekspansion drejt trojeve shqiptare institucionalizohen, për t’u konkretizuar në agimet e shekullit të kaluar, në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1912-1913), kur ngrehina e perandorisë otomane po shkonte me shpejtësi drejt rrënimit përfundimtar.
Në ç’rrethana u shpall ligji i luftës me Shqipërinë, cila ishte përmbajtja dhe çfarë synohej nëpërmjet tij?
Historia e të ashtuquajturit “ligji i luftës”, e trajtuar gjerësisht edhe në librat e prof. Putos, por edhe në tekstin e Historisë së Shqipërisë, në punime me vlerë të Paskal Milos e Beqir Metës, në disa shkrime të Agim Tartarit dhe Abdi Baletës, në librin Lufta e fundit, pronat e shqiptarëve në Greqi të Mentor Nazarkos etj.
Më 15 tetor 1940, Italia fashiste i shpalli luftë Greqisë dhe më 28 tetor 1940 e sulmoi atë ushtarakisht. Më 10 nëntor 1940, qeveria greke e Metaksait shpalli Ligjin Nr. 2636/1940 “Mbi veprimet juridike të armiqve dhe sekuestron konservative të pasurive armike”, që njihet ndryshe me emrin Ligji i luftës me Shqipërinë.
Një analizë objektive dhe e paanshme, e mbështetur në të vërtetat historike dhe në interpretimet juridike të akteve të së drejtës së brendshme të të dy shteteve dhe të së drejtës ndërkombëtare, provon se alibia e atëhershme greke, rreth dilemës së gjendjes së luftës, ka qenë false dhe tashmë është përgënjeshtruar përfundimisht në favor të paqes.
Athina zyrtare, duke iu referuar Luftës Italo-Greke, e akuzoi Shqipërinë si shtet agresor, që e kishte sulmuar ushtarakisht. Qeveria e atëhershme greke paraqiti tek organizmat ndërkombëtare kërkesën formale për rihedhjen në diskutim të rivendikimeve territoriale, nëpërmjet avancimit të tezës së “gjendjes së luftës” me Shqipërinë dhe domosdoshmërinë e përfundimit të një traktati paqeje midis dy vendeve “ndërluftuese”. Mendohej se shtrimi i problemit shqiptar në tërësi, në forumet e pasluftës mund të jepte shanse për realizimin e planeve të dikurshme. Filloi një lojë komplekse propagandistike, politike e diplomatike, synimi i së cilës ishte ndërkombëtarizimi i “gjendjes së luftës” midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ajo u shoqërua me përpjekje intensive për krijimin e një opinioni në favor të tezës greke dhe, në këtë rast, ekspozimin e “provave” dhe “argumenteve”, mbi të cilat bazohej akuza greke kundër Shqipërisë mbi gjoja pjesëmarrjen e saj në luftë përkrah forcave fashiste.
Cili është mendimi juaj, si specialist i së drejtës ndërkombëtare, për bazën juridike të këtij akti?
Le ta nisim nga motivi i parë, deklarimi i luftës nga qeveria shqiptare e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, i invokuar si “argument” i karakterit të mirëfilltë juridik. Që në fillim mund të thuhet pa kurrfarë ngurrimi se është tepër e vështirë të gjendet një mbështetje e qëndrueshme juridiko-ndërkombëtare për këtë pretendim. Deklarata e qeverisë së Vërlacit nuk ka vlerë juridike, sepse pas 7 prillit 1939 Shqipëria ishte një vend i pushtuar, pa asnjë organ të legjitimuar me prerogativa vendimmarrëse. Të ashtuquajturit “qeveri” dhe “parlament” shqiptar nuk kishin as minimumin e atributeve ligjore për të marrë vendime dhe për t’u autentifikuar për përfaqësimin e Shqipërisë brenda apo jashtë vendit. Pozita e saj përcaktohej tashmë nga mungesa e sovranitetit dhe e lirisë së veprimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo nuk kishte personalitet ndërkombëtar dhe as zotësi juridiko-ndërkombëtare për të vepruar. Për rrjedhojë, nuk mund t’i ushtronte formalisht të drejtat e subjektit, siç ishte për shembull shpallja e luftës, përfundimi i paqes etj. Asaj i mungonte ajo që në të drejtën ndërkombëtare quhet animus belli. Për këtë arsye ndodhi që, sikurse shprehet me të drejtë avokat Agim Tartari, asnjë nga shtetet e tjera, të cilave Italia u shpalli luftë, përveç Greqisë, si për shembull Britania e Madhe dhe Franca (11 qershor 1940), Jugosllavia (6 prill 1941), Bashkimi Sovjetik (22 qershor 1941), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (11 dhjetor 1941) etj., nuk e morën në konsideratë Dekretin Nr. 194, datë 09.06.1940, nuk e quajtën e nuk e trajtuan asnjëherë Shqipërinë si shtet armik dhe nuk ndërmorën asnjë sanksion ndaj saj apo shtetasve shqiptarë. Edhe përpjekjet e Athinës, për të gjetur referenca apo mbështetje në ndonjë precedent, rezultojnë të pasuksesshme, madje dëshmojnë për të kundërtën. Fjala vjen Sllovakia, e pushtuar nga Gjermania naziste, nuk u konsiderua shtet armik, as edhe shtet i mundur nga ish-Bashkimi Sovjetik, për faktin që më 24 qershor 1941, Presidenti i saj Tisso i shpalli luftë.
Nuk qëndron gjithashtu edhe pretendimi tjetër mbi pjesëmarrjen e dy batalioneve shqiptare në Luftën Italo-Greke. Rekrutimi me forcë i shtetasve të vendeve të pushtuara nga ushtritë okupuese, për t’i përdorur në operacione luftarake nëpër vende të tjera, rezulton përherë si një praktikë e rëndomtë. Në bazë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, ata janë konsideruar dhe janë trajtuar si ushtarë të rregullt të ushtrive, në radhët e të cilave luftonin, e jo si ushtarë të vendit nga ishin. Le t’i referohemi Luftës së Dytë Botërore.
Pretendimet e qeveritarëve të atëhershëm grekë mbeten problematike, edhe nëse shihen nga aspekti i rolit që luajtën shqiptarët që u përdorën forcërisht në frontin e Luftës Italo-Greke. Shumica e shqiptarëve të rekrutuar në batalionet “Tomori” e “Taraboshi”, që u çuan në frontin grek, dezertuan ose luajtën rol sabotues, dhe si të tillë u çarmatosën e u internuan. Më 4 dhjetor 1940 agjencia “Anatoli” lajmëronte nga Athina se një gjeneral italian, i kapur rob prej grekëve, ka deklaruar se ushtria italiane po pëson humbje të rënda nga shkaku i tradhtisë së shqiptarëve.
Në çdo pikëpamje që të shihet e të trajtohet çështja, rezulton se midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk kishte motiv për të pasur “gjendje lufte”. E ashtuquajtura “gjendje lufte”, së cilës i janë referuar vazhdimisht qarqe politike greke, studiues e publicistë, ishte thjesht dhe vetëm një fiksion pa asnjë vlerë reale juridike, ishte thjesht dhe vetëm një pretekst për të mbajtur përherë një gjendje tensioni në marrëdhëniet shqiptaro-greke, të cilën qarqe shoviniste shpresonin ta përdornin si motiv për rikthim tek e kaluara revanshiste. Në këtë vështrim, në kushte normale, pavarësisht nga ç’është deklaruar apo publikuar në Greqi gjatë shumë vjetëve, nuk do të ishte e nevojshme ndërmarrja e ndonjë formaliteti juridik për heqjen e të ashtuquajturës “gjendje lufte” me Shqipërinë, sepse realisht ajo nuk ka ekzistuar.
Edhe sikur të abstragojmë për një çast nga faktet, analiza dhe arsyetimet me karakter historik e juridik, të parashtruara më sipër, ekziston një numër dokumentesh dhe janë vërtetuar ndodhi e situata me karakter të mirëfilltë juridiko-ndërkombëtar që e shndërrojnë në nul e të pabazë atë konstelacion aktesh të legjislacionit grek për të ashtuquajturën gjendje lufte me Shqipërinë.
Së pari, në aktet e pas-Luftës së Dytë Botërore Shqipëria nuk është parë dhe nuk është trajtuar si shtet armik. Përkundrazi, me aderimin në Traktatin e Paqes me Italinë, në zbatim të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 480, datë 9 tetor 1947, ajo u cilësua “fuqi shoqe” për zbatimin e atij Traktati. Palë e tij është edhe Greqia, e cila me Dekretligjin Nr. 432, datë 22 tetor 1947, e ratifikoi Traktatin e Paqes me Italinë. Sipas Traktatit, Italia angazhohej që të respektonte pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar dhe t’i deklaronte të pavlefshme të gjitha aktet e shpallura prej saj për Shqipërinë, ku përfshiheshin edhe ato të përfunduara nga autoritetet e vendosura në Shqipëri gjatë viteve 1939-1943, me shëmbëlltyrat e tyre shqiptare të instaluara prej saj. Nga interpretimi i përmbajtjes tërësore të Traktatit del qartë konkluzioni se aderimi i Greqisë në Traktat, në raportet e saj me Shqipërinë, veçanërisht pas aderimit të kësaj të fundit, në tetor të vitit 1947, ishte i barasvlershëm me heqjen e ligjit të luftës me efekte ex tunc, edhe pse ai, siç u tha, ishte i pamotivuar juridikisht.
Së dyti, neni 27 i Traktatit të Paqes me Italinë parashikon se “Italia njeh dhe angazhohet të respektojë sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit të Shqipërisë”. Ai, së bashku me nenin 28, i cili parashikon angazhimin e Italisë të njohë faktin se “ishulli i Sazanit bën pjesë në territorin shqiptar dhe heq dorë nga çdo lloj pretendimi kundrejt tij”, dëshmojnë se pas 7 prillit 1939, pushtimit italian të vendit, Shqipëria nuk ishte një shtet sovran. Përndryshe, nuk do të kishin kuptim dhe as arsye pse duhet të fiksoheshin në Traktat dispozitat e mësipërme. Edhe vetë Greqia e kishte pranuar në kohën e vet se Shqipëria, pas 7 prillit të vitit 1939, ishte një shtet i pushtuar. Ajo iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Italisë për ta tërhequr legatën e vet nga Shqipëria pas pushtimit italian.
Së treti, Shqipërisë iu akorduan dhe përfitoi reparacione lufte nga dy prej fuqive kryesore të Boshtit fashist, Gjermanisë dhe Italisë, çka përforcon tezën se, praktikisht dhe juridikisht, u trajtua me statusin e shtetit aleat në Luftën e Dytë Botërore.
Së katërti, në rastin e Shqipërisë dhe të Greqisë nuk është vërtetuar aplikimi i rregullave klasike të së drejtës ndërkombëtare të luftës. Sipas së drejtës ndërkombëtare, një nga hapat e parë që ndërmerret fill pas shpalljes së gjendjes së luftës është ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike dhe shkëmbimi, brenda një afati dhe në një vend saktësisht të përcaktuar, i përfaqësuesve diplomatikë të të dyja palëve. Me skadimin e këtij afati ata trajtohen si shtetas të shtetit armik dhe u nënshtrohen sanksioneve, arrestohen ose internohen dhe, në rastin më të mirë, vihen nën statusin e robërve të luftës. Ky trajtim, madje me përmasa më të rënduara, aplikohet menjëherë edhe ndaj të gjithë shtetasve të shtetit të shpallur armik.
Në marrëveshje midis dy qeverive, kanë qenë stacionuar dhe kanë vepruar reparte ushtarake greke, çka është krejtësisht e papajtueshme me gjendjen e luftës midis dy vendeve. Shqipëria, por as Greqia, nuk kanë vendosur masa kufizuese ndaj shtetasve të njëra- tjetrës për të blerë, shitur, dhuruar apo tjetërsuar në çdo formë tjetër pasuri të luajtshme e të paluajtshme në territoret respektive.
Së pesti, më 6 maj të vitit 1971 Greqia dhe Shqipëria ranë dakord për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e përfaqësive diplomatike respektive, në nivelin e ambasadave, në kryeqytetet e të dy vendeve. Ky është një akt i barasvlershëm me heqjen ipso jure dhe ipso facto të gjendjes së luftës. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shënoi një hap të madh drejt normalizimit dhe shkallmoi ngrehinën arkaike e absurde të “ligjit të luftës”, mbi të cilën mbështetej trajtimi i Shqipërisë si shtet armik, por nuk mundi ta shkatërronte plotësisht. Formalisht, në institucionet kompetente të shtetit grek vazhdonte të ekzistonte një sistem aktesh juridike që mbanin ende në këmbë, si fosile të së kaluarës, ligjin e luftës me Shqipërinë.
Së gjashti, përveç sa u parashtrua më lart, do të dukej absurde deri në ekstrem pretendimi i ekzistencës së gjendjes së luftës, po të kemi parasysh faktin tjetër se Greqia e ka abroguar gjendjen e luftës me Italinë, derivat i veprimeve të së cilës ishte “hyrja” formale në luftë e Shqipërisë kundër Greqisë.
Së shtati, pas Luftës së Dytë Botërore e, sidomos pas viteve 70 të shekullit të kaluar, në opinionin përparimtar grek si dhe në qarqe të caktuara politike diskutohej dhe kërkohej eliminimi i kësaj situate paradoksale, duke u ndërmarrë edhe hapat e nevojshëm për formulimin e zgjidhjeve zyrtare. Në këtë atmosferë, më 23 prill 1986, kryeministri i atëhershëm grek Andreas Papandreu deklaroi në Parlamentin grek se “heqja e gjendjes anormale të luftës me Shqipërinë është vendosur përfundimisht nga qeveria”.
Më 28 gusht 1987, sekretari i përgjithshëm i shtypit dhe informacionit të Presidencës qeveritare greke, Sotiris Kostopullos, njoftoi komunikatën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të asaj dite, në të cilën thuhej, ndër të tjera, se qeveria deklaron se karakterizimi i Shqipërisë si shtet armik ka pushuar së ekzistuari. Pala shqiptare kërkoi zyrtarisht me insistim një dokument autoritar, i cili të sanksiononte abrogimin juridik të Dekretit mbretëror të 10 nëntorit 1940, që e shpallte Shqipërinë vend armik.
Dekreti në fjalë mund të abrogohej vetëm nëpërmjet një vendimi të nënshkruar nga kryeministri, si dhe nga ministrat grekë të punëve të jashtme, të financave dhe të drejtësisë, i cili, për të qenë juridikisht i vlefshëm, duhet të botohej në Gazetën Zyrtare të Greqisë. Kjo nuk u provua të kishte ndodhur. Megjithatë, pasoi një periudhë entuziazmi, por edhe konfuzioni te të dyja palët. Shqipëria mori njëfarë satisfaksioni, por priste me të drejtë konfirmimin dhe kopjen e dokumentit zyrtar. Greqia, edhe pse pohonte se ligji i luftës ishte hequr, nuk mundej të identifikonte një dokument formal për autentifikim dhe nuk po i kryente procedurat e nevojshme zbatuese.
Së teti, më 26 mars 1996 u nënshkrua në Tiranë Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe i Sigurisë, çka gjithashtu është e paimagjinueshme në kushtet e ekzistencës së gjendjes së luftës.
Mirëpo 12 vjet më vonë, me notën F. 237/269, datë 28 qershor 1999, në përgjigje të interesimit të ambasadës shqiptare në Athinë, Ministria e Punëve të Jashtme greke njoftonte zyrtarisht se “Ligjet greke Nr. 263/1940 dhe 4506/1966 janë ende në fuqi”. Ajo çka ishte thënë për vite të tëra u vu në pikëpyetje. Autoritetet greke e justifikuan këtë ndodhi me një ngatërresë të rastit, të karakterit burokratik. Mirëpo nuk u veprua siç e kërkonin rregullat e zakonshme diplomatike, që kjo “ngatërresë e rastit, e karakterit burokratik”, të trajtohej nëpërmjet një note tjetër, në të cilën MPJ-ja e Greqisë të kërkonte falje dhe të pohonte atë që kishte deklaruar në vitin 1987, se ligji i luftës nuk ekzistonte dhe se “karakterizimi i Shqipërisë si shtet armik ka pushuar së ekzistuari”.
Atëherë profesor, cili është mendimi juaj, a është ende në fuqi ligji i luftës?
Nga gjithë sa shpjegova më lart, i ashtuquajturi “ligj i luftës” nuk duhet të konsiderohet si legal, nuk duhet të konsiderohet gjithashtu as edhe si akt në fuqi. Por, nëse flasim nga pikëpamja formale, duhet të themi se pala greke nuk ka ndërmarrë hapat e përshtatshëm ligjorë për abrogimin e tij në formën përkatëse zyrtare.
A ka ndikuar dhe a ndikon ai në marrëdhëniet shqiptaro-greke?
Pretendimi i qarqeve të caktuara për ekzistencën e ligjit të luftës përbën një precedent jo vetëm të padobishëm, por edhe të pashembullt, një ndër paradokset e rralla në historinë e marrëdhënieve midis dy shtetesh sovranë.
Me keqardhje konstatohet se edhe sot, në qarqe të caktuara politike greke shfaqen shprehje të hapura apo të tërthorta jomiqësore. Rënia e komunizmit në Shqipëri u konsiderua prej tyre si një “rast i ardhur nga qielli për të zgjidhur përfundimisht dhe drejt problemet afatgjata me fqinjët”.
Skifterët e politikës shoviniste, duke kritikuar për mefshtësi udhëheqjen e vendit të tyre pohojnë të deziluzionuar se, “për fatin e keq, kjo konjukturë nuk është shfrytëzuar”. Nën pretekstin e interesimit për minoritetin grek në Shqipëri dhe për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, dallohet si një konstante e qëndrueshme synimi i përhershëm për helenizimin e Jugut të Shqipërisë. Përpjekjet e hapura për ta orientuar atë drejt Greqisë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë kulturor, shpirtëror, fetar etj., marrin ngandonjëherë trajta agresive. Ato shihen në ekspansionin e gjuhës greke, në presionet që iu bëhen shqiptarëve për të ndërruar emrat, fenë, madje edhe shtetësinë, duke u konvertuar në të ashtuquajturën shtetësi “vorioepirote”(!?), në dhënien e pensioneve ndaj shqiptarëve të vetëdeklaruar “vorio-epirotë”, të cilët nuk kanë punuar asnjëherë në Greqi, në ndërrimin e strukturës fetare deri edhe të peizazhit arkitekturor me ngritjen e kishave dhe institucioneve të tjera sipas stilit helenik. Këto qarqe greke këmbëngulin në konsolidimin e një vije Himarë-Këlcyrë-Korçë, pikërisht në kufijtë e imagjinuar të “Vorio Epirit”; ndër të tjera, edhe nëpërmjet ndërtimit të varrezave apo komplekseve mortore për ushtarët grekë të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke në vitin 1940. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj politike është rritja mbi kritere false e numrit të pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri, nga disa dhjetëra mijëra në qindra mijëra veta, dhe pretendimi për të përfshirë në hapësirën e tij edhe territore të padiskutueshme shqiptare etj. Objektivi është lehtësisht i lexueshëm. Synohet të krijohen elemente e “prova” që, si dikur, në Konferencat e Paqes së Parisit pas Luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të mund të përdoren nga qarqe ekstremiste për të justifikuar pretendime territoriale eventuale ndaj Shqipërisë. Në të kaluarën jo të largët, në grupin e “argumenteve” të servirura nga politika greke, në mbështetje të pretendimeve territoriale, bënte pjesë edhe numri i banorëve ortodoksë, i shkollave dhe i mësuesve, i priftërinjve, i kishave dhe i varrezave greke etj. Kjo zhurmë dhe veprimtari pa dobi për të dy popujt nuk do të ishte shqetësuese, po të kihet parasysh se spektri politik grek ka një kompozim kompleks.
Një rol jo të vogël kanë aty ekstremistët tradicionalistë, të cilët janë të mbërthyer pas sindromës arkaike të aneksimit të Vorio Epirit. Por, sidoqoftë, do të ishte i mirëpritur një gjest disaprovimi, një akt distancimi nga politika zyrtare greke. Në optikën e asaj çka parashtrova më lart duket krejt i papërligjur edhe qëndrimi që u mbajt e vazhdon të mbahet nga autoritetet greke ndaj vendimit historik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për hedhjen poshtë të Marrëveshjes midis dy vendeve për caktimin e kufirit detar në zonën e Kanalit të Korfuzit, marrëveshje që u konsiderua në shkelje të Kushtetutës, të Konventës Për të drejtën e detit dhe në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta nga ana e politikanëve apo zyrtarëve grekë për regjistrimin e popullsisë shqiptare nëpërmjet vetëdeklarimit, të cilat morën hera herës trajtat e ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran. Dhe, së fundi, nuk mund të kuptohet heshtja e qeverisë greke ndaj qëndrimeve gati luftënxitëse të ish-konsullit të saj në Korçë, i cili deklaroi hapur se tani fillon beteja për Vorio-Epirin.
Kjo epokë ka çelur vizione moderne për restaurimin e klimës së bashkëjetesës, mbi një bazë të qëndrueshme, për asfiksimin e tendencave antihistorike, prirjeve ekstremiste e shoviniste etj., që shqiptarizmi dhe helenizmi të mos shihen si dy gjëra që përjashtojnë njëra-tjetrën, por si realitete që mund dhe duhet të bashkëjetojnë. Qeveritë greke e shqiptare duhet ta mbajnë gjithmonë parasysh këtë aspiratë sublime dhe t’i përgjigjen me veprime që respektojnë paqen, drejtësinë, fqinjësinë dhe integritetin territorial të të dy vendeve.

Filed Under: Featured Tagged With: Absurdi i ligjit grek të luftës me Shqipërinë, Ksenofon Kristafi

TRINGË SMAJLJA- NJË MALËSORE QË NDERON KOMBIN SHQIPTAR

November 4, 2014 by dgreca

Tringë Smajlja në pullën postare të Kosovës/
Nga Frank Shkreli/
Të hënën me 3 nëntor, Posta e Republikës së Kosovës njoftoi publikun se lëshoi në qarkullim një pullë postare, kushtuar “njërës prej luftëtareve më të shquara shqiptare” Tringë Smajles ose Tringës së Maleve. Në njoftim thuhet se Tringa ishte vajza e bajraktarit famëmadh Smajl Martini (Ivezaj) dhe jep një biografi të shkurtër të Tringës dhe familjes nga e cila ajo rrjedhë. Ajo u lind në vitin 1870, në Grudë, në periudhën e rëndësishme të përpjekjeve historike të shqiptarëve për të ruajtur trojet etnike në luftërat e tyre kundër turkut e kundër sllavit. Rrreziqe të mëdha po i kërcënoheshin Shqipërisë dhe shqiptarëve prej synimeve të të huajve ndaj trojeve shqiptare, në atë kohë. Posta e Republikës së Kosovës, në njoftimin e saj duke shkruar për familjen dhe meritat e Heroinës shqiptare të Maleve, shënon se në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në vitin 1883, ranë heroikisht dy djemtë kreshnikë të Smajl Martinit, Zef e Gjon Smajli, duke e lënë ketë shtëpi fisnike pa asnjë djal. Është ky moment i hidhët i sakrificës në familjen e Smajl Martinit që e bën Tringën të bëjë betimin dhe të jepte fjalën se do të bëhej burrneshë — trim e fisnik ashtu siç ishte edhe i ati i saj, i cili thuhet se qe rrëmbyer dhe fati i të cilit nuk dihet as sot. Në përputhje me këtë betim të saj, në vend të stolive të asaj kohe për vajzat, Tringa veshë “çakçirë e xhamadan, ngjeshë alltinë dhe rripin e fishekëve dhe në krah vendosë pushkën”.
Në lidhje me pjesëmarrjen e grave malësore –siç ishte Tringa — në luftën për liri e pavarësi të kombit shqiptar fillim shekullin e kaluar, gazeta shqipe, “E Vërteta” që dilte në Stamboll, më 27 Mars, 1911, boton artikullin me titull, “Trimëresha gra malësore”, marrë nga një gazetë turke e kohës dhe e cila vërteton pjesëmarrjen e grave të Malësisë së Mdhe në luftërat për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit e huaj. “Pas lajmeve të veçanta që kemi, u vërtetua se midis kryengritsve malësorë gjënden edhe gra të armatosura si burrat dhe luftojnë me trimëri dhe inat më tepër se burrat, duke dëshiruar më mirë vdekjen se të këthyerit prapa”, shkruante gazeta turke e cituar nga gazeta shqipe “E Vërteta”. Një prej këtyre grave kryengritëse malësore të cilën Posta e Republikës së Kosovës e nderoi me një pullë postare ishte edhe Tringë Smajlja e cila pas rënjes së dy vëllëzrve të saj Zefit dhe Gjonit dhe zhdukjes së babait të tyre Smajl Martinit — varri i të cilit nuk u gjet kurrë — vendosi të zënte vendin e tyre jo vetëm në frontin e luftës por edhe në log të kuvendit. Thuhet se në vend të babait Smajl Martinit, i cili kishte marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, thuhet se ajo i bashkohet grupit të atdhetarëve malësorë në përpilimin e Memorandumit të Gërçës, ose të Librit të Kuq, ku përcaktoheshin 12 pikat kryesore të kërkesave të shqiptarëve. Prania e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në atë kohë në Malësi, i jepte kryengritjes se malësorve një karakter dhe mbështetjeje mbarë kombëtare. Malësorët dhe malësoret e fillim shekullit të kaluar, përfshirë edhe Tringë Smajlen, me qëndresën dhe luftën e tyre në mbrojtje të trojeve të veta, ishin bartës të aspiratave të mbarë kombit shqiptar për liri dhe pavarësi, ndërkohë që shumë prej tyre vdiqën duke vendosur flamurin e kombit shqiptar në maje të Deçiqit më 24 mars, 1911. Këtë gjë, siç duket e kishin të qartë edhe më mendjendritur e kombit shqiptar të asaj kohe, me praninë e tyre atje.
Tringa, dallohej si e urtë e trimëreshë sa që me veprat e saja kishte frymëzuar edhe Poetin Kombëtar At Gjergj Fishtën i cili në veprën e tij “Lahuta e Malëcisë” ia dedikon asaj “Kangën e Njëzetedytë”, të titulluar thjeshtë, “TRINGA”. Poeti kombëtar tregon për “vashën” e quajtur Tringë, e cila jetën dhe rininë ie saj ia kushton vëllait të saj të plagosur në luftë me “shkje”. Kujdeset për të, por më në fund i vëllai vdes nga plagët. Tringa mbetet vetëm, ndërsa armiku i afrohet tek dera, ajo megjithëse e tronditur nga vdekja e vëllait, çohet e merr armën, ndërkohë që “një çetë shkjeshë” përpiqet ta kapin në dorë. Por ajo, sipas portretit që i bën poeti kombëtar, Tringa drejton pushkën për të sulmuar armikun dhe i këndon kësaj heroine:
“Hiqi gisht he, bujareshë!
Se njëmend kenke nji bi prej fisit!
Bjeri Shkjaut, bre sokoleshë,
Mu në parzme për mjedisit!
E t’a ndjejë Knjazi n’ Cetinë
Se edhe n’i qitët Shqyptarët ai fare,
Pasha Zotin në Shqypni s’hinë,
Der të jetë gjallë ndoi bi shqyptare,
Që për erz e Besë e Atdhe
Këto edhe vdesin si me le.
Edhe dielli dheut i ra,
Gjallë por Tringa Shkjaut n’dorë s’ra!
Për veprimtaritë dhe luftërat patriotike të malësorve për liri e pavarësi të popullit shqiptar, ndër të tjerë, ka shkruar edhe nglezja Edith Durham e cila ka jetuar me familjet e kryengritsve malësorë shpesh të fshehur nepër shpella. Edhe veprimtaria e Heroines së Maleve, Tringë Smajles kishte marrë dhenë, falë korrespondentëve të disa gazetave të huaja të kohës, përfshirë edhe gazetën amerikane Nju Jork Tajms që e kishte cilësuar Tringën malësore si “Joan of Arc e Shqipërisë”, duke e krahasuar atë me vajzën fshatare franceze e cila sipas gojëdhënës ishte caktuar nga Perëndia për të udhëhequr Francën drejtë fitores në luftën e gjatë të atij vendis me Anglinë në mes të viteve 1400, dhe e cila sot e kësaj dite konsiderohet si simbol i qëndrueshëm i bashkimit dhe nacionalizmit francez. Gazeta Nju Jork Tajms, në korrespeondencën e saj të 9 majit, 1911 nga Cetina, e përshkruan Tringë Smajl Martini Ivezaj, si njërën prej legjendave të Ballkanit dhe heroinave luftëtare më të guximshme në historinë e rajonit, duke shkruar se “Ajo zuri menjëherë vendin e babait të saj dhe udhëhoqi fisin e Martinajve në fitoren kundër Turqve.” Gazeta Nju Jork Tajms e përshkruan këtë “Joan of Arc” të re e cila ende nuk i kishte 22 vjetë, si të “gjatë, të bukur, dhe si një vajzë të re të zhvilluar mirë”. Të gjitha femërat shqiptare janë trimëresha, shkruante gazeta amerikane mbi Tringën dhe se ç’prej moshes së re ato mësohen të përdorin armët.
E vërtetë se Tringa e Maleve ishte trimëreshë dhe e bukur, siç e përshkruan Nju Jork Tajms, por ajo ishte më shumë se aq. Ajo e dinte se trimëria është e nevojshme e dinte se trimëria në vetvete nuk mjafton për t’i sjellur kombit dobi dhe një të ardhme të lumtur afatgjatë. Thuhet se kjo kjo atdhetare, përveç flijimit personal dhe familjar në altarin e Atdheut, Tringë Smajlja që ndryshe njihet edhe si Tringa e Grudës dhe Tringa e Maleve, shkriu tërë pasurinë familjare për të hapur shkolla në gjuhën shqipe në Malësi.
Mirënjohje Postës së Republikës së Kosovës për vendimin e saj për të përjetësuar me pullë postare Heroinën shqiptare Tringë Smajlja, sepse njeh me këtë nismë veprën dhe sakrificën që është përjetësuar dhe vlerësuar atëherë dhe sot nga të huajt dhe nga historia. Në shkrimin mbi Tringën, para më shumë se 100-vjetësh, gazeta Nju Jork Tajms i përshkruan Shqiptarët si “Racën më të mirë në Europë. Gratë e tyre janë shumë të bukura… t’i shikosh duke ecur është një kënaqësi…u kënaqa për së tepërmi kur i pashë për herë të parë Shqiptarët duke ecur. Ata janë të hijshëm, elegantë dhe të fuqishëm, “shkruan korrespeondenti. Ata janë një racë e mirë dhe të talentuar. Ata janë raca më e mirë si nga pikëpamja fizike ashtu dhe intelektuale në Ballkan”. Artikulli vazhdon duke nënvijuar se po të shkosh në Konstantinojë, atje do të zbuloni se ndër burrat më të mirë — jo vetëm në radhë të ushtarëve por edhe në radhët e burrave të shtetit — janë shqiptarët. Njëkohsisht, gazeta Nju Jork, para më shumë se 100-vitesh, fatkeqsisht raporton edhe se “E meta e shqiptarëve për arsye të shkallës së qytetërimit që gëzojnë tani, është se ata nuk e kanë idenë e një shteti. Klani është organizimi i tyre më i lartë dhe e kanë të vështirë të shohin rëndësinë e kombinimit të interesave të klanit me interesat e krijimit të shtetit. Por kjo të ndodhë me kohë” shprehë shpresën gazeta Nju Jork Tajms në artikullin e shkruar më 1911.
Kam drojë se i njëjti korrespondent i huaj, po të vizitonte trojet shqiptare sot, do të vinte re patjetër shumë përparime: do të shikonte dy shtete shqiptare, përparime në shumë fushë, por ama do të vinte re — siç ka venë re më se 100 vite më parë –se interesat e klasës politike të shqiptarve sot, ndonëse nuk janë të bazuara në nivel klanesh fisnore si atëherë, por do të arrinte në përfundimin se interesat janë në bazë të klaneve politike, pasi duke se shqiptarët edhe sot sikurë e kanë të vështirë të vendosin interesat kombëtare mbi interesat e klaneve politike. Por, shpresojmë që siç ka thënë e dhe Nju Jork Tajms 100- e ca vite më parë, se kjo do të ndodhë me kohë, por kur?
Liria që gëzon sot kombi shqiptar ka kushtuar gjak e sakrifica, mund e djerës, vuajtje e mjerime të shumë brezave. Shembulli i sakrificës së Tringës së Maleve dhe familjes së saj — si dhe i mijërave familjeve të tjera shqiptare gjatë shekujsh, anë e mbanë trojeve shqiptare — duhet të shërbejë si simbol i përpjekjeve që edhe sot me urtësi dhe me atdhedashuri, kombi shqiptar të sigurojë vendin dhe emërin e ndershëm në radhë të kombeve të tjera europiane, duke hequr dorë nga interesat e ngushta klanore të partive dhe t’i përveshen interesit të kombit, duke ndërtuar shtetin funksional dhe juridik. Ky do të ishte justifikimi më i mirë dhe më atdhetar për të kujtuar meritat, sakrificat dhe trimërinë e Tringës së Maleve dhe malësorve trima. Në këtë mënyrë, bota do t’i konsideronte shqiptarët, jo vetëm si “raca më e mirë, më e pashme dhe më e talentuara në Europë”, por edhe si një racë me ndërgjegje dhe vetdije kombëtare që nderon e respekton lirinë e vet dhe të fisit, për të cilën luftoi Tringa e Maleve.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Kombin Shqiptar, NJË MALËSORE, qe nderon

JAM ME TY LUIZA!

November 4, 2014 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/
Jam me ty thjesht si prind. Pasi shumë herë gjykohemi për pa aftësi në edukimin e fëmijëve. Unë do thosha se është e pa drejtë. Deri diku, fat. Pa mohuar përpjekjen prindërore. Gjithsecili nga ne, që herët lutet në heshtje të jemi larg nga telashet, sidomos nga fëmijët. Por barra bëhet e rëndë kur kemi përgjegjësi publike. Ashtu si ushtari, nuk kemi më jetë vetjake. Kështu shkruan një poet ballkanas.
Në vendin tone është bërë e udhës, reflektimi në adresë të institucioneve shtetërore, duke mohuar kategorikisht pikërisht angazhimin civil, përgjegjesinë individuale të intelektualit të vërtetë. Për të cilin aq shumë po vuan ai vend. Pra vendi ynë. Duhet të ndryshojmë në raport me institucionin. T’i pasurojmë me përgjegjësinë civile.
Më kujtohet si sot, në marsin e vitit 2010, i vure gishtin Fatmir Mediut për katastrofën e Gërdecit. Këtë e bërë në sallën e Kuvendit. Me të drejtë. Por edhe ai dha dorëheqjen. Pastaj në zgjedhjet e radhës, fitoi. Çuditërisht, kjo ndodhi disa vite më pas me ty. Një lloj ”hakmarrje” e fatit. Sinqerisht më erdhi keq. Ashtu sikur u gjënda tek ty, për kokëfortësinë e fatit. U gjënda më shumë në dhimbjen e familjes që humbi djalin.
Megjithatë, ti vazhdove në fushata elektorale të tjera. Sot Saranda Web, kërkon reagimin minimal. Distancimin tend dhe dorëheqjen. Ndofta është pikërisht ajo përgjegjësia civile për të cilën fola pak më sipër. Eshtë problemi yt.
Unë e kam tek shoqëria në përgjithësi. Shoqëria e shtetarëve tanë. Intelektualëve. Përgjegjësia civile e tyre deri sa nuk kanë jetë vetjake.
Nuk e harroj edhe sot e kësaj dite, kur një këngëtare e njohur, Liljana Kondakçiu, pas problemeve me drejtësinë italiane, burgun etj…, doli në publik në një studio televizive si ajo e Klanit, tu fliste shqiptarëve për eksperincën e saj të shkëlqyer në karrierën muzikore. Prita më kot. Radhë pas radhe tregoi kujtime nga shkuara. U trishtova.
Në fakt, po zhvillohej standarti i mbrapsht i rivlerisimit. I rehabilitimit. Apo i bërjes së nderit midis vedit. Këngëtarja i tha gazetares se as që duhej ta diskutonte problemin me drejtësinë italiane. Ishte aty për tjetër gjë. Një lloj kulture e mbrapsht në vendin tonë. Mungesa e përgjegjësisë.
Nuk ka artistë, intelektualë, apo ku di se çfarë tjetër…., pa përgjegjësi personale, civile të personit publik. Për rrjedhojë s’ka si të ketë as shtet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Jam me ty Luiza

PD:Vlerësojmë dorëheqjen e Xhuvanit jo melodramën e shpifur të Ramës

November 4, 2014 by dgreca

Tiranë – Partia Demokratike e vlerëson dorëheqjen e deputetes Luiza Xhuvani, por dënon me forcë “melodramën e shpifur ” në Kryeministrit në këto orë dramatike, pasi bën demoagogji, sulmon opozitën, kur përgjegjësia morale dhe politike është vetëm e tij.
Kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, në një deklaratë para medias në orën 20:10, tha se vrasja e sotme mund të ishte parandaluar nëse vrasësi, Kostandin Xhuvani, person i shpallur në kërkim që me 26 prill të këtij viti se ka kanosur qytetarët me armë në Gjirokastër, do të ishte ndaluar nga policia që atëherë kur u soll me vrik nga Lazarati me mjete të ushtrisë, për t’u përdorur si sulm ndaj opozitës.
Deklarata e plotë e deputetit Paloka.
“Sot ka ndodhur një krim i tmerrshëm, që mori jetën e katër qytetarëve. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera viktimave dhe gjendet pranë dhimbjes së tyre. Ne inkurajojmë drejtësinë të veprojë me forcën më të madhe të ligjit.
Dorëheqja si deputete e mamasë së autorit të krimit këtë mbrëmje, është një gjest për t’u vlerësuar, ndonëse mbarë opinioni publik e kërkonte këtë me ngulm gjatë gjithë ditës.
Por është e refuzueshme deri në neveri melodrama e shpifur e luajtur nga Edi Rama, i cili rreket që edhe në këtë orë dramatike, kur katër familje janë në zi të thellë, të bëjë demagogji, të përfitojë nga rasti për të sulmuar opozitën, dhe të lajë duart nga përgjegjësia e rëndë morale dhe politike që është sot dhe gjithë ditën e tija dhe vetëm e tija për këtë vrasje të paralajmëruar.
Me paramendim, me një fjalim të shkruar e të lajmëruar që paradite, Edi Rama i diferencon qytetarët e këtij vendi, duke treguar dashuri, përvuajtje, e konsideratë për prindërit e autorit, që janë miqtë e tij, dhe duke lënë në një qoshe e në përcmim 4 viktima, familjet e të afërmit e tyre, të cilët në retorikën e tij të gjatë morën vetëm një rresht.
Në vend të dedikimit përdëllyes për familjen e autorit, Edi Rama duhet të përgjigjet për një fakt që ai e di shumë mirë, për një fakt që nxjerr zbuluar përgjegjësinë e tij për këtë krim, një fakt që po ia risjellim në vëmendje publikut.
Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia që me 26 prill të këtij viti, për shkak se ka kanosur qytetarët dhe ka qëlluar me armë në lagjen 18 shtatori në Gjirokastër.
Eshtë shpallur në kërkim, por nuk është ndaluar kurrë nga policia. Sepse Konstandin Xhuvani është shpallur në mbrojtje nga qeveria, përpara se të shpallej në kërkim. Sic u shpall në mbrojtje edhe kur iu kundërvu me armë forcave të policisë gjatë operacionit në Lazarat, një fakt i dëshmuar nga vetë Drejtori i Policisë së Gjirokastrës në mediat televizive.
Nëse ligji do të zbatohej njësoj për të gjithë, autori i krimit të sotëm që mori katër jetë do të ishte ndaluar në oborrin e parlamentit, ku u soll me vrik nga Gjirokastra me mjete të ushtrisë, për t’i shpëtuar aksionit të policisë dhe për ta përdorur para kamerave edhe këtë rast si sulm ndaj opozitës.
Nëse Edi Rama nuk do ti bëhej mburojë recidivistit të dënuar për vrasje,
-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria ku kriminelët e lidhur me Edi Ramën kanë imunitet e bredhin lirshëm me pistoletë në brez edhe pse janë në kërkim,
-nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria e të tjerëve që bien viktima të fëmijëve të pushtetit,
-Shqipëria ku policia i merr shpirtin qytetarëve të zakonshëm për një tullë, apo për një faturë energjie që nuk e paguajnë dot se s’kanë bukë të hanë
-po ku nderohen banditët e lidhur me qeverinë apo të dënuarit e sjellë deri në Kuvend si deputetë nga Edi Rama,
-atëherë krimi i sotëm mund të ishte evituar.
Rrethanat e krimit të ndodhur janë objekt hetimi i drejtësisë, por ka disa rrethana të tjera që duhet tja themi sot hapur njëri-tjetrit.
Në Shqipëri është instaluar një oligarki e përzier me bandat, si pjellë e aleancës me krimin që lidhi Edi Rama para zgjedhjeve.
Shqiperia nuk do të ketë paqe po nuk shpëtoi nga kjo mynxyrë. Sa më gjatë të sundojë kjo e keqe aq më të mëdha do të jenë dëmet që do të shkaktojë ne jetët dhe shpirtrat e njerëzve dhe mbarë shoqërisë. Tani është koha të reagojmë.
Ora 12:50 Opozita ngarkon qeverinë me përgjegjësi për krimin e paralajmëruar
Vrasjen dramatike të 4 personave në një lokal nate në Tiranë, opozita ia ka ngarkuar si përgjegjësi qeverisë shqiptare duke e cilësuar krim të paralajmëruar, pas të cilit, sipas deputetit Gent Starzimiri, qendron djali i deputetes se mazhorancës, Luiza Xhuvani.
Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me masakrën e mëngjesit të sotëm në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër persona. Fillimisht reagoi deputeti i PD-së Strazimiri, më pas ish kryeministri Berisha dhe më pas kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Reagimi i Strazimirit
Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, denoncoi lehtësitë që sipas tij i krijohen krimit e bandave, dhe represionin e dhunshëm policor ndaj qytetarëve të pafajshëm.
“Kryeministri dhe banda e tij kanë krijuar të gjitha lehtësitë për autorin, djalin e deputetes Xhuvani, që të lëvizë i lirshëm me armë në brez, madje të krijojë edhe një bandë kriminale dhe ta ushtrojë aktivitetin me shantazhe, gjobvënie e vrasje në mes të Tiranës”.
Sipas Strazimirit, autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga personat që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për t’ia treguar edhe kamerave.
“Në këtë “shtet” që në 13 muaj është bërë armiku i cdo qytetari, cdo qytetar që jeton me djersë e respekton ligjin është fatkeq!Të nderuar motra dhe vëllezër! Koha është tani! Të mbrojmë shtetin nga sulmi i krimit, përpara se të kthehemi zyrtarisht në vitin ’89!” tha Strazimiri.
Basha: Krimi ka hyre nën petkun e qeverisë, të gjithë të gjykohen njësoj
Ndërkaq shefi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi barazi para ligjit.
“Krimi ka hyre nën petkun e qeverisë. Të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit dhe duhen gjykuar njësoj”.
Kreu i demokratëve thotë se është pikërisht kriminalizimi i parlamentit, që nuk i lë hapësira opozitës për për tu kthyer në Kuvend.
“Parlamenti shqiptar është ilegjitim” thekson Basha.
Berisha:Qeveria ne kembe per te shpetuar vrasesin!
Më herët edhe ish-kryeministri Sali Berisha përmes rrjetit social fb akuzoi qeverinë se është ngritur në këmbë per te shpetuar vrasësin.(BW)

Filed Under: Politike Tagged With: dorëheqjen e Xhuvanit, jo melodramën e shpifur, PD:Vlerësojmë, të Ramës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4317
  • 4318
  • 4319
  • 4320
  • 4321
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT