• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË JAVËN E TETORIT GJERMAN

October 23, 2014 by dgreca

PIANISTI SHQIPTAR ENDRI NINI QË SHKËLQEN NË GJERMANI DHE SKENAT E EUROPËS/
Në Shqipëri ka nisur Java Gjermane. Ambasadori gjerman në Tiranë Hellmut Hoffman në fjalën e tij përshëndetëse vë në dukje traditën e bukur dhe tashmë fikse që është krijuar në Shqipëri. „Është vjeshta e tetë që Ambasada e Gjermanisë në Tiranë në kuadrin e “Tetorit Gjerman” organizon „Javën Gjermane“. Të bashkojmë njerëzit, të kapërcejmë kufijtë dhe të krijojmë rrjete komunikimi – ky eshtë leitmotivi i Tetorit Gjerman.“ „Ne dëshirojmë“, vazhdon më tutje Ambasadori Hoffman „që edhe këtë vit ta shndërrojmë Tetorin Gjerman në një festë krejtësisht të veçantë të miqësisë gjermano-shqiptare“ me një spektër të gjërë aktivitetesh.
Pikërisht në këtë kontekst vjen në Shqipëri, me ftesë të Ambasadës Gjermane edhe Kuarteti Flex Ensamble, Ansambi Fleks për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti të madh kulturor. Kuarteti përbëhet nga shqiptari Endri Nini (piano), Kana Sugimura (violine), Anna Szulc-Kapala (viole) dhe Martha Bijlsma (violoncel).

ENDRI NINI I NDERUAR ME SHUMË ÇMIME NDËRKOMBËTARE-SHKËLQEN NË GJERMANI DHE SKENAT E EUROPËS
Artistët shqiptarë në botë janë histori suksesi. Ashtu si është edhe Endri Nini.
Endri Nini ka lindur në 1984 në Tiranë. Ai studioi për piano në Karlsruhe, Londër dhe Hannovër dhe ka marrë mësime nga pianistë të famës botërore si Aldo Ciccolini, Andras Schiff dhe Stephen Kovacevich.
Endri ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare duke përfshirë edhe çmimin e tretë në konkoursin International de Piano “Ile de France” në Paris në vitin 2009. Në të njëjtin vit ai mori çmim nga Fondacioni Solti në Mbretërinë e Bashkuar.
Aktivitetet Artistike të Endrit përfshijnë koncerte në Athinë, Londër, Vjenë, Berlin, Romë, Hamburg, Krakov,Frankfurt dhe shfaqje si solist me orkestra si Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptarë, Orkestra Filarmonike e Baden-Baden, Orkestra e Akademisë së Arteve Tiranë, Orkestra e Dhomës Karlsruhe dhe Orkestra e Dhomës të Tiranës.
Endri Nini ka performuar në festivale si: Annecy, Prusisë Kovi, Holland Music Sessions, de la Rajoni Franche-Comte, Chamber Music Festival Hanover dhe Allegretto Albania. Ai ka luajtur me instrumentistë te shquar boteror Sabine Meyer, Gustav Rivinius, Ingolf Turban dhe William Bennett dhe ka kryer regjistrime për Radio Tirana, Südwestrundfunk dhe Radio Semnoz në Francë.
Endri Nini ka fituar bursa nga Alfred-Toepfer-Stiftung, DAAD dhe Villa Musica-Stiftung.
Ndërkohë Endri Nini është pjesë e kuartetit të Flex Ensamble, një grup shumë i suksesshëm në Gjermani i vlerësuar jashtëzakonisht nga mediat gjermane për kurajon dhe origjinalitetin artistik.
ENDRI NINI PJESË E KUARTETIT FLEX ENSAMBLE
Në maj të vitit 2011 Flex Ensemble debutoi në Festivalin e Muzikës së Dhomës në Hanover. Disa kohë më parë, Kana Sugimura (violinë), Anna Szulc-
Kapala (violë), Martha Bijlsma (violonçel) dhe Endri Nini (piano) u takuan rastësisht për një seri provash përgatitore për evenimente të rëndësishme muzikore në Berlin, Hanover dhe Bremen.
Nga kjo rastësi lindi ideja e krijimit të një ansambli të ri të muzikës së dhomës. Të katër muzikantët, secili prej tyre fitues çmimesh në konkurse ndërkombëtare dhe solistë të suksesshëm, u mblodhën për të themeluar Flex Ensemble.
Veçantia e ansamblit, që e dallon nga kuartetet tjera, qëndron te fleksibilteti në formacion dhe repertor. Artistët paraqiten në koncerte jo vetëm si kuartet për piano e harqe, por edhe si solistë, duo ose trio.
Flex Ensemble ka koncertuar në serine e koncerteve “Mozartiade” si dhe në Festivalin e Muzikës së Dhomës në Hanover. Ekzekutimi i tyre ne kuadrin e “Start-Junge Künstler Live” u transmetua drejtpërdrejt nga NDR (Radioja e Gjermanisë Veriore).
Ne shkurt te vitit 2012 Flex Ensemble fitoi konkursin e shtëpisë së regjistrimeve “Syntonia Musikproduktion” dhe në maj u ftua të regjistrojë CD-në e parë. Ne prill të po këtij viti ansambli fitoi audicionin e Fondacionit te Muzikës së Dhomës “Villa Musica” të landit “Rheinland-Pfalz”, ndërsa në maj u vleresua me çmimin e Fondacionit.
Flex Ensemble ka arritur shpejt te jete nje nga ansmblet me dinamike të gjeneratës së tij. Një vit pas krijimit të tij, Flex Ensemble është vlerësuar me çmimin e parë në konkursin ndërkombetar për muzike dhome „Robert Schumann“ në Frankfurt, si dhe me çmimin special per interpretimin me te mire te vepres se Schumann. Ansambli eshte gjithashtu fitues i çmimeve ne konkursin nderkombetar „Premio Trio di Trieste“ ne Itali dhe ne konkursin nderkombetar te muzikes se dhomes Kiejstut Bacewicz ne Łódź te Polonise. Gjithashtu Fondacioni „Solti“ ne Londer e ka vleresuar ansamblin me nje çmim ne kuadrin e programit te tij ne mbeshtetje te muzikanteve te rinj.
Si rezultat i ketyre sukseseve Flex Ensemble ka debutuar ne skena te rendesishme nderkombetare si në Concertgebow Amsterdam, në Alte Oper Frankfurt, në Qendren Kombetare te Arteve ne Pekin, ne Festivalin e Muzikes ne Menton, ne Festivalin Podium ne Esslingen, ne Sommerliche Musiktage Hitzacker si dhe ne Festivalin Nderkombetar te Muzikes REMUSICA ne Prishtine. Shume nga keto evente jane regjistruar nga radiot NDR dhe SWR te Gjermanise sie dhe Radio 4 i Amsterdamit.
Perveç aktivitetit si kuartet për piano dhe harqe, Flex Ensemble bashkepunon me nje sere muzikantesh te shquar per te zhvilluar koncepte koncertesh te nje spektri te gjere. Performanca e Ansamblit te „Ode to Napoleon Buonaparte“ nga Arnold Schönberg per kuintet dhe aktor ne kuadrin Festivalit „New York“ ne Hanover se bashku me aktorin Henning Nöhren dhe violinistin Oliver Wille eshte pritur me ovacione.
Flex Ensemble eshte ekzekutues i disa premierave boterore te veprave te kompozitoreve te rinj si, kuarteti per mandoline nga Victor Kioulaphides, kuarteti “Refrain in Extenso“ nga Maurilio Cacciatore si dhe trioja e harqeve „Dardania Sacra“ nga Kreshnik Aliçkaj.
Kuarteti Flex Ensemble studiojnë me Markus Becker dhe Oliver Wille ne Universitetin e Muzikes, Drames dhe Mediave ne Hanover. Ata jane perfitues te nje burse nga Fondacioni Villa Musica, e cila ju jep mundesine te punojne me mentore me influenece si Günther Pichler (Alban Berg Quartet) dhe Juliard String Quartet.
Ne korrik te 2014 Ansamblit i besohet pozicioni i drejtuesit artistik te International Chamber Music Fest Rheinhessen ndersa ne 7 nentor pritet te lancohet CD e pare nga shtepia diskografike Genuin Classics me vepra nga Johannes Brahms, Astor Piazzolla dhe Stephen Hartke.
Në sajë të formatit brilant, Flex Ensamble, pjesë e të cilit është edhe artisti shqiptar Endri Nini janë ftuar nga Ambasada e Gjermanisë për të dhënë koncerte në Shqipëri me një repertor nga Richard Strauss.
Ju ftojmë të mos mungoni për t’i ndjekur. Endri Nini në piano bashkë trion me harqe do të performojnë më 25.10.2014, ora 18.00 tek Qendra kulturore “Vangjush Mio“, Korçë; më 26.10.2014, ora 19.00, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, Tiranë dheKoncerti përmbyllës i pjesëmarrësve: 29.10.2014, Salla e Madhe e Universitetit të Arteve, Tiranë. Ju presim !(VOAL)

Filed Under: Kulture Tagged With: Endri Nini, NË JAVËN E TETORIT GJERMAN, VOAL

Letter to UEFA

October 23, 2014 by dgreca

Dear Members of the Disciplinary Board,
Please be firm on this easy case. International football was hijacked by politics, not human friendly, and far for gentlemen behavior.
This happens just a day before Putin visiting Serbia and few days before Albanian Serbian relationship was about to start to shape up with the visit of Albanian Prime minister.
It’s obvious that Albanians wont gain anything by doing the banner circus but contrary the Serbs were expecting Albanians to lose serving them a byzantine desert. How could any one accuse Albanian players for displaying the banner?; nobody was captured, nobody accused, no suspects, except the speculations cooked and served by Byzantine cuisine.
Please do not accuse Albanian players for the display of the banner, it’s ridiculous, its same as joining the Serbian fans ready to lynch Albanian players during the game you are investigating. A game no different from the movie Gladiators.
Hope you are going to act in the best just and civilized European way.
Dr. Skender Murtezani,
New York, NY
October 21, 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Skender Murtezani, Letter to UEFA

KOSTANDIN GRILLO:NË STADIUM NA PRISTE NJË FERR I VËRTETË…

October 23, 2014 by dgreca

STADIUMI SA HYMË OSHËTINTE „VRITINI, VRITINI SHQIPTARËT“…/
PYETJE:Ju ishit pjesë e ekipit shqiptar në Beograd?
Kostandin Grillo: Jo,une isha me delegacionin e Radio Televizionit Shqiptar që kishte te drejtat eksluzive te transmetimit te ndeshjes nga stadiumi Partizani i Beogradit. Ishim 8 veta dhe u nisëm të henen ne mengjes me dy autovetura nga Tirana nëpermjet Shkupit.
PYETJE:Pra ju nuk fluturuat në një avion me ekipin tonë?
Kostandin Grillo: Jo s‘kishim asnjë lidhje me delegacionin e perfaqesueses. Ata u vendosen ne Hotel Crown Plaza në Beogradin e ri, ndërsa ne ishim akomoduar ne Hotel Moskwa m’u ne qender te Beogradit, ngjitur me pedonalen e famshme Knjaz Mihajlov. Në kete hotel sipas te thenave ishte arrestuar patrioti Hasan Prishtina dhe kishte qendruar per nje kohe te gjate Ahmet Zogu
PYETJE:Ekipi jonë mbërriti më 13 tetor ?
Kostandin Grillo: Po në 13 tetor. Edhe ne në 13 tetor. U takuam në stadium në darke kur kreu seancen stervitore dhe trajneri De Biazi dha konferencen e shtypit te programuar nje dite para takimit.
PYETJE: Si ishte klima e pritjes ?
Kostandin Grillo: E kam thene edhe gjate transmetimit, nuk mbante era ndeshje fare. Që në kufi kur u futem me 2 autoveturat e TVSH. Kaluam për 1 minute. As na kontrolluan bagazhet fare. Ndaluam ne rruge para Presheves dhe Bujanocit dhe beme foto me djemte (në autostrade). Nuk u futem ne qytet sepse nxitonim qe te gjendeshim ne stadium per akreditimet dhe ndjekjen e konferencave te shtypit te dy trajnereve dhe ndjekjen e stervitjes se ekipit kombetar ne oren 19:00 ne stadiumin Partizani.
Çdo gje ishte ne nje klime krejt ndryshe nga ajo qe perjetuam ne stadium diten e ndeshjes. Na dukej vetja si ne Tirane, sepse ne mbremje dolem me shoket neper kafe dhe patëm vetem ngacmime per rezultatin e ndeshjes. Dëgjonim (unë komunikoj serbisht) të na thonin do t‘ju mundim me 2-0 3-0 4-0.
PYETJE: Ndeshja do të kryhej pa tifozë shqiptarë dhe pa simbole. Si i kishte pranuar këto kushte Federata Shqiptare e Futbollit ?
Kostandin Grillo: Kjo eshte nje çeshtje qe ka ne dore UEFA dhe të dy federatat respektive, ka marrevshje qe te dy takimet te luhen pa tifozet e te dyja skuadrave, sepse ne raste te ngjashme ka patur edhe ne te kaluaren per shembull Turqi-Greqi pa tifozet që te udhetojne ne Athine apo Stamboll, keshtu qe mendoj se ky nuk eshte nje problem i rendesishem. E mira eshte qe te kete tifoze, por në të tilla raste edhe UEFA i keshillon te dyja federatat. Asnje tifoz serb nuk do te vinte ne ndeshjen e kthimit ne Shqiperi, ashtu si ne nuk do te shkonim atje.
PYETJE: Po djemtë e ekipit tonë ndiheshin nën presion psikologjik një ditë përpara ndeshjes – kur ju jeni takuar me ta dmth në mbrëmjet e 13 tetorit?
Kostandin Grillo: Aspak, në stadium ishte një qetësi absolute. Isha une vete dhe televizioni yne se bashku me supersportin. Shumë qetë ishte. U takuam me ekipin një ditë përpara ndeshjes. Kishte forca te shumta policie qe ruanin stadiumin brenda dhe jashte dhe s‘pati asnje lloj incidenti. Deri më 14 tetor në orën 18:00.
Edhe paraditja e 14 tetorit ishte ne kushte te qeta. Diku aty nga ora 16:00-17:00 në qender te Beogradit, takoj se bashku me Edmond Gëzdarin, të cilin e kishim pjese te delegacionit tone te TVSH, Igli Taren dhe 2 ish-futbolliste te kombëtares, Ardian Aliaj qe i ka shenuar gol Greqise në fitoren e 2004 dhe Ervin Fakaj si edhe nje djale me emrin Ëngjell i veshur me kostum qe me duket se punonte në Ministrine e Jashtme tonën. U ulem bashkarisht dhe pime nga nje kafe. Ata sa kishin ardhur nga Roma me avion dhe ky Ëngjelli se me kë komunikoi në ato çaste dhe i thanë që kanë ndaluar 30 veta qe kane ardhur ne aeroport në atë orë nga Tirana, midis tyre Olsi Rama, i vellai i kryeministrit,Bledi Fevziu,Andi Bushati,Sokol Balla, deputeti Spartak Braho dhe disa te tjerë.
NË STADIUM NA PRISTE NJË FERR I VËRTETË STADIUMI SA HYMË OSHËTINTE „VRITINI, VRITINI SHQIPTARËT“
PYETJE: Le t’i kthehemi 14 tetorit orës 18:00 – çfarë ndryshoi në atë orë?
Kostandin Grillo: Ne në orën 18 e kishim lene te niseshim nga hotel Moskwa me 2 taksi(makinat i kishim mbyllur ne garazh qe nje nate me pare)per ne stadium se do të benim edhe prova. U ndamë me Igli Taren dhe shoqeruesit e tij për të shkuar te hoteli…Atje e gjetem hotelin te rrethuar nga forca te shumta policie. Na thane se nuk do shkonim në stadium se ishte e rrezikshme,por do te shkonim tek hoteli i perfaqesueses,Crown Plaza dhe qe atje qe te gjithe lojtarë, drejtues dhe ne do te niseshim te shoqeruar ne stadium.Nga Radio Televizioni Shqiptar bashkë me mua ishin Defrim Metasani,Edmond Gezdari,juristi Sokol Gjoshi, Dritan Mile kryinxhinieri,Kleart Duraj drejtori i maredhenieve me jashte dhe Elton Kadisi i marketingut se bashku me Gjergj Smokthinen,pra kemi qene 8 veta. Te Crown Plaza e kuptuam se gjerat kishin ndryshuar. Forca të shumta policie, speciale të ndërhyrjes së shpejte por edhe me uniforma ushtarake na kishin rrethuar gjithandej, perveç forcave civile të policisë që ishin të shumtë. Harrova te them se ajo qe me beri pershtypje ishte se ndermjet policive kishte dhe disa qe flisnin paster shqip.
Në oren 19.30 u nisëm të gjithe per ne stadium: i pari autobuzi i lojtareve dhe stafit drejtues,një autobuz i dyte me 2 kate ku ishin tifoze dhe gazetare dhe një mikrobuz me pak vende nja 20 vende qe mbante mbrapa nje rimorkio me canta dhe valizhet e atyre qe pas ndeshjes do te fluturonin direkt per ne Tiranë.
Nga hoteli në stadium ishte nje distancë me makinë prej 10 minutash, e cila kaloi qetë por rruga ishte boshatisur dhe çdo 50 metra ishte një polic i armatosur.
Në stadum pastaj ishte nje ferr i vertetë. Një frike, nje panik i madh.
PYETJE:Nga ana juaj ?
Kostandin Grillo: Nga të gjithe ne 100-150 veta qe ishim. Kishin ardhur shume biznesmene nga Shqiperia kryesisht
ISHTE SI GJENDJE LUFTE E PAMUNDUR TË LUHEJ FUTBOLL, SHASHKA, FLAKË E TYM NGA DO
PYETJE: Tifozët serbë 32 mijë. Ndërsa ju gjithësej jo më shumë se 100-150 veta?
Kostandin Grillo: Jo. I gjithë delegacioni me futbollista dhe gazetare dhe shoqerues të ekipit. Na akomoduan në tribunat VIP disi te izoluara nga publiku. Ne u futem ne kabinen e transmetimit dhe atje degjoheshin vetem sharje ofendime thirrjet « ubi ubi shiftari » dhe shume te tjera. Ishte e veshtire të merrej vesh, sepse dëgjohej nje oshetime e pafundme, por ne shprehjet kryesore i kuptuam.
Ishte si ne nje gjendje lufte…dhe une mendoj se ishte e pamundur atje te luaje futboll. Ishte mendimi im kur e pashe atë situatë.
Ne ishim që të tetë nga RTSH në kabinë. Si mund te luhej në ate atmosfere qe vetem për futboll nuk ishte e pershtatshme. Shashka, flakë e tym ngado.
PYETJE: Po De Biazi si e pranoi që të luhej ndeshja në ato kushte ?
Kostandin Grillo: Këto pastaj jane çeshtjet e federates dhe UEFA-s. Kabina jonë ndodhej në anen e kundert te tyre,s‘kishim asnje lloj kontakti me ata. Ishim në katin e sipërm dhe në të kundërt me ta.
PYETJE:Shashkat i hidhnin që në fillim të ndeshjes ?
Kostandin Grillo: Po, po, shashka, bomba, tym, flakë, sharje qe kur u futem ne ne staidum. Ata do kishin kohe qe ishin futur. Tifozet e tyre do ishin aty qe nga ora 18:00.
PYETJE:Po si e pranoi Duka bashkë me De Biazin që ekipi shqiptar të luante në këto kushte? Të luanin në ferr?
Kostandin Grillo: Prandaj thashe une që kam shkuar ne shume stadiume, por te tille tmerr s‘kisha perjetuar kurre. Ata janë që vendosin. Ne s‘mund te nderhyjme. Për mua ata duhej të mos e fillonin lojën, por vetem se eshtë pergjegjese UEFA, se ajo të dënon nëse nuk zbret ne fushe sipas regulloreve
DUKA-DE BIAZI I KANË RREZIKUAR DJEMTË E EKIPIT
PYETJE:Ju keni bërë një komentim të jashtëzakonshëm sepse i keni treguar opinionit se si është situata. Unë si gazetare mendoj që as Duka dhe as De Biazi nuk kanë vepruar si duhet sepse kanë rrezikuar djemtë.
Kostandin Grillo: Në mikrofon nuk kam treguar gjysmen e frikes sepse s‘doja te perhapja panik,plus qe drejtuesit e TVSH-së na thanë të kishim kujdes ne komente se na monitoronte EBU-ja. Edhe une jam i njejtit mendim me ju
EKIPI SHQIPTAR SHUMË GJAKFTOHTË – TIFOZËT SERBË DUKESHIN SI KRIMINELË TË DROGUAR – SERBËT E KUPTUAN SE NUK DO TË FITOIN DOT
PYETJE: Po ekipi shqiptar në fushë si reagonte ndaj kësaj situate?
Kostandin Grillo: Shume korrekt, shume te qete, shume gjakftohte …dhe une mendoja se pasi kaloi vrulli i 20 minutave të para se nuk do te na mundnin kurre.
PYETJE: A nuk po luante ekipi nën një presion të paparë psikologjik?
Kostandin Grillo: Ata ishin te gjithe te perqendruar. Ata jane profesioniste te vertete, plus qe ajo atmosfere dhe sharjet i ngriten nga ana psikologjike duke vene zemren ne rradhe te pare.
PYETJE: Një gjë për saktësi sharjet „vritini shqiptarët“ dhe shashkat me tym kur filluan ?
Kostandin Grillo: I gjetem atje, edhe sharjet edhe tymueset. Ata ishin kriminelë tifozet, të shperfytyruar, të droguar, jua shikoja fytyrat dhe kisha frike edhe une qe isha lart.
Ndeshja filloi me hymnin qe s‘u degjua fare. Ne atje te pakten s’e degjuam. E kendonin vetem me ze, me duket pa muzike fare, lojtaret. Gjithsesi se dhane veten lojtaret tane.
Nja 20-25 minuta serbet bene nje lloj presioni,ndihmuar mendoj pak edhe nga gjyqtari anglez Atkinson,i cili i ndihmoi ne disa raste. Nuk iu dha kartone, që duhej të jepte për ndërhyrje të egra. Nga minuta e 25 ndryshoi çdo gje dhe atëherë mendoj unë se filloi rrëmuja.
Në 3 pika te stadiumit qe une i kisha perballe shikoja qe tifozet filluan të tentonin te futeshin ne fushe. Ata e kuptuan se loja e futbollisteve serbe nuk mund te prodhonte ate fitore te madhe qe ata enderronini(2-3-4 me 0) dhe filluan të gjuanin edhe me sende edhe me fishekzjarre.
Diku aty nga minuta e 30 kur fituam goditjen e pare nga kendi,shkoi Agolli ta egzekutonte dhe ata filluan ta godisnin. Për pak sekonda gjyqtari e nderpreu ndeshjen dhe shkoi me duket kapiteni tyre atje dhe ata e lane Agollin ta egzektuonte.
Këto ishin perpara se te shfaqej banderola. Një gjuajtje ishte rast i Mavrajt e priti portieri,edhe 2 goditje te tjera kendi per ne,pra 3 te tilla ne favorin tone vetem 1 ne favorine tyre,por edhe rasti i madh per gol i Lorik Canes me koke e agravuan situaten.
Atehere filluan te fishkellin edhe tifozet serbe lojtaret e tyre,sepse po ndjenin lageshti. Ne themi nje shprehje jo te mire ne futboll,u rane te mbathurat,i vume perpara.
Kjo solli ate situatë qe pastaj si pretekst u perdor banderola qe u shfaq diku afer fundit te pjeses se parë. Erdhi nga jashte stadiumit lart ne erresire deri sa nuk kuptohej se çfare ishte.
Une e pashe dhe e kuptova qe ishte harta e Shqiperisë etnike dhe mendova se shkruhej Kosove bile e thashe edhe ne transmentim. Banderola u shfaq kur në stadium s’ishte lënë gjë pa u bërë. Banderola s’erdhi nga stadiumi. Ajo komandohej nga jashtë, thuhej 2-5 kilometra larg. Pas takimit, ne pala shqiptare, pa përjashtim u kontrolluam të gjithë nje per nje dhe nuk u gjet asgje.
PYETJE: Sepse dyshohej se mos banderolën e kishin sjellë shqiptarët ? U kontrolluan të 150 vetat ?
Kostandin Grillo: Të gjithë, pashaporta dhe kontroll trupor dhe çantat apo gjithshka qe kishin neper duar. Na mblodhën të gjithëve, jashtë stadiumit, në një vend diku.
PYETJE: Bashkë me ekipin ?
Kostandin Grillo: Jo ekipin e kishin kontrolluar ne dhomat e zhveshjes. I ke pare pamjet besoj ne TV.Edhe vellain e kryeministrit e kontrolluan bashke me te tjeret. Që te gjithe, asnje nuk linin te hypte ne autobuz pa e kontrolluar dhe pa pashaporte
PYETJE: A kishte kërkuar arbitri ridaljen në fushë të ekipit tonë ?
Kostandin Grillo: Më thane që jo arbitri, por përfaqësuesi i UEFA-s. Delegati i UEFA-s kishte pyetur nese ishin ne gjendje te dilnin në fushë lojtarët. Gjithsesi,Federata e ka lene pak ne erresire kete çeshtje kryesore per ne,nuk ka dale zyrtarisht ta pergenjshtrojë atë që eshte thene.

PYETJE: Çfarë është thënë ?
Kostandin Grillo: Sepse ne altoparlantet e stadiumit u tha 2-3 here qe ndeshja do rifillonte dhe nese kryhej edhe nje hedhje me e vogel cigareje apo sendi atehere ndeshja mbyllej pergjithmone. Bile doli edhe trajneri i tyre, avokati dhe rezervat ne fushe e bankine. Ata kane thene se u pyeten nese ishin ne gjendje te vazhdonim por sipas UEFA-s atyre u eshte thene qe te dilnin te vazhdonin, nuk e dime se cili genjen ose nuk thote te verteten.
PYETJE: Kur u shfaq banderola:
Kostandin Grillo: Banderola doli nga minuta 37-38. Por bëri 2-3 minuta ne ajër. Erdhi nga mbrapa portes në cep te stadiumit ku ishte i vendosur portieri serb.
PYETJE: Po, por deri atëherë në stadium ishte bërë nami apo jo, ishin sharë shqiptarët, ishte përdhosur hymni, ishin hedhur sende goditëse në fushë, shashka, tym e flakë, ishin goditur shqiptarët tek VIP – Në këto kushte normalisht a luhet një ndeshje sipas standarteve të UEFA-s, kur pala shqiptare kishte respektuar vendimin e UEFA-s që të vinte pa tifozë dhe pa simbole ?
Kostandin Grillo: Ka rregullore qe ato dënohen me gjoba dhe pezullim fushe ne ndeshjet e ardhshme që të luhen pa tifoze,ndersa sulmi i tifozeve ndaj lojtareve tane eshte automatikisht nderpreje takimi dhe dhenie 3 pike ne tavoline.
RREZIKOHEJ GJAKDERDHJE
PYETJE: Dmth ju thoni se ndeshja do të fitohet në tavolinë me gjithë presionin duke filluar nga Platini ?
Kostandin Grillo: Tashme qe u ngaterruam me kembet tona me banderolat per mua eshte 70 perqind per ne ne tavoline dhe 30 perqind perseritje e takimit ne vend asnjanes pa tifoze.
PYETJE: Unë nuk mendoj se ka arsye që do ta penalizonte ekipin tonë për një banderolë që mund ta ketë hedhur gjithkush. A nuk ishte pala serbe përgjegjëse për të garantuar mbarëvajtjen, ndërsa deklarata e Platinisë ishte thjeshtë një marrëzi për mendimin tim.
Kostandin Grillo: Gjithsesi une jam i mendimit se nese nje futbollist serb do kishte qelluar me grusht ndonjerin prej lojtareve tane ose anasjelltas (vetem pak te shtyra patën)atehere do kishte gjakderdhje. Deklaratat janë kot sepse verdikti jepet nga komisioni. Natyrisht serbet kane lobing me te forte se ne.
PYETJE: Po lojtari jonë i qëlluar me stol? Një pyetje tjetër
a mund të toleronte skuadra italiane apo franceze apo gjermane një situatë të tillë ?
Kostandin Grillo: Asnjehere, kurre.
PYETJE: E pra kaq mjafton, ky diferencim diskriminues, sepse standartet janë njëlloj. Kështu duhet t’i ketë UEFA si garantuese.
Kostandin Grillo: Serbët i kanë vene emrin e Platinisë ne nje kompleks te madh sportiv qe kane ndertuar perpara ca kohesh dhe Duka ka qene prezent ne ceremoni.
PYETJE: Po shqiptarët kanë votuar për Platininë.
Kostandin Grillo: Me këmbë e duar.
PYETJE: Avokat Ngjela bënte këto ditë thirrje për largimin e Dukës. Unë mendoj se Duka ka mbajtur një qendrim shumë të papërgjegjshëm ndaj ekipit tonë, përfshi edhe De Biazin.
Kostandin Grillo: Nuk e largojnë.
PYETJE: Çfarë do të thoshe diçka që vlen ta përmendim.
Kostandin Grillo: Unë them se po te mos ishim marre me banderolen ne fitonim edhe ne fushe edhe ne tavoline me ata njeqind perqind.
KËRCËNIMI I JETËS TË FUTBOLLISTËVE TANË ISHTE ARMA JONË, FEVZIU ME SHOKË MERRESHIN ME BANDEROLËN
PYETJE: Jo, unë nuk mendoj kështu, sepse banderolën nuk e sollën lojtarët shqiptarë në fushë. Cili është argumenti kryesor i ekipit tonë?
Kostandin Grillo: Kërcenimi i jetes se futbollisteve ishte arma jone. Më e forta dhe me e sakte, sipas rregullores të UEFA-s. Ndërsa Fevziu me shokë merreshin me banderolen.
PYETJE: Por ne nuk merremi me banderolën, sepse ndeshja është ndjekur nga publiku shqiptar, por edhe nga futbollistë dhe ekspertë. Dhe ti e the shumë bukur se banderola ishte ajo ishte pretekst. Ata edhe kur filluan Luftën e Parë Botërore gjetën një pretekst.
Kostandin Grillo: Ajo nuk duhej te ishte permendur fare, sepse dhuna erdhi nga paraqitja jo e mire e lojtareve serbe, per mua, dhe jo nga banderola. Këtë po them pretekst që edhe mediat tona jua dhuruan. Gazetaret e politikes nuk njohin rregulloren e futbollit sikurse ata te futbollit nuk e njohin regulloren e politikes
PYETJE: Kur u pa se po rrezikohej jeta e ekipit tonë?
Kostandin Grillo: Filloi qe ne hedhjen e sendeve ne drejtim te Ansi Agollit ne goditjen e pare nga kendi shume minuta perpara se te shfaqej banderola ne stadium aty nga minuta e 28-30 mendoj ne mos gaboj.
PYETJE: Diçka për kthimin.
Kostandin Grillo: Po ju them edhe nje detaj tjeter. Pasi u larguam te shoqeruar me 2 eskorta policie nga stadiumi ne hotel Moskwa ne rreth 10-12 veta qendruam shume afer me hotelin ne nje lokal deri ne oren 3 te mengjesit duke ngrene diçka dhe duke pire nga nje birre, nderkohe qe policia na pyeti te qendronte me ne apo jo, ne u thamë nese kemi problem, hoteli eshte shumë afer dhe ju lajmerojme, keshtu qe u larguan dhe s’na ngacmoi njeri. Të nesermen u nisem ne mengjes ne oren 11-11:30 nga hoteli me dy makinat tona, dhe para nesh edhe Petri Bozo me makinen e tij drejt kthimit, por kete here i rame nga kufiri me Kosovën. Shikonim fytyra te ngrysura por ngacmime nuk patem.
Ndërsa pjesa tjetër, qe te gjithe te tjeret u larguan me aeroplan. Ekipi jonë u kthye me çarter rreth orës 2-3:00 të natës. Vetëm ne 8 pjestaret e TVSH-së dhe rreth 20 veta qe kishin ardhur me kompanine turistike Guliver te Erion Hoxhes ndermjet tyre dhe gazetari Artan Hoxha i News 24 me me bashkeshorten e tij,qendruam bashkarisht ne hotel Moskwa. Ata u larguan 1 dite pas nesh pra me 16 tetor, ne me 15.
PYETJE: Ke diçka për të thënë, për të shtuar?
Kostandin Grillo: Fitoren me 3 pike patjeter!
PYETJE: I nderuar Kosta të falenderoj si gazetare, por edhe në emrin e opinionit shqiptar, sepse bashkë me Gëzdarin dhe me Dëfrim Methasanin gjatë komentimit të ndeshjes, përveç profesianlizmit të lartë, keni dëshmuar besnikërisht atë që ngjau në stadium.
Ju flm shumë.(Intervista u mor për VOAL nga Elida Bucpapaj)

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste me Kostandin Grillon, Stadiumi oshetinte

Shtyhet për nesër vendimi i UEFA

October 23, 2014 by dgreca

Komisioni i Displinës kërkon kohë, Dosjet janë voluminoze/
Ankthi i pritjes nuk mori fund sot. Vendimi i shumë pritur i komisionit të disiplinës pranë UEFA për të i cilin ish lajmëruar nga vetë organizmi më i lartë i futbollit europian se do të merrej sot është shtyrë për ditën e nesërme, duke lënë në ankth të gjithë shqiptarët që prej një javë presin të kuptojnë se kush do të jenë fatet e takimit të ndërprerë mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Lajmi është konfirmuar për “Ora News “ nga burime pranë federatës shqiptare te futbollit te cilët pohojnë se gjithçka është shtyrë për të premten për shkak të dosjeve voluminoze që dy federatat kanë dorëzuar pranë këtij komisioni.
Në këtë mënyrë anëtarët e komisionit të disiplinës kanë kërkuar me shumë kohë për të ekzaminuar në detaje çdo gjë të shkruar në dosjet respektive.
Të dyja federatat ja hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës për atë çka ndodhi në Beograd, ajo serbe mbështetet tek droni me flamurin e Shqipërisë ë Madhe i cili sipas tyre provokoi rëndë popullin serb dhe jo vetëm, ndërsa federata shqiptare ka fakte të pakontestueshme duke filluar nga dhuna fizike e ushtruar ndaj lojtarëve kuqezi, tek koret raciste të cilat nuk reshtën për asnjë moment.
Gjithsesi do të jetë dita e nesërme e cila do të përcaktoj më në fund nëse Shqipëria do të marrë 3 pikët e merituara apo gjykimi do të jetë pa baza ashtu si edhe vetë fjalët e presidentit të UEFA-s Michel Platini

Filed Under: Sport Tagged With: për nesër, Shtyhet, vendimi i UEFA

Përse zoti Rama shkon në Beograd?!

October 23, 2014 by dgreca

Nga Dr. Enver Bytyçi/
Ngjarjet që ndodhën më 14 tetor në stadiumin e Beogradit, ku dhjetra mijë qyetarë të Serbisë thërrisnin në kor për asgjësimin fizik të shqiptarëve duket se po shkojnë drejt arkivës dhe po ia lëshojnë vendin predikimit të njohur e të përsëritur sa e sa herë në këto dy dekada për “të harruar të shkuarën dhe për të parë nga e ardhmja”. Gjithkush tundohet nga ky lloj predikimi, por fatkeqësisht ne shqiptarët shkojmë deri në harresë dhe drama na përsëritet si makth i përhershëm e ndërkohë ata që kërkojnë me ngulm zhdukjen fizike të shqiptarëve përsërisin vazhdimisht ritualin e tyre edhe kur në stadium dhe tubime të tjera luajnë skuadra jo shqiptare. Kështu ndodh përshembull në ndeshjet e futbollit apo basketbollit midis Serbisë dhe Kroacisë, kur spektatorët në studiume shpërthejnë në thirrjet histerike “Vritini kroatët, që shqiptarët të mbeten pa vëllezërit e tyre”. ”.(“ubi hrvata da šiptar nema brata”) Ndërsa në ndeshjen e kombëtares shqiptare me atë serbe të datës 14 tetor u përsërit deri në infinit parulla raciste dhe antihumane “Vritini shqiptarët”! Politikanët serbë, me reagimin e tyre e mbështetën këtë kor racizmi, ndonëse Europa predikon antiracizmin. Politikanët shqiptarë u morën me droning, duke fshehur kokën në rërë si struci dhe duke bërë lojën e Beogradit, pasiqë udhëheqësit serbë kishin interest ë veçantë që në Shqipëri të promovohej ajo që nuk kishin bërë shqiptarët, por e kishin bërë vetë serbët, droni dhe flamuri me Shqipërinë Etnike ose “Shqipërinë e Madhe”, siç e quajnë në Serbi.
Por në këtë analizë është me vend të shohim se çfarë mund të na vijë si bumerang në ditët e javët e ardhshme. Çfarë mund të sjellë ajo “marrëdhënia e re, historike”, midis Shqipërisë dhe Serbisë me e pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd?
Pse u befasua Tirana politike e zyrtare nga ngjarjet e 14 tetorit?
Ngjarja e Beogradit u përdor dhe u keqpërdor nga të dy palët, politika në Beograd dhe politika në Tiranë. Tirana u gjend në befasi. Ndonëse diskursi i përdorur nga qeveria shqiptare, përkatësisht kryeministri dhe ministria e jashtme, u duk në koherencë, megjithatë një ose shumë hapa pas politikës dhe diplomacisë serbe. Kjo shërben gjithashtu si argument që qeveria e Tiranës nuk ka patur haberin se në stadiumin e Beogradit do të hidhej një flamuri i Shqipërisë etnike me dronin komandues.
Për të zbutur efektet e befasisë së dronit dhe flamurit në kufijtë etnikë, politika zyrtare e Tiranës në mënyrë të kamufluar përdori dy steriotipe reagimesh: Nga njëra anë shfrytëzoi steriotipin nacionalist, duke u bazuar tek akuzat e Beogradit për vëllain e kryeministrit, si organizator dhe autor të provokimit nacionalist në Beograd. Nga ana tjetër duke mobilizuar me porosi të veçantë gjithë median proqeveritare për të promovuar teoritë konspirative të nacionalizmit e miteve dhe për të përcjellë të shqiptarët imazhin nacionalist të shefit të qeverisë. Por dhe vetë deklaratat e zotit kryeministër për konsum të brendshëm, të krahasueshme me frymën e artikujve e Zërit të popullit të vitit 1981, synuan manipulimin me nacionalizëm të sajuar të opinionit. Ndërsa në diskursin e përdorur në mediat ndërkombëtare bie në sy taktizimi mbrojtës, i llojit se “Shqipëria e Madhe është makth i Serbisë dhe nuk është project i shqiptarëve”. Në vend të akuzohej qeveria e Beogradit jo vetëm për mos marrjen e masave për zhvillimin normal të ndeshjes, por edhe për skenarin e fluturakes me flamur, si mjet alibie për justifikimin e mbulesën e racizmit antishqiptar, në Tiranë të gjithë u përkujdesën për të himnizuar qëndrimet patriotike të shfaqura në Beograd, për të amnistuar miqtë e Begoviçit dhe për të fituar kapital politik në elektoratin shqiptar e më gjerë në hapësirën shqiptare.
Kjo mënyrë reagimi bëri që të mos binte aq shumë në sytë e në veshët e shqiptarëve se në krye të huliganëve serbë ishte p.sh një person i dënuar dhe problematik, si Ivan Bogdanov. Dëshira për ta shfrytëzuar ngjarjen në dobi të përfitimeve politike evitoi dënimin e shëmtisë nacionaliste serbe e shfaqur me thirrjet “Vdekje shqiptarëve, vritini shqiptarët”. Megjithatë të gjitha këto do t’i mbeten së kaluarës, sepse në sfond ka dalë një tjetër problem. Kancelaritë europiane e më gjerë mbajnë shënim faktin se mediat proqeveritare më shumë se ato joqeveritare promovojnë simbole e mite nacionaliste, thjesht në funksion të dyluftimit të bendshëm pozitë-opozitë, por që shkon në drejtimin e kundërt të projektit integrues të vendit në BE.
Çfarë do të sjellë vizita e zotit Rama në Beograd?
Pas një lufte verbale për ose kundër vizitës së zotit Rama në Beograd, erdhi dhe kompromisi për shtyrjen e kësaj vizite për datën 10 nëntor. Në parantezë më duhet të them se kryeministri Rama duhet të përgatitet edhe për një shtyrje të katërt a të pestë, ose së paku për shkurtimin e axhendës së tij në Serbi. Edhe kjo luftë shkoi sipas asaj lojës së fëmijëve: “Ta lashë, ma le”, dmth u orkestrua në funksion të interesave politike të të dy palëve në pushtet. Por në fund të fundit, Rama bëri mirë që nuk ra në kurthin e udhëheqësve kryesorë të Beogradit për ta anoluar këtë vizitë. Ndërkohë që unë dyshoj në rzultatin e saj, sa kohë që të dy kryeministrat pranojnë se kanë presion nga zonja Merkel për t’u takuar në Beograd. Eksperienca dëshmon se pajtimi, aq më tepër ai që quhet pajtim “historik”, nuk vjen me presion, me detyrim. Pajtimi është process dhe si i tillë kërkon koherencë, reflektim, njohje të realiteteve të shkuara e garanci për mos përsëritjen e tyre, çka nuk ka ndodhur e nuk do të ndodhë për një kohë të gjatë në rastin e të ashtuquajturit “pajtim midis shqiptarëve dhe serbëve”. Edhe pas vizitës së Ramës në Beograd, nëse do të luante përsëri kombëtarja jonë në Serbi, do të përsëriten të njëjtat sekna si ato të 14 tyetorit 2014.
Që 10 nëntori të duket si normal të dy palët, edhe kryeministri Rama, edhe ai Vuçiç, kanë zbutur tonet dhe po shkojnë drejt armëpushimit, por pa u tërhequr aspak nga akuzat e ndërsjellta. Vuçiç nuk ka kërkuar falje që vëllain dhe deputetët, këshilltarët dhe gazetarët e Ramës i quajti “bandë”, ndërsa kryeministri ynë nuk ka ndërmend që “të kthehet në të kaluarën”.e të kërkojë shpjegime për një qëndrim të tillë të homulogut të tij serb. Madje ai nuk ka ndërmend të ndalet as në deklaratën e presidentit Nikoliç, sipas të cilit “shqiptarëve do t’u duhen shekuj të emancipohen”, çka do të thotë se në Beograd do të gjenden përballë dy palë të pabarabarta: Nga njëra anë “modernët” terroristë të tipit Vuçiç, Nikoliç e Daçiç dhe “shiptari me bisht”, Edi Rama!!!
Por më së fundi zoti Rama ka pse t’i falenderohet zotit Vuçiç, për shkak se retorika e tij “antibanditeske”, së paku përkohësisht i ka rritur kredencialet e Ramës si “nacionalist shqiptar”. Them së paku, sepse vizita në Beograd nuk do të përfundojë me imazhin që krijoi retorika e javës së parë pas 14 tetorit.
A do të shënojë vizita e Ramës “pajtimin historik” midis shqiptarëve dhe serbëve?!
Në fakt të dy janë të interesuar që 10 nëntori (nëse do të bëhet vizita me ose pa axhendë të ndryshuar) të shënohet si “kthesë historike” në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Do të shohim nëse do të flitet për “pajtim historik midis shqiptarëve dhe serbëve”, apo jo. Por që ky është qëllimi serb i vizitës Rama në Beograd, kjo u duk në një intervistë të ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili përsëriti tezën e tij të “bisedimeve Tiranë – Beograd për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”. Zhvillimi i ngjarjeve dhe shfrytëzimi i lojës së futbollit midis të dy kombëtareve më 14 tetor del kësisoj si një duel i parapërgatitur, me qëllim që në opinionin publik brenda dhe jashtë dy vendeve të përfshira të përforcohet ideja se “konflikti nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston midis Kosovës dhe Serbisë, por midis shqiptarëve dhe serbëve”. Ndaj dhe kjo shërben për të motivuar një bisedim qoftë dhe Kopf an Kopf (tet a tet – kokë më kokë) midis zotit Rama e zotit Vuçiç për dakordimin në parim për angazhim të të dy palëve për zgjidhjen e këtij konflikti, si dhe për përcaktimin e modaliteteve përkatëse. Rama ka shumë dëshirë që të marrë role të tilla me ambicjen “që të mbetet në histori”, por sinjale për këtë ka dhënë edhe interpretimi mediatik, sipas të cilit. “pas 70 vitesh për herë të parë e viziton Beogradin një kryeministër shqiptar”. Ndërkaq me një synim të tillë duket se ka ndodhur dhe ngërçi I mos funksionimit të institucioneve në Kosovë.
Nëse kryeministri shqiptar tenton të marrë përsipër këtë rol, atëherë ai do të zhbëjë gjithë investimin brendashqiptar e ndërkombëtar për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Nëse realizohet projekti i Tadiç, Vuçeviç e Daçiç për të tërhequr Tiranën zyrtare për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve që Prishtina ka me Beogradin, atëherë konflikti jo vetëm nuk do të zgjidhet, por do të krijohej një vatër e re krize në Ballkan, zjarri i së cilës mund të kontrollohet nga Moska, ndërsa tymi i kësaj vatre do të nxijë qiellin e Europës.. Kriza do të vijë për shkak se asnjë politikan në Kosovë nuk do të mbështeste përpjekjet e Tiranës në këtë drejtim, edhe nëse gjërat do të shkonin krejtësisht në favor të shqiptarëve.
Cila është kostoja e përfshirjes së zotit Rama në biseeimet direkte me Beogradin?
Megjithatë tërheqja e Tiranës zyrtare në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb do të kishte një kosto të pariparueshme për Kosovën. Në një rast të tillë Serbia, siç ka bërë historikisht në diplomacinë dhe politikën e saj, do të vinte në pazar territoret e Kosovës. Pra ajo llogarit në një marrëveshje, sipas të cilës palët bien dakord, që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, por me kushtin e rregullimit, saktësisht të ndryshimit të kufijve, pra shkëputjen e katër komunave në veri të Mitrovicës dhe bashkimin e tyre me Serbinë. Një kosto si kjo do të shtrojë dilemën, sipas së cilës: Pse shqiptarët e Kosovës u vranë, u masakruan, u dëbuan, u përdhunuan, u dogjën, u shkatërruan në themel, kur e kishin ndërmend të pranonin një një projekt, të cilin e kishte hartuar Dobrica Qosiç dhe do ta kishte nënshkruar Sllobodan Milosheviçi?! Udhëheqësit politikë të Serbisë ka kohë që lobojnë për një zgjidhje të tillë, të cilën mund t’ua mundësojë vetëm përfshirja e Tiranës zyrtare në bisedime të drejtpërdrejta.
Dyshimet se kjo do të ndodhë i përforcoi para dy ditësh këshilltari për politikat e rajonit i kryeministrit Rama, zoti Shkëlzen Maliqi. Ai tha se zoti Rama dhe zoti Vuçiç do të punojnë që në bisedimet dhe takimet midis tyre të përfshijnë dhe udhëheqësit e Kosovës, duke e justifikuar këtë me faktin se “lidhjet midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk mund të realizohen pa kaluar përmes Kosovës”. Prapa kësaj lëvizjeje nuk mund të mos shohësh se Rama dhe Vuçiç janë marrë vesh që në “aksionin e pajtimit” të tërheqin dhe miklojnë Prishtinën politike e zyrtare. Dhe që të bëhet kjo, duhej që të rritej kapitali politik dhe besueshmëria e zotit Rama te qytetarët e Kosovës, duke zhvilluar duelin e njohur që filloi më 14 nëntor dhe vazhdoi deri te telefonata midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç. Si prelud i kësaj lëvizjeje shërben gjithashtu shërbimi i emisioneve të shumta nacionaliste televizive, nga ato të Rudina Xhungës e Sokol Ballës e deri te ato të Blendi Fevziut dhe Ilva Tares.
Qarqet europiane dhe vetë aktorët e kësaj uverture e dijnë se marrëveshje të tilla mund t’i bëjnë vetëm liderë me imazhin pozitiv të nacionalistit. Si të tillë ata kanë zgjedhur në Serbi, presidentin Nikoliç, kryeministrin Vuçiç dhe minisrin e jashtëm Daçiç. Zgjodhën në Kosovë Hashim Thaçin. Por nuk mundën ta bindin për këtë ndërmarrje “nacionalisitin” e pandreqshëm, Sali Berisha. Zoti Rama, duke dashur të shënohet në histori, mbetet njeriu i vetëm që mund të bëjë kompromise, por që i duhej vënë kupertura e duhur nacionaliste. Për këtë duhej dërguar vëllai i tij në stadiumin e Beogradit dhe më pas të sulmohej si “nacionalist”, madje që “lufton për Shqipërinë e Madhe”. Ai flamur dhe ajo hartë e Shqipërisë etnike u vu virtualisht e meditiakisht në duart e Olsi Ramës, me qëllim që shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e kudo tjetër jashtë kufijve të Shqipërisë të “qetësohen”, se ata do t’i përfaqësojë në Beograd “njeriu i duhur”, i cili u dëshmua përmes vëllait të tij, si “armik” i Serbisë dhe “luftëtar” i devotshëm i “Shqipërisë së Madhe”. Momente të tilla kanë edhe kurbanët e vet. Në rastin në fjalë duhej sakrifikuar këshilltari kryesor i Ramës dhe Thaçit, i akuzuari si spiun i Serbisë, Baton Haxhiu.
Sindroma e ngërçit institutcional në Kosovë dhe interesi për këtë ngërç…
Ndërsa n Prishtinë Hashim Thaçi si autori kryesor i krizës institucionale në vend, por edhe liderët e tjerë kundërshtarë të tij, e ndihëmuan zotin Rama në këtë aksion “pajtimi” me Serbinë, pa menduar se kjo do t’u kushtojë humbjen e pasurive të mëdha nëntokësore dhe mbitokësore të veriut të Kosovës. Ndoshta kjo panoramë do të kthjellohet më mirë për Isa Mustafën, Ramush haradinajn dhe Fatmir Limajn në kavët që vijnë. Dëmi që ata I kanë shkaktuar bashkë me Thaçin e vetëdijshëm në lojën e madhe mund të jetë katastrofal. E pikërisht për këtë arësye përgjegjësia që ata kanë për fatet e vendit është e jashtëzakonshme. Duket se vetëm presidentja Jahjaga ka mundur të transmetojë përgjegjësi reale për Kosovën, së paku në këto gjashtë muajt e fundit.
Nga faktet dhe argumentet që kanë dalë deri më tani në dritë mund të konkludojmë se shqetësimi kryesor i qeverisë së Tiranës është integrimi me çdo çmim në Bashkimin Europian, pra, edhe me çmimin e humbjes së sërishme të territoreve shqiptare. Kjo sindromë na përsëritet, për fat të keq, tash pas gati 70 viteve në të njëjtën formë si në vitin 1948, kur diktatori shqiptar u njësua me diktatorin sovjetik, Josif Stalin, edhe pse ky i fundit kishte rënë dakord për “gëlltitjen e Shqipërisë” nga ana e Jugosllavisë, (kupto të Serbisë). Kurse në rastin e sotëm Serbia, sipas planit të ish-presidentit Tadiç, është përgatitur mirë që të realizojë “gëlltitjen e një pjese të territorit shqiptar”, gjithnjë me mbështetjen e qarqeve antishqiptare dhe segmenteve të lodhura me konfliktet ballkanike në Europë si dhe me angazhimin e qeverisë shqiptare. Skenari është i gatshëm, modeli është i njëjtë, thjeshtë ndryshojnë aktorët në kuptimin e emrave, por jo edhe të pikëpamjeve, bindjeve dhe përkatësisë së atëhershme.
“Shqipëria e Madhe” vërtet është shpikje e Beogradit, ashtu siç ishte shpikje e tij droni me flamurin përkatës. Që Shqipëria dhe shqiptarët u dhanë me passion pas atij flamuri, pa e ditur se po çonin ujë në politikën serbe, edhe ky është një fakt, të cilin politika shqiptare as majtas e as djathtas nuk tentoi ta evitojë. Përkundrazi majtas pati mbështetje të plotë për shkak të promovimit të premierit në opinionin e brendshëm si “nacionalist”. Që Serbia shfrytëzon këto dobësi të palës shqiptare, për këtë nuk duhen dëshmi e prova, sepse tashmë jo vetëm ne, por gjithë bota është lodhur me truke të tilla. Dhe që vetë ne shqiptarët, qeveritarët tanë, politikanët tanë, ia krijojmë favore të tilla Serbisë, edhe ky fakt nuk ka nevojë për t’u vërtetuar. Por që ne të bëhemi pjesë e të nënshkruajmë dështimin tonë, duke ia mundësuar Beogradit të sotëm realizimin e projekteve të Serbisë së djeshme të Milosheviçit, kjo do të shënonte rekordin e nënshtrimit politik, moral dhe shoqëror të politikës dhe kryeministrit shqiptar para qeverisë serbe.
Kam dashur dhe dua që kjo paradigmë të mos jetë e vërtetë, të mos kishte indicia se do të ndodhte kështu. Por fatkeqësisht, Boris Tadiç dëshmoi sot se ka investuar dje për të arritur në këtë finish. Celebrimi i koalicionit Rama-Meta në Shkodër nga ana e tij nuk na shfaqet më thjesht si “bashkëpunim” midis të majtës europiane, por para së gjithash si pranim i opcioneve serbe për zgjidhjen e konfliktit me shqiptarët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Enver Bytyci, Përse zoti Rama, shkon në Beograd?!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4341
  • 4342
  • 4343
  • 4344
  • 4345
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT