• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Para nisjes për në Beograd

October 13, 2014 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/
Në shkurt të këtij viti, shorti na vuri përballë Serbinë. Midis të tjerave mbaj mend ekzaltimin në lidhje me frymën nacionaliste. Përtëritjen e urrejtjes, apo dhe deklaratat e tipit të Kreshnik Spahiut. (Ashtu si sot, kur që herët në mëngjes i bën thirrje Kryeministrit të mos shkojë në Beograd.?.) Atë kohë 14 tetori dukej larg. Ndofta nga kjo u ndez edhe fushata e strategjive të mbrapshta. Vrulli bosh, etj. Bëra edhe unë një shkrim (statut) në lidhje me këtë realitet. Ideja ishte tek intriga e deklaratave me frymë nacionale, nga koha e shkuar, përballë një realiteti krejt ndryshe. Theksova se fitimtarët jemi ne, jo serbët. Kjo e gjitha nëse do ta shohim në kushtet e realitetit të sotshmën. Ndaj na takon të sillemi si të tillë.
Më poshtë po e risjell, edhe një here, për koiçedenca të tepërta, në lidhje me rritjen e tonit nacional. që po has në faqet e shtypit tone. Pikërisht para nisjes për në Beograd.
……..
Thjesht, Futboll
Më 14 tetor 2014 Shqipëria do të ndeshet në futboll me Serbinë. Kjo në kuadrin e eliminatoreve të Europianit 2016, në Francë. Qysh prej shortit, të dielën më 23/2/2014, kjo ndeshje futbolli është bërë temë e ditës. Ka shumë ethe, shumë strategji, shumë paraimagjinata, aq sa nuk shfleton dot një web këtej dhe andej Ballkanit. Megjithëse, e thënë thjesht, është një ndeshje futbolli. Të paktën nga njëra anë ka sfumuar finesën sharlatane të politikanëve. Edhe pse është pikërisht kjo e fundit që ka çuar në një lloj imazhi të frikshëm midis qytetarit shqiptar dhe atij serb. Pra, politika. Sidomos që nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, u forcua me ngritjen e blloqeve, kultin e individit, deri sa na shkatërroi, dogji, vrau, shfarosi, zhvendosi nën dritën e rënies së murit të Berlinit. Në të njëjtën kohë është e çuditshme se si deri dje shorti na shmangte. Sikur diçka misterioze i largonte këto dy vende, sikur i ruante. Ndofta ka patur ndeshje klubesh, them ndofta nga që nuk kam informacionin e duhur në lidhje me takimet sportive. Mbaj mend vetëm edicionin ’87-1988 kur Flamurtari i Vlorës eleminoi Partizanin e Beogradit nga kupat e Europës. Edhe sot e kam të gjallë atë gol të Sokol Kushtës, por edhe mbylljen e trishtë të regjisë televizive me një buqetë lulesh hedhur në barin e fushës. Atëhere, dukej sikur ndesheshin dy botë amorfe alienësh. Jetonim atmosferën me dritë të pakët të yjeve, jo të lirisë. Tani shorti i një kohe tjetër. Na vuri përball. Një sprovë e madhe. Sepse deri pikërisht kësaj dite, trajta e ajrit midis shqiptarëve dhe serbëve ka qënë me përmbajtje jashtëzakonisht të lartë inkadeshente. Duket se tani është ujëzuar disi, në kuptimin kohor. Në një prove të re shqiptarët dhe serbët. Short inatçor, ku në fund të fundit u thotë njerëzve se, jepini kuptimin jetës, tregojini se sa e vlerë dhe e vërtetë është të jetuarit në liri. Qytetaria, bashkëjetesa, etj. Mirëpo jashtë të gjitha këtyre, në kuadrin jetësor ka një tjetër panoramë. Shqiptarët dhe serbët vërejnë se kanë kaq shumë të përbashkëta midis tyre aq sa habiten me historinë. Flasim për qytetarin e thjeshtë, atë që përbën shumicën. Kemi të përbashkët nervin, gjaknxehtësinë, tundimin nga fjala e dhënë, konceptin për mikun, ruajtjen e shpatullave etj. Por sidomos rakinë. Unë përshembull kam vite që punoj me serbë, këtu ku jetoj. E kam trajtuar edhe më përpara raportin e marrëdhënieve ballkanike në dheun e huaj. Me serbët kemi një afrimitet dhe kujdes gati kontraversal me atë realin në Ballkanin tonë perëndimor. Nuk e di përsenë, përpiqem, ose më saktë kam kohë që dua ta kuptojë pse. Ndofta janë pikërisht tiparet e përmendura më sipër. Kam këtu Gordanën nga Beogradi. Më tha një ditë se byrekun e kemi mësuar nga ju, nuk e njihnim. Një nuse e kushëririt, nga Prishtina, ajo na e mësoi. Pastaj flasim për gatimet e tjera, sarmën, apo lakramen me mish të grirë e oriz, shlivovicën e tyre, (nuk bën vaki të mos më sjelli një shishe të tillë sa herë që shkon në Beograd) dhe rakinë e rrushit tone. Mallin e saj për konjakun Skëndërbeu, të Korçës. Ndihmojmë njeri-tjetrin, e presim e përcjellim në aeroport. Dhe nuk na vjen mire kur na shenjojnë me gisht të habitur, serbë e shqiptarë?! Flasim edhe për historinë, politikën ndër vite të Ballkanit tone. Eshtë thjesht një ndeshje futbolli, e tillë duhet trajtuar. Më shumë se serbëve u ka dhënë shqiptarëve një shans historik. Fitimtarëve! Një komb, një kombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Para nisjes, për në Beograd

Serbët qenkan pasardhësit e “hazreti Nuhit “

October 13, 2014 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra, Gjakovë/
Nuk e di , se deri ku do të shkon çmenduria sllave , e dhënë shumë pas historisë së tyre të rrejshme. Kërkimi i një certifikate të falsifikuar të lindjes së tyre ,po i udhëheqë drejt një paranoizmi historik . Mësa di unë ,bota e ka të ditur se kush janë vendasit e parë të kësaj aneje të Ballkanit , por ata nuk prajnë së “ kërkuari” dhe së shkruari se sa të vjetër që janë.
Në Universitetin e Harvardit , një biokimist sllav , duke i studjuar gjenet njerëzore paska ardhur në përfundim që serbët janë populli më i vjetër dhe që serbët qenkan të bijtë e Hazreti Nuhit dhe që Ballkani është atdheu i parë i të gjithë sllavëve , bile edhe atyre që dikur kishin shkuar deri n Indi dhe që quheshin arianë. Pra shkencëtari amerikan me prejardhje ruse Anatolij Klosov, i ka botuar një mori librash në të cilat ai këmbëngulë që Ballani është atdheu i lashtë i të gjithë sllavëve ,po ashtu edhe i Rusëve.
Është një lajm “senzacional” shkruan Jutarni i Zagrebit , që ky “ studim “ kaq i madh e ka vërtetuar që gjysma e Kroacisë e ka prejardhjen nga Lindja e Afërme dhe që ata kohën e akullit e paskan përjetuar në Europë.
Duke e analizuar gjenin R1A1 , gjen i racës dinarike të Ballkanit dhe që ( i cili quhet
”gjeni Ilir” fxh. ) ka vërtetuarse që nga serbët rrjedhin të gjithë sllavët e sotëm si dhe gjithashtu shumica e popujve të Europës. Studjuesi 67 vjeqar Kljosovi vërteton që ato gjene janë të vjetra mbi 12 000 vjet ( të “serbëve” R1A1 ) derisa popujt tjerë e kanë gjenin e vjetër jo më shumë se 4-7 mijë vjet..
“Dihet që fëmijtë e Noas i kanë banuar së pari tokat në rrjedhën e poshtme të Danubit, në tokat e Serbisë së sotme , dhe pastaj kanë shkuar në veri “ thot studimi i Kljosovit.
Edhe një gjë shumë interesante shkruan Telegrafi serb është se “është vërtetuar pas hulumtimeve të gjata se të gjithë sllavët rrjedhin nga Ballkani dhe që kasta indiane e arianëve është” formuar me shkuarjen e sllavëve nga Serbia “ në Indi , diku 3850 vjet më herët”
Edhe një gjë shumë interesante e zbulon Historiani Kljosov se ” gjuhët indoeuropiane
i bartën sllavët në Indi , Iran dhe Afganistan. “
Parasllavët me “gjen dinarik” , të cilët në Ballkan paskan jetuar edhe më herët se 12 000 vjet. pas 200 brezave paskan mbërrijtur në Europën lindore dhe aty qenkan çfaqur Rusët dhe Ukrainasit. “ Pesëqind vjet më vonë shkojnë deri në Uralin jugor dhe pas 400 vjetësh
paraqiten në Indi , në të cilën jetojnë edhe sot 100 milion njerëz me të njejtin gjen “. Hajde shkencë serbe , hajde !
Serbët janë të “çmendur” pas teorisë së tyre që nga macja duhen të bëhen tiger . Shpesh në histori edhe ia kanë arrijtur. . Ata kanë qëllime ekspansioniste dhe shtyrje e motivime për këtë , në çdo kohë.
Tek serbët në mënyrën më perverze vepron ideologjia e cila nxitë gjenocid dhe që shumica e tyre që veprojnë në bazë kësaj ideologjije mendojnë që po e ndjekin vetdijen e tyre. Pra janë të ndergjegjësuar në principin e vetmbrojtjes “ vrit që mos të të vrasin”,dhe në viktimën e tyre e shofin dreqin të cilin duhet shkatërruar pa tjetër.
Analizat e tyre duke e çfrytëzuar të mirat e shkencës më të re të gjenetikës janë edhe një sulm i ri ndaj qenjës shqiptare , ndaj historisë dhe ardhmërisë së saj. Pra “miti i kosovës “ dhe “ i popullit qiellor “ shkon aq largë sa që paraqet rrezik permanent për ne.
Edhe sot e kësaj dite në Zagoren Dalmatine , për rreth Kninit, mund të dëgjohet një lloj i vajtimit , një lloj i këngëve primitive dhe arkaike të cilat përfundojnë me oj-oj…
Në momente të caktuara , së bashku 4-5 veta , në ndonjë pijetore alkoholi me orë të tëra të dehurit e varin kokën mbi tavolinë duke “kënduar dhe vajtuar dhimbshëm” Dhe nëse pyeten se pse kjo gjëmë e vazhdueshme , do t`iu përgjigjen: ““Plač za Kosovo!” ( Vaje për Kosovën)

Tetor 2014/

Filed Under: Analiza Tagged With: e “hazreti Nuhit “, Fahri Xharra, Serbët qenkan pasardhësit

ME TINKA KURTIN- Nëpër fjalët e një GRUAJE të MADHE

October 13, 2014 by dgreca

SHKRUAN:MARJANA BULKU/ NEW YORK/
Fjalët e saj do ti mbeteshin në mendje kujtdo, për peshën e mendimit që mbartin, për tonin me të cilin ajo i shqipton ato dhe jo vetëm në respekt të viteve të gjata që mbart mosha e saj ,,,Eshtë e cuditëshme se si grave të tilla vargu i gjatë i viteve ju vesh një lloj fisnikërie që zbukuron portretin edhe pse i plakur nga rrudhat, thinjat dhe vulat e viteve . Thjeshtësia e saj njerëzore jasht skenës dhe rolit më bën të kuptoj se nuk është vetëm fama ajo që fisnikëron portretet e nënave apo gjysheve tona… Keni provuar t’ju uleni pranë, të bisedoni me ta duke ju shtrënguar duart me dashuri , ti pyesni në atë mënyrë sikur mendimi i tyre është i rëndësishëm për ju. Ato flasin e flasin ,,, kanë aq shumë për të thënë ndoshta edhe pse jo gjithcka thonë ka vlerë por është vemendja jonë ajo që din të pëzgjedhë atë që ka vërtet vlerë duke ju falur atyre ndoshta të fundit kënaqësi jete. Gjyshja ime nuk është e famshme por jeta e saj ka kaq shumë histori sa cdo grua e MADHE do të kishte dashur ti dinte . Sepse jeta është shkolla e vërtetë ku parakalojnë vlerat tona : dinjiteti, nderi , krenaria, poshterimi, dhunimi, mbijetesa, forca.
”Vuan më shumë ai/ajo që urren sesa ai/ajo që urrehet” – Kështu tha ajo Gruaja e MADHE (që të madhe nuk e bëri vetëm skena) ,nëpër një bisedë rutinë që i erdhi natyrshëm duke kujtuar ndoshta dhe përvojat e viteve të saj, punës, roleve të shumta ku mbase dhe ajo është urryer pa shkak,,,A mos ndoshta urrejtja është ndonjë derivat i xhelozisë së sëmurë?! Nuk e di, merreni si konkluzion të nxituar përkufizimin tim hipotetik.
” Kështu më mësonte mama” – Përsëriste shpesh e madhja Tinka Kurti edhe pse mban 80 e ca vite mbi shpinë. Dhe unë e përsëris me vete e s’di pse sot dua ta them me zë të lartë sepse ato mamat tona na thanë e rrëfyen shumë,,,janë objekt kujtimesh personale por jo vetëm personale,,, Jo rrallë herë shembujt e thjeshtë frymësojnë, edukojnë. Jetojmë një realitet të cuditshëm ku ekranet pushtohen nga bukuri të retushuara, që duam apo s’duam na imponohen nga reklamat, kopertinat e fotografive dhe fjala ka shpejtësinë e jo dritës ( atë të zërit)… Prandaj, pikërisht ca fraza -jete grash që të mëdha nuk i bëri as bukuria, as fotoshopi, as pushteti ,as paraja, por vetë jeta ,puna, vështirësitë janë dhe do t7 jenë objekti im i vazhdueshëm.
Dhe mama e mësonte atë të madhen jo vetëm prej viteve por edhe sukseseve të saj pafund se si në jetë duhet të të udhëheqë gjithmonë DIJA.
Takimi me Tinka Kurtin më shumë sesa madhështinë e takimit me një artiste të madhe m’u duk se më dhuroi prezencën e nënës, gjyshes që njeriu mundëson ti ketë pranë edhe pse jo fizikisht përmes fjalëve, kujtimeve, copëzave të jetës edhe pse ndoshta të vështira. Jeta e saj është një tablo ku bashkëjetojnë të gjitha ngjyrat duke i dhënë jetë dhe kuptim shoqja-shoqes. Nëpër rrëfimet e saj unë kuptoja se brenda moshës jeton rrugëtimi ynë ku e shkuara bardh e zi ka shkëlqimet e arta të fshehura nga sistemet dhe ku e ardhmja gri ka ngjyrat e vjeshtës ku ndonjëherë bashkëjetojnë të gjitha stinët . Lotët e saj teksa interpretoi aq natyrshëm tek ”VATRA” panshqiptare nuk ishin vetëm lotët e saj,,,ishin LUTJE të ASAJ që i ka falur aq shumë atdheut të vet.Ajo hyri kaq spontanisht te VATRA ,por mbeti përjetësisht aty në kujtesën time, (edhe unë e vizitova për herë të parë VATREN atë ditë) sepse të gjitha vargjet e recituara prej saj me aq ndjenjë në kaq shumë vite jetë, ishin kaq pranë me autorët e tyre që vishnin muret , që flisnin përmes të përkushtuarit zotit Dalip Greca . Fishta, Noli, Koliqi , Konica,,, ( i kisha shpjeguar ne programet mësimore por këtu ato mu dukën vitalë)mijëra kontribues që i dolën zot atdheut në ditë të errëta. Në dalje të godinës ( si teqe shqiptarësh) ajo prek një libër të nanës Terezë dhe vargjet e saj LUTJE ndoshta ishin lutjet e gjithë popullit të një Artistje që i takon gjithë popullit të saj.
Për të përjetësuar njerëz dhe vepra nuk nevojiten vetëm akte madhore a ngjarje,dreka apo darka pompoze ….Mjaftojnë ca xheste të vogla (falemnderit mundësuesve Adem Belliu drejtues i Albanian Culture TV New York që solli artisten këtu dhe Dali Greca për atë mjedis aq sistematik) për të prezantuar anët e vërteta të jetëve njerëzore që dijnë të shkëlqejnë në cdo kohë, në cdo vend, edhe kur dritat e skenës janë shuar dhe perdja ka rënë… shfaqja vazhdon nëpër mendjet tona !
NE FOTO: ME TINKA KURTIN NE SHTEPINE E VATRES.Autorja e shkrimit, Marjana Bulku Zeneli dhe Editori i Diellit-Dalip Greca

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, e një GRUAJE, Marjana Bulku, ME TINKA KURTIN- Nëpër fjalët, të madhe!?

Kryengritja e Zhabokikës

October 13, 2014 by dgreca

Meditime në një ceremoni dekorimi/
Nga Reshat Kripa/
Më datën 9 tetor 2014 u ndodha në një ceremoni dekorimi ku Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, i akordoi komunës së Luftinjës në rrethin e Tepelenës, urdherin “Nderi i Kombit”, me rastin e përvjetorit të kryengritjes së Zhabokikës kundër sistemit komunist në vitin 1948. Ishte, me të vërtetë, një ceremoni dinjitoze për një ngjarje po aq dinjitoze.
Në oborrin e shkollës së fshatit hero, pranë memorialit kushtuar kësaj ngjarje të madhe, u mblodhën qytetarët e krahinës, ata që e kishin përjetuar atë ngjarje dhe ata që e kishin dëgjuar nga paraardhësit e tyre. Merrnin pjesë trashëgimtarët e martirëve që dhanë jetën e tyre për liri dhe demokraci. Merrnin pjesë përfaqsëuesit e pushtetit lokal të komunës si dhe ata të rrethit të Tepelenës. Merrnin pjesë përfaqsues të të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe të atyre lokalë. Kishte përfaqësues nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare që synojnë për një Shqipëri me të vërtetë të lirë dhe demokratike me një vizion me të vërtetë europian.
U vendosën kurora dhe buqeta lulesh në memorialin përkujtimor. U mbajtën fjalime përshëndetëse dhe falënderimi. U lexuan kumtesa kushtuar kësaj ngjarje historike. U dëgjuan këngë labe trimërie dhe qytetare të krahinës. U lexuan vargje. Por madhështinë kësaj ceremonie ia shtoi më tepër pjesmarrja në të e të nderuarit President i Republikës, fjala e tij e ngrohtë dhe në mënyrë të veçantë dorëzimi kryetarit të komunës të urdhërit “Nderi i Kombit” për këta martirë.
Unë qëndroja në mes të kësaj turme dhe meditoja. Meditoja për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen.
Janari i vitit 1948. Pesë figura të shquara të krahinës ekzekutohen nga hienat komuniste, Zenel Shehu, ish-komisar i batalionit partizan “Baba Abaz”, Syrja Vasjari, ish-komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi”, Dy baballarë të dëgjuar të fesë bektashiane, Baba Shefqeti i teqesë së Toshkanit dhe Baba Ali Tomorri, një poet dhe studiues i njohur, si dhe një prft shqiptar ortodoks, At Gjergj Suli i Leklit. Rënia e këtyre martirëve inspiroi organizimin e një revolte popullore në krahinë. Ideatori i kësaj revolte ishte Xhemal Brahim Asllani nga Zhabokika. Në krah të tij ishin Sulo Zaimi, ish-major i ushtrisë mbretërore, Bajram Kamberi, ish xhandar i mbretërisë, Mehmet Yzeiri, këshilltar komune, Salo Kaso, funksionar policie, Mehmet Didaj, Mehmet Veseli, Hajri Mahmutaj, Balil Veliu, korriere si dhe 16 burra të tjerë nga fshatrat Zhabokikë, Luftinjë dhe Kamçisht që do të formonin çetën që do i kundërvihesh tiranisë komuniste dhe që do mbante emrin e heroit martir “Baba Shefqeti”.
25 pjesëmarrësit kryejnë betimin sipas traditës së vendit. Një 100 lekëshe kalon midis buzëve të tyre dhe dëgjohet formula e betimit e shqiptuar me një zë të lartë:

– Zoti më vraftë po të tradhëtoj!

Me 100 lekëshet e mbledhura blihen qirinj dhe ndizen në tyrbe.
Çeta ka edhe hymnin e saj. Ajo është Kënga e Baba Tomorrit. Kjo këngë u këndua
ditën e formimit të çetës:

Ejani o popull, mblidhuni me ne,
O Baba Tomorri, lësho një rrufe!
Armët ne i kemi, fshehur nënë dh
Do të bëjmë luftë, flakë e batare!

Të prirë nga flamuri i kuq me zhgabën dykrenore në mes, pa yllin e urryer të komunizmit, luftëtarët fillojnë betejën me mijra forca të dërguara nga sigurimi i shtetit, të ardhura nga rrethet Berat dhe Tepelenë. Në përleshjet vritet zëvendëskomandanti i çetës Mehmet Yzeiri dhe anëtari i shtabit Salo Kaso. Pas një beteje të gjatë, ku përballë njeri-tjetrit ishin 25 burra me një ushtri të tërë të armatosur gjer në dhëmbë, çetra shpërndahet. Fillojnë ndjekjet dhe arrestimet e pjesmarrësve. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeiri rezistojnë për një kohë të gjatë, ndërsa komandanti i çetës, Bajram Kamberi, mundi të kapet vetëm në muajin janar 1949. Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në muajin korrik 1949. Gjatë ndjekjes vritet vëllai i komandantit të çetës, Safet Kamberi dhe dy të afërm të kryengritësve. Sefer Yzeiri dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg. Hajri Mahmutaj vritet me armë nga rojet e burgut dy ditë para se lë lirohej. Adem Memaj, mësues 21 vjeçar, vdes në burg. Sulo Zaimi vdes në shtëpi pasi kreu 20 vjet burgim. Ideatori Xhemal Brahimi arriti të arratiset dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vdes në vitin 1983. Toger Demo Kaso arratiset ne Itali ku vazhdon shkollimin ushtarak. Bilanci i përgjithshëm është 9 të vrarë dhe të vdekur në burg, 30 të arrestuar dhe të dënuar. 122 vite burg të kryera. Të gjithë familjarët e tjerë të martirëve, të internuar nëpër kampe të ndryshme deri në dhjetorin e vitit 1990.
Këto meditime më shfaqeshin parasysh atë ditë mbështetur edhe në studimin disa vjeçar me titull “Kryengritja e Zhabokikës, korrik-tetor 1948” të studiuesit, profesorit, shkrimtarit dhe poetit të nderuar Sadik Bejko. Por, njëkohësisht, meditoja edhe për të tanishmen e kësaj shtrese që sakrifikoi gjithçka për arritjen e kësaj dite në të cilën ne jetojmë. Si u shpërblye kjo shtresë e popullsisë shqiptare në këto 24 vite të përmbysjes së sistemit komunist? Aspak ashtu si e ëndërronim Shqipërinë pas rivendosjes së demokracisë. Ëndërronim një Shqipëri demokratike europiane, një Shqipëri ku secili të gëzonte pronën që i kishin lënë paraardhësit e tij, një Shqipëri ku individi të ishte i sigurtë për vendin e tij të punës, pamvarësisht nga ndryshimi i qeverive, që është një gjë normale në sistemin ku jetojmë, për një Shqipëri ku të nderoheshin dhe respektoheshin figurat që sakrifikuan jetët e tyre ne luftën e gjatë kundër komunizmit.
Por, a ndodhi kjo? Për të qenë të sinqertë duhet të pranojmë se sa herë ka qenë në pushtet e djathta shqiptare, trajtimi i kësaj shtrese, në përgjithësi, ka qenë i mirë. Janë përkujtuar dhe nderuar ngjarjet më kryesore të kësaj rezistence. Janë dekoruar përsonalitetet kryesore të saj. Janë miratuar ligje dhe ngritur institucione në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe shumë të tjera. Një shembull, mjaft domethënës për këtë, është edhe dekorimi së fundi i Kryengritjes së Zhabokikës së vitit 1948, dekorim që e vë këtë krahinë në të njejtën linjë me atë të simotrave të saj të Postribës, Malësisë së Madhe e të tjera.
E kundërta ka ndodhur kur në pushtet kanë ardhur të majtët. Shtresa e të përndjekurve politik, njësoj si në të kaluarën, është trajtuar si armike e qeverisë. Nuk janë të rralla edhe rastet e zhdukjes fizike të atyre që kishin filluar të ngjisnin shkallët e karrierës. Të mos harrojmë Bujar Kaloshin në Tiranë, Kujtim Frangun në Mat, Bashkim Shkurtin në Lushnje, Fredi Shehun në Gjirokastër dhe, sidomos, masakrën e kryer në Vlorë gjatë vitit të zi 1997, me vrasjen e Gjergj Mehmetit, Gëzim Shabanit, Besim Manolit, Valter Harizit, Lutfi Rapajt dhe të tjerëve. A ka kërkuar ndokush ndonjëherë falje për vrasjen e tyre në moshën më të bukur të jetës?
Nuk janë vetëm vrasjet që tregojnë se e majta shqiptare është shumë larg së majtës europiane. Mos shkëputja nga mentaliteti komunist i kësaj të majte, duket në çdo aktivitet të saj, duke filluar që nga abondonimi i seancave parlamentare kur miratoheshin ligje në favor të kësaj
shtrese, mosaprovimi i rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për ndëshkimin e krimeve të regjimit
komunist në Shqipëri”, mosrealizimi i ligjit mbi “Statusin e ish-të dënuarve dhe persekutuarve nga regjimi komunist”, në mënyrë të veçantë për arsimimin, strehimin, punësimin e të tjera. Në të kundërt, sa herë që kanë hipur në pushtet socialistët, një valë e madhe pushimesh nga puna është ushtruar ndaj kësaj shtrese.
Më lejoni të sjell një shembull konkret. Lumturi Grabova, bija e Xhemal Brahimit, ideatorit të kryengritjes së Zhabokikës dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdherin “Nderi i Kombit”, një vajzë që 42 vjet të jetës së saj i kaloi në internim dhe që e lidhi fatin e jetës me një bashkëvuajtësin e saj, me disa të vrarë, burgosur dhe internuar në fisin e tij, pushohet nga puna nga drejtuesit e emëruar nga kryeministri Edi Rama. Nuk ishte as drejtore dhe as kryetare dege, por një punëtore e thjeshtë. Në cilin ligj është parashikuar një veprim i tillë?
Sot nuk m’u ndakan këto meditimet. Ato më hedhin nga e kaluara dhe e tashmja në të ardhmen. Si do të jetë ajo?
Dëgjoj poezinë e recituar nga një vajzë e re në këtë ceremoni:
Ti nuk ke varr!
Ti thellë vdekjes dergjesh, Pa arkivol, pa rasë, pa gurë, pa ritual, Sikur të të thërrisnin legjendat e ringjalljes, Mbi ç’kalë do të hipje? Si do të vije vallë?
Ishte poezia e shkruar nga miku im Ibrahim Vasjari, kushtuar atit të tij, Syrja Vasjarit, ekzekutuar në atë janarin e egër 1948. Meditoj:
– Po martirët e kryengritjes së Zhabokikës a kanë një varr ku familjarët të vendosin një
tufë lule apo të derdhin dy pika lot? Ideatori i saj Xhemal Brahimi varrin e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai vend e mirëpriti, e nderoi, e respektoi dhe së fundi i dhuroi një varr dinjitoz. Megjithatë shpirti i tij nuk prehet i qetë Ai kërkon të prehet në atdheun e tij, në tokën mëmë për të cilën u sakrifikua. Po ata martirë që u ekzekutuan apo vdiqën qelive të burgjeve, ku i kanë eshtrat?
Kisha një dëshirë të cilën dua t’ua shpreh drejtuesve të komunës „Nderi i Kombit“ të Luftinjës:
– Mblidhini eshtrat e këtyre martirëve të shpërndarë në katër anët e atdheut, sillini
edhe eshtrat e Xhemal Brahimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i vendosni në një varr të përbashkët në kodrën më të lartë të Zhabokikës, në mënyrë që të kenë parasysh të gjithë krahinën, pasi vetëm kështu do ta meritoni titullin e lartë me të cilin ju nderuan! Një thirrje e tillë vlen për të gjithë të rënët që ende nuk kanë një varr.
Së fundi parasyve më del një pyetje shumë kuptimplote:

– Kush janë fitimtarët e kësaj beteje të madhe gjysmë shekullore, midis ideologjisë
komuniste dhe asaj nacionaliste?

Përgjigjen po e jap une vetë. Fitimtarët jane Xhemal Brahimi dhe shokët e tij. Janë të gjithë luftëtarët e rezistencës antikomuniste. Janë të gjithë nacionalistët e vërtetë shqiptare. Ndoshta, tani për tani, në krye janë trashëgimtarët e atyre që e shpërfytyruan këtë vend, atyre që duart e tyre i kanë të mbushura me gjakun e këtij populli. Por ideali demokratik, që aktualisht është vendosur në vendin tonë, megjitjhëse jo në modelin e dëshëruar, nuk do të vonojë të triumfojë. Ndoshta kjo nuk do të vijë sot apo nesër, nuk do ta gëzojmë as ne dhe, ndoshta, as brezi pas nesh, por, me siguri brezat e tjerë do të dinë të zgjedhin midis hipokrizisë së sharlatanve dhe demokracisë së vërtetë. Atëherë sharlatanët e historisë do të përfundojnë në pleh, ndërsa martirët e lirisë dhe demokracisë do të këndohen nëpër këngë dhe do të shkruhen nëpër vargje. Ata janë fitimtarët e së ardhmes.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kryengritja e Zhabokikës, meditim, Nderi i Kombit, reshat kripa

TAKIM I KRYETARIT TË VATRËS ME KRYESINË E DEGËS NË MICHIGAN

October 13, 2014 by dgreca

Kryetari i Vatres dr. Gjon Buçaj, pas udhtimit ne Boston per te filluar procesin e hapjen e nje dege atje, shkoi edhe ne Michigan, ku u takua me degen e atjeshme. Takimi me kryesine e deges u be diten e djele me 5 tetor, ne restorantin Andiamo ne Sterling Heights. Dr. Buçaj u pershendet me grupin vatran dhe u percolli atyre edhe pershendetjet e Kryesise se Vatres nga New York-u. Kryetari i Deges, zoti Alfons Grishaj paraqiti Vatranin e ri, zotin Lush Popaj, nje businessman i suksesshem, i cili me entuzjazëm shprehu mirenjohjen qe eshtë pranuar ne Vatër dhe premtoi se do te ndimoje pa kursim per te miren e saj, ne sherbim te interesit kombetar. Pastaj z. Grishaj informoi kryetarin e Vatrës mbi mbarevajtjen e deges dhe mbi sfidat e saj ne komunitetin shqiptar te shtetit Michigan. Përveç zotit Grishaj, edhe pjesemarresit e tjere ne takim u interesuan mbi aktivitetet e Kryesise dhe mbi gjendjen e Vatres ne pergjithesi. Zotrinjtë Ilir Kadiu, Kujtim Qafa, Pjeter Jaku, Julian Çefa dhe Mondi Rakaj, biseduan rreth Kuvendit te ardhshem qe do te mbahet ne Jacksonville, Florida, mbi ecurine e aktiviteteve ne pergjithesi, mbi mundesite e rritjes se numrit te antareve dhe te degeve, mbi gjendjen e nderteses se Vatres ku eshte e vendosur qendra me zyrat, me arkivin dhe biblioteken dhe mbi nevojen e fondeve per te furnizuar ato me mobilje te pershtatshme. Ata shprehen deshiren qe komunikimi te jete me i shpeshte me dege ne Michigan dhe me deget tjera ne pergjithesi. Dr. Buçaj shprehu besimin se pjese e mobiljeve te zyres do te jete edhe instalimi i nevojshem per videokonference, qe keshtu te gjithe antaret e Keshillit Drejtues te kene mundesine e pjesemarrjes direkte, pa qene fizikisht prezent. Kryetari gjithashtu theksoi nevojen qe dega ne Michigan te studjoje mundesine dhe menyrat e zgjanimit te saj, per te perfshire nje numer me te madh te bashkatdhetarevet qe jetojne ne ate shtet. U vendos qe qe te organizohet nje takim i vatraneve te Michigan-it, i hapur edhe per publikun me te gjere, duke e lajmeruar takimin me kohe, ku duhet te vije edhe nje delegacion nga Kryesia., e Federates. Ne kete udhtim dr. Buçaj ishte i shoqeruar nga zonja e tij Nikoleta dhe nga i biri, Leka, i cili eshte aktiv ne Degen Washington DC.(Korresp i Diellit)

Filed Under: Vatra Tagged With: dega Michigan, dr. Gjon Bucaj, Kryetari i Vatres, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4359
  • 4360
  • 4361
  • 4362
  • 4363
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT