• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NOBEL, QE NGA VITI 1901 DHE FITUESJA ADOLESHENTE e 2014-es

October 11, 2014 by dgreca

STOKHOLM – Çmimi Nobel për Paqen 2014 iu dha me 10 tetor 2014 adoleshentes pakistaneze, Malala Yousafzay dhe indianit Kailash Satyarthi për luftën e tyre kundër shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve dhe për të drejtat e të gjithë fëmijëve për arsim.
“Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë dhe të mos shfrytëzohen financiarisht”, deklaroi presidenti i komitetit norvegjez të Nobelit, Thorbjoern Jagland
Fituesit e çmimit Nobel për Paqen që nga viti 1901
Çmimi Nobel për Paqen 2014 iu dha sot adoleshentes pakistaneze, Malala Yousafzay dhe indianit Kailash Satyarthi për luftën e tyre kundër shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve si edhe për të drejtën e të gjithë fëmijëve për arsim.
Më poshtë vijojnë fituesit e këtij çmimi që nga viti 1901:
2014 – Malala Yousafzai, Kailash Satyarthi 2013 – Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike 2012 – Bashkimi Evropian 2011 – Ellen Johnson-Sirleaf, Leymah Gbowee, Tawakkul Karman 2010 – Liu Xiaobo 2009 – Barack Obama 2008 – Martti Ahtisaari 2007 – Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, Al Gore 2006 – Muhammad Yunus, Grameen Bank 2005 – Mohamed ElBaradei 2004 – Wangari Maathai 2003 – Shirin Ebadi 2002 – Jimmy Carter 2001 – OKB, Kofi Annan 2000 – Kim Dae Jung 1999 – Mjekë pa Kufij 1998 – John Hume, David Trimble 1997 – Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Tokësore, Jody Williams 1996 – Carlos Filipe Ximenes Belo, Jose Ramos-Horta 1995 – Joseph Rotblat, Pugwash 1994 – Yasser Arafat, Shimon Peres, Yitzhak Rabin 1993 – Nelson Mandela, Frederik Willem de Klerk 1992 – Rigoberta Menchu 1991 – Aung San Suu Kyi 1990 – Mihail Gorbaçov 1989 – Dalai Lama 1988 – Trupat Paqeruajtëse të OKB-së 1987 – Oscar Arias Sanchez 1986 – Elie Wiesel 1985 – Fizikanët për Parandalimin e Luftës Bërthamore 1984 – Desmond Tutu 1983 – Lech Walesa 1982 – Alva Myrdal, Alfonso Garcia Robles 1981 – UNHCR 1980 – Adolfo Perez Esquivel 1979 – Nënë Tereza 1978 – Mohamed Anwar al-Sadat, Menachem Begin 1977 – Amnesty International 1976 – Betty Williams, Mairead Corrigan 1975 – Andrei Saharov 1974 – Sean MacBride, Eisaku Sato 1973 – Henry Kissinger, Le Duc Tho 1972 – pa çmim 1971 – Willy Brandt 1970 – Norman Borlaug 1969 – Organizata Ndërkombëtare e Punës 1968 – Rene Cassin 1967 – pa çmim 1966 – pa çmim 1965 – UNICEF 1964 – Martin Luther King Jr 1963 – Kryqi i Kuq 1962 – Linus Carl Pauling 1961 – Dag Hammarskjold 1960 – Albert Lutuli 1959 – Philip Noel-Baker 1958 – Georges Pire 1957 – Lester Bowles Pearson 1956 – pa çmim 1955 – pa çmim 1954 – UNHCR 1953 – George Catlett Marshall 1952 – Albert Schweitzer 1951 – Leon Jouhaux 1950 – Ralph Bunche 1949 – John Boyd Orr 1948 – pa çmim 1947 – Quakers 1946 – Emily Greene Balch, John Raleigh Mott 1945 – Cordell Hull 1944 – Kryqi i Kuq 1943 – pa çmim 1942 – pa çmim 1941 – pa çmim 1940 – pa çmim 1939 – pa çmim 1938 – Zyra Ndërkombëtare e Nansenit për Refugjatët 1937 – Edgar Algernon Robert Gascoyne Cecil 1936 – Carlos Saavedra Lamas 1935 – Carl von Ossietzky 1934 – Arthur Henderson 1933 – Norman Angell 1932 – pa çmim 1931 – Jane Addams, Nicholas Murray Butler 1930 – Lars Olof Jonathan Soderblom 1929 – Frank Billings Kellogg 1928 – pa çmim 1927 – Ferdinand Buisson, Ludwig Quidde 1926 – Aristide Briand, Gustav Stresemann 1925 – Austen Chamberlain, Charles Gates Dawes 1924 – pa çmim 1923 – pa çmim 1922 – Fridtjof Nansen 1921 – Karl Hjalmar Branting, Christian Lous Lange 1920 – Leon Victor Auguste Bourgeois 1919 – Thomas Woodrow Wilson 1918 – pa çmim 1917 – Kryqi i Kuq 1916 – pa çmim 1915 – pa çmim 1914 – pa çmim 1913 – Henri La Fontaine 1912 – Elihu Root 1911 – Tobias Michael Carel Asser, Alfred Hermann Fried 1910 – Zyra e Përhershme Ndërkombëtare e Paqes 1909 – Auguste Marie Francois Beernaert, Paul Henri Benjamin Balluet d’Estournelles de Constant 1908 – Klas Pontus Arnoldson, Fredrik Bajer 1907 – Ernesto Teodoro Moneta, Louis Renault 1906 – Theodore Roosevelt 1905 – Bertha Sophie Felicita von Suttner 1904 – Instituti i Ligjit Ndërkombëtar 1903 – William Randal Cremer 1902 – Elie Ducommun, Charles Albert Gobat 1901 – Jean Henry Dunant, Frederic Passy

Filed Under: Kulture Tagged With: fitusja adoleshente, Malala Yousufzai, Nobel, qe nga 1901

Absurdi juridik eshte edhe me flagrant

October 11, 2014 by dgreca

Absurdi Juridik: Avokatura e Shtetit synon ta binde Gjykaten se ne nuk jemi pronare. Kryeministri Rama synon te binde publikun se pronaret do t’i shpronesoje kundrejt shperblimit./
Te nderuar miq te medias,
ne cilesine e perfaqesuesit ligjor te familjes Kruja, pronare e ligjshme e truallit kufitar me Namazgjane ne Tirane, desha t’Ju bej me dije situaten absurde ne te cilen anetaret e familjes Kruja jane vendosur prej muajsh. Ky absurd ka te gjithe shenjat se po thellohet.
Nga media dhe vetem nga media – familja Kruja mesoi se qeveria shqiptare paska arritur nje marreveshje me pronaret per te lejuar ndertimin e Xhamise se Madhe ne Tirane. KM Rama deklaroi se do t’i shpronesoje ata dhe se ka gati fondet per kete. Askush nuk ka komunikuar me ne si pronare te tokes, qe prej korrikut 2014. Deri ne kete date, zyra e KM ka negociuar me familjen Kruja per blerjen e truallit me cmimin e tregut. Nese doni detaje, te gjitha mund te behen publike.
Absurdi ku gjendemi eshte logjik, juridik dhe moral.
Absurdi logjik buron nga fakti se prej muajit qershor Avokatura e Shtetit, organ ne varesi te ministrise se drejtesise, i ka kerkuar Gjykates se Tiranes te mos i njohe familjes Kruja pronesine mbi truallin ne fjale. Avokati i shtetit ka atakuar pa asnje baze nje akt te dates 15 gusht 1994 te leshuar nga Komiteti i Kthim Kompensimit te Pronave ne Tirane, dokument me te cilen familja Kruja rimori te drejtat si pronare e ligjshme per nje toke te blere nga z.Jusuf Kruja – Zoti e meshirofte – ne vitin 1938.
Avokatura e Shtetit synon ta binde Gjykaten se ne nuk jemi pronare. Kryeministri Rama synon te binde publikun se pronaret do t’i shpronesoje kundrejt shperblimit.
Absurdi juridik eshte edhe me flagrant.
Familja Kruja dhe Komuniteti Musliman Shqiptar moren nje leje te perbashket ndertimi – me dy objekte – e cila nisi te zbatohet. Leja u prish me vendim te KKT-se ne vjeshten e vitit te shkuar. Ndertuesi i kontraktuar nga familja Kruja paditi ne gjykaten administrative vendimin e KKT-se dhe e shpalli ate te pavlefshem dhe te pambeshtetur. Ceshtja eshte ne Apel dhe perben objekt gjykimi.
Deklaratat e z.Rama per shpronesimin e nje prone – mbi te cilen ka nje proces gjyqesor qe vazhdon dhe nje barre gjyqesore, jane nje presion i hapur mbi Drejtesine dhe nje dhunim i shtetit ligjor.
Deklaratat e z. Rama per nje ceshtje e cila eshte objekt gjykimi gjyqesor bien ndesh me ndarjen e pushteteve – nje parim Kushtetues, bien ndesh me pavaresine e gjyqesorit, jane nje tejkalim i rende i kompetencave te sistemit Ekzekutiv dhe cenojne parimet e shtetit te se drejtes.
Askush, asnje pale nuk mund ta vere Drejtesine perballe faktit te kryer.
Absurdi moral eshte si me poshte:
Ne si pronare te ligjshem kemi bere te qarte se rrembimi i prones nuk i hap rrugen ndertimit te Xhamise. Ne kemi deklaruar se Feja nuk eshte nje biznes qe mund te behet mbi nje toke te grabitur – qofte edhe me ndihmen e shtetit. Rastet e shemtuara dhe te dhimbshme te realitetit shqiptar nuk mund te sherbejne si precedent per KMSH dhe per donatoret e tij bujare.
Qeveria Rama mund te kete te gjithe ndjeshmerine per t’i dhene bashkesise islame te vendit nje objekt te merituar e te mohuar prej shume vitesh. Kjo e drejte nuk mund te realizohet permes nje padrejtesie te re, aq me pak ndaj nje familje – e cila ka pasur dhe ka te gjithe vullnetin e mire per te mbeshtetur ndertimin e Xhamise se Re ne Tirane. Ky vullnet u shpreh ne Marreveshjen qe familja Kruja nenshkroi me KMSH – dokument qe ishte pjese e lejes se ndertimit, te prishur me vendim te njeanshem e te paarsyetuar nga administrata e z.Rama.
Komuniteti Musliman i Shqiperise gjithashtu eshte i vetedijshem se ndertimi i nje Xhamie behet ne perputhje jo vetem me ligjin e ndertimit te Republikes se Shqiperise, por pike se pari ne perputhje me te drejten islame. Ligji Islam sakteson se “Qellimi i Mire nuk justifikon Mjetet Imorale” qe mund te perdoren per arritjen e tij. Dhunimi i prones se tjetrit e rrezon Xhamine e re te Tiranes, nuk e nderton ate.
Gjithsesi, si pronare te ligjshem, familja Kruja ka bere te qarte se cdo vendim antiligjor – pertej pretekstit te perdorur nga qeveria, do te atakohet ne gjykate duke prodhuar nje kalvar te ri juridik, te veshtire per ne si qytetare, por te drejte dhe te denje per modelin europian ku synojme.
Ne e ftojme qeverine shqiptare qe te nderprese presionin mbi Gjykatat, te tregoje durimin e nevojshem dhe te respektoje vendimin qe do te jepet nga drejtesia ne lidhje me aktin normativ te KKT-se, i cili nderpreu nje proces te ligjshem te zhvillimit te territorit.
Ne e ftojme Qeverine shqiptare qe t’i jape fund farses se nje gjyqi formal te nisur nga Avokatura e Shtetit.
Ne e ftojme qeverine shqiptare t’i jap fund zgjidhjes se problemit te Xhamise se Madhe ne Tirane me protagonizem politik, motiv qe ka deformuar jeten e ketij komuniteti ku bejme pjese edhe vete, prej te pakten dy dekadash.
Ne si qytetare duam dhe perpiqemi te kemi respekt per institucionet, per shtetin ligjor dhe mbi te gjitha – te jemi te drejte me te drejten. Eshte e mira qe edhe Qeveria te na perkrahe ne kete synim.
Ju faleminderit!
ALBAN BALA(kjo deklarate i eshte derguar Gazetes Dielli ne New York nga Alban Bala, perfaqesues legjitim i Familjes Kruja)

Filed Under: Featured

Autopsia e një sistemi në romanin e Aleko Likajt

October 11, 2014 by dgreca

Shkruan: Robert Martiko/
Duke përfunduar së lexuari romanin “Vajza e Gjeneralit” me autor shkrimtarin e mirënjohur tashmë në letërsinë artistike shqiptare, Aleko Likaj, mendja më shkoi padashur te Nefeli, kjo zanë e mirënjohur e mitologjisë greke e cila, një ditë, duke fluturuar në trajtën e resë së tejdukshme mbi pallatin madhështor të Orhomenit, diku në Beotinë e largët mitologjike, vendosi të zbresë aty, e dashuruar me mbretin e quajtur Aramant, duke braktisur në këtë mënyrë, me dëshirën e saj, hapësirën e pamatë të qiellit të kaltër…
Në bazë të ligjeve të mirënjohura të së njëjtës dashuri të pamposhtur, klasike, të përsëritur midis qëniesh romantike, vajza e re franceze me origjinë nga Bordoja e Francës, e quajtur Brizhitë, vjen e dashurohet me Bardhin, djaloshin nga Shqipëria e kohëve të përbindëshme diktatoriale, staliniste, i cili gjendej në vendin e saj për studime universitare. Pra, në këtë pikë, kushdo gjen rastin të ndiejë në roman atë endjen e madhe që zakonisht lexuesit i dhurojnë në shpirt të ashtuquajturat “love story”. Sa për krahasimin tim me Nefelin apo nimfën e bukur të qiejve, bëhet fjalë në këtë rast për vetë kryeqytetin e botës, për Parisin apo ndryshe, të ashtuquajturin “Qytet i Dritës”, qielli i magjishëm i të cilit, i imortalizuar edhe prej një serë artistësh e këngëtorësh me famë botërore, duke filluar nga Zhan Burzhua Mistinget, Moris Shevalie, Edith Piaf, Sharl Aznavur, Iv Montan e duke përfunduar te Mathië Shedid e Vanesa Paradis, nuk mund të mos i dhurojnë shpirtit njerëzor atë dehjen e jashtzakonëshme, tejet admiruese, në delir apo ekstazë, për të cilat, një poet i madh francez, si Lamartini, shprehet se, në prani pamjesh të tilla magjepsëse, psherëtimat nuk mund të mos ngjiten me një lehtësi të përkryer, lart, në kupën e qiellit…
Deri në këtë pikë, kur Bardhi ende nuk ka marrë urdhër të prerë prej autoriteteve-hiena komuniste, për të braktisur Parisin e për tu kthyer urgjent në vendin e tij, lexuesi, lehtë mund të imagjinojë se dashuria me Brizhitën lundron e magjishme e me vela të hapura, të tendosura prej fryrjesh bulçish të purpurta amorësh me krahë, të bukur e romantikë… Por ja që vjen fare papritur një cast mizor ku heroi arrin të kuptojë se, ashtu i kthyer përfundimisht në atdheun e tij të dashur, nuk mund të aspirojë më për asnjë lidhje me qiellin blu të Parisit ku gjendet e dashura e tij. Për tu ndier më pas, jo vetëm shpirtërisht por edhe fizikisht, i burgosur e torturuar në rrathët më të përbindshëm e më monstruozë të Ferrit shqiptar, të ndërtuara me mjeshtëri prej një Makbethi kriminel si Enver Hoxha, i cili nuk ngurron t’u verë thikën në grykë vetë bashkëkombasve të tij. Ndërkohë, në ato kushte hetuesish të egra mesjetare, për dashnorin e torturuar e të lemerisur, Brizhita e tij e dashur nuk mund të përbëjë veç një ëndërr tmerrësisht të pakthyeshme.
Ja si i paraqet autori çastet e lajmërimit për largim nga Franca: “Në fillim kishte qenë një ëndërr. Pastaj një makth, që e kishte kapluar ashtu të zhveshur e të shtrirë në shtrat studentin nga Shqipëria dhe që e bëri të rrotullohej e të ndryshonte krah disa herë nën çarçafin e bardhë. Më pas kishte ardhur zilja e telefonit. Zgjati dorën përgjumshëm dhe kapi receptorin. Një zë urdhërues nga ana tjetër e telit. Si një kumt nga një tjetër botë… Ishte pas mesnate. Binte shi dhe era ulërinte si një ulkonjë e vjetër plakë, që kërkon gjah në një humbëtirë gati të harruar e të vetmuar nga bota. Në mëngjes pa zbardhur mirë ishte vënë për udhë…”
Lexuesi gjen në këtë mënyrë rastin në roman, për të rënë në kontakt me natyrën paranajoke të Enver Hoxhës, diktatorit të madh të Shqipërisë komuniste, i cili drejtoi me zjarr e hekur gjatë gjysëm shekulli duke drejtuar vendin e tij drejt shkatërrimit të plotë. Një prej këtyre viktimave ishte jo vetëm Bardhi por edhe gjithë familja e tij.
Sa më sipër, deri diku jo pa qëllim jam duke përdorur terma karakteristike të koncepteve të Errësirës dhe Dritës manikeiste, edhe pse nuk dyshohet aspak që Enver Hoxha paraqet për shqiptarët një individ ekzemplar, përfaqësues të obskurantizmit mesjetar apo ndryshe një qenie tipike me insufiçiencë mendore apo shpirtërore. Veç, duke huazuar këndvështrimin e një personaliteti të madh akademik si filozofja gjermano-hebre e natyralizuar në amerikane, Hanna Arendt, rreth vlerësimit të një prej shfarosësve më të mëdhenj të hebreve gjatë periudhës së olokaustit gjerman, të famshmin Adolf Aihman, i cili gjatë diktaturës hitleriane arriti të asgjësojë mbi gjashtë million çifutë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Enver Hoxhën. Në mënyrë analoge, edhe për të mund të pohohet me plot gojën se ai nuk ishte budalla por vetëm një individ të cilit i mungonte mendimi. Në kuptimin se kurrë nuk arrinte të pyeste vetveten se çfarë qe duke kryer në një mënyrë tejet mizore kundër popullit të tij. Duke ndier boshllëk në kokë e duke i munguar gjithashtu aftësia dialoguese me vetveten, ai kurrë nuk ndjeu ti lindëte në kokë ndonjë mendim i caktuar vetëkritik apo të ndiente përgjegjësi për kasaphanën njerëzore të realizuar nëpërmjet urdhrave të tij makabre. Sipas Hannës, çdo individ i tillë nuk përbën asgjë tjetër veç, thjesht, një njeri banal. Bëhet fjalë në këtë rast për “Banalitetin e të Keqes”. Ku, nuk mund të bëhet fjalë më për një të keqe manikesiste të trajtuar nëpërmjet kendvështrimit të ashtuquajtur të Dritës dhe Errësirës, të trajtuar nëpërmjet termave: djallëzore, monstruoze, kriminel, sketerrë e Hekatë, që aq shumë gjenden sot të trajtuara zakonisht në gazeta, libra, kinematografi, arte grafike apo në television…
Ajo që më bën përshtypje akoma më të thellë në romanin “Vajza e Gjeneralit”, të shkruar me një ndjenjë të veçantë humaniste nga autori, është fakti se një komb i tërë prej tre miljon shqiptarësh gjendet i paralizuar nga frika që ndien prej hijes së rëndë të diktatorit. Sigurisht, fare të paktë janë tipat që bëjnë përjashtim nga ky rregull, midis tyre edhe heroi i romanit, Bardhi, i cili pëson krizë të forte nervore gjatë torturave në hetuesi dhe, megjithatë, nuk rrëfen askënd për të ndihmuar keqbërësit e Sigurimit Shqiptar. Në të njëjtën mënyrë stoike vepron edhe babai i tij, duke i rezistuar të keqes me forcën e domosdoshme shpirtërore të karakterit të tij të fortë, ndërkohë që, pothuajse gjithë viktimat e tjera mbarëpopullore shndrrohen padashur në instrumenta apo vegla të verbra e të bindura të sistemit komunist.
Për të hedhur dritë mbi shoqëritë nën diktaturë, na bie për detyrë ti referohemi shkrimtarit dhe poetit francez Charles Péguy nga Orleani i cili e quan kryefamiljarin (në origjinal: pater familias) si një nga aventurierët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë..
Kemi në këtë rast të bëjmë me fakte të pakundërshtueshme që lidhen me të ashtuquajturin kryefamiljar të devotshëm, i cili gjendej totalisht i interesuar vetëm për mirëqënien e tij. I parë nën dritën e frymës fisnike që dallon autorin Aleko Lika, nën presionin e situatave kaotike politiko-ekonomike të kohës ku jeton, pater familias, ca më shumë nën diktaturat komuniste shndërrohet në një aventurier të madh. Ashtu i nënshtruar deri në palcë e servil nga interesi dhe frika e tmerrshme që i provokon sistemi vrastar, kryefamiljari nuk është në gjendje për të menduar asgjë tjetër më me vrull, prej mëngjesit e deri në darkë, veç për pensionin e vet, për të ardhurat e jetës, për sigurimin e gruas dhe fëmijëve të tij. As që mund të bëhet fare fjalë në këtë rast, për këtë lloj tipi, të sakrifikojë bindjet e veta morale, nderin dhe dinjitetin për hir të së vërtetës apo ndryshe tragjedisë së thellë, që është duke vuajtur me lemeri të thellë vendi i tij.
Me fjalë të tjera, me përjashtime fare të vogla tre milionë shqiptarë nuk përbënin në atë kohë veç një turmë nga pikëpamja psikologjike. Jo vetëm frika e rënies në disgrazie politike por edhe gëlltitja në bark e gjithfarë gënjeshtrash të propagandës dominonte jo vetëm ndërgjegjen por edhe botën e pakontrolluar të inkonshiencës. Jo vetëm njerëzit e thjeshtë por edhe të mbijetuarit ende të pa burgosur, apo të pa ekzekutuar, në të ashtuquajturin bllok të udhëheqjes, ashtu të privuar nga gjykimi i shëndoshë cerebral, gjendeshin të mbërthyer prej jetës nervoze veçanërisht në çastet e Spastrimeve të Mëdha apo vetëvrasjes aq të dyshuar të kryeministrit shqiptar të asaj kohe.
Lexuesi, nëpërmjet romanit “Vajza e Gjeneralit”, gjen rastin të zbulojë në mënyrë spontane se sa shumë bie poshtë inteligjenca e qenies njerëzore, për t’ia lënë vendin ndjenjave dhe instinkteve të pakontrolluara… Qe koha kur njerëzit bërtisnin si të tërbuar nëpër parada madhështore pa u rezervuar aspak, nëse do t’ju kërkohej për të qenë sa “heroikë” po aq edhe kriminelë. Ngaqë personaliteti zbehet e tretet ndërkohë që ndjenjat e çdo njësie të tillë, përbërëse të turmës, drejtohen drejt një ideje të vetme e cila nuk mund të jetë veç ajo e diktatorit që i shtyp keqas. Kolektiviteti, aq shumë i adhuruar e fatal veçanërisht në kultura të prapambetura njerëzore, e shndërron turmën në një masë të mirëfilltë me karakter psikologjik të mbytur prej mijëra emocionesh të dhunshme të denja për qenie monstruoze. Secili prej njësisë së turmës, përfshirë këtu edhe intelektualin, ndien, mendon dhe vepron në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ajo që do të ndiente, mendonte e vepronte në qoftë se do të gjendej në trajtë individuale. Vlen të vihet në dukje gjithashtu se turma psikologjike, paraqet një gjendje provizore. Ajo është e përbërë prej elementesh heterogjene për një çast të bashkuar midis tyre, njësoj si qelizat e një trupi të gjallë, të cilat me bashkimin e tyre formojnë një qenie njerëzore të gjallë, që manifeston cilësi tepër të ndryshme prej celulave që e përbëjnë. Ndodh njësoj si në bashkimet kimike ku në sajë të reaksionit, krijohen substanca të reja me karakteristika krejt të ndryshme prej të mëparshmeve. Dhe, e keqja më madhe që ndodh në këtë rast, është se aktet e pamoralshme burojnë prej shpirtit trashëgimor të kopesë primitive. Dalin të dritë atavizma të cilat përbëjnë shpirtin e racës apo egërsisë të cilat shpesh injorohen brenda natyrës tonë. Në turmë edhe matematikani edhe çobani janë një. Nuk kanë ndryshim. Sepse nuk bëhet më fjalë për veprimin e botës së ndërgjegjshme por të botës instiktive të pa kontrolluar dot nga arsyeja.
Pikërisht, për këtë vlejnë ca romane me vlera me të vërtetë të mëdha zbuluese për ti çjerrë maskën sistemit komunist. Dhe autori Aleko Likaj është në gjendje të përmbushë më së miri misionin e tij letrar në këtë pikë. Pena e tij letrare bën që dashuria midis Bardhit dhe Brizhitës të triumfojë në roman.
Në këtë pikë autori lë vend për një farë romantizmi te libri i tij interesant “Vajza e Gjeneralit”. Sikur të thuhet se bëhet fjalë për ditët e ngrohta të Alkionës mitologjike në palcën e thellë të një dimri të jashtëzakonshëm. Siberian. Sipas mendimit tim, kjo ndodh ngaqë autori, si atdhetar humanist e me ndjenja të ngrohta ndaj vendit të tij, dëshiron të zbusë sado pak një realitet të ftohtë e tejet poshtërues, si ai që jetuan gjithë shqiptarët, pa përjashtim, nën diktaturë. Romantike paraqitet edhe Brizhita, në trajtën e një Penelope besnike çuditërisht në një botë perëndimore të mbushur me të ashtuquajturat “vajza nëna” në kulmin e lirive seksuale erotike, në qark të shkurtër, të një nate. Sa për besën e fshehur pas çdo rregulli e fjale të shprehur në Kanunin e Lek Dukagjinit që përmend autori në roman, për të kujtuar zakonet e vjetra të shqiptarëve, për këto nuk mund të bëhet kurrsesi fjalë në një vend me diktaturë të sofistikuar të përmbytur prej totalitarizmit galopant, ekstrem, stalinist.
Në roman lexuesi mëson se Brizhita i qëndron me vite të tëra besnike të zgjedhurit të saj të zemrës deri sa takohen një ditë pas vitesh të tëra ndarje. Është një veçanti e zemrës dhe ndjenjave njerëzore të shkrimtarit Aleko Likaj për të mbjellë, qoftë edhe në një shkretëtirë morale, farën e bukur të individëve të ashtuquajtur “të rrumbullakët” me dinamizëm e besë në shpirt, të cilët ndryshojnë aq shumë prej tipave statikë, të sheshtë, të quajtur ndryshe edhe “personazhe stok” që, në diktaturë i gjen në trajtën e veglave të saj të bindura.
Sa për termin “Banaliteti i të Keqes”, që kam përdorur më sipër, ky i përket një personaliteti filozofik e gjithashtu dinjitoz si Hanna Arendt e cila thotë: “Është opinioni im se e keqja nuk mund të jetë kurrë radikale, por vetëm skajore; dhe që nuk posedon as thellësi, as një dimension djallëzor. Ajo mund të përmbysë botën të gjithë dhe ta shkatërrojë, më saktë sepse përhapet si një kërpudhë mbi sipërfaqen e saj. Është një sfidë për mendimin, siç kam shkruar, sepse mendimi kërkon të shkojë në thellësi, tenton të shkojë në rrënjët e problemit, dhe në çastin që interesohet për të keqen ndëshkohet, ngaqë nuk gjen asgjë. Ky është banaliteti i tij. Vetëm e Mira ka thellësi dhe mund të jetë rrënjësore.”
Këtë frazë të fundit, se vetëm e mira ka thellësi dhe mund të jetë rrënjësore, jo vetëm tani por edhe në të kaluarën, kur Alekua shkruante me impenjim total shpirtëror për fatin tragjik të vajzës së Liri Belishovës, dua t’ja dedikoj shpirtit të bukur e human të vetë autorit i cili, në sajë të ndjenjash me të vërtetë të bukura e humane, arrin të nxjerrë nga duart e tij një vepër të dashur e rrëmbyese si kjo që lexuesi shqiptar ka rastin të lexojë të titulluar “Vajza e Gjeneralit.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleko Likaj, Robert Martiko, Vajza e Gjeneralit

Triologjia e verës dhe Gjykata Kushtetuese

October 11, 2014 by dgreca

Nga Edmond BANUSHI/
Për të nxehur këtë verë me temperatura jo të larta, mendoi qeveria. Kontrolli i privatësisë, imei, kontrolli i gjyqësorit, KLD, kontrolli i njësive të qeverisjes vendore, me ligj, duke u ndryshuar harta e tyre, dhe me akt administrativ, duke u hequr kompetencën, qenë temat e ditës.
Këto dëgjohen nga kryeministri dhe zëdhënësit e tij, që asnjëri nuk ia kupton idetë dhe i japin dhe dozën e tyre të paditurisë, absurditetit që flet i madhi. Nuk di pse bëjmë të njëjtat gabime këto 20 vjet, vetëm ndryshon autori, por gabimet janë të njëjtat.
U fol për imei, numrin identifikues të telefonit, më privat nuk ka se ku të bëhet! U justifikua qeveria, ҫuditërisht me ministren e teknologjisë, jo me atë të financave, se duhej për të mbledhur taksat, dhe për të shmangur evazionin fiskal, por ҫ`lidhje ka telefoni që unë, ti, ai, të gjithë ne, kemi aktualisht në xhep, po e përdorim, me mbledhjen e detyrimeve doganore, që të gjithë e dimë bëhet për telefonat e rinj, harroi të na e spjegojë ministrja. Po, kaq të trashë na dinë?? Pastaj, është një ligj (nr. 9712, datë 16.4.2007), që detyron ata që importojnë telefona celularë të rinj brenda territorit të R.Sh,. t`i deklarojnë dhe të regjistrojnë numrin e imeit me qëllim pagimin e detyrimeve tatimore, përse duhej një vendim i këshillit të ministrave?
Përveҫ këtij absurditeti, regjistrimi i sendeve të luajtshme nuk mund të parashikohet me vendim të këshillit të ministrave por me ligj, është parim i Kodit Civil, por sic duket në qeveri nuk ka juristë ose i kanë marrë diplomat, siҫ thonë gojët e liga, duke i blerë.
Për të mos folur për antikushtetueshmërinë e këtij akti, që prek jetën private, fshehtësine e korrespondencës dhe mjeteve të komunikimit. Neni 35 dhe 36 i Kushtetutës parashikon që mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, pra jo me vendim të këshillit të ministrave dhe liria dhe fshehtësia e cdo mjeti komunikimi janë të garantuara. Nuk ka nevojë të përhapemi për ta kuptuar shkeljen e të drejtave të njeriut nëpër rastet e Gjykatës së Strasbourgut, e kemi të shkruar në Aktin tonë Themelor.
Gjykata Kushtetuese foli, pezulloi zbatimin e këtij akti arrogant, por qeveria në vendimin e saj kishte parashikuar afate shumë të shkurtra zbatimi, jo pa qëllim, dhe efektet antikushtetues mund të kenë ardhur ndërkohë. Kush na garanton që kjo bazë të dhënash antikushtetuese do të shkatërrohet?!
Pikërisht këtu qëndron gjithë djallëzia e ekzekutivit të pakontrolluar.
Janë dhe dy temat e përhershme që nuk mungojnë në asnjë edicion lajmesh, ajo kundër drejtësisë dhe ajo kundër ndërtimeve pa leje. Nuk e mohoj, janë të rëndësishme të dyja, ndërtimet pa leje dhe me leje, që po na marrin frymën, jo vetëm duke zënë sipërfaqet të gjelbra, lulishte, blu, dete e liqene, e të hirta, gërxhe malesh, por na i kanë mbushur mushkëritë me cimento,e kemi gjithmonë zhurma matrapikësh e betonë-hedhësesh në vesh, se nuk përfundojnë kurrë ndërtimet në këtë vend të bekuar, dhe drejtësia, që duhet të jetë e drejtë në fund të fundit, por kjo realizohet duke qene te pavarura, jo duke u kontrolluar (apo varur) nga forca (shpesh dhe humori) e qeverisë apo shumicës parlamentare.
Sa herë ndryshojnë pozicionet opozitë-pozitë, janë të njëjtat diskutime, të njëjtat beteja që hap e mbyll opozita e veshur me pushtet tashmë. Në 2005, Berisha, i sapo veshur me pushtet, filloi betejen me KLD, atë që po ben sot Rama, pasi bëri presion duke u marrë me emra konkretë të saj, nuk arriti gje, dhe u miratua një ligj (që mesa më kujtohet u “propozua” nga baza me peticione të nënshkruara që ia shtinë në mend) që më pas u deklarua antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, ligjit nr. 9448, datë 05.12.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Për të freskuar kujtesën për ata që nuk kanë memorie të gjatë, sipas këtij ligji u përcaktua papajtueshmëria e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me çdo veprimtari tjetër politike, publike ose private (përveç mësimdhënies), pasi vjen në kundërshtim me përcaktimin kushtetues të anëtarësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkak të detyrës si gjyqtar, duke i detyruar anëtarët e KLD që ishin gjyqtarë të zgjidhnin brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërmjet mandatit të gjyqtarit dhe atij të anëtarit të KLD, duke qënë se u konsiderua si konflikt interesash.
Po këtë po dëgjojmë edhe sot, sipas pozitës së sotme, që nuk është Berisha, gjyqtarët nuk duhet të jenë anëtarë KLD pasi mbrojnë njëri-tjetrin dhe ka konflikt interesash. Ndërkohë ligji nr. 9448, datë 05.12.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, është kundërshtuar nga opozita e asaj kohe, dhe përfaqësues në Gjykatën Kushtetuese ka qënë pikërisht i flakti z.Ylli Manjani. Sipas opinionit të tij të asaj kohë, ligji i Berishës (gjuha e opozitës së atëhershme) dilte jashtë logjikës kushtetuese të përfaqësimit të gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe cënon parimin e vetëqeverisjes së tij. Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 14, datë 22.05.2006, i dha të drejtë opozitës së asaj kohe, duke konsideruar se ndërprerja para përfundimit të afatit të përcaktuar në nenin 147/1 të Kushtetutës të mandatit të anëtarëve të KLD, me anë të përcaktimeve në ligj, është antikushtetuese. Bazuar në nenin 116 të Kushtetutës, në hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë te detyrueshme për pozitë e opozitë, i pari është pikërisht Kushtetuta dhe cdo akt tjetër duhet të jetë në përputhje me të. Sipas Gjykatës Kushtetuese, të vendosur në lëvizje me kërkesë të opozitës së kohës, të përfaqësuar nga i nderuari z.Manjani, afati 5-vjecar i antëtarëve të KLD, duke qënë afat kushtetues, nuk shkurtohet dot me ligj.
Por e keqja ishte bërë ndërkohë. Përbërja e KLD ishte ndryshuar, dhe në përfundim të luftës për marrjen e KLD-së, ngelën pa mandat gjyqtari dhe mandat anëtari të KLD-së, pikërisht edhe anëtari i sotëm i KLD-së, Sokol Ҫomo.
Për pak variacion dhe origjinalitet, pozita e sotme zgjodhi rrugën e komisionit parlamentar, duke u ngarkuar anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga parlamenti dhe vendime të marra kur ata nuk ishin zgjedhur ende në këtë funksion.
“Atë, faljua se nuk dinë se c`bëjnë!”
Në rast se ata kanë shkelur ligjin kur kanë votuar në vendimet e KLD-së që nuk i kanë pëlqyer shumicës së sotme, ligjin ka shkelur dhe Presidenti, ligjin ka shkelur dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, se edhe ata kanë votuar, edhe ata të zgjedhur nga Parlamenti janë, përse nuk i shkarkojmë, komisionin e kemi ??!!
Dhe sikur të niset nga motive fisnike kontrolli mbi KLD ka pasoja të rrezikshme për shoqëri me ekuilibër të brishtë si e jona. Ndërsa kryeministri dëshiron që për sa kohë nuk e kontrollon KLD-në, inefiҫenca e gjykatave të jetë alibi për dështimet e qeverisjes.
Fushata tjetër, pjesë e trilogjisë, na kujton të famshin “Zogun e Zi”.
Vetë i nderuari kryeministër i sotëm kryetar i Bashkisë Tiranë, në kohën e konfliktit të famshëm, vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, (në atë kohë i donte gjykatat) duke pretenduar se sipas parimeve të decentralizmit të pushtetit, të autonomisë vendore, të subsidiaritetit dhe të proporcionalitetit të parashikuar në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 8548, datë 11.11.1999, të cilët kanë gjetur zbatim në ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, bashkitë dhe komunat ushtrojnë funksionet e veta dhe janë përgjegjëse në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike. Bazuar në aktet e mësipërme i nderuari kryeministër i sotëm ka kundërshtuar si antikushtetues ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” dhe të ligjit nr. 8408, datë 25.09.1998 “Për Policinë e Ndërtimit” pasi sipas tij cenojnë parimin e decentralizmit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, i atribuojnë pushtetit qendror çështje të administrimit të ndërtimeve dhe territorit, si dhe uzurpojnë vendimmarrjen lokale. Funksioni parësor i pushtetit vendor është administrimi i territorit nën juridiksion, vendosja e policisë ndërtimore nën varësinë e pushtetit qendror, duke e pajisur me kompetenca ekzekutive dhe urdhërdhënëse për çështje të pushtetit vendor, bien ndesh me parimin e autonomisë vendore dhe të proporcionalitetit të përcaktuar nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore.
Dhe Gjykata Kushtetuese foli, përcaktoi se ish-kryetari i bashkisë, kishte të drejtë, dhe vendosi që shqyrtimi dhe miratimi i lejeve të ndërtimit, si çështje të planifikimit dhe menaxhimit urban që përfshihen në konceptin ligjor “funksionet e veta”, janë kompetencë e plotë dhe ekskluzive e organeve të qeverisjes vendore.
Sipas vendimit të cështjes së Zogut të Zi, e drejta e shfuqizimit të akteve të paligjshme të KRRT-ve që funksionojnë pranë organeve të qeverisjes vendore është kompetencë e organeve të pushtetit gjyqësor, si dhe KRRT-ja është organ i specializuar për urbanistikën që ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vendimmarrëse në fushën e planifikimit dhe të menaxhimit urban, nën autoritetin e pushtetit vendor.
Por ama ndërtimi tek Zogu i Zi u prish. Paratë tona u shpërdoruan.
Sot i nderuari kryeministër aktual mendon ndryshe, me një akt admnistrativ, të pushtetit qëndror, pezullon zbatimin e ligjit, nga organet e qeverisjes vendore, merr përsipër të ndalojë kohën, dhe për më tepër të bëhet edhe gjykatë, duke përcaktuar dhe cilat akte te KRRT-ve janë të ligjshme dhe cilat janë të paligjshme.
Përveҫ se po veprojnë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendime që janë përfundim i proҫeseve që janë iniciuar prej kësaj force politike, më e cuditshmja është se janë po të njëjtat zëra të kësaj force politike. Ose ka evoluar mendimi i tyre, ose janë me kujtesë të shkurtër, ose kujtojnë që populli dele, është me kujtesë të shkurtër.
Ne gjithë këtë zhurmë të madhe, është gjykata që flet fjalën e fundit, ndaj gjykata duhet të jetë e fortë dhe e pavarur, se gjykata ndryshe nga politika që me ndryshimin e karrikes, në opozitë apo në pozitë, ndryshon dhe opinion, gjykata duhet të jetë e qëndrueshme, madje në vendimet e saj t`u rikujtojë palëve edhe qëndrime të saj të mëparshme, nga të cilat nuk mund as devijojë.
Por, ndërkohë, për fat të keq, sic ka treguar historia, pasoja e dëshiruar, qëllimi antikushtetues derisa të flasë gjykata, do të arrihet, dhe dëmi është përsëri mbi ne.
Një nga dallimet thelbësore midis vendeve demokratike dhe autoritare është pikërisht qëndrimi ndaj gjyqësorit, dhe posaҫërisht ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pushteti absolut është shumë joshës por dhe po aq i rrezikshëm dhe vetëm një gjykatë e pavarur mund ta mbajë drejt cfarëdo qeverije, që të ketë kurajo t`i kontrollojë dy pushtetet e tjera, dhe të thotë të vërtetën me gjuhën e ligjit.
Joshjes së të paturit nën kontroll të këtij pushteti nuk i kanë shpëtuar as udhëheqës të mëdhenj. Franklin D.Roosevelt, u zgjodh në vitin 1932, në mes të Depresionit të Madh, me 57% të votave, president i SH.B.A-ve. Partia Demokratike kishte mazhorancën sa në Kongres edhe në Senat. Me një forcë të tillë zgjedhore, ai aprovoi me shpejtësi një pakt fiskal që njihet me emrin “New Deal”, për të dalë nga humnera financiare. Katër ishin këmbët themelore të tij, pakti, “National Industrial Recovery Act (Nira)”, që nuk ishte gjë tjetër veҫse një masë mbrojtjeje e tregut kombëtar; “Public Works Administration (Pwa)”, që ishte zbatimi praktik i teorisë ekonomike keynesiane, të rritjes së shpenzimit publik për rimëkëmbjen e ekonomisë; (u ndërtuan shumë vepra të mëdha, një nga të cilat është Overseas Highway, rruga me pamje të mrekullueshme që lidh Key West dhe shumë ishuj të tjerë me Miamin.); “Social Security Act”, që futi për herë të parë asistencën sociale dhe hodhi bazat e “Welfare State” të sotëm në Amerikë dhe “National Labor Relations Act”, që forcoi akoma më tepër të drejtat e punëtorëve, por veҫanërisht rolin e sindikatave në kontratat kolektive me punëdhënësit.
Këto masa shkaktuan diskutime të shumta dhe të ashpra. Ndërkaq Supreme Court of the United States, ekuivalentia e Gjykates Kushtetuese tek ne, ishte shprehur, me rezerva për Nira-n, më 27 maj 1935, duke e shpallur nenin e parë të tij në kundërshtim me Kushtetutën. Në të thuhej, midis të tjerash,shprehimisht “Rrethanat e jashtëzakonshme mund të kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Por … rrethanat e jashtëzakonshme nuk mund të të japin me shumë pushtet se ҫ`parashikon Kushtetuta”. Të gjitha shtetet e hodhën në gjyq qeverinë federale dhe ndërsa gjyqet vazhdonin, më 1936, Roosevelt u rizgjodh president, me 61% të votave. Gjatë gjithë fushatës ai e kishte sulmuar Supreme Court, por kulmin e arriti në transmetimin radiofonik të datës 9 mars 1937. Ai tha, përafërsisht, se forma e qeverisë amerikane e dhënë nga Kushtetuta, është si një grup me tre kuaj, ku dy prej tyre, Kongresi dhe ekzekutivi ecin në unison, ndërsa i treti gjyqësori, jo. Duke qënë se ai humbi 5 me 4 në gjykatë, mendoi se do të ishte mirë t`i hiqte qafe gjyqtarët duke u “qarë” hallin për punën e rëndë. Nëpërmjet një plani të paraqitur prej tij “Judiciary Reorganization Bill”, kërkoi që të dilnin në pension gjyqtarët mbi 70 vjeҫ dhe të drejtën për të emëruar deri në gjashtë gjyqtarë të rinj. Ndonëse partia e tij kishte shumicën në kongres dhe senat, ata e hodhën poshtë propozimin, madje e quajtën një “kërkesë të rrezikshme, që u largohet parimeve kushtetuese”. Në këtë kohe “New Deal” dha shenjat e para pozitive në ekonomi, u përmirësuan kushtet e punëtorëve të bardhë (për ata me ngjyrë nuk bëhej fjalë fare). Megjithatë koha u dha të drejtë gjyqtarëve të pavarur. 48 shtete e fituan gjyqin me qeverinë federale, por ndërkaq masat ishin zbatuar tërësisht. Ekonomia amerikane hyri perseri në krizë në fund të vitit 1937. Pas shumë kompromiseve ligjet e New Deal u gjykuan në përputhje me Kushtetutën.
Këtu qëndron dallimi midis ligjvënësve amerikanë të zgjedhur nga populli, kanë turp nga historia, dhe atyre shqiptarë të emëruar nga Baballaret e partive, që nuk e kanë as në fjalor këtë fjalë.
E kundërta ndodhi në vitet nentëdhjetë në Peru dhe Venezuelë. Presidentët Fujimori dhe Chavez pas fitoreve në zgjedhje kërkuan dhe realizuan rishkrimin e kushtetutave përkatëse dhe vunë totalisht nën kontrollin e tyre gjyqësorin. Por nëse ka ngjarje që ngjan si dy pika uji me rastin amerikan, është Carlos Saul Menem në Argjentinë. Natyrisht që e kaluara e këtij shteti ishte shumë e trazuar. Brenda një shekulli kishte provuar 2 herë diktaturën ushtarake. Por edhe ata që vinin në pushtet me zgjedhje, kishin deshirë si paraardhësit militarë të nënshtronin gjyqësorin. Në vitin 1990 u bë kalimi demokratik, nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Partia për Drejtësi i zuri vendin Partisë Radikale. Duke qënë kjo forcë politike në fuqi që nga viti 1983, natyrisht që anëtarët e Gjykates Kushtetuese ishin zgjedhur nga presidenti I mëparshem. Që gjatë fushatës zgjedhore, Menem u bënte presion, madje edhe thirrje të hapur për dorëheqje anëtarëve të kësaj gjykate. Dhe vetëm 3 muaj pas ardhjes në pushtet, ashtu si Roosevelt në 1937 u “qau hallin” gjyqtarëve se punonin shumë dhe propozoi një ligj në parlament që shtonte numrin e tyre nga 5 në 9. U aprovua me shpejtësi rrufe dhe kështu Menem pati edhe në gjykatë mazhorancën. Tregojnë një episod kuptimplotë për këto ngjarje në Argjentinë. Menem sapo erdhi në pushtet i ofroi nje post si ambasador në një vend të rëndësishëm një anëtari të Gjykates Kushtetuese Carlos Fayt. Pasi e refuzoi Fayt, autor i 35 librave, i nisi një kopje të librit që kishte shkruar mbi “ligjin dhe etikën” me dedikimin shkruar me dorë “Kujdes, e kam shkruar unë këtë libër”.
Baza e pamundësisë për të dalë shpejt nga kriza ekonomike, lulëzimi i korrupsionit, rritjes së kriminalitetit, në vendet që kanë në bazë zgjedhjet demokratike është pikërisht cënimi që politika i bën pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Kjo do të thotë që mosrespektimi i parimit bazë të demokracis, ai i ndarjes dhe pavaresisë së pushteteve, nuk është problem vetëm i prokurorëve dhe gjyqtarëve, por i të gjithë qytetarëve.
Ne kemi fatin të njohim historinë e vendeve të tjera dhe të zgjedhim modelin që duhet të ndjekim, e ҫfarë bëjmë?? Përsërisim po të njëjtat gabime tonat, megjithëse e dimë përfundimin, vetëm për arritjen e një qëllimi afat- shkurtër, të errët të cilin historia nuk do të na e falë.

Filed Under: Analiza Tagged With: ''GJYKATA KUSHTETUESE, Edmond Banushi, Triologjia e verës dhe

HALLET E EMIGRACIONIT- SIKUR KY “NJOFTIM” TË VINTE NGA TIRANA…

October 11, 2014 by dgreca

Vëzhgim/
Abdurrahim Ashiku-Athine/
Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” me përvojë 10 vjeçare tashmë, kërkon mësues/e vullnetarë/e për mësimdhënien e Gjuhës Shqipe tek fëmijët e emigrantëve në Selanik.
Mësimi zhvillohet çdo të diele, 11.30-13.00, tetor – qershor, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” me bazë didaktike të siguruar nga shoqata.
Sikur një njoftim i tillë të kishte adresë përcjellëse nga Tirana, posaçërisht nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, do të gëzonte një numër shqiptarësh që bërë listë do të konkurronte me banorët –listë emërore të Tiranës mbarë.
Sikur…
Por njoftimi nuk vjen nga Tirana por nga Selaniku, qyteti i dytë në Greqi pas Athinës me ngujimin më të madh të mërgimtarëve shqiptarë, qyteti me “urinë” e njohur për t’i mbledhur fëmijët në mjediset e Universitetit “Aristoteli” për tu mësuar atyre, tash më se një dhjetëvjeçar të shkruajnë, lexojnë, recitojnë, këndojnë dhe flasin shqip.
Pa hyrje të mëtejshme po përcjell njoftimin…
Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” me përvojë 10 vjeçare tashmë, kërkon mësues/e vullnetarë/e për mësimdhënien e Gjuhës Shqipe tek fëmijët e emigrantëve në Selanik.
Mësimi zhvillohet çdo të diele, 11.30-13.00, tetor – qershor, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” me bazë didaktike të siguruar nga shoqata.
Mësueset/it duhet të jenë të diplomuar në Universitetet shqiptare në degët CIKLI I ULËT dhe GJUHË – LETËRSI SHQIPE dhe të kenë dëshirë për të ushtruar profesionin e tyre duke u mësuar shqip fëmijëve tanë.
Personat e interesuar do të dorëzojnë pranë kryesisë së shoqatës një fotokopje të diplomës së tyre si dhe një CV. Ju lutemi kontaktoni në numrat e mëposhtëm:
Evri 6931401607 gjatë orëve 12.00-20.00
Keti 6949708166 gjatë orëve 8.00-15.00
Ju mirëpresim të ndajmë së bashku këtë përvojë të mrekullueshme!
Njoftimi, i përcjellë në facebook pasi tashmë në Greqi janë “dorëzuar” para lexuesit të gjithë gazetat në gjuhën shqipe, është një thirrje që nuk duhet të kalojë në heshtje.
Nuk duhet të kalojë në heshtje nga mërgata shqiptare në Greqi, nga shoqatat dhe tubimet e shoqatave, detyra e të cilave nuk është të gjejnë mësues por të hapin auditorë shkollash dhe t’i mbushin ato me nxënës.
Nuk duhet të kalojë në heshtje nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, detyrimi kushtetues i së cilës është t’u sigurojë…”shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare” (Neni 8).
Rrjedhë e këtij detyrimi kushtetues ku “Kushdo ka të drejtën për arsimim” (Neni 57) njoftimi i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë “Nëna Tereza” duhet të kishte jo thjesht një përgjigje por një përkujdesje të menjëhershme.
Heshtja si në tablonë e njohur “Në Shipkë ka qetësi”, përjashtuar disa lexuesve që bënë like dhe disa të “çuditurve” e të “habiturve” që tash pas më shumë se një dekade mësuan se në Greqi gjuha shqipe jepet nga mësues të dashuruar pas saj vullnetarisht, pa asnjë pagesë, çdo të shtunë apo të diele, kaloi siç kalon zëri në efir.
Selaniku i më se njëzet mësuesve shqiptarë që tashmë kanë dhënë jo thjesht emrin por shpirtin e tyre për ti tubuar fëmijët dhe me një dashuri të jashtëzakonshme u mësojnë gjuhën e nënës, e ka ngritur zërin dhe vazhdon ta ngrejë. Nuk është i vetëm. Zëri është ngritur tashmë në të gjithë Greqinë, nga stereja në ishujt e Egjeut dhe Jonit.
Në Zakintho ka tashmë kohë që DanelCana në krye të shoqatës së shqiptarëve të ishullit kërkon një “gozhdë” ku të kapet për tu kërkuar zyrtarëve të ishullit lirimin e mjediseve shkollore të shtunën apo të dielën që fëmijët shqiptarë të ulen në banka dhe të mësojnë të shkruajnë gjuhën e nënës.
Në Rodos,, ishullin e njohur për bukurinë dhe për legjendat e moçme Njazi Zebi, mësues me përvojë të gjatë në Dibër, kërkon të njëjtën gjë “gozhdën” ku të kapet për tu mësuar fëmijëve të shkruajnë e lexojnë gjuhën e lashtë shqipe.
Në…
Mund të sjell edhe të tjerë zëra.
Mund të sjell edhe shumë lajmërime nga facebook-u ku me tekste e me fotografi jepen momente të bukura të fillimit të vitit të ri shkollor në hapësirën e gjerë të Greqisë.
Në shënimet e autorëve dhe komentuesve kërkohet që shkollat e mësimit plotësues në Greqi të njihen së pari nga shteti shqiptar në të gjithë detajet, siç njihen shkollat, mësuesit dhe nxënësit në Shqipëri.
Në një njoftim të Shoqatës të Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” në Selanik kërkohen…
mësues/e vullnetarë/e për mësimdhënien e Gjuhës Shqipe tek fëmijët e emigrantëve në Selanik…
Në Selanik…
… Mësimi zhvillohet çdo të diele, 11.30-13.00, tetor – qershor, në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” me bazë didaktike të siguruar nga shoqata.
Kërkesa më modeste 2014…Athinë, 8 t3tor 2014

Filed Under: Emigracion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, NGA TIRANA..., SIKUR KY “NJOFTIM”, TË VINTE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4361
  • 4362
  • 4363
  • 4364
  • 4365
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT