Në udhëkryqe ndanë xhadeve ,ditët e shtuna dalin shpesh ,dhe zgjatin dorën nga makinat,herë dy nga dy herë veç e veç…..
Nga Gëzim Llojdia/
1.Më ngarkoi universiteti ku punoja, për të rrugëtuar në vatrat e dijes në lumin e Vlorës,ku mësojnë nga vocërrakët deri te gjimnazistët për këshillim karriere. Në timon vet dhe përpara kisha udhën e ngrënë nga disa faktorë :koha,lluca,suferina dhe ujërat.
Një zë i bukur sec më ndjell nga mikrofoni i një radioje ,krijimin më të bukur të Kadaresë,për mësuesit e fshatit:
Në udhëkryqe ndanë xhadeve.Ditët e shtuna dalin shpesh.Dhe zgjatin dorën nga makinat. Herë dy nga dy herë veç e veç.Po shpesh ata që janë Brenda.Me njëri-tjetrin shkëmbejnë fraza.Si shumë pretendime kanë.Mor shoku Jani, këto vajza.Dhe janë ata që bëjnë zhurmë.Që kanë për vete dyzet gojë.Që i shkruajnë letër presidiumit.Për një guzhinë po t’ju mungojë.Dhe ato presin makinën tjetër.Atje në rrugë atje në shi.Ato të urtat gjer në dhembje.Të thjeshtat gjer në madhështi.Tek presin, java që kaloi.Iu kujtohet si në tym.Klasa me nxënësit, gabimet.Q’u përsëritën në hartim.Në mbrëmje radion dëgjon njëra.Tjetrës në mend i vjen sërish.Shikimi i fotoreporterit.Q’andej kaloj rastësisht.Koha e fejesës i ka ardhur.Dikujt ndoshta i shkon çdo ditë.Pluhur i shkumësit, vello e bardhë.U bie mbi supe e i trondit.Po s’ngrenë ato botën në këmbë.Në komitet në ministri.Ato të urtat gjer në dhembje.Të thjeshtat gjer në madhështi.
Vllahina ka qenë një sektor ferme i NB Kotës.Ngrehinat e tipit të vjetër janë pallatet e aso kohe,të grupuara përmbi udhë.Të rejat ndërtime janë lokale ,më tej zyrat e ndërmarrjes së naftës,busti i njeriut që u shuri fshasitëve të ‘20,ultimatumin,emrin e ka Selim Mallkeqi.Vllahinën e kam gjezdisur nga të dya nët që e rreh xhadja.Nga sipër udha zbret nga fshtarat naftmbajtëse ,njërezervuar uji dhe nga poshtë duke ardhur nga ura e Peshkopisë ku bënte armë i biri i Xhixhisë…
Shkolla e katundit është sipër,mes një grumbulli banesash. Roja na hap portën. Pyesim.Të gjithë janë në shkollë. Ka ekzistuar një mëndim tërësisht i gabuar.Në shkollat e fshatit nuk bëhet mësim .Klasat të mbyllura dhe asgjë nuk përpinte. Hera-herës dëgjohej zëri i ndonjë mësuesi në dërrasën e zezë. Mësimi këtu nuk dallohej nga ai në qytet vetëm se shkolla ishte për ibret. Dyert që mezi mbylleshin,aq sa i hiqnim zvarrë, xhamat që mungonin në dyert dhe rrall e tek vihej edhe ndonjë gurë pas dere. Godina e shkollës ishte mjaftë e mirë por shteti aty kishte hequr dorë nga investimet që kurrë s’mbahet mend. Mësuesit ata të thjeshtët të palodhurit ishin si ata të poezia e Kadaresë. Vetëm se tani udhëtimet i kryenin me furgonë dhe nga xhepi i tyre.
2.Armeni ka shkollë të madhe , “Filo Ramadani “,quhet shkolla por në kontrastë me Vllahinë ka pak nxënës në shkollën e mesme. Duke ndjekur udhën e asfaltë e thyer ,shkolla e këtij fshati është ndër më të mirëmbajturat. Mermer,xheme,klasa të mëdha dhe ambiente të përshtatshme për të qenë shkollë.Mësuesi Qatip Mara ka shkruar kështu për shkollën e Armenit:Më 20 nëntor 1913 armenasit çelën shkollën e parë shqipe me mësuesin Nuro Ahmet Hoxha nga Tërbaçi Vlorës. Në librin “Armeni në rrugën e dtitës” autori Shpresim Kasaj thekson : “ Pleqësia e fshatit Armen ishte lajmëruar nga Vlora se më 20 nëntor do të hapej shkolla. Ishin marrë masat dhe ishte bërë rregjistrimi i nxënësve. Ishin 17 nxënës , nga mosha shtatë deri dhjetë vjeç. Ishin lajmëruar prindërit që të vinin bashkë me nxënësit te shkolla. Ditën e hapjes së shkollës u mblodhën në qendër të fshatit. Nënësit ishin porositur të mbanin tufa me lule . Nga Vlora erdhi mësuesi, një i deleguar dhe Osman Haxhiu.. nxënësit vrapuan drejt tyre dhe u dhuruan lule Pastaj me ta u përshëndetën gjithë paria e fshatit Osman Haxhiu, mori fjalën dhe prezantoi mësuesin dhe të deleguarin Ai, foli për rëndësinë e shkollës dhe arsimit shqip, dhe i uroi punë të mbarë të shkollës së Armenit. Pastaj , në emër të fshatarëve të Armenit, floën Refat Aliu e Sali Bedini, të cilët falnderuan Qeverinë e Vlorës ,për nderin, që i bëri fshatit të tyre, me çeljen e kësaj shkolle. Të gjitha fjalimet u pritën me duartrokitje dhe brohoritje për Qeverinë e Vlorës dhe Ismail Qemalin…Te sheshi Xhamisë ushtonin këngët dhe valet ushtonin këngët dhe valet. Komisioni i ngritur nga pleqësia e fshatit që më parë, po merrej me përgatitjet e drekës, që do të shtrohej me këtë rast. U therën njëzet e ca mishra e u shkuan në hell. Këngët dhe vallet, nuk pushuan për gjithë ditën. Në fytyrat e të gjithëve, kishte gëzim të madh, të paparë. Sali Bedini, që nuk e ndante mauzerin nga vetja, qëlloi atë ditë disa herë, në shënjë gëzimi dhe hareje. Pas tij, qëlluan dhe të tjerë ,duke i dhënë kësaj dite një atmosferë festive të paparë dhe një gëzim të papërshkruar. Dita e parë e punës më befasoi me mungesën e lokave shkollor për mësim. Në qendër të fshatit përball shtëpisë së kulturës ishte një godinë një katërshe me disa klasa për mësim., të cilat nuk plotësonin as kërkesat më minimale të klasës mësimore. Në largësi nga kjo godinë shkollore mbi mapon tregtare ishte improvizuar për mësim një tjetër godinë vjetërsirë me dy klasa mësimore, dhe në lagjen përball qëndrës së fshatit , në shtëpinë dykatëshe të familjes të pushkatuar nga pushteti komunist, ishin krijuar dy klasa mësmore. Në distancë nga njëra tjetra këto godina shkollore e vështirësonin orën e mësimit, sepse mësuesit ecnin me regjistër në dorë nëpër rrugët e fshatit. Në shumë fshatra të Vlorës ishin ndërtuar shkolla të reja, por për Armenin nuk ishte investuar. Kolektivi i mësuesve të shkollës më rrethoi me ngrohtësi u miqësova shumë shpejt me mësuesit vendas Lefter Haxhiraj, Kujtim Hasimi dhe Shpresim Kasaj. Ish mësuesi im Ylli Bora harmonizonte me humorin e tij jetën e kolektivit të mësuesve. Lefter Haxhiraj si mësues matematike ishte tepër korrekt dhe i përkushtuar për orën e mësimit të matematikës. Edhe pse kishte vetëm një dhomë ishte shumë mikpritës dhe dashamirës., ishte shumë ekzigjent në shkollë, në familje e shoqëri. Performanca e Lefter Haxhiraj ishte e admirueshme, një intelektual i mirë që rrezatonte kulturë qytetare .Kujtim Hasimaj me përvojën e gjatë në arsim , me humorin e tij ishte katalizator i harmonisë të kolektivit, ku shpesh herëdiversiteti i mendimeve dhe keqkuptimet eliminoheshin me taktin që ai përdorte. Mësuesi i gjuhës Shpresim Kasaj i apasionuar për letërsinë .Mësuesit vendas ishin të përgatitur nga ana shkencore, por drejtore shkolle emëroheshin të huaj. Megjithëse klasat ishin jo komode për mësim, aty të prisnin me shumë interes nxënës të zellshëm dhe shumë të edukuar. Në klasën e 8-tëtë vitit shkollor 1970-1971 ,sapo hyra në mësim dallova fytyra të qeshura, me sy tërë ndriçim të nxënësve Hair Hasani, Sokrat Sinaj, Margarita Deshaj ,Mbarime Koroveshi, Liri Veraj, Llamba Gjakatari etj, të cilët me përgatitje sistematike dalloheshin në përvetësimin e koncepteve shkencore. Në vazhdimësi njoha në procesin mësimor nxënës të tjerë të talentuar, si Margarita Haxhiraj, Aleksandër Haxhiraj, Agathi Gerveni, Ferdinand Haxhiraj, Shpresa Haxhiraj , Flutura Islami, Zhaneta Maliqi, Krenar Hasimaj, Arben Nuredini, Ismail Dinushi, Gëzim Islami, Vajsi Haxhiraj , Krenar Hasimi, Donika Veraj… E solla këtë pasazh për të treguar në çfarë kushtesh kanë punuar ata të thjeshtët,mësues dhe të sakrificës.
3.Kam zbritur nga Kuci,përmes rrjedhës së Shushicës. Shkolla,godina ndodhet në atë qafë ku dikur ishin edhe zyrat e kooperativës dhe spitali te ish-sarajet e Gjoleke. Shkolla ka pasur financime të përvitshme nga deputeti Fatmir Toci. Madje ajo ka një kalceto sporti që as në qytet nuk gjendet. Shkolla aty u transferua gjatë vitit 77 ,një ndërtesë e re dy kate me hapësira të mëdha ndërsa godina e vjetër te posta u transformua në konvikt .Aso kohe duhet thënë se në këtë shkollë nxënësit, që studionin vinin nga gjithë zona e lumit nga Vllahina,Drashovica,Kota,Bolena,Kallarati. Në kujtesë kam të skalitur emrat e disa mësuesve vendas,Cizja,Bako, Naimi, Vita,Bukuria,Gjena dhe Idajeti te shkolla e lumit dhe Dhimtri, Agroni,Fotua,Pirua,Stavri, Dafina të ardhura nga qyteti. Kadare duket sikur ka qenë në Kuc kur mësuesit,ditët shtuna prisnin makinat e druve ose gazin që sillte shtypin për të zbritur në qytet.
Siç dëshmon rasti i mësuesit Zaharia (Zahaj)shkruan Dr.Hasan Luçi, Kuçi ka patur shkollën e vet, qysh herët. Shkolla osmane në Kuç u hap në 1865, kurse më parë dërgoheshin edhe në Himarë, Janinë, Stamboll dhe në Evropë. Më 1916 u hap shkolla shqipe me mësues Neim Shehun. Në vitet = 20 u bënë tre shkolla. Më 1925 u ndërtua shkolla nga populli në qendër, u shtuan klasat në xhami dhe konvikti më 1929 për Kurveleshin. Vajzat e para kuçiote shkuan në shkollë më 1920. Më 1943 filluan kurset e analfabetizmit. Në shtator 1944 u hap shkolla e Grashecit, pastaj edhe 4 të tjera,që vijuan deri në vitet 70. Në 1946 u ndërtua shkolla 7 vjeçare, më 1971 konvikti i ri,më 1978 shkolla e mesme bujqësore. Nga çlirimi deri në 1986 mbaruan filloren 1100 nxënës dhe të mesmen 250 vetë. Sot ka 120 nxënës me 15 arsimtarë nga 30 mësues më parë.
Qëndra e sotme fshatit Kallarat. Shkolla qe mban emrin e Heroit të Popullit, “Mumin Selami”.Sipas dy autorëve në botimin: Kallarati ne shifra burimesh njerëzore”, botuar nga Llano Llanaj dhe Seit Jonuzaj, 2007,ka nxjerr këta mësues Mësues te periudhës se Pavarësisë: Meçan Selam Qejvani.Telo Duro Zhibaj.Mësues te periudhës se pasluftës se dytë botërore; Aferdita Xhafer XhaferajAida Lamçe Xhafera.Alfred Neki Xhaferaj.Alketa Qemal Jonuzaj.Altina Namaz Tozaj. Anila Razi Golloshaj. Ardian Çize Xhaferaj. Artur Lutfi Hoxhaj. Barjam Nuredin Karabollaj. Bashkim Muço Gjonbrataj.Bejkush Godo Karabollaj.Besnik Enver Strataj. Bilal Demo Breshanaj. Bilal Muslli Shakaj.Burbuqe Meçan Qejvana.j Çize Veip Xhaferaj.Çlirim Xhafer Xhaferaj. Dafina Meçan Qejvanaj. Dallandyshe Barxhul Jonuzaj. Dhurata Avdulla Qejvanaj. Donika Alem Qejvanaj.Eglantina Luto Demiraj. Elona Platon Jonuzaj. Eneida Niko Breshanaj. Entela Sami Karabollaj.Enver Xhebro Golloshaj. Fatmir Salo Mataj.Ferdinand Bilal Breshanaj.Feride Daut Shakaj. Gjinovefa Spiro Xhaferaj.Hadixhe Malo Llanaj.Hamit Hader Muharremaj.Hasan Boço Mehmetaj. Hiqmet Hasan MeçajIbro Veledin Rjepaj. Ibrush Maze Jonuzaj.Ilir Xhelo Jonuzaj. Jazo Barjam Davacaj.Kastriot Xhafer Xhaferaj.Klodiana Lavdi Hoxhaj.Kujtim Shaban Dautaj.Landi Servet Golloshaj. Lefter Jazo Hysaj.Liljana Dalan Memushaj.Liri Ago Qejvanaj. Llambro Velo Hysaj. Luiza Kujtim Dautaj.Luljeta Sadik Gjonbrataj.Lumturi Sherif Gjonaj. Maks Sinan Tozaj.Manushaqe Veledin Rjepaj. Marjeta Nexhip Memushaj.Marjeta Sulo Hoxhaj. Namik Llano Mehmetaj.Oltosta Servet Golloshaj. Petrit Ago Qejvanaj.Pranvera Sulo Hoxhaj. Proletare Kapo Habilaj. Qerime Hasan Meçaj (Arapi).Rajmonda Abaz Dautaj. Rajmonda Pelivan Shakaj.Rami Veip Memushaj.Rita Bilal Shakaj.Sami Shuko Karabollaj. Selim Xhebro Golloshaj. Servet Nelo Golloshaj. Shelege Mevlan Karabollaj. Shpresa Çune Qejvanaj. Sonja Cane Strataj. Suljote Ramiz HoxhajSulltane Razo Rjepaj.. Thelleza Sulo Hoxhaj.Vera Sulo Hoxhaj. Violeta Qerim Xhaferaj.Vitori Hyso Memushaj.. Vojo Jazo Davacaj.Vojsava Sami Davacaj. Xhemal Çelo Gjonaj. Xhiko Razo Rjepaj. Yllka Razi Golloshaj.
4.Në Horë Vranishtë,aty ku është qendra e komunës gjendet edhe shkolla .Ka prej vitesh aty që drejton mësuesi dhe poeti lab Muhamet Tartari.
Muhamet Tartari është poet dhe rapsod i Labërisë,thuhet në ëikipedia.U lind në vitin 1949 në Vranisht të Labërisë (rrethi i Vlorës). Shkollën 7 vjeçare e kreu në vendlindja dhe më pas përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme Halim Xhelo në Vlorë. Pas dy vitesh si mësues vullnetar në veri (Kukës dhe Pukë) nis studimet për Histori-Gjeografi në institutin Luigj Gurakuqi në Shkodër. Ka punuar fillimisht si arsimtar. Më pas, i përfshirë në kërkimet lidhur me folklorin dhe këngën e Labërisë dhe veçanërisht të Vranishtit, Muhamet Tartari zgjidhet drejtues i grupit polifonik dhe drejtor i shtëpisë së kulturës në Vranisht. Grupi i Vranishtit, një ndër më të famshmit në Shqipëri, mer çmimin Evropa për Mbrojtjen e Folklorit në vitin 1986 nga Fondacioni Gjerman “Alfred Toepfer”. Grupi ka marrë pjesë në festivalet folklorike të Gjirokastrës dhe kompeticione të tjera të asaj kohe me vallen e burrave të Vranishtit si “Shpata jone gris fermanë”, “O trima vallen ma mbani” etj. Grupi i Vranishtit performon me vallen “Cili je ti more burrë” kushtuar Ismail Qemalit, e cila bëhet edhe kolonë zanorë e filmit “Nëntori i Dytë”.
Muhametin e gjeta atë ditë të plakur ngase vitet kanë rënduar shpatullat e këtij poeti brilant lab. Muhameti më shoqëroi nëpër klasa e shkollës. Ishte po ajo mëndje e hollë, që ka thurur kaq këngë labe dhe poezi që kanë merituar vëmendje. Poeti i Lapardhasë , Feti Brahimi ka shkruar për Muhametin:ku je Muhamet Tartari,je atje ku punon bleta. Je aty ku është behari,je aty te e vërteta. Nderim Muhamet Tartari,shtëpia jote si shteti. o Muhamet mene madhi,Muhamet Tartar -lezeti.
Ne Foto: Shkolla ne Kallarat
KOALICIONI NDËRKOMBËTAR KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL
Nga Frank Shkreli/
Shtetet e Bashkuara, nuk humbën kohë për të venë në lëvizje sa më shpejtë zbatimin e strategjisë të Presidentit Barak Obama të njoftuar javën që kaloi, për të luftuar grupin terrorist ISIL/ISIS në Irak dhe në Siri. Si një ndër masat e para, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë për median dje njoftoi se Gjenerali në pension, dhe ish-komandanti i forcave amerikane në Afganistan, John Allen do të marrë përsipër rolin e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist ISIL në Irak dhe në Siri. Shtetet e Bashkuara, tha John Kerry, i kanë kërkuar njërit prej ekspertëve më të respektuar dhe me përvojë ushtarake, Gjeneralit John Allen që t’i bashkohet Departmanetit Amerikan të Shtetit për të shërbyer si Përfaqsues i Posaçëm i Presidentit për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL. Në këtë detyrë, Gjenerali Allen, sipas Z. Kerry,do të ndihmojë në krijimin dhe në organizimin e koalicionit ndërkombëtar që sipas lajmeve,deri tani, ka arritur në 40-vende dhe të koordinojë përpjekjet dhe veprimtaritë e shumëta të këtij grupimi global, me qëllim të dobësimit, degradimit dhe më në fund të shkatërrimit të grupit terrorist ISIL. Sekretari i Shtetit John Kerry e cilësoi Gjeneralin Allen, jovetëm si “një patriot dhe udhëheqës të shquar, por edhe si mendimtar, akademik dhe profesor i Akademisë Detare të Shteteve të Bashkuara”. Ai njoftoi njëkohsisht edhe emërimin si zëvendës të tij të Z. Brett McGurk, me rankun e ambasadorit, i cili deri tani ishte në detyrën e Zëvëndës Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit me përgjegjësi për Irakun dhe për Iranin, në Byronë për Punët e Lindjes së Mesme.Z. Kerry e cilësoi Z. McGurk si njërin prej ekspertëve më të dalluar amerikanë për çështjet e Irakut. Z.Brett McGurk ka punuar ngushtë gjatë disa viteve të fundit me ambasadorët amerikanë në Bagdad, përfshirë edhe emërat e njohur për lexuesit shqiptarë, ambasadorët Christopher Hill dhe James Jeffrey, të cilët më heret në karierën e tyre diplomatike kishin shërbyer në Tiranë. Ndër këto 40-vende që tani i janë bashkuar këtij koalicioni është edhe Shqipëria, qeveria e cilës njoftoi muajin e kaluar se Tirana po i bashkohet koalicionit botëror që luftojnë të ashtuquajturin shtet islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste. Në një deklaratë për media, qeveria shqiptare tha se do të mbështesë qeverinë e Irakut me armë e municione për të luftuar këtë organizatë terroriste duke shtuar se, “Çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE”, thuhet më tej në deklaratën e qeverisë së Shqipërisë.
Edhe Presidenti Obama, gjatë fjalimit të përjavshëm në radio tha të shtunën se Gjenerali John Allen do të shërbejë si përfaqsues i tij i posaçëm për të organizuar dhe për të bashkrenduar veprimtaritë e koalicionit global në rritje e sipër, kundër grupit terrorist ISIL. Në fjalimin e tij javor në radio, Presidenti Obama tha se “Për të përballuar këtë kërcënim, ne duhet të jemi të mençur dhe të përdorim fuqinë tonë me mençuri dhe kujdes. Dhe njëkohsisht”, shtoi ai “të evitojmë gabimet e së kaluarës.” Fuqia ushtarake amerikane”, tha Presidenti Obama, “nuk e ka shoqen në botë, por kjo ndërmarrje nuk do të thotë se duhet të jetë vetëm lufta e Amerikës.” Udhëheqsi amerikan tha në fjalimin e tij të përjavshëm të shtunën se, “Ajo që nevojitet tani është një fushatë e pamëshirshme antiterroriste, me objektiva të caktuara kundër grupit ISIL, duke kombinuar fuqinë ushtarake ajrore amerikane me kontributet e aleatëve dhe partnerëve amerikanë dhe duke mbështetur më shumë forcat të cilat janë duke luftuar terroristët në Irak.Ai siguroi amerikanët, se “Kjo është pikërisht, ajo që jemi duke bërë tani”, u shpreh Presidenti.
Z. Obama tha në fjalimin e tij javor se edhe shtete të tjera po i bashkohen koalicionit anti-terrorist, duke shtuar se disa shtete arabe kanë pranuar tanimë që të shtojnë ndihmat e tyre për qeverinë e re të Irakut dhe kanë rënë dakort që të bëjnë atë që u takon në luftën kundër terroristëve të grupit ISIL, përfshirë edhe “aspektet ushtarake”, tha udhëheqsi amerikan.
Ndërkaq, opozita republikane dhe kundërshtarët e tij politikë e kanë kritikuar Presidentin Obama se ka pritur shumë kohë për të organizuar një koalicion ndërkombëtar për të sulmuar grupin terrorist ISIL dhe se duhej të ndërmerrte më heret sulmet kundër këtij grupi.Por, administrata Obama ka vazhduar të theksojë nevojën dhe rëndësinë e krijimit të një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL.
Gjenerali Allen duket se e njeh mirë rrezikun që vjen nga grupi terrorist ISIL.Në një artikull me titull “Të shkatërrohet tani shteti islamik” ISIL, të botuar muajin që kaloi, Gjenerali John Allen ka shkruar se grupi terrorist ISIL përbën një rrezik të vërtetë jo vetëm ndaj ekzistencës së Irakut, por edhe ndaj rendit dhe sigurisë në Europë dhe në Amerikë. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, u shreh ai në artikull, se grupi terrorist ISIL, “përbën një rrezik të qartë dhe të tanishëm ndaj Shteteve të Bashkuara.”E vetmja pyetje, shtoi ai, është nëse Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre, do të veprojnë vendosmërisht tani, për derisa kanë ende kohë për të influencuar situatën dhe për të shkatërruar grupin islamik, ISIL. Në artikullin e tij të botuar më 20 gusht, Gjenerali John Allen u shpreh gjithashtu se influenca e rekrutëve të huaj në radhët e këtij grupi terrorist, sidomos të atyre nga Perëndimi, do të ndihet në shtetet europiane dhe në Amerikë për shumë vjetë në të ardhmen — pa marrë parasyshë se cili do të jetë fati dhe kauza e grupit terrorist, ISIL. Gjenerali Allen e përfundon shkrimin e tij duke shprehur besimin e tij se një përgjigje e gjithëanshme amerikane dhe ndërkombëtare tani, është jetike për shkatërrimin e këtij grupi dhe për zhdukjen e këtij kërcënimi.Grupi ISIL i cili e quan veten “Shteti Islamik”, shkruan Gjenerali Allen, nuk ka të bëjë aspak me njerëzimin dhe si i tillë duhet të zhduket.”Nëqoftse nuk veprojmë tani, do t’a paguajmë më vonë”, paralajmëroi gjenerali amerikan John Allennë artikullin e tij të muajit të kaluar.
Gjenerali Allen — i posa emëruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në detyrën e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL dhe përfaqsues i posaçëm i Presidentit Obama për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL — ka një përvojë të gjatë në Lindjen e Mesme dhe ka punuar ngusht me udhëheqës të ndryshëm të shteteve të atij rajoni, përfshirë edhe përfaqsues të grupeve të ndryshme fetare. Gjenerali Allen është një veteran misionesh të vështira dhe sfiduese në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Afganistan, por mbetet për tu pa nëse do të ketë sukses në misionin e tij më të fundit dhe ndoshta më të vështirë dhe më sfidues se çdo një tjetër ndërmarrje të më parëshme të karierës së tij.
Ndërgjegja dhe kurajua civile
Shkruan: Reshat Kripa/
Gjatë jetës së tyre njerëzit kalojnë nëpërmjet një rruge të gjatë. Në këtë rrugë, nisur nga rrethanat që iu paraqiten, ata shpesh herë ndërrojnë mendimet dhe bindjet e tyre. Kjo është një gjë normale. Nuk është e thënë që një individ të mbajë të njejtin mendim apo bindje për gjithë jetën e tij. Kushtet në të cilat jeton njeriu janë determinante në formimin e bindjeve. Por kushtet mund të ndryshojnë disa herë gjatë rrugës së jetës dhe, një gjë e tillë, nuk duhet të na çudisë për ndryshimin e mendimeve dhe bindjeve të njerëzve. Por ka një gjë që është konstante dhe që njerëzit duhet ta kenë parasysh. Kjo është ndërgjegja, është kurajua civile.
Vendi ynë kaloi një periudhë mjaft të gjatë, gati një gjysmë shekulli, nën sundimin totalitar të sistemit socialist apo, më saktë, të sistemit komunist. Pranohet prej shumicës së popullsisë së vendit tonë se në atë sistem, individi nuk ishte gjë tjetër veçse një manekin që ishte i detyruar të vepronte sipas shkopit të dirigjentit. Në të kundërt e priste gjëma. I ndodhur në këto rrethana individi ishte i detyruar të vepronte jo siç i thoshte ndërgjegja e tij, por siç e urdhëronin. Këtë rrugë, për fat të keq, e ndoqi shumica e qytetarëve të këtij vendi.
Në këtë shkrim nuk dua të flas për turmën e madhe të popullsisë së vendit, megjithse edhe asaj i zunë duart kallo nga duartrokitjet për diktatorin dhe pasuesit e tij. Në këtë shkrim dua të flas për inteligjencën shqiptare., Dua të flas për drejtuesit e Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe ata të dikastereve qëndrore, për drejtuesit e komiteteve ekzekutive apo kooperativave bujqësore, për punonjësit e organeve të diktaturës, atyre të Sigurimit të Shtetit dhe të burgjeve e kampeve famëkeqe, për sekretarët e komiteteve të partisë në rrethe apo institucione të ndryshme, për drejtuesit e Bashkimeve profesionale, organizatave të gruas, rinisë e të tjera. Por dua të flas edhe për shkrimtarët, për poetët, për kritikët letrarë, për dramaturgët, për skenaristët, për kineastët, për piktorët, për skulptorët, për aktorët, për regjizorët, për muzikantët, për këngëtarët e të tjerë të kësaj kategorie.
Por, edhe këta, ishin ndarë në tre kategori. Në kategorinë e parë përfshiheshin të gjithë ata që, nën ndikimin e indoktrinimit, besonin se ndodheshin në pozita normale dhe i shërbenin verbërisht me ndërgjegje sistemit. Ky shërbim karakterizohej nga cinizmi dhe imoralitetit. Për këta fanatikë nuk ekzistonin norma morale. Ishin të gatshëm që atë që deri më dje e kishin mik, ta shpallnin, papritur dhe pakujtuar, armik dhe kjo vazhdoi gjatë gjithë periudhës së sundimit totalitar. Janë të njohura eliminimet e grupeve të ndryshme të mbiquajtura “kundra pushtetit popullor” ku sharlatanët sulmonin miqtë e dikurshëm deri sa iu vinte rradha edhe atyre të sulmoheshin nga miq të tjerë. Këta ishin njerëz ndërgjegja e të cilëve kishte vdekur, ishin njerëz që u mungonte krejtësisht kurajua civile.
Në kategorinë e dytë hynin ata që, megjithse ndërgjegja u thoshte se rruga nëpër të cilën po ecnin nuk ishte e drejtë, vazhdonin në po atë rrugë. Kishte politikanë që i brente ndërgjegja për veprimet e kryera por, megjithatë, vazhdonin përsëri pasi nuk kishte kthim prapa. Një kthim i mundshëm prapa do të thoshte shkatërrim moral dhe fizik për të dhe trashëgimtarët e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punonjësit e artit, kulturës dhe letërsisë. Muzikantët ishin të detyruar të kompozonin pjesë me një përmbajtje thellësisht totalitare dhe këngëtarët ishin të detyruar t’i ekzekutonin këto pjesë. Dramaturgët dhe skenaristët ishin të detyruar të shkruanin drama dhe skenare ku ngrihesh në qiell “njeriu i ri socialist” dhe aktorët e kineastët ishin të detyruar t’i interpretonin apo t’i regjistronin në shirita kinematografik. Shkrimtarët dhe poetët ishin të detyruar të shkruanin për armikun e klasës dhe ta paraqisnin atë në mënyrën më diskredituese, ndërsa kritikët letrarë ishin të detyruar t’i ngrinin sa më lart këto vepra dhe kur shihnin se te ndonjëri diçka nuk shkonte ta groposnin. Për të njëjtat arsye edhe piktorët dhe skulptorët krijonin vepra ku dilte në pah forca e madhe e klasës punëtore. Të gjithë vepronin sipas skemave të të ashtuquajturit “realizëm socialist”. Në mes të kësaj kategorie kishte njerëz që ndërgjegja e tyre nuk i linte të qetë. Kurajua civile e tyre i shtynte për të gjetur rrugë që, në një mënyrë apo tjetër, nëpërmjet alegorisë apo formave të ndryshme, të tregonin se ka edhe rrugë të tjera nëpër të cilat duhet të ecë njeriu. Këta individë në më të shumtën e rasteve, përfundonin në humnerë.
Ndërsa në kategorinë e tretë përfshiheshin të gjithë ata që patën kurajon t’i kundërviheshin sistemit dhe që e paguan shumë shtrenjtë kundërshtimin e tyre. Në këtë kategori bënin pjesë të gjithë ata që nëpërmjet grupimeve të ndryshme antikomuniste, apo formave të tjera të protestës, të ngriheshin kundër totalitarizmit. Ata më stoikët e paguan kundërshtimin e tyre me humbjen e jetës. Të tjerë e paguan me prangat e rënda në duar. Shumica tjetër me heshtjen, me mbylljen në vetveten e tyre. Ndërmjet tyre pati edhe disa që shkruanin. Ata shkruanin për lirinë, për mendimin e lirë, për demokracinë. Por veprat e tyre nuk i lexonte askush. Ato mbetën të panjohura për lexuesin shqiptar. Me ato kënaqej vetëm autori i tyre, i cili priste ditën kur do t’i shpallte pa patur frikë. Këta i përkisnin asaj shtrese që e kishin ndërgjegjen të qetë dhe që nuk iu mungonte kurajua civile.
Më së fundi, pas gati një gjysmë shekulli, në saj të rezistencës së gjatë ndër vite dhe revoltës së fundit popullore,, sistemi totalitar u përmbys dhe filloi ndërtimi i shtetit të ri demokratik. Së bashku me konturet e këtij shteti, në vend filluan të shfaqen edhe fenomene të ndryshme që vinin si rezultat i mentalitetit të krijuar gjatë viteve të obskurantizmit komunist dhe që ishte ngulitur në ndërgjegjen e këtij kombi. Më të pastër në këtë drejtim, dolën përfaqësuesit e kategorisë së tretë, të përshkruar më lart, pasi ata kishin vite që e kishin braktisur atë sistem dhe atë mentalitet, ndaj u rreshtuan në të djathtën shqiptare.
Përfaqësuesit e kategorisë së parë u rreshtuan përkrah forcave më të errëta të vendit duke ëndërruar për një rikthim të sistemit të rrëzuar. Ata u rreshtuan me të majtën ekstreme. Ndërsa përfaqësuesit e kategorisë së dytë u ndanë në dy krahët e politikës shqiptare. Ata më konservatorët u rreshtuan majtas, ndërsa më liberalët djathtas.
Natyrisht nuk mund të pretendosh që të gjitha segmentët e popullsisë të rreshtohen në të njëjtin krah. Ky është regulli numër një i demokracisë. Secili ka të drejtë të rreshtohet në krahun që e ndien më afër vetes. Sikundër e kam theksuar edhe në fillim të këtij shkrimi, secili ka të drejtë t’i ndërrojë bindjet e tij kur bindet se ato të mëparshmet nuk ishin të drejta. Por kryesorja është se ai duhet të reflektojë për kët.ë ndryshim. Këtu del në pah ndërgjegja e individit, del kurajua civile e tij. A e lejon ndërgjegja dhe a e ka kurajon civile ta hedhë plotësisht dhe zyrtarisht të kaluarën e tij? A ka fuqi ta deklarojë hapur një gjë të tillë?
Sot,, me përjashtim të një pakice fare të vogël, nuk gjen asnjë individ që zyrtarisht të mbrojë sistemin e përmbysur. Gati të gjithë thërrasin “Poshtë komunizmi”! Por a e luftojnë me të vërtetë atë? Për fat të keq kjo nuk vihet re. Gati për ditë lexojmë në faqet e shtypit të shkruar apo ekranet e medias elektronike intervista të personaliteteve të larta të së kaluarës së errët, apo fjalime dhe kujtime të shkaktarëve të asaj tragjedie. Një gjë e tillë bie ne sy kryesisht në të majtën shqiptare. Ajo është deklaruar haptazi se është në mbrojtje të mentalitetit të atij sistemi. Them të mentalitetit se, pasi po të mendosh se po t’i pyesësh dhe do të të përgjigjen sinqerisht, nëse dëshërojnë të rikthehet përsëri ai sistem, përgjigja do të ishte negative dhe kjo për arsyen e thjeshtë se niveli i jetesës së tyre sot është qindra herë më i lartë se atëherë kur ishin në pushtet. E vetmja gjë që u mungon është pushteti absolut që kishin atëherë dhe nostalgjinë ata e kanë pikërisht për këtë pushtet.
Po te e djathta si qëndron çështja? Zyrtarisht ajo e ka kurajon të dënojë të kaluarën. Ajo e ka, gjithashtu, inisiativën për të përmbysur çdo gjë të errët të asaj të kaluare. Por, të djathtës shqiptare i mungon kurajua civile individuale për të demaskuar të kaluarën e tyre personale. Deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë politikan, drejtues institucioni, artist apo shkrimtar të hedhë poshtë atë pjesë të aktivitetit apo veprave të tij të kryera si pasojë e shtypjes së ushtruar nga regjimi. Nuk do të ishte turp apo fyerje e personalitetit të tyre hedhja poshtë e së keqes që secili ka patur mbi veten e tij, përkundrazi, do të kishte qenë një xhest human dhe lehtësues për ndërgjegjen e atij që kryen një veprim të tillë.
Megjithse e kam shkruar edhe herë të tjera por ia vlen ta përsëris edhe një herë me këtë rast. Kam para sysh një shprehje që princi Hamlet ia drejton s’ëmës, mbretëreshës Gertrudë, në tragjedinë me të njejtin tirull të Uilliam Shekspirit,ku ai i thotë:“O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës tënde dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë!”
Nuk e di nëse këtyre qytetarëve u ka mbetur një gjysmë zemre më e mirë, përndryshe do të ishte një fatkeqësi për këtë komb.
NJI VIZITË E PRITUN PREJ SHEKUJSH
Foto: AT KONRRAD GJOLAJ O.F.M.(1918 – 2000)/
Vizita e Shejtnisë së Tij Gjon Pali II, dashtë e padashtë, do të hyjë n’ analet e historisë si ajo ma e shkurta ndër komunitete, gati si provë e s’ dij se çkahit, si nji udhëtim nga A në B, rekord i vërtetë shpejtësie.
Shtypi katolik e ai laik, agjensitë botnore të lajmeve, ndoshta edhe vetë qarqet e Vatikanit e patën shumë të vështirë t’a percaktojnë e t’i japin nji emen këtij evenimenti tepër të madh per vendin tonë të vogël. Sepse asht përnjimend e vështirë me përcaktue karakterin e kësaj lëvizjeje fort të shkurtë, me nji program ma se konçiz për t’u quejtë “pelegrinazh” për nderim të gjakut të derdhun gjatë 500 apo 50 vjetëve.
Nuk mund të quhet as ost-politikë e Vatikanit, pse nuk pat asnji element të kësaj natyre, posë nji puthjeje toke, puthje duersh, fjalime e përshëndetje për popullin shqiptar e për lidhjet e tij të vjetra me Selinë e Shejtë.
Qe pozitiv tipari i vetëm se nuk pati asnji incident, as prej të huejve, as prej vllazënve të vjetër, as prej anmiqve të sotëm.
Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Zyrtarisht u tha se kjo vizitë kishte për qellim të vetëm, shugurimin e katër ipeshkëve shqiptarë. Ashtu duhet të ketë qenë. Por ndoshta faqja tjetër e medaljes mund të jetë edhe ma interesante. Shumë shprehje tepër bombastike për miqsinë e vjetër ndriçuese…por gati kurrgja për pozitën historike të kristianizmit në Shqipni, as për rezistencën primare kundër metodave dhe eksperiencës së komunizmit shkencor, koncentrat i të zezave të nji periudhe jo vetëm 500 vjeçare, por 2000 – vjeçare.
Vlera e nji populli matet me forcën e kulturës së ndërgjegjës, aftësinë aktive në mjedisin ku jeton dhe aftësinë e transmetimit si rrezatim ndriçues të kozmopolitizmit, përçues ndër vende e nëpër arteriet e etapave historike të kulturave etnike, të pasunisë së traditave, gojëdhanve e sagave, shprehje të dinamikës. Matet edhe nëpër forcën e rezistencës së tregueme gjatë atapave historike të pafavorshme. Nji popull asht aq i madh sa të jetë e madhe rezistenca e tij. Nji popull nuk zhduket si komb nga historia, shtypjet, okupacionet e kulturat anësore, po qe se ai ka me çka të rezistojë, madje, po pati vitalitet e thesar kulturor e sidomos shpirtnor që t’asimilojë t’ ardhunit, qoftë edhe me armë.
Banorët e gadishullit të Ballkanit Përendimor, të papërcaktuem si fuqi etnike qysh më zhdukjen e forcës ushtarake romake dhe të stancimit filozofok grek, qendrojnë në histori vetëm në saje të ruajtjes së zakoneve e traditave të mbështetuna përherë në boshtin fis–gjak, të ruejtuna që prej fillimit të Erës së Re. Ndonse qe fjala për nji shoqni shumkombëshe, për arsye të ligjëve t’ egzistencës ajo kuagulohet tue marrë tiparet e nji shoqnie tribale plot me vlera historike.
Asht kjo periudhë që, si rrjedhim i ballafaqimeve të ndryshme në trekandshin ballkanik, qet në sipërfaqe nji përmbledhje gjithë kontradikta, si rrjedhim i fillimit të përplasjeve të dyndjeve të hueja dhe popujve vendas, që përfundon me zhdukjen e dalëngadalshme por sistematike të sistemit ekonomik e politiko – etnologjik të të dyja palëve, tue nxjerrë në dritë nji shoqni shumënyjshe, tepër heterogjene, pa kurrfarë tiparesh as të trashëgimnisë së kalueme historike, as të atyne pushtuese të ndryshëm që dominuen mbi këta rajone.
Vetëm mbas invadimesh të njimbasnjishme të sllavëve dhe formimit të shtetit sllav në shekuj të mavonshëm, të coptuem në krahina të vogla, ata do të luenin rol me randësi, herë pozitiv, herë negativ, sidomos në periudhën historike të invadimit osman, bashkë me etnitetet e vogla fisnore, mbetje etnike të popujve të ndryshëm të vjetër.
Asht interesante të konstatohet se edhe etnia e vjetër greke pëson ndryshime të mëdha psikologjike e kulturore, tue mbetë materialisht vetëm si kujtim i gjuhës e i kulturës së vjetër greke, plus shtresave të dinastisë së vjetër: bizantinizmit dhe levantinizmit.
Era kristjane luen nji rol me randësi në formimin shpirtnor, por edhe në galvanizimin etniko – kulturor, tue ruejt mbrenda strukturës së re etnitetin kulturor e tradicional fetar, pak a shumë të pastra, por gjithmonë të forta. Forcat e doktrinës kristjane vëprojnë ma intensivisht në fshat se në qytet, ku jetojnë klasat që mbajnë fuqinë në dorë. Megjithëkëte bërthamat ilegale të komunitetëve kristjane janë tepër aktive dhe përpiqen t’a transmetojnë shoqninë skllavopronare n’anë të depërtimit t’ ideve jetëdhanse të barazisë e dashunisë njerzore edhe ndër klasat sunduese.
Kur kristjanizmi legalizohet dhe bahet forcë zotnuese e drejtuese e asaj periudhe, – dhe i tillë mbetet për shumë shekuj me radhë, – nisë me veprue mbi invadimet e popullsive sllave tue i ba pjesë integruese në mbarë aparatin administrativ, për me anue ma vonë në drejtim të Perandorisë Lindore, tue marrë gjithshkahën në dorë, që prej fuqisë ushtarake dhe deri n’ ate gjyqtare e periferike me njerëz vendas e tue e transformue krejt strukturën e vjetër. Kristjanizmi, shpeshherë i përçamë e i përndjekun, përpiqet të plazmojë jetën e mbrendëshme shpirtnore, strukturat familjare dhe ato shoqnore.
Gjatë pushtimit të gjatë osman mbështetet n’ antitezën e popujve ballkanikë edhe si ruejtës i kombësive për gati 500 vjetë. Zhvillon luftat legjendare për vetëmbrojtje kombtare, kulturore e shoqnore, me Gjergj Kastriotin në krye, për hesap të vet e të Botës. Asht nji mrekulli historike se si nji grusht i vogël populli, nën gjithë atë shtypje psikologjike, ekonomike, kulturore e strukturore, shoqënore e fetare, i primë gjithmonë prej udhëheqsash të ndritun, të dijtun e plot ideal, të përcjellun përherë prej salvimesh, t’ ia mërrijnë të shpëtojnë kombsinë e nji populli të vogël, me të gjitha tiparet e nji populli të madh, si të gjitha kombet tjera, me nji kulturë, histori, tradita e virtyte të veta specifike. Kjo meritë i takon klerit katolik, që me vullnetin e çeliktë, me gjakun e derdhun pa kursim, me pishtarin e gjuhës e të dijes, i hapën rrugën popullit shqiptar drejt pamvarsisë e qytetnimit: lista e tyne, që prej Buzukut deri te Fishta, asht aq e gjatë sa nuk numrohet. Periudha e komunizmit, kulmi i barbarizmit të këtyne shekujve, synonte me la hesapet njiherë e përgjithmonë me klerin dhe katoliçizmin në Shqipni; këte e kanë të qartë të gjithë shqiptarët dhe kurrkush nuk mund të mohojë, as t’a shtremnojë.
Ishte për këtë që pritej aq shumë ardhja e Shejtnisë së tij Gjon Palit II në Shqipni: shpërblim këtu në tokë i asaj rezistence burrnore. Pritej që të bekonte të gjitha vorret e martirëve të ramë gjatë këtyne shekujve ndër malet tona, luginat e fushat, të shpërndamë në të katër anët e Atdheut. Pritej me entuziazëm prej 500mijë katolikëve shqiptarë mbrenda kufijve, e po ashtu, prej vllazënve të tjerë kureshtarë, por të sigurtë për rranjët e prejardhjes. Kjo Kishë gati 2000 vjeçare, në vendin ma të afërt me Vatikanin për kah largësia gjeografike, nuk mjaftohej me nji bekim prej së largu. Ishte nji vizitë e pritun pothuej prej shekujsh.
Por ç’ u kuptue nga fjalimet e mbajtuna zyrtare?
Nuk u çek aspak se prej këtyne tribunave publike tirani dhe suita e tij çirreshin para Europës e mbarë Botës, se ia kishin mbyllë gojën Papës së Romës, dhe prej këndej baheshin fyemjet ma provokuese që ka njoftë historia.
Nuk u fol asnji fjalë për dhunimin barbar të Elterit të Shejtë të Katedrales Katolike, në rastin e delirit euforik të kongresit të grave të Shqipnisë me 1973. Nuk u dha kurrnji deklaratë publike se sot e mbrapa elementi katolik i Shqipnisë dhe kleri i tij, nuk do të vuejshin prej asnji forme të Gjenocidit të praktikuem deri tash…
Ndoshta diplomacia shqiptare mbeti pak e zhgënjyeme nga që nuk ia doli t’ implikonte Atin e Shejtë ndër ngatrresat ballkanike, as me realizimin e vizitave të dyshimta, as me miratimin për atë ost – politikë shqiptare të projektueme dikur në librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, të shpallun ma vonë prej Alisë e Çarçanit, e që korri “sukseset e para” nëpërmjet diplomacisë demokratike, me dorëzimin e krejt fushave katolike të Shkodrës e Maleve të Mirditës katolike, si konçesione afatgjata oazeve arabike, tue marrë shpërblim nji kothere bukë misri e nji kanaçe vajguri, për me ndezë përsëri këtu bishtukun famëmadh si “fener ndriçues i Europës”.
Vizita e Papës u mbyll pothuej sikur nji eveniment i madh i zhvilluem në terr.
Asht punë për mbas-median: bahet zhurmë e madhe për nji , dy, tri ditë e hidhet në histori, pa dijtë se kur nisi e kur mbaroi.
Vetëm ajo thirrja e lëshueme Popullit Shqiptar prej Sheshit Skenderbeg, duhet të mbetët e ngulun gjithmonë: “Shqipni, qindro në naltësinë e kësaj beteje të madhe…” !
***
Shenim nga F. Radovani: Ky material u botue në vitin 1993 në Revisten “Hylli i Dritës” dhe në vitin 1996, në librin e At Konrrad Gjolaj, “Çinarët”, në faqe 226, botue në Shkodër.
At Konrrad Gjolaj O.F.M. (ose Tomë Marku) (1918–2000) ka le në Velipojë të Shkodres. Ishte nxanës i Don Alfons Trackit. Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian në Shkoder dhe ata të naltat teologjike në Romë. Në vitin 1943 ka krye stydimet mbasuniversitare po në Romë, ku asht laurue për Dirito Canonicum. Në 1943 vjen në Shkoder dhe ishte profesor i Gjimnazit Fretenve. Në vitin 1948 arrestohet dhe mbas një viti hetuesi lirohet “pa faj”. Nuk pranon me nenshkrue Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, perpilue nga shteti komunist, kështu me 10 Janar 1959, arrestohet bashkë me Don Dedë Malaj, që u pushkatue. At Konrradi lirohet në vitin 1972.
Punon në punë të randa dhe jeton tek mesa e vet Angjelina. Në vitin 1994 fillon me shkrue librin “Çinarët”, ku pershkruen me saktësi pikrisht atë pjesë të pashkrueme të Historisë së vertetë të Popullit Shqiptar nën diktaturen komuniste.
At Konrrad Gjolaj, mbasi i la Shqiptarëve këte thesar, mbylli sytë në vitin 2000.
***
Ky artikull botohet nga Fritz Radovani, në pragun e vizitës një ditore në Tiranë, me 21 Shtator 2014, të Shejtnisë së Tij Papës Françesku.
Melbourne, Shtator 2014.
VËREJTJA E NJË MENDIMI TË PAMËSHIRË
Mbi provën gjenerale të luftës civile/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/
1.Ç’do të ndodhte me Kosovën paszgjedhore sikur të mungonte Prania e huaj? Ngjan e rëndë për një truall, bijtë e të cilit ende janë të tretur gropash të paemër, por dhe fantazia më optimiste nuk do ta përjashtonte lehtë një sprovë të luftës civile.
Pasioni instinktiv, gati parasocial për dominancë mbi llojin a fisin, i ka hequr pudrosjen Kosovës së re. Në vend të partive politike moderne alternativash prosperuese, janë fortifikuar dy vrajë organizimesh të përçudshme e përballëse: njëra, tirania e kooperativave familjare patriarkale, „oxhaqeve“, tashmë josojnike, prirë nga dinastë provincialë e të errtë dhe tjetra, grupimet e kartelave të krimit që vërviten e kërcëllejnë dhëmbët e prishur për të ruajtur a për të rrëmbyer pushtet! Të pleksura fort në turrin dhe mendësinë, ato krijojnë një realitet të vështirë që humneron themelet e shtetit, sikur dhe gropën e thellë mes tij dhe Europës. Që hibriditeti të jetë mnerisht i përkryer, ndër ta pështillet dhe një kastë, poaq e veçantë, ajatollahësh: Baballarë të vetëçertifikuar gjyqesh të fundme, Tribunë të hargjuar të vegjëlisë, dhe Instanca shpërdoruese të flijimit brënda gjakut të vet. Kurse krejt poshtë, nën këmbët e të gjithëve, janë shtruar elektorët e shkretë, të lodhur e fatpajtuar, të cilët, të trandur nga drita e fortë e lirisë, nuk e përvetësojnë dot nenin 3 të Kushtetutës frënge që përligj të drejtën e kryengritjes kur guvernat shkelin liritë e tyre.
2.Sepse “kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, do të shkruante rebelshëm dhe Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës. E tani, qindra vjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!..
Vërtetë, ç’kuptim ka rrnesa dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!
Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij. Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç’prej Romës e këndej. Ndaj, rrjedhimisht, vetëjetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni jete!..
Ndërkaq, a bëjmë ne tutje? Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht! Mirëpo, për paradoks, kjo fatkeqësi ka dhe një të mirë. Vonestarë siç janë dhe pa edukatë demokracie e kulturë shteti, shqiptarët e sidomos, personeli politik i tyre, s‘do të dinte ç’të bënte me lirinë e vet. A nuk ndodhë kështu me shqiptarët e matanshëm tash 100 vjet? Asistenca e huaj, sado e përzjerë tipash të larmë e hedonizmash të ulët, mund ta shtyjë e vetmja përpara karron e shkallmuar. Në fakt shqiptarët nuk janë rëndomësuar të lëvizin vet asnjëherë. Gjëndjen sociale dhe statusin politik në rrotullime kohësh, ua ndryshonte prore faktori i jashtëm: ose pushtues ose çlirimtarë i tyre. Madje as zgjedhja e tyre nuk ishte e lirë. U mbetej vetëm afiniteti i shkëlqyer i përshtatjes dhe identifikimit me ideologjinë dhe administratat e hegjemonit madhnor!
3.E tani i referohemi sërish pyetjes së fillimshkrimit: si do venin punët sikur të mos ishte ky faktor në Kosovë? A do evoluonte zjarri i vërbër për Fuqi, e përmes saj, për sundim e grabitje pronash e lirish, i titajve të barrikaduar luftarakisht, në një zjarr tjetër, në zjarr armësh, civil e total, që do të përvëlonte të gjithë? Duke rrezikuar keqkuptimin, mund të thuhet krejt sigurisht: mbase zor të rrëzohej një pandehmë pohuese!
Fundja, së paku teorikisht, nuk do të ishte fundi i botës. Shumë kombe historikë kanë kaluar kalvar të tillë dhe janë këndellur si kurrë më parë. Por në këtë tokë të ngushtë, drama e saj do të ishte e barabartë me tragjedinë. E para, pse ajo është larë me shumë nga gjaku se nga shiu, pastaj e dyta, kombet e tjerë, duke qenë të mëdhenj e konsolidë, ishin të pakanosje për zhbërje dhe e mbrama, përplasja, në mungesë të një kauze sublime, do të përfundonte e katrahurshme. Kudo që pati shpërthyer në botën e qytetnisë, ajo kishte një kauzë të epërme: ata të shumtët që merrnin anë kishin një idhull që përsonifikonte idealin e tyre. E këtej, ndërkaq, nuk do të gjendej kund as idhulli, as ideali e as misionari i tyre. Përse? Thjeshtë sepse në skenë, në të gjithë anët e krahët, ka një të vetme pamje, mendësi, flamur dhe yshtje: alternimin e radhës së figurantëve pa moral, kredo, besë e dedikim publik. Të ndryshëm i kanë veç emrat dhe fytyrat. Madje dhe këto të fundmet, si tek teoria kriminale e Lombrozës, sikur përgjasojnë hutueshëm duke krijuar tipologjinë unike të tyre. Edhe sikur e keqja të shmanget, ata nuk meritojnë stolisjen me suporet e lavdisë, sepse, thjeshtë, faktori frenues gjendet diku tjetër. Fundja a nuk është tragjike vetë ngasja dhe potenciali i tyre i afishuar për të prekur pragun e saj? Ata, në fakt, po e bëjnë këtë: kjo është prova gjenerale e saj. Dhe ja, kjo është, pra, ndjenja e tyre, ndërgjegja e tyre, Kosova e tyre!
Ndaj, nuk i thurim odë aspak Prezencës së jashtme, por ngjanë të jetë e tillë, shpëtimtare, pse njeriu politik kosovar është i krejtësisht i çorientuar nga fiksioni i mirëqenies që vjen pas suspendimit të represaljeve serbiane…Në vend të ndërsymjes nga politika e ndërkryer që i mbanë në jermi dhe i kërkon gjakun, ai do të duhej të formonte vetë një bosht të tretë: të organizuar e inteligjent, kritik e vetmohues, për të çelur një kaptinë të re të historisë.
Është në duart e tij… Çdo status që do të gëzojë, po të shprehemi sipas mësimit hegelian, është real dhe i arsyeshëm!..Dhe ky i përtashmi i nëpërkëmbur, mjerisht!
Berlin, shtator 2014