Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/
Rrezet e kuqe të diellit binin shtruar në asfaltin e rrugës duke e nxehur tej masës. Nga temperaturat e larta, asfalti ishte bërë i butë dhe në cepat e pashkelura formonte flluska. Gjatë drekës ato fryheshin dhe më pas plasnin duke çliruar atë afsh të nxehtë me erën karakteristike që është mbytëse për frymëmarrjen…Në mesditë, kjo vapë bëhej e padurueshme, sepse të gjitha poret e trupit përthithnin të nxehtin dhe ajri i tharë pa lagështi vështirësonte frymëmarrjen. Vendosëm me bashkëshortin që këto ditë të nxehta t’i kalonim në qytetin tim bregdetar të lindjes. Sapo arritëm aty, unë si përherë shkova për të psonisur tek magazina e madhe e shoqes time të fëmijërisë. U përqafuam me mall, pasi kishim kohë pa u parë. Fytyra e saj ovale e bardhë me flokët e zezë krijonin atë kontrast që quhet bukuri. Sytë që dikur ishin te vëmendshëm edhe në lëvizjen më të lehtë, tani ishin bërë disi të hutuar. Përshëndeta bashkëshortin e saj, një njeri trupgjatë me flokë të dendur gështenjë. Në tëmthat kishte fije te bardha thinje, sikur koha i kujtonte që vitet e tij po kalonin. Gjithmonë zotëronte një energji të paparë dhe përherë krijonte një situatë gazmore. Evelina kishte përqendruar shikimin në një pikë, njësoj si të shikonte një shishe ne det, nga ato që ruanin një mesazh të mbyllur dhe valët e merrnin duke e shtyrë gjithnjë e më larg. ”Ç’mendonte vallë..” Papritur u zgjua nga përgjumja dhe u bashkua me batutat e tij, më pas i tha diçka të shoqit, më kapi prej krahu dhe më tha:
-Hajde të pimë një kafe së bashku. Pranova me kënaqësi. U ulëm në lokalin më të afërt, dhe unë ia nisa:
-Lina të kujtohet kur ishim të vogla, sa herë kishe diçka që të mundonte, ti vrapoje tek unë dhe të dyja e diskutonim së bashku. Tani të shoh të menduar, ti sikur ke një hall. Më duket sikur më ke thirrur me botën e shpirtit për të më thëne diçka… Lina e befasuar, shkundi gjithë turbullimin e grumbulluar me një psherëtimë të zgjatur dhe tha:
-Eshtë e vërtete ne kemi qenë si motra, por edhe tani megjithëse nuk jemi parë shpesh, unë të konsideroj si të tille…
-Njësoj të çmoj edhe unë , për më tepër që më bën pjesë në botën tënde,- i thashë unë duke pritur të vazhdonte shpjegimin e pyetjes sime.
-Ti me kuptove menjëherë,- tha ajo- që diçka nuk shkon. Atëherë po të hap ty zemrën, nuk i kam thënë askujt… Në magazinë rrimë po thuaj nga mëngjesi në darkë. Unë shkëputem me intervale për punët e shtëpisë. Për të lehtësuar punën përdorim kompjuterin. Ti e di që kam mbaruar ekonomikun dhe gjithë hyrjet-daljet e mallit i bëjmë me të. Një ditë hapa faqe në fb dhe në kohën e lirë flisja me shoqet. Një shoqe me prezantoi një kushëririn e saj në fb. E pranova pa dëshirë. Me shumë mirësjellje më tha ”se kishte një biznes të vogël dhe nëse mund të merrte mallra nga magazine jonë”.“ Natyrisht “ iu përgjigja. Kur erdhi më vështronte ngultas , vjedhurazi nga burri im, njësoj sikur të hidhte një rrjete të padukshme për të më zënë rob. Kohë pas kohe u mësova ta marr atë shikim, si një shigjetë të ëmbël që më trazonte diçka brenda meje. Më dukej vetja si preja e një magjistari ndjenjash. Zemra më godiste me forcë, njësoj sikur do më kërcente nga kraharori,dhe mjaftonte ta tërhiqte pakëz, unë do të pranoja çdo vuajtje, apo torturë, mjafton të isha bashkë me të . Që nga ai çast fishekzjarrët shpërthenin në qiell, ndërsa ndjenjat shpërthenin brenda meje dhe purpurima e kuqe më degëzohej faqeve, se ndjeja të më digjnin. Buzët e tij mishtore më ngjallnin dëshirë dhe zëri i tij ishte si një instrument që luante vetëm për mua. Në fillim më dukej një njeri i zakonshëm, pastaj portreti i tij m’u ngrit në qiell. Një ditë burri im kishte vajtur të paguante disa fatura. Këtij i ndritën sytë tek më pa vetëm. Doja të fshihja atë ndjenjë të ëmbël që më provonte ai, por orvatja ime ishte e kotë. I thashë punëtorit tim të ngarkonte artikujt që bleu ai në makinën e tij dhe u tërhoqa për të bërë llogarinë. Ai më erdhi pas në zyrë dhe më tha “Edhe sikur t”i bija kryq e tërthor botës , nuk do gjeja lule më të bukur nga ty për ta kundruar. Je si lulja në mes të shkëmbit të greminës. Kam frikë se kurrë nuk do mund të të arrij”. ”Nuk ke frikë se mos bie në humnerën e thellë “ i thashë unë. “Jo, më frikë kam të vështroj e të ndiej kundërmimin tënd “ më tha . Ai hodhi një hap përpara, si për të bërë kapërcimin mbi shkëmb. Instinkti i vetëmbrojtjes më thoshte ”s’prapsu e marrë, ç’po bën”. Por zemra më fliste: “vetëm një puthje e para dhe e fundit”. Lufta logjik –zemër ndesheshin si dy qenie për jetë a vdekje. Ai e pa ngurrimin tim, më vështroi me sy, sikur do të më përpinte, ndërsa unë doja të humbisja në horizontin enigmatik të tij. Ai më puthi me një puthje të gjate dhe mua m’u duk sikur shpërtheu portën e turpit e të ndrojtjes dhe u hap bota e përjetimit të kënaqësinë. Ndjeja gjakun të më vërshonte në vena i nxehtë, dhe mushkëritë e mia që po thithnin ajrin e tij. Po te mos ishin hapat e punëtorit tim, nuk e di ku do kishim arritur. U tërhoqa menjëherë dhe bëra sikur po vazhdoja llogarinë, duke qenë se po mbytesha në një baticë ndjenjash. Në njërën anë ndihesha e lumtur dhe shikoja ëndrra me sy hapur, sikur isha me të, dhe nga ana tjetër me vriste ndërgjegjja. Njëzetekatër vjet martese po i hidhja poshtë. Dy fëmijët e mi djali njëzetedy vjeç dhe vajza njëzetëvjeçe ç’farë do mendonin për mua. Po bashkëshorti im që më kish mbajtur në pëllëmbë të dorës , zonjë mbi zonja, s’i mund t’i vija shkelmin, kur më tepër nuk dija çfarë mendje kishte ky. “Te lutem Lina, mos më bëj moral, mjaft lufte zhvillohet në shpirtin tim. Do të thosha se lufta me armë nuk është asgjë para luftës së shpirtit…. – më tha ai pas rezistencës sime… Sot është hera e parë që ai me la takim në një motel, në orën gjashtë… Nuk po u besoja veshëve te mi, as syve. Ajo ishte vërtetë Evelina, shoqja ime e fëmijërisë ?… Ajo kishte qenë nga shoqet më e arsyeshmja, më e logjikshmja, njeriu më shpirt mirë dhe më drejte që kisha njohur. Tani vinte një çast ku brenda hutimit të saj fshihte gjithë zjarrin e madh që i ishte ndezur papritur. Një shpirt ku kishte lulëzuar si në një tokë të thatë, për kaq vjet, dhe mjaftoi një shkreptimë e gënjeshtërt për t’i zgjuar dëshirën të provonte stuhinë që i përkiste një territori të huaj. Vitet e kaluara për të po zbeheshin si gjethet e vjeshtës, duke harruar se edhe ajo po shkelte në të njëjtën stinë. Tani ishte ndërmjet qiellit dhe tokës duke harruar se qielli është për zogjtë me krahë dhe toka për njerëzit që mbështeten fort në të.
-Ç’farë pret shko, Lina!– i thashë me një ton provokues.
-Kaq thjeshtë, Lola? -tha ajo me një vështrim dyshues…
-Të gjitha tradhtitë , thjesht ndodhin , -i thashë unë qetësisht.
-Nuk po me ndalon?…
-E përse të ndaloj, nëse ti merr përsipër pasojat dhe të vë kandarin t’i peshosh, ku është vuajtja dhe dhimbja më e madhe. Në njërën anë të kandarit vendos së pari fëmijët, bashkëshortin, gjithë punën, ekonominë tënde, në fund opinionin e botës, lakimin e emrit tënd në çdo rasë, dhe në anën tjetër vendos vetëm ndjenjën tënde, të cilën do ta quaj pasion kalimtar, ku do anojë kandari?…. Por edhe të luash fshehurazi, as mos e mendo, sepse njëherë do kapesh. Ti tani je bërë dhe si e hutuar, rri gjithë kohën në botën tënde. Mos kujto se nuk ke rënë në sy. Jam e bindur se burri yt të ka pyetur shumë herë dhe diç bluan për ty. Nëse njëzetekatër vjet i shumëzon me zero atëherë shko… Në fb shumë njohje virtuale janë kthyer në njohje reale kanë ndarë shume familje… Pa prit, kur erdha u ndesha më një person pak të shkurtër, ai është?
-Po po ai….
-O Zot, një xhuxh një metrosh, të paska katandisur në këtë gjendje?!…. Po a krahasohet burri yt si azgan me një gjysmë hije si ai…Ti ke pasur momente bosh, të plogështa, dhe ato ngacmimet e vështrimet e vogla të janë kthyer në emoni. Sa gra kanë rënë në këtë grackë ndjenjash….i konsumojnë….dhe më pas jetojnë ne depresion, sepse i dashuri kërkon të zbrazet përherë dhe kur do ai , pa pyetur për familje, burrë, apo fëmijë. Ai pasi të të shtijë në dorë me fjalë të mësuara sa andej këtej, sepse këta gjuetare dine mire se çfarë i pëlqen shpirtit të ndjeshëm të një gruaje naive, do vijë të marri shumë artikuj për dyqanin e tij dhe ti do t’ia japësh me çmimin që i ke marrë vet, ose kur gjen rastin pa para. Ky është përfitimi. Një të dashur për pak qejfe të vjedhura dhe para për aq sa mund të shfrytëzojë… Ai familjen e tij nuk e prish kurrë, të njëjtën gjë do të thotë edhe ty. Besoj i ka bërë shumë mire llogaritë… Mos më thuaj se nuk kishe menduar asgjë nga këto që të thashë, dhe hallakatesh vetëm ne lumin e ndjenjave. Hap sytë Lina!… Evelina më vështronte e tmerruar dhe më foli me shpërthim gjoksi:
-Jo , jo, Lola ime, kur njeriu verbohet nuk mendon logjikisht, por rend drejt ëndrrave pa frymë. Duhej patjetër një zë, që të më zgjonte!…
–Atëherë jepi frymëmarrjen logjike ëndrrave të tua, Lina!… Lotët e saj filluan të rridhnin çurk. Ndoshta tani e zgjonin tërësisht nga amullia e mendimeve. U ndamë duke marre dy rrugë te ndryshme, unë për në shtëpi dhe ajo për në punë.
PJETER JAKU NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT
Pjeter Jaku/
Te pakten pak…/
(cikel poetik)/
Emigrantët/
Në çantën e shpines i moren udhët/
Malet, mungesat dhe andrrat/
Në sy i moren kullat dhe pemët./
Shtigjet dhe krojet ua lane nënave/
Grave u lanë foton e martesës/
Në dhomën e gjumit,/
Pa gjumë t’i linin./
Motrave ua moren lotin./
Kudo që shkuan,/
S’e humben kthimin!/
Drita dhe Dita dhe Dielli…
Dita nxori diellin nga gjoksi
Shenjtorin e parë, që thonë
U lind nga brinjët tona
Për t’u rritur në sy
Drita dhe Dita dhe Dielli
U bënë Dashuri!
Kronikë ardhjesh
Se si vjen ti nganjëherë
Si një stinë në sytë e mi
Herë më sjellë dimër në verë
Herë më sjellë një vjeshtë me shi
Hera – herës bubullimen
E takoj n’ veshtrimin tënd
Sa t’ia kthej mengjesit shpinën
Vjen mesdita të më dhemb
Luleve që nuk kanë lindur
U kujton një stinë t’acartë
Kur vjen ti më ngrohin syrin,
Sa të shoh më digjen fjaltë!
Fjala
Ra fjala n’fjalë e s’u mbyt
N’vesh ra fjala
E desh u bë plumb
N’mendje ra fjala,
Ajo e përcolli te shpirti.
At’herë shpëtoi
Sizifi!
Thirrja e Mares
Përtej muzikes dhe haresë
Që shtypte naten lajkatare
Papritmas udhëtoi një ftesë
Që e denonte fjalen ndarje.
Atje kish natë e kish vall’zim,
Por Mara hiç nuk ndjehej mirë
Tërbohej mbrëmja në tërbim
Kur kish menduar të më thirr!
E gati-gati në të qarë
Ma shprehu Mara një merak:
“Sa mirë do ishte t’kishe ardhë
Me ne të ishe këtë natë!”
Ndodhej Mara në Atdhe
Për herë të parë me njërin prind
Aspak e lehtë s’ishte për të
Për një të lindur në Amerikë!
Ngjitje
Varem mjegulles që puth Munellen
I dehur si dita në mëngjes
Sikur të kisha fjetur me hënën
Nga froni ëndrëën mos ta zbres!
T’u ngjitem pishave gjer në majë
Mbi degë të bredhave të fle
Mbi supe natën do ta mbajë
Të mos pendohem për këtë.
Një ditë vere do trokas
Në gjoksin tim, ndoshta që nesër
Gjinkalla kokën do ta plasë
Në gjoksin zjarr të Munellës!
Të dehur ketrat nga bim’sia
Kur gurët nata s’i përgjumë
Do ndalen krojeve të jeshilta
Duke kërcyer udhë pa udhë!
Do t’i kreh pishat frymë e lehtë,
Kur merr Munellën për t’u ngjit
Nuseve në mëndje se ç’u shkrep
Ta shpallin shtratin Republikë!
Ngashmëri
Vargjeve po u bjenë flokët
Si dhëmbët e kohës së ligë
Vit për vit e filluam vitin
Me një ditë,
Vit për vit me një datë
Shekujve u dhamë frymën tonë
Futyrën tone kohës ia dhamë
E bëm kalendarë!
Lëngata e krymbave
(Sipas Azem Shkrelit)
Sapo fillojnë me çue kryet
zhvendosin koken në bisht
Ecja së prapthi
Është e vetmja mundësi të leviz!
Në sojin dhe fenë e tyre
Duan të ndjehen mbretër,
Edhe në i ndafsh në mes
Secila gjysëm ecen….
Vijnë përherë nga ligësia
Tkurren e mblidhen si gisht
E desin tuj hangër veten
Nga lëngata e të cofunit
Krymbërisht!
Të paktën pak…
Të paktën më dërgo pak qetësi
Këtë natë bubullimash pa shkak
Një tufë më fjalë të ëmbla m’i dërgo,
Të paktën pak!
M’i nis dy tri vetëtima si të tuat
I meritoj dy tri puthje, i kam hak
Dy tri shpresa i pres sonte,
Të paktën pak!
M’a nis një lajm të mirë nga Shqipëria
Jo veç fyrje, vrasje dhe gjak
Çdokush si unë pret më tepër
Por, të paktën pak!
Gusht, 2014
Nuk e di
Nuk e di s e ku është mendja jote tani
Në kërkim të Odiseut apo të heroit,
Pal Ndue Shkembi:
Në pritje për t’i hequr qyshkurjen e dhimbjes,
Në pritje për t’i larë këmbët
Si dikur Kanuni e thonte!
Nuk e di a të sillet në rretheçarkjen e mendjes
Edhe kur trurin e ka pushtuar gjumi
Mbledhur këmbët si për t’u mbrojtur nga
Toreaodrët…
Pash Zotin më thuaj se nuk e di:
Pali me Nduen
Dhe me Shkëmbin
Kur do të mbrri?!
Ç’është Atdheu?
Teritor gjeografik në trupin e çdo njeriu
Me lumenj që vrapojnë nga lindja në vdekje
Në damarët tonë nga veriu në jug
Iniciale në shkallen më të lartë të zvogëlimit
Identitet rilevues i një statusi të posaçëm
Që ka vetëm një emër!
Pllajë livadhore si një fletë e bardhë,
Ku secili shkruan vetëm në gjoksin e tij
Një hartë precize me detaje historike
Ditëlindjen e çdo levizjeje!
Shkëmb qendrese në kufirin e secilit pol
Mbartur në ëndrrën e secilit lis
Si guri i shpresës duke kërkuar shpëtim
Përherë drejt vendit tënd u rrokullis!
Në dasmën e Ditës
Mbytet dita në gërnetë
Krejt për qef n’ qefin e vet
Pelcet nata copa-copa
Rr’zohet kanga, ngrihet hopa
Bie daullja në t’aguar
Ngrihet vallja fluturuar
S’dihet në është ditë a natë
Në do vij mëngjesi prapë
Pambarim po vallëzon nata
Zot na i ruj vdekjet nga kanga!
Porosi
Sinqeriteti i hijes,
Rrëzimi i maleve,
Kohë e gjunjëzuar,
Letër Mark Munellës,
Plasja e vetëtimes,
Bujaria e lisit dhe
Rezoluten e revoltave
Do t’ua lë porosi
Lisave të mi.
Mund të jenë
Palna gjethemëdha
Ku në secilien
Mund të shkruash
Një histori,
Pisha dhe ahe
Të gjatë
Si pena që shkruajn
Në qiell,
Nuk i dua dëllinja
Qerdhe lepujsh
Frikacakë.
Pishtari
Një shkëmb i ndezur udhëtonte
Shtigjeve të Munellës.
Si një kaproll i vetmuar
I printe ngjitjes.
Majë më majë
Një pishë e ndezur
Në kërkim të drites!
Brënda brinjëve
Të shkëmbit
Përflakët flaka.
Asnjëherë në Munellë
Nuk mbrrin nata!
Vitet
Sot era m’i solli gjethet brenda
Si vitet e ngrëna
Nga hëna dhe mbrëmja
Disa të grisura të gjitha të rëna
Nga s’di se ku, nga s’di se ç’pemë
Edhe pse ballkonin e pastrova mbrëmë,
Ato u mplaken dhe nuk e dine,
Që paskan rënë!
Frika e dehjes
Dionisi vdiste kur shtypej rrushi
Vetëm nga frika e dehjes
Atë e vriste më shumë se nata
Arratia e mendjes!
Kur të plakem
Kur të plakem, thëm, u plaksha porsi gjethja përmbi degë
Marrsha ngjyrat që natyra i falë vjeshtës shegë më shegë
Bardhë u befshin floktë e bardha, ku s’ka mbetë një fije e zezë
Si një pishë që ruan malet, si një yll që qiellin ndez!…
Pse si unë ka çelur dardha, e veshtroj e rri e pres…
Që dhe vitet t’i mumëroj e më pas të mund t’i zbres
S’e mbaj mend se si u ngjita, gjer ketu si paskam ardhur?…
Te pasqyra u habita, që kaq befas qenkam zbardhur..
Me të vetmen gjë që di, qenkam bërë më i pashem.
Rrotull meje, gjithsesi, flasin qeshin, plot të ngjashëm…
Më i pari, Xhip Ejupi, nuk po di se nga t’ia mbajë,
A ta marrë,ta çojë te klubi, sa mëngjesi se ka parë.
Kur shoh shokët thëm më vete, sa të plakur qënkan bërë
Thua dhe ata për mua t’njëjtën gjë ta kenë thënë!
Dhe pastaj mendojmë të shkojmë dhe atje ku s’kemi qënë
Ditë për ditë e gjithë javën. nga e hëna në të hënë.
Do mundohem sa të mundem, t’mos rrëzohem asnjëherë
Se kur isha krejt i ri gjunjët kurrë s’më janë prerë
Do të bëhëm Odise, po jo kurrë Homer i verbër
Si shkrimtari Mark Twen s’do të shkoj në botën tjetër.
Të mendoj si Baca Keqë pleqëria vjen si gjumë
Do t’i bindesha Bibles, edhe për një jetë më shumë
Me poet Mensurin shpesh bisedojmë gjërë e gjatë
Se si mund të vij pleqëria, pa u ndjerë e pa u plak.
Se do jemi kur s’do t’ jemi, se s’do thahemi si lumë
Kur vjen vapa përcëlluese e tenton të ulë në gjunjë
Prapë se prapë e përsëri them më vete ndonjëherë
E dua plakjen si rininë, n’moshën time le të bjerë.
Me pak dhimbje të durueshme, jo më vuajtje të pacak
Sepse dhimbja edhe vuajta janë dy përrenj që i lag
Që i lag edhe i mbush me dekada mosha jonë
Me qendresën për të mbetë me të gjallët përgjithëmonë.
Por e por e por të lodhur, do të plakemi e do shkojmë
N’kemi bërë gjë të mirë, disa vjet do na kujtojnë!
Kur të plakemi…Kur të shkojmë!
Thyerja e gotes
Nuk u thye se une desha
Copë me copë u bë se qesha
Dy tri herë mes miqsh e ndesha
Me dy fjalë të mira e vesha
Ish dhjetori i acartë…
Gota thyhet bash si gratë!
Rikthim
Në parcelën 21 të fermës në Rrilë
Në verën e nxehtë të një viti pa emër
Kisha harruar emocionet e një ditë të gjatë
Përherë e më shumë mendoja se kisha harruar krahtë!
Atje harrova ditën e paharruar tek kthehesha me Floren
Atje lashë dhe mendjen, atje harrova dhe doren
Tek shtërngoja gishtat e saj me një vibrim të ndjeshëm
Të një dashurie që vetëm ashtu ditem e u deshëm!
Ishte viti iks në një muaj vere, në një ditë të gjatë
Po mbytej në ikjen e shpejtë, në perëndimin e zjarrtë
Pa thënë asnjë fjalë, pa e puthur as ajrin, as buztë
Kur mosha na rrinte si një bluz e ngushtë!
Bash për këtë u riktheva njëherë në po atë vend
Më shumë se dyzet vjet më vonë, një ditë të lodhur
Në një verë të shurdhët që rëndonte si shkëmb
Në një perëndim naiv, sikur asgjë s’kish ndodhur…
Floren s’e pashë, nuk e gjeta ku e kisha lënë atëherë
Bari ishte , thujase i njëjte, me të njëjtën ngjyrë
Ndoshta dhe toka mbante nxehtësinë e së njëjtës vlerë
Të përjetimit tonë të rrallë që patëm atë ditë.
Mbuluar sytë nga turpi , për çka kurrë nuk bëmë
Floren e kishte shtrirë vdekja me fytyrë nga dielli
Si një lule e mbjellur së prapthi, krejt si një pemë
Më veshtronte nga lart e sikur zbriste nga qielli…
“Patriotizem” i vonuar
Sa e lënë Atdheun,
U kujtohet Flamuri.
Me një mundim shekullor,
Duke kapur lirinë,
Flamurin torturojnë!
E vënë në gjoks e në shpinë
Të gjorin e gjorë!
Shkruajn për veten
Dhe askush për ta,
Se si ua “thyen” dhëmbët,
Kokat dhe brinjtë!
Vishen e zhvishen me flamur,
Pa e pasë një dhëmb të thyer
Pa u lënduar kurrë!
Ngarkuar me ëndrra çalamane
Zbresin historisë së tyre
Si heronj të harruar!
Me foto demostratash
Nëpër duar!
Teprica patriotike e tyre
Shihet veç larg atdheut.
Në xhaketat extra large
E me kollaret burgosur
Fle frymëmarrje tërbuese
Qe shfryn histori banale,
Të cilat s’mund të jenë
As subjkete t’një andrre!
Marrin frymë me dhimbje deklaratash
Duke udhëtuar monopatesh me tërbim
U duket se fluturojnë majave
Të denuar me vet’harrim!
Qeshin ditët dhe datat, dhe udhët
Duke kërkuar të vetmen plagë nën brinjë
Që kur të vdesin deshmitë dhe ditët
Në fronin patriotik të vijnë…
Mos o Zot,
Amin!
“Fabulisti”
Një qose i lëmuar,
Me flokë të galtë,
Të shkruaj ka filluar
E t’i tredhë fjaltë.
Në një moshë të vonë
E një mendje të zezë
Mendonte me lapsin
Te vrasë e të presë.
Kurrë s’u bë shqiponjë
Shpend i mirë kurrë
Ma sa një bullar
Nuk u bë as burrë!
E pra hiqej tepër,
Si një gurë i rëndë
S’kishte lind ende
Të na shiste mend!
Alkimi e tij
Turli farë përzjerjesh
S’i dha kurrë mundësi
T’u printe të tjerësh!
Krejt si korb i lodhur
Zi edhe më zi
Fliste veç me veten
Për “vepren” e tij!
DUKE SHFLETUAR FOLKLORIN E SMOKTHINËS
Nga Petrit Derraj – Smokthina/
Krahas luftës e punës shumë shekullore banorët e Bashit gjatë gjithë kohëve folklorin (këngët, valet, përrrallat, legjendat, vajet, fjalët e urta dhe gjë a gjëzat), me një fjalë gjithë gurrën e krijimtarisë popullore e kanë pasur të shumëllojtë e me vlera përgjithësuese.
Shume ngjarje të rëndësishme, shumë kthesa të forta që ka marrë shoqëria, shumë probleme që kanë tërhequr vëmëndjen e të tjerëve, populli me talent e passion i ka fikësuar në këngë të llojeve të ndryshme. Edhe vuajtjet, hidhërimet, dhimbjet, gëzimet, ndjenjat kanë lënë gjurmë të shpirtin e ndieshëm të banorëve të këtij fshati. Si për çdo popull veçanërisht për popullin tonë fisnik, vital e të shumë vuajtur, ka qënë edhe shtyp, edhe film, edhe, muzikë, edhe arshiv.
Në stuhi e tufane zogjtë e ndalën cicërimin e tyre, kurse populli nuk e ka ndërprerë këngën, duke e shndërruar atë në një dimension të veçantë të jetës së vet. Kur kënga labe këndohet me mjeshtëri, të bën për vete të krijon vatra të forta emocionesh: Sa e bukur kënga labe/ Si ujë i pastër burimi/ Sa e gjerë sa e lashtë.
Ndoshta sa vetë njerëzimi, thekson një rapsod. Kënga labe ka lënë gjurmë të pashlyeshme e ka mrekulluar shumë personalitete. Noli thoshte se dëshëroj të përcillem në atë jetë me këngë labe. Kënga labe, thotë një tjetër krijues të bën skllav e s`të vë pranga/ behet erë e s`të rrëzon/ Si mjalti të ëmbëlson.
Në Bashaj një vend të dukshëm zënë këngët e humorit, të cilat qysh herët i ka kënduar Avdul Imeri, një rapsod brilant dhe një këngëtar me një zë të veçantë shumë meliodioz:
U plake mike u plake/ Mbete si dhia sakate/ T`u zhduk lezeti që pate/ Bran i heq ato çarape
Duke si dele zeqate (zeqate = ndihma që i jepej një fukarai një dele)
Po ashtu gjith humor kënga vazhdon rrjedhën e sajë: U plake o mik dhe tinë/Mbete si kau në brinjë/ Si bualli në Xhuherinë (Xhyherinë = fshat )
Te kengët e Avdul Imerit spikaste humori i hollë e i rrafinuar, nga ndonjë herë përdorej ironia therëse, apo sarkazma diskriminuese. Ja me ç`humor të këndshëm i drejtohet vërmiqotit Hasan Bleta, që së bashku me shokët e vet, shkonin të shkundënin ullinjtë e Kaninës, kundrejt një mëditje të ulët: Hasan Bleta feste zi/ Tu duk përrali ulli/ Ç`u duhet sinor huduti/ Që në vjesht e sa hyn shkurti/ S`u hiqet shufra nga supi/ Nuk janë ullinjtë e Kaninës/ Po janë përrejtë e Smokthinës.
Edhe Hasani që i ngatërroi ullinjtë me përrallin i përgjigjet po me humor:
O Avdul, Avdul aga/ Ato dërcka mos i nga/ Se është vendi fukara/ Se ytatë ngarkohej me tra.
Para disa vitesh udhëtoja me një autobús të linjës Vlorë Fier, ku para meje në dy sedile bisedonin dy plaka të shumë vuajtura. Nga biseda e tyre më kapi veshi një thënie interesante: “Sa qemë të reja – i toshte plaka shoqes – s`na qeshi buza nga vjehrrat, tani që u plakëm s`na qesh buza nga nuset”.
Mu kujtua kënga gjith humor e Avdulit që fliste për konfliktin vjehërr – nuse:
Vajti vjehrra në gosti/ Nusen e la në shtëpi/ Kur u kthye s`gjeti njeri/U shyqyr o Perëndi
Do martoj djalin përsëri/Nusja e fshehur pas derës/I dëgjon fjalët e vjehrrës/“O vjehërr të bëj rixha/Mos bën lutje në hava/Se ajo nusja e dytë/ Me gjilpërë do t`i nxjerr sytë.
Veç acarimeve midis vjehrrës e nuses në folklor pasqyrohet edhe linja e harmonisë midis tyre. Në një rast vjehrrën s`e mba vendi, merakoset së tepërmi për vonesën e së resë, e cila nuk po kthehej në kohën e duhur prej pune: / Ç`të bëj korba ç`të bëj nata/Tek prisja ca dru të thata/ Me doli bishti nga spata/ Në rrugë më doli plaka/Moj nuse pse mbete prapa?!
Alem Ruda ishte i pranishëm në çdo fejesë, martesë e dasëm, ku shquhej jo vetëm pët të kënduar bukur e mirë, por edhe për përmbajtjen e larmishme të këngëve: Shero vela, Velo Shera/ Me ca poture të çjerra/ Lepuri që rri në ferra/ Mos më bëj të them të tjera/ Se do futemi në të thella/ Sa të mos i nxejë dera.
Në këngët e dashurisë bie në sy ndjenja admiruese ku barinjtë adhuronin me gjithë forcën e shpirtit labet baresha, të bukura e tërheqëse. Barinjve u digjej xhani e u gufonte zemra për to, gati po u luante mendja e po marroheshin për së gjalli ku bishte i syrit i trembte por nuk i shëmbte: Me bishte të syrit më trembe/ Më hutove por s`më shembe/ Varësen që ke grykë/
Të shtërngoftë e mos të mbyttë/ Ma bleve mendjen ma bleve/ Edhe zemrën ma rrëmbeve.
Në këngë të tilla vihet re një lirizëm shumë i sinqertë. Ja disa vargje ku pasqyrohen ndjenjat e ngrohta lirike ku vihet re zeri melodioz i këngëtarëve Skënder Bushaj e Njazi Derraj. … Moj barash atje në brinjë/ Që freskon gush edhe llërë/ Nuk e zbërthen një çikë gjinë/ Të të shoh ç`zjarr të ka rënë/ Në kë gisht në Perëndinë/ Hajde te stani të flemë.
Po aq të bukura e magjepse janë vargjet e fjalët ku baresha gjoja nguron, bën ojna, finte, kinse heziton për të marre vendime të plota përfundimtare ku sikur e gënjën të dashurin me gënjeshtra e djeg siç digjet eshka e i thotë të paktën të pres deri nga vjeshta.
Piktorët nëpërmjet ngjyrave, harmonisë së shqisave, kthjelltësisë mendore, arrijnë që të bëjnë portrete prefekte të vajzave, ndërsa rapsodët në vend të ngjyrave, gjejnë fjalë të goditura, epitete e krahasime të përsosura duke gdhendur tipare të magjishme të femrës labe:
Lesht e tu si pendë korbi/ Te larë e të krehur – o/ Syri yt kokërr ulliri/ Të shikon shajtuar – o
Hunda jote si qiriri/ Ndezuar e pa shuar – o/ Buza jote hua mjalti/ Po për të mëlcuar – o/ Gusha si një copë dëbore/ Me flori mbuluar – o.
Rapsodët e talentuar të këtij fshati nëpërmjet këngëve të improvizuara në çastin që i këndojnë nuk i tërheq vetëm pamja, bukuria fizike, por edhe kujdesi që tregojnë bareshat për t`u veshur: Me shëndet fustan, moj Vitë/ S`ta kam parë më plaçin sytë/ – E kam vesh kam ca ditë/ Të pëllcasin inaçijtë/ Ca të tut e ca të mitë.
Krahas këngëve të këtij lloi për ta ndezuar atmosferën e gëzimit këndohen këngë gazmore, si: Bajame fustane brane/ Krevati me bojë arre/ Dëgjoje culën dyjare/ Nënën e babën i shaje/ Që të dhanë në Moçale.
Humori bëhet edhe më i kripur ku vihen në lojë veprime e vese si: Te porta me zavëza/
Hyn e del mandileja/ Çitajanet bran se ç`i mba/ Moj t`u këndoftë laneti/ Pse s`i mba si është adeti/ -Kështu me do çelo qejfi/ T`u pëllcas disave nepsi.
Po ashtu në dasma nëpërmjet këngëve herë lartësohet nusja e përçmohet dhëndërri dhe anasjelltas, krenohen për dhëndërrin e s`kënaqen nga pamja e nuses:
Nusja shufër dyfeku/ Dhëndërri plëndës shelegu/ Dhëndërri kavak i gjatë/ Nusja si kukumjaçkë.
Për këngë të këtij lloi janë dalluar Lame Sakaj, Elmas Derraj, Pajo Xhelaj, Astrit Zogaj, Esmere Ferrunaj, Piro Hodaj, Damën Xhelaj, Skënder Bushaj, Hava Muçaj, Njazi Derraj. Këngët e krijuara e të kënduara nga këta banorë ku në to sintetizohen gjithë burimet e gëzimeve, lotët e vuajtjeve, ëndërrimet fantastike shpresëmëdha për të ardhmen, plasaritjet shpirtërore, pothuaj se gjithë plagët, gëzimet, hallet e dertet e jetës.
Dihet që kurbeti edhe në të kaluarën ka qënë një plagë e rëndë, hemoragji e vazhdueshme dhe e dëmëshme e kombit, por nizmllëku ka qënë edhe më i tmerrshëm: Ku e ke burrin moj tinë/ Ikën shoqet e s`të prinë/ – Se kam argat në Janinë/ As redif në kurbet/ Po nizam për shtatë vjet.
Një fshatar i vërmëqot Beqir Aliu ishte marrë forcërisht tek tufa e bagëtive dhe së bashku me disa bashiotë të tjerë u degtis në nizam në vende të largëta aziatike që ishin nën sundimin e Turqisë. Atje ku ishin nizamët i vriste meraku për gratë e fëmijët, i digjte malli për të afërmit dhe, teksa pushonin pas një beteje, nisën një valle të kënduar labçe: I shkreti Beqir Ali/ Treqint dhën, katërqint dhi/ Gjashtë vjet pa vajt në shtëpi/ Dovleti pastë lanet/ Erdh e në kope më gjet/ Shokë do na marrë malli/ Nuk do na tret as varri/
Sa të ikim nga nizami.
Kur ia përkthyen përmbajtjen e këngës bimbashit, ai urdhëroi që të liroheshin nga nizmallëku. Pra, këngët thureshin aq bukur e këndoheshin me aq pasioun sa zbusnin edhe sundimtarët zemërgur e gjakatar. Kënga labe, veç emocioneve që ngjall të bën përshtypje mënyra se si këndohet, madje edhe isua është një mërmërimë zërash të akorduar përsosmërisht dhe kjo mermërimë thotë Ismail Kadare ngjason me korin antik grek. Kjo lloj ngjashmërie është dëshmi e lashtësisë së kombit tonë. Nga vepra antike greke mësojmë se Akili po bëhej gati të vriste Hektorin, ku ky i fundit i lutet të mos ia shëmtojë fytyrën më mbas, ku krijohet një zinxhir imagjinar midis të gjallëve dhe atij që ikën. Këtë veçori e vëmë re edhe tek këngët tona ku nizami i lutet që të mos ia shëmtojnë fytyrën as njerëzit dhe as shpesët: O ju korba që më hani/ Vetëm sytë mos m`i ngani/ Vetëm sytë mos m`i ngacmoni/ Se jam djalë e më shëmtoni.
Veç këngëve të dashurisë, të vajtjes në nizam, janë kënduar aq shumë këngë për Partinë tonë që lindi me triskë e vdiq me tollon, sa gati shteroi burimi për asi këngësh të politizuara. Shumë këngë të tjera krijuar për sivëllezërit e vrarë kot së koti pa faj, ruheshin të fshehura sirtarëve e sënduqeve deri sa dha shpirt pjella e keqe komuniste e u përmbys sistemi i premtimeve boshe e i gënjeshtrave me brirë. Shumë djem e burra smokthinjotë midis tyre edhe nga Bashi, kanë lëngur e janë torturuar burgjeve vdekjeprurëse, shumë të tjerët kapeshin në luftë e pushkatoheshin arbitrarisht, pa faj vetëm se luftën kundër pushtuesve nuk e kishin nisur nga llogorja komuniste. Këtë e dëshmon qartë, saktë në mënyrë të përkryer krijimtaria e rapsodit të talentuar smokthinjot Xhevit Zeneli. Ja si jepen në këngë tortura që provon Uran Isak Dule në burg, familjarët e të cilit i derdhën lotët si shiu për vuajtjet e të afërmit të tyre kur dha shpirt nga plagët e marra: Një kuje te xha Isaku
Rëndë iu godit oxhaku/ Si krua derdh lotët plaku/ Se nxinte brenda konaku/ Vdiq Urani atje ngeli/ Prerë duart te teli.
Janë shumë prekse vuajtjet e Uranit, 20 vjeçar në burg, që ia ndërprenë jetën në lulen e rinisë duke e lënë pa marrë nusen në prag martese. Ja se si u drejtohet ai para se të ipte shpirt të afërmve: Nga burgu flet Urani/ Vëllezër e prindër mos qani/ Me gazep po më del xhani/ Dhe ti nënë mos u sëmur/ Se vuaj e heq torturë/ Jam kurban për diktaturë.
Partia i mësoi bijt e sajë që të shndërroheshin në mostra të vertetë ku tjetrin e vrisnin për një fjalë goje apo pse nuk dëgjonte me vëmëndje tellallët injorantë e demagogë që si papagallë të kualifikuar sajonin pallavra premtimesh boshe. Në rrethana pabesie i zunë pritë Fejzo Rukës duke derdhur mbi trupin e tij breshëri plumbash vdekjeprurës, vetëm sepse simpatizonte Nacionalistet: Mbi Ramicë ta zunë pusinë/ Ktheu Fejzo me Partinë/ Hiq flamur edhe vur yll/ Ia lëshun breshërinë/ Të dy çapokët ia grinë.
Xhixhia, e shoqia e Fejzos mbeti vejush në moshë të re me dy fëmijë, u plagos shpirtërisht, u vesh me të zeza e i rriti me njëmijë mundime fëmijët në konak bote: Qëndroi si pasha veziri/ Rriti fëmijë si kalliri/ Me lakra e qumësht gjiri.
Qani Liçaj vritet nga i afërmi tij komunistnë në Velçë tek Selvia në qendër, pa pasur asnjë argument e arsye: Me trupin e tij të stisur/ Sy e vetulla qëndisur/ Thoshje kush e ka stolisur
Me sevda rrugën kish nisur/ Njeriu i tij i tha: Nuk të vras, të kam vëlla/ Një çikë do bëj shaka/ Tre plumba në ballë i dha.
Njësiti gueril i Smokthinës u zuri prita dhe vrau pabesisht shumë të rinj smokthinjotë, ku populli i zgjuar i Smokthinës me krijimtarinë e tij derdh urrejtje ndaj shkakëtarëve të kësaj gjakderdhje: Smokthinë të treti meraku/ Nxorre një celulë nga barku/ Të mbyti kërma dhe gjaku/ T`u nxi porta e oxhaku/ Dëgjuat ca popoviçër/ Ca Dushan e ca dobiçër/ Në Tërbaç s`u vranë as qente/ Ju smokthinjotë pse u çmëndë?!
Edhe “Vangjua”, Neki Imeri komandanti i çetës “Plakë” të Vlorës, vritet prej një smokthinjoti komunist: Nekiun s`e vrau armiku/ Po Shyqyriu dhe Sadiku/ Të dërguar nga “Besniku”
As në mugëtirat e shekujve të kaluar nuk janë bërë krime si të komunistëve ku ata pasi vrisnin njerëz të pa fajshëm i linin mbi dhe ose i groposnin së toku. Ja e ç`thotë një i afërm kur kërkon eshtrat e njeriut të afërm: Në çarçaf i bëmë tok/ Zemra plagë e syri lot/ Të shkretët s`i njohëm dot/ Pastaj i ndamë me short.
Në Smokthinë tregoja interes për mbledhjen e këngëve të këtij lloi ku puna më shpuri tëk një burrë i moshuar i cili pat kënduar mirë e ishte nje minierë e pa shfrytëzuar këngësh. I thashë që dua ato këngë që këndoje kur ishje i ri, në kulmin e qejfit, uluar këmbëkryq në trapeze burrash këngëtarë ku së bashku gjithë passion ia merrnit labçes shtruar shtruar.
– Nuk kam mundësi të të jap këngët – m`u përgjegj prerazi – në se i do, bëmë të ri gjejmë edhe shokët , gjysma e të cilëve u ka perënduar jeta, më jep fuqi të pi raki e zë të ia marr këngës.
Më shumë vështrirësi mezi i mora disa vargje ku pasqyrohej dashuria e nënës për të birin dhe dhëmbshuria e motrës për vëllanë: Në më zëntë mali mua/ Sa vjet zi do mbash o nënë? – Sa të zbardhet pend a e korbit/ – Në më zëntë plumbi në luftë/ – Sa vjet zi do mbash o motër? / – Sa të zbardhet delja llajë/ -Në më djegtë zjarri i luftës/ Sa vjet zi do mbash o grua? – Sa të mbush ujë në krua/ Sa të laj rrobat e tua.
Në krijimtarinë e pasur gojore armiqtë, sundimtarët, pushtuesit, diktatorët pasyqohen me epitete poshtëruese, si: shllavarebran, mendjehu, mendjefyell, dhëmbëçakall, nofullderr, ndërsa bijte e vet i përshkruen me epitete të meteortë, si: gjalmëzesë, pallëlarë,
mendjendritur, pallexhveshur, gjoksshkëmb etj.
PRIZRENI ZGJODHI HUNGAREZEN MARIA SIMONN” MISS FREEDOM OF THE WORLD 2014″
Ne qytetin e bukur te Prizrenit u organizua spektakli i bukurise MISS FREEDOM OF THE WORLD 2014 ne organizimin e Z. Shpejtim ZEJNELI dhe Shoqates se Manikeneve FREEDOM nga Prizreni dhe nen perkrahjen e Kuvendit te Komunes se Prizrenit.
MISS FREEDOM OF THE WORLD 2014 eshte Edicioni i Katerte qe mbahet ne Republiken e Kosoves ku kane mare pjese 22 shtete te botes nga te gjitha kontinentetet e botes.
Organizatori Shpejtim ZEJNELI ka treguar se me ane te kesaj gare bukurie MISS FREEDOM OF THE WORLD 2014 promoveht Trashigimnia Kulturore e Kosoves, promovohet Turizimi Kosoves dhe behet LOBIM per NJOHJEN E KOSOVES nga SHTETET qe nuk e kane njohur Republiken e Kosoves.
Bukruoshet e Kosoves kane vizituar qytetet me te bukura te Kosoves: Prishtina,Mitrovica,Gjakova,Ferizaji, Gjilani dhe natyrisht qytetin nikoqir Prizreni.
Gjate kesaj shetitje bukuroshet kane vizituar Treven e HASIT ku eshte bere seti fotografik nga Fotografi Azem RAMADANI nen ambientet e Restaurant GURRA ne Fshatin DAMJAN.
Nata finale u mbajte ne Hotel T & A ne Prizren, ku moderatori i njohur Kosovar Milaim KRASNIQI ka udhehequr programin artistik. Programi artistik ka qene shume i begatshem.
Femrat kane defiluar ne fillim me veshjen Kombetare te shteteve perkatese, ku Juria profesionale ka perzedhur Cathalina MENDEZ nga MEKSIKO si KOSTUMI ME I BUKUR KOMBETAR.
Ne Gjakove ky program u mbajte ne Hotel QARSHIA E JUPAVE.
Kreatorja Bora BALAJ ka kurorezuar MISS MEKSIKO dhe Fotografi Shkelzen REXHA.
Ne PREVALLE eshte bere Seti fotografike me Fustane te gjate ne Restaurant SHTEPIA E BARDHE .
Ne Ferizaj u mbajte MISS BIKINI ne Restaurant & Pishina FRESKIA. MISS BIKINI u zgjodhe Maria SIMON nga Hungaria.
Juria profesionale perzgjedhi keto bukuroshe:
MISS FREEDOM OF THE WORLD 2014 -Maria SIMON nga Hungaria
Percjellsja e Pare -Cathalina MENDEZ nga Meksiko
Percjellsja e Dyte -Daria BELINSKIH nga Ukraina
Percjellsja e Trete -Fjolla MORINA nga Kosova
Percjellja e Katerte -Jessel LAURIANO nga Belize
MISS PHOTOGENIC: Edmira SHQAU nga Shqiperia
MISS PRESS : Tam VASHOLIMDZE nga Gjeorgjia
MISS ELEGANCA: Licia BIANCO nga Italia
MISS IMAGE: Gabriella BROOKS nga Portugalia
MISS PERSONALITY: Shirey CHU nga Tajvani
MISS NATIONAL DRESS: Cathalina MENDEZ nga Meksiko
MISS BIKINI: maria SIMON nga Hungaria
MISS DISCO QUEEN: Tangi LATU nga Tonga
MISS CHARM : Alexandra KUZMENKO nga Belgjika
MISS HUMANITY: Nilda GIULIA nga Zvicra
MISS V.I.P COSTUME: Michelle VAHLBERG nga Suedia
MISS BEST DRESS: Andranne ROY nga Kanada
MISS BEST SMILE: Alina ANISSIMOVA nga KAZAKHSTANI
MISS FRIENDSHIP: Edmira SHQAU nga Shqiperia
MISS FACEBOOK: Ana Marija TANEVSKA nga Maqedonia
MISS FORTUNA SHOES: Zhibek ESHMATOVA nga Kyrgyzstan
MISS FRESKIA: Fjolla MORINA nga Kosova
1919 – 1920 BURRAT QË SHPETUEN SHQIPNINË NGA COPTIMI
Nga Fritz RADOVANI/
Historia e shkrueme pa të Vërteten e saj, asht përrallë!../
Lufta e Parë Botnore në fund të vitit 1918, dukej, sikur kishte pushue. Edhe ata që e filluen Luftën Botnore ishin ma të sigurtë në kenjen e tyne se Shteti Shqiptar. Ndonse Shqiptarët nuk kanë kercënue asnjë shtet fqinjë, të mëdhej e të vegjel u çuen me shkye nga një copë, e sejcili, tue kerkue me pushtue ma të madhen. Italia tue kenë andej detit kerkonte Vlonën. Greqia si gjithmonë, kerkonte Shqipninë e Jugut, ku perfshihej Korça e Gjinokastra. Serbia nuk ngopej vetem me Vermoshin e Shkodren…
Pritej vendimi i Shteteve të Europës, që me 18 Janar 1919, u mblodhën në Paris, ku u hap Konferenca e Paqës. Qeveria e Përkohshme e Durrësit, e kryesueme nga Turhan Pashë Permeti, as nuk u perfill fare nga Lidhja e Kombeve. Në shkurt 1919 një delegacion Shqiptarësh u nis për Paris. Askush nuk ua hapi dyertë e Konferencës.
Deri këtu, edhe sot, dy “Akademitë e Shkencave Shqiptare”, ajo e Tiranës’’ dhe ajo e Prishtinës, mundohen me krijue “emna të përvetshëm”, të cilët, “arrijtën me një perkushtim të posaçem me shpëtue Shqipninë nga një coptim i sigurtë!” Fatkeqsisht, pothuej, të gjitha tekstet e Historisë së Shqipnisë së këtyne “Akademive”, të formueme nga antishqiptarët edhe sot, nuk e shkruejnë të Verteten e Shpëtimit të Shtetit Shqiptar nga një coptim i sigurt në Konferencën e Paqës në Paris, në vitët 1919 – 1920.
E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna!
Në vitin 1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920”, të thanun troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin…”
Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme…” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijëve tjerë!
Ndersa, mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot gati mbas 100 vjetësh, edhe pse bash atyne përçarësve përditë “u thuret lavdi” për damin e madh që i kanë ba Popullit e Shtetit Shqiptar, që ditën e Shpalljes së Pavarsisë në 1912. Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar”… Anglia, Franca e Italia ishin per coptimin e Shqipnisë.
Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja. Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica.
Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar.
Mbas takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së qytetnueme”. Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i papersëritshëm!
Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës.
Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e Gjinokastres Greqisë.
Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar.
Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A.
Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919 nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani. Imz. Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan.
Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek Papa.
Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni – Venizelos.”
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?”
U pergjegja (Imz. Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!”
Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda.
Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”
Me daten 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue në Vatikan me Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë.
Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni.
Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”.
Burrat që shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919 – 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson.
Kjo asht e Verteta historike e kenjes së Shtetit Shqiptar.
Melbourne, Shtator 2014.