• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A PO TALLET RUSIA ME ARMEPUSHIMET NE UKRAINE?

September 8, 2014 by dgreca

BE ashpërson sanksionet ndaj Rusisë ekspansioniste, të cilat do ta vështirësojnë seriozisht ekonominë e këtij vendi, ndërsa në anën tjetër, siç raportohet, pesë shtete të NATO-s do ta ndihmojnë Ukrainën me armë/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Putini kinse po bën përpjekje për të parandaluar sanksionet më të ashpra nga perëndimi duke paralajmëruar një armëpushim në Ukrainë. Mirëpo për këtë “ lojë” të Putinit përgjigje më të mirë dha njëri nga ministrat e punëve të jashtme nga shtetet e BE-sëi cili tha: “ Unë besoj në një armëpushim, kur e shoh atë”. Megjithatë, BE është i vendosur për sanksione më të ashpra kundër Rusisë nëse ky shtet vazhdon agresionin e tij. Sanksionet kanë për qëllim që të vështirësojnë jashtëzakonisht shumë ekonominë ruse. Këto masa “ ndëshkuese “ duhet të fillojnë së zbatuari në shumë shpejt. Derisa Putin “ hedhi në dritë” një plan armëpushimi, në anën tjetër një numër i njësive ushtarake kishin avancuar në Lindje të Ukrainës. Dhe në këtë rast regjimi i Kremlinit u tall kur tha se ato aksidentalisht kishin hyrë në këtë vend edhe pse dihet që 20 mijë ushtarë rusë qëndrojnë disa kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ky pra nuk është aksident, por pushtim klasik i asaj pjese nga Rusia hegjemoniste. Frika më e madhe është se nëse vazhdon ky agresion me këtë ritëm atëherë kjo luftë gradualisht do të shkoj në drejtim të perëndimit.
Farsa tragjike e një konvoji “ humanitar”
Shumica e vëzhguesve ndërkombëtar dyshojnë se konvoji “ humanitar” rus është një mbulesë për aktivitete tjera. Pjesërisht për të sjellë furnizime dhe paisje për separatistët pro- rus, por ka raporte se rusët sollën edhe makineri e teknologji tjetër luftarake. Përveç kësaj gazetari i gazetës “ Guardian” ishte dëshmitar kur vërejti një kolonë ushtarake ruse e përbërë nga 23 transportues të blinduar dhe personel tjetër përcjellës që kishin kaluar kufirin dhe kishin hyrë në Ukrainë. Nga një kamerë televizive ushtarët rus ishin kapur brenda territorit rus dhe të Ukrainës duke qëlluar caqet brenda Ukrainës.
“ Modeli” i tashëm i ndërhyrjes ushtarake ruse në Lindje të Ukrainës është ndryshe nga ai që është parë në Krime. Së pari atje u panë disa burra të veshur në të gjelbër, të cilët pa shenja kombëtare u paraqitën papritmas në gjithë zonën. Pastaj ata morën nën kontroll pikat më të rëndësishme strategjike, ndërsa Rusia mohonte se ishte aty. Më pas burrat në të gjelbër rrëfyen se janë rus dhe kështu aneksuan gjithë zonën. Kjo ishte lufta “ moderne” ku operacionet e informacionit janë të rëndësishme, ndoshta më të rëndësishme se forca e armëve. Dhe prapë Rusia paralajmëron një konvoj tjetër “ humanitar” propagandë kjo e këtij vendi imperialist që me dhunë e kërcënime të dhunës po bën përpjekje për të kontrolluar fqinjët e tyre.
Krizë më e keqe e sigurisë që Evropa ka pasur në 50 vjetët e fundit
Nuk dihet me saktësi se sa perëndimi është i ndarë dhe i pafuqishëm, ndërsa Rusia shkel ligjin ndërkombëtar. Samiti i NATO-s u organizua në një krizë më të keqe të sigurisë që Evropa ka pasur në 50 vjetët e fundit. Dhe kjo forcë ushtarake për të ruajtur një sasi të vogël të besueshmërisë duhet të tregoj një përgjigje të qartë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Jemi mësuar që samitet e NATO-s pas luftës së ftohtë të jenë pilula si një rutinë gjumi. Mirëpo, takimi i fundit ishte më i rëndësishmi për shumë dekada. Edhe pse ishte marrë vendim që të mos ndihmohet me armë, por ishte lënë “ klauzula” se ato shtete që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund ta furnizojnë Ukrainën. Reagimi i shpejt në këtë “ Klauzul” ishte i Italisë, Norvegjisë, Francës, SHBA-ve dhe Polonisë, të cilat siç raportohet veç kanë arritur armët e tyre në territorin Ukrainas. Megjithatë, këto shtete demantojnë lajme të tilla të paverifikuara.
Pranverën e kaluar filloi një luftë e përgjakshme në kontinentin e vjetër dhe kjo për shumëkë konsiderohej e paimagjinueshme: një konfrontim i drejtpërdrejtë ndërmjet perëndimit dhe Rusisë. Edhe në vitin 1968 Rusia pushtoi Çekosllovakinë që ishte një kërcënim për paqen ndërkombëtare, ngjashëm kjo e pranishme edhe tani me pushtimin e hapur rus që ia bën Ukrainës. Në të ashtuquajturin “ Memorandumi i Budapestit” i vitit 1994 Rusia ( së bashku me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe) kishte garantuar integritetin territorial të Ukrainës. Po ashtu në vitin 1997 u arritë një Traktat- Miqësie ruso – ukrainase në bazë të të cilit këto dy vende do të respektojnë kufijtë e njeri- tjetrit. Mirëpo, jo që nuk po respektohen këto dy marrëveshje por në territorin e Ukrainës tanimë janë vendosur mbi dhjetë mijë ushtarë rusë të cilët nuk do të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre.
Në situatë më të vështirë gjenden shtetet baltike për shkak të sistemit të dobët të mbrojtjes dhe nëse këto vende nuk kanë një kujdesje të shtuar nga NATO atëherë ato do të mund të pushtohen për pak orë. Mbetët të shihet se cilat janë synimet e Rusisë Imperialiste, por edhe seriozitetit të perëndimit për të parandaluar apetitet e sëmura të Putinit. Po ashtu, mbetët të shihet se sa do të realizohet premtimi i Kryetarit të SHBA-ve Obama, i cili citohet të këtë thënë gjatë vizitës në Talin se shtetet baltike dhe Polonia nuk do të lihen vetëm.

Filed Under: Featured Tagged With: A PO TALLET RUSIA, ME PUSHIMET NE UKRAINE?, Xhavit Citaku

Muzikë dhe verë në qytetin 2400 vjeçar

September 8, 2014 by dgreca

Nga Sulo Gozhina/ Berat/
BERAT – Pikat e shiut që kanë lajmruar se vjeshta ka startuar tek portat e shtwpive nuk kanë mundur të ndalojn një festë brenda të cilës ka dhe shijen e verës. Artistë nga vendi dhe të huaj kanë performuar në ambjetet e muzeut “Eetnografik“ për dy ditë rresht muzikë “jazz and ëine” me një publik të zgjedhur si dhe janë banorët e qytetit të lashtësisë. Ndjesija e muzikës e gërshetuar me shijen e verës të servirur nga prodhuesit vendas dhe freskia e dy netve të këtij shtatori kanë mbajtur të mberthyer deri pas mesnate banorët të qytetit, pushtetar, politkan dhe admirues të kësaj muzike të ardhur nga qytetet e tjera të vendit.
Fillimin e eventi të vaçant për nga performanca e kanë lajmruar tingujt e një kitare, ndërsa organizatorja Eda Zari ka bërë prezent për publikun arsyet e zhvillimit të këtij aktiviteti. Organizatorja mes të tjerash citoj: “E nisëm këtë edicion internacional kulturor në Berat, jo vetëm për të sesibilizuar qytetarët ndaj vlerave të rralla historike e muzeale që ky qytet trashgon ndër breza, por dhe se vetë qyteti lashtësisë është i pasur në artë, muzikë, kulturë, kuzhinë tradicionale, kulinarinë e verës, pra qyteti i miteve dhe legjendave ka përfunduar E. Zari fjalën e hapjes për tja lënë vendin muzikës Jazz – dhe Iso Polifonisë.
Kryetari i bashkisë Fadil Nasufi tha se kalendari kulturor duhet të ketë çdo ditë evente të tilla, ndaj dua të falnderoj organizatorët e tij, ndërsa citoj : “Jemi sonte këtu për promovimin e vlerave të qytetit të Beratit, në këtë event shumë të rëndësishëm, mua më ngelet që të falenderoj përzemërsishtë Eda Zaharin, për këtë shanc që i jep qytetit. Ndwrsa dua të falenderoj gjithashtu grupet që janë bashkangjitur aktivietetit, ardhur nga Berlini, Hamburgu, Berna, Nju Jorku, Tirana, Durrësi e Prishtina, pohoi ai. Nuk ka skenografi më të mirë se sa ansambli i kësaj shtëpie që besoj se sfidon çdo skenograf dhe çdo regjizor, pasi janë të gatëshme si vlera të trashëguara në breza, vijoj Nasufi. Nuk ka ansambël kulturor se sa “Mangalemi” që sfidon gjithë arkitektët me atë pamje madhështore dhe panoramike. Ky është Berati, qytet i cili, meriton të ketë të mbushur çdo ditë me evente të tjera. Aktiviteti është një shembull dhe një model se si promovohen vlerat, si vitalizohen ato, që krahas restaurimeve, krahas investimeve, jeta kulturore artistike dhe eventeve të tjera, duhet të jenë në kalendar të përjavshëm”, përfundoi ai.
Muhamrem Çobo, president i Kantinës Çobo, në emër të prodhuesve falenderoi organizatorët për këtë event promovues.
Ndjesinë e muzikës të gërshetuar me shijen e verës e lëshuar në këto dy mbrëmje feste e ka bërë të mundur mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Beratit dhe një sërë përkrahësish të tjerë, eventi që synoi ngjizjen e elementëve të dy botëve magjike muzikës Jazz – dhe Iso Polifonisë, u bënë realitet mbrëmjen, 5 e 6 shtatorit. Kantinat verës janë vlerë e shtuar viteve të fundit në këtë qytet, por dhe shumë të tjera të ardhur të rrethet, Kavaja etj, prezantuan në hapje të ditës së parë të festës, produktet e tyre.
Prodhuesit e verës: Rilindja, Skënderbeu, Çobo, Luani, Bardha, Arberi, Sara, Vintage, Nurellari, Kardinal, Kokomani, Koto Balaj, Belba, Malinati, bashkuan produktet e tyre, për të krijuar një atmosferë festive e shkrirë në muret e moçme që mbajnë mbi supe mijra vite histori e që shkojn në harmoni me rrugët e rrugicat e kalldrëmta ku tingëllojn si në legjenda tehjet e shpatave, trokëllimat e kujave, krismat e armëve, muzika dhe këngët qytetare, dasma dhe belbëzimat e bebeve në një qytet të pa ndërpren në jetes për më shumë se 2400 vjet.
Atmosferën e kësaj feste të vaçant për nga performanca dhe për të mbetur në kujtesën e ndjesisë për të gjithë admiruesit e muzikës jazz dhe shijes të verës me shpresën që eventi në fjalë të kthehet në një ritual të përvitshëm në qytetin e lashtësisë e bënë të mundur artistë dhe grupe muzikore nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Zvicra, që performuan në mjediset e muzeut “Etnografik” deri në pas mesnatë dhe që mbajti të mbërthyer pas tingujve qindra admirues të saj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 2400 vjeçar, Muzikë dhe verë, në qytetin, Sulo Gozhina

ZBULIMI I ARKEOLOGEVE -KISHA ROMAKE E SHEKULLIT IV NË ULPIANËN DARDANE

September 8, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/
1.Pikësëpari lajmi nga gazeta turke Hurrjet (Daily Neës).Një ekip arkeolog turk i kryesuar nga Prof i universitetit të arteve të bukura “”Mimar Sinan “”Haluk Cetinkaya ka gjetur gjurmë të një kishe romake nga shekulli i katërt pes në kryeqytetin kosovar të Prishtinës. Cetinkaya tha se ata së pari gjetën Pagëzimorja dhe pastaj kanë arritur pjesë të tjera të kishës në vendin e lashtë të Ulpianës, duke shtuar se shtëpia e adhurimit u rrëzua nga një tërmet në fund të shekullit të katërt para se të rivendoset një shekull më vonë.Kisha është vlerësuar të jetë rreth 19 metra e gjatë dhe do të zbulohet plotësisht vitin e ardhshëm. “Materiali i kishës, monedha dhe skelete të cilat janë gjetur në të janë rëndësishme në kishë,” tha ai. ” Kemi shqyrtuar skelete në laborator dhe kuptova se ato datojnë që nga fillimi i shekullit të pestë. Ne kemi gjetur 101 monedha në zonën e kishës. Pothuajse të gjithë ato janë nga shekulli i katërt. Ky është një kriter i rëndësishëm për takim. Duke marrë parasysh të gjitha këto, ne themi se kisha i përket shekullit të katërt. Nga ana tjetër, përdorimi i kryqit ishte e ndaluar në katin e kishave në tremujorin e parë të shekullit të pestë. Këtu, një kryq është përdorur në dysheme, dhe kjo është arsyeja pse kisha daton para shekullit të pestë. ”
Punimet filluan me gërmimet në Ulpianë, një nga vendbanimet më të rëndësishme të rajonit në Perandorinë Romake, në vitin 2012 me një marrëveshje të bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës të Kosovës.
2.Edi Shukriu vlerëson se qyteti 2 mijë vjeçar i Ulpianës dhe shumë objekte tjera trashëgimore nëpër lokalitete tjera, janë pasqyrë me të cilën mund të matet niveli kulturor dhe historik i Kosovës është shprehur arkeologia kosovare.
Tek fytyra e Ulpianës, ne gjejmë një trashëgimi antike ngase kohë-formimi saj ngjet para pushtimit romak me një vijimësi dardane.
Dardanët.Po sjell disa të dhëna ku kam kryer hulumtime:G. Novak Enciklopedia e “lashtë (1966)shkruan: Ulpiana. – Qendra romake afër Lipjanit sot dhe Gračéanica manastir në Prishtinës mbi Kosovën fushë (Jugosllavia pllajë në kufirin me Shqipërinë).Shkatërruar nga zjarri, Justiniani e ka rindërtuar dhe e quajti Iustiniana Secunda në Gračnica dhe rrethinat e saj janë gjetur mbishkrime dhe palët tjera ruhen në kishën e Graçanicës. Pranë Graçanicë u zbuluan rrënojat edhe gjera që tregojnë vendin ku ai ishte dikur Ulpiana dhe më vonë Iustiniana Secunda.
-Viale Vittorio në enciklopedia italiane shkruan:Dardani (Δαρδανεῖς, Δαρδάνιοι, Δάρδανοι, Daraăni). Njerëzit më klasike ilire që u ndahen kufijtë veriorë të Maqedonisë. Më saktësisht, Dardani zënë dy bankat e sipërme kurse dell’Axius (Vardar) dhe Marava, afërsisht në mes të headëaters e Timacus (Timok) në veri-lindje, si dhe ato të Dricon (Drin), në jug-perëndim. Sovrappostisi ndoshta një popullsi e vjetër, e skllavëruar, dardanët u ndanë në shumë fise, ndër të cilat më kryesore janë të njohura nga Straboni kryesore: ato të Galabrii dhe Thunatae. Dardanët ishin banorët më të hershëm të Kosovës së sotme.
-Etimologjia e fjalës dardan-shkruan, MA.Sc.Qazim Namani- rrjedhë nga gjuha indoevropiane dardj-a, në gjuhën shqipe dardha (vend i dardhave).[2] Fjala darda është fjalë shqipe që do të thotë dardhë, në trajtën dardan-os del se është sufiks pellazgjik, mbretëria e dardanisë.
-Të parët e tij quheshin ilirë. Thotë prof I.Kelemendi,Këta qenë ndër arianët më të parë që patën ardhë në Europë.Vendi i tyre quhej Iliri. Fiset ilire: Ilirët kanë qenë të ndarë në fise: Ardianët, Laebetët, Liburnët, Autoariatet, Dalmatët, Dradhanët, Venetët si dhe mesapët dhe japuget që banojshin në pjesën e jugut të gadishullit italian. Përveç këtyre kishte edhe fise të tjera. Ky fenomen shpjegohet vetëm me përbamjen dhe natyrën e vendit ku banonin. Ndër fiset e Ilirvet,ma i madhi qe fisi i Dardhanevet. Vendi i tyre ishte Kosova e sodme deri në Nish dhe në Jug,në Vardarin e Sipërm deri në afrësinat e Manastirit. Kryeqyteti i Dardhanis ishte Shkupi i cili quhej atehere Skupi(Scupi).Vehej në dukje bukuria e gravet të tyre. Edhe sot ka mbete në Kosovë e në vende të tjera,kur duen të ekzaltojnë bukurinë e ndoji femre thonë:”Qenka si Dardhane”.
3.
Ulpiana, dhe pozita gjeostrategjike.Ulpiana, e shquar edhe për pozitën gjeostrategjike, për herë të parë përmendet nga Ptolomeu në shekullin II. Lokaliteti antik romak dhe bizantin i Ulpianës është pa mëdyshje njëra nga qendrat më interesante arkeologjike në Kosovë dhe rajonin e gjerë të Gadishullit Ilirik ,thotë guida arkeologjike e Kosovës. Mirëpo në Ulpianë sipas studiuesve jeta këtu ka filluar më herët dhe gjurmët të shpien në periudhat parahistorike të hekurit dhe bronxi ose e njohur ndryshe si lashtësia dardane. Çfarë sollën pushtimet romake ?Kjo pyetje që ngrihet për origjinën e saj saktëson edhe mjaft teza se Ulpiana është një vazhdimësi e qytetërimeve ilir kryesisht në Kosovë.
4.
Luftërat me Romen.Dardhanet përmenden si luftëtarë të mirë dhe rezistenca e tyre kundër maqedhonasvet e romakvet asht e ndigjueme thotë prof I.Kelmendi. Luftërat me Romen: Në vjetin 228 pr Kr u pa zbarkimi i parë i romakvet në Iliri,që sundohej asi kohe në pjesë të madhe prej mbretëreshës Teuta. Lufta nuk përfundoi me nji a dy beteja, por zgjati ma shumë se dy shekuj. Më 168 pr.Kr. konsulli romak Lucius Anicus kaloi si rrefe nëpër Iliri dhe pushtoi Shkodrën dhe në kalanë e saj zuni rob mbretin Gencius të cilin bashkë me të shoqen Etlevën dhe dy të bijtë e dërgoi në Romë,për të stolisur kthimin e tij trimfal. Mbas këtij suksesi Ilira u shpall provincë e Romes. Por në realitet lufta nuk pushoi aspak. Ilirët bëjshin vazhdimisht kryengritje. Sa pushonte a shtypej në njanën fishkullonte në tjetrën thotë prof I.Kelmendi.
5.Ulpiana mes Romës dhe Konstandinopojës.Të dhënat flasin se kjo qendër bëhet e rëndësishme gjatë periudhës së pushtimit romak. Ka një arsye të gjetur për rëndësinë e saj .Ulpiana gjendej mes Romës dhe Konstandinopojës. Përmendet edhe fakti, që Ulpiana është një kryqëzim pra një pikë ku priten në mes për rrugët që përshkonin nga detet drejt steres, pra nga Adriatiku në Egje,në detin e Zi,apo një nyje që takohej pranë Ulpianës Via Lissus¬Naissus dhe Scupit, Duke ndjekur vijeshmërin e këtij siti arkeologjik, thuhet se themelimi i saj pra ,që u njoh si qendër komunë Municipium Ulpianum besohet të ketë qenë viti vitin 169 e.s. Arritje për këtë sit duhen cilësuar kohët mes shekujt e III dhe IV të e.s. ku zhvillimi i Ulpianës arrit kulminacionet e saj. Kjo pasqyrohet në fushat prioritare ,ekonomi ,kulturë,zhvillim urban .Zbulimet kanë gjetur objekte të cilat kanë funksionuar si rrugë,ujësjellës,godina publike. Nga një befasi që mund të zbulohet është se gjatë sundimit të perandorit Justinian në shekullin VI, kohë kjo kur Ulpiana riemërohet në Justiniana Secunda.Të dhëna për qytetin janë Ulpiana janë:Ulpiana rrethuar me mure deri në 3m dhe me nga dy kulla çdo 27,5 m ka trajtë të parregullt katërkëndëshi. Sipërfaqe prej 35, 5 ha.
6.Emërtimet që shënojnë Ulpianën.Gjenden disa emërtime të tilla kur flitet për Ulpianën sidomos për kohë-themelimin e saj.
“Ulpiana është një qytet romak i themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan. Mirëpo kjo tezë nuk mund të pranohet në këtë mënyrë pasi dëshmitë arkeologjike vërtetojnë një kohë themelimi të sajën para romake. Është i vërtetë fakti, që pushtimet romake sollën zhvillime në disa fusha duke kryer transformime të mëdha. Këto zhvillime vrehen në të gjitha trojet dardane, por identifikohet Ulpiana si qendër e zhvilluar dhe më e përparuar. Ajo, që kërkon saktësim është se në kohën e perandorit Trajan fitoi statusin e qytetit. Një nga të dhënat interesante është fakti se në mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit.
7.Paganizmi,thotë prof I.Kelemendi,Besojshin në shumë perëndi: Medaurus, Binaus,Latra,Seutona etj. Kristainizmi tek ilirët përmend faktin se ilirët ishin ndër të parët popuj në Evropë që erdhën ne kontakt me Kristanizmin. Në vitin 53 Shën Pavli predikoi Ungjillin ndër ilirët,ndërsa 4 vjet më vonë nxënësi i tij Titus.Ne shekullin e V-VI,Durrësi dhe Nikopoli u bën qendrat më të forta të kristianizmit në Iliri Mbas tyre vinte Shkodra,Tivari. Në kohën e Justinianit Shkupi u bë kryeqyteti moral dhe administrativ i krejt Ilirisë.Të dhëna të tjera për krishterimin në Iliri gjejmë tek Ëikipedia ku thuhet se :Krishterimi në Shqipëri është ngritur mbi një bazë apostolike. Pozita gjeografike e saj e bën këtë të pashmangshme. Ungjilli i krishterë u fut për herë të parë në Evropë nga apostulli Pal në Filipe të Maqedonisë.(41) Pastaj, duke udhëtuar drejt perëndimit, përmes rrugës Egnatia, ai predikoi në Selanik, qyteti më i madh në atë rrugë. Më vonë, ai u bë qendra nga ku krishterimi rrezatoi mbi Athinë e Korint, si edhe mbi provincën e Ilirikut. Është interesant fakti se si udhëtimet e Palit ndiqnin besnikërisht rrugët romake dhe se si përgjatë tyre shtohej zinxhiri i bashkësive të hershme. Me të vërtetë, një udhëtim prej 270 km nëpër rrugën Egnatia, nga Selaniku drejt perëndimit, do të depërtonte deri në zemrën e Shqipërisë. Pikërisht këtë rrugë ndoqi apostulli Pal. Gjatë udhëtimit të tij të tretë, rreth vitit 59 pas Kr., ai i shkruante bashkësisë së krishterë të Romës se “që nga Jeruzalemi e përqark në Ilirik u kam predikuar të gjithëve ungjillin e Krishtit.”(42) Parafjala greke “në”(Ilirik) është e dykuptimtë, pasi nënkupton një përdorim përjashtues ose përfshirës.(43) Pali nuk u shpreh qartë nëse ai e kishte çuar ungjillin e krishterë deri në kufirin ilir apo nëse ishte futur me të edhe në provincë.
Edi Shkriu shkruan: Krishterimi në Dardani nisi të përhapet herët dhe u bë fe zyrtare nga shekulli IV si dhe në gjithë perandorinë romake. Dardania në përgjithësi u bë edhe udhëkryq i përplasjes së doktrinave kishtare, të asaj lindore dhe perëndimore, nga të cilat pas shekullit XI u krijua trashëgimia kulturore katolike dhe ortodokse e banorëve të Kosovës. Gjurmët e kishave të shumta dhe toponimet, si janë Lisi i popit apo Lisi i priftit, i dëshmojnë këto ndarjedhe, mes tjerash, edhe manifestimi i Shën Gjergjit sipas kalendarit katolik apo ortodoks, ky i fundit i manifestuar edhe nga banorët shqiptarë të besimit islam.
9.Ulpiana i është dhënë statusi kombëtar arkeologjik faqe në vitin 1955, nën Rezolutën nr vEK21/55, i cili siguron një nivel të kategorisë së Mbrojtjes .Të dhëna të tjera për Ulpianën janë:Ulpiana / Iustiniana Secunda zë një pozicion të imponuar brenda piktoresk rrethinat e maleve të ulëta për Lindjen e (zona minerare) dhe të mrekullueshme horizonti drejt fushave Kosovës. Kërkimore arkeologjike, si dhe zbulimi i një amfiteatër dhe ndërtesa të tjera të rëndësishme, i jep një potencial të madh për të përdorur për arsimin e trashëgimisë dhe respektit të ndërsjellë të njerëzve lokale, veprimtaritë kulturore, rekreative, dhe ekonomia turistike të zhvillimit.
Kompleksi arkeologjik Ulpiana është i përbërë nga:Nekropoli 1) kala / Castrum 2) Qyteti, 3) Nekropoli Veriore, 4) perëndimore, 5)Southern Nekropoli 6) Tuma Arat e Cerkezit (Čerkesko Polje) dhe 7) TumaCernica.Shkalla e arkeologjike (më shumë se 35 ha) është vetëm pjesërisht gërmohet (2%). Gërmimet arkeologjike filloi në 1954 dhe periodikisht vazhdoi deri në vitin 1997.
*Mrs.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve
Autori ka qene Drejtor i parqeve arkeologjike te Vlorës

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, kisha romake, uilpiana Dardane, zbulimi i arkeologeve

GUVERNATORIN NUK E SHKARKOJE DOT, ZOTI KRYEMINISTËR, POR ERION VELIAJN, SIGURISHT!

September 8, 2014 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/
Nuk kishte ngelur as mace dhe as qen pa shkuar në dasmën e Erion Veliajt. Që do të thotë, kishin shkuar të gjithë, përveç opozitës. Sa pështirë që ishte. Kur i shikoje politikanët e Tiranës, botuesit, e me rradhë të cilët krenoheshin përpara kamerave se ia kishin kaluar mirë tek dasma e Erion Veliajt.
Nuk kishte ngelur as mace dhe as qen pa shkuar në dasmën e Erion Veliajt. Por nuk kishte shkuar as kryeministri, megjithëse kishte dërguar djalin e madh, ndërsa ai kishte preferuar të rrinte me të voglin.
Nuk ka gjë më të bukur se të kalosh kohën me fëmijët e tu dhe gjë më të pështirë se të ishe në dasmën e Erion Veliajt. E cila në vetvete nuk përbën asnjë lloj lajmi.
Punë e madhe fort se është martuar Erion Veliaj. Kush është ky Erion Veliaj? Shkrimtar i madh, shkencëtar, një lloj Bill Gates i rilindur, Mark Zuckerberg apo Steve Jobs; sportist që ka thyer rekorde dhe i ka sjellë vendit medalje të arta; artist që ka interpretuar magjikshëm, një i ri që ka dhënë kontribute për vendin e vet, një shqiptar i ndershëm që ka sakrifikuar pasurinë e vet në të mirë të shoqërisë shqiptare, për të zbutur plagët e varfërisë dhe shtresave vulnerabile dhe në nevojë. Jo, nuk është asnjëri nga ato që përmenda më sipër. Nuk është askushi Erion Veliaj.
Qenka ministër? Punë e madhe fort. Në Shqipëri mjafton ta kesh mirë me kryetarin e partisë dhe bëhesh ministër. Mjafton që të jesh kotna si koti dhe je ministër. Je çfarë të duash. Por me kusht që të jesh kotna si koti.
Le të na e tregojë Erion Veliaj CV-në e tij. Ku ka punuar deri tani që i ka lejuar vetes një dasëm të tillë? Në cilat firma? Sepse ai një kohë e ka kaluar me studime.Ne si publik dimë se ai është marrë vetëm me shoqërinë civile. Po shoqatat e shoqërisë civile janë joqeveritare dhe jo profitabël. Ku i bëri paret Erion Veliaj për një dasëm të tillë?
Ai ka vetëm një vit që është ministër i mbështetjes sociale. Me një rrogë të mirë, por që nuk i lejon një lluks të tillë, me thërrit në dasëm me qen e me mace. Në një dasëm që festohet në të njëjtën ditë me arrestimin e Fullanit! Fullani të paktën e ka patur rrogën 10 herë më të madhe se të Erion Veliajt, dhe ka një karrierë pune gati 40 vjeçare.
Me çfarë logjike e justifikon këtë harbim grotesk Erion Veliaj, kur qeveritë shqiptare deri më tani janë akuzuar për korrupsion dhe Edi Rama ka premtuar se do të bëjë një qeveri ndryshe. Por dasma e Erion Veliajt dëshmon se historia vazhdon.
Sepse një harbim i tillë ishte i denjë vetëm për një kronikë në faqet e kronikës rozë. Kaq dhe asgjë më tepër. U martua ai dhe ajo. Sepse të jesh Ministër i mirëqenies kur mirëqënie kanë vetëm ministrat, do të thotë të jesh zero. Sepse nuk është VIP Erion Veliaj. Very Important Person. Nuk është aspak i rëndësishëm, sepse nuk ka bërë asgjë që të ketë rëndësi, veç këtë dasmëm të çmendur, të denjë për republikat e bananeve, të denjë për njerëz të rëndomtë.
Mund të bënte një dasëm normale dhe të denjë Erion Veliaj, që të mos i kishte ftuar qentë dhe macet, sepse nuk i ka miq ata që ka ftuar. Pasi në dasëm njeriu fton njerëzit më të afërt, miqtë më të afërt pasi është diçka shumë personale, jo Pazar i Gabit.
Edhe duke iu referuar realitetit. Të ardhurat që merr Erion Veliajt nuk ia lejojnë atë harbim. Por edhe sikur të ishte i pasur, harbimi i tij nuk përbën lajm për opinionin publik.
Përbën lajm vetëm në sens tjetër, që populli t’i kërkojë llogari se ku i ka gjetur të hollat për të bërë shpenzime të tilla, i xhiruar live, si të ishte dasma e trashëgimtarit të Anglisë apo atij të Monte Karlos, si të ishte dasma e princit William, apo e Albertit II Grimaldi të Monakosë, të dy trashëgimtarë froni me pasuri të trashëguar nga familja mbretërore dhe Principata e Monakosë. Po Erion Veliaj nuk është trashëgimtar froni. Nëna e tij merr si pension 100 Euro. Dhe pensioni i së jëmës duhet ta bënte Erion Valiajn të ecte me këmbë në tokë dhe t’i vinte gishtin kokës!
Po dasma e Veliajt përbën lajm, për t’i hapur sytë edhe kryeministrit të Shqipërisë. Sepse për Guvernatorin Fullani, Edi Rama nuk kishte kompetenca, por për Erion Veliajn i ka, dhe i ka të plota.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Erion Veliaj, guvernatori, kryeministri Rama

“NE DHE JU”

September 8, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/
Vera është stina kur shqiptarët nga mbarë bota afrohen me njëri-tjetrin më së shumti gjatë tërë vitit. Bijtë dhe bijat e shqiponjës takohen dhe shoqërohen në plazhet e Ulqinit, Velipojës, Vlorës apo Sarandës; në bregliqenin e Shkodrës, Pogradecit, Strugës apo Plavës; dhe gjithashtu në luginat dhe majat e Kodrës së Diellit të Tetovës, Rugovës së Pejës apo Thethit të Shalës. Këto bukuri magjepsëse të natyrës së dheut, ujit dhe ajrit të vendeve tona i vizitojnë edhe mijëra bashkëkombës që jetojnë jashtë trojeve tona etnike, në Diasporë. Shqipëria, gjatë ditëve verore, bëhet një.
I pushtuar, i shtrënguar dhe i copëtuar për qindra vjet, populli shqiptar në shekullin e XXI-të hyri me një barrë të rëndë ndarjesh në krahët e tij. Për fat të mirë, me zgjuarsi ne e kuptuam shumë shpejt që dallimet mes pjesëtarëve të një kombi, në fakt, janë të dobishme njëjtë si të përbashkëtat dhe filluam t’i shohim dhe trajtojmë variacionet lokale-krahinore, partiake-politike, fetare-religjioze dhe gjeografike-territoriale— ashtu si janë— si pasuri kombëtare. Megjithatë, fatkeqësisht, dallimet që ende vazhdojnë të mbulohen nga një mjegull fodulle e mosnjohjes janë një duzinë veçantish normale mes shqiptarëve brenda dhe atyre që jetojmë në Diasporë. Është pak e çuditshme që kjo temë gati nuk është rrahur fare as në atdhe e as në kolonitë tona nëpër shtete të ndryshme ku gjallojnë shqiptarët. Pse, sot, shqiptarët jashtë trojeve amnore, më shpesh se më rrallë, konsiderohen sikur të ishin një ishull i ndarë nga toka mëmë? Pse shqiptarët në tokat tona na thonë neve, shqiptarëve mërgimtarë, ju, ose, anasjelltas, ne atyre ju?! Pse nuk ka bashkëpunim dhe shfrytëzim më përmbajtjesor mes shqiptarëve në atdhe dhe jashtë atdheut? Pse nuk shfrytëzohet potenciali i çmuar dhe larmishëm i mërgimtarëve dhe Diasporës shqiptare? Si mund të shfrytëzohet përparësia e të pasurit Diasporë për popullin shqiptar?
Emigrantët nuk janë copë e ndarë e kombit shqiptar. “Ne dhe ju” apo “ju dhe ne” jemi një. Diaspora jonë ka kontribuar, kontribuon dhe do të kontribuojë për popullin tonë. Shtetet tona, jo edhe sa duhet për Diasporën.
Potenciali i parë i Diasporës është pasuria. Por para se të mendohet si të përdoret kjo fuqi është me rëndësi të merret parasysh se sa e vështirë dhe sa djersë e vuajtje derdhen për të bërë pasuri në vendet e huaja. Shumë shqiptarë në atdhe nuk provojnë as të imagjinojnë krajatat e emigrantëve që duhet të fillojnë nga zero dhe të çajnë përpara: ankthin për letrat, mësimin e gjuhës së huaj, adaptimin në një ambient shpeshherë krejt ndryshe nga ai i vendlindjes, mungesën e shoqërisë, netët e gjata pa gjumë duke kujtuar me mërzi torturuese familjen dhe miqtë, punën (nëse e gjen) deri në fyt gjatë ditëve stresuese, urgjencën për t’u (ri)shkolluar në një sistem tjetër, dhe, patjetër, ndjenjën e obligimit të ndash sa më shumë para për t’i dërguar familjes dhe njerëzve tu atje prej nga vjen. Pak njerëz në mëmëdhe mund të përfytyrojnë paragjykimin e dyfishtë të cilit i nënshtrohen emigrantët nga vendorët në shtetet ku sistemohen se gjoja të huajt marrin ndihma sociale dhe kështu shterojnë arkën e buxhetit ose, nëse nuk e bëjnë këtë, janë të gatshëm të punojnë më fort dhe për më pak para se sa shtetasit dhe kështu ulin pagat dhe rrogat e vendësve. Studime të tëra kanë provuar këto pohime si të rreme, por ato vazhdojnë të mbijetojnë. Pra, është shumë me rëndësi të kuptohet se paratë e fituara nga shumica dërmuese e emigrantëve janë para të vështira dhe meritojnë respekt, si kur merren si remitenca, si kur kërkohet që të investohen në atdhe.
Sipas Bankës Botërore vendet në zhvillim vetëm në vitin 2013 kanë pranuar më shumë se 440 miliardë dollarë remitenca, por vetëm 10% e kësaj shume është investuar në asete të vlerës së lartë, kurse 90% në gjëra të nevojave elementare si ushqimi dhe veshmbathja. Shtetet shqiptare duhet ta evitojnë këtë gabim dhe përmes Agjencive për Promovimin e Investimeve (API), të cilat në Tiranë dhe Prishtinë do të ishte e dobishme të unifikohen në një API të përbashkët të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, të krijojnë platforma transparente për mundësi investimi në projekte infrastrukturore dhe energjetike si p. sh. Termocentrali “Kosova e Re”, që është edhe investim me rrezik të ultë edhe me kthim të leverdishëm. Që investimi të jetë në pajtim me autoritetet rregullatore ku jetojnë emigrantët dhe dyfish i sigurt shtetet tona në Ballkan do të duhej të regjistrojnë bonot apo instrumentet financiare në shtetet ku jetojnë pjesëtarët e Diasporës dhe të angazhojnë banka investuese në ato shtete të cilat do të bënin shitjen e instrumenteve dhe distribuimin e kuponit dhe/ose profitit. Nëse duhet gjithsesi të tejkalohet kjo barrierë, atëherë API-të mund të organizojnë fushata informuese dhe prezantuese ku emigrantët do të mund të konsiderojnë mundësi tjera që kërkojnë shuma më të vogla.
Potenciali i dytë i Diasporës është fuqia e lidhjeve dhe rrjeteve si etnike ashtu edhe inter-etnike. Rrjetet e emigrantëve janë më multilinguale, multikulturore dhe multisektoriale se sa ato të vendorëve dhe më të përshtatshme për bërje biznesi dhe shkëmbime të të gjitha llojeve. Shumësia dhe lloj-llojshmëria e kontakteve mundëson reagimin e shpejt dhe efikas në ujdi me kulturën lokale nëse kërkesa dhe oferta për investim dhe bashkëpunim puthiten përkundër që janë me mijëra kilometra larg njëra-tjetrës. Në këto kohë globale, diasporasit shqiptarë kanë mundësi të influencojnë qeveritë e vendeve ku jetojnë të mbajnë qëndrime pro-shqiptare, të ndikojnë në korporata të mëdha të transferojnë pjesë të zinxhirit të operacioneve apo biznesit të tyre në tokat shqiptare dhe të inkurajojnë institucionet e dijes akademike të japin bursa apo hapin degë në shtetet tona për studentët që duan të zgjerojnë diapazonin e njohurive të tyre. Sa për ilustrim, një studim nga Royal Society në Britaninë e Madhe nga viti 2011, (duke përdorur shpeshtësinë e citimit), ka ardhur në përfundimin që bashkëpunimi shkencor mes hulumtuesve nga vendet amë dhe atyre nga Diaspora jep rezultatet më të mira dhe fjala vjen një punim i bërë nga një shkencëtar në Kinë dhe një koleg kinez në Amerikë citohet tri herë më shumë se sa një punim i bërë vetëm në Kinë. Mjetet e komunikimit bashkëkohor dhe Interneti gati i kanë fshirë kufijtë dhe largësitë fizike dhe komunitetet e emigrantëve janë të lidhura vazhdimisht dhe ngushtësisht me kombin e origjinës. Shtetet e shqiptarëve do të duhej të shfrytëzonin këto rrjete dhe këta njerëz sepse përfitimet do të jenë të dyanshme dhe do të përshpejtojnë përparimin e kombit shqiptar. Disa nga emigrantët e aftë dhe me lidhje të forta do të duhej të ftohen dhe binden të kthehen, qoftë përkohësisht qoftë përhershëm, duke u propozuar të marrin role udhëheqëse në administratat, institucionet apo kompanitë e shteteve tona në Ballkan. Një dorë e përfaqësuesve të elitave shqiptare që kanë komplekse dhe frikë nga zotësitë dhe shkathtësitë e emigrantëve me përvojë do të duhej të kujtojnë rolin e madh e kryeministrit Manmohan Singh dhe bashkëpunëtorit të tij Montek Ahluwalia, të dy të edukuar në Oxford dhe të kthyer në atdheun e tyre, që luajtën në reformat shoqërore dhe ekonomike në Indi në fillim të viteve 1990-ta.
Potenciali i tretë dhe mbase më i rëndësishmi i Diasporës është universi i ideve dhe vizioneve globale. Në botën e sotme nuk ka nevojë të zgjidhet mes vendit A dhe vendit B. Shqiptarët e jashtëm, shumica, jetojnë me një këmbë në shtetin rezident dhe me një tjetër në atdhe dhe si emigrantët e gjithë globit, tash që kombi shqiptar nuk është më nën robëri, mund të udhëtojnë dhe bile kthehen në Shqipëri kur të duan. Qarkullimi i lirë përhap idetë dhe përvojat sikur era anijet me vela. Emigrantët nuk janë më të mirë apo mençur se sa shqiptarët tjerë, por ata janë më të ekspozuar përkundrejt sistemeve të ideve, shkollimit dhe zhvillimeve më të avancuara dhe duke parë botën nga më shumë anë dhe dritare mund të jenë në pozicion të krijojnë gjëra që marrin më shumë kohë të qartësohen për shqiptarët brenda. Njeriu i cili jeton jashtë vendit e mat veten kundrejt dy standardeve— atij të vendit mikpritës dhe atij të vendit amë— dhe kështu mund të rris vlerën e tij apo saj duke parë se cili standard është më i lartë në cilën fushë.
Mirëpo edhe Diaspora nuk mundet aspak pa rrënjën respektivisht popullin në trojet etnike. Emigracioni i ka shumë të mira dhe, edhe nëse Shqipëria bëhet parajsë mbi faqe të dheut, populli shqiptar duhet gjithherë të ketë emigracion. Bile nuk do të duhej të ketë asnjë shqiptar apo shqiptare të vetme që nuk del dhe përjeton botën disa herë në jetën e tij apo saj. Por emigracioni i ka edhe kërcënimet dhe të këqijat e veta. Pa ndihmesën, vlerat dhe kapacitetet e mëmëdheut Diaspora është jetëshkurtër dhe pëson disfatën më të madhe të mundshme— asimilimin dhe zhdukjen. Së këndejmi, adresimi i njëri-tjetrit me “ne dhe ju” është adresim absurd dhe tani e tutje, çdo stinë kur takohemi në detet, fushat, apo bjeshkët tona, le të ndalemi dhe kujtojmë që të gjithë shqiptarët jemi nga e njëjta pemë që quhet NE dhe le të bëjmë gjithçka që ajo të jetë sa më e shëndoshë dhe fortë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ne dhe Ju, Uk Lushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4417
  • 4418
  • 4419
  • 4420
  • 4421
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT