• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARA NJË NGJARJEJE HISTORIKE

August 28, 2014 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/
“Ndërkaq këtë vit është parashikuar Shqipëria, për dy arsye të rëndësishme. E para, sepse kanë arritur të bëjnë një qeveri të bashkimit kombëtar – po bëhet fjalë për Ballkanin, ë? – ndërmjet myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve, me një këshill ndërfetar që ndihmon mjaft, i ekuilibruar e harmonik, kjo është gjë e mirë. Prania e Papës don t’i thotë gjithë popujve se mund të punohet së bashku. Nëse mendojmë pastaj për historinë e Shqipërisë, ka qenë i vetmi nga vëndet komuniste që kishte ateizmin të vendosur në kushtetutë : shkuarja në meshë ishte antikushtetuese ! Janë shkatërruar 1820 kisha, të tjera të kthyera në kinema, teatro, salla vallzimi…. “
Këto ishin fjalët që Papa Françesku, duke u kthyer nga udhëtimi i tij i tretë në botë, që nga shkurti i vitit të kaluar, kur u zgjodh, pothuajse njëzëri, në fronin e Shën Pjetrit, u tha gazetarëve në aeroplanin me të cilin fluturonte drejt Romës. Ishte vizita e parë në kontinentin aziatik dhe u zhvillua në Kore, në pjesën qëndrore të saj, në faltoren e Solmoes ku Kreu i Krishterimit pati takim me 6000 të rinj e të reja nga gjithë Azia.
Udhëtimi i tij i katërt do të jetë në Shqipëri. Është sihariqi më i mirë që mund të kishin shqiptarët në këtë fazë të trazuar të jetës ndërkombëtare e, do të thosha, edhe të jetës së Vendit. Është një sukses i politikës shqiptare, një nga të paktit, në këto 23 vjet të pas komunizmit, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në NATO e në BE. Në hapësirën e kohës prej 21 vjetësh Shqipëria vizitohet nga dy vikarë të Krishtit. Vizitat kryhen në dy çaste historike të ndryshme. E para u krye më 25 prill 1993 nga Papa Vojtila, i ngjitur në drejtimin e Vatikanit nga toka martire polake, njeriu që ndikoi në planin vetiak, më shumë se kushdo tjetër në shembjen e komunizmit. Ulja në gjunjë e puthja e tokës arbërore nga ana e Tij ishte nderimi më i madh që i bëhej një Vendi të varfër, që dilte nga përvoja më e keqe e komunizmit evropian, por që kishte dhënë edhe shëmbullin e qëndresës ndaj së keqes në pushtet, me martirizimin e klerit të tre besimeve, kryesisht me atë katolik. Duke puthur “tokën e fshikulluar nga përndjekja” e duke thirrur “Evropa nuk duhet të harrojë”, Papa polak i jepte një përkrahje të hapur, në nivel botëror, atdheut të Skënderbeut, për të cilin të tjerë parardhës të hershëm të Tij ishin shprehur me fjalët më të ngrohta e me ndihma. Nëse “porosia” e Gjon Palit II nuk pati rezultatet e pritura, arsyet duhet t’i kërkojmë në veten tonë, në klasën politike, që gënjente veten duke dashur të ndërtonte shoqërinë e tregut të lirë me metodat e mendësinë e socializmit ramizist. Sot Papa Françesku, “i ardhur nga fundi i botës”, pranon ftesën e Qeverisë shqiptare, duke i dhënë asaj përparësi në gjithë kontinentin. E bën këtë për të ngritur, para botës, një shembull harmonie të bashkëjetesës dhe bashkëqeverimit të tre besimeve fetare më të përhapura : të islamizmit, të krishterimit ortodoks e të atij katolik. Ai e quan atë dukuri si shfaqje të krijimit “të një qeverie të bashkimit kombëtar”. Është i qartë objekti në mendimin e Papës, edhe se nuk i përgjigjet së vërtetës në planin institucional, por kjo tregon një mangësi të këshilltarëve të tij, që nuk janë të njoftuar mirë për gjëndjen shqiptare.
Vlerësimi i Françeskut vjen në një çast të vështirë të gjëndjes ndërkombëtare, kur pakica myslimane në vende të ndryshme, nëpërmjet terrorit ushtarak po shpallin “kalifate”, duke shfarosur e dhunuar të gjitha pakicat e besimeve të tjera, madje dhe të atyre islame jo sunite. Shembulli i Shqipërisë është ndër të paktit në botë, në të cilin ndryshimi i besimeve, nuk ka ndikuar për keq jetën politike.
Duhet theksuar se kjo meritë nuk është veçanti e klasës politike pas komuniste, të lindur, rritur e formuar me ateizmin në kushtetutë, të ideuar nga Enver Hoxha e pasuesit e tij për të garuar me Mao Ce Dunin dhe revolucionin e tij kultural, por të “Etërve të Kombit”, që nga krijimi i Shtetit shqiptar e deri në ardhjen në fuqi të komunistëve. Të gjitha qeveritë shqiptare të para 29 nëndorit 1944, ruanin barazpeshën e përfaqësimeve fetare e krahinore. Shqipëria e Rilindjes kombëtare, duke lënë liri të plotë ushtrimi të besimeve fetare, kishte vënë në qendër të filozofisë së saj politike vargun madhor të Vaso Pashës “feja e shqiptarit asht shqiptarija”. Nuk ishte një prirje për të kufizuar apo ndaluar veprimtaritë e besimtarëve e klerikëve të tyre, mjaft prej të cilëve ishin aktorë të rëndësishëm të jetës politike, por e vetëdijes se duhej të ndërtohej një shtet laik, në shembullin e demokracive të Evropës, e se nxitja e dasive fetare do të ishte dukuria më shkatërruese për vetë Kombin. Enver Hoxha e komunistët shqiptarë e bënë “flamur” vargun e poetit e shtetarit shkodran, për të shkatërruar institucionet fetare dhe jetët shpirtërore të shqiptarëve. Kësaj tragjedie, të markës staliniane, të paparë në historinë bashkëkohore të botës, deri në ditët e sotme, kur po i a kalojnë nga përmasat e cilësia e dhunës, vetëm pasuesit aziatikë, afrikanë e evropianë të Bin Ladenit dhe Al Bagdatit, vjen t’i bëjë nderimin e tij dhe të Kishës që përfaqëson Papa i Romës, Françesku, figura më karizmatike e botës së sotme.
“Prania e Papës don t’i thotë gjithë popujve se mund të punohet së bashku.” A është Shqipëria e sotme politike një model i këtij parimi thelbësor për qytetërimin tonë ? Me keqardhje të thellë mund të them se jemi në të kundërtën e tij. Fatmirësisht, prania e tre besimeve fetare, deri tani, nuk ka penguar zhvillimin normal të jetës politike, e cila ka mbetur robe e mendësisë komuniste në një anë dhe e makutërisë së importuar kapitaliste, nga ana tjetër. Larg çdo parimi të respektimit të interesit të përgjithshëm mbi atë vetiak e të vlerësimit si mision të përkohshëm në dobi të Kombit, pjesëmarrjen në jetën politike, aktorët e asaj skene në Shqipëri shquhen për dasitë, jo të besimeve fetare apo bindjeve politike e morale, por për ndarjen në klane e grupe të interesit, që kanë të gjithë të njëjtin synim : pasurimin skajor të secilit.
Jeta politike e kësaj periudhe të pas komunizmit, duke përjashtuar deri diku vitet e para të ndërrimit të sistemit, është një luftë pa caqe për të zotëruar pushtetin, në të cilën nuk kanë munguar përpjekjet e çdo lloji për të tjetërsuar edhe përfundimet e votimeve. Sot marredhëniet mes shumicës qeverisëse dhe pakicës kundërshtuese në Kuvend janë një zinnxhir i gjatë mosmarrëveshjesh, grindjesh, fyerjesh, banalitetesh, deri në përdorimin e një gjuhe triviale, të padenjë jo për njerëz të institucioneve apo të politikës, por as edhe për sarahoshë mejhanesh. Në politikë kundërshtia është fiziologjike, por ajo duhet të jetë e varur dhe kontrolluar nga motive bindëse programore, jo teka njëshash, qofshin këta edhe kryetarë, të servirura si “interesa të atdheut”. Interesat e vërteta të Atdheut, për ata që i kanë ata jetike në qenien e tyre, imponojnë, kur është rasti, edhe qëndrime e marrëveshje në kundërshtim me bindjet, për më tepër me dobitë vetiake të çastit. Ishin ata interesa të Atdheut që shtynin Xhevat Korçën, në prag të 7 prillit 1939, t’i drejtohej Mbretit Zog për bashkëpunim, deri në luftë të përbashkët me armë kundër italianëve, e Mustafa Krujën, më 1943, t’i kumtonte atij, nëpërmjet Sali Myftisë, gatishmërinë për t’u vënë nën drejtimin e tij, si “ushtar i thjeshtë”. Kjo ndodhte mbas një jete të tërë mërgimi si kundërshtarë të Mbretit Zog. Rastet e “koalicioneve të mëdha” në Evropë janë të shumta e mësimdhënëse.
Ka vite që jemi të pranishëm në padi të ndërsjellta mes socialistëve e demokratëve për korrupsionin politik, por deri më sot nuk kemi parë asnjë të dënuar, për ato motive, në rradhët e drejtuesve kryesorë, sepse askush nuk ka interes t’a bëjë konkrete atë betejë. Ka vite që shohim një parregullsi të theksuar në jetën e Kuvendit, ligje e “reforma” që miratohen pa pjesëmarrjen e Opozitës në votime. Ndodhte ashtu kur qeveriste koalicioni PD – LSI, ndodh kështu tani, kur qeveris PS – LSI. Socialistët dilnin jashtë Kuvendit, kur bëhej fjalë për të dënuar krimet e komunizmit e për t’i dhënë dëmshpërblimet ish të dënuarve politikë, demokratët nuk marrin pjesë as në diskutime, as në komisione, as në votimin e një akti të rëndësishëm të shtetit, siç është reforma administrative. Për të mos u zgjatur, shëmbujt janë të shumtë e nxjerrin në pah papërgjegjshmërinë e politikës në përgjithësi.
Para një ngjarjeje madhore për historinë tonë bashkëkohore, siç është vizita e Papës Françesku, më 21 shtator, një ditë kur një pjesë e mirë e vëmëndjes së botës do të jetë e përqëndruar në Tiranë, është e arsyeshme dhe e urueshme që mosmarrëveshjet e pazarit të politikës të lihen mënjanë, që t’i jepet, qoftë edhe për një ditë, ideja botës se “dijmë të punojmë së bashku”. Le t’i lemë ca ditë në pushim “zëdhënësit” e partive që, çdo mbrëmje recitojnë përmendësh paditë e ndërsjellta, le të tërhiqemi për disa ditë nga veprimet e pushtimit të institucioneve të pavarura, funksionimi i të cilëve çon në çrregullime të mëdha për jetën e qytetarëve e të Shtetit, përfshirë këtu dhe vendime vetiake, në kundërshtim me interesat e tyre, siç është rasti i mos emërimit të prof. Ardian Ndrecës në funksionin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Vatikan.
Le të japim përshtypjen, qoftë edhe të rreme, se besimit që na jepet nga bota dijmë t’i përgjigjemi me veprime të dobishme, le të vemë në pah vlerat tona e, pse jo, të japim një mësim qytetërimi, në pohimin e marredhënieve vëllazërore mes njerëzve të besimeve të ndryshme, kësaj trashëgimie morale kulturore të Kombit tonë, që merr vlera të jashtzakonshme në kontekstin konfliktual të botës së sotme. Le t’i lemë mënjanë shemëritë politike e t’i japim mbështetjen e përgjithëshme Kryeministrit tonë që, në mbledhjen e Berlinit, do të flasë në krah të Kancelares Merkel, jo vetëm në emrin tonë, por edhe të Ballkanit.
Kjo nuk do të thotë të njëjtësohemi me pushtetin, por të jemi t’arsyeshëm në betejën politike, duke dhënë përfytyresën e një Vendi që ka hyrë në rrugën e qytetërimit, që është i vendosur të respektojë parimet e tij në të gjitha fushat, edhe në atë të mbarështimit të Shtetit, edhe në rregullat e ballafaqimit të ideve e projekteve politike.
Le të jemi të gjithë në lartësinë e detyrës së një dite të shënuar për Kombin tonë. Mikut shumë të lartë, që na nderon me praninë e Tij në kryeqytetin tonë, t’i dëshmojmë jo vetëm mikpritjen tradicionale e respektin e thellë, por edhe vullnetin “për të punuar së bashku”, në dobi t’atyre parimeve që çojnë përpara qytetërimin, duke vënë në dukje, prerë e pa mëdyshje, shkëputjen tonë nga e kaluara komuniste, jo vetëm me fjalë.
Do të jetë shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit tonë e historisë së tij, nëse do të kemi vullnetin e dëshirën për t’a kryer atë.
Gusht 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: Egjen Merlika, PARA NJË NGJARJEJE HISTORIKE

Nis rrugëtimin ndërkombëtar “Heroi” i Luan Kryeziut

August 28, 2014 by dgreca

Dy filma shqiptarë nga të dy shtetet shqiptare konkurojnë në Festivalin Botëror të Filmit të Montrealit që mbahet në Montreal, Kanada nga 21 gusht deri më 1 shtator 2014. Me shfaqjen në Montreal, “Heroi” i Luan Kryeziut, fillon shfaqjet në kinematë botërore./
Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada/
Pas Kosovës, filmi i Luan Kryeziut u shfaq për herë të parë në Montreal në datat 25 dhe 26 gusht. Filmi, konkuront në seksionin « Vështrim mbi kinematë e botës » ku konkurojnë vende me shumë tradita në fushën e kinemasë si Italia, Franca, Gjermania, Japonia etj., por edhe nga vende me më pak përvojë në fushën e ekranit të madh. Duke ditur rëndësinë e festivalit të Montrealit, mund të konsiderohet sukses qoftë edhe, vetëm marrja pjesë në një festë të tillë të kinemasë botërore.
Ngjarje e veçantë për kinemanë shqiptare por edhe për dashamirësitë e saj
Kinemaja shqiptare, pavarësihst vështirësive që kalon, ka qenë e pranishme në këtë aktivitet të rëndësishëm botëror. Kjo, përbën një ngjarje të veçantë e të gëzueshme edhe për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Montreal dhe rrethina. Dhe, kuptohet, ata, në raste të tilla, nuk mungojnë të jenë të pranishëm për kënaqësinë që të dhuron një film në gjuhën shqipe dhe pse jo edhe për të ndihmuar sado pak në veprat që paraqisin artistët shqiptar në këtë aktivitet gjithë botëror. Madje sivjet, përveç shqiptarëve nga Montreali dhe rrethinat pati nga ata që erdhën nga Hamiltoni dhe Toronto, pra, disa qindra kilometra larg.
Duhet falenderuar Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës për vendosjen e lidhjes mes realizatorëve të filmit (Iliria Film) dhe shqiptarëve të Montrealit. Krijime të tilla ku është investuar kohë dhe para dhe, ku janë përfshirë edhe shumë personalitete shqiptare dhe të huaja ka nevojë për promovim, ne shqiptarët kemi nevojë të jemi të lidhur me atdheun dhe ku më bukur se një film në gjuhën e nënës !
“Heroi”
Para filmit pyeta autorin e tij, Luan Kryeziun nëse filmi kishte skena të dhunëshme me qëllim që edhe fëmijët në merrnin pjesë ose jo. Regjisori dhe skenaristi i “Heroit” më tha që jo vetëm nuk ka dhunë por aty ka edhe një personazh fëmij. Dhe në fakt filmi duke i vendosur ngjarjet në Kosovën e pas luftën nuk kishte dhunë dhe loja e fëmijës në fjalë i jepte bukuri filmit. Pa dashur të bëjë një kritikë të specializuar sepse nuk më duket se është fusha ime, mund të them se vetëm ne shqiptarët mund t’a kuptojmë filmin në çdo detaj qoftë gjuhësor, psikologjik, sociologjik, historik e zakonor.
Në qendër të filmit ishte një hero i luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës ndaj serbëve. Por, pas lufte, përveç fjalëve të bukura, lufta nuk e ndihmoi dot personazhin e filmit të siguronte të ardhmen e tij dhe të familjes. Dhe, kjo n’a sjell para nesh atë realitet të hidhur që shohim aty këtu në Kosovën e pas luftës ku shumë prej luftëtarëve për liri u zhgënjyen. Shumë syresh nga çlirimtarë u shndërruan në biznesmen e politikanë duke parë interesat e tyre. Por, jo pak syrsh, ndonëse dhanë gjithçka për të tjerët dhe mund të kishin dhënë edhe jetën, pas luftës nuk kërkuan shpërblim por pak dinjitet. Luan Kryeziu na e sjell në film një personazh që ne e quajmë të ndershëm, Autori i filmit sikur ka dashur të na transmetoj një vlerë universale siç është ruajtja e integritetit apo ruajtja e pastërtisë së figurës së personazhit. Një njeri që ka disa përcaktime etike, e të cilat, për të paraqesin esencën e karakterit të tij, në filmin e Kryeziut sikur nuk mund të ndryshoj madje as para sfidave më të mëdha të individit para shoqërisë së cilës i përket apo edhe rrethanave të vështira nëpër të cilat reciklohet moralisht dhe fizikisht. Sepse, personazhet si Shkëmbi apo Heroi i L. Kryeziut që vjen si viktimë e mospërfilljes shoqërore, por edhe ndershmërisë së tij, shpërfaq kërkesa minimale: të mbijetojë në kohë horrash dhe transicioni; pra, në një kohë të egër dhe pa rregulla.
Njerëz si « Heroi » në fund të fundit, thuaja se prore ndodhen para dy mundësive për të përzgjedhur: e para, e paramenduar nga personazhi i filmit, e tjetra, e realizuar prej tij. Nuk po ua zbuloj fundin sepse ndoshta do të ishte interesante për ata që nuk e kanë parë.
Gjuha e filmit
Herë-herë i hidhja sytë përkthimeve dhe me vete thosha se nuk ka përkthim që të mund të transmetoj atë që Luan Kryeziu dhe ekipi i tij kanë thënë në këtë apo në atë skenë. Në këtë optikë mund të kuptohet reagimi i një shikuesi të huaj që pas filmit në periudhën e pyetjeve insistonte të dinte se si është e mundur që një hero i luftës të duket aq inertë apo edhe aq i “paaftë” për të mbajtur familjen e tij. Kjo, mbase, do të ishte pyetja të cilën do të mundej të e parashtronte edhe ndonje shikues tjetër joshqiptar, sepse, është e qartë se historia solli aq shume sfida dhe befasi për shqiptarët saq diçka, diçka, ndoshta edhe nuk mund të kuptohet, ndonjëherë, mirë e mirë nga të huajt, por janë gjëra të cilat për ne jane krejtësisht te qarta, kristal, si dita me diell.
Ndonëse gjuha e përdorur është gjuha e folur në rajonet ku ka vepruar UÇKme mjaft nëndialekte dhe krahinarizma, nga dialekti verior, megjithatë, gjuha e peronazheve është e thjeshtë, e artikulau ndaj dhe e kuptueshme prej të gjithëve.
Regjia dhe aktorët
Filmi me skenar dhe regji të Luan Kryeziut është në fakt një prodhim që tejkalon kufijtë e diçkaje lokale, aq më tepër se, aktori kryesor Arben Bajraktari, jeton në Francë dhe ka realizuar role aty, por edhe ne Amerikë; më pas, drejtori i fotografisë Roger Simos që është francez, një nga aktorët, Xhemi Agaj jeton në Kanada, montazhi është bërë nga amerikan, Lary waxman, etj., etj.
Gjithashtu mund të thuhet se filmi është një prodhim i një cilësie të lartë dhe përçon tek shikuesi vlera universale por edhe vlera tipike shqiptare. Kamera, muzika, dialogët dhe sidomos prania e disa këngëve popullore e bënin filmin origjinal ia shtojnë edhe vlerat antropologjike këtij projekti.
Gjithashtu edhe loja e aktorëve ishte në lartësinë e duhur. Përmend protagonistin Arben Bajraktaraj, Adriana Morina, Xhemi Agaj por edhe regjisori, gazetari dhe aktori i pranishëm në festival prof. Haqif Mulliqi.
Të gjitha shpjegojnë atë interesim të publikut për të dialoguar me regjisorin e filmit z. Luan Kryeziu. Seanca e pyetjeve dhe e përgjigjeve u desh të mbyllej në një moment për të liruar sallën për filmin pasardhës. Ndryshe, ka të ngjarë se ky debat do kishte vazhduar shumë, shumë gjatë.
Së fundi, nëse do të kishim ndonjë dilemë dhe do të pyteshim se a thua, me këtë dozë kriticizmi do të ishte më i përshtatshëm për një publik shqiptar dhe jo për të tjerët që do shikojnë edhe ndonjë element të shoqërisë shqiptare që nuk është edhe aq i lavdishëm, megjithkëtë, duhet kujtuar se Kosova dhe Shqipëria, apo shoqëria shqiptare në përgjithësi vazhdon të përballet me probleme serioze të cilat nuk duhet t’i fshehim në asnjë mënyrë. Sepse, po nuk e bëmë ne këtë, atëhërë me këto çështje do të merren të tjerët, të cilët nuk do të hezitojnë të na mveshin edhe gjëra që nuk qëndrojnë si të tilla, do të jenë të ekzagjeruara apo edhe të pavërteta dhe do të na pëcëllojnë.
Fundja, a nuk jemi ne ata të cilët, përditshmërisht shkruajm dhe flasim në media mbi korrupsion, nepotizmin, për shfrytëzim posti etj., etj.?! Ndaj dhe, nuk është e befasishme nëse dikush si personazhi i Kryeziut, Heroi, e refuzon ligësinë dhe deformimet në shoqëri duke mos pranuar të bëhet pjesë e «kësaj mode», paçka se, edhe ne vet mund të kapemi në habi dhe të pyetemi se – si mund të ketë heronjë të tillë apo edhe utopistë të tillë në kohërat moderne, siç do t’i quante Çarli Çaplini.
Në këtë kuadër Mendoj se heronjë të tillë, si ky i Kryeziut, nuk janë krejt një krijim artistik, por janë ata që duhet të n’a kthejnë në tokë për t’a parë realitetin në sy. E kjo, ndonjëherë dhemb.
Pa dashur të bëj moral, njeriu i pastër duhet të ngelet i tillë pavarësisht çmimit që duhet të paguaj për këtë. Dhe mendoj se pikërisht mesazhi njerëzor që transmeton ky fim është pikërisht suksesi i tij. Filmi të bënë të reflektosh dhe jam i bindur që çdo shikues ka përjetuar fatin e Heroit dhe jam i bindur që ka dashur t’a ndihmoi atë. Kjo bënë t’i shikosh luftëtarët e lirisë ndryshe. Dhe roli i një filmi është reflektimi ndaj shoqërisë duke u nisur nga ngjarje lokale për të nxjerr mësime globale.
Nisur nga suksesi i filmit në Festivalin Botëror të Filmit në Montreal, shpresoj se filmi do të jetë i suksesshëm në ekrane të tjera botërore.
Filmi i dytë shqiptar që konkuron në Festivalin e Montrealit është filmi « Amanet » i regjisorit Namik Ajazi që shfaqet në datat 30 dhe 31 gusht 2014. I urojmë edhe këtij filmi suksese ashtu si edhe « Heroi ».
Ajet Nuro
Montreal, Kanada 27 gusht 2014(Kortezi-Tribuna Shqiptare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Ajet Nuro, i Filmit"Heroi, Luan Kryeziu, ne Kanada, rrugetimi

Jani Kondo, bashkë me luftëtarët e tij çamë, hyri i pari në kala…

August 28, 2014 by dgreca

Kondoja nuk durohet si shqiptar. Edhe pse Kondo, para dy shekujsh ishte ai që ishte, sipas mentalitetit serb, kishte për të qenë më mirë sikur Kondo të mos kishte lindur kurrë. Ose sikur mos të kishte bërë atë që e ka bërë, sepse serbët “më lehtë e kishin pasur të mbeteshin pa Beogradin se sa të përmendin shqiptarin -armikun, çlirimtarin e Beogradit”.
Shkruan Fahri XHARRA/
Cili ishte Jani Kondo?
Historia punon me fakte dhe dokumente, me gjurma tekstesh të cilat së bashku vendosën në një tërësi koherente dhe e cila e prodhon të Vërtetën.
Në natën e 5 dhe 6 gushtit 1804, pas një beteje të përgjakshme e shpëtuan Kalanë e Beogradit nga turqit, pra ky ishte nga fillimi i kryengritjes së parë Serbe.
Kryengritjen e përmendur jo vetëm që e udhëhoqën shqiptarët por e ndihmuan edhe shqiptarët që iknin nga ushtria turke edhe shqiptarët e Kelmendit, Grudës dhe Shoshit. Shënimet flasin se edhe shqiptarët e Toplicës dhe të Nishit ndihmuan në kryengritjen serbe,
Qëllimi i sintagmës i krishterit në ushtrinë turke, pra nuk është në atë që të zbulon por në atë që të fsheh dhe të heshtë prejardhjen kombëtare të Kondo Bimbashit. Petrit Imami në librin e tij “Serbët dhe Shqiptarët gjatë shekujve” citon që Kondo Bimbashi ishte komandant i çetës së Epirotëve, në ushtrinë turke të kohës, një shqiptar ortodoks i Epirit. Edhe historianit serb, pro-serbi i së “vërtetës serbe”, Vladimir Stojançeviqit, në librin e tij, ku shqiptarët nga urrejtja i quan Arbanas e jo Albanac thot: “Në mesin e kryengritësve ishte edhe Kondo Bimbashi, shqiptari ortodoks i kufirit të Toskërisë dhe Epirit”.
Kush ishte Kondo Bimbashi pra?
Vuk Karaxhiqi duke u bazuar në traditën popullore (Cilën, shqiptare apo serbe?) e ka të shënuar edhe këngën epike për Jani Kondon (Kondo Bimbashin), me prejardhje Arnaute dhe e ngritë atë edhe më lartë se mitin serb Kraleviq Markon.
Kështu serbët, në vend se t`i korrigjojnë padrejtësitë historike ose të forcojnë të vërtetën universale, paraqitën me figurën e shqiptarit si armik të përhershëm, një armiqësi e ngulur aq shumë në mendjen e tyre saqë iu është e pamundur të mendojnë diçka tjetër apo diçka ndryshe. Është interesant rasti i Jani Kondos dhe logjika serbe e urrejtjes shkon aq larg që meqenëse Shqiptarët janë armiq të serbëve kurse Kondo mik i tyre; Kondoja nuk durohet si shqiptar. Edhe pse Kondo, para dy shekujsh ishte ai që ishte, sipas mentalitetit serb, kishte për të qenë më mirë sikur Kondo të mos kishte lindur kurrë. Ose sikur mos të kishte bërë atë që e ka bërë, sepse serbët “më lehtë e kishin pasur të mbeteshin pa Beogradin se sa të përmendin shqiptarin -armikun, çlirimtarin e Beogradit”.
Kondoja nuk përmendet nga shqiptarët sepse ishte shka (shqiptar ortodoks), por as nga serbët sepse ishte shqiptar.
Serbët është mirë të heshtin se e kaluara e tyre nuk është se si e thonë dhe e tregojnë ata, por ashtu se si ka qenë; nuk duam te jemi vëllezër me ta por t’iu bëjmë të ditur (edhe pse e dinë fort mirë) se familjet e Lekiqëve, Nikiqëve dhe Daciçëve janë shqiptarë ortodoks.
Pra rrethanat favorizuese për ikjen e shqiptarëve ortodoks nga trungu i tyre ishte turku dhe mençuria e popave të kishës serbe, të cilët ishin promotorët e krijimit të shtetit serb. Zatën, edhe sot si kor, Kisha Serbe ta pranonte të vërtetën historike të tyre, gjërat kishin për të shkuar në rrjedhën e tyre natyrore.
Cili ishte Jani Kondo ?
Viti 1804,viti tërbimit turk mbi Beogradin. Çka është nënçmuese për Serbët për tu përmendur ky vit si dhe këtë tërbim turk?
Pra , , me ardhjen e turkut u hapën dy dyer të ikjes ,dy dyer të shkuljes nga trungu shqiptarë. Njëra nëpërmjet ortodoksizmit në shkije e më vonë në Serb ; e tjetra nëpërmjet muslimanizimit ,në muslimanë e vonë turqë. Në arën tonë të historisë është lëvruar shumë,është lëvruar që nga parmenda ,pllugu i tërhekur me buaj e deri te mjetet më moderne e lëvrimit; lëvruesit e kanë mbjellur farën e tyre në tokën tonë sipas dëshirës së tyre dhe ne kemi “dalur” ashtu si e kanë dëshiruar ata.
“Per Jani Kondo-n ose serbët si e quanin Kondo Bimbashi nuk mund të gjënden të dhëna në internet as nga ana Serbe e as ajo Shqiptare , arsyeja për Serbet është : sepse Jani Kondo dhe grupi i tij ishin Shqiptar që e çliruan Beogradin ne vitin 1813 , kurse nga ana jonë dikush në kohën e sotme mund ta merr sikurse tradhëtar pse çliroi Beogradin ose ndihmoi Serbinë .Merreni si te doni , është me rëndësi që Beogradi u çlirua nga shqiptarët në vitin 1813 .
Jani Kondo, bashkë me luftëtarët e tij, kryesisht çamë, hyri i pari në kala. Një tjetër luftëtar çam, Gjergj Olimpiasi, me 300 vullnetarë të tij shqiptarë luftoi për çlirimin e Serbisë, (Arbën Xhaferri, “Legalizimi i krimit)Fryti historik i kohës së caktuar ka qenë gjithmonë i klonuar sipas dëshirës së të tjerëve e aspak e as një fije nuk i ka ngjarë të vërtetës. Historia ,e më këte edhe e vërteta është mëshefur.
Si shkruajnë serbët per Kondon? («Конда Бимбаша (1783, Јањина, Епир –1807, Троноша код Лознице) учесник у првом српском устанку.По нацији био јеЦинцар. )
“Kondo Bimbashi , pjesëmarrës në kryengritjen e parë serb. Me kombësi ishte Cincar
Kur Karaxhorxhe e çliroi Beogardin ( 1806) , Kondo me pesë djemë të veshur si ushtarë turq , i hapi dyert e Savës (Сава капију )dhe ia mundësoi Mirko Uzunit që ai me 150 ushtarët e tij të futet në qytet. Sulmi mbi këtë Sava Kapija ishte vendimtar për çlirimin e Beogradit. Me rastin e këtij sulmi vdiqën 50 serbë e edhe me ata Vasa Çarapiqi «
Qartas shihet mohimi i krejt asaj që ka bër Jani Kondo.
Kondoja nuk durohet si shqiptar. Edhe pse Kondo, para dy shekujsh ishte ai që ishte, sipas mentalitetit serb, kishte për të qenë më mirë sikur Kondo të mos kishte lindur kurrë. Ose sikur mos të kishte bërë atë që e ka bërë, sepse serbët “më lehtë e kishin pasur të mbeteshin pa Beogradin se sa të përmendin shqiptarin -armikun, çlirimtarin e Beogradit”.
Pllaka e vetme ku përmendet Kondo në Beograd, shënimi i një rruge; ai s`është për krenarinë e serbëve. Në pllakë shkruan: “Kondo Bimbashi, I krishteri në ushtrinë turke, në kohën e rrethimit të Beogradit në vitin 1806 (?). Në momentin vendimtar ka kaluar në anën e serbëve dhe më të vetët i ka hapur Kapitë e Beogradit
Nga ana tjetër, sllavët e jugut kishin përkrahjen e pakursyer të Rusisë. Përmes tyre ajo avanconte interesin e vet gjeostrategjik në Ballkan. Që nga kjo kohë u vendosën kufijtë e bazuar në real-politikë apo në interesa kombëtare të mbrojtura ushtarakisht. Këto interesa nuk merrnin parasysh trashëgiminë kulturore, historike apo realitetet etnike në terren, por një aspekt të ri, atë të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë. Shkaku i tretë i pësimit të shqiptarëve që nga kjo periudhë e deri më tani janë dilemat qytetëruese që mishërohen në politikën e Haxhi Qamilëve. (A.Xh)
Herën tjetër për Çele/Kullën e Nishit , me koka të shqiptarëve .
Fahri Xharra 26.08.14 ,Gjakovë

Filed Under: Histori Tagged With: Fahri Xharra, Jani Kondo, kala, luftetaret came

SHTYPI AMERIKAN SHKRUAN PËR DËSHMORIN E KOSOVËS, VEZIR ADEMAJ

August 28, 2014 by dgreca

….. Dëshmori i Kosovës Vezir Ademaj është përfaqësues tipik i rinisë atdhetare, që mbi gjithcka vë interesat Kombëtare. Ai jetonte në emigracion në Zvicër,- për vete nuk i mungonte gjë, ishte një sportist i elitës Europiane, kampion dhe si i tillë e kishte privilegjet e një kampioni; kishte të garantuar jetën atje, por ai ndoqi zërin e ndërgjegjes Kombëtare, që e ftoi të linte rehatinë e Zvicrës dhe t’u bashkohej luftëtarëve të Lirisë dhe popullit martir, që kishte tërheqë vëmendjene Amerikës dhe të Europës. Kush më mirë se sa një kampion mund t’ia tërhiqte vëmendjen Botës për Kosovën martire? E dinte se nuk po shkonte në dasëm, por në luftë. /
Me 25 Korrik 2014 në sallën qendrore të Bashkisë në Manhattan, NY, u organizua ceremonia e nderimit të dëshmorit të Kosovës, Vezir Ademaj. I pranishëm në ceremoni ndodhej me këtë rast anëtari i Këshillit Bashkiak z. Ritchie Torres, zyrtarë të Bashkisë si dhe përfaqësuesi i zyrës së ansambleistit të Shtetit të Nju Jork-ut, zotit Mark Gjonaj.
Propozimin për ta nderuar dëshmorin e Kosovës nga Bashkia e Nju Jorkut e ka bërë Shoqata që drejton Esad Rizai. Zoti Rizai shoqërohej në këtë ceremoni nga veprimtari i Shoqatës Came, z. Sali Bollati. Ndërsa proklamatën e Ansamblesë së Nju Jork-ut e sponsorizoi anëtari i saj, z. Mark Gjonaj.
Ceremoninë e përcolli gazetari Beqir Sina si dhe Skënder Pali i Albanian American News TV. Dielli online dhe media e komunitetit e pasqyruan ngjarjen.
Në dy Proklamatat e nderimit të dëshmorit të lirisë, Vezir Ademaj, të firmosura nga ansambleisti
Mark Gjonaj dhe këshilltari Ritchie Torres, përshkruhet jeta dhe vepra e luftëtarit, që më shtrenjtë se gjithcka kishtet lirinë e Atdheut.
Vezir Ademaj, lindi në Sheremetaj të Gjakovës dhe që fëmijë u mëkua me dashurinë për lirinë e Atdheut të vet të robëruar nën okupatorin shekullor serb. Kulla me historitë e saj tronditëse të invadorëve, që ishin përpjekë ta rrënonin, ta bombardonin, por nuk kishin mundur ta shkatërronin; pikërisht kjo kullë shekullore,kishte përcjellë tek dëshmori trimëritë e brezave dhe qëndresën për liri. Familja Ademaj shquhet për atdhetarizëm dhe qëndresë. Në këto gjurmë eci edhe Veziri dëshmor dhe vëllai i tij Shaqiri dhe vëllai tjetër Rasimi.
Dëshmori i Kosovës Vezir Ademaj është përfaqësues tipik i rinisë atdhetare, që mbi gjithcka vë interesat Kombëtare. Ai jetonte në emigracion në Zvicër,- për vete nuk i mungonte gjë, ishte një sportist i elitës Europiane, kampion dhe si i tillë e kishte privilegjet e një kampioni; kishte të garantuar jetën atje, por ai ndoqi zërin e ndërgjegjes Kombëtare, që e ftoi të linte rehatinë e Zvicrës dhe t’u bashkohej luftëtarëve të Lirisë dhe popullit martir, që kishte tërheqë vëmendjene Amerikës dhe të Europës. Kush më mirë se sa një kampion mund t’ia tërhiqte vëmendjen Botës për Kosovën martire? E dinte se nuk po shkonte në dasëm, por në luftë.
Kampioni i Kikboxit, u bë edhe kampion i Lirisë. “Alfredi”(Nofka e tij e Luftës” me sjelljen e tij, me guximin dhe vetitë trimërore bëri për vete rininë e Kosovës duek frymëzuar me aktin e tij. Ai u vu në mbrojtje të popullatës civile së bashku me shokët e tij duke vënë jetën e vet në themelet e lIrisë. Ai vepronte si komandant “Komando” në rajonin e Rekës së Keqe dhe kudo që e kërkonte nevoja pa iu trembur syri në asnjë moment, tergonte trimëri e zotësi ushtarake,veti aq të domosdoshme në operacionet zbuluese. Afërsia, dinjiteti dhe sjellja njerëzore e bënin që t’ishte i dashur prej të gjithëve. Nga dita në ditë luftimet ashpërsoheshin, mirëpo këtë trim të paepur kjo ashpërsi nuk e trembte, vetëm sa ia shtonte elanin dhe kalitjen nga fronti në front. Ishte 25 korriku i vitit 1998. Dielli përcëllonte fushat që kësaj vere kishin mbetur djerrë. Fushat e etura për ujë po ujiteshin me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të popullit… Shqiponjat një ditë frikshëm fluturuan andej kreshtave të Gjeravicës. Rrezet e diellit ftohtë shëndrisnin Junikun dhe fshatrat për rreth. Në Kallavaj në përpjekje ballë për ballë me forcat sllave, bie heriokisht Vezir Ademaj. Trupi i përgjakur i ngjante shtizës së flamurit. Ra në fushën e betejës për ta prekur dheun e tokës amë-për të mos vdekur kurrë, por për t’u përmendur përjetësisht në kujtimet krenare të brezave në kalim…
Shkolla fillore në Sheremetaj i mban të gravuar në obelisk, emrat e dy heronjëve të kësaj ane, që jetën e dhanë për Lirinë e Kosovës: VEZIR ADEMAJ e HYSEN ARIFI. Tani edhe një muze ka hapur dyert aty pranë shkollës së dy dëshmorëve.
Për trimërinë e Vezir Ademaj dhe për misionin që ka marrë vëllai i tij këtu në Nju Jork, dr. Hasan Ademaj, për ngritjen e muzeut në vendlindje, kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit, madje jo vetëm atj, por dëshmorëve të tjerë të zonës, kanë shkruar dhe gazetat lokale në Bronx, por edhe prestigjozja “NEW YORK POST” e cila në numrin e saj të 13 korrikut 2014, botoi artikullin e gazetarit Patrick Rocchio me titull”Doctor pushes Albanian museum”. Artikulli shoqërohet nga dy fotografi, një e dëshmorit të lirisë Vezir Ademaj dhe tjetra e dr. Hasan Ademaj. Muzeu në Sheremetaj do të jetë një qendër edukimi për nxënësit e shkollave dhe brezave të tërë me historinë, qëndresën e shekullore të shqiptarëve gjatë pushtimeve dhe vecanërisht në luftën finale, atë për clirimin e plotë të Kosovës, ku dëshmori Vezir Ademaj hipotekoi jetën e vet në moshë fare të re.(Dielli)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip GrecaSHTYPI AMERIKAN SHKRUAN PËR DËSHMORIN E KOSOVËS, hasan Ademaj, New York Post, Vezir Ademaj

Ministër Enver Hoxhaj sa shqiptarë u vranë në Siri?

August 28, 2014 by dgreca

Nga Rrezart Kalaja/
Aktivizimi i qytetarëve të Kosovës dhe në veçanti i shqiptarëve në luftën e Sirisë po alarmohet me përmasa shqetësuese. Kjo dëshmon me faktin se për çdo ditë nga fronti i luftës së atjeshme lajmërohen se gjashtë shqiptarë që kanë luftuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, kanë mbetur të plagosur. Po kurohen në Shqipëri, Itali, e Greqi nga e cila identitetet e tyre mbahen sekret për arsye hetimore.
Ky është një skandal i madh. Terroristët e Al Kaedës të cilët luftojnë kundër qeverisë ligjor në Siri duhet të bombarduar me forcë, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dheEvropës, po edhe nga çdo vend demokratik ,me i sulmuar forcat xhihadiste dhe terroristë si ne foto, që pjesëmarrës janë edhe shqiptarët !!!???…
Po ashtu edhe të vrarë mbërrini shifra marramendëse duke i hedhë në kosh plehrash të dhënën jo te saktë nga ministri i jashtmen Enver Hoxhaj .Minimizimi dhe fshehja e kësaj shifre u dhënë edhe nga organet shtetërore të policisë . Kurrë një shifër të saktë nuk e kanë dhënë, por shifra ma e larte ka qenë 20- 30 pjesëmarrës kosovar në luftën e Sirisë nga e cila shifra e 20 dhe 30-shit u kaluar vetëm si të vrarë në cilësinë terroristëve në atë zonë të luftës.
Pjesëmarrja e tyre me fëmijë dhe manipulimi me ta , është një vepër penale !
Një gjë edhe ma drastike e kane bërë edhe organet e BIK-ut që kanë mohuar edhe atë shifër, nga e cila ,secili organ përgjigjen, se nuk janë kompetentë për një gjë të tillë të japim të dhëna për këtë fenomen !. Lind pyetja vallë kush duhet me qenë përgjegjës për këtë masakër dhe barbarizëm që kryhet atje ndaj njerëzve të pafajshëm sirian duke i lënë me qindra dhe mijëra nëna , gra , e fëmijë të vetmuar pa buke , shkolla dhe kushte për të jetuar, madje pos mercenareve atje një pjesë e tyre kanë marrë me vete edhe fëmijë’?
Lajmet e fundit nëpër media, flasin se disa prind të humbur mendsh, kanë marrë me vete edhe fëmijët e tyre, që në përgjithësi ka shfaqur efekte mjaftë negative për opinionin kosovar .
Pjesëmarrja e tyre me fëmijë dhe manipulimi me ta është një vepër penale ,që në shtetet demokratike konsiderohen të dënueshme, pos nga organet e rendit edhe nga vet popullata!
Të ndalet terrorizmi i organizuar Qeveri , BIK dhe mercenar ekstremist me tru të shpëlara?.
Ky është tmerr , terror dhe një luftë speciale për ta zhbëre kombin shqiptar , për ta njollosur kombin shqiptar, qe kurrë se ka pas të merret me terror as me prerje kokësh !!!. Shteti duhet qe sa me parë të tregohet absolutisht i pamëshirshëm ndaj kujtdo që tenton të shkojë apo që udhëzon të shkojnë në Siri.
Përmasat e ekstremizmit kanë filluar të zgjerohen aq shumë, sa që shumë shpejt do të bëhet vonë. Duhet të tregohet “ZERO” tolerancë dhe mëshirë ndaj secilit ndjekës apo përkrahës të ekstremizmit dhe terrorizmit. A thau si do të arsyetohen para popullit , organet kompetente të Kosovës në maskimin dhe zvogëlimin e këtyre shifrave aq dramatike për demin e Kosovës që po përjeton nga terrorizmi i organizuar Qeveri , BIK dhe mercenar ekstremist me tru të shpëlara?.
SHBA Gusht 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Hoxhaj, pyetje per Ministrin, Rezart Kalaja, terrorizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4438
  • 4439
  • 4440
  • 4441
  • 4442
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT