• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasada angleze pengon Kombëtaren Shqiptare

August 4, 2014 by dgreca

Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon të informojë median dhe të gjithë opinonin shqiptar, në lidhje me mospjesëmarrjen e Ekipit Kombëtar Shqiptar U-21, në ndeshjen miqësore kundër homologëve të Katarit, që do të zhvillohej në 6 gusht në “Dandy United Stadium”, të Skocisë. Kjo ështe një ngjarje që Federata Shqiptare e Futbollit e quan të rëndë dhe një incident të paprecedent.
Bëjmë me dije opinionin publik dhe median shqiptare se për këtë ndeshje, prej dy muajsh Federata Shqiptare e Futbollit, ka vlerësuar me seriozitetin më të lartë, këtë event dhe procedurat përkatëse, duke përgatitur lista me kandidatë (shumë e vështirë, duke patur parasysh që futbollistët gjatë kësaj periudhe janë në fazë përgatitore me ekipet e tyre) dhe duke plotësuar të gjithë dokumentacionin përkatës, Aplikimi është kryer nëpërmjet agjensisë “Teleperformancë” (autorizuar zyrtarisht për këto çështje nga Ambasada Angleze në Poloni) më datë 22 dhe 23 korrik. Janë dorëzuar te gjitha dokumentat përkatëse për aktivitetin financiar nga fluturimi, akomodimi, transporti lokal dhe gjithçka tjetër, që ishin të mbuluara. Regjimi i kërkuar i vizave ishte “priority”.
Sot më datë 4 gusht, ekipi priste që të merrte vizat dhe të nisej për në Skoci, por përgjigja e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, ishte një refuzim i papritur sidomos “për arësye financiare!”, pavarësisht dokumentacionit të plotë e të dorëzuar në afat.
Federata Shqiptare e Futbollit, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj në lidhje me këtë procedurë absurde. Po, është absurde, që kjo i ndodh një ekipi kombëtar të një vendi që është anëtar i FIFA-s që nga 1932 dhe i UEFA-s, që nga viti 1954. Është totalisht e papranueshme që ti mohosh vizën një ekipi kombëtar në vitin 2014, njësoj sikur kjo të ngjante fill pas rënies së “perdes së hekurt” në pragun e viteve ’90.
Pavarësisht se kjo situate nuk erdhi si pasoje as e dëshirës, as e seriozitetit dhe as të mundësive tona, Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon ndjesë Federatës homologe të Katarit, e cila mori përsipër organizimin e kësaj ndeshjeje, për dëmin moral dhe material që iu është shkaktuar, nga një procedurë absurde vizash e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.
Federata Shqiptare e Futbollit, garanton opinionin se duke filluar nga sot, ajo ka vënë në dijeni të gjitha organizmat e fuqishme të futbollit europian dhe botëror (FIFA dhe UEFA) si edhe Federatën Angleze në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, që cënon zhvillimin e futbollit dhe pengon ecurinë e ekipeve tona kombëtare, si edhe bashkëpunimin me federatat e tjera. Gjithashtu, ajo i bën me dije Ministrisë së Puneve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, që të kërkojë nëpërmjet kanaleve të saj diplomatike, shpjegime në lidhje me këtë incident, që cënon mjaft perfomancën e Ekipeve Kombëtare Shqiptare, punën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe gjithë imazhin shqiptar në botë.
FSHF, do të jetë transparente dhe e hapur edhe me mediat angleze të interesuara, për t’i ofruar të gjithë korrespondencën, që lidhet me këtë refuzim të pakuptimtë dhe për t’i sensibilizuar, kundër këtyre praktikave absurde dhe të vjetëruara.
Shprehim besimin tonë, në mirëkuptimin e lojtarëve të ekipit kombëtar U-21, stafit, familjarëve dhe në mënyrë të veçantë opinionit publik dhe medias, për gjithçka ka ndodhur.
FSHF, garanton se do të punojë seriozisht në ditet në vijim duke vënë në lëvizje të gjithë potencialin e saj, që kjo çështje të zbardhet në rang ndërkombetar dhe të tilla episode të mos përsëritën më.

Filed Under: Sport Tagged With: Ambasada angleze, Kombëtaren Shqiptare, pengon

SHBA, imigracioni – një çështje urgjente

August 4, 2014 by dgreca

Kongresi amerikan ka filluar një pushim pesë-javor, pa zgjidhur problemin e dhjetëra mijëra të rinjve pa dokumente nga Amerika Qendrore që përpiqen të hyjnë nga kufiri meksikan. Siç njofton Michael Bowman i Zërit të Amerikës, vëmendja tashmë është përqendruar në veprimet ekzekutive që mund të ndërmarrë Presidenti Barack Obama duke anashkaluar Kongresin.
Kriza në kufi vazhdon, por ligjvënësit po largohen për pushime pa miratuar një ligj për imigracionin që mund të nënshkruhet nga Presidenti.
“Pa burime shtesë dhe ndihmë nga Kongresi, ne nuk do të kemi burimet e nevojshme për të zgjidhur plotësisht problemin. Pra, ndërsa ata janë me pushime, mua do të më duhet të marr vendime të vështira për të përballuar sfidën me ose pa Kongresin,” tha Presidenti Obama.
Të premten, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projekt-ligj për të forcuar sigurinë dhe përshpejtuar deportimet në kufi. Por projekt-ligji nuk u pranua nga demokratët e Senatit dhe nga Presidentit. Ndërkaq, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan për të ngritur padi kundër Presidentit për veprimet ekzekutive të ndërmara prej tij në të kaluarën. Kryetari i Dhomës, John Boehner e paralajmëroi zotin Obama që të mos nxjerrë më urdhra ekzekutivë për imigracionin.
“Kriza në kufi është shkaktuar nga vetë Presidenti. Por ai ende nuk ka nxjerrë mësim. Tani ai ka kërcënuar se do të ndryshojë ligjin dhe do të marrë masa të tjera të njëanshme mbi emigracionin në muajt e ardhshëm. Një veprim i tillë do të nxiste kalimet e paligjshme të kufirit dhe do ta rëndonte krizën në kufi,” tha zoti Boehner.
Presidenti Obama i ka kërkuar rekomandime Prokurorit të Përgjithshëm Erik Holder. Sipas këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Pfeiffer, asgjë nuk është vendosur ende.
“Presidenti Obama do të bëjë sa mundet, por në bazë të asaj që lejon ligji,” tha zoti Pfeiffer.
Edhe pasi ligjvënësit të kthehen në shtator, nuk pritet që Kongresi të ndërmarrë ndonjë veprim të guximshëm për emigracionin apo çështje të tjera të ndjeshme, ndërkohë që në nënton do të zhvillohen zgjedhjet e mesit të mandatit.(VOA)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Imigracioni, një çështje urgjente, SHBA

“STOP” vrasja e fjalës së lirë dhe kërcënimet ndaj gazetarëve!

August 4, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/
“Disa njerëz në Kosovë nuk e shohin lirinë e fjalës si një ideal abstrakt, por më shumë si një mjet i kërcënuar, po që shkruan dhe publikon realitetin e hidhur? Ndjeshmëria ma e theksuar po ndihet të temat politike qe i përket publicistikës ,korrupsioni, hajnisë ,hapjes se dosjeve mbi të bërat e bashkëpunëtoreve të UDB-ës dhe ish regjimeve mbi popullin e Kosovës. Janë në thumb kritike dhe të censuruara, apo edhe krejt të ndaluara nëse trajton tema të çështje politiko-shoqërore të ditës etj, siç ju ndodhi këto ditë edhe gazetarëve konkretisht, kryeredaktorit të gazetës “Bota Sot ”Idriz Morina dhe gazetari tjetër të kësaj të përditshmeje Nehat Shaqirit!
Tërësia e shkrimeve që trajtojnë çështje politiko-shoqërore të kohës në shtypin e përditshëm atë periodik ose në botime të veçanta, sot po ndihen si të rrezikshme për një pjese të klasës politike.
Në fushën e publicistikës “Gazetaria” e mirëfilltë,dhe gazetarët e shkëlqyeshëm janë dritarja dhe sinjali ma i mire për mbrojtjen e vendit nga kasaphana e matrapazëve politik, që me politiken e tyre janë duke e rrezikuar vendin me një rezistencë të re, kërcenim ndaj fjalës së lirë . Të përzihet politika në punën e gazetarëve është barazi me përzierjen e punës se gjykatësit, në punën e shkencëtarit apo mjekut, dentistit,artistit etj . Qeveria dhe njerëzit e zhytur nuk duhet t’i frikësohen realitetit ,dhe gazetarëve të vet, publicistëve të vet , dhe krijuesve të vet pa marrë parasysh se cilit krah politik i përkasin përbrenda kornizave kombëtare. Gazetarët duhet privilegjuar e jo ndëshkuar! Ligjvënësit e parlamentit të Kosovës duhet të skuqen para popullit të vet, që foltoret e “Parlamentit” i kanë shndërruar në (qërim hesapesh në gara), se kush kenë po e akuzon ma shumë , se kush kenë po e shanë ma shume, se kush po e shet ma shume vendin , se kush po mbjell ma shumë ekstremizëm dhe zhbërje të kombit . A thua pran këtyre skenave dhe këtij barbarizmi të mbyllet goja dhe shprehja e lirë ?. A thua të heshtet e kaluara e bashkëpunëtoreve ,që akoma i kanë duart e përgjakura me neve qe na burgosen ,vranë dhe shantazhuan për qefin e Beogradit!!!???… -A thua është në rregull t’i diktohet gazetarit se për cilin institucion të shkruan mirë, e për cilin keq?A thua të heshtet kërcënimi që ju bë kryeredaktorit të ” Botes sot” zotit Idriz Morinës, një gazetar i shkëlqyeshëm , që në thumb kritike ka ta mbroj shtetin nga partizanët bizantin te barbarizmit dhe krimit te organizuar!. Ta mbrojmë, apo ta gjykojmë gazetar të devotshmërisë dhe të guximshëm që trajton temat e ndryshme, po edhe ato me karakter politik, qofshin pozitiv apo negative. Ky tregon realitetin dhe e publikon artikullin në gazetë. Nëse pala ka arsye demontimi ,dil mbroje veten apo edhe demanto shpifësin kush do që të jetë? A thua kërcënimi i poshtëshënuar nuk është një argument i mjaftueshëm për ta shqetësuar opinionin tonë. Sjellim ma poshtë citatin e të shprehurit nga kërcënuesi ndaj kryeredaktorit të “Botes sot”:
-“Nuk ka rëndësi se sa kanë gabuar të tjerët, as ata që e kanë botuar listën që në vitin 1999, as ata që e kanë risjellë në media në vazhdimësi për shumë vite, me rëndësi është, se “Bota sot”, stafi i saj është pritur që të bie në këtë pikë. “Ne këtu, bash këtu ju kemi pritur, s’ka rëndësi se çfarë ka ndodhur më parë! Tash ju do të paguani”!

Kjo mjafton që ta kuptojmë shtruar se për çka bëhet fjalë? Këtu ka të bëjë me listën e agjenteve të UDB-ës jugosllave,para lufte dhe pas saj .Të zbulohen vrasësit dhe të shpallen përgjegjës para popullit teëshume vuajtur.

-Për mua nuk ka rëndësi si e ka emrin kërcënuesi. E rëndësishme është heshtja dhe jo aftësia jonë si shoqëri dhe shtet për të mbajtur të kërcënimin e fjalën së lirë, informimin e drejtë dhe gjithçka tjetër që s’u shkon për shtati grupeve kriminale.
E vërteta dhemb pastaj ta qojmë deri në fund . Nga këtu bashkërisht si shoqëri ti themi “STOP” kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe të jemi në mbështetje të gjithë atyre që e luftojnë të keqën në shoqërinë kosovare.
Vet emërtimi i etikes gazetar, ka kuptimin e drejtë për ruajtjen e fjalës së lirë ndaj abuzuesit i cili donë të ushtroj shtet policor me kodin e aprovuar penal gjegjësisht nenet kontestuese sipas kutit të tyre. Sot gazetarit, po i imponohet ta luaj rolin e policit, të spiunit dhe të një njeriu demagog një krahi politik qoftë edhe kriminal!!!???…
Reportazh-karikaturë Gusht 2014- Karikaturë e ilustruar nga autori Asllan Dibrani,simbolizim i vrasjes së fjalës së lirë?

Filed Under: Opinion Tagged With: "STOP", asllan dibrani, dhe kërcënimet, ndaj gazetareve, vrasja e fjalës së lirë

Monografi që plotëson zbrazëtirat e historisë

August 4, 2014 by dgreca

Argjend Hasani dhe Xhevat Berisha, SPAHIAJT E LLASHTICËS, monografi, Prishtinë, 2014/
Shkruan: Prof. dr. Nusret Pllana/
Përkufizimi/
Argjend Hasani dhe Xhevat Berisha, dy autorë të rinj, bëjnë përpjekje të plotësojnë mangësitë e kujtesës sonë kombëtare, e cila pasi nuk është shkruar, ka mbetur më shumë kujtesë folklorike. Mirëpo, edhe këto rrafshe të kujtesës, autorët i kanë vënë në shërbim të fakteve historike, duke përmbushur kështu një kërkesë elementare metodologjike të shkencës së historisë, se pa studimin e fakteve dhe të burimeve historike, nuk hartohet një vepër që mëton të jetë e nivelit të monografisë.
Autorët, jo vetëm e kanë përmbushur këtë kërkesë, por ia kanë arritur që të krijojnë një kronikë të mirëfilltë të ngjarjeve që kanë qenë vendimtare, jo vetëm në jetën e familjes, të fisit, të fshatit, por edhe të kësaj pjese të popullit shqiptar që jeton shekuj e shekuj në Kosovë, që nga pushtimet e lashtësisë, përmes atyre të Mesjetës, sidomos riokupimi i kësaj pjese të tokave shqiptare nga viti 1913 e deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur përfundimisht fitohet liria.
Hyrje
Vepra Spahiajt e Llashticës është ndërtuar në tetë kapituj. Në secilin prej tyre janë trajtuar çështje, të cilat plotësojnë konceptin e përgjithshëm të autorëve, që ka të bëjë me afrimin e të dhënave historike, arkeologjike, onomastike, të gojëdhënave, por duke mos lënë anash as kujtesën popullore të brezave të ndryshëm të kësaj familje të madhe, të cilët rrjedhën e ngjarjeve të caktuara historike e shpjegojnë sipas mbamendjes.
Prandaj, autorët duke folur për një lagje, për një familje, e cila varësisht nga rrethanat kohore dhe ngjarjet historike, herë rritet dhe shpërndahet nëpër Kosovë, por edhe jashtë saj, herë zvogëlohet, si pasojë e plojës, dhunës dhe shkatërrimeve që kanë sjellë, sidomos Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore.
Në të njëjtën kohë kanë folur edhe për një fshat të tërë, për një krahinë të tërë, për një pjesë të tokave shqiptare, që nga koha e pushtimeve e këndej, ngase, marrë në përgjithësi, i njëjti fat që ka ndjekur familjen Spahiaj, ishte edhe pjesë e fatit të kësaj pjese të popullit shqiptar.
Duke përcjellë me vëmendje organizimin e lëndës që kanë trajtuar autorët në monografinë Spahiajt e Llashticës, lexuesit i bëhet e qartë, jo vetëm një periudhë e caktuar historike, apo ngjarjet e asaj periudhe, por edhe lashtësia e ekzistencës së një pjese të popullit shqiptar të kësaj ane, qoftë përmes zbulimeve të ndryshme arkeologjike, qoftë përmes gojëdhënës popullore, qoftë përmes kujtesës së njerëzve.

Llashtica dhe Spahiajt pjesë e një populli me gjeografi të copëtuar
Autorët e monografisë Spahiajt e Llashticës, në kapitullin e parë kanë trajtuar, në vija të përgjithshme lashtësinë e ekzistencës së këtij vendbanimi, duke u mbështetur edhe në zbulimet arkeologjike që janë realizuar në një periudhë të caktuar të zhvillimit të mendimit shkencor në Kosovën e pushtuar. Kishte vite, për të mos thënë dhjetëvejtësh, kur në Kosovë, herë falë këmbënguljes së individëve, herë falë këmbënguljes së ndonjë institucioni, por edhe kalkulimeve politike që bënte pushtuesi ynë, të jenë kryer veprimtari kulturore e shkencore, edhe me karakter hulumtues. Këtë e dëshmojnë edhe Tumat ilire të zbuluar në Llashticë, gjë që dëshmon, në radhë të parë, për lashtësinë e ekzistencës së këtij lokaliteti, pastaj për përkatësinë historike të banorëve të këtij vendbanimi dhe, së fundit, për ngjarjet historike nëpër të cilat kishte kaluar, edhe populli i kësaj ane të lashtë, thuajse ngjashëm me fatin e gjithë popullit shqiptar.
Janë me interes të dhënat për lashtësinë e emërvendit Llashticë dhe gjithë formimin e tij gjuhësor, deri te emri i sotëm. Por, një rëndësi të veçantë për lexuesin kanë të dhënat historike që sjellin autorët, qoftë për lashtësinë e tij, qoftë për kohën e gjatë të kohës nën pushtimin e të huajve, kohë e cila fillon me vitin 29 para epokës së re, kur si gjithë territori i Dardanisë së lashtë, andaj edhe kjo anë bijnë nën pushtimin e perandorisë Romake. Sa duket, në mungesë të shkollës kombëtare për një periudhë të gjatë kohore, por edhe për mungesë të dijes së historisë kombëtare, periudhat e pushtimit të këtillë, deri te ato të viteve 1912, kur krijohet shteti shqiptar, të cilin pastaj e copëtojnë fqinjët tanë, edhe me pëlqimin e Fuqive të Mëdha të Evropës, pushtim që zgjat afro një shekull, kur kjo pjesë e tokave shqiptare çlirohet më 1999, pas luftës tri vjeçare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autorët sjellin fakte rrëqethëse për hakmarrjen e pushtuesit serb, gjatë gjithë kohës së pushtimit, ndaj banorëve të kësaj ane, sidomos duke theksuar dhunën dhe shkatërrimin që i bëhet fshatit dhe banorëve të tij, në mars të vitit 1999, kur masakrohen më shumë se 25 civilë, duke filluar nga fëmijët e deri të pleqtë.
Në kapitullin e dytë dhe të tretë, autorët e monografisë Spahiajt e Llashticës janë ndalur gjerësisht duke analizuar të gjithë faktorët që kanë ndikuar në jetën e kësaj lagjeje, në mënyrën e gjëllimit të tyre, por edhe rritjen e kësaj familje të madhe. Në jetën tonë historike, ka periudha shumë të rëndësishme, kur familjet e mëdha kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në qëndresën kundër pushtuesit, por edhe në mëvetësinë e qeverisjes që kanë bërë. Prandaj, ato edhe janë ndjekur dhe janë persekutuar, sa herë që pushtuesi ka gjetur rastin. Kjo gjendje ishte pjesë edhe e jetës së familjes së Spahiajve të cilët sot i gjen kudo, jo vetëm nëpër Kosovë, por thuajse në të gjitha kontinentet, deri në Australinë e largët.
Një analizë të ngjeshur autorët u kanë bërë ngjarjeve që lidhen me familjen e Spahiajve, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë të dhëna dhe fakte, qoftë për rezistencën dhe luftërat e tyre, qoftë edhe për dhunën dhe masakrat që ka ushtruar armiku mbi ta. Angazhimi i llashticasëve të familjes Spahiaj, në secilën ngjarje historike, kur rrezikohej atdheu dhe pjesë të tij, ishte një shembull i veçantë i dashurisë për atdhe dhe për liri. Autorët sjellin një shembull konkret të gatishmërisë së anëtarëve të kësaj familje të madhe, kur numërojnë pjesëmarrjen e tyre në luftimet në Preshevë më 1944. Qoftë edhe vetëm nga ky fakt, del bindshëm bindja e autorëve se si banorët e Llashticës, ashtu edhe të kësaj familje përherë kanë qenë të gatshëm të sakrifikohen për liri.
Po ashtu, rezistenca e tyre si dhe qëndrimi përherë me armë në dorë kundër pushtuesit të vendit, andaj edhe të Llashticës, ka bërë që armiku i vendit të hakmerrej mbi popullatën e kësaj ane, e sidomos mbi banorët e familjes së Spahiajve. Është e njohur në histori, masakra e Llashticës, ose ashtu si i thotë populli, Patarja e Llashticës, ku janë masakruar anëtarët më të zotët të familjes Spahiaj.
Autorët, përveç që kanë sjellë të dhëna të shumta për të gjitha peripecitë jetësore të banorëve të familjes Spahiaj, ata në të njëjtën kohë janë marrë edhe me të gjitha veprimet antikombëtare të pushtuesit, duke sjellë fakte dhe të dhëna interesante, thuajse për të gjitha ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Spahiaj në ato ngjarje. Ka të dhëna interesante për operacionin monstruoz të organeve të punëve të brendshme të pushtuesit, si një hallkë tmerri në zinxhirin e madh të pushtimit, që njihet si Aksioni i armëve, ose thënë ndryshe çarmatosja e shqiptarëve, në mënyrë që të dobësohej dhe të pamundësohej rezistenca e popullit, andaj edhe e banorëve të Llashticës dhe të familjes Spahiaj. Dhuna dhe terrori vazhdojnë edhe në forma të tjera, siç ishte grumbullimi i tepricave, që ishte një nga arsyet madhore të pushtuesit për gjunjëzimin e popullit shqiptar, kudo që ishte ai në pjesët e pushtuara të tokave shqiptare. Nëpër të gjitha këto periudha dhe ngjarje, pjesëmarrja e anëtarëve të familjes Spahiaj ishte e madhe. Por, edhe dhuna dhe hakmarrja e pushtuesit, po ashtu ishte e madhe dhe e përgjakshme.

Figura të njohura të Spahiajve në shërbim të atdheut

Në kapitujt në vazhdim të monografisë së tyre, autorët kanë marrë në shqyrtim ndihmesën e anëtarëve të kësaj familje dhënë çështjes së çlirimit të atdheut. Në të gjitha periudhat historike, por sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore e këndej, pra që kur fillon ndjekja politike e të gjithë atyre shqiptarëve që nuk kishin pranuar pushtimin, Spahiajt dallohen për qëndrimin e tyre në shërbim të çështjes së atdheut. Ata, si dhe të gjithë shqiptarët e kësaj pjese të tokave të pushtuara shqiptare, e kishin mësuar nga atdhetari i madh, Ramiz Cernica, kur në Kuvendin e Prizrenit, më 1945, kishte thënë: Me Shqipërinë, po, me Serbinë, jo! Autorët janë kujdesur që në mënyrë kronologjike të paraqesin të gjithë ata atdhetarë të Spahiajve, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, duke qenë kundërshtarë të pushteteve pushtuese kishin përfunduar nëpër burgje, ishin përzënë nga vendi, ishin torturuar dhe në fund ishin zhdukur fizikisht. Nëse shihet me kujdes gjithë rruga jetësore e disa brezave të familjarëve të Spahiajve, atëherë hetohet qartë se nëpër të njëjtën rrugë jetësore kishte kaluar populli shqiptar i këtyre pjesëve të pushtuara të atdheut, sepse pushtuesi kishte hartuar programe të veçanta për zhdukjen e tyre. Në këtë pjesë të monografisë Spahiajt e Llashticës, janë trajtuar dhe janë shqyrtuar ngjarje dhe personalitete të jetës sonë historike, duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në ditët tona, ose thënë më saktë deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën erdhi liria e shumë pritur e kësaj pjese të atdheut. Aty është folur edhe për personalitete të familjes Spahiaj, të cilët në një periudhë kohore, apo në një tjetër, në një ngjarje të rëndësishme historike, apo në një tjetër, jo vetëm kishin dhënë ndihmesën e tyre për lirinë e kësaj pjese të tokave shqiptare, por kishin sakrifikuar edhe jetën. Një pjesë e këtyre figurave atdhetare janë përcjellë me të dhëna jetësore, gjë që ia shton dukshëm rëndësinë monografisë, qofte edhe vetëm për faktin se ka pak të dhëna për jetën e atdhetarëve, të cilët janë likuiduar, ose janë zhdukur, ose janë internuar në periudha të ndryshme të luftës së tyre kundër pushtuesit.
Në këtë rrjedhë, autorët kanë folur edhe për pjesëtarë të familjes Spahijaj që janë vrarë, që kanë rënë në fushën e nderit, sidomos në Luftën e Dytë Botërore. Por, kanë folur edhe për ngjarje dhe pjesëmarrës në to të brezave të mëvonshëm të kësaj familje, të cilët me sakrificën e tyre janë bërë pjesë e historisë sonë më të re, siç është, fjala vjen, rënia e Arianit Berishës, në vitin 1999, në fund të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, mund të thuhet se mbarështimi i lëndës së kësaj monografie ka ndjekur një ecuri normale në trajtimin dhe shqyrtimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike, si dhe pjesëmarrjen e familjes së madhe Spahiaj në ato ngjarje, gjë që dëshmon për idealin e tyre dhe për dashurinë e madhe për lirinë e atdheut.
Duke u marrë me veprimtarinë atdhetare të anëtarëve të familjes Spahiaj, autorët janë ndalur edhe te ndonjë figurë atdhetare, e cila me veprimtarinë e bërë ka dëshmuar se nuk përkulen para asnjë vështirësie dhe rreziku. Ndër këto figura duhen përmendur, sidomos ajo e Ilaz Berishës, mësuesi i parë në gjirin e kësaj familje, si dhe Jakup Llashticën, Fehmi Sylejmanin e të tjerë, të cilët jo vetëm me veprimtarinë e tyre, por edhe me qëndresën e tyre dëshmuan dashurinë e madhe për liri dhe gatishmërinë që të sakrifikohen për heqjen e pushtuesit nga kjo pjesë e atdheut.
Një dukuri interesante që autorët e kanë trajtuar në kapitullin e gjashtë dhe të shtatë, po edhe në kapitullin e tetë, ka të bëjë me dukurinë e mërgimit të pjesëtarëve të kësaj familje të madhe. Kjo dukuri, është njëra nga plagët e mëdha të atdheut të shqiptarëve, që në jetën e tyre ka ardhur si pasojë e pushtimeve të gjata dhe si pasojë e copëtimit të gjeografisë së tyre kombëtare.
Nëse përcillet me vëmendje, qoftë edhe vetëm vendet ku ata janë vendosur dhe kanë krijuar familje e kanë vazhduar jetën, atëherë mund të thuhet se pjesë të mëdha të familjes Spahiaj jetojnë në mërgatë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Në kapitujt që po trajtojmë, jepen të dhëna interesante edhe për përpjekjet e të rinjve të kësaj familje që të bëjnë dije, duke hulumtuar kudo që ka mundësi, kushte për ngritjen e tyre profesionale.
Në kapitullin e shtatë, fjala vjen, autorët janë marrë kryesisht me ndihmesën e madhe që ka dhënë familja Spahiaj në arsim, në kulturë, në humanizëm njerëzor, në biznes, si dhe në fusha të tjera të jetës. Humanizmi i tyre ka ardhur në shprehje qoftë duke ndihmuar me mjete financiare, qoftë duke ju bërë krahë nismave për mirëvajtjen e arsimit dhe të veprimtarive kulturore në anën e tyre, por edhe atje ku kanë krijuar familje të reja, jashtë Llashticës, apo jashtë Kosovës.

Përfundim

Monografia Spahiajt e Llashticës plotëson një zbrazëtirë, siç është thënë edhe në fillim, në fushën e të dhënave, sidomos të dhënave historike, pastaj të të dhënave në jetën kulturore, qoftë për jetën e anëtarëve të kësaj familje, qoftë për tërë fisin, kudo që jeton ai, qoftë edhe për anën ku ata kanë luftuar, kanë vepruar dhe kanë jetuar.
Autorët kanë pasur kujdes që të dhënat t’i mbështesin në burime dhe fakte historike, por edhe të mbledhin të dhëna nga kujtesa popullore e banorëve të kësaj familje dhe më gjerë. Duke u mbështetur në burime të këtilla, të argumentuara, edhe përmes zbulimesh arkeologjike, si dhe përmes të dhënave historike, për ngjarje të ndryshme dhe për pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Spahiaj në to, dëshmohet, njësoj si edhe pjesa tjetër e popullit shqiptar, në viset e pushtuara të tokave shqiptare, edhe ata kanë pasur fatin e rëndë historik, siç zakonisht e kanë të gjithë popujt e pushtuar. Në këtë mënyrë, ata duke mos u pajtuar me pushtimin, kanë për të vetin idealin e sakrificës për lirinë e atdheut. Kjo është bërthama e çështjeve të trajtuara në monografinë Spahiajt e Llashticës.
Mirëpo, historia, siç di ndonjëherë të jetë edhe njerkë për jetën e popujve, përveç të tjerash, ka bërë përpjekje të humb gjurmët e këtyre njerëzve që kanë dhënë çdo gjë për vendin.
Prandaj, merita themelore e autorëve të monografisë Spahiajt e Llashticës, nga kapitulli i parë e deri në kapitullin e tetë të saj, qëndron në faktin se ata, njerëzit pra të kësaj familje, që dikur janë mbajtur mend vetëm në rrethin familjar, tashti, me këtë vepër, përmes të dhënash dhe faktesh historike, i bëhen të njohur opinionit shqiptar dhe më gjerë, gjë që edhe është kërkesë themelore e një vepre të këtillë.
Njohja me historinë tënde, do të thotë ruajtje e kujtesës, e kjo do të thotë, të bëhesh pjesë e popujve historikë, të cilët nuk harrojnë se nëpër cilat rrugë të historisë kanë kaluar për ta mbajtur gjallë jetën, siç dhe nuk harrojnë se pa sakrifica të mëdha nuk vjen liria e atdheut.

Prishtinë, korrik, 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: e historise, Monografi që plotëson, Nusret pllana, zbrazëtirat

Rasti “Monstra”, rinisin protestat në mbështetje dhe nga shqiptarët në Çikago

August 4, 2014 by dgreca

Protesta u udhëhoq ish-kongresisti shqiptaro – amerikan Joe DioGuardi, presidenti i LQSHA lobit shqiptarë në SHBA, dhe Këshilltares së Çështjeve Ballkanike Shirli Cloyes DioGuardi dhe kishte përkrahjen e fuqishme të gjithë komunitetit shqiptarë nga zona e Illionit, Wisconsin dhe Kenosha/
Nga BEQIR SINA, New York/
CHICAGO ILLINOI : Protestat që patën nisur një muaj më parë në Shkup, dhe vazhduan në të gjithë hapsirat shqiptare – duke u shpërndarë më pasë në Diasporë në Europë e SHBA, me rastin Monstra – rinisën sot edhe në Çikago – të shtetit Illinoi në SHBA.
Në rrjetetin social facebook, njëri prej protestuesve ka postuar për gazetën tonë fotografitë e kësaj proteste.
Siç, duket edhe nga fotografitë në këtë protestë kan marrë pjesë qindra shqiptarë, të cilët simbas njoftimeve protestuan në sheshin para bashkisë së qytetit Chicago dhe zyrës së konsullatës së Maqedonisë, për të shprehur përkrahje për protestat e shqiptarëve në Maqedoni kundër diskriminimit dhe drejtësisë selektive.
Protesta ka filluar në ora 11.00 me kohën lokale dhe ka vazhduar deri në ora 15:00 duke u nisur nga vendi i quajtur Daily Xenter – pranë Konsullatës së Maqedonisë dhe më pas protestuesit i janë drejtuar godinës së gazetës prestigjioze Chigaco Tribune, për sensabilizim, duke treguar para shtypit dhe opinionit amerikan mbështetje të protestave të shqiptarëve në Maqedoni – për rastin “Monstra.
Protesta u udhëhoq ish-kongresisti shqiptaro – amerikan Joe DioGuardi, presidenti i LQSHA lobit të parë dhe të vetëm shqiptarë në SHBA, dhe Këshilltares së Çështjeve Ballkanike Shirli Cloyes DioGuardi, kurse kishte përkrahjen e fuqishme të gjithë komunitetit shqiptarë nga zona e Illionit, Wisconsin dhe Kenosha.
Në këtë protestë paqësore siç thuhet është shprehur revolta dhe pakënaqësia ndaj diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, aplikimi i proceseve të montuara dhe drejtësisë selektive kundër shqiptarëve, pozita e vështirë e shqiptarëve, ndërsa është bër thirrje për përmirësimin e shpejt të gjendjes, ku shqiptarët do të duhet të kenë statusin e tyre të barabartë shtetëformues në Maqedoni, ose në të kundërtën Maqedonia nuk mund të jetë një vend demokratik dhe aspirues në strukturat euroatlantike.
Përfaqësues të shoqatave dhe forumeve të ndryshme shqiptare, nga Çikago në fjalimet e tyre kanë apeluar tek shqiptarët se do të vazhdojnë protestat deri në realizmin e kërkesave të tyre, dhe se protestat nuk do të ndalen , ato do të vazhdojnë edhe në Uashington e Nju Jork, për arritjen e qëllimit të tyre.
Protestuesit mbanin në duar flamurin kuqezi dhe simbole kombëtare, ndërsa nuk ka munguar edhe një flamur gjigand kuq e zi – që dallohej në mes të protestueseve .Protestuesit mbanin në duar dhe pankarta në përkrahje të shqiptarëve në kryeqytetin e Maqedonisë, si: “Shkupi jemi me ty”, “Shkupi nuk është vet”, “Jemi një komb”- “Shkupi nuk jeni vetëm” – “Të lirohen të burgosurit – luftëtarët e lirisë në krye me Komandat Çakallin !” “Ndaloni dhunën ndaj Shqiptarëve”.
Protesta u zhvillua mbas një pauze gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit, ndërkohë, që tensionet e fundit ndëretnike në Maqedoni mund të ndikojnë seriozisht edhe në procesin integrues të vendit. Çka edhe analistët maqedonas e vlerësojnë se pavarësisht se marrëdhëniet ndëretnike nuk janë kriter formal për anëtarësimin e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare, ato janë bazë e qëndrueshmërisë së vendit.

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Cikago, Protesta, Rasti Monstra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4484
  • 4485
  • 4486
  • 4487
  • 4488
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT