• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjeda; kur vajton bylbyli

August 1, 2014 by dgreca

-U tërhoq nga politika pas humbjes së Fan Nolit në dhjetor 1924; më pas, shërbeu si prift i famullisë në Kukel; dha mësime në gjuhën dhe letërsinë shqipe në kolegjin jezuit në Shkodër, deri në vdekjen e tij më 1937, në moshën 71 vjeçare.Nderroi jete me 1 Gusht 1937/
-Mjeda; kur vajton bylbyli/
Nga Astrit Lulushi/
(Vaji i Biylbylit);
“…Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?..”
Për 7 vjet (1880 – 1887, ndihmuar nga kisha katolike, Mjeda studioi letërsi në Spanjë; retorikë, latinisht dhe italisht në Kroaci; shkroi poezi shqip; dha mësim muzike në Itali; dhe përktheu letërsi.
Më vonë studioi teologji në në Poloni, dhe dha mësime për filozofi dhe filologji, dhe shërbeu si bibliotekar, dhe profesor i logjikës dhe metafizikën. Mjeda shërbeu si anëtar i Komisisë Letrare, në Shkodër, dhe deputet në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë.
U tërhoq nga politika pas humbjes së Fan Nolit në dhjetor 1924; më pas, shërbeu si prift i famullisë në Kukel; dha mësime në gjuhën dhe letërsinë shqipe në kolegjin jezuit në Shkodër, deri në vdekjen e tij më 1937, në moshën 71 vjeçare.
“Gjuha shqipe”, nga Ndre Mjeda
“Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
…
Qoftë mallkue kush qet ngatrri
Me ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.
…
E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.”
(Histori: Cfare ka ndodhur me 1 gusht/Astrit Lulushi)

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Kur vajton Bylbyli, Ndre Mjeda

Kush i kontrabandoi vrasësit në heronj?

July 31, 2014 by dgreca

Dihet botërisht se rekrutimi i mercenarëve islamikë në Kosovë është bërë nëpër xhami që qeveriseshin nga Bashkësia Islame e Kosovës, ndërsa qeveria jonë e mbështeste pa ngurrim këtë grup zyrtarësh të BIK-ut, duke shpërfill me arrogancë grupin e hoxhallarëve shqiptarë që e predikonin tolerancën në mes të feve dhe vëllazërinë e gjakut, pavarësisht feve të ndryshme./
Nga Gani MEHMETAJ /
Ka disa ditë që mediet shqipfolëse na vërshuan më një krim të tmerrshëm, ku shihet L. M. duke e ther në fyt adoleshentin diku në Siri. Ish punëtori fizik i Kampit të Bonstillit nga mediet tona një kohë të gjatë propagandohej hero- kontrabandë. Citohej ky anonim nga një lagje e humbur e një qyteze të varfër të Kosovës më shumë se sa personalitetet historike a liderët e vendit. U bë yll mediatik me kërcënimet e tij, në vend që të shpërfillej dhe t’i ndalohej paraqitja në medie. Shpërndaheshin deklaratat pa asnjë distancim a shkurtime në faqet elektronike. Ai u bë heroi i ditës nga mediet shqiptare pa e vra asnjë armik të shqiptarëve, përkundrazi kërcënonte çlirimtarin tonë SHBA-të.
Shtabe shërbimesh sekrete të huaja (serbe, ruse, turke e arabe), të ndihmuara nga shqipfolësit e paguar, kujdeseshin ta plasonin sa më shpesh në opinion dhe t’i siguronin sa më shumë hapësirë me pagesë si askujt tjetër. Me figurën e fjalët e tij synohej t’u mbyllej goja laikeve, pra shumicës shqiptare në Kosovë dhe t’u jepej hapësirë veprimi e propagandimi ideologjisë më antishqiptare që i ka mbërthyer ndonjëherë territoret shqiptare-islamizmit.
Krimet e tmerrshme të mjekërzinjve vazhdonin, ndërsa hoxhallarët në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni nuk e thanë asnjë fjalë kur ata kërcënonin, nuk e thanë asnjë falë as kur u masakruan mijëra sirianë e irakianë myslimanë e të krishterë, as kur paralajmëruan se do të gjymtoheshin 4 milionë femra në Siri e Irak. Sikur qeshnin nën buzë me heroizmat e xhihadistëve kundër popullatës civile.
Nëpër xhamitë e Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë, ku predikojnë hoxhallarë me mjekra e pa mjekra, i përgatitën të rinjtë trushpërlarë të bëjnë krime, vazhdojnë t’i mbështesnin lukuninë e vrasësve edhe tash. Lufta fetare e grupeve shqiptare në Siri e Irak mbështetej edhe nga ndonjë mjeran i tipit të Lutfi Hazirit, i cili për të neutralizuar kritikët e kësaj lufte mesjetare bëlbezonte: ata që luftojnë në Siri, bëjnë të njëjtën gjë që bënin dikur shqiptarët në luftën e Spanjës! Mentorët mafiozë që e kishin mësuar të thoshte kështu mejtepliun shkretan, e dinin fare mirë se në këtë rast nuk ka asnjë përngjasim, madje është kriminale të bëheshin krahasime të këtilla, por donin t’u thoshin trushpërlarve, shkoni ju e vrani sa më shumë “të pafe” në Siri, ne jemi me ju. Me shembujt e “trimave” që vrasin fëmijë në Siri e Irak si serbët dikur kur i thernin në fyt shqiptarët e Kosovës, shtabi i propagandës islamike donin të dërgonin porosi: “sot në Siri, nesër në Kosovë, Shqipëri e Maqedonie!”. Po ashtu i ftonin të tjerët të ndiqnin rrugën e “kaçanikliut”, që të bëheshin yje mediatik nga hiqi i provincës. Kjo pati shumë efekt, sepse drejtë Sirisë u nisën pastaj qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Disa burime thonë se regrutimi vazhdon.
Luftëtarët e xhihadit kanë mbështetës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni nga hoxhallarët me mjekra e pa mjekra. Klerikët myslimanë gjithë ditën në predikimet e tyre nxisin urrejtje fetare, predikojnë dhunë, luftë fetare, fyejnë vajzat tona duke i quajtur të përdala, sepse arsimohen nëpër shkolla e fakultete laike pa shami; hoxhallarët me mjekra e pa mjekra mbështesin me para këngëtarë të repit që propagandojnë dhunën islamike kundër shqiptarëve. Është dyfytyrësi cinike kinse dënimi që u bëjnë tash krimeve në Siri e Irak. Ta kujtojmë vetëm spotin muzikor të reperit trushpërlarë, ku ai me një shkop bejsbolli nga ata që përdornin dikur kriminelët serbë kundër të rinjve shqiptarë në Kosovë, duke ua shkallmuar kafkën, reperi mysliman i rrah virtualisht shqiptarët që nuk janë mysliman. Pas këtij vidioklipi, hoxha me i tërbuar antishqiptarë i Kosovës, Sh. Krasniqi e fton në xhami për t’i bërë pritje myslimanit që “rrahu” shqiptarët. Radiostacionet e paguara nga xhihadistët e transmetonin natën e ditën këtë këngë të pështirë.
Nëpër xhamit e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë u rekrutuan vrasësit e fëmijëve e të grave në Irak e Siri. Ndërkaq qeveritë e të tri shteteve bënin sehir: e tumirnin në heshtje këtë rekrutim. Mbase edhe e kanë ndihmuar, ku e dinë ne? Është qesharake të thuhej që shërbimet sekrete vendëse nuk e dinin këtë gjë, kur gazetat vendëse raportonin xhamitë ku bëhej rekrutimi i xhihadistëve, tregonin cili hoxhë merrej më këtë punë dhe shumat që u jepeshin mercenarëve islamik. Madje diheshin botërisht edhe portalet e gazetat që mbështesnin regrutimet e propagandën islamike, krahas me denigrimet që përpiqeshin t’u bënin kritikëve të kësaj lufte të pistë, me komente, thirrje publike për kinse mbrojtje të islamit nga ateistët e laikët etj. Shërbimi sekret maqedonas kuptohej pse nuk e pengonte rekrutimin e shqiptarëve në një luftë fetare të pistë, por si ta shpjegojmë pse shërbimi i fshehtë shqiptar (ShISH E SHIU) apo ai i Kosovës (SHIK-u e AKI) e lejuan këtë gjë? Me tumirën apo presionin e pushtetarëve? Me solidarizimin e shtetarëve tanë më shërbimet sekrete që e bënë rekrutimin: Turqinë, Rusinë, Serbinë e shoqatat e Arabisë Saudite? Apo shërbimet tona të fshehta i ka mbërthyer aq keq Rusia e Turqia sa s’mund të bëjnë asgjë, edhe atëherë kur rrezikohet interesi kombëtar e shtetëror.
Dihet botërisht se rekrutimi i mercenarëve islamikë në Kosovë është bërë nëpër xhami që qeveriseshin nga Bashkësia Islame e Kosovës, ndërsa qeveria jonë e mbështeste pa rezerva këtë grup zyrtarësh të BIK-ut, duke shpërfill me arrogancë grupin e hoxhallarëve shqiptarë që e predikonin tolerancën në mes të feve dhe vëllazërinë e gjakut, pavarësisht fesë së ndryshme.
Dihet botërisht se egërsia islamike vinte nga shoqatat turke e arabe të cilat financojnë pjesën dërmuese të xhamive e hoxhallarëve në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni . Ato shoqata veprojnë në Kosovë pa asnjë vështirësi, shpërndajnë e shpërlajnë para të Serbisë e të Rusisë, thonë shërbimet tona të fshehta. Pa i penguar askush. Ndërkaq, gazetat tona botojnë fytyra terroristësh pakistanezë e arabë të cilët shoqëroheshin me hoxhallarët e Kosovë. Asnjë prej këtyre terroristëve nuk u arrestua. Po ashtu dihet se njëri nga eksponentët më antishqiptarë, i cili vazhdimisht ka propaganduar për islamin radikal, Sh.Krasniqi e të tjerë hoxhallaër primitiv katundesh, në vend të arrestoheshin për nxitjen e urrejtjes fetare, përçarjes kombëtare, fyerjes së personaliteteve historike, apo shpifjeve ndaj personaliteteve të tashmë, mbështeteshin si nga pushteti ashtu dhe nga një pjesë e opozitës.
Kreu i BIK-ut ka toleruar e mbështetur urrejtjen, ka propaganduar mos durimin fetar, prandaj me të drejtë ambasadorja amerikane nuk e ftoi në darkën myslimane-iftarin, por në vend të zyrtarëve të dhunshëm të BIK-ut, ftoi hoxhallarët e Sindikatës të cilët kultivojnë vëllazërinë ndër shqiptare dhe tolerancën fetare.
Ndërkaq, opozitarët që përgatiten të marrin pushtetin, në vend të respektonin vendimin e drejt të ambasadores amerikane, si për inat iu përkulën krye hoxhës- nxitës të mos durimit fetar. E bënë këtë përkulje denigruese për inat të SHBA-së, apo sepse prisnin mbështetjen e shteteve që janë prapa këtyre zyrtarëve islamikë?
Prandaj para se të vjellim helm e vrer kundër një anonimi që doli në sipërfaqe me vrasjet rrëqethëse, duhet të jemi shumë më kritikë ndaj çerdhes që i kultivoi e i frymëzoi ata, sepse çerdhja zhapinjsh helmues është ende në Kosovë.

Filed Under: Opinion Tagged With: i kontrabandoi, kush, vrasësit në heronj?

SHQIPERIA: KOPSHTI SHKEMBOR I EVROPES JUGLINDORE

July 31, 2014 by dgreca

Nga Naum Prifti/
Vepra e Konicës ku duket më qartë erudicioni dhe personaliteti i tij si njohës i thellë i botës shqiptare, është pa dyshim “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore.”
E shkruar midis viteve 1936-1939, me kërkesën e botuesit Robert MacBridge, për të mbushur sadopak boshllëkun e ndjeshëm në literaturën angleze për këtë vend të panjohur të Evropës, ajo duhet të ishte një histori me karakter popullarizues. Në atë kohë Konica kishte arritur moshën 60-vjeçare dhe fakti se u mendua plot 11 ditë për t’iu ppërgjegjur pozitivisht kërkesës, tregon qartë se ishte i vetëdijshëm për mundin dhe rropatjet që kërkonte një vepër e tillë. Nëse e pranoi këtë barrë, nuk e shtyri as honorari, as lavdia, po vetëm dashuria për t’i shërbyer atdheut.
Nuk mund të thuhet se kjo është vepër historike e mirëfilltë, që nga Ilirët te Mbretëria e Zogut, madje as divulgative, për arsye se autori lë menjanë parimin bazë të historiografisë, kronologjinë. E shkrojtur në formë esesh, me qëllim që të ishte sa më tërheqëse, autori e fokuson vështrimin në një qerthull temash që synojnë të nxjerrin në pah identitetin në çdo fushë, që nga veshjet, gjuha, muzika, deri te vetitë morale dhe karakteri shqiptar, duke i lënë ngjarjet historike vetëm në sfond.
Vepra është një polemikë e hapur, dinjitoze, lojale, e argumentuar me fakte për të hedhur poshtë shpifjet e përhapura me zell shovinist nga “akademikë” dhe nga pseudodijetarë serbë e grekë, të cilët me një fushatë të organizuar qëllimisht prej më se një shekulli, ishin përpjekur ta demonizonin popullin shqiptar duke e paraqitur në sytë e Evropës si një tribu të egër nomade, pa histori, pa kulturë, pa asnjë veti qytetërimi.
Çdo lexues befasohet nga sasia e madhe e informacionit dhe e referencave që gjen në faqet e këtij libri me përmasa modeste. Nëse dikush do të ishte kureshtar të mësonte ç’kanë thënë të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë njëzet shekujve, asgjëkundi nuk mund t’i gjejë në mënyrë më të përmbledhur e më koncize se sa aty dhe do t’i shtohej respekti akoma më tepër për autorin, sapo të mësonte se shumë prej tyre i ka zbuluar ai vetë si hulumtues i palodhur.
Konica ka neveri ndaj pasioneve nacionaliste, prandaj u lutet lexuesve ta falin dhe ta justifikojnë, poqese u krijohet një mbresë e tillë, e cila e ka burimin jo te pikëpamjet e tij, por nga që historia e Shqipërisë është trajtuar duke u mbështetur në dëshmitë subjektive të armiqve të saj. Kjo ndrojtje e shtyn Konicën të kërkojë ndihmën e referencave autoritative të personalitetevve të huaja, qofshin albanologë, historianë, dijetarë e udhëtarë, sepse kësisoj ruante më mirë këndvështrimin e një studiuesi serioz. Për Konicën, nacionalizmi dhe dashuria për atdheun ishin dy nocione krejt të kundërta. Dashuria për kombin, për traditat e vyera duket në çdo faqe.
Bukuria fizike e Shqipërisë me male në formë amfiteatri e me shkrepa ku ndërton folenë shqiponja, me lumenjtë që zbresin drejt detit me një oshëtimë të veçantë, sa atij i duken si persona të gjallë, e entusiazmon Konicën poet. Në shmë faqe hhasim një apoteozë të natyrës shqiptare në prozë, e cila nga bukuria artistike rivalizon me poemën e Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”.
Natyrën dhe klimën, sidomos përbërjen malore ai i sheh në një korelacion të pandashëm me jetën, traditat, qëndresën, etikën dhe virtytet e shqiptarit. Ai thekson se malet kanë qenë mbrojtja më e mirë, fortesat natyrale kundër pushtimeve të huaja dhe asimilimit, ashtu sikurse kanë ndikuar edhe për një veçim konservator në organizimin shoqëror.
Madhështia e Konicës duket në trajtimin e pavarur të shumë subjekteve që analizon, duke mbajtur kurdoherë qëndrim realist dhe objektiv. Ai është aq i drejtë si shkencëtar dhe aq i ndershëm si qytetar, sa të mos mbyllë sytë as përpara veseve a të metave të bashkatdhetarëve të vet, shpesh duke gjetur edhe shkaqet burimore të këtyre dobësive, me qëllim që t’i bëjë më të ndërgjegjshëm e më të vetëdijshëm për kërkesat që shtronte koha.
Ndërmjet eseve të “Kopshtit Skëmbor”, Konica na ka mundësuar të shohim pikëpamjet e tij më thelbësore në fushën filozofike, historike, politike e gjuhësore.
Konica është përkrahës i zjarrtë i prejardhjes ilire të popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe me një rrjedhë vijimore historike, të turbulluar kohë mbas kohe nga pushtimet e huaja. Studimet e këtij gjysmë shëkulli në disiplina të ndryshme shkencore, arkeologji, toponomi, etimologji, brenda kufijve administrativë dhe ndër trevat etnike kanë ndihmuar që kjo tezë të fitojë gjithmonë e më shumë tërren shkencor. Konica i kundërvihet me ironi tezës sllave të mohimit të trojeve ilire të Kosovës dhe trevave të tjera. Ai shprehet: “Që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe flasin gjuhën e tyre, është pohuar shumë herë. Megjithatë për arsye thjesht politike dhe jo historike, ndonjëherë kjo e vërtetë është mohuar. Këtu nuk është fjala për vendbanimin e ilirëve. Megjithëse edhe kjo çështje është vënë në dyshim ndonjëherë, prapseprapë asnjë “shkencëtar” nuk ka shkuar aq larg sa të shpikë një teori për ndonjë kkataklizëm gjeologjik, që të ketë në det Ilirinë e vjetër dhe të ketë nxjerrë në dritë një tokë të re në vend të saj.” Konica hedh poshtë me argumentin shkencor spekulimet sllave rreth së ashtuquajturës “e drejtë historike” duke zbuluar rrënjët shkencore të shovinizmit sllavo-serb. Ai shprehet: “Fakti që shkencëtarët ishin të mendimit që shqiptarët si pasardhës të ilirëve kanë pasur dikur pjesën më të madhe të Evropës Juglindore, ishte diçka e padurueshme, si kripa në sy, për sllavët. Nëse shqiptarët kishin zënë dikur dhe kishin ende në zotërim toka të banuara sot prej sllavëve, do të thoshte se ata kishin të drejta zotërimi jo vetëm tokat e banuara vetëm nga shqiptarë, por edhe mbi ato toka ku popullsia shqiptare ishte e përzier me sllavët. Prandaj ishte me rëndësi të dorës së parë për sllavët e jugut që të ngjallnin dyshime për mendimin e shkencëtarëve se shqiptarët jannë pasardhësit e ilirëve dhe përpiqeshin ta rrëzonin krejt këtë mendim.” Botëkuptimin agresiv serb, Konica e stigmatizon shkurt e qartë: “Mënyra e të menduarit dhe metodat e veprimit të sllavëve janë një enigmë për popujt e tjerë…Po t’i hapësh derën e shtëpisë një serbi, të nesërmen s’e ka për gjë të të kërkojë gjysmën e saj si një e drejtë që i takon, kurse një ditë më vonë do të përpiqet t’u flakë përjashta dritares si një të huaj.”
Fakti që Konicën nuk mundi ta merrte përpara rryma raciste e supremacisë së racës ariane, e përhapur gjerësisht në vitet 30 nga ideologjia naziste, tregon pjekurinë dhe pavarësinë e tij intelektuale. Ai e kundron me dyshim këtë teori, ndërsa përkrah tezën racionale të dijetarëve seriozë, se në Evropë asnjë shtet nuk mund të pretendojë për pastërti të kulluar raciale, prandaj në vend të fjalës racë sugjeron termin “grup etnik”. Ai ishte i mendimit se shqiptarët formojnë një popullsi kompakte homogjene, që flet të njëjtën gjuhë nga njëri skaj i vendit te tjetri. Konica bën përpjekje t’i kategorizojë shqiptarët në dy tipa, në ezmerin e shkurtër me sy dhe flokë të errët dhe në tipin biond, i gjatë, me sy të çelët dhe flokë gështenjë, por ai me intuitën e dijetarit e ndjen dobësinë e tij në këtë fushë, prandaj pohon me sinqeritet: “ky përshkrim i shkurtër është i një vëzhguesi të kujdesshëm”, pra jo i një antropologu. Duke theksuar nevojën për një studim të gjithanshëm nga një specialist, ai përkrah tezën e antropologut gjerman Dr. Paul Treager se shqiptarët në tërësi janë një grup racial homogjen.
Konica pohon ekzistencën e disa minoriteteve në Shqipëri, duke sjellë të dhëna historike për origjinën e tyre, sado që i çek përkitazi. Për minoritetin grek të Dropullit, Konica thotë tekstualisht: “Ata nuk janë shqiptarë të greqizuar, siç mund të mendojë dikush, por janë grekë të ardhur nga Greqia në vitet e fundit të shekullit XVIII. U sollën aty si krahë pune nga shqiptarët që kishin prona si në Shqipëri të Jugut, ashtu edhe në Veri të Shqipërisë”, ndërsa tezën greke të Vorioepirit e quan një stisje të përçudnueshme të shovinizmit grek. Për minoritetin sllav, ai pohon se përbëhet nga jo më shumë se 2000 vetë, të ardhur nga Mali i Zi, si refugjatë politikë aty nga mesi i shek. XIX. Citojmë një paragraf: “megjithëse ardhja e tyre mbahet mend mirë nga pleqtë që ishin gjallë deri në fillim të shekullit tonë, serbët dhe malazeztë e përdorin pa pikë turpi praninë e tyre në Shkodër, si një pretekst para Fuqive të Mëdha që këto t’u japin jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe gjithë krahinën që përfshihet nën këtë emër”. Pëe vllehët e Pindit, ku përfshihen edhe kucovlehët e Shqipërisë, rreth 20.000 vetë, por nga konteksti i librit nuk del e qartë, nëse kjo shifër përfshin vetëm vllehët nomadë, që jetonin vetëm me blegtori, apo edhe popullatën që ishte kthyer prej kohësh sedentare, sidomos në zonën e Korçës, të Pogradecit, Gramshit, Kavajës, Durrësit, Lushnjës dhe Fierit. Shumica e familjeve sedentare e humbën si gjuhën ashtu edhe zakonet, duke u shkrirë me popullsinë shqiptare sidomos nëpër qytete. Konica përmend edhe ciganët e Shqipërisë, duke sjellë të dhëna interesante, çka tregon se ai i kishte lexuar studimet e botuara për ta nga albanologët anglezë S. Mann dhe M. Hasluck.
Konica është studiuesi i parë që shpreh mendimin se shkrimet shqipe fillojnë së paku dy shekuj para Buzukut. Ai e argumenton këtë pohim me faktin se pa një traditë të gjatë, letërsia shqipe e mëvonshme nuk mund të ishte aq e konsoliduar. Ai përkrah mendimin e Shuflait se Shqipëria në kohën e mesjetës ishte më tepër një zgjatje kulturore dhe tregtare e Italisë, se sa një krahinë nën ndikimin e Bizantit, prandaj në kohën kur në Itali fillon shkrimi i italishtës popullore, në vend të latinishtës, kjo s’kishte si të mos gjente jehonë edhe në Shqipëri. Silogjizmi i Konicës duket bindës.
Pushtimin turk ai e sheh jo vetëm si ndërprerje të lidhjeve natyrore me Evropën dhe me kulturën e saj, por sipas tij e keqja më e madhe ngjau kur familjet fisnike, nga frika e reprezaljeve ose e kompromentimit i zhdukën të gjitha dorëshkrimet e çmuara që mbanin, të cilat do të ishin burime për kulturën dhe historinë.
Në vlerësimin e letërsisë artistike shqiptare, Konica tregohet më i gjerë e më tolerant se Noli, po jo më pak esksigjent, për shkak të etosit të tij artistik, prandaj nuk duhet të habitemi pse disa autorë të dëgjuar të Rilindjes nuk përmenden. Për Konicën, vendin e nderit, shkrimtar i parë i letërsisë së re, e zë Noli, kurse për kontributin e tij në lëvizjen letrare shprehet me modesti se nuk mund të thotë asgjë.
Konica ndofta ka dhënë shpjegimin më bindës dhe më të arsyeshëm për islamizimin e shqiptarëve. Konvertimi nis së pari me familjet feudale dhe aristokrate për t’u pasuar nga masat popullore, ne shek. e XVIII. “Ky kthim në masë, shprehet Konica, mund të shpjegohet me faktin se shqiptarët ishin identiteti më i vogël racial në mes popujsh armiq, sllavët nga njëra anë dhe grekët nga ana tjetër”. Ai e sheh konvertimin si një përpjekje për vetëruajtje dhe si rrugëzgjidhje për t’i shpëtuar trysnisë së dyfishtë, shtypjes politike turke dhe asaj fetare, kryesisht ortodokse sllavo-greke. Duke përqafuar fenë islame shqiptarët mbeteshin zotër në tokat e tyre dhe njëkohësisht fitonin një status më të favorshëm brenda Perandorisë.
Konica vëren se pjesa veriore, ndryshe Malësia, përmbledh vetëm një të dhjetën e popullsisë, prandaj Shqipëria nuk mund të gjykohet vetëm nga dukuritë e kësaj zone. Kjo vërejtje u drejtohej studiuesve të huaj, të cilët arrinin në përgjithësime të gabuara ose jo të sakta, kryesisht në sferën e strukturës shoqërore, duke njohur vetëm një zonë të veçantë.
Edhe pse pinjoll i një familjeje bejlerësh, Konica është i çliruar nga çdo lloj mburrjeje e kryelartësie, prandaj e gjykon dhe e vlerëson klasën e tij me sytë e një intelektuali perëndimor. Në shekujt e parë të pushtimit, vëren ai, shpesh bejlerët shërbyen si rrufepritës kundrejt furisë osmane, kurse në kohët e vona i humbën lidhjet me popullin, humbën burrërinë dhe pavarësinë, u bënë mjeshtër të intrigave dhe të dallavereve, duke shpërdoruar përfundimisht besimin. Zilitë e tmerrshme mes bejlerëve, të cilat inkurajoheshin edhe nga Sulltani, vëren ai, kanë penguar për shumë kohë unitetin kombëtar. Një farë gjallërimi patriotok ata e patën kur Turqia po merrte të tatëpjetën, por ai i quan të paaftë të kryenin drejtimin e shtetit të ri shqiptar. Lufta e tyre kryesore u karakterizua nga përpjekjet për të zënë poste zyrtare menjëherë ppas shpalljes së pavarësisë. Konica nuk mund t’ua falte bejlerëve mungesën e theksuar të horizontit kulturor, të cilën e kishte venë re nga afër në takimet dhe bisedat e zhvilluara.
Askush nuk ka spikatur më mirë se Konica karakteristikat e shqiptarit në të dy kahjet. Ndër vlerat pozitive, ai rendit: trimërinë, guximin, qendresën, energjinë, mikpritjen, dinjitetin, besën, dashurinë për vendin, e cila shtyn në plan të dytë dallimin mes besimeve fetare. “Flamuri etik i shqiptarit është besa e tij:, deklaron në mënyrë lapidare autori. Ndër anët negative ai vë në pah: kryelartësinë boshe, gjaknxetësinë, individualizmin, etjen për para dhe për t’u dukur, vetëbesimin e tepëruar, mungesën e frymës kolektive dhe të idealeve, duke theksuar se në një vend ku njeriu vdes për hiçmosgjë në grindje të kota, nuk ka shembuj të sakrificave për ideale të larta.
Analiza e tij sociologjike për ndryshimet midis shqiptarëve dhe popujve të tjerë të gadishullit janë sinjifikative. Përklundrejt apatisë turke, ai vë dinamizmin e shqiptarit, kundrejt dinakërisë sllave vendos humanizmin shqiptar. Në mënyrë gjeniale Konica ka vërejtur ndryshimin thelbësor midis botëkuptimit grek dhe shqiptar. “Shqiptarët dallojnë nga grekët, sepse lidhjet e kombësisë i ndjejnë më tepër se lidhjet e fesë. Për grekët mendjelehtë ‘feja ortodokse’ dhe ‘kombësia greke’ kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dy terma që nuk dallohen nga njëra-tjetra”.
Këtë ngatërrim po e ndjejmë dhe sot e kësaj dite. Ortodoksët shqiptarë kanë më se një shekull që po u thonë grekëve se janë shqiptarë dhe se feja s’ka pse njësohet me kombësinë, por ata nuk duan të dëgjojnë nga ai vesh dhe nuk shqitën nga paragjykimet e vjetra, çka duket shkoqur në statistikat e stërsmadhuara të minoritetit grek në Shqipëri, ku futin edhe otodoksët shqiptarë. Po vallë a ka mundësi që ne të jemi minoritet në atdheun tonë?
Arsyen e pushtimeve të shumta nga të huajt Konica e gjen te mungesa e një qendrese të kombinuar dhe te koncepti se ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të krahinës, ose përtej maleve ku banonte.
Së fundi dy fjalë për marrëdhëniet e Konicës me Zogun. Konica e respektonte sovranin si kryetar shteti, po ndërkohë kjo nuk e pengon të ketë vërejtje për politikën e tij, mënyrën si e qeveris vendin dhe për karaktrin. Kontradiktat e kanë burimin tek pikëpamjet e Konicës për modelin e sovranit. Si intelektual i rritur dhe i edukuar në Perëndim, ai do të dëshironte që Zogu t’i përqasej shembëlltyrës së monarkut të demokracive perëndimore. Zogu që e njihte vendin e tij shumë më mirë se Konica kishte plot arsye të vepronte ashtu si veproi. Gjithsesi ata bashkëpunuan gjatë për të mirën e kombit.
Konica meriton respektin tonë dhe të pasardhësve si njeri që i vuri jetën dhe dijenitë e tij në shërbim të atdheut. Me hulumtimet e tij dhe kulturën enciklopedike ai e pasuroi etnografinë dhe kulturën kombëtare duke i kthyer çka i përkiste historikisht, fustanellën dhe xhubletën, këngët polifonike dhe vallen pirrike dhe mbi të gjitha i jemi mirënjohës për simbolin e parë të kombit tonë, për Flamurin e Skenderbeut.(DIELLI-ARKIV)

Musa Vyshka
ODE PËR KONICËN

Kakorës kryeneç i trimërisë,
Përballë malesh fshehe plagën tënde
E ligjërove nëpër dhjetra vende
Që mos ia shuanin diellin Shqipërisë.

Kalorës fjalëplumb i burrërisë,
I bie pash më pash pa gjumë ferrit
E sulesh të ndalosh valën e vrerit
Mos ia helmojë gjakun Shqipërisë.

Kalorës kryeneç i trimërisë.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Kulture Tagged With: : KOPSHTI SHKEMBOR, Faik Konica, I EVROPES JUGLINDORE, Naum Prifti, shqiperia

Çabej mbi Shqipërinë dhe shqiptarët

July 31, 2014 by dgreca

Qëndrimi i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë gjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk. Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakonne dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet shënuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Midis gjithë vendeve ballkanike – edhe Rumania, me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar – Dalmacia e Shqipëria, pastaj Ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kuturore të Perëndimit. Lëkundja e Shqipërisë ndërmjet Ballkanit na shfaqet, pothuaj ashtu si në Dalmaci, edhe në pikëpamje politike dhe jo më në fund gjuhësore, në mënyrë që elementet latine kanë pësuar në të dyja këto gjuhë një trajtim të ngjashëm.
* * *
Përçarja e vendit në shumë krahina malësore e të ulëta, të ndara shumë herë thellësisht njëra prej tjetrës, ka lindur në Shqipëri fiset dhe i ka mbajtur gjer më sot. Fisi, forma e zgjeruar e familjes së madhe, është shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, i cili i përshtatet ndjenjës që ka shqiptari për jetë. Shqipëria gjendet tani brenda në një proces shoqëror të padukshëm, në kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët nacionale.
* * *
Trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale e shpirtërore, siç i përfytyrojmë në mënyrë retrospektive për indogjermanët e vjetër, nuk janë ruajtur, them, aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarë. Ky konstatim ka vlerë edhe përkundrejt Ballkanit, i cili është edhe ky mjaft konservativ. Sepse helenët që u civilizuan shpejt i lanë heret doket e lashta, popujt e tjerë u dukën në Ballkan në një shkallë më të zhvilluar të kulturës ose u formuan këtu më vonë. Vetëm te shqiptarët mund të flasim për një traditë sedentare dhe të paprerë që nga koha evjetër.
* * *
Mendimi themelor që vihet për kriter në goditjen e banesave është mundësia e mbrojtjes, Përkundrejt këtij mendimi, komoditeti i ndejtjes dhe pikëpamja ekonomike mbeten në rend të dytë. Këtij shpirti i përshtatet shtëpia e fortifikuar, kulla, të cilën e ndeshim më shpesh a më rrallë në gjithë Shqipërinë, dhe në Ballkan kudo atje ku ka ose ka pasur shqiptarë. Është krejt karakteristike për natyrën individualiste të shqiptarit që ky, ashtu si stërgjyshët ilirë dhe të tjerë popuj indogjermanë të moçëm si p. sh. gjermanët, banon një shtëpi të vetme mjaft të izoluar. Kjo me rritjen e familjes së madhe zmadhohet me oborre (Gehofte), bëhet lagje fisi dhe së fundi një katund i tërë fisor. Katundi fisor është katundi i vërtetë shqiptar dhe sot e gjithë ditën katundi i zakonshëm i maleve.
* * *
J. Ph. Fallmerayer Shqipërinë e quan vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. Ky nuk është i vetmi kontrast që përmban karakteri i popullit shqiptar. Po meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin shqiptar, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë të mendojë. Karakter dramatik ka dhe historia shqiptare me fytyrat e saj kryesore.
* * *
Thelbi shpirtëror i shqiptarit është rezervimi. Kjo veti e popujve të Veriut duhet të na çuditë disi te një popull i Jugut. Kjo cilësi sidoqoftë e dallon këtë popull mjaft thellë prej popujve të tjerë të Europës Jugore. Spjegimin do ta kërkojmë për këtë si në veti të trashëguara si dhe në natyrën e mbyllur e të ashpër të vendit. Kjo e detyron banorin që jo vetëm kundrejt të huajit, por edhe me të afërmin të sillet në fillim i matur e i rezervuar, edhe i mbyllur. Kështu na spjegohet rezervimi i thellë i shpirtit të popullit shqiptar. . . Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili, për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë. Por ky rezervim nuk përjashton karakterin e hapur, edhe këtë cilësi e gjejmë me të vërtetë te shqiptari. Përbri saj na shfaqet tek ai edhe dhelpëria e lindur e banorit të maleve.
Është një shenjë e individualistit, siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër kokëfortë. Kjo veçori që rron në gjithë shqiptarët është pasoja e racës, e na kallëzohet edhe për ilirët e moçëm. Edhe kolonitë shqiptare, sado të shkëputura prej shekujsh nga toka-mëmë dhe tani në mes të të huajve, nuk kanë mundur ta fshehin sjelljen kokëfortë të karakterit shqiptar.
* * *
Në lëmën sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithhë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet. Me këtë lidhet malli i tokës që e shquan këtë popull si gjithë popujt malësorë. Dëshira për shtegtim dhe malli i tokës bashkohen te karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme. Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim te i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet ndonjëherë në atdhe.
* * *
Tenaciteti në jetë dhe ngjitja pas zakoneve është një veti tjetër e përbashkët e karakterit shqiptar, “Forca e ekzistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit” (A. Meillet). Edhe në qoftë se doket dhe zakonet e sotshme të Shqipërisë nuk paraqesin një fytyrë të njënjëjtë, ruajtja e ngulur e tyre është një fenomen i përbashkët për ta. Përgjithësisht analogjive që shkojnë midis zakoneve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë nuk u është dhënë vëmendja e duhur. Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim më së fundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë e përbashkët në zakonet shqiptare. Shumë zakone të lindjes, dasmës e vdekjes, kalendari i së kremteve të vitit, supërsticionet dhe figurat mitologjike, paprekësia e gruas dhe e të voglit, qëndrimi i posaçëm ndaj mikut e armikut janë disa nga gjurmët dhe aspektet e këtyre zakoneve të përbashkëta shqiptare.

Shënim i editorit. Fragmentet e mësipërme janë nxjerrë nga vepra “Për etnogjenezën e literaturës shqipe”, botuar fillimisht në revistën “Hylli i Dritës”, në vitet 1938-1939, dhe më vonë, në vitin 1994, nën titullin “Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes”, së bashku me veprën “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, shkruar në vitin 1945.

Filed Under: Kulture Tagged With: Çabej mbi Shqipërinë, dhe shqiptaret

Protesta mbarëshqiptare më 4 gusht në Çikago, protesto edhe ti !

July 31, 2014 by dgreca

Diaspora shqiptare në SHBA-ve më 4 gusht do të mbajë një protestë në Çikago para bashkisë së qytetit dhe konsullatës së Maqedonisë, për të shprehur përkrahje për protestat e shqiptarëve në Maqedoni kundër diskriminimit dhe drejtësisë selektive.
Protesta mbahet nga ora 11.00 deri në ora 15 duke nisur nga Daily Xenter dhe pranë Konsullatës së Maqedonisë dhe më pas gazetës prestigjioze Chigaco Tribune.
Protesta do të ketë përkrahjen e gjithë komunitetit, ndërsa përkrah saj do të jetë edhe ish-kongresisti shqiptaro – amerikan Joe DioGuardi, i cili do të jetë pjesë e protestës.
Në këtë protestë paqësore siç thuhet do të shprehet revolta dhe pakënaqësia ndaj diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, aplikimi i proceseve të montuara dhe drejtësisë selektive kundër shqiptarëve, pozita e vështirë e shqiptarëve, ndërsa do të bëhet thirrje për përmirësimin e shpejt të gjendjes, ku shqiptarët do të duhet të kenë statusin e tyre të barabartë shtetëformues në Maqedoni, ose në të kundërtën Maqedonia nuk mund të jetë një vend demokratik dhe aspirues në strukturat euroatlantike.
Përfaqësues të shoqatave dhe forumeve të ndryshme shqiptare kanë apeluar për pjesëmarrje masive në këtë protestë, ndërsa së shpejti pritet edhe konkretizimi i orarit të mbajtjes së protestës të caktuar më 4 gusht. Protesta deri tani ka marrë përkrahje të gjërë nga shuma shoqata nga shtetet tjera të SHBA-ve. (INA)

Filed Under: Komunitet Tagged With: mbarëshqiptare, më 4 gusht në Çikago, Protesta, protesto edhe ti !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4493
  • 4494
  • 4495
  • 4496
  • 4497
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT