• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RASTI DEMNJANUK DHE RASTI UNIK I SHQIPËRISË

July 28, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ*-

 (Ky shkrim mban datën 20.03.2012 dhe është i përfshirë në librin tim “Tirania e Tranzicionit”, botuar nga Onufri në vitin 2012. E risjell në vemendjen e lexuesit pas tetë vitesh kur në Gjermani është hapur një proces gjyqsor kundër Edmond Cajës, një ish-persekutor i burgut të Qafë Barit. Është gjyqi i parë që zhvillohet jashtë Shqipërisë. Deri më tani në Shqipëri nuk është bërë asnjë gjyq i këtij formati, nuk janë dënuar as krimet e diktaturës dhe as persekutorët, pa marrë parasysh se viktimat janë me mijra, duke përfituar nga kjo, bijtë e persekutorëve janë rikthyer në pushtet, pa kërkuar as ndjesën më të vogël për ato mijra e mijra jetë të djegura. EB)

Përpara disa ditësh vdiq John Demjanjuk, në moshën 92 vjeçare, i dënuar si kriminel nazist, paçka se nuk e pranoi asnjëherë fajin duke thënë se ishte vetë një viktimë e Nazizmit.

John Demjanjuk lindi e u rrit në një fshat të Ukrainës në një kohë kur vendi tronditej nga kriza e urisë dhe spastrimet e Stalinit. Me fillimin e Luftës të dytë Botërore atë e mobilizojnë me trupat e Ushtrisë të Kuqe, ku plagoset dhe pasi e kthejnë përsëri në front kapet peng nga forcat gjermane, të cilat pastaj e detyrojnë që të punojë në kampin e shfarosjes Sobibor, si një “Roje burgu” — rangu më i ulët i atyre të burgosurve që pranonin të bashkëpunonin me trupat SS, por mjaftueshëm për ta dënuar dhe etiketuar si kriminel nazist.

Me mbarimin e Luftëstë Dytë Botërore John Demjanjuk emigron në SHBA, merr shtetësinë amerikane dhe ndërton atje jetën deri kur, më 1983, e zbulojnë si „kriminel lufte”, kohë prej nga filloi një gjyq që zgjati 30 vjet dhe nuk rezulton të ketë mbaruar ende -ku John Demjanjuk gjykohet në tri kontinente, në SHBA, Izrael dhe Europë dhe në maj të 2011 dënohet nga gjykata e Mynihut në Bavierë me 5 vite burg pas 18 muaj gjykimi e 90 seancash. Në Mynih ai u dërgua në një shtëpi pleqsh muajt e fundit si i sëmurë terminal, ku edhe vdiq më 17 mars, duke mos e pranuar asnjë herë fajin. Në gjyqin kundër John Demjanjuk nuk pati asnjë dëshmitar që të vërtetonte se ai kishte qenë roje në kampin e shfarosjes. E vetmja provë ishtenjë kartë identiteti SS për të cilën John Demjanjuk insistonte se ishte një fallsifikim sovjetik i KGB-së.

Yehuda Bauer, një historiani Holokasutit nga Jeruzalemi tha se “Rasti i John Demjanjuk ilustron parimin se, edhe kur është fjala për një kriminel nazist të rrangut më të ulët, ai duhet të gjendet dhe të dënohet. Rëndësia nuk është tek dënimi apotek koha që duhet të mbahet në burg një person i tillë, e rëndësishme është që krimi të vijë në vemendjen e opinionit publik.” Ndërsa Dieter Graumann,presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani me vdekjen e JohnDemjanjuk shtoi se “Një vdekje është tragjike, por në rastin konkret duhet thënë se ishte e rëndësishme gjykimi dhe dënimi i tij, sepse drejtësia nuk e njeh statusin e kufizimit të dënimit për shkak të moshës dhe mosha e madhe nuk e mbronte dot John Demjanjuk nga dënimi. Kjo nuk ishte hakmarrje por drejtësi,” shtoi ai.

John Demjanjuk vdiq i vetëm larg familjes dhe fëmijëve të cilët jetojnë si shtetas amerikanë në Clevelend të SHBA. Ai i shpëtoi dënimit me vdekje në Izrael, sepse u konfondua me një tjetër kriminel që kishte kryer masakra në kampin famëkeq të Treblinkës.Atij iu hoq dy herë shtetësia Amerikane dhe u dëbua nga Amerika dhe rasti i John Demjanjuk u komentua edhe nga drejtësia e SHBA, si një reflektim i vendosmërisë së qeverisë amerikane për t’i sjellë kriminelët e luftës përpara drejtësisë, pa marrë parasysh se Demnjanjuk asnjëherë nuk e pranoi se kishte qenë „Roje burgu” në kampin e shfarosjes Sobibor. Të vetmin „faj” që pranoi ishte se kishte gënjyer kur kishte thënë se kishte lindur në Sobibor të Polonisë në vend të fshatit të tij në Ukrainë, nga frika se e kthenin mbrapsht.

E solla shembullin e John Demjanjuk, si një rast i trishtë, për të hedhur një paralele me nomenklaturën e shtetit komunist shqiptar që kreu genocid për 50 vite rresht, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite për atë periudhë të zezë të historisë nuk ekziston asnjë fajtor, asnjë gjyq dhe asnjë gjykim apo dënim.

Rasti i John Demjanjuk dëshmon se si Gjermania distancohet nga e shkuara kriminale, ndërsa në Shqipëri e shkuara diktatoriale gjatë këtyre 20 viteve tranzicion është krejtësisht temë tabu, dhe Shqipëria rezulton një vend ku nuk ka ndodhur dekomunistizimi si proces i kapërcimit të trashëgimisë kriminale përmes dënimit të krimeve dhe pastrimit të aparatit shtetëror. Dekomunistizimi është i ngjashëm me denazifikimin, i cili iu kërkua Gjermanisë me detyrim prej Perëndimit, ndryshe nga dekomunistizimi i cili është penguar nga pseudoelitat e periudhës totalitariste në Shqipëri, ku krimet as nuk dënohen dhe as nuk zbardhen dhe ku ish eksponentët e diktaturës edhe sot e kësaj dite kanë pushtuar pika kyçe të administratës politike.

E djathta akuzon të majtën se është bërë strehë e vijimësisë së ish nomenklaturës përmes bijve dhe nipave, ndërsa e djathta vetë është bërë strehë e njerëzve me dosje dhe ishzyrtarëve të lartë të regjimit komunist.

Dhe pikërisht këtu qëndron shkaku i vërtetë se përse Shqipëria është vendi me një tranzicion kaq të mundimshëm, kur vendet e ish bllokut lindor tashmë kanë kohë që janë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Dënimi dhe zbardhja e krimeve të diktaturës komuniste është kthyer e rikthyer këta njëzet vjet me dhjetëra herë në qendër të debateve të qarqeve politike dhe opinionit publik,por pengesë kryesore në fakt është bërë vetë politika e cila ka probleme me të shkuarën e saj, duke mbajtur peng të ardhmen e shqiptarëve.

Jemi i vetmi vend në Europën Lindore që kemi rehabilituar pas 1997 ish eksponentët e diktaturës pas gjyqeve qesharake për kafe, ndërsa janë mbyllur sytë përpara krimeve kundër njerëzimit, genocidit dhe shfarosjeve pa gjyq të kundërshtarëve politikë dhe persekutimit të familjeve të tyre, të ekzekutuara për gjysmë shekulli nga regjimi komunist.

Jemi i vetmi vend ku njerëzit me dosje kanë 20 vjet që janë në majat e pushtetit politik e mediave,dhe klasa politike bën veshin shurdh ndaj të gjitha kërkesave e orientimeve që vijnë nga Perëndimi për të hedhur dritë mbi periudhën më të egër atë të terrorit komunist.

Jemi i vetmi vend ku edhe sot e pas njëzet vjetësh pjesa më e madhe e shtresës së të përndjekurve politikë, viktimat më tragjike të diktaturës, kanë shkuar në atë botë pa u dëmshpërblyer as moralisht dhe as materialisht dhe në administratën shtetërore, në parlamentin e Shqipërisë e në qeveri ushtrojnë aktivitetin eksponentë me hipoteka prej sistemit totalitarist.

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që i dënon krimet e diktaturës komuniste, ku nuk kemi ligj që i merr në mbrojtje, ua jep pafajësinë, i rehabiliton viktimat e regjimit totalitarist.

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që të kërkojë pastërtinë e figurës së zyrtarit publik, ku Ligji i Lustracionit u përgatit në mënyrë selektive, si mënyrë për hakmarrje por jo për të vënë drejtësinë në vend..

Jemi i vetmi vend në Europën Juglindore ku drejtësia nuk ekziston, ku fajtori nuk ndëshkohet, duke rrezikuar kështu sistemin dhe themelet e shtetit të së drejtës, ku historia e periudhës totalitariste nuk zbardhet, ku nuk ekziston asnjë muzeum i diktaturës, asnjë datë zyrtare, asnjë monumet që flet për tragjedinë kombëtare, ku data e rrëzimit të diktaturës kujtohet vetëm nga një parti, ku elitë ka mbetur ajo që gjatë diktaturës ka qenë superstruktura e regjimit, që vazhdon t’i mbajë të pushtuara vendet kyçe dhe më e keqja është se ka mbetur po aq dogmatike dhe persekutuese sa ka qenë në kohën e diktaturës, sepse korifejtë e kulturës shqiptare vazhdojnë të torturohen, të rivriten e të mbahen të burgosur në burgjet e ndërgjegjes së ndyrë të politikës, sepse janë të mbuluar nga heshtja dhe indiferenca që merr kontekst kriminal.

Jo më kot një ish historian i regjimit komunist, kunat i njërit prej xhelatëve kryesorë të diktaturës, Arben Puto, në moshën 88 vjeçare ka dalë me një libër ku i rietiketon si tradhtarë e kuislingë Konicën, Fishtën e Koliqin, ashtu si veproi për gjysmë shekulli terrori komunist. Jo më kot, gjatë njëzet vjet tranzicion nuk është bërë as përpjekja më e vogël për të rishkruar historinë nën dritën e fakteve apo për të rehabilituar personalitetet e artit dhe kulturës, të vrarë apo ekskomunikuar gjatë diktaturës, përkundrazi i kanë ridënuar përmes indiferencës dhe heshtjes. Me heshtje mbulohen dhe veprimtarët antikomunistë jashtë atdheut. Me luftë politike dhe me presion të të gjitha ngjyrave shpërblehen intelektualët e angazhuar që nuk e pranojnë këtë farsë politike, ku gjithçka ka mbetetur në mëshirën e fatit, me destinacion harresën kolektive.

Gjithçka ka mbetur në mëshirën e fatit. Jo më kot e përjashtuan nga politika Pjetër Arbnorin, i cili për nga vuajtjet që kishte hequr e tejkalonte Nelson Mandelën dhe duhet të ishte Nobelist i Paqes. Politika bëri gjithçka që t’i fshehë krimet. Pjesa më e madhe e viktimave nuk jetojnë më. Viktimat e terrorit komunist u përdorën nga politika vetëm për farsa elektorale, sepse politika vetë u komprometua duke vendosur në krye të drejtësisë njerëz të inkriminuar, siç është rasti i Fehmi Abdiut dhe sot të gjitha palët pranojnë se nuk ekziston drejtësia por nuk e pyesin kurrë veten se përse nuk egziston kultura e ndëshkimit të fajit.

Denoncimi i krimeve të komunizmit është bërë në mënyrë spontane nga viktimat vetë, apo familjarët e tyre me sakrifica të panumurta, siç është rasti i priftit françeskan Zef Pllumbi me librin e tij “Rrnoj për me tregue” dhe jo nga shteti. Dhe ata intelektualë që kanë ndërmarrë nisma në favor të dënimit të krimeve janë ekskomunikuar nga njerëzit e ish diktaturës që kanë njëzet vjet në rradhët e të djathtës.

Për qëndrimin mohues që ka mbajtur klasa jonë politike ndaj asaj tragjedie kombëtare që ka ndodhur në Shqipëri për pesëdhjetë vjet, meriton që të largohet nga politika, sepse, pa u vënë drejtësia në vend, në Shqipëri nuk mund të vendoset shteti i së drejtës.

E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbetet në duart e politikanëve të komprometuar gjatë periudhës së diktaturës. Shqipëria duhet të distancohet nga e djeshmja diktatoriale përmes dënimit dhe zbardhjes së krimeve, hapjes së dosjeve dhe largimit nga politika të emrave të konsumuar.

Rasti i John Demjanjukut është shembulli i asaj që do të duhej të kishte ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion, ku në fakt Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha kanë mbizotëruar skenën mediatike si shprehje e pushtetit të tyre të nëndheshëm ndaj politikës.

Nuk flitet për hakmarrje, flitet për drejtësi, e cila duhet të vihet në vend, aq më tepër kur sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, që e bën jo vetëm të jetë një vend i privilegjuar, por edhe të jetë i obliguar për të përmbushur detyrime e plotësuar standarte.

Nuk mund të ketë harresë, nuk ka harresë të krimeve, nuk harrohet terrori i diktaturës për gjysmë shekulli. Ka kujtesë, sepse vetëm duke kujtuar, ne nuk do të lejojmë që të ripërsëritet historia, sepse duke kujtuar viktimat e diktaturës, duke kujtuar se si një populli i gjithë u kthye në një viktimë të një grushti njerëzish, ne do të njohim vlerat e vërteta të demokracisë, që bën të funksionojë meritokracia dhe kërkon si domosdoshmëri njerëzit më të përkushtuar dhe me integritet të pastër.

Këtu nuk është fjala për interesat e njërës palë, këtu bëhet fjalë për interesat kombëtare të të gjithë shqiptarëve, që brezat e ardhshëm të kenë një shtet i cili u garanton atyre një jetë të qetë e të sigurt, sipas standardeve të sistemit demokratik.

Prandaj klasa politike e ka për obligim të vendosë drejtësinë dhe asnjë shqiptar nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia.

Nuk do të ketë më harresë, harrim për hir të një pakice të komprometuar, por do të ketë bashkërendim pluralist dhe bipartizanizëm për të vendosur pikat mbi “i”. Ne shqiptarët nuk kemi asnjë arsye që të mbetemi robër të krimeve të kryera nga nomenklatura e kuqe, as peng i politikanëve me ndërgjegjë këllirë, të cilët shkaktuan drama kombëtare për interesa vetjake edhe gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion.

Tani është koha e rizgjimit kombëtar. Vetëm duke qenë bashkë. Asnjëri prej nesh nuk është i tepërt. Ku mund të amnistohen vetëm ata që hedhin dritë dhe i bashkohen lëvizjes për rizgjimin kombëtar, që nis duke dënuar dhe zbardhur krimet, duke rehabilituar viktimat përmes shtetit të së drejtës dhe duke e kthyer në prioritet të prioriteteve integritetin e zyrtarit të lartë të administratës publike, përmes Ligjit të Lustracionit, jo si mjet të politikës për të larë hesapet, por si metodologji për të sjellë në krye të institucioneve shqiptarët më të mirë. Ligji i Lustracionit ndëshkon personat përgjegjës dhe assesi viktimat. Viktima janë edhe ata që nën torturë u detyruan të bashkëpunojnë, porse e vërteta duhet të zbulohet lakuriq. Jo si instrument plagosës, sepse boll jemi të plagosur, por si mjet shërues, rehabilitues. Sepse si thotë Buda as hëna, as dielli dhe as evërteta nuk mund të fshihen, apo si thotë i madhi Vaclav Havel se “E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’. Ky është objektiv strategjik kombëtar i shqiptarëve, që ne gazetarëve na vendos të parëve përpara përgjegjësisë.(VOAL, u dergua per Diellin)

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, John Demjanjuk

NDARJE PA LAMTUMIRË

July 27, 2020 by dgreca

–VATRA E NDEROI AMBASADOREN TEUTA SAHTÇIJA ME MIRËNJOHJEN E LARTË”FAIK KONICA” – ISH MINISTËR I MBRETËRISË SHQIPTARE PËR 12 VJET NË WASHINGTON, DEKAN I TRUPIT DIPLOMATIK-

          Ka qenë me shumë emocione takimi i së hënës, 27 Korrik 2020, ai ku Vatra priti Ambasadoren Teuta Sahatçija së bashku me personelin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.

          Fillimisht kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i uroi mirëseardhjen zonjës Sahaçtija së bashku me personelin e Konsullatës. Ai shprehu vlerësimet më të larta për marrdhëniet, sjellet, komunikimin e saj me komunitetin shqiptar, veçanërisht me Vatrën. Ambasadorja Sahtaçija ka qenë korrekte dhe tepër vlerësuese për Vatrën dhe për të gjitha organizatat e komunitetit.

       Kryetari I Vatrës e uroi zonjën Sahatçija edhe për detyrën e re në kabinetin e Kryeministrit Avdulla Hoti, ku ajo është e ngarkuar me detyrën e zëvendës/Ministres së Jashtme. Ai i tha se dera e Vatrës përherë do të jetë e hapur.

          Zonja Sahatçija ishte shumë e emocionuar në fjalën e saj përshëndetse. Vizitën e parë në komunitet para katër vitesh e kam bërë këtu në Vatër, dhe ju më pritët me plot respekt e dashuri, kujtoi ajo. Dhe që nga ajo kohë nuk jemi dnarë. E ndjeva për detyrën që edhe në largim të vija dhe të ndahesha me vatranët. Faleminderit që më pritët! Vatra është një institucion Kombëtar, ajo ka prezantuar Kombin në moment të vështira. Unë do të jetoj përherë me kujtimet dhe mbresat që kam amrrë këtu në Vatër. Historia e Vatrës është frymëzuse për brezat. Ne krenohemi me këtë Tempull të Kombit tonë në SHBA. Ju jam mirënjohëse për gjithçka keni bërë. E ndjej veten të afërt me Ju, prandaj nuk po e quaj këtë takim lamtumire, por një ndarje pa lamtumirë. Thjesht do t’ju them Mirë u pafshim!

            Konsiderata të larta për ambasadoren Teuta Sahatçija ka shprehur edhe Presidenti i Nderit i Vatrës z. Agim Rexhaj. Më kujtohet si sot, takimi i parë me Ju para katër vitesh. Ndodhi këtu në Vatër. Dhe që nga ajo kohë përgjatë katër viteve ju keni qenë përherë në kontakt me Vatrën, keni ardhur, na keni vizituar, keni sjellë personalitete të Kosovës në Vatër dhe e keni respektuar dhe nderuar Vatrën dhe Diellin, jo vetëm me fjalë por edhe me Mirënjohje. Ndjehemi mirë që ju sërish keni një detyrë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Ne besojmë fort se ju ashtu siç e kryet me profesioanlizëm detyrën e këtushme kështu do ta kryeni edhe atë të Zv/Ministres.

           Kryetari i Vatrës, në emër të Kryesisë dhe Këshillit, e nderoi zonjën Teuta Sahatçija me Mirënjohjen e lartë “FAIK KONICA”. Vatra, tha z. Berisha, zgjodhi këtë mirënjohje për të vlerësuar maksimalisht ambasadoren Sahtaçija, jo pa qëllim. Konica ishte ambasador i një vendi të vogël, por arriti të siguroi një përfaqësim dinjitoz diplomatik në Washington, sa arriti të ishte edhe Dekan i Trupës Diplomatike, jo vetëm për moshën, por edhe për fisnikërinë, kulturën, gjuhët e shumta që fliste, sportivitetin,dijet, dhe koleksionoi disa tituj.

                     Vlerësimi që i bëri Vatra ish Kryediplomates të Kosovës në New York, është plotësisht i meritushëm për ambasadoren Sahatçija, sepse ajo tregoi profesionalizëm, klas diplomatik, dhe aftësi për të tërhequr vëmendjen dhe përkrahjen ndaj Kosovës. Ajo e ktheu Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, nga një Konsullatë e zakonshme , në një  Misionit Përfaqësues të Kosovës,(Pa qenë anëtare e OKB) sa tërhoqi vëmendjen e diplomatëve serbë dhe miqëve të tyre rusë, që shpesh dërguan nota proteste në OKB.(dg)

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadorja Sahatcija, Mirenjohje"Faik konica, Vatra

DIALOGU ME SERBINË, PËR NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

July 27, 2020 by dgreca

Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Hoti, takime me Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hyseni: Në Bruksel do të dialogohet vetëm për njohjen ndërshtetërore/

 -Hyseni për takimin me Reeker në Bruksel: Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse/

PRISHTINË, 27 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hysenin.

Presidenti Thaçi e ka uruar edhe një herë për emërimin e tij në këtë detyrë, duke shprehur besimin se me përvojën dhe angazhimin e tij z. Hyseni do e koordinojë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme.

“E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ritheksoi se në Bruksel duhet të dialogohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare që sjellë njohjen reciproke ndërshtetërore.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, kanë biseduar edhe për nevojën e mbështetjes së këtij procesi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Thaçi dhe koordinatori Hyseni kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik është përcaktues për suksesin në procesin e dialogut.

Edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar sot nga Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, për takimet e delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, në Bruksel.

Po ashtu, z. Hyseni e njoftoi kryeministrin Hoti edhe për takimet e tij të tjera të rëndësishme, ndër të cilat edhe me Asistent Sekretarin kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker.

Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, në 24 korrik 2020 nga Brukseli deklaronte:

Pata knaqësinë të takoja sot në Bruksel Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, mikun tim të kahmotshëm, Philip Reeker. Gjatë këtij takimi shumë të përzemërt, me ambasadorin Reeker bëmë një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në dialogun e rinisur midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Krahas BE-së, theksova se roli i SHBA-ve në këtë proces është i pazëvendsueshëm. Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse.

HYSENI: NUK DO TË KETË MARRËVESHJE TË VEÇANTA PËRDERISA S’KA MARRËVESHJE GJITHËPËRFSHIRËSE

Hyseni me te derguarin e BE Mirosllav Lajçak.

Radio Evropa e Lirë në 23 korrik 2020 njoftonte:

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, janë takuar të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, deklaroi se “duket se ka një dozë konstruktiviteti dhe vetëdije që duhet të ecet tutje”.

Lajcak-Gjuric…

Ai, megjithatë, nuk dha detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por theksoi që ka “pajtim rreth elementëve të caktuar dhe se biseda ka qenë konstruktive”.

“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sipas tij, çdo e arritur në këtë proces që mund të zbatohet dhe ka zbatueshmëri, do të ndodhë.

“Mirëpo, ky është një moment i ri. Po flasim për një përmbyllje, prandaj ky proces është skajshmërisht politik”, theksoi Hyseni.

“Nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më herët gjatë ditës, ka konfirmuar se ka zhvilluar takime të ndara me dy negociatorët, Skender Hysenin nga Kosova dhe Marko Gjuriqin nga Serbia.

Lajçak është shprehur i kënaqur që është takuar me Hysenin dhe Gjuriqin dhe ka thënë se “kanë vazhduar diskutimet politike në nivel ekspertësh”. Duket se Lajçak i ka zgjedhur mirë fjalët, pasi pala kosovare thotë se këto bisedime nuk janë teknike, por janë politike.

PRISHTINË, 21 KORRIK 2020: SKENDER HYSENI U EMËRUA KOORDINATOR SHTETËROR PËR DIALOG

Në 21 korrik 2020 Zyra për Komunikim Publik-Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftonte:

Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu me Serbine

EVROPA NË VULËN E ANGELA MERKEL

July 27, 2020 by dgreca

Nga Maurizio Ferrera-Përktheu Eugjen Merlika -“Corriere della Sera”*

Në demokracitë drejtuesit më t’aftë bëhen “shtetarë” me plot kuptimin e fjalës vetëm kur dalin nga skena. Ndoshta , mbas marrëveshjes mbi Recovery Fund, Angela Merkel meriton një përjashtim, së paku sa i përket rolit të saj evropian. Në kornizën BE – duke ndjekur Habermas-in – një shtetar njihet sepse din të “bëjë historinë”, pra vepron me vetëdijen se në disa çaste duhet të merren vendime që do të ndikojnë fatet e gjithë kontinentit e të shumë brezave t’ardhshëm.Mund të jemi pak a shumë të kënaqur për përmbajtjet e tij të veçanta, por është e vështirë të mohohet që plani “Next Generation Eu” përfaqëson një pikë kthese të madhe në këtë vështrim. Së bashku me monedhën, bashkëndarja e rreziqeve ekonomikë e shoqërorë është një nga tiparet që përcaktojnë bashkësitë politike dhe zotimin e tyre për të qëndruar në kohë.

Vetëm dhjetë vite më parë ishin shumë ata që mendonin se Merkel nuk kishte stofën e shtetares, aq më pak në skenën evropiane. Gjatë krizës së borxhit sovran Kançelaria ishte qortuar fuqimisht – jo pa ndonjë arsye – për karakterin e saj të ndrojtur, e prirjen për të shtyrë vendimet. Mbiemri i saj u kthye në një folje (merkeln) që nga ajo kohë do të thotë “hiq e mos këput”. Joschka Fisher,ish ministër i Jashtëm dhe një nga figurat më ndikuese në opinionin publik e paditi se kishte thyer boshtin mbajtës të politikës gjermane: evropianizimin e problemeve dhe zgjidhjeve, bërjen e Gjermanisë gjithënjë e më shumë evropiane. Me mbylljet e saj kundrejt solidaritetit financiar me Vendet e Jugut, Merkel kishte ndjekur rrugën e kundërt: të paloste Evropën nën parapëlqimin dhe interesat gjermane.

Gjatë dhjetëvjeçarit Bashkimi është detyruar të përballohet me një “shumë-kriza” dramatike: rënia e madhe e ekonomisë, cunami i ardhjes së të shpërngulurve, Brexit. E në fillim të 2020 belegu më i tmerrshëm: koronavirusi. Një spikamë e vërtetë në profilin shëndetësor, ekonomik, politik, që do të kishte mundur t’a hidhte BE në darën e shteteve kombëtarë: mbyllje e kufijve dhe shkëmbimeve tregëtare (madje deri tek mbulesat e gojës), secili Vënd përsëri për llogari  të vet.

Bisedimet mbi planin Next Generation Eu (750 miliardë borxh të përbashkët për kredi dhe ndihma Vëndeve më të goditura si dhurata në tre vjet) u mbyllën në shenjën e bashkësisë së mendimit gjithë-evropian, madje me një akt altruizmi: Gjermania nuk ka pranuar të përfitojë nga ajo zbritje në ndihmesën që u mëtua nga Vendet kursimtarë, Hollanda në krye. Angela e ndreqi “boshtin mbajtës” të thyer një dhjetëvjeçar më parë dhe ka përhejruar një rol të ri për Gjermaninë, atë të Vendit mbisundues por të përgjegjshëm, të vëmëndëshëm ndaj interesit të përbashkët. Disa sigurisht do të vazhdojnë të shtrembërojnë turirin: a nuk jemi të gjithë të barabartë n’Evropë?

Formalisht po, por në fakt nuk mund të kemi të gjithë të njëjtën peshë vendim-marrëse, Gjermania ka përmasa ekonomike dhe popullsie të tilla që e bëjnë objektivisht më të barabartë se të tjerët. Një Gjermani që të dijë të veprojë duke mbajtur parasysh interesin evropian është shumë më e mirë se sa një Evropë e gjermanizuar. Në një deklaratë që, me gjasë, do të kujtohet në librat e historisë, më 23 prillin e shkuar, pak orë para një Këshilli në video-konferencë, Merkel i tha antarëve të Bundestagut se “zotimi kundrejt Evropës së Bashkuar është pjesë e arsyes së qënies të shtetit gjerman… Për neve Evropa është një bashkësi fatesh”. Dhe ka shtuar: nuk është një fjali për bujë, nga ato që lexohen në shtesat e të djelave në të përditëshmet. Bëhet fjalë për “diçka shumë praktike”, përfshirë edhe derdhjen e ndihmesave më të larta në bilancin e përbashkët.

Faktorë të ndryshëm i kanë lejuar Angela Merkel-it të veprojë si shtetare. Në shkurtin e shkuar, në prag të pandemisë, Kançelaria kishte njoftuar zyrtarisht se nuk do rë kandidohej përsëri në votimet e ardhëshme. Së paku pjesërisht, kjo e ka shliruar nga njëra prej rregullave më të “papëlqyeshme” të demokracisë: nëse kërkon flijime të tashme për fitime t’ardhëshme zgjedhësit të kthejnë krahët. Në sajë të mbarështimit të efektëshëm të spikamës shëndetësore, pëlqimi i Kançelares u ngjit në vlerën më të lartë, atë të 70 % dhe nuk zbriti kur u fillua të bisedohej për solidaritet “kundrejt miqve italianë e spanjollë” dhe u thye madje edhe tabuja e euro-bondëve. Nga fillimi i marsit Angela disa herë kishte përsëritur para njerëzve se mirëqënia e Gjermanisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhëshme me tregun e brëndshëm, pra me mbarëvajtjen e Bashkimit “në çdo pjesë të tij e në çdo Vend”.

Në këtë mënyrë Merkel ka krijuar kushtet më të volitëshme për ushtrimin e një udhëheqjejë të dyfishtë: të brëndëshme e të jashtëme. Një lëvizje e vështirë dhe guximtare në një sistem politik shumë-krerësh, “me shumë koka”, si BE ku drejtuesit shtyhen të mbrojnë burrërisht interesat e zgjedhësve të tyre. Siç u pa, bisedimet e sapo përfunduara nuk kanë bërë përjashtim, madje disa drejtues kanë luajtur lojëra paturpësisht t’egra. Sigurisht edhe Franca ka luajtur një rol të rëndësishëm. Por pa peshën e Angelas Makroni nuk do të kishte bërë shumë udhë: nuk zotëron një ligjëshmëri të mjaftueshme brënda për të investuar diçka n’Evropë. Kështu që Kançelaria që bëri investimin dhe shndërroi një stuhi të pritëshme të përsosur në të kundërtën e saj të plotë: përfundimin e një traktative që rrezikonte të dështonte duke krijuar çarje rrënimtare për tërësinë dhe mbarështimin e Bashkimit.

Atyre që do të vijnë pas u takon gjykimi i mundimshëm. Por nëse mbajmë një vështrim të gjatë, Angela Merkel-it pak lavdi mund t’i a japim që tani. Si mirënjohje së parës grua udhëheqëse të Gjermanisë e të BE dhe shtetare në zemër, mbi hullinë e një historie qindravjeçare, në të cilën luftërat ndërmjet Shteteve evropiane kanë mbizotëruar mbi bashkëndarjet e ndërsjellta.

“Corriere della Sera”, 24 korrik 2020     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Evropa, Maurizio Ferrera

Vizitor në atdhe?!

July 27, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi-
Vendos të kthehet, si vizitor, në vendin tij të lindjes që kishte menduar se nuk do t’a shihte më kurrë. Krijon ndjenjë optimiste, apo jo? Por ushqen pesimizmin. Kur iku 35 vjet më parë, sy me shikime të frikshme e shoqëruan pa ditur pse. Vështronin sy ulur dhe prisnin prej tij t’u thoshte se çfarë kishte vendosur do të bënte (do të merrte detin). Disa donin ta dinin për ta kallzuar, të tjerë për të thënë ‘oh sa mirë!’ Dhe vetëm kaq. Askush nuk i dinte – as ai vetë – peripecitë e ikjes.Dhimbjet e diktaturës ishin bërë të padurueshme, shumë vetë ishin thyer dorëzuar dhe jetonin në mjerim pashpresë. Sot këta njerëz i sheh përsëri; njësoj të moshuar si ai; mund të jenë të ngarkuar me halle të jetës së përditëshme; ndonjë edhe pa shtëpi; por të gjithë mendojnë se diçka kanë fituar; kanë hedhur tej atë ndjenjë të dikurshme të frikës – që i detyronte të tregonin fytyrën e ujkut shqyes të pamëshirëshëm për të fituar një vështrim dashamirës nga regjimi – liria i ka bërë disi njerëz.Të jetosh pa liri është shkalla më e ulët e të qenit. Ata sot jetojnë një shkallë më lartë, jo më shumë. Për të vazhduar ngjitjen duhet ndershmëria a integriteti që shumë vetë e kanë të vështirë ta gjejnë në këtë kaos e hutim 30 vjeçar. Gjendja jo shumë ka ndryshuar, thonë. Më parë rrugët ishin plot me njerēz; sot duket se ka më shumë rrugë të gjera e sheshe, por jo shumë njerëz. Afërsisht 50% e popullsisë ka emigruar, ligjshëm a duke lënë ligjin pas. Nuk është kjo gjendje që Shqipëria ka meritiuar. Ata të rinj që kanë shkuar jashtë për të studiuar nuk kthehen dot kur shohin perspektivën e mbyllur; qeveria nuk i do për nëpunësa, pasi sjellin me vete frymën perëndimore të kryerjes së punës (prakticitetin, dhe kundërshtimin e padrejtësisë që drejtuesi autokrat nuk e pranon). Janë pastaj edhe ata që kishin emigruar për më shumë liri dhe tani duan një fillim – për ‘ta ky kthim është emigracion i ri, këtë herë në vendlindjen e tyre – ata u ngjajnë jetimëve – një shtet jo i mirë, nuk njeh as të drejtën; dhe pa njohjen e saj s’ka si të njohë gjë tjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Vizitor ne Atdhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 452
  • 453
  • 454
  • 455
  • 456
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT