• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KURORA E DYTË E LURËS

May 28, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, në një takim të thirrun në Tiranë në vitet ’30 të shek. XX me krerë nga “Malet e Dibrës” e krejt Veriut iu drejtue atyne zyrtarisht me fjalët emblematike: “0 Male…!” E, Lura, qyshse nga Mesjeta, kryesisht në Principatën e Kastriotëve, siç theksohet edhe në veprën shkencore “Llesh Zef Doçi i Lurës…” (Nikollë Loka, ShB Emal. Tiranë, 2014) ishte një nga Nëntë Malet e Gegënisë, sikurse Dibra, Mati, Martaneshi, Kurbini, Fusha e Arbërit, Benda (Malësia e Krujës), Tomadhea (Malësia e Tiranës), Çermenika (f. 10) Lura përmendet si vend i lashtë i historisë iliro-shqiptare edhe nga autorë antik grekë e romakë si Polibi, Stefan Bizantini, Tit Livi dhe është i provuar si i tillë nga gjetje arkeologjike të derisotme. Në kit’ vend u ngritën kala të kohës ilire e bizantine, si ajo “Illuri” e ndërtuar nga perandori romak me origjinë ilire Justiniani i Madh, e përshkruar nga Prokopi i Çezaresë, etj.
Dera e Doçit, si Derë e Parë e Kreu i “malit”, “dheut” e “bajrakut” të Lurës, qyshse nga Epoka Skënderbegiane germëton e lartnon në histori, në istikame e anale të saj. Gojëdhana ligjëron e ujëvaron se kreu luras Prengë Nikollë Doçi ishte një ndër pjesëmarrësit e Kuvendit të Beslidhjes së Lezhës të 2 marsit 1444 (f. 64). Kjo edhe për faktin se Lura ishte e lidhun shumëfish me kryeheroin shqiptar, Skënderbeun, pasi nëpër trollin e saj etnik e epik rrugëtoi me ushtri të vet nga Dibra për në Bregdet. Në hulme legjendash i besohet rrëfimit e vizionit sikur kali i Skënderbeut i ka lanë ngultas në Qafë Lurë gjurmët e tij. Lura shihej si vend mjaft strategjik e fort bestar nga Skënderbeu, ndaj dimnave pa luftë e linte në Lurë një pjesë të madhe të ushtrisë së tij. E, përpos këtyne, aty, në livadhin e Xharrit, i farkëtonin armët. Lurasit ishin pjesë e historisë shumplanëshe të Skënderbeut, u rritën në vargbrezni me lavdinë e saj. Në etno-kulturën e Lurës ka ba vend Kanuni i Lekë Dukagjinit po nxenë vend edhe Kanuni i Skënderbeut.
Historiani mirditor e meritor, mrs. Nikollë Loka, në monografinë e tij historike, filozofike e kulturore “Llesh Zef Doçi i Lurës, forca e mendjes, pesha e fjalës” e skalit me penën e tij edhe një tjetër “varg/mal” të Lurës, atë të Derës të Doçit. Derë e Parë e Lurës. Përndryshe, nëpër shekuj, edhe kreu i Lurës.
Ky varg/mal lisnajë niston me Prengë Nikollë Doçin e epokës Skënderbegiane, me Llesh Nikollë Doçin, me Dodë Llesh Doçin, me Kolë Bush Doçin, me Bibë Kolë Doçin, me Doç Gjergj Doçin, me Llesh Preng Doçin, me Kolë Bibë Doçin…e dekteri tek Zef Llesh Doçi, që ndrroi jetë në fundshekullin XX, në dhjetor 1999, i përcjell me ritin e vajit: “…vet ke qënë një shqipe mali / t’pat rrit nana sokol djali / djalë i mençëm i shpisë Doçit / nip i mirë në derë t’Oroshit” (f.165). Dinastia lurase Doçi po ecë mirë, fort, shpejt edhe në shekullin e ri, XXI.

2.
Lura, si “Mal”, “Dhe” apo “Bajrak” kishte Vetëqeverisje me inde e damarë ilir. Përngjashëm me aristokracinë ilire. Në truallin e saj kryesor e lartësor ishte “Kuvendi i Dheut të Lurës”. Në periudhën e tretë osmane ishte Bajraktari, Menajt e Lurës. Institucion më vete. Nga ky trung genetik e kam njoft në vitet ’90 të sojshmin Ramiz Mena, mbretnor i devotshëm. Ishin krerët. Kreu i Parë ishte Dera e Parë e Doçit, ndërkohë e ligjëruar edhe si “Derë Zabiti” tue marrë edhe fuqi ushtarake prej nga koha e Dodë Llesh Doçit dhe “Derë Vojvode” prej nga koha e Kolë Bibë Doçit. Lura kishte Pleqtë, plot dymbëdhjetë, një numër biblik, simbolik. Këta ishin “Parlamenti i Lurës”, të cilët kishin çekiçët, mbështetës, këshilltarë. “Pleqtë me vulë” mbanin peshë të madhe. Pastaj ishin Dhetarët. Gjashtë gjithsej. Ishin “Senati i Lurës”, me vendimmarrje të parevokueshme. Zgjidheshin rast pas rasti. Thirreshin edhe “Raja”, “Shkopi i Dheut”, etj. Një institucion tejet demokratik. Rradha vinin edhe esnafët e dorëzanët, etj.
Dera e Parë e Doçit, Kreu i Parë i Lurës, lyp/te jo veç me kanë në krye të vendit, po edhe me iu dalë në krye punëve të Lurës. Lypte me e përfaqësue në rolin e vet e me forcën e vet krahinën autonome etno-historike të Lurës jo vetëm në vendet për rreth si në Dibër e në Mirditë, në Lumë e në Mat, po edhe në evente (ndër)kombëtare.
Nga Dera e Doçit morën pjesë në kuvende ndërkrahinore, rajonale e kombëtare: Preng Nikollë Doçi mori pjesë në Beslidhjen e Lezhës (1444). Kolë Bush Doçi ishte një nga krerët firmëtarë në projektin politik të përbashkët për një Principatë të Veriut (sëbashku me Ali Menën, Dedë Vladin, Hasan Ajazin–daja i Preng Bibë Dodës të Mirditës, Ali Limanin). Bibë Kolë Doçi ishte një nga krerët lokal në kuvende e luftime në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), si dhe përfaqësues i Lurës në Kuvendin e Dibrës të vitit 1899. Major Gjon Bibë Doçi mori pjesë në Kuvendin e Lurës, të organizuar nga nacionalistët më 1-3 gusht 1943.
Veçojmë edhe Llesh Zef Doçin, misionar i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, pjesmarrës në Kuvende të saj, i dekoruar me Urdhërin e Artë të Misionarit të Pajtimit. Ky ishte një përfaqësues dinjitar i Lurës e i Shqiptarisë. “Avokati i Lurës” e cilëson lurasi Osman Vladi (f.230). “E ndjente shumë sedrën e fisit”, do të pohonte kusherini i tij, Skënder Doçi (f.225). “Ishte luras fisnik”, e përcakton Mentor Muça, ish sekretar i Komitetit të Partisë të Dibrës (f.215). “Po e përseris se nga Llesh Doçi nuk i ka ardhë askujt ndonjë e keqe në Dibër, as sa një qime floku”- deklaron Hajri Hoxha, n’gjithato vite ish sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit e kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, i cili, mes tjerash (f. 214) nënvizon prapë për lurasit: “Kam njohur gjatë viteve shumë kuadro nga Lura. Nuk mund të harroj Ahmet Përlekën, Llesh (Zef) Doçin, Murat dhe Halit Vladin, Lekë Rajtën dhe Nezir Bucin. Ata ishin të përkushtuar dhe gëzonin virtytet më të mira të malësorit”.

3.
Të jesh Derë e Parë, “Shtëpi e Parë” në Lurë është nder i madh, përgjegjësi e lartë, vështirësi sakrifikuese, pasi aty ka gjithato fise (degë fisesh) rrënjase e të ardhuna ndër shekuj. Hysen Dervishi i Cerenit i etnon si “konaqe të Lurës” (disa grupime fisesh). Është konaku Doçi-Ajazi, Prija (e drejta e Kreut) – Haldeda, Bushkola, Markola, Nikolli, Bibëçupi, Gjikola e Duka-i mbështetur si vlla trojesh. Konaku Tollja – Mena (Bajraktari), Përleka, Kaçorri, Buci, Cuku, Batalli. Konaku i Vladit – Peka, Marlleshi, Gjoçi, Rajta, Skana, Koçeku. Konaku i Gjurrës – Nezha, Gjegja, Murati, Deda, Kalia, Kallaba. Konaku i Burijes: Kaçi, Hoti (të ardhun, edhe njëri nga liqenet e Lurës thirret liqeni i Hotit), Loka, Bruçi, Dodgjini.
Dera zamadhe e Doçit, paraardhësit e Llesh Zef Doçit të Lurës, ishin në krye të kryengritjeve, në ballë të betejave, i dhanë Lurës lavdi dhe gjakun e vet. Disa përfaqësues historik të kësaj Dere të shquar morën përmasa legjendare. Iu qëndruan në kambë kohnave nga ma të vështirat. Edhe në luftë me otomanët, edhe me sllavët, edhe në vitet e pushtimit fashist e komunizmit, edhe në kohën e sotme të demokracisë.
Kreu i Parë i Lurës, Dodë Llesh Doçi udhëhoqi kryengritjet lurase antiosmane në vitet 1707-1708 dhe 1712-1713 e Sulltani deshti me e burgos në Nish po e mbajtën e mbrojtën malet e veta, të cilat kanë lidhnajë toke të pandame vrri e bjeshkë, me njerëz fisnik e besnik. Kreu tjetër i Lurës, Kolë Bush Doçi udhëhoqi forcat luftarake të Lurës kundër ekspeditës turke të Hajredin Pashës në vitin 1843, etj.
Nga dera lavdiplote e Doçit të Lurës ka disa martirë të krahinës e kombit. Kreut luras Llesh Nikollë Doçit në luftën e “300 duvakëve” iu vranë në përpjekje me serbët dy vëllezërit: Deda e Gjoka. Një tjetër luftëtar i Derës së Parë të Doçit ishte Doç Gjergj Doçi, që u vra në luftë me serbët e varri i tij gjendet në shtetin e sotëm të Malit të Zi. Akti i tij u përjetua edhe në kangët historike: Ndal’ kadalë o biri i shkinës / se këta janë djemtë e Shqipnisë” (f.76).Kreu i Lurës, Llesh Preng Doçi, stërgjyshi i Llesh Zef Gjetë Lleshit, u vra barbarisht nga serbët sëbashku me disa luras. Këta lisa luras i trupalidhën në lisa natyror, i torturuan, pas vrasjes i shpuan me bajoneta. Kreu vojvodë i Lurës, Kolë Bibë Doçi, luftoi si prijtar në luftën kundër serbëve në Kolesjan. Ma mbrapa, u vranë ma i pari ndër 108 malësorë të pafajshëm nga Lura, Reçi e Dardha. Kanga popullore ligjëron: Kush u vra për herë të parë / Çaj’ Kolë Biba (Doçi) me të vëllanë” (f. 78).
Një luftëtar i shquar i Derës së Parë të Doçit ishte edhe Nikollë Keq Doçi u vra në mbrotje të Plavë-Gucisë në kohën e LSHP, në Luftën e Ultinës së Epërme të Limit (dhjetor 1879-janar 1880). Zyber Doçi me 30 bashkëluftëtarë luras u internuan nga austro-hungarezët në Kotorr (Mali i Zi), ku vdiq atje nga kushtet e randa të punës e të jetesës. Dera e madhe e Doçit të Lurës kishte edhe zyrtarin ushtarak e civil, martirin, Zef Bibë Doçi, Major në rezervë i kohës së Zogut, Krahinar i Lurës (1924-1939), arrestohet me luras të tjerë si Hakik Mena, Ibrahim Gjoçi, Dalip Kaçi, si edhe matjanë e dibranë,të cilët i lirojnë pas gjashtë muajsh, kurse Zefi vdiq i helmuar në spitalin e burgut më 20 korrik 1940.
Emblemë e engjëll mbrojtës i Derës së Parë të Doçit në kohën e komunizmit ishte Heroi i Popullit, Gjok Preng Doçi, i rritur jetim në sofrën e kullën e kushërinit Zef Bibë Doçi e Patër Zef Simonit, i shkolluar në Shkodër, ku bie në kontakt me idetë komuniste, lider të saj, e sakrifikon jetën për idealet e lirisë. Dha kontribute në Shkodër e Elbasan. Doli partizan në Çetën e Dumresë (1942) e u zgjodh për meritat e tij zv/komisar i saj (1943). Me 73 partizanë të Batalionit të Çermenikës inkuadrohet në Brigadën e Parë Sulmuese e në korrik 1943 caktohet komandant i Batalionit të Katërt të saj. Më 20 nëntor 1943 vritet në ballë të luftës në Mallakastër (f. 80-81).

4.
Llesh Zef Doçi i Lurës (1927-1999) ka një emër ripërtëritës të Derës së Doçit, një emër mbajenderës të fisit të vet. Si të thuash, është “Lleshi IV”, që tanë jetën pati Paqe me Zotin, Pakt me Tokën, Besë me Njerëzit. Në gjallje të vet e pati përpara, ballas, lart emrin e vet, ndërsa në jetën e përtejme të tij na e la pas emrin e vet të mirë, të ‘dritshëm, të ndjekshëm.
Në germafjalë të kësaj monografie 300 faqëshe veneroj se kah fillshekulli XVIII, ndoshta dhe ma herët, hyn e vjen në histori Llesh Nikollë Doçi (Lleshi I) i të rrallës “Luftë të 300 duvakëve” me jehonë deri në Stamboll e Rusi. Tjetri, “Lleshi II”, Llesh Preng Doçi, stërgjyshi i tij, u vra nga serbët në vitin 1913 në Qafë të Mërkurthit, sëbashku me luras të tjerë: Isuf Ajazin, Isuf, Osman e Rrahman Bucin, Marku Ndue Markolën. “Lleshi III”, nacionalisti Llesh Bibë Doçi (1905-1946) ka dek qëndrestarë në dy javë tortura të randa në burgjet komuniste e u rivarros me nderimet e kohës së re e fisit të vet të moçëm në ma të parin vit të demokracisë.
Në faqet e kësaj monografie të historianit Nikollë Loka gjejmë gjithato vlerësime nga bashkëkohës për figurën dijetare, qëndrestare e veprimtare të Llesh Zef Doçit. Ish kryetari lokalitetit të Sllovës, Halil Robi, jep një opinion përcaktor: “Llesh Zef Doçi ishte njeri dinamik, i aftë dhe i gatshëm të përballej me detyra e vështirësi” (f. 242). “Burrë dhe kuadër me personalitet”, e portretizon Bardhok Gjikola, “Qytetar Nderi” i Rrëshenit.(f. 252). “Ishte burrë i drejtë” – thotë Halil Karahasani nga Kastrioti i Dibrës (f. 217). Bashkvendasi Bardhok Lekë Rajta, ing. elektro-energjitik, ish kuadër drejtues në Dibër, na flet (f. 259) për katër tipare të qytetarit Llesh Zef Doçi “i denjë, fisnik, burrëror e zemërgjërë”.

5.
Kreu i Derës së Doçit me dy djemë të Vladit në kryeshekullin XVIII shkoi në Stamboll për “Dekën e Sulltanit”, me marrë pjesë në ceremonitë përcjellore të tij. Aty, oborrtarët otomanë të sulltanit të vjetër e të riut në fron vnun re se Kreu i Lurës me të vetët nuk e uli flamurin në gjysmë shtizë sikur të tjerët në homazhet e atyshme. E dvetën ma mbrapa. Doçi i Lurës iu tha: Pse ka vdek Mbreti nuk ka vdek Kombi. Ne nuk e ulim flamurin” (f. 65-66). Fjala mori dhenë prej Shkupi në Shkodër, e dheu i tokës amësore arbnore tue ua pa edhe paritë e kreut e trimnitë e breznive iu dha kurorën simbolike “Sulltani i Lurës”, ndryshe: “Doç Sulltana”. Ky fakt burimon në gurra dokumentare edhe nga Nikollë Loka, Moisi Murra, Xheladin Ali Tollja, Ahmet Përleka, Ali Koçeku, Halit Doçi, etj.
Kjo simbolikë në çdo kohë ishte emblematike, reale, me domethanien e vet, me forcën, magjinë e madhështinë e vet. Jo veç kreu Llesh Nikollë Doçi i “Luftës së 300 bajrakëve” apo djali i tij pasardhës, Dodë Llesh Doçi, ishin “Sulltan i Lurës” po dekteri edhe Llesh Zef Doçi e pesë djemtë e tij: Gjeta, Prenga, Doda, Gjoni, Deda, po edhe Mark Zef Doçi me djemtë Zef e Ndue e vajzat: Pashkë, Rutë, Prenë e Mrikë janë të tillë. Edhe sot, janë një “Sulltan” apo“Sulltanat” modern, pasunar, kulturor, qytetar. Llesh Zef Doçi ishte një “Sulltan”, jo në kuptimin otoman e konceptimin komunist, po në realitete e akte të pavarësisë së tij dhe në qëndrime e veprime përballë Kohës, Antivlerave, Antinjeriut. Ai erdhi e iku nga kjo botë i tillë: “Sulltan” i kullës së vet, i trollit të vet luras, i qëndresave kundër klaneve oktapode e (ri)ngritjeve të madhërishme. Si gjithmonë. Dje. Sot. Nesër.
Kulla e kreut Llesh Zef Doçi i ka në mbajemendje për mirë Nikollë Ndue Vorfin, nipin e gjyshes së vet nanëmadhe, përkushtuese e sakrifikuese; familjet e Xhemë Dullë Vladit apo ato të Tahir Abaz Vladit e Ali Han Vladit; shtëpitë e Dodës në Tejmollë e të Çokut në Lajthizë; kusherinjtë e vet si Bibë Kolës, Can Doçit, Ahmet Doçit, etj. Me thanë të drejtën historiani i penës dimensionale e veprave kombëtare, Nikollë Loka, ka ba mirë që ia përmend shoqërinë e afërt brenda krahinës Llesh Zef Doçit, ku veçojmë: Ahmet Pekën, Çup Ali Çupin, Zenel Musën në Arrmallë; Abaz Zyber Bucin në Vlashaj, Ali Hamid Vladin e Mehmet Xhetan Ajazin në Sumaj. Shoqërinë jashtë Lurës si Ramadan Can Pogën prej Tejmolle, Zenel Dodën nga lagjja Dodaj, Gjon Çokun prej Lajthize, etj. Shoqërinë në qendrën e rrethit si Jashar Menzelxhiun, Mentor Muçën, Selim Alliun, Lekë Rajtën, etj. Ai, ndër Doçët e vet, kishte ma afri edhe shoqërore me Halitin e Gjon Doçit, me Skënder Doçin, Can Doçin, Dedë Doçin, etj.
Autobiografi e Llesh Zef Doçit janë edhe gjithato fjalë vlerësuese për kontributet e atributet e tij, që aq me vend e rend na i përcjell Nikollë Loka në kit’ monografi të vyer. Prof.dr. Bashkim Lleshi tek gazeta “Rruga e Arbërit” (Tiranë, nr. 4, 12 prill 2007) mirë gdhend portretin e tij: “Llesh Zefi (Doçi), kryetar i lokalitetit në Zallë-Dardhë, si malësor i drejtë dhe i ndershëm që ishte në sistemin e kaluar ka pasur dhe përplasje e peripeci të shumta, po malësorët e atune anëve ma kishin përshkruar portretin e tij ashtu siç ishte, një burrë i gjatë, me trup të fuqishëm, trim, tëzgjuar dhe mikpritës”. “Lleshi ruante tiparet e të parëve tanë”, thotë Dedë Doçi (f. 238).“Përballonte situata të vështira”, thotë Eshref Visha i Cerenit (f.241). “Llesh Zef Doçi ishte dalluar për zgjuarësi natyrore”thotë Ali Koçeku në monografinë e tij për Lurën. Hajri Hoxha, kuadër i lartë e i shumëkohshëm në Dibër për aktin ekstrem klanor të përjashtimit të tij nga PPSH dokumenton se “Llesh Doçi u ndëshkua padrejtësisht, një dukuri që ka ndodhur edhe me shokë të tjerë” (f. 191), kurse Mentor Muça, ish sekretar i Parë i Dibrës thekson: “Jemi takuar shpesh se na lidhte puna, kemi pirë kafe së bashku, madje e bëra mik dhe e ftova në shtëpi, duke e vlerësuar për burrërinë dhe fisnikërinë që kishte” (f. 191) dhe vijon ma tej: “Llesh Zef Doçi është ngritur në detyrë për meritat e tij. Na folën që ishte burrë i zoti dhe i zgjuar. Nuk ishte e lehtë të gjendeshin drejtues të aftë në atë periudhë. Lleshi ishte provuar në aktivitete dhe shokët e rrethit nxorën përfundimin se kishte aftësi të mira drejtuese… Për mendimin tim Lleshi u ndëshkua nga sinqeriteti i madh, vetëm për burrëri e karakter…Një nga vërejtjet tona ishte kjo: të gjitha gjërat kërkonte t’i zgjidhte me mirëkuptim. Lleshi kishte një parim: ta gjejë nga ndonjë tjetër…”f. 215-216).
Personalitetit Llesh Zef Doçi i hijeshon vepra si pleqnar e misionar, pasi është rrit në një trevë me tolerancë mes fiseve të shumta të atyshme, në mes hormonisë të feve katolike e muslimane, ku ngultojnë edhe breza shehlerësh. Shembulli ma domethanës është ajo e figurës emblematike të Shpalljes së Pavarësisë, zv/kryeministrit të parë të saj, Don Nikollë Kaçorri, i luras, që e kishte babën katolik e nanën muslimane. Kapedani i shquar i Mirditës, Bibë Dodë Pasha, i krishterë, u martue në Lurë me çikën mulimane, Hiden e Hasan Ajazit nga Arrmalla. Brezat e Doçit të Lurës, të rritun në mes muslimanëve, ky i sotmi, i kanë dy halla të martueme në shtëpi muslimane, etj. Tradita shqiptare vazhdon nga para koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri tek epoka e antarësimit të Shqipërisë në NATO e në Bashkimin Europian.

6.
Pak ditë pas Pavarësisë së Shqipërisë, më 23 dhjetor 1912, u hap në mjedise të kishës shkolla e parë shqipe në Lurë e mësues i parë i saj ishte martiri i kombit, Kolë Bibë Doçi, veprimtaria patriotike arsimdashëse e të cilit kishte marrë jehonë deri në Vjenë, Bullgari, Stamboll, etj. Gazeta “Drita” në Sofje (Bullgari) shkruante se “shpërndaheshin libra shqip edhe në Lurë” (30 nëntor 1901). Ippen, Konsulli Austro-Hungarez në Shkodër e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë se në mars 1902 ndër krerët e Dibrës që morën pjesë në një mbledhje për arsimin në Shehër ishte edhe Kolë Bibë Doçi nga Lura dhe aty u vendos “të ngrejnë shkolla shqipe në vatrat e tyre” (f. 77).
Bash në trungun e Llesh Zef Gjet Llesh Preng Doçit është edhe Lekë Gjet Llesh Preng Doçi, (Lekë Margjini) i shkolluar në Orosh, të cilin me kërkesë të Car Ferdinandit etj. Abati i Mirditës, Prend Doçi, e çoi në Sofje të Bullgarisë. Atje, në Pallatin Mbretëror, i mësoi Shqipen princit Boris të Bullgarisë, tevona Mbreti Boris III i Bullgarisë. Asokohe i ndoqi studimet ushtarake e mori graden kapiten dhe në kit’ cilësi ishte një nga oficerët mbrojtës të Kongresit të Lushnjës, emigroi në Itali bashkë me Bahri Omarin, u martue me çikën e atdhetarit korçar, Sotir Pecit, shërbeu si Nënprefekt i Strugës (1941), u burgos nga gjermanët në Kampin e prishtinës (1943), e jetën e mbylli si cigareshitës pranë kinema “Majestikut”.
Historia përseritet në Derën e Doçit të Lurës, pasi një nga trashëgimtarët ma të shquar të saj, Llesh Zef Doçi në vitet e pas çlirimit do të ishte ndër mësuesit e parë të Lurës. Mbasandejna në shkollën e Lajthizës, në Arrëmallë (Sheshdoçe), në Fushë Lurë, e drejtor shkolle në Brezhdan. Ai kishte marrë arsimim të mirë në shkollën e Oroshit, pasi aty kishte mësues si Prenk Jakova, viheshin në sekën drama të Molierit, etj. Vazhdoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë (1953-1955), ku nuk ia mundësuan as shkuarjen me studime në Bashkimin Sovjetik. Ndër vite ishte zyrtar i shtetit si kryetar lokaliteti në Lurë, Kastriot, Sllovë, Zallë-Dardhë, si edhe në seksionit e financës të Komitetit Ekzekutiv të Dibrës, etj. Ky intelektual shumëdimensional punoi edhe punëtor krahu e kreu edhe sipërmarrje pune për të mbajt lart emnin e begatinë e kullës së tij e të Derës së Doçit, me u mbrojt nga mbyllja e shtigjeve nga hjekësi e ligësi klanore të kohës, me iu dhanë rrugë fëmijëve të vet e të vllait, Markut, që të dy sëbashku ishin nji, si model i vllaut për vlla. Fisniku dinjitar e përballës, Llesh Zef Doçi gjithë jetën e tij u ndie krenar për zonjën e vet, Dilën e Gjokë Ndoit të Mërkurthit e të Marës të Marcerajve në Bisakë të Fanit, fis i parë i këtij bajraku të njohur. Jo rastësisht të dy kishin një datëlindje, veçse Lleshi dy vite ma i madh. Edhe Dila në moshën 89 vjeçare ndihet e privilegjuar, e rinuar, e lumturuar nga emri i Derës së Doçit, nga atributet e të shoqit, Llesh Zef Doçi, nga përkujdesjet e fëmijëve e të nipave e mbesave të saj.
Llesh Zef Doçi ishte “ndër nxënësit më të mirë të shkollës së Oroshit”, kujton shoku i tij i kësaj shkolle, Gjergj Bibë Lala (f. 212). “Mësuesi i përjetshëm”, e çertifikon avokati Nikoll Kola (f. 247), ndërsa Mal Cani, kreu i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, përcakton se “do të përmendet gjatë në dardhë” ( f.244). Gazetari e telekronisti i Mirditës, Xhelal Marku, jep detaje e tipare të tij: “Lleshi e ruajti me fanatizëm të madh mënyrën estetike të veshjes, me një stil të veçantë, që i shkonte shumë me atë fizik që kishte. Atëherë kur pardesytë e bardha ishin të rralla në treg, Llesh Zefi do të gjente patjetër pardesynë e tij sepse ishte i fiksuar në estetikën e veshjes… Shtatëlartë si lisat e atij vendi (Lurës), estetik në veshje, i fjalës e muhabetit, i matur, i mençur, i arsimuar, por edhe me një zgjuarësi natyrale për t’u admiruar nga të gjithë”(f. 253).

7.
Dera e Parë e Doçit, kulla e tyre historike, ka nxjerrë mendtarë të shquar, që i kapërcejnë kufijtë e Lurës e krahinave për rreth, hyjnë në visare e vlera kombëtare shqiptare.
Në Dibër të Epërme përmendet “Kanuni i Bibë Kolë Doçit”, na dijenon Nikollë Loka në veprën e tij tue na e dhanë portretin e tij si “shumë i zgjuar dhe dallohej për ndarje pleqësishë jo vetëm në Lurë, por edhe në Dibër, Mat, Lumë dhe Mirditë.Shumë krahina për për çdo konflikt të vështirë për t’u zgjidhur merrnin Bibë Kolën” (f. 75). Studiuesi Ali Koçeku në monografinë e tij për Lurën thotë se në atë kohë se “S’ka lind burrë në këto zona që të jetë i zgjuar si Bibë Kola”. Xheladin Ali Tollia në monografinë e tij për Lurën dokumenton se “T’u bëftë goja si Bibë Kolë Doçi, thuhet edhe sot në Dibër”.
Nikollë Loka i ka pjek dy (krye)fjalë në ballinën e veprës për Llesh Zef Doçin teksa e medaliaon mrekullisht e hyjnisht si “forca e mendjes, pesha e fjalës”. Në kit’ amë, përgjatë kësaj rrjedhe, ecën me penën si daltë e artë në tana ato faqe e kapituj të këtij libri kushtim meritor. Ai na e mirë paraqet si Llesh Zef Doçin si “Pleqnar” e “Misionar”. Na jep shembuj konkret. Na sjell urtësi prej tij. Ai na ka lanë mjaft fjalë të arta, apo si jemi mësue t’i quajmë “fjalë të urta”. Të gjitha këto, të mbledha nga Nikollë Loka, të rrëfyera nga Osman Vladi, Zef Mark Doçi, Bardhok Rajta, Nikoll Kola, Gjokë Beci, Ruta Legisi (Doçi), etj. kanë vendin e rolin e vet në fondin kombëtar shqiptar. Nikollë Loka e të tjerët na e dëshmojnë edhe një tipar të përhershëm të Llesh Zef Doçit: humanizmin e tij, që e manifestoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Pleqnari e Misionari Llesh Zef Doçi “ishte filozof popullor”, sipas Mentor Muçës (f. 95), “burrë humanist i një dere fisnike” sipas Nikollë Lokës (f. 95), “Rilindas nga mendimet”, sipas Pjetër Markut, kryetar i degës së Lidhjes të Shkrimtarëve e Artistëve të Mirditës (f. 219), “ishte njeri shumë human”, sipas Abdulla Zenelhasanit nga dehoshishti i Dibrës (f. 240), “njohës i mirë i Kanunit dhe i Traditës”, sipas Sherif Pekës, kuadër drejtues në Lurë (f.257), etj.
Kaherë i kisha thanë historianit Nikollë Loka se kam me shkrue për librat e tu, shumë sish të nivelit kombëtar. Para disa ditësh ma dhuroi dorazi monografinë shkencore “Llesh Zef Doçi i Lurës, forca e mendjes, pesha e fjalës”, me redaktore Ruta Doçi (Legisi) e recensent Ramiz Lushaj. I thashë se sot ma ke pru prapë të gjallë para syve e përballë kohës atdhetarin Llesh Zef Doçi i Lurës, një lis i madh edhe në kohë të vështira, një pleqnar i fortë e misionar i lartë, tek i cili flinte mendja e ndritte mirësia…E pata njoft qyshse në vitet ’70 në Fierzën e dritës, kur kish ardhë me i pa njerëzit e vet e veprën. Asokohe punoja zyrtarisht me rinënë e tropojës e Fierzës e vullnetarisht me shtypin e Tiranës. I pata folë mirë për djalin e tij, Dodën, fisnik e gjallnik, i përkushtuar ndaj punës, shkollimit, veprimtarive. Zemra iu ba sa 12 liqenet e Lurës. Ai ishte njeri që mbante forcë, i vnonte bisedës skaj e majë, ishte njeri tek i cili mund të peshoje me besë e shpresë. I qëndroi kohës në kambë edhe kur ajo i ndejti jo rrallë mbi krye. Ai, Llesh Zef Doçi i Lurës, si e germagrand Nikollë Loka, ishte “burrë që i pat hije edhe vdekja” (f. 164), pasi në varrimin e tij mortor madhështor kishin ardhë malet e Malësive, lisa e lisnaja të kohënave, nga metropoli i Tiranës e shtete e treva shqiptare në Ballkan, aq sa i tërhjeki edhe disa danesë të merrnin pjesë në homazhe. Ata kujtonin se ceremonia në Kodër Kamëz ishte për ndonjë personalitet të lartë shtetëror e jo për një pensionist, për një lis dinast të Derës të Doçit të Lurës, ndaj në një gazetë daneze botuan shkrimin “Vdekja e një njeriu të pushtetshëm pa pushtet”. (Rrëfim nga Ruta Doçi-Legisi, f. 165).
Dera e Parë e Doçit të Lurës është dinasti kreu, parie, misionare e mendjes, pushkës, penës, me lisa të mëdhenj në mbi gjashtë shekuj, në kohë të vështira, me rrënjë e degë të fisme nga Prengë Nikollë Doçi deri tek Llesh Zef Doçi me pasardhësit e tij dinjitar. Janë lisnajë. Këta, sëbashku me lisat epope e epokal nga luftëtarët luras të Skënderbeut e të Lekë Dukagjinit, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të Pejës, të kryengritjeve e luftërave kundërosmane e kundërsllave, nga Sheh Murati i Parë i Lurës deri tek Don Nikollë Kaçorri i Pavarësisë, e dhjetra të tjerë, më përngjasojnë me lisa, me lisnajë të një “Kurore të Dytë të Lurës”, që ma të lartit mal natyror të Lurës (mbi 2.100 metra lartësi mbidetare), malit “Kurora e Lurës”, ia shton bukurinë, fisnikërinë e madhështinë.

Tiranë, 28 maj 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: E DYTË E LURËS, KURORA, Ramiz Lushaj

UNIONI ARTISTIK I KOMBIT SHQIPTAR MBESHTET RAMUSH HARADINAJN

May 28, 2014 by dgreca

DEKLARATË/
Ramush Haradinaj ka autoritetin moral dhe politik për të udhëhequr Kosovën drejt progresit, demokracisë dhe integrimit europian./
Zgjedhjet parlamentare të 8 Qershorit janë të një rëndësie historike, jo vetëm për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, por edhe për Shqipërinë dhe faktorizimin e kombit tonë në Ballkan dhe në Europë. Kosova u krijua si shtet pas një robërie gjashtë shekullore. Ajo fitoi lirinë pas betejës finale të UÇK-së të mbështetur nga NATO-ja. Sot pas 15 vitesh të çlirimit nga Serbia ideali i lirisë dhe i demokracisë është binomi që udhëheq ëndrrën europiane të popullit të Kosovës, dhe qytetarëve të saj , në mënyrë të veçantë rinisë.
Ramush Haradinaj, udhëheqësi e komandanti i shquar i luftës për liri është i vetmi politikan e burrë shteti që plotëson natyrshëm vazhdimsinë e veprës së Ibrahim Rugovës, emblemës së politikës shqiptare dhe presidentit historik të Kosovës.
Para 2300 vjetësh kur Aleksandri i Madh po kalonte minutat e fundit të jetës së tij e pyetën : Kujt do t’ja lesh perndorinë ? – Ai u përgjigj: Më të fortit. Historia na mëson se burrat e shquar të shtetit edhe në momentet e fundit kanë menduar që të ardhmen e kombeve të tyre ta garantojnë përmes delegimit të pushtetit tek liderët me të vendosur, më të fortë e vizionarë. Kështu ka ndodhur me Jul Çezarin që ja besojë perandorinë Oktavianit. Gjergj Kastrioti zgjodhi Lek Dukagjinin si udhëheqës të luftës dhe të shtetit pas tij.
Ibrahim Rugova, gjeniu i politikës, me kualicionin që ndërtoj me Ramush Haradinajn dhe emërimin e tij kryeministër të Kosovës i dha në fakt staturën e një lideri të ri dhe kredencialet politike e morale për të vazhduar veprën e tij në kushte të reja historike.
Ramush Haradinaj, familja dhe bashkëluftëtarët e tij kanë bërë sakrifica mbi njerëzore, përtej fantazisë zhylvernjane, për lirinë e trojeve shqiptare. Këto beteja të ngjasojnë me legjendat e mbretit Artur për çlirimin e Anglisë nga romakët.
Ashtu si në antikitet kalorësit dardanë nuk e lejonin kurrë trupin e shokit të tyre të vrarë të binte në duart e armikut. Ramush Haradinaj duke vazhduar këtë kod nderi të lashtë shqiptarë edhe pse i plagosur ka marshuar për 6 orë duke mbajtur në shpinë vëllain e tij Luanin të rënë në betejë.
Haradinaj është i vetmi kryeministër në historinë e Europës që ka shkuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Ai ka bërë një betejë të gjatë në emër të lirisë e të kauzës kombëtare dhe ka fituar duke vërtetuar se është një lider e burrë shteti i kalibrit europian.
Pritja madhështorë që ju bë atij në Prishtinë dhe në Tiranë pas kthimit nga Haga, tregon se misjoni i tij jo vetëm nuk ka përfunduar por historia e thërret në skenë si lider përbashkues dhe udhëheqës i aspiratave kombëtare të Kosovës.
Ai është figura politike e patriotike më e pranuar sot në rrafshin kombëtar.
Ramush Haradinaj meriton përtej çdo ndarje politike e interesi meskin një mbështetje plebishitare në votimet e 8 Qershorit për t’i dhënë Atij besimin të drejtojë qeverinë e re.
Është kjo arsyeja që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, duke shprehur edhe vullnetin e mijëra artistëve dhe simpantizantëve tanë në Kosovë, gjen rastin t’ju bëj thirrje shqiptarisht e tepër vllaznisht qytetarëve të Kosovës : Besojani Kosovën Ramush Haredinajit.
Ne i kërkojmë çdo burri dhe gruaje, të riu e të reje, veteranëve të luftës çlirimtare, pakicave etnike, të votojnë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës , e cila përmes liderit të saj është garante e të drejtave e lirive të çdo qytetari të saj.

Bonoparti i madh thotë: Trashëgimnia e gjakut mund të gabojë por jo vija e gjakut të derdhur për liri. Ajo gjithmonë e gjen shembëlltyrën e saj ideale dhe askujt nuk i shkon përshtat dhe nuk mund të identifikohet më mirë se sa me Ramush Haradinajin, kësaj embleme të qëndresës të Kosovës.

Haradinaj ka mundur triumfalisht armikun e tij dhe të kombit shqiptar në të gjitha betejat, ballë-përballë dhe me logun e drejtësisë.

Fitimtari dinë të falë e të krijojë modele të një sjellje politike që ka në themel bashkëjetesën qytetare, në një Ballkan të ri, në një erë të re globale.

Vëllezër dhe motra të Kosovës.
Votoni Kalorësin e Lirisë!
Kosovës i duhet një August që të vazhdojë veprën e Çezarit.

Vëllezër dhe motra të Kosovës !
Votoni Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatët e saj!
Votoni ekipin për një drejtim të ri me korife Ramush Haradinajn!
Votoni Arturin e kohërave moderne!
Votoni Kamelotin Shqiptar që shembi Murin e Berlinit mes Shqiptarëve!

Në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar

President
Azgan Haklaj

Filed Under: Opinion Tagged With: Azgan haklaj, Ramush Haradinaj, Unioni Artistik shqiptar

HISTORI-HAXHI ZEKA DHE ALI PASHE GUCIA NJE TRUP ME DY KRENA

May 28, 2014 by dgreca

Me rastin e 136 vjetorit te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/
Nga Rexhep DEDUSHAJ/
Si shume here me pare edhe koheve te fundit po qarkullojne ca shkrime – genjeshtra ,se gjeja Ali Pashe Gucine e ka vrare Haxhi Zeka:” Se paska dashte me ia marre Shqiperise Plaven e me ia dhene Bosnjes”?!
Keto jane genjeshtra te pregatitura ne kuzhinate e sllaveve e te servuara sipas nevojave te tyre,me qellim qe ti njollosin ato dy figura tonakombetare.Qe ti lidhin pas interesave te veta banorete e asaj krahine qe kane mbetur si ” gusa ne mjegull “e s’dijne fare as cka jane me: Shqiptare,Boshnjake,Musliman apo “Cernogorski muslimani “!!
Andaj.e shoh t’arsyeshme ta paraqes ketu te verteten lidhur me kete problem :
Keta heronje tone kombetar ishin si moshatar.Ishin fqinje me banim dhe sigurisht ishin rritur s.bashku .Ishin miq,ishin shoke,ishin bashkpuntore ,atdhetar,.Udheheqes te ceshtjes tone kombetare ne nje periudhe vendimtare per fatet e kombit tone.
HAXHI ZEKA – BIBERAJ ,ishte me origjine nga Malesia e Gjakoves,i vendosur ne Peje.Ishte njeri nga pasaniket me te medhenj te Kosoves.Ishte shume aktiv ne Levizjen Kombetare duke e ndihmuar sidomos materialisht ate.8000 farca vullnetare per mbrojtjen e Plaves e Gucise ne vitet 1879-1880 i ka furnizuar me miell nga mullinjte e vet ne Peje.Ishte edhe antar i Shtabit per mbrojtjen e atyre trojeve Shqiptare.S’ka mbajtur kurr pozita e poste ne shtetin Osman.
ALI PASHE GUCIA ,merr edukate ushtarake ne Stamboll,e dy vite ne Sarajeve.Vite keto qe po i nxierrin sot shum pune me ” Boshnjaket” tone!!
Qellimi i tyre ,pra,i atyre far boshnjakeve,eshte ta paraqesin Aliun si ” Boshnjak qe Plaven e Gucine paska pase dashte t’ia lente Bosnjes e jo Shqiperise”!! – Rrene kjo me bisht??
Plava dhe Gucia,jane te rregjistruara ne te gjitha analet nderkombetare si territore Shqiptare duke filluar qe nga koha romake,kur ” perandori romak PLAVIUSI ,nipi i Konstantinit te Madh – Dardan,e ndertoi nje qytet ne breg te Limit (Limus – Kufi,latinisht) dhe ia ngjiti emrin e vit – PLAVE. ( shih lib. e E.JASQUE ‘ SHQIPTARET NGA ORIGJINA E DERI ME SOT” SHBA…
Pastaj,nga koha e Ballshajve,Nemanjiqeve e deri te Kongresi i Shen Stefanit e ai i Berlinit.Konferencate e Paqes ne Londer ,Pariz etj.Asnjehere ne ato procesverbale s’eshte permendur kjo krahine si pjese e Bosnjes apo si krahine sllave ,por thjeshte KRAHINE SHQIPTARE.; ‘” KOKA E SHQIPERISE”. ( Shih lib.R.Dedushaj: ” CUNG TAHIRI I VUTHAJVE’, Peje,2013).
Ne momentin e pare kur Kajmekami ( nenprefekti ) i Gucise,Ali Pashe Gucia,e merr lajmin per vendimet e Shen Stefanit,vrapoi te Haxhi Zeka ,Biberaj,ne Peje.
E bejne planin s’bashku ,cfare me bere .Tere kohen jane bashk dhe s.bashku me udheheqs te tjere te Lidhjes se Prizrenit,e mbrojten si luanate krahine.Me mijra telegrame e kundershtime i kane shkuar Bizmarkut ne tavoline ato dite ne Berlin nga te dyja palete kundershtare ,ku jane akuzuar pewr se tepermi Ali Pashe Gucia e Haxhi Zeka ,si fajtoret per thyerjen e vendimeve te Kongresit te Berlinit.Pra,e kane dridhur Evropen qe s;ishte mesuar ti thot kush JO.
Pas renjes se Lidhjes se Prizrenit,Porta e Larte,e kerkoi me burgosur Ali Pashe Gucine,,se bashku me Avdyl Frasherin e Sylejman Vokshin.Haxhi Zeka,kujdeset qe ta shpetoj Aliun.Se pari e mshef neper shpellate e Rugoves,neper miq te vet atje.Pastaj,nepermes te ministrit te puneve te jashtme te Turqise;Abedin Pashe Dine-shqiptar nga Elbasani.e fshine nga lista e “tradhtareve’ te Turqise dhe e binde Sulltanin se Aliu s’eshte fajtor …
E thrret Sulltani ne Stamboll ,ku ai ia dorzon 4 flamuj rus,duke i thene se e ka mbrojtur Perandorine Osmane nga Rusia e jo vetem nga Mali i Zi.
( Shih lib.R.Dedushaj “100 Vjet Lufte” N.Y.1999)
Aliu vjen ne Peje,te Haxhi Zeka,si prefekt i pare iatij qyteti.duke e pasur nen kontrolle edhe nenprefekturen e Gucise,qe e kishin sunduar me se 200 vjet familaret e tij – Shabanagajte e Gruemires se Shkodrese jo te Bosnjes,siv po mundohen ta paraqesin sot ca shkie .( Shih.R,Dedushaj:Krahina e Plave-Gucise neper shekuj:N.Y.1993.)
I perkrahur ne heshtje nga prefekti-Aliu,Haxhi Zeka,si edhe me pare,e vazhdon veprimtarine kometare duke e pregatitur ripertrirjen e Lidhjes se Prizrenit.
Kjo gje e dridhe Nishin ( kryeqytetin Serb )dhe Stambollin.Serbete e dergojne nga Nishi ne Peje te preferuarin e vet nga Peja;ADEM ZAJMIN ,ndersa osmanet ia futin roje Aliut, Pavaten e Strellcit-njeriun e tyre!!Keta dy ne marreveshje e gjejne nje ” trashaman ” qe kerkonte grada pa merita – nga Rugova,njefare META I BALES dhe nje dite duke dalur ne zyre ,para kershllaheve te Pejes,te ura e gurit e vret Ali Pashe Gucine.Pavata,si roje e tij se ckrepe asnje fishek.Meta largohet pa therre ne kembe!!Organet osmane e perciellin mgjarjen ne qetesine me te madhe!!
Aliu shkoi i plagosur ne shtepi duke thene: “Qe cka m’bani Shqipnija mua??!!”
E shoqja i thot; “T’kam thane ,ka me t’vra Ademi!
– S’me ka vra Hanm Ademi
– Adem GASKA ( lexo;Zajmi) ia ka ba me sy
– Meta i Bales ka qite allti!!!
Haxhi Zeka arrine ta varrose ne oborrin e Carshi Xhamise( me privilegje )ku do te varroset edhe ai me von i vrar po nga Adem Zajmi..Dhe,vazhdon krijimin e Lidhjes se Pejes,qe e krijoi 4 vite me vone ,me 1899.Percka edhe e likuidijne me 1902.
Mire eshte qe ca kalec te Serbise sot nuk po thone se H.Zeken e vrau Ali Pashe Gucia…
Te gjitha keto vrasje u paketuane ne kazanate e sllaveve dhe u leshuene ne tregper ti percare Shqiptaret,per ti njollosur figurate ne fjale e faktoret shkencore shqiptar i pranuane si te tilla pas LDb,me sygjerimin e Rusise dhe te M.Popoviqit…
Te njejtit e quajten Aliun “tradhtar”pse u be Prefekt i Pejes!!!
E quajten Haxhiun “tradhtar” se e vrau Aliun – sic thonin ata,dhe kullak qe ua ” pinte gjakun”( i shfrytezinte -sipas tyre) proletaret shqiptar !!
E quajten edhe Fishten ” tradhtar ” se u kendoi ketyre dyve !!!
Sot sllavet e kane nxierr nga vazolina perseri ket teme e servuar nepermes te ca hoxhallareve ( patriot boshnjak)por edhe ca njerzve te shitur te M.Gjukanoviqi nga ajo krahine me qellim qe ta shpetojne kete ” krahine sllave – boshnjake ,percka u vra edhe Ali Pashe Gucia nga Haxhi Zeka,qe deshti t’ia epte krahinen tone Shqiperise se Madhe.Se gjeja Aliu ishte i interesuar me cliruar Bosnjen nga AH.etj”Kur dihet se Aliu shpeshehere kishte deklaruar se: ” Fati i Shqipnise nese donte te dilte shtet ne vete duhej te mbeshtetej te nje mbreteri katolike psh.ne Austro – Hungarine…” Shih lib.e cit,E Plava “Plava e Gucia…”f.216.
Prandaj,A.P.Gucine asgje se lidhte me Bosnjen e as me Boshnjaket pervec origjines se perbashket nga ILIRET.gje qe e deshmojne piramidate Pellazgo- Ilire ne VISOKO te Bosnjes.
Por s’po i kuptoi do ” shkenctar ” tone nga ajo krahine qe i pervehtesojne me dashamiresi keto teza dhe emrate e sllavizuar te kesaj krahine i paraqesin ne punimet e veta ” shkencore”…

Filed Under: Histori Tagged With: DHE ALI PASHE GUCIA, HAXHI ZEKA, NJE TRUP ME DY KRENA, rexhep dedushaj

Në gjurmët e miniaturave artistike të shkrimtarit të talentuar Idajet Jahaj

May 28, 2014 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/
Para pak ditësh më ra në dorë një vepër artistike e shkrimtarit vlonjat Idajet Jahaj që ma dërgoi me kushëririn tim Arshi Ymeri, një veprimtar i njohur ky i Shoqatës “Mesapliku”. Vepra titullohet: “Loti i diellit dhe hënëzat e limonit”. Është një përmbledhje me grimca lirizmi të artë, me 22 miniatura artistike në 67 faqe gjithë-gjithë.
Këtë shkrimtarë e kam bashkëpatriot. Të dy jemi nga Smokthina, nga fshati Mesaplik. Që në moshë të re, pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, ai filloi punë në shkollën 8-vjeçare të fshatit të tij të lindjes. Që asokohe, ai i hyri me shumë zell punës për hapjen e një muzeu të fshatit në mjediset e shkollës. Më pati lënë përshtypje të jashtëzakonshme puna e tij këmbëngulëse për pasurimin e muzeut me të dhëna interesante nga jeta e figurave historike të fshatit tonë.
Me kalimin e viteve, në personin e Idajetit erdhi e u kristalizua figura e një krijuesi të aftë në fushën e gazetarisë, të publicistikës, të memorialistikës historike dhe të letërsisë artistike. Prandaj sot, kur ai po i afrohet moshës së pensionit, në inventarin e krijimtarisë së tij në këto fusha, figurojnë 35 libra të botuar, 13 nga të cilat i përkasin artit poetik dhe prozës artistike.
Libri në fjalë është një perlë e vërtetë në botën e letrave shqipe. Ai të rrëmben me miniaturat tërheqëse që autori i ka qëndisur aq mjeshtërisht, saqë të befasojnë me larminë e figuracionit artistik.
Miniatura është një gjini mjaft interesante e letërsisë artistike. Ka mendime të ndryshme rreth vlerësimeve që i bëhen asaj në lëmin e kritikës letrare. Dikush mendon se ajo është një poezi në prozë, dikush tjetër thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një tregimth të shkurtër apo thjesht me një formë të gjinisë letrare të përmasave tejet të rrëgjuara. Kësisoj miniatura përfaqëson një largim nga kornizat tradicionale të gjinive letrare.
Me këto miniatura, shkrimtari Idajet Jahaj ecën në gjurmët e shkrimtarëve të shquar të traditës sonë letrare, si Migjeni dhe Nonda Bulka, duke e pasuruar edhe më tej këtë traditë me larminë e figuracionit artistik.
Miniaturat e këtij shkrimtari të talentuar dhe të heshtur deri në thjeshtësi të admirueshme, bien në sy për pasurinë e mjeteve artistike, në të cilat krahasimi i lë vendin metaforës, metonimia zëvendëson sinekdokën., pas epitetit vjen personifikimi etj.
Fjala, në miniaturat artistike të shkrimtarit Idajet jahaj, përfaqëson në vetvete një botë origjinale. Fjala artistike në këto miniatura është pasqyrë e raportit të autorit me realitetin, e perceptimit të veçantë të botës që e rrethon. Në tekstet e tij artistike, saktësia e rrëfimit përcillet përmes larmive metaforike, të vërtetat jetësore përfaqësojnë zbulime artistike. Mënyra e rrëfimtarisë së autorit në këto miniatura, më sjell në kujtesë një dyvargësh të shkëlqyer të poetit të shquar gjerman Henrik Hajne (1797-1856):

Në një fjalë të vetmve do të doja
Ta shkrija brengën dhe trishtimin.

Arti i fjalës në këto miniatura është shprehje e individualitetit të autorit. Përmes metaforave, autori na përcjell thurimën letrare, e cila krijon figura që lexuesin e ngrejnë peshë, figura këto që ndikojnë mbi të me një forcë emocionale të jashtëzakonshme. Fjalët autori i pasuron me ngarkesa kuptimore mjaft domethënëse, duke i stërpikur ato me magjinë e ngjyrimeve stilistikore.
Figuracioni në miniaturat e këtij autori, vjen e shpërfaq gjallërinë, qartësinë, natyrën bukurimore të pasqyrimit artistik, që janë tipar i përhershëm i çdolloj arti, që janë forma të njohjes së realitetit nga pozitat e një ideali estetik.
Me stilistikën e vet krijuese, shkrimtari Idajet Jahaj, figuracionin e ligjërimit e trajton si një tipar të veçantë të rrëfimtarisë artistike, tipar ky që vjen e përfton shprehjen më të plotë në gjuhën e miniaturave të tij të magjishme. Prandaj, në kontekstin artistik, fjala e autorit në këto miniatura bëhet pjesë e pandashme e sistemit të mjeteve figurative dhe kryen domosdoshmërisht një funksion estetik.
Në ditët tona, miniatura është një gjini letrare mjaft e qëlluar. Prandaj edhe shkrimtari Idajet Jahaj, duke pasur parasysh ritmet e përshpejtuara të jetës bashkëkohore, kohën e racionuar për leximin e librave, morinë e reklamave me subjekte të shkurtra, del para lexuesve me këtë buqetë miniaturash që të emocionojnë jo vetëm me rrëfimtarinë fjalëkursyer, por edhe me natyrën e tyre poetike që herë-herë shoqërohet edhe me kadencën karakteristike të vargëzimit.

Tiranë, 28 maj 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ESHREF YMERAJ, Idajet Jahaj, shkrimtari i talentuar

Në Çikago u promovua filmi dokumentar,,Nuk ishin vetëm,,

May 28, 2014 by dgreca

Nga Skënder Karaçica/
Për një nga mërgatat më të mëdha të krejt historisë shqiptare është ajo në Amerikë.Për rrugëtimin e saj ndër vite janë shkruar qindra libra me vlerë historike të mërgimtarëve shqiptaro-amerikan si dhe shënime biografike,kujtime,trajtesa letrare,skica histrike,ditarë,letërkembime,
lëndë arkivale.Mund të thuhet se promovimi i filmit dokumentar,,Nuk ishin vetëm,,të aktorit dhe regjisorit Xhevat Limani në Çikago,parqet përpjekjen e parë serioze kulturore nga bota e filmit për rrugëtimin e diasporës shqiptare në Amerikë për kauzën kombëtare shqipare në Ballkan dhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Historia e diasporës shqiptare në Amerikë,një pjesë e së cilës shpaloset në filmin dokumentar,,Nuk ishin vetëm,,është pjesë e historisë së gjatë të popullit shqiptar në Ballkan për kohën e një shekulli e gjysmë më parë,ku për fjalën ,,diasporë,,e cila thotë,,shpërndarje,,poeti Jeronim de Rada ,përdori fjalën shqipe,,gjaku i shprishur,,.Ndonëse edhe vetë poeti i madh na tregoi se ishte ai vetë bir i diasporës dhe i dhimbjes së saj,theksoi ndër të tjera Skënder Karaçica në vështrimin e tij për filmin e aktorit Xhevat Limani.Manifestimin kulturor të promovimit të filmit e shpalli të hapur ish luftëtari i UÇK-së Beqir Demhysaj,që mori pjesë në dy luftërat për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në trojet e veta etnike në Maqedoni.
Kamera e ekipit filmor të Xhevat Limanit kishte vënë me së njëqind intervista të veprimtarëve dhe të diplomatëve,të senatorëve,të kongresmenëve dhe ushtarakëve në Amerikë,që në orët e kujtesës historike shpalosnin arkivin politiko-ushtarak për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga regjimi i Serbisë pushtuese(1844-1999).Tërë paraqitja e skenave filmore çonte mesazhin e qartë artistik se për diasporën shqiptare në Amerikë,atdheu shqiptar nuk është i humbur dhe ata nuk kanë tjetër atdhe pos tokës së shqiptarzimës,u tha në fund të pranishmeve Skënder Karaçica.
Filmi dokumentar,,Nuk ishin vetëm,,do të pomovohet në Detroid,Dallas,Las Angjelos,Arizonë dhe me një premierë madhështore në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë dhe në Prekazin historik në Drenicë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne Cikago, Nuk ishin vetëm, Skender Karacica, u promovua filmi dokumentar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4589
  • 4590
  • 4591
  • 4592
  • 4593
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT