Ruben Wills është arrestuar për përvetsim dhe vjedhje të financave gjatë fushatës
QUEENS – Këshilltari i Bashkisë së Qytetit të Nju Jorkut, njërës prej bashkive më të mëdha në SHBA, Ruben Wills është marrë sot heret në paraburgim në një stacion policor, të mërkurën në mëngjes, si nofton shtypi lokal ai është arrestuar në mes të një hetimi nga zyra e prokurorit të përgjithshëm shtetëror , akuzuar për vjedhjen e tij të supozuar gjatë fushatës financiare të mbledhjes së parave – fundraising dhe mijëra parave të zhdukura nga një organizatë bamirëse që ai themeloi” thanë burimet nga shtypi njujorkez. .
Wills , i cili u zgjodh në vitin 2010 dhe përfaqëson lagjen Xhamajka në qytetin e Queensit, u dorëzua vetë në stationin e policisë 112- e cila ndodhet në zonën elektorale në Forest Hills dhe u akuzua për vjedhje të madhe në shkallë të tretë , falsifikim me të dhënat e biznesit dhe duke e bërë fushatë të rreme financiare , tha një burim për Televizionin NY1, që tha se e kishte parë padinë ndaj Willsit .
Burimet thanë se ai u dorëzua si pjesë e një marrëveshje me zyrën e e Prokurorit të Përgjithëshëm, por detajet e marrëveshjes nuk janë bërë menjëherë të qartë . Ai gjithashtu tani do të humbi dhe kryesimin e njërit të nën komisioneve të Këshillit Bashkiak, atë të luftës kundra drogës .
Burimet thanë në skemën e pretenduar të vjedhjes së financave të fushatës , Willsit i kërkohen të gjitha parat ku ai i ka “futur” prej nga bankat deri tek shpenzimet e tij, private, dhe shpenzimet nga anëtarët e familjes dhe transferimin jashtë të të hollave si donacionet për fushatën qytetare. Ligji dënon dhe e quan të kundraligjshme fushatën e kandidatëve, që nuk deklarojnë çdo dollar të mbledhur nga fushtat elektorale ose fushatat e ndryshme për mbledhje fondesh financiare, pavarësisht se janë fushtata të lira apo nga varësia në donatorët të mëdha apo të vogla” shkruan shtypi njujorkez .
Nuk ishte e qartë se sa para ai dyshohet se ka vjedhur ose përvetësuar pa i deklaruar ato , por në bazë të akuzës për vjedhje , burimet thanë se shuma ishte diku nga 3,000 deri në 50,000 dollar.
Këto akuza erdhën nga një hetim i gjatë ku rezulton se 32,000 dollar janë zhdukur nga një organizatë bamirëse e themeluar nga Willis, dhe e quajtur New York 4 Life , e cila pretendon se ka ndihmuar gratë pa burra me fëmijë, të mësojnë në lidhje me financat dhe çështjet civile , thanë burimet e shtypi njujorkez .
Nuk ishte menjëherë e qartë se kur këto incidente kanë ndodhur apo se sa të holla janë vjedur ose përvetësuara të cilat gjoja ishin marrë nga Wiils, për bamirësi gjatë fushatës elektorale në Queeins.
Wills dikur ka punuar si shef i stafit të ish – Senatores së Shtetit, Shirley Huntley , e cila humbi vendin e saj në vitin 2012 , pas kishte vjedhur 87.000 dollar nga një organizat jo-fitimprurëse.
Wills ishte një nga shtatë prej zyrtarëve njujorkez të zgjedhur të cilët ishin të regjistruar në një përgjim për përvetsim fondesh nga revista Huntley në vitin 2012, gjatë hetimi federal . Ku thuhej se :”Shumë nga ata njerëz kanë qenë subjekt i hetimeve aktive kriminale “, por Wills tha në atë kohë se ai nuk ishte pjesë e atyre hetimeve për vjedhje parash të fushatave .Kryetaria e Këshillit të Bashkisë së Qytetit Melissa Mark – Viverito, ka thënë se nëse akuzat e ngritura ndaj Wills , në qoftë janë të vërteta , do të thotë se ai ka ” tradhëtuar besimin e njujorkezëve të përfaqësoi ata në qeverinë e tyre”.
“Këshilli i Qytetit i merr këto akuza si shqetësuese nga Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit të Nju Jorkut, shumë seriozisht dhe do të shqyrtojm ato tërësisht . Njujorkezët presin tjetër gjë nga ne dhe e meritojnë një qeveri që është etike dhe të përgjegjshme dhe që është standardi që ne jemi duke kërkuar që të jetë , ” tha Kryetaria e Këshillit të Bashkisë së Qytetit Melissa Mark – Viverito(Beqir Sina)
TAKIM I PAHARRUAR ME NEXHMIJE PAGARUSHËN…
Në përvjetorin e lindjes/
Nga Prof. Murat Gecaj/
Tre vjet më parë, bashkë me kolegët Namik Selmani e Zyba Hysa, në përbërje të grupit të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, të cilin e drejtonte i ndjeri dr.Ibrahim Gashi dhe që vizituam Shkupin, Preshevën e Prishtinën, ishim pak kohë mysafirë edhe në banesën e këngëtares së madhe e të paparsëritshme të Kosovës e më gjerë, Nexhmije Pagarusha. Për në shtëpinë e saj na shoqëroi me kënaqësi kolegia e mikja poete nga Prishtina, Shefqete Gosalci. Ndërsa bashkudhatarët tjerë të grupit tonë do të bënin një vizitë të shkurtër, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërsa ne morëm udhën për në shtëpinës e znj. Nexhmije”. Për këtë fakt, si me shaka, poeti Selmani u shpreh:”…Ne, do të vizitojmë Akademinë Pagarusha”.
…E, si mund të trokisnim, për herë të parë dhe të shkelnim në shtëpinë e kësaj këngëtareje “bilbil të Kosovës”, pa patur një buqetë të stërmadhe me lule të freskëta ndër duar! Se kështu, sadopak, ne së bashku do të shprehnim nderimin, respektin dhe vlerësimin tonë shumë të madh, ndaj një zonje të madhe, që zërin e shpirtit të saj e nxori prej aty dhe pastaj e shpërndau fuqishëm, nëpër Kosovë e Shqipëri dhe në të gjitha trojet e stërlashta shqiptare dhe deri në disaporën e largët, ku bashkatdhëtarët tanë janë shpërndarë, si i thonë një shprehjeje, “si zogjtë e shqiponjës”. Shefqetja na kishte folur edhe se, ato ditë, Pagarusha nuk kishte qenë mirë me shëndet.
Pra, me këto ndjenja e me shumë mendime në kokën e secilit, trokitëm në portën e banësës së saj mikpitëse. Sakaq, vërejtëm si vezullimë dielli sytë e saj të shëndritshëm e të gëzuar, pamë që fytyra i mori pamje të kuqerremtë dhe i hapi krahët e na u hodh secilit në qafë, si një shqiponjë krenare, që pret vëllezër e motra nga Shqipëria. Nxituam që, secili nga ne, në këto çaste shumë emocionuese, të shkrepnim aparatet tona fotografike. Por, vallë, a mund të shprehej në ato foto, tërë ai mall, respekt e nderim, që kishim në zemrat tona për krenarinë e këngës mbarëkombëtare shqiptare? Sigurisht, që jo!…
Të pritur me dashamirësi dhe të gostitur nga znj.Meli, që i bënte shoqëri e miqësi Nexhmijes, zumë vend në divanët e saj të thjeshtë e të bukur. Ajo përsëri u ngrit dhe na përqafoi me mallëngjim, duke na uruar mirëseardhjen dhe duke na falënderuar për këtë vizitë të befasishme dhe shumë të mirëpritur prej saj. Secili nga ne, përpiqej të zinte vend pranë saj dhe të kuvendonte. Pastaj e ndërronte atë e ia lëshonte shokut, vendin e pëlqyr aq shumë, ku do të çmallej e do ta dëgjonte më nga afër atë zë, që dje, pardje…dhe sa e sa vite më parë, e kemi dëgjuar, po pse jo, dhe fshehurazi në Shqipërinë e rregjimit të shkuar. Në këtë “garë” për të biseduar me Pagarushën, e “fiton” radhën Namiku. Ai shpalos një libër të tij me poezi dhe nisë e lexon një nga ato, që dikur ia kishte kushtuar asaj plot nderim, respekt e mirënjohje. Vërej se këngëtaren e madhe e pushtojnë emocione të fuqishme. Pastaj, si për ta mbështetur krijimin e bukur të kolegut tonë, ajo çeli një dosje të trashë. Prej andej nxori disa poezi, që autorë të ndryshëm ia kanë kushtuar pikërisht asaj. Me duart e zërin, paksa të dridhur, ajo fillon e lexon disa vargje të tyre. Ndërsa ne shprehemi, se ajo meriton jo vetëm poezi të frymëzuara e të bukura, por dhe libra të tërë.
Në këtë mjedis, tashmë të gëzuueshëm, unë gjej rastin e i them Pasgarushës se, kohë më parë, ia kam patur “zili” këngëtarit tonë Ardit Gjebrea, kur e kisha parë në ekranet e TV, që janë takuar e përqafuar bashkë. Po kështu, i flas për kengëtaret e krahinës sime, Malësi e Gjakovës (Tropojë), për Fatime Sokolin, e cila u nda nga jeta në moshë të re; por dhe për Fatmira Breçanin, për të cilat ajo më tha se ua ka pëlqyer zërin dhe këngët e tyre. Por i tregova edhe se, para disa ditësh, “Artistja e Popullit” Vaçe Zela kishte patur ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe m’u drejtua se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që mos të harrohen kengëtarët as artistët, të cilët, me zërin dhe shpirtin e tyre, iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët.
Po edhe Zyba u tregua mjaft e emocionuar dhe, një e dy, e përqafonte fort Nexhmijen, si ta kishte nënë ose gjyshe të veten. I tregoi se kënga brilante dhe e fuqishme e saj pëlqehet shumë, deri në Vlorën e saj. Ndërkaq, Pagarusha nga shikonte ngultazi, me atë qetësinë e saj të admirushme dhe shprehej: “Që dje, unë u përmirësova pak nga shëndeti. Ndërsa sot, qebesa, jam e shëruar plotësisht, sepse më erdhët ju në shtëpinë time e më dhatë fuqi e gëzim. Por, ua jap fjalën, se nuk do të sëmurem, të paktën, edhe për një muaj!…” E vështronim atë në fytyrë dhe mundoheshim të depërtnim në botën e madhe shpirtërore të saj. Hidhnim sytë për rreth e kudo kishte një mjedis të thjeshtë, të pastër e të mirëmbajtur. Ajo na tregoi, me domethënie, se RTVP-ja i kishte lidhur një pension. Më pas, një pension tjetër i dha një fondacion gjerman. Prandaj, mori udhën e shkoi në drejtorinë e RTVP-së dhe u tha prerazi: “Tani, kam një pension të dytë dhe dua që ju të ma ndërprisni, se kështu mund të ndihmoni dikë tjetër. Ndërsa, ju falënderoj për atë pension, që më dhatë deri tani”. E, natyrshëm, kuptojmë se kështu veprojnë vetëm artistët e mëdhenj. Me mirësjellje, i kërkuam lejë Nexhmijes se duhej të ngriheshim, pasi na prisnin kolegët dhe se do të shkonim për një takim me rëndësi, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës. Por ajo sikur na lutej që të rrimë edhe pak, duke biseduar. Prandaj fjalën e kalonte, sa te Kosova e Shqipëria dhe te të gjitha trojet shqiptare. Se kishte dashuri e mall të pashuar që t’i shihte të gjitha përsëri dhe nëpër to të jehonte, pandërprerjer, zëri i saj i fuqishëm, frymëzues e optimist për një jetë më të mirë, në liri e demokraci, në paqe e lumturi të përbashkët.
…U nisëm ngadalë, që të dilnim nga dera e banesës së Nexhmije Pagarushës dhe na dukej se kishim qendruar vetëm pak minuta aty. E, secili nga ne dëshironte e shpresonte që përsëri do ta vizitojmë e takojmë atë. Ndërsa ajo shprehej, paksa e pezmatuar dhe e mallëngjyer nga ajo ndarje: “Faleminderit, që më vizituat…Ju pres të vini dhe të shihemi një herë tjetër!”
Nga shkallët e banesës së saj, e përshëendetëm plot respekt me duar atë dhe ajo na buzëqeshte, me ëmbëlsinë e një të moshuarjeje dhe artisteje të madhe. Ndërsa na ngjante se na shoqëronin, deri larg, tingujt e zërit të saj të papërsëritshëm.
Tiranë, 7 maj 2014
Lexim letrar i autorëve shqiptarë e austriakë, një hap afirmativ
Promovim dhe lexim letrar nga autor shqiptarë e austriakë, në Qendrën Ndërkulturore (IZ) në Vjenë. Z. Peter.P. Waplinger, poet i njohur austriak: “…dosja e 100 të burgosurve politik shqiptarë në vitin 1963/64… libri që nuk lexohet s’ka vlerë”. Roland Bimo: ” …ne duhet punojmë në afirmimin tonë si evropian…”, z.I. Lladrovci: “Austria historikisht i ka përkrahur shqiptarët…” …veprat “Iliricum” dhe “Shenja jete”
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/
Në këtë mbrëmje ishin prezent edhe mysafir që nderuan programin, si: z. Gjergj Dedaj , zv. Ministër në Qeverinë e Kosovës; z.Roland Bimo, ambasador i Shqipërisë në Austri; z.Imer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri. Programit e udhëhoqi me sukses në të dy gjuhët moderatorja Jehona Muja-Sukaj. Tubimin e hapi nikoqiri, drejtori i Qendrës Ndërkulturore (IZ) Mag.Gerhard Moßhammer. Ai mes tjerash tha: “Në qëllimin tonë qëndron jeta e përbashkët e kulturave të ndryshme, të mësojmë nga njëri tjetri, këtu ne jemi të hapur për aktivitete të ndryshme nga të gjitha shoqatat e kombeve të cilat jetojnë në Austri. Jam i gëzuar që sot gjendemi në këtë paraqitje programore. Tani kemi përvojë nga projektet që kishim në Shqipëri dhe Kosovë, projekte arsimore ndërkombëtare në Evropë me çka kemi synuar që të takojmë të rinj dhe të shkëmbejmë përvoja. Kultura dhe arti janë metodat tona të takimit të të rinjve, shkëmbimet mes tyre janë rrugëtimi ynë. Jam i gëzuar që sot këtu do të prezantohen libra dhe lexohen poezi”
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri përshëndeti z.Besim Xhelili, kryetar. “Ne që tre vite jemi munduar me aktivitetet tona të prezantojmë një pamje tjetër nga ne, të prezantojmë vlerat tona letrare dhe kulturore, para mërgimtarëve tanë dhe para vendasve. Na vjen mirë të shohim veten si pjesë konstruktive e shoqërisë ku jetojmë dhe të japim kontributin tonë në të gjitha sferat e jetës. “ Roland Bimo: “Vet prezenca ime sot këtë në emër të ambasadës së Shqipërisë e tregon sa shumë rëndësi ka promovimi i librit dhe leximi letrar. Ne duhet të punojmë në afirmim si europian që jemi, në ngritjen e imazhit tonë”. Z.Imer Lladrovci në fjalën e tij mes tjerash tha: ”Shpresoj se aktivitete të tilla kulturore do të mbahen gjithandej Austrisë ku ka shqiptarë në promovimin e vlerave kulturore. Austria historikisht i ka përkrahur shqiptarët. Diaspora gjithmonë ka luajtur rol më rëndësi në çështjen kombëtare dhe disa herë ka marr vendime me rëndësi. Tani kemi mundësi më të mëdha që t’i bashkojmë idetë dhe veprimet si individ dhe si grup kudo që ka shqiptarë në botë. Një mbrëmje e tillë tregon se shqiptarët janë mirë të organizuar dhe kanë traditë, janë një komb i vjetër në Ballkan dhe padrejtësisht janë ndëshkuar”.
Z.Anton Marku prezantoj antologjinë “Iliricum” në gjuhën gjermane. “ Para dy vjetëve, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar krahas botimit në gjuhën shqipe “Iliricumi” botohet edhe në gjuhën gjermane ku janë të prezantuar 26 autor shqiptarë të cilët vijnë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët”. Më tutje ai analizoi përmbajtjen dhe motivet e krijuesve të shumtë nga radhët e poetëve, shkrimtarëve, publicistëve, piktorëve, skulptorëve e studiuesve të fushave të ndryshme.
Poeti i njohur austriak z.Peter Paul Wiplinger prezantoj librin e tij “Lebenszeichen” ,“Shenja jete” i përkthyer në shqip nga Ferdinand Laholi. Z. Wiplinger është njëri nder shkrimtarët më të njohur në Austri, hapësirat gjermanofolëse dhe më gjerë. Ai përshëndeti stafin diplomatik, organizatorët. Mes tjerash shtoi:” Jam tani e 25 vjet në kryesinë e Lidhjes për Mbrojtjen e Interesave të Autorëve në Austri e cila ka 2500 autorë/e. Që nga fillim kam iniciuar grupin për platformën e cila do mblidhte autorët që krijojnë në gjuhët tjera nga grupet etnike autoktone sllovenët, kroatet, hungarezët, çekët, sllovakët dhe krijuesit nga të tjerët dhe secila gjuhë është përfaqësuar. Për mua ishte me rëndësi që të ndihmoj komunikimi e atyre që shkruajnë në gjuhën gjermane dhe atyre që shkruajnë në gjuhët tjera. Kjo është një çështje politike kulturore e aktivitet kulturor. Me këto funksione që kisha pata marrëdhënie të mira edhe me Ministrinë e Mësimit e Kulturës dhe Ministrinë për Çështjet Evropianë- të jashtme. Në emër të lidhjes ju përshëndes dhe ju uroj sukses. Nisur nga platforma jonë z. Xhelili e kam propozuar dhe tani është anëtar edhe i Lidhjes sonë dhe të premten që vjen, pas bisedës me ju, do ta diskutojmë në kryesinë tonë çështjen anëtarësimit të të gjithë krijuesve nga radhët e Lidhjes Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Lidhjen tonë si pjesë e autorëve në Austri. Unë shpresoj në thellimin e bashkëpunimit mes dy Lidhjeve tona”. Ai foli edhe lidhur me aktorin e madh Aleksandër Moisiu i cili që kur e kishte dëgjuar nga disku me zërin e ti të ruajtura akoma, e kishte impresionuar shumë. “ Unë në vitet 1963dhe 1964 isha në Kosovë dhe regjionet shqiptare në Shkup, Strugë, Tetovë dhe nga ato udhëtime lindi roli ndërmjetësues mes kulturave. Për mua ishte shumë e rëndësishme njohja me disa personalitete shqiptare, ndër ta ishte Ibrahim Rugova me të cilin u takova disa herë në Slloveni dhe një herë në Vjenë dhe me poeti Ali Podrimja.
Një ngjarje tjetër lidhur me Kosovën ishte Dosja e personaliteteve shqiptare që ishin në burgje, të dënuar politik në Prishtinë të cilën e morra ku ishin përveç emrave të viktimave edhe emrat e xhelatëve të tyre. Këtë dosje lidhur me keqtrajtimet e mbi 100 personalitet të burgosur dhe izoluar shqiptarë ia dorëzova Dr.Alois Mock-ut , atëherë ministër i punëve të jashtme të Austrisë. Atëherë ishte ministër i ish Jugosllavisë Llonçar i cili i hedhë poshtë të gjitha ato fakte mbi keqtrajtimin dhe burgosjen e shqiptarëve. Në atë kohë i thash ministrit Mock, zoti ministër, kur të bisedoni herën tjetër mbi këtë temë, i tregoni atij zotërisë(Llonçar) se ne dimë të dallojmë propagandës, gënjeshtrën dhe të vërteten, ju lutem ia jepni këtë dosje me fakte. Unë jam ulur këtu dhe jam një poet politik dhe e kuptueshme një njeri politik. Disa poet që shkruaj çka do dhe sa për një karriere për mua janë të pakuptimtë. Çdo libër i pa lexuar është pa vlerë. Libri kërkon lexues, kërkon mendimtarë kritik, kërkon reklamues, dhe ne jemi reklamues dhe në konfrontim me ideologjitë tjera. Pika kyçe e librit “Shenjë jete” është njeriu. Faleminderit për vëmendjen!” Me lexime poetik në gjermanisht dhe shqip u paraqitën Regip Dragusha, Anton Marku, Peter Paul Wiplinger dhe Besom Xhelili. Në fund IZ organizoi koktej rasti për dashamirët e artit, ku u bisedua nga afër me shumë krijues.
TURP DHE FAQJA E ZEZE!
SHQIPËRIA, ATËHERË DHE SOT/
Ne Foto:Turp dhe faqja e zeze per ata nostalgjike te diktatures komuniste qe detyrojne keta femije te pafajshem te ngrene doren per nje krimiel,qe eshte i zhytur deri ne gryke me krime ndaj qytetareve shqiptare/
Nga Frank SHKRELI/
Në të vërtetë këto fotografi, që kanë shokuar lexuesit dhe shikuesit, e që janë përhapur si zjarr në internet, flasin vet dhe nuk kanë nevojë për ndonjë koment. Thuhet se fotografia ka vlerën e një mijë fjalëve. Për të mos u zgjatur shumë, duhet thënë se përpjekjet e disa qarqeve politike në Shqipëri, për të sjellur në vëmendjen e popullit — përfshirë përdorimin e fëmijve të pafajshëm — figurën e Enver Hoxhës, të idelogjisë dhe regjimit të tij diktatorial, janë sa të shëmtuara aq edhe të pafalshme për një vend anëtar të NATO-s dhe për një shtet që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. Dihet se këto nuk janë grupe jashtë proceseve politike të shtetit dhe qeverisë — sepse çdo vend ka grupe të çmendurish që veprojnë jashtë institucioneve. Kemi edhe këtu në Amerikë të tillë – por, në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me organizata/parti/shkolla, si dhe me individë që udhëheqin ose që kanë udhëhequr Shqipërinë e që ende janë në pozita kyçe partiake e qeveritare, përfshirë edhe tempullin e popullit, Kuvendin e Shqipërisë. Skena të tilla shëmtuese për të glorifikuar komunizmin dhe protagonistët e tij në një nivel të organizuar zyrtar siç po ndodhë në Shqipëri vit pas viti, nuk ka ndodhur askund në Europën Lindore, me përjashtim të Rusisë së Putinit.
Gjatë dy dekadave të kaluara, si shumë shqiptarë të tjerë mbrenda dhe jashtë trojeve tona, kisha shpresën se në Shqipërinë tonë të vuajtur do të ndodhte, më më në fund, një ndarje historike njëherë e mirë, e të mirës nga e keqja dhe nga tragjeditë që kanë pllakosur kombin shqiptar me dekada dhe me shekuj. Shpresohej se më në fund kombi shqiptar po çlirohej nga influenca e ideologjive të huaja si dhe nga robërimi nga të huajtë. Ky spektakl i shëmtuar i 5 Majit në Shqipëri, tregoi edhe njëherë hipokrizinë e kësaj klase politike të këtyre 20-viteve të fundit, jo vetëm ndaj botës por më tepër ndaj popullit që ajo përfaqëson. Ishte në të vërtetë edhe një provë tjetër e mos vullnetit të këtij brezi politikanësh për të shkëputur veten dhe shoqërinë shqiptare nga trashëgimia e komunizmit. Është kjo një klasë e cila ka refuzuar të hapë dosjet, ka heshtur ose aktivisht ka mohuar dhe përgnjeshtron të vërtetën mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës si dhe të vërtetën mbi vrasjet dhe zhdukjen e mijërave viktimave të këtij regjimi, fati dhe as varrezat e të cilëve nuk dihen as sot.
Presidenti Ronald Reagan në fjalimin e tij më 1983 mbi “Perandorinë e së keqës”, ku i referohej regjimeve komuniste të asaj kohe, ka thënë se në botë ekzistojnë e mira dhe e keqja. Të keqën duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona, ka thënë Reagan, duke shtuar se edhe “kombi ynë amerikan ka një trashëgimi të së keqës me të cilën duhet të përballemi dhe ta luftojmë. Por, “Krenaria e këtij vendi,” ka thënë Ronald Reagan, “është aftësia e tij për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotua se nuk do ndodhin kurrë më. “Ne nuk guxojmë ti këthehemi kurrë më asaj historie. Në atdheun tonë, nuk ka vend për racizëm, anti-semitizëm ose lloje të tjera urrejtjesh etnike ose raciale”. Presidenti Reagan i konsideronte ideologët dhe diktatorët si individë që i shërbenin së keqës. Ai ka thënë se të këqiat më të mëdha të kësaj bote nuk ndodhin, “As në kampet e përqendrimit as në kampet e punës së detyrueshme. Por të këqiat më të mëdha,” ndaj njerzimit, ka thënë ai, “konceptohen dhe planifikohen në zyra të ngrohta, me drita dhe të shtruara me qilima, nga njerëz të qetë të veshur me këmisha të bardha e kravata.” Këta, ka thënë ai janë më të rrezikshmit, sidomos atëherë kur njerzit e mirë nuk i kundërshtojnë. Njerzit e ndershëm, sipas Reagan-it, duhet ta njohin të keqën që vjen nga këta ideologët dictatorial dhe mbështetsit e tyre dhe ta luftojnë atë, sepse si të gjithë diktatorët para tyre, ata gjithmonë kërkojnë që dalngadal, t’i shtrijnë këmbët në të gjitha sferat e jetës.
Nderimi i dëshmorëve është një gjë, por shfaqja e respektit për simbolet e regjimit komunist është diçka tjetër. Duket sikurë këta pjesëmarrës me grusht në kokë, nuk kishin për qëllim nderimin e dëshmorve, por me aktin e tyre donin të bënin një deklaratë politike të qëllimshme dhe të paramenduar mirë. Ata ndërkohë e treguan veten se jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar, por njëkohësisht vunë në dukje se janë të pa aftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat përballet. Dhe se si të tillë ata me mburrje I than ë botës se gjithnjë janë krenarë të kenë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur.
Ndaj këtyre shfaqjeve të shëmtuara duhet të prononcohen të gjithë ata të cilët dëshirojnë që në Shqipëri të mos triumfoi e keqja dhe të gjithë ata që janë serioz që ai vend të mos mbetet në një pozitë inferioriteti moral dhe të zhvillimit demokratik në Europë, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.
Fatkeqsisht, shpeshëherë gjatë historisë së kombit shqiptar, në luftën midis të mirës dhe të keqës, duket sikurë një numër i vogël, mbështetës i të së keqës, ka fituar gjithmonë. Kjo ka ndodhur sepse — sipas filozofit irlandez, Edmund Burke — “Që e keqja të triumfoi, nevojitet që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”, për të kundërshtuar të keqën. Ata mbeten vetëm spektatorë, të cilët me mos kundërshtimin e tyre ndaj së keqës, ndihmojnë ndofta pa ditur, që e keqja më në fund të triumfojë ndaj së mirës. Andaj i dashur lexues, cila fotografi paraqet të vërtetën mbi të “mirat” dhe të këqiat e regjimit komunist të Enver Hoxhës: Fotografia e eksodit biblik të shqiptarëve më 1991, apo fotografia e klasës së re politike shqiptare veshur me këmisha të bardha e kravata, duke bërë nderimet e turpshme regjimit të ish-diktatorit me 5 Maj?????
Fatkeqsisht, edhe pas një çerek shekulli, e vërteta është duke pritur gjithnjë, që të ndahet nga gënjeshtrat.
Basha: Bashkia, premio për kampionët në peshëngritje të sport-klub “Tirana”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti të mërkurën në një takim kampionët e Evropës në peshëngritje, Erkand Qerimaj, Daniel Kodelli, Romela Begaj, Ervis Tabaku, trajnerët e tyre dhe presidentin e Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjozi.
Basha, gjatë takimit u ka uruar për rezultatet e larta të arritura në kampionatin europian të peshëngritjes që u zhvillua në Tel-Aviv, ku Erkand Qerimaj u shpall kampion Evrope, ndërsa Daniel Godelli, nënkampion.“Bashkia e Tiranës, do ta vazhdojë traditën e saj të shpërblimit për kampionët e sport-klub “Tirana”, tha Basha
Po ashtu, Basha bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak në mbledhjen më të afërt premio si për peshëngritësit ashtu dhe për të rinjtë dhe të rejat e volejbollit të sport-klub “Tirana”. Duke shpresuar në zhbllokimin e buxhetit të Bashkisë, dhe ka garantuar sportistët se menjëherë me pas do të lëvrohen premiot e tyre.
Sportistët dhe trajnerët e kombëtares së peshëngritjes, kanë vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e Basha, për t’i shpërblyer për rezultatet e tyre gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës, si dhe i ka shprehur mirënjohjen për restaurimin e palestrës ku stërvitet ekipi kombëtar