• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesazh ne Diten e Ringjalljes-DY LOT’ E NJI BETIM…!

April 19, 2014 by dgreca

Mbi Eshtën të deshmorve t’ Atdheut Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli/
Ndalniu ! Ku véni, o burra ?!../
Nga At A.Harapi(1888 – 1946)/
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodren, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari keni pa t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshtë, gëzueshem e rritët shtatin, atje prej kah Shqipnia u qiti edhe u ndriti!
Lè të lavdohen, po, per ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët per jetë, por grimë ma pak s’do të gëzohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët per Atdhé.
Njimênd se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrshme,
por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo Shqiptarësh,
ju jeni heroj, jeni burra Shqiptarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë
sot me gëzim u percjellë Shkodra, lama e nana e heroizmit t’uej.
Jo, nuk u lëshon ju Shkoder lokja, ambel pa u puthë në të dyja faqet, thekshem pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa u derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi, mbi Eshtënt t’uej. Eshtën të pamort, u falem !
Të pavdekshëm, po, pse nder vême t’ueja rueni nji visar të çmueshem, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër né deri sa të jetë Shqipnia.
E udha e mbarë u kjoftë!
Veç, o burra, qi vdekun flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, deh, lëshonje nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë Shqiptare shka u a ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnestë e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri qi në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen thëmeluesat e Atdheut.
Kemi pse të jemi e të mahemi Shqiptarë, der të shêjte të ruhen bes’e burrni.
Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani nji urim Shqipnisë; m’i ndiellni të mbarë e perparim, paqë e ngadhnjim.
Por edhe nji nâmë si rrëfeja, m’ i a lëshoni kulshedres së ré, rrymvet dermuese, qi po e brejnë jeten Shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatrrojnë: levdohen per dashni, e na qesin mënin e fitmen, duen të na mësojnë e po na zhburrnojnë.
Hèu ! ata mos kjofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër veti, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familjet e historia. Nuk po u pyes kush jeni e kah po véni. Kudo shkojshi, të bardhë kjofshi; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk më duhet gja kush u vrau, por knaqem, kah marr me mend até per shka ju ratë preja e dorës mizore.
Nuk marr parasyshë ç’ krahinë kjet e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dêjt t’uej gjaku Shqiptar.
Ju mësyt Shkodren per strehë Atdhetarije, per lamë veprimi, per strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqë ju priti e iu dha nderimin që ju perkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, nder të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lul e tjerë sokola.
Eh, moj Shkoder, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ?
Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangen vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty qi dukesh si të ngadhnojshe ma fort mbi vdekje se sa mbi të gjallë, si të gëzojshe ma fort per të mbetun se per të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, qi tash sa mot të rreshkë e të pervlon?…
Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and perkunde burrat e maleve, ashtu në prêhën t’and mblodhe, në votren t’ande rreshtove kreshnikët e Kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpetimin; në therori, fitimin; në burrni, forcen.
Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmonë per piri.
Zotnij të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali mâ. Keni udhë të gjatë.
Merrni këto visare të çmueshme, e shkoni! Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta Eshtën, shëmblles ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë doren shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e kristjan e me besen e burravet,
me besen Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajt Shqiptarit të pa prekun nji Zot të vertetë, nji Atdhé të lumtun, per të bamë Shqipninë e ré, të fortë e të madhnueshme, të dêjë per Skenderbéun.
T’i diftojmë, po, Botës, se Shqiptarët janë njimênd burra; se mund të jemi Tosk’ e Gegë, muhamedanë e kristjan, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i vertetë e Atdhéu lè të na bashkojnë, Zoti e Atdhéu t’ na mbajnë;
Me Zot e me Atdhé të lumnojmë!
Shenim FR: Kopjue nga “Hylli i Dritës”, fq 462, viti XII, nr.9, Shkoder 1936.
Kjo fjalë u mbajt nga At A. Harapi, tek balkoni i Postës në Fushen e Çelës,
që ishte aty ku, tashti asht ndertue xhamija.

Melbourne, Prill 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: At A Harapi, DY LOT’ E NJI BETIM...

Quarteti “Iris” solli zërin e Pranverës në Opera “America” në Manhattan

April 18, 2014 by dgreca

Entela Barci, pjese e Quartetit “Iris”, ka një edukim të lartë në fushën e muzikës; pasi ka kryer Master në violë në një nga shkollat e mirënjohura Juilliard School, vazhdon studimet për Ph.D në Stony Brook University. Entela ka dhënë koncerte në metropolitanin e Nju Jorkut si soliste dhe në ansamlbin e orkestrës. Koncertet e saj muzikore janë duartrokitur, që nga Veriu deri në Jug të Amerikës, Europë, Australi etj./
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në qendrën kombëtare opera “America” kuarteti Iris string dha nje koncert muzikor të pasur. Artistët instrumentistë të mirënjohur si shqiptarja Entela Barci në violë, Yibin Li në violinë, Muneyoshi Takahashi në violinë dhe Sean Katsuyama në cello intepretuan mjeshtërisht pjesë të ndryshme nga Bethoven si: Introduction, Andante con moto dhe Minuet. Barber: Adagio.
Në pjesën e dytë u interpretuan nga Dvorak, String Quartet No:12 ne F major, Op.96 “American”, Allegro ma non tropo, Lento, Molte vivace. Programi u mbyll me pjesën: Vivace ma non tropo.
Artistët dhe spektatorët i ka përshëndetur znj. Elena Estrin dekanja e Globe Insitute of Technology e cila iu uroi artistëve instrumentistë shumë suksese.
Në këto koncerte shpirti të mbushet me ngazëllim dhe kalon disa orë të këndshme në zemër të Nju Jorkut, larg kafeneve dhe mbledhjeve të shumta pa bukë. Si shqiptare ndihesha shumë krenare që në këtë kuartet merrte pjesë dhe Entela Barci e cila ka një sukses të madh dhe të konsiderueshëm në këtë fushë. Më duhet të kujtojë këtu se ky kuartet interpretoi profesionalisht dhe plot dashuri pjesë të ndryshme në koncertin madhështor me muzikë klasike të organizuar nga TV Alba Life së bashku me një grup artistësh, koncert që hapi siparin e aktiviteteve të 100 vjetorit të Pavarësisë në vitin 2012 në Manhattan si dhe në kuadrin e 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Victor Borge Hall, Scandinavian House, në Manhattan.
Të gjithë muzikantët gjate intepretimit luanin me një elegancë dhe fluturonin me harkun mbi violinë, violë, apo cello dhe ngrinin peshë zemrat e artdashësve që ishin tërhequr si me magnet në këtë aktivitet kaq të bukur.
Entela Barci ka një edukim të lartë në fushën e muzikës e cila pasi ka përfunduar master në violë në një nga shkollat e mirënjohura Juilliard School vazhdon studimet për Ph.D në Stony Brook University. Ajo ka dhënë koncerte në metropolitanin e Nju Jorkut si soliste dhe në ansamlbin e orkestrës. Aktivitetet e saj muzikore janë që nga Veriu deri në Jug të Amerikës, Europë, Australi etj. Si një muzikante dhome Entela ka marrë pjesë në Muzeumin Metropolitan të koncerteve të artit dhe serisë së leksioneve si dhe në serinë e koncerteve irlandeze amerikane. Si një muzikante e orkestrës ka dhënë koncert me Filarmonikën e Nju Xhersit, Haddonfield Symphony, Jupiter Symphony, New Jersey Symphony, SAB Orchestra, ABT Orchestra dhe Lyric Opera e Nju Xhersit. Entela ka dhënë koncerte në disa salla kryesore të Nju Jorkut përfshirë Carnegie Hall, Avery Fisher Hall, Alice Tully Hall, 92nd Street Y dhe Trinity Church. Po ashtu ka qenë në recitalin muzikor në Weill Hall, e cila ishte pjesë e Amici Piano Quartet, complete Brahms dhe Mozart Piano Quartets. Znj. Barci ka marre pjese ne shume festivale të muzikës përfshirë Spoleto Music festival, Tanglewood, Ravinia Music Festival, Aspen Music Festival, Summit Music Festival, Music Acedemy of the West, Banff Centre dhe Clefworks Music Festival.
Në këtë natë të bukur muzikore dhe pas një dimri të zymtë dhe të egër që kaluam në New York, ne në Manhattan dëgjuam zërin e Pranverës me muzikantët e quartetit Iris String, të cilët dukeshin se ishin lajmëtarët e pranverës, një pranvere me ngjyrat e ylberit, si Iris perëndesha e ylberit sipas mitologjise greke, emrin nga e ka marrë dhe kuarteti. Dëgjuam muzikë si nën një dritë blu Hëne pas një nate të gjatë dimri.
Ndonëse të katert vinë nga vende të ndryshme si nga Kina, Japonia, Shqipëria dhe që i kanë filluar studimet qysh në moshën 3 vjeë, ata kanë një harmoni të përsosur miqësore ashtu si në egzekutimet që kryejnë të pjesëve të ndryshme nga kompozitorët e mëdhenj si Bethoveni etj.
Pas duartrokitjeve të gjata muzikantja Yibin Li ftoi të gjithë artdashësit para kamerave të TV Alba Life për koncertin që do të kenë në 6 Maj, 2014, në orën 8 mbasdite në Metropolitan Playhouse. Në faqen e Metropolitan House është publikuar nga Times Square Chronicles se muzikantët e quartetit Iris kanë një efektivitet të lartë në egzekutimin e pjesëve të kompozitorëve më të shquar amerikanë.
U larguam nga Opera “America” në Manhattan duke marrë me vehte zërin e Pranverës dhe duke e shpërndarë si një jehonë të bukur muzikore plot delikatesë, harmoni dhe elegancë si kuarteti “Iris”.

17 prill, 2014
Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Entela Barci, Kozeta Zylo, Quarteti Iris

SHKOI TE PUSHOJE NOBELISTI MAGJIK, GABRIEL GARCIA MARQUEZ

April 18, 2014 by dgreca

Shkoi te pushoje magjiku i madh i prozes,Gabriel García Márquez. Ai ishte shkrimtari më i njohur i Amerikës Latine. Në vitin 1982 ai u nderua me çmimin Nobel të letërsisë. Tani ai ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare. Një karrierë që filloi me pyetjen e së jëmës.
“Çfarë t’i them tani babait tënd?” – “Thuaj se dua vetëm një gjë në jetë, dua të bëhem shkrimtar dhe kam për t’u bërë.” Në shkurt 1950, para se të mbushte 23 vjeç, Gabriel García Márquez vendosi t’i ndërpriste studimet në drejtësi, kundër dëshirës së prindërve. Pasioni më i madh i Gabrielit nuk është drejtësia, por bota e historisë. Kështu e përshkruan ai në vitin 2002 në autobiografinë e tij “Të jetosh për të treguar”.
Fëmijëria në Karaibe
Gabriel García Márquez u lind me 6 mars 1927 në Aracataca, në një fshat të Karaibeve kolumbiane, në mesin e plantazheve të bananeve, që në verë dëmtoheshin nga thatësira dhe në dimër nga rrebeshet tropikale. Me një kokëfortësi të ngjashme me atë të të birit më vonë, edhe e ëma këmbënguli dhe në vitin 1926 u martua me një telegrafist, i cili ia kishte fituar zemrën me serenata me violinë natën poshtë dritares. Se si janë bashkuar prindërit e tij, Gabriel García Márquez e tregon në romanin e tij “Dashuri në kohët e kolerës”. Shumë nga veprat e tij i kanë rrënjët në vërtetësi. Edhe tregimi i njohur “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar” tematizon ngjarje nga mjedisi i tij.
Gabrieli, më i madhi i fëmijëve, rritet te gjyshërit. Gjyshi i jep libra, Gabrieli përpin autorët kolumbianë dhe spanjollë, më vonë edhe Hemingway, Faulkner dhe Kafkën. Gjyshja një pastiçiere dhe rrëfimtare e talentuar, e edukon atë me histori fantastike, i tregon dhoma të ndaluara, ku thotë se jetojnë të afërmit e vdekur. Ushqim për fantazinë e Gabrielit, por edhe burim i maktheve dhjetëravjeçare. Një fëmijë i vetmuar mes grave: gjyshes, hallave dhe shërbëtoreve indiane. “Prej andej”, shkruan García Márquez në kujtimet t e tij, “vjen me sa duket bindja ime, se gratë e mbajnë botën, ndërsa ne burrat me brutalitetin tonë historik, sjellin vetëm çrregullim.”

Një botë në ndryshim

Rregull nuk ka as në atdheun e tij. E pavarur nga Spanja që prej fillimit të shekullit të 19-të, Kolumbia në vitin 1886 u bë demokracia e parë në Amerikën Latine. Por vazhdimisht ka luftëra civile të përgjakshme. Kur lind Gabrieli në vitin 1927, merr fund një periudhë e bumit ekonomik, na i cili kanë përfituar qytetet dhe investitorët e huaj. Popullsia e fshatit punon shumë dhe mbetet e varfër.
Shkak për protesta sociale, që në vitin 1928 përfundojnë në një masakër. Mbledhësit e bananeve, të cilët demonstrojnë para kompanisë amerikane United Fruit për pagat e papaguara, qëllohen me armë nga trupat qeveritare, ka shumë të vdekur. Edhe këtë ai e përshkruan në librin e tij, bestsellerin e botuar në 1967, “Njëqind vjet vetmi”.
Një tjetër ngjarje, që e shoqëron deri sot Kolumbinë, Gabo, siç e quajnë admiruesit e tij, e përjeton fare nga afër si student në Bogota. Vrasjen e kandidatit për president, liberalit të majtë Jorge Eliécer Gaitán, në vitin 1948. Gjë që ndjehet deri sot në aksionet e organizatës guerrilase FARC dhe të dhunës të karteleve të drogës.
Me të ardhura shumë të pakta
Gabriel García Márquez i ndërpret studimet dhe mundohet të punojë si gazetar. “García Márquez jetonte me të ardhura shumë të pakta”, tregon përkthyesja e tij gjermane Dagmar Ploetz. Në vitin 1958 ai martohet me dashurinë e tij të rinisë Mercedes Barcha, atyre u lindin dy djem. Gati gjithmonë mungojnë paratë.
Përvojën e urisë, varfërisë dhe dhunës ai nuk e harron kurrë. Gjithë jetën e tij ai angazhohet për të dobëtit, në vitet 60-të mbështet lëvizjet e Amerikës Latine për pavarësi. Nga kjo periudhë daton miqësia e tij e kritikuar shpesh me Fidel Castron. Në vitet 90-të dhe 2000 ai lufton kundër krimit dhe trafikut të drogës dhe ndërmjetëson në mes qeverisë dhe guerilasve.

Përralla magjike për të rritur
Suksesi i tij si shkrimtar nis në vitin 1967 me “Njëqind vjet vetmi”. Libri tregon historinë e një familjeje në fshatin fiktiv Macondo, i cili brenda një shekulli kthehet nga një copë tokë me kasolle bambuje në një qytet të lulëzuar. Realiteti dhe fantazia përzihen, libri është plot personalitete të çuditshme dhe ngjarje, që lidhen me historinë e Kolumbisë dhe të familjes së autorit. Për shumëkënd romani është një epos nacional i Amerikës Latine, historinë e së cilës ai pasqyron në mënyrë letrare.
Për shkrimtarin libri “Njëqind vjet vetmi” ka qenë si një terapi. Kritiku kolumbian i artit Carlos Rincón kujton në një intervistë: “García Márquez thoshte, se ëndrrat e tij nga shtëpia e gjyshërve deri në shkrimin e romanit kishin qenë makthe. Kur ai i ktheu jetën dhe kujtimet në fiksion, ai shpëtoi prej tyre.”
Në vitin 1982 Gabriel Garcia Marquez merr çmimin Nobel në letërsi. “Për romanet e tij dhe tregimet e shkurtra, në të cilat fantastikja dhe realja shkrihen në një botë të larmishme të imagjinatës duke pasqyruar jetën dhe konfliktet e një kontinenti”, është vlerësimi i komisionit. Krahas autores kiliane Isabel Allende ai ka qenë përfaqësuesi më i rëndësishëm i këtij “realizmi magjik” në Amerikën Latine.
Tani tregimtari i madh kolumbian ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Mexiko City. “Dua të bëhem shkrimtar dhe do të bëhem.” Premtimin e ka mbajtur.

Filed Under: ESSE Tagged With: GABRIEL, GARCI MARQUEZ, SHKOI TE PUSHOJE NOBELISTI MAGJIK

REPUBLIKA E MBIKQYRUR?!

April 18, 2014 by dgreca

(Një moskuptim i përsëritur)
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.
“Ah, sa bukur po digjet zemra e këtij qyteti të lashtë”, pëshpëriste zëshëm e gjithë gëzim Arthur Harris, gjenerali i aviacionit mbretëror britanik që, në fror të vitit 1945, dha urdhër të bombardohet Dresdeni, një ndër qytetet më kulturore të Gjermanisë. Dhe s’do ti bëhej kurrë gjyq barbarisë tij smirzezë ku gjetën vdekjen rreth 30.000 njerëz, në çastin kur metropoli hitlerian, tashmë, ishte thyer e kapitulonte. Bhy 6, Do të evokoja këtë dromcë historie, i përnxitur nga ideja e një gjykate të paralajmëruar speciale për Kosovën që përhihet në horizont. Ajo, për mirë a keq, do të ngrihet dhe shqiptarët, të pandehur e dëshmitarë, do kalojnë nëpër bankat dhe përballjen e saj. Në fillesën e këtij pohimi, ndërkaq, nuk qëndron assesi logjika e fajpranimit apo e qyqarisë që sikur do sugjëronte: le të ndodhë ajo që s’mund të sprapset dot!
Nisma është, gjithësesi, e rëndë, racialisht mosbesuese dhe revansh i fuqive të errta të Europës së nënujshme. Por ajo, si një prurje e mirë dytësore e fatkeqësisë, së paku do të provojë dy gjëra fundamentore: ose fiktivitetin e pretendimeve penale – e aherë do shplahej përfundimisht fytyra kolektive e shqiptarëve nga përshkëllima e shpifur ose ndëshkimin e krimeve reale – e aherë ata do të bënin tutje, por pa peshën frenuese të tyre në ndërgjegje a në shtetndërtimin e emancipuar politik.“Unë nuk dua asnjë lloj madhështie për vëndin tim, nëse ajo është prej gënjeshtre dhe gjaku të pafaj”, i shkruante Kamy mikut imagjinar gjerman gjatë ferrit që pat pllakosur Europën në messhkull, etikë e çmuar që mund të transponohet fare mirë dhe në hullinë e lirisë.
2.
Megjithatë, në qarkullim të ligjshëm mbeten dy pyetje të vështira e me përgjigje të pazot. E para, një Instancë drejtësie për krime lufte në ish-Jugosllavi, pra edhe për Kosovën, vijon të jetë ende mandatplotë. Në filtërin e saj defiluan mundimshëm shqiptarë që, përpjestimisht me banorësinë e përgjegjësinë, kjenë më të shumtë se ndër të gjithë fiset sllave. Po të quhej e nëvojshme ata do defilonin prapë dhe për hiret e Dick Martyt spekulativ. Ndaj, përse tani ky institucion i posaçëm gjyqësie për shqiptarë? Dhe e dyta, në mbyllje të Luftës së mbramë botërore, nuk pati një “Nyrnberg” të përzier shumëpalësh dhe as dy të ndarë e të veçantë: një për okupatorë, pra për Hessin e projekteve të shfarosjes, dhe një tjetër për çlirimtarë, pra për britin Harris apo për partizanët e qendrestarisë franceze. Kishte, logjikisht, një të vetëm: për shëmtinë arianiste!
Tragjika që shkaktuan serbët në Ballkanin perëndimor dhe përmasa e ndëshkimit ishin krejt asimetrikë. Meqë kjenë të njëllojtë për kauzën, a pati si për nacistë, një “klauzolë faji” dhe, prandaj, një “Nyrnberg” vetëm për idenë marroke të shtetomadhësisë dhe epërsisë së gjenit sërbian? A u formua, poashtu, një Komision defashistizimi që do të bënte spastrimin e shpirtërave të helmuar me dogmën groteske të “popullit qiellor”? Dhe a do të pasonte, mandej, ndalesa e forcave politike që parashestuan e nisën marshin e përtritjes së “shekullit të artë”serbian? Ai ishte i përbashkët (okupatorë e çlirimtarë) kurse frymësia e programeve ekspanduese gjallon ende fort, përfaqësuar gjithnjë nga partitë që, aherë e sot, i prijnë Sërbisë! Që këtej, sado vogëlsore të ngjajë, sikur nuk shmanget dot hatërmbetja për njëlloj dileme imorale të Europës: e rëndon, vallë, më shumë brejtja e ndërgjegjës për krimet serbe apo pendesa për dënimin e tyre?
Në Kosovë, ndërkaq, gjithçka rrjedhon ndryshe. Matet e ç’matet mijëra herë. Megjithë vonesën historike dhe vargun e pakëputshëm të të zezave, peshorja kurdiset me një delikatesë e përpikëri të lodhshme. Ndërkohë që për anglezë, pastaj amerikanë që behën nga përtejdetet, degolistë të Frontit fisnik të Rezistencës a për rusë që rrafshuan egërsisht tokat e lulëzuara pas dorëzimit gjerman, nuk pati asnjë tribunal – për shqiptarët që iu përfalen po këtij ideali dhe po kësaj të drejte, ka dy të tillë: i pari në Hagë dhe tash kjo pasrendësja e posaideuar, me selitë alternative dhe misionin e turbullt. E mendonin të mbyllur periudhën adoleshente të mbikqyrjen së pavarsisë, po, me sa duket, paskësh qenë veçse një farsë abrogimi i saj. Survejimi dorëfshehtë i krijesës së brishtë vijon në formë e format tjetër, sikur shqiptarët të jenë trollëzuar gabimisht a idhnakësisht në hapsirën ku zënë n’thua të gjithë!..
Do të ishte e mirëpritshme përndjekja e krimit, politik e ordiner, të pasluftës që ka kërrusur shumë qenien kombëtare, gati në kufi të ekzistencës. Rikëndellja nga plagët e tyre do të përjetohej si një çlirim i dytë, i vërtetë i Kosovës. Këto, e jo të paprimet e luftës që, ndonëse nuk pati presedan e as praktikë, sërish u lustrifikuan në proceset maratonike të Sheveningenit, duhej shenjuar si e keqja megashtegtuese e Kosovës së lirë. Jurisprudenca kosovare për shkak të mendësisë së trashëguar, kulturës së munguar dhe armaturës mafiokratike, nuk mund të vënte dorë të mbarë mbi asgjë. E ç’punonin, prandaj, drejtësiprerësit e zhurmshëm europianë (“Eulex”) për të zbardhur, pakësuar a pastruar ato? Apo, ndoshta, kjenë të zënë me statusin e Republikës dhe bënin politikë? Më keq akoma: mos, vallë, u bënë dhe vetë pjesë fijesh të tyre? E krejt së mbylluri: athua dhe Gjykatorja speciale të ketë përbetimin thelb e shtysë të pikësynimit të saj?
Njëmend shumë nga titajt e moteve paskolonialiste, luftëtarë të devotë të dikurshëm a figurantë uzurpatorë të legjendës së saj, janë inkriminuar, deri animalizuar keq dhe ngujimin e tyre pas grilave nuk do ta vajtonte kush. Por dyshimi (ah, dyshimi sokratik) për lojën e madhe, në të cilën, pasi tashmë Krimeja ndërroi zot, rikonsiderohet roli i djegur hegjemon i Sërbisë së kreshpërosur, lë shijen e një zhgënjimi të hidhur. Mbase përligjet, kështu, një raport, në dukje simbolik, por që dërgon larg fillin e pasojave të pallogaritshme për Europën vetë: vrasësi thirret të ngrejë ballin lartë e të ndjehet krenar, kurse viktima e tij të ulë kryet e të ndjehet me turp. E drejta e saj natyrale e lirisë kthehet, ashtu, në kundërvlerë, në atribut ilegal e të papërkitshëm me substancën etnike dhe konfigurimin gjeopolitik që lëviz e përvijohet vazhdimisht!..
Por ja, kështu duket, gati si e shkruar: shqiptarët nuk kanë një dalëzotës që, me prirje e orientim aleancash armiqësore ndaj Europës, të shantazhonin interesin e saj jetik. Janë europianistë të kulluar dhe s’kanë ku të venë. Ajo e di këtë, ndaj, veç inercies së vjetër, kjo është arsyeja që në sferat e epërme komunitare nuk vërehet një ngut për ti qasur, për ti nxjerrë nga rezervati kënetor ku janë zhytur e mbytur. Në ftoma të kalesës, mes tyre dhe saj, ka pasur shpesh marrëdhënie e përkatësi natyrshmërie, po jo rrallë dhe moskuptim të thartë. Do t’ishte fatale për të dytë, sikur ky i fundmi të hidhte sërish pëlhurëzën merimangëse të tij…
R.Kasumaj/ Berlin, prill 2104

Filed Under: Analiza Tagged With: Redpubliak e mbikqyrur, Rexhep Kasumaj

BUKUROSHJA DURRESAKE, Hygerta KARAJ, PJESMARRESE NE MISS LIBERTY

April 18, 2014 by dgreca

Perfaqesuesja e Shqiperise do te merr pjese ne garen e bukurise MISS LIBERTY 2014 ne Turqi/
Hygerta KARAJ eshte 17 vjecare nga qyteti i bukur i Durresit./
Bukuroshja Shqiptare Hygerta KARAJ eshte perzgjedhur nga Drejtori Nacional Shpejtim ZEJNELI .
Gara e bukurise MISS LIBERTY INTERNATIONAL do te fillon prej dates 22 prill 2014 deri me 04 Maj 2014 ne qytetin e bukur te Antalise ne Turqi. Ne kete gare bukurie marrin pjese 40 shtete te botes.
Ne cfare shkolle shkoni dhe cka mendoni te vazhdoni te studioni?
Une jam nxenese ne Shkollen Jo Publike PAVARSIA ne Durres.Deshira ime eshte te studioj DREJTESINE dhe Farmacine.
Kush ju ka perzgjedhur per te perfaqesuar SHQIPERINE ne garen e bukurise MISS LIBERTY INTERNATIONAL 2014?
Eshte organizauar nje audicion per te marre pjese ne garen e bukurise ne Turqi ku une ham perzgjedhur nga Shpejtim ZEJNELI i cili eshte Drejtor Nacional per Shqiperi dhe Kosove.
A keni mare pjese ne gara bukurie dhe cfare suksese keni arritur.
Ne MISS DURRESI je perzgjedhur MISS ELEGANCA dhe je perzgjedh ne 7 gocat me te bukura te Durresit
Ne eventin e bukurise MISS TURIZMI i mbajtur ne Durres jam perzgjedhur MISS MIQESIA.
Ne evntin e bukurise MISS PAVARESIA 2014 e mabjtur ne Prizren te Kosoves jam perzgjedhur Shoqeruesja e Dyte e Miss Pavaresise 2014.
Cka pelqen me se shumti ne Fushen e Modes?
Mua me pelqen ne fushen e modes: Pasarealat e Modes,Prezentimi i Kolekcioneve te Modes te Agjencive te medha te Modes, Dolca Gabana,Versace etj.
Sa i kushtoni redesi Lookut tuaj?
Gjate kohes qe jam ne shkolle i ambientizohem rregullave te shkolles, ndersa pasi te jam ne Kohen e lire i kushtoj rendesi te madhe dukjes,veshjeve dhe trendit te kohes qe eshte ne fushen e modes ne bote.
Cfare plane keni ne fushen e bukurise?
Planet e mia jane te mare pjese ne gara bukurie ne bote dhe punoj me agjenci te ndryshme te modes.
Cfare emocione keni para se te shkoni ne Turqi
Une jam krenare qe Perfaqesoj shtetin Shqiptare ne garat e bukurise ne bote dhe ndihem e privelegjuar.
Kam shume emocione sepse eshte udhetimi im i pare si Perfaqesuese e Shqiperise.
A jeni pergaditur per te shkuar ne Turqi?
Po jam e pergaditur duke filluar nga veshjet,kepucat,looku,fusha e publicitetit etj.
Kush ju ka siguruar veshjen?
Per veshjet e mia jane kujdesur Shtepia e Modes QENDRESA nga Gjilani dhe Shtepia e Modes Er -ROSI nga Dardana dhe per veshjen kombetare Souvenir Shop ARTA nga Prizreni.
A keni mare oferta pune ?
Po kam mare shume oferta pune te punoj si MODELE, ne Itali,Turqi,Dubai,Kine,Indi etj
Pastaj kam disa plane per te punuar ne Kalendar,Kataloge etj.
Cfare mesazh keni per fund?
I uroj suksese Gocave Shqiptare kudo qe ndodhen ne fushen e bukruise.

Filed Under: Kulture Tagged With: Hygerta KARAJ, PJESMARRESE NE MISS LIBERTY

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4679
  • 4680
  • 4681
  • 4682
  • 4683
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT