• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë

March 20, 2014 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/Angelezi, Isak Njutni padyshim është shkencëtari më i madh dhe më me ndikim i të gjitha kohëve. Studjuesi në disa lëmenj shkencor dhe me renome botërore Majkël Hart në veprën e tij: “100 Njerëz më me ndikim në Histori.” Pas Muhamedit, në numrin dy e radhit Isak Njutnin. Mbase është e natyrshme që një dijetar praktik e shkencor të lë gjurmë të pashlyeshme në historin e njerëzimit me shpikjet e tij shkencore. Ai zbuloi se drita e bardhë është e përbërë nga të gjitha ngjyrat e ylberit. Pastaj ai krijoi dhe prkatikisht ndërtoi në vitin 1668 teleskopin e pare më pasqyrë, teleskopin reflektues, i cili edhe sot përdorët në më shumë opservatariume astronomike, ndërsa në matematikë dha kontributin e tij në zbulimin e llogaritjeve integrale, megjithatë suksesi më i rëndësishëm i tij është në lëmin e mekanikës-shkencë, e cila sqaron lëvizjën e trupave fizikë. Shpikjet e tij shkencore nuk i komunikoheshin ne të njetën kohë njerëzimit, arsyeja kryesore mbase ishte se po të komunikoheshin publikisht shpikjet e tij shkencore, do të mund të haste në kundërshtim nga religjioni fetar, të cilet ndoshta edhe do ta pengonin këtë shpikje shkencore të ideve të reja, ose njerëz të tillë të paknaqur nga shpikje të reja do ti qëndronin në rrugë si pengesë. Atëherë, Isaku do të kishte mbase të drejtën ose do të ishte i detyruar ta menjanojë këtë pengesë, në këtë mënyrë ai do ti komunikonte njerëzimit shpikjet e veta. Por nga e gjitha kjo që u tha si më lartë, Isaku nuk ka patur të drejtë dhe as që ka provuar ta vrasë kë të dojë nga kunërshtarët e tij të ideve të reja zbuluese, ose të vjedhë në shitore çdo ditë pse ai ishte gjeni në shpikjet e tij shkencore. Kjo na jepë të kuptojmë se edhe ligjëdhënësit dhe drejtuesit e njerëzimit duke filluar nga ata të mëparshmit si Saloni, Likurgu, Napoleoni, Muhamedi e shumë të tjerë, të cilët ishin shkelësit e ligjit të vjetër, ku shoqërit e ndryshme njerëzore e kanë trasheguar nga paraardhësit e tyre, ku ato ligje i kanë respektuar deri në shejtni, e natyrisht nuk janë zmrapsur dhe kanë derdhur gjakun me heroizëm për ruajtjen e ligjit të vjetër, njëkohësisht e kanë mbrojtur  si të dobishëm për shoqërinë njerëzore. Nga e tërë kjo lë të kuptojmë se këta bëmirës të njerëzimit, me idetë e tyre të reja, pra këta bëmirës dhe zotët e njerëzimit kanë qenë veçanërisht ata të skenave politike edhe gjakpirës të tmerrshëm… Me këtë dua të nxjerrë  një përfundim se të gjith këta njerëz, të cilët janë në gjendje ta thonë apo ta japin një ide të re, janë pothuaja se të detyruar, për nga natyra dikush më shumë e dikush më pakë të jenë edhe pjesë e krimit.

 

Kjo ide e re, sipas pikpamjës time, njerëzit për nga natyra ndahen në njerëz të zakonshëm të cilëve nuk u intereson e kaluara dhe as që mendojnë të ardhmën, por janë njerëz që i përshtatën të tashmës, të cilët për nga natyra të shumtën e rasteve janë të sjellshëm, e që jetojnë të nështruar dhe janë të dëgjueshëm sepse kanë përfitime personale politike materiale nga e tanishmja sunduese, sepse ky është dedikimi i tyre i të jetuarit. Kurse në anën tjetër është kategoria e njerëzve të cilët kundërshtojnë dhe kërkojnë rrëzimin e sistemit ekzistues në emër të diçkaje më të mire. Pra, këtij njeriu me ide të re, i duhet që për idenë e vetë të kapërcejë ndoshta edhe mbi trupin e vdekur?! Masa popullore duke mos patur njohurin e duhur mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë, gati as njëherë në kohë të duhur s,u njehë këtë të drejtë njerëzve me ide të reja, i vret dhe i var, kështu kjo masë e përmbushë detyrën e vetë konservative, që ka ajo për prijësin e vetë grupor, vetëm se brezat e rinj të po kësaj mase që kanë bërë ekzekutime, të ekzekutuarve, u ngrehin lapidare, dhe u përkulën në përvjetorët e rënies së heronjëve të tyre për lirin e ideve të reja.

 

Pra siç shihet kategoria e pare e njerëzve është dalëzotëse  e të tanishmës, kurse kategoria e dytë e njerëzve janë dalëzotës të ideve të reja, pra janë zot të së ardhmës. Pra këta të parët mbajnë botën dhe rrisin numrin e përkrahësve të së tashmës, të dytët lëvizin botën duke e dërguar atë drejtë qëllimit. Por çka është më kryesorja si njëra poashtu edhe tjetra kanë të drejtë ekzistence, por gjithnji kjo e dyta lufton për të përjetshmën, pra kjo kategori njerëzish njef e respekton historin  e të kaluarën dhe lufton për ide të reja të së ardhmës. Mirpo sipas pikëpamjës time në këtë rast gabimi është i mundur nga kategoria e pare, edhe përkundër prirjës së tyre të zakonshëm për nënshtrimit për interesat e tyre personale, këta nuk qajnë kokën për të shkuarën e as për të ardhmën ata jetojnë sot për nesër, e në të njetën kohë njerëzit e rinjë me ide të reja, shpesh here, fare nuk i diktojnë dhe i kalojnë me përbuzje, sikur janë njerëz të prapambetur me ide të ulëta, e jetojnë në varfëri. Por nga këta njerëz sipas pikpamjeve të mija, nga këta njerëzëz nuk ka pse frikësohet askush, sepse kjo kategori njerëzish nuk shkon larg, sepse janë servile e kozmopolit dhe ndërrojnë gëzofin sipas motit, kështu ata e ngarkojnë vetën me pendime të ndryshme publike se kanë qenë të mashtruar nga prijësi i tyre, dhe kjo del në fund si mësim moral për ta. Kategoria e dytë e njerëzve me ide të reja, janë të aftë të thonë çkado të re, çuditërisht në numër janë më të paktë. Këta njerëz janë të caktuar sigurt nga ndonjë ligj i natyrës. Besoj se ky ligj natyrës është i panjohur, por kam bindjen time se ky ligj i natyrës së panjohur ekziston, e në asnjë mënyrë nuk mund të ketë asfarë rastësie. Këtu kemi të bëjmë me lindjen e gjenive të mdhenjë, të cilët janë kulmi i fatit të shoqërisë njerëzore, ata janë krijues ose shpikës të veprave të mëdha, moskuptimi i veprës gjeniale nga opinioni-lexuesi nuk është përjashtim por normë mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë.

Shqipëri 20 Mars 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Avdi Ibrahimi, Mbi të drejtën e luftës, së përjetshme, të lirisë

BABA REXHEPI-NJË JETË E JETUAR PËR FE DHE ATDHE

March 20, 2014 by dgreca

  „ KUR  TË  VDES, NUK  DUA  CEREMONI  MORTORE./AMANET, ATE  RASËN  E  GURIT QË  KAM MARRË  NGA GJIROKASTRA,TË  MA  VENDONSI TEK KOKA”/

Shkruan:Eugen SHEHU/

Lindi në gushtin e vitit 1901 në qytetin e gurtë të shtetit amë,Gjirokastrës.U rrethua që në vitet e para të jetës,me legjendën e famshme të kështjellës që mbante emrin e Argjiro dhe që u lëshua si erë nga bedenat e kalasë,vetëm e vetëm për mos ti ranë nën sundimin e të tjerëve.U rrethua prej tregimeve mbi trimëritë e pashallarëve të Gjirokastrës,fama e të cilëve arrinte deri në Athinë.Por pati edhe një fat të madh që do t’i paraprinte rrugëve të së ardhmes së vet.Ishte nipi i parë,i të mrekullushmit Baba Selim,i teqesë së Zallit në Gjirokastër.Rexhepi i vogël,shkonte të mësonte në shkollën fillore të Gjirokastrës,në vitin 1907.Gjuha e përdorur aty ishte turqishtja por fati i madh e çonte vogëlushin çdo ditë në Teqenë e Zallit,tek daja i tij ( vëllai i nënës) i cili i mësonte në odën e madhe,gjuhën e bukur shqipe.Dhe tok me gjuhën e bukur tonën,Baba Selim ushqente në shpirtin e nipit të vet, dashurinë e madhe për Shqipërinë.Dihet tanimë se në vitet 1906-1909,Teqeja e Zallit në Gjirokastër ka qenë shëndrruar në çerdhe të madhe të shqiptarizmës.Shahin Kolonja e Sulejman Delvina,Cerçiz e Bajo Topulli,Mihail Grameno dhe Qemal Panariti,shkonin shpesh në dhomën e kësaj teqeje dhe në biseda me Baba Selimin ideonin kryengritjen e përgjithshme shqiptare për pavarsi kombëtare.

Pas mbarimit të shkollës fillore,djali  i thatë dhe imcak,Rexhepi,nisi studimet në shkollën e mesme “Ruzhdije”.Ngase mësonte shumë dhe retulltatet i kishte mjaft të mëdha,me porosi të Baba Selimit,Rexhepi regjistrohet njëherazi në Medresenë e qytetit ku nis të futet kështu në udhën e shenjtë të misticizmës islame.Në shtëpinë e vet në Gjirokastër,nxënësi i dalluar i shkollave “Ruzhdije” dhe “Medrese”,Rexhepi do të ulej me ore të tëra pranë librave duke harruar krejt lodrat e moshës.Për më tej,me këmbënguljen e tij,ai do të shkonte rregullisht në Teqenë e Zallit,duke marrë prej dajës së vet,mësime për gjuhën persishte dhe osmanisht.Bashkëjetesa dajë-nip,pat lënë mbresa të pashlyeshme tek Rexhepi i vogël,i cili më pas,për dajën e vet do të shkruante pos të tjerave ; “Me të qendruar në Post,Baba Selimi e përhapi shumë bektashizmën,i shtoi së tepërmi radhët e antarëve shpirtërorë,jo vetëm me shqiptarë por edhe me të huaj që ishin në Gjirokastër si nënpunës.Fama e tij u përhap aq tepër,sa një major turk,i cili komandonte një garnizon ushtarak në Maqedoni,kur dëgjoi meritat e Baba Selimit erdhi në Gjirokastër për të marrë dorë tek ai dhe u dorëzua myhib… Në kohën e okupacionit italian,kur nisi lufta për çlirimin e atdheut,Baba Selimi përkrahu nxehtësisht nacionalizmin shqiptar.Thirri gjithë fshatarët me radhë dhe i këshilloi të gjithë,të bënin luftën e çlirimit me ngjyrë shqiptare,duke u larguar nga ideologjitë e huaja”. (Baba Rexhepi “Misticizma Islame dhe Bektashizma” Botimi i Detroitit, Amerikë 1967, faqe 261 ).

Duke përfituar nga trazirat e brendshme të shtetit shqiptar,nën Princ Vidin,në qershorin e vitit 1914, grekët të përkrahur nga formacionet e tyre të andartëve ndërmuarën nismën për të krijuar aty qeverinë greke,kinse kishin të bënin me tokat e Vorio Epirit.E vërteta është se shteti shqiptar nën Princ Vidin ishte tejet i kufizuar nga ana gjeografike dhe ai e la jugun në dorë të një batalioni të armatposur keq të Ushtrisë sonë Kombëtare.Ky batalion asesi nuk mund të vepronte përgjatë vijës kufitare rreth 200 kilometra ndaj edhe grekët e zunë lehtësisht Gjirokastrën,me ç’rast donin të internonin Baba Selimin së toku me besnikët e tjerë të tij.Me ndërhyrjen e disa ortodoksëve të Gjirokastrës,kjo nuk ndodhi dhe Baba Selimi shkoi të banojë në Gjirokastër,në shtëpinë e motrës së vet,tek dervish Rexhepi.Anipse nuk ishin në teqe,dajë e nip e kthyen shtëpinë e gurtë në fole të shqiptarizmës,çetat e trimave shqiptarë,merrnin porosi e letra prej Baba Selimit,nëpërmjet nipit të vet,dervish Rexhepit i cili nën uniformën bektashiane merrte e përcillte mesazhet e lirisë sidomos në bashkëpunim të ngushtë,dervish Rexhepi pat me Cerçiz Topullin të cilin e çmonte për besën e burrit dhe trimërinë e rrallë.Pas vitit 1919,kur teqeja u çel sërisht,dervish Rexhepi ishte i pari që ngarendi atje.Duart e tij të vogla e të buta bënin gjithfarlloj punësh,që nga ndërtimi i mureve të shkatëruarra e deri tek mbjellja e luleve apo pemëve të shumta frutore.Pas një shërbimi të gjatë në Teqenë e Zallit në Gjirokastër,dhe pas kalimit të shakllës së parë të karierës së bektashizmës,biri i urtë dhe i mençur  Gjirokastrit merr titullin Dervish.Në ceremoninë e marrjes së titullit,në fillim të viteve 30-të,shkuan në Teqenë Zallit në Gjirokastër dhjetra dervish e baballarë,nga Tepelena, Kolonja,Gjirokastra e Delvina.Krejt atyre u pat rënë në sy,jo vetëm mençuria e dervish Rexhepit por sidomos aftësitë e tij mistike për të komunikuar me njerëzit e thjeshtë përmes shikimeve të syve.Një rrezellëm të mbrendshëm njerzorë dhe depërtues,ata sy e ruajtën deri në fund,deri atëherë kur u mbyllën për në paqën e amshuar.

Pas pushtimit fashist të vendit në prillin e vitit 1939,Teqeja e Zallit në Gjirokastër,do të shndrohej në vatër të vërtetë atdhedashurie.Nacionalistët shqiptarë,të prirur pas bektashizmës,si një besim me kahje të përhershme nga dashuria e shenjtë për atdheun,do të kalonin ditë e netë të tëra në këto prehëtore të shpirtit duke nxitur organizimin e çetave të armatosura kundër pushtuesit.Emra të njohur të nacionalizmit shqiptar si Babameto,Omari,Këlcyra,Xhaferi etj,do të bashkëpunonin ngushtë me dervish Rexhepin fjala e të cilit ish pothuaj e shenjtë për krejt gjirokastritët.Jo pa qëllim,dervish Rexhepi,ftonte gjatë kësaj periudhe në Teqenë e Zallit,edhe personalitete të arësimit e atdhetarisë së Kosovës,siç ishte Rexhep Krasniqi i cili pat kumtuar pikërisht në ate faqe,mësimin e vyer së historisë se “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë,por edhe pa Kosovë nuk mund të ketë  Shqipëri”. Në fillim të viteve 40,në mbarim të luftës italo-greke,atëherë kur qeveria dhe junta ushtarake greke,filloi genocidin e paparë ndaj Çamërisë,teqeja e Zallit dhe personalisht dervish Rexhepi,u bënë vatra e parë e këtyre shqiptarëve që linin me dhimbje viset e tyre dhe gjenin prehje në gjirin e shtetit amë.Në çdo rast,dervish Rexhepi  interesohej për fjetje e ushqime të këtyre familjeve dhe më pas i dërgonte nëpër shtëpitë e mëdha të nacionalistëve të Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit, Tepelenës e Vlorës.Shqipëria etnike,përpara se të vlente si aspiratë,ishte një veprimtari e gjërë dhe konkrete e udhërrëfenjësit dervish Rexhepi.

Në janar të vitit 1943,në Gjirokastër e rrethina,patën nisur të organizohen këshillat e nacionalçlirimtarëve,me ç’rast filluan të bëjnë edhe propagandë antinacionaliste.Kjo propagandë e kish fillin e saj,në mendjet e komunistëve jugosllavë,të cilët  janë parë nga komunistët e shtetit amë sikur të ishin idhuj.Për më tej,pas ngjarjes së dhimbshme të Mukjes,gjithshka nisi të flasë për vëllavrasje.E vërteta është se komunistët e Qarkut të Gjirokastrës,përmes Bedri Spahiut( i cili në atë kohë pat marrë teqenë e Zallit dhe ish emëruar myhib),i bënte thirrje dervish Rexhepit që të bashkëpunonte me ta por përgjigjja e udhërrëfenjësit ka qenë tepër lakonike ; “Unë bashkëpunoj vetëm me ata që e duan Shqipërinë.Unë nuk besoj se Dushanët e duan vendin tonë më shumë se Mit’hat Frashëri,Bahri Omari e Ismail Golemi”.Por do të vinte edhe një moment tjetër kur dervish Rexhepi do ta bashkonte fjalën e tij me veprën.Kjo ka qenë data e 30 gushtit 1943,atëhrë kur nacionalçlirimtarët e udhëhequr prej Sotir Meros dhe Shemsi Totozanit u derdhën mbi Libohovën martire,kinse aty e kishte çerdhen e vet Balli Kombëtar.”Të nisur me gurët e zjarrit në dorë,urejtjen dhe pabesinë në shpirt,ata u sulën në lagjen Marine,drejt shtëpisë së Rustemajt,shtëpisë së shenjtë të shqiptarizmës dhe u lanë oborrin e shtëpisë me gjakun e Qazim Rustemit,nipit të Avniut… i cili duke patur mbështetjen e dervish Rexhepit dhe nacionalistëve të tjerë të Prefekturës së Gjirokastrës, organizoi formacionin e parë nacionalist antifashist dhe antikomunist në Libohovë”.(Gazeta “Balli i Kombit” 31 gusht 1995 ).

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje,duke njohur shpirtin e butë dhe atdhetar të Qazim Rustemit,dervish Rexhepi bëri një lutje dhe një betim.Lutja ishte për shpirtin e të ndjerit Qazim,ndërsa betimi se nën rrobën e shenjtë të dervishit do të mbante kurdoherë armën për të luftuar komunistët shqiptaro-sllav. Tashmë ai vihet në krye të një çete nacionalistësh prej 30-40 burrash duke kryer disa luftime të sukseshme si kundër okupatorit fashist,ashtu edhe kundër forcave komuniste që donin të gënjenin popullin shqiptar,me parrullat e sheqerosura të vëllezërimit me sllavët.Në shumë prej këtyre luftimeve,sido që nacionalistët nuk e linin dervish Rexhepin në radhët e para,ata i habiste gjithmonë guximi i tij.Mandej në një prej luftimeve në rrethinat e fshatit Lazarat,në Gjirokastër ka luftuar në këmbë,përmes breshërisë së plumbave.Tashmë që dervish Rexhepi,pat dalë kundër pushtuesve dhe komunistëve duke mbledhur rreth vehtes ajkën e djalërisë gjirokastrite,ai u vështrua si armik permanent i nacionalçlirimtarëve.Sidoqoftë këta nacionalçlirimtarë,duke dashur të mos të konfrontohen me popullin e Gjirokastrës,Libohovës e Tepelenës (treva në të cilat personaliteti i dervish Rexhepit ishte i padiskutueshëm) menduan të vënë në përdorim taktikat e tyre dhelprake.Kështu,në një urdhër të Komandës së Qarkut të Parë Operativ Vlorë-Gjirokastër,thuhet pos të tjerave : “Është e nevojshme me u pa mundësia të eleminohet fizikisht dervish Rexhepi i teqes së Zallit sepse po bënë për vete popullin  e Gjirokastrës.Por këshillohet që vrasja të jetë e fshehtë dhe askush të mos deklarohet se e ka vrarë”.(Arkivi Qendror i Ushtrisë-Tiranë.Fondi Qarku Operativ Vlorë-Gjirokastër,urdhër dt.3 mars 1944 ).

Pa dashur të cek tiparet e vyera që kërkon të ringjallë bektashizmi ndër besimtarët e vet,them se besnikëria ka qenë dhe mbetet nder tiparet esenciale të frymëzuara.Ka qenë në skuadrën e nacionalçlirimtarëve të Gjirokastrës,një Myhib i cili me të marrë urdhërin për vrasjen  prapa shpine të dervish Rexhepit, e njofton ate në fshehtësi,dhe prej këtij momenti jeta e udhërrëfenjësit të bektashizmës,kalon në ilegalitet të plotë,përmes trazirash të mëdha,por edhe betejash të mëdha. Miqtë e tij më të mëdhenj,ishin besimtarët e teqeve në Lazarat,Nepravisht dhe Melan.Ata e pritën dhe e përcollën këtë dervish të urtë,gati shenjtor i cili ndonëse me trup të pakët,askurrë nuk e lëshoi pushkën nga dora.Për më tej,ai u lidh edhe me burra të tjerë të mëdhenj si Skender Muço,Mit’hat Frashëri,Ismail Golemi etj.Fjalëpak,i pjekur në arsyetime,ai do të ishte ndër të parët nacionalistë të Gjirokastrës i cili do të dënonte ballistin Nexho Bejleri i cili pat kryer disa krime në Libohovë.Në biseda me bashkëluftëtarët e vet dervish Rexhepi ka kumtuar kurdoherë se psuhka e një nacionalisti shkrep larg,kur ajo i drejtohet armiqve të Shqipërisë dhe jo shqiptarëve të pafajshëm të gënjyer nga ideologjia komuniste.Plot 8 muaj,dervish Rexhepi u end me pushkë në krah,në viset jugore të Shqipërisë,në krye të çetës nacionaliste të tij.Plot 8 muaj,jeta e tij kaloi përmes rreziqesh e brengash të mëdha.Por bashkëluftëtarët e tij,kujtojnë se drita e thellë brenda syve të tij,ajo dritë gati enigmatike,nuk u shua askurrë.Udhërrëfenjësi i shqiptarizmës,përpara çdo luftimi,gati si përshpërim, këndonte këngët e trimërisë,duke bekuar me radhë djemtë e labërisë që i vinin pas.Një ngjizje e çuditshme e atdheut dhe fesë ish farkëtuar në shpirtin e madh të tij.

Në dhjetorin e vitit 1944,atëhrë kur në Gjirokastër,nacionalçlirimtarët nisën të hedhin vallen e zisë së komunizmit,për të parën herë sytë e dervish Rexhepit u përlotën.Duke kapërcyer kufijtë e shtetit amë ai u ish drejtuar bashkëluftëtarëve të vet,duke i thënë se do të largohemi përkohësisht,të organizohemi për të luftuar deri në çastin e fundit,komunizmin.Duke kaluar për në tokat çame,sigurisht ndjen dhimbjen kur sheh teqetë e djegura por mban kurdoherë besim në frymën e shenjtë të lirisë që ka shpërndarë kudo në botë,Haxhi Bektashi,i pari udhërrëfenjës i bektashizmit. Ishte ende në kampet e refugjatëve në Greqi,kur i vjen lajmi se ishte shpallur në Tiranë si armik dhe qeveria komuniste e kërkonte tanimë si kriminel lufte.Ministri i Drejtësisë Manol Konomi,me cilësinë e tij si kryetar i komisionit Qendror për zbulimin e krimeve i dërgonte komisionit ndërkombëtar në Londër kërkesën për dorëzimin e dervish Rexhepit,me çrast mbi të “vendosnin” një mal me akuza.Ku pos të tjerave për këtë shenjtor thuhej ; “Dervish Rexhepi,organizator i parë i forcave të Ballit Kombëtar në Gjirokastër.Si fetar ka frymëzuar ndjenjat fetare të popullsisë së Gjirokastrës,sidomos në Libohovë,Rrezome,Kardhiq,Lazarat etj,për ti mobilizuar në radhët e Ballit Kombëtar e në bashkëpunim me italianët e gjermanë ka luftuar kundër ushtrisë nacionalçlirimtare”

( Gazeta “ Bashkimi “ më 6 mars 1945 ).Gjithashtu,në hetuesinë e tmershme që ishte bërë nacionalistit tjetër të madh Bahri Omarit,i është kërkuar llogari deri në një,mbi lidhjet e tij me dervish Rexhepin.Por ky burrë i Gjirokastrës,iu përgjegj hetuesve dhe gjykatësve ortodoks-komunist se dervish Rexhepi ish shenjtor dhe emri i tij nuk mund të ndyhej me akuza të tilla.Për më tej,në proces verbalin e gjyqit të Bahri Omarit,në kinema “Kosova” në Tiranë,në marsin e vitit 1945,lidhur me udhërrëfenjësin bektashi shkruhej tekstualisht ; “Qendra e Ballit Kombëtar ka qenë teqeja e Baba Selimit ku ishte shtabi i Bahri Omarit,ku ishte çerdhja e tradhëtisë.Atje dervish Rexhepi mblidhte popullin dhe Bahri Omari përhapte parrullat e tij”.(Gazeta”Bashkimi” 13 mars 1945”,seanca e dhjetë e gjyqit specila ndaj të pandehurit Bari Omari ).

Në vitet 1945-1952,dervish Rexhepi pasi  le Greqinë dhe Italinë,shkon për disa kohë në Siri e mandej në Egjypt.Tashmë ai do ti virej plotësisht studimeve fetare të misticizmës islame e pas gjuhëve të osmanishtes e persishtes të mësuar prej Baba Selimit,përvetsonte edhe ato italaine e arabe.I heshtur nga natyra,studioz ai do të përpiqej gjatë kësaj kohe të përvetsonte në thelb,filozofinë e bektashizmës duke studiuar sidomos rrugën fizike dhe shpirtërore të dishepujve të këtij besimi.Mbas disa kërkesave të herpashershme prej Egjyptit,emigron në Amerikë,toka e “premtimeve të mëdha” për mijëra shqiptarë.Aty do të pritet me dashuri të madhe prej dhjetra familjeve shqiptare të cilat patën emigruar vite më parë,Xhevat Kallajxhiu e Hysen Butka,Syrja Frashëri dhe Daver Agaj,Qani Prespa dhe Hivzi Husi,Haki Omari dhe Agim Karagjozi,do të ishin miqtë e parë që hapën dyert e zemrave dhe të shtëpive të tyre për shenjtorin e rrallë.Por dervish Rexhepi nuk donte të jetonte askurrë mes luksit.Duke parë se shqiptarët aty,ndodheshin të përçarë në parti e ide,i bindur në fuqinë e madhe të msitikës bekstashiane,në vitin 1953,ai ndërmerr nismën për të çelur në Detroit,shteti i Miçiganit,teqenë e parë shqiptare në krejt botën perëndimore.Vite më vonë,në kujtimet e veta për çeljen e teqesë do të shkruante pos të tjerave ; “ Kur erdha në Amerikë,unë dëshiroja të bisedoja me hirësinë e tij Fan Noli.I kërkova një audiencë.Në takimin që bëmë i thashë se dy miqtë tuaj,më këshillojnë që të hap një teqe këtu në Amerikë.Unë u thashë se nuk bëjë asnjë veprim pa pyetur hirësinë tuaj.Fan Noli ndenji-ndenji dhe më tha : Edhe unë,të isha si ju,ashtu do bëja… Në këtë moment,njëri nga ata,Jahçja,më thotë :”Baba, a behen bektashinj të krishterët”.Dëgjo këtu,i thashë zotit Jahçe,ne i duam që të gjithë,të krishterë dhe bektashinj,sepse në radhë të parë janë shqiptarë.Kur ka dashur interesi i kombit,të krishterët jo vetëm i kemi konsideruar vëllezër shqiptarë,por i kemi bërë edhe dervishë”.(Baba Rexhepi,”Atdhetar dhe Klerik i nderuar” gazeta “ Për mëmëdhenë” më 13 shtator 1995 ).

Kështu ka marrë udhë ndërtimi i teqesë në Detroit,të Miçiganit,me ndihmat bujare të mjaft shqiptarëve atje,është ble toka dhe filloi ndërtimi i teqesë.Baba Rexhepi ( tashmë këtë gradë e pat marrë në Egjypt) ngase kish njohuri të plota dhe kish vizituar qindra teqe,u rrinte mbi kokë ndërtuesve.Ajo çka të bind për aftësitë shpirtërore të tij,është fakti që për ndërtimin e teqesë në Detroit,kontribuan shqiptarë të gjdo feje e besimi.Madje vetë Fan Noli ka qenë ndër të parët.Me kohë kjo teqe u shëndrrua në një vatër kurdoherë të çelur të bektashizmës dhe shqiptarizmës,ndërsa Baba Rexhepi e vlersonte së tepërmi këtë bashkëjetesë të besimit shpirtërorë me dashurinë për atdheun.Madje jo vetëm shqiptarë por në këtë prehtore të shpirtit,gjenin ngushëllim me qindra amerikanë të cilët i tërhiqte personaliteti dhe njenjtëria e Baba Rexhepit.Një prej këtyre qytetarëve amerikanë,të mahnitur pas shpirtit të Baba Rexhepit,është sigurisht,studjuesja në Universitetin e Miçiganit,Francez Trix, e cila në librin e saj posaçërisht për historikun dhe zhvillimin e bektashizmës,shprehet ; “Baba Rexhepi, e them me plot gojën,është një shenjtor,përsa i përket anës shpirtërore,ndërsa përsa i përket erudicionit të tij,si edhe aftësive pedagogjike,është i niveleve maksimale të pedagogëve të Universiteeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.( Francez Trix, “Spiritual Discourse” faqe 18 ).

Pikërisht në vitin 1967,atëherë kur në shtetin amë në Shqipëri,komunistët e tiranës,urdhëruan prishjen e kishave,xhamive apo teqeve,Baba Rexhepi,ky shenjtor i madh,nxitoi të nxirrte në dritë veprën e tij voluminoze,të titulluar “Misticizma Islame dhe Bektashizma”.Ai nxitoi ta nxjerë në dritë këtë vepër,për tu kujtuar shqiptarëve se,së paku teqetë patën qenë dhe mbeten çerdhe të shqiptarizmës dhe duke u rrafshuar ato,komunistët donin të shkatërronin me dhunë këtë ndjenjë kaq madhore,për ta zavendësuar ate me kancerin komunist.Vepra në fjalë,është fundi i një punë studimore në disa decenie.Baba Rexhepi,ngase zotëronte gjuhët orientale,se pati të vështirë të përkthente pos mesazheve mistike e historike,edhe mijëra vargje të shkruara prej baballarëve apo dervishlerëve,në formën e nefezeve.Përkthimet e tij janë mjaft të lemuar dhe duket se brenda tyre rreth zemra e vet Baba Rexhepit.Ai vizaton me një dashuri të pashembullt figurat e ndritura të bektashizmës,të cilat predikuan veç tolerancë midis besimeve të tjera,duke respektuar së pari,dahsurinë për vendin që të ka rritur.Jo pa qëllim në faqen e parë të këtij libri,Baba Rexhepi ka vendosur një dedikim personal.Ky dedikim është plotësisht kombëtar ngase vetëm një shpirt i madh si ai i Baba Rexhepit mund të kumtonte ; “Klerikëve të të gjitha feve në Shqipëri,që u bënë fli për lirinë dhe pavarsinë e saj,si edhe klerikëve që u torturuan dhe humbën jetën nën terrorin komunist,sepse nuk pranuan të mohojnë idealet e tyre fetare e kombëtare,autori ua kushton këtë vepër me nderm të thellë “.Veprimtaria studiuese dhe krijuese e Baba Rexhepit është tepër e gjërë.Ajo përmbledh mijëra faqe studime,përkthime,traktate të besimit fetar apo kujtime që ende sot nuk po ndriçohen sa duhet,çdo fjalë e përkthyer prej tij,gjen vendin e vet,nën koloritet e gjuhës së pasur shqipe.Në teqe,mes bashkëkombasve të vet,ai donte të kuvendojë kurdoherë shqip dhe ligështohej kur ndonjë djalë apo vajzë e vogël mezi fliste gjuhën shqipe.Por edhe kur me sy të qortonte,ai dukej se të falte gjdo gabim.Mendoj se është me vend të mbyll këto shënime,me ate entuziazmëm të një natyre të dukshme,të baba Rexhepit,kur shihte se si po rrëzohej diktatura komuniste në Shqipëri.Ai ndiqte me vëmendje çdo lajm nga Shqipëria dhe nuk nguronte,megjithë moshën e thyer,të thërriste në teqe miq të vetë amerikanë,t’u spjegonte mbi ngjarjet në Shqipëri e t’u kallzonte se bashkëkombasit e vet e kanë urryer për jetë komunizmin.Ai përshëndeti ndër të parët,krijimin e partisë “Balli Kombëtar” në Tiranë pas 55 vjetësh dhe i uroi me telegram ; “Lus zotin për ju dhe ju bekoj për rrugën ku jeni nisur.Ju do të dini të shkoni në gjurmët e shkëlqyera të nacionalistëve shqiptarë !”.

Në korrikun e vitit 1995,Baba Rexhepi u sëmur rëndë.Shpirti i tij prej shenjtori e kuptoi se po ecte drejt pavdeksisë shpirtërore,ishte plot 94 vjeç.Ka telefonuar në kryegjyshatën bektashiane në Tiranë duke kërkuar nga kryegjyshi botërorë Haxhi Dede Reshat Bardhit që të dërgojë sa ma parë një dervish i cili mund ta zavendësonte,ndërsa miqëve të vet,që i shërbenin,një ditë gushti u ka thënë ; “Kur të vdes,nuk dua ceremoni mortore.Amanet,ate rasën e gurit që kam marrë nga Gjirokastra,të ma vendosni tek koka”.Bashkëkombasit e plotësuan amanetin e shenjtorit të madh.Ata vendosën rrasën egurit të Gjirokastrës tek koka,por nuk mundin ta mbanin dot valët e lumit njerzor që shpërthyen në homazh të këtij apostulli të bektashizmës.Klerikë,besimtarë,ortodoks,muhamedanë, katolikë e bektashinj,pa pyetur për telegramet e protokolle,nga krejt viset e Amerikës dhe Kanadasë shkuan ti jepnin lamtumirën e fundit apostullit të tyre.Shkuan edhe nga Shqiperia,Zvicra por edhe nga Gjirokastra e tij e dashur.Një popull i tërë përulej më 14 gusht 1995,përpara birit të vet shenjtor.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: ESSE Tagged With: BABA REXHEPI-NJË JETË E JETUAR, Eugen Shehu, PËR FE DHE ATDHE

Nuk jemi armiq të barrikadave, jemi mendimtarë të lirë

March 20, 2014 by dgreca

Përgjigje z. Kristo Zharkalliut/

Nga Gani MEHMETAJ/

U pa puna, jemi të kundërt në pikëpamjet politike, por kjo s’na pengon të bëhemi miq. Se nga e keni opinionin e gabuar për Rugovën nuk e di, me ngjanë sikur u ka mbetur diçka me ato pamfletet e majta diasporiste me drapen e çekan, megjithëse ju keni ikur nga drapri e çekani, duke rrezikuar jetën. Kishit rastin të lexonit në gazetat prestigjioze e të shikonit në televizionet perëndimore vlerësimet e dinjitetshme për Rugovën nga Klintoni, Toni Bler, Shroderi e Holbruku, nga analistë e gazetarë me emër kumbues, po ashtu nga shtetet aleate që na ndihmuan pa kursim. Mendimin e këtyre burrështetasve e shteteve që ata përfaqësonin unë e marr tejet meritor, sepse ishin ata që na shpëtuan nga shfarosja e jo përrallat tona për luftë e rezistencë, megjithëse e vlerësoj çdo viktimë e sakrificë që është bërë, sepse ishin njerëzit e kombit e të fisit tim ata që u vranë.

I bindur se jeni të keqinformuar, u përpoqa t’ua zhdavaritë pezhishkat e merimangës, por më nuk do ta bëjë një gabim të tillë. Ju vazhdoni më mendimin tuaj, unë me timin.  Asnjëherë s’ më ka shkuar ndër mend t’ua mbyll gojën. Në moshën tuaj dhe timen opinionet nuk ndryshojnë aq lehtë, bindjet e reja më vështirësi shtresohen në trurin tonë. Me sinqeritet jam përpjekur t’ua sjelle një pjesë të informacionit të munguar, sepse pata ndjesinë sikur largësia gjeografike ua ka mjegulluar pamjen. Largësia ka ndikuar që emrin im t’u duket krejt i pa njohur dhe i padëgjuar. Emri juaj nuk është i panjohur për mua. Shkrimet ua kam lexuar në gazetën Kritika, ku unë e kam të botuar një roman dhe disa tregime. Nuk e marr këtë mungesë informacioni si fyerje, megjithëse shkruaj në pesë gazeta shqiptare në Prishtinë, Tiranë e Diasporë dhe në po aq portale elektronike. Shkrimi është profesion imi kryesor që nga viti 1978.

Z. Zharkalliu, kot më veni prapa barrikadave të polemikave të këtyre ditëve. Unë me sharjet e akademikëve “kosovarë” e shqiptarë nuk merrem fare. Nuk kam asnjë anim tifozësh. Ata le të vazhdojnë të polemizojnë për gjëra triviale, ndërsa shqiptarët në tërë hapësirën e Gadishullit Ilirik kanë probleme më të mprehta. Shqiptarë janë në një udhëkryqin dramatikë me mëdyshjen hamletiane, të rrosh a të mos rrosh, ose: në Lindje a në Perëndim. Asnjëri prej akademikëve tanë nuk na thotë si te futemi në Bashkimin Evropian, si ta luftojmë krimin e organizuar e korrupsionin që është bërë sëmundje e turp kombëtar, askush nuk na thotë si të dalim nga shtjella e ndikimit fatal të orientit që mund të jetë mallkim edhe për brezat e ardhshëm. Disa prej këtyre akademikëve e fusin kokën në rërë si makushi, të tjerët flirtojnë me forcat e korruptuara e agjenci turkoshake, të tretët merren me mustaqet e Çelos, sikurse thonë toskët, apo edhe më keq Stambolli digjet e kurva krihet.

Jam  përpjekur t’ua jap një informacion jashtë zënkave akademike, sepse zënkat e akademikëve me duken brutale si zënkat e politikanëve shqiptarë në Tiranë e në Prishtinë, përplot fyerje e denigrime, sharje nga më të ulëtat.

Nuk e di cili është mos durimi juaj me gazetën “Diellin”, por se si me duket cilësimi juaj “veprim agjenturor’! Përgjigjen time e ka botuar së pari në portalin ‘Fjala e lire’, ku  e lexova shkrimin tuaj, ndërsa kudo tjetër kur është transmetuar është vënë në pah se shkrimi im është përgjigje e shkrimit të “Fjala e lire” e  Kristo Zharkalliut. Nuk njoh personalisht asnjëri as në gazetën Dielli as në portalin “Fjala e lire”.

Metaforat për mbesat e nipërit e Xhungashvillit, s’di pse i morët kaq për zemër, është çështja e mendësisë së tyre e jo gjeneve. Është mbesa e Xhungashvillit me mendësi ajo që ia ofron mikrofonin akademikut tuaj të preferuar të shajë e të fyej si ti vjen për mbarë, ndërsa nuk ua dha asnjëherë mikrofonin të tjerëve t’i përgjigjen.

“Si bëhet pra që kjo parti  atdhetare, mban në gjirin e saj tradhtarë të tillë? Kush mund të më bindë mua se këta “turkoshakë” nuk do të marrin nesër në duart e tyre udhëheqjen e partisë dhe, pse jo, pushtetin në Kosovë, duke e larguar nga trungu kombëtar, duke shojtur ëndrrën shekullore për bashkim kombëtar?” pyesni me të drejtë z. Zharkalliu. Këtë shqetësim e kam edhe unë, këtë pyetje e kam bërë disa herë publikisht. Megjithatë mendoj se është një pjesë e kryesisë së kësaj partie pra e Lidhjes Demokratike të Kosovës që e ka mbërthyer korrupsioni e flirti i rrezikshëm me biznesmenë të korruptuar të vendit e të rajonit. Por duke e ditur që rugovistët në terren e jo në kryesi nuk do të gabojnë të votojnë njerëzit e tillë të korruptuar e “turkoshak” (sepse ju e dini se Rugova e mbante vazhdimisht fotografinë me Papa Gjon Palin e Dytë)  ua thash me siguri se nuk do të kenë sukses. Ajo mendësi properëndimore është mbizotëruese në Kosovë, megjithëse e margjinalizuar e ngulfatur dhe e frikësuar.

Asnjëherë asnjë “turkoshak” i LDK-së (partisë së Rugovës sikurse e quani ju), nuk është përjargur kundër Gjergj Kastriotit apo heronjve të tjerë shqiptarë. Këtë guxim besoj nuk do ta kenë as në të ardhëm. Edhe këtu bëni gabime. Denigrime të papara ndaj Skënderbeut e të tjerëve kanë bërë aleatët qeveritarë. Ndërkaq, akademiku juaj u bënë elozhe këtyre zërave të çjerrë që shajnë heronjtë tonë kombëtar.

Rugovën do ta mbroj edhe më tutje, sepse në partinë që e themeloi ai isha ndër nismëtarët e parë. Politikën e djeshme e të sotme të Tiranës, nuk e kam votuar unë. Janë shtetasit shqiptarë që e votuan. Mbetja e Shqipërisë anëtare e shteteve islamike është fyerje dhe turp për shqiptarët. Por asnjëri ndër kryeministrat shqiptar nuk bëri asnjë përçapje ta shkëpus nga kjo aleancë. Përderisa në dy shtetet e krishtera: në Serbi shtetet islamike investuan  3.5 miliard dollarë, ndërsa 1.5 miliard në Kroaci, në Shqipëri e në Kosovë pos që ndërtuan qindra xhami përçarëse e qendra të regrutimit të xhihadistëve asnjë të mirë nuk na e sollën beduinët e shkretëtirës as qeveritarët e Anadollit.

Noli zë vend të rëndësishëm në historinë shqiptare, është ndër personalitete shqiptare që i çmoj shumë si në punën kolosale që bëri në pavarësimin e Kishës Ortodokse shqiptare, ashtu dhe në poezitë margaritarë origjinale e të përkthyera. Prapë ua them me mburrje se në shkollën fillore e të mesme i kemi mësuar  përmendesh. ‘Anës lumenjve, “Mbahu nëno mos ke frikë” etj.  Njoh shumë “kosovarë” (në parapëlqejmë të na thonë shqiptarë të Kosovës) që e duan Berishën, por njoh edhe të tjerë që e duan Ramën, madje edhe Nanon e Majkon. Simpatitë janë çështje private, pse t’u ndërhyjmë?

Në Panteonin Shqiptar ka vend edhe për Nolin, edhe për Zogun, po edhe për Ismajl Qemajlin e Luigj Gurakuqin, sikurse ka vend për Gjergj Fishëtn aq shumë të anatemuar nga serbët e nga Enver Hoxha. Pse duhet ta luftojmë njërin me tjetrin, mjaftë luftuan ata në mes veti për pushtet. Noli u ngritë me grushtet kundër Zogut, pastaj Zogu e dëboi Nolin. Historia po na përsëritet edhe tash çdo dhjetë vjet për faqe të zezë.

Për dorëshkrimet tuaja sinqerisht me vjen keq që nuk janë botuar. Janë botuar me qindra libra koti në Kosovë, në vend se të botoheshin romanet tuaja, për të cilat nga titulli besoj se do të zgjonin kureshtje të madhe. me një kontakt të duhur besoj të gjeni financues në Prishtinë.

Sërish u ftojë, do t’u ndihmonte shumë t’iu shikonit gjërat nga afër, por ftesën nuk ua bëjë që të zhgënjeheni, megjithëse gjendja është zhgënjyese.

Miku jua: Gani MEHMETAJ

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, jemi mendimtarë, Nuk jemi armiq të barrikadave, të lirë

ZEMRA E BARDHË, PËRBALLË GJAKMARRJES

March 20, 2014 by dgreca

Gjakmarrja, plagë e traditës, që shërohet atje ku lind, në        familje dhe,  me ndihmën e opinionit shoqëror, por sidomos me ligje te duhura shtetërore, që zbatohen rigorozisht/

Shkruan: Prof. Dr. Hektor Veshi/

Qysh kur u rishfaq, para mbi njëzetë vjetëve, kjo plagë gati e harruar në shkallë vendi, por sidomos ku ka vepruar e shfaqet më dëndur, edhe përpjekjet për ta  kundërshtuar kanë qënë të mëdha, të shumëllojshme, madje rezultative. Përmendim edhe nismën e fundit nga shoqëria civile, me ndihmat ekonomike  dërguar familjeve të ngujuara, posaçërisht  fëmijëve dhe arsimimin e tyre; kulmore ka qënë përfshirja në këtë veprim  e autoriteteve të larta, deri te ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep  Meidani e, kohët e fundit, edhe e  Ministres së Arsimit eSporteve, znj. Lindita Nikolla; publikimi me forcë i gjendjes, plagë e pashëruar, duke organizuar, së paku, dy emisione televizive, nga kanali i njohur kombëtar “Top Channel”,  me drejtimin e gazetares së afirmuar,  Rudina Xhunga. Aty u tërhoq e u dëgjua në to mendimi i specialistëve të policisë dhe i gazetarit rajonal, që e njeh nga afër gjendjen; në ato emisione u muar, gjithashtu, mendimi  i personaliteteve  kulturore e fetare nga Kosova, si dhe e një qytetari (pedagog). U permend shembull i lartë për faljen e tre gjaqeve- humbjes së tre vëllezërve të tij, thjesht e vetëm  në zbatim të vendimit mbarëshoqëror atje për faljen e të gjitha gjaqeve, të bartura nga e kaluara ose të krijuara në errësirën e luftës e të pushtimit serb, në përgjigje të mesazheve dhe veprimtarive të pandalura, që nisi e realizoi  me popullin, veprimtari i palodhur, i pavdekshmi prof. Anton  Çeta. Në ato emisione, u pa me dhimbje gjendja ekonomike e familjeve dhe u dëgjua me mallëngjim dëshira e tyre më e madhe, që të mos ketë më gjakmarrje e ata të shëtisin të lirë…Si një nga mundësitë për zgjidhje të shpejtë  e me frytshmëri të problemit,  u shpreh besimi se rinia, sidomos ajo studentore, ka mundësi e synim, që të japë ndihmesë vendimtare për shuarjen e plagës ende të hapur, në gjirin e popullit. E pamë se studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës shprehën  gadishmëri për të ndihmuar, krahas gjithë të tjerëve, persona e shoqata, që kanë punuar e vaxzhdojnë pa u lodhur, si   komisionet e pajtimit të gjaqeve  në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Kurbin etj.

Natyrshëm, lindë pyetje: Po në Shqipëri, përse nuk është arritur ende rezultati i njohur dhe i admirueshëm i Kosovës, që është shembull për t’u ndjekur nga ne, në Shqipëri?

Renditen shumë faktorë, të cilët nuk mund t’i analizojmë në temën kushtuar   7-Marsit 2014, Ditës Kombëtare të Mësuesit, në Tiranë. Megjithatë, gjykojmë se na takon ta ngremë fuqishmë zërin,  duke goditur me të gjitha mundësitë faktorët kryesorë, që e ushqejnë këtë  plagë jetëmarrëse të burrave, në lule të moshës (por edhe të grave e djelmoshave shkollarë?!) Ta bëjmë këtë në solidaritet me  mësuese  Lilianën, mësuesen-pishtar  vullnetare të fëmijëve në vatrat e izoluara të Malësisë së  Madhe e të Shkodrës, që nuk e harron dot vrasjen e nxënësit të saj, vëtëm 12-vjeçar, mu përpara derës së shkollës?! E, sa e sa ngjarjeve të tjera tragjike të hidhura ka, që nuk përshkruhen dot!

Dy faktorë, si kryesorë, po të rendisim këtu, që  janë:

I pari, tradita e pathyer ose, më mire, e pashlyer nga kujtesa e secilit, e kultivuar rreth vatrës e hak-gjakmarrjes, e cila vë në sedër, fshehtas, si një e keqe e pashmangshme çdo burrë e familje, që rastësisht bie pre e kësaj tradite,  vrasjes së njeriut edhe për një ngacmim ose ngjarje fare të parëndësishme. E përse, përse, përse?… -Se ashtu e gjykoj unë e nuk pyes askënd! As për pasojën ndaj vetes e familjes, për armiqësimin me  familjen tjetër dhe, sidomos, plotësisht në kundërshtim me ligjin e shtetit, për të drejtat dhe mbrojtjen e jetës së personit në Shqipëri.

I dyti, mbetet e mbartet, si nëpërkë e  nënëgurëve, nxitja e kësaj mendësie e tradite, sidomos nga disa të moshuar. Ata gjejnë mënyra  për ta lëshuar helmin e tyre, sidomos në grupime  familjare e tubime më të mëdha, si festa e takime rajonale. Jo pak ndikojnë edhe disa të rinj, të ashtuquajtur “të fortët e mëhallës”, që lehtë bëhen drogmenë, trafikantë femrash, grabitës pasurish etj.

Përballë kësaj situate nuk duhet vepruar “nga lart”, me leksione e mbledhje të mëdha. Madje, pak rezultat jep edhe ashpërsimi i ligjeve për ndëshkime. Fjala është për shuarjen e gjakmarrjes si mendësi! (Më 25 Shkurt 2014, u tha në një lajm se, në rrethin e Krujës, janë pajtuar rreth dyqind  familje në gjak. Por lajmi u dha për të treguar se ishin cënuar dy familje në  Nikël, ku ende  këto ditë katër familje jetojnë në izolim dhe fëmijët nuk mund ta ndjekin shkollën…) Pra, gjarpëri i nëngurit, nëpërka, siç e karakterizon populli veprimin e fshehtë rrezikues të jetës, vazhdon të veprojë!

Shënojmë se, kur familjet hyjnë ose fatalisht ndodhen  në qerthullin e kësaj të keqeje të madhe, edhe pse të dyja ato duan të dalin sa më shpejt e me pak pasoja mbi jetën e familjeve të veta, nuk e gjejnë dot rrugën- faljen dhe  shpëtimin nga e keqja, që iu zë frymën gjithë  degëzimeve të gjakut, sidomos nga krahu i babait, burrit të shtëpisë. E ka trajtuar këtë temë, qysh në rininë e vet edhe pinjolli i familjes së të mëdhenjve të familjes Frashëri, Mit’hati, në një tregim letrar. Sipas tij, gjakësi,  i ikuri për shumë kohë larg vendit, familjes e fshatit, një ditë kthehet, i përvëluar nga malli, i lodhur, i trembur, por edhe i gatshëm të përdorë pushkën,  në se i del përpara dikush nga hasmi. Etja për ujë e çon  drejt burimit të tij- burimit të jetës, do të theksonim ne! Ndërsa, për habi të tij, i del përpara atje, pikërisht njeri nga familja  “në gjak”. Mbeten ballë për ballë, për pak minuta, të dy armëngrehur. Por asnjeri nuk e tërheq këmbëzën e armes së vet!! … Pranë ujit jetëdhënës të njeriut e çdo gjallese mbi tokë, djemtë ulen e bisedojnë, duke i treguar njeri-tjetrit, se çfarë i kishte penguar ta gjenin fjalën, si atëherë, kur  iu kishte lindur konflikti, por edhe më  pas, për një kohë të gjatë, sa djali kurbetli e kishte quajtur të mjaftueshme kohën për ta kapërcyer të keqen, midis familjeve të tyre… Por koha kishte pritur atë çast, atë mendësi, dashuri e mall për bashkëfshatarin e vendin dhe… për pajtimin  e shumëpritur ndërmjet familjeve!     Po, si do të veprohej në  Shqipëri, në kushtet e sotme, me popullsi të rralluar në territoret malore, ku vepron më fuqishëm kjo traditë  e helmët e së kaluarës?

Gjykojmë se kryesorja e më frytdhënësja formë pune mbetet ajo për ndryshimin e mendësisë së familjeve, ku me biseda rastësore lind ose krijohet problem, si mendësi e të rriturve, fillimisht, që në mënyrë të pakujdesshme(edhe për  atë gjënë e  vogël ) iu transmetohen fëmijëve  me fjalë, inate, hakërrime, betime e përbetime, se do veproj ashtu e kështu; se ai tjetri, edhe për një gjë të vogël, e ka hak plumbin, etj etj. Shmangia e këtyre qëndrimeve do të shërbente si profilaksi, që do të parandalonte ngjarje të kobshme më pas, atëherë kur  i riu burrërohet në trup, por jo në pjekuri për gjykime   të matura.  Është e kuptueshme se sa mire do të ishte edukimi, madje si riedukim, i disa prindërve, pasi do të pasohej me shmangien e nxitimit, gjykimin vetëm sipas traditës së keqe, duke i hapur rrugë  gjykimeve e veprimeve gjakftohta, të mirëpeshuara, në fund të fundit, shpëtuese nga sakrifikimi edhe i njerëzve të pafajshëm, gjë që  në fakt i hap rrugë  zgjerimit te persona të tjerë dhe zgjatjes  kohore të hakmarrjes, si gjakmarrje!

Atëherë, kush mund ta ndalë  ortekun  fillestar të zemërimit nga dhimbja, “turpi” sipas traditës e, siç thotë populli, t’i shtrojë  të lënduarit për të gjykuar e arsyetuar, me sa më shumë mature, për të gjetur se kush mund të jetë fajtori,  në çfarë rrethanash ndodhi, madje edhe  si mund të ngadalësohet ose  ndalet  veprimi i rrëmbyer (kundërveprimi) kërcënues dhe me pasoja të rënda?

E realizon këtë gjë vetëm fjala- melhem e njeriut autoritar e të mënçur të fisit, e mikut të dashur e të mençur, që menjëherë i ndodhet pranë familjes së goditur; e atij, që ndihmon të bëhen bashkë edhe përfaqësuesi i pushtetit, plaku i zakonit, madje edhe vajtojca e mençur dhe i riu ose e reja, me horizont e mirësi të shfaqur, që mund të ndodhen afër etj. Pas dallgës së parë të dhimbjes, ka vend t’i jepet ndihmë familjes edhe nga larg, duke i shkuar në shtëpi miqtë, por edhe persona me ndjenja  të thella njerëzore e kulturë, që mundet t’ju flasin në telefon, t’ju shkruajnë, të venë në lëvizje  specialistë  të njohur për zgjidhje konfliktesh etj.  Të gjithë së bashku,  me synimin që e keqja të kufizohet, sa më shpejt e pa dëm tjetër.

Afërsisht, kjo ka qënë linja e trajtimit të problemit edhe nga kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë,  gjatë periudhës sa është shfaqur plaga e gjakmarrjes.

Po e përvijojmë fare shkurtimisht këtë çështje, pasi me dokumente tregohet në një permbledhje publicistike-letrare, që është përgatitur dhe mendohet të publikohet për të ndihmuar çdo njeri të forcojë bindjet për pasojat dhe përpjekjet për ta zhdukur, si mendësi gjakmarrjen e hakmarrjen.

Dihet se, fillimisht, iu bë thirrje popullit përmes shtypit që  ta ndalte gjakmarrjen, duke e quajtur atë kuçedër, që duhej lënë  të vdiste, d.m.th të mos rrëmbente më jetë njerëzish, siç pat filluar. Më tej, kur në raste të tilla zbulimi i të vërtetave  vonohej edhe nga paaftësia e shtetit dhe në qendrat e banuara krijohej situatë e frikshme te kushdo dhe dyshuese për këdo, u shkrua tregimi me titull “E përbindëshme”,  si kritikë e thirrje për organet shtetërore. Ai u publikua në një libër letrar dhe kaloi pa u vënë re, siç vlerësohen sot te ne librat  letrare  edhe kur përmbajnë vlera të veçanta.

Por një letër  ngushëllimi  e një qytetari nga larg, që iu dërgua një familjeje të përgjakur,me porosi që të uleshin gjakrat në gjykim për të mos i hapur rrugë gjakmarrjes, ( natyrisht mendim i pranuar edhe nga njerëz të tjerë me ndikim atje) rezultoi shumë dobiprurës,  u shpëtua një njeri i afërt i asaj familjeje, mbi të cilin binin të gjitha dyshimet. Kur pikëllimi fillestar i familjes, për humbjen e njeriut të vet kishte kaluar dhe e vërteta po zbulohej, dikush e falënderoi autorin e letrës për ndihmën e çmuar. Artistikisht ose me gjuhën letrare, kjo ngjarje u shtjellua në tregimin me titull “Letra nga larg dhe pushka për gjakmarrje”, nga i cili mund të tërhiqen përfundime të vyera për çdo lexues.

Së fundi, në tregimin me titull “Mençuri gjysmake”, marrë nga jeta e shkollës,  nënvizohet kriza e mendimit dhe qendrimi indiferent ndaj kësaj plage të rëndë  dhe kritikohet shabllonizmi në vlerësimin a-priori të një shprehjeje objektivisht dëshpëruese,  si “sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët”, si koncept i krijuar në situatë dëshpërimi ose gjykimi  të cekët, pasi  njeriu në çdo rrethanë mbetet krijesa vlerashumë dhe i pakrahasuar me asnjë qënie tjetër, që merr frymë mbi tokë.

Me këtë parashtrim të shkurtër, sot para jush, mësues të nderuar dhe edukatorë të çmuar të brezave të rinj në Tiranë e gjetkë, duam të theksojmë edhe një herë nevojën  e ruajtjes dhe ngritjes sa më lart, deri në frymën e fundit, të rolit përçues edukativ te brezat më të rinj dhe nipërit e mbesat, të ndjenjave më të thella të dashurisë e respektit për të tjerët. Pasi edhe sikur një jetë të shpëtohet, fitorja është e madhe; kurse po të ndalohet gjakmarrja në familje, në fshat, krahinë e më gjerë në tërë vendin, mirënjohja ndaj kujdo  bëhet e pakufishme.

Tiranë, mars 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Hektor Veshi, PËRBALË GJAKMARRJES, ZEMRA E BARDHË

Buzuku dhe libri i parë shqip

March 20, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Me 20 mars 1554 – Gjon Buzuku fillon të shkruajë librin “Meshari”, siç thotë vetë në pasthënie, dhe e përfundoi më 5 janar 1555. Në këtë vit duket se ka përfunduar edhe shtypja e librit. Buzuku ishte prift katolik, famullitar i thjeshtë. Nga libri i Buzukut ka shpëtuar vetëm një kopje, edhe ajo e gjymtë. I mungojnë faqet e para dhe për këtë arsye nuk e dimë vendin ku u shtyp libri dhe cili autoritet kishtar e dha lejen e botimit (imprimatur – “le të shtypet”) sipas rregullave të kishës katolike. Ajo që na kumton Buzuku te pasthënia e shkurtër në fletën e fundit të librit (mrekullisht ka shpëtuar kjo fletë), është se kisha ku shërbente dhe shtypshkronja nuk kanë qenë larg dhe kështu ai vente e vinte për të ndihmuar tipografët që shtypnin librin, sepse ata kishin shumë vështirësi të radhisnin tekstin e shqip të Buzukut. Merret vesh se tipografët kanë qenë të huaj, italianë, nuk e dinin shqipen. Janë shprehur hipoteza të ndryshme për vendin e shërbim të Buzukut.  Më e besueshmja duket ajo që e bën Gjon Buzukun famullitar të ndonjë bashkësie Shqiptarësh të shpërngulur diku në ndonjë territor të Republikës së Venedikut pas rënies së Shkodrës në duart e Osmanëve (1479).

Specialistët kanë përcaktuar se tipi i shkronjave dhe lloji i letrës janë po ata që përdoreshin në shtypshkronjat e Venedikut në mesin e shek. XVI. “Meshari” përmban lutjet dhe pjesët nga Shkrimi i Shenjtë që thuhen gjatë meshës në kishë. Lënda e librit është kryesisht përkthim nga latinishtja a italishtja. Libri u botua në një periudhë të ndeshjes së Reformës dhe Kundërreformës. Reforma ishte një lëvizje fetare që u zhvillua në shek. XVI e cila shkëputi nga bindja ndaj Papës një pjesë të Europës Perëndimore dhe solli lindjen e kishës protestante dhe futjen e gjuhëve të gjalla popullore në shërbesat fetare (gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj.). Me emrin kundërreformë kuptohet tërësia e masave që ndërmori vetë Kisha Katolike në shek. XVI-XVII për t’iu kundërvënë reformës protestante dhe për të ruajtur autoritetin e saj duke përmirësuar gjendjen e kishës.

Sipas studiuesit dhe gjuhëtarit të njohur, Emil Lafe, “Meshari” i Buzukut është vështruar si fryt i Kundërreformës, si një lëshim që qe e detyruar të bënte Selia e Shenjtë, duke lejuar shërbesat fetare në gjuhën e gjallë të popullit dhe rrjedhimisht përkthimin e “Mesharit”… një ndërmarrje e tillë nuk mund të bëhej pa mbështetjen edhe  financiare të eprorëve të kishës dhe pa lejen e tyre për ta botuar. Këtë mbështetje dhe leje e patën më vonë Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, po për Buzukun nuk mund të thuhet gjë, nga shkaku i mungesës së ballinës dhe të fletëve të parathënies së librit”.

Teksti i “Mesharit” është shumë i vlefshëm nga pikëpamja e historisë së gjuhës shqipe. Ajo dëshmon se gjuha shqipe në shek. XVI ka qenë më e njësishme sesa sot, d.m.th. dallimet ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kanë qenë shumë më të pakta. Duke u mbështetur në elementet gjuhësore të “Mesharit” studiuesit anojnë nga teza se Gjon Buzuku do të ketë qenë nga me origjinë nga krahina e Krajës, Ljarjes dhe Shestanit (sot në Malin e Zi). Fjalori mjaft i pasur dhe mënyra deri diku e saktë e drejtshkrimit dhe gramatikës në gjuhën e “Mesharit”, i kanë bërë studiuesit të mendojnë se tradita e shqipes së shkruar është shumë më e hershme.

Profesor Emil Lafe, redaktor i përgjithshëm i “Fjalorit enciklopedik shqiptar” (FESH, 3 Vëllime, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, 2008-2009), shkruan: “Ka një radhë shenjash e rrethanash që të shtyjnë të supozosh se Buzuku, kur u ul në tryezën e punës më 20 mars 1554, nuk e filloi duke shpikur ai vetë alfabetin që do të përdorte e duke stërvitur dorën për të shkruar shqip, po duke vënë në zbatim ato shprehi që tashmë i kishte fituar nga mjedisi e i kishte zhvilluar vetë. Tregues gjuhësorë dhe historiko-kulturorë flasin në të mirë të kësaj hipoteze. Kështu, E. Çabej, studiuesi më i thelluar i Buzukut, shprehet se: “kush ka lexuar këtë tekst disa herë me radhë, besojmë se do të ketë përshtypjen që gjuha e përdorur në të nuk është një arë fare e papunuar më parë.”Ai bashkohet me tezën e arbëreshit Gaetano Petrotta se në Shqipëri do të ketë pasur para sh. XVI një traditë ortografike dhe mbase edhe një gjuhë të përbashkët, së paku në shkrimet e përdorimit praktik. Edhe duke e shikuar këtë çështje nga ana e historisë së vendit, me një vështrim të gjithanshëm të gjendjes kulturore në Shqipërinë mesjetare, – shton Çabej, – teza e Petrottës do të dilte më fort e përforcuar sesa e kundërshtuar, sepse shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut.”

Ndërsa gjuhëtari Selman Riza (1909–1988) e quan të papërligjshëm, madje kombëtarisht të papranueshëm, ngulmimin e disa studiuesve për ta çuar traditën letrare të shqipes dy-tre shekuj para Buzukut, duke mos pasur mbështetje të sigurt për këtë. Sipas tij: “të gjitha rrethanat historike e kulturore flasin se para Buzukut nuk ka ekzistuar ndonjë shkrim madhor në gjuhën shqipe. Madhëria morale e Gjon Buzukut qëndron pikërisht këtu që “en së dashunit së botësë sanë” Gjon Buzuku u bë ideator dhe realizator i një vepre, me të cilën ai neve shqiptarëve përgjithmonë e jetës na zbardhi faqen në lëmin deri atëherë të palavruam të kulturës së fjalës së shkruame (sikundërqë afro një shekull më herët Gjergj Kastrioti ne shqiptarët na pat mbuluar me lavdi në fushën jo të panjohur të luftërave vetëmbrojtëse ngadhënjimtare)”. Selman Riza “Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2002.

Dhe pyetja shtrohet: A a ka pasur ndonjë libër shqip para “Mesharit” të Buzukut? Profesor Lafe dyshon: “Shpresa që na u zgjua se do të shihnim së afërmi të botuar një dorëshkrim shqip të vëllimshëm të vitit 1210 (hartuar nga njëfarë Teodor Shkodrani), që e kishte gjetur në arkivat e Vatikanit gjurmuesi kosovar Musa Ahmeti, tashmë është shuar edhe te më besëplotët. Në ato dy radhë që janë bërë të njohura prej këtij dorëshkrimi, nuk ndihet asnjë amëz stërlashtësie gjuhësore. Me sa duket Gjon Buzuku do të ruajë vendin e tij prijatar dhe autoritetin e patriarkut në shkrimin shqip dhe në letërsinë shqipe. Prandaj 20 Marsi 1554 mbetet një Ditë e Madhe për shkrimin shqip dhe për kulturën shqiptare”. (DITA E MADHE E 20 MARSIT, Emil Lafe, 2004).

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi, Buzuku, Emil Lafe, Libri i pare shqip

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4757
  • 4758
  • 4759
  • 4760
  • 4761
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT