• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAGJIA SHQIPTARE SHFAQET MREKULLISHT NË SALLËN E KATEDRALES SË BERNËS

March 3, 2014 by dgreca

– Ky event u organizua nën kujdesin e çiftit Dhimojani – Blättler /

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

  E djela e fundit e shkurtit pati një ngjarje speciale për jetën kulturore të Bernës, kryeqytetit helvetik që përshkohet nga Lumi Aare, kalërohet nga urat e shumta aq të bukura nën pamjen hijerëndë të Alpeve. Katër instrumentistë të shquar shqiptarë dhanë koncert në Katedralen e Bernës, që është zemra e qytetit dhe njëri nga simbolet e tij. Münsteri i Bernës mban në trupin e vet një histori datuar prej fillimit të shekullit XV. Me stilin e përkryer gotik ashtu si simotrat në Këln, Strasbourg, Freiburg  etj.– shfaqet si „ogur i madhështisë dhe delikatesës“ njëkohshëm, nëse do të perifrazonim një varg të Viktor Hygosë, në vend të pohimit se në Katedralen e Bernës më tepër se me vendin e kultit dhe mistikës, ndihemi të përballur me shprehjen e talentit njerëzor, ku arti është përcjellës i civilizimin Perëndimor.

Katedralja e Bernës, më e larta në gjithë Zvicrën, kryevepër e dorës dhe mendjes së njeriut, që të rrok me vete sapo e sheh, ishte vendi ku në mbrëmjen e të djelës së fundit të shkurtit dhanë shfaqjen e tyre tyre artistët Dhurata Lazo, Zija Bushi Bejleri, Klaidi Sahatçi dhe Gjergj Bejko; tre vinin nga Gjermania, ndërsa Klaidi është me qëndrim në Zvicër.

Zvicra ka lidhje shumë të forta me shqiptarët. Të gjithë kokat e Rilindjes kanë kaluar një pjesë të jetës në Zvicër. Faik Konica, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Anton Zako Çajupi, Dora d’Istria… Hasan Prishtina e ëndërronte Shqipërinë një Republikë malore si Zvicra. Për të mos folur pastaj për komunitetin aktual të shqiptarëve që i kalon ndofta gjysmë milioni. Shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Luginës të Preshevës, Shqipërisë.

Komuniteti i shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria është më i vogli në numur, rreth 1500 syresh, por jo më pak i rëndësishëm nga kontributet. Siç është rasti i Zhaklina Dhimojani Blättler e cila, me bashkëshortin e saj, ishin autorët e këtij organizimi të mrekullushëm, për të ftuar e mirëpritur katër instrumentistë brilantë shqiptarë.

Nuk është aspak lehtë, por çifti Blättler ia doli me sukses që t’i sjellë artistët shqiptarë të performojnë në Katedralen berneze, për të shpalosur talentin e tyre nën magjinë gotike të zbukuruar edhe më, ca nga shumëngjyrësia e mozaikëve ca nga prania e bukur e publikut zviceran dhe shqiptar.

Zvicra ka krijuar traditë në mikpritjen e elitës të artistëve shqiptarë, të cilët suksesin e tyre e kanë arritur në skenat e Europës dhe botës. Zvicra i mirëpret Artistët shqiptarë, të cilët ia imponojnë respektin publikut zviceran. Dy prej tyre si Tedi Papavrami dhe Klaidi Sahatçi punojnë e jetojnë këtu. Papavrami njihet edhe si përkthyesi zyrtar i veprave të Ismail Kadaresë.

Ndërsa Klaidi Sahatçi ishte pjesë e katërshes së ftuar në Bernë, bashkë me Dhurata Lazon, Zija Bushi Bejlerin dhe Gjergji Bejkon.

Klaidi Sahatçi, pasi mbaron Liceun e Tiranës vazhdon studimet për violinë në Konservatorin Xhuzeve Verdi Milano, për t’i vijuar pranë’Akademisë “W. Stauffer” në Kremona dhe Lion të Francës. Pasi fiton një vend në Orkestrën Sinfonike të Radio Televizionit Italian, fillon të zhvillojë një jetë shumë të pasur koncertore në teatrot më të mira të Europës. Ka qenë violinë e parë në Teatrin La Skala të Milanos dhe aktualisht është violinë e parë në orkestrën e Zyrihut në Tonhalle me një violin të Antonio Stradivarius, të njohur me emrin “Wieniawsky, Bower“ e krijuar në vitin 1719 që atij ia ka ofruar Mercedes-Benz i qytetit të Zyrihut. Klaidi paralelisht jep mësim në Konservatorin e Zvicerës italiane. Ai ka bërë shumë regjistrime, ku midis tyre bashkë me pianisten Dhurata Lazo, ata regjistruan CD titulluar Albanian Memories, e cila u promovua së fundmi edhe në Tiranë.

Dhurata Lazo ka nisur të interpretojë në piano në moshën 6 vjeçare fillimisht në qytetin e saj të lindjes, të cilin do ta linte për të ndjekur Liceun Jordan Misja dhe Konservatorin. Në qytetin e gurtë ku ka lindur një diktator dhe një shkrimtar gjenial do të kthehej më pastaj vetëm si vizitore, sepse jeta do t’I merrte rrjedhë të tillë. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës, e mahnitur me pjesët Zadejës, Harapit etj, ajo bashkë me bashkëshortin e saj do të emigronin në Itali. Atje i dedikohet vazhdimit të studimeve në fillim në Konservatorin Xhuzepe Verdi, pastaj në Shkollën e Muzikës për Studime të Avancuara duke ndjekur mësimet e Maestros polak Mika Marian, në Qendrën e Padovës  “Karol Szymanowski”, nga ku jo vetëm u dashurua me Chopenin, por edhe u bë një nga interpretueset e tij më të shkëlqyeraduke vijuar jetën koncertore me bashkëshortin në Europë dhe Shqipëri.

Zija Bushi Bejleri është saksofonisti i talentuar nga të paktit në Shqipëri, të këtij instrumeti të muzikës black, pop e rock si dhe përbërës i muzikës xhaz, baba i të cilës është i famshmi Luis Armstrong. Megjithëse muzika xhaz ishte pothuaj e mallkuar dhe ndaluar në Shqipëri, pasi mbaron Akademinë e Arteve, Zija Bushi Bejleri nis punën si saksofonisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërkohë që me përmbysjen e diktaturës bashkë me familjen e tij persekutuar nga regjimi komunist dhe vajzën e tij të zemrës Dhurata Lazon, atë kohë studente pianoje, do emigrojnë në Itali, duke nisur gjithçka nga e para. Nuk është e lehtë. Kush nuk e beson le ta provojë po të dojë. Zija Bushi Bejleri ia doli, me shumë punë, me shumë sakrifica dhe mund si dhe në saj padyshim edhe të talentit. Pasi vijon studimet në Milano dhe Trieste e pastaj për Xhaz-Muzik në Shkollën e Muzikës në Manhatten, SHBA, ai vazhdoi karierën e tij në Itali, si orkestrant dhe mësimdhënës, duke e zgjeruar pastaj më tutje aktivitetin me jetën koncertale në Itali, Gjermani, Luksemburg, Francë shpesh herë edhe në koncerte duo me Dhuratën, ajo në piano dhe ai në saksofon. Diçka vërtetë magjike.

I katërti në grupin e artistëve që performuan në Katedralen e Bernës ishte fëmija 12 vjeçar Gjergji Bejko. Nuk dija asgjë për këtë fëmijë, por kur u ndodhëm përballë interpretimit të tij, na magjepsi menjëherë. Gjergji interpretonte pa parte dhe të gjithë të pranishmit mund të konstatonin spontanitetin e tij sikur pianoja të ishte një lodër për duart e tij prej fëmije. Pastaj lexova se Gjergji kishte marrë disa çmime në Gjermani ku jeton me familjen si l’enfat prodige, fëmijë mrekulli. Por mua, sapo e dëgjova, m’u kujtua ajo historia që tregohet për Moxartin fëmijë, i cili interpretonte në mënyrë aq virtuoze sa krijoi dyshimin se ishte një burrë xhuxh dhe jo fëmijë. E, për ta provuar në ishte fëmijë a jo, ndërsa interpretonte, sollën në skenë një mace dhe Mozarti i vogël e la pianon dhe iu sul maces. Për Gjergjin foli në superlativa edhe Dhurata Lazo, e cila e konsideroi si simbol të muzikantit të ardhshëm. Edhe unë ashtu mendoj. Nuk ka dyshimin më të vogël që Gjergji Bejko do të jetë një Arthur Rubinstein apo Rachmaninov i ardhshëm, por me identitet shqiptar.

Në koncert u interpretua mjeshtërisht muzikë botërore dhe shqiptare. Krahas  tingujve të Mozartit, Beethoven-it, Schubert-it, Donizetit, Bellinit  spektatori në sallë ndoqi me interes të veçantë edhe pjesë nga Aleksandër Peçi dhe Eriona Rushiti. Është diçka e rrallë të jesh një kompozitore grua siç është Eriona, pedagoge dhe njëkohësish krijuese e muzikës, që lind prej bashkimit fantazist të notave. Veprat e Peçit dhe Rushitit qendruan me dinjitet përballë mjeshtrave botërorë, edhe sepse u interpretuan nga instrumentistë virtuozë, të cilët kanë arritur të integrohen në jetën koncertale në Europë falë dimensione të tilla, ndaj të cilave Evropa mban frymën, duartroket dhe u ngre kapelën me respekt.

Ashtu si i duartrokiti edhe në katedralen e Bernës, në një koncert elitar, i cili u bë i mundur falë dashurisë dhe mirësisë së Zhaklina Dhimojanit dhe bashkëshortit të saj zviceran, të cilët sponsorizuan pothuaj gjithçka. Çifti Dhimojani- Blättler ishin ata që i kontribuan një eventi të tillë,për t’iu treguar zviceranëve se shqiptarët janë një komb i talentuar, që lind nga gjiri i tij artistë të kualiteteve të tilla. Zhaklina më tha se për të krijuar edukatën e brezit të ri si dhe për të krijuar imazhin e mirë, nevojiten pika referimi të vërteta. Dhe artistët e vërtetë janë pika referimi. Si edhe në rastin konkret.

Sa i përket publikut shqiptaro-zviceran që mori pjesë në koncert,ai padyshim u ndje i privilegjuar duke u gjendur përballë artistëve të dimensioneve të tilla.Në koncert mori pjesë edhe Ilir Gjoni,ambasadori i sapoardhur i Republikës të Shqipërisë në Bernë. Duke patur parasysh komunitetin e shqiptarëve që jeton në Zvicër do të duhet vazhdimisht që artdashësave shqiptarë t’u krijohen mundësi të tilla.Duhet të tejkalohet edhe ideja e rinisë të shqiptarëve në Zvicrës, në gjeneratën e Secondosave,të cilët besojnë se rruga e vetme e suksesit të tyre është futbolli. Ata kanë si pika referimi Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Baramin etj, por në fakt rinia shqiptare sot në Zvicër ka plot rrugë të tjera afirmimi. Arti dhe kultura padyshim që është njëra nga këto rrugë.

Organizimi i çiftit Dhimojani-Blättler të një eventi kulturor ishte si një sfidë,bërë padashje komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, të ndarë e përçarë nga politika. Ky komunitet, në vend që të tregojë interes dhe të investojë për kulturën dhe vlerat e vërteta, harxhon kohën në shërbim të partive shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Rinia shqiptare në Zvicër ndodhet në udhëkryq sepse në vend që të mirëorientohet, edhe ajo humb kohën në klube të pështira ku përçundohen vlerat dhe kultura e mirëfilltë.

Kur dy njerëz organizojnë një shfaqje elitare, siç ishte perfomanca e katër artistëve shqiptare, merreni me mend se çfarë mund të bëjnë gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Padyshim mund të bëjnë mrekullira, nëse do të jenë të organizuar. Po kur do të organizohen, lind pyetja!

Gjithsesi uroj që ky evenimet kulturor, ku u gërshetua në një mënyrë shumë elegante qytetërimi europian i Zvicrës me kulturën shqiptare, të shërbejë si shembull dhe model në të ardhmen e afërt.

Publiku zviceran dhe shqiptar mezi presin shfaqje të tilla. Zhaklina Dhimojani Blättler, e cila mbahet mend për rolin e saj kur ishte fëmijë tek filmi Mimoza Llastica, e ka gati një projekt të ri ku synon organizimin e një koncerti me fëmijët e talentuar shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe jashtë saj. Le t’i urojmë punë të mbarë dhe le të ketë në Zvicër sa më shumë projekte për kulturën, sepse sikur thoshte Albert Camus se “pa kulturën, shoqëria edhe sikur të jetë perfekte është një xhungël.”

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida Buçpapaj, Magjia shqiptare, ne Katedralen e Bernes

KUJTESË EDHE PËR KËTO DITË TRAZIRASH NË UKRAINË: SHQIPTARËT E UKRAINËS

March 3, 2014 by dgreca

Kane 500 vjet larg nga memedheu. U larguan nga zona e Korçes fill pas pushtimit turk dhe per 200 vjet jetuan ne Bullgari. Me pas u zhvendosen e Ukraine dhe kane 300 vjet qe jetojne ne mes te ukrainasve. Por nuk kane harruar asgje nga te paret e tyre dhe perpiqen ti ruajne zakonet dhe traditat  shqiptare me fanatizem.Festa me e madhe e tyre eshte festa e shen Gjergjit, ne kujtim te heroit kombetar Gjergj Kastriotit.Jane takuar me Fan Nolin ne 1911 kur ky i fundit beri nje udhetim ne Odessa. Po keshtu ne vitin 1979 At Artur Liolini, Kancelari i Kishes Ortodokse Autoqefale Shqiptare nga Bostoni, meshoi ne kishen ku kishte meshuar Fan Noli dekada me pare. Ata nuk kerkojne gjera te parealizueshme nga shteti shqiptar.Thjesht kerkojne nga shteti ame shqiptar libra dhe mesues te shqipes qe te mos harrojne gjuhen e te pareve. Kerkesat e tyre jane te perballueshme per shtetin shqiptar dhe dergimi i disa mesuesve , i librave dhe abetareve ne shqip nuk eshte ndonje barre e madhe, por eshte nje detyrim qe shteti ame duhet te kete per keta shqiptare te harruar. Mendoj se shteti shqiptar duhet tu jape pasaportat shqiptare ketyre njerezve sepse keta e meritojne te jene shqiptare si gjithe ne te tjeret.Jane pra 5 mije shqiptare qe per 500 vjet jetojne larg atdheut te tyre Shqiperise dhe per 300 vjet jetojne ne mes te 48 milion ukrainasve. Çdo komunitet tjeter do te ishte shuar me kohe. Ata jane deshmi e gjalle e thenies: “gjaku i arberit nuk shuhet kurre” dhe ne duhet te jemi krenare per ta.(Ky ishte mesazhi qe editori i Diellit mori nga bashkepunetori i Diellit, Saimir  Lolja, qe jeton ne Kanada)

***

Emisioni “Shqip” në “Top Channel” sjell zërin e komunitetit shqiptar në Ukrainë Rudina Xhunga ka sjellë në emisionin “Shqip”, në “Top Channel”, zërin e komunitetit shqiptar në Ukrainë. Ata kanë lënë Shqipërinë 300 vjet më parë, por nuk kanë humbur gjuhën. Flasin shqipen e vjetër dhe kanë mall për vendin që nuk e panë kurrë. Pas udhëtimeve tek arbëreshët e Sicilisë, shqiptarët e Trakës greke, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë, gazetarja e njohur, Xhunga, ka udhëtuar në fshatin Karakurt të Ukrainës, ku banojnë mbi 2000 shqiptarë. Një komunitet tjetër me rreth 5000 shqiptarë, të ardhur kohë pas kohe, jeton në Odesa të Ukrainës. Nuk ka asnjë dokument historik për shqiptarët e Ukrainës. Pak ose fare dihet për ta. Shqiptari i parë që shkroi për ta është Selim Islami. Në vjeshtën e vitit 1949, bashkë me një etnografe ruse, ai vizitoi fshatrat e banuar me shqiptarë. Në vitin ‘55 botoi një libër me material gjuhësor të shkëlqyer nga kolonitë shqiptare të Ukrainës.

“Me shprehjen ‘ti shqypton si ne‘, ata duan të thonë: A kupton si ne, a e kupton gjuhën tonë? Kjo më tërhoqi vëmendjen përsëpari dhe mendoj se këtu duhet kërkuar rrënja e emrit tonë shqiptar. Ai që shqipton, ai që kupton atë gjuhë”, shkruan Islami, në librin ku ka mbledhur përralla, vargje, ninulla, që sipas tij, i përkasin dialektit toskë. Ndërsa i pyet ata vetë se nga cila krahinë e Shqipërisë vijnë, të tregojnë se vijnë nga Korça dhe rrethinat, që i lanë tre shekuj më parë për t‘u vendosur në Bullgari, mandej në Ukrainë. Akademiku rus, Djerzhavin, i cili i vizitoi këto fshatra në vitin 1925, shkruan se shqiptarët erdhën në këtë vend, nga Bullgaria, në fund të shekullit të 18-të dhe fillimi i 19-të. Ndërsa Jaranov shkruan se arnautët e Bullgarisë janë të shpërngulur nga Korça, Ohri, Elbasani, Çermenika, Golloborda, diku nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të.

Fjodor Dermentli, jeta profesionale e të cilit është krenari për shqiptarët e Ukrainës, ka shkruar një libër për historinë e familjes dhe rrënjët shqipe të origjinës, ku mes të tjerash rrëfen arsyet e shpërnguljes nga Shqipëria, që sipas tij janë dy: Dëshira për të mos ndërruar fenë gjatë pushtimit otoman dhe mandej lufta turko-ruse, që u pasua me dhënie tokash nga Ekaterina e Rusisë, për popullsinë joturke. Në vend të flas, ata thonë zallahis. Në vend të kuptoj, shqiptoj. Të kërkojnë të flasësh kadalë-kadalë. E kanë ruajtur dhe dashur gjuhën në shekuj, edhe pa e shkruar kurrë. Ata janë shqiptarët e Ukrainës, një komunitet, që kur shkon t‘i takosh, të mbulojnë me dashuri dhe mall për mëmëdheun që nuk e kanë parë kurrë.

Poezi kushtuar fshatit Karakurt

NË stepat e gjelbër tË Buxhakut,

Ku një lum i gjelbër, Prul,

Pranë grykës së varfër të përroit,

Ndodhet i panjohuri katund,

Me familje, shqiptarët, bullgarët, gagauzët këtu,

NË egërsi të pakujdesshme kanë jetu,

Duke ruajtur zakonet prindërore,

Duke u ushqyer me atë që prodhojnë vetë,

Pa vrarë mendjen për atë,

Se fuqitë e mëdha krijojnë robër,

Dhe drejtojnë egërsisht fatet e tyre.

A.S Pushkin

1828

Filed Under: Featured Tagged With: shqiptaret e Ukraines

AMBASADORI ALEXANDER ARVIZU – NJË AMBASADOR SUI GENERIS –

March 3, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ambasadori Amerikan në Tiranë Alexander Arvizu nuk është si gjithë ambasadorët e tjerë që kanë përfaqësuar SHBA në Shqipëri. E kam fjalën për shtatë pararendësit e tij që prej vitit 1991 kur SHBA dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një pauze të gjatë, shkaktuar prej regjimit komunist,që e shndërroi vendin e shqipeve në një bunker të izoluar, por pa mundur që të presë rrënjët e lidhjeve me shqiptaro-amerikanët, e larguar si armiq të regjimit apo atyre që emigruan shekullit të shkuar. Faik Konica dhe Fan Noli ishin ura lidhëse midis Botës të Lirë me Tokën e Robëruar.

Vargjet e Fan Nolit “Mbahu Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”, që rastësisht i kishin shpëtuar censures kriminale, ushqenin nënkoshiencën e shqiptarëve me një shpresë që dukej e fikur, por që u ringjall prej tingujve marcialë të radios Zëri të Amerikës dhe ardhjes së Sekretarit të Shtetit James Baker në qershorin e 1991.

Prej përmbysjes së diktaturës, SHBA shihen nga populli shqiptar si Aleati jetik i shqiptarëve, paradigmë që në fakt daton prej fillimit të shekullit të shkuar kur President Woodrow Wilson mori në mbrojtje vendin e bërë të vogël nga makutëria e fqinjëve me tendencë për ta zvogëluar sa më tepër. Kjo Aleancë do të rivitalizohej gjatë përmbysjes së diktaturës, Luftës në Kosovë dhe prej emigracionit të ri, që është  si ringjallje e atij të vjetër

Zakonisht Ambasadorët e SHBA në Tiranë janë gjykuar politikisht – pozitivisht nga njëri krah dhe jopozitivisht nga krahu tjetër, një lloj ping pongu konstant ky, ndërkohë që qeveritë shqiptare prej 23 vjetësh kritikohen për mospërmbushje të obligimeve ndaj qyteterëve të tyre. Politika shqiptare mjerisht për këtë dështim të saj personal ka penalizuar shpesh ambasadorët amerikanë. Edhe Ambasadori Arvizu nuk i shpëtoi këtij rregulli. Atij here pas here i është dashur të përballet me cinizmin e gazetave të Tiranës në shërbim klientelist të politikës apo me mosmirënjohjen e politikanëve shqiptarë të pangopur asnjëherë me pushtet.

Si e kam përmendur edhe më parë, Ambasadori Arvizu preferoi ta njohë vetë realitetin e komplikuar shqiptar, të mos mbetet peng i përkufizimeve dhe sharjeve që politikanët shqiptarë i rezervojnë njëri-tjetrit. Dhe mund të thuhet se është një njohës i shkëlqyer i këtij realiteti. Ai njeh personalisht politikanët, shoqërinë civile, gazetarët, njerëzit e thjeshtë. Ai njeh gazetat, televizionet, programet,anchormenët shqiptarë, njeh klerikët, botën artistike, njerëzit e zakonshëm, elitën…

Ai është një komunikues i palodhur për të shpjeguar e sqaruar gjithçka, ku gjithçka që ka thënë dhe thotë e mbështet në një themel mirëbesimi dhe sinqeriteti. Gazetarët kur duan ta kapin në “gabim” e pyesin “po ju keni thënë kështu” dhe ai ka gjithnjë koherencë me atë që ka thënë. Sikur këtë kërkesë llogarie që e mbajnë ndaj Ambasadorit Arvizu, gazetarët shqiptarë ta mbanin ndaj politikanëve të tyre, vendi ynë do të ishte shumë më mire.

Politikanët shqiptarë, kur u janë cënuar interesat e tyre për pushtet, i kemi parë të sillen ndaj tij në mënyrë të pacipë,sa që zyrtarët më të lartë të shtetit Amerikan janë detyruar të shprehen shpesh se qëndrimi i Ambasadorit Arvizu është pikë për pikë ndaj qëndrimit zyrtar të shtetit.

Ambasadorit Arvizu i është dashur që të dalë jashtë rregullave të kurtuazisë diplomatike, ku çdo gjë është me masë dhe gramaturë. Duke dëshmuar kompetenca të plota, për të dhënë përgjigje dhe rrugëzgjidhje për ngërçet shqiptare,ai ka shfaqur profilin e njeriut me sensibilitet të lartë human, siç ishte rasti i grevës të urisë të ish-të përndjekurve politikë.

Kundër SHBA dhe amerikanëve diktatura komuniste për gjysmë shekulli ka harxhuar mijra tonelata bojë dhe letër – me reminishenca deri sot – por Ambasadori Arvizu ka demonstruar se qëndrimi Amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk është profiter, por ai i një Aleati të provuar në ditë të vështira.

Autorja e këtij shkrimi nuk e ka natyrë që t’u thurrë hymn ambasadorëve të SHBA. Kam kritikuar për shembull Marisa Linon. Nuk më ka pëlqyer kurrë afeksionimi në favor të njërës palë e në disfavor të tjetrës. Jam për meritën. Sipas shprehjes: “Give to Caesar what is due to Caesar”. Dhe Ambasadori Arvizu e ka shmangur tunelin e ndikimit prej palëve dhe ka mbajtur një qëndrim të hapur mbi palët në të mirë të popullit shqiptar, ndryshe nga politikanët shqiptarë, të cilët janë sjellë me të si ballkanikë, here miqësorë dhe here armiqësorë,gjithnjë sipas interesave personale dhe assesi sipas konsitucionit shqiptar kur Miku është Mik, është i shenjtë.

Ambasadori Arvizu i ka dhënë të gjithë klasës politike shqiptare një mësim tolerance dhe njëfytyrësie.Sikur klasa politike shqiptare të kishte ndjekur këshillat e tij, duke pranuar çelësin e kompromisit në vend të drynit të ngërçit dhe gjuhës së urrejtjes, Shqipëria dhe shqiptarët do të ishin shumë më mirë – edhe vetë politikanët po ashtu, jo si si na shfaqen çdo ditë në Parlament si aligatorë të gatshëm për ta shqyer njëri-tjetrin.

Ambasadori Amerikan Alexandër Arvizu ka demonstruar të jetë një Amerikan i shkëlqyer, por ndërkohë edhe një shqiptar brilant. Kur të mbarojë misionin në Shqipëri, unë si gazetare do ta ndjej mungesën e tij. Do ta ndjejë edhe politika, sado e pafytyrë qoftë, sepse ai ka mbajtur si duhet etalonin e të drejtës dhe të vërtetës, pa marrë parasysh se kjo ka qenë sikur të kalonte mbi një fill teli 100 metër lartësi.Dhe ia ka dalë. Duket se Zoti ka qenë me të. Sepse ai është pjesë e atij vendi ku kumbon fort lutja God Bless America.(Ne Foto:Ambasadori Amerikan Alexander Arvizu ne Konferencen Shkencore ne New York”Vatra, 100 vjet en sherbim te Kombit”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, NJË AMBASADOR, SUI GENERIS

ILO OXA, ARTISTI QË NJËSON PIKTURËN ME DRITËN

March 3, 2014 by dgreca

Nga Dalip GRECA/

 Ilo OXA, piktori shqiptar, që erdhi nga Italia, në SHBA, është një artist që sfidon me penel mjeshtëror. Ai erdhi këtu me synimin për ta çuar përpara mjeshtërinë e pikturimit. Oxa vjen në SHBA me një përvojë të pasur, vjen me ekspozita të suksesshme të hapura në Shqipëri, Greqi dhe Itali. Po ashtu ai kishte dhe shkollën e pikturës në Bolzano. Edhe pse ka pak kohë në SHBA, e prezantoi vetën në një ekspozitë, që u prit mjaft mirë në Aleksandria. Oxa ndjehet krenar që studio në shkollën tradicionale shqiptare, ku studimi i klasikëve të piktures, i mësuan se  përtej mjeshtërisë akademike, artisti duhet të gjejë dritën e kohës së vet.  Dhe shumë shpejt piktura e tij u njësua me dritën. Të konstrukosh në dritë është një moment lumturie,-thotë  për Diellin Ilo OXA. Piktura e Oksës i ka të gjitha elementet fondamentalë të pikturës hiperrealiste.  Konstruktimi në dritë dhe pikturimi i ajrit pa prezencën narrative të figurës njerëzore janë karakteristikë e pikturës së tij. Kritikët Suzana Varvarica nga Shqipëria, Severino Perelda dhe Arnold Tribus nga Italia, në shkrimet e tyre dedikuar pikturës së tij kanë provuar se mjeshtëria e pikturës së Oksës është pa dyshim e një niveli shumë të lartë. Por ai kërkon përsosje mjeshtërore, prandaj ka menduar të vendoset në New York, ku takimi me mjeshtrat e hiperrealizmit këtu, piktura e tij synon që të hyjë në një fazë të re. Për t’u njohur më me detaje me rrugëtimin artistik të piktorit, në mjediset e redaksisë, zhvilluam bisedën e mëposhtme:

-Prej sa kohësh ndodheni në Nju Jork?

Ilo OXA– Kjo është pyetja më e lumtur që do të ëndërronte t’i përgjigjej një ditë çdo artist që jeton në Europë. Ndoshta nga  emocionet e ditëve për realizimin e pikturave të para, takimet dhe njohja me atashe të artit e kulturës shqiptare dhe asaj amerikane si dhe mundësia për të parë dhe studjuar në origjinal pikturat e mjeshtrave të hiperrealizmit.Por kur mendoj se kanë kaluar vetëm katër muaj më duket e pa besueshme.
– Kjo është e para herë që vizitoni Amerikën?
Ilo OXA
– Edhe pse ka kaluar plot një vit, 31 Janari i vitit të shkuar do të mbetet një nga ditët më të bukura të jetës sime. Edhe në ato dy javë  New York-u ishte i mbuluar me dëborë dhe bënte shumë ftohtë, ja si tani, shkurt 2014.Munda të shikoja shumë galeri arti dhe realizova me qindra foto me rrugët e mbushura me kujtime.

  I keni vizituar galeritë e Nju Jork-ut? Nëse do të bënit ndonjë krahasim me ato të Italisë, Evropës, ku është ndryshimi?

Ilo OXA– Kujtoj: New York 1 Shkurt 2013. Vizita ime e parë në një galeri arti këtu, do të regjistrohej në kujtesën time si një mrekulli. Frank Bernarducci,drejtori i galerisë më të madhe të hiperreaizmit në botë, më ftoi me kënaqësi në një takim pune për t’i treguar pikturat e mia. Kjo nuk ndodh në Itali dhe në Europë. Këtu galeristë dhe artistë janë bashkëpunëtorë në krijimin e historisë së re të artit. Në ditët në vazhdim kam parë dhe marrë pjesë në inagurime ekspozitash shumë të rëndësishme ku kam konstatuar një entuziazëm,që në Europë tashmë nuk ekziston.

Ju keni jetuar në Itali duke bërë jetën e një artisti emigrant. E patët të vështirë që të gjenit veten si artist?

Ilo OXA– Italia si vendi i Rilindjes Europjane ishte një ënderr që flinte te unë që kur isha në vitin e parë në lice. Studimi i mjeshtrave të Rilindjes Italiane si dhe njohja më vonë me hiperrealistin Luciano Ventrone më krijuan mundësinë që piktura ime të pëlqehej nga koleksionistët italianë. Sigurisht që vështirësitë krijuan te unë një sistem pune më të organizuar dhe orët e shumta në studio dhanë rezultatet e veta.
Çfarë do të veçonit nga jeta artistike e përvojës 22 vjeçare në Itali?

Ilo OXA– Kudo që të jem, s’do ta harroj kurrë zërin e ngrohtë të një zonje që sa herë që e takoja më thoshte: Ilo, piktura jote është e admiruar prej të gjithëve. Ishte një prej koleksionisteve të mi, që kur vinin në ekspozita nuk pyesnin për çmimin, por me shumë respekt më thonin që kjo pikturë është e imja. Sikur të gjitha pikturat e mia të kenë një fat të atillë, unë do të jem shumë i lumtur.

Ndërkohë ishit dhe piktor- pedagog, çfarë do të veçonit nga ajo përvojë?

Ilo OXA– Mos prisni që artdashësit dhe koleksionistët të konsiderojnë krijimet tuaja më seriozisht se vet serioziteti juaj. Ky ishte urimi im për nxënësit e mi. Harmonia e plotë e mendimit me punën shumë shpejt instaluan mes nesh një klimë bashkëbisedimi . Realizimi dinjitoz i punëve të studentëve krijoji atmosferën e një eventi të mirëpritur të çdo fundviti. Natyrisht, punët dhe kërkesa në rritje e cilësisë krijuese e nxënësve krijuan te unë kënaqësi dhe një kujtim të pa harrueshëm.

Keni pas mundësi t’i ekspozoni pikturat tuaja këtu, e kam fjalën në SHBA?

Ilo OXA- Po. Ekspozita ime e parë në Alexandria ishte një sukses i vërtetë. Të ftuarit e shumtë komentuan me entuziazëm nivelin e lartë të shtatë pikturave të ekspozuara në Mount Vernon-Lee Chamber of Commerce . Shumë prej të ftuarve shkruajtën edhe letra mbështetëse  për qëndrimin tim këtu në USA si e vetmja mundësi për të perfeksionuar dhe çuar përpara pikturën e bukur të hiperrealizmit. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për jetën time.Të ftuarit e shumtë  si dhe prania e familjes Angjeli krijuan atë energji aq të bukur që e bëri atë mbrëmje të pa harruar. Përshtypjet dhe bisedat me ta më krjuan besimin se piktura ime shpejt do të jetë pjesë e jetës së tyre. Alexandria është një qytet shumë i bukur dhe mikëpritës. Ishin ditë shumë intensive . Vizitova disa galeri por ajo që vlen për tu përmendur është Princiole Galeri, ku në dhjetor në ekspozitën e dimrit, do të ekspozoj edhe unë!

– Si shkoi Ilo Oxa tek peneli. E kujtoni”krijesën” e parë tuajën? Po ekspozitën e parë?

Ilo OXA– Ekspozita ime e parë është një nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Isha vetëm katërmbëdhjet vjeç dhe për sa mund të kujtoj  ishin vetëm dhjetë vizatime të ekspozuara në hollin e shkollës. Aty më propozuan që të konkuroja në liceun artistik. Pas pushimeve verore përgjigjia e fitores së konkursit për vazhdimin e studimeve ishte më shumë se një mrekulli.

Cili është rrugëtimi juaj artistik? Formimi?

Ilo OXA– Kujtoj realizimin e një perëndimi në kodrat e Tiranës. Ishte një akuarel shumë i bukur që u pëlqye shumë. Ishte një nga buzëmbrëmjet e shtatorit të parë në Liceun Artistik Jordan Misja që paralajmëroi fatin se e gjithë jeta ime do të ishte një udhëtim në kërkim të bukurisë.Pas mbarimit me sukses të Liceut fillovastudimet në Akademinë e Arteve. Katër vite të një pune intensive krijuan te unë mundësinë për të lexuar, kuptuar dhe vënien në jetë të eksperiencës më të mirë të pikturës botërore.Studimi i mjeshtrave si Vermer, Claudio Bravo dhe tani i Bertand Meinel kanë qenë për pikturën time një mrekulli.
– Ç’vënd zë tradita në pikturën tuaj?

Ilo OXA- E quaj veten me shumë fat që studjova tetë vite në Tiranë dhe nga ajo kohë jeta ime do të ishte një udhëtim në kërkim të bukurisë dhe mjeshtërisë artistike.Studimi i klasikëve të pikturës më mësuan se  përtej mjeshtërisë akademike artisti duhet të gjejë dritën e kohës së vet. Shumë shpejt piktura ime u njësua me dritën. Të konstrukosh në dritë është një moment lumturie.

 Ju kanë epitetuar si “një ndër piktorët më në zë të”Realizmit të Ri”. Si ndjeheni nën këtë përcaktim?

Ilo OXA- Piktura realiste, historikisht është vetë piktura. Artistët më të mirë të çdo shekulli kanë krijuar një traktat bukurie. Në kohën tonë piktura e realizmit të ri apo e quajtur ndryshe si hiperrealiste është vetëm një hap përpara e asaj që kam mësuar në vitet e shkollës. Ndjehem i lumtur të kem gjetur kohën time.

– A mund ta informoni lexuesin për vlerësimin e kritikës në Shqipëri apo dhe në Itali për pikturat tuaja?

Ilo OXA– Mendoj se piktura ime ka te gjitha elementet fondamentale të pikturës hiperrealiste. Konstruktimi në dritë dhe pikturimi i ajrit pa prezencën narrative të figurës njerëzore janë karakteristikë e pikturës sime. Kritikët Suzana Varvarica për Shqipërinë, Severino Perelda dhe Arnold Tribus për Italinë në shkrimet e tyre dedikuar pikturës sime provojnë se mjeshtëria e pikturës sime është pa dyshim e një niveli shumë të lartë. Aktualisht në sajë të konfrontit direkt me  mjeshtrat e hiperrealizmit këtu në New York piktura ime ka hyrë në një moment akoma më të bukur.

 Në cilat galeri keni ekspozuar?

Ilo OXA- Pas eksperiencës se ekspozitave në Shqipëri deri në vitet nëntëdhjetë ekspozita ime e parë jashtë ka qenë ajo e vitit 1992 në Athinë ku shkruajtën edhe gazetat Greke. Po atë vit kam ekspozuar në Jezi të Italisë, në galerinë “AREARTE” Senigalia dhe më vonë në prestigjozen ” L’Incontro ” Ancona dhe një vit më vonë në Arte Fiera Ancona në një kolektive. Pas 2010 me rritjen e nivelit tim artistik kam hapë ekspozita personale në Bolzano. Në tetor 2011 e para ekspozitë personale në Tiranë me titull ” Oltre la vita non sa aspettare ” që ishte një tjetër sukses.

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: artisti, dalip greca, Ilo Oxa, pikturen me driten, qe njeson

Kjo natyra jonë

March 2, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Njeriu ngrihet e bie – herët a vonë – me të njëjtin intensitet (sa më lart, aq më fuqishëm rrëzohet).  E natyrëshmja në fund të fundit është e pashmangshme, ashtu si njeriu nuk mund t’i shmanget vetes dhe as llojit të vet.

Pse politika është sa e dashur aq e urryer –  jo vetëm në kohët tona – ka qenë kështu gjatë gjithë gjithë historisë  Njerezit braktisin profesionin (pas kaq vitesh përkushtimi) për t’u marrë me politike. Dhe të tjerë (jo vetëm cinikët e mllef-çliruesit) nuk lënë gjë pa thenë kundër politikanëve. Volteri për pak sa nuk thote se politika është prostitutë, duke e venë atë thjesht në vend të dytë pas kurvërisë (ndoshta për t’iu shmangur censurës). Dhe ky perceptim theket; sepse kur flitet per korrupsion, trafiqe te paligjshme, hetime, procedura penale, i dyshuari më i zakonshëm është  politikani.

Idea e përgjithshme prej epokash në qarkulim: politikani është i korruptuar, se çdo shkëlqim politik është rrezatim i bëmave të liga ose i kompromentimt  të besimit. Gjithashtu, politikani është emeruesi i përbashkët i shoqërisë (si i përzgjedhur prej saj). Dhe pyetja rrjedh: A mos është shoqëria që prodhon korrupsionin, dhe politikani bëhet “dhia e fajësimit,” ashtu si pakica shpërdoret nga shumica. Në se vetja në pasqyrë është iluzion, a mos është politika ky iluzioni i vetes?

Përsëri, ndoshta është në natyren e njeriut i cili pasi përpiqet për mireqenie dhe e arrin atë, fillon të rrëshqasë në gjendjen fillestare duke shkatërruar (sheshuar) çdo gjë në proces, si në udhën nga lindja, në rritje, e pastaj në vdekje. A është kulmi i suksesit a karrierës (marrja e një titulli a dekorate) guri i sinorit të fushës  së jetes, kulmi, ku pas tij (gurit) njeriut më pak këtej e tutje do t’i duhet të mendojë për veten e aq më pak për të tjerët? Përtej kufirit të aftësive a suksesit të tij, shtrihet trualli i suksesit së një tjetri.

Veprojnë, sillen ndryshe, veshin të tjera maska, karaktere, personalitete, ata që kurrë nuk kanë patur ose arritur diçka vetë, ose ato me të cilat mburren ua kanë falur të tjerët, ose i kanë zhvatur ose  marrë pa të drejtë. Këta njerëz pastaj përzihen me pronarë të ligjshëm të suksesit, duke krijuar një nivel të ri barazie dhe largojnë vemendjen nga ajo se si gjithçka filloi – iluzioni që krijojnë është si pamja e vetes në pasyrë, se çdo gjë filloi me ta dhe me ta duhet te mbaroje, kur pasqyra thyhet, asgjë më ekziston; mësim i hidhur që historia ka dhënë epokë pas epoke, brez pas brezi dhe megjithatë vazhdimisht mësim i panxënë, i përsëritshëm;  Gabimi dhe mos mësimi prej tij, mospërulesia në kulmin e suksesit, vetëshkatërrimi, nevoja për armiq për të shfryrë urrejten duket se të gjitha janë në natyrën tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Kjo natyra jonë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4811
  • 4812
  • 4813
  • 4814
  • 4815
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT