• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALLISHVERISHET E AMBASADES SHQIPTARE NE ATHINE

July 9, 2020 by dgreca

-PËR PAK GJË, SHUMË PAK, HUMBNI DHE NA HUMBNI NDERIN DIPLOMATË NË ATHINË/

Nga Abdurahim Ashiku/Gazetar, Athinë/

Kisha aplikuar për pasaportë dhe letërnjoftim që në nëntor të vitit të kaluar. Dokumentet më skadonin më 4 prill 2020.
Më erdhi përgjigja: Do të shkoja për aplikim më 5 maj 2020.
Ra epidemia  e koronavirusit…
U shtynë, si gjithçka që u shty dhe u bllokua për muaj të tërë.
Më në fund ndodhi hapja. Më njoftuan që të jemi në ambasadë më 13 qershor, e shtunë.
U çudita derisa e saktësova sepse mendova që të shtunën nuk punohet. Njoftimi ishte i saktë. Do të paraqiteshim në ambasadë fiks në orën 09.30 të mëngjesit.
Për të qenë korrekt me orën shkuam një gjysmë ore përpara.
U befasova…
Përpara hekurave në hyrje të konsullatës një turmë njerëzish. Po, po, turmë e vërtetë, pa kokë e pa këmbë. Shtyrje me bërryla kush të kapi i pari hekurat. Për distancë nga njeri tjetri, për maska e masa të tjera detyruese për parandalimit e infektimit nga sëmundja që ka tronditur botën, nuk bëhej fjalë. Të gjithë me celularë të kohës në dorë. Të gjithë me sa zë kishin bërtisnin se janë të thirrur në orën nëntë e gjysmë, as më përpara dhe as më pas.
Nuk bëra fotografi. Kisha shkuar si qytetar i thjeshtë…
Më vonë doli një punonjëse e konsullatës me numra në dorë. Kush kishte krahun më të gjatë e kush bërtiste më shumë mori i pari. Në një çast u kujtuan që ka fëmijë të vegjël dhe të moshuar. Morën edhe ata…
Hekurat u çliruan…
Filloi procesi i thirrjes sipas numrave …
Nuk kam vërejtje për shërbimin brenda. Disa sportele për të bërë dokumentet dhe disa tavolina fotografimi e depozitimi të shenjave të gishtave, ofronin shërbim të kulturuar…
Ajo që më bëri të shkruaj ishte së pari turma e egërsuar para hekurave dhe së dytinjë “kërkesë e detyrueshme” për marrjen e pasaportë “tri javë më pas”.
Për të parën pyeta veten: “Pse kjo rrëmujë para ambasadës sonë me mëngjes, ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj për një shërbim të paralajmëruar, me një ftesë zyrtare për takim nga ambasada dhe nga portali “Shqipëria që duam” dhe “e-Albania”?
Pse kjo rrëmujë në një mjedis publik rrethuar me shumë ambasada të vendeve të ndryshme,në mejdanin e një rruge të madhe të Athinës?
Pse ambasada apo portali “Shqipëria që duam” dhe “e- Albania” thjesht nuk merr të kopjojë përvoja tashmë dhjetëra vjeçare që autoritetet greke e kanë në bazë të shërbimit ndaj qytetarëve?
Po marr njërën, më të zakonshmen…
Me një telefonatë në 14900, 14884 ose 14784 siguron takim me mjekun specialist. Të jepet dita, data dhe ora e takimit. Po qe se atë ditë mjeku nuk është në shërbim të marrin në telefon dhe të caktojnë një datë tjetër sa më afër të parës. Takimet kanë një diferencë kohore prej 20 minutash.
Pyes a nuk mund ta bëjë një gjë të tillë ambasada? Po portali “Shqipëria që duam”? Po “e – Albania”?
Thjesht duke të njoftuar ditën, datën dhe orën e paraqitjes, për pasaporta apo shërbime të tjera konsullore. Jo të gjithë në një orë, në “09.30 minuta” por në distancë nga 20-30 – 40 apo 50 minuta, në radhë deri në mbarim të orarit zyrtar.
Kështu unë po të isha njoftuar që të paraqitesha në orën 12.30 do të shkoja “si zotni” në kohën e duhur.Nuk do të dergjesha gjashtë orë në pritje në një ditë të nxehtë qershori
Nuk e bëjnë këtë gjë.
Mbase u pëlqen rrëmuja…
Mbase prej kësaj rrjedh ndonjë euro…
Mbase…
E dyta: Kur mbaron aplikimin punonjësi të thotë se për 3-4 javë pasaporta dhe letërnjoftimi janë gati. Shton se pasaportën do ta dërgojmë në shtëpi pas adresës që do të na përcjellësh kur do të njoftojmë për daljen e pasaportës.
Më pëlqeu dhe u ngazëlleva për këtë formë lidhje e shërbimi ndaj qytetarëve shqiptarë në mërgim.
Por kjo e kishte një bisht thurur keq prapa.
Më njoftonin:
Në vijim të komunikimit tuaj përmes postës elektronike, ju bëjmë me dije se pasaportat tuaja janë prodhuar dhe gjenden në Ambasadë.
Në kuadër të evitimit të grumbullimeve fizike dhe cenimit të rregullave të mbrojtjes së shëndetit publik në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, Ambasada ju mundëson dërgimin e pasaportave përmes postës me përgjegjësinë tuaj në rast vonese, humbjeje ose dëmtimi të dokumenteve. Shërbimi postar courier paguhet nga vetë shtetasit ditën që dërgesa merret në dorëzim nga courieri.
Nëse bini dakord për sa më sipër, lutemi na dërgoni faturën e aplikimit që keni marrë ditën e aplikimit në Ambasadë, adresën e saktë të banimit (emri, nr. i rrugës, Kodi Postar, qyteti, rrethi) dhe numrat tuaj të kontaktit (fiks dhe celular) në përgjigje të këtij e-maili.
Qartësohet se kartat e identitetit (nëse keni aplikuar) nuk mund të dërgohen pasi nevojitet paraqitja fizike e qytetarit në Ambasadë për aktivizimin e tyre.
Si gazetar isha në dijeni të një ngjarje të paprecedent kur humbën, ditën me diell 100 pasaporta për të mos u gjetur kurrë. As atëherë dhe as më vonë nuk u tha se ku përfunduan këta pasaporta të shqiptarëve të thjeshtë, kush i mori dhe si i përdori.
Kësisoj ambasada, Portali “Shqipëria që duam” dhe “e-Albania” duhet ti ishin  larguar këtij njoftimi. Ata duhet të mbanin përgjegjësi për dorëzimin e dokumentit kryesor shqiptar personit në dorë, me firmë e gjithçka ligjore, dhe jo: “Ambasada ju mundëson dërgimin e pasaportave përmes postës me përgjegjësinë tuaj në rast  vonese, humbjeje ose dëmtimi të dokumenteve.” 
Kur po bëhesha gati për të përcjellë publikisht  shqetësimin qytetar për atë që ndodh përditë para ambasadës sonë në Athinë  vjen një lajm:
“Media e njohur greke ProtoThema ka raportuar shkarkimin e ambasadores shqiptarë në Athinë Ardiana Hobdari dhe trupit diplomatik.Sipas medias në fjalë shkarkimi ka ardhur për shkak se ajo dhe konsulli i përgjithshëm i Janinës, Pervin Gjikuria janë të përfshirë në vjedhjen e 100 pasaportave shqiptare vitin e kaluar në Athinë. ProtoThema, shkruan se ka informacione se Ardiana Hobdari është direkt e përfshirë në vjedhjen e pasaportave natën e 13 shkurtit në Athinë, kur nga makina e  Gjikurias u zhdukën 100 pasaporta, nga 300 që ndodheshin brenda në mjet.”
Më pas reagimi zyrtar shtetëror:
SHKARKOHET I GJITHË STAFI I AMBASADËS SHQIPTARE NË ATHINË, PËRFSHIRË EDHE VETË AMBASADOREN…“Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka shkarkuar të gjithë stafin e ambasadës shqiptare në Athinë përfshi edhe ambasadoren.
Mediat raportojnë se kjo “furtunë” ka ardhur si pasojë e performancës së dobët të trupit diplomatik.
Sipas burimeve nga Ministria, vendimi që ka prekur edhe anëtarët e tjerë nga stafi i ambasadës, ka ardhur për shkak të shërbimeve të dobëta ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi të cilët janë ankuar shpesh për mungesë kontakti dhe shërbimi.
Emri i lakuar në media për zëvendësimin e ambasadores së shkarkuar Ardiana Hobdari, është Luela Hajdaragaj.”

E ndërsa përtypja me përtesë lajmin që një emigranti ia ul kokën, më vjen në kujtesë një skandal, një shkrim në një gazetë shqiptare në Greqi me titull “Shejku i ambasadës”, me emër e mbiemër të një punonjësi të ambasadës, dhe masën drastike të ministrisë së jashtme greke që çdo dokument, nga ai çast, konsiderohej i pavlefshëm kur mbante firmën dhe vulën e ambasadës dhe shërbimit konsullor në Selanik e Janinë.
Deri atëherë, kundrejt një pagese prej 30 eurosh, certifikata dhe dokumente të tjerë, me firmë dhe vulë të ambasadës dhe konsullatave ishin të pranueshme nga administrata greke.
Nga shuma e parave që merreshin nga shërbimi ynë konsullor në Greqi u ble dhe mori formë Ambasada Shqiptare në Athinë. Ikëm nga ai mjedis ku era e fasules që gatuhej në katin e pestë mbushte gjitha katet, edhe zyrën e ambasadorit (!)
Allishverishet, firmosja e vulosja e dokumenteve fallco kundrejt pagesave nën dorë “shejkëve”, preu me hanxhar të mprehur mirë miliona euro të ardhura ambasadës, miliona që po të ishin marrë me korrektësi qytetare e përgjegjësi të ambasadorit dhe punonjësve të ambasadës do të kishin ngritur “Qendrën kulturore” në Athinë, qendër e premtuar nga Fatos Nano e të tjerë pas tij. Do të ishin hapur shkolla anë e kënd Greqisë që fëmijët e emigrantëve të mësonin të shkruanin, lexonin e këndonin gjuhën e bukur shqipe…
Për këtë skandal nuk u ndëshkua askush…
Dhe nuk u fol publikisht asnjëherë…

                     *                      *                  *

Në përfundim një këshillë si qytetar dua të përcjell për zonjën Hajdaraga.
Merruni me shërbimin, kulturën e pritjes dhe përcjelljes së qytetarëve në ambasadë, atyre që më pagesat dhe remitancat mbajnë në këmbë ju dhe vendin. Lexojeni mesazhin që po përcjell që në titull:PËR PAK GJË, SHUMË PAK, HUMBNI DHE NA HUMBNI NDERIN…

Athinë, 9 korrik 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, athine

ETHET E GLOBALISTËVE PËR TË KAPUR DIASPORËN

July 9, 2020 by dgreca

NGA VALENTIN LUMAJ/

Diaspora shqiptare po rritet dita ditës falë tkurrjes së popullsisë në vendin amë.  Shqipëria, krahas rekordeve të saj negative, ka arritur edhe një record tjetër, është i vetmi vend në botë me Diasporë më të madhe sesa vetë populllsia e mbetur në atdhe. Sidoqoftë, lidhja reale dhe përfaqësimi i Diasporës në jetën politike të Shqipërisë ka qenë ne nivelin 0. Kur e pyetën ministrin e diasporës Majko, në një vizitë në Michigan se pse nuk realizohet përfaqësimi i Diasporës në qeveri dhe parlament, ai në një moment ndershmërie u përgjigj: “Po të marrim kontigjent nga diaspora në qeveri dhe Parlament, ata do na japin te pijmë ujë me bisht të lugës”. 

Në fakt Diaspora dhe në vecanti Vatra, si organizimi shoqëror më i madh dhe më i vjetër i shqiptarëve në SHBA, në vazhdimësi ka paraqitur kërkesën për të votuar dhe për përfaqësim, kërkesa të cilat janë shpërfillur në të njëjtën vazhdimësi. 

Propozimi më i fundit për votën e Diasporës, në fakt vjen nga ashtuquajturi Këshilli Kordinues i Diasporës. KKD-ja është krijuar në qershor të vitit 2018. Duke u bazuar ne vendimin e Kryeministrit Rama, Nr. 340, datë 06.06.2018, në lidhje me rregulloren funksionimit të KKD-së, të 15-të anëtarët e tij janë të përzgjedhur nga Ministri i Diasporës dhe të miratuar nga Kryeministri.  Pika 9 e këtij vendimi thotë: “Në vijim të propozimeve të ardhura, ministri përgjegjës për diasporën përzgjedh 15 kandidatët për anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës, dhe ia përcjell për miratim Këshillit të Ministrave”. Pra, në shek. e 21-të, nga Amerika dhe Evropa, vende këto me demokraci të konsoliduar dhe me një Diasporë të integruar, aplikohet metoda e përzgjedhjes.

  • Pikësëpari, vetëm nga ky nen, me deficit të madh demokratik, mbasi shkelet me këmbë e drejtademokratike për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur dhe zyrtarizohet autoritarizmi, e bën këtë Këshill ilegjitim. Ky Këshill është mirëfilli një zgjatim artificial i qeverisë por jo përfaqësues i Diasporës. Përderisa nuk është zgjedhur nga Diaspora por i përzgjedhur nga z. Rama, ky Këshill nuk mund të përfaqësojë Diasporën. 
  • Pikësëdyti, në vendimin e kryeministrit Rama Nr. 195, datë 05. 04. 2019, për 

miratimin e anëtarëve të këshillit koordinues të diasporës, pika 1, thotë: “Z. Mark Gjonaj –Kryetar i Këshillit, përfaqësues nga diaspora e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

Po ta verifikojmë, na rezulton se Z. Gjonaj, nuk vjen nga Diaspora e Shqiperisë e as e Kosovës. Z. Gjonaj është me origjinë nga Ulqini dhe i lindur në NY, me fjalë te tjera i bie të vijë nga Diaspora e Diasporës. Si i tillë atij nuk i lind e drejta që të përfaqësojë Diasporën.

  • Pikësëtreti, a ka bërë ndonë takim apo konsultim me Diasporën ky Këshill qysh nga 2018, dhe sa takime kokë më kokë apo virtuale ka kryer me Ramën z. Majkon? 
  • Pikësëkatërti, në qoftë Gjonaj në një letër drejtuar Presidentit Trump, flet në emër të mbi një milion shqiptarëvë të Amerikës, si ka mundesi që në Peticionin për votën e Diasporës mblodhi vetëm 2700 firma ose 400 herë më pak?
  • Pikësëpesti, po t’i referohemi listës së atyre të cilët kanë firmosur Peticionin për votimin e Diasporës, shumica e tyre nuk kanë prejardhje nga Shqipëria, me një fjalë nuk kanë asnje lidhje apo interes direkt për të votuar në Shqipëri, gjë e cila e bën edhe më të dyshimtë këtë nismë.
  • Pikësëgjashti, Këshilli Kordinues i Diasporës, a ka dhënë ndonjë kontribut apo mbështetje në favor organizimeve të Shoqatave të ndryshme apo të kandidatëve shqiptarë për poste të rëndësishme në SHBA, po marr një shembull Marko Kepin, ish-kandidat republikan për në Këshillin e shtetit të New York-ut?

Nëpërmjët KKD-së, Rama ka veshur lëkurën e dhisë dhe po kërkon të futet në Diasporë me “këmbë të bardhë” dhe në mënyrë djallëzore të ketë nën kontroll Diasporën. Por z. Rama ka frigë, ai nuk është në gjendje të vijë vetë të takohet hapur me shqiptaro-amerikanët, përderisa mbi shpinë ka thesin e mashtrimeve dhe të këqijave që i ka shkaktuar shqiptarëvë në këto 7 vite, për të mos thënë 20 vite. Prandaj ai po përdor “pykat” e tij, të cilat po nëpërkëmbin indegritetin e Diasporës dhe nëpërmjet tyre po tenton të luaj strategjinë e vjetër, “përçaj dhe sundo”. 

Në faqen e këtij Këshilli, shohim se një nga përkrahësit kryesorë te Peticionit të votës së Diasporës është organizata Germin me kryetar Mark Kosmo, e cila promovon lidhjet e Diasporës së Kosovës më shtetin amë. Eshtë i dyshimtë integriteti dhe qëllimi i mbështetjes së Germin ndaj këtij Peticioni, mbasi anëtarët e të cilit, asnjë nuk janë të prejardhur nga Shqipëria. Unë shtoj pyetjen; a ka influencuar Germin me anëtarësinë e vet në mbështetje të firmosjes së peticionit?

Nuk është rastësi që kryetari i KKD-së, Gjonaj dhe kryetari i Germin,  Kosmo, janë nismëtarë dhe përpilues të letrës protestë të drejtuar Presidentit Trump. Kjo letër kishte për qëllim denigrimin e figurës së Presidentit Trump përpara komunitetit shqiptar në SHBA në prag të zgjedhjeve, dhe për rrjedhojë të ndikojë në humbjen e Presidentit në zgjedhjet e Nëntorit. Pra, ka nje nderthurje midis KKD-së dhe Germin.

Po ashtu, për mua nuk ishte rastësi as mbështetja pa dorashka e ambasadores shqiptare në Washington për kandidatin demokrat Engel, ndërsa Deni Hoxha, një shqiptar anti-shqiptar, i cili me shpifje e sajime sulmoi kandidatin republikan Marko Kepi dhe figura të tjera të djathta. Kepit iu lidhën akuza të paqëna, vetëm për faktin se është një republikan patriot dhe i ndershëm.

Më tej shikoj shumë interesant “Programin për Zhvillimin e Diasporës për vitet 2018-2024”, në faqen e Ministrit të Diasporës. Në faqen e parë shkruhet: “Kombi ka ndryshuar kuptimin…”, se “Globalizmi është një sfidë e kërkuar nga shqiptarët në histori” dhe se “Identiteti kombëtar në globalizëm është cilësi që ndryshon nga lëvizja si e tillë”.

Çfarë nënkupton Majko kur thotë se kombi mijëra vjeçar shqiptar ka ndryshuar kuptimin? Ku bazohet ai kur thotë se shqiptarët historikisht kanë kërkuar globalizmin. Z. ministër i buzëqeshjes, harron se dy milionë shqiptarë të ikur pas-viteve ’90 janë direkt viktimat e tij. Ata janë detyruar të braktisin Shqipërinë nga mungesa e shpresës dhe sigurisë dhe jo në kërkim të globalizmit të tij. Sipas Majkos identiteti kombëtar në globalizëm ndryshoka, se ne që kemi lënë atdheun për babëzitë e tij, e paskemi humbur identitetin! Ministri Majko duhet t’a kuptojë se Diaspora shqiptare nuk e humbet aq kollaj identitetin, se ne nuk jemi globalistë që juve keni shumë dëshirë të na tjetërsoni, po jemi patriotë dhe nacionalistë të vërtetë dhe duke qenë të tillë e duam Shqipërinë dhe kombin më tepër se ju që e drejtoni. Juve dhe shpura juaj socialiste në qeveri dhe ndonjë në Amerikë apo gjetkë, si trashëgimtarë të denjë të komunizmit famëkeq jeni gabimi më i madh i shoqërisë moderne shqiptare. Vendi juaj në historinë e Shqipërise do të jetë ne kapitujt e turpit. 

I mblodha aty-këtu këto grimca faktesh, të cilat në dukje nuk kanë ndonjë lidhje kronologjike dhe mund mos të kenë, por njëfarë lidhje logjike kanë. Sipas perceptimit në Diasporë këtu, por edhe fakteve, Gjonaj i shërben kryeministrit Rama, Germin i shërben Soros-it, Deni Hoxha i shërben Veliaj-t dhe Soros-it, Ambasadorja i shërben  Kryeministrit Rama, Majko po ashtu Rames dhe Soros-it, që do të thotë se të gjitha fijet të çojnë tek Rama dhe Soros.

 Nga zbërthimi i kësaj nyjeje, lindin pyetjet: A po përdoret Diaspora Shqiptare në SHBA nga Soros nëpërmjet Ramës dhe pykave të tij të influencojnë në rezultatin e zgjedhjeve Presidenciale në SHBA? A po  bëhet indoktrinimi, identifikimi përfaqësimi gradual i Diasporës së Amerikës në favor të radikalëve të majtë dhe internacionalizmit proletar me emër të ri, Globalizëm?

MENDOJ SE KA ARDHUR KOHA QË DIASPORA TË REAGOJË FUQISHËM KUNDËR KËTYRE PËRPJEKJEVE MANIPULATIVE TË ARGATËVE TË SOROS-IT. NË QOFTË SE NUK ORGANIZOHET, DIASPORA DO T’A HUMBI KUPTIMIN, ROLIN DHE MISIONIN E SAJ.  ÇAKENJTË E POLITIKËS DO T’A PËRDORIN, SHQYEJNË DHE COPËTOJNË, SIKURSE KANË BËRË DHE PO BËJNË ME SHQIPËRINË DHE KOSOVËN. 

E SOTMJA PO PUNON PËR SHQIPTARËT, E NESËRMJA MUND TË JETË VONË. DIASPORA DUHET QË TË KAPË MOMENTIN E SAJ HISTORIK. ËSHTË KOHA QË TË GJITHA ORGANIZATAT, GRUPIMET DHE SHOQATAT ATDHETARE, TË MBLIDHEN NË NJË TRYEZË TË PËRBASHKËT DHE TË ZGJEDHIN VETË NJË PËRFAQËSI, E CILA TË KETË DINJITETIN DHE TAGRIN QË TË FLASË NË EMËR TË SAJ?  

Si përfundim, një këshillë kam për “puthadorët” e Ramës dhe të Soros-it në Amerikë, që të  heqin dorë nga misioni i tyre për të “çarë” Diasporën, sepse në fund të fundit dhe në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, “pykat” janë ato që do t’i marrin më së shumti goditjet, edhe nga majtas edhe nga djathtas. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ethet e globalisteve, Kapja e Diaspores, Valentin Lumaj

SHQIPTARËT NË GJENEVË QË SHPIKËN KAMERËN TERMIKE QË ZBULON COVID-19

July 9, 2020 by dgreca

Hamzë Jashari,Drejtues i kompanisë “Mirtechologies SA” me seli në Gjenevë rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, sesi arritën në zbulimin e kamerës detektuese për njerëzit e prekur nga Koronavirusi, përmes sistemit te inteligjencës artificiale termike. Me Hamzë Jasharin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

IDEJA E KRIJIMIT TË KAMERËS TERMIKE

Ndërmarrja “Mirtechnologies SA” është një ndër 6 ndërmarrjet në prodhimin e materialeve ushtarake në Zvicër. Ne kishim një sistem termik që është i komercializuar nga Departementi  mbrojtes ushtarake. Me shpëndarjen e Covid-19 në rang global, ishim në diskutime për të sjellur së bashku babain tim Zaim Jashari dhe bashkëpunuesin tonë Sofian Rabhi që të modifikojmë sistemin ton të inteligjencës artificiale ushtarake të kamerës termike në sistem civil me saktësinë më të lartë dhe arritëm të krijojmë sistemin ultrapresi me një rezultat 0.06° grade celsius dhe u klasifikuam numri një në Botë. Kështu që gjithçka lindi si ide nga mbledhja me bashkëpunuesit tonë me qëllim zhvillimin teknologjik dhe përgjigjen në një stad më të lartë inovativ pandemisë globale.

FUNKSIONIMI I SISTEMIT TË KAMERËS ZBULUESE

Ky sistem  ka 3 algoritma të ndryshme. Algoritmi i parë detekton në një largësi prej 50 cm deri në 15 metra dhe një shumë të 50 personave në kohë reale bën matjen e temperaturës (të njejtën kohë bën edhe analizën dhe jep rezultatin e gjitha kjo bëhet me nanosekonda dhe në mënyrë automatike dhe dërgon imazhin në ekran duke lajmëruar po që ka ndonjë nga personat temperaturen mbi 37,50° grade celsius dhe jep alarmin për praninë e virusit te personi i detektuar. Algoritmi i dytë është se sistemi e ka një kamera reale edhe një termike në të njejtin aparat që do të thotë se kryen edhe monitorimin apo ndryshe është edhe kamer sigurie për vëzhgim të zakonshëm në ambjentet ku vendoset. Dhe algoritmi i tretë numëron gjithë njerëzit që hyjnë e dalin nga ai vend ku është instaluar sistemi termik. Pra kjo kamër ka funskione të trefishta. Duke përdorur një algoritëm të përpunimit të imazhit me precizon të lartë, përdoruesi mund të masë temperaturën e trupit të disa njerëzve menjëherë në kohë reale. Ndizet një alarm nëse zbulon një temperaturë mbi normale. Deri sa sot nuk ekziston një sistem termik çka mundet të detektojë temperaturën e njerëzve deri në 15 metra me një precizion të 0,06° gradë celsius në mënyrë totale automatike.

SI U PRIT ZBULIMI SHQIPTAR NË ZVICËR

Ky zbulim termik si fillim në Zvicër u prit me rezerva por më pas të gjitha mediat dhe publiku i gjërë e përqafoi këtë zhvillim teknologjik dhe shtet dhe shoqëria në Zvicër janë krenarë për faktin se një organizatë zviceriane bëri një zbulim të tillë. Kjo nuk është hera e parë që jemi numër një në botë për zbulime dhe modifikime teknologjike në këtë fushë pasi kemi edhe shumë produkte që janë në fushën ushtarake në siguri dhe mbrojtje të sistemeve shtetërore. Deri më tani askush nuk ka mundur të ketë diçka të njejtë apo të përafërt në këtë drejtim pasi kemi të bëjmë me paisje sigurie dhe ushtarake shumë specifike. Ndërmarrja jonë ka akreditimin e shtetit Zvicerian dhe çdo paisje apo mjet që nxjerrim për përdorim të gjërë, është i çertifikuar nga organet kompetente shtetërore në shtetin e Zvicrës.

PAJISJA TERMIKE QË ZBULON GJITHÇKA

Ne kemi sistemin e apareteve termike dhe reale ushtarake ku mund të shohim në një largësi deri në 160 kilometra ultrapresi domethënë të zbulojë njerëz, tanke, vetura civile, drona, aeroplana, helikoptera, të dimë pozicionin GPS, të dimë shpejtësinë e lëvizjes dhe në kohë reale të lajmërohet komanda e bazës ushtarake dhe Ministria e Mbrojtjes duke pasur në ekranin e tyre në zyrën e tyre imazhet se çfarë po ndodh  në 160 kilometra (ky sistemi përdoret sidomos për mbrojtje të kufijve ajrëore dhe tokësore). Pastaj kemi sistemin “mirface” që është një sistem detektues i fytyrës i vetmi sistem që ka 2860 pika kontrolli të fytyrës njerëzore dhe që ka dhe kamerën e rrjetë termike dhe mund të dallojë imazhe që askush nuk mund ti dallojë apo maskat reale të cilat asnjë kamer nuk i zbulon falë sistemit tonë ne mund ti zbulojmë 100%. Në memorie të kamerës termike mund të vëmë me miliarda persona dhe kudo që ta shikon sistemin tone  në rruzullin tokësor do ta identifikojë dhe mundet te ruajë imazh për një kohë të caktuar sipas ligji i shtetit ku instalohet sistemi per mbrojten e imazhit të njerëzve. Kompania jonë ka nxjerrë në pahe edhe robotin MaxBot për deminimin të vendeve të minuara etj. Synimi ynë në vazhdim është të depërtojmë dhe të jemi në tregun botëror që në të ardhmen të jenë edhe shpikjet dhe arritjet tona teknologjike e produktet tona në katalogun tregëtar në NATO. Deri në momentet që flasim kemi arritë të kemi në kë katallog 2 aparate tonat. Kemi dërguar produktet tona në  ITU (International Telecomminication Union), Ambasada të ndryshme dhe nëpër disa njësi tregtare  publike dhe private, shumë ndërmarrje të mesme. Jemi në bisedime me qeverinë Zviceriane për vendosjen në të gjitha vendet puplike si p.sh. (Aeroporte, Spitale, Shkolla, Qëndra Tregtare, Ndërtesa Qeveritare dhe Ministeriale, Hotele etj). Gjithçka varet nga zhvillimi i pandemisë Covid-19. Kompania jonë ka në gjirin e saj edhe akademikë dhe ekspertë ndërkombëtarë në fushën e robotikës dhe inxhinierisë me vizion termik të gjithë produktet e tona janë të provuar në Zvicër dhe janë të rinjoftuar nga Konfederata e Zvicrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Hamze Jashari, Kamera detektuse, Mirtechologgies, Sokol Paja

Pasqyrime lashtësie

July 9, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Njeriu kurrë nuk është i plotë, gjithmonë i mungon diçka. Por mjafton të ketë pranë një libër, një vëllim të Homerit, për shembull, dhe të ndjehet i përmbushur. Aty rapsodi përshkruan 10 vite luftë e 10 vite paqe, ose çfarë nuk duhej të kishte ndodhur që disa heronj të mos provonin fundin e hidhur të rrugës së kthimit.Por nëse të gjithë njerëzit do të jetonin thjeshtë, të panjohura do të ishin edhe vjedhjet, grabitjet e korrupsioni. Këto ndodhin vetëm në komunitete ku disa kanë marrë më shumë sesa është e mjaftueshme, ndërsa të tjerët nuk kanë mjaft – “Ju që drejtoni punët publike, çfarë nevoje keni për të zbatuar ndëshkime? Duajeni virtytin dhe njerëzit do të jenë të virtytshëm. Virtytet e një njeriu superior janë si era; virtytet e një njeriu të zakonshëm janë si bari – bari, kur era kalon mbi të, përkulet”, kështu thotë një shprehje homerike.Poezia dhe mitologjia antike sugjerojnë, se puna ishte dikur art prandaj nuk duhej bërë me nxitim, a shkel-e-shko. Sot, synimi nuk është puna, as arti, por mjafton që prej tyre njeriu të sigurojë të ardhura të shumta.Asnjë nga ne nuk është i lirë, për sa i përket tokës, pronës, ose pasurisë; kryesisht, peizazhi është deformuar. Njeriu e njeh Natyrën, hynë në të’, por si vjedhës, jo si mik. “Terre e Cere” thonin romakët e lashtë për “Tokë e Korrje”, ku dielli kalonte në fushat, në kodra dhe pyjet pa asnjë dallim; të gjithë pasqyronin dhe thithnin rrezet e tij njësoj; toka kultivohej në të njëjtën mënyrë si një kopsht; prandaj drita dhe nxehtësia e diellit duheshin marrë, si me besim edhe me madhështi, njësoj.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Pasqyrime lashtësie

Ku je, Pjetër Arbnori!

July 9, 2020 by dgreca

Në foto Pjetër Arbnori dhe Elida Buçpapaj në redaksinë e gazetës Bota Sot në Zürich./

U mbushën 14 vjet prej kur pushoi së rrahuri zemra e Pjetër Arbnorit.

Zemra e një martiri, e një njeriu që luftoi në çdo çast të jetës për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Edhe përgjatë 28 viteve në burg, si i burgosur i ndërgjegjes!

Pjetër Arbnori, Mandela i Ballkanit, është shembëlltyra e krimeve të regjimit diktatorial!

Sepse hyri në burg 26 vjeç e doli prej burgut 54 vjeç!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Thërras pa zë, me këtë apelativ që bën jehonë pasi sot më tepër se kurrë Pjetër Arbnori i duhej Shqipërisë!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Me e çue në këmbë atë shqiptari që po zvarritet e nuk po çohet dot në këmbë!

Sepse nuk beson tek ata që e mashtruan!

Kemi patur fat të njihemi me Pjetër Arbnorin. Skënderi ka bashkëpunuar me Pjetrën kur ishte në krye të RTSH, unë si gazetare.

Pas 1997 kur u vendosëm në Zvicër dhe kontribuonim tek Bota Sot, Pjetër Arbnori ishte miku i gazetës që ngrinte në këmbë kombin!

Sa herë do të vinte në Zvicër, do ta intervistoja, gjerë e gjatë. Intervistat botoheshin me vijime dhe bëjnë një libër të veçantë.

Pjetër Arbnori ishte njeriu i urtë, pajtues, paqebërës; njeriu i sakrificave, i burgjeve, por edhe i grevës 21 ditore të 1997, kur shkoi afër vdekjes për hir të lirisë të fjalës; ishte njeriu që kishte përjetuar deri në kockë persekutimin e regjimit komunist, por që shihte përpara, pa bërë koncensione me të vërtetat; Pjetër Arbnori ishte shkrimtari, njeriu i letrave, me zemër të ndjeshme, që diktatura ia vrau rininë, por kurrë jo humorin shkodran dhe inteligjencien. Do të mbetet i paharruar si kryetari i Parlamentit të Shqipërisë prej 1992 deri 1997, që e ka drejtuar në mënyrë virtuoze, si një personalitet me vizion kombëtar.

Tridhjetë vitet e burgut nuk e bënë hakmarrës, përkundrazi e bënë që të jetë një nga themeluesit e parë të pluralizmit politik në Shqipëri.

Jo si shumica e klasës politike që vinte nga zyrat e diktaturës dhe e shihte demokracinë si shans për t’u pasuruar!

Ku je, Pjetër Arbnori ?

Politikani me integritet tek i cili besonin shqiptarët!

Për herë të fundit, jemi dëgjuar me telefon me Pjetrën, kur u përhap lajmi se e kishin emëruar Ambasador në Vatikan!

Ishte shumë pak për formatin e tij, por megjithatë Pjetër Arbnori e kishte pritur mirë këtë lajm.

Që në fakt nuk ishte i vërtetë.

Merreni me mend, në zgjedhjet e 2004, Pjetër Arbnori nuk ishte deputet i PD.

PD kishte përfshirë në listat, rrënimtarët e saj, por jo Pjetër Arbnorin.

Është veprimi i parë eksplicit i lidërshipit të PD për rrëshkitjen nga obligimet si parti e qendrës së djathtë!

PD e tradhtoi Pjetër Arbnorin, ndërsa Pjetër Arbnori ishte dhe mbetet simboli i pluralizmit politik shqiptar!

Ku je, Pjetër Arbnori!

Atje prej Parajse zgjoje ndërgjegjen shqiptare prej dal prej burgut të indiferencës, sepse nuk ka pasuri më të madhe se liria!

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Pjeter Arbnori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 485
  • 486
  • 487
  • 488
  • 489
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT