Shfletojme Historine e Vatres:KËSHILLA KOMBËTARE
Nga “Historia e Federatës Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit/
Duke parë se afroj ora më kritike për çështjen shqipëtare, javën e tretë të Nëntorit 1918 Vatra u-dërgoj nga një qarkëtore degëve të saj dhe i këshillonte të bëjin mbledhje të posaçme që të zgjithjin nga një delegat të zotin për në kuvënt të pazakontë që do të mblidhej në Boston për së shpejti. Me 11 t’atij muaji u-bë Armëpushimi dhe mori funt Lufta e Parë e Përbotëshme n’Evropë. Komisioni Qendral u-bëri një thirrje patriotike Shqipëtarëve t’Amerikës që të mblidheshin rreth Federatës Vatra, dhe me anën e saj të gjithë të bashkuar të nxirjin një zë të fortë në Konferencën e Paqës për të drejtat kombëtare të Shqipërisë.
Përveç dy degëve të riorganizuara, e Chicago-s dhe e Syracuse-it, në pakë dit’e sipër u-filluan dhe pesë degë të ra: në Portsmouth, N.H., Në Erie dhe Branddock, Pa., në Barberton dhe Niles-Youngstown, Ohio.
Duke parëshikuar se do t’i shtoheshin përgjigjësitë për çështjen e Shqipërisë dhe do të kish nevojë për fonde financiare më tepër, Vatra u-bëri thirrje gjithë Vatranëve që t’i jepjin edhe një sulm të ri Fushatës “Dita Tri Qershor” për Shpëtimin e Shqipërisë.
Vatra priste informata nga kryedelegati i saj në London Mehmed Konitza se si dukeshin punët e Shqipërisë pas pushimit të luftes, q’ashtu të dinte se ç’masa munt të mirte kuvëndi që pritej të bëhej për së shpejti. Dhe ay, Mehmed Konitza, kish shkuar në Shqipëri ato ditë që organizoj Kongresin e Durrësit dhe u-formua Guverna Provizore nënëe kryesin’ e Turhan Pashës. Me gjith’ato, koha nukë priste dhe u-vëndos mbajtja e kuvëndit.
Të Dielën me 29 Shën-Ëndre 1918 u-mbloth kuvëndi i Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, dhe u-përfaqësuan 51 degë të regullshme të Federatës VATRA. Çairman i atij kuvëndi me rëndesi u-zgjoth Dennis J. Kambury, delegat’ i degës Nr. 69, Niles-Youngstown, Ohio, e cila s’kish pakë javë që ish themeluar. Sekretar i kuvëndit u-zgjoth Loni Kristua, delegat i degës Lynn, Mass., dhe raporter u-zgjoth Kostë Hotova, Delegat i degës Albany, N. Y.
Kuvëndi vazhdoj një javë, mbajti XV (15) sesione gjithësej, dhe mbaroj duke bërë miaft punë me rëndësi për të mirën e Shqipërisë. Në sesionin e 5-të u-leçit një Memorandum i bërë dhe i nënëshkruar prej klerit orthodhoks shqipëtar t’Amerikës, dhe u-prit me të trokitura duarsh të nxehta nga delegatët e kuvëndit. Memorandumi hidhtë poshte çpifjet dhe tëndencat e Grekëve edhe të grekomanëve të vëndit që thoshin se “Shqipëtarët e kërshtërë orthodhoksë duan bashkimin e tyre me Greqinë”! Kish shumë Epirotë që vërtet atë dëshirojin, të cilët ishin vërbuar nga propaganda e Grekëve fanatikë. Për atë shkak Shqipëtarët qenë goditur dhe gjakosur me Epirotët në mbledhjet e tyre në Boston.
Memorandumi u-bë sipas kërkimit dhe pëlqimit të Vatrës, dhe u-nënëshkrua nga këta klërikë orthodhoksë shqipëtarë: At Fan Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Çamçe. Pastaj ay Memorandum j’u dërgua Presidentit Woodrow Wilson në Washington, edhe Kryeministrive të Fuqive të Mbëdha n’Evropë.
Kuvëndi e gjeti të nevojshmë shtuarjën e delegatëve të Vatrës, dhe emëroj keta: Dr. Charles T. Erickson, Rasim Bej Dino, Anselmo Lorechia (drejtor i gazetës “Kombësia Shqipëtare” që diltë në Romë), dhe Faik Konitzën me Sotir Pecin si delegatë nderi. Faik Konitza ahere u-lëshua nga guverna Austriake passi u-munt nga Aliatet dhe e humbi luftën. Bashkë me Faik Konitzën ishin t’internuar në Vienë dhe Kolonel Zogu me Fazlli Frashërin, dhe kur u-lëshuan nga internimi ata të dy shkuan në Shqipëri dhe Faik Konitza vajti në Romë, i cili hyri prapë në shërbim të Vatrës si delegat i saj.
U-vëndos nga kuvëndi që Fan Noli të shkonte në Paris si delegat i Vatrës dhe të punonte me delegatët e tjerë atje. Për n’Amerikë, u-emërua Kostë Çekrezi delegat dhe editor i Revistës “Adriatik”. Dr. Ericksoni qëndroj një kohë të shkurtër në Paris, dhe, me këshillat e Mehmed Konitzës dhe të Dr. Turtullit, Vatra e thirri prapë Dr. Ericksonin dhe e emëroj delegat të saj në Washington bashkë më Çekrezin.
Ay kuvënt votoj me-një-zë sumën prej 120,000 dollarësh që të harxhohesh nga delegatët e Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris edhe gjetkë për të fituar Independencën e Shqipërisë me kufit’e saj ethnografike.
Duke parë se vepërimet e Vatrës u-shtuan tepër dhe s’munt t’u bënte dot ballë Komisioni i Qendrës, kuvëndi e pa t’arësyshme zgjedhjen e një Këshille Kombëtare të përbërë prej 11 anëtarësh, njerës t’aftë për atë punë. Passi kjo çështje u-bisedua mirë prej delegatëve, u-vëndos zgjedhja e Këshilles Kombëtare dhe u-proponuan shumë njerës miaft të zottë, po me shumësin’e votave fituan këta:
Dennis J. Kambury, Paskal Aleksi, Shefki Aliko, Kristo Kirka, Kostë Hotova, Kosta Issak, Bahri Omari, Xhevat Harxhi, Anastas Pandele, Loni Kristo dhe Thimi Hondro.
Regullore e Këshillës: (1) Këshilla Kombëtare kish fuqin’ e një kuvëndi dhe jipte përfundime mi punët e Vatrës vetëm në çështjet politike. (2) Fuqia e Këshilles ish gjër në kuvëndin e regullshmë të Vatrës. (3) Anëtarët e Këshillës të zgjidheshin nga anëtarët e Vatrës me votim të kuvëndit. (4) Këeshilla Kombëtare thirrej në mbledhje kur ish nevoja nga kryetari i Vatrës, i cili e kryesonte gjër sa zgjidhej çairmani nga anëtaret e Këshillës. (5) Komisioni i Vatrës ish pjesëtar i Këshillës Kombëtare, sikundër dhe delegatët e saj n’Amerikë, po s’kishin të drejtë të votojin në bisedimet dhe vëndimet e Këshillës, natyrisht munt të pyeteshin për gjëra të Federatës që i dijin.
Kuvëndi vëndosi këtë thirrje patriotike për gjithë Shqipëtarët e Amerikës (po vetëm Vatranët përgjigjeshin!):
“Shqipëtarë t’Amerikes! Ardhi koha kritike në të cilën do të gjykohet fati i Shqipërisë. Armiqtë t’anë janë të pasur e të fortë dhe duhet t’u bëjmë ballë. Për të fituar të drejtat t’ona kombëtare duhet t’i lëftojmë këmba këmbës dhe që t’i lëftojmë me efekt na duhen para. Pjesë të çmuara t’Atdheut t’onë janë në rezik dhe tani ështe rasja t’i çkëputim nga duart e armikut. Ndihni pra më dorën plot dhe pa kursyer që t’a fitojmë Shqipërinë e madhe, plotërisht independente me Kosovën , Çamërinë dhe gjithë krahinat e tjera fjesht shqipëtare, dhe të rojmë të lirë, të lumur dhe kryelartë nënë hien e Flamurit të Skënderbeut. O burrani!”
Në sesionin e fundit, Kuvëndi i Pazakontë bëri dhe votoj me-një-zë nga gjithë delegatët Rezollutën që shënojmë ketu më poshtë, dhe u a dërgoj guvernave të Fuqive të Mbëdha: t’Amerikës, t’Inglisë, te Francës, t’Italisë dhe të Japonisë.
REZOLLUTA:
“Delegatët e Federatës Pan-Shqipëtare të Amerikës VATRA, të mbledhur në Kuvënt të Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, vëndosnë me 4 Jenar (1919) t’u bëjnë një thirrje Guvernave t’Amerikës dhe të Fuqive Aliate për rivëndosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë;
Për ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat fjesht e kryesht shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen
Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Jakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës;
Për një Plebesitë në viset e përmëndura më sipër, i cili të bëhët pas zaptimit të këtyre vëndeve prej ushtrisë Amerikane që kështu të shigurohet çfaqja e lirë e dëshirave të ndenjësve; dhe
Për qasjen e delegatëve Shqipëtarë në Kongres të Paqës për të shtruar dëshirat dhe kërkimet e kombit Shqipëtar para se të vëndoset fati i Shqipërisë.”
Delegatet e atij kuvëndi me rëndesi, duke nisur nga Dega Nr. 1, Boston, Mass., dhe gjër të Dega Nr. 70, Barberton, Ohio, qenë këta:
Vasil Naso, Loni Kristo, Lazar Selenica, Kosta Issak, Ilo Pano, Pandi Vodica, Stathi Suli, Foqion Postoli, Paskal Aleksi, Arif Hiqmeti, Guri Filip, Muke Permeti, Vasil Bradvica, Mihal Kosmo, Kostaq Lepcishti, George Luarasi, Evan Elia, George Konda, Luka Trebicka, Xhevad Harxhi, Shaban Halil, Kosta Progri, Dhimitri Sido, Shefqet Frashëri, Thimi Hondro, Ligor Panajoti, Koço Grameno, Sulejman Hysen, Sotir Treska, Kost Hotova, Reis Asllan, Dr. Kondi, George Qafzezi, Ibrahim Bitincka, Kosta Pano, Qani Shehu, Luka Lasko, Hysen Leskoviku, Xhafer Starja, Isuf Maleshova, Anastas Pandeli, Nasi Aristidhi, Abas Kamenica, Sinan Lekdushi, Dennis J. Kambury dhe Isuf Vincani.
Çairmani u dha leje delegatëve të çfaqjin mendimet e tyre më parë se të mbyllte kuvendin. Me atë rast, shumë delegatë mbajtnë fjalë patriotike për independencen e plottë të Shqipërisë e cila ish e gjakosur, e djegur nga luftrat, e shtypur nga fqinjët, dhe me kufire të krasitura. Delegatet gjith’ashtu folën me emfaze për bashkimin e gjithë Shqipëtarëve t’Amerikës rreth Federatës VATRA, q’ashtu t’i bëhej ballë rezikut të Shqipërisë nga fqinjet e saj të cilet po i mprehjin thiket e tyre për t’i prerë kokën, se këmbet dhe krahet ja prenë duke i marë Kosovën dhe Çamërinë. Për fatin e zi të Shqipërisë, përçarja e Shqipëtarëve vazhdonte, dhe shpresa për bashkimin e tyre ish fare e pakët, sido që Shqipëria po jipte shpirt.
Për shëmbell, passi mori funt lufta e madhe n’Evropë dhe ish nevoja për punë kombëtare, Shqipëtarët e Shteteve Ohio, Michigan dhe Pennsylvania deshnë të bëjin një mbledhje dhe paradë të madhe n’Akron, Ohio. Po Kryekatundari (“the Mayor”) nuk u dha leje të paradojin në ruget e qytetit. Shkaku? Ay tha: “Juve e kini flamurin të kuq, dhe populli do t’a marë për flamur të Bolshevikëve dhe ashtu do të ndizet shamata në rugët e qytetit”! Po s’qe ay shkaku, e vërteta është se vanë Grekët që i thanë kryeplakut të qytetit t’a ndalonte mbledhjen e Shqipëtarëve, dhe ay i dëgjoj për interesin e votave se ata ishin me shumicë n’atë qytet.
Pas asaj ngjarjeje, Shqipëtarët vanë në Pittsburgh, Pa., që e bënë mbledhjen edhe paradën e madhe. Atje gjetnë përkrahje nga disa zyrtarë të qytetit, dhe nga policia. Komisioni që pregatiti atë mbledhje ftoj Vatrën dhe “Partinë Politike” që të dërgojin përfaqesonjësit e tyre. Vatra dërgoj Kostë Çekrezin, dhe “Partia Politike” dërgoj Kristo Dakon.
Pas paradës, u-bë mbledhja në një sallë të madhë të një binaje të lartë të qytetit. Ishin në mbledhjen jo më pak se 1,000 Shqipëtare t’ardhur nga kollonira të ndryshme të shteteve që shënuam më sipër. Mbledhja vëndosi bërjen e një Rezollute që t’u dërgohej Fuqive të Mbëdha për të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Rezolluta u-bë dhe u-pëlqye nga mbledhja, po duhej nënëshkruar edhe nga përfaqësonjësit e Vatrës dhe të “Partisë Politike.”
Kristo Dakua refuzoj t’a nënëshkruante Rezollutën, ay thosh se “Vatra donte protektoratën e Italisë në Shqipëri”, dhe s’desh të bashkëpunonte me përfaqësonjësin e saj Kostë Çekrezin. Dakua e bazonte akuzimin e tij në vajtjen e kryetarit të Vatrës Kol Tromarës nj’a dy herë në Washington që bashkoj ambassadorin e Italisë, po akuzimi i tij nuk u-vërtetua.
Populli u-mërzit nga ajo sjellje, dhe kërkonte nënëshkrimin e Rezollutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u-ngrit një Vatran i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i math gjashtë këmbë e ca i gjatë, qe u-vajti pranë tyrë dhe u-tha: “Jemi mbledhur sot këtu për një qellim të shëntë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënëshkruajeni atë Rezollutë se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja”! Dhe e zuri Flamurin më dorë qe e puthi. Më në funt, passi shikuan penxheren që ish katër patoma lart nga ruga, u-bintnë të dy “kundërshtarët” dhe e nënëshkruan Rezollutën.
Kuvëndi i Vatrës u-hap të Dielen me 29 Shën-Ëndre 1918, dhe Kongresi i Durresit u-mbloth me 25 te muajit, katër ditë më parë. Nje nga organizatorët kryesorë t’atij Kongresi që delegati i Vatrës Mehmed Konitza, i cili bashkë me Myfit Be Libohovën vanë nga Roma në Durrës, të dërguar për atë qellim nga ministri italian i punëve të jashtme Baroni Sonino.
Mehmed Konitza lajmëroj Vatrën me kabllogram për formuarjën e guvernës provizore të Durrësit nëne kryesin’ e Turhan Pashës. Me 25 Jenar 1919, Komisioni i Vatrës pati mbledhje. Mbledhja vazhdoj dy ditë, të parën u-kënduan disa telegrame të dërguar nga miq të huaj Filoshqipëtarë, dhe raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Gjith’ashtu u-këndua një kabllogram nga Turhan Pasha, kryetar’ i qeverisë provizore të Durrësit. Në përgjigjjën që i ktheu Vatra, i zotohej se do t’i jipte përkrahjen e plottë qeverisë së tij.
Nga ana tjatër, Vatra falënderoj Guvernën Italiane për përkrahjen që i dha Kongresit të Durresit, dhe i lutesh qe t’i jipte përkrahjën qeverisë shqipëtare në Konferencën e Paqës për të fituar independencën e plottë të Shqipërisë.
Është fakt që vërtet guverna italiane e përkrahu bërjen e Kongrësit të Durrësit, po me dy zemera nga frika se munt të gjënte kundërshtime nga fqinjët e Shqipërisë. Po gjith’ashtu fakti është se guverna italiane një mot më von u-përpoq t’a ndalonte Kongresin e Lushnjes, po nuke mundi dot. Do të flasim shkurtazi mi këtë pike kur të vemi atje.
Në mbledhjen e dytë, të nesërmen me 26 të muajit, Komisioni vëndosi t’i dërgoheshin 5,000 dollarë delegatit të Vatrës Mehmed Konitzës në Romë. Gjith’ashtu n’atë mbledhje u-emërua Kostë Hotova si konferencier i Vatrës që dolli nëpër kollonitë shqipëtare t’Amerikës, për t’u dhënë dritë Vatranëve mi veperimet e Vatrës për çështjen shqipëtare.(Ne foto: Komisioni themelues i Vatres)
Heshtja që flet bukur me shqisën e penelit….
Nga Raimonda MOISIU/
Pikturistja e talentuar Lidia Capa, vjen nga shtresa e Personave me Aftësi të kufizuar, ajo nuk flet dhe dëgjon. Por kjo mungesë aftësie, ku realiteti i zhurmshëm nuk depërton te ajo, nuk e ka ndaluar atë që të sfidojë në jetë, të shprehet bukur nëpërmjet talentit dhe pasioni për pikturën, nëpërmjet ngjyrave që ajo me penel në dorë hedh “fjalët”, që asaj i mungojnë në botën e saj. Situtata më mbresëlënëse ka qenë ekspozita e parë më mbështetjen e Zonjës Liri Berisha. Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ditë që përkonte edhe me 25 vjetorin e Artistes, -Lidia me mbështetjen e familjes dhe shoqërisë celi ekspozitën “Heshtja flet”, dhe promovoi pikturat e saj. Morën pjesë shumë prej figurave të njohura nga bota e artit, letrave shqipe dhe jetës social-ekonomike politike e kulturore të shoqërisë shqiptare. Ja si shprehet intelektuali e politikani Arben Malaj, pjesëmarrës në këtë ekspozitë: “Lidia është një nga pak shëmbujt e përkyer që na tregojnë se si vullneti dhe pozitiviteti mposht cdo kufizim edhe kur padrejtësisht një person mund të ketë kufizime të ndryshme. Lidia nuk flet dhe nuk dëgjon, por ajo është një piktore e talentuar. Lidia flet shumë bukur me pikturat e saj dhe dëgjon shumë mirë kur tregon se cfarë mesazhi përcjell me artin e saj”.
Edhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, e pranishme në Ekspozitën e 25-vjeçares me aftësi të kufizuar, por shumëë të talentuar, Lidia Capa, të titulluar “Heshtja që flet” ishte befasuar nga kolori i ngjyrave plot jetë, shpresë e optimizëm, ndërsa rektori i Akademisë së Arteve z.Petrit Malaj, i cili e ka njohur Lidian që në moshë të re dhe ka ndjekur atë hap pas hapi në artin e pikturës, njohës mbresëlënës i sukseseve të saj, u shpreh se ai dhe institucioni që drejton do të mbështesin gjithmonë Lidian. Për më shumë ndiqni intervistën.
-Zonjusha Lida, jeni diplomuar në Akademinë e Arteve. Cila është eksperienca tuaj më e preferuar si një artiste, në Skulpturë apo pikturë?
Po është mëse e vërtetë që jam diplomuar në Akademin e Arteve, biles kam mbaruar edhe Masterin. Të dyja janë degë të bukura, pak më e vështirë është skulptura për delikatesën femërore. Nëse dëshiron të jesh piktore e mirë duhet të jesh më parë skulptore e mirë. Këtë ide ma mësoi xhaja im Dashi, si një nga zgjedhjet e mia të para. Kjo më bëri më pas që unë vendosa të mos i ndahem penelit e t’i përkushtohem artit të bukur të pikturës .
-Cfarë do të thotë për ju të bësh skulpturë? Po pikturën! Ku qëndron ndryshimi mes të dyjave, që janë pjesë e artit?
Të bësh skulpturën është pak vështirë, sikundër e theksova më lart. Do punë e përkushtim, me procese të ndryshme kohore.Ndërsa piktura gati është e përcaktuar në imagjinatën time. Piktura më duket më e leht, ka variacione e bukuri në ngjyra që mund të luash simbas emocioneve e ndjenjave.Ky është mendimi im.
-A mund të më përshkruani lidhjen që ju keni me artet, vecanërisht me pikturën? Pse jeni kaq e apasionuar pas pikturës? Cfarë ju ka inspiruar e motivuar të bëhen artiste në artin e bukur të pikturës?
Lidhja ime me artin është gjenetike. Babai im e ka pas ushtruar e punuar me skulpurë që në rininë e tij.Po ashtu edhe dy xhajat e mij.Ndërsa halla ime që është poeteshë më ka mbështetur dhe inkurajuar me këshillat e saj. E palodhura nëna ime më ka shoqëruar kudo në konkurse dhe ekspozita. Piktura ka qenë për mua gjithshka e munguar tek unë, ka qenë pjesë e jetës, mbushja e ushqimit tim shpirtëror e mendor. Motivet kanë qenë të ndryshme, të kohës e të moshës.
– Cila ka qenë piktura tuaj e parë, tema dhe subjekti i saj?
Piktura ime e parë ka qenë një shtëpi e vogël, në një kodrinë, mes gjelbsrimit, buzë një përroi dhe një varkë pranë. Por nuk ka qene vetëm kjo e para. Shtysa ime ka qenë disi e vecantë; në një ditë me shi dhe unë nuk mundesha të dilja në oborr të luaja me dy kushërinjtë e mij më të vegjël. Kështuqë halla ime na bëri një lojë. Të përfytyronim sikur ishim në klasë në një minikonkurs të improvizuar. Mua më caktuan që të pikturoja dicka , ndërsa ata që dinin dikush të imitontë dikë e dikush të këndonte. Në fund panë të befasuar, që unë kisha bërë një kopje identike me kopertinën e një reviste. Halla e gëzuar sikur kishte gjetur celësin e Aladinit, dhe e mori fletën në dorë dhe me vrap jau tregoi pjestarëve të tjerë të familjes.Që nag ai moment intersant e mbresëlënës u vendos fati im. Te nesërmen u regjistrova te një mësues privat, që të vazhdoja trajnimin me pikturën. Ai e pëlqeu punën time dhe kështu unë më pas vazhdova Liceun me konkurim si të gjithë të tjerët.
-Punimet tuaja të para janë disi të ndryshme nga ato aktualet. A mos në penelin tuaj udhëhiqeni nga vizioni konceptual?
Unë nuk ndjek një linjë, unë eksploroj, unë pikturoj edhe kur jam e mërzitur, edhe kur kam shi brenda meje, edhe kur kam gëzim, unë edhe fantazoj shumë, perdor imagjinatën.Kolorin e ngjyrave e përdor simbas emocionit aktual të gjendjes.
-Nga ju vjen inspirimi në pikturat abstrakte, peisazhe të natyrës, –duke rënë shi, apo borë, lindja apo perëndimi i diellit, deti i qetë apo me valë?
Natyra më pelqen në pikturat e mia, cdo gjë që ka toka më bukurit e saj edhe shiu edhe dimri me ftohtësinë e tij edhe vera me detin, malin. Cdo gjë që ka lidhje me natyrën, më inspiron. Perëndimin shpesh e kam filmuar në ikjen e diellit mbrapa kodrës, me nuancat e tyre të ndërmjetme, pemët që kanë atë madhështi zogjtë kafshët më dhimbsen, jam vetë vegjeteriane .
-Keni piktura që kanë gati të njëjtën mënyrë trajtimi si në fillesën tuaj.Pra jeni shumë e vetëdijshme për sipërfaqen dhe ngjyrat, por kur i shihni mbas një kohe, vini re bojë të pasur dhe material, por duke punuar me të njëjtën teknikë që nuk gjendet në origjinal, pse ndodh kjo?
Mundohem të jem vetvetja, të kem imazhin tim original, sepse edhe bota ime kështu është e vecantë.
-Cfarë stili të artit, do e klasifikoni talentin tuaj ?
Stili i Artit tim është Modern, më pëlqejnë aplikacionet e ndryshme e të tjera si këto.
-Jam kurioze të dij si lindi ideja për të celur ekspozitën që ju promovuat paradokohësh në Tiranë, në Ditën e Personave me Aftësi të Kufizuara? C’mund të na thoni për burimet origjinale të pikturave tuaja?
Ideja ishte se ditëlindja ime përkon me këtë ditë. Kjo më dha mundësinë që ta bëja në këtë ditë, por edhe me rastin e mbarimit të Akademisë e Masterit më duhej të hapja këtë ekspozitë, plus që ditlindja ime ishte përvjetor e kështu u bënë tre mundësi për këtë ekspozitë. Burimet origjinale të pikturave janë ndjeshmëria, talenti, vullneti e dëshira për të qenë dikush në jetë.
-Si ja keni arritur të jeni kaq e sukseshme? Si ia keni dalë që pikturat tuaja janë bërë të mirënjohura e plot talent?
Suksesi nuk arrihet pa punë, pa talent e pa dashuri për atë që do e bën në jetë.
-Kur dhe ku keni lindur? A mund të na tregoni fakte interesante nga jeta tuaj?
Unë kam lindur në Tiranë nga dy prindër shëmbullorë, nga një baba që unë i kam ngjarë në cdo gjë, si nga ngjashmëria fizike. Talentin e kam nga ai të trashëguar. Unë jam vajza e vetme e tyre, mbasi kam pasur një vëlla që e doja e më donte aq shumë sa betohej për kokën time. Jeta ka dhimbjet e saja, dhe mua më goditi në të dyja anët e saja më të errta. Si sprovë më vuri durimin dhe unë luftoj e sfidoj të përballem me të gjitha vështërsitë e saj, e vetme në mes dallgëveqë rrahin cdo ditë të jetës..
-Një moment i vështirë në jetën tuaj?
Moment i vështirë në jeten time, sikundër e përmenda më lart ka qenë ndarja nga jeta me vëllain tim të vetem që e doja si sytë e ballit. Nuk ka më vështirë dhe dhimbje se të humbësh njeriun tënd të vetëm dhe më të dashur e të shtrenjtë të familjes, aq më tepër në prag të martesës, mua më ikën gjysma e gëzimit tim. Ai ishte gjithshka për mua , gjithshka që kishim ëndërruar u shemb brenda një dite, brengë që më duhet ta vuaj gjithë jeten time.
-Një situatë mbresëlënëse?
Situata më mbresëlënëse është një surprizë që ma bëri halla ime me hapjen e ekspozitës time të parë nga prezantuesja Rudina Magjistari, ku të ftuar kishim edhe znj. Liri Berisha e shuëe Artistë të Artit e Kulturës. Në një kohë që jeta ime ishte kthyer mbrapsh, në vetëm gri e pa shpresa, që nga ndarja e vëllait tim të dashur.
-Cfarë këshille do ju jepni artistëve fillestarë?
Artistët fillestarë duhet të kuptojnë a kanë talent. Më pas duhet ta dashurojnë punën me vullnet që të arrijnë sukseset.
-Cfarë po pikturoni aktualisht? Cilat janë projektet e pikësynimet në të ardhmen?
Tani kam disa piktura të pa mbaruara të lëna përgjysëm.
-Cili është mesazhi tuaj optimist, për personat me Aftësi të kufizuara?
Kam dëshirë të filloj punë në mesin e personave me aftësi të kufizuara që të jap shëmbullin tim personal edhe duke u frymëzuar nga sakrificat që bëjnë për jetën e tyre .
-Kush janë artistët-pikturistë famozë të preferuar nga Ju, të huaj e shqiptarë?
– Artistët që me frymëzojnë janë nga e madhja Helen Keler e Dalia dhe shumë artista famozë , librat e të cilëve i kam në komonë time, që miq të ndryshëm m’i kanë dhuruar
Ju faleminderit,
Bisedoi :Raimonda MOISIU
Struga do të binjakëzohet me qytetin e Waterbury në SHBA
* Në korrik kryetari i Waterburyt Neil O Leary, do të vizitojë Strugën/
* Kryetari i qytetit të Strugës zoti Ziadin Sela , me këtë rast pranoi shpalljen për një ditë “Major i Qytetit” nga autoritet lokale , shtetërore , dhe politikanët federalë , në një ceremoni simbolike, ku atij iu dha çelësi i qytetit nga kryetari i Bashkisë së Waterburyt Neil O’Leary , i cili me të drejtë pranoi se komuniteti shqiptarë në këtë bashki ka ndikimin të fuqishm të shqiptarëve etnikë nga Struga në strukturën dhe jetën e qytetit, shkruan gazeta Waterbury Observer /
Nga BEQIR SINA, New York/
WATERBURY – STRUGE : Kryetari i komunës së Strugës, zoti Ziadin Sela po qëndron për një vizitë në SHBA, i ftuar nga komuniteti shqiptar këtu. Ai fillimisht javën e kaluar ka zbritur në qytetin e Waterbury në shtetin e Connecticut, ku është takuar me komunitetin shqiptar të këtij shteti, por edhe me kongresmenë e senatorë amerikan. Sela ka pasur rastin të takoj edhe kryetarin e qytetit Waterbury, ku është theksuar arritja e një marrëveshje të bashkëpunimit. Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela takoi gjatë viztës së tij edhe dy senatorët amerikanë përfaqësues të këtij shteti në Senatin e SHBA-ve, Richard Blumenthal dhe Chris Murphy, me të cilët ka diskutuar për tema të përgjithshme dhe zhvillimet në Maqedoni dhe qeverisjen lokale në komunën e Strugës. Gjithashtu kryetari Sela ka pasur rastin që të falënderoj dy senatorët për gjithçka që SHBA kanë bërë për shqiptarët.
Kurse,në takimin mes kryetarit të Waterburyt Neil O Leary, dhe kryetarit të komunës së Strugës, Ziadin Sela, është diskutuar mundësia e intensifikimit të marrëdhënieve mes komunës së Strugës dhe qytetit të Waterburyt, sidomos ato në fushën e ekonomisë dhe të kulturës, ndërmjet këtij komuniteti i cili përbëhet më së shumti nga struganët.
Bashkëbiseduesit, duke shfrytëzuar këtë rast, vlerësuan praninë e komunitetit shqiptar në SHBA, si një komunitet i mirë-integruar në shoqërinë amerikane. Më tej, ata propozuan një binjakëzim të qytetit të Strugës dhe Waterburyt.
Dhe kjo u realizua dje! Qyteti i Strugës, me rreth 22 mijë banorë, tashmë, sipas gazettes së qytetit me të njëjtin emër është binjakëzuar me qytetin e Waterbury me 110 mijë banorë , qytet që gjendet në jug lindje të shtetit të Connecticut në SHBA-, shkruan sot gazeta amerikane Waterbury Observer.
Waterbury dhe Struga ranë dakord për t’u bërë qytete binjakë , O’Leary pritet të vizitojë Strugën në Maqedoni verën që vjen.
Qytetet si motra si i quajnë këtu në SHBA, kanë një lidhje unike dhe të fuqishme , dhe në këtë frymë , qytetet e Waterbury i shtetit federal Connecticut, dhe Strugës të Maqedonisë, ranë dakord që të bëhen qytete si motra – binjakzim, u tha dje gjatë një takimi midis liderëve të tyre komunale në zyrën e Komunës së Waterburyt – City Hall . Kryetari i qytetit të Strugës zoti Ziadin Sela , me këtë rast pranoi shpalljen për një ditë “Major i Qytetit” nga autoritet lokale , shtetërore , dhe politikanët federalë , në një ceremoni simbolike, ku atij iu dha çelësi i qytetit nga kryetari i Bashkisë së Waterburyt Neil O’Leary , i cili me të drejtë pranoi se komuniteti shqiptarë në këtë bashki ka ndikimin të fuqishm të shqiptarëve etnikë nga Struga në strukturën dhe jetën e qytetit, shkruan gazeta Waterbury Observer . Sipas saj Kryetari i Bashkisë Sela e ftoi kryetarin e bashkisë së O’Leary, të vizitojë Strugën në korrik(këtë verë) për të bërë zyrtarizimin e marrëveshjes së dy qyteteve në binjakzim. Kryetari i bashkisë O’Leary , i cili tha se ai do të paguajë udhëtimin nga xhepi e tij , pranoi ftesën , dhe tha , “Se ky është një binjakëzim i madh mes dy qyteteve , por kur unë kam për të shkuar atje , kam për të shqyrtuar munhdësit se si ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë binjakzim dhe për të parë se:” Cilat janë nevojat tona ? ”
Waterbury dhe Strugës së shpejti do të jenë të binjakzuara – simotra .
Gazeta shkruan se Bashkia e Waterburyt, nuk i mbylli zyrat dje, megjithse, ishte një ditë pushimi në respektimin e Dr Martin Luther King Day , por kryebashkiaku O’Leary, i ka hapur zyrat e tij për të përshëndetur kryetarin e bashkisë së Strugës, zotin Ziadin Selën dhe rrethin e liderëve lokalë të komunitetit shqiptarë, që e shoqëronin atë gjatë kësaj vizite .
Gjatë takimit të Kryetari O’Leary dhe Kryetarit Ziadin Sela, gazeta shkruan se ata kan prekur gjatë bisedës së tyre vllazërore, shumë çështje në lidhje me qeverisjet në komunat e tyre , dhe të dy pohuan vështirësitë në këndëvështrimet e tyre.
Struga, ka dy qytete të tjera simotra – Mangalia , Rumani dhe Famagusta , Qipro ndërsa tani me Waterburyn ajon bën qytetin e tretë simotër, citohet të ketë thënë kryetari i Strugës zoti Ziadin Sela. duke shtura se :”Struga, është qytet shqiptar në Maqedoni , është një qytet turistik, sidomos në verë , kur ky qytet pret edhe një nga festivalet më të mëdha me poezi në botë çdo gusht , i quajtur Mbrëmjet Poetike të Strugës “.
Kryetari i Bashkisë Neil O’Leary, gjatë bisedes me kolegun e tij nga Struga, ka veçuar një lidhje të veçantë me komunitetin lokal shqiptar nga Struga në Waterbury, atë kur ai merr pjesë në të gjitha festivalet , me këngë e valle popullore shqiptare, dhe aktivitetet e ndryshme komunitare .
Waterbury, shkruan kjo gazetë është nji qytet i rreth 110,000 banorëve me qytetarët nga çdo cep të botës – irlandezë , italianë , francezë, kanadezë , Puerto Ricanë , grekë , libanezë , Domenikanë , portugezë dhe dhjetra të kombësive të tjera. Sipas saj tani mendohet se ka 12.000 shqiptarë që jetojnë në Waterbury , më së shumtë nga qyteti i Strugës , Maqedoni . Ata janë biznesmen në biznese të tilla si dyqane për shitjen e bukës, dhe ëmbëlsirave , piceri , restorante dhe kanë edhe oficer të policsë në Waterbury dhe kan një ndihmëse për kryetare komune që punon brenda bashkisë . Kryetari Ziadin Sela u zgjodh vetëm nëntë muaj më parë , dhe ka përpara shumë punë të vështirë në një qytet, që është dalluar me një ndarje nga tensionet etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve . Shumë shqiptarë në Strugë, shkruan gazetari janë në favor për t’u bashkuar me Shqipërinë dhe Kosovën për të formuar një shtet të Shqipërisë Etnike.
Para Luftës së Dytë Botërore një copë e Maqedonisë, e cila etnikisht ka qenë pjesë e Shqipërisë , kur u ndryshuan kufijtë për të krijuar Jugosllavinë , i janë grabitur Shqipërisë dhe kan mbetur nën Maqedoninë, shkruan sot Waterbury Obserever .
Saranda Belica, sipas saj është shqiptare, një zyrtare e bashkisë së Waterburyt, që ka lindur në Strugë dhe u zhvendos në Waterbury me familjen e saj kur ajo ishte 16 vjeç . Familja e saj u rikthye përsëri në Strugë , por Belica ka vendosur të jetojë në Waterbury, dhe tani punon në administratën O’Leary si një ndihmëse e zyrës së zhvillimit ekonomik . Prania e saj brenda bashkisë ka ndihmuar që të “çmitizojë” politikën integruese të komuniteteve për shumë njerëz, edhe në komunitetin shqiptar , ashtu si prania Geraldo Reyes ‘ i cili ka ndihmuar komunitetn e tij hispanikë të ndërveprojnë me zyrën e kryetarit të bashkisë.
Maqedonia shpalli pavarësinë nga ajo e ish- Jugosllavisë , dhe është ende e përfshirë në një mosmarrëveshje me Greqinë rreth emrit të Maqedonisë . Grekët shkruna gazeta Waterbury Observer, e kanë bllokuar përpjekjen e Maqedonisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian ( BE ) , dhe deri sa të zgjidhet mosmarrëveshja për emrin , situata nuk ka gjasa të ndryshojë .
Komuniteti lokal shqiptar në Waterbury, sipas gazetës Waterbury Obserev ka dy klube të komunitetit . Një në zonën e lagjeve në rrugën Raymond që është kryesisht shqiptarë nga Shqipëria .Dhe Klubin e Komunitetit në Columbia Boulevard e cila është kryesisht me shqiptarë etike nga Struga .Që të dy grupet po punojnë mirë së bashku deri tani . Ata çdo vit organizojnë së bashku Festivalin e tyre shqiptare çdo vit , por të dy klubet i kanë festuar gjithmonë së bashku festat e 28 Nëntorit Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Shtatorja e Nënë Terezës është rivendosur në Mitrovicë
* Autoritetet komunale që rivendosën shtatoren mendojnë që ajo është rrëzuar vetvetiu dhe u zotuan për renovim dhe forcim të bazamentit./
*Policia heton rrëzimin e shtatores së Nënë Terezës në Mitrovicë/
*Përfaqësuesi i Kishës Katolike Dom Lush Gjergji, i cili drejton edhe shoqatën humanitare me emrin e Nënë Terezës bëri thirrje që ky rast të mos shfrytëzohet për përçarje në shoqëri. Ai bëri thirrje po ashtu që të priten përfundimet e hetimeve të policisë para se të sillen çfarëdo përfundimesh. /
Autoritetet thanë se shtatorja mund të jetë rrëzuar për shkak të bazamentit të dobët, por po hetojnë edhe mundësinë që të jetë rrëzuar qëllimshëm.Në Kosovë, policia tha se është duke hetuar rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit të shtatores së humanistes shqiptare Nënë Tereza në Mitrovicë. Gjatë fundjavës, shtatorja që ndodhet në qendër të pjesës jugore të këtij qyteti, u gjet e rrëzuar.
Policia tha se dyshimet e para flasin për mundësinë e rrëzimit të shtatores për shkak të bazamentit të dobët dhe këputjes së bulonave mbajtës, por nuk ka përjashtuar as mundësinë që ajo të jetë rrëzuar qëllimshëm.
Autoritetet komunale që rivendosën shtatoren mendojnë që ajo është rrëzuar vetvetiu dhe u zotuan për renovim dhe forcim të bazamentit. Shtatorja ka pësuar dëme të lehta.
Në pritje të hetimeve, përfaqësues të shoqërisë civile në Mitrovicë, thanë se rrëzimi i shtatores, nëse është bërë me qëllim, do të mund të ndikonte në marrëdhëniet e mira ndërfetare e ndërkulturore.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Kishës Katolike Dom Lush Gjergji, i cili drejton edhe shoqatën humanitare me emrin e Nënë Terezës bëri thirrje që ky rast të mos shfrytëzohet për përçarje në shoqëri. Ai bëri thirrje po ashtu që të priten përfundimet e hetimeve të policisë para se të sillen çfarëdo përfundimesh.
Shtatorja e Nënë Terezës në Mitrovicë ishte ngritur që në vitin 1999, ndërsa shtatorë të ngjashme janë ngritur edhe në shumë qytete të Kosovës.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni. Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Në vitin 2003, i ndjeri Papa Gjon Pali i dytë e shpalli atë të lume, një hap drejt shenjtërimit të saj.