• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shumë e kërkuara Europë…

December 16, 2013 by dgreca

Sa kushton “Po-ja ” dhe “Jo-ja ” për Bashkimi Europian/

Opinion nga Zaim Kuçi/

E shprehur troç, vijon ende loja e dyzuar e asaj Europe të vitit 1913. Kanë kaluar 100 vite dhe në vitin 2013 Europa të mos ketë frikë nga RSH. Ajo duhet të kuptojë se “de facto” ne punojmë e jetojmë në Europë, prej kohësh jemi atje. Nëse do ti referohemi shifrave të deklaruara prej vendeve europiane, aktualisht rreth mbi 50% e popullsisë shqiptare punojnë në kuadrin e emigracionit legal dhe vajtje-ardhjet stinore në disa nga vendet kryesore evropiane si: Itali, Greqi, Kanada, Gjermani, SHBA dhe jo pak edhe në Francë. Bashkëatdhetarët e mi, jetojnë, punojnë e studiojnë ashtu sikurse çdo banor tjetër i Europës, të integruar me mendësi dhe punë në kontinentin e vjetër.

Po përse ky hezitim? Europa gjithmonë harron të kaluarën tragjike shqiptare. Ne vetëshpallemi të pavarur në vitin 1912, ndërkohe që të parët tanë, pellazgët, janë po aq të vjetër sa grekët e lashtë. Ata u vendosën në Europën Juglindore në të njëjtën kohë me grekët, bashkë me kulturën dhe gjuhën e tyre unike: shqipen. Do të ishte viti 1913, ku Europa futi në lojë Shqipërinë për të dalë nga një krizë e brendshme që nuk i dihej fundi. Ajo e pranoi shtetin shqiptar vetëm për interesa të saj  për të larguar rreziqet ballkanike.

Fatkeqësisht, në vitet pasuese patëm të njëjtën pamje indiference europiane, pak ndihma edhe kur përmbysën sistemin komunist, edhe pas 90-ta kur kishim vërtet nevojë për të mbijetuar dora europine ishte qesharake. Ne mbijetuam duke sakrifikuar gjithçka, Shqipëria historikisht e lënë pasdore nga vendet e Europës….edhe “kolla” greke, Irlandeze, portugeze, spanjolle apo qipriote tronditi europën duke zbrazur xhepat e qytetarëve të saj, për RSH, Jo …por shqiptarët e dinë mirë që historia duhet të riprodhojë vetëm anët e mira të saj dhe prandaj e kërkon atë, është ky motiv që Shqipëria është tepër aktive dhe ka angazhuar/angazhohet në operacione paqeruajtëse në kuadër të NATO, BE dhe OKB rreth.

Çfarë pritet më 19 Dhjetor 2013?

“Jo-ja” hollandeze, e cila është hedhur në kërkim të jo-ve të tjera. Është e turpshme kjo lëvizje për hollandezët në emër të trafiqeve dhe drogës shqiptare apo dhe për korrupsionin shqiptar. A do të ndjehen të qetë europianët përballë faktit që është kjo Hollandë që stimulon apo mbart stacionin e fundit të kësaj droge dhe trafikun ballkanik? Shqipëria nuk është as fillimi dhe mbarimi i këtyre të keqiave, por janë ato shtete që do të votojnë RSH, ajo u është bashkëngjitur atyre.

Le t’i kthehemi sot Bashkimit Europian i cili është në lëkundje për të mbijetuar, kjo të mbipopulluara edhe nga forcat ekstremiste nacionaliste, sidomos të ringjallura në vendet e europës lindore dhe shtete të tjera si rasti Serbisë, Ukrainës, Greqisë, Qipro që nxituan tolerancën europine në gjeopolitikë dhe në ekonomi duke boshatisur arkën e tyre etj, pra në Europë ndjehet ndarja. Ndoshta, do të jetë kjo situatë e re që RSH do të sakrifikohet për të forcuar sado pak unitetin, kjo po ndodh edhe me Hollandën kryesueses së “jo-s”.

Fatkeqësisht sot kemi të njëjtën pamje si “Po-ja ” dhe “Jo-ja ” e kohës së frikshme e marrjes së vizave ku europa na rrjeshtoi në rrjeshtin e fundit, pakëz më të preferuar se Bosnja-Hercegovina edhe pse ne shqiptarët më shumë se 10 vjet kontribuuam me një kompani këmbësorie në këtë vend të trazuar të rajonit tonë. Ishte kjo Europe që hezitoi të pajiste me pashaportë nënat dhe gjyshet shqiptare që kërkonin të vizitonin fëmijët, nipërit dhe mbesat. Asgjë nuk ndodhi me shqiptarët edhe mbas “po-s” europiane….

Çfarë do t’i kujtoja europës para se të thotë të padëshirueshmen “Jo”?

A është vlerë uniteti i gjithë popullit dhe spektrit të saj politik për të mbështetur çdo lloj operacioni, kur ai kërkohet për të mbrojtur lirinë e popullit, vlerë  që në situata krize si vendet e rajonit dhe disa vende anëtare të NATO-s nuk kanë dakordësinë e veprimit.

A është vlerë që për shqiptarët NATO konsiderohet ideal, edhe pse kjo nuk është për të gjithë vendet e kontinentit tonë?

A është vlerë që popullsia shqiptare ka predikuar në harmoni të plotë për shekuj me radhë tre fe : mysulmane, ortodoks dhe katolikë.

Ajo duhet të kuptojë se Republika e Shqipërisë ka vërtet shansin e vendndodhjes, pozicionin e favorshëm gjeostrategjik për rajonin, Evropën dhe më gjerë nga ku ajo vlerësohet në zonën pothuajse të përgjegjësisë së operacioneve të pritshme në këto hapësira, për të kontribuar duke vënë në dispozicion hapësirat e saj detare/ajrore, porte dhe aeroporte që kanë vlera dhe kontribute ushtarake më shumë se batalione e mjete luftarake. Përse jo, ky shans mund t’i drejtohet dhe gjeostrategjisë të aleatëve të dikurshëm strategjik….por kjo nuk do të ndodh. RSh nuk mund të bëjë presione me aleatët e saj të vjetër për plasdarmën ballkanike të shumë kërkuar prej tyre siç nuk hezituan ta bënin fqinjët e saj Greqia apo Qipro (me 850 mijë popullatë me 12 miliard euro) si shpërblim për mos t’iu bashkuar Rusisë.

E dyshimta Hollanda. Vitet 50-të do ta kujtojnë këtë shtet si iniciator dhe themelues i Bashkimit Europian dhe më datë 19 dhjetor do të jetë kundër këtij zgjerimi, kundër një shteti që simbolikisht kërkon të hyje në këtë familje të madhe. Po përse? Asgjë nuk duket principale, edhe pse RSH duhet të bëjë një përmbysje në vetvete, që shpresojmë që do ta bëjmë, por ajo që duket madhore për hollandezët ndoshta do të jetë keqinformimi i myslimanizmit shqiptar apo dhe influenca turke në rajonin tonë. Pra shqiptarët do të sakrifikohen për fenomenin e ri klasik  “Islam” të menduar në kontinentin hollandez.

Edhe për këtë “keqinformim”, Shqipëria do të ishte një model për Europën dhe më gjerë përsa i përket bashkëjetesës dhe tolerancës ndërmjet feve, fenomen që ka marrë përmasa globale dhe po evoluon në konflikte të mundshme midis shtetesh dhe popujsh.

Shqiptarët janë pjesë e pemës europiane, gjeografikish, politikisht, ekonomikisht po aq dhe e kulturës, civilizimit dhe vlerave të saj madhore. Nuk mund të ndahet Identiteti shqiptar nga ai europian.

Më datë 19 dhjetor, Bashkimi Europian do të drejtojë shkopin me forcë, me të drejtën për të kërkuar nga shqiptarët standarde europiane të sjelljes, shtet ligjor, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, drogës, etj. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian e ka për detyrë gjithashtu të ndihmojë këtë vend të vogël për t’u bërë pjesë e kësaj europe.  Duke pranuar Shqipërinë me statusin e vendit kandidat, Europa ka pranuar në rreth 7.5 miljon shqiptarë të rajonit, ka pranuar më tepër ekonomi dhe civilizim të shoqërisë.

Sa kushton “Po-ja ” dhe “Jo-ja ” për Bashkimi Europian. RSH me kohë është futur thellë në këtë europë. Ajo është prezente në jetën ekonomike, politike, familjare të këtyre shteteve me të mirat dhe të këqiat e saj.

Kjo është Shqipëria e pas 19 dhjetorit 2013.

Tiranë 15 dhjetor 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Shume e kerkuara Europe, Zaim Kuci

TRENI PER NË EUROPE-CILI BINARE NA ESHTE CAKTUAR?

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Gëzim Llojdia*

1.

Treni ynë ka ngecur në stacion. Udhëtarët me bagazhe kanë vite që presin. Pyetja  e tyre mundonjëse  ka qenë prej vitesh: kur niset treni tjetër  për në Evropë, aty s’gjen  as faturino me fener në dorë,as përgjegjës stacioni që të të japi një shpjegim.

Të gjithë ngrenë supet,rrudhin buzët,psherëtijnë:ishallëh,e lënë punën në duart e Perëndisë:

-Do Zoti, mërmërijnë.

Tani, që të merrni vesh shkoqur:Duam të niset treni për në Evropë dhe pyesim:çfarë orari ka,ku ndalon në ç’stacion,kur mërin në Evropë etj, etj,mirëpo përpara të gjithë këtyre pyetjeve e gjej një gjysmë përgjigje,te  njw sentencë e folklorit:Në të vërtetë :A ka tren, që niset apo jo?

Në fakt, binari që në është caktuar për të qëndruar treni ynë ka vite, që e kanw mbuluar shkurret. Të gjithë  sytë i hedhin veç nga treni,po binari ynë që rri e pret dhe ne kaq vite  në pritje,për të shkuar në Evropë.

2.

Meqë përmendën trenat ,këto mjete të lëvizshme me shina, vendi ynë ka një përvojë të hidhur. Trenat në këtë vend filluan të lëvizin vetëm atëherë në keto vite‘:7nëntor 1947 : Durrës – Peqin23 shkurt 1949 : Shkozet – Tirana22 dhjetor 1950 : Peqin – Elbasan – Krasta / – Cërrik7 maj 1963 : Vora – Laç13 tetor 1968 : Rrogozhina – Fier20 mars 1972 : Krasta – Librazhd10 mars 1974 : Librazhd – Prenjas9 mars 1975 : Fier – BallshJuli 1979 : Prenjas – Pogradecprill 1981 : Laç – Lezha25 janar 1982 : Lezha – Shkodra (Trafiku i mallrave që me 11 nëntor 1981)11 janar 1985 : Shkodra – Han i Hotit.14 tetor 1985 : Fier – Vlora (Trafiku i mallrave deri Narta që me janar 1985)Fundi i viteve 1980 : Milot – Rrëshen,

pasi,rinia e këtij vendi ndërtoi  më parë udhët e këtyre trenave .Evropa plakë kishte vite, që mbante të instaluar jo vetëm trenat, por edhe tramvajet,vetëm këtu për çudi në këtë truall të lashtë ,trenat erdhën vonë dhe punuan vetëm për një sistem ekonomik të caktuar.

Sapo hyri “krimbi” dhe shfryu llafi  se udhët e Evropës plakë u hapën edhe për banorët e këtij trualli, trenat patën punë ,mirëpo më pas udhët e tyre dhe punesat  e tyre mbetën  aq larg botës dhe zhvillimit sa mund të thuhen se gjithë ky investim i rinisë shqiptare shkoi dëm. Trenat shqiptarë janë trenat më të lodhur të botës. Binarët ku nisen  dhe stacionet  ku ata qëndrojnë janë kandisur në ca sheshe plotë ferra. Trenat nuk janë më në modë, në këtë vend. Në Perëndim trenat, janë  një alternativë e mirë transporti,veç në këtë vend jo. Shpejtësia e tyre është lemeritëse dhe mundonjëse. Dikur trenat fundit  qëndronin edhe nëpër ca  fshatra të vegjël ku  kishte stacione të vegjël,  që sot nuk ekzistojnë më.

Ka edhe një shkak tjetër. Përse trenat nuk nisen nga  Tirana, për në Evropë? Mirë  do të qe,por kë një pengesë të vogël :në Tiranë nuk kë më as tren dhe as stacion treni. Në qytetin tonë sikurse nëpër disa qytete të tjerë treni niset e soset i trembur, se mos i thyejnë xhamet,se mos këputet ndonjë binarë, se mos i pret udhën ndonjë maqinë, se mos i zënë udhën me ndonjë ndërtim.

 

3.

Si punë e këtij treni,është udhë jonë ,rrugëtimi shqiptar drejt Evropës. Të gjithë fajësojnë dhe harrojnë se këtë vend e pllakosën ca regjime që i bënë këtij vendi për të zezën e tij largimin  nga Evropa ku ne gjeografikisht jemi pjesë e saj prej formimit të tokës dhe popullimit me njerëz. Nëse holandezët sot bëjnë be dhe këmbëngulin, që ky vend evropianë të mos futet në Evropë, duam ti kujtojmë këtij se kur ambasadori i tij në vitin 2010 erdhi në Orikum aty holandezët kanë një financim, ai vizitoi edhe qytetin e lashtë qe patë vizituar Cezari me ushtarët e tij   në dimrin  e vitit ‘48, përpara Krishtit. Ambasadori ishte historian dhe e njihte mirë këtë fakt, por ai pa ndërtesat  në shkëmb,puset e ujit,murrin rrethues të qytetit dhe i shpjeguam se ky qytetërim u ndërtua këtu në një tokë pellazge ,po holandezët ku gjendeshin atëherë kur ne ishim pjesë e qytetërimeve botërore?

Ne kemi qenë këtu dhe këtë vend na e zgjodhi Zoti vet.Asdreni ka shkruar:

Se Zoti vetë e tha me gojë/Që kombe shuhen përmbi dhé,/Po Shqipëria do të rrojë;/Për të, për të luftojmë ne!

4.

Ka dy mënyra për të kapur trenin e Europës.Ta zëm s’duam të presim  trenin tjetër ngase pritja e gjatë na ka lodhur shumë  ,athëre duhet të nxitojmë dhe ti presim udhën trenit,  që është nisur.Nëse ne jemi në stacionin e Fierit nxitojmë dhe diku aty nga Gradishta i avitemi trenit përpara:mbaje o shofer?

Po cfarë i   themi ne:Trenist mbaje trenin!

Po  nëse treni  s’ka ndalesë aty, ne si shqiptarë i dalim përpara me prita e barrikada e ndalim me hairë e pahir.E pyesim faturinon  në gjuhën e shqipove:

-A bënë me hyp në këtë tren?

Me mirësjellej ai na përgjigjet në gjuhën tonë:

-Si jo o burrë i dheut!

E kuptojë mir,po më habit si ka mësuar kaq mirë shqip?

Po mirë, a nuk më thua ku ke  mësuar kaq mirë shqip?

-Akoma vëlla se ke kuptuar se këtu gjëndemi në Gradishtë dhe në këtë territor flitet vec shqip.

-Po treni për në Europë kur niset?

-Ende s’është afishuar orari i trenave, që nisen nga lindja drejt perëndimit.Një ditë të jeni të sigurt ai orar do të gjëndet në cdo stacion treni të Europës plakë dhe uturima e tij do na zgjojë cdo mëngjes.

Ka një këngë Ilir Shaqiri në tekstin e të cilës thuhet:

Moj Evropë, Evropë e vjetër, /Si s’më gjete një rrugë tjetër,/ Një rrugë tjetër me pak besë, 100 vjet m’qite n’harresë./ Moj Evropë perdja e kallkanit, /Ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit, /Ta vunë zjarrin që m’përvlon,/ E nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash /Se m’ka ra ma thika n’asht, /E dredhitë po dalin n’fushë, /Arat vorre mi kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /Po i laj duartë me gjakun tim./
Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /Mos të ndajmë kufi, mos të ndajmë kufi. /Kthehma tokën,/kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Deshtën Lindje e Azi, herë me fe, herë me dredhi. /Trup e kokë t’mi bënin copë, /Që t’mos isha më Evropë. /Moj Evropë perdja e kallkanit, /Ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit, /Ta vunë zjarrin që m’përvlon, /E nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash /Se m’ka ra ma thika n’asht, /E dredhitë po dalin n’fushë, /Arat vorre mi kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /Po i laj duartë me gjakun tim. /Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /Mos të ndajmë kufi, mos të ndajmë kufi. /Kthehma tokën, kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! /N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Kthehma tokën, kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! /N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë.

 

*Msc. Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Komente Tagged With: cili tren, Gezim Llojdia, na eshte caktuar, per ne Europe

Kongresmeni Crowley mbajti Koktejlin e Krishtlindjeve,i pranishëm zv/kryetari i Vatrës Agim Rexhej

December 16, 2013 by dgreca

QUEENS – NEW YORK NY : Kongresisiti demokrate i Nju Jorkut, Joseph Crowley, i njohur keto vitetet e fundit edhe si mik i shqiptareve ne Amerike, ka arritur qe nepermjet rolit te tij, si perfaqesues te forcoje lidhjet me shqiptaret. Mbeshtetja finaciare dhe vota e dhene nga shqiptaret në zonën që ai përfaqëson mes Bronxit dhe Kuinsit ne 8 ligjstaturat, por edhe ne kete te fundit, eshte vlersuar mjaft nga kongresisti amerikan. Kjo, kryesishte vjen nga puna e grupeve shqiptare ne distriktin e tij, grupe te cilat njihen si shume te afert me kete kogresmen amerikan.

Sipas tradites amerikane çdo fundviti mbahet Koktejli vjetor i Krishtlindjeve – “Annual  Christmas Party” një pritje kjo ku shprehet një faleminderim dhe mirenjohje për familjaret, miqt dhe perkrahesit e personaliteteve qe shtrojnë ato ne lokale luksoze. Nje kartoline jeshile me oranmetet e Krishtelindjeve “Eat Drink and by Merry with Congressman Joe Crowley”, kishte mbrritur edhe ne tavolinen e nen/kryetari te Vatres, zotit Agim Rexhaj, i cili iu bashkua mbreme në lokalin “Studio Square” në Long Island – New York,Koktejlit  vjetor i Krishtlindjeve   te mikut te shqiptareve Kongresisitit demokrate i Nju Jorkut, Joseph Crowley, me dhjetera miq te kongresmenit, per te marre prej tij nje faleminderim e mirenjohje per perkrahjen e dhene ne kete zone elektorale.

Joseph Crowley, eshte zgjedhur per here te pare ne Dhomen e perfaqesuesve – Kongresin Amerikan, ne nentore 1998, perfaqesues i dy pjeseve te larteme, te qyteteve Queens dhe Bronx. Prej atehere Crowley  ne te njejtin vend, Distriktin e 7-te, ku banojne me se shumtit shqiptaret, kryesisht ata te emigruar nga Kosova, dhe Shqiperia, njerez te cilet, e kane zonen e tyre me te preferuar ne banimim e ne biznesese, ai fiton çdo mandat pa shumë veshtersi. Kongresisti Crowley, ka fituar ne zgjedhjet e fundit nentor 2012 me 70%, te votave duke e ri-perserirti suksesin e tij, per tu bere ze i forte ne kongresin amerikan, se bashku me miqet e tjer, senatore e kongresiste, ne mebshtetje edhe ata te çeshtjes shqiptare, kryesishte perkushtimit te shqiptareve per çeshtjen e Kosoves dhe ato ne viset shqiptare./B.Sina/

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: agim Rexhaj, Kongresmeni Crowley, zv. Kryetari i vatres

Kryeministri Thaçi: E kemi shmangur rrezikun e ndarjes së Kosovës

December 16, 2013 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Zërit të Amerikës se në bisedimet me Serbinë Kosova është shpëtuar nga krijimi i ndonjë autonomie, apo “Republike Serbe”. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë është shmangur çdo mundësi e ndarjes së Kosovë dhe krijimit të ndonjë Republike serbe. Ai tha se me zgjedhjet në veriun e banuar me shumicë serbe është hapur rruga e integrimit politik por edhe fizik të asaj zone. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi. kryeministri Thaçi, flet edhe për zhvillimet e brendshme politike pas zgjedhjeve komunale.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, aktualisht Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme të bisedimeve me Serbinë. Ju sapo përfunduar një raund bisedimesh dhe të premten pritet të takoheni sërish për të diskutuar çështjet e drejtësisë. Çfarë prisni nga ky takim? Hashim Thaçi: Jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të implementimit të marrëveshjeve që dalin prej marrëveshjes së përgjithshme të prillit të arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në takimin e fundit jemi dakorduar për integrimin e policisë në mënyrë individuale në institucionet e Republikës së Kosovës. Tani qytetarët atje do të aplikojnë në baza krejt individuale, do t’i plotësojnë kushtet dhe standardet sikur të gjithë policët tjerë të Kosovës. Ndërsa takimi i radhës do të jetë për sistemin e drejtësisë, një sistem unik, një sistem sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që po shkon implementimi ashtu siç është planifikuar. Mund të jetë edhe më konkret dhe i shpejt, por ajo që është shumë me rëndësi është se ka gatishmëri prej shtetit të Kosovës, ka gatishmëri edhe mbështetje edhe nga ana e Serbisë të përmbyllet ky proces sa më shpejt dhe ka një gatishmëri shumë të fuqishme prej baroneshës (Catherine) Ashton, BE-së dhe SHBA-së të vazhdojë të përmbyllet me sukses të plotë ky proces në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit përfundimtar të shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi çështjes së policisë. Ka pasur shumë shqetësime në Kosovës se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale. A ka një proces të verifikimit të këtyre njerëzve?

Hashim Thaçi: Testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale.

Zëri i Amerikës: Kush e verifikon këtë?

Hashim Thaçi: E verifikon policia e Kosovës, EULEX-i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Po sa i përket çështjeve të drejtësisë? Beogradi ka ngulur këmbë që të ketë gjykata të veçanta në veri që do të pasqyronin përbërjen etnike. Si në fakt prisni të duket sistemi i drejtësisë atje?

Hashim Thaçi: Sistemi i drejtësisë do të duket si në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, një sistem unik i drejtësisë, i cili do të funksionojë sipas standardeve, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore te Republikës së Kosovës. Pra, nuk do të jetë kriter etnia, por profesionalizmi dhe respektimi i plotë i kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës?

Zëri i Amerikës: Dhe ligjet…?

Hashim Thaçi: Natyrisht, ligjet e Kosovës do të jenë gjithmonë të vetmet të respektuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, por sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, a keni arritur ndonjë pajtim se si do të funksionojë ai?

Hashim Thaçi: Organizimi i zgjedhjeve sipas standardit më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, vlerësimi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet lokale që sapo përmbyllëm, ishte një fitore e madhe për Kosovën, një fitore e madhe për institucionet, për partitë politike, por mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës. Pastaj edhe pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ka rritur kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, kredibilitetin edhe të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar legjitimimin e plotë të marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por na kanë dhënë të drejtë në angazhimet dhe vendimet tona që kemi marrë, sepse ne definitivisht e kemi larguar rrezikun e ndarjes së Kosovës, ndërsa tash kemi një integrim politik, një integrim kushtetues dhe një integrim edhe fizik, në kuptimin territorial por edhe politik të qytetarëve serbë që jetojnë në veri. Pra, tani do të vazhdojmë të punojmë me kryetar të ri që sapo janë zgjedhur. Pres shume shpejt që t’i takoj dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel të qeverisë qendrore dhe në nivel lokal. Edhe sa i përket betimit të kryetarëve të ri që janë zgjedhur, kudo që janë, qoftë në veri, qoftë në jug, do të jetë plotësisht në përputhshmëri sikur betimet e të gjithë kryetarëve të komunave, si në Han të Elezit si në Leposaviq, si në Prizren po ashtu edhe në Zveçan.

Zëri i Amerikës: Thatë se më këtë është shmangur ndarja e Kosovës, por, a po ndodhë një ndarje e brendshme siç ka shumë shqetësime në Kosovë, krijimi i një entiteti që tashmë edhe ndërkombëtarisht do të ketë njëfarë legjitimiteti?

Hashim Thaçi: Në asnjë rrethanë diçka e tillë nuk do të ndodhë. Hapat e parë integrues konkret, shihen. Ky integrim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Integrimi politik, integrimi pastaj edhe në nivel institucional edhe me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërsa do të vazhdohet të punohet ngushtë me kryetarët e komunave që janë zgjedhur të rinj. Për herë të parë kemi kryetarët e komunave legjitim edhe në katër komunat e veriut. Ndërsa ne kemi projektet infrastrukturore për investime kapitale të ndryshme edhe në veri. Prandaj mendoj se ky vit ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i suksesit historik për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore.

Zëri i Amerikës: Marrëveshjet që keni bërë me kryeministrin serb i kanë mundësuar Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa përshpejtimi i këtyre bisedimeve a është tash një ndihmesë që po i jepni Serbisë që të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim? Hashim Thaçi: Marrëveshjet që kemi arritur si shtet i Kosovës me Serbinë janë të parat në nivel të barabartë si dy shtete. Marrëveshjet janë në interesin e Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këto takime kemi hyrë si fitues, si vend i pavarur dhe sovran. Për herë të parë ballafaqohemi me Serbinë në këto nivele. Ndërsa ajo që ne kemi realizuar është se kemi shpëtuar Kosovën nga ndarja, e kemi shpëtuar Kosovën nga krijimi i ndonjë autonomie apo “Republika Srpska” për serbët dhe tash kemi një Kosovë unike, të integruar, një Kosovë sipas standardeve evropiane që po e ndërtojmë. Ndërsa sa i përket të ardhmes evropiane të Serbisë, natyrisht se e ardhmja evropiane e çdo shteti në rajon, kalon përmes implementimit të kritereve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të fqinjësisë së mirë. Për aq sa Serbia tregohet në fqinjësinë e mirë me Kosovën, po sa më farë do të jetë me BE-në. Por, kjo vlen edhe e kundërta. Nëse ne e mbyllim me sukses normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dy shtetet tona si vende sovrane do të jenë afër BE-së e në të ardhmen edhe pjesë e NATO-s dhe BE-së. Por, kjo vlen edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit. Fqinjësia e mirë është kriter kyç për të ardhmen evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, zgjedhjet që sapo përfunduan dhanë edhe një shenjë tjetër për Kosovën që ka të bëjë me ndryshimin e gjeografisë së brendshme politike të Kosovës. Cili mund të jetë ndikimi i tyre në zhvillimet e ardhshme politike në vend, përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme?

Hashim Thaçi: Ajo që fillimisht do të doja të theksoja është se ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, të drejta dhe demokratike sipas standardeve më të larta ndërkombëtare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve për herë të parë pas 14 vitesh. Por, në të njëjtën kohë ndjehem mirë me përkushtimin dhe përgjegjësinë që kanë treguar spektri politik për të marrë përgjegjësi të përbashkëta në këtë proces të rëndësishëm demokratik, por edhe mesazh edhe për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Pra, ndjehem tepër mirë që Kosova ka kaluar një test jashtëzakonisht të rëndësishëm evropian për të ardhmen euro- atlantike. Ndërsa sa i përket rezultatit zgjedhor, gjithashtu si kryetar i PDK-së, në të njëjtën kohë, ndjehem shumë mirë që PDK, përsëri është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional. Natyrisht, jemi dëshmitar të disa befasive sa i përket rezultatit, por për mua si kryeministër i Kosovës më me rëndësi ka qenë standardi zgjedhor sesa rezultati. Por, mund të them se edhe disa befasi që kanë ndodhur, diku kanë qenë, mund të them lirisht, skandale elektorale zgjedhore, si në rastin e Mitrovicës. Por, mund të them se në disa komuna kanë ndodhur disa ndryshime, lirisht mund të them, që i japin kuptim më të shëndetshëm skenës politike kosovare.

Zëri i Amerikës: Pse ishte skandal? A nuk ishte ky dështim i PDK-së në Mitrovicë?

Hashim Thaçi: Unë mund të them se edhe sa i përket përgjegjësive të PDK-së, ne kemi diskutuar dhe natyrisht që do të duhej evituar disa dobësi dhe lëshime që kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës. Por, sot selitë e të gjitha të partive politike në të njëjtën kohë edhe janë të kënaqura, por në të njëjtën kohë edhe janë të dëshpëruara me rezultatin zgjedhor. Por, si kryetar i PDK-së, ju thashë edhe njëherë që PDK edhe pas pesë palë zgjedhjesh, është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional, si partia fituese edhe zgjedhjeve lokale 2013 dhe me hap të sigurt për t’u rikonfirmuar përsëri partia fituese edhe e zgjedhjeve nacionale 2014.

Zëri i Amerikës: Të cilat mund t’i presim në cilën periudhë të vitit 2014?

Hashim Thaçi: Ne kemi diskutuar dhe lidershipin kosovar edhe sot sa i përket reformës zgjedhore. Fillimisht do të përmbyllim reformën zgjedhore që kërkon një konsensus të të gjithë liderëve politik. Ndërsa, periudhën kohore do ta përcaktojmë bashkërisht, por është shumë me rëndësi që të mos ndodhin zgjedhjet në periudha të ftohta kohore, apo kur janë ditët e shkurtra, kështu që do të jemi fleksibil sa i përket periudhës kohore.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër. Sot është dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit e cila Kosovën e gjen të radhitur poshtë në mesin e  vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit?

Hashim Thaçi: Drejtësia kosovare tash e 15 vite udhëhiqet nga ndërkombëtarët. Kosova ka bërë hapa konkret në tre-katër vitet e fundit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Hapa konkret që janë përshëndetur edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Tani është momenti që sistemi i drejtësisë të bartet tek autoritetet vendore, që edhe mekanizmat e EULEX-it që e kanë mandat ekzekutiv të bartin autoritetin tek institucionet e Republikës së Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar pjekuri të lartë politike dhe shtetërore edhe në procesin e negociatave me Serbinë edhe me procesin e organizimit të zgjedhjeve të lira, që nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër të rajonit. Prandaj, sa më tepër që merr Kosova përgjegjësi në këtë drejtim, aq më e efektshme do të jetë lufta edhe kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Ka fuqi të brendshme Kosova që ta bëjë një gjë të tillë?

Hashim Thaçi: Definitivisht Kosova është storie e suksesit të plotë, është një vend, nje shtet që është në përmbyllje të konsolidimit dhe sa më tepër merr përgjegjësi aq më të fuqishme do të jenë edhe vendimet edhe përkushtimet tona.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë një strategji për përmbylljen e misionit të EULEX-it. A nuk është pak herët?

Hashim Thaçi: Mendoj se është pak vonë. Kjo ka ndodhur pas konsultimeve edhe me lidershipin tjetër politik kosovar. Janë 15 vjet të tranzicionit demokratik, janë gjashtë vite të Kosovës së pavarur dhe sovrane. Nuk ka ndodhur askund që diçka e tillë të ndodhë kaq gjatë. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe natyrisht që edhe misioni evropian i rendit dhe ligjit, duhet të përmbyllë punën me sukses. Kështu që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe hap pas hapi, vitin e ardhshëm, ky mision të bartë autoritetin ekzekutiv tek institucionet legjitime dhe sovrane të Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Thaci, zeri i amerikes

KOSOVA, DASHURIA IME

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Me serbët ne jemi fqinjë. Në kohë paqeje i japim bukë njëri tjetrit. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, shprehet Ali Tahir Aliu, nga Bardhyli ( Bradashi ) i Besianës, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët kundër tyre! Toka denbabaden shqiptare, as s´ jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën nga pretendimet e Serbisë!../

Ne që trupin e mërguam nëpër botë si pasojë të shtypjes së egër dhe  luftës, jo pak jetën e dhënë nga prëndia po e harxhojmë nëpër vende të huaja, dhe për të huajtë. Unë kujtoj thotë Ali Tahir Aliu, nga fshati Bardhyl ( Bradashi ) i Podujevës, se është çasti që t´i trokasim vetes, dhe t´ia bashkangjesim trupit, mendjen, shpirtin dhe mençurinë, dhe të kthehemi në atdhé. Republika e Kosovës, apo thënë shkurt, Kosova-Shqipëri, është dhéu ynë, gjuha dhe dashuria jonë. Pa këtë adresë të atdheut, ne do të kishim as emër dhe as mbiemër, po vetëm një popull i shkrirë në një populli tjetër. Rruste, më thotë Aliu, shqiptarët janë prindërit të mirë, i duan fëmijët, i duan vëllëzërit dhe motrat, i duan nipërit dhe xhaxhallarët, tetet dhe dajat, fushat dhe malet, krojet dhe lumenjtë, vajzat dhe gratë e bukura, dhe mbi të gjitha e duan gjuhën dhe vendin e tyre ku janë lindur. Unë nuk jam në mërgim se kam dashur të aventuroj këtej, apo se më ka thërritur mërgimi, shprehet Aliu. Mërgimi për të pamërguarin është botë e panjohur, e veshur me para të premtuara, dhe drejtësi të ekzagjeruar. Jeta ime e veshur me mërgim jo herë-herë është, e ëmbël. Mërgimi për atë që është atdhetar, ka shije të thartë dhe gërryese. Ali Tahir Aliu, u lind më 17.03. 1968, në Bardhyl të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, në Besianë. Libri për Kosovën mua më mbeti i pashkruar dhe i papërfunduar. Kryengritjet e Kosovës aso kohe ishin të përditshme, më thotë Aliu. Unë edhe kur bëj gjumë, duart i mbaj grusht, ndërsa ëndrrat e mia janë krejt epike, dhe me beteja të ashpra. Lot më bie në zemër pse s´jam në Kosovë. Nën pushtimin e jugosllavëve, dhe të diktatorit Tito, shqiptarët përjetuam burgun më të rëndë. Të drejtat tona në Jugosllavi, shkileshin vazhdimisht. Në Kosovë, aso kohe vrisnin shumë faktorë. Vriste varfëria, niveli ulët i arsimit, burgosjet dhe shpërnguljet, ndalimi i festive kombëtare, gjakmarrja, ndalimi i flamurit, pabarazia në punësim, dhe diferencimet e pareshtura të kuadrove, bënin që jeta e shqiptarit nën pushtimin serb të ishte jetë e të shtypurit dhe e të burgosurit. Populli ynë nuk e ka thënë kot; “zullumi këputet prej s´trashi”!Rruste më thotë Aliu, një patriot i devotshëm, një atdhetar i formuar, dhe një UÇK-ist që nga ditët e para të luftës. Aliu tregon se e tërë familja e tij 50 anëtarëshe, me prindër dhe xhaxhallarë, u vunë në radhët e UÇK-së, që në ditët e para. Babai im, Tahir Aliu, me profesion murator, UÇK-së i afroi tërë ekonominë familjare dhe njerëzore, për çlirimin e Kosovës. Babi im, Tahir Aliu, që në ditët e para të luftës për liri të Kosovës dhe pavarësi, iu përgjigj thirrjes së UÇK-së, dhe u rreshtu me vullnetarët e Llapit, për t´i këputur prangat njëshekullore të robërisë. Liria çmimin e ka të lartë na thoshte babai, por, ne duhet të jemi gati për çdo sakrificë. Divorci me Serbinë dhe ish Jugosllavinë, Kosovës do t´i kushtoj një det gjaku. Që nga viti 1945, e deri me shpalljen e pavarsisë, më 17 shkurt, 2008, Kosova u përgjak s´i asnjë vend tjetër në Evropë. Komunistët e Titos, e veçmas ata serbë, të Milosheviqit, vranë , prenë rreth 55 mijë shqiptarë. Mirëpo, shtypja Serbe nuk ndalon në vitin 1956, as në vitin 1968 e këtej. Politika gjakatare serbe, vullnetin e Kosovës për Republikë të pamvarme, e quajti armiqësore, dhe çdo kërkesë në drejtim të pavarësisë, Serbia përgjigjej me vrasje dhe burgosje. Ndërsa, dënimet ishin të përditshme. Rreth 800 mijë qytetar të Kosovës ( para se të nis lufta ) u rrahën, u dënuan dhe u persekutuan nga pushtuesi serb. Lufta në Kosovë ishte e pritshme. Zullumi këputet prej s´trashi! Mirëpo, heroi popull, u kryengrit, që lirinë e shkelur, ta fitoj me çdo çmim.  Familja Jashari këtë e dëshmoi më së miri. Thyerja e përgjakshme e Jugosllavisë dhe Lufta me Serbinë, Kosovës i kushtoi me  13 mijë të vrarë, 4500 të zhdukur, 120 mijë shtëpi të djegura, një million të përzënë në 5 kontinentet, 25 mijë gra e vajza të dhunuara, dhe me një ekonomi familjare tërësisht të shkatërruar. Ky çmimi i gjakut dhe i pasurisë, dhënë luftës sonë për liri, bëri që SHBA-të, NATO, dhe e gjithë bota t´i vehet në ndihmë, Luftës për liri të Kosovës. Në atë luftë të pabarabartë Amerika na bëri me shumë duar, dhe fizikisht Kosovën e shpëtoi nga shuarja. Unë dhe familja ime, më thotë Ali Tahiri, një burrë fjalë pak e i guximshëm, lirisë së së Kosovës i kemi dhënë mjaft për kohën. Fal organizimit të mirë, dhe përgatitjes për luftë, Llapi dhe Anamorava, nuk lejuam që të ndodhë Tivari dhe Srebërnica. Babai im Tahiri  ishte i veshur dhe në front të luftës, që nga ditët e para. Tek shqiptarët, kur babai është në luftë me dike, edhe familjarët atë e ndjekin, dhe janë luftëtarë të tij. Bashkim Aliu, im vëlla, i lindur me 2.01. 1983 në Bardhyl të Llapit. Ai në moshë fare të re (18 vjeç ) u radhit në radhët e UÇK-së. Bashkimi bashkë me prindërit, Mëmën, babain, vëllëzërit, motrat dhe xhaxhallarët dhe familjet e gjerë, kontribuan shumë në bartjen e ushqimeve, armatimit, dhe ndihmë të plagosurve. Ne jemi fqinjë me serbët, më thotë Aliu, një biznesmen i sukseshëm në Dortmund të Gjermanisë, i cili në në kohën më të vështirë, Luftën e Kosovës për liri e pavarësi e ndihmoi me 3o mijë marka gjermane. Ne shprehet Aliu, në kohë paqe fqinjëve serbë u kemi dhënë bukë, kur kanë qenë në nevojë. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët njëri-tjetrit! Toka e gjyshit dhe e stërgjyshit, nuk jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën. Jo njëherë, por disa herë i kam kafshuar lotët që të mos m´i shohin prindërit, vëllëzërit, motrat, miqtë,  shprehet Aliu, se para nënës nuk kam të drejtë të qajë!..Rruste, Kosovën e kam zemër, e kam shpirt, e kam atdhe. Kosova për mua është kuptimi i jetës sime!..

 

Filed Under: Komente Tagged With: dashuria ime, Dortmund, kosova, Rrustem Geci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5008
  • 5009
  • 5010
  • 5011
  • 5012
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT