• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Bujar Nishani në “Tonight Ilva tare”: PRESIDENTI ESHTE MBI PARTITE

December 12, 2013 by dgreca

Emisioni “Tonight Ilva Tare”, në RTV “Ora News”, këtë mbrëmje ka patur një të ftuar të veçantë, qytetarin e parë të Shqipërisë, Presidentin Bujar Nishani./

Si e përjetuat 23 vjetorin e themelimit të PD-së? Nuk shkuat në ceremoni?

Presidenti i vendit është jashtë partive politike, edhe nga pikëpamja formale duhet të qëndrojë jashtë aktiviteteve që organizohen nga partitë politike. Unë i uroj festën PD-së. Ajo është një aset i rëndësishëm i jetës publike, poltike të vendit. Është partia e parë e krijuar pas pluralizmitnë Shqipëri.

Ju erdhi keq që nuk shkuat në festën e PD-së pasi ju keni qënë një nga përfaqësuesit më të lartë të saj?

Qëndrimi i drejtuesve të institucioneve të pavarura siçështë presidenca, nuk varet nga pikëpamja formale por nga mënyra e sjelljes dhe përmbushja e detyrimeve ligjore. Nuk do të ishte problematike vatja por unë mendoj se presidenti duhet të zbatoj me rigorozitet parashikimet që ka ky rregull dhe formalitet.

Si e shikoni faktin që PD humbi në zgjedhjet e 23-Qershorit? E kishit parashikuar këtë fakt?

Sistemi që ne kemi hyrë pas viteve 90’ është sistemi i rotacionit politik, sistemi i qeverisjes, i marrjes përsipër të përgjegjësive, I kontributeve dhe kostove që mund të kesh marrë gjatë qeverisjes. Unë mendoj se 8 vite në qeverisje në mënyrë normale mund të pritet dhe rotacioni politik

A ishte një largim i merituar?  

Gjykimi ishte i qytetarëve shqiptarë dhe askush nuk mund ta gjykojë këtë vendim. Prëderisa qytetarët vendosën se duhet të kishte rotacion ky vendim duhet respektuar. Vota duhet respektuar si kur je në mazhorancë ashtu edhe kur je në opozitë.

Si e shikoni PD tani në opozitë?

Natyrisht që ka angazhime të mëdha dhe dinamike. Së pari përgjegjësinë që ka një opozitë për jetën politike sociale dhe shoqërore të vendit, çka është detyra parësore dhe nga ana tjetër pjesën e dinamikës së jetës së brendëshme partiake të PD-së. Unë mendoj që jo vetëm ata që janë të lidhur me PD-në por për të gjithë është me interes që këto proçese të jenë të konsoliduara dhe me standartet e merituara.(Pjese nga intervista)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilva Tare, presidenti Nishani

Malësorja që takoi Mbretëreshën e Suedisë

December 12, 2013 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/

1.

Ka kaluar disa kohë, nga dita kur unë mora një mesazh nga Teuta Halilaj, bija e kolegut e mikut tim, nga Kukësi dhe tani me banim në Tiranë, Isa Halilaj-“Mësues i merituar” dhe autor i disa librave, sidomos në fushën e arsimit tonë kombëtar. Rasti e solli që, pikërisht tani, ta rilexoj atë mesazh, kur po punoj për përgatitjen e një libri kushtuar disa krijueseve tona. Jam i ndërgjegjshëm se është një ndër “përjashtimet”, që po bëj. Pra, Teuta vërtet nuk është shkrimtare as poete e mirëfilltë. Por ajo është njeri me shumë ndjenja, me një botë të pasur shpirtërore  dhe, me siguri, në ndonjë bllok të saj vetjak ka shkruar e shkruan. Kështu, krijimtaria e saj “e fshehtë” mund të ketë brenda: poezi, ditare për ngjarje e dukuri të jetës, skica ose rrëfenja. Por këtë “sekret” të saj nuk do ta zbulojmë kësaj here. Këtë radhë, mjafton të pohojmë se ajo ka mbaruar Universitetin e Tiranës, ku studioi për gjeografi e histori dhe pak vjet iu dha mundësia të jepte mësim  në vendlindjen e saj ose në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë. Po, për shkak të një adsidenti të rëndë automobilistik, prej të cilit Teuta u bë “pre” e karrikes me rrota, ajo nuk mund ta ushtronte profesionin e mësueses, aq të dashur për të, pasi asnjë shkollë në Shqipëri nuk kishte përshtatshmëri për personat me aftësi të kufizuar. Të dhënurit mësim në shkollë, për Teutën, ngeli një ëndërr ose dëshirë e madhe, qe ajo nuk do ta realizonte kurrë në Shqipëri.

2.

Megjithëse njihesha me babain e Teutës, mësuesin veteran Isa Halilaj, për herë të parë, e mësova dhimbjen e plagën e rëndë të kësaj malësoreje të hekurt, vetëm kur TVSH-ja e kishte ftuar në një emision të posaçëm. Aty, plot emocione, ajo rrëfeu historinë e vet, foli për jetën e saj të trazuar.

Më vonë, babai i Teutës më tregoi episode të ndryshme. Ndër të tjera, më kujtohet tani, që ai më tha se  Teuta kishte mundur të sistemohej për rehabilitim në Mbretërinë e Suedisë. E rrethuar nga kujdesi i veçantë i specialistëve të atij vendi mik me Shqipërinë, një ditë shkoi në qendrën e tyre, Mbretëresha e Suedisë. Duke  u përshëndetur e biseduar me persona të ndryshëm aty, ajo u ndal edhe para Teutës. E pyeti se nga ishte, si quhej dhe si e ndjente veten. Malësorja jonë, fillimisht, i tha asaj që vinte nga Shqipëria dhe se emiri i saj ishte Teuta, pra emri i mbretëreshës se Ilirëve, të të parëve të shqiptarëve.  Pastaj, me mjaft emocione, ajo i falënderoi përzemërsisht, si atë dhe vendin e saj, mik të Shqipërisë dhe me aq ndjeshmëri të larta njerëzore, që atë e kishin mundësuar të shkonte aty, për ta përmirësuar shëndetin.

Pasi e dëgjoi me shumë vëmendje Teutën, Mbretëresha e Suedisë e përqafoi ngrohtësisht atë dhe, duke qeshur, i tha që në atë sallë ndodheshin dy mbretëresha, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Suedisë. Sigurisht, siç është e kuptueshme, pranë tyre ndodheshin shumë gazetarë, të shtypit të shkruar dhe atij elektronik. Menjëherë, fjalët e Teuta Halilajt qarkulluan dhe prekën zemrat e mijëra banorëve të Suedisë, te cilët dhanë ndihmesën e tyre edhe financiarisht për reabilitimin e mëtejshëm të saj. Pra, si me magji, asaj iu hapën menjëherë dyert “katërkapakësh”, për të ardhmen e saj.

3.

Nuk do të tregoj imtësira, por,  në vazhdimësi, pasi u kthye nga Suedia, Teuta erdhi pranë familjes së saj, në Shqipëri dhe megjithëse ishte me aftësi të kufizuara, e ulur në një karrike me rrota, ajo nuk u ndal para asnjë vështirësie, që jeta i serviri. Kështu, me shumë guxim përballoi gjithçka, duke u bërë shembull pozitiv për mjaft persona të tjerë, me aftësi të kufizuara. Teuta ka qenë dhe është veprimtare e shquar e lëvizjes në përkrahje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke u bërë zëri i tyre, si brenda dhe jashtë Atdheut në shumë takime, kombëtare e ndërkombëtare. Por, megjithatë,  ëndrra e saj e madhe, për të dhënë mësim në një nga shkollat e Shqipërisë, nuk iu realizua snjëherë!

Tani, konkretisht,  Teuta Halilaj ndodhet në Angli dhe që andej, ajo ma ka dërguar edhe mesazhin, të cilin po e publikoj, për herë të parë, i cili u bë dhe shkak të bëj këtë shkrim modest për të.

Pra, ja mesazhi i Teutës, për të cilin folëm në hyrje të këtyre radhëve. Por ai nuk është i vetmi. Kështu, përmes e-maileve ose “Facebook”-ut, ne kemi shkëmbyer disa herë mesazhe. Gjithashtu, me kënaqësi i kam nisur shkrime, që kam përgatitur për publikim. Dhe, kurdoherë, ka shprehur nderimin e respektin, për takimet, që bëjmë dhe lidhjet që kemi, unë e babai i saj.

“Profesor Murati,  si të kam? Shumë faleminderit për  vlerësimet dhe respektin e veçantë, që i bën babit tim, Isa Halilaj! Një falënderim të veçante ke nga unë për mundësimin e daljes së babit te emisioni special, me rastin e Festës së 7 marsit 2013. Na kënaqe, se na e solle babin nëpermjet ekranit te ne dhe nuk ka gëzim më të madh, kur je e lumtur dhe krenare për babain tënd. Kështu që shumë faleminderit, se më ke bërë të të lumtur!

Unë, mirë jam. Jam duke kryer këtu ca studime  për mësuese dhe, gjithashtu, po aplikoj për punë, mësuese në një shkollë, këtu afër. Jam e gëzuar se do të nisi punë pasi, në të vërtetë, më është plotësuar një ëndërr e prerë në mes, qëkur ndodhi aksidenti. Para tij, unë kisha vetëm 2 vjet punë mësuese dhe pastaj nuk u ktheva më kurrë në shkollë! Ka qenë një nga brengat më të mëdha të jetes sime. Pavarësisht se në Tiranë u mora më se 12 vjet me mësimdhënie (kurse private të gjuhes angleze), përsëri ëndrra për të shkuar e për të dhënë mësim, në një nga shkollat e kryeqytetit tonë, mbeti e parealizuar kurrë. Prandaj jam shumë e gëzuar, që do të filloj përsëri punë me fëmijët.

Po ua nisi adresën time të e-mail-it dhe, si deri tani, përherë të m’i dërgosh shkrimet tua, se unë me kënaqësi do t’i lexoj ato, pasi me pëlqejnë, si të shkruarit dhe të lexuarit.

Profesor, uroj që ky mesazh t’u gjejë sa më mirë, si ty dhe bashkëshorten tënde! Kur të vij në Tiranë, patjetër që do të takohemi…Me respekt: Teuta Isa Halilaj”.

Ndërsa, siç shkruan ajo aty, kur erdhi më pas në Tiranë, në muajin prill të këtij viti, i bëra një vizitë në shtëpinë e prindërve të saj, bashkë me drejtoreshën e “Radio-Kontakt”, gazetaren Jolanda Lila. Me atë rast, me atë dhe të atin, Isanë, bëmë disa fotografi, të cilat i ruaj si një kujtim i rrallë.

Tani, kur lexuesit tanë u njohën me një nga mesazhet e Teuta Halilajt, nuk na mbetet gjë tjetër, veç t’i urojmë nga zemra asaj: Shëndet sa më të mirë, punë të mbarë në profesionin për edukimin e fëmijëve, gëzime dhe lumturi në jetë! Besojmë e shpresojmë që, një ditë, nga kjo malësore e fortë, e papërkulur dhe optimiste, të lexojmë një libër të bukur, i cili të tregojë e dëshmojë për jetën e deritanishme dhe forcën e saj të madhe shpirtërore.

…Për rastësi të bukur, shkrimi që bëra për Teutën, përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Prandaj, ju uroj të gjithëve: Jetë, forcë dhe guxim! Sepse askush nuk mund t’ua mohojë atyre të drejtën për të jetuar njëlloj, si gjithë njerëzit e tjerë.(Ne Foto: Kujtim i paharruar, Tiranë, 9 prill 2013 (Djathtas: T.Halilaj, J.Lila, M.Gecaj e I.Halilaj)

Tiranë, 12 dhjetor 2013

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: malesorja qe takoi, Mbretereshen e Suedise, Prof. Murat. gecaj

LISA TË MËDHENJË

December 12, 2013 by dgreca

Jo njëherë, por disa herë më ka thënë i madhi Metush Krasniqi, se kombet e vogla nuk zhbëhen nga lufta, por nga heshtja dhe mosbërja gjë. Ne duhet ta mbajmë ekuilibrin me realitetin thoshte mësuesi i lirisë, Metush Krasniqi, amanetin e të cilit e mbaj edhe sot në zemër, rrëfen Ramiz Arifi, një atdhetar i çështjes kombëtare. /

Nga Rrustem GECI/

Luftëtari i gjallë i lirisë së Kosovës, Ramiz Arifi, u lind më 2. 02.1955 në Breznicë të Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe Roganë, ndërsa të mesmen në Gjilan. Pas disa burgosjeve të shkurta, Ramizi s’e ndal veprimtarinë e tij dhe njëherit, studion në SHL në Pejë. Veprimtaria atdhetare e Ramiz Arifit është veprimtari e luftëtarit të mirfilltë të lirisë. Që i ri Ramizi inkuadrohet në Lëvizjen e të rinjëve të Kosovës, kundër pushtuesit serb. Ai bashkë me grupin e tij të ilegales, shpërndan trakte dhe shkruan parulla. Grupi tregon Ramizi kishte për detyrë leximin e librave, shpërndarjen e literaturës, dhe shumëzimin e grupeve të reja. Unë kam pasur dy mësues lirie më thotë Ramizi: një, të madhin Metush Krasniqin, dhe dy librin. Si sot më kujtohet një poezi e Brehtit, / Gjeneral, njeriu është shumë i dobishëm/ mund të vrasë, mund të luftojë, mund të pilotojë/ por ka një mangësi…mund të mendojë!..Jo njëherë, por, disa herë e kam bluar në mendje këtë poezi të shkrimtarit gjermanë, Brehtit. Çdo betejë në jetë ka bremdinë e saj. Ekuacion fiks për luftën nuk ekziston. Unë që fëmijë kam qenë natyrë impulsive. Guximin tim, shprehet Ramizi e kam treguar në të gjitha betejat për lirinë. Ujin me shkop, jo njëherë por disa herë e kam rrahur tek lumi i fshatit tim. Në odën e Kadri Arifit në Breznicë, tema e lirisë dhe shkëputja nga Serbia qe shtruar disa herë, nga ata që lirinë e kishin në zemër. Në odën e babait tim tregon Ramizi, e kam mësuar që i vogël, se dielli vjen prej zjarrit, dhe uji që buron në tokë është shi i disa stinëve më parë. Gjyshja dhe nëna ime dinin shumë nga gojëdhënat, dhe tregime të prindërve të tyre. Edhe fshati ynë thoshte babai nuk është i përjashtuar nga dashuria për lirinë, dhe ëndrra për të bukurën, mirëpo, për të fituar lirinë, bëmë luftë për ta fituar atë. Vullneti i Luginës, që edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja të jenë pjesë e Kosovës, vazhdon të jetë e gjallë në mes të qytetarëve atje. Në Lëvizjen për Bashkimin të trojeve Shqiptare, të udhëhequr nga atdhetari Metush Krasniqi, unë kam 18 vjet veprimtari atdhetarie. E thashë në fillim të këtij shkrimi, se jam natyrë impulsive dhe guximi kurrë s’më ka munguar. Të jesh luftëtarë i lirisë tregon Ramiz Arifi, nuk është aq e lehtë. Lufta për liri ka vuajtjet dhe sakrificat e saj. Jam krenar që isha veprimtar dhe pjesëmarrës i UÇK-së. Figura e UÇK-së, nga ditë në ditë po bëhet më e plotë dhe më historike. Në ngjarjet e vitit 1981 e më vonë, unë dhe grupi im i ilegales bëmë detyrat për lirinë. Më 1981 unë kam ngrënë një burg prej gjashtë muajsh, nga gjyqi serb i Gjilanit. Pranvera e madhe e ’81 ishte një sprovë e madhe për gjithë brezin tim. Serbia atë kohë nuk jepej, por ishte shndërruar në vrasës të tërbuar. Më të guximshmit thoshte i madhi Metush Krasniqi, bëjnë historinë, dhe ashtu vërtetë ndodhi. Në vitin 1975 Emin Kraniqi, Ramiz Arifi dhe Besnik Krasniqi  formojnë grupin „Albanikos“ që ishte  goditja më e rëndë kundër një regjimi që po jepte shpirt. Me „Albanikosin“ u hoqën shumë parulla ideologjike të „marksizëm- leninizmit“. Dora e bërë grusht nga „Albanikosi“ bëri që gjërat të ecin përpara. Me „Albanikosin“ u pa se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk kishte rrugë tjetër, pos të kalojë në armatosjen e popullit, dhe lufta ishte e pritshme.Vitet rrjedhnin njëri pas tjetrës, dhe Kosova përgjakej nga dita në ditë. Pas ndjekjes disa vjeçare nga udbashët e serbisë, në vitin 1983, kreu i „Albanikosit“, Emin Krasniqi, Besnik Krasniqi dhe Ramiz Arifi bien në burg. Në burg bien edhe 11 shokë të tyre, veprimtarë të „Albanikosit“.Emin Krasniqi dënohet me15 vjet burg, Ramizi Arifi me 11 vjet burg, Bajram Dërmaku me 11 vjet burg, Salih Biçku me 5 vjet burg, Ahmet Isufi me 8 vjet burg, Besnik Krasniqi dënohet në mungesë, me 9 vjet burg,  Isa Dërmaku me 6 vjet burg, Qëfsere Mala me 5 vjet burg, Nijazi Biçku me 5 vjet burg, Sadri Ramabaja me 4 vjet burg, Shyhrete Malaj 4 vjet burg, Shyqri Emini 2, 5 vjet burg, Taip Malaj 1 vit burg e të tjerë, gjithsejt 110 vjet e 5 muaj burg. Rroli i luftëtarëve të lirisë në kohën e luftës ishte dhe mbetet i pa mohueshëm. Në luftën 1996- 1999 unë kam luftuar në zonën e Karadakut. Unë nuk dua të përmendi emra të pjesëmarrësve në luftë kundër serbit, spse janë shumë, dhe të panumërt. I madhi Metush Krasniqi ishte kryeheroi ynë, nga ai ne merrnim shumë detyra. Liria është gjak i të gjithëve. Në gjallje të tij, çlirimitari e ka për detyrë prangat t´i thyej. Shpejtësia e kohës që po jetojmë nuk pranon vonesa. Liria e përditshme është liri e nevojshme, liri e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Luftën që bëmë ne, qe luftë e vërtetë, lirinë që fituam edhe ajo është e vërtetë. Lirinë që po e jetoj sot më thotë Ramizi, s’ është ëndërr, po realitet i fituar me grykën e pushkës.

Rrustem Geci – fragment nga libri „Atdhetarët“

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Lisa te medhenj, Rrustem Geci

Titaniku pa timonier!

December 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Duket sikur jemi, disa ‘’të shpëtuar’’, nga varja kokëposhtë, të cilët shohin pas shpëtimit të tyre, çfarë ka ndodhur përreth…, ndoshta e pagjetur, kjo……! Më mirë do të besonit krahasimin, me ‘’Titanikun’’. Ju kujtohet, kur në atë proces të pashmangshëm zhytjeje, jeta do t’i dhurohej vetëm disave, mbi varka shpëtimi, më së shumti femra, apo dhe ndonjë mashkulli të travestituar përkohësisht, sikundër ‘’disave’’, që ligjet fizike dhe shoqërore nuk mund t’i përfshinin brenda rregullit universal. Pasi doli në tokë, e shpëtuara, na tregoi historinë emocionuese të katastrofës së ftohtë…! Të gjithë u mallëngjyem përlotshim me tregimin e saj, e besuam dhimbjen e saj, ndjemë të ftohtin e asaj nate, ku uji dhe tmerri ishin të programuar për gjithë të tjerët, e në fund krijuam bindshëm përshtypjen – se ‘’ fati njerëzor shkon gjithnjë kundër dëshirave të zjarrta të tij’’!

Megjithëse, ne gjetëm apo na u dhuruan mundësitë për të hipur në ‘’varkat’’ e shpëtimit të gjeneratës sonë, na mungon Titaniku, të cilin megjithëse të mbytur, s’kemi as fuqinë ekonomike ta ‘’ngremë’’ në breg, as moralin për ta rigjallëruar (reinkarnacioni), qoftë edhe psike-virtualisht! Çfarë të bëjmë, përveç garës së dëshpëruar intelektuale, në konstatimin e antivlerave ?! Po sikur të mos ishin femrat e shpëtuara nga varkat, apo ca meshkuj fatlumë, ku do të prehej vallë ndërgjegjja apo vetëndërgjegjja jonë, sot ?!

Ndoshta, ka një rrugë ‘’shpëtimi’’. Vjen natyrisht nga brenda ‘’vijës së verdhë’’, ku ka Kinostudio dhe 1- Kinema. Sikur, të përpiqemi ta rikrijojmë filmin, rrugëtimin e ‘’Titanikut’’ të pamposhtur, që në ndërtim e deri tek ‘’ajsbergu’’ i mallkuar. Ta mbushim atë me varka të mjaftueshme shpëtimi, për të gjithë. Të lemë gjithmonë, sidomos natën një Timonier të Zotin, i cili do të urdhërohej nga një kapiten, po ashtu, i tillë. Të mos harrojmë në rikrijimin tonë ‘’frikën’’ matematike të shkencëtarit, shqiptar. Pastaj, ta hedhim në ekran (ujë) Titanikun e ri, i cili do të lundrojë, i sigurt në pasiguritë e nënujshme, për të dalë në bregun tjetër me të gjithë ‘’të shpëtuarit’’, bashkë me dashuritë dhe brengat e tyre. Ndoshta do të jetë një shërim fiktiv prej dy orësh…, por rikrijimi i versionit tonë të ‘’Titanikut’’, mund të ndihmojë dhe ngushëllojë pafuqinë tonë për ringritjen e Tij. Pse jo, edhe të mundësojë aktivizimin e dëshirës, shpresës dhe vullnetit të të gjithë ‘’shikuesve’’, për ndërtimin e një Tjetri……!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, titaniku pa timonier

RITAKIM ME HUMBJEN

December 12, 2013 by dgreca

Një reminishencë bajate e Luftës së ftohtë/

Shkruan : Rexhep Kasumaj/Berlin/

1.

Një ish-spiun nga koha e Luftës së ftohtë fërkon duart ngazëllyeshëm. Tash sa vjet shef i Kremlinit (edhe kur nuk ishte banor i tij), Wladimir Putini, shpreson të ketë ngritur një Perde të re mes tij dhe botës së lirë. Premieri ukrajinas, Mykola Asarow, dekretoi ndalimin e nënshkrimit (pritej javën e ardhme në Vilnusin baltik) të Marrëveshjes së asociiimit me Bashkimin europian. Kijevi përplasej moti në vorbën djegëse se ç’anë duhej të zgjedhte: Rusinë apo Perëndimin! Zgjedhja nuk kje e lehtë. Dhe as vetëm politike. Ndarja përgjatë lumit Dnjepër i jepte asaj përmasën e vështirë identitare. Çorientimi etnik i gjysmës popullore dhe shantazhi ekonomik rus, do të vulosnin vendimmarrjen e gjunjëzuar për aderim në Unionin doganor me fuqimadhin e vogël verior.

Europa do të indinjohej keq, kurse Putini (që thuase ishte kthyer prapa në vitin 1939 të Hitlerit a Stalinit të tij, si e përshkruan SZ e Mynihut) ekzaltohej nga fitorja e ligë: arriti të mblidhte mbetje të pluhnosura nga rudimenti i Murit të rrëzuar. Ukrajina, së paku ajo, duhet të kompensonte atë. Të ishte tamponi mbrojtës përreth rrezatimit të vlerave të qytetnisë europiane. Ai i trëmbet, si mortit, afrisë së tyre. Fine e, njëkohësisht, përflakëse, ato lëkundin themelet e despotisë së tij: si frymë dhe praktikë e vjetër lindore.

2.

Po a s’është ky një moment reflektimi dhe për Europën vetë? E para, meqë duket pakëz e rënduar për integrimin flatrues të Rumanisë e Bullgarisë, të parritura ende për vrujimet e saj, a duhej të ngarendte sërish drejt dështakut të radhës: pa një profil unik kulturor, pa caksynim të definuar strategjik dhe pa demokraci të absolvuar parlamentare?!

Pastaj, e dyta, deri ku venë kufijtë e saj? Deri aty ku mësojnë lektyrat shkollore apo deri aty ku ajo refuzohet si hemisferë e huaj?

Europa nuk mund të ngryset në Bosfor dhe të gdhijë një ditë të bukur në malet e Hindukushit, duke përvetësuar problemet që nuk janë të saj. Kështu e ka zakon të thotë shpesh Helmut Schmidt, ylli akoma i pashuar i socilademokracisë, krahut politik gjerman, e kontinental përgjithsisht, që shprehet përherë më i hapur për vende e popuj që rrojnë larg, shumë larg gjeografisë së saj. Më të rreptë akoma janë eurocentristët që mbahen tëpër të rezervuar dhe nuk entusiazmohen fare me teoritë përshtrirëse dhe multikulturale. Ata janë të gatshëm ti ofrojnë, Turqisë fjala vjen, statusin e partneritetit të privilegjuar dhe asgjë më shumë. Mirëpo dhe nga ithtari ngulmëtar për integrim komunitar, i ftohur a reislamizuar, vjen një mesazh tjetër lehtësues: tani vetëm 30 përqind e më pak të banorësisë turke mbështesin idenë e përbashkimit me Europën.

Ndaj, ç’do dhe ç’shenjon ajo, njëmend, në horizonte të tillë? Është rezoni i gjeopolitikës që mbipeshon kulturën e demokracisë – apo kjo e fundmja është ai shpirti mijëvjeçar që gjakon të zbardhë hapsirat e errta? Janë, mbase, të dyjat bashkë. Ajo, si përherë, ka mision planetar, ndërkohë që, në anën tjetër, vajtja andej ngjan të jetë krejt e natyrshme. Fundja, ukrajinasit gjenden pranë, në oborrin e saj, kurse pishtarin përndritës e mban poaq dhe Lindja e vjetër. “Konfederata ose Paqja e Varshavës”  e vitit 1573 (Pax dissidentium) që fabrikoi termin nismor të disidencës (aherë kishtare) bënte një gur të fortë në ngrehën e historisë dhe kulturës së mendimit të lirë (Freidenkerei) në Europë.

3.

E prandaj, tundimi a përulja e fqinijit të poshtëm të Moskës që i thërret lojës së moçme të konfrontimit, ndoshta nuk është veçse një ndërmjetëz e brishtë në midisaktin e dramës. Shfaqja nuk ka mbaruar ende dhe gjithçka do rizhvillohet mbi ligjërinë e historisë. Flamuri i triumfit në Kremlin valëvitet dridhshëm nga era e së Drejtës dhe Lirisë që fryn nga Europa dhe Perëndimi i rinosjes së paprerë. Edhe “vëllezëria myslimane” vodhi tinëzisht e mashtrueshëm (J.Kerry) produktin e përgjakur të revolucioneve pranverore arabike, por jo jetëgjatësisht. Gjaku nuk shkon dëm kurrë dhe tiranët e çdo fytyre s’ndjehen të sigurtë askund.

As Putini me “Perden” e re poashtu. Humbja tashmë i ka lënë takim në një kohë të dytë.

Berlin, vjeshtë 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Berlin, Rexhep Kasumaj, ritakim me humbjen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5015
  • 5016
  • 5017
  • 5018
  • 5019
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT