Shkruan: Faik KRASNIQI/
Duket sikur jemi, disa ‘’të shpëtuar’’, nga varja kokëposhtë, të cilët shohin pas shpëtimit të tyre, çfarë ka ndodhur përreth…, ndoshta e pagjetur, kjo……! Më mirë do të besonit krahasimin, me ‘’Titanikun’’. Ju kujtohet, kur në atë proces të pashmangshëm zhytjeje, jeta do t’i dhurohej vetëm disave, mbi varka shpëtimi, më së shumti femra, apo dhe ndonjë mashkulli të travestituar përkohësisht, sikundër ‘’disave’’, që ligjet fizike dhe shoqërore nuk mund t’i përfshinin brenda rregullit universal. Pasi doli në tokë, e shpëtuara, na tregoi historinë emocionuese të katastrofës së ftohtë…! Të gjithë u mallëngjyem përlotshim me tregimin e saj, e besuam dhimbjen e saj, ndjemë të ftohtin e asaj nate, ku uji dhe tmerri ishin të programuar për gjithë të tjerët, e në fund krijuam bindshëm përshtypjen – se ‘’ fati njerëzor shkon gjithnjë kundër dëshirave të zjarrta të tij’’!
Megjithëse, ne gjetëm apo na u dhuruan mundësitë për të hipur në ‘’varkat’’ e shpëtimit të gjeneratës sonë, na mungon Titaniku, të cilin megjithëse të mbytur, s’kemi as fuqinë ekonomike ta ‘’ngremë’’ në breg, as moralin për ta rigjallëruar (reinkarnacioni), qoftë edhe psike-virtualisht! Çfarë të bëjmë, përveç garës së dëshpëruar intelektuale, në konstatimin e antivlerave ?! Po sikur të mos ishin femrat e shpëtuara nga varkat, apo ca meshkuj fatlumë, ku do të prehej vallë ndërgjegjja apo vetëndërgjegjja jonë, sot ?!
Ndoshta, ka një rrugë ‘’shpëtimi’’. Vjen natyrisht nga brenda ‘’vijës së verdhë’’, ku ka Kinostudio dhe 1- Kinema. Sikur, të përpiqemi ta rikrijojmë filmin, rrugëtimin e ‘’Titanikut’’ të pamposhtur, që në ndërtim e deri tek ‘’ajsbergu’’ i mallkuar. Ta mbushim atë me varka të mjaftueshme shpëtimi, për të gjithë. Të lemë gjithmonë, sidomos natën një Timonier të Zotin, i cili do të urdhërohej nga një kapiten, po ashtu, i tillë. Të mos harrojmë në rikrijimin tonë ‘’frikën’’ matematike të shkencëtarit, shqiptar. Pastaj, ta hedhim në ekran (ujë) Titanikun e ri, i cili do të lundrojë, i sigurt në pasiguritë e nënujshme, për të dalë në bregun tjetër me të gjithë ‘’të shpëtuarit’’, bashkë me dashuritë dhe brengat e tyre. Ndoshta do të jetë një shërim fiktiv prej dy orësh…, por rikrijimi i versionit tonë të ‘’Titanikut’’, mund të ndihmojë dhe ngushëllojë pafuqinë tonë për ringritjen e Tij. Pse jo, edhe të mundësojë aktivizimin e dëshirës, shpresës dhe vullnetit të të gjithë ‘’shikuesve’’, për ndërtimin e një Tjetri……!