• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gonxhet e porsaçelura në prill

November 11, 2013 by dgreca

Opinione mbi librin me tregime të Drita LUSHIT  “DASHURIA  ÇEL  NË PRILL”/

NGA TIMO  MERKURI/

Në prill çelin gonxhet e luleve në zonat malore. Dalngadalë mbulesa mbrojtëse e gjelbër  hapet si një kanat porte  dhe pas tyre zgjaten petalet e ndrojtura. Fillimisht sa çfaqen pakëz, si një sy vajze e ndrojtur, që do të shohë se çfarë ka kjo botë  pas porte, për të shpërthyer më pas e për ta zotëruar të tërrën  me bukurinë e saj. Është magjepës moment i çeljes së gonxheve në prill.

Ende pa e parë lulimin të deh aroma pranverore. Dhe të lind dëshira që të qëndrosh në vend, edhe nga ndroja se mos i shkel padashje këto gonxhe të porsaçelura, që ende skanë marrë formën e plotë të një luleje. Dhe pastaj, kur shesh gonxhet e porsaçelura, si sy vajzash gjysëm të mbyllur, të ndritur e të përnjomur, që nxitojnë për në takimin e parë, të ndizet edhe ty brenda shpirtit një ngrohtësi dhe të krijohet ndjesa se jeta është e bukur.  Është vërtet e bukur jeta, pavarësisht se mbi petalet e saj shpesh herë bie pluhuri i modernitetit, me grimca krimi e varfërie. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht bukurinë e petaleve, por nuk e ndalon dot aromën dehëse të luleve të na mbushë kraharorin. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht petalet, por nuk mund të bëhet pjesë e tyre. Ai rrëzohet edhe nga flladi më i  lehtë. Dhe atëherë aroma e luleve vjen te ne edhe në formën e një duhme dehëse. Ne nxitojmë të  gjejmë këto lule, ti mbledhim e të bëjmë tufa me to, për ti dhuruar në shënjë dashurie për njeriun dhe për jetën. Apo së paku, duke u këputur petalet, të hipotezojmë …më do apo s’më do…njeriu që ne e duam. Sepse  lulja nënkupton dashuri.

Dhe ne kemi nevojë për lule, sepse kemi nevojë për dashuri. Paçka  se shumë herë kjo dashuri na mbush me lotë. Me lotë shpirti,  që qëndrojnë   si vesa mbi petale. Por lulja e porsaçelur, në vetvete i ngjan një buzëqeshjeje. Qoftë e mbuluar nga vesa e prillit. Madje duket më e bukur kur mbi  petalet e saj rrezëllijnë margaritarët e lotëve.

Këto mendon ndërsa çfleton librin “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit, ku në shtrat novelash kanë mbirë e po çelin petalet e tregimeve të saj. Petale që, ndonëse nuk të japin konturet e plota të luleve që u përkasin (e pra, janë gonxhe në  çelje e sipër), të ftojnë të rish pranë tyre, të ndjesh jetën që gëlon në këtë çelje, të dehesh nga aroma e tyre dhe, shpesh përmes lotëve të pohosh….Jeta është e bukur.

Sepse unë me plot dëshirë do sodisja “Valsin me të bardha” të Etlevës dhe do ta quaja me plot të drejtë Valsi i dashurisë. I  dashurisë për jetën e re që nis, për dashurinë prindërore që e shndroi dhimbjen në lumturi…Dhe ajo ngrohtësi që buron nga reshtat e tregimit, ju siguroj unë që është ngrohtësia e gjithë dashurive.

Është ajo ngrohtësi  njerëzore që gëlon edhe  te “Shtatë ditët”, tregim që vetiu të kujton se…edhe zoti e krijoi botën në shtatë ditë. Sepse e krijoi me …dashuri…Nuk e kisha dashur botën më shumë se sot…pohon sinqerisht autorja.  Është një dashuri që nuk mund të thuhet nëpër telefona , një dashuri që edhe vendimin më të vështirë e bën të natyrshëm si çelja e një gonxheje.Një dashuri që I bën të bukur dhe të natyrshëm edhe lotët e burrit dhe natyrshëm thua …Gjergj…unë do të vij, duke e vendosur theksin te pjesëza “të”, për të kuptuar se të vij ty, vij vetëm për ty. Pavarësisht se bie shi apo jo.

Te këto tregime të porsaçelura si gonxhe lulesh ka shumë freski. Tallazet dhe vrundujt e ndjenjave të shpirtit, dalin përmes rreshtave dhe vijnë drejt teje. Herë të rrëshqasin si lotë ndënë qepalla, herë të ulen si buzeqeshje  në buzë . Vrapon nëpër shi bashkë me personazhin, qesh apo trishtohesh bashkë me të. Por ajo që vlen të thuhet është fakti se jeton bashkë me  personazhin botën e bukur shpirtërore të Drita Lushit.  Këtë botë që ka kaqë shumë lule dhe dritë. Ku dhe dëbora është thjeshtë një …lule e bardhë. Këtë botë ku mëson të …puthesh  me vështrime, këtë botë ku gjithmon të pëlqen edhe shiu.

Në shtrat novelash kanë nisur të çelin ca gonxhe  që lajmërojnë një pranverë të afërt dhe me lule shumë. Të bukur, me diell e me shi, si lotë gëzimi. Dhe kur të çelin këto gonxhe plotësisht, së afërmi, do shohim se prilli, sa ka lule, ka dashuri. Do ndjejmë se është bukur të jetosh jetën, me gjithë vështirësitë dhe privimet e saj. Do ndjejmë se aroma e luleve të çelura është më e bukur se era e …makinave luksoze. Do ndjejmë jetën, të gjallë e të gëzueshme. Ashtu siç di ta përshkruajë Drita Lushi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dashuria cel ne Prill, Drita Lushi, Timo merkuri

SHQIPËRIA DHE ARMËT KIMIKE TË SIRISË

November 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Shaktërrimi i armëve kimike të Sirisë është një proces që ka filluar Shtatorin që kaloi, i shtyrë nga disa marrveshje ndërkombëtare, përfshirë edhe rezolutën 2118 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila detyron Sirinë të shkatërrojë armët kimike si edhe fabrikat për prodhimin e këtyre armëve.   Në bazë të një marrveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Siria pranoi se do të shkatërrojë të gjitha armët kimike dhe programin për prodhimin e tyre deri në mesin e vitit 2014.   Këjo marrveshje, siç dihet, mënjanoi sulmet arjore kundër Sirisë, sulme të cilat Washingtoni kërcënoi se do t’i ndërmirrte pas një sulmi me armë kimike në periferi të Damaskut, nga icili gjetën vdekjen qindra civilë.   Thuhet se shaktërrimi i këtyre armëve kimike në Siri, e cila është zhytur në një luftë të thellë civile, është tepër i rrezikshëm në kushte lufte dhe si rrjedhim po kërkohet një vend, jashtë Sirisë, ku të transportohen këto armë për shkatërrim.   Ndërkohë që shumë vende janë duke ofruar fonde the ekspertë për shaktërrimin e këtyre armëve, asnjë vend ende nuk ka vendosur që të pranojë shkatërrimin e tyre në territorin e vet.

Shtetet e Bashkuara, si vendi që po kryeson këtë përpjekje, kanë thënë se kanë kontaktuar një numër vendesh që mund të jenë të gatëshme të pranojnë vendosjen e mjeteve për neutralizimin dhe shkatërrimin e këtyre armëve shumë të rrezikshme, përfshirë Shqipërinë, Belgjikën, Francën dhe Norvegjinë.  Këtë e vërtetoi edhe një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme belge i cili i tha agjencisë së lajmeve AFP se “Shtetetet e Bashkuara ”kanë mbajtur një takim eksplorues në fillim të tetorit me Belgjikën, Francën, Shqipërinë dhe Norvegjinë për të parë se çfarë kapacitetesh ka secili vend për shkatërimin e armëve kimike”, të Sirisë.

Gazeta, norvegjeze, Norwej Post citon Ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Norvegjisë  të ketë thënë se një grup ekspertësh është duke studiuar mënyrat se si  vendi i tij mund të ndihmojë në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë dhe nëse një gjë e tillë është e mundur  të realizohet në Norvegji.  Ministri i jashtëm norvegjez,  Borge Brende tha çështja e armëve kimike të Sirisë ishte subjekt i takimit që ai pati javën e kaluar me Sekretarin Amerikan të Shtetit Xhon Kerri.  Ministri norvegjez shtoi se ajo që është e rëndësishme është që armët kimike të transportohen jashtë Sirisë dhe të shkatërrohen.

Shtetet e Bashkuara, si vendi që po kryeson përpjekjet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, kanë kontaktuar ndër vende të tjera edhe Shqipërinë.  Edhe në të kaluarën, Shqipëria u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të Amerikës, siç ishte rasti i pranimit të të burgosurve Uigir nga Guantanamo, të cilët nuk mund të këtheheshin në Kinë, dhe kohët e fundit Shqipëria u ofroi strehim nja 210 anëtarve të grupit dissident Iranian.  Megjithëse, sipas Global Security Newswire, që citon një burim të Kombeve të Bashkuara, ishte Rusia ajo që e para kontaktoi Tiranën zyrtare në lidhje me këtë kërkesë,  përsëri Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë aleatës së saj pranë Adriatikut që të studiojë mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë Brenda territorit të saj.   Këjo kërkesë drejtuar Tiranës zyrtare u njoftua nga Administrata e presidentit Obama dhe u vërtetua njëkohsisht edhe nga zyrtarët më të lartë të Shqipërisë.   Ndërsa Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të shtetit, Xhon kerri, Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati  tha për median shqiptare se në lidhje me këtë çështje nuk ka vend për alarm, pasi sipas tij, nuk është marrë ndonjë vendim dhe se as nuk po zhvillohen bisedime teknike në lidhje me këtë subjekt.  Ndërkaq, për këtë çështje u prononcua edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili  në një intervistë televizive vuri në dyshim mundësitë e vendit të tij për të shkatërruar armët kimike siriane, por Shqipëria, shtoi ai, si “anëtare e NATO-s duhet të marrë përgjegjësitë që janë në gjëndje të mbajnë supet e saj”.  Në të vërtetë, Shqipëria ka përvojë në këtë fushë, pasi është vendi i parë në botë, i cili me ndihmën financiare dhe teknike  të Shteteve të Bashkuara, vite më parë, ka shaktërruar të gjithë arsenalin e e saj të armëve kimike, në përputhje me Koncventën e Armëve Kimike.

Megjithë deklaratat e mësipërme të zyrtarëve shqiptarë, gazeta amerikane Los Angjeles Tajms citon një zyrtar europian i cili është në dijeni të bisedimeve dhe kontakteve mbi këtë çështje, t’i ketë thënë gazetës amerikane se, “Nga Shqipëria ka patur disa shënja pozitive”, por megjithëkëtë, ”këjo është një çështje tepër sensitive atje.”  Ndërkaq, gazeta Los Angjeles Tajms citon ish-ambasadorin e Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Adrian Neritanin, tani avokat në New York, se Shtetet e Bashkuara shpenzuan  $45 million dollarë për shkatërrimin e 18 ton gaz helmues të Shqipërisë të kohës së regjimit komunist dhe sipas tij shkatërrimi i arsenalit shumë të madh të armëve kimike të Sirisë do t’i sillte Shqipërisë fonde dhe mjete të reja nga Perendimi.  Për këtë qëllim, shtoi ish-ambasadori shqiptar, “natyrisht ka fonde, megjithëse nuk dihet shuma e tyre….por nëqoftse këjo është një mënyrë që Shqipëria të ofrojë ndihmën e saj dhe të tregojë se është një anëtare e denjë e komunitetit ndërkombëtar, pse jo?”

Por enti amerikan i lajmeve, Bloomberg News, thotë se edhe nëqoftse Shqipëria pranon kërkesën për shkatërrimin në territorin e saj të armëve kimike të Sirisë dhe nëqoftse ato mund të transportohen pa ndonjë problem,  Shqipëria prapseprapë përballet me shumë probleme logjistike dhe të sigurisë,  nëqoftse më në fund vendoset se aty do të shkatërrohen armët kimike të Sirisë.  Bloomberg News thotë se, “Shqipëria është një vend i varfër. Bota duhej ta paguante mirë atë për realizimin e  këtij qëllimi.  Siguria dhe korrupcioni janë problem.  Shqipëria është një qëndër  e kontrabandës dhe krimit të organizuar”, thuhet në artikullin e agjencisë Bloomberg.  Por megjithkëtë Bloomberg News thotë se përvoja e Shqipërisë në shkatërrimin e armëve të saj kimike gjatë dekadës së kaluar e bënë atë, në parim, “opcionin më pak të keq”, ku mund të shkatërrohen armët kimike të Sirisë.

Armët kimike dhe shkatërrimi i tyre nuk janë lojë.  Qeveria dhe shteti shqiptar duhet të jenë tepër të kujdesshëm në marrjen e vendimit të tyre në lidhje me këtë çështje aq serioze.  Është për tu admiruar fakti se grupe organizatash civile po protestojnë duke kërkuar diskutim të hapur dhe transparencë te plotë në lidhje me mundësitë që ka Shqipëria për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por për më tepër, mbi për pasojat e rënda që mund të rrjedhin nga një operacion i tillë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Shqiperia dhe armet Kimike, Siria

AROME BJESHKE PREJ GJERMANIE…

November 11, 2013 by dgreca

NEKI LULAJ NE SOFREN E DIELLIT/

1.AROMË BJESHKE/

Sot jam vetëm një hap pranë gurit që si gjysh hesht/

Lexoj zëra  apostujsh të kombit që duan qetësi/

Bie llohë këtë mëngjes vjeshte me diellin pas resh/

E cep më cep të trupit vesa po më jepka gjallëri/

 

I hazdisur si kalë livadhi e kam marr vrapin/

Napa  zbret hijshëm nga shpati mbi çati/

Me duhet të pushoj në albërishten  mes flladit/

Me aromë bjeshke në trupin e gjoksin tim/

 

Kjo llohë bore e përzier me baltë dhe me shi

Më ka xurxullosur gjer në lëkurën e trupit

Në shëpinë e gjyshit tim arbër me plis

Dua të  shtrihem në qilim mbi dhogatë pa fijen e turpit

 

Prek si një vajzë e bukur vesën brilantore  që rri mbi gur

Mbi shtratin e pranverës nanuriset  gjethja  e degës

Mbrenda saj si mjeshtër prek gurët në një mur

E në libra kërkoj kodin e një testament të vjetër

2.NËNËS

Mos ec kërrusur se nuk je duke shkuar në greminë

Je buqtë xhenxhafile orkide  dhe  dhuratë hyjnore

Je diell i dytë që shndërit me kaq rreze me shkëlqim

Je oshmak që e mban tërë vendin në të gjithë trojet

Fjala jote shëron plagë e rrafshon male

Dora jote është si urë që dhe oqeanet  i lidh me zemër

Unë përulem si foshnja  pranë teje dhe falem

Ti je ninëza e syrit që engjëllin na e sjell mes njerëzve

 

Je oshmak i pragut dhe i  çatisë

Je e bekuara  që bekon udhën e fëmijës

Je orakulli  i pagabuar i gjithë njerëzisë

Je dhuratë më e bukur e perëndisë

 

Je ojnikë e lehtë  dhe nimfë bukurore deti

Je agshol i çdo mëngjesi  që shkon e sërsh vjen

Je urim që e rrit foshnjën me këngë tek  djepi

Je lektisje dashurie që zbukuron  për jetë

 

3.LEARTI  I GJYSHIT

Ai është Abetarja ime Meshari  fjalëbekuar

Që me gishtërinjtë e vegjël në derë më troket

Një këpucë e lë jashtë pragut të portës së mjaltuar

E tjetrën  nga këmba harron  për ta heqë

 

I tëri i bërë xurxull agullimën e syve ma heq

Kujtimeve të mija ua largon hapin e mërzisë

Me duket vetja se jam në gjysmën e rrugës  që prek

Gardhin  do e thur me vargjet e bukura  të poezisë

 

Bredhëroj në brinjët e maleve e yjet i hedh  mbi det

Kur më hidhët  mbi gjoksin e gjyshit si të ishte shigjetë

Jam lektisur për ballin tërë dritë, o nip, qofsh me jetë

Engjëlli i gjyshit Leart që fletët  e bardha nga dora m’i heq

 

Unë përjetoj çaste hyjnore se si shkrin bora te bjeshka

Tërë Saharanë e  bën gjelbërim dhe uji i kthjellët rrjedh

Mua ma sjell Hënën  në prehër e Diellin ma vë te streha

Kur  me fjalët e bukura shqipe gjyshit i flet

 

4.LOT SHPIRTI

Dallgë, fërfëllazë  dhe dritëhije paska shpirti në rreshta

Si  çurg shiu i  lotit të mërgimtarit për Pejën e lashtë

Vërshon orteku me gurë, ranë,  lëng bore nga bjeshka

E s’është shi prillan,  por është  malli për fusha e vreshta.

 

Si përrua pranvere rrjedh ky lëngim i vrerosur

Mes duarve të çara e zemrës shoh zgërbonja përmallimi

Pse kështu u larguam larg tokës , larg vatrës të vrerrosur

Sa të kemi zili dhe dheun ku kanë për të më groposur?

 

S’jam i zemëruar për besë e nuk e thërras në murranë

Por jam i dashuruar me trungun që ia putha lëmyshkun e parë

Më zë çurgu i mallit netëve të pagjuma me yje të rrallë

E shetis me veten time rrugëve e oborrit e bjeshkës së artë

 

Askush s’më dëgjon kur tek porta thërras

Kulla hesht oxhaku s’ka zjarr është thinjur  guri

Në oborr lulja është vyshkur e dhimbshëm  është tharë

Në arë ka nisur të ndryshket dhe plugu

 

5.Këtu larg Atdheut

Këtu të këta horra nuk gjen qetësi e ngrohtësi

Ndoshta na mallkoi Atdheu i shtrenjtë ty dhe mua

Kemi mbetur si fusha si livadhi  me borë të ngrirë

Nuk  e shoh asnjë shteg  drejt bregut  që pata ëndërruar

E këta si këta

Buzëqeshjën e kanë të ”ngrohtë “ si nata në Groenlandë

Mua kurrësesi nuk me qetësohet kjo zemër që veç vuan

Larg nga ju vuaj për një fjalë për një emër që më dhemb

Larg nga trojet që më rritën e më dhanë fjalën e bekuar

 

Eh, o njerëz,  këtu nuk ka fjalë të ngrohtë a ngushullim

I “ngrohtë” si akulli është dheu në mërgim

E trishtë,  e “bukur” Europë,  pse ti thua ka emër

Këtu kurrë nuk u ngroh nga ky diell kjo zemër

Këtu është e kotë nuk gjen ngushllim

Jeta ikën shpejt si vesa mbi gur tretet në mërgim

Si dallgë deti zemra këtu më lëkundet lehtë lehtë

I ndrydhur shtrydh aortën vetes e them nëse është e mundur

A e lexojnë të gjithë në këtë botë në  këtë jetë

I huaj erdhe para një shekulli dhe i huaj do të mbetesh përherë

6.AGSHOL MËNGJESI

(Kushtuar Bekim Fehmiut)

Hinorët e Uliksit në urnë  u përplasën mes dallgës dhe tymit

Në rrugëtimin e gjatë  për në gjirin  e tokës pa varr

Lumëbardhi  mori ngjyrën e hirit e të kujtimit

Testamenti i Samurait të plotësohet sa më parë

 

Orkidet çelin  në gurët e lëmuar të Lumbardhit

Uji lëpin shputat e blerta etjen ia shuan Kasabasë

Dëshmitarët e 1878 nanurisin me vete si cicëronët e mallit

Në Oborrin e Lidhjës  Apostujt e kombit roje i bëjnë Kalasë

 

Zgalët mes  rrasave të gurëve të lashtë  Katallani

E Uliksi Penelopës ia thur një gardh poetik hyjnor

Me metafora futet në thellësinë e tokës si për së gjalli

Hinorët ecën nepër skerkat me stinorët pa u kthyer në kohë

 

Skërmitet pas diçkaje lerante,  zall a përrua që çurgon

Ajzam hinori në rrjedhën e pashterur  me ujët e bekuar

Samuraj ecë pas gjurmëve e kërkon e vetëm kërko

Zullapët gropuan Fishtën e Dedë Gjo Lulin trupin plaguar

 

Uliksi kërkon gjumët për ta verbuar Katallanin

Natës ia patën robëruar diellin, hënën e rrjedhën e mbetur

Nopranët zardafët të gjymtuarët e kodoshët

Xhuraja e Uliksit kërkon me ngulm patriotët  që kanë mbetur

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Arome Bjeshke, cikel poetik, neki Lulaj, prej Gjermanie

KTHIMI I ILIR KERNIT NË SHQIPËRI SI DREJTOR I TOB

November 11, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ilir Kerni, primobalerin dhe baletmaestro i Teatrit të Baletit në Zagreb, braktis normalitetin e jetës të artistit të suksesshëm në një metropol të Europës dhe pranon të kthehet në Tiranën e metropolit dhe rrëmujës ballkanase si drejtor i ri i TOB me synimin për t’i kthyer dinjitetin e humbur këtij teatri e për ta bërë realitet ëndërrën e shndërrimit të tij në kult të Kulturës shqiptare dhe shtëpi të përbashkët për të gjithë artistët shqipfolës kudo që ata ndodhen.
Kam dëgjuar histori të pafundme të trishta për TOB këto vitet e fundit. Ajo më e njohura dhe më skandalozja është se nuk i ftonte yjet shqiptare nëpër botë të jepnin shfaqje, me gjithë mallin dhe dëshirën e artistëve për të dalë gratis në skenën shqiptare. Merrni me mend këngëtarë, këngëtare, instrumentistë e balerinë me famë botërore që nuk kanë marrë ftesa nga ky institucion. Të shpallur në heshtje „non grata“. Kam dëgjuar histori se si TOB i largonte artistët kur i trokisnin në derë; se si TOB ua refuzonte projektet e tyre artistike dhe në vend që të jepte mbështetje financiare për të zbukuruar jetën artistike dhe shpirtërore të qytetarëve bënte të kundërtën. Kuptoni?! Dmth kërkonte para prej tyre! Pra ishte një TOB si nata me ditën krahasuar me ëndërrën e Ilir Kernit.
E dëgjuam Ilir Kernin të intervistuar nga moderatorja e Top Channel Arbana Osmani tek Tête-à-tête në programin E Diell. I thjeshtë, modest, i kursyer në fjalë, pa shitmendje, pa megallomani, pa kryeneçësi, pa blablabla. Gjëja që më mbeti në mendje ishte kur tha „se na kanë mbetur disa sekonda për të shpëtuar këtë vend“. Përdori një metaforë shumë dramatike, që të rrënqeth mishin, për të treguar situatën reale. Ashtu është, shteti, demokracia dhe qytetari i këtij vendi ndodhen në zgrip – gati për t’u humnerisur.
Jemi shumë që mendojmë si Ilir Kerni. Se vendi dhe demokracia shqiptare po fundosen dhe kërkojnë ndihmë përmes SOS – Save Our Spirits. Ky ideal, për të ndihmuar vendin tonë duhet të na bashkojë të gjithëve.
Sot Shqipëria ka nevojë për shqiptarët më të mirë. Sot shteti shqiptar ka nevojë për sakrifica, për ideale, për unifikim, për konsensus, për dialog, për bipartizanizëm, për konstruktivitet, për ura, për respektim të ligjeve, për zbatim të rregullave, për meritokraci, për integritet, për njerëz fjalëpak e punëshumë, për njerëz dinjitozë që kanë ëndërra dhe që aspirojnë t’i realizojnë ato.
Kur Ilir Kerni u emërua drejtor i ri i TOB, askush nuk tha se ky emërim është politik. Sepse nuk ishte i tillë. Emërimet politike po e kthejnë Shqipërinë në Titanik.
Ilir Kerni e ka ndërtuar jetën e tij dhe të familjes me talentin dhe arritjet personale. Shteti i tij ishte në tranzicion. Nuk pyeste për artistët. Artistët ashtu si 3 milionë shqiptarë kishin marrë rrugat me fëmijët e plaçkat në krahë. Sikur të kishte pritur shtetin Ilir Kerni nuk do të ishte ky që është sot. Ai nuk u bë balerin i parë dhe baletmaestro në Teatrin e Zagrebit me abra kadabra. Atij iu desh që ta derdhte djersën lumë. E fitoi atë vend me meritokraci. Prandaj shqiptarët besojnë tek Ilir Kerni, se do t’ja dalë. Tek kjo lloj kategorie dëshirojnë shqiptarët të mbështeten, duke qenë të bindur se nuk do të nëpërkëmben, nuk do të zvarriten, nuk do të tallen nga një strukturë si ajo e mëparshmja që e kish transformuar TOB në një vend të ndarjeve politike, të antikulturës, si një shpellë të ftohtë, të ndyrë, kur në dimër të duhet të shkosh me batanije të ndjekësh shfaqjet.
Nuk ka shtet pa Teatër – tha Ilir Kerni. Ai shtet që nuk ka Teatër nuk është shtet. E njëjta vlen edhe për letërsinë, për pikturën, për poetët, për shkrimtarët. Ai vend që nuk ka poetë, shkrimtarë, piktorë, balerinë, aktorë nuk është vend. Ai vend është shkretëtirë.
Diçka e ngjashme ku ndodhej TOB, sikur të ishte qendër zëri e propagandës e sherreve partiake. Si të ishte pushtuar nga barbarët këta 23 vjet tranzicion, si të ishte plaçkë tregu e zhvleftësuar, të cilin sot Ilir Kerni synon që ta shndërrojë në një tempull paqeje për artistët, në një metropol të kulturës të kontinentit europian, në një kryeqendër të Artit Shqiptar, kudo ku flitet gjuha shqipe. Let‘ it be! le të bëhet! Ashtu të bëhet!

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, Ilir Kerni

Verërat pellazge-ilire

November 11, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

”Natën kur flinja, më tha shpirti: Pi !/

Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;/

Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;/

Ke shekuj që të flesh në qetësi”.    (Rubairat ,Omar Khajami(1048-1131)/

Hardhia e rrushit është mbi 60 milion vjet. Gjatë kohës së pas-akullit (10 000-5 000 vjetë më parë ,verërat  e bënë rrugën e  tyre përgjatë lumit Danub e drejt veri-perëndimit të Europës . Homo sapiens e zbuloi dhe e kultivoi verën e egër  e cila u bë vera e përbashkët  e sotme europiane (austrianwine.com ).( Të kemi parasysh edhe Kulturën e Vinçës , kulturën pellazge të zhvilluar rrethë rrjedhës së Danubit , rreth Vinçës.)

Albanologu arbëresh Giuseppe Catapano në punën e tij thekson se arti i vitikulturës dhe i enologjisë së Egjyptit dhe vendeve  tjera ishte i lidhur ngusht me para ardhësit e Ilirëve , Pellazgët. Gavraniç (1983) shkruan ndër tjerash se Ilirët dhe Keltët e Panonisë e kishin zhvilluar vitikulturën shumë më herët se ardhja e Romakëve. Qartas ,thot ai që Iliria ishte  zemra e shumë pemëve. Për të vazhduar më tutje enologu i njohur francez (1995) ,në librin e tij : “Les vinsmets et alcohols des pays de la loire” thot që hardhitë e njohura si “Cabernet Sauvignon”. “Merlot” dhe “Gamay” , janë të origjinës nga Shqipëria . Ai shton se vend-origjina e llojeve të ndryshme te fiqve , ullinjëve, dardhave dhe mollave  ishte Iliria e vjetër.

Në portalin Wine Albania shkruan se historiani francez Enjalbert  e konsideron Shqipërinë , ishujt e detit Jon të Greqisë së sotme  si dhe jugu i Dalmacisë ishin vendi i verës pas epokës së Akullit. Ka shkrime shumë për vitikulturën Ilire , ashtu si ishte e njohur në kohërat e vjetra, se ajo egzistonte më herët se shek 8-të prK. Autorët e vjetër latin shenojnë që Iliria ishte burimi i verërave shumë cilsore të shpërndara nëpër Itali.

 

Kerkimet më të reja për verën e Bordos me origjinë nga Iliria, sjellin rezultate ë duhura dhe e kthejnë kohën prapa gati 2000 vite kur romakët e sollën ne Galinë e largët hardhinë  e rrushit) nga trojet shqiptare per ta kultivuar nga fiset e këtij vendi që  quheshin Biturgët dhe regjioni i tyre Biturica(biturika) në afersi te Bordos së sotme.

Për të vërtetuar kulturën Ilire të verës tek shqiptarët është e mirë të ceket se në Shqipëri sot janë 108 ekotype të hardhive Zhvillimi i kësaj kulture i ka kalur shekujt duke i dhënë verës veti të vlerëshme dhe të posaçme (kvvvsh.org)

Është më rëndësi se çka shkruajnë austriakët për verën e tyre dhe historinë e saj :” Keltët por me më siguri para ardhësit e Ilirëve (pellazgët fxh) e kanë kultivuar verën në formën e tyre primitive dhe që hardhia “vitis vinifera” daton që nga koha e Kulturës së Hallstatit ( viti 700 prK ) , e gjetur në fashtrat Zagersdorf në Burgenland..Në Austrinë e poshtme ka shënime pë llojet e hardhive që datojnë që nga koha e Bronzit dhe se vera ishte kultivuar  ne Traisental (Au) si dhe në Stillfried dhe në Weinvirtel.”

 

 

Rrugët e verës dhe vinaritë në ishullin Peleshac (Dalmacia) paraqesin një ndjenjë të posaçme të traditës së rrushit dhe verës. Reth shek. të 5-të prK fisi i Ilirëve u quajtur -Plerianët jetonin në këtë ishull.( Pleraei , Pyraei ose Palarioi  ;Illyrian tribeHistory of the provinces of the Roman Empire by J. J. Wilkes,) Sipas gjurmëve të gjetura , Peleshaci  e kishte një dendësi të madhe te banorëve ilir ,Plereian,   ku në shpellën e madhe Nakovani ,në cepin verior të ishullit janë gjetur gotat keramike të verës. Vëra prodhohej dhe pihej në atë kohë. Romakët në tokat e pushtuare të Ilirisë  e gjetën një kulturë të lartë të verës.

Thuhet se ishin romake ,Villat Rustike të ndërtuare në ato vende  ku rritej rrushi  dhe piqej vera.Villat Rustike ishin për klasën e lartë të shoqerisë së kohës. Në Peleshac ,vendin më i njohur për verëra  janë gjetur shumë villa Rustike : në Dingaç, Postup,Perna, Viganj, Tëstenik dhe në Zhulana.. Po pse romake?

Rreth viti 385 prK ,grekët kishin shkuar si kolonist në ishullin  dalmatin të Hvarit i cili që nga ajo kohë e deri më sot kishte ndërruar mbretër ,perandori dhe ushtri të uaja të cilat vinin dhe shkonin . Sot shihen gjurmët dhe vrragët e ndodhive të cilat mbesin si një pjesë e identitetit kulturor të këtij vendi , por një gjë që nuk ka ndërruar hiç është rritja e hardhisë së rrushit dhe e prodhimit të verës të cilat i kanë mbijetuar  rënjëve dhe ngritjeve të ndryshme shoqërore. “Gjatë kohës së Demetrit , një ushtaraku të besueshëm të mbretëreshes Teuta , ishulli Hvar ishte rikthyer nën udhëheqjen e ilirëve(Ivana Krstulović Carić, dipl.ing.agr.)

Histritët , fisi ilir nga të cilët e mori Ista emrin, ishin vitikulturistë(kultura e verës) Zbulimet arkeologjike dhe treguan që kishte komplekse të tëra agrokulturore në këto anë, dhe se zhvillohej një jetë e shëndoshë e njohur villea rusticea.Verërat e njohura histrite janë Marzamina e kuqe . Malvazia e bardhë dhe Teroni i kuq. Po ne, si vllezër të bregdetit dalmatin ,si u verbuam në terrin 6oo vjeçar ,duke e humbur lidhëshmërinë tonë me një kulturë aq rustike po aq edhe fisnike, të cilën bota e muarr nga ne ?

Sipas historian Appian, fiset ilire të bregdetit të Adriatikut e trajtonin verën si një të mirë me vlerë të madhe dhe të çmuar.Amforat e gjetura rishtas në Lumin Neretva e tregojnë rëndësinë e madhe të verës si një stil kulturor dhe historik të atij vendi.
Në shtratin e lumit ,së bashku me anijet u gjetën me qindra e qindra amfora të verës si edhe mbi 700 kapakë të këtyre shtambave të verës.Prof .Adam Lindhagen ,specialist ne amfora nga universiteti i Osllos , e vërteton prejardhjen e tyre duke thëneë që ato janë prodhuar eksluzivikisht në Dalmaci -prej nga eksportohej vera në të gjithë Imperatorinë Romake . Sipas Julius Caesarit (100-44 pr.K) , galët shumë lehtë e shkëmbenin një sklav për një shtambë (25 litërshe) me  verë

Dhe poeti i madh persian Omar Khajami në shek e XI-të këndonte:

“ Mbi lulet po pikojnë vesë retë,

Dhe me një zë qiellor, Bilbil’ i shkretë:

Ah, Verë! Verë! Verë! Trëndafilit

I lyp t’i skuqë faqëzën e zbehtë. “

* Nje dokument i gjallë i vërtetimit se hardhia e rrushit eshte sjellur nga Shqipëria në Gali, Franca e sotit

Filed Under: Kulture Tagged With: Fahri Xhara, vereta pellazgo-ilire

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5081
  • 5082
  • 5083
  • 5084
  • 5085
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT