• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYENGRITJA E VITIT 1913 NË DIBËR

September 30, 2013 by dgreca

NGA BEQIR SINA, Dibra e Madhe/
DIBER : Kryeqyteti i Shqipërisë,Tirana  dhe Dibra e Madhe me rrethinë,  për një javë u shëndërruan në destinacion kryesor të disa historianëve dhe studiuesve të ardhur nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, për t’u bërë pjesë e shënimit të 100 vjetorit të Kryengritjes së Shtatorit të vitit 1913, të njohur si : “Kryengritja Dibrane 1913″. Historianët dhe studiuesit e tubuar në Dibër të Madhe, së bashku me qytetar të Dibrës e rrethinës, së saj, përfaqësuesve të pushtetit lokal nga Peshkopia dhe Dibra e Madhe, dhe një grup i dibranëve – familje të vjetra dibrane që jetojnë prej vitesh në Tiranë, dibranë nga Shtetet e Bashkuara(përfaqësues të Shoqatës Atdhetare Dibra në Staten Island – New York, së bashku me veprimtarin e dalluar të këtij komuniteti zotin Rrape Ruci – i cili njëhereshit, është edhe president i Insitutit Amerikano-Shqiptar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me seli në State Island, ishin pjesë e simposiumit kushtuar kësaj ngjarje të madhe historike, që u mbajt në Hotelin Uraniku në qendër të qytetit.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kreu i Këshillit Bashkiak, të Tiranës, zoti Njazi Kosovrasti, Gëzim Ostreni, kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, zoti Ilir Krosi, Kastriot Haxhirexha, Bashkim Mashkulli, kryetari i Shoqatës Bashkësia Dibrane, në Tiranë, zoti Saimir Shatku, zoti Tefik Jegeni, kryetari i shoqatës së Intelektualve dibranë zoti Fatos Daci, zoti Mexhit Capa, kryemyftiu i Dibrës Ramazan Hasa, profesorë, studies dhe historian të tjerë, të shquar nga qyteti i Dibrës, si dhe televizioni MTV2 dhe media lokale.

Pas prezantimit të historianëve dhe mysafirëve të nderuar, mbajtësve të kumetesave, moderatori i saj Ylli Mirzo ia dha fjalën përshëndetëse kryetarit të Komunës së Dibrës, zotit Ruzhdi Lata, i cili mes tjerash theksoi: “Kryengritja Dibrane ishte kryengritja shqiptare që erdhi pas atyre padrejtësive që iu bënë kombit tonë në atë kohë. Kjo kryengritje, është ngjarja më e rëndësishme dhe më e madhe e kësaj treve, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme historinë tonë, kombëtare, ajo është një kryengritje e cila u udhëhoq nga burrat më të mirë të Dibrës, të cilët bënë sakrificën më sublime për vatanin edhe  nderin e familjes, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre, për dinjitetin  dhe qënien e tyre në këto troje. Duke e përkujtuar këtë ngjarje, kreu i Dibranëve, zoti Lata, vlerësoi lart kontributin e të gjithë historianëve shqiptarë, e sidomos atyre dibran të cilët po japin një kontribut të paçmuar, në studimin e tyre rreth kësaj kryengritje, e cila ishte nga më të fuqishmet e asaj kohe për t’ju kundërvënë pushtuesve Serbë .Kryengritja e Dibrane, sipas tij është lufta e shqiptarve në fillim shekullin njëzet, për bashkimin kombëtar”- theksoi kryetari i komunës së Dibrës në cilësinë e mikëpritësit të kësaj konference.
Konferenca shkencore kushtuar 100 vjetorit të Kryengritjes se Shtatorit të vitit 1913, e njohur si : “Kryengritja Dibrane 1913″ që zhvilloi punimet nën kujdesin e komunës së Dibrës së Madhe, kryetarit të saj zotit Ruzhdi Lata, e parë në të gjitha trajtesat e saj si  ngjarja më e madhe historike e Dibrës, e cila hodhi mjaft dritë në ngjarjet e shtatorit të 1913, duke sjellë fakte e argumente të reja nga hulumtimet e shumta të studiuesve, historianeve dhe gjurmuesve të shumtë, pjesëmarrës në këtë Konferencë shkencore, që u mbajt në Hotel Uraniku në Dibër të Madhe.

Kjo konferencë që kishte mbledhur në një vend me rëndësi gjeo-politike shumë të rëndësishme të asaj kohe, studiues, gjurmues e hulumtues këta nga Shkupi, Tirana dhe Prishtina, me kumtesat që u paraqiten në këtë Konferencë, thanë se :”Kjo ishte kryengritje dhe lufta e parë e shqiptarëve për të mbrojtur dhe çliruar territoret e okupuara nga ushtria dhe hordhitë serbe, të asaj kohe. Kryengritje e shtatorit 1913, sipas tyre ishte lufta e parë e shqiptarëve për territoret që mbetën jashtë Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe pas konferencave ndërkombëtare, e sidomos  pas vendimeve të Konferencës së njohur të Londrës, që rezultoi me copëtimin e trojeve shqiptare dhe aneksimin e pushtimin nga ushtria serbe.

Në 100 vjetorin e Kryengritjes së Shtatorit 1913, ose të njohur si “Kryengritja Dibrane 1913”, pjesëmarrësit e Konferencës shkencore vlerësuan se Kryengritja Dibrane ishte goditje e fuqishme dhe e parë e armatosur e shqiptarëve ndaj pushtuesit të ri serb,  që kishte okupuar tashmë trojet e banuara me shqiptar në këtë pjesë të Ballkanit, ku edhe filloi të rritej rezistenca nga pushtuesve të egër, që sa kalonte koha represioni, dhuna dhe krimet ishin gjithnjë e më të egra, ndaj rezistenca shtohej paralelisht me dhunën dhe terrorin që serbët e ushtronin ndaj popullatës së Dibrës, Strugës, Ohrit  dhe rajoneve tjera përfshirë edhe Kosovën. Megjithëse, thanë oratorët ajo asnjëherë gjatë këtyre 100 vjetëve, nuk u vlerësua ashtu si e meritonte të trajtohej ajo, madje u tha se kjo kryengritje në kohën e komunizmit u quajt edhe “nxituar” dhe e pa menduar mirë.

Për këtë qëllim zbardhjen e saj të vërtet nga studiues dhe historian të njohur, pikërisht në këtë 100-vjetor të rezistencës së dibranëve kundër serbëve dhe i eksodit të tyre drejt Tiranës, fillimisht u përkujtuan këto ditë gjatë një konference shkencore që u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, organizuar prej Unionit të Krijuesve dhe Gazetarëve Dibranë, me president Fatos Dacin  dhe dje gjatë pasditës së shtunë në Dibër të Madhe, organizuar nga Komuna e Dibrës, dhe përkujdesjen e madhe të kryetarit të saj zotit Ruzhdi Lata.Koferenca shkencore, e Dibrës me trajtesat e saj erdhi me fakte dhe dokumente të reja për këtë eveniment të rëndësishëm historik. Në këtë konferencë u mbajtën 5 trajtesa të ndryshme nga njëra tjetëra dhe të pa paraqitura më parë. Në këtë konferencë fillimisht u paraqitë profesori i universitetit të Prishtinës, Prof Dr. Mahmut Hysa, me trajtesën “Mbi kryengritjen dibrane dhe jehonën që pati ajo rreth e përqark Dibrës”. Më pas referuan zëvendës drejtori i Arkivit të Maqedonisë, zoti Qerim Lita, historiani i njohur nga Shqipëria, Uran Butka, studiesi dibran Agron Tufa, Drejtori i Institutit te Studimeve te Krimeve te Komunizmit, kërkoi  që kryengritja e shtatorit të zen vend në historinë e kombit shqiptar si një ngjarje e rëndësishme njëherazi edhe më tragjike e qëndresës së popullit shqiptar, për të hedhur poshtë robërinë serbo-malazeze dhe për të realizuar bashkimin me shtetin e pavarur shqiptar.  Më pas me trajtesat e tyre interesante erdhën dhe historiani prof. Gafur Zoto, dhe juristi Saimir Shatku, i cili është kryetar Shoqatës Bashkësia Dibrane, i nismës qytetare, intelektualësh dhe familjesh dibrane me banim në Tiranë.
Dhe në fund Konferenca kushtuar 100 vjetorit të Kryengritjes së Shtatorit të vitit 1913, të njohur si : “Kryengritja Dibrane 1913″, u përmbyll me një darkë gala – ku morën pjesë më shumë se 300 vetë e sposorizuar financierisht  nga veprimtari i njohur dibran në Amerikë, zoti Ylber Piku, një tjetër personalitet i njohur i diasporës shqiptare në SHBA, që do të evidentohej jo vetëm si pjesëmarrës aktiv, së bashku me bashkëshorten, dhe familjen e tij, por dhe si organizator e sponsor kryesor i këtyre dy aktivitetve në Tiranë dhe Dibër të Madhe.
Në këtë Konfrencë trajtuesit e saj kërkuan që këto trajtesa të botohen në një libër të veçantë, mbasi ato për shkak të kohës së limtiuar nuk u lexuan të plota, dhe në qendër të qytetit të Dibrës së Madhe, u propozua që të ngrihet një obeliskë kushtuar Kryengritjes Dibrane të viti 1913. .
Ndërsa, të gjithë mysafirët nga Tirana, sot gjatë ditës së diel vizituan qendrën e qytetit të Dibrës së Madhe dhe disa monumentet kulturoro-historike të kësaj ane, dhe familjet dibrane.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Kryengritja e Dibres 1913

Sfida e shqiptareve ne projektin Ballkanik

September 30, 2013 by dgreca

Perse na u dashka nje grupim me pansllavizimin derisa kemi Bashkimin Europian dhe… çfare roli do te luajne shqiptaret ne kete projekt qe synon te realizohet?/

Nga ERVIN SHKULLAKU/Historian/

Sot ne mediat Ballkanike po diskutohet rreth projektit te formuluar nga qeveria e Malit Te Zi per krijimin e nje organizate Ballkanike, me shtetet e Shqiperise, Kosoves, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnja-Hercegovina, Serbi. Ky model pavaresisht se akoma nuk eshte bere i qarte ne detaje se çfare projekte do te permbaje, vete nga emri i tij do te jete i ngjashem me Bashkimin Evropian.

Tani lind pyetja qe nese Bashkimin Evropian e kemi prane pse duhet te jete i nevojshem nje projekt i tille. Pergjigjia ime eshte se ky model eshte i mbeshtetur nga qeverite Sllave, vetem per nje qellim: “Qe qeverite Sllave te mos behen pjese e Bashkimit Evropian”. Pavaresisht se Evrope kemi histori 3000 vjeçare shohim se historia vetem sa perserit veten e saj. Historikisht populli Sllav dhe Evropianet i kane pasur marredhenie te brishta. Edhe vete emri “SLLAV” vjen nga Latinishtja qe do te thote “SKLLAV I BARDHE”

Por shqetesues eshte fakti se çfare roli do te luajne shqiptaret ne kete projekt qe synon te realizohet? Te tilla bashkime jane bere edhe ne luftrat balkanike ku shqiptaret kane qendruar ne hije dhe me Jugosllavine qe shqiptaret i humben te drejtat e tyre. Prandaj nese ky projekt miratohet, shqiptaret duhet te mesojne nga e kaluara dhe kete here te jene faktori ndikues ne kete bashkim. Sot jetojme ne nje bote globaliste dhe duke pranuar kete fakt nese pranohet te themelohet nje Bashkim i tille do te jete normale per boten. Atehere shqiptaret, veçanerisht shqiptaret qe jetojne ne perendim duhet te themelojne shoqata dhe organizata ne drejtime te ndryshme dhe te behen projekte se si shtetet shqiptare te kene rolin kryesor ne kete Bashkim.

Tani te presim reagimin e Bashkimit Evropian. Nese ky projekt miratohet nga Bashkimi Evropian ateher perfaqesuesit e ketij subjekti do te jene shqiptaret. Per kete arsye ky projekt edhe mund te realizohet sepse vetem ne kete menyre Bashkimi Evropian do te kete mundesi me te mire per te kontrolluar politiken Sllave. Por kete perfaqesim shqiptaret duhet te bejne ne menyre dinjitoze dhe te kene kujdes nga Sllavet. Gjithashtu ky projekt mund te mbeshtetet edhe nga Turqia sepse ne kete menyre Ballkani nuk hyn teresisht ne sferen Evropiane. Por edhe perfaqesuesit e Turqise do te jene shqipataret sepse historikish Shqiperia dhe Turqia kane patur marredhenie te mira.

Ne kete menyre shqiptaret perseri behen “ure lidhese” ndermjet kulturave te ndryshme. Por kjo nuk do te thote qe duhet te na shkelin, perkundrazi duhet te jemi ne faktori qe kur te kalojne keto kultura mbi ne, te marrin leje dhe te kalojne.

Shqipetaret me popullesi te ulet duhet te fokusohen me shume te teknologjia dhe ne kete menyre mund te arrijne shtetet Evropiane ne aspektin ekonomik.

 

Filed Under: Featured Tagged With: bashkimi ballkanik, Ervin Shkullaku, po shqiperia, pse

SHKARKIMI I KONSULLIT TË PËRGJITHSHËM, DRITAN MISHTO, NUK I BËN NDER AS KRYEMINISTRIT RAMA

September 29, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Një përfaqësi e Kryesisë së Vatres, i përbërë nga kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dr. Gjon Buçaj, dy nënkryetarët, zz. Agim Rexha, Asllan Bushati dhe editori i “Diellit”, z. Dalip Greca, bëri të dielën me 29 shtator, një vizitë në zyrën e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në New York.Qëllimi i vizitës ishte për t’i shprehur zotit Dritan Mishto solidaritetin e Vatrës me rastin e shkarkimit të tij nga detyra e Konsullit të Përgjithshëm.

Kryetari i “Vatrës”, dr. Buçaj, e cilësoi shkarkimin para kryerjes së mandatit si befasi dhe shqetësues pse dëmton klimën e bashkëpunimit të nevojshëm për një qeverisje të suksesshme për vëndin dhe që nuk i bën nder as Kryeministrit për këtë akt të pa arësyetuar. Kryetari Buçaj e falënderoi z. Mishto për bashkëpunimin me “Vatrën” dhe me komunitetin në përgjithësi, si dhe për kryerjen e detyrës me përkushtim e profesionalizëm, duke i uruar suksese dhe arritje në të ardhmen dhe duke i siguruar se derën e “Vatrës” do t’a gjejë gjithmonë të hapur e dashamirëse. Vizitorët shprehën, gjithashtu, edhe solidarizimin njerëzor për vështirësitë praktike që në këtë rast do të përballojë familja Mishto, me fëmijë në shkollë.

Shkarkimi i Konsullit të Përgjithshëm Dritan Mishto duket si një veprim jo thjeshtë i nxituar, por i paramenduar dhe i ekzekutuar me turravrap, duke shkelur procedurat ligjore. Në procedurë ka primitivizëm dhe hakmarrje të hapur. Konsulli Mishto nuk e ka mbaruar mandatin e tij, madje duhet më shumë se një vit që ta  përfundonte detyrën. A nuk mund të priste zoti kryeministër edhe një vit për të sjellë mikun e tij të besuar? C’qe gjithë ky nxitim? Pastaj, si mund të shkarkohet pa motiv Konsulli i Përgjithshëm dhe pa e paralajmëruar sipas statusit dhe Kodit të Punës! Më shumë se katër muaj para largimit u mësua lajmi i zëvendësimit të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, po së paku Edi Rama të plotësonte kërkesën me minimale për 72 orë.

Urdhëri i shkarkimit shoqërohet nga ultimatumi:”Urdhëri hyn në fuqi menjëherë.”

Nuk po trajtojmë anën njerëzore; a ka familje ky diplomat, a ka fëmijë në shkollë?Sa kohë i duhet që të përgatitet, sa kohë i duhet të bëjë dorëzimet.  Sa kohë i duhet të kryejë procedurat protokollare me homologët, trupin diplomatik dhe shoqatat e organizatat e diasporës shqiptare jo të pakta në numër?

Kryeministri erdhi në New York së bashku me urdhërin e shkarkimit, i cili mban datën 20 shtator. Ka vetëm një fjali ai urdhër ”Zoti Dritan Mishto, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, ShBA, të lirohet nga kjo detyrë.” Poshtë emri dhe firma e kryeministrit Edi Rama.

Po motivi i shkarkimit? Në urdhërin e shkarkimit nuk shkruhet asgjë, por Kryeministrit nuk iu durua, e publikoi atë në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku në fjalimin e tij gjeti vend për t’u bërë të ditur shqiptarëve dhe amerikanëve se Konsullin e Përgjithshëm e kishte shkarkuar, duke denigruar publikisht figurën dhe punën e tij, në prezencë të vetë konsullit, bashkëshortes dhe komunitetit në tërësi.

Ka dhe një anë tjetër të kritikushme deklarimi i Kryeministrit në Darkën gala të Këshillit Kombëtar; ajo nuk ishte mbledhje e Partisë Socialiste, ku ai në prani të qindra vetëve, të zyrtarëve të lartë të departamentit të shtetit amerikan, ndihmës sekretarit të shtetit, kongresisteve dhe personaliteve të larta, të hakmerrej ndaj një diplomatit të shtetit, duke thyer edhe rregullat më elemantare të një darke të tillë.

I mbetet organizatorëve të darkës, të cilët duhet t’i kërkojnë ndjesë Konsullit të Përgjithshëm Dritan Mishto, që podium i tyre u përdor për një hakmarrje personale dhe denigrim individual.

Është për të ardhur keq që ky urdhër erdhi në një kohë kur konsulli ishte i përfshirë në axhendën e vizitës së Presidentit Nishani në SHBA. Dhe ai e kreu shkëlqyshëm këtë detyrë së bashku me ambasadorin Gilbert Galanxhi, edhe pse ishte i shkarkuar. Ndoshta kryeminsitri ka dashë t’ia vështirësoi më shumë vizitën presidentit, prandaj e plasi urdhërin sapo zbriti nga aeroplani! Vetëm shqiptarët mund të veprojnë kështu.

Shkarkimi që i është bërë Konsullit ka prapavijë; nga njëra anë paraljmëron fushatën e spastrimeve, nga ana tjetër nxjerr edhe karakterin hakmarrës të Kryeministrit. Përse ka hakmarrje në veprimin e Edi Ramës? Ai ka pasë konflikte personale me Konsullin që prej 13 vitesh.

Historia e përplasjeve ka nisë herët që në vitin 2000. Në atë kohë Edi Rama ishte Ministër i Kulturës dhe Mishto aso kohe kryente detyrën e juristit në Ministri.   Rama e pushon në mënyrë të paligjshme juristin Mishto sepse ai nuk pat pranuar që të firmoste tenderat klienteliste të ish Minsitrit. Ish kryetari i opozitës së asaj kohe, dr, Sali Berisha e denoncoi këtë fakt në Parlament dhe publikoi dosjet.

Përballja do të vazhdonte edhe më pas; z.Mishto, si këshilltar i kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale 2000, denoncoi shkeljet ligjore në veprimtarinë e kandidatit Rama duke ndezur një konflik tjetër personal mes tyre.

Dritan Mishto në vitin 2005 emërohet zëdhënës i kryeministrit dhe shpesh përballej me presionet e Edi Ramës, sidomos gjatë tensionimit të situates, kur qeveria e atëhershme vendosi prishjen e mbikalimit në Zogun e Zi. Kjo situatë u kthye në një kalë beteje mes dy kampeve politike.

Inati dhe vendimi për hakmarrje totale ndaj z. Dritan Mishto duket se Kryeministri Rama e mori në Mars të vitit 2010, kur atëherë kryetari i Opozitës e kishte  bojkotuar Parlamentin, erdhi në SHBA dhe mbajti një fjalim në Institutin e Paqes në Washington DC, në prani të zyrtarëve të lartë të Departamentit të shtetit, Kongresit, etj. Në emër të institucioneve shqiptare flet qetësisht diplomati Mishto, duke parashtruar fakte të cilat errësuan prezantimin e Ramës, nervozizmi i të cilit arriti në atë masë saqë deklaroi publikisht se Dritan Mishto  ishte një kopje e shëmtuar e Kryeministrit Berisha. Ky debat personal nga ana e Edi Ramës  duke e futur diplomatin Mishto në tabelën e qitjes së kundërshtarit politik përfundoi me kërcënimin e Edi Ramës në raport personal dhe jashtë cdo etike: “do ta shohësh kur të vij unë në pushtet se cfarë do të ndodhë”.

Rama e mbajti fjalën e mbrapshtë. Si fitues i zgjedhjeve të qershorit 2013, ai e filloi të parin shkarkim me Konsullin e Përgjithshëm Mishto. Akti është vërtetë qyqar, hakmarrës dhe tepër primitive për një kryeministër.

Në logjikën juridike dhe logjike duket se Kryeminsitri Rama ka shkelë cdo rregull. Vendimin Nr. 139, Datë 20 Shtator 2013 është firmosur nga kryeministri Edi Rama, kur sipas të dhënave rezulton se ai ka dalë jashtë kufirit shtetëror në orën 4.30 të mëngjesit. Pra, dikush firmos kur Kryeministri është në avion? Kur e ka firmosur Kryeministri këtë shkresë? Në cilin vend e ka firmosur, pasi në bazë të ligjit funksioni i kryeministrit në aspektin e firmosjes së shkresave zyrtare ushtrohet në selinë e kryeministrisë?

Me një hakmarrje personale të detajuar, Kryeministri prish edhe atë praktikë të Ministrisë së Jashtme  për kthimin e diplomatëve: Kryeministri Rama i ndërpret mësimin fëmijës së mitur 7 vjecar të diplomatit dhe humbjen e vitit shkollor. Hakmarrja e Kryeministrit Rama ndaj diplomatit Mishto bie kësisoj edhe mbi familjen e tij.

E pra, Kryeministri Edi Rama na e tregoi të gjithëve, në mes të Nju York-ut, në kryeqendrën e demokracisë se kur bëhet fjalë për hakmarrje ai nuk pyet as për ligjin, as vendin ku mban fjalimin, as për pjesëmarrësit, as për miqtë e huaj e të nderuar dhe për asgjë, përvec plotësimit të vendimeve të tij personale.

Kryeministri duket se e ka nsiur ta keqeverisë Shqipërinë tonë. Vendet e punës të premtuara me shumicë ai po i përllogarit duke shkarkuar kundërshtarët politik, për t’i zëvendësuar me militantët e vet. Provokimi me heqjen e fotografisë  së kreut të shtetit nga zyrat e shtetit, nuk premton asnjë sinjal pozitiv, asnjë ndryshim për përmirësimin e klimës së bashkëpunimit me opozitën. Shkatërrimi i Gardës , është një tjetër precedent, që nuk dërgon sinjale pozitive për institucionet shqiptare. Listës së konsujve të shkarkuar, përvec Dritan Mishtos, i janë shtuar këto ditë edhe:Konsullja në Milano, Nausika Sapiha, konsulli Jako Dako në Janinë, Riza Poda, konsull i përgjithshëm në Selanik, Bashkim Bekteshi, konsull në Bari, Ermal Muça, konsull në Stamboll.Ngadalë zoti kryeminsitër, e ke marrë me vrap!(Ne Foto: Nga e majta: dr. Gjon Bucaj, Agim Rexhaj, Asllan Bushati dhe Dritan Mishto)

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dritan Mishto, Perfaqesia e Vtares, tek Konsulli

Marrëveshjet shekullore Turko-Serbe për shfarosjen e Shqiptarëve!

September 29, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri XHARRA/

Shqiptarët ishin gjithmonë halë në sy për pushtuesit sllav dhe osman dhe më vonë gjatë shekujve i të dyve . Në fillim ndarës e më vonë në bashkëpunim i kushtëzonin shqiptarët që të kalojnë në serb-ortodoks ose në musliman-turk . Metodat ishin nga më të ndryshmet , nga ato të dhunës e të vrasjeve e deri në ato të joshjeve të posteve dhe të pasurisë.

Fanatizmi serb dhe racizmi i tij anti-shqiptar së bashku me anti-shqiptarizmin turk, herë veçmas e herë së bashku; bile edhe sot është aktiv…“ Këmbëngulja për t’mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte herët a vonë te e vërteta e hidhur se gjithmonë është e njëjta Serbi “(Ismail Kadare – Mbi krimin në Ballkan). Serbët nuk janë aq kokëkrisur heroikë siç e reklamonin vetën. “Nuk është fort e besueshme sidomos, po të vihej re flirti i këtyre me vendet arabe dhe veçanërisht me Turqinë. Njoftohej se në kohët e fundit Ankaraja i bën lavdërime presidentit serb Boris Tadiçit, si një paqeruajtës rajonal… Pra , serbët kur kishin interes dhe në këtë rast interesi kryesor ishte mosnjohja prej vendeve myslimane e Kosovës dinin fare mire të hiqnin dorë edhe nga krenaria krishteromadhe dhe të vinin deri te gjysmëmuslimanizmi i tyre” (Ismail Kadare , Mbi krimin në Ballkan).

Se si sllavizimet dhe turqizimet e shqiptarëve ishin të vazhdueshme dhe në bashkëpunim në mes të serbëve dhe osmanëve, tregon letra e të dërguarit Francez në Shkodër Louis Heckart e shkruar shtetit të tij me 24.07.1880: “Zoti Corti besonte se do të ishte më e kuptueshme që Katolikët shqiptarë të pranonin dominimin malazias se sa ata mysliman, por se doli e kundërta” (letër në Arkiva e luftës Seria Nr. 1872-1919, Francë.) Këtu ishte ndikimi turk te shqiptarët mysliman. Qëllimi i bashkëpunimit serbo-turk për ndërrim të shqiptarëve ishte fokusuar te shqiptarët katolik sepse të tjerët veç ishin myslimanizuar.

“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët ( E.Durham, Londër 1920). ”Urrejtja serbo-ortodokse ndaj katolikëve u pa me 1913 në Luftën Ballkanike kur Malaziasit në emër të çlirimit të krishterëve e sulmuan kishën shqiptare të Mazrekut duke shkatërruar çdo gjë bile edhe freskat e të shenjtërve në muret e kishës (E. Durham). “Me 1913 një numër jo i vogël ushtarësh të prirë nga një Pop Ortodoks e rrjepën për së gjalli deri në vdekje Luigj Palin, prift françeskan shqiptarë nga Gjakova, sepse nuk kishte pranuar të kryqëzohej në ortodoks (E.C. Helmreich, The Diplomacy of Balkan Wars, 1983 Harward)

Me 20 Mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante: Ne rrethin e Janjeves mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 Shqiptar Katolik, të ashtuquajtur Laraman apo Katolik te Fshehur, jetonin aty. Kur mbërritën Serbet, me qindra nga këta Laraman deshtën që haptazi të deklarohen që janë Katolik. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë, tha: “Ose mysliman ose Ortodoks. Jo katolik!”. Numër i panumëruar i Katolikëve ishin vrarë ne Ponoshec, nga dora e sllavit (rrethi i Gjakovës). Afër Zhurit (rrethi i Prizrenit), kryetari i fisit ishe vrarë e thërrmuar nga shteti, mu pse ishte Katolik. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjakovë në famullinë e Nikajve, kur mbi 70 Katolik u vranë nga malazezet”.

Gazeta e kohës, “Neue Freie Press” me 20 Mars shkruan: “Me 7 Mars, soldateska e prirë nga një pop Ortodoks,në dhe rreth Gjakovës deshtë me forcë të konvertoj Popullatën katolike në besim Ortodoks. Mbi 300 vetë, gra, burra dhe fëmijë nën kërcënimin me vdekje duheshin të konvertoheshin. Popi Ortodoks iu tha: “Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë e vërtetë ose këta ushtarë të Zotit, do i dërgon shpirtrat e juaj në ferr”.

Te gjithë e nënshkruan përveç Patër Angjelit. rezultati ishte skena më trishtuese e paparë në atë shekull”( www.albanianhistory.net)

Me 1919 qeveria jugosllave “nënshkruante” çdo akt ndërkombëtar kundër diskriminimit. Por persekutimet ndaj katolikëve kosovarë vazhdonin. Në Shkup patriotin shqiptarë , të atin e nënës Terezë e helmuan serbët.

Serbët e shihnin rrezikun në shqiptarët katolik se për ata mysliman ishin planet tjera. Me 1929 u vra At Shtjefen Gjeçovi një françeskan shumë i respektuar nga shqiptarët. Edhe pse K. Jereqek i përshkruante shqiptarët “popull i vjetër me kulturë qytetare; edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për Ilirët; sllavët medoemos e bënin sllavizimin, e turqit turqizimin e shqiptarëve, herë ndaras e herë në bashkëpunim.

Akademik Mark Krasniqi në “Gjurmë e gjurmime” (Rilindja,1979) shkruan për këtë: “Milan Rakiçi (1876-1938) zë një vend të spikatur në historinë e letërsisë serbe. Rakiçi ka qenë me profesion diplomat, kështu që për një kohë të gjatë ai ishte Konsull i Serbisë edhe në Prishtinë, ku “udhëhiqte punët e aksionit nacional, kujdesej për serbët që pësonin zullumin e turqve e të shqiptarëve”. Rakiçi ishte në shërbimin diplomatik në Prishtinë mu në kohën kur lëvizja kombëtare shqiptare kishte marrë përmasa të mëdha të luftës politike e të armatosur kundër pushtetit turk, për liri e pavarësi. Milan Rakiçi shquhej jo vetëm në fushën diplomatike , letrare por edhe me angazhimin e popullsisë serbe të këtyre anëve që të bashkëpunojnë me ushtrinë turke kundër kryengritësve shqiptarë. Rakiçi “kujdesej” shumë për manastirin e Graçanicës. Sipas studiuesit Pero Sliepçeviç është vërtetuar se nga numri shumë i madh i kishave të vjetra serbe vetëm një pjesë fare e vogël e tyre i kanë ndërtuar serbët, emri i të cilëve është shkruar në to. Serbët nuk kanë pasur fare traditë të vetën as në ndërtimtari e as në art e kulturë (Stare Srpske Zaduzhbine, Beograd 1934). Manastiri i Graçanicës ekzistonte dhe kryente shërbimet fetare edhe para ardhjes së sllavëve në këto anë (V. Petkoviç, Pregled Crkvenih Spomenika, Beograd 1950).

Në vitet para pavarësisë në parlamentin e Turqisë thuhej: “Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e morri lumi Turqinë. (Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane). Kurse, ditën që ushtritë serbe do të sulmonin Kosovën gjenerali famëkeq Jankoviç do të drejtonte një proklamatë shqiptarëve me titullin simbolik “T’on fiseve n’ Shqipni – or vllazni”, në të cilët thuhej se “Vijmë në emër të Allahut që t’i jepet fund zullumit të turkut që për 500 vjet bashkërisht ka rëndu dy popujt … për të çliruar vendin tonë të përbashkët dhe se shqiptarët do të munden me e rujtë fenë dhe zakonet si i kanë pasun..”

(Foto :Petrit Grezda)

Filed Under: Featured Tagged With: Marreveshja shekullore, turko-serbe

FJALËT I KAM PËR NJERËZIT JO PËR DYKËMBËSHAT

September 29, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Fjalët i kam për njerëzit/

atyre ua kushtoj/

atyre/

ua dërgoj fjalët në eter/

me postierë-pëllumba/

janë fjalë zemre/

të pastra/

jo si uji me microbe/

që pihet në Tiranë/

janë

si uji i burimeve

që kanë mbetur të paprekura

prej dorës së barbarëve

barbarët janë aty

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për dykëmbëshit

të cilëve shqiptarët u falen

sikur të jenë Zota

duke u dhënë

ciklikisht vota

si të jenë klone

robotësh

për t’u rifutur

nëpër labirinthet

e tranzicionit

torturë

si Spaçi

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për dykëmbëshit

veshur me rroba firmato

që kalërojnë qiellin

e bredhin me vetura

të markave të fundit

paguar nga taksat tona

ata dykëmbëshat

parazitë

që nuk e njohin

punën

as si nocion

ata dykëmbëshit

e zbrazur nga çdo

organ njerëzor

me zemër, zorrë

stomak dhe mëlçi

çeliku

si një vepër

mirëfilli e realizimit socialist

po na rrjepin sa më mirë

lëkurën

po na lënë

veç skeletin

sipas atij proverbit

se i joti

mishin ta ha

e kockën ta le

ne viktimat

e reja

të mathauzenit

dhe auschwizit

të tranzicionit shqiptar

të mileniumit

të tretë

të kohës

të IPhone-it

dhe rrjeteve sociale

 

dykëmbëshat

nuk të çojnë

direkt

nëpër kremtariume

për të na bërë sapun

po na vrasin

pak e na pak

përmes

pritjeve boshe

ti prit e prit

një vit

një pesëvjeçar

një dekadë

dy dekada

njëçerek shekulli

prej kohës kur

fëmijëve

po u ndërroheshin

dhëmbët e qumështit

e tani u kanë dalë

thinjat e para

…

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për servilët

jo për hipokritët

jo për shpifësit

jo për intrigantët

për ata fjalët e mia

qofshin

si flakët

e ferrit

që t’ua djegë

të keqen

le të mos më jenë mirënjohës për

nderin që u bëj

nuk dua asnjë

falenderim prej tyre

me ta nuk kam asnjë fjalë

asnjë rrokje

nuk e shqiptoj për ta

 

kohën time të çmuar e kam

për njerëzit

fjalët e mia të zemrës

të pastra

pa asnjë sarkazëm, mllef,

pa asnjë dykuptimësi

pa asnjë rrengbrënda

apo dyfytyrësi

që i kanë dykëmbëshit

me pushtetin e votës

tonë

të ne budallëve

më të mëdhenj

që ka parë shekulli i parë

i mileniumit

të Steve Jobsit

dhe Mark Zuckerbergut

 

ne të marrët

që u dhamë pushtetin

për çerek shekulli

dykëmbëshave

 

ne naivët

që mbetëm fëmijë

ne që besuam

që ditëm të besojmë

që patëm stomak e zemër

të besojmë

 

të të besojë njeriu

është mrekulli e Zotit

por ata janë të gjithë

ikonoklastë

Zotit i falen ditën

dhe natën

blasfemojnë

ose shkojnë në Mekë

për të shpëtuar

prej mëkateve

për vrasjen që i bënë kohës

si vrasesit e kohës

tonë

 

për dykëmbëshat

s’kam asnjë fjalë

si t’ja bëj

për atë kohë që iku

e nuk vjen më

për besimin që u dhamë

për të na sjellë

vërdallë

me pasqyrka

fjalësh

llamburitëse

por

sharrllatane

sepse

vinin nga zgafellat

e blozave

të të pazotëve

të të pafeve

të të pashpirtëve

të dykëmbëshave

që pasuan

diktaturën

dhe që sollën

veç

tranzicion

dhe asgjë tjetër

veç eksod dhe asgjë tjetër

veç ekskomunikim

nga Europa

dhe asgjë tjetër

na larguan prej saj edhe më

na hodhën

në Azinë e largët

kur më 1992

ne ishim vetëm dy hapa larg saj

atëherë kur ishim fare të rinj

kur fëmijët nuk i kishim

lindur ende

apo posa i kishim sjellë

në këtë botë

dhe u premtuam

atë që na premtuan

dykëmbëshit mizorë

Tokën e Premtuar

u premtuam

e tani fëmijët

që lindëm në tranzicion

po bëhen

sa ishim ne

kur besuam se

Shqipëria

po bëhej nga zhbërja…

 

fëmijët tanë po bëhen

gati të lindin

fëmijët e tyre

dhe tranzicioni

vazhdon si serialet

e filmave turq

me hakmarrje primitive

si mallkim

për besimin që ne

u dhamë dykëmbëshave

 

sepse njeriu i beson Zotit

i beson Njeriut

por kurrësesi jo Antinjeriut

dykëmbëshave

si vampirë

që na e pinë gjakun

e kohës tonë

dhe pastaj na shesin mend

në panairet e metropolit

të kurrgjësë

ku njerzve në vend të lirisë

u japin qofte

hiçgjëje

në mejhanet politike

të mosgjësë

të dykëmbëshave

që mbetën

qyqanë

megjithë se pushteti

u solli lluksin

makbethian

ata të pangopur

mbetën

barkthatë

mbetën

nga tranzicioni

çerekshekullor

duan

ta çojnë

tranzicionin

një gjysmëshekulli

 

ky është

objektivi i tyre

qëllimi i tyre

të na largojnë

sa më shumë

nga ëndërra

 

pikërisht ata

dykëmbëshat

që unë nuk u hedhë

asnjë lëmoshë fjale

asnjë tingull

asnjë rrokje

asnjë bashkim tingujsh

asnjë bashkim rrokjesh

prej nga formohen fjalët

 

o Zot sa të bukura janë

fjalët

që i shkëmbejmë midis nesh

fjalët zbusin gurin

o Zot sa të bukura janë

fjalët që shqiptojmë

midis nesh njerzve

që populluam këtë tranzicion

të trishtë

që shkëmbejmë

për t’i shkrumbuar

prej indiferencës tonë

dykëmbëshit

e formuar prej kotit

prej asgjësë

por që kanë

në barkun e tyre

makabër

kanë gëlltitur si lubi

kohën e të gjithë shqiptarëve

miliona e miliona sekonda

miliona e miliona minuta

miliona e miliona orë

duke pritur Godonë

duke pritur barbarët

kur

barbarët janë aty

 

dhe dykëmbëshat

na lanë gjithnjë prapa listave

na hoqën fare nga listat

na çeuropianizuan

ne që jemi nga të parët

që e lindëm

kontinentin plak

 

fjalët e mia

i kam për njerëzit

çdo fjalë ka zemrën që bën tak-tak

që kërkon të trokasë e

gjejë derën e hapur

të një shpirti tjetër njeriu

njeriu të vërtetë

që nuk është servil

që nuk është hipokrit

që nuk është intrigant

që nuk është arrivist

por sidomos

që nuk është dykëmbësh

……………………

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dykembshat, Elida Buçpapaj, fjalet i kam per njerezit, poeme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5162
  • 5163
  • 5164
  • 5165
  • 5166
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT