• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY FJALË PËR AMBASADORIN ARVIZU DHE POLITIKËN SHQIPTARE

September 27, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ambasadori Amerikan Alexandër Arvizu është në prag të largimit të tij nga  Shqipëria. Pas një shërbimi trevjeçar, një mesatare gati e të gjithë  ambasadorëve amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri pas rivendosjes së  marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Mbrëmë ai dha ndofta intervistën  përshëndetëse tek Top Story me Sokol Ballën. Si gjithnjë korrekt, i  vërtetë, i përgjegjshëm dhe njerëzor.
SHBA janë aleat jetik i  shqiptarëve. Pa SHBA nuk do të kishte as çlirim dhe as pavarësi të  Kosovës. Pa SHBA – Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s, pasi  qeverisjet shqiptare, herë majtas dhe herë djathtas, këta 23 vjet  tranzicion kanë dështuar në ndërtimin e një demokracie Perëndimore.
Shqipëria rrezikon të kthehet në një vend mafioz. Vetëm një fshat në jug prodhoi  brenda vitit që shkoi 4.5 miliardë Euro marijuanë. Shtypi botëror bëri  ironi nëpër tituj duke shkruar se kryeqyteti i marijuanës tash e mbas  nuk është më Amsterdami, por Lazarati. Mjerisht këto fakte tronditëse  bien në veshët e shurdhër të politikës, që ka pësuar fiasko në vendosjen e ligjit.
Përballë kësaj situate tejet kritike, e cila do të  kërkonte tërmet ndëshkimor prej drejtësisë dhe intensifikimin e  reformave, klasa politike shqiptare është mbrojtur gjithnjë duke sulmuar diplomatët e huaj. Njëri prej tyre është edhe Ambasadori Arvizu.  Përpara tij ishte Ambasadori Withers. Ndaj Arvizut sulmet me karakter  racor nisën posa kishte vënë këmbët në vendin e Shqiponjave, për  qëndrimin që mbajti në lidhje me 21 janarin 2011.
Aleksandër  Arvizu, një diplomat me 32 vjet karierë të suksesëshme, tipik produkt i  realizimit të ëndërrës amerikane, ku melting pot funksion mrekullisht,  bir emigrantësh, i një babai meksikan dhe nëne japoneze, bëri gjithçka  që manifestimi tragjik i 21 janarit të shmangej dhe, kur tragjedia  ndodhi, insistoi me sukses mosdegjenerimin e mëtutjeshëm të protestave,  sepse Shqipëria dhe populli shqiptar nuk meritonin assesi një Pranverë  Arabe.
Këtë qëndrim të tij, i cili ishte në përputhje të plotë  me qëndrimin zyrtar të Departamentit të Shtetit të SHBA, opozita e asaj  kohe e komentoi si mbështetje që i jepej kryeministrit të atëhershëm.  Qendrimi Amerikan nuk ishte politik, mbronte të drejtën, por kishte  ndikim indirekt mbështetës në qeverinë Berisha. Disa muaj më vonë,  Ambasadori Arvizu do të ndiqte si dëshmitar ecurinë e zgjedhjeve lokale, të cilat po ashtu opozita i përktheu si mbështetje e tij për Bashën dhe Berishën.
Edhe pushteti medial i Tiranës, si ushtar i bindur i  politikës, do të reflektonte humorin e ish-kryeministrit të Shqipërisë  apo ish-liderit të opozitës në raport me Ambasadorin Arvizu, veprimet e  të cilit kanë qenë të paanëshme, të përgjegjëshme, konform politikës  Amerikane dhe në të mirë të interesave kombëtare të shqiptarëve.
Ndryshe nga pararendësit e tij, Ambasadori Arvizu ishte më populist. Për të  shmangur ndikimet prej palëve, të cilat atë kundërshtare e demonizojnë,  ai zgjodhi që ta njohë në vetën e parë situatën dhe realitetin, jo më  sipas tregimeve, por ta prekë me dorë, ta shohë me sy e ta dëgjojë me  veshë. Kjo e ndërlikoi punën, sepse politikanët shqiptarë kështu kishin  dalë zbuluar si Mbreti tek përralla e Andersenit.
Erdhi një  moment, kur sulmet kundër Ambasador Arvizut filluan nga krahu i  maxhorancës. Edhe kësaj here u përdorën sulme raciste, jo nga  opinionistë, por direkt nga figura të PD-së. Sulmet kundër Ambasadorit  Withers filluan me Gërdecin, ndërsa kundër Ambasadorit Arvizu kur ky u  shpreh për mungesën e drejtësisë ndaj tragjedisë së 21 janarit. Pastaj  erdhi greva e urisë e të përndjekurve, kur Ambasadori Amerikan i bëri  thirrje maxhorancës të ulej e të bisedonte me grevistët.
Personalisht, nuk e harroj kurrë Lirak Bejkon që i tregonte protezën e thyer, ndërsa  kërkesa e tij u prit me indiferentizëm të plotë. PD, që hyri në  bashkëqeverisje me LSI, me të cilën kishte patur marrëdhënie tmerrësisht të këqija dhe konfliktuale, nuk denjoi të takohej me njerëz në nevojë,  të cilëve diktatura ua kishte marrë shpirtin.
Gjatë gjithë kohës  Ambasadori Arvizu i bënte thirrje qeverisë dhe opozitës, se ishte  detyrimi i tyre, të gjenin zgjidhje, për hir të integrimit të Shqipërisë në BE. Por reagimet ishin shkëmbime akuzash mes palëve.
Gjatë  mandatit të tij, Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit zonja Hillary Clinton, e cila në Kuvendin e Shqipërisë vuri theksin pikërisht tek  bashkëpunimi bipartizan për interesa madhore, duke e treguar si  shembull, se si ajo dhe Presidenti Obama nga kundërshtarë dhe rivalë  ishin kthyer në bashkëpunëtorë të ngushtë. Zonja Clinton bëri thirrje  për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por këshillat e  saj nuk u dëgjuan ndërsa vizita e saj u përdor si sukses elektoral prej  shumicës të asaj kohe.
Kishte ardhur momenti, që prej gabimeve  të maxhorancës, kërkonte të përfitonte opozita, e cila qëndrimet kritike të diplomatëve të huaj ndaj qeverisë Berisha, i interpretonte si  mbështetje ndaj saj. Një ping-pong i vërtetë. Tani ishin ndryshuar  rolet. Nuk ishte më opozita, por maxhoranca që sulmonte Ambasadorin  Amerikan, dhe cinizmi arriti kulmin, kur lajmi për emërimin e  Ambasadorit të ri, i cili ishte konfidencial, u përdor në mënyrë të  turpshme si një triumf dhe ndikim i Berishës në Departamentin e Shtetit. Berisha e kishe harruar plotësisht mbështetjen që mori prej Ambasadorit Arvizu në ngjarjet e 21 janarit dhe zgjedhjet lokale. Dukej sikur atë  nuk e ndalte asgjë në këtë botë drejt një „triumfi“ të ri, ku si  „arritje“ personale, e reklamonte edhe ndryshimin e shefit të ri të  shtëpisë tek Rruga e Elbasanit.
Por drejtësia supreme ka ligjet e veta. Kështu duket.
Tani maxhoranca e re që posa ka marrë çelësat e qeverisë bën deklarata  retorike për rëndësinë që kanë SHBA për Shqipërinë, porse nëse do të  fillojnë e të gabojnë, është e sigurt se nga Washington D.C. do të vinë  kritika, që do të thotë se rrezikon të riciklohen edhe sulmet ndaj  Ambasadorit Donald Lu, ashtu si ndaj pararendësve të tij.
Dhe  kështu do të vazhdojë deri kur në Shqipëri do të vendoset shteti ligjor, me rregullat e prioritetet e veta deri tek konvencionet e gjuha  diplomatike, e cila përjashton nga fjalori çdo lloj komunikim vulgar  ndaj përfaqësuesve të një vendi që e kemi Aleat jetik, pa mbështetjen e  të cilit ishim zhbërë, si u rrezikuam në Shqipëri më 1997 dhe në Kosovë  më 1999. Për fajet dhe gabimet e saj, klasa politike e Shqipërisë është  vetë përgjegjëse.
Si gazetare që i kam përcjellë me shumë  vemendje rrjedhat shqiptare, më mbetet vetëm t’i shpreh mirënjohjen time Ambasadorit Aleksandër Arvizu, në emër të opinionit të shëndoshë publik shqiptar, të cilit i intereson një Shqipëri europiane dhe e integruar,  ku shteti ligjor të jetë si baba i mirë për shtetasit e tij, ndryshe nga sa mendojnë partitë në Shqipëri, ku Sovranin e përdorin si shërbëtor.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, per ambasadorin Arvizu

NJE PERFAQESI E VATRES U TAKUA ME KRYEMINISTRIN RAMA

September 27, 2013 by dgreca

Me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama,një përfaqësi e Vatrës,u takua me 26 Shtator, ne oren 3 pasdite, në hotelin”Four Sizen” në Manhattan, me Kryeministrin e Shqipërisë.

Në këtë takim, merrte pjesë Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, sekretarja Nazo Veliu dhe editori i Diellit, njëkohësisht dhe anëtar i Kryesisë Dalip Greca.Kryeministri shoqerohej nga Ina Kuka dhe Shefi i Misionit Shqiptar ne Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha.

Në fjalën e tij, kryetari Bucaj, tha: Zoti Kryeministër, e çmojmë shumë dëshirën tuaj për të takuar një përfaqësi të “Vatrës” dhe e vëlerësojmë takimin si rast të dobishëm, për t’u njoftuar me programet që qeveria e juaj synon të realizojë gjatë mandatit të saj dhe, nga ana tjetër, ju të njifeni direkt me qëndrimet e “Vatrës” dhe me kërkesat që vatranët dëshirojnë të shohin të realizuara në Shqipëri.

Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e vatranëvet patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish të përsekutuarëvet, kanë shprehur shqetësimin nga disa shënja recidive komuniste dhe zëre revanshiste të vrejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist. Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjevet dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të më parshme, arritje të suksesshme në dobinë e vëndit e të kombit. “Vatra” do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe, gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme.

“Vatra” do të vazhdojë synimin të jetë një zë i fortë objektiv dhe i pavarur nga rrymat politike partiake. Duke u përpjekur t’i rrijmë besnikë këtij parimi, qëndrimet tona kanë rënë herë në pajtim e herë në kundështim me veprimet e njërës palë ose tjetërs. Dy shembuj të së kaluarës jo të largët: kemi shprehur kundërshtimin e ligjit për memorialet e varrezave të ushtarëvet grekë, të rënë si okupatorë në tokën shqiptare, duke e parë si ligj kundër interesit dhe sovranitetit kombëtar, i kaluar në parlament kur ishin prezent vetëm deputetët e koalicionit të djathtë, për shkak të bojkotit nga deputetët socialistë. Kemi shprehur publikisht kundërshtimin tonë për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009 nga ana e koalicionit socialist, si veprim i dëmshmëm për proceset ekonomike dhe integruese, përgjithësisht si pengesë e pajustifikuar për zhvillimin normal të vëndit.

Siç kemi bërë me ish Kryeministrin Berisha dhe me përfaqësues të tjerë qeveritarë e shtetërorë, po rreshtojmë disa nga veprimet që kërkojmë të merren në konsiderim nga krahu ekzekutive që ju kryesoni, dhe që dëshirojmë t’i shohim të realizuara. Një përmbledhje të këtyre kërkesave, shumica e të cilavet kërkon ligje të posaçme, ia kemi përmëndur edhe Presidentit Nishani, gjatë vizitës së pardjeshme në selinë e “Vatrës” dhe në darkën e shtruar për nder të tij, duke shprehur besimin se, si autoriteti më i lartë shtetëror e juridik, ai do të lehtësojë kalimin a tyre, ne se ato arrijnë mbi tavolinën e tij.

E konsiderojmë shumë të rëndësishme shkëputjen nga trashëgimia e diktaturës së kaluar, tepër prezente në jetën publike dhe politike në shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipëri. Jemi ti bindur se, pët të arritur një gjë të tillë, duhen dënuar krimet e komunizmit dhe duhet realizuar integrimi dhe dëmshpërblimi i shtresës së ish të përndjekurëve, këthimi i ponës së konfiskuar nga regjimi komunist tek i zoti, zbatimi i ligjit të lustracionit, ligjit për heqjen e imunitetit deputetëve dhe politikanëve në raste akuzash për krime e korrupsion, pastrimi i gjykatave nga individët e ngarkuar me përgjegjësi kundër shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës e tjera. E shohim si shumë të nevojshme një luftë të suksesshme kundër korrupsionit të rëndë, që nuk ka ngjyrë rozë as blu, por ngjyrën e zezë të krimit.

Dëshirojmë të shofim arritje konkrete drejt bashkimit kombëtar, me integrimin ndërshqiptar në të gjitha fushat: politike, kulturore, arsimore, tragtare, sportive e tjera, pa interferenca ideologjike ase interesa propangandistike.

 

Është nevojë për luftë gjithnjë e më të intensive kundër varfërisë, pa mbajtur anë interesash partiake ase përsonale, duke i trajtuar të gjitha viset dhe të gjithë shqiptarët njisoj.

Vëlerësojmë marrëdhënjet e mira me fqinjtë, por jemi kundër tolerancës ndaj ndërhyrjeve në punët e brëndshme të Shqipërisë.

E shohim të nevojshme rritjen e lidhjevet infrastrukturore me viset shqipare për rreth dhe përkrahjen e fortë  për të drejtat e shqiptarëve kudo jetojnë në trojet e tyre, si dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes çame.

Kërkojmë vëmëndje dhe vëlerësim më të madh për rëndësinë që ka harmonia ndërfetare te shqiptarët, e cila është halë në sy të armiqvet, por gur në themelin e trollit të përbashkët kombëtar. Nuk është e domosdoshme të jeshë besimtar për të njohur këtë vlerë që kemi trasshëguar nga Rilindësat. Klerikët dhe institucionet që shërbimin fetar përkatës e ushtrojnë në frymën kombëtare, kanë nevojë për vëlerësim e përkrahje më shumë, ndonjëherë edhe për mbrojtje, nga organet shtetërorë, qeveritare e kulturore.

Ju dëshirojmë sukses në realizimin e këtyre dhe tjera programeve dhe reformave në të mirë të shoqërisë shqiptare.

Punë të mbarë në përfaqësimin e Shqipërisë në Asemblenë e Kombeve të Bashkuara!

Kryeministri Rama, tha ndër të tjera se e vlerësonte takimin. Ai tregoi më pas sfidat që ka marrë përsipër që të realizojë qeveria e tij, e cila ka në përbërje një ekip të rinjësh dhe më shumë se cdo herë ministre femra.

Po ashtu Kryeministri Rama tha se objekt i qeverisë së tij janë lidhjet më të ngushta me Kosovën dhe unifikimin e faktorit shqiptar në rajon. Këtij qëllimi tha ai do t’i shërbejnë edhe takimet e progarmuara të dy qeverieve ne cdo 6 muaj, ku do të marrim përsipër detyra konkrete për unifikimin e programeve dhe teksteve mësimore, unifikimin e veprimtarive sportive dhe kulturore ndërshqiptare në rajon, vecanërisht mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sfida madhore , tha ai mbetet ftesa për për në Bashkimin Europian dhe realizimi i detyrave për të shkuar drejt anëtrarësimit në BE.

 

Filed Under: Featured Tagged With: me kryeministrin Rama, Vatra takohet

NJOFTIM MORTOR- NDËRROI JETË PRENA GOJCAJ

September 26, 2013 by dgreca

Me hidhërim të thellë njoftojmë miqtë, dashamirësit, komunitetin shqiptar,të afërmit në vendlindje, se të Mërkurën me 25 Shtator pas një sëmundjeje të rëndë,ndërroi jetë njeriu ynë i dashur Prena Gojcaj.

Shërbimet funerale për të ndjerën do të organizohen ditën e premte, me 27 Shtator 2013, nga ora 2pm deri në 9pm, në farenga Brothers Funeral që ndodhet në adresën:

920 Allerton Ave, New York, NY 10469

Phone:(718) 654-0500

Mesha do të jetë të Shtunën me 28 shtator 2013 në orën 10 am.

Familja e Lek dhe Pashko Gojcaj

Filed Under: Kronike Tagged With: nderroi jete, Prena Gjocaj

“Vatra” synon të jetë një zë i fortë kombëtar, objektiv, i pavarun nga rrymat politike

September 25, 2013 by dgreca

Nga Dr. Gjon Bucaj*/

Asht nderë e kënaqësi për vatranët dhe për të gjithë neve, t’ju përshëndesim me nderime e dashamirësi sonte në mesin tonë. Përshëndetje të përzemërta klerikëvet tanë dhe mirëseardhje Ambasadorit të Shqipnisë në Washington, zotit Gilbert Galanxhi që ju përcjell gjatë kësaj vizite në Shtetet e Bashkueme, Sekretarit të Shërbimit Diplomatik zotit Besnik Konçi, dhe Konsullit të Përgjithshëm zotit Dritan Mishto me zonjën, i cili asht shumë  i afërt me Vatrën dhe me komunitetin në përgjithësi. Jemi mirënjohës të gjithëvet që na nderoni me prezencën tuej.

Familja vatrane po ju pret bashkë përfaqësuesit e institucionevet fetare që, krahas me shërbimet fetare përkatëse, zhvillojnë edhe aktivitete të dobishme me karakter kombëtar.

Vizitën tuej sot në selinë e “Vatrës”, si dhe takimin në këtë darkë familjare, i shohim si vlerësim nga ana e juej, për kontributin që kjo organizatë e shqiptarëve t’Amerikës i ka dhanë kombit për ma se një shekull. E shohim, gjithashtu, si mbështetje për vatranët e tashëm dhe për komunitetin shqiptar të Amerikës në përgjithësi, në përpjekjet për t’a shtri “Vatrën” në të gjithë Amerikën dhe në Kanada, tue sjellë në gjinin e saj  brezin e ri, për t’a projektue me besim drejt së ardhmes, në frymën kombëtare të trashigueme nga themeluesit e saj. “Vatra” synon të jetë një za i fortë kombëtar, objektiv, i pavarun nga rrymat politike.

Për zgjedhjet e 23 qershorit të kaluem, shumica e vatranëvet patën shprehë mendimin që proceset e integrimit dhe planet ekonomike të vazhdonin pa u ndërpre nga ndërrimi i administratës. Megjithate, në përgjithësi u vlerësue pozitivisht zbatimi i normavet demokratike me  njohjen e rezultatit dhe me dorëheqjen e ish Kryeministrit Berisha nga drejtimi i Partisë Demokratike, si kontribut i randësishëm për krijimin e klimës së bashkëpunimit paszgjedhor.

Administratës së re i dëshirojmë qeverisje të drejtë, në frymë demokratike, me suksese në interesin e Shqipnisë dhe të popullit shqiptar. Pozitës dhe opozitës u dëshirojmë bashkëpunim konstruktiv, tue mos lejue rivalitetet partiake të cenojnë interesat e përbashkëta të kombit e të atdheut. Konfliktualiteti politik asht i damshëm për vendin dhe i dobishëm për askend.

Në takimet e së kaluemes me zyretarët e lartë të Shqipnisë, kemi vlerësue arritjet në periudhën e tranzicionit, si në ndërtimin e infrastrukurës, në procesin e integrimit në NATO dhe të liberalizimit të vizave, në përkrahjen e fuqishme të Kosovës për pavarësi, si dhe në ecjen drejt integrimit në Europë. Vazhdimisht kemi sjellë në vemendje nevojën e thellimit të matejshëm të reformavet dhe zgjidhjen e problemevet që shqetsojnë shqiptarët si: integrimi dhe damshpërblimi i shtresës së të përndjekunvet, këthimi i pronave të konfiskueme nga regjimi komunist, hapja e dosjeve të diktaturës, ligji i lustracionit dhe korrupsioni i lartë. Kemi besim se me ju, zoti President, në krye të shtetit dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, realizimi i këtyne dhe tjera reformave të nevojshme, do ta ketë rrugën ma të lehtë për të kalue, në se ato arrijnë mbi tavolinën tuej. Këtë herë po përqendrohemi tek randësia që harmonia ndërfetare e shqiptarëvet ka për stabilitetin dhe për mirëqenjen e kombin tonë. E shohim nevojën që, organet shtetnore e kulturore, të tregojnë ma shumë vlerësim, përkrahje dhe mbrojtje, për institucionet fetare dhe për klerikët të cilët, shërbimin shpritnor, e ushtrojnë me përkushtim për besimin përkatës dhe, në të njejtën kohë, ia njofin vleren dhe i dalin zot vëllaznimit të gjakut shqiptar. Asht krenari dhe kënaqësi për ne që shembullin e klerikëve të tillë e kemi këtu bashkë me, në pritjen e Presidentit të Republikës së Shqipnisë.

Ju urojmë sukses në takimet e rëndsishme të këtyne ditëve, në Nismën Globale Klintoni 2013.

Ju urojmë shëndet e të mira familjare dhe energji e suksese në krye të Shtetit Shqiptar.

*Përshëndetja e kryetarit të Vatrës gjatë darkës me presidentin Bujar Nishani me 24 shtator 2013

Filed Under: Featured Tagged With: darke e vatres, Fjalimi, Gjon Bucaj, me presidentin Nishani

Presidenti Nishani bashkёbisedoi me Komitetin Amerikano-Hebre

September 25, 2013 by dgreca

New York- 25 shtator 2013- Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani u prit nё njё drekё pune dhe pati njё bashkёbisedim miqёsor me pёrfaqёsues tё Komitetit Amerikano-Hebre, tё ardhur enkas nga shtete tё ndryshme tё Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs.

Nё mesazhin pёrshёndetёs, pasi falënderoi mikpritёsit pёr pritjen e ngrohtё, Presidenti Nishani, pёrgёzoi Komitetin Amerikano-Hebre pёr misionin dhe veprimtarinё shumё efikase dhe shtoi se ndihet tejet i inkurajuar nga vullneti i shprehur pёr forcimin e mёtejshёm tё lidhjeve dhe bashkёpunimit ndёrmjet shqiptarёve dhe popullit izraelit.

“Tashmё, ёshtё i njohur fakti se shqiptarёt ushqejnё ndjenja respekti dhe miqёsie pёr çdo hebre, kudo ndodhet nё Izrael, Amerikё apo ndonjё vend tjetёr tё botёs. Mbi kёtё bazё ne kemi bёrё gjёra shumё tё mira, por do tё bёjmё gjёra edhe mё tё mira  nё interes tё popujve dhe vendeve tona.”

Pasi bёri njё paraqitje tё shkurtёr tё zhvillimeve demokratike, tё arritjeve nё integrimin euroatlantik, politikёs rajonale tё bashkёpunimit dhe fqinjёsisё sё mirё dhe aspiratave tё Republikёs sё Shqipёrisё, Presidenti u shpreh se marrёdhёniet me Izraelin janё shumё tё rёndёsishme.

Kreu i Shtetit u ndal, gjithashtu, shkurtimisht nё vizitёn e tij tё para pak javёve nё Izrael, duke shprehur kёnaqёsinё pёr pritjen e shkёlqyer tё ofruar, bisedimet e frytshme pёr zhvillimin e bashkёpunimit dypalёsh dhe shtoi se ёshtё ndjerё i prekur nga ngrohtёsia qё gjeti kudo dhe veçanërisht nga mirёnjohja pёr atё që shqiptarёt kanё bёrё pёr shpëtimin e hebrenjve gjatё Holokaustit.

Mё tej, takimi vazhdoi me njё bashkёbisedim tё hapur, gjatё tё cilit Presidenti iu përgjigj pyetjeve tё tё pranishmёve pёr zhvillimet e brendshme nё Shqipёri, situatën nё rajonin e Ballkanit, procesin e integrimit evropian, Lindjen e Mesme, Sirinё dhe zhvillime tё tjera globale.

Nё ndёrhyrjen e saj, Presidentja e Organizatёs Shqiptaro-Amerikane tё Gruas “Motrat Qiriazi, Dr. Anna Kohen shprehu me emocion mirёnjohjen ndaj shqiptarёve pёr shpёtimin e familjes sё saj gjatё Luftёs sё Dytё Botёrore dhe apeloi pёr mbёshtetjen e nismave pёr ruajtjen e trashёgimisё kulturore tё hebrenjve nё Shqipёri.

Presidenti Nishani theksoi, gjithashtu, edhe nevojёn qё brezat e rinj tё informohen mё shumё me Holokaustin dhe diktaturat si ajo komuniste, me qёllim edukimin e tyre me ndjenjёn e tolerancёs dhe pranimit tё tjetrit ndryshe.

Filed Under: Featured Tagged With: komuniteti Hebre, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5167
  • 5168
  • 5169
  • 5170
  • 5171
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT