• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MERGIMI I POETIT HALIL QENDRO OSE RRËZIM I RRAPIT TË PROGONATIT

September 25, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

Është ndarë nga jeta poeti dhe shkrimtari Halil Qëndro.Ikja e poetit kurveleshas ka hidhëruar miqtë  etij poet dhe lexues.Ata e krahasojnë ikjen etij me rrëzimin  errapit shekullor në qëndër të katundit Preogonat,Tepelenë.

Kush ishte poeti Halil Qëndro?

Halil Qendro – Poet, autor librash. Lindi në Progonat, më 1936. Mbaroi të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”. U diplomua pranë Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Ka punuar gazetar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Për qëndrimet e tij kritike ndaj skemës së Realizmit Socialist u internua për 22 vjet, duke iu hequr edhe e drejta e botimit. Ka botuar në poezi e prozë.Botime në poezi: “Dashuri e shqetësuar”, “Këngët e Progonatit”, “Loti i diellit”, “Hemorragji”, “Endacaku i shpresës”, “Jam tepër i lodhur”, “Ezopi në gjyq”;Botimet në prozë: “Si në balada” (tregime e novela), “Rrëfimet e pasmesnatës” (tregime e novela), “Pasqyrë pas shpine” (roman), “Dimra të Shqipërisë në dy kohë” (roman).Si e vlerësojnë miqtë e tij?

Myrteza Mara :Ndarja nga jeta e intelektualit te shquar, e njeriut te mire, te urte e te mencem, e poetit dhe shkrimtarit, e patriotit dhe veprimtarit te shquar Halil Qendro eshte me shume se dhembje, eshte humbje e vertet. Ai diti aq bukur te buzeqeshte edhe kur i erresuan diellin, edhe kur i mohuan ajrin. Edhe kur i vrane fjalen ai diti te flas me heshtjen e tij sepse ishte mbi te gjitha NJERI! Halil Qendro la pas jo vetem krijimtarine e tij ne fushen e letersise dje publicistikes, por dhe emrin e tij te lare me driten e diellit. Kam patur fatin dhe nderin ta njoh nga afer, te lexoj edhe nje pjese te krijimeve te tije dhe kurr nuk me hiqet nga mendja nje varg tek vellimi “Loti i Diellit”: “Me lehte nga te gjithe vritet poeti” Veprimtar shoqëror, kryetar i parë i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” zgjedhur nga Kuvendi i Parë i saj, në qershor 1998. Klubi i Shkrimtareve “Petro Marko” Vlore mer pjese ne kete hidherim dhe i dergon ngushellimet me te sinqerta familjes dhe te afermeve te tij!

Sejmen Gjokoli:Ej, po ç’po bëhet kështu…Po na ikin një nga një burrat e Labërisë, poetët e gojëtarët e shquar të viseve labe.

U këput dhe një rrap apo shkëmb Progonati, që bënte hije dhe kur hijen ja zinin…që këndonte e ligjëronte dhe kur grykën donin tja prisnin.

Na miqësoi puna e përbashkët në Shoqatën “Labëria” kur e patëm në krye por më parë na kishte miqësuar vargu i këngëve të tij botuar në disa vëllime.

Për mua një humbje e madhe e letrave shqipe, e Progonatit me “ vulë” , por edhe e Kurveleshit e Labërisë të tërë…

Lamtumirë i dashur Poet, i shtrenjti njeri, i palodhuri veprimtar i Labërisë, i miri Halil Qendro !

Të ndriftë kujtimi si pena e vargu yt i përflakur !

 Poezi nga Halil Qëndro

Anijet e mërgimit

S’mjaftojnë as anijet e botës

të bartin mërgimin tënd,

gulçojnë të fundosen nën mbipeshën e dhimbjes,

detet e tu

shkretëtira shresash,

ujënaja të kripura lotësh.

Po ti vetë fatin tënd të verbër e zgjodhe,

mezi ruaje zjarrin e paktë te vatra,

e kyçur në marrëzi të vetmisë

i kanoseshe botës me një gur hobeje,

tundje një çokane ogiçi dhe ngjirreshe

e tani e tëra në një det të trazuar,

të presin bankina të lakuriqta

dhe brigje me fenerë të shuar,

shpresëpashuara ime e cfilituar,

Shqipëri !

1991

________________________________________

Halil Qëndro

Pranvera e këtij viti

Si na zuri kaq befasishtë këtë vit pranvera !

Lulet dhe zogjtë kaq pranë

dhe s’i vëmë re as ngjyrat, as këngët,

jemi harruar pas bisedave të nxehta për pluralizmin,

të mbledhur rreth sofrës së varfër vëllezërit

si s’vendosën mes tavolinës një buqetë me lule

për të kujtuar Pranverën dhe fytyrën e Nënë.

Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !

I kanë humbur mes tyre kufijtë

lulet dhe plagët,

udhëkryqi dhe shtegu i dritës,

a diçka që s’di si ta them se është tej kufirit të fjalëve,

a diçka që s’di si ta shpreh

se është tej kufirit të dashurisë e urrejtjes.

 

Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !

1991

Filed Under: Kulture Tagged With: dielli, Gezim Llojdia, Halil Qendro

Kronike nga darka me Presidentin e Republikes se Shqiperise, z.Bujar Nishani ne Troy-Michigan

September 25, 2013 by dgreca

Presidenti i Republikes se Shqiperise, Z. Bujar Nishani vizitoi komunitetin shqiptar ne Detroit ne datat 22 dhe 23 Shtator 2013. Gjate kesaj vizite u krye edhe dekorimi i kater institucioneve fetare te Michiganit me medaljen e larte “Nderi i Kombit”, propozuar nga Dega e Vatres Michigan, qe para nje viti. Institucionet te cilat u nderuan me kete dekorate te larte ishin: Teqeja Bektashiane e Baba Rexheb-it ne Taylor Michigan, Kisha e Shen Palit ne Rochester Hills, Qendra Islamike Shqiptare ne Harper Woods dhe Kisha Zoja Pajtore ne Southfield.Ne darken solemne organizuar nga Dega  e Vatres Michigan ne bashkepunim me bashkesite fetare, posaçerisht per kete rast ne hotel “Marriot”,  ne qytetin e Troy-t ne Michigan, ishin te ftuar edhe politikane si: Perfaqesuesi i Shtetit te Michigan-it ne Kongresin Amerikan, z. Gary Peters, Kryetaret e bashkive te qyteteve: Sterling Heights, Rochester Hills, Southfield si dhe administratori i qytetit Shelby Township, perkatesisht:  Bryan Barnett, Mayor i Rochester Hills,Richard Notte, Mayor i Sterling HTS, Rick Stratakis, Supervisor i Shelby Twp, Brenda Lawrence, Mayor e Southfield

Darka solemne per dhenien e dekoratave/

Ceremonia filloi ne oren 9:00 PM ne nje salle te dekoruar me shije ku spikasnin ngjyrat kuq e zi te flamurit kombetar. Pas hyrjes se presidentit Nishani i shoqeruar nga zonja e pare dhe ne mes te duartrokitjeve te qindra te pranishmeve, te ftuarit perjetuan me emocion te veçcante dy hymnet kombetare te SHBA-ve dhe Shqiperise te interpretuara me mjeshteri nga sopranoja Ermelinda Paparisto.Me pas, moderatori i darkes, z. Nevrus Nazarko iu drejtua President Nishanit me fjalen e meposhtme:Z. President, ju urojme mireseardhjen ne mesin e komunitetit Shqiptar ne Detroit dhe njekohesisht ju falenderojme per vleresimin Tuaj per kontributet e ketij komuniteti, ne mbeshtetje te çeshtjes shqiptare qe e ka zanafillen qysh pas luftes se Pare Boterore me perfaqesuesit e saj ne Federaten Panshqiptare Vatra e deri ne ditet e sotme. Z. President, komuniteti shqiptar ne Detroit eshte nje komunitet solid dhe qe gjithmone ka vene çeshtjen shqiptare mbi çdo interes te çastit, apo mosmarreveshje sporadike, ndaj eshte nder per ne qe t’ju kemi sot ne mesin tone dhe te jemi pjesemarres ne kete ceremoni Tuajen ne mirenjohje te ketyre kontributeve.Me pas z. Nazarko ia dha fjalen per te pershendetur Kongresmenit dhe kandidatit per ne Senatin Amerikan, z. Gary Peters, i cili falenderoi Presidentin per viziten dhe theksoi lidhjet mjaft te ngushta qe egzistojne midis Shqiperise dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikes. Gjithashtu, z. Peters si anetar i kaukusit te Shqiperise ne kongresin Amerikan, theksoi mbeshtetjen e tij per proceset demokratike ne Shqiperi dhe falenderoi komunitetin shqiptar te Michigan-it per dinamizmin e tij dhe mbeshtetjen qe ky i fundit jep ne jeten politiko sociale te shtetit.

Ne pershendetjen e tij konsulli i nderit te Shqiperise ne Michigan, z. Ekrem Bardha falenderoi Presidentin per viziten dhe theksoi kontributin e paçmueshem te diaspores ne ngjarjet madhore te kombit tone qysh nga lufta e pare boterore, permbysja e diktatures ne Shqiperi dhe se fundmi Pavaresia e Kosoves.

Kreret e komuniteteve fetare, te cilet moren pjese ne kete ceremoni dekorimi ishin:  Udheheqesi shpirteror i kishes se Shen Palit, Dom Fran Kola, udheheqesi shpirteror i Qendres Islamike ne Detroit Imam Shuaip Gerguri,  i Kishes Ortodokse Father Dimitrie Vincent,  i kishes Zoja Pajtore Dom Ndue Gjergji , dhe ne emer te Teqese Bektashiane dhe te Baba Arshiut, Dervish Eliton Pashaj.

Ne fjalen e tyre, te gjithe kreret e komuniteteve fetare falenderuan Presidentin per nderin e madh dhe vlersimin qe po ju behet institucioneve te cilat drejtojne dhe theksuan historikun e mardhenieve shume te mira nder-fetare te ketyre komuniteteve. Po ashtu, ata vleresuan edhe nevojen e vazhdimit te kesaj tradite te mrekullueshme, e cila karakterizon gjithe kombin tone.

Presidenti Nishani ne fjalen e , mes te tjerash tha: “Shqiptarët, të bashkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shqiptarët në Detroit si pjesë e saj, kanë shfrytëzuar maksimalisht hapësirat e lirisë së pafund dhe shpirtin Uillsionian të kombit të madh amerikan, për të mbështetur aspiratat liridashëse të shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje. Dora e fortë e diasporës dinamike shqiptare të Amerikës është ndjerë në të gjitha ngjarjet me përmasa historike, si: mëvetësimi i Republikës së Shqipërisë, Pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe çdo përpjekje e shqiptarëve për avancimin e të drejtave të tyre dhe zgjerimin e hapësirës demokratike, kudo ku ata jetojnë…”

Pas dhenies se dekoratave “Nderi i Kombit”  nga Presidenti per kater institucionet e lart permendura, te pranishmit kaluan çaste te bukura ne darken e shtruar me kete rast. Te pranishmit perjetuan çaste emocionuese kur president Nishani, duke “shkelur” paksa protokollin e paralajmeruar, shkoi ne çdo tavoline dhe shterngoi duart me te gjithe pjesemarresit nje e nga nje. Ne kete rast nuk munguan edhe fotografi te çastit, te cilat kane kryer tashme “paraden” e rradhes ne faqet e facebook. I gjithe aktiviteti u pasqyrua edhe nga dy televizionet lokale ne Michigan, Televizioni i Shqipetareve te Amerikes me pronar z. Gani Vila dhe Albanian Community Television me pronar z. Armando Shtiza

Koressp. i “Kuvendit”

Filed Under: Featured

DASVIDANJA MARRËDHËNJEVE RUSO-AMERIKANE?

September 25, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Luftën e filloi i pari presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me botimin e një artikulli në gazetën amerikane Nju Jork Tajms për të argumentuar qendrimin e tij  kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri dhe duke kritikuar Presidentin  e Shteteve të Bashkuara Barak Obama, i cili ka përkrahur një ndërhyrje të tillë pas përdorimit të armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, ku kanë mbetur të vrarë qindra gra e fëmijë.

Në mendë të tij këjo ishte një përpjekje e diplomacisë publike për të bindur lexuesin për pikëpamjet e tija se pse bota nuk duhej të ndërhynte në Siri, por në të vërtetë  shkrimi i Putinit është një hipokrizi  dhe i turpshëm në ekstrem.  Dikatori sirian Assad e di mirë se aleati i tij i ngushtë,  Putini do ta përkrahë atë me çdo kusht nga ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare, dhe për më tepër, se Rusia e Putinit  –megjithë vrasjet që kanë arritur mbi 100.000-veta – do ta furnizojë atë me armë të rënda dhe të lehta, të cilat ai nuk hesiton t’i përdori kundër popullësisë së vet civile.

Përveç kritikave që bëri kundër politikës amerikane në Siri dhe në përgjithësi kundër politikës së jashtëme dhe ushtarake të Uashingtonit, në artikullin e tij udhëheqsi rus kritikoi deklaratën e Presidentit Obama se Amerika është e “veçantë’’ dhe si e tillë, sipas tij, duhet  t’u vijë në ndihmë dhe të mbrojë viktimat e pafajshme në Siri.  Këjo kritikë u bë ndërkohë që Rusia ka bllokuar tri herë, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutat që kishin për qëllim të detyronin  presidentin sirian Assad t’i jepte fund dhunës dhe të dorëzonte armët kimike.

S’do mendë se artikulli i Vladimir Putinit në Nju Jork Tajms shkaktoi reagime të ashpëra në Amerikë, sidomos në Kongresin amerikan.  Reagimi më i ashpër erdhi nga njëri prej ligjvensve më kritikë të Kremlinit, Senatori republikan dhe ish-kandidati për president i kësaj partie, Xhon Mëkejnë.  Në një artikull  që u botua në Rusi, në përgjigje të shkrimit të Putinit, Senatori Mëkejnë e quan udhëheqsin rus, “një tiran në vendin e tij dhe mik i tiranëve jashtë vendit…si dhe armik i të shtypurve dhe i pabesueshëm nga vendet të cilat përpiqen të ndërtojnë një botë më të sigurtë, më në paqë dhe me begati.”

Në artikullin  e tij të ashpër, Senatori  veteran amerikan u drejtohet rusëve duke u thënë se sundimtari i tyre është, “i korruptuar, shtypës dhe përdhunues”.  Senatori Mekëjnë, i cili historikisht ka qenë shumë kritik ndaj politikës së mbrendëshme dhe të jashtëme të Rusisë, e ngarkoi Putinin me akuza të rënda, ndër të tjera, për shkelje të të drejtave të njeriut, për vjedhjen e votave  në zgjedhjet  dhe për përkrahjen e miqëve të tij politikë dhe njëkohsisht dënoi ashpër politikën e jashtëme të Rusisë së Vladimir Putinit.   Në shkrimin e tij, Senatori Mekëjnë kritikoi bllokimin rus të rezolutave mbi Sirinë në Këshillinin e Sigurimit  të OKB-së  duke  e cilësuar Putinin si një udhëheqës që, “përkrah  një regjim që është duke vrarë me dhjetëra mijëra veta nga radhët e popullit të vet, vetëm e vetëm, për objektivin për të qëndruar në pushtet.”  Ai kritikoi ashpër  Rusinë se jo vetëm që nuk po merr asnjë masë për të mbrojtur  të pafajshmit, por edhe për faktin se Moska refuzon madje edhe të dënojë me fjalë maskarat  që po ndodhin në Siri.   Senatori amerikan, vazhdoi artikullin e tij në përgjigje  të  shkrimit  të udhëheqsit rus, duke u thënë rusëve se Putini dhe bashkpuntorët e tij, “Dënojnë dhe hakmerren ndaj kundërshtarëve politikë duke i burgosur ata.  Ata vjedhin votuan tuaj. Ata kontrollojnë mediat tuaja. Ata kërcënojnë dhe mbyllin organizatat të cilat përpiqen të mbrojnë të drejtat tuaja për vet-qeverisje.”

Senatori Mekejnë u drejtohet rusëve duke thënë gjithashtu se, udhëheqsit  e tyre me në krye Putinin, “Po përjetësojnë pushtetin e vet duke mbështetur përhapjen e korrupsionit të pafrenuar në sistemin tuaj gjyqësor dhe në ekonominë tuaj, ndërkohë që ata terrorizojnë,  e madje edhe vrasin gazetarët të cilët përpiqen të demaskojnë korrupsionin e regjimit.”    Udhëheqsit  e Kremlinit, u tha rusëve Senatori Xhon Mekejnë, “nuk respektojnë dinjitetin tuaj as nuk pranojnë autoritetin tuaj si sovrani mbi ta.”  Duke iu përgjigjur akuzave se ai është anti-rus, Senatori Mekëjnë tha se ai nuk është anti-rus, përkundrazi shtoi ai, “Unë jamë më pro-rus se regjimi që u keq qeverisë ju.”

Përveç Senatorit Mekejnë dhe ligjvensve të tjerë amerikanë nga të dy partitë kryesore,  artikulli i udhëheqsit rus, Vladimir Putin u kritikua, ndër të tjerë edhe nga organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch, për hipokrizinë që përmban, si dhe për ato që nuk i thotë Putini në artikullin e tij.    Anna Neistat, bashkputore e kësaj organizate thekson  se udhëheqsi rus në artikullin e tij  nuk përmendë krimet dhe masakrat e tmershme që kanë ndodhur në Siri, të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si edhe nga një mori gazetarësh nga mbarë bota.  Ajo thotë se Putini nuk flet as për dërgimin e vazhdueshëm të armëve ruse regjimit të Asadit gjatë dy tre vjetëve të fundit.  Ana Neistat shkruan se thirrja e Putinit për të përdorur Këshillin e Sigurimit të OKB-së si mjet për zgjidhjen e krizës, në sipërfaqe mund të duket si jë kërkesë e arsyeshme, por jo për ata që e dinë se Rusia tanimë  ka përdorur tre herë veton në këtë organ ndërkombëtar, duke bllokuar rezolutat që mund t’i sillnin sadopak ndihmë  popullësisë civile të Sirisë ose të mbanin përgjegjës të gjithë  aktorët e krimeve kundër civilëve të pafajshëm. Ndërsa,  thotë ajo, Putini fajëson  opozitën pa paraqitur asnjë provë, për sulmin kimik të 21 gushtit,  Rusia kundërshton ashpër që Siria t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare, gjë që është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar me qëllim  për të hetuar krimet e të gjitha palëve në konfliktin në atë vend.

Marrëdhënjet ruso-amerikane  kanë rënë në pikën më të ulët të zhvillimit të tyre ç’rej luftës së ftohët.  S’do mendë se këjo gjëndje nuk është e favorshme as për marrëdhënjet amerikano-ruse, dhe as për marrëdhënjet ndërkombëtare.  Pa marrë parasyshë se çfarë shkruan udhëheqsi rus në Nju Jork Tajms  — në përpjekje për të bindur amerikanët dhe botën se politika e tij është paqësore — është e qartë se Vladimir Putin  vazhdon të jetë pengesa kryesore në përpjekjet ndërkombëtare, amerikane dhe europiane, për të sjellur sadopak ndihmë për viktimat e pafajshme civile në Siri.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dasvidanja, Frank shkreli, marrdheniet ruso-turko

Konferenc​a e Londrës, nje padrejtësi për Dibrën dhe Shqipërinë​”

September 23, 2013 by dgreca

U zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, një veprimtari përkujtimore kushtuar Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës dhe eksodit të parë masiv dibran në Tiranë dhe Elbasan/
Nga Beqir SINA, Tiranë/
TIRANë :Në kuadrin e aktiviteteve të javës dibrane më datë 20 shtator 2013,në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u zhvillua një veprimtari përkujtimore kushtuar 100-vjetorit të Konferencës së padrejtësive të Londrës, Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës dhe eksodit të parë masivë dibran, në Tiranë dhe Elbasan.
Ky aktivitet ndoshta dhe i pari i këtij lloji për dibranët  u organizua nën kujdesin e shoqatës “Bashkësia Dibrane” me kryetar zotin Faruk Borova dhe shoqata “Unioni i krijuesve Dibranë” me kryetar zotin Fatos Daci, si dhe ndihmës modeste finnaciare të një grupi dibranësh në Amerikë anëtarë të kryesisë së SHAD.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të familjeve të vjetra dibrane, personalitetet të shquara dibrane veprimtar dhe aktivist dibranë që prej vitesh jetojnë në Shqipëri, kryeqytetin e shqiptarëve Tiranën. Ndërkohë, që një grup(30 veta) intelektualësh dibranë , veteran të arsimit profesor dhe arsimtarë me ndihmën financiare të veprimtarit dhe biznesmenit të suskseshëm dibran në SHBA, Ylber Pilku nga kompania – PilkuConstraction në Nju Jork, udhëtoi drejt Tiranës, për të marrë pjesë në këtë konferencë,kushtuar 100-vjetorit të Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës dhe eksodit të parë masivë dibran, në Tiranë dhe Elbasan.
Moderatore e këtij aktiviteti ishte zonjusha Ina Saraci.
Me këtë rast u mbajt një sesion shkencor kushtuar këtyre ngjarjeve historike jo vetëm për historinë e Dibrës, por edhe për historinë e kombit shqiptarë në të cilën personalitete të fushave të ndryshme të historisë, hulumtimeve dhe studimeve historike, mbajtën disa kumtesa mjaft interesante rreth këtyre ngjarjeve që ndodhen 100 vjet më parë duke sjellur edhe shpërnguljen ose muhaxhirllëkun e madh dibran, përtej kufirit shqiptaro – shqipëtar.
Profesoreshë Valentina Duka, mbajti kumtesën e saj të titulluar : “Konferenca e Londrës, nji padrejtësi për Dibrën dhe Shqipërinë”, ndërsa, Profesor Gazmend Shpuza, mbajti kumtesën shkencore me temë: “Dibra në vorbullën e pazareve diplomatike”. Kurse, zoti Fatos Daci publicist e historian, anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqipëtare të Shkencave dhe Arteve, mbajti trajtesën e tij me temë: “Dibra, nëntë vjet luftë me krajla, përballë masakrave e shpërnguljeve masive”.
Një vëmendje e vecantë në këtë konferencë, iu kushtua trajtesës që i bëri kësaj ngjarje historike për dibranët dhe kombin shqiptarë, profesori i njohur dibran Bajram Xhafa, i cili mbajti kumtesën e tij me temë: “Heroizmi dibran në Kryengritjen e Përgjithsme të Dibrës kundër pushtuesve serbë”.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  me një përshëndetje mjaft emocionuese në emër të komunitetit dibran, në këtë veprimtari erdhi enkas nga Nju Jorku, zoti Musa Pacuku – kryetari i shoqatës “Dibra” me seli në të ashtuquajturin “Ishulli i Dibranëve” Staten Island – Nju Jork, së bashku me veprimtarin e dalluar të këtij komuniteti zotin Rrape Ruci – i cili njëhereshit është edhe president i Insitutit Amerikano-Shqiptar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me seli në State Island.
Ndërkaq, aktori shqiptar nga Chicago Pajazit Murtishi recitoi një poezi të potetit tonë të madh Lashgush Poradeci.
Në kuadrin e kësaj veprimtarie organizatori i saj shpërndau disa mirënjohje, duke nderuar me certifikatë kryeqëndrën shqiptare Tiranën, e cila u bë shtëpia e dytë e dibranëve, sofra bujare dhe e mikëpritjes,që më 1913 priti dibranët dhe i sistemoi ato,:z. Arben Tafaj – kryetar i shoqatës “Tirana”, familjen Zyber Hallulli, dhe atë të profesor Haki Sharofit, si dhe Shoqatën atdhetare Dibra në Amerikë, dhe kryetarin e saj zotin Musa Pacuku, anëtarët e kryesisë zotin Rrape Ruci dhe Ylber Pilku.
Më pas u dha një program artistik me këngë e valle popullore, nga kjo krahinë e hershme shqiptare, ku kënduan këngëtarët e këngëtaret: ” Lirie Rasha, Caje Poleshi, Arif Madana, Zaim Tollja dhe Flora Shabani” , ndërsa, ansambli “Shqiponjat” u prezantua me një tufë me valle popullore të kësaj krahine.
Ndërkaq, nuk mund të anashkalohet edhe fakti se në këtë aktivitet organizatori i saj megjithëse nga Dibra e Madhe kishin ardhur enkas me këtë rastë duke udhëtuar me qindra kilometra, më shumë se 30 personalite të shquara dibrane, aktiivist dhe veprimtar, me keq ardhje asnjënjerit prej tyre, nuk iu dha fjala qoftë edhe ajo pershëndetëse për të falemnderuar të paktën Tiranën, për mikëpritjen e tyre historike, dhe sistemimin e dinranëve në atë kohë, e cila ka zanafillën e saj 100 vjet më parë me dibranët, të cilët, edhe sot e kësaj dite kanë edhe mëhallën e tyre në një nga lagjet më të njohura të Tiranës.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, dibranet, eksodi masiv, Konferenca e Londres, ylber Pilku

24 Shtator 1915 NJË DATË E PAHARRUESHME

September 23, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

                  Ne foto: Dedë Gjo’ Luli me të birin, Kolen/

Mali i Zi hyni për të dyten herë në Shkoder…Shpresat e Shkodranëve sa vinin e shuheshin dita me ditë.

Mjaft njerëz ishin ndër duert e pabesa të malazezëve. Bota ishte kapërthye ndër ngatrresat e mëdha e nuk i binte kujt ndër mend se a ka apo nuk ka kund Shqipni. Secili shtet veç çonte kryet mbi murin e atij komshij që kishte pranë dhe nuk mendonte tjetër, veç çka me i vjedhë apo me i shkye ndonjë copë tokë të mbetun pa mbrojtje. Pjesa ma e madhe e tyne mendonin me shty gardhiqet kufizuese tue marrë çka të mujshin me zhvatë prej fqinjëve. Shtetet e vogla, porsa përendonte dielli, mendonin se a kanë me u zgjue në mengjes pa u pasë shkelë nga thundra e një zaptuesit grabitçarë e vrasës, që gjithë natën ishin si kope ujqish lëshue në vendet e Europës. Nuk të jepej me mendue se a ka ndonjë shtet nga të mëdhejt që shikonte punën e vet apo kërkon me u mbrojtë.

Gjithkah e gjithkund veç shihej kjartë rreziku i sulmit të secilit nga ma të fuqishmit. Austria, ishte një nga shtetet që donte me shpirt dhe pa interes Popullin Shqiptar, dhe u ba shkak për Pavarësinë tonë të 1912. Kjo nuk kje lojë nën rrëgozë, por veprim i haptë dhe i pakompromis…

Kjo arritje e Austrisë kje një përpjekje e saj ma se 30-vjeçare, që mori hov njëheri me Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Nga ajo kohë e deri në Pavarësinë e Shqipnisë në 1912, vetëm po të bajmë një bilanc të përgatitjes së kuadrove të nalta në Universitetet e njohuna të Austrisë, apo ndihmat materiale për shkollat tona shqiptare të porsa çeluna, vetëm atëherë do të formonim një ide të kjartë për t’ ardhmen që po i hapej Shqipnisë, e ardhme që do të sillte pa dyshim Shqipninë Europiane.

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm se nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut!

Rusia synonte me kenë trashigimtare në të gjitha pjesët sllave që kishte pasë ose kishte ende nën kontroll Austria. Gjermania sa vinte e forcohej tue u ba rrezik për të gjithë shtetet e Europës që e shikonin me sy të shtrembët këte influencë të saj, që sa vinte e rritej. Franca ishte e para që friksohej nga forca e Gjermanisë, që Francës i krijonte vetëm pasiguri. Franca direkt nuk futej në luftë për problemet ballkanike, ndoshta për hatër të Rusisë dukej se sakrifikonte, por në fakt haptas nuk dilte. Anglia në vitin 1908 u bashkue me Antanten dhe kështu u krijue lidhja e tyne Tripalshe: Francë, Rusi dhe Angli. Mbi lidhjen e tyne të vitit 1891 mes Rusisë dhe Francës, ajo lidhje u pat përforcue në vitin 1894 me marrveshjet ushtarake. Hymja e Anglisë në këte Aleancë Tripalshe në vitin 1908 asht shkaku që solli pasojat e randa fatale e të pariparueshme të 1913, me Kongresin famkeq të Londrës, vendime që Europa u qendroi në mbrojtje të tyne tash ma se 100 vjet e kushedi deri kur!! I vetmi Shqiptar që demaskoi dhe parashikoi rrezikun që iu kërcnue Popullit Shqiptar, Trojeve dhe Tokave Etnike Shqiptare dhe Lirisë së Atdheut ishte At Gjergj Fishta, i cili vazhdon me kenë i “dëbuem” nga tradhëtarët shqiptarë dhe të gjithë përkrahësit e tyne edhe sot, dhe pikrisht për ato “letra të hapuna” me të cilat Ai ua ka tregue  rrugën e pakorrigjueshme të tradhëtisë së tyne. Pikpamjet e Tij janë vizioni i kjartë i gjithë Klerit Katolik Shqiptar, Atdhetar e Liridashës. Ngjarjet e sajueme në Serbi nga një atentat terrorist me 28 qersor 1914, kundër Princit austriak Franc Ferdinandi, sjellin gjakderdhjen e madhe…Bota e trazueme që nga viti 1908 u gjet në pellgun e sajuem nga vetë ajo prej të cilit nuk mujt me dalë pa vorrosë miljona të vramë.

Amerika, në dukje e “largët”, në caktimin e kufijve të vitit 1913 në Kongresin e Londres, porositë “Pavarësinë e Shqipnisë”, por me një kusht që “Rusisë duhet t’i ruhet mundësia e daljes në detin Adriatik me një rryp toke…”, e “këte rryp toke” shtetet europjane e gjetën në Ato krahina të çmueshme Shqiptare, ku përfshihej Hoti, Gruda dhe zonat e Tivarit e Ulqinit, që nuk u “quejten” kurrma Shqiptare. Në përputhje me këte vepër asht edhe Masakra e Tivarit e vitit 1945, kur kosovarët fatzezë i sjellin komunistët me spijunët e tyne Enver Hoxha e Ramiz Alia nga Kukësi, vrasin sa vrasin rrugës dhe tepricën nuk e kalojnë në tokat e Malit të Zi të qeverisuna nga “druzhe” Tito, (i cili mundohet me dalë lugë e lame në këte tradhëti), po i vrasin në trojet tona shqiptare, tue i tretë kufomat në brigjet e Adritikut, brijë Tivarit.

Pabesia shekullore serbe kishte depërtue edhe ma thellë se vija formale e kufinit me ta. Edhe miqësia e Rusisë me ta kje po aq e vjetër.

Na ishim të mësuem me këto ngatrresa, po me parashikue fatin e një kohe të ardhëshme ishte e vështirë. Malet e thepisuna, ku edhe ariu shkon me pritesë, ishin këthye në strehë Atdhetarësh. Kleri Katolik dhe shumë nga Atdhetarët u banë pré e ngatrresave dhe pazarlleqeve serbe. Vrasjet dhe lufta për shfarosjen e Tyne asht poaq e vazhdueshme.

Mbas Qeveritarëve të Nderuem të Qeverisë së Parë Shqiptare, tue përjashtue Mehdi Bej Frashërin, Mustafa Krujen apo Anëtarët e Asaj Rregjence të 1943 – 44 të njollosun me tana të zezat tash 65 vjet, janë pothuej të gjithë drejtuesit e ardhun në pushtet nga Serbia, ose të lidhun drejtpërsëdrejti me interesat e veta, në dam të Atdheut, Shtetit dhe të Popullit Shqiptar, që luftuen për kolltukun dhe mbushjen e xhepave të tyne, tue tradhëtue interesat e Shqiptarëve që u vriteshin pabesisht si derrat e egjer prej tyne ndër male e fusha, ku pabesia mbretnonte.

Kjo psikologji nuk ishte e panjohun as nga Malësorët tanë, që interesin e Atdheut e të Flamurit të Gjergj Kastriotit e kishin të ngjeshun për kafazin e krahnorit, e të pazgjidhun asnjëherë mbi të Katër Gozhdat që vinin dorën e Tyne të djathtë gjithmonë para se me shkue në luftë…

Ishte ideali i naltë “Atdhe e Fe”, që kishte rindërtue në Shpirtin e Tyne virtutin e paster të Lirisë, që Malësorët e Veriut me Prijsin e tyne Dedë Gjo’ Lulin i bani të përjetshëm.

Dedë Gjo’ Luli mendoi me u largue për pak kohë me shpresë se do të ndryshonte gjendja dhe do të kthente prap ndër Malet e veta.

Ishte vetëm pjekunia e Tij për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte situatë kausi ballkanik.

Mori rrugën nga Mazrreku dhe shkoi në Pukë. I përcjellun me miq, doli në Qelzë të Pukës, e aty u nda nga Ata Atdhetarët e vet besnikë me të cilët Ai mendoi se do të shihej shpejt, kështu Don Loro Caka, Rexhep Shala, Ndoc Ndoja dhe Simon Doda u kthyen, ndërsa Deda me djalin tjetër dhe me Nik Prelocin u nisën për Mirditë. Kaloi lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo ma pak të lame me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve pa dhimbje sa kje gjallë dhe i vdekun.

Dedë Gjo’ Luli nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes tyne bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet Kolën tek qela e Oroshit, ku Deda mendonte se do të gjente aty disa besnikë, që po e pritnin edhe ata të armatosun. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë ushtarëve serbë, që porsa i pa, Deda kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e shokëve të vet. Deda iu përgjigj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë, ndërsa  Dedën e lidhën dhe u nisën nga Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fshatit, mbasi e mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i Dedë Gjo’ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të madh të Dedës, Kolën për të cilin ishte interesue me kohë e shoqja.

Eshtnat e Tij i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se:

“Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 24 shtator 1915, Ded Gjo Luli, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5171
  • 5172
  • 5173
  • 5174
  • 5175
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT