• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këmbëngulja për ta thënë të vërtetën

September 11, 2013 by dgreca

Shënime për librin “Fabrikimi i Vdekjes” i Bedri Blloshmi/

Ne Foto: Bga e djathta, Dine Dine, Bedri Blloshmi dhe Lirim Bicaku/

Nga DINE DINE/

Së pari me autorin e librit “Fabrikimi i Vdekjes” u njohëm në Burgun e Spaçit, ku si ndërmjetës qe Muharrem Xhydollari. “Bedri Blloshmi” ma prezantoi shoku… po ngaqë kisha dëgjuar aq shumë për dramën e familjeve Blloshmi dhe Leka, pata një tronditje të madhe, dhe aty për aty, në kushtet e burgut s’pata guxim as t’i thoja dy fjalë ngushëlluese për vrasjet e Poetëve… Po burgu si burgu: ruajtëm njohjen, përshëndetjet, respektin, miqtë e përbashkët, dhe kur pas shumë vitesh, u takuam në Tiranë qe vërtet një kënaqsi e madhe, sepse të lirë s’e kishim njohur kurrë njëri tjetrin dhe as nji kafe të lirë s’e kishim pirë… Aty Bedriu më foli me pasion për punën e tij këmbëngulëse që kish bërë, bile më dha ca kopje dosjesh që i rastisën me vete. Përsëri në qëndrimin tim ai pikasi një si ndjenjë dyshimi. Athere më futi krahun dhe më tha: Hajde në shtëpi, do t’i tregoj të gjitha: “Kohës për fshehtësi i ka ardhë fundi!” – ma tha me njëfarë sigurie, sikur desh t’ma davariste at mjegull që vërejti në sytë e mi… Këto ditë duke lexuar librin, gjithë kohën meditoja për rrugët, mënyrat, përpjekjet dhe sakrificat që i janë dashur të përshkoje këtij njeriu për të gjetur çelësin e hapjes së këtyre dosjeve, ku bëhet fjalë për dramën e dy familjeve dhe jo veç jetët e dy poetëve të pafajshme që iu mohua jeta me akuza fallso e mashtrime ordinere, dhe që e diskreditojnë atë sistem deri në atë masë sa s’i lenë rast për justifikime e mashtrime të mëtejme. Dhe duke medituar rreth kësaj tragjedie të paprecedentë të krejt botës komuniste të Lindjes, përpiqesha të vlerësoja përpjekjet e pafundme të autorit për të zbuluar të vërtetën e mbyllur në “shtatë palë dryna”, dhe si papritur m’u kujtuan ca vargje (s’më kujtohet autori), por që i shkojnë aq për shtat Bedri Blloshmit dhe punës së tij vetmohuese për të mbrritur tek e vërteta: “Asgjë në botë s’mund te zëre vendin e këmbënguljes, talenti jo; S’ka asgjë më të zakonshme se sa një njeri i pasuksesshëm me talent, gjeniu jo; “gjeni i pa vlerësuar” është pothuaj një proverb. edhe edukata vetëm s’mundet. bota është përplot me shkretanë të edukuar. Vetëm këmbëngulja dhe vendosmëria janë të plotpushtetshme…”

Jo vetëm dhimbja, detyrimi moral, pengu për vëllanë dhe kushëririn që u zhdukën në lule të rinisë, pa e gëzuar as jetën, as familjen, duke lënë në mjerim nënat, gratë e fëmijët e parritur, duke u veshur me një tis të zi deri në frymën e fundit… Prandaj këmbëngulja për të zbuluar të vërtetën makabre, ishte akti i fundit që shpirtërat qiellorë të poetëve Blloshmi dhe Leka, ia kërkonin si obligim vëllait dhe njeriut të tyre. Veç këmbëngulja edhe vendosmëria e bëri Bedri Blloshmin të plotfuqishëm, për t’ia arritur qëllimit final. Ndaj nuk gjej fjalë për të shprehur mirënjohjen ndaj autorit për guximin e treguar deri në fund, duke na e sjellë këtë vepër me fakte të pakontestueshme, gjë që askush deri sot s’ka arritur ta realizojë në kët mënyrë. Libri edhe pse i shkruar thjesht, në të njejtën kohë është libër tronditës. Tronditëse janë përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ndrrimin e aktakuzës. Fakte s’ka… Veç për agjitacion e propagandë, nuk mund t’i dënojnë me vdekje. Me Gencin ka qenë diçka më e lehtë, me Vilson Blloshmin jo. Ndërsa Gencin, mbas torturash të tmerrshme arrijnë ta përkulin, duke përfituar nga njëfarë dobësie njerëzore që ka për nënën, gruan dhe fëmijët; me Vilsonin u ka hasë sharra në gozhdë. Ai sillet tërë dinjitet dhe në të njejtën kohë është serioz, i prerë, i pamanipulueshëm. Gencit, i premtojnë solemnisht se po ta pranojë akuzën “e rëndë” për sabotim ekonomik do të ketë shumë lehtësira, sepse: “Partia me një krah të hedh edhe me tjetrin të pret”. Vjen një çast kur lodhja psiqike, torturat fizike, njëfarë dobësie shpirtërore, apo shpresa e vakët se mund të shpëtohet jeta, e shtyjnë të bëjë lëshime, sigurisht pa qënë plotësisht i bindur, ka rënë në grackën e tyre të ndyrë. Me naivitet dhe pa asnji keqdashje kërkon ta bindë edhe kushëririn e vet të bëjë të njejtën gjë… me besimin se është diçka pozitive, do t’ua bëjë dënimin ca më të lehtë, o së paku t’u shpëtohet jeta… Jo! – thotë prerë Vilson Blloshmi, dhe i qëndron burrërisht deri në fund së vërtetës, duke refuzuar kategorikisht çdo kompromis me kopenë ujqërore të hetuesve… Po Sigurimin e Shtetit s’e ndal asgjë që t’u marrë jetën dy poetëve të pafajshëm… edhe pse fakte s’kanë asnjë. As vetë Bedriu, i akuzuar së bashku me ta, s’e pranon akuzën për sabotim ekonomik, po të paktën atij iu fal jeta, duke e dënuar me 25 vite burg, dhe duke e parë dritën e lirisë vetëm në fundmars të vitit 1991. Ka mjaft personazhe të tjerë që lexuesi mund t’i takojë në libër, të cilët autori duke na paraqitur dështimin e tyre moral dhe intelektual, siç janë ata në interpretimet e tyre ndaj veprës së dy poetëve nga Bërzeshta. Aty jepet një pasqyrë e gjallë e anës të tyre më poshtëruese: roli i intelektualit “si armë e fuqishme e Partisë shtet”!! Diana Çuli, Koçi Petriti, Myzafer Xhaxhiu janë vetëm tre nga ajo armatë intelektualësh që me dëshmitë e tyre të ulta dhe interpretimet hipokrite e kriminale çuan në burgje dhe para togave të pushkatimit qindra intelektualë. Dhe paradoksi qëndron në faktin, se sot ata jo vetëm s’ndjejnë asnjë brejtje ndërgjegje, përkundrazi ndjehen krenarë se puna e tyre vlerësohet lart edhe prej demokracisë… Ata sot i gjen ministra, deputetë, ambasadorë, shefa katedre… shpesh të rrethuar me elozhe e dekorata paturpësie dhe cinizmi… gjë e cila s’ndodh me asnji demokraci tjetër të botës, veç asaj shqiptare. Prandaj, hapja e dosjeve mbetet një domosdoshmëri, prandaj zbulimi i të vërtetave kriminale të regjimit është diçka urgjente… sepse jo që s’do të sjellë pasoja, siç predikojnë ithtarët e Sigurimit, po e kundërta do të ndodhë, do ta çlirojë kombin nga një ngërç që s’po e lejon t’i bashkohet botës së qytetëruar… dhe së fundi do ta pastronte dhe do t’i qetsonte njëherë e përgjithmonë ndërgjegjen e tij të trazuar. Këtij qëllimi kërkon t’i shërbejë edhe ky libër, që aq shumë i shëmbëllen një britme… ose një drite që shpërthen nga erresira. Ai ju drejtohet me fakte kokforta dhe me dokumente arkivash, si rrallë ndonjë libër tjetër… Prandaj ky libër tmerri u drejtohet gjithë njerëzve të ndershëm kudo që ndodhen ata, që të mos rreshtin së kërkuari të vërtetën. Diku, në një shkrim të mëparshëm kam theksuar se: “Krimi duhet ndëshkuar, ndryshe brezat e rinj mund të marrin një mësim te gabuar dhe mund të mendojnë se veprimet e kriminale s’do të ndëshkohen kurrë… dhe krimet do të lëshojnë rrënjë si grëmi, apo si tumore malinj që metastazojnë krejt shoqërinë tonë. Duket paradoksale, por në Gjermani, deri në vitin 1966, u dënuan 86.000 kriminelë, ndërsa tek ne, në vendin e tmerrit diktatorial numrohen me gishta… dhe dënohen për kafe… dhe me e keqja vazhdon deri sot… dhe për turpin tonë janë ata që na udhëheqin… duke na bërë moral për lirinë dhe demokracinë…(www.radiandradi.com)

*Falenderojme Jozef Radin, qe pati miresine te na e dergonte shkrimin per DIELLIN

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bedri Blloshmi, Dine Dine, Fabrikimi i Vdekjes

KLITHMËLINDJE…Nga ARTUR VREKAJ

September 11, 2013 by dgreca

KLITHMËLINDJE*/

Si kalimtar i përditshëm klithmëlindjet e jetës/

i përjetoj në çdo stinë./

Kur ndjeni që  mushkëritë ju  çliren,/

një oksigjen i ri, jetëson/

gjithësinë…/

Dhe shoh si dheu  barin e kon/

me frymën shpërthyese të lulesythnajës/

dhe tërë bota  bleron./

Dua të jem klithmë-lindje …/

 

Çdo ditë  me lindjet njerëzore,/

Çdo ditë me klithmë-dehjen e agimeve pranverore .

 

Kurrë nuk do t’u ndahem klithmave.

Edhe  dhimbjeve,

gjithsesi.

 

Kur nuk do të më ndjeni,o njerëz,

kërkomëni,

dhe do të më  gjeni:

me një trëndafil Përmeti në dorë…

dhe, herë-herë,

…edhe  me lot’ në sy…

 

Me lindje është mbushur plot-përplot zemra ime:

me mall, me këngë dhe me ëndërrime….

 

Kam një dhimbje njerëzore, që më mundon:

“Pse , moj Vesë-parfumeri-agimesh

Më tretesh pa gjurmë dhe,

…më avullon?!…

 

Përse, moj  Vesë-parfumeri-agimesh, pse ?!

Jetën kaq të shkurtër e ke ?!”…

 

 

 

 

ME NJË ENDËR E LIDH  DITËN

 

Pas një vargu naimian,

shpirtshtegtuar dritëDiellit,

i thaj lotët e mërgimit

me agimet  e Përmetit….

 

Sa dal portës, në oborr

shpirt e këngë bilbilkënduar;

Pas një lule trëndafili

paqem, gazem lulëruar!

 

Me një endërr e lidh ditën,

shpresëruar me besë e zot;

Si zotin kam Amerikën,

kombvëlla si dje, si sot!

 

Kënga visesh më shtegton,

ku e ardhmja shpresëron!

 

 

 

VALËZAMBAKËRISHT

Liqeni val bregut

të tijat buzëvalë;

Tufat e zambakëve

i përkund pa fjalë.

 

Syre, syre pihen

pas zambakërisë;

Shpirtër-a që krihen

qeshur vajzërisë.

 

Lulebardhët puthin

faqeujësinë;

Vajzëria shtiz

pritjedashurinë.

 

Era merr liqenin

në ditët katran;

zambakëve majëthikash

fytyrëgjakur qan.

 

I urti liqen

gjizambakëruar;

Shpirtbardhë si lulja

rrathë-rrathë shkruar.

 

Si dashuria ime

ëndërrlëmshëzuar;

Me mall të vendlindjes

mërgimit pikuar!

 

Syprinës rrathëprerë

Valëzambakërisht;

Vargu im këndon

Ditën djalërisht!

 

 

KTHE, O SHPIRTMËRGUAR

 

Dita përmes zërash kthjell veç zëbilbilin,

bahçes krehur, larë me erë kamomili;

Ajri ajkëzënë me ajkë nektari,

rrugëve nga shkon bleta harliset behari.

 

Bleta e mjalt ditën në zgavër të lisit,

që jeta të zërë farë lumturimi;

Në të shenjtin vend ku ndrin hij’ e fisit

kthe, o shpirtmërguar g’zoju paqësimit!

 

 

 

LOTI  DHËMB SI NJË FRYMOR

 

Loti dhëmb si një frymor,

sepse shpirti i tij vaj:

I nxehtë si dalë nga furra,

moshëfoshnjë i pafaj.

 

Qiell’n e syrit lan me qarje

kripen dhe gurët pa zë;

Këputet nga buzë e syrit

njolla e lotit ngrin e fle…

 

Kur një shpirt loton plaguar,

vështron urtë si vetë zoti,

sa njeriu shpirtlënduar,

nuk arrin të fshijë lotin.

 

Lot’n e pafaj qelq të larë,

mos e pafshim që të bjerë;

Të fiket dashurivrarë,

tek vetja dhe tek të tjerë!

 

FARËZIMI I GRURIT

 

Si një foshnjëz  pa pelena,

brazdës në bukëvaltin shtrat,

nis një jetë e madhërishme,

farë e vogël  ngrihet lart…

 

Rrënjëzon kjo jetë e re,

thith nektarë e nënës- tokë,

farëzon e shtohet jeta,

ndrit  një yll i art’ në botë…

 

Ja një kokërr shtohet, rritet,

pushton fushën  tejpërtej…

Farëzon një kokërr fare,

dhe pavdekësinë  mbjell…

 

 

KUMBULLA IME

 

Kaq të bardha, kaq të paqme,

i çel lulet kumbull-o;

Të mbolla as njëvjeçare

edhe pse mërguar-o!

 

Kaq e paqme, kaq e bardha,

velloveshur kumbull-o;

Sa zili të ka dhe dardha,

sythfjetur, vonuar-o.

 

Sa gëzuar bletët rendin,

se ti kumbull çel e  para;

Lulegjinjtë nektar u falin,

të ëmblave këngëmjalta!

 

S’dua që bletët të trëmben,

kur një degëz e shkund era;

Bleta shtegtare  dhe  unë,

rrugëve, në kërkim përhera…

 

Ah, moj kumbull që të pres

Çdo pranverë, si lajmëtare,

bardhësia jote më jep

pasaportën përmetare …

 

 

 

 

TË MOS THAHEM I MËRGUAR

 

Det mendimi e kthjell vargun,

të pastër, të ngrohtë, të dashur;

Dhe një shpirt që shkon frymëmardhur

e ngre gjallë, të papërmbajtur.

 

Me të shpirtit ajkëkuar,

ditënatë shqipëroj;

Të mos thahem i mërguar,

vargun vesh e pranveroj!

Me vargun çmend edhe detin,

kur hoven hiret e fjalës;

Dashurin’ e dashurive

shkruaj tantellave të valës!

* Cikël me poezi nga libri “Klithmëlindje”, 2013/

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: artur vrekaj, cikel poetik, klithmelindje

Bashkia e Tiranës: Azem Hajdari do prehet nesër tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit

September 11, 2013 by dgreca

Bashkia e Tiranës njoftoi se ditën e enjte, me 12 shtator,  trupi i Azem Hajdarit do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit./

“Ditën e enjte, më datë 12 shtator, personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë homazhe për nder të tij e më pas ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

-Në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve do të kryhen homazhe, në nderim të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

-Në orën 12:00, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

-Në orën 12:30, do të nisë ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit,” thuhet në njoftimin e Bashkisë, e cila ka shpërndarë edhe një CV të Azem Hajdarit.
Biografia e Azem Hajdarit:

-Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;

-I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i  lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;

-Më 1987 fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;

-Në vitin 1993 diplomohet për filozofi në Universitetin e Tiranës;

-Në vitin 1995 diplomohet si jurist në Universitetin e Tiranës;

-Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për filozofi;

-Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;

 

Aktiviteti Politik:

-Dhjetor 1990 – Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;

-Dhjetor 1990 –Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;

-1991 – 1993 – Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;

-31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;

-22 mars 1992 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;

-26 maj 1996 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;

-29 qershor 1997 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;

-1992-1996 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;

-Nëntor 1996 – Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;

-Qershor 1997 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;

-1995 – 1998 – President i klubit të futbollit “Vllaznia” – Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale

Vlerësime për Heroin e Demokracisë:

-Urdhri i  Flamurit;

-Urdhri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës;

-Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2003;

-Urdhri “Nderi i Kombit” (2002);

-Pishtar i Demokracisë;

-“Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Vlorës dhe i pothuajse të gjithë bashkive e komunave të Shqipërisë

SHENIM: Kryetari i Vatres, editori i Diellit dhe nje grup vatranesh kane marre ftese per te qene pjese e asaj ceremonie.

Filed Under: Featured Tagged With: Axem Hjadari, Azem hajdari, bashkia e Tiranes, ne varrezat e deshmoreve

Zgjedhjet në New York- De Blasio në krye të rivalëve për kreun e Bashkisë

September 11, 2013 by dgreca

*Kandidati demokrat,shqiptaro-amerikani  Ken Biberaj, nuk mundi t’ia dilte mbanë në garimin e tij për një vend në Këshillin Bashkiak/

Në Foto: Z. De Blasio dhe gruaja e tij , Chirlane McCray ,  të martën në bibliotekën e Brooklyn-it /

Nga Dalip Greca/

Bill de Blasio , fushata e të cilit për të kapur kreun e Bashkisë të Nju Jorkut,u bazua tek premtimet për të ngushtuar ndryshimin e madh dhe të pabarabartë të të ardhurave të qytetarëve njujorkezë, si dhe në dhënien fund të praktikave agresive të policisë, duket se ka kapur më shumë vota nga konkurentët e tjerë demokrat në zgjedhjet e së martës të 10 shtatorit.

Edhe pse kampi i  zotit de Blasio, po festonte gjatë natës, ende nuk është shumë e qartë nëse ai do t’i shpëtoi një balotazhi me rivalin më të afërt të tij William Jr C. Thompson, balotazh që nëse do të kryehet, zhvillohet me 1 tetor. De Blasios do t’i mjaftonte 40 për qind e votave të fituara, që ta shmangë këtë balotazh. Gjithësesi avokati, dhe një ndër aktivistët e shquar të demokratëve, Bill de Blasio në fund të natës së shkuar kishte fituar vetëm 40 përqind të votave të numëruara, jo përfundimisht, ishin ende mijëra fletë të panumëruara.

Z. De Blasio , i cili bëri fushatë shumë liberale, mbajti fjalim në mesnatë në një klub muzike në Brooklyn, ku foli për 12 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.Ai u tha fansave të vet që e kishin rrethuar se ne nuk duhet të harrojmë 11 shtatorin dhe është detyrë e autoriteteve që drejtojnë, të cilët duhet ta mbajnë të sigurtë qytetin tonë, të jenë vazhdimisht vigjilentë, dhe të përdorin cdo mjet në dispozicion për të mbrojtur njerëzit.

Rivali i tij,  zoti Thompson , iu drejtua përkrahësve të tij në një hotel Midtown Manhattan , ku u zotua të vazhdojë fushatën e tij të paktën deri sa të gjitha votat primare të jenë të numëruara.

Fitues në kampin republikan është Joseph J. Lhota , ish kryetari i Autoritetit Metropolitan të Transportit . Ai mundi John A. Catsimatidis , një miliarder fjalëshumë, i cili udhëhoqi një fushatë shpesh fare të cuditshme.

Z. Lhota , i cili shërbeu si nënkryetar gjatë mandatit të të famshmit  Rudolph W. Giuliani. Ai ka premtuar se  do të kryej operacione  të vështira dhe do të luftojë fort kundër krimit dhe se do të ulë shpenzimet e qytetit . Në fakt ai njihet si një përkrahës i fuqishëm i politikave të Kryetari aktual Michael R. Bloomberg . Zoti Lhota e ka quajtur fitoren e tij “Hapi i parë në vazhdimin e një të ardhmeje të fortë për qytetin tonë. ”

E nxehtë ishte gara për zyrën e llogarisë së qytetit, ku luftuan fort  dy rivalë, Scott M. Stringer , Borough  Presidenti në Manhattan , i cili nuk ia kurseu kundërshtarit direkt replikën. Eliot Spitzer, i cili pat dhënë dorëheqjen si Guvernator për punë prostitutash, arriti që të konkurojë denjësisht, pa e përfillur amoralitetin me prostitutat. Ndërsa në zgjedhjet paraprake Demokratike per Avokatin publik , Letitia James , një anëtar për i Këshillin e qytetit nga Brooklyn , do të përballet me Senatorin Daniel L. skuadron e Brooklyn në balotazhin e zgjedhjeve .

Brenda garës demokrate ia vlen të vecohet edhe lufta plot rivalitet e  Christine C. Qiunn, një aleate e hapur e kryetarit Bloomberg, por që nuk arriti që të shënonte histori, si e para femër , dhe e para homoseksuale drejt postit të madh për të udhëhequr qytetin.

Z. Bloomberg e ka e cilësuar kandidatin më potent të demokratëve, de Blasio, si një racist që përcan dhe nuk bashkon.

Në këto zgjedhje, Kandidati demokrat, amerikano-shqiptari Ken Biberaj, nuk mundi t’ia dilte mbanë në garimin e tij për një vend në Këshillin Bashkiak, por ai zhvilloi një fushatë emocionuese, ku u përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë, padyshim edhe shqiptarët. Kjo fushatë i dha përvojë të riut që premton një angazhim të sukseshëm politik në të ardhmen. Që të fitosh duhet huxosh. Dhe Ken Biberaj e hodhi hapin e pare me guxim.

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, De Blasio, zgjedhjet en New York

Amerikanët nderojnë viktimat e sulmeve të 11 shtatorit 2001

September 11, 2013 by dgreca

Amerikanët janë duke u përgatitur për përkujtimin e mbi 3 mijë njerëzve që u vranë më 11 shtator 2001 kur terroristët rrëmbyen avionët  dhe sulmuan Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, Pentagonin në Uashington, dhe rrëzimin e një avioni në një fushë në Pensilvani.

Ceremonitë në Nju Jork dhe në Pentagon do të fillojnë me momente heshtjeje për të shënuar kohën kur kanë ndodhur sulmet 12 vjet më parë. Një muze për nder të 11 shtatorit është pranë përfundimit në vendin ku dikur ndodheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Presidenti Barak Obama do të marrë pjesë në një ceremoni private në Pentagon së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralin Martin Dempsey. Edhe familjet e të viktimave do të marrin pjesë në këtë ceremoni.

Në  Memorialin Fluturimi 93 në Pensilvani, të afërmit e viktimave së bashku me punonjësit e Shërbimit të Parqeve Kombëtare dje morën pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e  një qendre për vizitorët në vendin ku  u vranë 33 pasagjerë dhe ekuipazhi i aeorplanit.

Shtëpia e Bardhë tha se ekipi i presidentit për çështjet e sigurisë kombëtare është duke marrë masa për të parandaluar sulme terroriste që përkojnë me përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, dhe për t’u siguruar që populli amerikan dhe objektet jashtë vendit të jenë të mbrojtura.

Filed Under: Kronike Tagged With: 11 shtatorin, Amerikanet nderojne

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5195
  • 5196
  • 5197
  • 5198
  • 5199
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT