Amerikanët janë duke u përgatitur për përkujtimin e mbi 3 mijë njerëzve që u vranë më 11 shtator 2001 kur terroristët rrëmbyen avionët dhe sulmuan Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, Pentagonin në Uashington, dhe rrëzimin e një avioni në një fushë në Pensilvani.
Ceremonitë në Nju Jork dhe në Pentagon do të fillojnë me momente heshtjeje për të shënuar kohën kur kanë ndodhur sulmet 12 vjet më parë. Një muze për nder të 11 shtatorit është pranë përfundimit në vendin ku dikur ndodheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Presidenti Barak Obama do të marrë pjesë në një ceremoni private në Pentagon së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralin Martin Dempsey. Edhe familjet e të viktimave do të marrin pjesë në këtë ceremoni.
Në Memorialin Fluturimi 93 në Pensilvani, të afërmit e viktimave së bashku me punonjësit e Shërbimit të Parqeve Kombëtare dje morën pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e një qendre për vizitorët në vendin ku u vranë 33 pasagjerë dhe ekuipazhi i aeorplanit.
Shtëpia e Bardhë tha se ekipi i presidentit për çështjet e sigurisë kombëtare është duke marrë masa për të parandaluar sulme terroriste që përkojnë me përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, dhe për t’u siguruar që populli amerikan dhe objektet jashtë vendit të jenë të mbrojtura.