• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Familja e Pando Gjinit në vorbullën e luftës së Klasave

August 3, 2013 by dgreca

Ne Foto:Vangjel Pando Gjini, i lindur në fshatin Rrapëz të rrethit Lushnjë, kishte kryer studimet dhe ishte diplomuar në Liceun e Korcës. Ai vdiq më 1978, i mënjanuar dhe i persekutuar, duke marrë në varr edhe titullin, që i kishin dhuruar komunistët ”kulak”./

 nga Athanas Papa*/ Worcester, Massachusetts/

 Leter Editorit/

 I nderuar z. Dalip/

Jam lexues i rregullt i Gazetës “Dielli”. Ju lutem botojeni këtë shkrim në Gazetën e nderuar Dielli. Kam kaluar fëmijërinë te njerëzit e nënës time, tek Gjinallarët e Rrapëzës në Lushnjë. Kjo ishte një familje e persekutuar nga diktatura komuniste. Si pasojë e luftës së klasave njerëzit e kësaj familjeje humbën të gjithë pasurinë, po humbën dhe jetën e tyre. Të gjithë djemtë dhe vajzat e shtëpisë u përfshinë në vorbullën e luftës së Klasave,- të vuajtur e të diskriminuar, mbetën pa u martuar, pa gëzuar asnjë të mirë nga jeta, vdiqën beqarë dhe të mënjanuar.

  Ndjej detyrim ndaj tyre si shenjë dhembshurie e nderimi, për ta që qenë viktimë e sistemit komunist.

 Po ju shkruaj këtë letër, me shpresën se Ju do t’më kuptoni dhe do të gjeni mundësinë t’a botoni këtë shkrim. Do t’ju jemë shumë mirënjohës dhe ju falenderoj pa masë. Do t’më jepnit një kënaqësi po t’më dërgonit një përgjigje.

Me respekt

Athanas Papa

      ***

 Kur isha fëmijë shkoja, kohë pas kohe, tek njerëzit e nënës, tek gjyshi dhe gjyshja, tek dajat dhe tezet në Rrapëz të Lushnjes, ku ata ishin pronarë të ligjshëm tokash deri në vitet 1949-50. Si fëmijë ndjeja gëzim sa herë ndodhesha atje midis njerëzve të nënës, tek fisi i madh i Gjinallarëve, të cilët ishin në gjendje të mirë dhe jetonin në bollëk.
     Po një ditë papritur fëmijëria jonë u trondit. Ne, si fëmijë, u llahtarisëm kur pamë të lidhur me litar gjyshin, dajë Vangjelin, Llazar Gjinin, Kovi Gjinin, Tuni Gjinin dhe Kostandin Gjinin. Duke qenë se ishim të vegjël, as e kuptonim e as e merrnim me mend përse-në e kësaj ngjarjeje.
  Por kur u rritëm, morëm vesh të vërtetën rreth kësaj ndodhie. Ai veprim i dhunshëm ishte shprehja më e dukshme e luftës së klasave që kishte filluar dhe që do të thellohej me shpronësimet dhe heqjen e triskave të frontit. Në fakt, shpronësimet ishin një abuzim i shtetit komunist, i padrejtë, i pamotivuar me ligj. Ishte një shkelje e dukshme e të drejtës së njeriut mbi pronën e tij, pjesë e praktikës së shëmtuar të luftës së klasave, ku shumë njerëzve pasi u merrej prona, u hiqej triska e frontit dhe cilësoheshin “kulakë.” Kështu, në atë kohë, u deklaruan “kulakë” edhe gjyshi im Pando Gjini, bijtë e tij dhe disa nga fisi i Gjinollarëve. Mirëpo, deklarimi “kulak” ishte një damkë të cilën e vuante gjithë familja dhe fisi.
      Mjerë kujt i binte ai fat i zi nga dora mizore e regjimit. Në të vërtetë dua, të nënvizoj se si gjyshi im Pando Gjini, si dajua Vangjel Gjini si dhe të gjithë Gjinallarët nuk i kishin bërë ndonjë të keqe askujt. Pasurinë e kishin krijuar me punë dhe djersë prej disa brezash, pa i rënë në qafë kurrkujt; as fshatit e as popullit. Përkundrazi, me pasurinë e tyre patën ndihmuar në raste të ndryshme banorët e fshatit si dhe vetë forcat partizane.
Shënojmë për më tepër, se nipi i gjyshit, Kristaq Gjini, pati dalë partizan, që luftoi gjatë Luftës Nacional-çlirimtare dhe pas çlirimit shërbeu si oficer i ushtrisë. Mirëpo, me gjithë rregullsinë dhe korrektesën e fisit, si rrjedhojë e thellimit të luftës së klasave dhe e cilësimit “kulak” gjyshi dha daja Vangjeli u dënuan me burg dhe i dërguan në kampin famëkeq të Vloçishtit, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes gjyshja plakë, dajë Trifoni i sëmurë, tezet Naumka dhe Themia, pasi u përzunë nga fshati, shkuan në vende të tjera për të mbijetuar.
Ndërkohë, nga fisi i Gjinallarëve do të shquhej në mënyrë të veçantë dajua Vangjel Gjini, i cili u arsimua në Liceun e Korçës. Në Lice, Vangjeli u frymëzua me ide përparimtare dhe demokratike. Ai nuk e pranoi pushtimin fashist italian dhe u radhit në krahun e lëvizjes për çlirimin e vendit, duke ndihmuar me ide dhe të mira materiale. Mirëpo, pas çlirimit, me largpamësinë që e karakterizonte, ai nuk u pajtua me administratën e diktaturës komuniste që po instalohej në Shqipëri. Kjo ishte dhe arsyeja pse do të diskriminohej e përndiqej nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
      Si përfundim, familja e gjyshit tim Pando Gjini si dhe bijtë e tij Vangjeli, Trifoni, Themija dhe Naumka u persekutuan në vazhdimësi, duke iu shkelur çdo e drejtë njerëzore nga diktatura komuniste. Për më keq si pasojë e diskriminimit nga lufta e klasave ata e patën të vështirë të krijonin familje dhe të gjithë e ngrysën jetën pa u martuar.
    Sot, minimumi që mund të bëjmë për këta njerëz, është të shkruajmë për ta, që të paktën, kujtimi t’u mbetet gjallë.

Filed Under: Histori Tagged With: Athanas Papa, e Luftes se Klasave, Familja e Pando Gjinit, ne vorbullen e

Kongresi Amerikan nderon Ermira Babamustën “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare”

August 3, 2013 by dgreca

Ne Foto: Ermira-Babamusta-me-dekorimet-nga-Kongresi-Amerikan-dhe-Senatori-Harry-Reid-Washington-DC/

Nga: Nora Kalaja/

Washington DC- Kongresi Amerikan ka nderuar atë e bijë, Neki dhe Ermira Babamusta për herë të dytë për veprimatarinë e tyre demokratike dhe diplomatike midis dy kombeve shqiptaro-amerikane (2004 & 2013). Me rastin e pavarësisë të Amerikës, dhe kontributin e dhënë nga familja Babamusta në ndërtesën e Kongresit Amerikan (U.S. Capitol Hill)  janë ngritur dy flamurë me datë 4 korrik 2013. Në ceremoninë solemne “Mirësevini në Washington” të organizuar nga Senatori Harry Reid, Udhëheqës i Shumicës në Senat (Senate Majority Leader) në dhomën e senatit “Lyndon Baines Johnson Room” në Kongresin Amerikan, me 1 Gusht 2013, e ftuara Ermira Babamusta ka pranuar njohjen nga senatori dhe dy dekorimet: Ermira Babamusta – Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013 dhe Neki Babamusta –  Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013. Ermira gjithashtu pranoi dekoratën në emër të babait dhe familjes.

Gjatë takimit Ermira i dhuroi senatorit Harry Reid një punim tradicional me simbolin shqiptar, shqiponjën me dy krena, si shenjë respekti të forcimit të lidhjeve kulturore-diplomatike Sh.B.A.-Shqipëri-Kosovë. Pas ceremonisë stafi i senatorit Harry Reid e shoqëri Ermirën, si të ftuar nderi për një vizitë të Kongresit Amerikan, duke përfshirë dhe vizitat në Galerinë e Senatit Amerikan dhe Dhomën e Përfaqësuesve, pamjen e replikës të dokumentit historik me principe të kushtetutës amerikane “Magna Carta” brenda ndërtesës së Kongresit Amerikan si dhe Dhomën e vjetër të Gjykatës të Lartë (1810-1860) dhe dhomën e vjetër të Senatit Amerikan (1810-1959)

Dr. Ermira Babamusta u vlerësua nga Kongresi Amerikan me nderimin e lartë “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013” (International Humanitarian Efforts) për punën e saj të jashtëzakonshme humanitare – diplomatike, si një zë i fuqishëm dhe inspirues për Amerikën dhe Kosovën në promovimin dhe mirkuptimin e dy kulturave shqiptaro-amerikane, dhe fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë dhe botë. Çertifikata e njohjes dhuruar Ermira Babamustës me këtë rast nga senatori Harry Reid vlerëson kurajon, udhëheqjen dhe kontributin e saj në zhvillimin dhe përhapjen e kulturës dhe historisë midis dy kombeve. Ermira Babamusta është gjithashtu edhe fituesja e çmimit “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos” nga Instituti i Paqes Kessel, Sh.B.A.

“Falenderoj Kongresin Amerikan dhe senatorin Harry Reid për vlerësimin që më dhanë si “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013”, për punën time humanitare diplomatike në Kosovë. E vlerësoj këtë takim me Senatorin Harry Reid si moment historik për marrëdhëniet tre palëshe – Sh.B.A. –Shqipëri-Kosovë dhe përkrah përpjektet amerikane në këtë drejtim. Gjatë takimit me senatorin Harry Reid në Kongres theksova rëndësinë e marrëdhënieve Sh.B.A.-Shqipëri-Kosovë dhe potencialin e bashkëpunimit midis këtyre vendeve, si dhe falenderova qeverinë amerikane për kontributin e jashtëzakonshëm për interesin e përbashkët të paqes dhe demokracisë. Senatori Reid foli për vizitën e tij në Shqipëri dhe përshtypjet e mira që kishte. Po në Kongresin Amerikan në 2004 jam takuar me ish-sekretarin e shtetit Colin Powell dhe kam folur para Senatit Amerikan ku kam falenderuar qeverinë amerikane për mbështjetjen e fortë ndaj Shqipërisë dhe kam ngritur çështjen e Pavarësisë të Kosovës. Do vazhdoj më tej përpjekjet e mia për të fuqizuar lidhjet midis vendeve tona, për çështjen shqiptare, mbrojtjen e lirisë, demokracisë, drejtësisë si dhe mbrojten e drejtave të grave, dhe vlerave  kulturore-artistike-historike të shqiptarëve në vend dhe diasporë,” theksoi Ermira Babamusta.

 “Jam krenare që Kosova ka patur sukses në platformën ndërkombëtare në rrugën e njohjes së shtetit. Përgëzoj udhëheqejen e Kosovës dhe Sh.B.A-së, për punën e tyre të jashtëzakonshme në këtë drejtim, në veçanti: Presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi, zv. Kryeministrin Bexhet Pacolli, zv. Kryeministren Edita Tahiri, ministrin Enver Hoxha, Ambasadorin Akan Ismaili, Ambasadoren Tracey Jacobson, Presidentin Obama dhe Clinton, zv. Presidentin Joe Biden dhe senatoren Hillary Clinton, Konsullin Dritan Mishto, etj. I uroj shtetit kosovar një progres të mëtejshëm ekonomik, politik dhe social. Kosova dhe Shqipëria kanë mundësinë të bëhen perlat e Europës nëse forcohen akoma më shumë standartet vendore,” shtoi Dr. Ermira Babamusta, eksperte e punëve të jashtme.

isioni diplomatik-kulturor i Ermira Babamustës në Kosovë dhe mbrojta për paqe e drejtësi

Në 2007 dhe 2012-13 Ermira Babamusta kreu dy misione diplomatike-kulturore në Kosovë për njohjen e pavarësisë në Kosovë, mbrojten e paqes, demokracisë dhe drejtësisë në vend, dhe lobimin e integrimit europian të Kosovës. Ermira Babamusta është angazhuar që në fillim të viteve 90-të për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, nëpërmjet organizatës patritoke themeluar nga babai i saj, Neki Babamusta. Në vitin 1999 Ermira vazhdon lobimin për çështjen Shqiptare në Miçigan, Sh.B.A. Me angazhimin dhe punësim në Kongresin Amerikan, Ermira e ngren çështjen e pavarësisë së Kosovës para senatit amerikan në 2004 me ish-sekretarin e shtetit, Colin Powel.

Në takimin me Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan gjatë punës së saj në Departamentin e Paqes, Ermira Babamusta shprehu qëndrimin për përcaktimin e statusit final të Kosovës. Në takimet zhvilluar në 2010 me Komitetin Europian në Strasburg, Gjermani, Luxemburg, Hollandë dhe Francë Ermira Babamusta shton përpjeket për të siguruar bisedimet dhe njohjen e pavarësisë të Kosovës. Në korrespondencën me Presidentin Obama dhe zv. Presidentin Joe Biden dhe sekretarin e shtetit John Kerry Ermira ka falenderuar përkrahjen e Amerikës dhe ka kërkuar mbështetje nga Sh.B.A.-ja si dhe ka theksuar rëndësinë e një punimi të afërt me Kosovën në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit rajonal.

Puna e Ermirës në administratën e Presidentit Obama dhe promovimi i vlerave demokratike në botë

Në 2008 dhe 2012 Ermira Babamusta punoi për administratën e Presidentit Obama, si drejtoreshë gjatë zgjedhjeve presidenciale në amerikë në shtete të ndryshme, duke patur përsipër shtete kyçe gjatë fushatës si Florida, Ohio, Pennsylvania, Colorado, etj. Gjithashtu Ermira Babamusta ishte një nga drejtueset që organizoi për 75,000 amerikanë Kuvendin Nacional të Partisë Demokratike në Colorado, në 2008 ku senator Barack Obama pranoi nominim e partisë demokratike për president dhe dha fjalimin. Ermira mori ftesë nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009 dhe 2013 në Washington DC për të qenë pranishëm në inagurimin e President Obamës me rastin e fitores. Në korrik 2013 Ermira Babamusta shërben si drejtoreshë rajonale e organizatës bamirëse “Projekti Borgen” që e pati nismën nga një aktivist amerikan pas misionit të tij me refugjatët e Kosovës në 1999. Kjo punë humanitare e Ermirës është pjesë e programit “Shërbimi Vullnetar i Presidentit” (President’s Volunteer Service Program), themeluar në 2003 në bashkëpunim me zyrën e Presidentit të Amerikës.

“Dua të ndjek në hapat e zonjës së parë, Michelle Obama, e cila ka dhënë kontribut të veçantë për komunitetin amerikan, sidomos për të rinjtë dhe familjet e veteranëve. Misioni im humanitar dhe për paqe për Kosovën, Shqipërinë dhe botën është një pasion i imi për të dhënë kontributin tim humanizmit, në mbrojten e të drejtave të njeriut, përhapjen e vlerave kulturore, demokratike dhe të paqes si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturave të ndryshme të botës,” tha Ermira Babamusta, Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013 dhe Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Gruaja Humanitare Nderkombetare, Kongresi Amerikan, nderon Ermira babamusten

Zbulohet raporti i SHBA për Shqipërinë në OKB në 1955

August 2, 2013 by dgreca

Ne Foto:Rudina, vajza e gjenerali Hysni Dema me nënën dhe një bashkëvuajtëse në një nga kampet e internimit/

*Raport i qeverisë amerikane në OKB për të drejtat e njeriut./
“Më e tmerrshme situata në 10 burgjet politike, ku 10.000 fatkeqë trajtohen në mënyrë çnjerëzore të pabesueshme”/
“Kolonitë e Burrelit, Bedenit, Maliqit e Vloçishtit, geto çnjerëzore”/
“Kampet e vdekjes për kundërshtarët e regjimit”/

“Qeveria shqiptare nuk bën as orvatjen më të vogël për të fshehur punën skllavëruese që zbaton me kundërshtarët politikë dhe të tjerë, shumica e të cilëve u përket ish-borgjezëve dhe pronarëve të tokave”. Jo rastësisht raporti që qeveria e SHBA i adresonte  OKB-së në vitin 1955 për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, fillonte me një konstatim të tillë.

Ndjeshmëria e qeverisë amerikane për dallimet klasore dhe dhunimin e lirive themelore në përgjithësi përbën shtyllën kryesore të këtij dokumenti, që shqyrton me imtësi realitetin shqiptar në diktaturë. Në morinë e raporteve vjetore të qeverisë së SHBA për situatën globale, ai i vitit 1955 e rendit Shqipërinë në kreun e vendeve që dhunojnë brutalisht të drejtat dhe liritë e njeriut, duke tejkaluar madje edhe simotrat e saj të Europës Lindore. Vendosja me ligj e punës së detyruar për shtetasit nga 16 deri në 70 vjeç, mobilizimi ushtarak për plotësimin e brigadave të punës, sanksionimi në Kushtetutë i punës vullnetare, alias punës së papaguar, çelja e kampeve të punës për pinjollët e familjeve të shpallura kundërshtarë të regjimit, ekzistenca e kolonive të punës skllavëruese, janë ndër çështjet kryesore të kapitullit “Punë e detyruar në Shqipëri” të raportit të Departamentit të Shtetit. Për herë të parë, zyrtarët amerikanë arrijnë të zbulojnë krijimin e kampeve të vdekjes, siç i cilësojnë ata vendizolimin e të burgosurve politikë, që përfshijnë ministra, deputetë, nëpunës të tjerë të qeverive të para luftës, të kohës së luftës, të pasluftës dhe njerëz të tjerë që kanë kundërshtuar ose kanë qenë të dyshimtë si kundërshtarë të regjimit komunist. Në raportin e vitit 1955 bie në sy panorama rrëqethëse në kampet skllavëruese të Burrelit, Bedenit, Tepelenës, Maliqit, Vloçishtit, ku punohej në kushte çnjerëzore për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, për tharjen e kënetave, për fortifikimin e rajoneve ushtarake, për ngritjen e qytezave urbane etj. Të dhënat e publikuara, konfirmon raporti, janë siguruar nga burime katërçipërisht të besueshme, ndër të cilat veçon ato nga trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, nga shtypi zyrtar e Radio Tirana, por edhe nga burime konfidenciale, sikundër kanë qenë kontaktet dhe bisedat me të arratisurit shqiptarë, viktima të luftës së klasave. Gazeta “Panorama” ka siguruar kopjen e raportit që përfaqësuesi shqiptar në OKB ia ka dërguar të përkthyer ministrit të Jashtëm menjëherë pas publikimit zyrtar. Në numrin e sotëm po zbardhim kapitullin “Puna e detyruar në Shqipëri”, që është pjesa e parë e dokumentit…

PUNË E DETYRUAR NË SHQIPËRI
A-Legjislacioni
1-Varietete të punës me përdhunë që zbatohen.
Qeveria e sotme shqiptare nuk bën asnjë orvatje të fshehtë faktin se ajo kërkon punë me detyrim nga personat kundërshtarë të politikë dhe “dembelë”, shumica e të cilëve janë klasa ish-borgjeze ose pronarë tokash. Veç kësaj, ajo imiton dhe tejkalon shembullin e zakonshëm satelit në ushtrimin e kontrolleve të saj mbi punën dhe përdorimin në masë të së ashtuquajturës “punë vullnetare” (në të vërtetë me dhunë) në projektet industriale, të ndërtimit dhe ato bujqësore.

PUNA E DETYRUESHME ME KUSHTETUTË
Si punëtorët e krahut, ashtu edhe të mendjes janë të detyruar të punojnë për shtetin në bazë të ligjeve dhe rregullave të përshtatura qëkur regjimi erdhi në pushtet në fundin e vitit 1944. Principi kryesor i punës së detyrueshme u mishërua në Kushtetutën komuniste të vitit 1946, neni 22 i së cilës, në një vend thotë se: “Në Republikën Popullore të Shqipërisë puna është nder dhe detyrë”. Kjo u përforcua akoma më shumë edhe në Kushtetutën e vitit 1950, neni 13, në të cilën thuhet se: “ai që nuk punon, nuk ha”. Disa dispozita u vendosën edhe para se të botohet Kushtetuta e 1946-s. Kështu, më 15 dhjetor 1944, pak javë pas çlirimit të Shqipërisë nga komunistet, të gjithë të aftët për punë dhe profesionistët u deklaruan të mobilizuar nga shteti dhe në prill 1945, ligji Nr. 48 parashikonte që të gjithë personat e emëruar në çdo zyrë publike dhe shtetërore, qoftë përkohësisht ose të përhershëm, të ishin të mobilizuar.

POLICIA DHE KAMPET E PUNËS
Mbasi gjithë ndërmarrjet ekonomike u shtetëzuan më 1945-1946 dhe u vunë në funksionim nga shteti, gati çdo punëtor u bë nëpunës shteti. Njëkohësisht, kontrolli i fortë iu vu të gjithë punëtorëve në Bashkimet e Punëtorëve, të cilat në vetvete janë organizata fronti për plotësimin e politikës dhe programit të partisë e qeverisë në fushën e punëve. Ligji për mbrojtjen e punëtoreve dhe mbrojtjen e punës përshtatur më 9 korrik 1945 dhe i rregulluar më 20 prill dhe 31 gusht 1946 u siguronte Bashkimeve të Punëtoreve fuqi të plota të rregullonte orët, rrogat, konditat e punëve dhe mëditjet e pushimet nga puna, si të punëtorëve të krahut, ashtu edhe të mendjes. Veç kësaj, statuti i bashkimit të punëtoreve dhe urdhëresa për rregullimin e punës në të gjitha ndërmarrjet parashikonte disiplinë të fortë për të gjithë punëtorët dhe vinte në dukje me hollësi detyrat dhe detyrimet e tyre. Ligji nr. 372, i 12 dhjetorit 1946, mbi krijimin e Policisë Popullore, autorizonte policinë të arrestonte individë dhe t’i dërgonte nëpër burgje apo kampe për pune të detyrueshme. Një vendim qeveritar karakteristik i marrë më 30 korrik 1947 parashikonte që në të gjithë administratën qeveritare, në fabrikat dhe në të gjitha qendrat e punës, puna që mund të bëhet nga gratë nuk duhet të bëhet nga burrat dhe burrat duhet të bëjnë pune që nuk mund të bëhen nga gratë.

 URDHËR USHTARAK PËR PUNË
Më 13 gusht të këtij viti, Radio Tirana njoftoi se qeveria ishte vendosur të vinte në veprim punën e detyrueshme, sipas së cilës gjithë personat që u kishin shërbyer regjimeve antipopullore dhe ishin pa punë, do të mobilizoheshin dhe futeshin në punë ndërtimi. Përsëri më 28 shkurt 1948, Radio tha se qeveria sapo kish nxjerrë urdhrin që parashikonte futjen në punë të të gjithë qytetarëve të aftë 16-50 vjeç, të cilët si rezultat i dembelizmit i largoheshin punës.
Drejtoria e Punës së Shqipërisë më datë 6 maj 1947 u ngarkua të mobilizonte dhe grumbullonte ushtarakisht gjithë punëtorët me anë të zyrave të punës. Funksioni kryesor i këtyre zyrave u përkufizua në “Gazeta Zyrtare” e 16 janarit 1948, si shpërndarja e punëtorëve në ndërmarrjet, institucionet ekonomike etj., si shtetërore, ashtu dhe private në bazë të planit ekonomik shtetëror.
Sipas ligjit, ndërmarrjet ekonomike mund të gjejnë punëtorë vetëm nëpërmjet Zyrës së Punës. Ligji nr. 726 i gushtit 1949 zgjeroi fuqitë e grumbullimit të punëtorëve nga ana e qeverisë. Neni 1 i këtij ligji thotë se disa kategori të punëtorëve të aftë dhe profesionistë, duke përfshirë edhe mësuesit, specialistët e tjerë e gjithë punëtoret e kualifikuar që janë të aftë për punë, mund të urdhërohen të punojnë në qendra prodhimi, ndërtimi ose në shërbim të shtetit. Punëtorëve që nuk u binden këtij urdhri, u janë ngarkuar gjoba të rënda.
Ligji nr.747 i 30 dhjetorit 1949 parashikon mobilizimin e gjithë popullsisë mashkull 18-45 vjeç për një numër ditësh për ndërtim e për mirëmbajtje rrugësh. Ligje të tjera që merren me disiplinime të rrepta në punë, parashikojnë dënime të renda për punëtoret që ikin pa leje nga puna, thyejnë disiplinën ose vijnë vonë në punë.

PROCESE GJYQËSORE PËR PUNË
“Gazeta Zyrtare” e Shqipërisë është mbushur plot me thirrje gjyqi ose vendime që thërresin punëtoret për t’i gjykuar dhe i kanë dënuar me dënime të renda për thyerje kaq të vogla për vajtje në punë me 20 minuta vonesë.
Midis dekreteve që merren me zhvendosjen e detyrueshme ose mbërthimin e punëtoreve në vendet e tyre, është vendimi nr. 137 i 2 marsit 1950 i Këshillit të Ministrave, mbi kontratën e përbashkët, e cila thotë se me qëllim që të plotësohet plani ekonomik i shtetit për vitin 1950 para kohe, është i nevojshëm një mobilizim i përgjithshëm i masës punonjëse. Një vendim i tillë i njëllojtë u lëshua edhe më 30 qershor 1951, i cili parashikonte:
1-Gjithë punëtorët e specialistët duhet të mbeten në projektet e ndryshme industriale pas 1 korrikut, pavarësisht nga kontratat e tyre derisa të mbarohen këto projekte.
2-Gjithë nëpunësit civilë dhe punëtorët 16-55 vjeç në qytetet e Tiranës, Korçës dhe Elbasanit duhet të punojnë në një minimum prej 10 ditësh në muaj në disa projekte të veçanta industriale shtetërore dhe duhet të plotësojnë normat më minimale të punës.
3-Ministria e Kontrollit të Shtetit ngarkohej të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi. Nga 6 korriku 1952, gjithë grave 18-55 vjeç u është kërkuar të punojnë në projekte pune të ndryshme, sidomos në hidrocentralin “Enver” në lumin e Matit.

PARADOKSET E KODIT PENAL
-Parashikime për punë në Kodin e ri Penal.
Kodi Penal i ri i Shqipërisë, i cili u përshtat nga Kuvendi Popullor më 23 maj 1952 dhe hyri në fuqi më 1 shtator 1952, është bazuar, ashtu siç tha ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi, kur ia paraqiti për miratim Kuvendit Popullor, “me parimet e luftës së klasave” dhe “drejtësisë revolucionare” dhe mishëron parimet kryesore të drejtësisë sovjetike. Kodi është në dy pjesë, që përmbajnë përkatësisht parashikimet e përgjithshme dhe të veçanta.
Parashikimet e përgjithshme (nenet 1 – 63) shtrojnë qëllimet e Kodit e si atë që i shërben dhe ruan “diktaturën e proletariatit” dhe cakton si elementin kryesor të krimit “rrezikun e shoqërisë socialiste”, “rrezikun shoqëror”, më tej është përcaktuar si një aktivitet i drejtuar kundër bazave ekonomike e politike të shtetit socialist kundër pushtetit popullor dhe pasurisë socialiste. Mosha më e vogël përjashtuar nga përgjegjësitë e përgjithshme penale është vendosur 14 vjeç, por përgjegjësia penale për krimet kundër shtetit, dëmtimit të pasurisë shtetërore dhe sabotimit ekonomik është vendosur mosha 12 vjeç (neni 6). Shumica e dënimeve të parashikuara nga Kodi janë me vdekje, burgime dhe internime në punë korrektonjëse (neni 16). Internimi përcaktohet si “heqja e të pandehurit nga vendbanimi dhe detyrimi që të jetojë në një vend të caktuar me ose pa “punë korrektonjëse” (neni 21). Internimi si një dënim i rëndë, shton ky nen, jepet për një kohë 1–10 vjet. Dënimi për punë korrektonjëse numëron nga 15 ditë–1 vit dhe e vuajnë në një punë të caktuar nga vendimi i gjyqit, ose në vende të caktuara nga organet ekzekutive të shtetit (neni 23).
Parashikimet bazë që merren me punën, janë përmbledhur në pjesën e dytë të Kodit, sidomos nenet nga 90–205. Neni 90 thotë se prodhimi i sendeve industriale me cilësi të dobët, jo në sasi të mjaftueshme, ose kundër standardeve të caktuara nga drejtori, inxhinieri ose ndihmësi dhe përgjegjësi të ndërmarrjes industriale, dënohet me punë korrektonjëse ose burgim deri në 5 vjet. Neni 201 thotë se ikja nga puna pa leje e një punëtori ose nëpunësi nga ndonjë ndërmarrje shtetërore ose shoqërore ose institucioneve dënohet me punë korrektonjëse deri në 6 muaj dhe, në rastet e rënda, deri në burgim me 4 muaj. Neni tjetër parashikon se mungesa në punë e një punëtori ose nëpunësi shteti, ose ndërmarrje shtetërore, ose institucioneve pa arsye të justifikueshme, dënohet deri në 6 muaj punë korrektonjëse. Neni 203 parashikon dënime që arrijnë nga 0.6–4 vjet burg për punëtorët ose nëpunësit që nuk i binden urdhrit që e zhvendos atë nga një ndërmarrje në një tjetër. Dënime më të rrepta që përshijnë deri në 2 vjet punë korrektuese, parashikohen nga neni 204 kundër atyre që nuk u binden urdhrave, që i ngarkon ata të punojnë vazhdimisht ose përkohësisht për kryerjen e planeve shtetërore të prodhimit e ndërtimit.

PUNA NDËSHKUESE

Kampe përqendrimi dhe punë e ndëshkueshme 1-Punë nga të burgosur politikë. Në Shqipëri nuk bëhet asnjë dallim i mprehtë midis të dënuarve me punë të rëndë, si pasojë e veprimeve gjyqësore dhe atyre të grumbulluarve kot dhe të vënë në punë. Shumica e mijëra të burgosurve politikë që sot janë vënë në punë të rëndë, janë dënuar para botimit të Kodit Penal të ri të 1952, në bazë të nenit 18 të ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake (janar 1945), i cili dënonte persona të akuzuar si “bashkëpunëtore fashistë” me gjobitje në të holla ose me punë të detyrueshme deri në 20 vjet. Të tjerët kanë qenë mobilizuar nga veprime administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme në bazë të parashikimeve të të famshmit dekret të 26 shkurtit 1951, lëshuar pak ditë më vonë se hedhja e bombës në Legatën sovjetike në Tiranë, dhe parashikonte dënimin kapital ose të tjera pa formalitete të nevojshme ligjore, për secilin që merret me aktivitete terroriste. Burgjet politike në Shqipëri që përfshijnë ministra, deputetë, nëpunës të tjerë të lartë qeveritare të para luftës, të kohës së luftës dhe të pas luftës dhe shumë njerëz të tjerë që aktualisht kanë kundërshtuar ose kanë qenë të dyshimtë kundërshtarë të regjimit komunist, janë internuar në vende të tilla vuajtjeje, si në Burrel, Beden, Maliq dhe VLoçisht (të quajtura kampe vdekjeje) dhe kanë qenë të futur në punë kryesisht për hapje kanalesh, ndërtime hekurudhash dhe portesh, ngritjen e barakave ushtarake, fortifikimin etj. Madhësia e këtyre kolonive është lëkundur që nga mbarimi i luftës sipas nevojave lokale. Drejtori i Byrosë së Statistikave të Shqipërisë në zyrën shtetërore të hetimeve, i cili u arratis nga burgu më 1948-n, ka deklaruar se në fund të vitit 1947 ishin 18 mijë të burgosur politikë, veç kampeve të përqendrimit. Disa si këta, Kostaq Kotta – kryeministri i fundit para pushtimit fashist më 1939-n, kanë vdekur si rezultat i jetës së keqe në koloninë e famshme në Burrel. Të tjerë si Kolë Kuqali, një nëpunës i Legatës amerikane më 1922–1938, i cili në fillim u përpoq të bashkëpunonte me Frontin dominuar nga komunistët, vrau veten në burgun politik të Tiranës.
Midis deklarimeve të kategorisë së parë rreth kolonive penale, ajo e dhënë nga Skënder Dume, i cili kaloi 5 vjet në këto kampe para ikjes së tij në Greqi në prill 1951. Sipas tij, deri në atë kohë kishte 10 burgje politike në Shqipëri, prej të cilave 10 mijë vetë jetonin në kushte tmerruese. Torturat e tyre dhe trajtimi çnjerëzor ishin përshkruar si të pabesueshme. Vetë Dume shërbeu në dy koloni ndëshkuese në kampin e vdekjes në Vloçisht, afër Korçës, ku nga 1.200 persona, kryesisht njerëz të ligjit, doktorë, studentë, ish-oficerë të lartë, klerikë katolikë dhe myslimanë, tregtarë dhe në kampin e Bedenit në Kavajë. Të burgosurit në kampin e parë punonin në projektin e shpallur të Maliqit, ndërsa ata të tjerët në kanalin kullues Peqin–Kavajë. Në kampin e vdekjes në Vloçisht, të burgosurit zgjoheshin në orën 3:30 dhe fillonin punën në kanal në orën 6:00, ktheheshin në kamp ora 20:00. Disa nga shokët që ishin shumë të sëmurë për punë, aktualisht varroseshin të gjallë në kanal, midis këtyre ishin edhe prifti Josif Papamihali – kryetari i kishës unite në Korçë, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, hoxha Qazim Melçani, nënkolonel Tefik Hoxha, Riza Qako, Jaçe Zleusha, Luigj Luli, Ali Elezi dhe të tjerë. Për arsye të një thyerje rregulli, një student u lidh nga rojet e burgut me një kolonë dhe u la aty për 72 orë.
Kampi në liqenin e Maliqit mund të preket si një shembull tjetër, që tregon se si kalojnë të burgosurit politikë në Shqipëri. Të burgosurit në këtë kamp janë organizuar në 12 brigada pune, secila e përbërë nga 120–140 burra. Secila përbëhet nga 3 kompani dhe secila prej tyre prej 3 skuadrash. Personeli që komandon njësitë e ndryshme, përbëhet nga shokë të tyre që quhen të dëmshëm nga komandanti i kampit, megjithëse çdo brigadë është nën mbikëqyrjen e fortë të një oficeri të Policisë. Të burgosurit banojnë në baraka dërrasash, me një brigadë në secilën barakë. Ato nuk janë të ndara në dhoma, gjatë mureve janë dy rreshta koçekësh me dy krevate, njëri mbi tjetrin, ku flenë të burgosurit. Shteti nuk i jep ndonjë mbulesë dhe ata të burgosur që nuk kanë, duhet të flenë ashtu siç janë, mbi kotecin e zhveshur. Barakat nuk janë të mbrojtura prej kohësh. Çdo të burgosuri i kanë dhënë vetëm një palë rroba pune të përbërë nga një pallto, pantallona dhe një këmishë, të cilat shpejt grisen, se puna e të burgosurve ka të bëjë me tharjen e liqenit të Maliqit dhe duhet që ata shumicën e kohës të punojnë në ujë. Nëse i burgosuri nuk ka rroba të tij për t’u ndërruar pas pune, duhet të mbetet me veshjen e punës së lagur. Si rregull, punojnë 10 orë punë në ditë, nëse nuk shtohen me urdhër të komandantit të brigadës. Në gërmimin e kanalit për tharjen e liqenit të Maliqit, shumica e të burgosurve janë zakonisht në ujë që arrin deri në gjunjë, e disa herë deri në brez. Në kundërshtim me këtë kusht, puna vazhdon pa marrë parasysh kohën ose stinën e vitit. Një rrezik tjetër i punës është numri i madh i shushunjave në kanal, që sulmojnë të burgosurit. Si rezultat, shumë të burgosur u sëmurën dhe shpesh rreth 150 syresh kishin nevojë mjekësore të përditshme. Vetë doktori i kampit është i burgosur përjetë. Megjithëse është doktor i mirë, ai nuk ka as veglat dhe as barnat e nevojshme.
Veç skenës së punës së rregullt, që fillon nga ora 4:00 dhe përfundon në orën 16:00, me dy orët që nevojiten për ecje nga barakat në punë, puna shpesh vazhdon për 1 ose dy orë më shumë. Pushimi jepet 3 herë në ditë. Racioni i bukës është 500 gramë, një përzieje gruri dhe thekre, zakonisht e papjekur, që u jepej në drekë. Ushqimi i zier u jepet vetëm për mëngjes dhe darkë. Zakonisht përbëhet nga një supë uji me makarona, fasule ose kunguj. Çdo i burgosur duhet të marrë 100 gramë mish në ditë, megjithëse kjo ndodh rrallë. Kohë pas kohe, të burgosurit lejohen të marrin pako me ushqime për të shtuar dietat e tyre.(Kortezi AFRIM IMAJ-PANORAMA)

Filed Under: Histori Tagged With: ne OKB, per Shqiperine, Raporti i ShBA

“ Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat ! “

August 2, 2013 by dgreca

NGA HARALLAMB   FANDI/

“  Diku…dikur…shumë vjetë më parë, mbaj mend të kem lexuar një vjershë. Vjersha ka kohë që është harruar, po vargu i saj i parë ka mbetur i pashlyer në kujtesën time:  Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat !”.

       E gjithë kjo,  nuk është veçse fillimi i një proze poetike të Turgenjevit. Kur isha i ri, nxënës në vitin e tretë të gjimnazit, profesori i rusishtes na  e kishte dhënë për ta mësuar përmendësh atë dhe unë i gëzohesha bukurisë së origjinalit. Por ja që, më pas, ashtu si shkrimtari i madh që e harroi vjershën dhe ruajti në kujtesë vetëm vargun e parë, edhe unë vetëm rreshtat parë, me vargun për trëndafilat, mbajta mend.       Shumëkush do të çuditej se si mund të harroej aq lehtë nje krijim i shkruar per mrekulli dhe që, për më tepër,  m’u bë pjesë e një kujtimi sedërpërkëdhelës  për një kohë të  gjatë. Se, për mua, kujtimi ka qënë vërtetë i këndshëm, ndonëse u shoqërua me një shije paksa të hidhur të një zhgënjimi që iu ngjit nga pas. Dhe, sikur të mos ishte ky i fundit, do të ndruhesha ta tregoja, thjesht ngaqë do të rrezikoja të kaloja kufijtë e modestisë.

Ishte profesori i rusishtes, M. Sh., që në një mëngjes të bukur, ( unë do të shtoja dhe pranveror, se i tillë ishte dhe i pranvertë më vjen ndër mend ), në oborrin e shkollës plot dritë dhe zhurmë nxënësish, më ndaloi dhe më tha: “ Kam diçka interesante për ty “. Duhej të recitoja rusisht në sallën e teatrit të qytetit, në një mbrëmje miqësie, përpara dy-treqind rusëve, prozën poetike të shkrimtarit të tyre të dashur. Profesori s’mbaroi me kaq. Unë do të isha i vetëm në skenë, i veshur me frak e papijon ( veshje që, “për të qënë brenda”, censorët e quanin me përçmim “borgjeze”, po nuk guxonin ta pengonin, kur u thuhej se kështu do ta pëlqenin “vëllezërit sovjetikë”). Në errësirën e skenës së ndriçuar vetëm nga një qiri, do të shquhej paksa një pianiste ( profesore N. ), e cila do ta shoqëronte recitimin me melodinë e njohur “ Liqeni i Como-s” . Gjithshka i kushtohej kujtimit të një dashurie pa një puthje, që sot, për shumë të rinj, do të tingëllonte humbje kohe . ( “ Dashuri koti “, do të vinte i menjëhershëm reagimi i tyre ). Po atëhere qe kohë tjetër. Tjetër ishte dhe për ne, kur shumë nga mësuesit herëpashere gjenin rast dhe i mëshonin fort shprehjes: “ S’ka ç‘ju duhen dashuriçkat. Shikoni mësimet!”. Ne, domosdo, mësimet shikonim, por, kur e binte rasti dhe, në ndonjë film apo në disa rreshta të ndonjë libri, gjenim atë që na e ndalonin, fillonte festa. Këtë festë prisnin të gjithë dhe nga unë. Po nuk paskish qënë aq e lehtë. Provat që filluan  mirë, ngaqë s’kisha vështirësi me gjuhën, një ditë prej ditësh  ngecën. Të gjithë prisnin më shumë, po hajd’ ta gjeje atë më shumë.

“ Ore, ke dashuruar ndonjëherë ti ?”, thuajse më bërtiti në një pasdite provash profesor T . E dija që më donte dhe ngacmimi ishte më shumë intim, po si mund t’i thosha unë “ Po “?… Sa të merrej vesh do të tundej gjithë gjimnazi! “Jo”, i thashë me gjysmë zëri dhe me fytyrën flakë. “ Pse s’thua ti që ne po lodhemi kot “, tha ai, duke vërvitur me inat një shkumës, që mbante në dorën e zbardhur nga fërkimi tërë nevrik i shkumësit. ° Profesor…”, nxitova të flas pas pak, për ta rregulluar disi  situatën.“ Ç‘profesor, profesor!…”, më ndërpreu ai, “ pjesa është me ‘dashuri. Këtu mungon ndjenja. Si mund të shprehesh ti kur nuk ke dashuruar asnjëherë ?”. “ Po unë kam dashuruar”, thashë,  i penduar që e lëshova me nxitim atë bombë . Fytyra e profesorit  ndryshoi dhe, nga gjithë nuancat e shprehjes, unë kapa vetëm ngrohtësinë e vështrimit, që u përforcua me një goditje dashamirëse grushti në gjoksin tim. Që prej atij  çasti ndryshova “ kursin”, u hapa, natyrisht jo menjëherë, se kisha frikë mos fillonin romuzet. Po kaq mjaftoi që provat dhe shfaqja të pëlqeheheshin aq sa, pas skenës, shoket më përqafonin dhe nga salla nuk vonoi  të vinte shprehja: “… të gjitha gratë ruse, duke të dëgjuar, kanë qarë “.   Po njëra, ama, nuk qau …

…Çefranova.  Ajo s’ishte në sallë dhe më dëgjoi më pas, në hollin e Shtëpisë së Kulturës, ku zhvillohej konkursi për Shkollën e Lartë për Aktorë. Unë nuk shkova kot atje. Besoj se kryesorja që më shtyu ishte dëshira e papërmbajtur për të mos u ndarë nga arti. Deri atëhere pikturoja, shkruaja, bile kisha botuar dhe prozën e parë poetike, por s’desha të isha amator. Dhe ja, papritur, u shfaq mundësia e artë : konkursi . Konkuruesit nuk ishin shumë dhe as që isha interesuar për përgatitjen e tyre, sepse…naiviteti më bënte të fluturoja : unë që kisha bërë të qanin të gjitha gratë ruse, me recitimin tim do t’i a nxirrja dy lotë dhe Çefranovës. Ajo ishte kryetarja e komisionit dhe vendimet i merrte vetë. Atypëraty, me shumë takt dhe me gjuhë të ëmbël, ajo më tha  “Nuk fiton”. M’u desh një kohë e gjatë për ta marrë veten dhe të bindesha që kishte të drejtë. Unë s’kisha zë për aktor, pa le që më pas nisa ta kruaja shpeshherë laringun për ta pastruar zërin duke bezdisur dhe të tjerët.

Gjithsesi, arti jo vetëm që nuk më la të mërzitem, po më ka dhënë për vite të tëra kënaqësi të pafund. Sidomos nga ato që s’i mbaj dot për vete. Më është bërë zakon që kur gjej diçka të bukur apo interesante , ashtu si fëmijët, dua me domosdo t’ua tregoj të tjerëve. Nuk tërhiqem edhe sikur dikujt mund të mos i duket e tillë. Ja, edhe në këtë rast,  me Turgenjevin. E kam pyetur, vërtetë, shpeshherë veten : Si ka mundësi që kujtesën vetem të fillimit poetik, si Ai dhe unë , ta kemi pasur njëlloj ?… Mirë, do të thoshte dikush, po kjo tingëllon  ca e pabesueshme, duket si e sajuar. E çë, do të thosh ndonjë tjetër, me këtë fakt pa peshë e rastësor, për të mos thënë lartësues pa meritë të vetes, kërkon të na mbushësh mendjen se qëdron pranë e pranë me shrimtarin e madh?

Unë nuk do të ndruhesha për të thëne: “Po”. Sepse, asnjë nga të mëdhenjtë nuk ka qënë qiellor. Më të mirët kanë qënë ata që i kanë patur këmbët në tokë, që kanë qënë njerëz dhe, si njerëz, kanë patur gjëra të përbashkëta deri në hollësi me të tjerë. Një hollësi e tillë, e thurrur si filigranë, kushedi nga ç’ADN, më erdhi përpara syve, duke parë dhe dëgjuar një mëngjes shushurimëllokoçitjen e valëve të detit në bregun shkëmbor të qytetit tim. “Mos pe gjë trëndafilat nëpër dallgë dhe t’u kujtua Turgenjevi?…” mund të pyeste dikush. Unë do të isha i lumtur ta njihja atë dikush dhe t’i thosha pa nguruar: “Po”. Kushdo që të ishte. Mjaft që ai hyri në atë lekundje të ëndërrt trëndafilash, duke krijuar kështu një treshe njerëzish, që  arti i lidhi me nje varg në dukje të thjeshtë, po që në kujtesën e tyre shfaqet përherë si mrekulli:

“ Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat ! “

31 KORRIK 2013

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Harallamb fandi, ishin trendafilat, sa te fresket

KUJTIM PEÇI, INXHINIERI NENDETSEVE

August 2, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ*/ drejtor I Bibliotekes te Universitetit Pavaresia, Vlore/

Rasti fatlum e pruri që të merresha me mbledhjen e kujtimeve për Kujtim Peçin, me grumbullimin, sistemimin dhe përzgjedhjen e materialeve, dokumenteve e gjërave të tjera me vlerë që plotësonin sadopak portretin e tij me dritë. Ishte pikërisht besimi dhe dëshira e zonjës Lavdie Peçi (Nuraj), bashkëshorte fisnike e të paharruarit tonë Kujtim, që më vlerësoi dhe më dha mundësinë të realizoj me përkushtimin tim një borxh, ndoshta pengun e nderit për Kujtim Peçin mikun tim të vjetër, intelektualin e shquar erudit, veprimtarin e spikatur të Labërisë dhe njeriun e dashur e të kërkuar të shoqërisë. I shpreh mirënjohjen time të thellë e të pastër zonjës Lavdie dhe dy fëmijëve të saj e të Kujtimit: Matildës dhe Armandit për vlerësimin, që, në përgatitjen e kësaj monografie për njeriun e tyre më të shtrenjtë, jam përpjekur ta përdor si visar dhe të mos e shpërdoroj. Ndërsa shoku im i halleve dhe gëzimeve, qysh në vitet ’80 të shekullit të kaluar Bardhosh Nuraj, i cili është njëkohësisht edhe nip i Lados, meriton fjalët më të mira nga unë për përkushtimin e papërtuar që pati për ndërtimin e këtij libri. E gjej mundësinë që bashkë me Bardhon, Ladon e të afërmit e familjes së Kujtimit të falënderojmë të gjithë ata miq, shokë, kolegë e adhurues të Kujtim Peçit, që patën mirësinë e shkruan mbresat, mendimet e kujtimet e tyre, pa të cilët libri nuk do quhej libër. Nga pasuria e tij shpirtërore Lutfi Gjika më dhuroi me mirësi këshillimin e domosdoshëm, që ky libër të ndërtohet me shëndetin e vërtetë e të pastër për një nga miqtë e tij më të mirë, heroin e kësaj monografie, Kujtim Peçin tonë të paharruar, që jetoi në këtë planet 70 vjet, i lirë, si zogu në tramundanë…

Kujtim Peçi sa jetoi, jetoi i vërtetë, me dinjitet vetjak, familjar e shoqëror, me vlera morale të larta, që e zbukurojnë hijshëm personalitetin e tij, si rruaza të arta virtyti. Ai ishte i ditur dhe i guximshëm, saqë me lirinë e tij intelektuale ai u shndërrua në një model shkëlqyer për njerëzit e fjalës dhe të veprimit, i bindur në realizimin e lajtmotivit të tij: të përmirësohemi duke përparuar. Ka një shprehje Umberto Eko: “Të jesh i lirë do të thotë para së gjithash ta thuash të vërtetën. Vetëm e vërteta na bën të lirë”. Ndërsa shkrimtari dhe filozofi i njohur frëng Albert Kamy shkruante: “Të jesh i lirë nuk do të thotë të flasësh çka do, as të shtosh numrin e gazetave për plot skandale, as të vendosësh diktaturën e re në emër të një lirie të ardhshme, ku shumëzohet rrena, vazhdohet tirania, sepse ajo i shkatërron në mënyrë të pamëshirshme të gjitha vlerat”. Jo pa qëllim evidentova dy sentenca të dy mendimtarëve të njohur, sepse, të paktën që nga viti 1998 , kur bisedova për herë të parë me Kujtimin deri në vitin 2008, kur ai ishte mirë e pa shfaqje shqetësimesh shëndetësore, Kamy e Eko u bënë për ne shëruesit tanë të vlefshëm, që na furnizonin me ushqim shpirtëror “mendim Blo” thoshnim ne.

Kujtim Peçi është njeri i vërtetë, i lirë, dinjitoz, i pabujshëm për vlerat burimore dhe të fituara përgjatë 70 viteve, të cilat u bënë pjesë organike e qenies së tij. Na ka ikur një thesar. Shpirti i veprimit, mprehtësia dhe krenaria që ai mbartte e bënë të njohur në shoqëritë përkatëse ku punoi, sepse gëzonte respektin e të gjithëve për guximin, për ndershmërinë dhe për aftësitë profesionale. Vlerat e tij intelektuale rrezatojnë në arkivin e MEMORIES SË QYTETIT TË VLORËS DHE LABËRISË.

Ideali i tij i pastër, fisnikërisht qytetar çeli udhë për progresin dhe demokracinë, sepse Kujtimi e donte me gjithë forcën e shpirtit përparimin. Edhe ky libër është një homazh për të evokuar sadopak jetën dhe veprën e tij të mirë. Kujtim Peçi ka patur një veti që e ka karakterizuar tërë qenien e tij: Dashuria për atdheun, vendlindjen dhe profesionin. Ai nuk lindi profesor e shkencëtar, kjo e bëri të tillë. Fatlumsisht ndihem i nderuar që njoha dhe pata mik një njeri të mbushur me frymë dashamirësie, siç ishte dhe ngelet për mua Kujtim Peçi, i njohur dhe i vlerësuar nga shoqëria për pasurinë e Shpirtit të Bukur, të Mendimit të Kthjellët dhe të veprimit të Drejtë. Poeti Kits ka thënë: “Bukuria është e vërteta, e vërteta është bukuria”. Edhe bukuria e shpirtit të Kujtimit ndolli vetëm mirësi, harmoni, dituri dhe dashuri njerëzore. Sa i mirë qe! Sa shpejt që iku! Ah, more Kujtim! Le gjithë ato projekte të çmuara në mes. Ike…Na le…vetëm…U nxitove Kujtim, u nxitove…Na prishe punë, o mik i mirë! Po të paktën, na e le të drejtën për pemën e jetës dhe për të hyrë në Portat e Qytetit. Dhe kjo s’është pak. Është shumë. Të faleminderit!

Ishte pranvera e vitit 1998. Me një grup veprimtarësh idealistë, intelektualë të Labërisë mblidheshim shpesh herë e diskutonim me dëshirë, zjarr e shqetësim se çfarë duhej bërë për mbarëvajtjen e shoqërisë labe në kushtet e reja, në rezonancë me proceset demokratike, që na mbushnin me dritë besimi edhe për zhvillimin e trevës së Labërisë. Duhej riorganizuar Shoqata Atdhetare “Labëria” si kudo në Shqipëri, ku ka labër, edhe në Vlorë, aq më tepër që Vlora është zemra e kësaj treve me histori lavdi mbuluar për vete dhe për kombin.

Ishim një bërthamë entuziaste me burra me peshë, djem të mirë Labërie, si të paharruarit Kujtim Peçi, Njazi Hamzaraj, prof. Zeko Braho, Brahim Haxhiu, i biri i Osmën Haxhiut të epopesë së Njëzetës, Pelivan Bajrami, Idajet Jahaj, Serri Xhaferi, veterani Haki Gjondeda, Sejmen Gjokoli, muzikologu i paharruar Haxhi Dalipi, Mëno Gjoleka si nur, që i ndrittë kujtimi, Pirro Adem Xhaka, Tomor Lelo, prof. Bardhosh Gaçe, Hiqmet Mehmetaj, unë e plot e plot të tjerë që e donin dhe e duan Labërinë aq shumë sa s’e këmbejnë t’u falësh botën!

Diskutonim shpesh, sidomos te çerdhja ku na mblidhte arkeologu i përkushtuar Novruz Bajrami, për ruajtjen e zhvillimin e mëtejshëm të traditave e zakoneve të nderuara të trevës labe si pjesë e pandarë e thesarit të madh të traditave mbarëkombëtare.

Mbaj mend që Kujtimi me atë qetësinë e tij gati olimpike na jepte mendime të vlefshme, me argumente për kontributet që intelektualët labër kanë e mund të japin në fushën e arsimit e kulturës, të dritës naimiane që ata ndezin në mbarë vendin e nëpër botë.

Më kujtohet që vinin shpesh në Vlorë Ibrahim Gani, Halil Qendro, Daut Gumeni, Lavdie Nanaj, Skënder Hasko, Lirim Deda, Pëllumb Tare, i paharruari Halo Abazi etj., nga Tirana, sepse donin Labërinë si mëmën e tyre, sikurse dhe ne të tjerët. Shpesh recitonim vargjet e bukura e të mahnitshme që Çajupi ka thurur për Labërinë. Kujtimi i kishte shumë për zemër. Atëherë dolën edhe disa shqetësime e probleme që mund të shkaktonin dhe tensione, sidomos lart, në qendër, në Tiranë për shoqatën. “Nuk duhet ta lëmë të degjenerojë shoqata “Labëria” në levën e partive që hipin e zbresin nga pushteti, – na thoshte Kujtimi me fjalën e tij të ndershme e me mend. -Partia jonë është Labëria, ç’duhet të bëjmë ta nderojmë Labërinë – dhe na kujtonte thënien e madhe të Xhon Kenedit para bashkatdhetarëve amerikanë, ditën e betimit si president më 1960: “Mos kërkoni nga atdheu juaj, por shikoni ç’mund të bëni ju për të”. Me këshillat e tij të matura, Kujtim Peçi më dukej si Nestori në legjendën homerike. Krijuam një respekt të vërtetë, të çiltër, aq më tepër kur miku i babait tim dhe miku im i vjetër Hiqmet Mehmetaj më prezantoi hollësisht me këtë shpuzë atdhetarie e diturie  nga Kuçi i Vlorës dhe lidhjet miqësore që kishin…

Rrodhën zhvillimet dhe më 13 maj 1998 në pallatin e Kulturës “Labëria” në ora 1100 u zhvillua mbledhja e përgjithshme për krijimin e degës së shoqatës “Labëria” për Vlorën me nismën e komisionit organizator, që përbëhej nga emrat e respektuar që përmenda më parë.

Mbas një takimi e diskutimi vërtet vëllazëror Vlora e Ismail Qemalit në kuvendin e saj zgjodhi kryesinë e re të degës së shoqatës “Labëria” për qytetin e Vlorës si dhe delegatët që do ta përfaqësonin në Kuvendin e Parë që u zhvillua në Tiranë më 5 qershor 1998.

Kryetari i degës së shoqatës “Labëria” për Vlorën më zgjodhën mua, nën/kryetar Kujtim Peçin dhe sekretar Hiqmet Mehmetin. Ruaj mbresa të pashlyeshme me këta dy miq, se u ingranuan me shpirt për Labërinë, për të përçuar mesazhe humane labëve tanë, qytetari e vullnet, për t’i kthjelluar njerëzit se Labëria prodhon dashuri, jo urrejtje.

…Unë ika në Itali dhe u shkëputa nga njerëzit e mi e miqtë këtu, sepse duhet të punoja, të kërkoja ndryshim më të mirë të jetës. Familja kishte kërkesa…Megjithatë s’është e nevojshme të zgjatem për këto probleme këtu, por përveç të tjerave nga Italia ruaj si flori në shpirtin tim takimet me të ndriturit Nermin Vlora e Renzo Falaschi disa herë në Romë dhe në vilën e tyre. Mora bekimin e fisnikërisë së tyre dhe më 2002 kthehem përfundimisht në Vlorë dhe filloi punë në Bibliotekën e Universitetit “Ismail Qemali”. Ritakova Kujtimin, rifilloi Biseda e Urtë me atë uragan mendimi që çlironte mirësi, mirësi, mirësi, si një burim i pashteruar asnjëherë. Kur kishte kohë të lirë vinte tek unë, te biblioteka e vogël (ish-mjekësorja), se aty afër kishte dhe shtëpinë, pinim nga një kafe e raki e bisedonim me kënaqësi e koha fluturonte pa e kuptuar. Më la dhe një libër në dorëshkrim për gjendjen e jashtme, parë me syrin e një vëzhguesi të hollë, me analiza deduktive, logjike gërshetuar dhe me mënyrën e arsyetimit të induksionit shkencor. M’i binte kapitull pas kapitulli materialet. Do t’i botojmë dhe ato se janë amaneti i tij.

Për herë të fundit, e kam takuar me prof. Spiro Caushin, te shtëpia e tij, kur qe sëmurë, para se të ikte. Tani Kujtim Peçi është përherë me ne.

 

 

KUJTIM PEÇI NË MEMORIEN TIME, nga Halil Bregasi

 

 

Rastësia, shpesh herë, çon në përmbushje detyrimi dhe, në ndonjë rast, është në madhështinë e mrekullisë.

E them këtë, sepse ishte rastësia në rastin konkret, që po çon në këtë shkrim, duke bërë që të kthehem deri 50 vjet prapa.

Ndodhesha në Bibliotekën e Universitetit “I.Qemali” Vlorë duke biseduar me njerin nga miqtë e mi më të mirë, (besoj se i tillë është edhe për shumë të tjerë, pasi karakterizohet nga virtyte të larta deri në lartësinë e fisnikërisë) zotin Albert Habazaj. Kishim disa probleme lidhur me promovimin e një libri (romani) që kisha botuar kohë më parë. Fjalë pas fjale, rrjedha e bisedës na degëndisi te shokët që nuk janë. Duke e përmendur edhe të ndierin Kujtim Peçi; Alberti nuk e dinte që unë e njihja apo kisha punuar me Kujtimin dhe më tregoi se ishte ngarkuar, si të them, në formën edhe të një amaneti, a si, por të përfundonte një libër me kujtime të të ndierit Kujtim.

Në çast fillova të tregoja duke e përshkruar Kujtimin ashtu si e njihja unë, gjë që Albertit i tërhoqi vëmendjen, andaj pyeti:

Ti e njihje Kujtimin?

Po, -i them, kemi punuar bashkë.

Dëshiron të japësh disa mbresa?

Në moment thashë po. M’u duk e lehtë, sikur thjeshtë do tregoja si e qysh ishim njohur, paçka se nga ana letrare mund të kishin edhe mangësi, gjë që, në ndonjë rast janë më të mira ashtu, thjesht.

Gati çdo ditë merrja lapsin dhe një fletore që e pata filluar me emrin e tij për të shkruar, dhe shkruaja e nuk i bashkoja dot dhe në ndonjë rast edhe e grisja fletën. Kështu, m’u kujtua ajo që kisha shkruar në romanin “Tre dasma në një”: “Të tregosh, duhet të kesh parë e dëgjuar; të shkruash atë që ke treguar, është e vështirë…”

Kjo po përsëritej për së dyti me mua tani që duhej të shkruaj ato që tregova me gojë para z. Albert Abazit në atë takim.

Rrjedha e jetës së një njeriu është gati e njëjtë  me rrjedhën e ujit. Buron diku (lind), formon rrëketë vogla (pra edhe në fëmini lë gjurmë), formohen përrenjtë (jeta merr drejtim e zhvillim), ata formojnë lumin që derdhet në det (pra njeriu aftësohet për ta drejtuar jetën); Por deti është i madh, ka dallgë të vogla por edhe të mëdha (pra jeta futet në dallgët e saj).

Në se këto burime, këto rrëke, përrenj lumenj, nuk vërehen, nuk shënohen diku e nuk emërtohen, atëherë ky proces (pra jeta e njeriut) ngelet e panjohur nga askush ashtu si burimi i tharë.

Nisur nga ky këndvështrim, shkruarja e një monografie, një memoriali apo lënia  e një libri kujtimesh, është domosdoshmëri, në mënyrë që ai burim të mos thahet se është burim jete, të mos harrohet asnjëherë se ka lënë prapa një tragë, rrëkeje, përroi a lumi.

Është arsyeja më bindëse për mua, për të përshëndetur iniciativën por edhe për të vlerësuar në maksimum punën e shkrimtarit që do e përgatisë këtë monografi.

Më bëhet shumë qejfi që do të shkruhet një e tillë edhe për një nga miqtë e shokët e mi të punës, për z. Kujtim Peçi.

Ishte viti 1960. Në një grup studentësh të Shkollës së Lartë të Nëndetëseve, shkuam për ti vizituar e takuar studentët ushtarakë të inxhinierisë. Grupi jonë i vogël nga tre vitet studimi. Na pritën 3-4 veta  në hollin e katit të parë. Ndërtesa e shkollës së inxhinierisë ishte me arkitekturë të veçantë. Vetëm si ndërtesë ia vlente ta shikoje, e jo më të takoje edhe bashkatdhetar. Duke biseduar e duke parë stendat e reliket që ishin varur nëpër muret, të tërhiqte vëmendjen stenda e të dalluarve. Disi në mes e pak sipër, në mos gaboj, në rreshtin e parë, ishte fotografia e Kujtim Peçit. Unë në atë kohë isha i dalluar vet dhe e kisha fotografinë time ashtu si po shikoja atë të Kujtimit, dhe kjo për arsye se unë isha i dalluar vetëm brenda grupit shqiptar të asaj shkolle, ndërsa Kujtimi ishte i dalluar i gjithë Shkollës së Lartë të Inxhinierisë, ku kishte studentë nga shumë shtete. Ndjeva bashkë me shokët një krenari që një shqiptar dallohej mes gjithë atyre shtetasve të tjerë. Vonë, kur isha në Pashaliman e kam mësuar faktin që ai kishte mbaruar me Medalje të Artë.

Në vitin 1961 filluam mësimet në Shkollën e Lartë të Flotës në Pashaliman. Ndjenim ndryshimin drastik të jetës studentore. I vetmi ngushëllim ngelej takimi, bisedimi e lojërat me oficerët e rinj të brigadës së nëndetëseve, të cilët kishin studiuar po në Bashkimin Sovjetik.  Në kohë e pushimit shkonim në territorin e Br.ND, dhe luanim e bisedonim me kuadrot atje. Vetëm Kujtimi nuk vinte për të luajtur. Jo atë do e shikoje me dosje nënsqetull, nga ndërtesa në nëndetëse e kthim. Të gjithë thoshin: Ai është shumë i ngarkuar. Duhej të kontrolloheshin e të korrigjoheshin instruksionet e aparaturave deri në imtësi duke iu përshtatur kushteve e nivelit të marinarëve shqiptarë. Nëndetësja funksionin nëse elektriciteti është në parametrat e duhura, ndryshe??? Për këtë Kujtimi përgjigjej direkt, ndaj dhe punonte pa pushim dhe orar. Jo vetëm që pa elektricitet nëndetësja është e vdekur, por sovjetikët kishin lënë dhe disa defekte që duheshin riparuar, dhe Kujtimi në gojën e shokëve të tij e kishte realizuar plotësisht qëllimin e detyrën.

Në vitin 1965 do ritakohesha me Kujtimin. Kisha shkuar në Pashaliman me Katerin Silurues që komandoja, vajta në Uzinën e riparimit të anijeve për të bërë riparimin e atij mjeti. Aty ishte dhe një ND, që riparohej nga specialistë kinezë. Kujtimi vinte shpesh, takohej me ne (ishte dhe anije Dragamine e vogël për riparim) dhe merrej me problemet që u kishin dalë atyre të ND. Të gjithë e njihnin  për më të aftin në njohjen e teknikës së ND . Por koha kur do e njihja direkt, jo më me të thënat e të tjerëve, ishte koha kur shërbyem të dy në shtabin e BUD-it Vlorë. Fillimisht na lidhi problemi i sigurimit të kuadrove nënoficer dhe të specialistëve punëtorë për ofiçinën e bazës. Kam njohur një Kujtim fjalëpak. Fliste kur duhej dhe aq sa duhej. Nuk merrej me llafe e përgojime për askënd. Shumë i përkushtuar për punën e në këtë kontekst, për atë nuk kishte mik e miqësi në marrjen në punë të dikujt. Më lehtësohej shumë puna pasi e bisedoja me Kujtimin. Ai ishte i prerë dhe shumë herë më mbronte në mbledhjet e emërtesës sidomos kur bëhej fjalë për specialistët, punëtor apo nënoficer. Fjala e tij ishte vendim, sepse ai para se të fliste e kishte analizuar në të gjitha drejtimet, pra ai fliste pasi ishte përgatitur dhe nuk vinte kurrë në diskutime pa u përgatitur. Kur e kujtoj sot, habitem që ai nuk më erdhi asnjëherë për të siguruar ndonjë vend për miq, gjë që ishte normale për mua. Me atë bisedoje qetësisht, sepse ai të dëgjonte duke të parë drejt e në sy, nuk të ndërpriste dhe nuk të kundërshtonte prerë, por, mendohej dhe të jepte një përgjigje më tepër në formë sqarimi për të kuptuar pse ai nuk ishte dakord, apo pse ishte dakord. Kujtimi nuk të falte kur vinte puna tek përgatitja nga ana speciale. Një herë në vit merrnim në provim për të ngritur shkallën e kualifikimit të punëtorëve, sepse kjo lidhej me shtesën e rrogës së punëtorit. Nuk kaloje dot te Kujtimi në se nuk ishe i aftë për atë nivel kategorie që do ta mbroje.

Kujtimi, shokët i kishte të gjithë njëlloj, nuk mbështetej në grupime. Normalisht, kur venim bashkë diku për kontroll, pinim dhe ndonjë kafe. Ai dorën e kishte tek xhepi i tij, nuk pranonte qerasje të pamerituar. Më kujtohet kur merrnim në provim punëtorët e ofiçinës, venim për kafe dhe unë në formë shakaje i thosha: Aaa sot e kam unë radhën. Ti e pate dje. Kështu shpesh herë nuk i linim të tjerët, që në rastin konkret ishin vartësit tanë, të paguanin.

Ndoshta, memoria ngec në ndonjë rast dhe mund të kalojnë momente të pa evidentuara, se jeta e gjatë dhe nuk di të zgjedhësh çfarë të shkruash e çfarë të lësh, si p.sh. unë lashë takimet në Shkollën e Specialiteteve, kur ata vinin për punë praktike në laboratorët tanë. Ka shumë për të shkruar, por të mos bëhem përsëritës i mërzitshëm e kam vlerësuar personin si njeri me cilësitë më të mira e virtyte të larta.

Kujtoj me shumë mall e respekt. Ishte ky mall e respekt që më uli të hedh sado pak radhë në kujtim të Kujtim Peçit.

 

 

FLOTA SHQIPTARE HUMBI KËSHILLTARIN E DUHUR, nga Hamdi Miftar Selimaj

 

 

Kujtim Peçi ishte një person me kulturë shoqërore të mirë dhe me një kulturë profesionale të saktë.

Kujtimin e kam njohur kur isha detar në marinën luftarake detare; një person mjaft autoritar dhe po kështu dhe shoqëror.

Në atë kohë të viteve 1965 unë isha në marinë, ku shërbeva mjaft kohë në brigadën e N/Detseve të flotës luftarake detare si elektricist në N/Detsen e parë me komandant Aleko Pojanin dhe komisar Mejdi Gaçen. Në shkollën e instruksionit në marinë, dolëm në provim me komision nga flota. Në komisionin e zgjedhjes së marinarëve për N/Detset ish dhe Ing. Flamurtar i Brigadës, Kujtim Peçi.

Sigurisht ne si dhe me arsimin përkatës elektrik na morën duke u arsyetuar në bazë të leksioneve të dhëna dhe të shkruara nga Kujtimi dhe shokë të tjerë të Brigadës. Kujtimi ish për degën elektrike të kanalizimit të N/Detseve në bazë të teksteve të shkruar dhe aprovuar nga ministria dhe komanda e flotës. Në leksionet e Kujtimit shquhej shumë inteligjenca dhe saktësia e leksioneve në mënyrën e të kuptuarit dhe më tepër adaptimi  i tyre në gjuhën shqipe dhe mënyra e interpretimit dhe konceptimit të shumë fakteve që determinonin në kontekstin e terminologjisë teknike, me shumë profesionalizëm dhe ide praktike në realizime praktike (flasim në realizimin faktik në kanalizimin e N/Detseve).

Në aspektin shoqëror, kulturor, popullor apo atë inteligjent në ambiente shoqërore, ai ish një person interesant në mënyrën e ndërhyrjes dhe interpretimit të çështjeve dhe zgjidhjes që u jepte problemeve. Gjithmonë i vëmendshëm dhe i depërtueshëm në probleme të ndryshme dhe që i zgjidhte çdo problem me një devocion të rrallë dhe në format krahasuese.

Kam parasysh sidomos në problemet teknike dhe ato të lundrimeve ku ai jepte një kontribut të jashtëzakonshëm në drejtim teknik dhe me një eksperiencë të saktë dhe zbatim korrekt të detyrave të ngarkuara nga organet e Ministrisë së Mbrojtjes. Vdekja e Kujtimit specialistët dhe inxhinierët kanë humbur atë njeri të talentuar, sidomos për flotën, po kështu një këshilltar shoqëror që me veprimet e tij në ambiente dhe shoqëri do të mbahet mënd nga shumë njerëz që kanë qënë afër dhe që kanë punuar me të.

Unë sidomos që e kam njohur nga afër më bën jashtëzakonisht përshtypje personi i tij dhe di të ruaj një kujtim të pazëvendësuar për një person si Kujtim Peçi.

Ngushëlloj familjen dhe të afërmit e Kujtimit, gjithë shokët e shoqet që kanë punuar dhe jetuar me të.

I paharruar kujtimi i tij!

 

 

INTERMEXO SHKENCORE NË UNIVERSITETIN “Ismail Qemali” TË VLORËS

 

 

ING. Naval Kujtim Peçi

Universiteti Teknologjik

“Ismail Qemal Vlora”

 

Lënda: Kërkesë për gradën shkencore “Doktor i shkencave”

Komisionit të kualifikimit shkencor

Ministrit të Arsimit dhe Shkencës

Tiranë

 

 

Kujtim Hariz Peçi datëlindjes 8.03.1939, vendlindja Kuç rrethi Vlorë.

Kam mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Navale në Universitetin “F.E.Xherxhinski” St. Petërburg të Rusisë në vitet 1955-1960, me medalje ari dhe diplomë të shkëlqyeshëm (Nr i diplomës  040018).

1960-1983 K/inxhinier i bazës Luftarake të Nëndetëseve Pashaliman dhe pedagog i jashtëm në Akademinë e Detarisë Vlorë.

1983-1988 K/inxhinier i Marinës (Sazan, Vlorë, Pashaliman, Palermo) dhe pedagog i jashtëm në Akademinë e Detarisë Vlorë.

1988-1992 Shef i katedrës së lëndëve  në Akademinë e Detarisë Vlorë.

1992-1994 i liruar nga ushtria me reformën e vitit 1992.

1994-1996 Pedagog i jashtëm në Universitetin Teknologjik “Ismail Qemali” Vlorë.

1996-1998 Pedagog efektiv dhe dekan i Fakultetit të Marinës në U.T.V ‘Ismail Qemali”.

 

Studime dhe botime shkencore

 

Studimi: “Ndikimi i teknologjive të materialeve të reja në dimensionet e mekanizmave të anijeve” realizuar në vitin 1959 dhe botuar në Buletinin tekniko-Shkencor të Universitetit të St. Petërburg (Leningrad).

Studimi: “Të dhënat e anijes amerikane Cineerman dhe përdorimi i frekuencave të larta në pajisjet energjetike të anijeve”. Botuar në vitin 1960 në buletinin shkencor të universiteteve të St. Petërburg.

Studimi teorik, realizimi në laborator dhe realizimi në praktikë “Balancimi statik dhe dinamik i silurave të nëndetëseve”-1961.

Përpilimi i kushteve teknologjike të riparimit të nëndetëseve (1974-1975), miratimi i tyre dhe përdorimi në praktikë nga kantieri i riparimit të anijeve Pashaliman.

Hartimi i tekstit me tre volume “Teoria, Konstruksionet dhe Drejtimi i nëndetëseve”:

Pjesa e parë –Bazat e Teorisë së nëndetëses.

Pjesa e dytë- Konstruksioni i nëndetëses.

Pjesa e tretë- Teoria e drejtimit të nëndetëses.

Teksti është shtypur në formë dispense në tre volume dhe me targën”Për përdorim të brendshëm”.

Studimi: “Projektimi, prodhimi dhe eksperimentimi i baterive akumulatore të nëndetëseve” i realizuar në bashkëpunim me Uzinën Elektromekanike në Tiranë dhe në uzinën e prodhimit të baterive Berat (1977-1982).

Studimi teorik dhe realizimi në praktikë “Përcaktimi i vendndodhjes dhe nxjerrja në sipërfaqe e nëndetëses që ka avari” (1981). Ky studim është i filmuar dhe i fotografuar sepse në realizimin e tij mori pjesë ish K/Ministri Adi Çarçani, ish-ministri i mbrojtjes Kadri Hazbiu dhe shumë të tjerë që e shoqëronin.

1981 –Regjistrimi në Ministrinë e Mbrojtjes për gradën “Kandidat i Shkencave”.

Tema: “Metodika e llogaritjes të thellësisë aktuale të nëndetëseve dhe disa probleme të perspektivës”.

Provime të dhëna:

Gjuha Ruse -10 (dhjetë)

Filozofia M.L -8 (tetë)

Specialiteti -10 (dhjetë)

Në vitin 1983 tema ishte e përfunduar, por për arsye se Universiteti i Tiranës nuk kishte mundësi për të krijuar komision, ndërsa Ministria e Mbrojtjes nuk kishte të drejtë ligjore, mbrojtja u realizua në komisionin shkencor të komandës së FLD, me qëllim që të dhënat dhe konkluzionet e saj të përdoreshin (Kryetar i komisionit  Ing Viktor Pashko).

Në vitin 1988 në Ministrinë e Mbrojtjes u shtrua problemi i nxjerrjes nga thellësia (66 m) e antenës akustike “Vollkov” dhe kabllit të saj me stacionin bregdetar në ishullin e Sazanit. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u caktua grupi i studimit me përbërje:

Kryetar Kujtim Peçi (K/inxhinier i BUD-it Vlorë)

Ing. Petrit Hekurani (zv/K/ing i BUD –it Vlorë)

Ing. Ilir Mati (i institutit të projt. Usht. N.6)

K/Inxhinieri i Telekomit Shqiptar (pa emër)

Dy pedagogë të Fak, Elektrik (Rryma të dobëta) të U.T (pa emër)

 

U krye studimi dhe u realizua në praktikë.

Teksti i botuar “Bazat e drejtimit të anijes” 1994.

Duke qenë shef i katedrës së lëndëve teknike në Akademinë e Detarisë Vlorë jepja lëndët “Teoria e Anijes” dhe  “Bazat e Drejtimit të Anijes”.

Në këto kushte shkrova (në bashkëpunim me Lutfi Gjikën tekstin “Bazat e Drejtimit të Anijes”.

1994-1997 kam shkruar tekstin “Teknologjia e konstruksioneve navale”. Këtë lëndë për herë të parë në UTV e dhashë unë, dhe një vit më pas mbi bazën e tekstit tim që akoma është në dorëshkrim, këtë lëndë e jep pedagogu Xhemil Qorduka.

1997-1999 teksti i shkruar “Projektimi i Anijeve” i pabotuar në dorëshkrim” Këtë lëndë vazhdoj ta jap unë.

Studimi shkencor “Teoria e probabilitetit dhe teknologjia navale”.

 

Për vlerësimin e veprimtarisë time paraqes:

Tekstin e botuar “Bazat e Drejtimit të Anijes”.

Teoria e propabiliteteve në teknologjinë navale.

 

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

UNIVERSITETI TEKNOLOGJIK

“ISMAIL QEMAL VLORA”

Vlorë 24. 06. 1999

 

LËNDA: Vlerësim për veprimtarinë pedagogjike e shkencore të z. Kujtim Peçi

 

Z. Kujtim Peçi është emëruar pedagog i jashtëm i degës së Inxhinierisë navale qysh në krijimin e Universitetit tonë (1994) dhe më vonë efektiv e dekan i fakultetit të marinës deri në daljen në pension (tani pedagog i jashtëm).

Përfundimi me rezultate të shkëlqyera i studimeve në Fakultetin e Inxhinierisë Navale “Xherxhinski” në Peterburg të Rusisë, përvoja e madhe 25-vjeçare në Kantierin Detar si dhe ajo pedagogjike në Akademinë e Detarisë në Vlorë bën të mundur që z. Kujtim, si intelektual i formuar, të japë një kontribut shumë të rëndësishëm për hapjen e konsolidimin e degës së Inxhinierisë Navale e vetme e këtij lloji në vendin tonë.

Nëpërmjet teksteve të botuara e atyre në dorëshkrim, cilësisë së lartë të përgatitjes së leksioneve si dhe mbajtja me nivel e tyre në auditor z. Kujtim është bërë shembull për një brez të tërë inxhinierësh të rinj, pedagogë të Departamentit përkatës, si dhe udhëheqës për veprimtarinë shkencore të tyre.

Nisur nga kontributi i tij shkencor e pedagogjik nga vlera e botimeve dhe dorëshkrimeve, si dhe roli frymëzues në forcimin e stafit të ri pedagogjik të U.T.V mendojmë se Z. Kujtim e meriton plotësisht ti akordohet grada shkencore “Doktor i Shkencave”.

 

Rektor

Dr. Bilal Shkurtaj [sot Prof. Dr.]

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

AKADEMIA U. “SKËNDERBEJ”

FAKULTETI I DETARISË

Vlorë, 24. 06. 1999

 

LËNDA: Vlerësim i veprimtarisë pedagogjike e shkencore të z. Kujtim Peçi

 

Z. Kujtim Peçi ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Navale në Universitetin “F.E. Xherxhinski” St. Peterburg të Rusisë në vitet 1955-1960 me medalje ari dhe diplomë shkëlqyeshëm.

Hapja e Akademisë së Detarisë (sot Fakulteti i Detarisë) në vitin 1961 është vepër e atyre kuadrove të shquar me nivel të lartë intelektual e të përkushtuar. Një nga ata është edhe Z. Kujtim i cili edhe pse ka mbajtur detyra të larta në Flotën Ushtarake detare, nuk ka ndërprerë asnjëherë lidhjet me Akademinë e Detarisë e cila ishte e vetmja Qendër Shkencore e Flotës.

Kontributi i saj ka qenë i gjithanshëm, por më tepër ka spikatur puna sistematike krijuese shkencore për ngritjen në një nivel gjithnjë e më të lartë programet mësimore. Duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me bazën, studimet e tij kanë qenë të kuptueshme e të zbatueshme në jetë. Me punën e tij sistematike, niveli shkencor i së cilës ka qenë gjithnjë në rritje, z. Kujtim ka imponuar respekt tek kolegët e tij intelektual.

Përvoja shumëvjeçare ka treguar se ai ka qenë protagonist kryesor i zgjidhjes së shumë problemeve të vështira me të cilat është përballur Flota jonë Luftarake Detare.

Përpilimi i leksioneve, dispensave dhe botimi i teksteve ishte kontribut i drejtpërdrejtë për F.Detarisë. Teksti i botuar “Bazat e Drejtimit të Anijes” ishte për mendimin tonë kryevepër e krijimtarisë së z. Kujtim Peçi.

Në vitet 1988-1992 ka ushtruar detyrën e lartë të Shefit të Katedrës së Lëndëve Teknike. Edhe pas shkëputjes nga A. Detare bashkëpunimi i tij ka qenë i vazhdueshëm.

Për nivelin e tij shkencor, e pedagogjik, për punën e tij krijuese dhe botimet, Komisioni i Punës Shkencave të Fakultetit të detarisë jep mendimin e tij unanim se z. Kujtim Peçi i plotëson të gjitha kushtet për t’ju dhënë grada shkencore “Doktor i Shkencave”.

 

Komandanti i Fakultetit të Detarisë

Kapiten i Rangut të II

Kristaq Gerveni

 

 

Oponencë e studimit shkencor

“Teoria e Probabilitetit dhe Teknologjia Navale”

e autorit Kujtim Peçi

 

 

Pas një pune sistematike e këmbëngulëse, autori na paraqitet me një studim serioz në një prej fushave më interesante të shkencës në atë të zbatimit të metodës matematikore, por kësaj radhe në Teknologjinë e Konstruksioneve Navale, e cila përbën një vijimësi në fushën e studimeve në vendin tonë.

Përvoja e gjatë mbi 30-vjeçare në njohjen e teknologjisë navale, pasioni për studim të vazhdueshëm, zotërimi i gjuhëve të huaja e shfrytëzimi i një literature të bollshme kanë bërë të mundur që autori të flasë me kompetencë të plotë për zbatimin e teorisë së probabiliteteve në teknologjinë e konstruksioneve navale.

Lehtësia me të cilën ai operon në të 14 paragrafet, saktësia e interpretimit të formulave dhe zbatimit të tyre në shembuj konkret flet për një njohje të plotë nga ana e autorit të bazave të teorisë së probabiliteteve.

Nëpërmjet një pune këmbëngulëse është arritur që studimi të ketë një strukturë mjaft kompakte e me një vijë të qartë metodike e cila lejon që vlerat e këtij studimi të shfrytëzohen edhe si një material mësimor për fakultetin përkatës.

Kështu tema të tilla si:

Kuptimi për cilësinë dhe gabimet

Burimet e gabimeve në konstruksionet navale

Përdorimi i hallkave dimensionale gjatë prodhimit të elementeve konstruktiv naval

Vendosja e shmangieve rezultante të lejuar dhe të mundshme në përmasat e konstruksioneve navale dhe mundësia e korrigjimeve të tyre, etj…

i krijojnë mundësinë lexuesit që ka kulturën e nevojshme matematike, të hyj me lehtësi dhe qartësi në shtrimin e problemit, të njihet me zbatime konkrete të elementeve teorike si dhe të përgatitet për gjetjen e shembujve analoge.

Në një lidhje të brendshme logjike dhe nëpërmjet shembujve sinjifikativ autori ka arritur që nëpërmjet paragrafëve të tillë si:

Teknologjia e konstruksioneve navale dhe matematika statistikore.

Kushtet e zbatimit të statistikës matematikore në teknologjinë navale.

Karakteristikat kryesore numerike të ligjeve të shpërndarjes së madhësive të vrojtuara etj…

ta përgatisin lexuesin që nga moria e problemeve që ndeshen në praktikën e ndërtimit të anijeve, të mund të fokusohet në disa drejtime kryesore të cilat mund të gjejnë zgjidhje nëpërmjet trajtimeve matematikore.

Dihet s’rritja e cilësisë në procesin e ndërtimit të anijes, ka qenë dhe mbetet nja nga problemet kryesore të teknologjisë së konstruksioneve navale. Kryerja me cilësi të lartë e të gjitha punimeve është burimi i parë për uljen kostos së ndërtimit të anijeve dhe të jetëgjatësisë së shfrytëzimit të tyre. Kërkesat për cilësinë e punimeve janë të formuluara në formë standardesh edhe në regjistrat detare që ka çdo vend. Këtë përvojë autori e ka shfrytëzuar me pjekuri duke treguar se shkalla e përputhjes së detaleve dhe nyjeve reale të prodhuar me parametrat e tyre të përcaktuar në vizatimet e punës, vlerësohet me madhësinë e gabimeve, të cilat ai duke u mbështetur në teorinë e probabiliteteve është përpjekur ti klasifikojë si dhe të trajtojë rrugën e llogaritjes së tyre.

Na duket shumë me vend klasifikimi i gabimeve i dhënë nga autori ku ai rreshton:

Gabimet gjeometrike, d.m.th gabimet në formën dhe dimensionet e konstruksioneve të ndryshme të anijes

Gabime të vijueshmërisë konstruktive, d.m.th gabime në ndërtimin e brendshëm të elementeve të ndryshëm konstruktiv.

Gabime fiziko-metalurgjike që lidhen me strukturën e materialeve

Gabime në pajisjet elektrike dhe të navigimit të anijes

Në këtë punim ai është përqendruar në shfrytëzimin e gabimeve në dimensionet e konstruksioneve të ndryshme për të cilat ka sistemuar edhe burimet nga shkaktohen këto gabime duke bërë një klasifikim shkencor të tyre.

Mendoj se një nga vlerat e këtij punimi qëndron pikërisht në përpjekjet e suksesshme të autorit që duke u mbështetur në njohjen e një numri të madh dukurish nga praktika të arrijë të krijojë një renditje sistematike të atyre që në teknikë quhen gabime.

Teknologjia e konstruksioneve navale, si fushë që studion metodat dhe mjetet për ndërtimin e anijeve të reja, duhet të përfshijë dhe të studiojë dhe ligjësitë dhe fenomenet përgjithësuese në të gjitha proceset teknologjike. Ligjësitë e njohura sidomos ato që argumentohen me aparatin e nevojshëm matematik, që pasqyron lidhjen sasiore të fenomeneve, krijon mundësi të shumta dhe të bazuara, për të gjykuar dhe vlerësuar objektivisht karakterin e proceseve të veçanta teknologjike. Ja pse autori e ndjen si përgjegjësi profesionale të lerë një trashëgimi brezave që do vijnë në vendin tonë pikërisht në këtë fushë të rëndësishme e të pashkelura në literaturën tonë të teknologjisë navale.

Duke patur parasysh faktin që statistika matematike krijon mundësinë për të gjykuar për ligjësitë e çdo procesi teknologjik mbi bazën e përpunimit të një sasie të caktuar të vrojtimeve dhe të dhënave eksperimentale, autori është kujdesur të evidentojë kushtet në të cilat është e mundshme të zbatohet kjo metodë në fushën e teknologjisë navale.

Kështu  për “metodën me zgjedhje” kushti i parë është sasia e mjaftueshme e vrojtimeve, kushti i dytë është rastësia dhe pavarësia e matjeve, kushti i tretë është zgjedhja e dukurive që duhet vrojtuar dhe gabimi i tyre jo sipas karakteristikave të jashtëm, por mbi bazën e përmbajtjes ë dukurisë, kushti i katërt është stabiliteti i procesit teknologjik në të cilin realizohet e njëjta radhë e operacioneve të punës përdor të njëjtat pajisje dhe realizohet e njëjta metodë e matjeve.

Evidentimi i tyre dhe sqarimi nëpërmjet një numri të konsiderueshëm shembujsh nga fusha e teknologjisë navale e bënë këtë metodë mjaft të kapshme e të kuptueshme për specialistët navalë. Pikërisht metoda e përdorur nga autori gjatë gjithë punimit nëpërmjet konkretizimit të ideve me një masë mjaft të madhe shembujsh e bën atë të kapshëm  me vlerë aplikative gjë që përbën një nga anët më pozitive të tij.

Njohja e thellë e literaturës si dhe përvoja e gjatë në fushën e riparimit të anijeve në vendin tonë kanë lejuar autorin të qëmtojë disa nga problemet më të përdorshme në teknologjinë navale në vendin tonë. Kështu autori ka trajtuar në mënyrë të plotë me shembuj argumentues probleme të tilla si:

Metodika e përpunimit të rezultateve të vrojtimeve për gjetjen e ligjit të shpërndarjes të madhësive të vrojtuara

Metodika e gjetjes së vartësisë në teknologjinë e konstruksioneve navale

Saktësia e realizimit të punimeve në pllaz dhe të matjeve në elementet konstruktiv navale

Saktësia e drejtimit, prerjen dhe përkuljen së elementeve prej pjastre të anijes

Të gjitha këto probleme janë analizuar dhe argumentuar nëpërmjet një numri të konsiderueshëm shembujsh nga praktika e zbatimeve të teknologjisë navale në vendin tonë duke përdorur për zgjidhjen e tyre një burim formash e metodash të teorisë së probabilitetit.

Është për tu theksuar se një ndër tiparet më të qenësishme të të gjithë studimit është qartësia e formulimit të problemeve, paraqitja e të dhënave, përpunimi i tyre mbi bazën e formulave të statistikës matematikore dhe interpretimi i përfundimeve të gjetura. I parë në këtë këndvështrim studimi shërben si një material orientues për përllogaritjet e gabimeve e të gjitha rasteve që përmenden në shembujt e shqyrtuar si dhe në rastet analoge.

Një punë lavdëruese është bërë për pasurimin e studimit nëpërmjet ilustrimit të grafikëve, tabelave, figurave, etj…

Të 19 shembujt si dhe pjesa tjetër e materialit teorik janë argumentuar me mbi 43 tabela me vlera të matura, janë interpretuar mbi 23 grafike dhe 29 figura të ilustruar.

E gjitha kjo punë voluminoze e koncentruar në rreth 125 faqe daktilografike përbën një vlerë të madhe jo vetëm për literaturën teorike e kësaj lënde në U.T.V si dhe shembuj demonstrues në lëndën e matematikës së aplikuar në degën e Inxhinierisë Navale e Navigacionit.

Mendoj se në një përpunim të mundshëm të studimit në të ardhmen, autori do të ketë si pikësynim që krahas freskimit me shembuj e zbatime të literaturës bashkëkohore, do të strukturoj edhe më mirë materialin në kapituj që do të përmbledh lëndë përkatëse mbasi kjo e fokuson dhe e orienton me mirë lexuesin. Jam i bindur se gjatë ribotimit do të korrigjohen edhe fjalë apo shprehje që ka karakter didaktik si dhe, ndonjë lapsus që mund të ketë shpëtuar.

Si përfundim nisur nga tematika bashkëkohore që është kapur nga autori, puna e madhe vrojtuese e shkencore që është bërë për zgjedhjen dhe përpunimin e materialit faktik, metodika e përdorur për të krijuar një linjë në vazhdimësi gjatë gjithë studimit, gjuha e thjeshtë dhe e qartë e përshkrimit të dukurive si dhe vlera që përbën vetë studimi për plotësimin e literaturës si specialist dhe asaj mësimore, mendoj se përbën një vlerë të konsiderueshme të denjë për ti dhënë autorit të saj gradën shkencore Doktor i Shkencave.

 

Prof. Dr. Spiro CAUSHI

 

Vlorë, më, 12. 05. 2000

 

 

Diskutim mbi temën

“Teoria e probabiliteteve dhe teknologjia navale”

 

Paraqitur nga Ing. Kujtim Peçi

 

Zoti Kujtim Peçi ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Navale
“F. E. Xherxhinski” St. Petrburg të Rusisë në vitet 1955-1960 me medalje ari dhe diplomë shkëlqyeshëm. Ai është një studiues që e ka nisur punën e tij qysh në vitin 1959, kur ende ishte student me studimin “Ndikimi i Teknologjive të materialeve të reja në dimensionet e mekanizmave të anijeve” të botuar në Buletinin Tekniko-Shkencor të Universitetit të Peterburgut. Pas një viti në 1960 ka botuar studimin “Të dhënat e anijes Amerikane Cineerman dhe përdorimi i frekuencave të larta në pajisjet energjetike të Anijeve” botuar në buletinin shkencor të Universitetit të Peterburgut. Pas përfundimit të studimeve të larta dhe sa fillon punë si inxhinier naval kryen studimin teorik “Ballancimi statik dhe dinamik i silurave të nëndetëseve (1961)” realizuar në laborator dhe të zbatuar në praktikë. Ing. Kujtim Peçi gjatë viteve 1974-1975 është përpilues i kushteve teknologjike të riparimit të nëndetëseve të përdoruar nga kantieri i riparimit të anijeve në Pashaliman. Krahas punës studimore projektuese dhe zbatuese z. Kujtim Peçi harton tekstin me tre volume “Teoria, konstruksionet dhe riparimi i nëndetëseve”.

Në bashkëpunim me Uzinën Elektromekanike në Tiranë dhe uzinën e prodhimit të baterive në Berat gjatë viteve 1977-1982 përfundon studimin “Projektimi, prodhimi  dhe eksperimentimi i baterive akumulatore”, ndërsa në vitin 1981 realizon në praktikë studimin teorik “Përcaktimi i vendndodhjes dhe nxjerrja në sipërfaqe e nëndetëses që ka avari”. Vlen të theksoj që ky studim i karakterit të detarisë gjatë atyre viteve pati një vlerësim të veçantë jo vetëm në instancat shtetërore, por edhe në ato shkencore.

Si një studiues pasionant në fushën e Ing. Navale në kërkim të gradës “Kandidat i Shkencave” ai në vitin 1981 është paraqitur dhe ka prezantuar në Ministrinë e Mbrojtjes temën “Metodika  e llogaritjes së thellësive aktuale të nëndetëses dhe disa probleme të perspektivës” me udhëheqës Prof. Dr. Fehmi Shehu.

Gjithashtu në vitin 1988 është po ai që kryeson grupin e punës me pjesëmarrje nga F.D (Vlorë), Instituti i Projektimit Ushtarak NRG, Telekomit shqiptar dhe Fakultetit Elektrik të Universitetit të Tiranës të formuar nga Ministria e Mbrojtjes për të kryer studimin mbi nxjerrjen nga thellësia 66 m e antenës akustike “Vollkov” dhe kabllit të saj me stacion bregdetar në ishullin e Sazanit.

Gjatë gjithë kohës në punën e tij studimore, projektuese, zbatuese e organizatave një kontribut të madh ka dhënë edhe si pedagog në Akademinë e Marinës të hapur qysh në vitin 1961. Në stafin e pedagogëve të këtij fakulteti ai dalloi për përgatitjen e tij me nivel të lartë dh përfshihet si mësimdhënës i një numri të konsiderueshëm lëndësh.

Me gjithë funksionet e larta që ka mbajtur në Flotën Ushtarake Detare ai nuk ka ndërprerë asnjëherë lidhjet me Akademinë e Marinës si e vetmja qendër shkencore e flotës. Si inxhinier me vizion të gjerë z. Kujtim Peçi ka spikatur me punën e tij sistematike, krijuese dhe shkencore për ngritjen dhe përmirësimin me nivel të lartë të programeve mësimore. Merita kryesore e punës shkencore të z. Kujtim Peçi qëndron në lidhjen e vazhdueshme me bazën për zbatimin në praktikë të veprave shkencore. Përvoja shumë vjeçare e tij ka treguar se ai ka qenë protagonist kryesor i zgjidhjes së mjaft problemeve të vështira me të cilat është ballafaquar Flota Ushtarake Detare. Në fakultetin e detarisë z. Kujtim Peçi ka përgatitur leksione, dispensa dhe ka hartuar tekste me cilësi të lartë dhe bashkëkohore si për shembull “Bazat e Drejtimit të Anijes” që është një nga botimet më të arrira të krijimtarisë së tij.

Për katër vjet rresht (1988-1992) ai ka ushtruar detyrën e shefit të katedrës së lëndëve teknike. Më pas edhe pse u shkëput nga Akademia e Detarisë bashkëpunimin me të nuk e ndërpreu asnjëherë. Me hapjen e degës së Inxhinierisë Navale në Universitetin teknologjik “Ismail Qemal Vlora” në vitin1994 z. Kujtim Peçi emërohet pedagog i jashtëm dhe nuk zgjat shumë dhe bëhet efektiv e më pas dekan i këtij fakulteti deri kur del në pension. Me përvojën e madhe shkencore e pedagogjike me formimin e lartë intelektual është dalluar në mbajtjen e leksioneve. Për komunikimin me pedagogët e rinj ai mbetet shembull jo vetëm për brezat me të cilët ai punoi e drejtoi por do të mbetet si model frymëzimi për brezat që e pasojnë.

Studimi i Ing. Kujtim Peçi mbi aplikimin e metodave  matematikore në teknologjinë e konstruksioneve navale ka të bëjë me saktësimin e proceseve teknologjike navale, të cilat arrihen nëpërmjet përdorimit të metodave të statistikës matematikore. Për këtë autori i studimit ka punuar për një kohë relativisht të gjatë dhe ka shfrytëzuar mjaft mirë rezultatet e matjeve dhe të vrojtimeve të kryera në kantierin e riparimit të anijeve në Pashaliman.

Në këtë studim të përbërë nga tre kapituj së pari jepen qartë konsideracione të përgjithshme mbi saktësinë dhe cilësinë e punimeve në konstruksionet navale, së dyti shprehet lidhja midis matematikës stle dhe statistikore dhe teknologjisë së konstruksioneve navale dhe së treti pasqyrohet aplikimi i metodave të matematikës statistikore në analizën e saktësisë së punimeve teknologjike navale.

Autori i studimit z. Kujtim Peçi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rritjes së cilësisë në procesin e ndërtimit të anijes, i cili ka qenë dhe mbetet një nga problemet kryesore të teknologjisë navale.  Në saj të aftësive të tij profesionale ai është përpjekur gjatë punës së tij të kryej matje dhe vrojtime të shumta ti përpunoj ato nga pikëpamja e matematikës statistikore me synim uljen e kostos së ndërtimit të anijes dhe të arrijë siguri të lartë në jetëgjatësinë e shfrytëzimit të anijes, pra kërkesa për cilësinë e punimeve është shprehur në formë standardesh dhe krijohet një dokumentacion i saktë me zgjedhjet teknike më optimale të detarisë.

Në procesin e prodhimit të konstruksioneve navale është e kuptueshme se lindin gabime të formave më të ndryshme, të cilat autori i ndan dhe në veçanti ai analizon gabimin në formën dhe dimensionet e konstruksionve të ndryshme të anijes (gabimet gjeometrike) sikurse trajton gabimin në ndërtimin e brendshëm konstruktiv të elementeve të ndryshëm (gabimin e vijueshmërisë konstruktive) dhe gabimin fiziko-metalurgjik që shfaqet në strukturën e proceseve të lidhjes midis elementeve konstruktiv etj. Dhe ai që ndodh në pajisjet elektrike dhe të navigimit të anijes.

Autori i studimit është njohës shumë i mirë në shqyrtimin e gabimeve në dimensionet konstruktive dhe përcakton me kompetencë burimet e këtyre gabimeve të cilat nisin që në procesin e prodhimit, pas procesit të montimit nga deformacionet dhe ato metrollogjike. Autori ka meritë të veçantë në paraqitjen e detyruar të këtyre gabimeve dhe spjegon e duke kryer një numër të mjaftueshëm matjesh realizon përpunimin e tyre duke ndërtuar histograma për të parë se cila nga të dhënat është dominonte. Është për tu përmendur e autori i studimit z. Kujtim Peçi duke e njohur me hollësi statistikën matematikore ai përdor si kriter shpërndarjen normale të Gausit kur gabimet e matjeve të ndryshme janë të rastit.

Një punë të thelluar shkencërisht ai ka bërë për përcaktimin e gabimeve të rastit gjatë matjeve dhe mbi këtë bazë ka ndërtuar kurbën e shpërndarjes normale dhe krahas saj ka ndërtuar edhe kurbën e shpërndarjes së vlerave të matura.

Me hollësi është përcaktuar gjithashtu origjina e gabimeve të matjeve duke i veçuar të përgjithshmet nga ato specifiket që hasen gjatë prodhimit dhe montimit të konstruksioneve navale. Për këtë janë marrë shembuj të shpërndarjes së gabim absolut dhe relativ.

Në këtë studim autori ka sjellë një numër të konsiderueshëm shembujsh që kanë vlerë jo vetëm nga metodika e përpunimit statistikor të tyre por edhe nga larmia e problemeve që hasen në konstruksionet navale.

Studimi i z. Kujtim Peçi që përfshin një periudhë disa vjeçare është gjithashtu një këmbëngulje e fortë e tepër serioze për përgatitjen e një materiali bazë dhe të plotë me të dhëna të zgjidhura nga ana matematikore.

Ai me përvojën e madhe të punës në fushën e konstruksioneve navale me kryerjen e këtij studimi të plotë dhe të saktë tregon e është një studiues serioz, kompetent me vlera të mëdha për shkencën shqiptare në përgjithësi dhe për atë të detarisë në veçanti.

Duke përfunduar shprehem edhe njëherë se studimi i z. Kujtim Peçi për nga vlerat e tij si nga Ana teorike dhe praktike është plotësisht i vlefshëm.

Jam i bindur se juria e ngritur për të mbrojtur disertacionin e paraqitur nga Ing. Kujtim Peçi me temë:

“Teoria e Probabiliteteve dhe Teknologjia e Konstruksioneve Navale” do ta vlerësojë atë maksimalisht.

 

Ju faleminderit

Dr. Kajtaz ALIKAJ [sot Prof. As. Dr.]

ELEGJI PËR MEDALJEN E ARTË

Nga Albert R. HABAZAJ

 në nderim të kujtimit të Kujtim H. Peçit –

 

Me mendje të prishur, dora më dridhet,

më prishet shkrimi, shikimi më erret,

për kujtim të Kujtimit energjia më mblidhet,

pika e nxehtë e lotit në letër më derdhet.

 

Nga më vjen kjo energji e më bëhet flakë,

për zjarrin e respektit që bëhet uragan,

në këto vargje për Kujtim Peçin e madh,

vetja si një Kujtim Peç i vogël më ngjan.

 

Sa një vogëlan si ai të jem unë,

do të ndihem mirë për të lënë një gjurmë,

nga që ai shpirt drite na fali aq shumë,

me vullnet hyjnor, Kujtimi, pa zhurmë.

 

Po si na iku Kujtim Peçi nëpër duar?

Pyesin dhe Zotin, as ai nuk beson.

Tempullin e Dijes e ka turbulluar

dhe Engjëjt e Mirë tmerrësisht pikëllon.

 

Trupi i Kujtimit ka shkuar me peshë

në Parajsën e Diturisë dhe Adhurimit,

Dhe atje, si gurrë, për Atdhe e Shkencë

çuditërisht do të burojë kultura e Kujtimit

 

 

*) autor i monografisë “Intelekual i shquar erudit Kujtim Peçi”

Dhe Matilda*) dhe Armandi**) me Lavdien,***)

me Lavdien stoike, si shkrepse e pishtarit,

bashkë me ne të tjerët do të ndihen

se veç Kujtimi s’ka të bëjë me varrin.

 

Më fal, Kujtim, o vëllai im i ditur!

Për ç’ka kemi folur e ç’po shkruaj, më fal,

Me librat e mençur që ke përgatitur

ne do t’i themi vdekjes tënde: Ndal!

 

Ndal e zmbrapsu, këtu s’ke punë

ti, mostër e zezë nuk na e merr dot,

Kujtim Peçi la për brezat gjurmë,

për zemrat tona – përmallim e lot.

 

*) **) ***) – vajza, djali dhe bashkëshortja e Kujtim Peçit

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, inxhinieri i nendetseve, Kujtim Peci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5294
  • 5295
  • 5296
  • 5297
  • 5298
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT