• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Mendimi i lirë” dhe skizofrenia politike!

August 1, 2013 by dgreca

Nga Bardhyl MAHMUTI/

Shkrimi i Fatos Lubonjës, i publikuar në “Sudosteuropa Mittelungen” dhe i ripublikuar në shumicën e gazetave shqiptare dhe portaleve në Shqipëri, në Kosovës në Maqedoni, ku ai nuk bëri asgjë të re pos që vuri firmën e vet dhe u pozicionua në anën e atyre që e cilësojnë Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn si “ vrasës, që u liruan nga Haga pas frikësimit, zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve”, nxiti debate të reja për një temë të vjetër: konfrontimin në mes dy interpretimeve të se kaluarës, të ‘vizionit shqiptar’ dhe të ‘vërtetës shqiptare’ për Kosovën, përball ‘vizionit serb’ dhe të ‘vërtetës serbe’ për Kosovën.  Përpos pozicionimit të qartë të z. Lubonja në favor të kualifikimeve déjà vu, ai akuzoi shqiptarët se “jetojnë në mënyrë skizofrenike të glorifikimit të heronjve…”

Shumica e reagimeve që lidhen me pozicionim e z. Lubonja, e personalizuan skajshmërisht thelbin e vërtetë të debatit. Në të shumtën e rasteve kemi reagime të logjikës Argumentum ad hominem! Ata që ishin pro këtij shkrimi sillnin si argument të vetëm faktin se Fatos Lubonja është intelektual dhe si i tillë, ai ka të drejtë të “shpreh lirshëm mendimin e vet”.  Ndërsa, një pjesë e reaguesve kundër këtij shkrimi shihnin përputhshmëri në mes gjuhës së Fatos Lubonjës dhe atyre që mbrojnë ‘të vërtetën serbe’. Kjo përputhshmëri u dha argumentin e vetëm për ta cilësuar si “pro serb”

Reagimi i gazetarit të Gazetës Espress, Arben Idrizit,  i titulluar ‘Mbi vrasësit e tjerë’ (të botuar më 18 gusht në Gazeta Express) përmes të cilit ai sulmon “politikanët, intelektualët, zyrtarët e ndryshëm madje edhe qytetarët e thjeshtë” duke i cilësuar si ” injorantë dhe maskarrenjë”  pse nuk i janë “mirënjohës z. Lubonja për atë që ka thënë dhe që është dashur ta themi ne. Sepse, Fatos Lubonja është intelektual i rrallë “, dhe pikë!

Z. Idrizi, në “cilësinë e shkrimtarit dhe intelektualit” nuk kufizohet vetëm me kaq. Ai deklaron se njeh edhe dhjetëra vrasës të tjerë të tillë” të cilëve “ua di emrat”, dhe publikoi “një ‘listë’ kriminelësh”.

Ai “themeluesit e shtetit të Kosovës i cilëson si njerëz pa mend por me muskuj dhe armë, dhe se ndër ne ka vetëm budallallëk dhe çmenduri. Ka, pra, skizofreni. Ka sidomos skizofreni!” Sepse “Askush nuk guxon të thotë se ai që konsiderohet ‘legjendë e gjallë’, ‘komandant legjendar’, etj., Adem Jashari, me ngujimin e fëmijëve, grave dhe pleqve, në të vërtetë kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre”…

Me një fjalë, “shqiptari vrasës”, “shqiptari kriminel”, “shqiptari skizofren”, “shqiptari glorifikues i heronjve”…do të përbëjnë shtyllat e shkrimeve të Arben Idrizit, Berat Buzhalës, Halil Matoshit, Imer Mushkolës.

Qëndrimet për dhe kundër cilësimeve të tilla të disa nga personalitetet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës krijuan një atmosferë, siç do ta definojë Berat Buzhala, e cila “imponon” të pozicionohesh në cilin “kamp” je. Në të njëjtën mënyrë siç deklaron Buzhala se ai zgjedh Lubonjën dhe Benin,  unë pozicionohem në anën e atyre që kundërshtojnë kualifikimet e tilla (Jakup Krasniqi, Ernest Luma, Vlora Çitaku dhe Memli Krasniqi ).

Të jem i qartë. Unë flas për pozicionime që tejkalojnë “divergjencat në mes të personave” dhe që nuk kanë të bëjnë aspak me të drejtën e mendimit të lirë! Këtu kemi të bëjmë me lirinë e përcaktimit për njërin apo për tjetrin vizion, për njërën apo tjetrën të ‘vërtetë’.

Më poshtë do të zbërthej zhurmën mediatike që bëhet për të reduktuar shkrimet e z. Lubonja dhe z. Idrisi në nivelin e të drejtës për të shprehur lirshëm mendimin dhe do të nxjerr në shesh se përmes kësaj zhurme tentohet të fshihet realiteti i luftës në mes dy vizioneve për atë që ka ndodhur në Kosovë.

Faktet që do t’i sjellim më poshtë, e që lidhen  me luftën në mes këtyre dy vizioneve, do të na ndihmojnë të shohim përmasat reale të asaj që synohet të fshehet prapa “guximit intelektual”, “mendimit të lirë”, “instinktit të zanatit të intelektualit dhe shkrimtarit”….

‘E vërteta shqiptare’ dhe e ‘vërteta serbe’ për atë që ndodhi në Kosovë!

Në përputhje me atë se në çdo luftë ekziston një luftë paraprake për të legjitimuar apo delegjitimuar veprimtarinë dhe aksionet e caktuara praktike, të dyja palët në luftë për Kosovën, shqiptarët dhe serbet, kishin tërësinë e argumenteve mbi të cilat i mbështesnin të drejtat e tyre, vizionin e tyre dhe këndvështrimet përmes të cilave i vlerësonin të gjitha veprimtaritë praktike dhe diskursive.

Meqenëse “demitizimi i glorifikimit të heronjve të luftës çlirimtare” dhe sidomos “demitizimi i  Komandantit Legjendar. Adem Jasharit “ përbën qëllimin deklarativ të z. Idrizi dhe kompanisë të tyre po ndalem në këtë ngjarje që përcaktoi rrjedhat e mëvonshme të dinamikës së luftës në Kosovë.

Në historinë e krijimit të shteteve kombëtare në Evropë dhe në Ballkan nuk ishte parë një rezistencë si ajo e Komandantëve të UÇK-së, Adem e Hamzë Jashari, nga njëra anë dhe barbarisë së regjimit terrorist të Beogradit, nga ana tjetër. Kjo rezistencë e përmasave mitike i dha karakter legjendar historisë modern të Kosovës. Asnjë personalitet shqiptar i shekullit XX dhe të gjitha partitë politike shqiptare së bashku nuk mobilizuan shqiptarët dhe qarqet politike ndërkombëtare sa mobilizoi heroizmi dhe tragjedia e « Familjes Jasharaj ».

Pikërisht për karakterin legjendar që i dhanë historisë moderne të luftës për liri, humanisti i njohur francez, z. Bernard Kushner, në cilësinë e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën deklaroi në « Kullën e Jasharajve » se «kjo familje meriton Çmimin Nobel»

Ndërsa ata që kanë lexuar shumë libra fiksioni dhe aso historik dhe janë mësuar ta shohin luftën si nëpër libra të luftës, si Halil Matoshi,  imagjinata e tyre nuk mund ta konceptojë se si mund të bien kokat e komandantëve në fillim të tregimit.

Duke parë ndikimin që lufta në Prekaz mund të kishte në qëndrimet dhe vendimet e institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, regjimi i Beogradit, përmes një deklarate  informoi opinionin publik se “ Qeveria serbe ka shprehur keqardhje për viktimat e terroristëve të pamëshirshëm shqiptar meqë policia nuk ka mundur ta dijë se aty kanë qenë të pranishëm civil dhe se UÇK-ja është fajtore që nuk u ka lënë civilëve ta lëshojnë vendstrehimin…. Mizoria e A. Jasharit del në pah edhe nga fakti që ai personalisht e kishte vrarë nipin e vet për ta penguar që të dorëzohet”  (BBC News, Kosovo killings: Belgrade’s official version of events, 12 mars 1998, shih http:/neës.bbc.co.uk/2/hi/ëorld/monitoring/64947.stm)

Deklarata e Qeverisë serbe dhe përpjekjet për të paraqitur luftën e UÇK-së si luftë terroriste dhe bartësit e saj si “kriminel dhe vrasë”  nuk do të këtë  efekte te shtetet e demokracive perëndimore dhe bartësit kryesor të institucioneve politike dhe ushtarake ndërkombëtare.

Për të gjithë demokratët e mirëfilltë u bë e qartë Adem dhe Hamzë Jashari, si udhëheqës të luftës çlirimtare, nuk i kishin përcaktuar ‘vijat e frontit’ të luftës te “pragu i shtëpisë”, siç përpiqeshin ta minimizojnë disa “argat të Serbisë”. U bë e qartë se «Kulla e Jasharajve» nuk ishte “strehimore” siç pretendonte propaganda serbe “ku gjoja terroristët e UÇK-së kishin zënë peng civil, dhe nuk i lejonin të të dilnin”. Për bartësit e institucioneve vendimtare në marrëdhëniet ndërkombëtare u bë e qartë se sulmi barbar mbi Prekazin ishte vetëm njëri nga aksionet e planit gjenocidal të shtetit serb kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të vetmit fajtor për këtë masakër ishin ata që kishin përpiluar, ata që e zbatonin dhe ata që përpiqeshin ta fshihnin vizionin gjenocidal serb për Kosovën.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jenë gjithnjë e më të favorshme për shqiptarët ndërsa diplomacia amerikane do të merr kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit politik të UÇK-së. Këto kontakte do të rezultojnë me Deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Amerikan (në qershor të vitit 1998) se UÇK-ja nuk është organizatë terroriste dhe se ajo duhej të integrohej në procesin e negociatave për përfundimin e luftës dhe përcaktimin e statusit politik të Kosovës.

Diskurset politike dhe propagandistike serbe do të jenë të njëjta edhe për masakrat në Qirez, në Likoshan, në Abri, në Reçak dhe për të gjitha krimet që ndodhën në Kosovë do të përpiqen që fajin t’ua lënë “terroristëve”, “vrasësve” dhe “kriminelëve” të UÇK-së.

Po ndalemi shkurtimisht në «Masakrën e Reçakut» të 15 janarit 1999,  sepse rrëkeja e gjakut të derdhur të civilëve shqiptar nga regjimi terrorist i Beogradit do të thyejë digat e detit gjenocidal të propagandës serbe dhe do të del në shesh e vërteta shqiptare për ngjarjet në Kosovë.

Deklarata e Shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, z. William Wokers, se këtu kemi të bëjmë me ‘krim kundër njerëzimit’ shkatërroi “të vërtetën serbe” dhe shtroi në rend të ditës në agjendën e diplomacisë ndërkombëtare zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.

Të tmerruar nga kjo dinamikë e zhvillimeve politike, diplomatike dhe ushtarake Qeveria e Serbisë urdhëroi hetimin e «Masakrës së Reçakut». Këtë detyrë ua ngarkoi “ekspertëve të mjekësisë ligjore serbe dhe bjelloruse”.

Pas “hulumtimeve profesioniste” ata erdhën te konkluzionet se “asnjë trup nuk bartë shenja të ekzekutimit dhe se trupat ishin gjymtuar më vonë pas vrasjes për të krijuar përshtypjen e masakrës”. Këtë raport “neutral” propaganda serbe do ta shtojë me të dhëna më “precize” dhe përfundimisht do ‘të zbulojnë’ se “terroristët, kriminelët dhe vrasësit e UÇK-së i kishin gjymtuar viktimat për t’ia lënë fajin Serbisë”.

Megjithatë, duhet të përmendim faktin se ‘e vërteta serbe’ për këtë ngjarje  do të ketë përkrahësit e vet në Kosovë, në disa shtete te Ballkanit, të Evropës Lindore, të Azisë, të Afrikës dhe në disa qarqe intelektuale.

Nuk do të ndalem në  mbështetjen dhe përkrahjen e ‘të vërtetës serbe’ nga ana e Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës edhe në kuadër të KS të OKB-së. Sepse një fakt i tillë është i njohur nga të gjithë ata që kanë përcjellur zhvillimet politike në këtë pjesë të Ballkanit gjatë dy dekadave të fundit.

Po ndalem te intelektualët. Sepse siç e njofton Halil Matoshi “ turmën” përmes artikullit të titulluar ‘Shqiptarët, këta racist të ligj, Koha Ditore, 27.07.2013) se “për Anry-Levin intelektuali në të vërtetë nuk është njeri por dimension njerëzor dhe se në kulturën demokratike intelektuali është po aq i rëndësishëm, në mos edhe institucioni më i rëndësishëm aq sa edhe liria e manifestimit apo e drejta e revoltës!”

Nëse bëhet fjalë për filozofin dhe shkrimtarin me famë botërore,  Bernard-Henri Lévy, transkriptimin e emrit të të cilit z. Matoshi e merr nga serbishtja, atëherë opinionit publik po i rikujtoj se gjatë luftës ne mes të vërtetës shqiptare dhe asaj serbe Bernard-Henri Lévy ishte tejet aktiv në mbështetje të UÇK-së dhe luftës për pavarësinë e Kosovës. Për këtë filozof dhe shkrimtar të përmasave botëror e drejta e revoltës për të krijuar dimensionin njerëzor shndërrohet në prioritet për të gjithë intelektualët. (Për ata që nuk kanë pasur mundësi t’i përcjellin zhvillimet e luftës ushtarake, politike dhe diplomatike të asaj kohe dhe nuk kanë mundur të shohin drejtpërsëdrejti Bernard-Henri Lévy në TV-të frankofone, në CNN, në RAI uno dhe në konferenca të shumta anë e mbanë botës i këshilloj që të hulumtojnë në këtë drejtim).

Ndërsa, për të ilustruar mbështetësit  e ‘të vërtetës serbe’ po përmendi rastin e shkrimtarit dhe intelektualit francez Regis Debray, i njohur në opinionin ndërkombëtar si njërin nga bashkëluftëtarët e Çe Gevarës që kishte shpëtuar pa u vrarë nga se ishte dorëzuar pa rezistuar. Pas vizitës një javore që i bëri Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë shkroi një letër publike drejtuar Presidentit të Rebublikës  së Francës, z. Zhak Shirak. Përmes kësaj letre të titulluar ‘Lettre d’un voyageur au Président de la République’[1], dhe të botuar në Le Monde,  me 13 maj 1999, Regis Debray kishte konstatuar personalisht se Serbia nuk ushtron dhunë dhe terror dhe nuk aplikon spastrimin etnik.” Për këtë konstatim ai “sjell fakte se Prishtina është plot e përplot me shqiptarë, ku mund të hahet mëngjesi në një pizzeri të pronarit shqiptar, në shoqëri me shumë shqiptarë”!  Krahas asaj që kishte “parë vet” z. Regis Debray mbështetet në “dëshmitë e dy gazetarëve që kishin mbetur në Kosovë( njëri Serb dhe tjetri Kanadez) për të pohuar se në Kosovë nuk ka krim kundër njerëzimit! Përkundrazi, janë 2000 shtretërit e Spitalit të Prishtinës ku të plagosurit civilë nga bombardimet e NATO-s, shqiptarë dhe serbë, shërohen njëri pranë tjetrit” Ai “rikujton presidentin francez se në vitin 1998 ishin vrarë 1700 luftëtarë shqiptar, 180 polic, 120 ushtarë” . As civilët nuk i harroi Regis Debray. Por, ata nuk janë vrarë nga aparatet represive serbe. Sipas ti, “ UÇK-ja kishte kidnapuar 380 persona, nga të cilët 103 ishin liruar ndërsa të tjerët ishin vrarë pasi ishin torturuar paraprakisht dhe një numër tjetër konsiderohej i zhdukur. Në mesin e tyre edhe dy gazetarë!” (letrën e plotë mund ta lexoni në …. )

15 vite pas deklaratës së Shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, z. \William Wokers, se në Kosovë kishim të bënim me ‘krim kundër njerëzimit’ dhe pas ngritjes së akuzës për ushtrimin e gjenocidit në Kosovë Berat Buzhala përpiqet të minimizojë krimet e Serbisë!

Në fjalimin që mbajti në Kuvendin e Kosovës z. Buzhala deklaroi se “motivi i kryerjes së  krimit ishte i qartë: frikësimi i popullatës dhe dëbimi i tyre prej shtëpive. Po i vrisnin pleqtë e plakat në shtëpi, jo pse ndaj tyre kishin urrejtje personale, por sepse duke i vrarë ata synonin t’i frikësonin të gjithë të tjerët që qëndronin në shtëpitë e tyre.” (Gazeta Express, 25 korrik)

Po rikujtoj lexuesin se sipas Nenit II të Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, të vitit 1948, me gjenocid definohen aktet e qëllimshme që synojnë shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesërishëm të një grupi nacional, etnik, racial, religjioz etj….

Vrasjet dhe plagosjet e qëllimshme të dhjetëra mijë shqiptarëve, pra shkatërrimi i pjesërishëm i një grupi nacional, dhunimet e femrave, që përbejnë cenim të rëndë të integritetit fizik dhe moral përbëjnë faktet mbi të cilat u bazua Gjykata e Hagës kur ngriti edhe akuzat për gjenocid në Kosovë.

Deklarata e z. Buzhala në Parlament se gjoja “motivi i kryerjes së krimit nuk ishte vrasja, pra nuk ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesërishëm i shqiptarëve, por frikësimi i popullatës dhe dëbimi i tyre prej shtëpive” nxjerr në shesh motivin e Berat Buzhalës për minimizuar krimin e gjenocidit në Kosovë.

15 vite pas Luftës në Kosovë “e vërteta serbe” shërben si bazë në qarqet intelektuale pro serbe për të argumentuar tezat se gjoja luftën e Kosovës e kanë udhëhequr “kriminel, vrasës dhe mafioz”.  Po përmendi vetëm disa nga më të zhurmshmet e viteve të fundit: Karla Del Ponte, ‘Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës’ (2009); Dik Marti dhe akuza për trafikimin e organeve (2010); Pierre Péan, ‘ Kosova: një luftë “e drejtë” për krijimin e një shteti mafioz” (2013) ….

Shihni “mendimet e lira” të Fatos Lubonjës “për kriminelët dhe vrasësit e UÇK-së” , të cilat Halil Matoshi përpiqet t’i paraqes si “fakte të bazuara në librat që qarkullojnë lirshëm nëpër libraritë evropiane” dhe mendimet e lira të Arben Idrizit bazohet në “detyrën prej intelektuali” dhe” instinktin e zanatit të tij”.

15 vite më vonë, në mediet e pavarura të Kosovës së pavarur, Arben Idriz parafrazon diskurset serbe për ngjarjen që i hapi rrugën pavarësisë së Kosovës nga Serbia, parafrazon sepse i pëlqejnë parafrazimet këtij tip “intelektualit” dhe “shkrimtarit” dhe nën plafin e “instinktit të zanatit” shpall Komandantin Legjendar, Adem Jasharin “ngujues të fëmijëve, grave dhe pleqve” dhe e bën “pjesëmarrës në vrasjen e tyre”!

Reagimet kundër qëndrimeve serbe të cilave Fatos Lubonja dhe Arben Idrizit u hapën rrugë edhe në hapësirën mediatike shqiptare ky i fundit mundohet t’ i hedh poshtë me arsyetimin se  “ nuk arrin të komunikosh me anëtarët e kësaj turme që nuk dinë të lexojnë dhe që për shkak të mungesës së arsimimit elementar nuk arrijnë ta shkruajnë një fjali të thjeshtë gramatikisht dhe logjikisht korrekt, duke e privuar veten nga mendimi? Dhe nga ‘shkrimi’ i të cilëve e vetmja gjë që arrin me aq mund të kuptosh” vazhdon z. Idrizi” është se janë në gjendje të të vrasin si qenin!”

E drejta për t’u përcaktuar për një vizion politik është njëra nga të drejtat themelore të njeriut. Nuk do të kisha dëshiruar që t’i cenohet dikujt jeta dhe integritetit fizik vetëm për faktin që përcaktohet deklarativisht në mbështetje të vizionit serb. Qoftë ‘intelektualëve dhe shkrimtarëve’ të huaj,  qoftë ‘zanatqinjëve’ të tipit të z. Idrizi. Por, pse e bën krahasimin e vetes me qen, në paragrafin e sipërmendur, këtë e di më së miri vet z. Idrizi. Nëse ‘sinqerisht’ nuk e din, atëherë i sugjeroj të kërkojë ndihmën e psikanalistëve!

Ndërsa sa i përket cilësimit që ai bën për  “paaftësinë e turmës së paarsimuar që nuk arrinë ta shkruajnë një fjali të thjeshtë gramatikisht dhe logjikisht korrekt” le të na e sqarojë ai “si intelektual” që herë përpiqet të identifikohet me Senekën e herë me Salman Ruzhdiun, se sa është “gramatikisht dhe logjikisht korrekte me gramatikën dhe logjikën shqipe shprehja që e vuri në ballinë të shkrimit të tij ‘mbi mitet’, ku deklaron me pompozitet se “nëse e kemi vdekur Zotin, pse s’do mundkemi t’i interpretojmë mitet”! Ju që e “paskeni vdekur Zotin” duhet ta dini se “turma e paarsimuar” e kupton fare mirë se kjo fjali nuk ka as sintaksë e as logjikë shqipe. Le ti pyet patronët e vet, serb dhe shqipfolës, që ia kanë dhënë bashkë me “listën e kriminelëve dhe vrasësve shqiptar” se kush ua përktheu këtë fjali me sintaksë sllave?!

Kur Arben Idrizi habitet pse “ata pale doktorë shkencash, intelektualë, filozofë, shkrimtarë  nuk e tolerojnë, nxisin, mbrojnë dhe përhapin mendimin e lirë” ai nxjerr në shesh besimin që ka mbështetur te stereotipet serbe “për turmën e padijshme shqiptare” dhe mbi këto stereotipe ka shpresuar se do të na e shesë “listën serbe”, “kualifikimet serbe për personalitetet e historisë modern të Kosovës” dhe “të vërtetën serbe për Kosovën” si “mendim të lirë’ dhe si “pjellë e origjinalitetit të instinktit të tyre”!

Pasi “e kishin vdekur Zotin” Arben Idrizi i qaset “interpretimit të mitit të Familjes Jasharaj dhe Komandantit Legjendar”. Kësaj radhe, nën plafin e “mendimit të lirë” përpiqet të fsheh  qëllimin që del qartë nga shkrimet e tij, për ta “vdekur” këtë “mit”!

Dhe për t’i  ‘vdekur’ mitet për Komandantin Legjendar dhe Familjen Jasharaj ai orientohet për  t’i ‘vdekur’  të gjallët që luftuan kundër Serbisë, sepse sipas  këtij lloj “intelektuali” dhe “shkrimtari” ata nuk janë gjë tjetër pos “kriminel dhe vrasës”.

Interpretimin zyrtar dhe të vërtetën shqiptare për heroizmin e Jasharajve dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari, Arben Idrizi e cilëson interpretim “totalitar dhe barbar”. Sa i përket cilësimit “barbar”e pamë në versionin zyrtar serb për këtë ngjarje, të cituar më lartë.  Ndërsa, sa i përket kualifikimi ‘totalitar’ po theksoj për lexuesin se edhe ky kualifikim bëhet në funksion në fshehjes së gjurmëve. Totalitarizmi, si praktikë dhe formë e të menduarit imponon vetëm një pikëpamje të asaj që ka ndodhur dhe që duhet të ndodh! Ajo që ka ndodhur në Kosovë në përgjithësi dhe në rastin konkret në Prekaz, në veçanti, nuk ka lidhje me totalitarizmin! Përkundrazi! Kemi të bëjmë me dy vizion politike dhe ushtarake që luftonin për jetë a vdekje! ‘Vizioni shqiptar dhe e vërteta shqiptare’ përballa ‘vizionit serb dhe të vërtetës serbe’! Në këtë luftë kemi pozicionime për dhe kundër njërit apo tjetrit vizion si në rrafshin vendor (Kosovë) ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar. ( Më lartë i përmendëm vetëm disa nga qëndrimet e e personaliteteve të njohura ndërkombëtarisht pro dhe kundër njërit apo tjetrit vision….

Lista serbe dhe “plagjiatura” në denoncim!

H.Matoshi, B.Buzhala, I.Mushkolaj dhe kompania e “mbështetësve të kësaj forme të mendimit të lirë”  të Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit, përpiqen të fshehin gjurmët se të gjitha këto fakte kanë një burim:  “ të vërtetat serbe” për Kosovën dhe për personalitetet më të shquara të saj.

Në të gjitha reagimet e tyre kundër atyre që i përafrojnë me ‘vizionet serbe’ ata përpiqen që  përmes zhurmës dhe kërkesës që “t’ju sjellin fakte”, të fshehin këtë realitet tragjik dhe patologjik në të cilin ndodheni.

Më poshtë po sjellim faktet konkrete! Por jo për ata që shtireni se nuk i dini, por për atë lexues që nuk ka pasur mundësi t’i sheh!

Në vazhdën e strategjisë antishqiptare dhe në funksion të njollosjes së Luftës së UÇK-së institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete (civil dhe ushtarak) te Serbisë përpiluan dokumentin prej rreth 200 faqesh dhe të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (teksti është në qirilicë dhe është publikuar edhe në shumë portale internet. Të interesuarit mund ta konsultohet edhe përmes internetit në adresën: htt://sorryserbia.com/ëp/belaknjiga.pdf)

Këtë dokument Ministria e Punëve te Jashtme e Serbisë ua shpërndau institucioneve të ndryshme politike dhe diplomatike si dhe te qarqet intelektuale me ndikim në krijimin e opinionit publik të vendeve të ndryshme të botës. Mjafton të shihen librat e përmendura më lartë të Karla del Pontes, Pierre Péan dhe Dik Marti për të parë vetëm një pjesë të influencës së këtij materiali propagandistik, të stërmbushur me shpifjet për personalitetet që më së shumti kontribuan në luftën çlirimtare dhe në procesin e pavarësisë së Kosovës.

Për t’ia vu kapakun dhe për ta nxjerrë fytyrën e vërtetë të kësaj sortë “intelektualësh dhe shkrimtarësh”,  përveç emrave të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt që kishte përmendur Fatos Lubonja, “zanatçiu me instinkt” deklaron me pompozitet se “ unë e di, pa i pasur provat e shenjat, por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari, se vrasës është edhe kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli”.

Kur ai shkruan një gjë të tillë do të kishte qenë e rrugës të jetë i sinqertë dhe të tregoj publikisht se konstatimi i tillë është nxjerrur germë për germe nga dokumenti i përpiluar nga shërbimet sekrete serbe “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”, faqe 46 ku z. Veseli figuron me numrin rendor 23 në këtë listë.

Arbër Idrizi vazhdon me gjoja “listën e vet”! “Vrasës janë edhe Ilmi Reçica e Latif Gashi, menjëherë pas Veselit në hierarkinë e Shërbimit” shkruan ai.

Të njëjtat të dhëna I gjen në dokumentin serbe. Për z.Gashin të dhënat janë nxjerrë nga  faqja 70 dhe ai mban numrin rendor 28 ndërsa për z. Reçica, që mban numrin rendor 105 të dhënat figurojnë në faqen 139;

“Vrasës është edhe Azem Syla” i cili është renditur në dokumentin e lartpërmendur në numri rendor 114 dhe të dhënat figurojnë në faqen 148;

“Vrasës është Rrustem Mustafa – Remi”, me numër rendor 94, faqen 130 në dokumentin serb;

“ Vrasës është Xhavit Haliti” numri rendor 129, faqe 162, në dokumentin serb;

“ Vrasës është Ramiz Lladrovci” me numër rendor 78 dhe faqe 113 në dokumentin serb;

“Vrasës është Sami Lushtaku”, numër rendor 86 faqe 120 në dokumentin serb;

“Vrasës është Xhabir Zharku’,  numri rendor 41, faqe 83 në dokumentin serb;

“Vrasës është Rexhep Selimi, numër rendor 110, faqe 164 në dokumentin serb;

“Vrasës është Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt”, numër rendor 131, faqe 164… etj. etj. Përfundon “listën” e “vet” Arben Idrizi!

“Origjinaliteti“ i listës që publikon Arbër Idrizit qëndron në disa pika. Ky “zanatçi” publikoi në emër të vet përkthimin e këtyre pjesëve të dokumentit serb në gjuhën shqipe, për të cilin nuk dimë se a e ka përkthyer vet apo ia kanë dhënë të gatshme ata që “ e vdekën Zotin”; Në këtë listë u hoqën numrat rendor për t’i humbur gjurmët e burimit serb të informatave dhe për t’u shitur si diçka që buron nga “instinkti” dhe në fund u shtuan edhe tre emra të ri:  “Bekim Haxhiu – Kamishi”, Florin Krasniqi dhe Ukë Rugova, i biri i Presidentit Rugova”!

“Intelektual dhe shkrimtar” se jo mahi! ‘Plagjiaturë’ edhe në denoncim!  “Dhe e tërë kjo bën pjesë në zanatin dhe në instinktin e zanatit tim” deklaron me mburrje Arben Idrizi! Ata që Serbia i konsideron si terroristë dhe kriminel të tillë janë edhe për Arbër Idrizin dhe kompaninë e tij.

Kur ky lloj “zanatçiu” deklaron “se Adem Jashari, me ngujimin e fëmijëve, grave dhe pleqve, në të vërtetë kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre”, pra e cilëson si kriminel në të  njëjtën mënyrë si institucionet e Serbisë që ushtruan gjenocid në Kosovë, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se për cilën arsye ky mbështetës konkret i të ‘vërtetës serbe’ për Kosovën dhe për personalitetet më të shquara të saj nuk shtoi në listën e “vet” edhe emrat e Rifat dhe Bashkim Jasharit, të cilët në dokumentin e lartpërmendur serb figurojnë si “terroristë”, si “kriminel” dhe si “vrasës”. Apo, prapa “etj.etj” ka paraparë t’i shtojë më vonë, kur t’i përkthejë apo kur t’ia japin të përkthyera! Sepse, ai dhe kompania e tyre e dinë se të dhënat për Rifat Jasharin janë në faqen 95 të këtij dokumenti antishqiptar, dhe se ai është renditur i 56 në listën serbe, ndërsa të dhënat për Bashkimin, i cili mban numrin rendor 54 në këtë dokument,  janë në faqen 94.

Fatos Lubonja, Arben Idrizi dhe kompania e tyre përsërisin deri në banalitet se ” ndër shqiptarë ka skizofreni!” “Ka sidomos skizofreni! Sepse askush nuk guxon të thotë se ‘legjenda e gjallë’, ‘komandanti legjendar’, është vrasës i familjes së vet”!

Për ata që nuk e dinë por theksoj se skizofrenia është sëmundje që karakterizohet me personalitet të dyfishtë. Ne, “turma e popullit” që jemi rreshtuar dhe mbrojmë të vërtetën shqiptare për Kosovën, i kuptojmë ata individë, qofshin “intelektual apo shkrimtar”, që luhaten në mes dy personaliteteve: të qënurit ithtar i “të vërtetës serbe” dhe vështirësive për të na e shitur si “mendim i lire”. Kjo skizofreni politike, kjo formë e personaliteteve të dyfishta (jo dyfytyrësisë) mund të provokojë revoltë te “turma e popullit” që janë të bindur në vërtetësinë e interpretimit shqiptar pikërisht sepse skizofrenia politike nuk u lejon Fatos Lubonjës, Arben Idrizit dhe kompanisë së tyre që të pranojnë haptazi se janë rreshtuar në anën e ‘të vërtetës sërbe’ për Kosovën!

Pranoni se duke u fshehur prapa nocioneve “intelektual”, “shkrimtar”, “mendim i lirë”…. ju përpiqeni të fshihni pozicionimin tuaj në favor të ‘vizionit serb’ për Kosovën! Pranoni haptazi të vërtetën dhe do të bindeni me faktin se themeluesit e shtetit të Kosovës, ata që ju  i cilësoni  “si njerëz pa mend por me muskuj dhe armë, të mbushur me budallallëk dhe çmenduri” do të jenë tolerant ndaj “mendimit ndryshe”!

Pranoni haptazi se po përpiqeni të shisni ‘vizionin serb’ për Kosovën dhe për personalitetet më të shquara të historisë së saj te re si  “mendim i lirë”! Pranoni dhe do të bindeni për tolerancën e mbështetësve të ‘vizionit shqiptar’, përkundër arrogancës suaj!

Por, ne “turma pa mend dhe me muskuj” nuk kemi iluzione se ju mund të pranoni publikisht një gjë të tillë! Nuk ju len skizofrenia politike!

 

Meqenëse kësaj sorte “intelektualësh” u pëlqen të tërhiqni paralele në mes “racizmit shqiptar” dhe atij hitlerian, siç bën Halil Matoshi në shkrimin e tij “ Shqiptarët, këta racist të ligj”, ku konkludon se në “ mes gjuhës së një zëdhënësi të AAK-së, të Jakup Krasniqit, Memli Krasniqit, Vlora Çitakut etj. kundër Lubonjës e Idrizit dhe dhomave të gazit nuk ka kurrfarë dallimi” unë po u them se realiteti është ndryshe. Gjuha e Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës, Imer Mushkolajt dhe gjuha e kriminelëve dhe racistëve serb e sintetizuar në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe shërbimet sekrete  të Serbisë  të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”, është gjuhë e njëjtë. Nëse ndonjë veprim është në harmoni të plotë me praktikë e dhomave të gazit hitlerian ato janë furrat dhe shkritoret e minierave të Ferronikelit, të Trepçës, të Borit dhe shumë vendeve të tjera në të cilat u dogjën shqiptarët.

As gjuha e racistëve të ligj serb e as gjuha e atyre që mundohen të përmbysin realitetin e fakteve në favor të ‘vizionit serb’ nuk mund të fshehin  krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë.

Ndërsa, sa i përket asaj që kanë bërë për lirinë e Kosovës personalitetet si Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj , Azem Syla e Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa-Remi dhe të gjithë emrat e personaliteteve që ju i keni nxjerrur nga dokumenti i lartpërmendur serb dhe përpiqeni t’i shisni si rezultat i “instinktit të zanatit” tënd, populli shqiptar i Kosovës thotë shkurt: Ju lumtë pushka trima!

Ndërsa sa i përket «Familjes Jasharaj» në krye me Komandantin legjendar, Adem Jasharin, do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve dhe në memorien historike të luftërave çlirimtare si luftëtarë që i dhanë karakter legjendar historisë moderne dhe vendosmërisë për të krijuar hapësirën e lirë kombëtare! Falë vendosmërie së Komandantit Legjendar dhe bashkëluftëtarëve të tij, në Kosovë u krijua hapësira ku edhe dimension intelektual i llojit të Arben Idrizit dhe kompanisë së mbështetësve të ‘vizionit serb’ munden lirisht të shkruajnë dhe shprehen në mbështetje të këtij vizioni. Por jo duke fshehur gjurmët! Sepse kjo është metodë e ulët dhe mund të ngjall reagime të ‘ulta!  Fatos Lubonja, Arben Idrizi dhe kompania e mbështetësve të vizionit serb në fushën mediatike shqiptare duhet ta dinë se në raportet shoqërore, toleranca dhe arroganca janë reciproke!

Prishtinë, 02 gusht 2013

Bardhyl Mahmuti

(Reagimi bëhet në cilësinë e Ish Shefit të Grupit Diplomatik të UÇK)

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mehmeti, lire, mendimi i, skizofrenia politike

J’accuse!- Po na e vjedhin artin,po na e vjedhin kulturen,po na e vjedhin historinë!/

July 31, 2013 by dgreca

 “I urrej viktimat, që i respektojnë  /ekzekutuesit e tyre !” (Jean-Paul Sartre)/

Nga Fahri XHARRA/

Ne Foto:Krye Engjelli Mikael (Mikel / Mëhill), i Rodonit/

Specialistët e trashëgimisë Kulturore,njëkohësisht anëtarë të /Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë.) denoncojnë një akt barbar që ka ndodhur në Kepin e Rodonit, ku është shkulur një basoreliev disa-shekullor që ata e identifikojnë me krye-engjëllin Mikael (Mikel / Mëhill), ose sikurse thotë historiani Ulqini një objekt pagan. Redoni ilir zinte një hapësirë shumë më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e qytetit të Durrësit.

‘Edhe pse për shekuj me radhë, kjo kala arriti ta mbronte vetminë e saj tragjike, edhe falë një basorelievi të krye-engjëllit Mikael, i cili me shpatë në dorë mbante larg saj hordhitë barbare, kjo kala nuk mundi ti rezistojë gjatë ditëve të sotme. Krye-engjëlli Mikael e mbrojti kalanë e Skënderbeut nga otomanët, nga venecianët dhe nga banorët e zonës përreth, që të mos i shkulnin gurët për shtëpi. Krye-engjëlli Mikael për çudi arriti të shpëtonte edhe nga komunizmi, sistem i dhunshëm ndaj simboleve fetare. Dhe, sot në korrik të vitit 2013-ës, statujën arritën ta shkulin nga muret e Kalasë së Skënderbeut. E shkulën mu në hundën e shqiptarëve, të cilët për të mbrojtur kulturën e tyre, kanë krijuar edhe institucione’. J’accuse  !

Kyçi (elementi tjetër i rëndësishëm i relievit) tregon se Rodoni (Redoni) ilir, krahas perëndisë së detit, ishte edhe perëndi e natyrës dhe udhëtarëve, perëndi mbrojtëse e tregtisë, kaq e zhvilluar në këtë zonë.

Po pyet bota për shqiptarinë  sa të madhe e kanë cmendurinë? ( e përmjerrën  përmendorën  e Gjargj Kstriotit – Skënderbeut) . J’accuse  !

Shukri Zymberi në bashkëveprim me disa banorë të fshatit Muçibabë dëmtuan skulpturën e figurës kombëtare Idriz Seferi. Skulptori thotë se banorët e këtij fshati dëmtuan veprën e tij, sepse Idriz Seferin e konsiderojnë tradhtar dhe nuk e duan ngase besojnë se ai ishte i fesë katolike.J´accuse !

“I urrej viktimat, që respektojnë ekzekutuesit e tyre !”thoshte Jean-Paul Sartre .

Me vjedhjen e artit, kulturës po na e vjedhin edhe  historinë.

”Që aty te lumi duket, mbi një kodër, Kisha e Shën Spasit ose Kisha e Gogëve (e vllehëve) si i thotë populli. Kjo ka historinë e saj. Sërbët e kanë djegur disa herë në kohën e Turkut, se vllehët nuk pranonin gjuhën sërbe në kishë. Ka atje disa varre të vjetër, me kryeshkrime greqishte që mund të na shërbejnë si dokumente historike për të vërtetuar se pjesa më e madhe e popullsisë sërbe e Prizrenit është, në realitet, një popullsi shqiptare-rumune e sërbizuar përmjet kishës, dhe e cila, dikur, ka dashur të rrojë jetën e vet kombëtare.”(Në Prizren, midis të vdekurve dhe të gjallëve, Mitrush Kuteli) dhe diku më largë te Bajrakli Xhamia: ”Ja, të gjithë të vdekurit të këtushëm që flenë nën shenjën e komplikuar të svastikes ariane në trajtë dielli, që i patën sjellë dikur të gjallët, me bujë e me lot. Pastaj u ardhi radha edhe atyre të ikin nga kjo botë – si na ka për të ardhur edhe neve, nesër – dhe mbetën të shkretë.”(po aty).

I nderuari Mitrush Kuteli -Ne jemi viktimat, që  i respektojmë ekzekutuesit tonë

”Mëndimi i përgjithshëm i popullit tonë, sikurse i cdo populli tjetër, vetëm ai është i pagabueshëm” pohonte Frang Bardhi .” Gjithashtu nuk mund të mos merret në këtë rast si një dokument shumë i rëndësishë dashuria e pa besueshme e epirotëve ndaj Skënderbeut, sepse ,me siguri ata nuk do ta kishin dashur aq tej masës sikur Skënderbeu të mos kishte qenë epirot. Kjo është e qartë sepse epirotët nuk luftojnë me qejf nën një prijës prej kombësije të huaj.Dhe që e kanë dashur sa s´ka më ku të vejë, duket sheshit nga puna se ushtarë e tij shumë shpesh hidheshin në rreziqet më të mëdha për të mbrojtur vetë Skënderbeun. ”(F.Bardhi 1636). Çdo popull e njeh për bukuri zanafillën e vet. Dhe ne?

”Më 17 Qershor 13, në Shipskë, Voskopojë në Kishën e  Shën Gjergjit , u vodhë ikonostaset e drurit dhe ajo e arta,si dhe shumë gjëra të tjera me vlerë kulturore.

Ne muajin Mars  2013  nga Kisha e të gjithë të Shenjtërve në Himarë e ndertuar në vitin 1775 , u vjedhën në shtyllat e një ikonostasi te shekullit 18-të.Shkurt ”013 , Kampi i Spaqit në Mirditë me të gjthe që kishte u bart në hekurishte për riciklim.

 Dhjetor 2012 , ikonat në  Kishën e Shën Premtes të bëra nga Onufri , u vjedhën.”

Vidhet arti ,vidhet trashëgimia ,vidhet historia. Lista e vjedhjeve është e gjatë .( http://ekphrasisstudio.com/art-theft-is-a-crime-stop-looting-heritage-in-albania/ )

Chicago Tribune(janar 1994) me dhëmbje raporton : ÄShqipëria është shumë e pasur me pasuri arkeologjike, janë mbi 300 qendra të tilla arkeologjike që e tregojnë historinë e këtij vendi që nga parahistoria. E tërë historia u bart në Greqi ,Itali Gjermani. Ikonat me vlerë prej  5 million $ u zhdukën  nga Manastiri i Ardenicës ” J´accuse!

 “Një komb që në përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh . “(D. Koçi)

J ´accuse !

Fahri Xharra

29.07.13, Gjakovë

Filed Under: Analiza, Kulture Tagged With: Fhari Xharra, historine, Kulturen, po na e vjedhin

MINISTRAT E KABINETIT RAMA& META I HAPIN RRUGEN DEPUTETEVE TE RINJ

July 31, 2013 by dgreca

Shpallja e emrave te Kabinetit të Qeverisë Rama& Meta, hap rrugën për emra të rinj në Parlamentin Shqiptar. Ja lista e emrave, që lënë mandatet dhe atyre që i marrin:

1-Në Lezhë,në vend të Mimi Kodheli i hapet rruga deputetes Mejreme Delishi. 
2- Fier, Ministrja Eglantina Gjermeni dhe Ministri Ilirjan Celibashi u hapin rrugën deputeteve Adelina Rista, Antoneta Dhima. 
3- Minstri Shkëlqim Cani i kandiduar në Dibër, i hap rrugën Hasan Ceni. 
4- Ministri Ilir Beqja ia ka hapë rrugën për Parlament Esmeralda Shkjau. 
5- Damian Gjiknuri, deputet i Elbasanit con në Parlament Luljeta Arapi. 
6- Arben Ahmetaj, deputet i Gjirokastërës ia ka lënë vendin Vladimir Kostës, ndërsa Erjon veliaj-Dashamir Kamberit.. 
7-Ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, ia ka lënë vendin Enkelejda Shkreli. Po ashtu ikin edhe , Lindita Nikolli , Milena Harito, Ditmir Bushat dhe ën vend të tyrë shkojnë në Parlament Erjeta Alhysa , Blerina Gjylameti dhe Ervin Bushati. 
E njëjat gjë ndodh edhe me LSI, ku pesë ministrant ia lëjnë vendin pesë deputetëve. Konkretisht: Në Tiranë, ikën Klajda Gjosha dhe vjen Kejdi Mehmetaj, në Elbasan, ikën Edmond Haxhinasto vjen Bujar Kllogjri, në Durrës, ikën Lefter koka vjen Bujar Derveni, në Berat, ikën Nasip Naco vjen Gledion Rahovica. 

Filed Under: Kronike

NJË DASËM SIPAS TRADITAVE SHQIPTARE NE NEW YORK

July 31, 2013 by dgreca

Kanë qenë më shumë se 500 të ftuar në dasmën që bashkoi vajzën, Diana Gojçaj, e bija e Pashkut dhe Prenës, me origjinën e prindërve nga Hoti me Josephin, djalin e Dedë Nikçit, me origjinën e të parëve nga Kelmendi. Nusja dhe dhëndri që të dy janë të lindur në Amerikë, por dasma iu nënshtrua traditave zakonore të vendlindjes. S’kishte ku shonte më bukur. Një pritje tradicionale në hyrje të restorantit Eastwood Manor në Bronx, të zotët e dasmës janë rreshtuar dhe presin të ftuarit në dasëm, ndërkohë që në mjediset e restorantit dëgjohet muzika tradicionale shqiptare. Orkestra dhe këngëtarët kishin ardhë nga Detroiti. Grupi muzikor i Aleksandër Gjelaj, Alfred Popaj, nuk pushoi për asnjë çast nga ora 7 e mbrëmjes deri në dy pasmesnate. Kamerat televizive dhe ato të fotografive fiksuan çastet e bukura të dasmës.

Sipas traditës shqiptare të veriut, parakalimit të çifteve u prijnë flamurmbajtësit që duartrokiten nga dasmorët që i prisnin ata me duartrokitje dhe me kamera e celularët, gati për fotografim.(Lexoje te plote ne Gazeten Dielli te printuar)

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Diana Gjocaj, Jozeph Nikci, Nje dasem shqiptare, sipas tradites ne NY

PROF. NELSON ÇABEJ, SHQIPTARO-AMERIKANI QË KA TRONDITUR OPINIONIN AKADEMIK ME TEORINË E TIJ TË EVOLUCIONIT

July 31, 2013 by dgreca

Për një kohë të gjatë veshtirësitë që gjente teoria Darwianiane e evolucionit gradual të llojeve i ka ndjerë edhe Profesor Nelson Çabej dhe, duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit.Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qëndror të informacionit epigjenetik në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë.Tashmë ka një teori, që mban emrin e tij.

 NGA DALIP GRECA

Profesor Nelson R Çabej, që jeton në New Jersey, ka një jetë që merret me shkencë, por, përveç revistave të huaja, media shqiptare nuk ka pasë kohë të merret me të.Ndoshta nga që ai është tepër modest dhe nuk mund të dalë para gazetarëve dhe të rrahë gjoksin”Ej , unë jam ai që kam tronditur botën akademike me teorinë time, që i kundërvihet evolucionit gradual të Darvinit”. Ai ka tashmë “patentën” e teorisë së vetë, por nuk është kujtuar askush që t’i akordojë atij qoftë edhe një titull të thjeshtë merite,megjithëse kemi krijuar një ushtri me “Mjeshtra të Mëdhenj” e me “Nder i Kombit”,  edhe pse profesori është aq i njohur në rrethet shkencore, jo vetëm në Amerikë. Është edhe përgjegjësia e ne, gazetarëve, që në median shqiptaro-amerikane, përcjellim si sensacione ndodhi të rëndomta, shpesh folklorike, apo tjerrim lajme se aksh president amerikan, apo zv/president, apo senatorë apo kongresistë, që drekojnë apo darkojnë në pizzeritë a restorantet e shqiptarëve, por nuk shkruajmë dy radhë për  profesorin, librat e të cilit kanë hyrë në rreth një mijë biblioteka universitare amerikane, dhe ka arritur që të renditet në top-listën e librave shkencorë më të lexuar. Nuk e di nëse profesorët e fakulteteve të Shkencave të Natyrës, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, kur spjegojnë teorinë e Darvinit, a u përcjellin studentëve informacionin se ka një shkencëtar në Amerikë, teoria e të cilit,është oponente e asaj të Darvinit për evolucionin gradual, që tashmë studiohet në universitetet amerikane ?! Një teori antirrymë….

Nelson R Çabej është autori i shumë librave në fusha të ndryshme të biologjisë (gjenetike, biologjia teorike, filozofia e evolucionit, biologjisë dhe zhvillimit etj). Ai jeton me gruan, Nikoletën  dhe djalin, Redonin, në pjesën veriore të New Jersey, USA….

TEORIA”ÇABEJ” TREGON SE NGA I MARRIN GENET “INSTRUKSIONET”

Cili është thelbi i kësaj kundërvënie, që përcjell teoria “Çabej”? Sa janë përkrahësit dhe kundërshtarët? Me pak fjalë, ju jeni kundër rrymës, si do të formulohej kjo antirrymë?-kjo ishte njëra nga pyetjet që i drejtova profesor Çabejt.

Përgjigja e tij:Megjithë të çarat e pariparueshme që ka marrë teoria gjenetike e evolutcionit, për arsye të njohura, shumica e autorëve akoma mbeten besnikë të saj, edhe për shkak të  inercisë. Por numri i atyre që vënë në dyshim dhe kundërshtojnë shpjegimin gjenetik të evolucionit vjen duke u rritur. “Rryma e re” nuk është homogjene dhe brënda ka  disa variante të ndryshme.

Profesori më spjegon se Teoria e tij mbështetet në mekanizma epigjenetike (pas- ose mbigjenetike), të cilat kontrollojnë dhe regullojnë funksionin e geneve. Në mënyrë të thjeshtë teoria pohon se çdo gen “di” vetëm një gjë: të prodhojë një ose disa proteina. Por genet nuk dinë atë që është kritike për funksionin e tyre: kur,  ku dhe për sa kohë duhet të prodhojnë proteinat. Teoria”Çabej” tregon se nga i marrin genet “instruksionet” për t’u “ndezur” ose “shuar”. Veç kësaj, organizmat e gjallë nuk jane “thasë” proteinash. Ato janë struktura marramëndësisht komplekse ku miliarda/triliona qeliza të qindra llojeve të ndryshme vendosen në vende të caktuara saktë për të formuar organizmin e kafshës, duke përfshirë edhe njeriun. Teoria”Çabej” e shpjegon zhvillimin e organizmit nga veza deri në pjekuri, jo me informacionin gjenetik në ADN, por fillimisht me informacionin epigjenetik që prindët vendosin në qelizat seksuale (vezë e qelizë spermatike) e, më vonë, gjatë zhvillimit embrional deri në pjekuri, “instruksionet” për zhvillimin e organeve dhe formimin e organizmit vinë nga sistemi nervor në formën e sinjaleve kimike.

10 VJETË PËR TA SHKRUAR LIBRIN E “TEORISË ÇABEJ”

Teoria”Çabej” është konkretizuar në një libër voluminoz. Ky libër erdhi si kurorëzim i një pune 10-vjeçare. Pas provave të para që bëri duke hedhur për diskutim për disa vite idetë e veta me biologë nga shumë vënde të botës në newsgrupe të biologjisë ne internet, në vitin 2001 ai arriti të botoi një libër me titull “Quantic Evolution” (Evolucioni Kuantik), ndërsa në vitin 2004 –  librin Neural Control of Development (Kontrolli Nervor i Zhvillimit Embrional) dhe pas tre vjetëve pune intensive,të lodhshme, por pasionante, në vitin 2008 arriti që të botoi teorinë “Çabej” në formë të plotë në një vëllim prej 900 faqesh, që mbante titullin “Epigenetic  Principles of Evolution” (Parimet Epigjenetike te Evolucionit). …

(Lexoje në  Diellin e printuar)

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, e Evolucionit, profesor Nelson cabej, teoria e tij

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5298
  • 5299
  • 5300
  • 5301
  • 5302
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT