• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTRIBUTI I FAIK KONICES NE GJUHESI

July 11, 2013 by dgreca

Shfletojme ALBANINE e ustait te gjuhes shqipe, ish editorit te Diellit dhe kryetarit te Vatres, Faik Konica/

Eruditi Faik Konica ka nje kontribut te jashtzakonshem edhe ne fushen e gjuhesise. Në përpjekje për të ringjallur gjuhën shqipe, atij nuk mund t’i mohohet roli i prijesit. Në vitet më të vështira për shqipen ai dha kontribut të rrallë për pasurimin dhe modernizimin e saj, sidomos të leksikut deri atëherë të rrudhur, të cunguar e të asfiksuar prej hegjemonisë gjuhësore turke./

DIALEKTET SHQIPE DHE NEVOJA E SHKRIRJES SË TYRE

Dy dialekte të mëdha, – të cilat ndahen vetë në dialekte të tjera, por shumë pak të rëndësishme, – e ndajnë Shqipërinë në mes: dialekti gegë në Veri dhe dialekti toskë në Jug. Një lumë, Shkumbini, shënon pikënisjen e dy dialekteve. Duke studiuar, qoftë edhe përciptas, natyrën e gegërishtes e të toskërishtes, nuk vonojmë të vëmë re se dallimet mes tyre nuk janë më të mëdha nga ato që shquajnë mënyrën e të folurit të një normani nga ajo e një guaskoni. Në fund të fundit mund të thuhet se ky dallim kufizohet në ngjyrime shqiptimore. Por në një vend ku traditat shkollore mungojnë, këto ndryshime shqiptimore janë theksuar në vend që të zbuten; dhe shqiptarët, duke mos pasur për udhërrëfyes drejtshkrimor as fjalorë, as akademi, doli se – kur menduan të lëvrojnë gjuhën e tyre – ata nuk ndoqën tjetër rregull drejtshkrimore veç asaj që t‘i shkruanin fjalët siç shqiptoheshin. Në këtë mënyrë, po qe se do t‘i jepnit një shqiptari të veriut dhe një shqiptari të jugut një tekst për të përkthyer, do të kishit dy përkthime, gjuha e të cilave, në pikëpamje të morfologjisë, do të ndryshonte thuajse aq sa ndryshon spanjishtja nga italishtja. As rreziku i bashkëjetesës së këtyre dialekteve të kundërta, as vështirësia për t‘i shkrirë së bashku, nuk do t‘u shpëtojnë shqiptarëve të pajisur me njëfarë largpamësie. Nuk është çështja të hiqet gegërishtja apo toskërishtja dhe as të shtyhen shqiptarët të ndryshojnë, në përdorimin e përditshëm, dialektet përkatëse për të mbërritur në njëfarë njësie të gjuhës; kjo është e pamundur. Dhe nga ana tjetër do të ishte pa vend, sepse të duash të ndryshosh të folurën e një populli, do të thotë të ndryshosh karakterin e tij dhe të shkatërrosh personalitetin e tij; dialekti toskë, i gjallë, i përpunueshëm, i hollë, në zhvillim të vazhdueshëm, e përmbledh mirë natyrën toske, që përbëhet nga dhuna e përmbajtur, mendjemprehtësia, shkathtësia, intriga e paqëndrueshmëria; dialekti gegë, përkundrazi, i ngadalshëm, i rëndë, i pandryshueshëm, i zhveshur nga shprehjet me dy kuptime, përmbledh për mrekulli karakterin gegë, i përbërë nga serioziteti e çiltërsia e pastër, shpesh pa ligësi, e mbi të gjitha armik i risive. Çështja është të arrihet të krijohet, përtej bashkëjetesës paralele të të folmeve toske e gege, një gjuhë letrare, një gjuhë e shkruar, që të jetë e përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Po të dëgjosh disa shqiptarë të mësuar, të cilët i pyetëm për mendimin e tyre, kjo çështje as që duhet shtruar fare. Sipas tyre, do të vijë një ditë kur dialekti toskë – pasi të ketë mbërritur, me një zhvillim të cilin e shohim për ditë të përparojë, në lartësinë e gjuhëve të mëdha moderne – do ta përthithë fatalisht dialektin gegë, i mbetur pa lëvruar; dhe citojnë, në mbështetje të mendimit të tyre, këtë fakt, në të vërtetë i saktë, që shumë shqiptarë gegë përdorin toskërishten kur shkruajnë. Por ne nuk e kemi këtë mendim, pasi, përveç se fakti që ata përmendin nuk na duket shumë bindës, dialekti gegë përmban qindra shprehje frazeologjike të humbura nga toskët dhe që janë thesarë të vërtetë të lënë trashëgim nga të parët tanë që nga lashtësia. […]
Ndoshta çështja do të gjente një zgjidhje të lehtë e të shpejtë, në qoftë se do ta ruanim toskërishten si gjuhë të prozës dhe gegërishten si gjuhë për poezinë. Natyra përkatëse e të dy dialekteve do të përshtatej pa dyshim me këtë rol. Mënyra e gjerë dhe fisnike, edhe pse pak e përpunueshme, e gegërishtes, duket se i shkon për shtat ritmit të mendimeve e të ndjenjave; ne kemi botuar së fundi (Albania 91) një sonet të admirueshëm, të parin të botuar në gjuhën tonë, të një shkodrani të ri, i cili jep një përfytyrim të asaj çka mund të bëhet dialekti gegë në duar të afta [soneti Vorri i Skandërbegut me autor, pas gjasash, Filip Shirokën, botuar te Albania 1897/6 – K.J.]; ne kemi botuar herën e fundit dy sonete të tjerë [Hovi i Mirditës n‘luft dhe Gaireti i shqyptarve n‘luft botuar botuar pa emër autori te Albania 1897/9 – K.J.], gjithashtu të një autori gegë, bukuria e shëndetshme e të cilave e përforcon këtë përshtypje. Por, të themi të drejtën, sendërtimi i këtij mendimi nuk do të ishte aspak i mundur në një vend ku njerëzit, në përgjithësi pak të rysur në njohjen e dialektit të tyre, janë aq më pak të aftë të mësojnë të shkruajnë dialektin fqinj. Jo! Zgjidhja më e mirë e problemit, më praktikja, do të ishte krijimi i një gramatike – të miratuar nga shqiptarët e mësuar dhe albanologët – ku të gjitha elementet dialektore, të mbledhur në grupe, të pajtuar, të bashkërenduar sipas një metode racionale e shkencore, do t‘i jepnin shkas lindjes së një gjuhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, ashtu si grekët kishin Koïnê glôssa-n e tyre. (botuar në frëngjisht te Albania, 1897/10)

ETIMOLOGJI E LOJËRA FJALËSH.RRETH NJË LIBRI

Ka një numër fjalësh në greqishten e vjetër, prejardhja e të cilave duket qartë se është shqipe: fakt që nuk duhet të na çudisë aspak, nëse mendojmë që këto dy gjuhë kanë qenë në kontakt qysh në antikitetin më të hershëm. Por numri i fjalëve që ka dhënë hua gjuha shqipe nuk është asgjë në krahasim me ato që ajo ka marrë. Ky nuk është mendimi i gjithkujt; dhe, duke ndërruar rendin e fakteve reale, disa pretendojnë se të gjitha fjalët që shqipja ka të përbashkëta me gjuhë të tjera, janë të gurrës shqipe. Për më tepër, duke marrë shkas nga disa përkime tingullore të rastit, ata duan të na tregojnë gjithandej rrënjë shqipe. Shkenca e Gustav Meyer-it tashmë i ka vënë përfund këto fantazi; fryt i një pune të mundimshme e madhështore, punimet e albanologut të shquar të Gracit ia kanë nënshtruar shqipen një analize racionale, kundërshtare të përfytyrimit. E megjithatë, duket se vargu i talljeve gjuhësore është larg së shteruri.[…]
(botuar në frëngjisht te Albania, 1897/6)

NEOLOGJIZMAT DHE LIGJET E ZHVILLIMIT FONETIK NË GJUHËN SHQIPE

Nuk do të ishte një përfytyrim bosh t‘i krahasonim gjuhët me organizmin njerëzor. Ashtu si trupi i njeriut formohet, zh villohet dhe rritet duke marrë fuqi e shëndet, falë ndihmës së lëndëve të huaja, po ashtu një gjuhë arrin në një fuqi shprehjeje e në një jetë të vetën vetëm me anë të huazimit paraprak të një sasie elementesh të huaja. E po ashtu si trupi tret ushqimet, ashtu edhe gjuha shndërron, për t‘i përthithur, fjalët që merr nga një gjuhë tjetër. Po ky shndërrim që një gjuhë u bën fjalëve të huaja – para se t‘i bëjë të vetat, para se t‘i injektojë, si të thuash, në damarë – nuk është një punë e rastit ose e trillit: është një funksion i vërtetë që, ashtu si funksionet e tretjes, ka ligjet e veta: janë ligjet e zhvillimit fonetik.
Gjuha shqipe, e varfër mbi të gjitha, madje më fort e varfëruar, ka ndier – sapo ka filluar të lëvrohet pak seriozisht – nevojën për të shtuar fjalorin e saj: që këtej ka ardhur një tufë neologjizmash, që vetëm sa shtohen nga dita në ditë. Këto neologjizma janë dy llojesh. Disa shkrimtarë krijojnë terma të reja thjesht duke bashkuar fjalë shqipe ekzistuese, një mënyrë sintetike shumë e mirë, e cila mund të qortohet ndonjëherë si e pamjaftueshme; nga ana tjetër, ata që e përdorin shpesh herë bëjnë gabimin që i ngjisin keq fjalët e bashkuara, dhe që e përdorin tepër shpesh prapashtesën disi të pakëndshme -ës. Shkrimtarë të tjerë, për të dhënë mendime që shqipja nuk mund t‘i shprehë, marrin lëndë nga fjalori i latinishtes e i greqishtes klasike: një mjet i ligjshëm, meqë është i nevojshëm; edhe ne vetë e kemi përdorur shpesh, por pa lënë pas dore mënyrën e sintezës. Por duhet thënë se, nëse neologjizmat e kategorisë së parë, në të shumtën e rasteve, janë të rëndë e të trashë, të tjerët janë thuajse gjithnjë të patretshëm, të vrazhdë, të papërshtatur. Shkrimtarët që merren e krijojnë të tilla, duket se nuk e kuptojnë që një fjalë, e zhvendosur siç është nga latinishtja në shqipe, stonon mes fjalëve të tjera, tingëllon keq në vesh, ruan një fizionomi barbare, që e bën qesharake: me këtë ata vërtetojnë se nuk njohin ligjet më elementare fonetike të gjuhës shqipe.

Këto ligje janë të shumëfishta: për t‘i nxjerrë e formuluar të gjitha do të duheshin njohur të gjitha etimologjitë e fjalëve shqipe. Filologu i madh Gustav Meyer e ka shtruar më parë rrugën me punimet e tij të shkëlqyera; por unë dyshoj nëse ai i ka shmangur gjithmonë hamendësimet dhe sidomos nëse është krejt i plotë. Sidoqoftë, ne tashmë i dimë parimet e këtyre ligjeve […] (botuar në frëngjisht te Albania, 1897/6) BUKURI, DOBl, VDOBËSI E GJUHËS INGLISHT Sot për sot është vënë re në të gjith‘ anët që gjuha in glisht ka marë dhe po mer një rëndësi të madhe. N‘Evropë, më të pasurat e më të mëdhatë fëmijëra [familje – K.J.] e quajnë për nder të rritin djemt‘ e tyre me një mësonjëtor inglis; në shkollat e Francës, e Gjermanisë, e Belgjisë, e Hollandës dhe tjatërkund, mësimi i gjuhës inglisht është dëtyrë.
Kur kërkon njeriu shkaket për cilët kio gjuhë zjen në të gjith‘ anët, më parë gjen bukurin‘ e saj. Dhe me të vërtet, gjuha inglisht është një nga më të bukurat e dheut; letratura e inglizëve s‘ ka shoqe në faqe të dheut; gjenia e aedhëtorëve [poetëve – K.J.], si Shakespeare (këndohet: Shekëspir), Milton, Pope, Byron (Bairën), Shelley (Shele), Tennyson, ka enthusiasur mijonëra të ditur dhe artistë. Në krye të XIX shekull poezia mori në Francë një sulmë të re; kryetorët e kësaj sulmës ishin Lamartini dhe Hugua [Viktor Hygo – K.J.], cilët kishin ushqyer mënden e tyre me këngat e Shakespearit dhe Byronit.
Përveç bukurisë, gjuha inglisht ka dhe një dobi të madhe. Statistikat dëftejnë se inglishtia kuvëndohet prej treqint mijon njerëzve; dhe ky numër dita me ditën po shtohet. Kudo që të veni, me inglishten u kanë për të kuptuar: s‘ ka nukë vetëm qytet, por as pshat n‘ Evropë ku të mos gjendet njeri të marë vesh këtë gjuhë; përveç Inglëdheut [Anglisë – K.J.], inglishtia flitet në tër‘ Amerikën e Nordit, në Hindi dhe në shumë të tjera vise.
Pastaj, s‘ësht as nonjë gjuhë e rëndë për të msuar. Ka, për kundrë, vdobësi [lehtësi – K.J.] të madhe. Gjithë ata qi kanë msuar fillollogjinë, e dinë fort mirë që inglishtia, pas persishtes, është gjuha cilës gramatika është më e tarrura [e qëruara – K.J.] nga gjëmbat.
Një fjalë për të mbaruar: Në gjuhën inglisht – miaft çudi! – ka ca fjalë qi janë si në shqipen. P.tr.: Jam inglizët i thonë I am, derë i thonë door, ju i thonë you (këndohet ju). Për këtë do të bëjmë fjalë gjër‘ e gjatë më tutje. (Albania, 1897/5)

MËNDIME GJUHËSIE

Tedesk – gjerman Një bashkëpunëtor i ALBANIËS ka dhënë këtu një vijë të mirë për të begatuar gjuhën me fialë të ra. Duhet shtuar një shënim për emërat e kombeve, të popujve, të viseve, etj. Këto fialë, kur nuk i kemi, duhet 1. a t‘ i lëmë shqip si janë në gjuhë të vetë 2. a, kur nukë bien mirë në vesh, t‘ i marim nga latinishtia duke i shqipëruar. Pas kësaj rregulle, shqipëtarët e veriut s‘ bëjnë mirë që thonë tedesk. Ç‘ është kio fialë italiane? A thomi dot shqip Deutcher, sikundër i thonë vetes tedeskët? Jo! Ahere le të marim fialën Germanus, shqip gjerman. (Albania, 1902/5)

Filed Under: Featured Tagged With: dialektet e gjuhes shqipe, e Faik Konices, Shfletojme Albanine

Letrat e Kostë Çekrezit ne Gazeten New York Times

July 11, 2013 by dgreca

Shqiptari i njohur, Kostë Çekrezi, shkruan në “The New York Times”. Pse u zhgënjyen shqiptarët me premtimet boshe të austro-hungarezëve

Nga Kostë Çekrezi*

Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë së Vjenës, më 8 tetor austriakët janë larguar nga rajonet e Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, të cilat kanë qenë nën kontrollin e tyre për më shumë se dy vjet. “Ne kemi tërhequr divizionet tona nga Shqipëria. Kjo u bë e nevojshme për shkak të ngjarjeve në frontin bullgar. Berati ra në duart e armikut (trupave italiane) pa luftë”, – theksonte buletini austriak i luftës. Njëherësh me lajmin e tërheqjes së trupave austriake erdhën lajme për bombardimin e Durrësit nga baza detare austriake në Shqipëri prej anijeve të luftës amerikane, britanike dhe italiane, qytet i cili së fundi ishte kryeqyteti i Mbretërisë Shqiptare. Ajo që duhet të theksohet është se për herë të parë forcat amerikane kanë kontakt me pjesën e forcave të armikut, atje dhe kanë marrë nën kontroll operacionet ushtarake.

Lajme kontradiktore

Megjithatë, Roma zyrtarisht njoftoi se “trupat italiane në Shqipëri nisën të martën (më 1 tetor) një avancim energjik në zonën midis detit Adriatik dhe lumit Osum”. Më 9 tetor (të mërkurën e kaluar) Roma zyrtare shtoi se trupat italiane kishin hyrë dhe kishin kaluar Elbasanin, një nga qytetet kryesore shqiptare. Italianët e kishin detyruar armikun të largohej në veriperëndim të lumit Shkumbin dhe më pas ata kishin avancuar në rrugën drejt Kavajës, me synimin për të bllokuar largimin e forcave austriake dhe për ta bërë të pamundur një tërheqje të suksesshme të tyre. Pavarësisht kësaj, në dukje ekzistonte përplasja midis njoftimit të Austrisë, i cili citon se “ne i kemi tërhequr divizionet tona nga Shqipëria” dhe komunikatës së përditshme, të lëshuar nga autoritetet italiane, e cila shprehet se vazhdon betejat me armikun që po tërhiqet. Nga të gjitha këto informacione del përfundimi se Shqipëria po çlirohet shumë shpejt nga mbeturat e fundit të dominimit austriak. Gjithçka është e hapur për përparimin e ushtrive aleate, pjesa më e madhe e të cilave përbëhen nga forcat italiane të ekspeditave në Shqipëri.

Zhgënjimi prej austriakëve

 

Në realizimin e largimit të detyruar nga territori shqiptar, austriakët lanë pas një popullsi të pezmatuar, të cilën ata e kishin vënë në gjumë me mashtrime dhe premtime të gënjeshtërta dhe në zemrat e tyre ata shkaktuan shpresa të kota dhe zhgënjime.
Në hyrjen në territorin shqiptar gjatë verës së vitit 1915, komandantët austriakë kishin qenë të autorizuar nga qeveria e tyre t’u deklaronin shqiptarëve se ata po vinin në Shqipëri si aleatë dhe miq dhe se Austria po shqyrton nëse ata do të kenë një qeveri të pavarur kombëtare që do të zgjerohej në kufijtë etnografikë të Shqipërisë. Austriakët i gjetën shqiptarët në pikëllim për humbjen e pavarësisë së tyre dhe po xhindoseshin për ndërhyrjen e vazhdueshme të Serbisë dhe Malit të Zi, kryesisht për mënyrën se si i trajtonin pakicat shqiptare.
Më pas, a ishte më e lehtë për austriakët kjo, apo të pranonin kërkesat e papërmbajtura të shqiptarëve për liri, bashkim dhe pavarësi për të gjithë racën shqiptare, pikërisht siç bëri Napoleoni dikur me italianët?
Koha kaloi shumë shpejt dhe Austria tashmë i kishte ngurtësuar pozicionet e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët e paduruar në lidhje me premtimet e shumta të saj.
Lord Bajroni i atribuonte shqiptarët me faktin se ata nuk ia kishin kthyer kurrë shpinën armikut, se nuk e kishin prerë në besë mikun dhe se natyrshëm i kërkojnë që kjo miqësi të mos pritet në besë. Nevoja ushtarake apo gjendja e ligjit të luftës nuk janë argumente bindëse për shqiptarët. Ata besojnë në shprehjen se premtimi i bërë dikur duhet të mbahet. Pasi Austria ishte duke zvarritur premtimet e shumta në lidhje me ta, shqiptarët i dolën kundër në rebelim të hapur austriakëve gjatë dimrit të viteve 1915-1916. Ajo ç’ka i nxiti akoma më tepër dhe i bashkoi banorët e Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme në një luftë të përbashkët kundër Austrisë ishte qëndrimi i saj ndaj mbretit Konstantin të Greqisë.
Në kohën kur Austria pushtoi rajonet e Veriut dhe të Shqipërisë së Mesme, trupat e mbretit Konstantin mbajtën nën kontroll Shqipërinë e Jugut. Natyrisht, kjo ishte një gjë e pistë dhe bëri që pjesa tjetër e shqiptarëve të lëshohej për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Jug.

Vjena kundër planeve

 

Por Austria doli kundër të gjitha planeve për çlirimin e Shqipërisë Jugore. Trupat shqiptare u rebeluan dhe shumë shpejt disa prej tyre kaluan në anën e forcave Aleate.
Duke u përballur me një situatë të tillë të rrezikshme, gjeneral Pflanzer-Blatin, komandanti austriak në Shqipëri, më 9 mars 1916 lëshoi me autorizimin e qeverisë së tij një deklaratë solemne. Përmes saj ai deklaroi se Austria ka ndërmend të mbajë premtimet e saj që të krijohet një qeveri kombëtare shqiptare dhe se Shqipëria do të fitojë shumë shpejt kufijtë e saj etnografikë me mbështetjen ushtarake dhe nën mbrojtjen e Perandorisë Austriake. Pavarësisht nga deklarata, e cila në anën tjetër tregoi se nuk bëri asgjë përveçse një letër mbeturine, propaganda dhe nervozizmi i shqiptarëve po rritej çdo ditë dhe austriakët vijuan në mbajtjen e tyre të nënshtruar përmes masave të rrepta dhe ekzekutimeve të shumta. Ajo është raportuar se vetëm në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 1916 ishin ekzekutuar rreth 100 drejtues fisesh dhe oficerësh. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të njohur dhe disa udhëheqës të lëvizjes kombëtare akoma mbahen të internuar në Austri.

 

 

Shqipëria kërkon të njihet si palë fituese pas Luftës I Botërore

Nga Koste Çekrezi

 

Në një artikull timin, i cili u botua në një nga rubrikat e gazetës tuaj më 20 tetor të vitit të kaluar, unë diskutova problemin e Shqipëri në lidhje me përpjekjet e forcave Aleate në drejtim të saj, me një theks të veçantë, trajtimin e saj nga Aleatët fitimtarë. Unë shtrova pyetjen lidhur me çështjen nëse shqiptarët do të lejohen të krijojnë një qeveri të tyren.

Krijimi i qeverisë

 

Përgjigjja rreth çështjes time erdhi javën e kaluar përmes një kabllogrami nga ministri i ri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë drejtuar Federatës Panshqiptare “Vatra” në Amerikë, më datë 23 janar, e cila njofton krijimin e qeverisë së re shqiptare me kryeqytet të përkohshëm Durrësin. Qeveria e re është e përbërë nga anëtarët si më poshtë:
President – Turkhan Pasha, ish-kryeministër i Shqipërisë
Zëvendëspresident – Preng Bib Doda, princi katolik i Mirditës
Ministër për Punët e Jashtme – Mehmet bej Konica, ish-ministri shqiptar për Greqinë
Ministër i Brendshëm – Mehdi bej Frashëri, ish-guvernator i Durrësit
Ministër i Arsimi – Luigj Gurakuqi, ish-drejtori i Shkollës Normale të Elbasanit
Ministër i Drejtësisë – Peter Poga, edhe më parë ishte në të njëjtën detyrë
Ministër i Ekonomisë Kombëtare – Lef Nosi, ish-drejtues i Postë Telegrafit
Ministër i Financës – Feizi bej Alizoti, ish-ministër i Brendshëm
Ministër pa portofol – Mufid bej Libohova, Majkëll bej Turtulli, Mitat bej Frashëri dhe Monsinjor Bumçi, Bishopi Katolik i Alessio-s.
Formimi i këtij kabineti të ri, në të cilin Partia Nacionaliste mban shumicën e posteve, është vullnet i vendosur nga populli shqiptar, i dalë nga Asambleja Kombëtare, e cila ishte mbajtur në Durrës më 23 dhjetor 1918. Veç kësaj, qeveria e re është përpiluar, siç shihet edhe nga lista, pa diskriminuar besimet katolike, myslimane dhe ortodokse.

Mirënjohje për Italinë

Formimi i kësaj qeverie të re shënon “de fakto” rifutjen e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm në çështjet e Ballkanit; Ministri i Jashtëm tashmë ka shpallur synimin të sigurojë njohjen e Shqipërisë në anën e forcave Aleate, gjë që Italia ia kishte premtuar më parë se do t’ia garantonte, pasi i detyrohej falë pushtimit që bëri në pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe për lejimin e delegacionit shqiptar që të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Këto thuhen në përmbajtjen e të njëjtit kabllogram.
Në anën tjetër, krijimi i qeverisë së re tregoi se Italia, nga ana e saj, përfundimisht ka bërë politikën e rikthimit të Shqipërisë si një shtet i pavarur dhe për këtë shqiptarët duhet të shprehin falënderimet e tyre të thella ndaj qeverisë së Romës.

Letrat janë publikuar në “The New York Times” më  20 tetor 1918 dhe  31 janar 1919. Autori ka qenë sekretar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të kufijëve dhe për disa vite editor i gazetës”Dielli”, editori qe e beri Gazeten e shqiptareve te Amerikes, Diellin e Vatres, te perditshme.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Koste Cekrezi, ne New York Times

“GLOBALIZIMI I INDIFERENCËS”

July 11, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/Itali/ 

Data 8 korrik 2013 do të mbetet në historinë e kohës sonë si një datë e shënuar, tronditëse, nga ato që shkëputen nga kronika e zakonshme e jetës politike ndërkombëtare e hyjnë në arkivin e kujtesës historike të njerëzimit.Ajo datë nuk lidhet me fillime apo mbarime luftërash, përmbysje sistemesh, revolucione, marrëveshje për krijime bashkësish të mëdha shtetesh, traktate paqeje, apo ngjarje të tjera të rëndësishme të historisë. Ajo është dita e vizitës së një Kreu të Kishës katolike botërore në një vend të vogël, në ishullin më jugor t’Evropës, që është një nga portat e kontinentit, në të cilin dhjetra e qindra mijra njerëz përpiqen të hyjnë, për të gjetur një tjetër jetë, për t’i shpëtuar skamjes, luftërave, dhunës së pushtetit, përndjekjes etnike apo fetare, për të përmendur vetëm disa nga motivet kryesorë që nxisin mërgimin e afrikanëve, aziatikëve, latino-amerikanëve drejt “tokës së premtuar” të kontinentit të vjetër.

          Nuk do të quhej një ngjarje historike, edhe se ishte vizita e parë e Papës së ri jashtë kufirit të Vatikanit, sikur të ishte mjaftuar me një pohim të thjeshtë të rolit të Kishës në çështjen e mërgimit. Ka gati gjysëm shekulli që Papët e Romës përçojnë, në vetë të parë, mesazhet e Ungjillit në gjithë botën. Çdo vizitë ka patur rëndësinë e të veçantën e saj e ka dëshmuar shqetësimin dhe pjesëmarrjen e Selisë së Shenjtë në problemet e vështirësitë e popujve të ndryshëm. Vizita e Papës Francesco në Lampedusa-n siqiliane është në vazhdën e tyre, por mesazhi që dha ajo, nëpërmjet predkut të tij, më duket së është e një rëndësie tepër të veçantë. Predikimi i Papës argjentinas, bir i një familjeje të mërguarish nga Italia, nuk është thjesht fjala e një misionari, që i ka vënë detyrë vetes shpalosjen e mësimeve të Ungjillit në të gjitha trevat e botës, ku besimtarët duan të dëgjojnë e të përvehtësojnë fjalën e Jezu Krishtit, edhe mbas dymijë vjetësh.

          Mesazhi i Lampedusa-s është një thirrje prekëse që i bëhet vetëdijes së njerëzimit, për të kryer një operacion të thellë e të dhimshëm, por edhe shëlbues, të një riprovimi të vetvetes. Kjo thirrje kryhet nga Papa Bergoglio në një vend të vogël të bregdetit evropian të Mesdheut, një qytet me gjashtëmijë banorë, që është kthyer në një simbol të takimeve njerëzore mes dy botëve, aq larg, por edhe aq afër njëra tjetrës. Lampedusa është porta e Italisë evropiane, duhet të jetë shprehje e mirëqënies, e zhvillimit ekonomik, e shoqërisë së hapur, e mikpritjes, e moralit të krishterë e solidaritetit njerëzor. Në të trokasin pa ndërprerë njerëz të dëshpëruar që vijnë nga jugu i Mesdheut, apo nga thellësitë e Afrikës, që ëndërrojnë një jetë normale për veten dhe familjet e tyre, që i besojnë ëndrrës së tyre e venë në rrezik jetën për t’a sendërtuar atë. Në këtë travajë të vazhdueshme, në ujrat që ndajnë dy bregdetet kontinentale, vetëm në këtë pjesë viktimat e gëlltitura nga deti arrijnë në rreth 20.000 në 25 vjetët e fundit.

          Kujtimit të tyre Vikari i Krishtit i lëshon në ujët e detit një kurorë krizantemash, në shenjë nderimi për të gjithë ata që u nisën e nuk arritën dot të kenë asnjë varr. Ky gjest simbolik është vetëm fillimi i një proçesi që nuk ndalet në konstatimin e thjeshtë të problemit, por synon të hyjë në thellësinë e tij, në shkaqet e motivet përcaktuese të këtyre tragjedive njerëzore. Analiza, nëpërmjet ligjirimit, merr përmasa universale, thyen kufijtë e kohëve dhe hapësirave e përpiqet të depërtojë në rrënjët e dukurive. Mendimi kthehet tek Testamenti i Vjetër, akti i krijimit, njeriu i parë, mëkati origjinal i trashëgueshëm e i përjetshëm, raporti i tij me Hyjin, me zgjedhjen e lirë, me ndërgjegjen e tij.

          “Adam ku je?” Është pyetja e parë që Zoti i drejton njeriut mbas mëkatit. “Ku je ?” Është një njeri i çorientuar që ka humbur vëndin e tij në krijimin, sepse beson se është bërë i fuqishëm, se mund të zotërojë gjithshka, se mund të jetë Zot. Dhe harmonia thyhet, njeriu gabon e kjo përsëritet edhe në marredhëniet me tjetrin, që nuk është më vëllai për t’u dashur, por thjesht tjetri që trazon jetën time, mirëqënien time. Dhe Zoti bën pyetjen e dytë : Kain ku është vëllai yt ?”

          Analiza anatomike e Papës, në universalitetin e saj, merr shkas nga problemet e emigracionit, por zgjeron shumë rrezen e veprimit, duke trajtuar në të gjithë shtrirjen e tij, aspektin e marredhënieve njerëzore në shoqëritë e zhvilluara. Mendësia individualiste, gjithënjë e më zotëruese në jetën e shoqërive të mirëqënies,  shprehet në braktisjen e familjes patriarkale dhe në prirjen e të rinjve për të shkëputur shpejt lidhjen me familjen e origjinës e për të ndërtuar jetën e tyre vetiake. Kjo çon në një konceptim qendër vetiak të marredhënieve shoqërore, që pasqyrohet në dobësimin e lidhjeve familjare e, më gjërë, edhe të atyre shoqërore e që shprehet në mungesën e ndihmës së ndërsjelltë mes antarëve të këtyre shoqërive, shfaqjet e ndryshme të pasojave të të cilave, në jetën e përditëshme të metropoleve të botës së sotme, janë me të vërtetë shkandulluese.

          Një vajzë përdhunohet në një autobuz dhe asnjë ndër dhjetra udhëtarë të pranishëm nuk ndërhyn. Një i marrë me një sëpatë, në mëngjez herët, kërcënon e vret tre vetë dhe ai që para tyre arrin t’i shpëtojë këtij fati tragjik, nuk merr mundimin as të lajmërojë policinë, për të ndërhyrë e shmangur viktimat e tjera. Të moshuar, që jetojnë vetëm në pallatet, vdesin në shtëpinë e tyre dhe, deri sa të mos kutërbojë kufoma e të ndihet era e keqe nëpër shkallë, askush nuk troket në derë, për të pyetur si është fqinji apo fqinja. Me fqinjin, edhe se mund të jetohet ngjitur në të njëjtin pallat, shkëmbehet ndonjë përshëndetje apo urim në shkallë për festa e, në rastin më të keq, nuk i mësohet as emri. Në mjetet e transportit publik, shpesh rrijnë ulur adoleshentë me Ipad apo kufjet në vesh, ndërsa qëndrojnë në këmbë të moshuar apo gra shtatzëna. Në Milano një taksist, pa dashje dëmtoi një qen që e kishin nxjerrë në shëtitje dy vetë. Taksisti u ndalua, kërkoi falje dhe ofroi ndihmën e tij, por u sulmua egërsisht nga pronarët e qenit e vdiq në spital mbas një muaji. Njerëz që vrasin prindërit, gratë, fëmijët, kthehen në “heronj” që marrin dhjetra letra dashurie nga femra të ndryshme, mbasi kanë marrë dënimin!!!

          Një ish kryeministër mbi 70-vjeçar që, kur ishte në detyrë, ktheu në hareme vajzash të reja të paguara shtëpitë e ndryshme të tij, votohet nga 10 milion italianë e mbrohet nga një vendim i rremë parlamenti, i votuar nga 320 përfaqësues të popullit.

          Papa Bergoglio vazhdon t’a zhysë thikën e tij anatomike në kalbësirën e shoqërisë së mirëqënies. “Kultura e mirëqënies, që na çon të mendojmë vetëm për veten, na bën të pandjeshëm ndaj thirrjeve të të tjerëve e na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë të bukura por nuk janë asgjë, janë iluzion i së kotes, i së përkohëshmes që çon në indiferencën ndaj të tjerëve, madje çon në globalizimin e indiferencës. Jemi mësuar me vuajtjen e tjetrit, nuk ka të bëjë me ne, nuk na intereson, nuk është punë e jona!”

          Këtu mesazhi i Francesco-s arrin tonin më të lartë të protestës, të dëshpërimit, të padisë së një mendësie, e cila pjell një rend gjërash, të bazuar mbi parime diametralisht të kundërta, jo vetëm me ata të doktrinës së krishterë, por edhe me ata të vetë natyrës njerëzore e ligjeve të saj. Nga altari, i improvizuar mbi një varkë, simbol i mjetit të shpresës për ditë më të mira e, ndonjëherë, i prurësit të vdekjes për bartësit e tyre, pasardhësi i Shën Pjetrit, i “ardhur nga ana e botës”, i kërkon falje Zotit katër herë e kërkon pendesë. Kërkon pendesën e një shoqërie që “ka harruar të qajë” e që ka përfunduar në një “anestezi të zemrës”….

          Madhështia dhe universaliteti i predikimit të Lampedusa-s vë para ndërgjegjes të secilit një pasqyrë, mbasi secili ka diçka për t’i qortuar vetes e për të ndrequr në sjelljen e qëndrimin e tij. Sa më lart ngjitet në shkallën shoqërore e shtetërore, aq më shumë shtohet doza e përgjegjësive t’atyre që “n’anonimat marrin vendimet ekonomike e shoqërore” , për të ndryshuar rrugën, për të mos përsëritur mëkatet, për të mos dëgjuar më pyetjen e Zotit : “Ku është vëllai yt?”.

          Në dritën e madhështisë gjithëpërfshirëse të mesazhit të Papës Francesco, besoj se edhe ne, shqiptarët, kemi mjaft për të paditur, për të qortuar e vetëqortuar, për të ndrequr. Pyetja e Zotit “Ku është gjaku i vëllait tënd që thërret deri tek un?” besoj se në shumë pak Vënde ka qenë aq e qëlluar  sa në Shqipërinë komuniste, që nuk derdhi asnjëherë pikë loti për viktimat e panumurta që shkaktoi. E përgjegjësia mbeti si tek drama “Fuenteovehuna”, të sjellë si shembull nga Papa në ligjirimin e tij :”Të gjithë dhe asnjëri”. Klasa e vjetër kriminale politike, besnike edhe sot e sistemit të saj, që i ka shpëtuar drejtësisë së kësaj bote, duhet t’a dijë se do të vijë dita gjykimit për secilin. Klasa e re politike, që trashëgoi pa u munduar t’i ndreqë mëkatet dhe krimet e parardhësvet është ende në kohë për të thënë fjalën e saj. Uroj t’a studiojë në thellësi këtë monument të mendimit bashkëkohor, që është, ligjirata e Lampedusa-s e të mbajë parasysh fjalët lapidare të autorit të saj : “Zoti do të na gjykojë në bazë të asaj se si kemi trajtuar më nevojtarët”. Nevojtarët më të mëdhenj vazhdojnë të mbeten ata që komunizmi u rrëmbeu, jetën, lirinë, pasurinë, ëndrrat për jetën.

          Korrik 2013                                                         Eugjen Merlika           

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, globalizmi i indiferences

Kafshëri e ministrit bullgar- shqyen para gazetarëve flamurin e Kosovës

July 11, 2013 by dgreca

Kafshëri e ministrit bullgar- shqyen para gazetarëve flamurin e Kosovës/

SOFJE- Një gjest kafshërie ka bërë ministri Bullgar, që nuk e ka komanduar instiktin, por mu përpara gazetarëve ka bërë një veprim të ulët, duke e shqyer Flamurin që Kosovës ia ka imponuar Europa.

Ministri Pavel Cernev ka shqyer para gazetarëve flamurin e Kosovë, gjë që ka irrituar të pranishmit në konferencë.

Ministri ka rrëmbyer nga duart e një gazetari flamurin e Kosovës dhe më pas e ka shqyer atë para tyre.

Sakaq, pritet që ndaj ministrit të ketë një masë disiplinore pasi flamuri është simbol i një kombi, pavaresisht se flamuri I Kombit tone është ai kuq e zi, por Evropa i ka imponuar Kosoves-shtet nje flamur me shume yje, por qe ministri nevrastenik bullgar, nuk qenka dakort!.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ministri bullgar, Pavel Cernev, shqyen flamurin e Kosoves

Njeriu lind si pasojë e një ideali!

July 11, 2013 by dgreca

Faik KRASNIQI/

Njeriu lind si pasojë e një ideali.
Ideali i një nëne për t’i dhënë jetë një jetë, që është burimi i njerëzimit.
Njeriu rron me idelale dhe jeton në funksion të idealeve.
Dhe jep edhe jetën për një ideal sepse jeta është e tillë, të arrish dhe t’i japësh jetë idealeve.Që të jenë pjesë integrante e personit tënd, e t’i mbrosh edhe kur afër teje gjithçka rrëzohet.
Mbi atë që shkruajta më sipër është e vështirë të shprehesh.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohen diferencat midis shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe atyre që jetojnë në hapësirat mbarëshqiptare.
Në hapësirat mbarëshqiptare jeta e njeriut është e drejtuar eskluzivisht në kërkim të mbijetuarit.
Ata që jetojnë jashtë kanë mundësi të kultivojnë pasionet e tyre, të ndërrojnë jetën e tyre në funksion të dëshirave dhe ideve të ndryshme.
Po këtë mundësi ta jep mirëqenia, ta jep qetësia financiare. Po kur pasioni dhe kërkimi janë në funksion të kafshatës për fëmijët, atëherë gjërat ndryshojnë.
Gjykimi i atij që ngel mbrapa për rrethana të ndryshme, është një gjykim ndaj qenies që nuk ka pasur të njëjtin fat si ty.
Mentaliteti i hapur, kultura dhe edukata po bëhen pjesë jetësore e shumicës së emigrantëve që jetojnë jashtë kufijve të hapësirave mbarëshqiptare.
Po kush jeton në hapësirat mbarëshqiptare dhe donë bukë për fëmijët, nuk ka kohë të shfletojë një libër e të shkojë në teatër. Ky është një shembull banal.
Ne që jetuam në perëndim nuk jemi më të mirë ose më të mençur, thjesht patëm fatin të ndërrojmë jetën tonë. Kjo do të thotë që edhe në hapësirat mbarëshqiptare njerëzit kanë potencial për të ndërruar dhe të nxjerrin nga vetja e tyre ato vlera që bëjnë njeriun të quhet i tillë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, njeriu lind, si pasoje e nje ideali

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5349
  • 5350
  • 5351
  • 5352
  • 5353
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT