• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mësues Selam Gjoni do të kujtohet përgjithmonë

June 11, 2020 by dgreca

Më 1996 propozohet edhe hedh kanditaturën për deputet në qytetin e Tepelenës, i cili në fushatën e tij udhëhiqej nga idetë e Mid’hat Bej Frashërit, pasi i ati i tij Hysni Rrapo Gjoni kishin qenë me Ballin Kombëtar, si dhe nipi i Sejfulla Malëshovës një figurë e madhe dhe poliedrike e Kombit. /

Me Kryetarin e Partise se Ballit Hysen Selfo gjate fushates.

Nga Keze Kozeta Zylo/

Figura e mësuesit duhet të jetë figura më e pastër dhe të udhëheq me shembullin e tij, një mësues të tillë e ka pasur Mezhgorani i Tepelenës.  Ndonëse e kaloi vitin e tij në amëshim që kur u largua nga kjo botë mësimdhënia e tij vazhdon të ketë ndikim ashtu sic thotë Henry Adams se: “Një mësues ndikon në përjetësi: ai kurrë nuk mund të tregojë se ku ndalet ndikimi i tij.”

Ja si shkruan ish nxënësja e mësues Selamit Margarita Pasha: “Njihet për një mësues me autoritet dhe zotërues perfekt të lëndëve që Ai jepte në këtë shkollë.  Edhe pse larg shtëpisë dhe familjes, ky mësues njihej për veshjen me finesë dhe shumë i rregullt. Ne kemi qenë në atë konë dy motra dhe dy vëllezër që na ka dhënë mësim ky profesor i nderuar.

Mesuesi me nxenesit e tij…

Çdo gjë që unë di dhe që krenohem për zotërimin e njohurive në histori, gjeografi i dedikohet këtij mësuesi fisnik.Mbaj mend kur kishim spartakiadë në Buz me të gjitha shkollat e krahinës dhe mua profesori më përzgjodhi në vrap dhe kërcim së gjati. Kam fituar garën në kercim së gjati me 4.57 cm, dhe më tha: – Pasha je hedhur si një kangur! Të gjitha lëndët që më jepte ky mësues i mrekullueshëm unë I kisha dhe i kam përzemër edhe sot. Motra ime e ka pasur mësues kujdestar dhe ky profesor foli në këshillin pedagogjik që motra të shpallej si nxënsja më e mirë e vitit për këtë shkollë ku si shpërblim iu dha dhe një pako nga zyra arsimore Tepelenë.

Mësues Selam Gjoni e pa dritën e jetës nga prindërit zemërbardhë dhe mikpritës Hysni dhe Emblo Gjoni.  Shkollën fillore e mbaroi në Mezhgoran, në një vend me një histori të jashtëzakonshme për arsimin kombëtar, ku burrat e ndritur të Kombit si Fehmi Bej Mezhgorani, Sami Mezhgorani, Beqir Samiu vazhdojnë të jenë dritëdhënës për Arsimin Kombëtar.  Por nuk mjaftonte vetëm kjo traditë e përgjithshme, prindërit e tij ishin shumë arsimdashës ndaj me mund dhe sakrifica të mëdha arritën që ta shkollonin.  Të ndahesh nga familja qysh në moshë 10 vjec dhe të jetosh në konvikte për shkak të mungesës së shkollës 8 vjecare ose dhe të tjera është një sacrifice e tejlodhshme.  Sidoqoftë peripecitë në jetë duket se nuk iu ndanë, për shkak të biografise që i rrinte mbi kokë.

I dekoruar nga Presidenti i shqiperise Dr. Sali Berisha…

Mësues Selam Gjoni është nip i prof.Sejfulla Malëshovës pasi nëna e prof.Malëshoves ishte nga dera e Rrapajve në Mezhgoran. Dhe këto “cene” në biografi sipas regjimit komunist ishin penguese.  Pasi mbaroi shkollën pedagogjike në Korce, shkoi ushtar. E bija e tij Blerta tregon se kur ishte në ushtri që e bëri për tre vjet e shfrytëzoi kohën në maksimumin e tij duke ndjekur njëkohësisht edhe leksionet për t’u diplomuar më vonë ne universitetin për histori-gjeografi.

Si një nxënës i shkëlqyer në studime sidomos në fizikë administrata e repartit ushtarak e kishte spikatur për ta rekrutuar për të vazhduar shkollën e oficerëve. Ai nuk e pranoi pasi nje mik i familjes z.Shaban Durmishi e kishte këshilluar të mos shkonte për officer, sepse do të kishte probleme më vonë, ngase ishte i biri Hysni Rrapo Gjonit që kishin qenë me Ballin Kombëtar dhe i nipi i Sejfulla Malëshovës një figurë e madhe dhe poliedrike e Kombit.  Ishte koha kur lulëzonte lufta e klasave pamëshirë, kështu që djaloshi me plot ëndrra po luftonte per t’u shkolluar në drejtime të tjera sipas kushteve të diktuara.   

Pasi mbaron ushtrinë emërohet mësues në fshatin Zhapokikë dhe më vonë në Gllavë të Tepelenës. Ai punoi larg familjes plot 15 vjet resht dhe kthehej vetëm të shtunave në shi dhe në breshër duke udhëtuar me orë e orë të tëra në këmbë, një stërmundim mësuesish.

Ishte pjese e formacionit te Djathte te Politikes shqiptare.

Pasi krijoi familjen e tij me bashkëshorten fisnike dhe shumë të sjellshme veterineren profesioniste Qerime Gjoni dhe u gëzuan me tre fëmijë Blertën, Julianën dhe Hysniun në vitet e fundit deri n ë demokraci kontriboi si mësimdhënës në Mezhgoran deri më 1990 ndërsa më 1992 për dy vite ishte drejtori i shkollës.

Mësues Selam Gjoni punoi plot përkushtim për mësimdhënien, injektoi dashurinë për Mëmëdheun në orët e mësimit, ndaj brezat s’e harrojne kurrë.  Pena dhe mësimet e tij janë sic thotë Scott Hayden se: “njerëzit qe s’harrohen kanë tre dashuri: dashuria për të mësuar, dashuria e nxënësve dhe dashuria për të bashkuar dy dashuritë e para.”

Personalisht si bashkëfshatare e tij ndjehem krenare që një mësues iu perkushtua mësimdhënies me plot pasion, kulturë dhe dashuri. Ai ishte një patriot dhe mësues që dha tërë jetën kontribut të cmuar në arsim në disa fshatra, si dhe në fshatin e tij të lindjes Mezhgoran. 

Mësues Selami do të kujtohet me respekt nga shumë breza që mësoi dhe edukoi si dhe nga të gjithë ne mezhgoranasit që biseduam dhe njiheshim mirë me njeri tjetrin. 

Mësues Selami cmonte dhe vlerësonte kulturën, ishte një familjar i shkëlqyer dhe tejet i kujdesshëm për vëllezërit dhe motrat e tij.  Mësues Selami është nga ajo armatë intelektualësh që la gjurmë në shkollat ku dha mësim.

Mësues Selamin do ta kujtoj me plot respekt dhe gjithmonë i shpreh mirënjohje time dhe të familjes që s’mungoi kurrë në promovimin e librave të mi në Muzeumin Kombëtar si dhe komunikimin intelektual që kishim së bashku ne F/B në rrjetin më të madh social. 

Në vitin 1995 presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Sali Berisha e vlerëson me medaljen  “Naim Frasheri”

Ikja e tij e parakohshme ishte befasuese, por nga ana tjeter la memorjen intelektuale dhe edukative qe do të kujtohen përgjithmonë, pasi ai ishte sic thotë shkrimtari i shquar amerikan Robert Frost se: “I am not a teacher, but an awakener,” që përkthehet: “Unë nuk jam mësues, por një zgjues.”

Pas përmbysjes së regjimit diktatorial

Me lindjen e demokracisë propozohet për pozicionin e shefit të rendit në komisariatin e Tepelenës si një nga negociuesit dhe kontribuesit në arsimim, si dhe figure e pastër publike ku pranoi dhe vazhdoi detyrën në këtë pozicion deri më vitin 1995.

Më 1995 propozohet edhe hedh kanditaturën për deputet në qytetin e Tepelenës, i cili në fushatën e tij udhëhiqej nga idetë e Mid’hat Bej Frashërit nje diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar, një ndër etërit e nacionalizmit shqiptar, Kyetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” etj.

Më 1996 emërohet officer me gradë të lartë në të njëjtin komisariat ku spikatet për zgjidhje të shumë çështjeve edhe konflikteve delikate si të individëve edhe në veçanti të një prej shkrimëtarëve si z.Hoxha dhe bijës së tij gazetare me ideologji komuniste, por që kishin e gëzonin respekt për njëri tjëtrin si bij të Shqipërisë.  Ata i ndihmoi të shpëtojnë nga lufta civile që ndodhi më 1999, dhe me këtë vepër zemërmire, diplomaci, humanizëm e ndershmëri vërtetoi se intelektualët dhe mësuesët e ndershëm e duan njëri tjetrin e duan Shqipërine pamvarësisht idealeve të kundërta.

Sidoqoftë padrejtësirat duken se nuk mbarojnë kurrë.  Kështu më 12 shtator të 1998-ës ishte i shkarkuar nga detyra dhe kishte plot 6 muaj pa punë.  Në këtë kohë me dhimbje të madhe mësoi se ishte vrarë Azem Hajdari i cili e priti me hidhërim këtë ngjarje.  Për herë të parë do të emigronte drejt shtetit grek deri më vitin 2000.

Pasi kthehet nga mërgimi nuk arrin të punësohet përsëri deri më 2004.

Më shtator të 2004-ës fillon mësues në shkollën tetëvjeçare në kombinat të Tiranës ku has vështirësi të mëdhaja pasi i rikthehet mësimdhënies pas 12 vitesh ku nxënësit nuk ishin më të njëjtët dhe dashuria për dituri ishte pothuajse zbehur e venitur.

Më 2007 emërohet Sekretar i Përgjithshëm i PBKD (Partia e Ballit Kombëtar Demokrat) e cila drejtohej nga z.Hysen Selfo, ku z. Selam Gjoni kontribuoi deri më 2008.

Më 2008 udhëheq fushatën e z.Hajredin Fratarit për Ballin Kombëtar.

Më 2008 emërohet Oficer Informacioni në burgun 313 dhe më 2010 tek burgu 325 deri më 2014, ku shkarkohet në padrejtësi për shkak të ndryshimeve politike. Po në këtë vit apelon për heqjen nga puna ku gjyqi zgjat tre vite në mbështetje nga avokatët e shtetit dhe në fund të 2017-ës vendos të apelojë edhe mbrohet vete në sallën e gjyqit ku fiton gjyqin me 12 rroga pagesë.

Më 2015 del në pension. Në kohën e pensionit vendos të meret me kultivimin dhe rritjen e bletarisë. Fatkeqësisht më janar të 2019-ës sëmuret, ku diagnostikohet me leuçemi akute ku jeton shëndetshëm deri më 19 shkurt të 2019-ës ku shuhet në spitalin e Nënë Terezës në departamentin e Hematologjisë Tiranë.

Përcillet me dhimbje e nderime nga familjarët e të afërmit, nxënës, kolegë e gjithë dashamirësit e tij ku nderuan me pjesëmarjen në varrimin e tij më mijëa qytetarë nga gjithë Shqipëria.

Perkushtimi intelektual, mësimdhënia plot kulturë dhe profesionalizëm, dashuria për nxënësit e bëjnë mësues Selam Gjonin që të kujtohet përgjithmonë.

Autorja është drejtore e medias TV “Alba Life”, shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

10 Qershor, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Mesuesi, Selam Gjoni

KOSOVA ME HIMN SHTETËROR 12 VJET

June 11, 2020 by dgreca

-Himni i Kosovës ka edhe tekstin/

KALENDAR – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË,  11 Qershor 2020/ Në 21 vjetorin e Lirisë, në vitin e 12 vjetorit të shpalljes së  Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës sot mbush poashtu 12 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri.

Propozimi me shifrën “Europa” u miratua pikërisht para 12 viteve në 11 Qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn Shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime. 

Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin. 

Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”. 
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 Qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 Shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe,  nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë,  nga 1 prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.

Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi  menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.

 “Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduar në tekst dhe me kohë ma merr mendja do  t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori.

“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta,  duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi.

“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje.

“Për shkak të limiteve të vendosura nga Pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”.

HIMNI I KOSOVËS

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë

Çerdhe e dashurisë

N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë

Vend i të parëve tonë

Ti qofsh bekue për jetë e mot

O nënë e jonë

Ne të dalim zot

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë

Çerdhe e dashurisë

Kosova para 12 vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë – 12 Qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 2020-tën e  21 vjetorit të Lirisë e të 12 vjetorit të  Himnit Shtetëror, Kosova me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është e njohur deri sot nga 116 shtete të botës – anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Filed Under: Politike Tagged With: 12 vjet, Behlul Jashari, Hymni i Kosoves

SHQIPTARËT NË HONG KONG DHE BETEJA E SHTETIT AZIATIK KUNDËR COVID-19

June 11, 2020 by dgreca

Vanda Selimi, një shqiptare e suksesshme që jeton e punon në Hong Kong si Menaxhere eventesh dhe zhvilluese biznesi në “The Whisky Library”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën e shtetit aziatik ndaj Covid-19. Intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

HONG KONGU NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Hong Kong ka bërë një punë të shkëlqyer në monitorimin, përmbajtjen e shpërhapjes dhe kurimin e personave të prekur nga COVID-19. Deri më sot Hong Kongu ka regjistruar 1108 raste nga të cilat 672 janë raste të importuara (57%) që nga rasti i parë i konfirmuar më datë 23 Janar 2020 dhe vetëm 4 fatalitete. Hong Kongu ka një eksperiencë të vyer nga virusi Sars ku numri i të vdekurve ka qenë shumë më i lartë (300 në mos gaboj) dhe nuk mori asnjë shans për të nënvleftësuar apo injoruar virusin. Duke nxjerë mësime nga e kaluara në një kohë, kur e gjithë bota thoshte që është vetëm një grip i thjeshtë dhe do kalojë Hong Kong mori masa shumë serioze kundër kësaj pandemie globale. Personalisht unë jam me maskë që në javë të parë të janarit, me datë 31 dhjetor 2019 kam lexuar për herë të parë për këtë virus dhe duke pasur parasysh afërsinë që kemi me Kinën dhe mbi të gjitha lëvizjen masive të njerëzve e kam marrë shumë seriozisht situatën. Hong Kong ka një nivel shumë të lartë qytetarie dhe që nga Sarsi çdo njeri që ka simptoma sado të lehta gripi direkt vë maske dhe nuk paraqitet në punë në mënyrë që të mos infektojnë të tjerët përreth. Në fillim pati pak kaos dhe kishin mbaruar maskat dhe çdo lloj solucioni disinfektatë durash por pas vitit të ri kinez kishte stok mjaftueshëm.

MASAT QË MORI QEVERIA NË HONG KONG

Që pas vitit të ri kinez (pas datës 25 janar 2020), çdo kompani ndërkombëtare kryesisht dhe qeveria u ka kërkuar punonjësve të punojnë nga shtëpia me qëllim frenimin e përhapjes së virusit global dhe kjo situatë ka vazhduar deri në fund të majit. Po ashtu, kopshtet, shkollat dhe universitet kanë qenë të gjitha të mbyllura deri para një jave ku fëmijët e shkollave janë rikthyer nëpër banka por jo të kopshteve. Që nga Marsi, kur filluan të shfaqen shumë raste të importuara, çdo person i ardhur është pajisur me një ‘byzylyk’ me tracking system dhe ka bërë karantinë të detyrueshme për 14 ditë. Që nga fundi i marsit çdo person i mbërritur në aeroport është testuar për covid-19 dhe pavarësisht përgjigjes negative ka vazhduar të bëjë karantinën e detyruar në shtëpi, hotel apo qëndra të caktuara nga qeveria. Çdo person i testuar pozitiv, me ose pa simptoma është shtruar në spital dhe kuruar deri sa ka rezultuar negativ. Doktorët këtu kanë eksperimentuar një kurë me 3 lloje antiviralesh e cila ka rezultuar shumë e suksesshme dhe ka përgjysmuar kohën e kurimit; ngarkesën virale dhe ka ulur dukshëm rrezikun e infektimit të stafit mjekësor nga ekspozimi për kohë të gjata në ambjente me ngarkesë të lartë virale. Në çdo dyqan, kafeteri, zyrë, çdo njeriu i është matur temperatura në hyrje të godinës, nëse temperatura rezultonte mbi 37.5 janë njoftuar autoritete përkatëse të cilat janë marrë me rastin në fjalë. Pavarësisht se në Hong Kong s’ka qenë e detyruar me ligj përdorimi i maskave, të gjithë njerëzit vendosin maska pa përjashtim në rrugë, në transport publik, në zyra, dyqane, lokale e gjithandej. Pavarësisht se nuk ka pasur asnjë ‘lock doën’ njerëzit kanë qëndruar nëpër shtëpija dhe nuk kanë dalë pa arsye shumë të forta që në fund të janarit. Vetëm baret, karaoket, kinematë, spa dhe palestrat kanë qenë të mbyllura për një muaj pasi në disa raste lokalet kishin lidhje me frekuentimin e këtyre ambjenteve por çdo gjë tjetër ka qenë hapur dhe funksionale. Në Hong Kong s’ka qenë e nevojshme që të dalë policia për të ndarë njerëzit apo për ti thënë shkoni në shtëpija, të gjithë njerëzit e kanë kuptuar seriozitetin e virusit dhe të gjithë kanë bashkëpunuar duke mbajtur numrat shumë poshtë duke llogaritur që është një vend me popullsi shumë të dendur (7.5milion ne 1106km2). Edhe kur patëm 24 ditë pa asnjë rast të ri, asnjë njeri s’u relaksua dhe të gjithë vazhduan të mbajnë maska. Aktualisht situata është e mirë, rrugët janë plot dhe jeta i është riktyer pothuajse normalitetit por ka ndonjë rast sporadik që tregon që ka mbartës të fshehur dhe virusi nuk është zhdukur. Nëpër lokale e restorante janë në fuqi rregullat e distancimit dhe çdo njeri i respekton rreptësisht.

COVID-19 SI NJË PËRJETIM PERSONAL

Për mua personalisht ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe me vendime të mëdha. Vajza ime ishte vetem 4.5 muajshe kur çdo gjë filloi të dalë në sipërfaqe dhe kur mbushi 5 muajshe ne ishim në një situatë shumë të vështirë dhe që kur flisnim me familjarët apo shoqërinë nëpër botë s’na e kuptone dhe besonte njeri. Takimet për vaksinimin e vajzës apo me pediatrin ishin anulluar sepse nuk donin të ekspozonin bebet; unë isha e detyrur të shkoja në punë dhe çdo ditë pasi kthehesha nga puna dëgjoja në lajme se si rasti x kishte kaluar apo frekuentuar të njëjtat ambjente sikurse unë në të njëjtin hark kohor. Ishim izoluar në shtëpi në ditët e pushimit, nëpër supermarkete s’kishte më as ushqime  sepse njerëzit ishin në fazën e blerjeve nga paniku. Për një kohë shumë të gjatë s’kemi takuar asnjë njeri, as shokë, as shoqe as bahskëpunëtorë apo të afërm me qëllim për të evituar ekspozimet. Vajza jonë nuk del nga shtëpija, maksimumi një xhiro në park por asgjë më shumë. Po ashtu me shoqërinë shqiptare (jemi rreth 20 shqiptarë këtu) këtu komunikojmë gjithë kohën nëpër grupe po s’kemi takuar asnjeri që nga dhjetori. Ata që e kanë përjetuar më shumë kanë qenë familjet me fëmijë të vegjël, sikurse ne, janë dhe dy familje me fëmijë të gjithë nën 1 vjeç aktualisht dhe të gjithë kanë qenë në stres. Prej dy javësh, mund të them që gjërat janë më mirë, njerëzit janë pak më të qetë, dalin pak më shumë dhe takohen me shoqërinë por kuptohet duke ruajtur distancën. Përsa i përket situatës në Hong Kong është sensitive dhe më mirë të mos përzihem në këtë pjesë por shpresojmë që e ardhmja të jetë më e bukur sepse kemi kaluar një vit shumë të ngarkuar që nga fillimi i protestave.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Jam e gëzuar që komunikoj nëpërmjet këtij shkrimi me shqiptarët në Amerikë. Ata janë model për organizimin dhe rolin e tyre patriotik në dobi të çështjes kombëtare. Uroj me shpirt që të ndjekin modelin e Nolit dhe Konicës për një Shqipëri të bukur, të fortë, të zhvilluar, dinjitoze në sytë e botës dhe që diaspora nuk e harron kurrë. Kjo diasporë prej 1 shekulli ka qenë model dhe ka ndihmuar shumë në shtetformim dhe lobim. Mendoj se karakteri diplomatik dhe patriotik e bëjnë Vatrën dhe Diellin institucione të përjetshme atdhedashurie. Në këtë kohë pandemie uroj çdo patriot i yni në diasporë në USA dhe kudo të jetë mirë familjarisht. Mesazhi im për të gjithë lexuesit është që bëjë rolin e tij/saj në këtë betejë delikate; të mbajë higjenë të lartë, të mbajë maskë, të mos dalë kot sepse janë mërzitur në shtepi, kjo është diçka e përkohshme por pasojat në familjet që kanë humbur të dashurit e tyre do jetë e përjetshme. Të gjithë kemi diçka në dorë për të bërë për të ulur numrin e rasteve dhe shpërhapjen e virusit. Kini besim: ditë më të mira do të vijnë. Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Shqiptaret ne Hong Kong, Sokol Paja, Vanda Selimi

FUNDI I NJË TRAGJEDIE – KUJTIME NGA BAZA USHTARAKE FORT DIX – NEW JERSEY – ShBA

June 11, 2020 by dgreca

–Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Hyrjes së NATO – s në Kosovë/

Shkruan:MAL BERISHA/

Më datën 24 Mars 1999, forcat ajrore të NATO-s filluan bombardimet mbi caqet ushtarake të Sllobodan Milosheviçit. Avionët u nisën nga baza ushtarake e Avianos dhe skuqën qiellin e mugët të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia. Menjëherë, si reaksion kundër bombardimeve të NATO-s në tokën e Kosovës u intensifikuan veprimet e kriminelëve serbë të Milosheviçit në formën më agresive të parë ndonjëherë të cilat u shoqëruan me:

Deportime masive, shfarosje të popullsisë, djegie të banesave dhe pasurive, përdhunime dhe keqtrajtime, të cilat shkaktuan një shqetësim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Të parët që reaguan ishin amerikanët, të cilët caktuan bazën ushtararke Fort Dix, në shtetin e New Jersy-it si një vend ku do të strehoheshin mijëra shqiptarë të Kosovës, të transportuar me mjete ajrore dhe prej aty do të shpërndaheshin nëpër gjithë Amerikën.

5 maj 1999 – Grupi i parë e shqiptarëve të Kosovës të katapultuar në Fort Dix – New Jersey ShBA

I përfshirë në grupin e punonjësve humanitarë amerikanë dhe të imigracionit, pata rastin që të pres grupin e parë të shqiptarëve të Kosovës që zbritën në aeroportin ushtarak Fort Dix në jug të shtetit të New Jiersey. Ishte data 5 maj 1999 kur u mblodhëm në atë bazë. Shumica ishin ushtarakë amerikanë, punonjës të agjensisë së Imigracionit, agjensi ndihmash humanitare, shërbime të tjera, si dhe disa shqiptaro-amerikanë me qëndrim të ligjshëm në ShBA. Unë përfaqësoja Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane që e drejtonte ish Kongresmeni Joe DioGuardi.

          Aeroplani i parë ushtarak Boeing 747 që kishte plot 453 shqiptar të Kosovës u ul rëndë – rëndë dhe mua më dukej sikur ai mbart’te me vete tërë peshën e atij dheu që banohet prej shqiptarësh. Vërtetë ai ishte shume i madh por ngjyra e tij kaki-ushtarake, ngarkesa që kishte me vete dhe padurimi ynë për t’i parë, takuar, ndihmuar ata njerëz për të cilët vetëm aty, e bënte atë të dukej shumë më i rëndë se pesha e tij e vërtetë fizike.

 Aty prisnin mbi 100 kamera të qendrave më të mëdha televizive të botës, ndër to CNN dhe BBC.

          Nuk vonoi dhe nga dera e avionit zbritën udhëtarët e parë. Ideja që na shkonte ndër mend ishte: Vallë a do të zbresin dot nga shkallët? A janë ata aq të qëndrueshëm sa të arrijnë deri tek qilimi i kuq i shtruar nga autortetet shtetërore të New Jersy-it, të cilët kishin vënë gjithçka në dispozicion të tyre?

          Ata po zbrisnin dhe unë ndjeja se si çdo shkallë e mëposhtme që ata shkelnin ishte një gong i ri që bënte zbritjen regresive të popullsisë së Kosovës. Një, dy, tre, katër, dhjetë, njëqind, katërqind e pesëdhjetë e tre vetë i shkelën ato shkallë me hapin e tyre të rëndë, të lodhur e të dërrmuar…Katërqind e pesëdhjetë e tre shqiptarë më pak në dheun e tyre, vetëm në këtë aeroplan….Po edhe sa mijëra të tjerë kishin ikur në drejtime të tjera nëpër gjithë botën, deri në Australi dhe në Zelandën e Re?

          Autobuzët e kompanisë më të madhe amerikane të transportit toksor të udhëtarëve “Academy” ishin rrjeshtuar fare pranë pistës. “Musafirët”, siç i quajtën amerikanët, u ngjitën në autobusa të cilët kishin ulur krikët e shasisë deri në një nivel me tokën për tua lehtësuar atyre sadopak sforcon fizike të të ngjiturit në shkallët e autobusit. Karvani i autobuzave i transportoi ata njerëz, fytyrat e të cilëve ngjanin më shumë me portrete filmash me legjenda dhe personazhe, se sa me njerëz realë. Dikush e kishte quajtur udhëtimin e tyre “biblik”. Dhe i tillë ishte. As në Bibël, dhuna nuk i ka stërpikur njerëzit kaq larg!

          Në sallën e madhe të gjimnastikës së bazës ushtarake ishin instaluar lloj lloj shërbimesh si ato sanitare, shëndetësore, ushqimore, infermjerë, mjekë, punonjës socialë, kryqi i kuq, vullnetarë, punonjës imigracioni, përkthyes të gjuhës shqipe, civilë, ushtararakë, agjentë të FBI e plot e plot të tjerë, të njohur dhe të panjohur. Musafirëve iu ofruan pije freskuese pa fund, kafe, dekafe, çaj, fruta të çdo lloji, sanduiç pa mish derri. Secili prej nesh mbante një kartë identiteti në qafë dhe çdokush në mënyrën më njerëzore përkujdesej për diçka. Ndër ta, një të tillë e mbaja edhe unë me tim bir, Erionin. E gjitha kjo e përkushtuar për ata njerëz.

          Salla u mbush. Njerëzit zunë vende nëpër shkallët e gjimnaziumit ushtarak. Ishin tejet të lodhur, të nxirë nga dielli, të drobitur nga rruga e gjatë dhe kushtet e tmerrshme në të cilat kishin kaluar ditët dhe javët e fundit të jetës së tyre të deriatyshme.

          Një pjesë e atyre të cilët nuk rezistonin më, u shtruan në fushën e basketbollit nëpër barrela ushtarake dhe filluan të merrnin serume. Nga altoporlanti dëgjoheshin thirrje të pandëprera të punonjësve socialë:

          “Ju lutemi shumë, merrni sa më shumë lëngje, pini lëngje sepse trupat tuaj janë dehidruar!”

          Një përkujdesje aq njerzore as që do ta kishin imagjinuar. Merrej me mend se çfarë kontrasti i jashtëzakonshëm ishte për ata njerëz ky kalim sublimues nga ajo gjendje që kishin lënë prapa me këtë që kishin gjetur këtu.

Hillary Clinton, zonja e Parë Amerikane i pret “Musafirët Kosovarë”.

Filluan procedurat e para. Tani secili kishte zënë një vend. Në sallë dhanë ballë Zonja e Parë e Amerikës, Hillari Klinton, Guvernatorja e Shtetit të New Jersy-it, zonja Christine Todd Whitman, Sekretarja e Shtetit për Shëndetësinë dhe Punën Sociale, senatorë, kongresmenë, si dhe autoritete lokale të Fort Dix -it.

          Salla shpërtheu në duartrokitje. Ato dukeshin si të buta, pak të shurdhëta, si një daulle pak e shfryrë, si një def i panxehur; në to më dukej se dëgjoja diçka që nuk dëgjohet, më dukej se ndjeja atë që nuk ndjehet; të rrahurat e atyre duartrokitjeve kishin pak zë, por tingëllonin shumë. Dukej sikur ishin të akorduara në frekuenca të tilla që nuk dëgjohen afër. Dukej që secili donte ta bënte zhurmën e tij jo për vete, jo për atë që shihej, jo për atë që ndihej aty. Dukej se ata donin që ato duartrokitje të dërgoheshin matanë atyre mureve, matanë atij pylli rrethues, tutje, tutje diku ku ajo të dëgjohej jo më për ata vetë, por për ata që kishin lënë prapa; duhej të tërhiqnin vëmendjen për ata që ishin në male, të mbetur rrugëve, pa ushqim e veshmbathje; për ata që ishin në mëshirë të fatit.

Ai ngazëllim i venitur i atyre njerëzve që nuk dinin as të gëzoheshin dhe as të hidhëroheshin më, ishte tashmë i hedhur në atë sallë si një vello, ngjyrën e së cilës askush nuk di ta përcaktojë, e bardhë, e zezë, blu apo…ndoshta më së miri mund të quhet flu, e paqartë, e pa ndritshme, e shlyer.

          Mbaroi edhe ceremonia. U tha se ju jeni njerëzit më të fortë në botë, se keni në krahë Amerikën që kurrë nuk do t’u lerë në baltë, se do të bëhet çdo gjë për ju dhe bashkëkombasit tuaj e plot e plotë të tjera… Tani do të fillonte procedura e parë elementare, marrja e identitetit të këtyre njerëzve, shumica e të cilëve nuk kishin asnjë lloj dokumenti për shkaqe të ndryshme ndër të cilat kryesorja ishte se ato ua kishin grisur autoritetet policore serbe për t’i dëbuar, madje edhe pa emrat e tyre, ose në ikje e sipër as që ju kishte vajtur mendja tek një gjë e tillë.

Të shohësh jo thjesht një shfaje tragjike, por vetë tragjedinë e luajtur nga tragjikët

Në rastet kur mungonte çdo dëshmi e identitetit, atëherë çështja kalonte nëpër një seancë marrjesh në pyetje. Ajo ishte një procedurë e thjeshtë, por më e vlefshmja për të kuptuar gjithë atë që kishte ngjarë në Kosovë. Këtu njeriu mësonte aq shumë për thellësinë e tragjedisë dhe vuajtjes njerëzore. Këtu mësohej se si fëmija kishte parë prindërit tek i vriteshin, se si prindi e kishte parë fëmijën po kështu, se njeriu nuk ndihmonte dot njeriun e tij në çastet më të vështira të jetës, sepse as këtë nuk ia lejonin… Këtu dukej se sa e vyer është jeta kur e jeton në një vend të sigurtë ashtu sikundër mësoje se sa e pavlefshme bëhet ajo në çaste të caktuara. Këtu mësoje se si njeriu është gati t’i japë fund jetës në çdo çast, ndërkohë që lufton për ta mbrojtur atë me këmbë e me dhëmbë. Këtu njeriu sheh jo figura të krijuara skenike që interpretojnë tragjedinë njerëzore por vetë tragjedinë, vetë atë që dikush mundohet ta rikrijojë duke sjellë tek njerëzit mesazhe të forta nëpërmjet emocionesh shokuese. Jo, në këtë vend nuk ke nevojë për aq shumë mundim aktorësh. Këtu secili është aktori origjinal i një tragjedie njerëzore të shkaktuar mbi të thjesht për fajin se rasti ka bërë që ai të lindë i një feje, besimi dhe kombi të caktuar.

Në intervistat për gjetjen e identitetit, kalonin njëri pas tjetrit burra, gra, të rinj, të moshuar.

Tjetri, kush është tjetri në radhë? – thërrisnin oficerët e imigracionit.

Nga ajo datë deri më 10 qershor 1999, baza ushtarake e shtetit të New Jersy-it, Fort Dix priti 6.500 shqiptarë të Kosovës.

Sot ata janë shtetas amerikanë. Shumë prej tyre kanë bërë emër në atë shtet të madh në fusha të ndryshme, shkencë, art, kulturë, mjeksi, biznes.

Nderim të përjetshëm atij vendi të madh!

Fort Dix, Maj – Qershor 1999 – 2020

FORT DIX, UNITED STATES: Kosovar refugees cheer as they are addressed by US First Lady Hillary Clinton 05 May, 1999 at Fort Dix, New Jersey, upon their arrival earlier from Macedonia. The refugees chanted “USA” and “Free Kosovo” as the First Lady left the room. The more than 450 Kosovar refugees will be processed and housed for several weeks at Fort Dix until they move in with American families or relatives. The refugees are the first wave of the 20,000 Kosovars that the United States pledged to take in. All 20,000 will be accorded refugee status and will be eligible to stay in the United States as long as they choose. (ELECTRONIC IMAGE) AFP PHOTO Don EMMERT (Photo credit should read DON EMMERT/AFP via Getty Images)

Filed Under: Opinion Tagged With: Fort Dix, Fundi i nje tragjedie, Mal Berisha

HOTI: FRYMA E LIDHJES SË PRIZRENIT NUK U SHUA ASNJËHERË

June 10, 2020 by dgreca

-Mesazh i Kryeministrit Hoti me rastin e 142-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit/

Prishtinë, 10 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e 142-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka adresuar një mesazh, në të cilin thuhet:

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit, siç thoshte Presidenti Rugova, ka qenë lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.

Kjo lidhje ishte uverturë e kryengritjeve të mëdha shqiptare gjatë viteve 1910-’12, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë, e cila u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha, që u sanksionua edhe pas dy luftërave botërore të shekullit XX.

Fryma e Lidhjes së Prizrenit, megjithatë, nuk u shua asnjëherë. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci janë vijimësi e ideologjisë nacionale të kësaj lidhjeje.

Në këtë frymë liridashëse e properëndimore do të vazhdojë jetësimi i aspiratave tona, të cilat do të përmbyllen me integrimin tonë të plotë në institucionet euroatlantike dhe në OKB, në familjen e madhe të kombeve të lira dhe demokratike”. 

Filed Under: Politike Tagged With: Abdullah Hoti, mesazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 535
  • 536
  • 537
  • 538
  • 539
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT