• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore, politike e morale sa raca shqiptare…

June 15, 2013 by dgreca

Shkruan: Msc Gëzim Llojdia/

 Pa mbritur mesdita e 28 nëntorit 1912 ose me saktë rreth dy javë më parë asaj kohe,shumë shqiptarë psherëtinin se halli i Shqipërisë ishte shumë i madh. Por kombi ynë mbeti dhe nuk u rrokanis si shumë kombet të tjerë që u rrokanisën në humnerë. Ndërsa fqinji në veri synon Shkodrën me male deri në det,serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës,kurse grekërit donin të kapnin Shkumbinin. Pasiç-kryeministri serb rreth datës 7 nëntor 12 është shprehur kështu”Shqiperina shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët  trajtimi q kishin  në kohën  e mesme kur bëjshin pjesë te shteteve bizantinë e serbe  e serbe pa pas privilegje te veçantë,por tue i respektua individualiteti  dhe gjuha e tyre.Diku aty nga 14 dhjetori 1912,kryegjenerali grek ka pohuar “Ne kemi ndërmend ti ndajmë  Shqipërinë mes grekërve dhe Serbëvet,mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme”.Kjo quhej atmosferë e vitit 12,kur Ismail Qemali nga deti,Mithati me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se ‘Shqipëria nuk kishte mbaruar”Në 1912 ndriçimi shqiptar solli shpresën shqiptare duke i thënë botës se ka një komb me histori,gjuhë dhe vullnet.Por ujqëria ballkanase e solli në udhëkryq  çështjen me prerjen kirurgjikale të Kososvës.Një gazetar i huaj shkruan periodikja Flamuri është shprehur”Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore,politike e morale sa raca shqiptare.Në qoftë se duhet të çuditemi  për ndonjë gjë kjo është s e ekziston gjithnjë në Shqipëri një ndenje edhe pse e zbehtë dhe shpërndamë që priret kah pohimit,kah rilindja e kombit.Ka një shqyrtim të hollësishëm të rrjedhojave mbi të cilat  ka ecur  historia jonë. Sa herë përhapeshin fuqimisht e kryengritjet aq herë nxirrej në pah rreziku i pavarësisë dhe lirisë.Ka edhe një fakt tjetër që citon e periodiku Flamuri. Kryengritjet e vonta të ballkanasve  ndihmoheshin e zmadhoheshin  dhe në kuvende ndërkombëtare shpërbleheshin ,përpjekjet shqiptare fillonin me guxim  e përfundonin me frikë sepse nuk kishte një fuqi e madhe si Rusia për sllavëve,bullgarët dhe grekërit,që të përkraheshin  të drejtat e tona aq sa përkraheshin  padrejtësitë e fqinjëve.Lidhja e Prizrenit qe një kuvendim i madh dhe një kryengritje qndërsa më vonë koha  solli kirurgjinë më të madhe të kombit tonë nga jugu dhe veriu. Në 1912 Kosova humbi atdheun,Shqipëria humbi gjysmën  e vetvetes shprehet periodiku Flamuri.Gjatë luftës së parë të përbotshme nuk kanë munguar sërish kasapët që janë paraqitur më harta për të bërë një tjetër kirurgji,për tu dhënë copa fqinjëve ardhacakë dhe në hartë të mbetej një Shqipëri e vockël dhe mesme. Parimet Wilsonit dhe përpjekjet shqiptare kanë triumfuar. Ndërkaq në luftën  e dytë të përbotshme aeroplanë të huaj deshën të ndihmonin kryengritjen jugosllave duke hedhur  trakte dhe harta gjeografike  ku Shkodra deri në Drinë në rrethin e Karagjorgjoviçit.Mirëpo shekulli i XX ishte shekulli që regjistroi humbjen  e madhe shqiptare por edhe shekulli që solli dritëzën  e parë me bombat e NATO në Kosovë. Ndërkaq shekulli XXI duhet të jetë shekulli shqiptar. Defteri ku regjistrohet bashkëjetesa me fqinjët.500 vjet nga koha e tyre llogaritet ta ketë mbështjellur guaska  e rëndë e perandorisë osmane.Kohërrëzimi,pra shurdhimi definitiv i saj,pritej të ndodhte riparimi.Ndërkohë vërshuan, si në skenarët e hershëm ballkanas,fqinjësia.Harta pushtuese lexohet:veri shkjau serb,jug grekëria e pabesë.Zënia e luftës së përbotshme ishte më tepër se llaftari.Flamuj shtetesh pollën motet.Pasqyra e pushtimeve:përveçse sulme e pushtime varre të hapura, morte të rënduar,arkëmorte të rëndë.Fytyra e tyre, pasqyronte :ushtri që infektonin vdekjen.Në këtë Babiloni pushtuesish,pushtimet do të klasifikoheshin,përveçse të egra,të përbindshme pushtime.Ata,që janë të pushtuar e dinë se ç’farë ngjyre ka në të vërtetë,pushtimi.Një shkrim i hedhur në internet thoshte se Zoti është shqiptar. Dhe nuk ka më bukur dhe më mirë.Zoti tashmë është shqiptar.Naimi,do ta deshifronte në këtë mënyrë,syrin e Zotit,që vrojtonte ligësitë e fqinjëve,para një shekulli: “C’sheh,është Zot i vërtetë,ç’dëgjon është zëri i tia………….Pra,  nëse besoni në Zot,pra nëse keni një fe,hiquni,zmbrapsuni nga ligësitë ngase një ditë do të merrni të rëndat ndëshkime.Shqiptarët e Kosovës e vijuan rezistencën pas luftës së dytë të përbotshme.Përpara këtyre katastrofave,riparimi bëhej gjithmonë e më i vështirë.E shtuan qëndresën  duke shtuar edhe shumëzimin.Por momenti fundfillesh shekulli 19-20,korracoj një zgjidhje të përkohshme: shkumëzoheni, për të përballuar pushtimet e rënda,për të siguruar si hap të parë ,mbijetesën tonë. Në këtë mënyrë,ndyshoi grafiku i ekzistencës së shqiptarëve.Kështu nga  përndritja e madhe,që ishte  rilindja kombëtare,pas kataklizmës ballkanike,shqiptarët  kanë ndjerë se  Zoti  ka  ndikim një lloj dore,e përkthyer mirësie në çështjet tona kombëtare.Këto fjalë përbënin diagrama e rrahjeve të zemrës shqiptare,por në kohë të përndritjes sonë kombëtare.Kështu është vrojtuar se kombi ynë,ka edhe një grumbullim cilësish të mira. Kështu ,që nuk mundet të merret si rastësi e historisë që na flet se ne kemi qenë ndër kombet  e parë që kemi prejardhje nga pellazget dhe iliret janë paraardhësit tanë te njohur me ADN. Rilindësit ngrohën ngrohën venat e ngrira të kombit. Një dervish shqiptar ka thënë këtë pasazh dashurie për vendin e tij:”Neve s’na sos Perëndia,se na ka ngjizur vetë / Do të rrojëShqipëria,sa të përmbyset kjo jetë.”Kjo nuk është muze.Ajo është përpjekja e atyre rilindësve,që në çdo ditë e çdo stinë ,plotësuan kronikën e madhe të përndritjes kombëtare shqiptare. Ajo është “vula”,për kombin tonë .Jemi këtu ,thotë ky dervish,që kur s’mbahet mend.Ky dervish është baba Meleq Shëmbërdhenji ,rilindas i shquar.Nga thellësia e kohës dëgjojmë klithmën e dervishit rilindas.Duket,se prej andej ka mbritur aksioma: “Pa atdhe,s’ka fe”‘ ,rubin i parë në këto themele,ishte libri i këtij dervishi,”Besim e fe”. Këtu jemi,që kur dielli e hëna s’kishte lerë,është shprehur poeti Naimi ynë.Por përpara se tek poeti ynë të ndriçonte ora e territ,Naimi, ai ishte adresuar me një lutje shenjtorësh  Zotit:”Jepi shqiptarit drite / Zot i vërtetë të shohë / të marre vesh mirësitë / të vërtetën ta njohë.”  Midis atij trazimi të jashtëzakonshëm shpirtëror,që kishte ndodhur në Ballkan e kishte bërë poetin tonë por rilindës të tjerë të kërkonin për ndihmë edhe rrugën e frymës ,sepse nga të gjithë ballkanasit, popull më i sfilitur  se shqiptarët nuk besoj të kishte.Sillen për këtë kohë shumë faktorë përcaktues,por lihet në hije,vet tharmi i saj,vullneti i krijuesit tonë. Rrjedhat, që do të shoqërojnë zhvillimet shqiptare kanë edhe dorën e Perëndisë. Ndërkaq kjo nuk predispozonte se kombi ynë ishte i zgjedhuri i Perëndisë. Por urën e mbarësisë e qëroi vetë Perëndia. Po përse Zoti i dha këtë dorë mirësie kombit tonë ?Ishim një popull i vajtur në mes fqinjëve tinzar-pushtues.Nëse ky bekim nuk do të kishte ardhur asnjëherë,a do të kishte jetuar kombi ynë ?Nëse,  jetuam është edhe fryma shpirtërore dhe qëndresa e kahershme e jona. Kanë ardhur shumë kombe.Jetuan një pjesë,tek të tjerët zbriti nata. “Shumë kombe janë shuar, por shqiptarët kanë patur uratën e Zotit,që mbenë e kombi yne,s`ka rënë poshtë.” Me këtë gjuhë zemre me këtë pendë të florinjtë ka shkruar Naimi ynë, për ekzistencën e kombit tonë.Në fytyrën e tokës shqiptare, shfaqet fryma e një bukurie ballkanase,por me fytyrë mesdhetare,brenda suazës së Europës.Ka parametra gjeografik të mrekullueshëm vendi ynë. Me qindra  gërma plumbi ka derdhur poetet , për të rajvizuar natyrën e bukur.Por thellë,më tepër në padukshmëri,atje ku pamja është ngulitur fort,  ishte ka parë fytyrën e Zotit.Për bektashinjte dhe për Naimin panteiste, kjo botë ka krijuesin e saj.Edhe dëshira, aspirata e shqiptarëve për të ruajtur trojet e tyre u “magazinua”në formë lutjeje në “memorjen hyjnore”një ditë. Kishte mundësi, që pas ndonjë kataklizmi ballkanike, përpara syve të shqiptareve të kryhej copëtimi i plotë .

“_-Coniu shqiptare prej gjumit,çoniu”.Vikama e P.Vases, ishte preludi, për të gjithë rilindasit.Më e kthjelluar,më brilante do të qe:”çoniu prej gjumit, sundimi ëndrrës, po humbet pushtetin.”.Kjo do të thoshte,koha e ëndrrës kishte përfunduar. Zhvillime të reja,priteshin në skajin tjetër.Kishte kaluar faza e parë. Prandaj u zhduk ëndrra. Fjala tani qëndronte në “tavolinën supreme. Dhe verdikti u dha qartazi :ne 17 mars 2008 qe do te shprehej se numrat 1 dhe 7 janë mistik,kurse numrat p.sh  numri tek  2-mund te lexohet dy kombe shqiptare ne Ballkan. Ndërsa dikur kanë qenë një dhe i pandarë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: e popullit shqiptar, Gezim Llojdia, historia vecante

Një jetë interesante

June 15, 2013 by dgreca

Këto ditë doli nga shtypi libri i z. Kopi Kycyku me titull “Astrit Leka, vite të stuhishme”./

Shkruan: Bardhyl Selimi/

Personazhi kryesor i librit jeton ende, është 88 vjeç, ai i përket brezit të paraluftës, të luftës, të komunizmit dhe postkomunizmit.Për fat, unë e kam njohur atë që 40 vjet. Por me hollësi për jetën e tij tepër interesante kam mësuar vetëm vitet e fundit, kur për të po shkruheshin dy libra, një nga z. Kopi Kycyky dhe një nga z. Adem Demaçi.Në shtyp kanë dalë një sërë artikujsh dhe intervistash për të që, nganjëherë kanë ngjallur reagime të forta te disa enveristë.Përse?

Siç thashë në fillim, Astriti ka hyrë në lëvizjen nacional çlirimtare shumë i ri, pasi braktisi studimet e mesme në Itali. Ndonëse me prejardhje nga një familje e pasur e Borshit të Sarandës, ideali i lirisë dhe i të ardhmes të begatë të vendit e popullit e shtyu edhe Astritin, sikurse mijëra të tjerë, në luftën çlirimtare.

Në bazë të dokumenteve, Astriti figuron në Qarkorët e parë të Rinisë Komuniste. Ai ka qenë edhe në grupin koordinator të rinisë për bashkërendimin e veprimeve luftarake kundër armikut të përbashkët, fashistave italianë, të dy formacioneve kryesore politike të kohës së luftës, Ballit Kombëtar dhe Fronti Nacional Çlirimtar. Në këtë komitet të rëndësishëm, që nuk përmëndet asnjëherë nga historiografia komuniste, bënin pjesë, nga pala nacional – çlirimtare Nako Spiru, Niko Opari, Astrit Leka, Hatixhe Deliu Çitaku, Jovan Antoni, kurse nga pala e Ballit, Nexhat Peshkëpia, Halim Begeja, Xhemal Alimehmeti, etj.

Në pranverë 1943, K.Q. i Rinisë Komuniste ngarkoi me mision në rrethe: Ramiz Alinë në Berat, Astrit Lekën në Elbasan, Manush Alimanin në Shkodër dhe Siri Kodrën në Dumre; më vonë Prokop Murrën në Peshkopi dhe Muamer Spahiun në Tiranë. Nga të rinjtë bashkënxënës të Astritit, që ishin lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare, ranë 11 dëshmorë (Manush Alimani, Siri Kodra,Vildan Luarasi, Bahri Shaqiri, Thoma Kuqali, Bedri Karapici, Gjergj Frashëri etj)

Në qarkun e Elbasanit Astrit Leka mori pjesë në luftimet kundër italianëve si përgjegjës i rinisë së batalionit “Çermenika” dhe më pas u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm për shoqërimin e dy misioneve britanike, me porosi të Enver Hoxhës, duke zevëndësuar Koço Tashkon.

Por ajo që e ka shquar Astrit Lekën më shumë, ka qenë pjesëmarrja aktive me shumë sukses në njisitet guerile. Duke filluar me aksionin mbarëkombëtar të 24 korrikut 1942 për prerjen e telave të telefonit. Ky qe një aksion i koordinuar, madje në rang Evrope, me porosi të Kominternit, që donte të testonte deri ku shkonte direktiva e tij. Me një guxim të pashembullt, ai ka arritur që të realizohen aksione të tilla me përmasa shumë të gjera, sikurse ka qenë sigurimi i ushqimeve dhe i veshmbathjeve për brigadat partizane. Dhjetëra kamionë me ushqime kanë ardhur legalisht nga qytetet e Kosovës pasi ishin siguruar dokumentet përkatëse nga Ministria e Ekonomisë nën presionin e Astritit; nga Banka e Durrësit që shërbente edhe si magazinë e madhe sheqeri, leshi dhe artikujsh të tjerë, nga furra e nozullimit në Tiranë.

Secili aksion më vete do të përbënte një material të mjaftueshëm për një ose disa filma ose vepra artistike të tjera. (Siç ishte psh drama e Ndrekë Lucës “Një firmë me revole”, ku Astriti i merr, me revolver në krye, ministrit të ekonomisë një autorizim në të bardhë me firmë për të bërë të mundur qarkullimin lirisht në tërë Kosovën, ku emri Astrit ndryshohet në Petrit. Kjo dramë fitoi çmimin ekonkursit letrar të 40 vjetorit të PPSh, më 1981. (Ndërkohë Astriti punonte me kazëm me dënim pa të drejtë)

Por Astriti nuk kishte hyrë në luftë për qëllime personale pushteti dhe privilegjesh. Sikurse shumica e ish partizanëve, ai ëndërronte një shoqëri të lirë demokratike, një atdhe të bashkuar dhe të përparuar.

Këto synime nuk mund të mos binin në sy të komisarëve politikë, që sytë i kishin kah “vëllezërit jugosllavë dhe sovjetikë”. Prandaj, që gjatë Luftës Astriti ka qenë në shenjestër për “t’u likuiduar” ndonëse meritat e tij të mëdha njiheshin nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Pikërisht ky fakt i fundit, bëri që ai të shpëtonte nga pushkatimi, pas arrestimit me 1945 në Korçë, (Nako Spiru, presidenti i Rinisë Shqiptare u bë garant për të). Të tjerë, pa njohje të tilla të larta dhe pa asnjë faj u pushkatuan sepse pushteti donte të mbillte terror.

 

Megjithatë, kjo ndikoi që ai të mos gjente një punë të qendrueshme në zyrat e pushtetit që, atëkohë, kish nëvojë shumë të madhe për njerëz me kualifikimin e Astritit. Po të shfletosh dokumentet, shikon se sa shumë herë Astriti emërohet, pushohet, sërish emërohet, sërish pushohet, pa motivacion. Qysh kur përfundoi gjimnazin pas Lufte, me çmimin e Ministrisë së Arsimit për maturantët më të shquar që ndërprenë shkollën për të vijuar luftën e për të marrë maturën pas saj, nuk i dhanë bursë për shkollë të lartë siç u dhanë shumë të tjerëve, më pak të aftë se ai.

Por vullneti i Astritit qe i madh. Ai studio vetë dhe mandej me korrespondencë në tri degë të arsimit të lartë, duke fituar diploma për Histori- Gjeografi dhe Gjuhë –Letërsi. Nga 600 studentë atëhere, u diplomuan vetëm tre, (Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani, Astrit Leka, ky me dy diploma). Por sërish atë e pushonin…

Për një periudhë, Astriti  punoi për Historinë e Shqipërisë nën drejtimin e Aleks Budës, duke u emëruar bashkëpunëtor shkencor me vendim qeverie i Institutit të Shkencave më 1954 (bashkë me Luan Omarin, Arben Putën, Bujar Hoxhën, Kristo Frashërin, Zija Shkodrën etj). Aty e ngarkuan, para Kongresit I të Partisë, për një studim për lëvizjen fshatare të Haxhi Qamilit. Lëvizjen e Haxhi Qamilit Astriti pas një studimi objektiv, e vlerësoi, sikurse ajo qe në të vërtetë, si antishqiptare, ndërsa figurën e Hasan Prishtinës, më vonë, (1954) të përdhosur nga filojugosllavët, si atdhetare të pashembullt.

Sigurisht, në Institut atë nuk mund ta linin gjatë, vijuan peripecitë e jetës.

Një fushë e rëndësishme e veprimtarisë së tij u bë ajo e gjuhëve të huaja, latine dhe sllave, të cilat nisi t’i japë mësim privatisht dhe të hartojë edhe gramatika të tyre për shqiptarët. Në këto gjuhë nuk mungoi edhe Esperanto!

Më vonë Astriti mori pjesë në hartimin e fjalorëve terminologjikë, ku dha ndihmesë për botanikën, sado që autoritetet nuk ia përmëndnin emrin si autor. Astriti ndërmori një projekt të madh:” hartimin e fjalorit enciklopedk shqiptar” duke afruar rreth vetes rreth 70 bashkëpunëtorë, por edhe këtu puna e tij u minua nga të tjerë, të lidhur me pushtetin e lartë, që e nxorën atë fjalor shumë vite më pas. Një atlas gjeografik i vendit, gjithashtu, doli nga dora e Astritit dhe u përdor në shkollat e vendit.

Pasi nisi punën si mësues në shkollën ekonomike e më pas në gjimnazet e Tiranës, si merceolog dhe si mësues i frëngjishtes, ngriti kabinete model dhe organizoi seminare metodike në shkallë rrethi dhe vendi.

Në vitin 1967, kur duke imituar “Revolucionin Kulturor Kinez” edhe në Shqipëri nisi një fushatë e egër kundër intelektualëve, Astritin e pushojnë nga puna si mësues duke u cilësuar si “armik” dhe e dërgojnë të punojë me kazëm. Mund të kish përfunduar më keq, sikurse sërish të mos ishte i njohur nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Nisi kështu një periudhë tjetër e vështirë për të që vazhdoi, pas disa vitesh, me një punë private si mësimdhënës dhe përkthyes i disa gjuhëve.

Maji i vitit 1990 e gjen Astritin me familjen sërish në Perëndim, në Gjermani, SHBA, Zvicër ku ai nis jetën e emigrantit politik. Falë aftësive të tij intelektuale, arrin të integrohet në shoqërinë e atyshme duke fituar respektin e autoriteteve shkencore dhe politike vendase. Domethënëse lidhur me këtë është edhe ky fakt: Rektori I universitetit të Friburgut  prof Meir i shkruan Astruitit se «  Njohuritë tuaja, aktivitetet tuaja si dhe personaliteti juaj bëjnë që Universiteti ynë do të jetë i nderuar t’ju ketë  si  personel të tij ». Ndërsa Prof. H. Usprung, sekretar shteti i Zvicrës që drejtonte kërkimet shkencore të këtij vendi, i njohur në takime ndërkombëtare  kërkoi që të vija emrin e tij si referencë në letrat që do t’i dërgoja autoriteteve zvicerane.”

Astrit LekaThemelon një shoqatë jo fitimprurëse “Solidest”, në ndihmë të vendeve të Lindjes me mbështetjen e OJQ të rëndësishjme zvicerane dhe ndërkombëtare dhe ndërmerr një fushatë për sensibilizimin e opinionit zviceran e më gjerë për vlerat e kulturës kombëtare të shqiptarëve, ndër të tjera për ngritjen e monumenteve të heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, në Gjenevë e gjetkë.

Aktivizohet në shoqatën evropiane dhe botërore të veteranëve të luftës, me gjithë kundërshtimin e shoqatës enveriste shqiptare, ku jep një ndihmesë të shquar.

Në kuadër të saj, ndikon fuqishëm në opinionin politik euroatlantik për njohjen e UÇK si, jo terroriste por çlirimtare, dhe gjatë Luftës në Kosovë e ngre zërin për mos braktisjen e teritoreve shqiptare nga refugjatët nga Kosova, për vendosjen e tyre në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Pas luftës, arrin që organizatat e UÇK e Kosovës, e Maqedonisë dhe e veteranëve shqiptarë të Kroacisë, të njihen nga organizata botërore dhe evropiane e veteranëve të Luftës.

Njëkohësisht ndihmon në realizimin e projektit të Konferencës së Gjenevës, mbështetur nga ministrja e jashtëm e Mishelin Kalmire, për paqtimin e Izraelit me palestinezët, për mosprodhimin dhe heqjen nga përdorimi minave antinjeri etj.

Ndër projektet e viteve të fundit, janë edhe ai për Memorialin e Vetëflijimit të shqiptarëve në shekuj për mbrojtjen e trojeve atdhetare, që do ngrihet në Borsh si dhe të memorialit të Pirros së Epirit shqiptar në Ascoli Satriano, Itali.

Porosia e përhershme e Astritit për shqiptarët ka qenë dhe është atdhedashuria, si çelës për të arritur objektivat tona kombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Leka, Bardhyl Selimi, liber ni ri

Bedri Çoku dhe libri i tij “Përtej dhimbjes”

June 15, 2013 by dgreca

Ne Foto: Bedri Coku, autor i librit”Pertej Dhimbjes”

Nga Reshat KRIPA/

Këto ditë doli në qarkullim një vepër tjetër e mikut tonë Bedri Çoku, romani “Përtej dhimbjes”. Ç’ka dashur të thotë autori me këtë titull? Heroi i romanit, që praktikisht është vetë autori, pasi ka vuajtur pothuajse një çerek shekulli burg, papritur e sheh veten të lirë. Tani kohët kanë ndryshuar. Sistemi i tmerrshëm që e dënoi përjetësisht është shembur dhe populli gëzon ditët e para të lirisë. Por autori mediton. Mediton  rrugën nëpër të cilën ka kaluar, një rrugë të tmerrshme e mbuluar me ferra dhe gërxhe.       Ai kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por jetonte në një kohë kur çdo gjë ishte e ndaluar, kur nuk mund të shprehte atë që i buronte nga zemra e tij, nuk mund të shprehte mendimet e tij të lira, ndjenjat e shpirtit të tij të pastër. Jetonte në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Ai nuk i përkiste atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, duke u shndërruar në lakej të tij. Ai i përkiste atyre që i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet, atyre që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur, atyre që luftonin kundër nënshtrimit apo lirisë së dhunuar, atyre që nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Kështu  ai nuk shkroi, me gjithë dëshirën e madhe që kishte. Ndonjëherë, atje në qelitë e errëta të burgut, i lindte dëshira për të shkruar. Dora i hidhte ato në letër. I lexonte dhe i rilexonte, ndonjëherë ia tregonte edhe ndonjë miku të ngushtë. Por vetëm kaq. Ato mbetën “Kangë të pakëndueme”, të cilat prisnin një ditë “me shpërthy dhe me u këndu pa frik e pa zori”.

Merita e tyre ishte se  këto vepra, mbajtën gjallë ndërgjegjen kombëtare të tyre, qoftë dhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit se, një ditë,  ato do të bëheshin realitet. Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.

Kështu ai heshti për një periudhë te gjatë dhe vetëm kur u krijuan kushtet për një krijimtari të lirë, pas përmbysjes së madhe, u ul dhe shkruajti ashtu siç ia diktonte zemra e tij dhe ja ku kemi një libër tjetër të këtij autori tashmë të njohur.

Lexoj rreshtat e këtij libri dhe në sy më ringjallen ato skena të dhimbshme nëpër të cilat kishte kaluar autori. Më del parasysh familja e tij dhe në mënyrë të veçantë nëna e tij heroinë që përballoi me dinjitet katër të burgosur, bashkëshortin  dhe tre djemt e saj, që përballoi 65 vjet burg të kryera prej tyre. Më del fëminia e autorit dhe shokët e tij të klasës, një pjesë e të cilëve e ruajtën miqësinë me të edhe pse ai ndodhej në kondita krejt të kundërta me ta. Më del dashuria e rinisë së tij që, si shumë të tjera të asaj periudhe, ishte një “mollë e ndalueme” dhe që u zëvendësua me një tjetër dashuri që do të krijonte një familje të shëndoshë. Më del optimizmi dhe përkushtimi i tij për ndërtimin e një Shqipërie të re, demokratike.

Duke lexuar librin, nëpërmjet  përshkrimeve  të  holla  të  penës  së  tij,  ndjen  një dridhje në zemër. Këtë dridhje e ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh në atë botë të zymtë të mbuluar nga dimri i tmerrshëm i quajtur komunizëm. E ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh i rrethuar nga burokratë të pështirë apo individë servilë, të shndërruar në kameleonë të neveritshëm, jeta e të cilëve ishte kufizuar vetëm në brohoritjet për liderin monstër. Këta tipa, këta “Njerëz të rinj” të sistemit socialist, nuk ishin tjetër veçse hiena që kërkonin të ushqeheshin deri edhe me kufomat e njerëzve të ndershëm.

Veprën e përshkron fund e krye një gjuhë dhe stil i sigurtë. Kjo tregon se autori, na del i plotë, i sigurtë në veten e tij. Përshkrimet e skenave të ndryshme janë një dëshmi e pjekurisë së tij artistike sa që të duket sikur ai ka vite që shkruan.

Duke lexuar veprën nuk ka se si të mos reagosh. Sot ende ne shohim pinjollët e atyre që kanë kryer krimet më të rënda të ngrenë veshët dhe të mburren me bëmat e zeza të prindërve të tyre. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Drita e së vërtetës më në fund do të sundojë mbi errësirën dhe, pavarësisht nëse do ta shijojë apo jo brezi i ynë, fëmijët tanë do të dijnë ta drejtojnë këtë vend në rrugën e duhur.

Mbajtur në takimin e zhvilluar për promovimin e librit “Përtej Dhimbjes” më 14 qershor 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: i Bedri Cokut, pertej dhimbjes, reshat kripa

Reagim ndaj disa reagimeve ne Gazeten ILLYRIA

June 15, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kujtim Qafa duke intervistuar Kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi  per ACTV, Prill 2013/

Nga Kujtim Qafa/

Në gazetën “ Illyria” të datës 21-23 Maj 2013, për shkrimin me titull “ Ekrem Bardha: Si organizova viziten e parë të Berishës në SHBA, 1991?”, pati disa reagime. Reagimet vijnë nga interesi i madh që ka pasë për të vërtetën e kësaj vizite, që përbënte kthesen historike të Shqipërisë për daljen nga dara komuniste e stalinizmit shembullor të regjimit diktatoril hoxhian. Disa shqiptarë të New Yorkut me rrethina thanë se Zoti Bardha nuk ka thënë të vërtetën?

Cila është e vërteta e kësaj vizite?

Unë, Kujtim Qafa jam një ndër protagonistët kryesor të kësaj ngjarje, që Zoti Bardha e vë në dukje në prononcimin e tij, bash ashtu siç ndodhi. Në fillim të muajt shkurt 1991, z. Bardha thirri një  grup shqiptarësh nga Detroiti për të biseduar rreth sjelljes së një delegacioni ( delegacionit të parë ) demokratik nga Shqipëria. Pas disa takimeve, u vendos që në SHBA të ftohen dy figurat eminente të Partisë Demokratike ( sapokrijuar) Dr. Sali Berishen dhe ekonomistin e njohur, Gramoz Pashko. Shpenzimet e tyre do t’i mbulonte  z. Bardha e, ne, më vonë, do t’i kthenim në njëfarë përpjestimi këto shpenzime, gjë që sot e kësaj dite nuk ka ndodhur. Shpenzimet prej 12 mijë dollarësh, Ekremit nuk iu kthyen asnjëherë.

Vetiu lind pyetja: Kush tjetër ka paguar, qoftë edhe një dollar për këtë vizitë? Është absurde të mendosh e, për më keq, të shprehesh e dyshosh për një gjë që mbahet mend, nga përjetimet që pati ajo vizitë. Kush nga New Yorku e solli këtë delegacion e kush u kujtua t’a sillte? Kush pagoi për këtë vizitë, veç Ekrem Bardhës?

Në mbarim të muajit shkurt, z. Bardha, dhe unë u nisëm për në aeroportin J.F.K, ku do të bashkoheshim me vëllezrit Bytyçi, Skender Perollin e disa shqiptarë të tjerë, për të pritur delegacionin  nga Shqipëria, tanimë e liruar nga vargonjët Stalinist që  Ameriken e quanin armikun me të madh, ose xhandarin ndërkombëtar të botës. Takimi i vetëm i bërë në New York me disa nga shqiptarët e  atjeshëm është mbajtur në Resorantin e vëllezërve Bytyçi në Manhatan. Të nesërmen u nisën për Washington, z. Bardha së bashkut me delegacionin dhe z. Perolli, kurse unë jam kthyer në Detroit për të organizuar pritjen e këtij delegacioni disa ditë më vonë.

Nuk është puna se z. Bardha pagoi shpenzimet e këtij delegacioni, por edhe koha e angazhimi i tij për takimet në Washington kanë qënë në rend të parë, të cilat i mundësonte njohja e tij me  kongresmenë  e senatorë  të këtij vendi, ku demokracinë e ka gjënë më të shejtë!

Ekremi, jo vetëm ka sjell këtë delegacion, por edhe disa delegacione të tjera, jo vetëm që ka ndihmuar për demokratizimin e Shqipërisë, por ka ndihmuar dhe për Pavarësinë e Kosovës.

 

*Shenim i redaksisw: Kujtim Qafa, pas krijimit të Partisë Demokratike, në Dhjetor të vitit 1990 dhe, pas daljes së numrit të parë të Gazetës “ Rilindja Demokratike” u njoh së pari me Frrok Qupin, kryeredaktorin e kësaj gazete, të cilit i kërkoi të bashkëpunonte me Radion që e drejtonte ai, “ Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit”. Kjo mundësoi që Kujtim Qafa të bënte intervisten e parë me Dr. Berishen dhe Gramoz Pashkun, para se të udhëtonin për SHBA. Më vonë, Kujtimi me Ekrem Bardhen dhe Gjeto Ivezaj do të ndihmonin zgjedhjet e njohura të 22 Marsit 1992, ku u mundësua fitorja plebishitare e Partisë Demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Illyria, Kujtim Qafa, reagim ndaj gazetes

Thaçi e Daçiq zotohen para OKB-se për zbatimin e marrëveshjes

June 14, 2013 by dgreca

Në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u zhvillua të premten me 14 prill në Nju Jork, është vlerësuar lart marrëveshja e 19 prillit, e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.
Ajo është cilësuar si historike nga të dy kryeministrat, derisa sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon, por edhe ambasadorët e vendeve anëtare të KS-së, kanë bërë thirrje për zbatimin sa më të shpejtë të saj.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se marrëveshja konfirmon dhe ruan sistemin unik dhe legal të Kosovës, si autoritet të vetëm legal në vend.
Ai, gjithashtu, ka potencuar se marrëveshja mbron të gjitha komunitetet, duke iu ofruar atyre siguri fizike dhe humane.
Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiq, në këtë seancë ka thënë se Serbia është e vendosur që t’i vërë pikë së kaluarës, e cila siç është shprehur ai, nuk mund të ndryshohet.
Daçiq ka theksuar se marrëveshja e prillit, është e para e këtij lloji e arritur ndërmjet dy palëve dhe se në të ardhmen, sipas tij, do të bisedohet për kthimin e personave të zhvendosur dhe pronës.
Kryeministri serb është shprehur se të gjitha raundet e negociatave janë zhvilluar pa paragjykim ndaj çështjes së statusit të Kosovës, duke shtuar se Serbia ka treguar gatishmërinë e saj për të shkuar përtej gjendjes së tanishme.
Ndërkohë, pasi e ka vlerësuar si sukses historik marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ban Ki-Moon ka ftuar të dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.
“Ajo është arritje historike. Si rezultat i saj, perspektivat për të kapërcyer trashëgiminë e konfliktit të kaluar dhe për të arritur pajtim, stabilitet dhe prosperitet janë më të mëdha se kurrë”, ka deklaruar Ban Ki Moon.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç e hapi fjalimin duke thënë se gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës është sipas tij mjaft e brishtë. Ai foli për incidente të shpeshta, për të cilat tha se janë shtuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke folur për dialogun me Kosovën, zoti Daçiç tha se vendi i tij ka investuar përpjekje të konsiderueshme dhe ka treguar elasticitet të madh. Ai tha se Serbia do të vazhdojë të udhëhiqet nga besimi i fortë se negociatat mund të sjellin një zgjidhje pranueshme për të gjithë.

Kryeministri Daçiç tha se Serbia ka shpresa të mëdha nga takimet e ardhshme të ekipeve për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Serbia, tha ai, e shikon shumë të rëndësishme që, ajo që është arritur, të vihet në praktikë duke pasqyruar vullnetin dhe synimet e negociatorëve. Statusi i serbëve në Kosovë, tha zoti Daçiç, duhet të përcaktohet qartë.

Kryeministri i Serbisë tha se procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë ka qenë shumë i ngadaltë dhe i vështirë. Të kthyerit po mbështeten më shumë me fjalë sesa me vepra, tha ai.

Procesi i kthimeve, tha zoti Daçiç, është bërë më i vështirë nga fakti se sistemi i sundimit të ligjit në Kosovë ka mangësi serioze dhe nuk ka qenë në gjendje të sigurojë mbrojtjen e duhur në veçanti të pakicave.

Zoti Daçiç bëri thirrje që mandati i UNMIK-ut në Kosovë të mbetet i pandryshuar. Roli i UNMIK-ut në stabilizimin e situatës në rajon është i pazëvendësueshëm, tha zoti Daçiç.

Kryeministri serb u ankua se zyrtarëve dhe figurave të njohura publike të Republikës së Serbisë vazhdohet t’u mohohet hyrja dhe qëndrimi në Kosovë.

Zoti Daçiç tha në mbyllje se megjithë këto probleme, nuk ka dyshim se në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës është arritur përparim historik. Serbia, tha ai, është e vendosur t’ia lërë të kaluarën së kaluarës. Ajo që mund të bëjmë ne, theksoi Kryeministri Daçiç, është t’i japim formë të tashmes dhe të ardhmes.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Hashim Thaçi i bëri një paraqitje të hollësishme marrëveshjes së 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel, të cilën ai e quajti një moment vendimtar dhe historik.

Ai tha se vendi i tij vazhdimisht ka treguar mbështetje për dialogun politik me Serbinë. Edhe qytetarët, tha kryeministri Thaçi, kanë shprehur shpresën se marrëveshja do t’i shërbejë paqes dhe qëndrueshmërisë.

Zoti Thaçi përgëzoi edhe homologun e tij, kryeministrin serb, Daçiç për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes.

Kryeministri Thaçi tha se marrëveshja Kosovë-Serbi ka një rëndësi përtej Ballkanit Perëndimor. Kyç për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, tha ai, është zbatimi në praktikë i marrëveshjes.Kryeministri i Kosovës tha se qeveria e tij do të jetë e angazhuar për zbatimin por kërkoi nga Serbia që të jetë gjithashtu e angazhuar dhe të bindë serbët në veriun e Kosovës ta pranojnë marrëveshjen. Ai tha se zbatimi është thelbësor sidomos për serbët në veri të Kosovës. Zoti Thaçi tha se zbatimi në kohë i marrëveshjes ka rëndësi të madhe për të eliminuar aktivitetin kriminal në veri.Duke folur për çështjet e sigurisë, zoti Thaçi tha se policia e Kosovës ka bërë përpjekjet për të shtuar sigurinë për kishat serbe dhe objektet e tjera fetare dhe kulturore.Kryeministri Thaçi tha se integrimi në Bashkimin Evropian është përparësi shtetërore e vendit të tij. Ai tha se Kosova është në rrugën e duhur për të hapur negiociatat e marrëveshjes së asocim – stabilizimit me BE-në këtë vit dhe për të nënshkruar marrëveshjen e liberalizimit të vizave.Në fund, kryeministri Thaçi theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel duhet ta shtyjë Këshillin e Sigurimit të shqyrtojë miratimin e një rezolute të re për t’i dhënë fund misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë.
Në emër të Shteteve të Bashkuara, Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice i inkurajoi të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjen e arritur dhe që t’ua shpjegojnë qytetarëve të të dyja vendeve.
Zonja Rice tha se me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia po japin një shembull bashkëpunimi në rajon. Ajo vlerësoi përparimin e Kosovës në vendosjen e shtetit ligjor.(Kortezi RFL & VOA)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Hashim Thaci, Ivica Dacic, marreveshja, OKB

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5399
  • 5400
  • 5401
  • 5402
  • 5403
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT