• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në SHBA

June 8, 2013 by dgreca

Në Washington Kryeministri i Kosovës do të ketë takime në Shtëpinë e Bardhë, burime nga kryeqyteti amerikan thonë se do të zhvillohet edhe një takim me zëvendëspresidentin Joseph Biden/

WASHINGTON-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nga e hëna, pritet të vijë në një vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ku sipas disa mediave shqiptare këtu në SHBA, Kryeministri Thaçi do të ndalet fillimisht në Washington, mëpastaj vizita e tij dhe delegacionit që e shoqëron ka si epiqender New York-un, Kombet e Bashkuara dhe në shtetin federal Iowa Gardën Amerikane Kombëtare, me ç’rast pritet të takojë zyrtarë nga më të lartë të Administratës amerikane dhe të Kombeve të Bashkuara.
Njoftimet bëjnë të ditur se në kryeqytetin e SHBA, Washington D.C. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi do të ketë takime në Shtëpinë e Bardhë, ku burime nga ky kryeqytet thonë se ai do të zhvilloi edhe një takim të rëndësishëm me Zëvendës/Presidentin Joseph Biden . Një tjetër takim tjetër po i rëndësishëm në Washington pritet ai qëdo të zhvillohet në Departamentin e Shtetit, me njeriun e dytë në politikën e jashtme amerikane, zëvendëssekretarin e Shtetit, William Burns.
Ndonëse, njoftimet e medies shqiptare njoftuan më parë se pritej edhe një takim me Sekretarin e Shtetit John Kerry, burime të tjera kan saktësuar se shefi i diplomacisë amerikane nuk do të jetë këtyre ditëve në Washington. Në axhendën e Kryeministrit të Kosovës zotit Thaçi, i rëndësi u jepet edhe takimeve që ai do të zhvillojë edhe me zyrtarët e lartë në Pentagon, pra në Departamentin e Mbrojtjes dhe personalitete të jetës politike dhe diplomatike në kryeqytetin amerikan.
Kryeministri i Kosovës do të bëj edhe një vizitë njëditëshe në shtetin Iowa, shtetin partner të Kosovës, ku do të takojë guvernatorin e shtetit, pastaj do të vizitojë Gardën Kombëtare dhe biznese të suksesshme, atje të interesuar për investime në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës zoti Hashim Thaçi, njoftoin mediumet shqiptare e përfundon vizitën njëjavëshe në SHBA me pjesëmarrjen të premten e ardhshme në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit në New York, ku priten takime me udhëheqës të organizatës si dhe përfaqësues të vendeve anëtare në Kombet e Bashkuara. Në këtë vizitë zoti Thaçi shoqërohet edhe nga Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku./B.Sina/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryeministri hashim Thaci, vizite en SHBA

OPINIONISTËT E TIRANËS, BINJAKËZUAR ME POLITIKËN DHE OLIGARKËT, IA KANË SHITUR SHPIRTIN DJALLIT

June 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Shtypi dhe mediat e shumta të Tiranës vendosin në fokus të tyre dizinformacionin. Kjo sindromë, ky morbus duhet të shërohet me çdo kusht. Ti e kupton se noton total në dizinformacion, kur kërkon që ta krahasosh të njëjtin lajm në gazeta apo televizione të ndryshme. Dhe përfundimi është se do të mbetesh me gojë hapur, pasi do të konstatosh se nga lajmi, që ka kaluar në guzhinat e redaksive, ku kryeshefi është pronari apo oligarku i tranzicionit, nuk ka mbetur më asnjë shenjë.

Abuzimi me lajmin në Tiranë është i frikshëm, në kuptimin se si keqpërdoret ai. Është e kuptueshme që çdo gazetë apo televizion të ketë politikën e vet redaksionale, të zgjedhë prej lajmit, të nënvizojë dhe ta kthejë në kryetitull atë që i shkon për shtat, por pa guxuar t’i ndryshojë as edhe një presje.

Kulmi i rrezikut është se politikat redaksionale të gazetave apo televizioneve nuk përputhen dhe nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me interesat kombëtare të vendit. Si ndodh rëndom në një demokraci Perëndimore, ku duke anuar majtas apo djathtas, kritikat janë në shërbim të zgjidhjeve më të mira për vendin dhe në të mirë të opinionit publik. Në Tiranë shtypi dhe mediat kanë politika imponuese, pra diktojnë atë që duan ata, kë duan ata, si duan ata për interesa të tyre dhe assesi të vendit. Diçka që rrezikon integritetin e vendit.

Abuzimi me lajmin në Shqipëri është profesional që nga era e diktaturës dhe kryhet mjerisht nga ata që duhet të jenë zëdhënësit, besnikët dhe përcjellësit e tij, por që kanë dalë totalisht nga roli. Sepse opinionistët e Tiranës janë binjakëzuar dhe trinjakëzuar me politikën dhe oligarkët, pra ia kanë shitur shpirtin djallit.

Lajmin në Shqipëri e veshin, e zhveshin, i bëjnë make up, e përçudnonjë, e zbukurojnë, e lajlulosin, e lenë pa frymë, pa organe, pa asgjë, e kalojnë në gijotinë dhe pastaj e krijojnë sipas gustove dhe shijeve të tyre. Dhe kur vjen puna tek gustot, atëhere ata krekosen e dalin me maksimën latine që thotë « De gustibus non est disputandum », se gustot dhe shijet nuk vihen në diskutim. Dhe kur ke parasysh shijet e pronarëve dhe botuesve të Tiranës, asnjëri prej tyre nuk është as vegjetarian apo vegan, të gjithë janë carnivorë, mishëngrënës. Kështu bëjnë edhe me lajmin, ia rrjepin mishin, deri palcën.

Ju duket makabre, kjo që po ju them. Mos do të më thoni: uff, çfarë sensi antinjerëzor keni kur përshkruani këtë fenomen; zonjë kujdes se keni shkelur etikën profesionale me këtë gjuhë të helmatisur! Por kështu është e vërteta, e hidhur, e helmatisur, pelin, të cilën gazetarët e Tiranës, shërbëtorët e aq shumë zotërinjve e kthejnë me kokë përmbys.

Lajmin nuk mund ta transformojë askush, qoftë ky kush të dojë, qoftë ky të ketë lidhje me kë të dojë, qoftë me kryeministrin apo me liderin e opozitës, apo qoftë i punësuar nga pronarë me lidhje me qeverinë apo me grupet e interesit pranë opozitës, lajmi është kokëfortë, është ky që është dhe si i tillë duhet respektuar.

Në Tiranë lajmi masakrohet. Sikur të mos mjaftonte censura. Të gjithë opinionistët që dalin nëpër ekranët e televizioneve të Tiranës me flokë të sapolyera dhe krehura nga parukieret më në modë të metropolit ballkanas, me kostume shik firmato dhe me këpucë me çmim sa pensionet e dhjetë shqiptarëve, unë i përfytyroj gjithnjë me zinxhirë me dryna, sepse burgosin lajmin. Pastaj kur duan të hiqen elokuentë, për të evidentuar gradat e tyre shkencore, atëhere janë zero me xhufkë, sepse gënjejnë, pasi flasin dhe llapin sikur të kenë adn të përbashkët me të pronarëve. Ndërsa me publikun nuk kanë asnjë lidhje dhe publiku i njeh ata si zëdhënës të politikës dhe oligarkisë tranzicioniste, sepse me urdhërin e tyre lajmi përçundohet, transformohet sipas interesave të partive, partiakëve, oligarkëve, pra lajmi zhvishet nga të qëni lajm dhe kthehet në agjitpropagandë, diçka e ngjashme me kohën e diktaturës.

Këta faqezinj shkelin të drejtën e opinionit për informim sepse lajmi është e drejtë dhe pronë e opinionit publik. Jo vetëm në rang kombëtar dhe rang vendi, por në rang global. Ne e shohim në çdo sekondë se ndodh diçka, kudo që të ndodhë, opinioni informohet menjëherë, ne e marrim lajmin menjëherë dhe gazetarët pastaj bëjnë updated, përditësimin, për ta saktësuar, për t’i shkuar tek e vërteta që është vetë lajmi.

Në Tiranë ndodh e kundërta, në Tiranë gazetarët marrin rroga marramendëse, pushtojnë hapësirat që duhet të jenë pronë legjitime e opinionit publik, për ta çorientuar opinionin publik, për ta larguar nga e vërteta, nga lajmi, për t’ia bërë mendjen dhallë, çorap si thotë populli. Me këtë strategji gazetarët orintohen nga politika, nga botuesit dhe pronarët, të cilët midis tyre kanë lidhje të forta interesi ekzistencial, sepse mbijetojnë falë abuzimit, falë shkeljeve të ligjit të konkurencës, tregut të lirë, i cili vendos kufij dhe nuk lejon të abuzosh as me të drejtat dhe as me pushtetet. Këto të drejta sanksionohen në kushtetutën e një vendi demokratik, ku shteti i së drejtës përjashton çdo lloj abuzimi dhe ku fjala e lirë, e vërteta dhe lajmi janë sovrane. Nëse shkelet sovraniteti i lajmit dhe i të vërtetës, si veprohet në Shqipëri, është shkelur edhe sovraniteti i shtetit, qytetarit dhe opinionit publik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: analistet e Tiranes, binjakezuar me politiken, Elida Buçpapaj

VETEM BARAZIM NE “QEMAL STAFA”, POR ENDRRA DREJT BRAZILIT VAZHDON

June 7, 2013 by dgreca

Ndeshja u mbyll, vazhdojne diskutimet ne studiot televizive, ne gazeta dhe rrjetet sociale. Ah, sikur! Cfarë? Sikur  kuqezinjtë të kishin qëndruar edhe 4 minuta! Mirëpo ajo që po e parandjenim të gjithë, … dhe të luteshim të mos ndodhte, na ra si bombë, norvegjezi më shtatshkurtër, gjuan i pambuluar brenda zonës dhe ëndrra për fitore kthehet në zgjëndërr. Ka vetëm barazim, edhe pse luajmë me treqendërmbrojtës pas nxjerrjes së Salihit dhe zëvëndësimin e tij më mbrojtësin Osmani. Pjesa e dytë s’ishte si e para, skuadra e ndjeu lodhjen,madje dukej e sfilitur

***

Valdet Rama ka qenë protagonist i Kombëtares shqiptare, në barazimin 1:1 ndaj Norvegjisë, në ndeshjen e zhvilluar sonte në stadiumin ‘Qemal Stafa’, e vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2014.

Mesfushori kosovar ndihet i lumtur për golin, por e zhgënjen rezultati, pasi që Kuqezinjtë po udhëhiqnin deri në minutat e fundit dhe ishin shumë afër një fitoreje mjaft të merituar.

“Kemi bërë një lojë të mirë, kemi qenë 1:0 deri në fund. Kemi pasur raste të shkonim në 2:0, por fatkeqësisht e morëm golin në fund”, deklaroi Rama pas ndeshjes së dytë të tij me Kombëtaren.

“Normalisht, për mua është një ndjenjë shumë e mirë që shënova gol, kështu që do ndihej çdo lojtar. Por, një fitore eventuale do të më sillte ndjenja shumë më të bukura. Jam shumë i kënaqur që e ndihmova skuadrën me këtë gol”, vazhdoi futbollisti i Real Valladolidit.

Pas gjashtë xhirosh të zhvilluara, Shqipëria gjendet në pozitën e dytë me 10 pikë të grumbulluara, një më pak se kryesuesi Zvicra. Rama beson ende në kualifikim.

“Jemi në vendin e dytë, e cila është një pozitë shumë e mirë për momentin. I kemi edhe ndeshjet tjera, do të luftojmë, duhet ta japim maksimumin dhe duhet të besojmë deri në fund”, përfundoi Rama, i cili ia kushtoi golin djalit të xhaxhait të tij.

De Biasi: Është për të ardhur keq, humbëm dy pikë

 

Gianni De Biasi ndihet keq që Kombëtarja shqiptare e pësoi një gol që mund të evitohej në fund të ndeshjes me Norvegjisë, me të cilën barazoi 1:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.

Kuqezinjtë udhëhoqën deri në fund të takimit, kur e pësuan një gol, i cili ia mohoi dy pikë.

“Është për keqardhje, pasi mund të fitonim me rastet që patëm, një të pastër në pjesën e parë dhe një në të dytën me Salihin. Ju krijuam probleme atyre, ne po rritemi. Mendoj se ne humbëm dy pikë, me atë që e dhamë në fushë”, deklaroi trajneri italian pas ndeshjes.

“Megjithatë, besoj që skuadra bëri ndeshje të mirë, dha gjithçka që kishte. E vetmja e keqe është që luajtëm në qershor, në fund të sezonit, ndërsa ata ishin më të freskët, sepse e kanë nisur sezonin para katër muajsh. Përgjithësisht jam i kënaqur me paraqitjen”, vazhdoi De Biasi, i cili tha se në pjesën e dytë ekipi i tij pati një rënie, me ç’rast e pagoi këtë në fund.

Ai e përmendi faktin se Shqipëria e ka pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet e fundit, fakt të cilin e vlerësoi lartë, ndërsa shpreson që edhe në ndeshjet e ardhshme Kuqezinjtë të pësojnë pak gola.

Ai beson se Shqipëria ka të ardhme të ndritshme, pasi ka grup të lojtarëve të talentuar, të cilët sipas tij mund të rriten dhe mund të japin gëzime edhe më të mëdha në të ardhmen për vendin.

Ai ndihet mjaft i kënaqur me lojtarët që zbritën në fushë, duke i zëvendësuar mungesat, por e shqetëson vetëm forma fizike, e cila ndikoi në këtë rezultat.

 

***

Kuqezinjtë kanë qenë në avantazh deri në minutën 87, por një pakujdesi në mbrojtje lejoi lojtarin më shtatshkurtër të norvegjezëve të shënonte me kokë golin e barazimit 1-1.

Kombëtarja jonë kaloi në avantazh në fund të pjesës së parë (41’) me autor Valdet Ramën, i cili depërtoi nga krahu i majtë dhe goditi me të djathtën brenda zonës, duke mposhtur portierin norvegjez. Në pjesën e dytë, kombëtarja u mbrojt shumë mirë dhe kur dukej se gjithçka do të përfundonte me fitore, Norvegjia arrin të barazojë, duke shfrytëzuar pikën e saj më të fortë: goditjet standarde. Por, nuk ishte asnjëri nga shtatlartët lojtari që na ndëshkoi, por ai më shtatshkurti i ekipit, Tomas Hogli. Krosimi i Henrikssen nga këndi gjeti pikërisht numrin 2 të Norvegjisë, i cili gjendej krejtësisht i vetëm në qendër të zonës dhe me kokë mposhti Ertrit Berishën.

Jemi sërish në vendin e dytë. Shqipëria, ngjitet në kuotën e 10 pikëve në grupin E të eliminatoreve të Botërorit “Brazil 2014”, duke mbajtur vendin e dytë, pasi Islanda u mund brenda në shtëpi nga Sllovenia me rezultatin 2-4. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq për mënyrën se si erdhi ndëshkimi në minutën e 86-të, kur një mbrojtës shtatshkurtër norvegjez, i dalë në ndihmë të skuadrës së vet, shfrytëzon hezitimin e mbrojtjes sonë dhe barazon shifrat. Një ndëshkim që na kujton kohët e vjetra në fakt, kur e pësonim në fund. Megjithatë, barazimi nuk i mbyll rrugët e Shqipërisë për Botërorin 2014, teksa e sheh veten në kuotën e 10 pikëve, një më pak se Zvicra e kreut të grupit tonë. Natyrisht, pjesa e mbetur e garës do të jetë tepër e vështirë për vetë faktin, se do të luajmë tri ndeshje në transfertë dhe një të tillë në shtëpi. Tej asaj që u zhvillua në kuadratin e blertë mes dy skuadrave ndërkombëtare “Qemal Stafa” kishte marrë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë kufijve. Përveç atyre 17 mijë tifozëve që kishin siguruar një biletë dhe patën fatin ta përcillnin këtë kualifikuese “live” nga shkallët e stadiumit, miliona të tjerë mbajtën frymën para ekraneve televizivë. Ishte momenti i së vërtetës, një sfidë kyçe dhe tepër përcaktuese për këtë fushatë kualifikuesesh të kuqezinjve tanë.

Stadiumi “Qemal Stafa”, aty ku u luajt ndeshja Shqipëri-Norvegji, ka marrë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë kufijve. Përveç atyre 19 mijë tifozëve që kanë siguruar një biletë dhe kanë fatin ta përcjellin këtë kualifikuese “live” nga shkallët e stadiumit, miliona të tjerë mbajnë frymën para ekraneve televizivë. Eshtë momenti i së vërtetës, një sfidë kyçe dhe tepër përcaktuese për këtë fushatë kualifikuese të kuqezinjve tanë. Një fitore ndaj Norvegjisë do të thotë një hap tjetër i madh drejt përmbushjes së ëndrrës së madhe, shkuarjes në finalet e Botërorit 2014, ndaj entuziazmi i tifozëve është i madh dhe i justifikueshëm. Të pranishëm në tribunën VIP është edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

 

Filed Under: Sport Tagged With: dalip greca, endrra vazhdon, Shqiperi-Norvegji, vetem barazim

JA PERSE KRYEMINISTRI BERISHA DUHET T’I FITOJE EDHE KETO ZGJEDHJE

June 7, 2013 by dgreca

KOMENT PËR ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT 2013/

Nga Prof. Thanas L. GJIKA/SHBA/

 Në fushatën e sotme për zgjedhjet e 23 qershorit, forcat kryesore janë polarizuar midis Partisë Demokratike me z. Sali Berisha në krye dhe Partisë Socialiste me z. Edi Rama në krye. Arsyetimi kryesor që përdoret sot për të mbushur mendjen e popullit shqiptar se nuk duhet votuar z. Sali Berisha, është nevoja e rrotacionit, zëvendësimi i tij me z. Edi Rama, mbasi ai ka qëndruar shumë gjatë në pushtet dhe ka bërë gabime të rënda…

Për mendimin tim ky arsyetim nuk është bindës, mbasi:1. Rrotacioni është një domosdoshmëri në vendet me demokraci të zhvilluar, si SHBA, shtetet e Europës së Bashkuar, etj, por jo për vende me demokraci të brishtë, si Shqipëria, që kanë kaluar një periudhë të gjatë kohe nën zgjedhën e egër komuniste. Z. Sali Berisha vërtet ka qendruar gjatë në pushtet dhe ka berë gabime, të cilat i pranon dhe vetë, por detyrat kryesore ai i ka kryer mirë. Sot Shqipëria, nga një shtet në gjendje kome që ishte në vitet 1991-1994, është forcuar, ka hyrë në NATO dhe po ecën me sukses drejt Europës së Bashkuar. Fshatarësia shqiptare sot ka toka e bagëti, ka shtëpi të reja, është e punësuar në pronën e vet. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë jetojnë sot shumë, shumë më mirë se në vitet 1945-1991.

2. Partia Socialiste e Shqipërisë, si vijuese e drejtpërdrejtë e PPSH / PKSH ka pasur e ka nevojë dhe detyrë të zhvillojë së pari katarsën e vet, për t’u çliruar nga mendësia komuniste. Që kjo parti të kthehet në një forcë të vërtetë demokratike duhet të pranojë sukseset e kundërshtarit, duhet të mos shajë e shpifë kundër çdo bëme të Partisë Demokratike në pushtet, por të japë obsionet e saj më të mira. Z. Edi Rama, në vend që të merrej me rigjenerimin e partisë së tij këto tetë vjet të qëndrimit në opozitë, kreu veprime shumë të dëmshme politike duke mos hyrë në parlament, duke zhvilluar greva urie e demonstrata pa bukë, duke ushqyer vetëm urrejtje e tifozllëk të sëmurë. Më 21 janar 2011 ai nuk doli në krye të demostruesve, por i la demostruesit si bagëti pa bari dhe demostrata degjeneroi në një demostratë të dhunshme, duke dëshmuar se partia e tij nuk është në gjendje të kryejë një demostratë paqësore, si i zhvillojnë forcat politike demokratike.

3. Unë mendoj se fitorja e z. Sali Berisha më 23 qershor 2013 do t’i bëjë mirë të dy forcave kryesore politike, pra do t’i bëjë mirë së ardhmes së Shqipërisë. Kjo fitore do të sjellë si pasojë mënjanimin e z. Edi Rama nga kryesia e PS-së. Kjo parti do të shpëtojë nga ky kryetar i rastit e ambicioz, i cili për hir të mbajtjes së karrikes e shkatërroi PS-në duke mënjanuar shumë prej elementëve të pjekur të saj. PS-ja gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të ketë mundësi të rigjenerohet dhe të përgatisë kuadro të pjekur për të konkuruar denjësisht në zgjedhjet e vitit 2017. Nga na tjetër dhe PD-ja gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të ketë kohë të përgatisë kuadro të reja që po rriten në gjirin e saj për të vijuar edhe më mirë se z. Sali Berisha lojën politike të pluralizmit me tolerancë e pjekuri për të dëshmuar se dhe ne shqiptarët meritojmë të hyjmë në BE.

 

Filed Under: Komente Tagged With: 23 qershor, koment per zgjedhjet, Thanas L Gjika

FALENDERIM NGA FAMILJA MIRAKAJ DHE LIBOHOVA

June 7, 2013 by dgreca

Ne emer te familjes Mirakaj dhe Libohova falenderoj te gjith miqte dhe dashamiret qe na u gjeten prane ne momentet e veshtira te ndarjes nga kjo jete, te bijes ,gruas dhe nenes te pa harushme per dy vajzat Anna dhe Emma.

Flenderojme te gjihe ata te njohur e te panjohur qe nepermjet telefonave dhe mjeteve elektronike na shprehen dhimbjen dhe na ngushelluan per humbjen.e Manjoles.

Nje falenderim te veqante ja drejtojme zotit Dalip Greca qe u be zedhenes i dhimbjes tone dhe zotin Beqir Sina..

JU A KTHEFSHIM TE GJITHVE NE DITE GEZIMI.ME NDERIME .LEK E DOLORES MIRAKAJ

Filed Under: Komente Tagged With: Dolorez, lek mirakaj, Manjola Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5409
  • 5410
  • 5411
  • 5412
  • 5413
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT