• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jo Jugosllavia e tretë, Nikolla Gruevski!

June 2, 2013 by dgreca

Populli shqiptar në Maqedoni nuk është rentierë në trojet e veta etnike,prandaj klasa politike shqiptare duhen të ndërrojnë kursin dhe mos të sillen karshi(me ligjet e pashkruara)për gjoja se ata janë pjesë e shtetformimit/

 Nga Skënder Karaçica/

Kah është nisur Maqedonia me kursin politik tashmë të njohur të qeverisë së Nikolla Gruevskit.Është nisur po në atë udhë që ishte dikur në kohën e Jugosllavisë për të cilën ka shumë nostalgji kryeministri dhe qarqet politike maqedonase,që në kohën kur spektri i gjerë politik dhe demokratik europianë në Bruksel po bëjnë krejt të mundurën për të stabilizuar kahet e jetës në Ballkanin Përendimor,kështu e nis reagimin e vet SHSHA-ja në Çikago.
Nismat e reja të politikës nostalgjike në Maqedoni për bashkëpunim të ngusht me Serbinë dhe mbledhja e së hënës në mes të dyja qeverive Ivica Daçiç-Nikolla Gruevski në Beograd,tregon më së miri se deri ku ka shkuar kursi politik me disa skenarë të vjetër të boshtit pansllavist në Ballkan,krejt kjo kundër çështjes shqiptare dhe të kaheve të reja të shtetndërtimit të Kosovës,thonë shqiptaro-amerikanët në Çikago.Tërë vijat politike dhe të strategjisë tash e një shekull në qarqet antishqiptare në Beograd dhe Shkup,kanë qenë sa më shumë për të vënë në kandar ballansimin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe për të krijuar problemin kujdestar ,,Populli shqiptar faktor destabilzimi në rajon dhe më gjerë,,për të shkuar edhe me tej për të hutuar rrugën e diplomacisë ndërkombëtare karshi problemit të pazgjidhur shqiptar e të ndarë në pesë shtete.
Dihet se në politikën aktuale në Serbi kanë ardhur garnitura (e gatuar mirë)në kuzhinën nacionaliste dhe antishqiptare të kryekriminelit Sllobodan Millosheviç që me disa tone gjoja,,demokratike,,dhe të njëfarë,,kursi të ri në Serbi,,(!)të udhëhequr nga Nikoliqi,Daçiçi dhe Vuçiçi nuk janë gjë tjetër pos skenarët e vjetër në duart e ultranacionalistëve të shkollës së njohur serbe me ,,babain e kombit,,Dobrica Qosiç!Dhe në këtë rrugë e kanë marrë me vete edhe kryeministrin e Maqdonisë Nikolla Gruevski,i cili tash sa kohë po trumbeton për të hyrë në NATO dhe në BE si ,,komb maqedonas,,me disa konteste historike të kundërshtimit nga ana e Bullgarisë dhe Greqisë,thuhet me tej në reagimin e SHSHA-së.
Takimi i së hënës në mes të dyja qeverive aktuale Serbi-Maqedoni në Beograd,hap dilemën se kah është nisur dhe ku do të ndalet kryeministri Nikolla Gruevski,që tashmë është veshur me kostumin nacionalist të ,,vëllazërve serb,,në Serbi dhe ka harruar se në Maqedoni jetojnë 40 për qind të përberjes kombëtare të popullit shqiptar në trojet e veta etnike.Në udhën e tij kah Beogradi Nikolla Gruevski do shkoj pa shqiptarët dhe kundër interesave të tyre kur dihet fakti se qeveria aktuale nacionaliste serbe është më tërë qenien dhe mekanizmat tjerë shtetëtrorë dhe diplomatik kundër popullit shqiptar dhe të kaheve të reja demokratike të shtetit të ri të Kosovës.Për tërë kolovajzën politike në Maqedoni,subjekti politik shqiptar në kualicion(BDI)duhen të mbajnë qendrim konstant dhe mos të lejojnë të bien pre e provokimeve të bllokut pansllavist të dirigjuara nga dora e Rusisë për të vënë në orët e katrahurave të njihura gjatë hsitorisë Ballkanin e trazuar.Nuk e kemi të njohur marrëveshjen për kualicion në mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit,ajo a është e shkruar me dispozitat ligjore apo është e thënë me gojë,,a me pranoni të bashkëqeverisim,,(?!).Përkitazi me këtë duhet të deklarohet subjekti në kualicion Ali Ahmeti dhe të kërkojë qendrimin apo largimin nga ky kualicion,kur me platformën e ,,bashkëpunimit,,në mes të dyja qeverive në këtë nivel të (dofarë)nismave të reja në rajon,nuk tregojnë ditë të mira për stabilizimin e kësaj pjese të rajonit me viktimizimin e çështjes shqiptare.
Ka ardhur koha të themi shtruar,thuhet në këtë reagim të SHSHA-së,se çështja shqiptare në Maqedoni nuk zgjidhur dhe ka mbetur pezull në margjinat e kohës me ligjet e Kushtetutës që vetëm popullin maqedonas e konsideron shtetformues,ndërsa të tjerët si pakicë hiq përshkrimin(kombëtar)të popullit shqiptar që për kah përberja e saj kombëtar tashti përbën 40 përqind të saj.Anashkalimi i mëtejmë i popullit shqiptar shihet edhe përmes buxhetit të këtij vendi.Dihet se Maqedonia ka një buxhet vjetor prej 2 miliardë e 700 milionë euro dhe për investimet në pjesën shqiptare tash sa vjet janë planifikuar 20 përqind e tij që i bjen dukund 200 milionë euro,që këto programe të investimeve kanë mbetur vetëm në letër.Problem në vete këso kohe paraqet edhe çështja e pushetit lokal që nuk dihet sa po zbatohet Konventa Europiane për pushtetin lokal kur dihet se tërë makanizmat e tij janë të bartura në zyrat e qeverisë së Maqedonisë.Prandaj,sot e këtu,vlen të thuhet se për shqiptarët është bërë moto e jetës politike,,Fol çfarë thotë shteti,,!
Në gjithë rrugëtimin e kolovajzës politike në Maqedoni,kujtojmë se subjekti politik në kualicion(BDI)të mendojë të hapë çëshjtjen e të drejtës për avansimin e popullit shqiptar vërtetë si pjesë shtetformues përmes propozimit të ndrshimeve kushtetuese dhe të krijimit të vijat të reja të federalizimit si një nga format më të mira dhe të qendrueshme për të mbajtur gjallë këtë vend,që sipas SHSHA-së në Çikago,ka mbetur në konturat e jetës së brishtë dhe larg standardeve të njohura europiane dhe amerikane për të gjetur vendin në familjen e bashkuar euopiane të BE-së dhe në NATO.Kjo më së miri po e tregon se ka po shkon Maqdonia,në mëngjes me dorën kah Brukseli,ndërkaq në orët e vona sy e vesh me Serbinë dhe Moskën.Dëshriojmë që subjekti politik në kualicion(BDI)mos të bjen në bisht të kolovajzës politike të Nikolla Gruevskit,ndonëse udhën që ka marrë për Beograd le të shkojë pa shqiptarët,thuhet zëshëm nga SHSHA-ja në Çikago.

Filed Under: Komente Tagged With: jo Jugosllavia e trete, Nikolla Gruevski, Skender Karacica

PAPA QË FOLI SHQIP…

June 2, 2013 by dgreca

Ne Foto: PAPA GJONI XXIII (1881 – 1963)/

Nga Fritz RADOVANI/

Angelo Giuseppe Roncalli (Papa Gjoni XXIII), ka lé me 25 Nandor 1881. Viti 2013 na kujton disa pervjetor të Kësaj Figure të Madhe Botnore.

Papa Gjoni XXIII, erdhi në Vatikan me 28 Tetor 1958, plot 55 vjet ma parë…Mori këte Emen si Papë me shlye nga historia një tjeter emen që nuk nderoi postin. Nga viti 1904 ka krye detyra të randsishme, ku perfshihet edhe kenja e Tij në vitin 1944, si Nunc Apostolik në Francë, kur Bota ishte e ndezun flakë në Luften e Dytë Botnore.

Në vitin 1953, Papa Piu XII, e shuguron Kardinal, një tjeter pervjetor me u kujtue… Në vitin 1962, me 8 Dhjetor asht hapë Koncili i Dytë Historik i Vatikanit.

Thirrja e Tij ishte: “Pacem in Terris!”, “Paqë në Botë!” e shpallun me 11 Prill 1963.

Mbylli jeten plot lavdi i nderuem me Emnin “Papa i Mirë” me daten 3 Qershor 1963, pra, plot 50 vjet perpara…vit i cili mbeti në historinë e gjithë Botës, viti që mori dy Figurat e Mëdha, të shpresave të mëdha per mbarë njerzimin, po që do të kujtohet si vit i shuemjes së atyne shpresave me vdekjen e Papës Gjoni XXIII, dhe pak muej ma vonë me vrasjen me atentat të Presidentit amerikan Gjon Kennedi, në SHBA me 22 Tetor 1963.

Papa Gjoni XXIII asht njohës i dy luftave botnore, të cilat i jetoi Ai vetë. Nga vitet 1925 – 1935, asht kenë Nunc Apostolik në Bullgari, Turqi dhe Greqi. Ka njohë mirë mardhanjet ballkanike.

Në vitin 1944 kur ishte në Paris, ka njoh tiparet e masonëve dhe të ebrejëve, per të cilët, me shumë perkushtim ka ndihmue në shpetimin e tyne nga nazizmi. Kur ishte në Turqi, ka vizitue me shumë dëshirë Palestinën. Shkruen nder kujtime per Sllovakinë, Rumaninë dhe Hungarinë.

Ardhja e Papes Gjoni XXIII në Vatikan ishte hapja e një rruge të re në mardhanjet e Kishës Katolike me Fuqitë e Mëdha e të vogla tue fillue nga acarimi i mardhanjeve mes SHBA – BRSS e deri tek Shqipnia Europjane, nën pushtimin komunist e diktatorial të pashoq.

Në 25 Dhjetor 1958, Papa i ri Gjoni XXIII, viziton një spital fëmijësh me të meta mendore, “Krishti Fëmij”, ku jep porositë e veta per kujdesin e shtetit në mirtrajtimin dhe edukimin e tyne.

Të nesermen me 26 Dhjetor, diten e Shen Shtjefnit, viziton burgun “Regina Coeli”, ku ishin të dënuemit e perjetshem per vrasje e krime të randa…ku, u tha atyne: “Nuk kam ardhë me më pa ju mue, sot do t’ ju shoh unë ju, unë i kam ngulë sytë tek ju…Eni të gjithë këtu, eni e më shikoni edhe ju e ngulni sytë tuej tek unë, sot due me ua hapë zemren time, e edhe ju, m’a hapni zemren tuej!”

Me fluturimet në hanë Gjoni XXIII shpjegon madhshtinë e Njeriut si krijesë e Hyut.

 

Në Diten e Pashkëve të vitit 1959, në pershndetjen që Gjoni XXIII i drejton Popujve të të gjithë Botës, që quhet “Mesazhi i Paqës”, per të paren herë në historinë e kësaj Feste të Madhe u ndigjue nga goja e Papës në Kishen e Shen Pjetrit, në gjuhën Shqipe: “Per shumë mot Pashkët!”

Sot ndoshta, kjo nuk çuditë asnjë njeri! Po, per né që e kemi jetue dhe ndigjue në radio, tue kumbue zani i Gjonit XXIII, nder dhomat tona të mbylluna hermetikisht që nga viti 1944… Kjo ngjarje mbetet e paharrueshme dhe e perjetshme nder kujtesat e dhunueme nga diktatura…

Papa Gjoni XXIII asht Papa që ka folë Shqip! Kujtesa e Tij, ishte shpresa ynë!

***

Me daten 22 Tetor 1962, ishim para një momenti shperthyes të një konflikti mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, i cili kishte instalue disa raketa missili në Kubë. Presidenti Xhon Kennedi kishte blokue anijet detare ushtarake në detin e hapun. Nikita Hrushov kishte ngritë Murin e Berlinit…

Kuba komuniste kishte shpallë edhe luften kunder fesë dhe Kishës Katolike…

Bota po perjetonte çaste frike dhe trishtimi. Konflikti sillte vetem luftë…

Papa mbyllet në kapelen e vet dhe fillon lutjet… Aty e zen nata nder gjunjë para Kryqit…

Askush nuk mundet me parashikue se shka mundet me ndodhë në sejcilin minut…

Me daten 25 Tetor 1962, Papa Gjoni XXIII, me anen e Radio Vatikanit i tregon të gjithë njerzimit “Thirrjen per Paqë” që Ai i drejton me anen e ambasadorëve Shteteve të Bashkueme të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, ku thekson se “Kisha Katolike kerkon Paqë dhe Vllaznim në mes të Popujve të të gjithë Botës, dhe …Kryetarët e Shteteve nuk duhet të mos respektojnë kerkesat e Popujve të vet…Uluni…bisedoni dhe zgjidhni mosmarrveshjet pa luftë, pa vrasje, me Paqë…

Atëherë, do të keni edhe Bekimin e Qiellit!”

Mesazhi u ba shkak marrveshje dhe kriza heshti.

Vetem në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit, kam rikujtue rolin e madh që kanë luejtë në të gjitha ngjarjet ma të randsishme të mbasluftës së Dytë Botnore Figurat e Mëdha, e mbas sa vitesh prap Gjon Pali II, Reagan e Gorbaçov…ndryshuen Boten e molisun nga diktaturat…

Edhe Gjoni XXIII, e mbas Tij, edhe Gjon Pali II kanë folë në Gjuhë Shqipe.

Papa Gjoni XXIII mbeti i perjetshem në kujtesen mbarë njerzimit perparimtarë si: “Papa i Dashunisë, Unitetit dhe Paqës në Botë!”

Melbourne, Qershor 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, PAPA QË FOLI SHQIP…

Europa e Lire: Lufta në Siri dhe shqiptarët e Kosovës

June 2, 2013 by dgreca

Deshmia: “ Shkuarja ime në Siri ka qenë e bazuar në aspektin fetar, edhe e kam parë se në Siri është filluar lufta mes sunitëve dhe shiitëve cilët (luftë) e kanë filluar shiitët me alevit”./

 Nga Fatmir Aliu/

“Duke e parë, ndihmesën që i ka ardhur sektit alevit, nga sektet e tyre që janë shiitët, atëherë unë kam vendosur, i frymëzuar nga Kurani dhe Syneti i Pejgamberit S.A.S., të marr rrugën për t’i dalë në ndihmë atij vendi, ku Allahu dhe vetë Pejgamberi S.A.S., e kanë obliguar çdo mysliman që të marrë pjesë në luftë kundër një zullumqari dhe në luftën kundër qafirëve. Kur them qafirit, po flas për gjendjen aktuale në Siri”, nisi rrëfimin për Radion Evropa e Lirë, një shqiptar i Kosovës, që luftoi si vullnetar në Ushtrinë për Çlirimin e Sirisë, për tetë muaj.
Ai thotë të jetë konsultuar për atë që po ndodhte në Siri, ndërsa skenat tronditëse që kishte parë kundër civilëve, e kanë detyrat të marrë rrugën drejt këtij vendi, duke kaluar përmes tri shteteve tjera.
“Unë mendoj se Zoti është i mëshirshëm dhe e kam parë me sytë e mi, se jam nisur nga kjo rrugë, dhe Zoti m’i ka hapur rrugët, sepse kam mbërritur në një vend, ku s’e kam ditur as gjuhën. Ka pasur gjuhë tjetër, këndej kufirit, e gjuhë tjetër andej kufirit”, tregon ai.
Vullnetari nga Kosova thotë të ketë parë shumë kombe duke luftuar në krah me kryengritësit sirianë.
Edhe pse nuk tregon se në cilën zonë luftoi në Siri, thotë se gjatë betejave kishte takuar edhe shqiptarë të tjerë. Dhe, rrëfen ngjarjen për takimin e tij me një tjetër shqiptar…
“Ka qenë shumë prekëse, sepse ai nuk e dinte se unë jam shqiptar. Ai fliste gjuhën angleze shumë rrjedhshëm. Edhe unë derisa e dëgjova duke folur, ku tregonte për vendin e tij, tregonte për një luftë që kishte bërë në Kosovë! Shumë trim! Edhe papritmas po e thërras unë në gjuhën shqipe dhe po i them ‘Hej, o burrë a shqiptar je a?’ E ai filloi të qante”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti një ish-luftëtar mysliman shqiptar i Kosovës.
“Ka plot të huaj. Plot ka. Kur them ka plot, nga Kosova nuk mund të ceki, sepse nuk e di. Por, nacionalitete të shumta kam parë. Nuk është më e mbyllur, kanë ardhur njerëz nga Gjermania – unë them me nënshtetësi gjermane, por mund të jetë edhe me prejardhje shqiptare – nga Holanda, nga Amerika, nga Britani, nga Turqia, nga Bosnja, Maqedonia, nga të gjitha vendet Arabia Saudite, Katari. Por, mund të themi se ka numër të madh”, shpjegon ai.
Prej fillimit të luftës në Siri, vetëm një shqiptar i Kosovës është raportuar të ketë vdekur në luftimet atje.
Bashkësia Islame e Kosovës, luftën në Siri e sheh si një luftë çlirimtare, e cila ka marrë përmasa globale dhe që po kalon përmes një krize humanitare.
Ahmet Sadriu, që është përgjegjës për media dhe publikime i këtij institucioni, argumenton për Radion Evropa e Lirë, se lufta në Siri nuk ka të bëjë asgjë me luftë fetare.
“Aty është duke u bërë një luftë për ndryshimin e regjimit. Është një regjim totalitar që sundon qe 40 vjet a më shumë. Krejt kjo ka një karakter të asaj [lufte] çlirimtare, e jo fetare. Absolutisht, nuk kemi të bëjmë me luftë fetare, sepse Siria faktikisht është një vend islam, vend mysliman. Ata nuk kanë nevojë të luftojmë për çështje fetare, kur vetë janë myslimanë”, thotë Sadriu për Radion Evropa e Lirë.
Ai krahason luftën atje, me luftën që Kosova e ka bërë, për t’u çliruar prej regjimit serb. E, për ata që shkojnë, apo duan të shkojnë për të luftuar në Siri, bazuar në bindjet fetare, ai thotë të mos ketë dëshirë të përfshihet në një kontekst të tillë.
“Nuk do të isha përzier në bindjet e askujt, sepse ne e kemi shumë të freskët luftën tonë që e kemi zhvilluar këtu në Kosovë, e që na kanë ardhur nga kënde të ndryshme të botës. Është çështje ideali i lirisë. Liria! Dhe, ka ardhur ai, e iu ka bashkangjitur ushtrisë sonë [UÇK-së], vetëm e vetëm, që të na mundësojë, e ndoshta edhe ne ta gëzojmë një liri siç e gëzojnë të tjerët. Këtu automatikisht po të them edhe në rastin konkret, se kemi të bëjmë me ideale, të cilat njerëzit në mënyrën e vet i konceptojnë dhe vendosin se si ata të veprojnë”, theksoi Sadriu.
Hoxhë Fatos Rexhepi, që ka jetuar në Siri, para shpërthimit të luftës atje, kurse tani është një nga drejtuesit e Lëvizjes Islamike “Bashkohu”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, se si regjimi aktual sirian sundon për 40 vjet me, siç thotë, “hekur, me vuajtje, dënime”.
“Kam parë ngjarje, dhe kam qenë përjetues i të gjitha atyre trazirave, luftërave, shpërthimeve që ishin në Damask – ato të mëdhatë. Edhe në qytet janë vrarë njerëz, kur snajperistët nga pikat e larta vrisnin njerëzit, vetëm për të shkaktuar kaos”, tregon Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.
Hoxhë Rexhepi thotë se u gëzohet lajmeve kur dëgjon se ka shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri.
“Më ka gëzuar, sepse shqiptari, që është mysliman po ia kthen atij vendi me të mirë, sepse ka shumë argumente që është vend i shenjtë”, thotë Rexhepi për të shtuar se ndihet krenar me ata që kanë zgjedhur këtë rrugë.
Ndryshe nga ai, mendon kryeimami i Pejës, Enes Goga, të cilit i dhimbsen shqiptarët që shkojnë për shkak të lidhjes fetare të luftojnë në Siri.
“Unë mendoj se ata djem kanë shkuar me motiv të mirë. Neve na dhimbsen, sepse unë kur e pashë në media, se një djalë i ri nga Gostivari ka humbur jetën, edhe pse absolutisht nuk e di se kush është ai, mirëpo na dhimbsen. Tek e fundit, ka qenë zgjedhje e tyre e lirë. Dhe, unë mendoj se nuk duhet ta bëjmë këtë çështje”, tha kryeimami Goga për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, informacione të sakta për numrin e shqiptarëve që janë të angazhuar në Siri nuk ka, të paktën jo zyrtarisht, sikundër që s’ka as për numrin e atyre që mund të jenë vrarë, përveç disa raportimeve në mediat vendore.

Filed Under: Komente Tagged With: Europa e Lire, Lufta ne Siri, Shqiptaret e Kosoves

KUJTIMIT TË NJË “LULEJE”- Manjola Mirakaj qe u nda nga jeta me 31 maj 2013

June 1, 2013 by dgreca

“Doje dritë o  qiell, more dritën time

Dhe m’a mbushe jetën plot me hidhërime”/

Nga Eugjen Merlika/

Këta vargje na vijnë ndërmënd instiktivisht, kur përballohemi me humbje të mëdha njerëzore, në rrafshin vetiak, kur ndahemi nga njerëzit e zemrës, me të cilët na bashkon lidhja e gjakut, familja, por edhe miqësia, shoqëria. Përdora shprehjen “humbjet e mëdha”, ndoshta jo shumë të motivuar, sepse largimet nga kjo jetë, edhe pse përbëjnë dukuritë më të zakonshme e më të sigurta të vetë qënies njerëzore, i përjetojmë gjithmonë me dhimbje e trishtim. Por edhe vetë vdekjet, në tërësinë e tyre të pashmangëshme si dukurí, kanë ndarjet e dallimet e tyre. Në këtë vështrim, ato mund të jenë më shumë apo më pak të dhimbëshme, goditëse, traumatike, me pasoja. Dhimbja që shkakton vdekja e një njeriu në moshë të madhe, mbas një jete të kaluar në caqet e natyrshme të një ekzistence të qetë, nuk mund të jetë e barabartë me atë të një tjetre që vjen aksidentalisht apo si pasojë e sëmundjeve të pashërueshme që ndajnë nga gjiri i familjes njerëz në dhjetëvjeçarët e parë të jetës. Është kjo logjika parake e një dukurie, bashkëshoqëruese e parë e historisë së njerëzimit.

Ky arsyetim më erdhi në sitën e mëndjes kur mora lajmin e hidhur të ndrrimit jetë të Manjolës, vajzës së një çifti mik e të dashur, të Lek Mirakajt e Dolores Spahiut, bashkëmoshatarë, bashkëvuajtës, bashkëudhëtarë në “Rrugët e ferrit” të disa dhjetëvjeçarëve të jetës sonë prej “të mbijetuarish” në fushat e përqëndrimit të Myzeqesë. Kishte lindur ajo vajzë e bukur në një ditë janari të vitit 1969 dhe i kishin vënë emrin e një luleje. Ishte rritur në baltërat e Gradishtit, në barakat e mbuluara me eternit kancerndjellës të atij sektori internimi në zemrën e Tërbufit.

Si të gjithë shoqet e shokët e saj, fëmijë të atyre familjeve që Shteti i kishte vulosur me mallkimin e tij të zi të “armikut të klasës”, u rrit duke thithur ajrin e urrejtjes që një kastë kriminelësh e kishte kthyer në frymëmarrjen e përditëshme të shqiptarëve. Ata fëmijë, të lindur n’ata vite e n’ata kushte mjerimi, ishin shprehja më e mirë e qëndresës së prindërve të tyre ndaj diktaturës, e dashurisë për jetën dhe vlerat e saj. Krahasuar me botën e mirëqënies e të lirisë, ku njerëzit ngurojnë të lindin fëmijë për vështirësitë e rritjes e të edukimit të tyre, Manjola, motra e vëllai i saj, së bashku me të gjithë shoqet e shokët e tyre, janë dëshmi e fuqishme e gjallësisë së shtresës, e fuqisë së saj qëndrestare, e prirjes për të përtërirë familjen e traditën e saj, edhe në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur shteti proletar i gjithfuqishëm punonte për zhdukjen e saj.

Por fëminia e atyre fëmijëve ishte një kalvar i gjatë dhimbjesh e mundimi, që duhet të rëndojë jo vetëm mbi ndërgjegjet e krimbura të atyre që ndërtuan “socializmin” në Shqipëri. Ata fëmijë u privuan nga gjithshka që sillte gaz në fytyrat e tyre të njoma, që nga lodrat e deri tek studimet. Në moshën dhjetëvjeçare Manjolës i mungoi babai, që duhej të plotësonte numurin e skllevërve të dënuar për të nxjerrë mineral në minierën e Spaçit e jeta i ktheu faqen e saj t’errët, të dhunës, të padrejtësisë, të krimit. Është një krim, madje tepër i shëmtuar, të shkëputet me forcë nga krahët e një fëmije babai i pafajshëm, edhe mbas 35 vjetësh të mbarimit të luftës së dytë botërore, në emër të “luftës së klasave”. Për këtë krim, në gjithë Evropën, ishin t’aftë vetëm komunistët shqiptarë. Çfarë lavdie!

Sot Manjola ka pushuar së luftuari…. Një jetë lufte, me guximin e një heroine, vajza e Gradishtit e kishte filluar që fëmijë e fati desh t’a vazhdonte dhe atje, në botën e ëndrrave, në New Yorkun e demokracisë së madhe. Këtu si fëmijë, e rritur me ushqimet e racionuara, mbi të cilat duhej të kursente për t’i a çuar babit në burg, i duhej të luftonte me padrejtësinë, me të cilën ballafaqohej çdo ditë, duke ndjerë mbi krye ndonjë dorë përkëdhelëse të njerëzve të familjes e duke ëndërruar kthimin e babit në shtëpi, ashtu sikurse shumë shoqe e shokë të saj, të cilëve “shteti i proletarëve” u vrau fëmijërinë me burgosjen e baballarëve. Kur babai u kthye në shtëpi, Manjola qe një adoleshente plot hir që fillonte t’ëndërronte në vetvete një tjetër jetë nga ajo e barakave të Gradishtit.

E kërkoi atë jetë, së bashku me familjen, jashtë Atdheut, që për ta qe njëjtësuar me baltërat e Myzeqesë e me fytyrat e policëve. Familja shkoi në Itali e, më pas, n’Amerikë. Filloi nga zeroja, si mijra familje shqiptare, rrugën e saj, por lirija i dha flatra Manjolës që studjoi, punoi, arriti një mirëqënie e krijoi një familje. Krijoi një familje, në bazë të së cilës ishte jo thjesht dashuria, por adhurimi i ndërsjelltë, me një bashkëshort bashkatdhetar, por që fatmirësisht nuk kishte patur një fëmini “ të djegur”. Nga kjo dashuri lindën Ana dhe Ema, dy engjëllushe që i dhanë jetës një kuptim të ri.

Atëherë kur jeta dukej se kishte hyrë në hullinë e saj të normalitetit, madje të mirëqënies në një shoqëri të lirë, “sëmundja e shekullit” do të trokiste në derën e dy motrave. Ndoshta eterniti, që mbulonte barakat e fëminisë së tyre, shtrinte dorën e tij të  zezë edhe atje larg, në New Yorkun e Statujës së Lirisë. Filloi një tjetër betejë, këtë herë jo me shtetin kriminal, por me sëmundjen kriminale. Shtatë vjet betejash me përbindëshin modern të padukshëm, ku vullneti për t’a mposhtur atë nuk u mpak deri në çastin e fundit, treguan brumin prej të cilit ishte formuar Manjola. Shtatë vjet luftë me sëmundjen, për të dalë fituese, që vajzat të rriteshin e “të mbanin mënd fytyrën e nënës”, kur ajo një ditë do të fluturonte në qiell.

Kjo ide, sa e madhërishme në vetvete aqë dhe prekëse në madhështinë e saj, u bë lejtmotivi i betejës së saj të jashtzakonëshme për jetën. Për fat të keq, jo të gjitha betejat për jetën njerëzore fitohen, pra të gjithë duhet të jemi të pregatitur edhe për humbjen. Por edhe humbja ka pjesën e saj të fitores dhe është mënyra si humbet. Manjola nuk qe një humbëse, në luftën e saj të pabarabartë me të keqen. Ajo nuk u ligështua, nuk hoqi dorë nga ëndrrat, nga projektet për jetën, e sfidoi vdekjen deri në çastin kur qelizat e trupit nuk riprodhoheshin më, fitoi moralisht mbi të. Në këtë betejë të gjatë ajo pati gjithmonë pranë familjen e saj, bashkëshortin, fëmijët, prindërit, familjet e vëllait e të motrës, kushërinjtë e njerëzit e afërm. Ajo pati në anën e saj lutjet e shumë njerëzve, bashkudhëtarë të rrugës së mundimeve të së shkuarës, shokë, miq të familjes, që i dhanë kurajo e forcë në këta shtatë vite të gjata lufte me të keqen. Pati edhe fjalën e fundit të shkencës, sa i përket ndërhyrjeve kirurgjikale e mjekimeve, por të gjitha këto nuk mjaftuan për të evituar tragjedinë, sepse e tillë duhet të quhet ndarja nga jeta e një gruaje 44 vjeçe, me një familje të re, me dy vajza të vogla, me një dëshirë të pafund për të jetuar, me…

Sot është një ditë e hidhur për të gjithë ata që shoqëruan edhe me mendim e shqetësim kudo travajën e Manjolës, është një ditë trishtimi të zi, që na sjell ndërmënd vargjet e mrekullueshme të Çajupit, sepse Manjola me hirin, virtutet, e gjallërinë e portretit të saj, rrezatonte dritë, shpresë e mirësi. Ato do të mbeten të skalitura në kujtesat e atyre që e njohën, që ndanë me të një pjesë të jetës, dhimbjet, luftën, shpresat, lutjet.

Kjo është jeta njerëzore, me misteret e të panjohurat e saj, ku logjika normale nuk arrin të depërtojë, ku e vërteta absolute përmblidhet në një koncept, në dukje të thjeshtë : “Njeriu lind, jeton dhe vdes – kjo është me pak fjalë historia e njerëzimit”.

Duhet të përpiqemi t’a pranojmë të gjithë këtë ligj të botës sonë, edhe atëherë kur vdekja ka një fytyrë përbindëshi si në rastin e Manjolës. Është shumë e vështirë t’u a bëjmë të njohur e të pranishme këtë të vërtetë rrënqethëse dy krijesave të vogla, Anës dhe Emës, që sot përcollën në qiell mamin e tyre. Ndoshta sot ky është misioni i vërtetë i atyre që do të përcjellin në banesën e fundit luftëtaren e pamposhtur …..

Itali, 1 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika, Kujtimit te nje lulelje, Manjola Mirakaj

Pacientja serbe

June 1, 2013 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikan apo nacionalitet të huaj. Sapo kisha filluar turnin e natës, ku pacintja që do të merja nga salla e urgjencës për ti bërë x-ray (radioskopi) ishte serbe. Infermieri, një afrikan – amerikan më thotë, po ta le ty këtë paciente, mu duk si shqiptare, por qenka serbe.

Në fillim u turbullova pak, por shpejt e përmblodha veten…

Punoj si ndihmës teknike në spital, në departamentin e radiologjisë pranë urgjencës. Ndihem mirë që kam punë, e që kam mundësi të jap ndihmesën time modeste për njeriun e sëmurë. Sigurisht nuk bëj dallime raciale apo etnike, për të gjithë kujdesem njësoj, por nuk e di sepse u bllokova për një çast nga një lëmsh që më shtrëngoi fytin.

I afrohem pacientes. Ishte vajzë e re, nën konvulcione të forta. Kishte edhe temperaturë të lartë e nga çasti në çast mund të kalonte në koma. Në urgjencë sipër krevatit i kishin hedhur një çarçaf të hollë, që nuk i jepte mundësi të përballonte gjithë atë të ftoht që ndjente brenda vetes, për shkak të sëmundjes që e kishte mbërthyer.

E pyes për emrin, por jo vendin se nga vinte. E para për privatësinë e pacientit, e dyta kolegu sapo më kishte treguar që ishte serbe. Pacientja shoqërohej nga  një vajzë e re. Ishte e motra, me një tualet të rëndë në flokë e në fytyrë, që në përgjithësi femrat shqiptare nuk e aplikojnë në make-up e tyre. Ndërkohë ato mësuan për mua që isha shqiptare. E sëmura qante e vazhdonte të dridhej nga ethet e forta e temperatura e lartë.

Mos u mërzit i them, këtu je në duar të sigurta e do të bëhesh mirë. Mora tri batanie të bardha të ngrohta nga një makineri – mikrovale që mban të ngrohta bataniet e spitalit e i mbulova trupin. Filloi të ngrohej, e të vinte në vehte. U çuditën të dyja, e më thanë njëzëri faleminderit. .

“Montefiore” Hospital në Bronx renditet në një ndër spitalet më të suksesshme tashmë në SHBA dhe numri i të shtruarve është gjithnjë në rritje, e në atë mori pune e fluksi pacientësh gjeta mjekun e saj të rojes, dhe e informova mbi situatën e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhej. Mjeku erdhi e pa përsëri e më falenderoi që e vura menjëherë në dijeni, edhe e sëmura me të motrën më falenderuan njëherazi e më vështronin me kërshëri gjatë gjithë kohës që qëndruan në sallën e emergjencës…

Ndërkohë që kujdesesha për të sëmurën, brenda vetes sillja në mendje krimet e masakrat monstruoze serbe ndaj vajzave, motrave e  nënave tona të pa mbrojtuara gjatë luftës në Kosovë. Pjesa dërmuese e të cilave akoma vuajnë nën ato plagë. Apo që po humbin jetën dita ditës, duke lenë fëmijët jetim e duke u braktisur nga familjarët e tyre. Gjithashtu nëpërmjet medias sapo isha njohur, se në Tribunalin e Hagës ish ndihmësi i Punëve të Brendshme të Serbisë Vlastimir Gjorgjeviq kërkonte falje për krimet e kryera në Kosovë, duke deklaruar se, gjatë vitit 1999 janë bërë krime ndaj shqiptarëve. Ai gjithashtu kishte pranuar se ka marë pjesë në fshehjen e zhvendosjen e eshtrave të 724 trupave civile shqiptare në Batajonicë, Petrovo Selo të Klladovës dhe në liqenin Peruçaç.

Mbase edhe vajzat serbe të njëjtën histori – lufte po mendonin, e ndjenin keqardhje, përderisia më shikonin ashtu të habitura… Ndonëse jo…

Maj 2013

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, Mimoza Dajci, Pacientja sebe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5417
  • 5418
  • 5419
  • 5420
  • 5421
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT