• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kujtim të luftëtarit dhe dëshmorit hasjan të Koshares

May 20, 2013 by dgreca

Ne Foto: Hysni Temaj 1976 -1999/ Nga GANI QARRI/ Zvicer/

Nga viti në vit, me kujdes dhe nderim të veqant, organizohen kujtimet ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe lirinë e shenjt të popullit të cilit i takojnë, në format më të mira të mundshme dhe në gjithë vendin anë e mbanë.Ndaj,ashtu si në trevat tjera edhe në Has, ato përsëriten përherë me krenari dhe në mënyrë të merituar, si rite tashmë tradicionale,që mbahen me shumë përkushtim në shenjë respekti ndaj veprave heroike të bijëve të kësaj ane, në mesin e të cilëve, dallohej luftëtari i  Koshares, Hysni Sylë Temaj nga fshati Kushnin i Hasit.Ai ra më 19 Prill të vitit 1999,bashkë me Eprorin e tij SaliÇekaj,në Kosharen e çliruar- vetëm pak ditë më parë, pas betejës së njohur historike të saj,për të mbetur përgjithmonë në kujtesën e popullit dhe gjithë atyre që gëzuan lirinë.

Lufta e lavdishme e Koshares, ndodhi mu në kohën kur vendit tonë, si asnjë herë më parë,pushtuesi serb aq shumë i`a kishte ngushtuar lakun në fyt,sa që Kosova përfundimisht -do të binte në përplitjet e fundit për jetë a vdekje,duke rrezikuar ekzistencën e saj të mëtejme si territor i përcaktuar gjeografik dhe emër i shenjt i atdheut të banorëve shekullor, autokton-shqiptar.

Ajo,kushedi për të satën herë,po digjej e shkrumbohej gjatë më tepër se 80 viteteve robëri,nën pushtimin barbar sllavë dhe tanimë nga çdo cep, dilte tym e flakë që në mënyrë marramendëse mjegullonin gjithë vendin e mbytur në trishtim, frikë dhe pasiguri të cilat shpejt dhe pakontrollueshëm, përhapeshin kudo.

Pushtuesi kësaj radhe kishte vendosur të kryente një fushatë të paparë shfarosëse,përmes së cilës, dëshironte të arrinte-hiq më pakë se shpërnguljen përfundimtare të të gjithë shqiptarëve, zhdukjen e tërsishme të secilit banor autokton që ekzistonte mbi këtë dhe arbëror dhe zhbërjen e plotë kombëtare të atdheut tonë të okupuar.

Ndaj në raste të tilla me rreziqe të pa-parapara, betejat e përmasave kaq të mëdha në çdo  vend dhe kohë, kërkojnë luftëtar të fortë e të paepur, të cilët janë në gjendje të përballen me të gjitha rrebeshet e flakëve të saj.

Kështu që kjo luftë e sapo filluar për liri,si për shumë breza atdhetarësh,edhe për Hysni Temajn, ishte çasti më fatlum në jetën e tij si ushtar i orëve të para të kësaj përpjekje madhore dhe sprove vetmohuese nga e cila,pas shumë vuajtjesh e përpjekjesh, do ta ndante vetëm rënja heroike e tij, në ballë të betejës legjendare të Koshares.

Ndaj nuk thuhet kot se trimat edhe në vdekje shkojnë kokëlartë! I tillë, krenar dhe i pa-përkulur nga kjo jetë,do të ndahej edhe luftëtari Hysni Temaj, duke rënë me heroizëm në fushbetejë,por vetëm pas kryerjes me nder të misionit kombëtar që luftëtarët e Koshares kishin marrë mbi vete, dhe përfundimit me sukses të betejës më kolosale që kanë parë kohërat, njohur vendi dhe përjetuar populli i këtyre trojeve, siç u dëshmua të ishte Beteja e Koshares,lavdia e së cilës, ndryshoi historinë e popullit shqiptar dhe të Kosovës së fundshekullit njëzet, në tërësi.

Me çlirimin e vijës kufitare, ai dhe bashkëluftëtarët e tij, arritën që për herë të parë pas afro një shekulli robërie,ta qonin në vend amanetin e shumë brezave të kaluar atdhetarësh,të cilët shkuan zemërdjegur,me ëndrrën e parealizuar për heqjen e “megjëve” të ngulitura dhunshëm-aty, ku ato nuk e kishin vendin,duke mbajtur me forc të ndarë shqiptarët,për më tepër se tetë dekada, si popull i një gjaku dhe gjuhe të përbashkët kombëtare.

Dëshmori i kombit Hysni Syl Temaj, u lind më  15 nëntor të vitit 1976 në fshatin Kushnin të Hasit dhe u vra pa e përfunduar tërësisht as gjashtëmujorin e ditlindjes së 23-të, të jetës së tij, duke rënë heroikisht më 19 prill të vitit 1999 në betejën e  Koshares, si pjestar i Brigadës së lavdishme 138,e cila udhëhiqej nga strategët e zgjuar ushtarak dhe eprorët-heronjë të kësaj lufte sublime, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.

Ata për herë të parë, qëkur mbahej mend se populli ynë kishte rënë nën okupimin sllav,të vënë me të drejtë në krye të Brigadës heroike 138,arritën me plotë krenari jo vetëm të mateshin me ushtrinë pushtuese serbe por edhe ta thenin me turp atë, në mejdanin e përballjes me luftë të drejtëpërdrejt.

Brigada heroike 138, për herë të parë arriti të çliroi kalanë e pushtuar të Koshares dhe shkuli gurët e kufirit armiqësor të vën para shumë dekadash nga okupatorët serb mbi trojet tona. Ajo zhbëri vijën ndarëse të vizatuar pa u pyetur shqiptarët nga pushtuesi,e cila ishte vënë dhunshëm mes përmes tokave shqiptare dhe për afro një shekull, padrejtësisht ndante me forcën e armëve,trojet tona në dysh. 

Si shumica e pjestarëve të kësaj Brigade heroike,edhe dëshmori nga treva e Hasit-Hysni Temaj, i takonte një familje të njohur për ideale liridashëse dhe tradita kombëtare i cili tërë jetën e tij qysh nga fillimi i veprimtarisë patriotike e kishte vënë në shërbim të lirisë së vendit dhe popullit që i takonte.

Ai,kushtrimit të atdheut do ti përgjigjej pa asnjë hezitim për të rënë heroikisht në njërën nga betejat më të lavdishme historike të kombit të zhvilluar me sukses në luftën më heroike frontale,që zhvilloi populli i Kosovës për çlirimin përfundimtar të trojeve tona nga Serbia.

Hysniu ishte aktivist i njohur edhe para lufte si dhe njëri nga luftëtarët e parë të UÇK-së,nga treva e Hasit,i cili jo vetëm se luftoi me besnikëri dhe krah për krah trimave të mëdhenj të Koshares, por ai edhe ra heroikisht bashk me njërin nga kryeheronjt e saj, eprorin Sali Çekaj, në të njejtin vend dhe ditë,pas kryerjes shembullore të misionit heroiko- kombëtar,që ata kishin marrë mbi vete,për zhbërjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, duke shkulë pas rreth një shekulli pushtimi-gardhin e robërisë kombëtare i cili ndau me dhunë popullin tonë për afro një 100 vjet.

Ndaj,një luftë e tillë- kaq e rëndësishme,e madhe në forcë dhe e gjerë në shtrirje,kërkonte edhe flijime të dhimbëshme për suksesin e së cilës u vranë luftëtarët e saj më të mirë, ku njëri nga 114 dëshmorët e betejës së Koshares,të rënë me lavdi në Altarin e Lirisë së Atdheut, ishte edhe ushtari dhe luftëtari i dëshmuar kombëtar, Hysni Temaj nga fshati Kushnin i Hasit. 
Megjithëse, dëshmori ynë,prijësi i logjistikës dhe trimi i Koshares, si fëmijë shkollën fillore do ta kryente me sukses shembullor,gjendja e rëndë ekonomike nuk e kishte lejuar atë që ti ndiqte mësimet e mëtejme. Por,mbjellja me kujdes e dashurisë patriotike, për vite me radhë nga familja dhe përkushtimi i tij i flakët kombëtar,do ta udhëzonte Hysniun në rrugë të drejtë atdhetarie për të mos u nda asnjëherë nga aktivitetet e pareshtura kombëtare deri në ardhjen e momentit për kapjen e armëve dhe nisjes së  luftës për liri, të cilën ai për shumë kohë e kishte pritur dhe ëndrruar me padurim. 
Duke u nisur nga aktivitetet e pareshtura kombëtare që në rininë e hershme kundër pushtuesit serb,Hysni Temaj nuk ishte një ushtar i rastësishëm i kësaj lufte çlirimtare,ngase ai që me kohë ishte shkrirë i tëri në ndjenja atdhetarie dhe mrekulluar me bëmat e njohura historike të heronjëve tanë të mëdhenjë kombëtarë, të cilët u bënë idol i jetës dhe veprimtarisë deri në rënien e tij shembullore për lirinë e Atdheut.

 Heronjtë e mëdhjenjë të kombit,të njohur dhe adhuruar nga të gjithë shqiptarët, u bënë shembull i patjetërsueshëm dhe udhërrëfim i tij i njëkahëshëm, me kontributin e tyre gjigant për mbrojtjen e pjesëve të rrezikuara të atdheut,qysh nga lufta e shekullit XIX, për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, ku,sipas thënieve të familjarëve, pjesmarrës ishte edhe gjyshi i tij,i cili me siguri shpesh do ti ket folur të nipit për këtë luftë të suksesëshme kombëtare.

Mbrojtja e këtyre trojeve tona etnike,ishte ndër përpjekjet e para të suksesëshme që u organizuan nën udhëheqjen e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit,qysh në vitin 1878,kundër pushtuesve malazez, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, i cili u kishte falur tokat shqiptare fqinjëve hexhemonist greko-sllavë, dhe ata përpiqeshin që ato ti merrnin me forcë.

Ndaj edhe luftëtarët e Brigadës 138,do të dëshmoheshin jo me fjalë por me veprime të planifikuara organizative dhe luftime të vendosura e mirëstudijuara strategjike,duke u bërë shembull kombëtarie dhe pararendës të një forme tjetër lufte e cila mundësoi zhbërjen e kufirit ndërshqiptar dhe i hapi portën – lirisë së  Kosovës.

Hysniu edhe pse kishte kaluar të njëzetat dhe kishte hyrë moshën e pjekurisë,fazën e gjetjes së partneres së njëmendët të jetës dhe përgatitjes për krijimin e familjes, ai qysh para fillimit të luftës,gjith kujdesin dhe dashurinë shpirtërore do t`a falte atdheut të robëruar dhe çështjes së pazgjidhur kombëtare i cili për shkak të aktiviteteve të tij të pareshtuara,shpesh ishte detyruar ti kalonte kufijtë e Kosovës, për tu strehuar herë në Shqipëri e herë në trojet shqiptare të Iliridës,prej nga do të kthehej në vitin 1998,për tu inkuadruar në UÇK-në, e Prekazit legjendar.

Si luftëtar i vendosur dhe besnik që ishte,i përkushtuar me mish e me shpirt për rrugën e lirisë dhe çlirimin e vendit,i bindur në idealin e madh për të cilin flijoheshin me aq devotshmëri bijtë e shqipes-kudo, anë e mbanë Kosovës,pasi që ai edhe i takonte një fshati kufitar me Shqipërinë dhe njihte mirë rrugët malore të atij brezi nëpër të cilin kalonin vija të rëndësishme furnizimi me armatim e municione,Hysniut do ti besohej përkujdesja për mbarëvajtjen e logjistikës së luftës në rajonin e Hasit.

Madje, ky dëshmor- jo vetëm se ishte rritur këtyre maleve,por i prirë nga përcaktimi i tij- jetësor për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e kombit, këto rrugë i kishte rrahur kush e di sa e sa herë edhe për nevoja personale ,gjatë jetës në ilegalitetet,kështu që angazhimet e Hysniut për furnizim e ushtarëve me armatim e municion,gjatë gjithë kohës, patën shumë sukses.

Vijën furnizuese e cila kalonte nëpër Has, si njëra nga rrugët e para dhe kryesore edhe pse nuk ishte e lehtë të sigurohej sepse rrezikohej shpesh nga sulmet dhe pritat e organizuara të ushtrisë dhe policisë pushtuese serbe,ai gjatë gjithë kohës diti ta ruaj dhe bëjë të padukshme për armikun.

Hysni Temaj, edhe në situatat më të rënda,me ndihmën e Babait dhe vllezërve më të rinëj të cilët edhe pas rënies së Hysniut nuk e ndalën luftën në kuadër të UÇPMB-së, duke luftuar në të gjitha viset e Kosovës Lindore,deri në shuarjen e kësaj organizate luftarake, gjithmonë gjeti shtigje depërtimi për vete dhe bashkëluftëtarët,duke arritur të bëjë furnizimin me sukses të mijëra ushtarëve me municion dhe armatim nëpër vija të “pahetushme” rrugëtimi,deri me kalimin e tij përfundimtar në Brigadën 138,e cila asokohe bënte përgatitjet e fundit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Ndaj,dëshmori,ashtu siç diti të bëhej mbështetja kryesore e logjistikës së luftës për rajonin e Hasit, Hysniu po aq trimërisht diti edhe të hyjë në historinë e zhbërjes së kufirit shqiptaro-shqiptar,i cili me gjithë dëshirën e madhe,për të pa atdheun të lirë, ideali i tij do të realizohej vetëm pas rënies, sepse në këtë betejë do të vritej edhe ai heroikisht me bashkëluftëtarët më të mirë,në Kosharen e lavdishme.

Por,ishte pikërisht kjo betejë e madhe historike, strategjia e përsosur e udhëheqësve të saj Agim Ramadani e Sali Çekaj si dhe heroizmi i treguar i luftëtarëve të brigadës 138,që pas afro një shekulli,arritën ta përzinin armikun nga këto troje dhe rivendosnin vazhdimësinë e prerë padrejtësisht në mes tokës dhe etnisë shqiptare, për rreth 100 vite robëri sllave.

Ndaj si të gjitha pjesët e Kosovës,Shqipërisë dhe vendeve tjera etnike,edhe banorët e Hasit,nga të dy anët e kufirit,dhanë çdo gjë që mundën dhe patën për këtë luftë të shenjtë, duke filluar nga kontributi me ushtarë, ushqimi e veshmbathja, mbajtja e luftëtarëve, furnizimi me armatim e municione dhe deri te jeta e flijuar e rreth 20 dëshmorëve nga këto treva të coptuara shqiptare. 

Në mesin e tyre,për kontributin e pazëvendësueshëm që dha,pa asnjë dyshim, do të dallohej dëshmori i kombit Hysni Temaj nga fshati Kushnin i Hasit, i cili kush e di sa qindra herë, barti i palodhur armë e municion mbi shpinë, maleve  të larta të pashtrikut nga Shqipëria në Kosovë,deri te pjesmarrja e e tij e drejtëpërdrejtë në frontet e para të luftës së Koshares ku me 19 Prill të vitit 1999,do të binte heroikisht, bashkë me 114-luftëtar shembullor të kësaj beteje historike, për të mos vdekur asnjëherë. 

Por,megjithë kontributin shembullor,edhe fati sikur u tregua i padrejtë naj tij,sepse mu në momentet e mëdha të shpresës gjithëkombëtare, kur nuk kishte mbetur edhe shumë kohë për të përjetuar Lirinë e shumëpritur të Kosovës dhe gëzuar çlirimit përfundimtar të atdheut,ai bashkë me eprorin e tij- Sali Çekajn, do të vritej në Koshare, trupi njomë i të cilit përkohësisht do të varrosej në Shqipëri, për tu vendosur -përfundimisht, disa muaj pas çlirimit- në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, kurse Shtatorja e Hysni Temajt,hijeshon vendin në të cilin ai u lind dhe rrit me skamje,përndjekje e shumë mundime,në fshatin Kushnin të Hasit.

Ndaj, në shenjë respekti ndaj veprës së këti dëshmori,në çdo përvjetor mbahen homazhe ndereimi,ku ndonjëherë, përveç kurorave me lule, recitimeve dhe fjalimeve tradicionale për raste të tilla përkujtimesh,nga dhembja rastisë si pa dashtas, që para Përmendores së dëshmorit, të bie edhe ndonjë lot pikëllimi nga sytë e përmalluar të familjarëvë dhe të afërmëve të tijë,në shenjë kujtimi ndaj Hysniut.

 

Kjo ndodhë edhe për shkakun se Hysniu nuk u ndal asnjëherë – derisa ishte gjallë. Këmbët dhe trupi i këtij dëshmori të lirisë u treguan gjithmonë të palodhshme për vend dhe popull të cilat me qindra herë u ngjitën dhe zdorgjën maleve të pashtrikut për furnizimin e vendit me municion,ushtarë dhe armatime në mënyrë që të mund të zhvillohej kjo luftë e shenjtë për arritjen e lirisë së ëndrruar ndër shekuj, të cilën e gëzojmë ne sot. 

Ndaj,lavdia e rënies së tij,rritet edhe më tepër,sa herë kujtojmë se ai u flijua me trimat e mdhenj të Koshares së  lavdishme dhe udhëheqësit legjendar të kësaj beteje heroike,e cila arriti ta ndryshoi historinë e këtij vendi, njëherë e përgjithmonë.

Dëshmori i kombit, Hysni Temaj,sipas dëshmitarëve dhe bashkëfamiljarëve të tij, u vra në Koshare, në të njejtën ditë dhe vend me Sali Çekajn, njërin nga eprorët kryesor të brigadës 138,i cili bashkë me Agim Ramadanin, janë heronjtë dhe strategët vendimtar që pasuruan shekullin edhe me një histori-përmes heroizmit të treguar në Koshare, akt ky që  i hapi dyert e çlirimit të atdheut të të gjithë atyre që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e shenjtë të Kosovës.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: hasian i Koshares, heroi, Hysni Temaj

Regjistrimi i mërgimtarëve nis me Zvicrën

May 20, 2013 by dgreca

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se regjistrimi i mërgimtarëve është parashikuar të nisë këtë vit, ndërsa si pilot-projekt është parashikuar të jetë Zvicra/

Qeveria e Kosovës ka marrë tashmë vendim për regjistrimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, përfshirë edhe regjistrimin e ekonomive familjare dhe bizneseve. Si pilot-projekt, regjistrimi është parashikuar të nisë me Zvicrën, ku janë të koncentruar një numër shumë i madh i kosovarëve.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, Qeveria e Kosovës ka dhënë dritën e gjelbër për regjistrimin e të gjithë frymorëve në diasporë. Vendimi është marrë më 24 prill të këtij viti, ndërsa aktualisht është duke u shqyrtuar mundësi se si të nis ky proces kaq i komplikuar.
Koncept-dokumenti i miratuar nga Qeveria e Kosovës shtron nevojën për krijimin e një baze të të dhënave të mërgimtarëve dhe evidentimin e shpërndarjes së tyre në vendet e ndryshme të botës.
Regjistri i mërgimtarëve do të përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime tjera. Që ky proces të jetë i suksesshëm, ndihmë kanë ofruar të gjithë mekanizmat relevantë vendorë.

Makolli: Regjistrimi nis këtë vit

Ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se pas miratimit të qeverisë janë krijuar mundësitë ligjore për regjistrimin e kosovarëve që jetojnë dhe punojnë në diasporë. Ai tha se është duke u punuar në vijimësi në këtë çështje, që regjistrimi të nisë këtë vit.
“Ne kemi paraparë këtë vit, dhe jemi duke punuar në dokumentacionin e nevojshëm…Jemi në analizë nëse do ta marrim një vend si pilot-projekt. Po mendoj që do të fillojmë me Zvicrën”, deklaroi për albinfo.ch, ministri Makolli, i cili para disa muajsh e ka pas si propozim regjistrimin e mërgimtarëve.
Në një intervistë që ai i ka dhënë albinfo.ch tha se regjistrimi i diasporës është e domosdoshme për përgatitjen e politikave ekonomike, fiskale e zhvillimore.
“Është obligim ligjor hartimi i regjistrave të mërgimtarëve”, ka deklaruar ai.
Ideja e Makollit ishte forcuar edhe më shumë pas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Kosova ka mbi 1.7 milion banorë rezident.
Kjo shifër ka nxjerrë disa dilema, për faktin se ka variuar relativisht shumë nga regjistrimet e mëparshme, ai i vitit 1981 dhe regjistrimi i dhunshëm i Serbisë i vitit 1991.
Sipas një statistike që ka bërë Qendra për Hulumtim të Migracionit, në vitin 1981 Kosova kishte 1.55 milionë banorë, ndërsa në vitin 1991, kishte 1.95 milionë banorë, shumica prej tyre shqiptarë, mbi 82 për qind.
“Sipas zhvillimit të natalitetit në njërën anë, dhe migracionit në anën tjetër, pas asnjë dyshim mund të konkuldojmë se afër 1 milionë kosovarë jetojnë jashtë atdheut”, tha Makolli, sipas të cilit, një e treta e trungut të përgjithshëm të popullsisë të Kosovës jeton në diasporë.
Që të gjitha dilemat rreth numrit të mërgimtarëve të hiqen, atëherë Qeveria e Kosovës ka nisur procesin për regjistrimin e mërgimtarëve. Këtë proces është e gatshme ta ndihmojë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, por edhe të gjitha dikasteret tjera qeveritare.

ASK e gatshme për regjistrim

Hazbije Qeriqi është zyrtare për informim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK). Ajo tha se që nga fillimi i përgatitjeve për regjistrimin e Diasporës, ASK-ja është përfshirë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Diasporës për zhvillimin e këtij procesi.
“Bashkëpunimi ka qenë kryesisht në përgatitjen e Koncept-dokumentit, që është miratuar nga Qeveria e Kosovës. ASK-ja do ta ndihmoje procesin, në fusha të caktuara, me kapacitetet e saj, duke përfshirë edhe praktikat më të mira për mbledhjen e të dhënave-regjistrimeve”, tha Qeriqi.
Në pyetjen se sa do të marrë kohë, përafërsisht, regjistrimi në diasporë, Qeriqi tha se “regjistrimi (koha e grumbullimit të të dhënave) është diskutuar se do të jetë brenda 9 muajve të vitit 2014”.
Sipas saj, në muajt në vijim do te vendoset për kohën e duhur.
ASK, siç tha më tej Qeriqi, ka kapacitete bazë për këtë proces, por me që regjistrimi në diasporë do të jetë mjaft i komplikuar, sipas saj, në këtë proces pritet të angazhohen edhe institucione të tjera relevante, përveç MeD-ASK.
Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e konsiderojnë më se të nevojshme regjistrimin e kosovarëve që jetojnë në mërgim.
Haki Demolli është deputet i opozitës (LDK) në legjislativin kosovar. Ai tha se është mese e nevojshme që shteti i Kosovës ta përfundojë procesin e regjistrimit edhe në diasporë me qëllim që të dihet numri i saktë i banorëve të Kosovës.
“Është çështje imediate që ne si shtet i Kosovës ta dimë numrin e saktë të banorëve që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Duke marrë parasysh se deri më tani është manipuluar mjaft shumë më numrin e mërgimtarëve, prandaj është e nevojshme që të nis dhe të përfundojë procesi i regjistrimit edhe në diasporë”, tha ai.
Është fatkeqësi e madhe, sipas tij, që në shekullin XXI, Kosova të mos e ketë të paktën një evidencë të përafërt të banorëve të saj që gravitojnë, sidomos në Evropë, SHBA dhe Australi.

Regjistrimi i diasporës i vonuar

Edhe Nait Hasani, deputet i koalicionit (PDK) e konsideron të domosdoshëm, madje të vonuar procesin e regjistrimit të diasporës.
“Regjistrimi është dashur të bëhet në të njëjtën kohë si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë, gjithkund ku jetojnë qytetarë nga Kosova”, tha Hasani, sipas të cilit, institucionet kosovare kanë gabuar që nuk e kane lejuar procesin e regjistrimit edhe jashtë vendit.
“Është më se e nevojshme që të dihet numri i saktë i banorëve, ose shqiptarëve që jetojnë në vendet e ndryshme evropiane, por edhe në gjithë botën”, ka thënë Hasani.
Megjithatë, sipas tij, mërgimtarët nga Kosova nuk janë regjistruar për shkak se ka pasur ndryshime në zhvillimin e diasporës, pasi që ka qytetarë që kanë lindur atje dhe janë shtetas të vendeve të tjera dhe nuk janë shtetas të Kosovës.
“Ky regjistrim është i dyanshëm, pra regjistrim që duhet të njihet edhe prejardhja e shqiptarëve që janë jashtë. Nëse bëhet kjo, atëherë do ta kemi numrin e përgjithshëm se sa shqiptarë jetojnë në botë dhe sa janë brenda”, ka deklaruar deputeti nga PDK, Hasani.
Ndryshe, Institucionet e Kosovës janë të vetmet në rajon që nuk e dinë se sa popull përfaqësojnë në diasporë. Në dekadën e fundit janë dhënë shifra të ndryshme nga 300 mijë, në 500 mijë e 700 mijë kosovarë që jetojnë jashtë vendit.
Me vendimi e fundit të qeverisë, dilemat rreth asaj se sa mërgimtarë ka vendi, do të hiqen.(Albinfo-ch)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: i mergates, nis me Zvicren, Regjistrimi

Andamion Murataj me filmin e ri”Burri i shtepise” perzgjidhet në PUGLIA-EXPERIENCE 2013

May 20, 2013 by dgreca

Skenari i Filmit të ri të Andamion Muratajt me titull “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) është i përbërë nga tre rrëfime – secili me histori më vete, por të ndërlidhura me njëra tjetrën, të bazuara në aspekte të ndryshme të jetës së një burrneshe shqiptare./

Nga Beqir SINA/

NEW YORK CITY : Pas sukseseve të njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare, me skenarin e filmit “Falja e Gjakut” – bashkëpunim ky me regjisorin amerikan Joshua Marston, për kineastin e talentuar shqiptaro-amerikan Andamion Murataj – vjen suksesi tjetër i rradhës. Skenari më i ri Andamion Murataj me titull “Burri i Shtepisë”(Man of the House) , sapo është përzgjedhur në mesin e dy filmave nga SHBA për në Projektin prestigjoz PUGLIAEXPERIENCE 2013 – “Apulia Workshop Audiovizual”.

Ky projekt i madh kinematografik, do të zhvillohet në rajonin Pulias – Itali për 3 javë nga 17 qershor deri 6 korrik. Ky është një bashkëpunim i “Quinoxe Europe” me “Apulia Film Commission”, sipas modelit të Sundance Film Lab, në Shtetet e Bashkuara, me qëllimin perzgjedhjen dhe zhvillmin e projekteve filmike të disa prej skenaristëve të rinj dhe më të sukseshem ne botë.

Nga 174 projekte filmike që aplikuan për këtë program 124 janë ndërkombëtarë nga të gjithë vendet e botës duke filluar nga Amerika e deri në Australi e Zelandën e Re. 50 prej tyre janë projekte lokale nga Italia si vend mikëpritës i këtij programi. Ndërkohë, që vetëm 10 filma të huaj dhe 6 italianë janë të përzgjedhur fitues në këtë program nga juria e përbërë nga disa prej skenaristëve dhe prducentëve më të sukseshem të kinemasë botërore, siç janë: David Magee, skenaristi filmave të nderuar me çmim Oscar apo filmat “Life of Pi” (2013) – Finding Neverland (2004) dhe James V. Hart, skenarist dhe producent i filmit “Drakula” të Francis Ford Copola dhe “Hook” të Steve Spilberg, të cilët do të jenë dhe mentorët kryesorë të projektit.

Ndër dy skenarët e përzgjedhur nga SHBA, në një projekt kaq madhor si ky fitues është edhe Burri i Shtëpisë” (Man of the House) i cili është skenari i rradhës nga i fituesit të “Ariut të Argjendtë” të Festivalit të Berlinit për skenarin më të mirë shqiptari Andamion Murataj i cili ushtron profesionin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Andamion Murataj, i tha gazetës kombëtare Bota Sot, në SHBA, se ky është një projekt që financohet nga komuniteti Europian për të inkurajuar emra të njohur të kinematografisë botërore për të prodhuar filma që trajtojne tema te mprehta sociale me ngjarja që zhvillohen në një vend europian. Kualiteti i programit, drejtuesve dhe pjesëmarësve në këtë program më nxiti te aplikoj me filmin tim të ri.

Murataj tha se :”Teksa kryeja kërkime për filmin Falja e Gjakut unë pata rastin të takoj disa nga Burneshat shqiptare. Më suprizoi mënyra e jetesës së disa prej tyre, që ishte larg tradicionalizmit etnografik. Ato jetonin kohën e ndryshimeve por me nje specifikë: Në përballimin e vështirësive të përditëshme jeta e femrës ishte negerthyer brenda jetës së një burri. Ky konflikt për mua ka një premisë të fortë dramatike në një formë unike. Keto ishin fillesat e skenarit tim im “Man of the House – Burri i Shtëpisë” shtejllon Murataj, duke shtuar se ky skenar është e përbërë nga tre rëfime që kanë në qendër jetën e një burrneshe Shqiptare në ditët e sotme. Secili prej rrëfimeve qëndron si histori më vete, por të tre janë të ndërlidhur pasi ndriçojnë një këndvështrim specifik të jetës se saj.” tha ai.

Andamion Murataj – për publikun shqiptar është kienast bashkekombas më i njohur në arenën ndërkombëtare, i cili aktivitetin e tij ushtron kryesisht në qytetin ku jeton prej shumë vitesh në New York, qytet ky i metropolit botëror i konsideruar gjerësisht si qendra kinemasë indipendete Amerikane, apo siç nijhet ndryshe edhe si alternativa tjetër përkundër Hollywoodit në California.

Duke folur për Projektin prestigjoz PUGLIAEXPERIENCE 2013 – “Apulia Workshop Audiovizual”, Murataj tregon se lista e mentoreve për këtë vit në program përfshin emra mjaft të njohur të kinemasë, si Christopher Vogler, autor i mirënjohur “Writer’s Journey”. Ai si analist i skenareve, Christopher Vogler, ka pasur një ndikim të thellë në skenarët e shumë filmave që nga THE LION KING, ALADIN, MULAN dhe deri tek FIGHT CLUB dhe THE THIN RED LINE. Për vite me radhë Vogler, ka punuar si konsulent skenarësh për studiot kryesore në Hollyywood ku mund të përmenden I AM LEGEND, THE WRESTLER, dhe BLACK SWAN.

Ajo çka është më e rëndësishme është me përzgjedhjen e skenarit për zhvillim të mëtejshëm në këte program bëhet pjesë e strukurave zinxhir të zhvillimit të filmit. Equinixe Europe ka në qendër të misionit të saj pikërisht të arrijë rezultatet më të larta për filma unikë me ngjarje të mprehta dhe me rrënjë të thella në identitetin kulturor. “Besoj që filmi i im Burri i Shtëpisë,shprehet Murataj, ka në qendër të tij një karakter që nuk ka zënë kurrë më parë vend qendror në kinemanë Europiane, pikërisht një burrneshë Shqiptare, do të ngjalli interesim.Andaj jam i nderuar që ky skenar që në fillesë ngjalli vëmendjen e institucioneve qendrore të filmit Europian.” përfundon Andimion Murataj.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Adamion Murati vjen me filmin, Burri i shtepise, ne Puglia-experience 2013

SUF XHELILI- Ky Tmerr i Serbo-sllavëve

May 20, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen Shehu/

Me siguri (i lindur më 1875) barriste rrugëve të Lisivalles teksa burrat shqiptarë kuvendonin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.Por një lidhje e çuditshme do të ekzistonte deri në fund të jetës së tij me këtë kuvend madhor,me këtë akt epokal të trimërisë shqiptare përballë shpërbërjes nacionale të saj.Mbase lidhja e një ngjarjeje,me jetën e një fëmije duhet kërkuar pikërisht në faktin se gjithë vitet më pas të Suf Xhelilit dëshmuan përpos kalimin fizik të tyre edhe faljen e plotë në dobi të pavarsisë së krejt trojeve shqiptare.Në këtë „falje“ ka veç të tjerash edhe tym e krisma lufte,edhe ëmblësinë e ninullave të Lisivalles,edhe borë e breshër nga Nëntë Malet e Dibrës.

Gjithësaherë,prej gjithkujt që do të ulet të meditojë lidhur me këtë burrë,unë do t’i këshilloja : shko e shihi kullat e Sufës në Lisivalle.Nëse ato janë të rrënuara merr një gur prej tyre,peshon histori.Nëse edhe gurët nuk janë më,merr një fill bari në atë vend ku më parë ishin kullat.Edhe ajo do të rëndojë bile më shumë se  një gurë.Vetëm duhet ta ndjesh në zemër këtë peshë.Më shumë si kilogram fizik do kuptosh në vetvehte tonelata dhimbjeje.Po pse dhimbje ?

Sepse Suf Xhelilit,deri përpara do kohe nuk i shkonte kush tek varri.Mos u habisni ! Po,po, Suf Xhelilit…. Thonë,ka qenë komandant i zgjuar,thonë fliste pak,thonë se sulmet nisnin kur shkrepte pushka e tij,thonë se të shtënën e pushkës së tij e njihnin në Dibër të gjithë.Thonë… Unë di vetëm kaq : Suf Xhelili ky tmer i serbo-sllavëve !

Nermin Vlora Falaski është shprehur : „Shqipërinë e kanë mbrojtur gjatë shekujve bijtë e saj më të mirë.Do përmendim vetëm dy prej tyre,dy Dibranë të shquar,të cilët ja kanë falur edhe jetën atdheut : Elez Isufi dhe Suf Xhelili që populli i ka fiksuar në gojëdhëna,i ka ruajtur me dashuri në arkën e kujtimeve të çmuara.Vijueshmëria e veprimtarisë së tyre patriotike ende nuk është në gjendje të thuret plotësisht me anën e dokumenteve.Por përpjekjet e tyre dalin nga zëri,nga zemra e popullit që u ka kushtuar atyre këngë legjendare“.(Nermin Vlora Falaski“Kreshniku i Dibrës“,fq.210).

Suf Xhelili,pos të tjerave ka pasur një fat të madh në jetë.Është nipi i legjendarit Elez Isufi.Në këtë lidhje gjaku vështirë se anatomia bëhet përcaktuese.Xhaxha e nip,përpara anatomisë do ti bashkonte ndjenja e kulluar e shqiptarizmës.Madje edhe kur thuhet se këta ishin antiserbë deri në çastin e fundit,duhet kuptuar se instikti drejt kësaj herezie është tek e mbramja ndikimi për një nacionalizëm të kulluar.Për kaq kohë ndjenja e pavarësisë territoriale gjallon,kuptohet ajo është në kundërshti të plotë me rrezikimin moral e fizik të atdheut.Bashkëkohësit e kujtojnë Sufën me krenari sidomos në betejën e Kolesjanit aq e përfolur sot për dimensionet e saja epike si në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi.Kolesjani,kjo kështjellë natyrore shqiptare do të ishte përpara së gjithash një fushë betejë midis shqiptarizmës dhe etjes sllave për zaptimin e trojeve të iniciuar ndofta pesë shekuj më parë prej ëndrave të Car Dushanit.Gjakftohtësia në kulmin e betejës ishte natyrë e dytë e tij.Sado e komplikuar të ishte situata,sado vdekja t’u vinte rrotull pozicioneve Sufa do të ishte gjithmonë në pragun e vdekjes por duke biseduar me jetën.Për turp të Artit Ushtarak Shqiptar duhet thënë se pikërisht ky fshatar i mënçur nga Dibra duhej studiuar me imtësi.Veprimet dhe energjitë luftarake të tij,të përshtatura me situatën dhe resurset njerzore mbeten një mister përpara të cilit do të përkulen me veneracion të gjithë ushtarakët shqiptarë.Sidomos në kushtet e sotme kur arti ynë ushtark po ndahet përfundimisht nga teoria ushtarake leniniste,beteja e Kolesjanit duhet të renditet ndër të parat nga mënyra e organizimit sipas pikëpamjeve të luftës popullore.

Më pas pushka e tij do të shkrepte kudo ku „shkelnin „ ëndrat serbe.Dhe shkrepja ishte me të vërtetë gjëmë madhe.Ka ndodhur të sulmohen sërbët në Manastir.Janë thyer dhe kanë thënë: aha,na ka sulmuar Sufa.Po atë ditë,luftime janë kryer edhe në malin e Vrahiçit.E përsëri,mjaft serbë të zënë rob kanë deklaruar : Na ka sulmuar Suf Xhelili…Ish-kapiteni serb Stavro Belishica ka shkruar ;

„Kur e shoqëruam Elez Isufin nga Dibra e Madhe për në Sllovë,kishim marë urdhër në rastin më të parë që do të na krijohej mundësia.Prania e Sufës,mënyra se si ai organizoi mbrojtjen e ngjeshur rreth Elezit me malësorët,bëri të dështojë qëllimi ynë.Ne dridheshim përpara Sufës.Ai na shtypte me shikimin e tij të rëndë dhe na impononte këndvështrimin ose vdekjen e sigurtë“.(Xhelal Ndreu „Kujtime të Pabotuara“ – marrë nga Stavro Belishica në vitin 1941 ).

Sufa nuk ishte përbindësh.Shtatmesatar,i urtë,fisnik deri në flijim për çështjen kombëtare ai do të ngjitej thuajse i vetëm deri në lartësirat marramendëse të legjendës.E atëhere ? Si shpjegohet tmerri serb prej tij ? Historia e Ballkanit është mjaft e trazuar.Në te janë shtresëzuar gjurmët e sa e sa betejave midis kombeve,midis njerëzve që u përkisnin fiseve të ndryshme,midis etnive. Në këtë shtresëzim,në një kapërthim thuajse tragjik janë gjendur kurdoherë shqiptarët me sllavët.E nëse shqiptarët njihen si popujt më të lashtë të Ballkanit,dihet se shumë shekuj pas tyre,ortodoksët sllavë të Ukrainës erdhën deri në kufijtë veriorë të principatës së Ballshajve.Prej këtej do të ngjizej konflikti i madh për mos t’u shuar edhe sot në Evropën e qytetëruar.Një rresht burrash trima e të mençur do ta mbronin kombin,gjuhën dhe trojet e të parëvet të shqipes deri në ankthin e tyre sublim.Ndër ta është edhe Sufa,padyshim i veçantë ndaj urrejtjes që bartëte për serbët.Në këtë lidhje gjaku e për më tepër thirrje e gjakut të të parëve do të rritej trimëria dhe krenaria e Nëntë Maleve të Dibrës.Ka një moment në jetën e Sufës,të cilin e përfolën aq shumë historianët tanë „ të edukuar“ me mësimet e Partisë kuqe sllavo shqiptare.Një moment i cili do të bënte që për pesë dekada,emri i Sufës të ishte në krye të anonimatit gjigant në kujtesën kombëtare.Flirti i tij me Esat Pashën.Dihet se ky i fundit i ofroi Suf Xhelilit,para,tituj,grada e poste.Por ky si pranoi kurrë.Dihet se gjithashtu se prapa Esatit ishin qarqet ultrareaksionare e shoveniste serbe.Por ky „flirt“ mendohet të jetë një nga ato lojëra të mençurisë popullore Dibrane.Momenti i „bashkëpunimit“ të Esatit me Sufën do të gjallte habi tek disa krerë të parisë së dibrës dhe vetëm kaq.Ndërsa largimi i tyre,jo vetëm do të çlironte shumë patriotë nga ankthi,por do të diskreditonte përfundimishtë të përkdhelurin e serbëve,Esatin për të cilin Shqipëria ishte vetëm pronë për t’u ndarë edhe pse rrezikohej liria dhe etna e jonë.Dhe „ndarja“ e Esatit me Sufën ka qenë pothuaj tmerruese për serbët.Në një letër që patrotët dibranë i dërgojnë Elez Isufit thuhet: „Këtu,Dardha,Reçi dhe Lura po ju presin juve ose Suf Xhelilin dhe ju lutemi që një orë e më parë të vini këtu.Suf Xhelilit nuk munda me i shkrue letër veçmas,mbasi nuk mu ndodh letër.Por presim që një orë e më parë të vini ose të çoni Suf Xhelilin.Për këtë punë dhe ne ju lusim dhe krejtë krahina dhe katundet e këtushme.Vëllezërit tuaj:Dik Xhelili dhe Miftar Kaloshi“.

(Elez Isufi,dokumente,fq.132).

Forcat esadiste po përgaditeshin për luftë vëlla me vëlla duke paracaktuar kësisoj fatin e betejave të mëvonshme me serbët.Por kjo luftë nuk u bë falë ardhjes së menjëhershme të Suf Xhelilit,pjekurisë dhe trimërisë për të marrë mbi vete edhe disa romuze që nuk i kanë takuar kurrë trimit.Fill pas kësaj,duke denoncur paktin Esat-Pashiq për daljen e forcave serbe në Durrës,do të organizohej beteja e Qafës së Trojakut.2000 ushtarë serb të vrarë dhe mbi 1000 të zënë rob jo vetëm do të pengonin serbët në daljen e tyre në Adriatik por do të shokonin artin ushtarak të Shtabeve të Beogradit,duke rishfaqur një dimension të zakonshëm të tij,atë të frikës përballë dibranëve që udhëhiqeshin nga Sufë Xhelili.Më pas, së bashku me trimat,ai do të shpalloste humanizmin e racës sonë.Të gjithë robërit,mbaheshin me bukë e ktheheshin për në vendin e tyre të çuditur me shpirtin e madh të luftëtarit. Ngase e donte Dibrën dhe krejt Shqipërinë pa serbët,ngase inspironte për demokraci të vërtetë,Sufë Xhelili qe i pari në Dibër që u vu në mbrojtjen e shtetit të parë demokratik disamuajsh të Nolit.Në kuvende,në odat e burrave,apo pyjeve e maleve të Dibrës,ai do të shprehej me shumë simpati për Nolin dhe ato çka deshi të bënte ky. Vizioni i tij politik,megjithëse i mjergulluar në kohë e situata të ndryshme do të ishte kurdoherë i qartë pro demokracive të Perëndimit Eurpian.Dhe skish si të ndodhte ndryshe.Një jetë e lodhur luftëtarësh të pambarim do të donte të shuhej vetëm duke parë lindjen e kësaj demokracie.

Arkivat e heshtura serbe nuk kanë folur akoma.Por dihet se një plumb nga dora tradhëtare gjeti zemrën e Suf Xhelilit në dhjetorin plot mjergull të vitit 1924.Natyrisht plumbi nuk mund të qëllonte do këngët,bëmat,bisedat dhe legjandat për këtë dibran që u bë tmerri i fqinjit të vet grykës.

Miqësitë e lidhura shumë vite më pas të Hoxhës me jugosllavët do të lëndonin deri dhe gurët e varrit të Sufës.Gjithsesi ai mbijetoi përmes idealit të tij,duke u shfaqur i plotë në ditët tona.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Suf Xhelili, tmerri i serbo-sllaveve

Shqiptarët në Konferencën vjetore të Rotary Club,District 7230 , New York

May 19, 2013 by dgreca

Aktivitetet e ndryshme me Rotary Club, ia shtojnë madhështinë Lidhjes Qytetare, për të treguar atë zemrën e madhe të anëtarëve të kësaj organizate, për të kontribuar me ndihma për fëmijët shqiptarë, kudo që janë për një jetë të re, ashtu si kan kontribuar për luftën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. NGA BEQIR SINA/

WESTCHESTER NEW YORK : Konferenca e Qarkut është ngjarja më e madhe e vitit për këtë degë të Rotery Club Ditricit 7203. Konferenca e këtij viti filloi me një drekë tradicional,e për të vijuar me paraqitjen e një koleksioni të mrekullueshme të aktiviteteve. Në Konferencë u tha se me një udhëtim që do të mbahet të djeeën në terren për të punuar me Projektin Uragani Sandy në ishullin Staten Island – kjo arrin kulmin e veprimtarive humanitare për Rotary Club.

Kjo, Konferencë, si në të kaluarën dallohet nga fjalimet e gjata të planifikuara për të inkurajuar të gjithë rotarianët. Dhe ky është një moment i paharrueshëm i Konferencës së Qarkut Rotary District 7230, e cila vazhdon me ndarjen e çmimeve, dhe mirënjohjeve që u jepet me këtë rast anëtarëve të saj. Kësaj rradhe kjo konferencë nëpërmjet një falemnderimi para të pranishëmve – vlersoi lartë dhe kontributin e Joe DioGuardit dhe Lidhjes Qytetare, sidomos me fëmijët nga Kosova.

Në Konferencën e Qarkut Rotary Club të District 7230, mori pjesë edhe një grup i vogël aktivistësh nga Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, i njohur si lobi i parë dhe i vetëm shqiptar në SHBA. Konferenca vjetore 2013 :”Rotary Club të District 7230 – “u zhvillua të premten në Hotel Westchester Marriott, në qytetin Tarrytown – White Plains. Ndërsa personalitete të njohuara nga Roatary Club International morën pjesë në këtë konferencë, si dhe autoritet më të larta lokale, përfshirë dhe Prefektin e Qarkut – Yonkers, Rob Astorino i cili edhe e përshëndeti këtë konferencë.
Mes pjesëmarrësve të shumtë, gjithashtu u tha se ndodheshin edhe filantrop të njohur nga Japonia, Kanadaja, Australia, Meksika, Argjentina, Bitania e Madhe dhe të tjerë, ardhur enkas për të marrë pjesë në këtë Konferencë.

Grupi i shqiptarëve me Presidentin e LQSHA, ish kongresitin republikan të New Yorkut, Joe DioGuardi, me pjesëmarrjen tyre treguan se ata kan nisur një fushat humanitare, për të ndihmuar me kontributin e tyre, Rotary Club, për të sjellur në Amerikë, për kurim, fëmijet nga Kosova, të cilët janë me probleme te nderlikuara në zemër dhe duhet patjetër një ndërhyrje kirurgjikale, në mjeksinë amerikane.

Mirëpo, tani mbasi Rotary Club ka sjellur dhjetëra fëmijë nga Kosova, për t’u kuruar në spitalet njujorkeze, DioGuardi, së bashku me anëtarët e Bordit të drejtorëve të LQSHA, thonë se ata mendojnë që në të ardhmen, ta shtrijnë këtë inisiativë të tyre, edhe më gjerë, për të kontribuar të sjellin nëpërmjet Rotary Club International, edhe fëmijët me problemet e zemrës nga Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare në Ballkan.

Sipas tyre, ky ishte dhe qëllimi i pjesëmarrjes se tyre në këtë Konferencë(Rotary District 7230- 2013) për të diskutuar me zyrtarët e Rotary Club, se si në të ardhmen do të gjenden mënyrat për të sjellur këtu, edhe fëmijët nga Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare: “fëmijë, këta të cilët vuajnë me probleme me zemrën qysh në lindje. Të cilët, nuk kan kushtet e duhura dhe mundësit financiare për të përballuar këto ndërhyrje krirurgjikale, të cilat kushtojnë shumë dhe janë intervenime të cilat mund të bëhen vetëm në spitalet e njohura Amerikane.”

Anëtarët e Bordit të drejtoreve zoti Zef Balaj, me bashkëshorten Lina dhe djalin e tij Xhozefin , zoti Agim Aliçkaj , z. Gjergj Dedvukaj, z Asllan Cekaj dhe z. Bujar Gjata, në krye me Joe DioGuardin, edhe kësaj radhe u bënë pjesë e donacioneve, për Rotary Club – falë asaj bujarisë së tyre.

Ata u angazhuan se për fëmijët shqiptarë, do të jen të gatshëm të japin çdo lloj kontributi. Njëri prej pjesëmarrësve, zoti Bujar Gjata, i cili bënte pjesë me grupin e shqiptarëve nga Lidhja Qytetare me president Joe DioGuardi, në Konferencën :”:”Rotary Club e District 7230 – Conference 2013 “, e cila u mbajtë në Hotel Marriot Yonkers New York, premtoi se ai dhe familja e tij, do të mbajnë në shtëpinë e tyre një fëmijë shqiptarë, i cili e vjen nga Kosova, së shpejti – për një intervenim në zemër, në spitalin e fëmijëve në Yonkers New York .
“Ky është për mua një rast i veçantë u shreh DioGuardi, duke shtuar se për herë të parë kishte marrë pjesë në këtë Konfrenecë, kur ai ishte kongresmen i këtij distrikti për mandatin e tij – 1985-1989. Më tej ai tha se Rotary Club nga Districti 7230, së bashku me Rotary Canada, është një shëmbull i veçantë për ndihmat humanitare, sidomos, sipas tij ajo me ndihmën për fëmijët e sëmurë anëmbanë botës. Rotarianët, tha DioGuardi, janë njerëz që shpenozojnë kohen dhe parat e tyre, për të ndihmuar fëmijët e sëmurë, por edhe familjet e mbetura pa kulm mbi krye në Staten Island nga urragani Sandy, kësaj here”.

Mbas Konfrencës 2013, folën edhe zonja Lina Bala, zoti Gjergj Dedvukaj dhe Asllan Çekaj. Zef Bala, anëtar i Bordit të Drejtorëve, thotë se Ldhja Qyetare tash ka si prioritet për të ndihmuar dhe sjell fëmijë nga veriu i Shqipërisë, të cilët vuajn nga problemet e zemrës, por janë në kushte të vështira jetese, për të përballur intervenime të tilla mjekësore.

Kurse, për kolegun e tij nga Deçani – Kosovë, zotin Agim Aliçka, me Xhozef DioGuardin në krye, në Ligë janë të përfaqësuar të gjitha trojet shqiptare. LQSHA, tha ai edhe çdo çështje kombëtare, ka punuar njësoj si për Kosovën, Shqipërinë, Çamërinë, për shqiptarët në Luginën e Preshevës ata në Mal të Zi dhe në Maqedonin.

“Ndërkohë, që tani u shprehet Aliçka, me aktivitetet e ndryshme që zhvillojmë me me Rotary Club, kjo ia shtonë madhështinë Lidhjes Qytetare, për të treguar atë zemrën e madhe të anëtarëve të kësaj organizate, për të kontribuar me ndihma për fëmijët shqiptarë, kudo që janë ata, për një jetë të re, ashtu si kan kontribuar për luftën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. Andaj jamë krenar, që jamë pjesë e kësaj veprimtarie, bamirësie, për të ndihmuar fëmijët shqiptarë” përfundojë anëtari i Bordit të Drejtorëve, zoti Agim Aliçka.

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Beqir Sina, shqiptaret ne Konferencen vjetore, te Rotary Club

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5437
  • 5438
  • 5439
  • 5440
  • 5441
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT