• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QEMAL XHAKA KISHTE SHPIRT ARTISTI

April 25, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ*/

 Për vlerat njerëzore dhe intelektuale që mbartte Qemal Xhaka në kujtesën e Tërbaçit përherë, në memorien e Vlorës dhe Tiranës intelektuale të viteve 1965 – 1990, do të ngelet një meteor i ndritshëm. “Ai kishte një shpirt të madh dhe shpirt artisti – shprehet me mall e dhimbje Avdurraman Meçe, pedagog në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, një njeri që gëzon respekt qytetar për mirësinë dhe diturinë e tij në rrethet elitare të shoqërisë vlonjate. “Jemi njohur në shkollën “Ali Demi” aty nga vitet 1965 – ’66 – shfleton kujtimet e bukura Durua. – Ai vinte nga Llakatundi, pas një fluturimi nga Tregtarja… E zura shok qysh në takimin e parë dhe u bëmë vërtetë shokë e shokë të ngushtë. Atë kisha shok unë! Ishte i vërtetë i drejtpërdrejtë, i sinqertë e shumë i dashur. Ai lexohej në sy; në xixëllimat e syve i lundronte shpirti i pastër, zemërmirësia e admirueshme. Nuk qe konfliktual Qemali. Nuk ishte dogmatik. Aq sa ishte i gjerë, aq dhe nuk pranonte asgjë verbërisht. E vetmja dogmë e tij qe letërsia dhe arti. Qe me kulturë Qemali! E njihte shumë mirë rusishten dhe ndiheshin të lumtur kur flisnin për Mbretërinë e Letrave Ruse, për mbretërit e princërit rus, të paarritshëm në artin e tyre. Ç’është e vërteta, letërsinë ruse e ishim të dy dobësi. Na magjepste!

E ç’të kujtoj më parë – ngazëllehet Durua i gëzuar, që i kërkova të më thotë dy fjalë për njeriun tim të adhuruar, për atë njeri punë shumë e fjalë pak, që paskësh rastisur dhe shok i ngushtë i tij. Dhe me atë vrull e respekt gati vëllazëror tok gotën e rakisë me mua e më thotë: – “Berti, tani të respektoj dy herë më shumë. Jo vetëm për hir të penës, por patjetër  dhe për faktin që ti e njohte, dhe sidomos e paske idhull Qemal Xhakën. Për kujtimin e paharruar të Qemal Xhakës, se kur merrnim rrogën, të dy pinim birra jo një e dy, por disa. Shokë të pastër!…”. Ishte një mozaik emocional ylberor takimi dhe biseda me Duron, pedagogun e aftë, metodistin e zot, eseistin mbushmendës, njeriun e mrekullueshëm, poetin e shkëlqyer, të cilin Dritëroi dhe Kadareja e njohin mirë, kur shpërtheu Avdurraman Meçe, por…Biseda u bë vërtet e pashlyeshme kur një glob loti diellor u rrukullis nga brinja e faqes fisnike të të vërtetit mik Duro, kur folëm për të madhin , të thjeshtin, të veçantin, Qemalin tonë të paharrueshëm.  Qemal Xhaka qe njeri i bukur, burrë i bukur, zotni burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës. E meriton nderimin e nevojshëm, se ishte i ditur, me vlera e virtyte fisnike e Tërbaçit i bën diell krahas dritësuesve të tjerë që ngrohin jo vetëm hapësirat e kaltra tërbaçiote.

Qemal Xhaka kudo ku shkonte ndriste me diell Vlore dhe dashuri Tërbaçi. Unë kam patur fatin ta njoh nga afër, kur isha skënderbegas në Tiranë, në vitet 1975 – ’79. Në jetën time kam patur një ecuri, të cilën e kam arritur me ndershmëri, me aftësi e profesionalizëm, me thjeshtësi e dashuri altruiste ndaj njerëzve, pa i ditur bërrylat e xhelozitë, se s’kanë të bëjnë me mua, me edukatën e prindërve të mi, me uratën e dinjitetin e gjyshit nga baba e gjyshes nga nëna. Fatet dhe antifatet s’ më janë ndarë. Ndër pengjet e mia, që i kanë hapur një rrëke antifatit, janë dy vdekje të parakohshme,që më kanë tronditur, se i kam dashur shumë dhe më kanë bërë dëm, se më kanë munguar. Dy ikjet e papritura të dy yjeve shqiptarë, Kastrot Gjinit – Migjenit të pentagramit shqiptar dhe e prof. Qemal Xhakës – të dy me origjinë nga Tërbaçi më kanë bërë dëm. Pse? Do të pyesni ju natyrshëm dhe pak të çuditur. Po, se më mungonin kur më duheshin. Po të ishin ata dhe unë do të isha dikush tjetër, më i dukshëm në produktivitetin shpitëror pozitiv. E di që nuk flitet me në qoftë se… Por unë prapë jam dhe në këmbë, aq sa, ashtu si, veç se me dinjitet, me shikim drejtë përpara, jo sy poshtë, për vete, për familjen time, pë të parët e mi,për të nesërmen tonë qytetare europiane me identitet integrues, por edhe për ata dy diellorët tanë: Otin dhe Profesorin. Ruaj një kujtim të çmuar nga Qemal Xhaka: Disertacioni i tij që më ka dhuruar me autograf, qysh atëherë, në fillim vitet ’80 – të  shekullit që lamë pas, kur po përfundoja studimet  e larta në Tiranë e  vija shpesh herë në shtëpi të tij, atje te bërryli i Lanës, për mua është një thesar dhe e ruaj në Bibliotekën time personale si një manifest kuture e diturie, që duhet të dish ta lexosh estetikisht.

Jo vetëm për lexuesit e gazetës “ Çika e Tërbaçit”, por nëpërmjet gazetës “Dielli” për të gjithë ata që e njohën e punuan me të brenda e jashtë vendit, si dhe  për mbarë njerëzit që duan kulturën dhe që respektojnë njerëzit me kontribute të larta në shkencat humane, letërsinë elitare e kritikën profesionale për botimet nga Perandoria Letrare e Kohës së tij, siç qe letërsia ruse, si dhe për ndihmesën e dukshme njerëzore ndaj diturisë në tërësi, kam nderin që t’ ju sjell në kujtesë një diamant të kthjellët, të tejdukshëm, me shkëlqim të madh e të pastër që e ka emrin Qemal Xhaka, PROFESOR QEMAL XHAKA!

Për nderim të Qemal Xhakës lexuesit tonë po i sjell dy materiale të tjera të veçanta:

Kujtime  nga  Isuf R. Xhakaj:

 Qemali u lind në vitin 1937 në Tërbaç. Shkollën fillore e kreu në vendlindje kurse atë 7-vjeçare në qytetin e Vlorës. Në Elbasan kreu shkollën e mesme pedagogjike ku mori titullin e mësuesit. Studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik për gjuhë-letërsi ruse në Leningrad. Mbi dy dekada ka punuar si pedagog i gjuhës dhe letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës. Ishte punëtor dhe studiues sistematik e këmbëngulës. Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe mbante titullin Profesor. Qemali ishte me të vërtetë i veçantë. Kujdesi i tij për të tjerët, për t’iu gjendur pranë, për t’i ndihmuar e lehtësuar në hallet e tyre e bënte të dallueshëm nga ne të tjerët.

Mjafton t’i thoshe kush ishe, nga ishe dhe çfarë halli kishe e ai menjëherë do të vihej në dispozicion duke sakrifikuar kohën e tij që ishte shumë e çmuar dhe e paktë për kohën dhe studimet që bënte.

Me respekt e konsiderata flasin për Qemalin breza studentësh dhe ne na kënaqet shpirti kur dëgjojmë edhe sot e kësaj dite për atë që ishte dhe bëri Qemali ynë.

Ish studenti i Qemalit, Paskal Milo, ish-deputet i Kuvendit Popullor dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë, thotë:

“Qemal Xhaka nuk ishte vetëm një intelektual me gjerësi e thellësi mendimi në shumë fusha, por edhe me koncepte moderne për jetën. Ai ishte njeri human, me zemër të madhe dhe të pastër”.

Si njeri i letrave dhe i shkencës që bënte një jetë moderne qytetarësh mes intelektualësh e kuptonte mungesën që kishte për jetën e thjeshtë të fshatit dhe të ndenjurit në mes të natyrës.

Në verën e vitit 1960 u ndodha me leje në fshat. Ato ditë erdhën për vizitë te ne për të ndenjur ca ditë xha Ademi me Tahirenë dhe Qemalin.

Ishte kërkesa dhe dëshira e Qemalit që të shkonim te burimi i Kiçe pastaj të rrinim në Hundën e Meços.

Te burimi ai lau sytë dhe piu ujë me grushta, u kthye dhe takoi babë Karafilin, i cili qerasi me fiq. Hëngri 3 – 4 kokrra fiku e më tha: “Këtu edhe fiqtë kanë një shije ndryshe”.

Kur dolëm në Hundën e Meços, hapi krahët dhe mori frymë thellë, sikur u çlirua nga ndonjë barrë e rëndë.

“Shiko,-më tha mua,-sa bukur duket këtu Vozdoli, Çika, Çipini, ja dhe Shefqeti me dhi në majë të Rrethit. Ja babë Kapua tek punon me bletët, ja dhe xha Seferi që po gdhend diçka para portës. Sa më ka marrë malli.

Sa dëshirë kam të ngjitem në Çikë, të ngas dhentë në shtrungë, të ha një përshesh me qumësht e të fle në hijen e tendës me sharkun e xha Elmazit”.

U martua me Peza Faik Elmazaj nga Ramica e Vlorës.

Peza ishte me profesion mësuese, por edhe një zonjë e vërtetë shtëpie.

Ajo shumë shpejt e njohu nga afër botën shpirtërore, karakterin dhe hobet e iu përshtat aq mirë Qemalit sa të dukej se ata të dy i kishte bërë një nënë. Lindën dhe rritën 3 djem: Sokolin, Gencin dhe Leonardin.

Më 31 dhjetor 1996, pas një sëmundjeje të rëndë, Qemali ndahet nga jeta para kohe duke lënë jo vetëm brengë, por edhe një shteg të cilin nuk e zëmë dot asnjeri nga ne të gjithë.

Peza aktualisht jeton në Tiranë, në pension e rrethuar nga kujdesi i fëmijëve të saj që i ka të dashur e të respektueshëm”.

Dhe një poezi e pastër shpirtërore nga miku i Qemalit dhe Tërbaçit, poeti Irfan BREGU

Labirint i vetmisë

 Qemal Xhakës mikut tim, që vdiq në kulm të krijimtarisë intelektuale

Ti je zog

e ai tjetri kërkon të të presë krahët…

E ti s’mund t’ia shpjegosh?

Vetëm të distancohesh:

të fluturosh.

 

Ti je njeri!

E ai tjetri kërkon që të thuash si të tjerët:

Amin!

Kurse ti, njeri duke qenë ngaherë,

vetëm veten mund të përtëritësh.

E ti s’mund t’ia bësh të qartë,

atij që me shpirt asnjë metër lartësi nuk arrin?

Duke fluturuar

ta shikosh nga lart!

 

Kush e kërkon çelësin e çdo personaliteti,

s’ka mësuar pse Sokrati nuk pranoi të vidhet

nga burgu,

pse Odhiseu, që kish mall për djalin dhe gruan

e bukur

parapëlqente të fshehtat e jetës,

udhët e detit të turbullt…

 

Në ta kërkofshin çelësin disa mendjelehtë,

ose më saktë: ata që duan të të mbërthejnë

si Krisht,

hidhe çelësin në det o njeri,

që të jesh i qetë,

në do të shpëtosh prej pabesisë.

 

Dhe unë dhe ti dhe ai

ka Babiloninë e vet,

ka labirintin e vetmisë

ku është i lirë, krejt i sinqertë.

 

Në shumë çaste kam thënë: ah, si nuk jam memec!

Kur ai tjetri si Juda

në tryezë më rri.

Vetëm unë brenda vetes i qetë mund të ec.

Brenda vetes jam

Perëndi.

* Poet, studiues, Kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore ‘TËRBAÇI”,  drejtues i gazetës “ÇIKA E TËRBAÇIT”

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, per Qemal Xhaken

XHORXH BUSH BASHKON PRESIDENTËT

April 25, 2013 by dgreca

Ne Foto: Presidenti Obama, ishpresidentët Xhorxh W Bush, Bill Klinton, Xhorxh H Bush dhe Xhimi Karter në inaugurimin e Bibliotekës në Dallas/

Nga Frank Shkreli/

“Ne besojmë në shoqëri të lira që vlerësojnë bindjet morale. Ne besojmë në tregje të lira private, të  njerizuara nga një qeveri e mëshirshme. Ne besojmë në një ekonomi që shpërblen punën e rëndë, në komunitete që mbrojnë të brishtët, si dhe në detyrën dhe përgjegjësinë e kombeve për të respektuar dinjitetin dhe të drejtat e të gjithëve.”

Thënie e skalitur në murin e Qendrës së Presidentit Xhorxh W. Bush në Universitetin Metodist të Jugut në qytetin Dallas të shtetit Teksas.

Të ënjtën më 25 Prill u inaugurua “Qendra e Presidentit Xhorxh W. Bush”, hapësirë e cila përfshinë Bibliotekën e Presidentit Bush si edhe Institutin Bush, themeluar nga Presidenti dhe Zonja Bush, sipas njoftimit të Qendrës me qëllim për të “vazhduar punën e tyre për përhapjen dhe forcimin e lirisë në këtë vend dhe anë e mbanë botës.”

Në inaugurimin e kësaj qendre — e cila është biblioteka e 14 presidenciale dhe e dyta më e madhja pas bibliotekës të Presidentit Reagan — morën pjesë Presidenti në detyrë Barak Obama dhe ish-presidentët Xhorxh Bush plaku, Bill Klinton, Xhimi Karter, si dhe një numër personalitetesh ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Rasmusen dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe 15.000 personalitete të ftuar.

Qëllimi i bibliotekave presidenciale është në përgjithësi që brezi i tanishëm dhe brezat e ardhëshëm të mësojnë mbi presidentët, historinë amerikane dhe botërore gjatë periudhës që ata kanë shërbyer si preisdentë të Amerikës.  Qëllimi i Qendrës dhe Bibliotekës së Presidentit Bush, sipas portalit të saj, është që të “shërbejë si burim për studimin e jetës dhe të karjerës së Xhorxh W. Bush, ndërkohë që promovon gjithashtu njohjen më të mirë të zyrës së presidentit, të historisë amerikane dhe të çështjeve të rëndësishme të politikave publike”, gjatë mandatit të tij si president.

Në këtë bibliotekë, sipas drejtorit të saj Mark Langdale, do të ruhen të gjitha arkivat e dy mandateve të administratës Xhorxh W. Bush, informacione digjitale dhe më shumë se 200-milion komunikime elektronike (emails), që përbën kolekcionin më të madh elektronik të bibliotekave presidenciale, ekspozita që pasqyrojnë vendimet kyçe të administratës Bush si dhe ekspozita digjitale dhe vizuale për t’ia bërë më të lehtë vizitorëve të ndjekin masat dhe vendimet e marra nga presidenti Bush si dhe arsyet dhe parimet që e drejtuan atë në marrjen e vendimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Natyrisht në këtë dokumentacion përfshihen edhe tekste të ndryshme historike, gjithsejt nja 70-milion faqe nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së bardhë gjatë presidencës Bush.  Si e tillë, këjo qendër u ofron materiale dhe dokumentacion historik të dorës së parë, historianëve, akademikëve, studentëve dhe publikut, të cilët do të përpiqen që vet të rivlersojnë politikën dhe vendimet, shpesh kontraversiale, që ka marrë presidenti Xhorxh Bush dhe të cilat mbeten objekt intrepretimesh të ndryshme.

Megjithëse shpenzimet për ndërtimin dhe inuagurimin e kësaj Qëndre janë mbledhur nga fonde private, gjithsejt 500-milionë dollarë, tani e tutje Biblioteka do të administrohet nga Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që kujdesen edhe për bibliotekat e tjera presidenciale, me fjalë tjera nga taksapaguesit amerikanë.

Inaugurimi i kësaj Qendre dhe biblioteke është i rëndësishëm për historinë e Shtetev të Bashkuara  dhe për politikat kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë tetë vjetëve të administrates së Xhorxh W. Bush.  Njëkohsisht ishte në rast i rrallë që pesë presidentë të Amerikës, anëtarë të një klubi ekskuziv, ishin së bashku dhe të cilët gjatë 25 vjetëve të kaluara kanë përcaktuar politikën e mbrendshme dhe të jashtme të Amerikës.  Gjatë pothuaj tre dekadave të kaluara, ata kanë argumentuar dhe debatuar ashpër me njëri tjetrin.  Megjithë ndryshimet politike midis tyre, gjithmonë duke nënvijuar qendrimet dhe parimet qeverisëse për të  mirën e Amerikës dhe të botës –  gjithmonë duke venë dashurinë për Amerikën mbi të gjitha interesat, personale, politike ose partiake.  Takimi i pesë presidentëve amerikanë në Dallas në inaugurimin e Qendrës Xhorxh W Bush, ishte një pasqyrim i demokracisë së vërtetë se se megjith ndryshimet e mëdha në pikpamjet politike midis tyre, presidentët amerikanë,  mbi të gjitha, tregojnë admirimin dhe respektin për zyrën e presidentit dhe dashurinë për atdheun e tyre, Amerikën.  Ky takim, sipas Presidentit Obama – i cili shpeshë ka kritikuar politikat e parardhësit të tij — ishte gjithashtu një moment që ai e cilësoi si një “ditë e veçantë për demokracinë” dhe një rast që ishpresidenti Bill Klinton e  karakterizoi si një ditë, “celebrimi për atdheun tonë, të cilin të gjithë ne e duam”.  Në fjalimin e tij, Presidenti Obama lavdëroi, ish-presidentin  Xhorxh Bush për udhëheqjen e tij pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, për përpjekjet e tij për të luftuar sëmundjen e SIDës në Afrikë si edhe për politikat e tija të arsimit dhe të imigracionit.

Presidenti Xhorxh Bush,në fjalimin e tij përshëndetës, tha me sy të përlotur dhe plotë emocion se, “E  dedikoj këtë bibliotekë me një besim të palëkundshëm në të ardhmen e vendit tonë”, duke shtuar se “ishte një nder të udhëhiqja një vend aq trim dhe aq fisnik siç janë Shtetet e Bashkuara…dhe se pa marrë parasyshë sfidat me të cilat përballet vendi, Amerikën e pret  një e ardhme më e mirë”.  Duke nënvijuar sukseset e administratës së tij, Z. Bush tha se, “Ne kemi zgjëruar liritë mbrenda këtij vendi duke rritur standardet në shkolla dhe duke ulur taksat për të gjithë. Ne kemi çliruar kombe nga diktatura dhe kemi shëruar njerëz nga sëmundja e SID-së”.  Dhe duke folur për sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, ai tha se, “kur atdheu ynë u sulmua  ne morën vendime të vështira për të mbrojtur popullin amerikan”, dhe shtoi se parimi kryesor i administratës së tij ishte zgjërimi i caqeve të lirisë”, përfundoi presidenti Xhorxh Bush.

Ndonëse ky inaugurim u cilësua nga një gazetë amerikane si “një darsëm pa alkool”, ceremonia kryesisht u përqendrua mbi aspektet pozitive të administrates së Xhorxh W Bush prej dy mandatesh dhe jo mbi çështjet kontraversiale siç ishte lufta në Irak.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: bashkon presidentet, Frank shkreli, Xhorxh Bush

Delegatet e VATRES ne Jacksonville, gati për Kuvend…

April 25, 2013 by dgreca

Nga Lek Gjoka/Jacksonville-Florida/
Vatra shekullorë po përgaditet jo vetem për Kuvendin e rradhes por me teper,për Kuvendin e Shekullit te Ri të saj.Sigurisht dikur Noli pat thenë:Shqipëri mos ki frikë se ke bijtë në Amerikë..Vetem po te lexosh me pak ndienja këto dy vargje kanë nje mesazh të madh për vleren madhore që kishtë në ate kohë Shqiperia për to.Po sot? Sigurisht që gjithë e duam Shqipërine,kombin shqiptar sepse kemi gjak shqiptari por vallë sa detyrime ndiejme ndaj Memedheut?Sa kontribojme ndaj tij kur mundesite i kemi?Sigurisht përgjigjen e kësaj pyetjeje ja leme më mire kohes sepse ajo është sita e historise,e atdhedashurise,e kontributit te çdo mërgimtari shqiptar këtu ne SHBA dhe me tej…
Në një ambjet shqiptar më 7 Prill antaret e deges së Vatres në Jacksonville Florida u mblodhën në reastaurantin e shqiptarit me zemer te madhe zotit Edi Ruka.Sigurisht qe nuk ishtë një dite si të tjeret sepse ishte një pervjetor i hidhur për kombin shqiptar,përvjetori i pushtimit të Shqipërise nga Italia fashiste por historinë s’e harrojme dhe datave të tilla duam ti ndryshojme për gjera më te mira në sherbim te Shqipërise siç është takimi i sotëm për zgjedhjen e kandidateve për në Kuvend.Kështu nisi në një ambient familjar vatran bashkëbisedimi i rradhes.
Të gjithë menjëhere pas hapjes nga kryetari i deges zoti Adriatik Spahiu nisën të diskutojnë për probleme të ndryshme se si ti bashkojnë më tepër shqiptaret e Jacksonvillës.
Gjithashtu u diskutua qe në një te ardhmë të afert të japin sugjerimët e tyrë per Kanunoren (Rregullorën) e re të Vatres.Gjithashtu u diskutua për gjëra madhore siç janë detyrimet e degeve të Vatres më Qendren dhë të drejtat e autonomise financiare te degeve.Sigurisht pa para nuk mund ti sherbesh as kominitetit shqiptar dhe as kombit.Sugjerimët do të bëhen publike me imtësisht në Kuvend.Më pas u kalua në votim të hapur për zgjedhjen e kandidatëve.Më shumice votash në Kuvend u zgjodhën vatranet zoti Adriatik Spahiu kryetar i deges,zonja Lavdie Mato antare,zoti Ardian Gjoka antar bordi,zoti Besim Hasani antar.Sigurisht qe sikur tha në fillim Tiku dëshira është të jemi të gjithë pjesmarres por statusi është ai qe cakton numrin ndaj të gjithë janë dakort më zgjedhjen demokratike pa hadermetje të çastit.
Dukë ditur që dega e Vatres ne Jacksonville si foshnjë që është nuk afron asnjë mundësi finaciare për shpenzimet e delegateve për në Kuvend disa antare që janë zotërinjte Nevzat Loci, Sokol Curi, Vebi Musta ,Fatmir Niko Bengu , Petrit Kaba, Hasan Hakrama, Mariglen Kocibelli , Fuat Haxho, Arber Tabaku ,Bukurosh Currre, Miklovan Aleksi etj…sipas mundësive dhuruan një sasi të hollash që tregon fare qartë shpirtin bujar të shqiptarit.Më pas u prezantuan antaret e rinje zoterinjte Petrit dhe aei figu që iu uruan mireseardhjen ne sofren e madhe të Vatres të cilët pasi morën fjaken u zotuan që do të punojnë më sa mundësi që kane në shërbin te komunitetit shqiptar ketu në Jacksonville dhe në sherbim të Atdheut. Gjithashtu kryetari i deges se Jacksonvilles zoti Adriatik Spahiu falenderoje përzemersisht të gjitha antaret qe kontribuan finaciarisht në kete mbledhje dhe ato që e mbeshteten por për problemë të ndryshme personale ishin vetëm shpirtërisht prezent në mbledhje.Jo më kot -vazhdoi Adriatiku- fjalet e Nolit që i drejtohet Shqipërise që te mos kete kurrë frike se ka djemte në Amerike janë mese reale në ketë shekull të ri. Dukë bisededuar si në një sofër të madhe kohe kishte ecur shumë shpejt më hapin e ores.Sigurisht që sontë ishte hera e parë që dega e Vatres zgjedh delegatet e saj për në Kuvend dhe që do ti përfaqesoje 
denjesisht jo vetem antaret e tjere por gjithë shqiptaret qe jetojne e punojnë prej shumë vitesh në Jacksonville Florida më një shprese të madhe që Vatra të arrijë të konsilidohet dhe si dikur por në rrëthana të reja ti sherbeje me se miri diaspores shqiptare të Amerikes,interesave kombetare të Shqipërise e kombit shqiptar si dhë të jape nje kontribut të çmuar edhe per Shtetet e Bashkuera të Amerikes si një Atdhe i dyte për të gjithe shqiparet qe jo vetem na pranoji pranë vatres se saj por na afron më afer zjarrit shpirteror që të na afroje sa me shume ngrohtësi qe të mos ndiejme ne pafundesi mungesen e vendlindjes dhe ëndrra Amerikanë të mos jete thjeshte një ëndërr Amerikanë por nje realitet qe çdo shqipar e shijon dhe do ta shijoje gjithmone.

Lek Gjoka
Prill 2013
Jacksonville Florida

Filed Under: Kronike Tagged With: delegatet e Vatres, gati, Jacksonville

SINJAL PËR FUNDIN E KONFLIKTEVE NË BALLKAN?

April 25, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA)/

Me përshëndetjen e marrëveshjes së firmosur nga Thaçi dhe Daçiç më 19 Prill, nga BE dhe SHBA, ka filluar tashmë përfundimi i konfliktit ballkanik. Nuk u mbyll me kaq. Një seancë dëgjimore që u zhvillua më 24 Prill në Kongresin Amerikan me dy panele dëshmitarësh tregoi se SHBA është e interesuar që rajoni të jetojë në paqe.

Dialogun Beograd-Prishtinë e udhëheq BE, por më e favorizuar është Serbia edhe pse nuk e ka pranuar genocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Kosovën e Pavarur nuk e kanë dashur qeveritë Serbe që me Titon, por nga sondazhet e sotme populli serb mendon të kundërtën. Qeveritë serbe edhe pse aspirojnë të integrohen me Perëndimin e kanë dhe një sy nga Rusia që bën sikur nuk di gjë për çfarë ndodh, por Rusia i ngroh me pozitën e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.  Serbia do që ta përsërisë suksesin e arritur me Republikën e Serbëve në Bosnje duke luajtur me kartën e mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe ndikimin me struktura paralele në Veri të Kosovës. Por Serbia përfundimisht, e do dialogun me Perëndimin në favor të saj. Sa të mundet!

Edhe pse konflikti ushtarak Serbi dhe Kosovë mbaroi pothuaj 14 vjet më parë dhe Kosova u shpall e Pavarur nga Serbia 5 vjet më parë, ende Pavarësia e Kosovës mbahet peng nga mosnjohja e pesë vëndeve anëtare të BE-së. E ka të vështirë vetë BE si familje zgjidhjen e konfliktit ballkanik, sepse Fuqitë e Mëdha Europiane bashkë me Rusinë e sakatuan problemin e kombit shqiptar e të Kosovës në veçanti 135 vjet më parë. Janë të thella rrënjët e këtij konflikti. Është dhe jo e lehtë zgjidhja. Dhe konflikti ballkanik po ju kushton më shumë shqiptarëve të Kosovës që kurrë nuk kanë nisur një luftë kundër fqinjëve (Serbëve) përveç qëndresës për liri dhe pavarësi në truallin e tyre të mbushur edhe me kollonë serbë.

” Për fat të keq, marrëveshja ndërmjet Kryeministrit të Serbisë Daçiç dhe Kryeministrit shqiptar të Kosovës është një rregullim i përkohshëm. Nuk jep një kuptim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe efektive që do të krijojë marëdhënie fqinjësie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Kjo do të ndodhë vetëm kur Serbia te njohe sovranitetin e Kosovës dhe regjistrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, garanton të drejtat qytetare dhe njerëzore për shqiptarët në Luginën e Preshevës, heq dorë nga strukturat paralele në Veri të Kosovës dhe fokusohet në zhvillimet ekonomike dhe politike të Serbisë”,- nënvizoi zonja Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare dhe analiste për Çështjen e Ballkanit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane që dëshmoi në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan për mbrojtjen e Pavarësisë së Kosovës.

SHBA vlerësojnë aspirimin e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE. Dhe BE edhe pse ndikon së fundi më shumë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të Pavarur ende nuk e ka sanksionuar se anëtarësimi i Serbisë në BE duhet të kushtëzohet me njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse Veriu i Kosovës është autonom në fakt, pasi veprojnë strukturat paralele të Serbisë, SHBA po bëjnë kujdes që autonomia të mos bëhet de juro. Ndërkohë, në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan të drejtuar nga Kongresmeni Dana Rohrabacher, ky i fundit  kërkoi shpjegime edhe për kërkesën e Luginës së Preshevës për autonomi si ngjashmëri e aplikimeve që kërkon Serbia për Veriun e Kosovës. Përgjigja e Jonathan Moore ishte se Departamenti i Shtetit është i fokusuar në respektimin e sundimit të ligjit për të dy rastet kur minoritetet kanë shumicë në rajone të caktuara.

BE tashmë ka në dorë dialogun por edhe ardhmërinë e rajonit ballkanik nëse bëjmë fjalë për fillimin e përfundimit të konfliktit. Dhunën, tashmë, që më së shumti e ndjellin Serbët, nuk e do më askush, as SHBA dhe as BE.

Mesazhi i Kongresit Amerikan është i qartë si për Kosovën që mbahet me ndihmën ndërkombëtare dhe të Diasporës ashtu edhe për Serbinë që është në prag të kolapsit ekonomik.

Vetëm me sundim të ligjit, me bashkëpunim, me tregëti të lirë si dhe duke ruajtur ekuilibrin e paqes të dy vendet dhe tërë rajoni do të ecin përpara. Kështu dëgjuam edhe nga Kongesmenët Rochrabacher dhe Keating. Ndaj dhe SHBA ka investuar më shumë se BE në rajon dhe po i mbështet demokracitë e reja që të fuqizohen dhe integrohen sa më mirë.

Por pa njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia zor se konflikti ballkanik do të jetë i mbyllur. Edhe Serbia e di këtë, por manovron në hije dhe në diell për ta mbajtur nën kontroll mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës. Dhe duket se tani është më përballë BE-së në Prishtinë dhe në Bruksel.

Por edhe në SHBA, Departamenti dhe Kongresi Amerikan po tregojnë më shumë vëmëndje ndaj Ballkanit në tërësi, se është tërë ai kapital diplomatik, ushtarak dhe financiar që është shpenzuar dhe po shpenzohet në vazhdimësi.

Fati i keq i Kosovës që vuan nga plagët e luftës, kriza ekonomike, korrupsioni i lartë dhe nga ndikimi i dorës së Beogradit në territorin e saj. Kjo situatë e stërgjatur me përparim të ngadaltë, tregon edhe për një keqmanaxhim të agjencive Europiane në Kosovë që jo si duhet e kanë ushtruar misionin e tyre në Kosovë, sepse e kanë rënduar mbikqyrjen e Pavarësisë së Kosovës me mosveprime në kohë, në Veri të saj, për ndalimin e veprimit të strukturave paralele Serbe për kaq vite.

Shqiptarët janë të parët në Ballkan që ky konflikt përmbi një shekull duhet të përfundojë sa më parë. Pa i sakatuar ata për herë të dytë qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Maqedoni. Edhe pse kanë më shumë besim tek SHBA që i ka dhënë tonin për bërjen realitet të aspiratave të tyre euro-atlantike, prapëseprapë BE e ka në dorë përshpejtimin e procedurave për integrim në familjen e saj si të Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë bazuar kjo në përmbushjen e kritereve të Integrimit në të. Por njëanshmëria për të favorizuar Serbinë për anëtarësim në BE pa ja bërë mirë të qartë jo vetëm njohjen absolute të Pavarësisë së Kosovës, por edhe garantimin e të drejtave qytetare dhe njerëzore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës  nuk është shenjë e mirë për ardhmërinë e Ballkanit në BE. Aq më tepër që Serbia nuk po i dënon krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Dialogu është ende i hapur në institucionet ndërkombëtare.

Është fat që lobimi për Kosovën e Pavarur është ende në veprim. Por, vlen për tu theksuar, sepse ne shqiptarët duhet të bashkohemi edhe më shumë, të jemi në krah të zërave lobues të vërtetë, të jemi Një edhe në lobim. Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane gjendet për një çerek shekulli tashmë në vijë të parë si një zë i qartë për të treguar me fakte se çpo ndodh me Kosovën dhe me Pavarësinë e saj. Dhe ka punuar shumë për këtë. Edhe pse e vetme.

Amerika edhe vepron, por edhe dëgjon zërin në mbrojtje të Çështjes shqiptare. Kjo na ngroh më shumë, se Kosova dhe rajoni ka ardhmëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, e konflikteve en Ballkan, sinjal per fundin

Flet diplomati: Ju rrëfej momentet e dhunës të Ramës

April 25, 2013 by dgreca

Diplomati shqiptar në Misonin tonë në OSBE, Egin Ceka ka pranuar të flasë përex-press.al për momentet e tensionit dhe dhunës verbale të ushtruar ndaj tij nga Kryetari i PS, Rama gjatë takimit të zhvilluar në Vjenë në Akademinë Politike të Vjenës.Që në fillim të biesëd diplmati Ceka thotë se ka mbetur i befasuar nga mënyra se si ka reaguar Rama dhe tonet agresive fillimisht në komunikim dhe më pas të shoqëruara edhe me dhunë e ushtruar.

Ex-press.al-zoti Ceka si e morët ftesën për të qenë i pranishëm në takimin e zhvilluar nga Akademia politike e Vjenës?

Diplomati Ceka: Ftesë më ka ardhur në disa verisone. Më ka ardhur në email-in tim personal, në emailin e punës, por dua të them se ka qenë një ftesë e bërë gjithashatu online nga organizatorët e takimit. E kisha rregjistruar këtë ftesë në axhendën time dhe kisha planifikuar që të shkoja atje për të dëgjuar këtë bashkëbisedim.

Ex-press.al-Cila ishte tema e diskutimit?

Diplomati Ceka-Kryetari i PS po fliste në lidhje me diplomacinë dhe mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

Ex-press.al-Çfarë nuk shkonte sipas jush në këtë referim të Ramës?

Diplomati Ceka-Ajo çfarë mua nuk më pëlqeu në këtë referim të tij, ishte sulmi që I bënte diplomacisë shqiptare. Sipas tij diplomacia jonë ishte e politizuar. U ndal tek arsyet se përse ai nuk mbështeste lejimin e votës për emigrantët. Sipas tij, nëse kjo do të bëhej, atëhere ai kishte frikë se votat do të vidhej. Në gjykimin tim, asnjëra prej këtyre që ai thoshte nuk qëndronte. Unë kam një vlersim krejt tjetër për diplomacinë shqiptare. Mendoj se ka njerëz të përkushtuar, megjithatë duke qenë se unë në atë takim kasha shkuar jo I autorizuar nga Misioni, atëhere vendosa që opinionin tim të mos e bëja public duke komunikuar në sy të të pranishmëve, por duke bërë një bashkëbisedim me Ramën pas takimit.

Ex-press.al-Si nisi debate mes jush dhe Ramës?

Diplomati Ceka-Pikërisht në momentin që mbaroi fjala e publike e Ramës, ndërsa ishim në këmbë iu afrova dhe iu prezantova se cili isha dhe se çfarë pune unë bëja. Në këtë moment, ai regaoi menjëherë duke më thënë kush të ka dërguar. I thashë se nuk më ka dërguar askush, por vetëm doja ti thoja mendimin tim. Në këtë moment ai bërtiti duke më thënë që të ikja nga ambienti dhe dilja jashtë sallës. Unë iu përgjigja duke i thënë se nuk mund të largohesha, pasi isha në një ambient tepër familjar si Akademia Politike e Vjenës.

Ex-press.al-Si reagoi Rama pas kësaj?

Diplomati Ceka-Këtu ai u irritua shumë. Në këtë moment drejtoi dorën ndaj meje, më kapi fort flokët dhe veshin dhe më të tërhoqi më forcë. Në këtë moment u gjenda i befasuar, pasi nuk e prisja një dhunim të tillë, aq më tepër në një ambjent publik si Akademia Politike e Vjenës. Kam reaguar menjëherë, duke i larguar dorën. Nuk më kishte ndodhur kurrë gjatë jetës sime një qëndrim i tillë, aq më tepër i një Kryetari partie. Kaloi çdo kufi të një njeriu normal. Aty unë i kam kërkuar llogari se cili je ti që guxon të ngresh dorën? Kërkonte që me provokimin e tij të më bënte dhe mua që të dilja nga sjellja ime. Në këtë moment tensioni, dëgjova se ai nisi të bërtiste duke thënë Provokator, provokator, provokator dhe tentoi të vijonte ushtrimin e dhunës. Në këtë moment janë afruar shumë të pranishëm që u futën mes nesh dhe ndërhynë për ta qetësuar atë.(Marre nga Ex-Press)

 

Filed Under: Interviste, Politike Tagged With: Edi Rama, Egin Ceka, incidenti, ne Akademine e vjenes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5473
  • 5474
  • 5475
  • 5476
  • 5477
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT