• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

WASHINGTON: Dhoma e Përfaqësuesve debaton marrëveshjen Kosovë – Serbi

April 25, 2013 by dgreca

Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë debati në një nënkomision të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.
Të pranishmit kanë vlerësuar marrëveshjen, por po ashtu kanë shprehur shqetësime për efektivitetin dhe zbatimin e saj.
Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore, i ftuar në këtë seancë, e ka cilësuar atë si arritje të rëndësishme.
“Qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme të premten e kaluar përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ky zhvillim ka ndodhur pas disa vitesh të angazhimit amerikan dhe të partnerëve evropianë”, ka thënë Moore, duke i bërë thirrje si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit që të angazhohen në zbatimin e marrëveshjes.
Moore, i cili është drejtor për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, ka thënë se marrëveshja përfshin zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës “brenda kuadrit ligjor dhe institucional të Kosovës”.
Ai ka theksuar se ndryshimi i kufijve në bazë të ndarjeve etnike, nuk vjen në konsiderim. Komenti ishte reagim ndaj qëndrimit të kryetarit të nënkomisionit për Evropën dhe Euro-Azinë, Dana Rohrabacher. Ky i fundit, në mënyrë të përsëritur, ka folur për këmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.
“Sovraniteti i autoriteteve kosovare është një fasadë, një iluzion që në të ardhmen do t’i dëmtojë të dyja palët. Thelbi i sovranitetit është kontrolli i forcave të sigurisë. Marrëveshja e vendos personelin e sigurisë dhe e rendit nën komandën e Kosovës, por, megjithatë, komandanti rajonal i veriut do të jetë një serb vendas, i emëruar nga Qeveria e Kosovës, i zgjedhur nga një listë e paraqitur nga kryebashkiakë serbë”, ka thënë Rohrabacher, njëherësh drejtues i seancës.
Kongresisti Elliott Engel, në anën tjetër, ka thënë se marrëveshja rikonfirmon edhe një herë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ai ka uruar kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq për arritjen e kompromisit.
“E pëlqej marrëveshjen, sepse ofron potencial për shpresë dhe paqe në Ballkan… Në negociata nuk mund të merrni gjithçka që doni. Merrni atë që keni nevojë, ashtu si edhe pala tjetër. Nëse keni marrëveshje, atëherë lëvizni përpara. Mendoj se kryeministri Thaçi ka pasur presion dhe ka kaluar testin – ka qenë shumë inkuarjues në arritjen e marrëveshjes. Të njëjtën e mendoj edhe për kryeministrin Daçiq”.
“Bashkimi Evropian po i ofron tani Serbisë datë për negociatat e anëtarësimit. BE duhet t’i ofrojë edhe Kosovës atë që kanë edhe vendet e tjera të Ballkanit: një rrugë të qartë dhe transparente për anëtarësim”, ka thënë Engel.
Ai po ashtu është shprehur kundër idesë së lëvizjes së kufijve.
Marrëveshja është vlerësuar edhe nga analisti Daniel Serwer, por ai ka kërkuar edhe hapa të tjerë.
“Beogradi dhe Prishtina kanë bërë një hap të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të bëjnë më shumë, përfshirë njohjen eventuale dhe shkëmbimin e ambasadorëve. Nëse kjo nuk ndodh, asnjëra nuk do të mund të anëtarësohet në BE”, ka thënë Serwer.
Edhe analisti nga Universiteti Johns Hopkins ka kundërshtuar shkëmbimin e territoreve, duke thënë se një gjë e tillë do të sillte jostabilitet në Bosnjë, Maqedoni dhe Serbi.
Ndërkaq, Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për Ballkanin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka thënë se marrëveshja është një rregullim i përkohshëm. Sipas saj, ajo nuk do të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
“Kjo do të ndodhë vetëm kur Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkonbëtare, kur t’i japë të drejta të barabarta shqiptarëve në Luginën e Preshevës – që të jenë të barabarta me të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë – si dhe kur të heqë dorë nga strukturat paralele në veri të Kosovës”, ka thënë DioGuardi.
Roland Gjoni, ish-këshilltar i lartë ligjor në Iniciativën për Komuna Efektive në Kosovë, ka thënë se Prishtina ka shkuar përtej Planit Ahtisaari me marrëveshjen e arritur, pasi ka lejuar katër komunat veriore të kenë komandant policor për rajonin dhe panel të ndarë të gjykatësve.
Pa njohje të Kosovës, kjo e fundit do të mbetet jofunksionale dhe Serbia do të vazhdojë të pretendojë pronësinë e saj, ka thënë në anën tjetër Robert Churcher, ish-drejtor në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Kryeminisrat Thaçi dhe Daçiq kanë arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 19 prill, në Bruksel.

Filed Under: Kronike Tagged With: debaton, Kongresi, Kosove-Serbi, marrëveshjen, Washington

Bombat e Bostonit u detonuan nga pjesë lodrash

April 25, 2013 by dgreca

-Policia ka thënë se dy vëllezërit, Tamerlan dhe Dzhokhar Tsarnaex, kanë vendosur dhe detonuar dy bombat në tenxhere me presion, afër vijës së finishit të maratonës së Bostonit, më 15 prill.

-Zyrtarë amerikanë thonë se i dyshuari i vdekur për sulmet në Boston ndodhej në databazën e CIA-s për terroristë që 18 muaj./

Dy bombat që shpërthyen në maratonën e Bostonit, duke vrarë tre dhe plagosur 264 të tjerë, kanë qenë të detonuara nga një pajisje e teledirigjuar, që përdoret për të kontrolluar makinat lodër, hetuesit amerikan i kanë thënë Dhomës së Përfaqësuesve.
“Ishte një teledirigjues për makinat lodër”, u tha medieve Dutch Ruppersberger, përfaqësusi më lartë demokrat në Dhomën e Komitetit të Inteligjencës, pas rrëfimit që bënë zyrtarë të Departamentit Amerikan për Siguri Kombëtare, FBI-ja dhe Qendra Kombëtare Kundër-Terrorizmit.
“Që më thotë mua, sikur edhe vet vëllau i dytë e ka thënë, se ata kanë marr informata se si të ndërtojnë këtë bombë nga Magazina Inspire”, shtoi Ruppersberger.
Inspire është krijuar nga një predikuesh amerikano-jemenas Anvar al-Avlaki, lideri i Al-Qaidas për Jemenin, që u vra nga një sulm amerikan.
Ruppersberger tha se artikulli për ndërtimin e bombës në Inspire kishte titulli: “Si të ndërtohet një bombë në kuzhinën e nënës”.
Policia ka thënë se dy vëllezërit, Tamerlan dhe Dzhokhar Tsarnaex, kanë vendosur dhe detonuar dy bombat në tenxhere me presion, afër vijës së finishit të maratonës së Bostonit, më 15 prill.

 

Tamerlan Tsarnaev ndodhej në listën e CIA-s?!

 

Zyrtarë amerikanë thonë se i dyshuari i vdekur për sulmet në Boston ndodhej në databazën e CIA-s për terroristë që 18 muaj.
Tamerlan Tsarnaev dhe vëllai i tij i gjallë, Dzhokhar, dyshohen se kanë kryer sulmet në maratonën e Bostonit më 15 prill, në të cilat kanë humbur jetën 3 persona dhe janë plagosur mbi 260 të tjerë.
FBI ka thënë se ka hetuar Tamerlanin, por nuk ka gjetur prova për kërcënime.
Disa zyrtarë, në kushte anonimiteti, kanë thënë se CIA e ka vendosur atë në databazë, pas kërkesës së zyrtarëve të inteligjencës ruse, në shtator të vitit 2011.
Zbulimet kanë ngritur dyshimet se përse autoritetet amerikane nuk kanë hetuar më tej Tamerlan Tsarnaevin, i cili është vrarë në të shtënat me policnë.
Vëllai I tij, Dzhokhar, është akuzuar formalisht për vepra terroriste, përfshirë përdormin e një arme të shkatërrimit në masë.

Filed Under: Kronike Tagged With: bombat e Bostonit, nga tenxhere me presion

Afaristët e diasporës eksplorojnë tregun kosovar

April 25, 2013 by dgreca

NE Foto: Asociacioni i Biznesmenëve Shqiptare në Zvicër/

Një takim B2B do të mbahet të enjten në Prishtinë. Elbasan Morina tha se takimi ka për qëllim stimulimin e prodhimit vendor dhe rritjen e eksportit Kosovar/Disa distributorë të prodhimeve ushqimore nga Bashkimi Evropian (BE) do të qëndrojnë  këtyre ditëve në Kosovë, për të parë nga afër produktet që ofron Kosova për tregun e jashtëm, por edhe për t’i ofertuar tregut kosovar produktet e BE-së.

Këtë distributor do të vizitojnë disa nga qendrat prodhuese të pijeve dhe ushqimit në Kosovë, si dhe do të lidhin kontrata bashkëpunimi me afaristët vendor.

Takimin e tyre e ka mundësuar USAID-i dhe Projekti Diaspora për Zhvillim (DFD) i Institutit për Menaxhim dhe Zhvillim, të cilat kanë organizuar konferencën Biznesi për Biznesin (B2B) “Partneriteti për Industrinë e Frutave dhe Perimeve ne Kosovë”.

“Në ngjarjen B2B do të marrin pjesë 17 distributor të prodhimeve ushqimore nga BE-ja dhe rajoni ku ata do të kenë mundësi të krijojnë lidhje të reja të importit-eksportit me 20 qendra grumbulluese të frutave dhe perimeve të freskëta dhe kompani përpunuese të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Pas konferencës dhe takimeve B2B, do të pasohet me vizitën tek ASK Food në Gjilan.

Bizneset nga Diaspora do të vazhdojnë me vizitën në terren duke vizituar kompanitë si: Koral në Fushë-Kosovë, Abi në Prizren, Stone-Castle në Rahovec etj.

Elbasan Morina është menaxher i Projektit Diaspora për Zhvillim (DFD).

Ai tha për albinfo.ch, se si pjesë e projektit DfD është themeluar Asociacioni i Biznesmenëve Shqiptare në Diaspore-Zvicër, me qellim që të shërbej si organizatë “ombrellë” për bizneset e diasporës, gjithashtu të jetë pikë kontakti për institucionet dhe bizneset e Kosovës.

Ai tha se takimi i bizneseve Kosovë – Diasporë, ka për qëllim stimulimin e prodhimit vendor dhe rritjen e eksporti të Kosovës.

“Kjo njëherit është edhe vizita e parë zyrtare e asociacionit të biznesit në Kosovë dhe ka për qëllim forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Diasporës edhe në fushën e biznesit”, tha Morina, sipas të cilit, ky është fillimi i një procesi të gjatë, për fuqizimin e lidhjeve në mes bizneseve në Kosovë dhe Diasporës.

“Me këtë rast pritet të organizohet edhe një takim tjetër me biznesmenët nga diaspora që veç kanë investuar në Kosovë, bizneset aktuale që kanë interesim për eksport në diasporë por edhe për krijimin e urave të komunikimit në mes dy palëve”, deklaroi ai.

Gjate vizitës, sipas tij, pritet nënshkrimi i Marrëveshjeve të bashkëpunimit me Oden Ekonomike të Kosovës, ku njëherit do themelohet dhe inaugurohet një njësi e veçantë në kuadër të OEK, për ndërlidhje dhe koordinim me bizneset e diasporës, gjithashtu edhe një marrëveshje bashkëpunimi me IPAK-un.

Këto takime organizohen ne partneritet me: IPAK, Oden Ekonomike të Kosovës, Aleancën Kosovare të Bizneseve, USAID, Zyrat Ndërlidhëse për Diasporë në kuadër të Komunave, Rrjetin e Grave ne Biznes dhe partnere tjerë lokal.(Kortezi albInfo.Ch)

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Afaristet shqiptar, Asciacioni ne Zvicer, tregu kosovar

RAPORTI I DASH – TEMË TABU E CENSURË NË TIRANË – SIDOMOS KUR PËRMENDET ILIR META

April 25, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

As një javë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku si zakonisht përfshihet edhe raporti për Shqipërinë, i cili ishte me nota shumë kritike.

Ky raport do të duhej të botohej në mënyrë integrale dhe të përhapej nga mediat e Tiranës, duke shërbyer si objekt i tryezave të rrumbullakta, temë për opinionistët dhe ballafaqim me politikanët e Tiranës. Por në fakt, reagimi ndaj tij ishte indiferenca dhe heshtja.

Raporti thekson midis të tjerave se «korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor mbetet një problem serioz; se « Institucionet shtetërore tepër të ndara në linja partiake, duke përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë minuar të drejtat e qytetarëve për të sifiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverinë e tyre»; se «Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarët për abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme», se “Axhenda e reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit, faktikisht ndaloi, pasi partitë politike e zhvendosën vëmendjen në zgjedhjet e përgjithshme të 2013.»

Theksi kritik në Raport do të duhej të «kënaqte» opozitën, sepse faktet e hidhura të rreshtuara aty janë argumenta të patundura që duhet të shqetësojnë jo vetëm atë, por duhet të trondisin shoqërinë civile, mediat dhe gjithë shoqërinë. Në fakt të gjitha palët heshtën ose kush botoi diçka e bëri në mënyrë të përciptë dhe spekulative, sepse fshehu faktet ose i përmendi sipas interesit partiak.

Në Tiranë u kthye në tabu dhe u censurua në të gjitha nivelet kur në Raportin e DASH flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë dhe përmendet «vendimi i debatueshëm i shfajësimit të ish-zëvendës kryeministrit Ilir Meta nga Gjykata e Lartë, më 16 janar, ku u përjashtua si fakt videokaseta, që e tregon atë të diskutojë për rryshfet».

Asnjë gazetë e Tiranës nuk e botoi pjesën e Raportit të Departamentit të Shtetit, kur ky Raport përmend Ilir Metën. Dhe ky fakt nuk u përmend nga asnjë opinionist, nga asnjë politikan! Nga asnjë mace dhe asnjë qen! Nga askush!

Vetëm Balkanweb e ka botuar raportin në anglisht, po e ka bërë kot, sepse vetëm gazetarët skrupulozë do të shkonin tek teksti. Dhe në Tiranë mungojnë të tillët. Pasi ata e kishin tekstin në shqip, të gatshëm dhe e shmangën edhe gazetat dhe mediat e Tiranës e shkuan deri aty sa nuk botuan dhe e censuruan edhe versionin e Zërit të Amerikës shqip, ku përmendet Ilir Meta.

Kur arrihet dhe censurohet Zëri i Amerikës, ju lutem, a e merrni me mend se në çfarë niveli është censura në Shqipëri?
Po jua them unë, censura është si në diktaturë, nëse kihet parasysh sot IT – Information technology – dhe fakti se jetojmë në mileniumin e tretë!

Tashmë dihet botërisht se politikanët e Tiranës kanë mediat nën kontroll absolut, dhe se përpiqen për të mbajtur nën kontroll edhe rrjetet sociale duke filluar nga Facebook që është më i populluari.

Tre javë përpara u përpoqa të dialogoja me Kreshnik Çollakun, që dje u emërua zëvendësministër i Jashtëm, pas një statusi të tij, ku shkruante se „tani që Ilir Meta u largua nga koalicioni, 40 % e elektoratit demokrat që i iku PD prej tij, tani me zhbërjen e aleancës, do t’i rikthehen“ (!!!) Merrni me mend se çfarë absurditetesh nxjerr nga truri një zyrtar i lartë dhe kur u përpoqa të komentoja dhe t’i thosha se shqiptarët demokratë nuk janë lopë që gënjehen me bar, ai nisi të më fyente si të ishte një stalinist i fëlliqur.

Merreni me mend, kur bëjnë shantazh nëpër rrjete sociale se çfarë kontrolli ushtrojnë në shtypin e shkruar dhe atë viziv.

Prandaj nuk e përmendi askush raportin e DASH ku përmendet Ilir Meta, sepse ky fakt në raport i diskretiton të gjitha palët. Edhe Sali Berishën, edhe liderin e PS, që sapo ka filluar muajin e mjaltit me Ilir Metën, i cili nuk bëri asnjë reagim serioz ndaj raportit të DASH, veç në Twitter më 19 prill komentoi se „Raporti i Departamentit te Shtetit një flakerime syve te pushtetit te korruptuar qe po rrenon Shqiperine! Ky pushtet eshte nje turp kombetar“. Po kur DASH përmend Ilir Metën nuk e tha asnjë fjalë!

Ky është niveli i integritetit të klasës tonë politike, i shoqërisë civile dhe mediave të shkruara e vizive! Të cilat duhet të shkunden, sepse kur censurojnë dhe e kthejnë në tabu raportin e DASH, merreni me mend se si mund të çajnë kokën për hallet dhe dertet e popullit dhe të shqiptarëve të thjeshtë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Meta, ne Tirane, Raport DASH, Teme tabu e censure

Dialogu ndërfetar, urë lidhëse për mirëkuptimin mes popujve

April 25, 2013 by dgreca

Mbahet sesioni i 10-të i konferencës mbarëbotërore për besimet fetare/

 Në kryeqytetin Doha të Katarit, ka nisur dje punimet konferenca 3-ditore me temë: Dialogu Ndërfetar – sesioni i 10-të, me moton: “Eksperienca të suksesshme në dialogun ndërfetar”. Në këtë konferencë marrin pjesë rreth 500 përfaqësues të feve kryesore monoteiste në botë: Islamit, Krishterimit dhe Hebraizmit, nga 75 vende të botës.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Katarit (Kana) bëhet e ditur se, në këtë konferencë marrin pjesë ekspertë e specialistë në fushat e shkencave teologjike dhe teologjisë së krahasuar, si dhe përfaqësues të organizmave fetare dhe universiteteve të njohura, që punojnë në fushën e dialogut ndërfetar, për të prezantuar arritjet dhe eksperiencat e shënuara në këtë fushë.

Në fjalën e hapjes, ministri i drejtësisë së Katarit u shpreh se punimet e kësaj konference 3-ditore do të përqendrohen në katër fusha kryesore: fushën akademike, atë të drejtësisë, paqes dhe zgjidhjes së konflikteve, si dhe në fushën e kulturës dhe medias.

Dr. Ibrahim Naimi, kryetar i bordit drejtues të Qendrës Ndërkombëtare  të Dialogut Ndërfetar të Dohas, tha për mediat se kjo konferencë, së bashku me sesionet e kaluara në këtë fushë, plotëson objektivat e dialogut ndërfetar të filluar në kryeqytetin katarian që në vitin 2003. Më tej, ai  falënderoi Emirin e Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani, për përkujdesjen e tij të veçantë ndaj këtyre sesioneve të dialogimit, përmes së cilave synohet gjetja e mirëkuptimit dhe vendosja e nocioneve të përbashkëta të dialogut mes feve me bazë hyjnore në gjuhën e përshtatshme shkencore, ku diskutohet mbi çështje që i shërbejnë të gjithë njerëzimit.

Gjatë ditëve të konferencës do të mbahen edhe sesione të posaçme për t’u njohur me eksperienca të suksesshme të teologëve në katër fushat e dialogut. Gjithashtu, në këtë konferencë do të ligjërojnë: sekretari i përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Shejh Muhjidin El-Kara Dagi; At Migel Anhel Xhaksob, zv.presidenti i Këshillit Politik për Dialogun Ndërfetar në Vatikan; Dr. Reshad Husejn, përfaqësuesi i presidentit Barak Obama në OKI; Shejh Ikrima Sabri, imami i xhamisë Al-Aksa; kryetari i Organit Suprem Islam në Palestinë; Tarik Ramadan, ekspert i shkencave islame, si dhe Geri Kampbell nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vlen të përmendet fakti se, në këtë konferencë vendi ynë përfaqësohet nga Besnik Mustafaj ish-ministër i jashtëm, si dhe Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC).

Qendra Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar u krijua si rezultat i një rekomandimi të ardhur nga Konferenca Ndërfetare në sesionin e saj të pestë në vitin 2007, ndërsa u hap zyrtarisht në maj të vitit 2008. Misioni i kësaj qendre është përpjekja për të arritur dialog konstruktiv mes ndjekësve të besimeve të ndryshme, në drejtim të mirëkuptimit dhe shfrytëzimit të parimeve të ndryshme fetare për të mirën e të gjithë njerëzimit. Vizioni i kësaj qendre është që të shërbejë si model kryesor në arritjen e bashkëjetesës paqësore në mesin e pasuesve të besimeve të ndryshme, si dhe të shërbejë si një referencë ndërkombëtare për dialog ndërfetar.

Ndër qëllimet kryesore të kësaj qendre përmendim: Aktivizimin e vlerave fetare në gjetjen e zgjidhjeve për problemet dhe çështjet që shqetësojnë njerëzimin; zgjerimin e  fushave të ndikimit të dialogut ndërfetar, të cilat përfshijnë aspekte të jetës që ndërveprojnë me fenë; rritjen e numrit të studiuesve, akademikëve dhe të atyre që kontribuojnë me punimet e tyre në marrëdhëniet mes vlerave fetare dhe çështjeve të jetës bashkëkohore; të qenit një institucion ndërkombëtar që siguron të dhëna akademike, arsimore etj.

 

 

 

 

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Dialogu nderfetar, konferenca mbareboterore, per besimet fetare, sesioni i 10-te

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5474
  • 5475
  • 5476
  • 5477
  • 5478
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT