• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komisioni i Jashtëm rikthen rezolutën e vitit 2004 për çështjen Çame

April 10, 2013 by dgreca

LETRA DREJTUAR KRYEPARLAMENTARES JOZEFINA TOPALLI DHE DEKLARATA PAS KOMISIONIT TE JASHTEM PARLAMENTAR/

Anëtarët e Komisionit të Jashtëm diskutoi rezolutën Çame. Por kjo seancë nuk ka kursyer surprizat, kur kryetari i komisionit Fatos Beja ka risjellë në vëmendje rezolutën e viti 2004 për një çështje të tillë. Sipas tij, kjo rezolutë nuk mund të injorohet.
I gjendur përballë një fakti të tillë, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nxitoi të saktësonte se “rezoluta e 2004 në procesverbal del sikur nuk është miratuar. Ne dimë që kjo rezolutë është rrëzuar në atë vit. Po të ishte miratuar do dilte në fletoren zyrtare”.
Por kryetari Beja ka deklaruar se nuk duhet bërë një rivotim, vetëm një rregullim në procesverbal, pasi rezoluta është votuar një herë, nuk votohet për së dyti.
Në vlerësimin e Idrizit, fshehja e këtij dokumenti përbën një dëm të madh shoqëror se asnjë qeveri nuk i është referuar asaj.
Për këtë arsye, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri ka fajësuar ish kreun Kuvendit Servet Pëllumbin duke kërkuar që t’i paraqitet drejtësisë ka falsifikuar dokumente.
Ndërkaq deputeti, Katsriot Islami kërkoi që të sqarohet rezoluta e 2004.
Kështu, pritet që në mbledhjen e radhës të rishikohet pikërisht një rezolutë e tillë.

LETRA DREJTUAR KRYEPARLAMENTARES, JOZEFINA TOPALLI

 

Kryetares së parlamentit

Shkëlqesisë së saj, zonjës Jozefina Topalli

 

E nderuar zonjë,

Siç është bërë e ditur Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka paraqitur në Parlament që në dhjetor të vititi 2012 projektrezolutën « për zgjidhjen e çështjes çame ».  Kjo projektrezolutë synon zgjidhjen e çështjes çame në kuadër të Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, Konventës Europiane të Lirive dhe të Drejtave të njeriut, dhe të drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.

 

Në mbledhjen e Komisionit të jashtëm të Parlamentit të datës 10 prill 2013, Kryetari i Komisionit, zoti Fatos Beja na bëri të ditur ekzistencën e një rezolute të miratuar tashmë në datën 8 prill 2004, për çështjen e popullsisë çame.

 

Në kushtet kur sipas procesverbalit të asaj seance, të vendosur në dispozicion nga administrata e këtij Kuvendi, kryetari i Kuvendit asokohe, ka thënë se kjo rezolutë nuk është miratuar ; (bashkangjitur procesverbali i asaj mbledhjeje) ;

Në kushtet kur kjo projektrezolutë nuk është bërë publike në asnjë numër të Fletores Zyrtare të vitit 2004 ;

Në kushtet kur ashtu siç deklaroi, as Kryetari i këtij Komisioni nuk e gjente në aktet parlamentare këtë rezolutë ;

Në kushtet kur sipas nesh, prej 9 vjetësh nuk është bërë asgjë për zgjidhjen e çështjes çame, mbi bazën e kësaj rezolute që është miratuar, apo të kuadrit ligjor ndërkombëtar,

Me qëllim që Kuvendi i sotëm të mos bëhet palë në zhdukjen e këtij akti dhe të ruajë dinjitetin e vet,

 

Si deputetë të PDIU-së, kërkojmë :

  1. Të certifikohet nëse kjo projektrezolutë është miratuar në 8 prill      2004 ;
  2. Pas certifikimit, rezoluta duhet të marrë fuqi ligjore duke e bërë      publike në Fletoren Zyrtare, sipas parimit kushtetues të publicitetit të      akteve parlamentare ;
  3. Në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, të lexohet përmbajtja e saj      si dëshmi e afirmimit edhe njëherë të vullnetit parlamentar të shprehur në      8 prill 2004, dhe për t’i ofruar dhe njëherë qeverive të Shqipërisë një      bazë referimi të palëkundshme në lidhje me çështjen çame.
  4. Të merren masa për të hetuar rrethanat e zhdukjes së këtij akti      dhe mospërfshirjes së tij në Fletoren Zyrtare të kohës.

 

 

Shpëtim Idrizi                                                                                    Dashamir Tahiri

 

 

Deklaratë për shtyp e PDIU-së

 

Kryetari Idrizi në Komisionin e jashtëm : na duhet një tekst konsensual i Rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame ;

 

Kryetari i Komisionit Beja : ka një rezolutë të miratuar në 8 prill 2004 ;

Idrizi : Ky është skandal. Kryetarja e parlamentit të shprehet nëse ajo rezolutë ka fuqi të plotë ligjore apo jo dhe ta botojë në Fletoren Zyrtare;

Në këto 9 vjet pas diskutimit të atij teksti, asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e çështjes çame !

Sot në mbledhjen e Komisionit të jashtëm të Parlamentit, kryetari i PDIU-së, zoti Shpëtim Idrizi shprehu dhe njëherë nevojën e miratimit të një dokumenti konsensual për zgjidhjen e çështjes çame. Ai e vlerësoi projektin alternativ të propozuar nga kreu i PS-së, por kërkoi që teksti përfundimtar të ishte rezultat i kontributit  të të gjithë partive.

Për çudinë e të gjithëve, kryetari i Komisionit të jashtëm, zoti Fatos Beja paraqiti si të miratuar tekstin e një Rezolute që Kuvendi e kishte marrë në shqyrtim në 8 prill 2004. Bëhet fjalë për atë tekst për miratimin e të cilit Shoqata Çamëria kishte organizuar një protestë e cila përfundoi në mënyrë të dhunshme nga forcat e policisë. Sipas zotit Beja, ky tekst, i cili kurrë nuk u bë publik në Fletoren Zyrtare gjendej në arkivin e Kuvendit. Duke replikuar në lidhje me këtë fakt të ri, zoti Idrizi shprehu habinë sesi një dokument kaq i rëndësishëm të mund të fshihej dhe të mos botohej në Fletoren Zyrtare. Ai kërkoi që Kryesia e parlamentit të shprehej në mënyrë përfundimtare në lidhje me vlerën zyrtare të tekstit, dhe që ai tekst të shërbente dhe sot si bazë për veprimin diplomatik të qeverisë në zgjidhjen e çështjes çame. « Kanë kaluar 9 vjet prej atëherë, tha zoti Idrizi, dhe asgjë nuk është për bërë zgjidhjen e saj. Në këto kushte, Parlamentit i duhet të shprehet dhe njëherë në lidhje me zgjidhjen e çështjes çame. Parlamenti duhet ta imponojë qeverinë ta trajtojë këtë çështje si duhet në takimet diplomatike. E kuptoj rëndësinë e Traktatit të miqësisë, por ai Traktat ka funksionuar vetëm për grekët, për varrezat e ushtarëve të tyre, për pronat e minoritarëve, etj, dhe asgjë s’është bërë për ne shqiptarët. Në të gjithë rastet ne kërkojmë shfuqizimin e Ligjit të Luftës », përfundoi ai.

Po sot, dy deputetët Idrizi dhe Tahiri i dërguan një shkresë Kryesisë së Parlamentit ku i kërkojnë të shprehet zyrtarisht dhe pa vonesë në lidhje me miratimin ose jo të Rezolutës në 8 prill 2004, dhe t’i japë asaj Rezolute fuqi të plotë ligjore duke e botuar në Fletoren Zyrtare.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: fshehja e dokumentit, Idrizi, rezoluta came

VJESHTË NË NATYRË DHE PRANVERË NË POEZI…

April 10, 2013 by dgreca

(Vëllimi “Një vjeshtë pa ty”, i Enkelejda Kondit)/

Nga: MURAT GECAJ/

1.

Ndoshta, është “përjashtimi” i vetëm , që po bëj me këto shënime modeste për vëllimin e ri me poezi, të mikes e poetes Enkelejda Kondi-Massboeuf. E them këtë gjë, pasi është hera e tretë që shkruaj për librat e saj. Ajo është me origjinë nga Gjirokastra dhe vetë ka lindur e është rritur në  rrethin e Korçës, ku banojnë prindërit e saj. Me profesion është mësuese dhe ka shërbyer disa vite në zonën e Maliqit e në Lozhan. Ndërsa edhe atë e “perfshiu” vala e emigracionit e ka disa vjet, që punon mësuese dhe jeton familjarisht, në një qytet të Francës. Megjithatë, ajo i mban të pashkëputura lidhjet me vendlindjen e Shqipërinë, ku vjen herë pas here. Kjo ka qenë arsyeja edhe e njohjes sime me të, përmes Internetit.

Pa e zgjatur, rikujtoj këtu se, pak vite më parë, Ledi më dërgoi një mesazh me dëshirën që t’ia lexoja dy vëllime të saj me poezi. Kështu, ajo m’i dërgoi ato me postë, në Tiranë dhe pastaj u shpreha me disa fjalë modeste, të cilat edhe i kam publikuar, kohë më parë.

2.

Ndërsa para pak ditësh, përsëri na dha një lajme tjetër të gëzuar, Ledi. Pra, publikoi vëllimin e ri poetik, “Një vjeshtë pa ty”, me redaktor Albert Zholin. Siç e kam theksuar edhe në shkrimet e mia të mëparshme, largësia e saj nga Atdheu, ka bërë që në vargjet poetike të jetë mjaft e ndjeshme, përcjell  emocione dhe mendime paksa të trishta. Me sa kam vërejtur, kështu veprojnë edhe poetë të tjerë, jo vetëm të rinj, por edhe të moshuar, ndër të cilët po përmendi këtu Përparim Hysin, i cili jetoi për  shumë vite në mërgim dhe tani u rikthye në Shqipëri.

Libri I Ledit është i ndarë në  katër cikle. Në të parin, është dhe vjersha, nga e cila e ka marrë titullin gjithë vëllimi poetic, që na prekë me ndjesitë, që përshkon: “Një vjeshtë pa ty, sa e trishtuar,/m’u duk një vit, një vit i gjatë./ Në stolin bosh gjethembuluar,/ka mbetur vetëm një degë e thatë…”. Me ndjenjat “ e lagështa” të kësaj stine, janë mbushur edhe poezitë pasuese: “Vjeshta” , “Shi vjeshte” , “Qiej malli” e “Pemët. Na duket edhe ne, lexuesve, se ajo do të na futet deri në palcë, por dhe na mundon heshtja e melankolia e asaj stine: “S’ dëgjohet asgjë, vetëm heshtja,/një heshtje e kthjellët si uji…”. Janë ditë të zymta, kur “Pemët krahëlakuriqe/ i ngrenë duart qiellit, nga kjo erë e fortë…”.

E ulur e vetme në bregun e detit dhe e zhytyr në mendime, poetja  shpërthen me vargjet e saj: “Unë s’jam prej këtu, por nga të tjera brigje…/ Jam guri, që kërkon rrënjët e veta”. Ajo e njëson veten me stinën e vjeshtës dhe prandaj i përshpërisin në vesh njëra-tjetrës dhe: “Një rrëkezë loti u derdh nga dashuritë e trishtuara të verës” (“Sekrete vjeshte”).

Të gjithë ëndërrojnë në këtë botë, por ndoshta më ëndrrimtarët janë poetët. Pra, e tillë na paraqitet Ledi, në ciklin e dytë të këtij libri, “Ëndërrime”. Në këtë botë vetmie, ajo shkruan: “është vonë,/por sonte paskam dëshirë të shkruaj,/si kalë i bardhë të humbi kujtimesh” dhe më tej: “Sonte qenkam fëmija, që shëtitë pyjeve të kujtesës” (“Vonë”). Si një ëndërr e bukur, që është bërë realitet, i shfaqet djali i saj, i cili rritet dita-ditës dhe ia mbushë shpirtin me mirësi: “U rrite, biri im, u bëre burrë!/Vitet ikin/ dhe unë s’i vura re”. Puthja e mamit për të birit iku larg, si “e turpëruar”  dhe “u ndal në degën e një ëndrre” (“Djalit tim”).

Poetja shkruan me dhimbje për ditët, që kanë ikur dhe nuk kthehen kurrë më, të cilat i shkaktojnë vuajtje në shpirt. Prandaj shkruan: “Bie shi sot,/ shi lotësh nga qiej të zbehtë./ Ndiej dimër në shpirt, në këtë pranverë të vonuar…” (“Me dhimbje”). Bile edhe kur shkruan për bukurinë, poetja  trishtohet, se ajo e ka ndërruar fomën e saj: “E panë dhe thanë, se bukuria ishte venitur…”! Me  gjithë këtë “pesimizëm” e trishtim, poetja gjen forca ripërtëritjeje, përmes një rrezeje drite dhe thotë: “Kokën do ta vë në gjoksin tënd të çlodhem,/ faqen dhe mirësinë aty do të gjëj” (“Do të vij”).

Në ciklin “Mall”, që është vazhdim i natyrshëm i mendimeve dhe ndjenjave, që poetja ka shprehur më parë, përsëri na e paraqet veten pranë detit. E kam vërejtur se Ledi përherë gjen prehje, qetësi e ngushëllim shpirtëror, kur ndodhet e shkruan buzë detit. Ndoshta, kështu, mendimet i përkunden asaj si valët e shkumbëzuara dhe shushurima e ujit të kripur. Duke e  barazuar veten me dallgët e detit, shkruan: “Ashtu edhe malli im me tallaze,/si dallgët turret, në gji të mbledhë”.

Gjithashtu, për mallin e së shkuarës dhe të tanishmes, ajo shkruan te poezitë “Kujtimet” dhe “Pranë e larg”. Për ndjenjat njerëzore të dashurisë, por dhe trishtimin e përjetuar prej saj, shprehet në poezitë vijuese, “Puthmë” e “Pa njëri-tjetrin” ose “Kurrë nuk e kuptova, kur çelin mimozat” e “Parfum dashurie”: “E shkon një ditë e shkon një jetë,/ digjem në mall e thahem në lotë!…”.

Një motiv i bukur i kësaj poeteje është malli e dashuria për Atdheun, të cilat i ka shprehur me vargje plot emocione. Se kjo ndjenjëe bukur  është mbi të gjitha të tjerat dhe asnjëherë nuk e lejon emigrantin të qetësohet, sado mirë të jetojë. Këtë gjë e gjejmë të pasqyruar edhe te poezitë “Atdhe” e “Po kthehem”. Ja, se si e shprehë ajo trishtimin e dhimbjen e ndarjes: “Atdhe, t’i ktheva krahët,/dhe mora rrugën e gjatë!…”. Ndërsa rikthimin e përjeton me gjoksin e mbushur plot gëzim: “Po kthehem në Atdhe,/ po vij të ngrohi shpirtin e të qetësoj mallin…”. E njëjta gjë na jepet edhe përmes vargjeve, kur ajo fluturon me avion mbi re, duke e ditur se kthimet janë “të përkohshme”: ”Drejt teje, përjetësi, Atdheu im”. I duket se, për këtë gjendje të saj, “fajin” ia kanë aeroportet, për të cilat thotë: “Aeroportet më ngjajnë me /buzëqeshjet, që thyhen si kristali…/Mall botësh të brishta,/pranë dhe larg”.

Në ciklin e fundit, “Pa adresë”, janë 20 poezi të shkurtëra. Poeten Ledi Kondi e kemi aty, si në të gjitha krijimet e saj: pak të bishtë, melankolike, me mendime të heshtura dhe me kokën e kthyer pas. Prandaj, e dëshpëruar, ajo na drejtohet me çiltërsi e sinqedritet: “Përkohësisht, mos më kërkoni…po shkoj/ pak larg, ku zemra ime të gjejë qetësi”. E ndodhur në vetminë e saj, kur “dashuria ka ftoftë”,  ajo kujton të shkuarën, si një lodër fëmijësh: “Atëherë, kush ndjeu më shumë mall,/nga kjo heshtje-largësi:/ unë apo ti?” Plot meditime dhe mendime në vetëvete janë disa poezi tjera të këtij cikli, si: ‘Robëria”, “Dimër”, “Ikën apo vjen”,’Po bie” ose “Premtimi”, “Janari” etj.

Vëllimi mbyllet me poezinë kushtuar dhimbjes së përhershme për ndarjen nga Atdheu, kur veten e ndien vazhdimisht të huaj”: “Aty dhe këtu,/me dy tokë, pa tokë,/me dy atdhe, pa atdhe,/ndër kohera, ndër vite!…”.

..Është lajm interesant ai, që na dha këto ditë Ledi, përmes Internetit: “Të dashur miq, përsëri kam kënaqesinë t’u njoftoj se libri im më i ri, “Një vjeshtë pa ty”, u botua në trajtë elektronike, nga z.Albatros Rexha, në Prishtinë…Jam e nderuar, që

botuesi përzgjodhi edhe librin tim. Faleminderit, Albatrosit!”

E urojmë nga zemra Enkelejda Kondin për këtë libër të ri dhe jemi të  bindur e shpresojmë, që me shpërthimet e vrullshme,  frymëzimet poetike dhe ndjenjat e pasura të saj, do të na dhurojë libra të tjerë edhe më të bukur!

Tiranë, 10 prill 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Enkelejda Kondi, Murat Gecaj, poezi

Një histori pa të vërteta

April 10, 2013 by dgreca

Shkruan: Ndue Ukaj/

Ajo çka i propozojnë opinionit publik ata që e kritikojnë peticionin, është një histori pa të vërteta, një histori që iu shkon për shtati teorive të Ahmet Davutogllu-it, që shqiptarët i konsideron si mbetje osmane në Ballkan.

Shqiptarët s’kanë sesi të trajtohen si mbetje osmane, sepse s’janë të tillë. Ata kanë kulturën e identitetin e tyre dhe s’mund t’i mohojnë faktet e panumërta historike për hir të marrëdhënieve të reja me shtetin turk. Shqiptarët u privuan për pesë shekuj nga liria, nën dhunën osmane dhe kështu u detyruan që identitetin e vet kombëtar e shtetëror ta formësonin në konfrontim të përhershëm me pushtimin osman.

Ndërsa kontingjenti i atyre që morën përsipër ta atakojnë peticionin kundër ndryshimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoritete turke dhe nën trysninë turke, nga ç’ pamë gjer me tani, ka vetëm një mision: ata duan t’i mësojnë shqiptarët me një histori pa të vërteta.

Debati rreth peticionit, është një dëshmi e mirë me pa qartë një të vërtetë të dhimbshme: kujtesa jonë është një kuti e mbuluar nga një shtresë e trashë pluhuri, të cilin pluhur  po u përpoq dikush ta heq, çohen peshë gjakrat e atyre që kanë gjetur prehje brenda asaj kutie të myktë.

Kjo histori pa të vërteta, është burim i mirë për kozmopolitët, që të tredhur nga idetë kombëtare, siç do të thoshte shkrimtari Erich Maria Remarque, s’i përkasin më asnjë kombi. Këta kozmopolitë,  natyrisht duhet ta sulmojnë historinë kombëtare, sepse kështu legjitimojnë vetën e tyre.

Nga llomi i këtij pluhuri, s’ka sesi të mos dalë ndonjë mendje që krekoset dhe merr përsipër të mbajë ligjërata se çfarë është kombi e çfarë s’është ai, si mund të tjetërsohet kujtesa dhe si lëvizin identitet sa herë ndërrohen perandoritë.

Këto teza për identitete të lëvizshme, në thelbin e tyre s’kanë asnjë bazë shkencore dhe s’gjejnë pandehmë krahasime me asnjë komb në rruzullin tokësor. E këto toeriçka ndër ne  i shpikin vetëm ata që duan mbi koncepte tërësisht imagjinare e iluzore, të krijojnë një komb të ri, një komb pa kulturë, pa rrënjë e pa trashëgimi të përbashkët.

Gjitha koncepcionet tjera që përpiqen të nxjerrën nga peticioni, janë sajime imagjinare, të atyre që duan të shkruajnë një histori pa të vërteta, të atyre që flasin për identitete të lëvizshme, të atyre që duan t’i ndërrojnë identitet sa herë ndërrojnë stinët e motit, të atyre që me kauzifakte, flasin për një bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe perandorisë osmane, të atyre që për shkak të simpative të ndryshme, mohojnë të vërtetën dhe kështu pjesën dërmuese të kulturës dhe identitetin shqiptar.

Ku zë fill  kjo histori pa të vërteta?

Natyrisht, kjo histori pa të vërteta, pikësëpari duhet ta amnistojë pushtimin osman ndër shqiptarë, fillimisht duke e zbutur atë, në formën siç kemi dëgjuar, ku vrasjet zëvendësohen me burgosje, e shpërngulja e arbëreshëve thuhet të mos jetë bërë për asnjë arsye tjetër, veç fetare. Së dyti, kjo histori vihet në funksion të fragmentarizmit të kombit shqiptar, duke u hy në punë kjo teori disa ideve të marra për një komb të ri, që është derivat i kombit shqiptar, nën substratin e të cilit shtresat e ardhura mendohen të jenë bazë.

Kjo histori pa të vërteta, hap shtigje që shpejt të rishkruhet edhe letërsia shqipe, meqë ajo nga fillimet e saj e gjer me sot, me një gjuhë artistike e atakon kudo pushtimin osman. E s’duhet të harrojmë se letërsia shqipe është paradigma më e fuqishme që ndihmoj në mbijetesën kombëtare.

Një histori pa të vërteta, natyrshëm pushtimin osman e krahason me atë të NATO-së dhe kështu hap shtigje tjera që në një të ardhme të afërt, gjithë ata që kapën pushkët kundër asaj perandorie, të shpallen tradhtarë.

Një histori pa të vërteta, natyrshëm eliminon heronjtë e saj, duke e shpallur pikësëpari Gjergj Kastriotin, kaçak e cub, për ta zëvendësua atë në një etapë tjetër, me shpëtimtarin Sulltan Murati-n. Në sfondin e gjithë kësaj, i shohim edhe debatet e shumta që bëhen rreth figurës së tij dhe tezave që importohen nga jashtë për ta çmitizuar atë, thjesht për ta bërë kaçak.

Një histori pa të vërteta, është ajo histori që bëhet pjesë e inxhinieringut politik për ta zhvatë edhe  më tej këtë komb të rraskapitur dhe për t’ia prishë busullën e orientimit, në kohën kur sendërtimi i aspiratës europiane është në rrugë e sipër.

Kush e shkruan këtë histori pa të vërteta. Këtë e shkruajnë ata që flasin për identitete të lëvizshëm dhe harrojnë se jemi të njëjtit  të cilët tok të bashkuar, para pak kohe çirreshim para dyerve të Europes, duam të hyjmë brenda.

E kjo kujtesa e shkurtë kombëtare, është fatkeqësia jone ma e madhe, e cila na ka çuar nga gabimet në gabim, nga pësimet në pësime, duke mbetur gjithmonë në dyert e dikujt, me parulla që na ngrihen në duar.

Ç’mund të jetë kjo tjetër, veç një marrëzi që komentin ma të adekuatë e ka te vet parullat që i ndërrojmë, sa herë na duket se janë hapur dyer të reja para nesh. Në fakt, para nesh ka qenë vetëm një derë.

Gjumi letargjik i injorancës, ka marrosur disa grupe shqiptarësh, që ma parë pranojnë te identifikohen me pushtuesit barbar osman, sesa me historinë e tyre, me heronjtë e tyre, me gjuhën e tyre, me simbolet e tyre dhe kulturën e tyre.

Ky peticion bëri mirë, sepse shprishi gjumin letargjik të atyre që të mbuluar nga pluhuri i historisë, dolën para opinionit publik pa lëvozhgën që e kanë mbajt gjatë rreth vetës.

Një histori pa të vërteta apo një histori me disa të vërteta të përçudnueme që ju përshtaten individëve e grupeve të vogla, s’është histori  e kombit tonë. Këtë gjë e kërkojnë ata që krekosen kundër peticionit dhe kanë marrë flamuj jo shqiptarë, e me ta shtiren se mbrojnë shqiptarinë.

Një histori pa të vërteta, i ngjan një lisi pa rrënjë. Atë mund ta mbajnë supe të trasha, derisa nuk fryn një erë, që plandos për tokë lisin dhe supet e trasha të atyre që e mbajnë.

Ra peticioni e u pamë.

Ata që shikojnë historinë me sytë e dovletit, e bëjnë sevdanë turke nga Tabir Saraji (Pallati i ëndrrave, Ismail Kadare), po e shpalosin fytyrën e tyre para pasqyrës ku për një kohë të gjatë kanë refuzua të këqyreshin.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ndue Ukaj, nje histori, pa te verteta

Sali Berisha, nga larg dhe afër

April 10, 2013 by dgreca

Nga David L. Phillips*

Udhëheqësit gjykohen nga performanca, planet dhe karakteri i tyre. Ky artikull jep një analizë të zhvillimeve politike dhe ekonomike, bazuar në eksperiencën time të punës mbi çështjet e Shqipërisë për më shumë se 20 vjet. Ai vlerëson cilësinë e udhëheqjes aktuale të Shqipërisë, duke u bazuar mbi përshtypjet e mia mbi Dr. Sali Berishën, kryetar i Partisë Demokratike, të cilin e kam takuar për herë të parë në vitin 1991. Gjatë shkrimit të këtij artikulli jam përpjekur të bëj një hap mbrapa dhe të shoh të gjithë pamjen, duke dhënë kontekst historik për sfidat aktuale të Shqipërisë.

Performanca

Dr. Berisha mori pjesë në lëvizjen demokratike që rrëzoi Ramiz Alinë, duke i dhënë fund njërës prej diktaturave më të këqija të botës. Ai ndihmoi në çlirimin e shqiptarëve nga frika që paralizoi shoqërinë gjatë regjimit paranojak dhe tiranik të Enver Hoxhës. Rrëzimi i komunizmit ishte një ngjarje-eveniment. Megjithatë, trashëgimia e Hoxhës, e një shteti të mbështetur në terror, ka qenë një proces i cili kërkonte transformimin e shoqërisë shqiptare. Dr. Berisha ka qenë një agjent ndryshimi për më shumë se dy dekada. Ai dhe shqiptarët festuan 20 vjet liri dhe demokraci më 22 Mars 2013.

Dikur e izoluar nga Perëndimi, Shqipëria është integruar në institucionet euro-atlantike. Në prill të vitit 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Ishte një rast historik, i cili ishte kulminacioni i përpjekjeve të mëdha gjatë shumë viteve. Reformat në sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe reforma institucionale dhe demokratike ishin të nevojshme për Shqipërinë që t’i bashkohej Aleancës.

Shqipëria, gjithashtu, po lëviz drejt anëtarësisë në BE. Komisioni Europian rekomandoi një plan me 12 hapa atëherë, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë, Komisioni rekomandoi statusin e vendit kandidat për BE për Shqipërinë në tetor të vitit 2012.

Kandidatura nuk do të kishte ndodhur nëse Dr. Berisha nuk do të kishte qenë i gatshëm për të punuar me opozitën. Duke treguar fleksibilitet dhe kompromis, ai bëri marrëveshje me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për ndryshime kushtetuese. Partia Demokratike bëri gjithashtu koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Rritja ekonomike dhe investimet e huaja direkte kanë vazhduar pavarësisht krizës ekonomike globale. Për katër vite rresht rritja e GDP të Shqipërisë ishte më e madhe se e çdo vendi tjetër në Europë. Është ndërtuar infrastruktura, duke përfshirë ndërtimin e tunelit të Kërrabës dhe qindra kilometra rrugë të reja. Standardet e jetesës po rriten. Shërbimet sociale janë zgjeruar me ndërtimin e 1300 shkollave të reja. Me siguri, duhet të bëhet më shumë për të luftuar korrupsionin dhe nepotizmin.

Shqipëria festoi 100 vite pavarësi më 28 Nëntor 2012. Njëqindvjetori u ndoq nga shumë qytetarë dhe liderë botërorë. Shqipëria ka fituar influencë të rëndësishme në rajon. Për shembull, ka qenë shumë e rëndësishme për administrimin e rrugës së Kosovës drejt pavarësisë që kulmoi në deklaratën e koordinuar të pavarësisë në vitin 2009.

Planet/

Shqipëria ka ende punë për të bërë. Dr. Berisha është i përkushtuar për dialog politik për të zgjidhur pengesat finale për anëtarësim në BE, duke përfshirë reformat gjyqësore dhe të administratës publike, si dhe rregulla dhe procedura të rishikuara të Parlamentit.

Zgjedhjet parlamentare do të jenë një test vendimtar për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike të vendit. Qeveria, e dedikuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ka ftuar vëzhgues kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Dr. Berisha insiston se ai do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve, të cilat pasqyrojnë vullnetin e popullit.

Platforma e Partisë Demokratike përfshin plane për infrastrukturë shtesë. Ajo zotohet se do të investojë 16 miliardë dollarë për të krijuar 250 000 vende të reja pune në katër vitet e ardhshme. Ajo planifikon të rrisë pagat, pensionet, të reformojë tregun e punës duke transformuar përfitimet e papunësisë në stimuj për punësim. “Sigurim i detyrueshëm për kujdes mjekësor” është planifikuar për të gjithë qytetarët.

Karakteri/

E njoh Dr. Berishën prej përafërsisht 25 vjetësh. Kështu që ndihem i kualifikuar për të folur rreth karakterit të tij.

Rënia e skemave piramidale në vitin 1997 ndodhi kur ai ishte në pushtet. Por Dr. Berisha nuk iu shmang përgjegjësisë. Për më tepër, ai luftoi për të stabilizuar Shqipërinë gjatë krizës, më pas negocioi, më pas doli mënjanë, duke organizuar transferimin paqësor të pushtetit te Partia Socialiste. Ai është një nga politikanët e paktë që mësuan nga gabimi i tyre dhe u shfaq si një lider dhe qenie njerëzore më e mirë.

Kritikët e Dr. Berishës e akuzojnë atë se është më i përkushtuar ndaj pushtetit sesa ndaj shërbimit publik. Kundërshtarët thonë se ai është hakmarrës dhe se mban mëri. Burri që njoh unë e përdor pushtetin me një qëllim. Ai e do Shqipërinë dhe është i përkushtuar ndaj shqiptarëve. Ai është pajtues, siç vërtetohet nga bashkëpunimi i tij me ish-kundërshtarë, si zoti Eduard Selami dhe zoti Dashamir Shehu.

Shqipëria është në një udhëkryq historik në rrugën e saj drejt integrimit europian. Dr. Berisha, më shumë se një patriot i apasionuar, ka karakterin dhe lidershipin për të ndihmuar Shqipërinë në plotësimin e fatit të saj si një partnere e respektueshme e komunitetit ndërkombëtar.

*David Phillips është drejtor i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut, në Universitetin e Kolumbias – Nju-Jork. Ai është autor i librit ‘Çlirimi i Kosovës: Diplomaci shtrënguese dhe ndërhyrja e ShBA’.(Botoi Mapo.al)

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: David L Philips, dhe afer, nga larg, Sali berisha

11 Prill… 2010…2013…

April 10, 2013 by dgreca

(Bashpunim i At Gjergj FISHTËS me A.Z.ÇAJUPIN):/

 Nga Fritz RADOVANI /

 (Ditë e bukur pranvere. Në vorrezat e Tiranës, nga kombinati Stalin, janë një grup veteranë të luftës me gjokse të stolisura me dekorata, janë edhe të gjithë presidentët me kapela republikë…e, dy, tre gra…

Aty rreth një grup lab me fustanella këndojnë pafuntë: “eeeeeee…”)

 At Gjergj Fishta (arrinë ngadalë me shkopin e tij dhe një t’ panjohur).

I kuj do t’ jet njaj vorr, mbi t’ cillin mvaret

Kunorë lulesh e blertë e qi madhnueshëm

Zotnon mbi fang t’ mjeruem, porsi shatorrja

E njaj Tyrani zemër-gur, i cilli,

Mbi shegj Persijet pa kujdes pështetun,

Ndër kandje t’ prujtna të ksaj jete kndellet,

Mjesá besniku ushtari i tij nën t’ randin

Hekur t’ anmikut rrokullohet dekun

E zhytet n’ gjak? – Njifarë katil barbari…

Mbrendë n’ atë vorr asht kondisë. Ky lé mbi pupla

E rritë n’ ar e n’ mundafsh, mbas epshit lodhun,

Qi fletët e jetës për nën krahnuer ia brejti

E e kalbi gjall, mbi pupla u shkim, si e tmershmja

Flakë e nji vorri shkimet. Prej mermerit

T’ dhênun mbi vorr njat përmendar t’ trishtueshem

Shqipnia, shemtuemun vepres s’ tij, ia vuni

Peng trathtije dér n’ ma të largtat mote;

T’ hijshme kunoren mbasandej blerimesh

Sot nji dorë alabastrit m’ vorr ia pruni:

Nji dorë, e cilla, mjesa ai bani hije

                        N’ tokë e pranvera çili për té ferra,

I a pat grabitun me përkdhjelje t’ prujtuna

                        Gjanë edhe nderën. Me atë kunorë mjerimesh

Brengen dishmon, qi ajo per té ka n’ zemer.

 

Andon Zako Çajupi (pranë At Fishtës,..)
VAJE…

Që ditën që na vdiqe, që kur s’ të kam parë,
nga kupat që kam këthyrë, grykët s’ janë tharë!
Shumë vjet u bënë, u mbushën pës’e njëzetë
që kur na ke lënë dhe s’ të shohë në jetë!
Në ç’ kopshte me ferra ke qëndruar vallë?
S’ na vjen keq për ty? S’ na vjen mall për djallë?
O dreq i shëmtuar mos mëno në botë,
mos u kthe të shomë, se na mbetën lotë.
Motmot që rrojtëm cilin ti s’ hurreve?
Atje tek rri ti, i nise të gjithë më parë…
Mos u kthe të të shohmë, s’ le kend për farë!
Na le të gëzuar, me zëmër të ngrirë;
se mos po këthehe të shoç Shqipërinë:
E ke lënë t’ robruar, tani u bë e lirë;
S’ harrite ta zhdukje, si ti s’ ka parë kurrë!
Për ty, shumë herë, çoç’ do të më pyetë,
Po s’ munt t’ i përgjigjëm, gëzimi më zë n’ fytë!
Kthej koken me nj’ an dhe vështroj tatpjetë:

S’ të vjen keq për Nexhin, s’ të vjen mall për Ramën?

Që, siç’ thotë populli: “Ua bëfsha… t’ ëmën!”…

II…

Ditën e vitit të parë,
U bë qiamet i math,
Nga dielli që pat dalë
Faqez e dheut u sbarth.
Cingërimë e errësirë,
jashtë veriu pëllet!
Iku bor’ e breshërirë,
dheu duket si det!
Është natë, nat e bardhë
vetëtit edhe gjëmon!
Një dreq i Shqipërisë
dergjet sëmur’ e rënkon!
Ka tri dit që po mundohet
Dhe me vdekjen po lufton,
Po vdekja s’do të mërgonet
Se shpyrtin’ e ti kërkon!
” Perëndi, mos e le gjallë,
– Po lutet Shqipëri e mjerë-
” Të munt të nisë këtë djallë,
” Që për të zezë ka lërë.
” Kush do e marrë, të vijë?
” Shqipëria qysh do rrojë?
” Kush gjak s’do t’ i  pijë?
” Sa unë kush dota dojë?
” Kush do ta dojë Shqipërinë!
” Më ndje o Zot i vërtetë!
” Se Shqipëria pa Enver,
”  do të rritët ajo vetë”.
Engjëlli me këto fjalë,
Nga jet e mjerë’ na shpëtoi,
la Shqipërinë pa  djallë!
Dhe, ndë Qiell fluturoi!

III…

Botë, moj Bot’ e pabesë
Nuk ke gjë të vërtetë:
Ay ngordhi s’ desh të vdes
Enver s’ vjen më në jetë.

Dotë gdhiet prap një ditë,
Dotë vijë një mëngjes

Shqipëri të rrojë e lirë,
Ajo s’ mbyll’ syt të vdes!

Dotë gëzojn’ e të këndojnë,
kur t’a mbulojnë me gurë,
pastaj dotë t’a harrojnë
Sikur ai t’ mos qe kurrë!

IV
Vdiq Enveri, vdiq Enveri,
moj e lumtura Shqipëri!
Mendjedreqi, zemërziu,
i lig gjakatar… si ai!

Vdiq Enveri, po këndoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Enverin kur ta kujtoni,
nga gëzimi duke qarë!

Vdiq Enveri, gjithë thonë,
gzoni tosk e gegë gjith turrë!
Gojkatran’ i partisë… sonë
s’do të dëgjohet më kurrë!

Vdiq Enveri, që shëmtoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Enveri, që robëroi
dhe shkatërroi Mëmëdhenë!

Vdiq Enveri, po ç’të gjeti,
o moj Nexhmij’e mjerë!
Vdiq Enveri, po kush mbeti?
Si ai qen s’ka të tjerë.

Vdiq Enveri! katrahurë,
vonë e mori të tillë dreq?

Nga ferri mos dalë kurrë!

Shpirti ti përjetë t’i heq..!

V…

Doje drit’ o qiell, m’ fale lirinë time,
Dhe më mbushe jetën plot me gëzime!…
Tani rroj me shpresë, ndaj s’dua të shkoj,
se, dhe, Perendinë, i lirë e besoj!…

At Gjergj Fishta (Pyet…)

E po n’ vorre t’ fatosavet t’ nderueshem,

Qi m’ kto t’ egra male e bjeshkë t’ thepisne,

Si ulàj t’ përgjakun me trimni spartane

Rrebtë tue luftue për Atme e për Liri

Shqypnis iu bane fli, a thue m’ kto vorre

Sot ‘i kunorë Atdhéu ka për t’ ua çuem

Si peng çmimit e bindjet e nderet

Për shka ata psuene për Liri t’ bekueme?

Jo, jo! Për burra, qi me gjak praruene

Namin e kombit e Lirin’ i a sollen,

Atdhéu kunora s’ ka. Për ta nuk dhênet

Gur, as nuk ndezet qiri. Mbi vorr t’ tyne

Shpërthen rrushkulli e fermana, strukë ndër t’ cillat

Pret dhelpna e shqarthi, dér’ qi rrezja e diellit

T’ shkimet e hana për mbas malit t’ ngrihet

E zbét me shndritun n’ hapësirë të Qiellvet,

E kshtu, pa droje t’ ndo‘i anmiku t’ mshehun,

Me rmue ndër vorre, e me shpuplue

Eshtnat e tyne për Atdhé shkatrruem.

Heu po! Burrat e dheut, qi m’ armë mizore

Rrokullin dynden për Liri t’ Shqiptarvet

E flakë ndezen Evropën, e qi e shuma

As vorr nuk patën me u kondisë për s’ deknit,

Veç nper t’ errshmet humnere e nëper prroska

Kurmat e tyne shkapërderdhë për dhé

Prej orlash edhe korbash t’ zez kjén shkyem,

Shqyptarët, po, i kanë harrue; …

…Si m’ kanë harruemun mue…!

 

Melbourne, Prill 2010.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 11 prill, Bashkepunim, Cajupi, Fishta, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5498
  • 5499
  • 5500
  • 5501
  • 5502
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT