• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRONARI I “MEJHANES” DHE QENGJAT E KUQ TË BEUT

April 6, 2013 by dgreca

NGA Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues, me këtë parashtrim gazete që do ta shkarravis në vijim, ndoshta nuk do ngre diç të veçantë në kandar. Këtë do t’ia dedikoj mbamendjes sime të trazuar dhe të rebeluar. Higjienën e mendjes a edhe dilemën time morale karshi një vakie që kishte ndodhur shumë kohë më parë, do të bëj përpjekje ta vë në “peshojë të tyxharit”. Por para se ta jetësoj këtë tregim, më duhet t’i referohem një shprehje proverbiale, ku pos të tjerash thuhet: “Rruhu nga miku budalla se ta vret mizën në ballë”!?

Unë jam paksa skeptik sa i përket vërtetësisë së këtij proverbi. Një i tillë “budalla” para pesë dekadash rronte në mëhallën tonë. Përndryshe ishte pronar i një “mejhaneje” e cila frekuentohej nga “bohemët” e atëhershëm tetovarë. Kjo “mejhane” pas kushedi sa motesh ra në falimentim. Bashkëmoshatarët e mi, sot e kësaj dite janë “nostalgjikë për atë mejhane dhe për ato kohëra të llumta”. Nuk mund të thuash se ky “pronar filokomunist e filodallaverexhi”, vërtet ishte i marrë a i rrjedhur nga mendja, përkundrazi ishte një njeri që shquhej për zotësi në fushën e zanatit të tij…, ishte një dhelparak i llojit të vet. Dhe ky që ne e konsideronim injorant, lëkurën a mbështjellësin e trupit e kishte të regjur a të trashë. Nën atë lëkurë “mbante” sekretet dhe misteret e tij për të cilat kurrën e kurrës nuk u hetua as një e vetme provë. Ai nuk dilte dot aq kollaj nga ajo lëkurë. Sa herë që ia donte qejfi, “ngarkonte një maunë” me njerëz të lajthitur, të mençur, intelektualë, të ndershëm, të persekutuar, shehërlinj, katundarë, fisnikë e të tjerë. Ky asnjëherë nuk preokupohej dhe nuk dalldisej me hallet e “myshterinjve të tij”…, nuk i hynte në punë e vërteta se pse ata, nuk i kishin punët në terezi a pse atyre u mungonte mirëqenia materiale dhe rehatia familjare. Thjesht, sillte vërdallë një shehër a kasaba dhe për këtë nuk kishte bir nëne që do të guxonte të hapte gojë e t’i thoshte: “…, o ti mejhanexhi, mbylle këtë ahur pasi që në të ndërtohet kështjella e thashethemeve të kapixhikëve…, sepse aty spiunohen atdhetarët, aty zaptohet prona e fukarenjve, aty falsifikohet trashëgimia e dishepujve të vatanit, aty përflitet morali i familjeve me taban kombëtar, aty keqpërdoren  ndihmat humanitare dedikuar jetimëve të popullit, aty sajohen vlera, aty ushqehet e frymon luksi i heshtjes dhe indiferencës së bohemëve karshi pisllëqeve që hetohen në mejhanen tënde…, aty ku bashkëqytetarët e mi futen ashtu vullnetshëm dhe përtej dëshirës së tyre nuk dalin dot “kollaj” prej aty…!

Një ditë një mik i tij i kishte parashtruar pyetjen se pse nuk “e ndryshon biznesin”!? Ky “budalla” ia kishte kthyer atë “hazërxhevap”: Po ç’më duhet tjetër “biznes” kur kam një maunë me “qengja të kuq” të cilët për të zënë rend që të futen në “mejhanen” time,  paraprakisht duhet të thyejnë kokën e njëri-tjetrit që pastaj paratë e “ekonomisë familjare” t’i bëjnë “rrush e kumbulla”? Kjo vaki i ngjan asaj pyetjes të fshatarëve të cilët kur e kishin pyetur “dashin” se pse na dukesh kaq i shqetësuar e i inatosur…, ai u kishe dhënë përgjigjen: “nuk mërzitem e nuk më vjen zor se pse punoj natë e ditë, por më vjen inat pse qengji dhe qengjat e kuq të qehajait të beut hanë hazër”!?

Lexuesit e mi të ndershëm dhe pa tarafe, me të drejtë do të parashtrojnë pyetjen se kujt i hyn në punë ky parashtrim gazete që (ri) përsëritet edhe pas një gjysmë shekulli, kujt i duhet që ta lexojë këtë tregim a “thashetheme” që ka dalë nga hapësirat e mëhallës së fukarenjve…, një tregim që nuk lexohet as ndër dhëmbë e as ndër buzë…, dikush tjetër do thotë se e gjithë kjo nuk konvergjon me realitetin që jeton gjithsecili…, në instancë të fundit askush nuk e ka hallin e etikës së këtij parashtrimi si dhe porositë që i përcjell ai.

Një “mejhane politike” sot funksionon në kryeqendrën politike të Shqipërisë londineze, e cila frekuentohet nga politikanë opozitarë si dhe nga ca opinionbërës “tebdil” (njerëz që fshehin veprimet e qëllimet e tyre djallëzore) që mbajnë anën e pushtetarëve aktualë. Kur jemi te “dashi”, mua do më duhet t’i referohem historisë së batutave për këtë kafshë shtëpiake. Nëse na lejohet, po e fillojmë me “qengjin” e një qehaje të beut. Thonë se “qengji” që kishte braktisur kopenë, aq shumë kishte pasur uri, saqë “kishte ngordhur” midis dy togjeve të barabarta me sanë, sepse nuk kishte mundur të vendoste cilën të fillonte ta hante. Ky “qengj” në psikologji merret si shembull i konfliktit të dyfishtë emocional gjegjësisht të një ambivalence (ndasie) që shprehet tej mase te njerëzit me karakter tragjik. Për hir të një respekti ndaj personaliteteve që mund të hetohen në vijim të këtij shkrimi, do të bëj përpjekje maksimale që t’i shmangem paralelizmit, madje edhe në qoftë ai paralelizëm i figurshëm, respektivisht shmangies së identifikimit të emrave të tyre me “qengjin” në fjalë.

Ka shumë kohë që opozita në krye me Edvin Kristaq Ramën, si dhe pozita që udhëhiqet nga kryeministri Sali Berisha (këtu nuk do përfshihet kryetari i LSI, z. Ilir Meta, i cili duke u shtyrë nga interesat personale dhe duke u zaptuar nga “emocione dyfish të kundërta”, fillimisht do të rebelohet dhe mandej do të respektojë institucionin e “braktisjes së bashkëqeverisjes”…, një politikan që konceptohet a krahasohet me atë “fenomenin” për pavendosmërinë e të qenit i mëvetësishëm, një figurë që konceptua nga kundërshtarët e tij, si vegël a patericë e “regjimit absolut” të doktorit, një “politikan nomad”, i cili për hir të karrierës, “hëngri zahirenë e qeverisë”), do vazhdojnë të ballafaqohen me shumë dilema, me shumë paradokse si dhe me inatet e tyre ndërpartiake. Asnjëra palë nuk është e gatshme që të marrë përsipër (pa) përgjegjësinë morale, shtetërore dhe politike sa i përket katrahurës ekonomike e sociale që sundon Shqipërinë…, opozita nuk merr në konsideratë e përsipër çështjen e (mos) votimit të stërgjatë dhe të bezdisshëm të tre ligjeve në kuvend, sidomos tani në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare.

Disa njohës të shkëlqyeshëm të rrethanave politike në Shqipëri, këto rebelime a “transfere” do t’i konceptojnë si politike, korruptive dhe joshëse, ca të tjerë do t’i konsiderojnë normale, disa të tjerë këto shkëputje politike, në instancë të fundit, i trajtojnë si joserioze dhe të dështuara. Të gjitha këto shkëputje politike, partitë do t’i bëjnë atëherë kur do të hetojnë se “anija e qeverisë” do të rrezikojë të fundoset nga furtuna e krizës politike. Kjo është si ajo “vakia” e “qengjit të kuq” të qehajait të beut, i cili ngordhi nga uria. Po qengji është qengj, por ama ç’ishte dhe ç’është ky rebelim politik!? A mos vallë ky rebelim bëhet për mirëqenien e popullit.., apo për interesa të ngushta personale a edhe partiake. Çobanët thonë se e ha ujku qengjin që braktis kopenë! Mjekët që merren me kurimin e hemorroideve thonë se njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, nuk mund të qëndrojnë gjatë në një karrige. Të gjithë këta politikanë përbëjnë tipin e atyre që pa e kafshuar buzën e poshtme, i ngrenë vetes monumente transferesh prej qerpiçi, dhe në fund mbeten si mbreti lakuriq, që të qeshin fëmijët me të në sheshin publik. Nëse para një gjysmë shekulli, “mejhania e budallait” ra në falimentim, sot nuk ka njeri që do të mund ta paralajmërojë a ta parashikojë shembjen e “mejhanes politike” të kryeqendrës së shqiptarëve!? Mbase nuk duhet harruar ajo shprehja proverbiale: bariu i bie fyellit, atje ku ka dele për të qethur, kurse qelepirxhiu bredh me lugën në brez atje ku ka për të ngrënë! At Gjergj Fishta, përveç të tjerash e tha edhe këtë: “Populli i fal ata që e mundojnë, por nuk ka për t’i falur ata që e rrejnë”, ata që ia rrjepin lëkurën…

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe qengjat, e kuq te beut, Fadil Lushi, Pronari i mejhanes

KUSTURICA VETËM SA PO PROVON QE TA PERSERISE VETEVETEN

April 5, 2013 by dgreca

Skitë e Kusturicës, krimi, mashtrimi dhe zhgënjimi/

Nga Adriatik Kelmendi/

KUSTURICA VETËM SA po provon që ta përsërisë vetveten. Është një Deja Vu e papranueshme për një artist, pasi që arti – siç dihet – mbi të gjitha synon origjinalitetin, por është shumë OK për një politikan sharlatan. E, pra, Kusturica e ka konfirmuar shumë herë deri më tash, pavarësisht numrit të madh të shpërblimeve filmike, se ai në fakt është një politikan që shtiret si një artist.

Me filmin që thotë se është duke e xhiruar lidhur me, siç pohon, “tregtinë me organe… (si) rasti më brutal i këtij shekulli”, Kusturica është duke bërë edhe atë që ka provuar ta bënte për luftën e Bosnjës me filmin e financuar nga RTS-ja në kohën e Milosheviqit “Underground”. Pra, ta keqpërdorë famën e tij për të kthyer në sytë e botës viktimat në dhunues, dhe dhunuesit në viktima.

Çka mund të sillet në një mendje të çoroditur si ajo e Kusturicës, më duket se më së miri e ka kapur kolegu im nga Mali i Zi, Andrej Nikolaidis.

“Duke e ditur se ai e ka shpallur serb babanë e tij të vdekur (Muratin, vër. A.K.), bashkë me veten e tij si i krishterë ortodoks, ai me lehtësi ka zgjedhur anën e tij në luftën e Bosnjës. Ai e ka zgjedhur atë nëpërmjet Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mladiqit. Ai nuk ka qenë me ta për të bombarduar, por kurdo që e ka parë shansin, me qasjen e tij në arenën artistike dhe mediale u ka gjetur atyre alibi për vrasjen e secilit mysliman, i cili nuk kishte dashur ta pranonte se ai ka origjinë ‘ortodokse’”, ka shkruar Nikolaidis.

KUSTURICA, VËRTET, në qoftë se do të ishte artist, do të duhej ta kishte lirinë që të bënte filma për gjithçka dhe për çdokënd. Dhe këta filma natyrisht se do të ishin pjesë e fantazisë së një artisti e si të tillë, fiksion pra, mbase edhe do të pranoheshin nga audienca, varësisht prej shijes.

Problemi është se këtu kemi të bëjmë jo me Kusturicën artist, por me Kusturicën politikan, i cili pretendon se filmi i tij “Underground” dhe ky i riu për Kosovën janë të bazuar mbi fakte reale.

Sakaq, përveç pandehjeve që ka sjellë në librin e saj ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte, por të cilat nuk kishte pasur mundësi asnjëherë t’i argumentonte mjaftueshëm sa për të ngritur një aktakuzë, si dhe raportit të Dick Martyt, që ende nuk është materializuar në brumë për gjyq, nuk ka ende asnjë provë gjyqësore që të provojë se diçka e këtillë ka ndodhur. E derisa të mos vërtetohet, një gjë e tillë mund të quhet vetëm hamendësim dhe jo fakt.

Në anën tjetër, janë shifrat konkrete që flasin për krime tashmë të provuara me emra të përveçëm të luftërave në ish-Jugosllavi.

P.sh. koalicioni i organizatave joqeveritare i mbledhur rreth idesë së KOMRA-s, nën udhëheqjen e një humanisteje serbe, Natasha Kandiq, ka konkretizuar saktë atë me të cilën pajtohen edhe “Amnesty International”, ”Human Rights Watch” e UNHCR – ja në luftërat e ish-Jugosllavisë se janë vrarë 130 mijë persona, prej të cilëve pakica janë serbë dhe shumica viktima të makinerive vrastare të udhëhequra nga serbët.

Në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë rreth 97 mijë njerëz, prej të cilëve 66 për qind boshnjakë, 25 për qind serbë, 8 për qind kroatë, kurse të tjerët janë kryesisht shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicave. Por, prej boshnjakëve plot 83 për qind ishin civilë, prej të cilëve 30 për qind gra e fëmijë, krahasuar me vetëm 10 për qind serbë.

Në Kroaci janë vrarë rreth 11 mijë kroatë dhe afro 7 mijë serbë.

Në Kosovë jepet shifra prej rreth 13 mijë të vrarësh, gjatë luftës dhe menjëherë pas saj. Prej tyre rreth 10.500 shqiptarë, 2 mijë serbë dhe mbi 500 joshqiptarë e joserbë dhe të papërcaktuar.

Të mos harrojmë se të gjithë këta janë vrarë jashtë territorit të Serbisë dhe në shtete që sot janë të pavarura.

A t’i shikojmë shpejt edhe disa fakte të tjera?

Tribunali i Hagës ka ngritur plot 161 aktakuza. Prej tyre 94 janë kundër serbëve, 29 kundër kroatëve, nga 9 janë për boshnjakët e shqiptarët, dhe nga 2 për maqedonasit dhe malazeztë.

Për ka e ka fjalën atëherë Kusturica? Apo, duke qenë kineast, sheh teori botërore të komplotit kundër serbëve, pavarësisht se shifrat e dhëna më lart e ka fare lehtë t’i vërtetojë edhe vetë!

TMERRI KA TË BËJË me mungesën e etikës. Kusturica dhe shumë të tjerë e dinë se cilat janë faktet dhe cilat janë trillimet e luftës. Mirëpo, kë po dëshiron ai dhe të tjerët si ai ta mashtrojnë? Ndoshta Kusturica me një film mund të lërë përshtypje te disa individë nëpër botë, të cilët as s’e kanë idenë e se ka qenë dhe ku është ndodhur Jugosllavia, por a mund t’i mashtrojë banorët e ish-Jugosllavisë? Jo!

E keqja është se ai po e vazhdon rrugën e nisur nga idhulli i tij, Slobodan Milosheviq, i cili në mendjen e vet kishte ngritur popullin serb në një popull hyjnor dhe të viktimizuar. Kjo ide edhe shkaktoi luftërat, vdekjet e shkatërrimet në këto shtete.

Po ashtu, ai mund të mashtrojë fëmijët, si qeniet më të pafajshme, ata fëmijë që kanë lindur në mijëvjeçarin e ri. Ai po përpiqet t’ua tregojë atyre vetëm një pjesë të rrëfimit – siç u tha – të pakonfirmuar, në mënyrë që ata fëmijë ta ndiejnë veten si viktima të luftërave.

E nëse dikush do të rritet me idenë se ka qenë e vetmja viktimë e padrejtësive dhe e luftërave që kanë ndodhur para se të lindnin, natyrshëm se do të mbruhet me idenë e hakmarrjes. E në këtë mënyrë nuk do të mund të arrihet asnjëherë as drejtësi, as prehje, as pajtim ndërmjet popujve që luftuan.

Më tepër, me këtë logjikë të viktimizimit, vetëm sa do të trasohet rruga për krijimin e skuadroneve të reja vrastare për luftëra të reja në Ballkan.

Sidoqoftë, ndoshta edhe ka një kuptim furia nacionaliste vrastare e Kusturicës. Më në fund, duke e përzier artin e politikën, duket se ka gjetur pozitën e përshtatshme. Është bërë kryetar i Shoqatës së Skitarëve të Serbisë.

Kjo gjithsesi se e vërteton përse ky njeri ka kohë që u ka hipur skive.

P.S. 1: Nikolaidis, i paditur nga Kusturica, pas një procesi të gjatë gjyqësor ishte gjobitur me 12 mijë euro, për shkak të fyerjeve ndaj tij.

P.S. 2: Gazetari kritik ndër më të njohurit në Ballkan, Petar Llukoviq, është paditur disa herë nga Kusturica. Disa herë Llukoviq është detyruar të paguajë dëmshpërblim, kurse aktualisht kërcënohet edhe me burgim.

P.S. 3: Në këtë kolumne qëllimisht kam shmangur përmendjen e emrit të personazhit në fjalë. Deri në vitin 2005 është quajtur me emrin mysliman, Emir, dhe pastaj e ka ndërruar me atë serb, Nemanja. Nga frika se derisa e kam shkruar shkrimin ai do të ketë pasur mundësi ta ndryshojë sërish identitetin, i jam referuar vetëm me mbiemër.

P.S. 4: Fat imi që jetoj në shtetin të cilin Kusturica nuk e njeh e rrjedhimisht edhe nuk do të mund të ngre padi kundër meje, siç ka bërë me kolegët e tjerë gazetarë. Phëëëë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Adriatik Kelmendi, Kusturica, po provon te perserise, veteveten

KJO ESHTE DEMOKRACIA?

April 5, 2013 by dgreca

Unë dua të citoj vetëm disa rreshta të Ramizit përpara byrosë: “Sistemi ynë është drejt kapitullimit përballë sistemit kapitalist. Kështu na lind si detyrë që të ndryshojmë strategjinë tonë… Le të krijojnë kundërshtarët tanë, parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim ne vetë, por kryesorja është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë dhe programet e themelimit do t’i formulojmë ne. për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë./

Nga Bedri Blloshmi*/

Sapo u shpartallua perandoria Turke, në Europën e vjetër dhe kryesisht në Ballkan, mendohej nga më të fortët që të nxirrnin përfitimet e tyre duke grabitur trojet e një vendi për t’ia dhënë një vendi tjetër duke krijuar edhe shtete që s’kishin ekzistuar kurrë. Kjo ndodhi dhe në Shqipëri pas ngritjes së flamurit shqipëtar nga plaku i mençur dhe guximtar, Ismail Bej Vlora, më 28 Nëntor 1912.
Një vit më vonë, pra më 1913, mbasi planet ishin bërë nga Londra dhe Berlini që shqipëria të shqyhej duke e krasitur dhe plotësuar grykësinë e armiqëve tanë shekullor, Athina dhe Beogradi. E bënë Shqipërinë copa-copa duke shfarrosur popullsinë autoktone kur vendosën kufijtë e rinjë. Shumë qeveri u krijuan deri më 1920 ku Kongresi i Lushnjës përforcoi edhe një herë që ajo copë Shqipëri do ekzostoi dhe se ka patriotë që nuk shiten. Mbërriti më pas revolucioni famëkeq i qershorit më 1924 dhe përmbysi me dhumë qeverinë e ligjëshme të Ahmet Zogut. Një prift, Fan Noli, i cili më 1927 shkoi në Rusinë e kuqe dhe përshëndeti me rastin e 10 vjetorit të Revolucionit të Tetorit dhe atje e quajtën “prifti me veladon të kuq”. Ahmet Zogu kthehet përsëri duke e përmbysur priftin. Krijoi shtetin, u lidh me perëndimin duke qënë i vëmendshëm dhe korrekt për gjithë atë copë vend që na lan që nga 1913 deri më 7 prill 1939 kur bota do hynte në një luftë tjetër e cila u quajt lufta e Dytë Botërore.
Ndërsa në Shqipëri mori rrugë lufta civile (vëllavrasëse) e filluar nga terroristët komunistë. Për ta vërtetuar se është mëse e vërtetë që është zhvilluar luftë civile po citoj se çfarë ka shkruar gjenerali Ëilson (komandant supreme i aleatëve) Enver Hoxhës. “Më duhet të vë në dukje se armët e furnizimit që ju dërgojmë janë të destinuara vetëm për një qëllim, e pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të tolerojë që ju t’i përdorni këto armë për të vrarë dhe për të eleminuar bashkëatdhetarët tuaj për qëllime politke.”
Mbasi u vranë dhe u masakruan mijëra familje atdhetare (nacionaliste) që luftuan me të vërtetë për Shqipërinë ku nga goja e tyre dilte e vetmja fjali “TË RROJË SHQIPËRIA” para skuadrës së ekzekutimit, ndryshe nga sa thoshin komunistët që “atdheu ynë është gjithë bota”, mbas 1944 do fillonte terrori mbi pjestarët e tjerë të këtyre familjeve. Ky terror do të fillonte më 1945 deri më 1990 i cili zhdukte, varte, pushkatonte, burgoste, interrnonte e sekuestronte vetëm familjet kundërshtare.
Kjo tragjedi do të vihej në skenë nga komunistët të cilët zbatuan vendimet me kryeregjizorin enver Hoxha. Këta sajonin “grupe armiqsh” për krime imagjinare, i pushkatonin mbas atyre që kishin varur, burgosur dhe të tjerët internoheshin. Numërohen mbi 6550 të pushkatuar që sot ende janë kushedi se ku të groposur e pa varr. Numërohen mijëra të burgosur të vdekur nëpër burgje, mijëra të interrnuar, mijëra të vdekur në interrnim, shumë e shumë fëmijë të porsalindur nga pa ushqyerja nga keq jetesa, të rrethuar me tela me gjemba. Çmendinat u mbushën plot nga të burgosurit e torturuar e nga elektroshoku, të paralizuar nga gjilpërat e absesit që rënkonin shtrirë në çimentot e dhomave të vdekjes të spitaleve Brenda në çmendinë. Listat emërore të intelektualëve nga vrasjet masive. Le të përmendim terrorin e Kryengritjes së Postribës, gropën e Valmirit me të vrarë e të gjallë që si kishte kapur breshëria e kallashnikovit, shashkën e hedhur nga vetë sigurimi në Ambasadën Ruse për të vënë në skenë skenarin e përgatitur për të masakruar 22 intelektualë në Tiranë. (Pa përmendur këtu ata që u burgosën dhe familjet që u internuan.) Kemi shumë e shumë “grupe” e vrasje masive dhe këto duan volume të tëra për t’i rreshtuar e jo më t’i përmendësh në një mikro shkrim, (madje qëllimi i këtij shkrimi është tjetërkund.)
Mbarimi i Luftës së Ftohtë do të kurorëzohej me rrëzimin e kështjellës së dekompozuar të komunizmit rus. Kuptohet se satelitët e kësaj kështjelle do të rrokulliseshin në humnerën pa kthim. Edhe në Shqipëri, s’kishte sit ë ndodhte ndryshe. Filluan lëvizjet e porositura nga sekretai i parë i komitetit të partisë Ramiz Alia, me udhëzimet e Katovicës e të Gorbaçovit.
Unë dua të citoj vetëm disa rreshta të Ramizit përpara byrosë: “Sistemi ynë është drejt kapitullimit përballë sistemit kapitalist. Kështu na lind si detyrë që të ndryshojmë strategjinë tonë…
Le të krijojnë kundërshtarët tanë, parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim ne vetë, por kryesorja është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë dhe programet e themelimit do t’i formulojmë ne. për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marri pushtetin, është e lirë të shajë pushtetin tonë, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojë simpatinë e përëndimit dhe të desidencës antikomuniste…
Të persekutuarit politik: Ata janë nëpër burgje të dënuarit dhe të persekutuarit politik antikomunistë sigurisht që do na shajnë…Këta do t’i afrojmë dhe do t’i japim punë të ndryshme, por jo të rëndësishme, por kurrë, kurrë nuk do t’i lëmë të na përvetësojnë pushtetin. Dhe e dini pse?! Sepses sapo të marrin fuqinë do të fillojnë të hakmerren…Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompesim në para të burgosurve politik…
Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin. Por një gjë duhet të kini parasysh, të keni kujdes nga fëmijët e të persekutaurve politik…”
Tani unë u drejtohem të burgosurve politik, të shpronësuarve dhe sekuestruarve, se këto që thotë Ramiz Alia a janë zbatuar me kujdes nga ata që na “përkrahën” dhe ne u besuam në vitin 91-92 e më tej?
Lexova në një media të shkruar (se pothuaj e kishin shumë media) se partia demokratike, njeh dhe mbron të gjitha dekoratat e komunizmit, nga ana tjetër po nga PD janë dhënë dekorata për shumë personalitete të pushkatuar, të humbur e të burgosur politik. Tani njëra palë ka vlerë o persekutori, o i persekutuari. Të njohësh të gjitha dekoratat e diktatorit e ta vlerësosh do të thotë të shkelësh mbi gjakun e mijëra e mijëra të pushkatuarve, të zhdukurve, të shkelësh mbi mijëra e mijëra nënave shamizeza, të mohosh ata lumenj gjaku, lumenj lotësh që kanë filluar të derdhen që nga viti 1943 e deri më 1991. Kjo është demokracia? Atëherë pse çirret PD kur thotë se në Shqipëri ka qënë diktatura më e egër në Europën Lindore? A është tallje kjo me klasën tonë të përmbysur, a është përçmim për të vrarët e të burgosurit politik? A tregon kjo gjysmën e partisë së punës e cila e tregoi veten se nuk do të shkëputet kurrë nga Neronët, Cingiskhanët e kainët e komunizmit? A duhen besuar pëshpërimat se do të vendoset busti i diktatorit? A duhet të përmendet një thënie e agjentit të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Kim Fillbi “Kush ka qënë komunist vetëm një orë, komunist mbetet gjer në varr.”Ku po na çojnë komunistët fanatik? A duhet të heshtim ne përpara kësaj tragjikomedije që faturohet?Ngrihuni ju të zhdukur,të pushkatuar anë e mbanë Globit e mbrojeni Shqipërinë se ne të gjallët kemi vdekur dhe skemi mundësi ta ndryshojmë fatin e vendit.

* Ish i burgosur politik

Filed Under: Featured

KRYETARI I VATRES, DR. GJON BUCAJ FTOHET NE FRASNITE, ITALI

April 5, 2013 by dgreca

Frasnita, më 1 prill 2013/

I nderuari dr.Gjon Buçaj,/

Në ëmer të mons.Donato Oliverio, peshkop  në Ungër për arbëreshët në Italinë Kontinentale, jam i gëzuar të Ju ftoj në Frasnitë për të shtunën 11 maj 2013 për të mirrni pjesë në Kuvendin Kulturor, i kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë (1912-2012).

Arbëreshët, si mirë na tregon historia jonë letrare dhe shoqërore, që nga Kuvendi i Lezhes (1444) deri në ditën e sotme kanë mbajtur gjithëmonë të gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe kanë vepruar për pavarësinë e Atdheut.

Kuvendi jonë do të vërë në dukje lidhjet tona shpirtërore, kultuore dhe politike me Atdheun e parë, duke mbajtur të gjallë ritin bizantin, gjuhën  emtare , zaokent, traditat, vallet, rapsoditë dhe kujtimin e prindëve tanë të pavdekshëm, që kanë luftuar me Heroin Skënderbeun.

Prania juaj te Kuvendi do të na nderonj  shumë.

Me bindjen se do t’e pranoni ftesen tonë dhe çdo të na jipni një përgjigje, shumë të fala dhe nderime nga gjithë Komiteti organizator.

Papàs Antonio BELLUSCI

Prift famullitar në Frasnitë

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dr. Gjon Bucaj, Papas Belusci

Berlin Wall Fragment Joins Albanian Memorial

April 5, 2013 by dgreca

A fragment of the Berlin wall, a mushroom-shaped bunker and some of the concrete pillars of a notorious formed labour camp are all parts of an installation inaugurated in Tirana on Tuesday to commemorate the victims of the Communist regime. The memorial named PostBlloku, is placed at the entrance of the former off-limits neighbourhood where Albania’s Communist elite used to reside.

The memorial is the work of writer and former political dissident Fatos Lubonja and the painter Ardian Isufi.

The 2.6-ton graffiti-covered slab fragment of the wall was donated by the city of Berlin. The concrete pillars come from the mine at Spac, where many alleged opponents of the Communist regime, including Lubonja, were incarcerated and had to perform forced labour.

Speaking at the inauguration ceremony, Lubonja dedicated the work to former prisoners who perished under Enver Hoxha’s totalitarian regime.

“I want to devote this work to those that did not make it beyond the era of the dictatorship to live today,” Lubonja said.

Hoxha ruled Albania for nearly half-a-century with an iron fist, building a personality cult often compared to today’s North Korea. Paranoid about the dangers of a foreign invasion, he had the country covered in mushroom-shaped bunkers.

Albania’s Association of Former Political Prisoners believes that about 5,577 men and 450 women were executed for political crimes during the Communist era from 1946 to 1991. Tens of thousands of others were imprisoned or sent to labour camps.

Speaking also at the ceremony, the speaker of Albania’s parliament, Jozefina Topalli, said the monument was linked to three important symbols: the wall that divided Europe, the bunker that epitomized the mentality of Albania’s Communist regime and the pillars of a mine where hundreds of people lost their lives.

“The third element is the most painful.. Spac was Albania’s Auschwitz,” she said. “I heard that name since I was a little girl as the place where my family and many other Albanians were tortured,” Topalli concluded.(Kortezi: Besar Likmeta,

Botoi Dielli, Mars 2013)

Filed Under: Kronike Tagged With: Albanian Memorial, Berlin Wall, Besar Likmeta, fragment, Joins

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5506
  • 5507
  • 5508
  • 5509
  • 5510
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT