• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË NDERIM TË GJAKUT TË DERDHUR PËR VATRËN…

March 30, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ/ studiues/*

Loti i brengosur i Çamërisë do të shndërrohet në një rruzull drite, në një sumbull diellore për shënjtërinë e të rënëve për Atdhe dhe  varreve të tyre që janë simbole kombëtare për bijtë e saj nesër. Në nderim të shekullit të ri të shqiptarëve, duke u përulur para gjakut të derdhur për vatrën, me shpresë e besim se ky shekull është Ora e Atdheut Tonë shoh krahun e majtë të Shqiponjës gjakosur e sakatosur, shoh Çamërinë martire për tekat e Europës plakë, që ngrihet, sikurse krahu i dhjathtë i Shqiponjës, Kosova, që po i shëron plagët e luftës, po integrohet në familjen europiane me larmi identitetesh qytetare e kulturore të kombeve që jetojnë në gjirin e saj  por që ende kullon gjak lirie. Nga vendi i Shqipeve, zogjtë e saj ngrihen, marrin lartësi të fluturojnë të lirë drejt qiellit të pastër, drejt botës së qytetëruar, drejt Perëndimit që na përket, drejt jetës dinjitoze që meritojmë të jetojmë. Ky është, ndërkohë, dhe mesazhi që unë kuptoj nga leximi dhe studimi i librit me vjersha “Lot’ i brengosur” i fisnikes kreshnike nga Çamëria me banim në Vlorë, 78 vjeçares Resmie (Mane) Beqiri. Ky është mesazhi që unë interpretoj, sa me koherencë aq edhe me emocion, sepse në objektivitetin e punës e misionit tim, më thërret gjaku që më gëlon në deje, sepse  “çamër, labër, kosovarë/ jemi një fis e një farë,/ jemi një e të pandarë/ sepse jemi shqipëtarë”, sepse kam besim që komuniteti ynë po i flet mendjes dhe po kujton porosinë e Skënderbeut të Madhërishëm, kur mblodhi kapedanët e tij princër dhe me fabulën e thuprave, që të ndara e një nga një i thyen kushdo, ndërsa të tëra tok, të bashkuara e të lidhura si një trup i vetëm, s’u bën dot “derman” askush, as bajlozi i detit me skalione hordhish, as katallani i zi me taborre egrane e me dyndjet barbare të pasosura… Vonesa u bën dëm vonestarëve, se “nga hiçja –  malli Birçja”, por më mirë vonë, se është gjithmonë më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e vjetër. Këto që shkruaj janë vagëllime, që bëhen vezullime e marrin dritë të bardhë mirësie nga shpirti i bukur, derdhur në vargje i Resmies, në dukje të heshtur, por me një mal me oshëtima e me një det me gjëmime brenda globit të madh të shpirtit të saj. Nderim i bëj çdo çast të papërkulurës zonjë,  të urtës nënë, të dhembshurës gjyshe, asaj që qëndroi si kapetane mbi dallgët e tërbuara të jetës, që u dyndën me egërsi e barbarizëm, sa nga hasmi i huaj grek, po aq dhe nga “vëllai” armik komunist.

Po kush është kjo zonjë  e rëndë me emrin Resmie Mane – Beqiri, aq e lartë në dinjitet e po kaq e thjeshtë në pranueshmërinë e dashurisë njerëzore e dlirësisë altruiste, me ç’ka hequr e vuajtur si ajo?! Personalisht, më vjen në ndihmë kujtesa vetiake, që ka regjistruar njohjet e mia fillestare me familjen që krijoi kjo bijë Çamërie, si eshtër kombëtare me atdhetarin e përvëluar Skënder Beqiri në Vlorë. Skënderi, sipas gjendjes civlie, sot është 84 vjeç, por ejani në Vlorë dhe shikojeni. Do të keni në krahë a karshi një lastar të freskët, të drejtë si shtiza e Flamurit Kombëtar.

Ka qenë shtatori i vitit 1978, kur jam njohur vërtetësisht me këtë bërthamë familjare – vatër atdhetare. Ndoshta i kam takuar dhe më përpara, si Skënderin, si Resmien, në veprimtari të ndryshme artistike- kulturore në Vlorë,  por, edhe pse shkruaja te “ Zëri i Vlorës”,  “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Studenti”, “Luftëtari”, “10 Korriku” etj., isha ende i ri, me brumë atdhetar në gene, por akoma i pabërë kombëtarisht. Mosha…  Dija që Skënder Beqiri, me origjinë çame ishte një fotograf i zoti e nuk i gjendej dot në Vlorë një konkurent profesional. As atëhere s’kishte, por mendoj se edhe sot janë nxënësit e tij ata që ngrihen, bëjnë emër e i heqin kapelen Skënderit, profesorit të fotografisë në Vlorë. Skënder Beqiri njihej si mjeshtër i fotografisë dhe njerëzit  e quanin “Marubi i Çamërisë dhe i Vlorës”. Jam dakort me atë vlerësim për atë periudhë kohore, por ai njihej si mjeshtër i aparatit fotografik në rang kombëtar. Mendoj se brezat në Vlorë për fotografët më të mirë profesionalisht do të thonë për ndonjë që do të bëjë emër të lartë cilësor në këtë fushë të artit: Ky po! Ky është Skënder Beqiri i Vlorës, Çamërisë e Shqipërisë mbarë!”  Skënder Beqiri është themelues i ansamblit emërmadh “ Çamëria”, me jehonë jo vetëm në Shqipëri e Ballkan. Resmie Mane – Beqiri është bashkëshorte e denjë e mikut tim të nderuar Skënder Beqiri, kunatit të shkrimtarit të veçantë për mua, zgalemit të detit, pulëbardhës së brigjeve shqiptare të Mesdheut, të paharruarit Fadil Zeqiri. Resmie Mane – Beqiri është nëna e dy vajzave dhe një djali, që bashkë me qumështin e gjirit u mëkoi dashurinë deri në frymën e fundit për Çamërinë dhe Shqipërinë, e  Vjollcës,me shkollë të lartë, e Erenatës me të mesme dhe e Arjanit, dritës së syrit, me arsim të lartë. Ajo është mëmëzonja, klloçka që mbledh, mban e ngroh zogjtë në folenë e vjetër, në kujtim të të parëve. Ajo është gjyshemira Resmie për një mbeskës me emrin Nemsi të Erenatës, lulebehari si Çamëria, për të cilën gjyshen e gjyshin i ndez e mban gjallë malli për të bukurën e vetme të asaj dere të madhe;  përherë sofër e shtruar për miq e shqiptarë. Ajo është gjyshja me uratë për gjashtë ullinj Çamërie, për gjashtë lisa Shqipërie, për gjashtë nipërit e saj të dashur, për Gerartin e Dinon e Vjollcës, për Arnoldin e Erenatës, për “tre musketjerët” e Arjanit: Damianin, Dilanin e Bijanin.  Zonja Resmie Mane – Beqiri është  bijë nga derë e madhe e nuse në derë të madhe. Ajo është pinjolle e patriotit të madh Rasih Bej Dino, që vuri shpirtin, mendjen dhe kapitalin në shërbim të Shqipërisë. Ndoshta para nja gjashtë muajsh a më parë kam botuar në gazetën “Dielli”/ on line artikullin “Pavarësia flamurëron dhe nëpër këngët e popullit”, ku, që në fillim shprehem: “Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me fisnike si Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë”.

Kam 35 vjet që punoj me zonjën Resmie për të vjelur e regjistruar visaret e memories së saj, se mbart shpirtin e pasur të komunitetit çam dhe të fisit të madh të Dinejve, me emër që peshon rëndë jo vetëm në historinë e Çamërisë , po të gjithë Shqipërisë.  Në këtë shkrim nderimi po përcjell për lexuesin e respektuar të “Diellit” edhe një çast pune me subjektin Resmie Mane – Beqiri, një thesar i vërtetë, të cilin e ka fiksuar në celuloid mjeshtri i madh, atdhetari i shquar, miku i nderit e i lezetit, Skënder Beqiri; i cili është nderuar me çmim të parë në rang kombëtar për fotografinë artistike dhe me çmim të dytë në fotografi dokumentare në rang kontinental, në rrafshin europian. Këshilli i përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare Mbarëkombëtare “Çamëria” e ka nderuar me medaljen më të lartë që akordon “NDERI I ÇAMËRISË”. Skënder Beqiri dhe Resmie Mane – Beqiri janë një çift model me jetën e veprimtarinë e tyre familjare, qytetare e atdhetare jo vetëm në Vlorë. Zonja Resmie është mbesë e Muharrem Rushitit me histori dhe këngë. Muharrem Rushit Koska, ndër betejat e tjera për Atdhe, erdhi së bashku me Alush Take Konispolin në ballë të 300 çamëve, në krahë të vëllezërve labë, mallakastriotë, kolonjarë e skraparllinj, elbasanas e berates, korçarë e myzeqarë, kavajas e gjirokastritë, me “ dyfekët lidhur me gjalmë” për të hedhur në det Italinë, që pushtoi Vlorën e krahinat  e tjera më 1920 –ën, për të shpëtuar kombin, për të rishpallur Pavarësisnë Kombëtare Konkrete. Imazhi i zonjës Resmie Mane – Beqiri herë më shëmbëllen me portretin e Bubulinës së famshme, herë më bie dritërimin diellor të humanistes së ndritur Nermin Vlora Falaschi, emrin e së cilës fatmirësisht mban me  dinjitet biblioteka ku unë punoj…

*/ Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: Albert Habazaj, ne nderim te gjakut, per vatren

”MIKROFONI I KRISTALT” NË PESËVJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

March 30, 2013 by dgreca

PËR ATA TË CILËT MBËSHTETËN KULTURËN DHE GJUHËN SHQIPE NË MËRGIM/

Shkruan: Sokol Demaku/Suedi/

Në qytetin e textilit, në qytetin ku lindi tregtia Borås të Suedisë, në qytetin ku mërgata shqiptare ka gjetë shprehje për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe, shqiptarë, anëtar të shoqatave kulturore nga qytete të ndryshme të Suedisë, anëtarë të Shoqatës së shkrimatareve, artistëve dhe krijuesve shqiptar në Suedi, miqë suedez dhe përfaqësues të pushetit lokal të qytetit Borås këtu së bashku me miqë dhe mysafirë nga Republika e Shqiprisë u mblodhën të gëzuar për të festuar 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe pesë vjetorin e emetimit të programit të parë në shqip të Radios lokale shqipe nga qyteti Borås ”Radio dituria”. Ishte një e shtunë e bukur, një ditë pushimi ku njerëzit përqafoheshin dhe takoheshin duke i uruar njeri tjetrit: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës e një urim madhor edhe drejtuesve të radios lokale ne shqip Radio dituria që të krijojnë dhe sajojnë edhe më progarme edhe më të mira!

Në hyrje të sallës iu uronin mirëseardhjen pjesëmarrësve, Hakif Jashari, kryetar i QKSH Migjeni në Borås, Bahtir Latifi udhëheqës i Radio diturisë në Borås, Sokol Demaku botues i revistës kulturore ”Dituria”në ketë qytet. Ushpreh mendimi dhe idea se ndoshta qe nga qershor do fillohet nga puna edhe me një Kanal TV në Gjuhën shqipe nga ana e QKSH ”Migjeni” këtu në Borås.

Mbledhja solemne u mbajt në lokalet e Studiefrämjande në Borås, ku me këtë rast për të prnaishmit fjalë rasti për pavarësinë e Republikës së Kosovësmbajti veterani i mërgatës shiqptare në Suedi Sadulla Zendeli Daja, ndërsa për rrjedhen dhe zhvillimin e Radio Diturisë, fjalë rasti mbajti Bahtir Latifi.

Hakif Jashari i njoftoi të pranishmit me punën dhe veprimtarin e shoqatës kulturoren e këtë qytet Qendrës Kulturore Shqiptare Migjeni, e cila është një ndër shoqtatat më aktivi në mbretërinë suedeze.

Në këtë manifestim madhor për mërgatën shqiptare në Suedi Kryetari i shoqatës së shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptar në Suedi, Hysen Ibrahimi shpalosi para të pranishmëve punën e kësaj shoqate brenda vitit të kaluar, dhe në këtë manifestim anëtar të kësaj shoqata prenzentuan tetë tituj të ri libra autor anëtar të kësaj shoqate si:

1. “Urti poetike” autor Ismet Hasani,

2. ”Kujtime nga diapsora III” autor Sokol Demaku,

3.”Fjalor ne kater gjuhe” bashk-autor Sadulla Zendeli-Daja,

4. ” Dritë ngrohtësi optimizëm” autor Fetah Bahtiri,

5.”Poezia bashkekohore shqipe” autor Remzi Basha,

6.”FENIKSI SHQIPTAR” autor Shefki Ollomani,

7.”Te mësojme se bashku” (libër shkollor) autor Hamdi Arifi,

8.”ME QENË A MOS ME QENË, Memoristikë, autor Zenel Peposhi

Në këtë manifestim kulturor ishin të panishëm edhe mysafirë nga Republika e Shqipërisë si Petrit Xhaja, drejtor  shkolle në Tiranë si dhe shkrimtari I mirenjohur  Viron Kona, i cili kësaj radhe kishte ardhur me librin e tij më të ri kushtuar shqiptarëve në megrim në Suedi dhe qyteti ku ai ishte mysafirë, pra qytetit të textilit Borås. Librin me tregime me motive suedeze, të titulluar Zonja nga Boråsi, libër i cili është një perjetim i autorit gjatë qendrimit të tij në Borås një vit më pare, mbresat dhe përshtyåjet e tiju nga takimet me bashkëkomas, me vendas suedez si dhe udheheqes local të këtij qyteti.

E autori i librit Viron Kona më këtë rast thotë:

Kushtim/

Këtë libër ia kushtoj komunës Borås, Suedi, si shprehje respekti për arritjet dhe sukseset në shërbim të mirëqenies së banorëve të Borås dhe si falënderim për përkushtimin dhe mbështetjen e madhe që kjo komunë i jep komunitetit të shqiptarëve, ardhur veçanërisht nga Kosova, por dhe nga vende të tjera e që sot janë qytetarë të nderuar e të respektuar të Suedisë.

Me mirënjohje të thellë,

Viron Kona

Tiranë, më 30 mars 2013

Më këtë rast Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni në Borås, respektivisht Kryetari i Krysisë së saj, dy vperimtarëve më të dalluar, anëtar të Shoqatës së shkrimtarve ne Suedi, punëtor të palodhur të arsimit ketu, veprimtar të devotshëm të qeshtjes kombëtare, Sadulla Zendeli –Daja dhe Fetah Bahtirit , u ndau Mirënjohje, Për kontributin e dhënë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës,  kulturës dhe traditës Shqipe në Suedi.

Kryesia e QKSH Migjeni në Borås, në mbledhjen e vet mbajtur me kete rast kishte propozua që Kryetarit të Bashkësisë së qytetit Borås ti dhurohet një Kristal nga nëntola e Republikës së Kosovës, symbol I cili pati ndikim në qendrat e vendosjes për fatine shqipatrëve në kohë shumë të vështira. Ky symbol I nëntokës së Kosovës, Kristal nga Kosova sot gjendet në zyrat  e vendosjes në metropolet botërore si në Vashington, Londër, Berlin e  Parisë e nga sot ky symbol do jetë prezent  edhe në qytetin e  textilit në qytetin ku shqiptarët frymojnë shqip në Borås të Suedisë.

Bahtir Latifi anëtar I krysisë së QKSH I dhuroi Per Olof Höög këtë dhuratë që do jetë symbol i miradie dhe respekti.

Për nderë të pesë vjetorit të Shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe emetimit të programit të parë në shqip nga studio në Borås, Redaksia e radios lokale në shqip, ”Radio dituria” këtue  pesë vite më parë, redaksia e kësaj radjoje ishte kujdesur që ata të cilët kanë ndihmue, janë duke ndihmua dhe përkrahin  këtë  burim të pashtershëm infomimi për kulturën, gjuhën dhe  traditën tonë në mërgim, ti shpërblejë , e kësaj radhe Redaksia e radjos u ndau ”Mikrofonin e  Kristalt”:

Poetit, leksikografit, atdhetarit, Sadula Zendeli – Daja, Borås stad (Qytetit Borås), Radio Sjuhärad, Borås, Studiefrämjandet, Borås, Hysen Ibrahimi, Kryetar i SHSHAKSHS, Fetah Bahtiri, mësues, poet dhe publicist, Bahtir Latif, udheheqë progarmi në Radio dituria, Hakif Jashari, Kryetar i QKSH ”Migjeni”, Borås, Fjärdingskolan, Borås, Viron Kona, shkrimtar nga Tirana, Saranda Iseni, Malmö; Radio Bullgaria-redaksia shqip, Kadrije Meniqi, poete nga Kosova, Osman Ahmetxhekaj, aktivist, Petrit Xhaja, drejtor shkolle, Tiranë, Avni Ismaili, Kryetar i QK”Dardania” Skene, Boråsnärradioförening në Borås, Ahmet Jashari anëtar i krysise se QKSH Migjeni Borås.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mikrofoni i kristalte, pese vjetori, Sokol Demaku

DANAJ: Të mos votosh Rezolutën Çame, do të thotë të ringjallësh Napoleon Zervën

March 30, 2013 by dgreca

Kur ka mbetur edhe një muaj e gjysmë nga shpërndarja e Parlamentit, shtohen thirrjet në adresë së politikës shqiptare, për të votuar Rezolutën Çame. Bllokimi i Rezolutës Çame, që njeh të drejtat e popullit çam dhe masakrës greke mbi shqiptarët e Çamërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, është denoncuar edhe nga kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj. Danaj ka shprehur domosdoshmërinë e miratimit të Rezolutës për Çamërinë nga Parlamenti i Shqipërisë. Duke i bërë thirrje PD dhe PS për të votuar këtë projekt të rëndësishëm, Danaj u shpreh se mosvotimi i rezolutës, do të thotë të ringjallësh Napoleon Zervën. “Të mos miratosh sot Rezolutën, Çame do të thotë të ringjallësh Napeolon Zervën. Është rezolutë, nuk është asgjë më shumë, domethënë thjesht tregon dinjitet. Në radhë të parë për ne Çamëria është çështje territori, nuk është çështje pronash, pronat janë të individëve, territori është i shqiptarëve, është pjesë e kombit shqiptar”, theksoi Danaj.

Argumentet

Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale ka renditur një sërë argumentesh pse duhet të votohet Rezoluta Çame. Ai e ka cilësuar absurditet mosbotimin e rezolutës. “E para më duket absurd, më duket një gjë e çuditshme që ende nuk është votuar. Kam filluar të kujtoj rezolutën e 2004-ës, para 9 vjetëve dhe asokohe kur ajo rezolutë u ndërrua në momentin e fundit, u hoq nga rendi i ditës, unë botova një shkrim me titull të cilin përsëri nuk ka ndërmend ta rishkruaj nga e para, por do ta botoj si atëherë në qoftë se nuk do të miratohet. Titulli ishte:“Deputetët shqiptarë në gjunjë para Napoleon Zervës”. Të mos miratosh sot rezolutën çame do të thotë të ringjallësh Napeolon Zervën. Kaq pak dinjitet çdo deputet duhet ta ketë, edhe nga ata që do jenë prap në parlamentin e ardhshëm edhe nga ata që nuk do jenë, them se duhet të ngrenë dorën ta votojmë që të gjithë, madje duke përfshirë këtu edhe deputetë që nuk janë me kombësi shqiptare”, tha Danaj. Si ekspert i Shqipërisë Natyrale, ai shprehet se si fillim Çamëria duhet të shpallet zonë e lire, zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi sipas tij Çamëria është çështje territori. “Fillimisht, si fillim jo si fund, Çamëria të shpallet zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Çdo të thotë zonë e lirë? Domethënë që të mos ketë kufij, që të gjithë shqiptarët e dëbuar me genocid nga trojet e tyre të hyjnë dhe të dalin në trojet e tyre. Çështja e pronave është çështje individuale e çdo shqiptari. Në radhë të parë për ne Çamëria është çështje territori, nuk është çështje pronash, pronat janë të individëve, territori është i shqiptarëve, është pjesë e kombit shqiptar. Të eleminohet absurdi i sotëm që vetëm se ke lindjen, vendlindjen në një qytet të Çamërisë, në Margëlliç, në Filat, në Paramithi, në Artë, në Prevezë dhe nuk të lejohet të futesh brenda”, shprehet Danaj.

Ja kush e mbështeti Rezolutën Çame në 2004

Në vitin 2005, komuniteti çam nuk përfaqësohej me deputetë në Kuvend. Megjithatë, Shoqata e Çamëria, e krijuar fill pa rrëzimit të regjimit komunist, hartoi Rezolutën për Çështjen Çame dhe, me anë të disa deputetëve arriti ta fusë rezolutën në procedurë parlamentare. Një nga mbështetësit më të zjarrtë të Rezolutës Çame ka qenë kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia. Asokohe Spahia ishte deputet, kryetar i grupit parlamentar të PLL si dhe anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme. Spahia ka mbështetur rezolutën si në Komisionin e Jashtëm ashtu edhe në seancë. Po ashtu në krah të rezolutës janë pozicionuar edhe katër deputetë të PLL. Rezoluta është mbështetur edhe nga tre deputetë të Ballit Kombëtar përkatësisht nga Shpëtim Rroqi, Uran Metko dhe Alfred Çako. Një nga protagonistët, Ekrem Spahia, deklaron se edhe ish-deputeti socialist, Ilir Zela e ka mbështetur Rezolutën Çame. Asokohe Ilir Zela ishte kryetar i Komisionit të Jashtëm dhe kishte shprehur qëndrimin pro, por gjithçka u përmbys pas ndërhyrjes së Nanos në momentet e fundit. Spahia deklaron se Nano ndodhej rastësisht në Greqi.

Danaj: Kufiri Shqipëri-Greqi, deri në Prevezë

Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, i ka kujtuar grekëve se kufiri Shqipëri-Greqi shtrihet deri në Prevezë. Ai është shprehur se grekët nuk e njohin mirë historinë, dhe për këtë duhet të hapin dokumentet për të vërtetuar se të parët e tyre kanë qenë dakord që kufiri të jetë i përcaktuar deri në Prevezë. “Do të vija koha kur Shqipëria dhe Greqia të ulen në bisedime dhe të hedhin të gjitha dokumentet, ku do të vërtetohet se që në kohën para se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë më 1912, është rënë dakord me grekët që kufiri ynë të ishte deri në Prevezë, madje dhe do të vërtetohet se këto politikanë grekë që janë sot nuk e njohin mirë historinë e tyre. Qysh në kohën para se Ismail Qemali ta shpallte pavarësinë në bisedimet që ka bërë me Greqinë, grekët e atëhershëm ishin dakord që kufiri i Shqipërisë të ishte deri në Prevezë. Por ashtu edhe që në kohën e Abdyl Frashërit, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në bisedimet që ka bërë me Greqinë, politikanët grekë të asokohe ishin dakord që kufiri shqiptar të ishte deri në Prevezë. Problem, mospërputhja ishte vetëm për Janinën. Atëherë, kur t’i hapim të gjitha këto dokumente, kur të ulemi në tavolinë do shikojmë që të gjitha faktet, të gjitha të drejtat janë në anën tonë dhe në raste të tilla dhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka çfarë bën”, shpjegon Danaj.

Ligji i Luftës, Danaj: Shqipëria dhe Greqia jo të dyja në NATO

Politologu Koço Danaj ka deklaruar se Shqipëria dhe Greqia nuk mund të jenë të dyja në NATO, pasi janë në gjendje lufte. “Unë do të bëja vetëm një gjë në qoftë se do të isha në Parlament apo do të isha në qeveri; do t’i kërkoja Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, që të vinte urgjent në Shqipëri dhe të zgjidhte këtë konflikt kaq të madh. Dy janë mundësitë, o ne në NATO, o Greqia në NATO, të dy në NATO nuk mund të jemi se jemi në gjendje lufte!”, u shpreh Danaj. Ai e cilësoi një absurd pasi dy vende anëtare të NATO-s nuk mund të jenë në gjendje lufte. “Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, Greqia po ashtu. Si ka mundësi që dy vende anëtare të NATO-s të jenë në gjendje lufte?! A e di shtabi NATO-s në Bruksel një gjë të tillë? Sigurisht e di, por nuk bën zë sepse nuk e ngrenë politikanët shqiptare. Atëherë problemi i parë që duhet ngritur, problemi i parë që duhet shtruar, problemi i parë që opinioni publik duhet ta shtrojë si absurd është ky: si mund të jemi ne edhe në NATO edhe në gjendje lufte me Greqinë?! Do të thotë dikush: po është formal. Atëherë në qoftë se është formal pse nuk hiqet? Po nuk është formal sepse lidhet edhe me çështjen e territoreve shqiptare të Çamërisë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Danaj, Napolon Zerva, rezoluta came

Përfundon qetë protesta në Mitrovicë

March 30, 2013 by dgreca

Albin Kurti: “Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”/

Ka përfunduar në mënyrë të qetë protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila nisi nga ora 13 në në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Mitrovicë njofton se në protestën e sotme kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, të cilët i janë bashkuar thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje, për të protestuar kundër, siç kanë thënë ata, “padrejtësive që po ndodhin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Masës së qyetarëve të mbledhur në sheshin “Mehë Uka”, i është drejtuar Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe vetë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili duke kërkuar reziprocitet në bisedime, ka paraljmëruar protesta të reja në rast se ndodh ndryshe.
“Duhet të ketë reciprocitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse më shumë ka shqiptarë në Serbi, se sa që ka serbë në Kosovë. Nëse do të ketë marrëveshje më 2 prill, ne do të demonstrojmë në Prishtinë kundër tradhtisë së Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Protesta e sotme mbahej nën moton “Bashkohemi në Mitrovicë”, dhe u zhvillua vetëm tri ditë para takimit të ardhshëm të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun serb, Ivica Daçiq.

 Albin Kurti: “Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”

Albin Kurti, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka kritikuar bisedimet në mes të dy kryeministrave, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të cilat po zhvillohen në Bruksel. Ai tha se Plani Ahtisaari është i dëmshëm, pasi që ndan Mitrovicën në dy pjesë.

“Mitrovica nuk mund të ndahet në dy pjesë. Është një qytet që duhet të bashkohet”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për autostrada, por për fabrika, që do të punësonin popullatën e do të dilnim nga varfëria e skajshme.

“Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.
*****

Ahmeti: “Pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, duke iu drejtuar masës së tubuar, tha se “pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”.

Teksa Ahmeti po fliste, turma brohoriste “Jo pazare me Veri”, “Hashim Hajni”, e thirrje tjera të ngjashme.

Ai tha se Mitrovica ka qenë këtu tash e 14 vjet në këtë gjendje, dhe atij iu kujtua ky vend vetëm një ditë para protestës sonë.

Protestuesve ende nuk u është drejtuar askush me ndonjë fjalim. E tëra që po degjohet janë parullat e protestuesve. “Jo Kosovë dhe veri, bashkim me Shqipëri”, “Jo negociata Vetëvendosje”.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Protesta ne Mitrovice, Shpend Ahmeti

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve

March 30, 2013 by dgreca

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, lidhur me jetën e Krishtit, nuk ka asnjë lajm për ne. E ndoqëm me mend Mësuesin e munduar, përmes Ungjillit, në Betani, në Tempull, në Çenakull, në Kopshtin e Ullinjve, në shtëpinë e kryepriftit, në prokurorinë e Pilatit, në Udhën e dhimbshme, mbi Kalvar. Dëgjuam fjalët e dashurisë, që u ngritën mbi fjalët e urrejtjes, të përsëritura pambarimisht në historinë e njeriut e pambarimisht të kota. Kotësi e kotësive! E pamë kur vdiq, kur e ulën nga druri ku e kishin mbërthyer pa kurrfarë mëshire, kur e lyen me vajra erëmira, e mbartën në rrugëzat e një ullishteje, e mbyllën në varr. Dëgjuam zhurmën rrënqethëse të gurit, që rrokullisej për të mbyllur grykën e varrit. Si zhurma e gozhdëve mbi arkivolet, që mbyllin trupat pa jetë të të dashurve tanë. Mbaroi! E s’dimë asgjë më. Armiqtë ngadhënjimtarë kthehen në shtëpitë e tyre tejet të kënaqur. Edhe për ta gjithçka u krye: nuk do ta kenë më nëpër këmbë kundërshtarin e padëshirueshëm. E zhdukën përgjithmonë, pa frikë kthimi. Nuk do t’ua vrasë më sytë rrugëve të Palestinës, as do t’i dëgjojnë më anatemat e tij të tmerrshme. E kujtojnë mirë. Nuk besojnë se do të kthehet më por, për të davaritur dyshimin e fundmë, vënë roje për ta mbikëqyrur varrin. Nuk harrojnë të vënë edhe vulat e tyre. Sigurohen kështu se askush nuk do të mund të vërë dorë mbi këtë varr, që e dëshironin aq shumë e që i trembeshin edhe më shumë. As dishepujt e interesuar për trupin e tij e as rojet, që mund të bliheshin lehtë, si Juda. S’ mendojnë fare për gjithëpushtetin e Hyjit! E shkojnë të kremtojnë Pashkët e tyre, tashmë pa pikë kuptimi, të sigurtë se Hyji është me ta.
Po nxënësit, ku janë? Ungjilli, në këtë orë ngushtice, përmend tre emra, me fat krejt të ndryshëm: Judën, tradhtarin, që shkon e varë veten, sepse nuk është në gjendje ta shndërrojë brerjen shkatërrimtare të ndërgjegjes në shpresë përtëritëse; Pjetrin, që e mohoi Mësuesin, por që, i penduar thellë nga vështrimi i tij, nuk pushon s’e lari mëkatin e vet me lot të hidhur; Gjonin, që ngjitet në Kalvar e merr nën kujdes, plot dashuri, Nënën.
Të tjerët ia kanë mbathur. Por gjithsesi, edhe ata kanë shkuar të shikojnë ç’do të ngjasë. Pavarësisht nga ligështia, fati i Nazarenit ishte tepër i lidhur me fatin e tyre. Edhe ata ishin në Udhën e Kryqit, të ngatërruar mes turmës, për t’u ruajtur nga rreziqet. E panë edhe ata, deri në fund të fundit, e shkuan, me zemër të plasur e shpresa të copëtuara. Nuk i kujtojnë më profecitë e Mjeshtrit, që janë avulluar nga mendja e tyre, e paaftë për të depërtuar në të mbinatyrshmen. Për ta, ashtu si për armiqtë, ndonëse në një mënyrë tjetër, gjithçka ka marrë fund. Vdekja nuk lejon epilogë.
Mbyllen në shtëpinë mike, që i ka strehuar herën e fundit së bashku me Jezusin. Juda ka vdekur. Nuk do t’i spiunojë askush. Mund ta konsiderojnë veten të sigurtë, në se nuk do të bien në sy. Pastaj, si të ketë kaluar tronditja e thellë, do të kthehen në shtëpitë e tyre, larg rreziqeve, në Galile, për të rifilluar jetën e tyre të paemër, të pashpresë, në të cilën nuk pritet më asgjë e jashtëzakonshme.
Përveç dishepujve, ka edhe të tjerë, që interesohen për Jezusin: Nikodemi e Jozefi i Arimatesë, të cilët i përkasin shoqërisë së kamur të Jeruzalemit, madje vetë Sinedrit, që e dënoi Jezusin. Jetuan në hije, nuk i miratuan metodat e kolegëve, madje edhe protestuan, gjithnjë me druajtje, pa rënë shumë në sy. Por tani që ai vdiq, nuk kanë ç’të humbasin më e dalin haptazi, pa kurrfarë droje. I bëjnë nderimet e fundit e pastaj edhe ata shkojnë në punë të vet, sepse edhe për ta gjithçka ka marrë fund. Vetëm grupi i vogël i grave nuk dorëzohet. As ato nuk e mendojnë ringjalljen. Por kanë një dashuri që s’njeh mort e presin t’u krijohet mundësia për ta shprehur edhe një herë mbi kufomën e njeriut të dashur. Edhe ato kthehen në shtëpi; edhe për ato gjithçka ka marrë fund. E megjithatë, janë gjithë sy e veshë, në një pritje, për të cilën u jep të drejtë dashuria.
Thua shkuan në shtëpinë e asaj që, e vetme pret ende, me bindje se mund të ndodhë gjithçka?
Nëna është pritur me krahë hapur në shtëpinë e Gjonit, birit të ri që ia dha Krishti mbi Kryq. E Gjoni bën çmos të gjejë mënyra për të zëvendësuar Birin e pazëvendësueshëm, të vetmin, Birin e Hyjit.
Askush nuk merr guxim t’i thotë një fjalë Marisë, e as ajo s’e kërkon. Shpirti i saj nuk është i vetmuar. Rri në pritje të zbulesës së re, duke kaluar nëpër mend çaste të tjera pritjeje, shprese, që nga çasti i parë, kur e lajmëroi Engjëlli, tek ditët e amësisë së saj të pazakontë, tek hapat e para të Jezusit, fakte që i meditonte e i ruante në fshehtësinë e zemrës së saj, ashtu si ruante në arkë petkat e birit misterioz, që dukej sikur e mohonte, që e priste, pastaj, në majën e kodrës e i besonte misionin e një amësie të re, për Gjonin, për njerëzimin e shëlbuar, për të gjithë ne.
E ne, bandë tekanjoze, e lënë nën kujdesin tënd, duam të rrimë me ty, Nënë, për ta jetuar me ty këtë natë, plot me fe, shpresë e dashuri. Nata jonë shpesh është e ngarkuar me dëshpërim. Edhe ne, si dishepujt, nuk shikojmë asgjë përtej pragut të vdekjes. Krishti e kapërceu këtë prag, e ne nuk e pamë duke u rikthyer. Besojmë se u rikthye plot lavdi, por nganjëherë besimi ynë lodhet. Shikojmë sesi miqtë, vëllezërit, ata që duam, shkojnë edhe ata, kapërcejnë pragun pa kthim e e dimë se do të kemi të njëjtin fat. Pritja është plot ankth, dridhemi nga errësira e përtej pragut, nga e panjohura.
Pranoi, o Nënë, lutjet e zemrave të trazuara, e na shoqëro në vetminë e vdekjes sonë, të pritjes së ftohtësisë së varrit. Lutu për ne, Nënë e Hyjit, tani e në orën e mbramë. Na e ndriço errësirën e mendjes me dritën e fesë sate; ngrohe ftohtësinë tonë për të vërtetat qiellore me zjarrin e dashurisë sate; tërhiqe zemrën tonë, të habitur pas fantazmave të jetës që kalon, që të presë plot shpresë të mbinatyrshme ngjalljen e Krishtit Shëlbues.

E Shtuna e Madhe: ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve

E Shtuna e Madhe: ‘Exultet’ – ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve
O natë, më e ndritshme se dita.
Natë në të cilën dashuria
del nga terri.
Natë që çliron
Jezusin nga varri.
Natë më e bardhë se dëbora,
më e ndritshme se drita e qirinjve,
më e kthjelltë se dita.

Nata më e ëmbël e qiellit.
Nata-roje e korpit të Krishtit,
natë kur Fryma e Zotit
tokën përshkon.
Natë që mbushet me yje,
natë e fitores,
që vdekjen e mund.
Më e ëmbla natë e qiellit.

Nata më e pasur me paqe.
Natë që fiton mbi botën e errët.
Natë e hirit që ndrit si lumnia.
Natë që josh historinë,
zemrën e përlyer që e kullon.
Nata më e pasur me paqe.

O natë, më e fortë se koha.
Natë e të Gjallit mbi univers.
Natë e fjalës
që mbush çdo heshtim.
Natë në të cilën Kisha
del në dritë.
Natë e ujit të gjallë,
pas ngricave dimërore.
O natë, ti më e fortë se koha”.
Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishterët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten:
“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!
Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.

Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.

Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë të një jete të re.
“Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë,
kemi nevojë për ty, o Zot i Ngjallur!
Rri me ne deri në fund të kohëve.
Bëj që progresi material i popujve
të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore
që janë shpirti i qytetërimeve të tyre.
Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë.
Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë,sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.
(Kortezi Radio Vatikani)

Filed Under: Kulture Tagged With: Dita e shtjnes, e te shenjte te Pashkeve, Radio Vatikani, se Madhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5521
  • 5522
  • 5523
  • 5524
  • 5525
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT