• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA LINDORE NË VORBULLËN E KRIZËS BALLKANIKE

March 29, 2013 by dgreca

Shkruan: Reshat AVDIU /

 Prania dhe vazhdushemëria e pushtetit represiv serb në Luginë të Preshevës, ka arritur në një moment tepër të tensionuar me tendencë të acarimit të mëtutjeshëm të sitautës politke dhe të krizësë së theksuar ekonomike në këtë rajon tejet të varfër shqiptar dhe më gjërë. Edhe fuqitë e mëdha botërore që sot gjithkund nëpër rajone ndezin vatra të tensionuara, pastaj kur flaka e këtyre luftërave merr përmasa të mëdha, po të njejtat fuqi botërore tentojnë që zjarrin t’a shuajnë me një të sjellur nga një tantan i madh dhe gjithçka t’a shndërrojnë në fluskë sapuni. Kur ne shqiptarët e Luginës së Preshevës u vetëdijësuam për të drejtat tona legjitime, edhe neve këto flluska sapuni na u servuan dinakërisht, me marrveshjen e Konçulit. Ku do t’a ndalnin për një moment të caktuar luftën e drejtë dhe të pakompromis të UÇPMB, për t’i dhënë shansë kinse zgjidhjes paqësore në këtë pjesë të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, e cila një shekull e më tepër është nën kolonializmin dhe hegjemonizmin serbo-sllavë të Karpateve të Rusisë.

Qysh në fillim të bisedimeve në Konçul, thelbi i tezës  ishte më se i qartë, tentohej të krijohet përshtypja e rreme, se shqiptarët nga Lugina e Preshevës, mund të fitojnë diçka  pas kësaj marrëveshje. Serbia, nga ai moment përsëri filloi t’a mbrehë thikën në farkë që nga mëngjezi gjerë në darkë. Për t’na eliminuar tash, kësaj rradhe përfundimisht si qenie biologjike, neve shqiptarëve nga trojet tona etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore si në; Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Popull i Luginës së Preshevës!

Armiqët, dhe disa servilë tanë partiak, po tentojnë sot t’i godasin dy lepuj me të njejtin guri: Krijohet një etnitet serb në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër Lugina e Preshevës, mbetet e kolonizuar, gjë e garantuar përmes pranisë së ushtrisë dhe xhandarmerisë serbe këtu tek ne. Pastaj krijohet, krejtësisht përshtypja tjetër e rreme në popull – e barazimit, të një pjese të Kosovës, tokë shqiptare, me Luginën e Preshevës, kinse tjetër tokë shqiptare, për t’i realizuar premisat e asaj që në fakt Beogradi e dëshiron sipas logjikës së tij aneksioniste – shoveniste. Ky është një pazar i fëlliqur për shkëputjen e një pjese bukur të madhe të Kosovës në këmbim me Luginën e Preshevës. E kjo është e papranueshme, për popullin tonë të Kosovës Lindore dhe bijtë e saj liridashës të ish’UÇPMB’së, dhe veprimtarëve tjerë të çështjes sonë të madhe, e së bërit Shqipërinë – Shqipëri. Dhe se këtë nuk do të lejomë dhe s’pajtohemi kurra-kurrës, që as edhe një pëllëmbë tokë shqiptare të këmbehet as të mbetet nën pushtimin e kolonializmit serb dhe sllavomaqedonas.

Zotrinjë kolaboracinist të Beogradit!

Popullatën autoktone të kësaj ane të Shqipërsë së Vjetër Verilindore, e keni sjellë me thikë në fyt, tash së fundi me formimin e ashtuquajtur “Këshill Nacinal të Shqiptarëve” neve nuk na ka mbetur gjë tjetër, vetëm t’a përsërisim dhe t’a raelizojmë në praktikë atë apotheozën e Rilindasëve tanë mbi robërimin dhe gllabërimin e tokave të Mëmëdheut tonë e cila thoshte:

“Jo për besë nuk duam azgjë nuk, vetëm se armë edhe ca bukë.”

     Shqiptarët duhet sot me të drejtë t’a ngrisin problematikën në instanca më të larta ndërkombëtare, rreth çështjes së pronave tona të patjetërsueshme në Shqipërinë e Vjetër Verilindore të Nishit, Toplicës dhe Qarkut të Vrajës. Se ato troje tona stërgjyshore gjer më sot nga askush as nuk u blenë dhe as nuk u shitën por vetëm se u suprimuan me dhunë dhe terror, gjatë viteve 1877 – 1878, nga pushteti atëbotë i Millan Obrenoviqit, i cili e parapëlqente shtetin e tij një nacional serb, dhe do të propozonte atëbotë: “Sa më pak që të ketë shqiptar  në mesin tonë, aq më e madhe do të jetë merita për atdhe dhe sa më shumë shqiptarë që të shpërngulni, aq më i madh do të jetë suksesi për Serbi”. E njëjta praktikë do të vazhdonte edhe gjatë viteve 1912-1941, atëbotë një kryeçetnik shkruante: ”Do të isha shumë i lumtur, kur Kosta Peçanci do të na japë urdhër neve serbo-çetnikëve të tij, dhe se lumejtë e Kosëvës si: Llapi, Sitnica, Ibri dhe Drini do të bartin dy muaj koka të shqiptarëve, dhe se në Kosovë nuk do të mbetet, asnjë plisë për fare. Pastaj do t’i ndërtojmë kampet e pëqëndrimit, për shqiptarët se ata të gjithë janë kriminel…” – shkruhej më 1945, për shfarosjen dhe eliminimin e qenies biolgjike të shqiptarëve.

Ndërsa në planin e Millosheviqit dhe klikës së tij morbide gjatë viteve 1989-1999, për shfarosjen e popullatës shqiptare thuhej:

a) Në Kosovë toka e djegur duhet, t’i përfshijë të gjitha anët e saj.

   b) Tymi i vatrave shqiptare të dëshmojë, se ato vise janë fikur përgjithmonë.

   c) Kufomat e karbonizuar të shqiptarëve dhe shtëpitë e bëra shkrumb e hi të shkaktojnë trishtim vdekjeprurës.

   ç) Botës t’i themi: Po i vrasim shqiptarët, se po na detyrojnë.

   d) Toka e Shën Savës duhet të hakmeret, shqiptarët i pastron vetëm se thika.

Tash së fundi një praktikë e njejtë na u përsërit, edhe nga pasaardhsit e tij, Tomisllav Nikoliqit (Toma Grobarit) e Ivica Daçiqit në Luginë të Preshevës, duke e eliminuar lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së dhe arrestuar ish-ushtarët e UÇPMB’së, pastaj prania e ushtrisë dhe xhandermërisë serbe dëshmon se qeveria e Beogradit pas protestave gjithpopullore në Luginë të Preshevës, nuk është ndërgjegjësuar aspak, që t’i rrespektojë shqiptarët, se ajo ende punon me metodat e vjetra mitomane dhe piromane. Pastaj  ushtria serbe e ka ndërtuar para shumë kohe një bazë ushtarake prej 1000 shtretërve në Borovc të Bujanocit, dhe sipas Agjensisë së Lajmeve TANJ’ug, tanket T-80, janë dërguar me kohë në Rusi për t’u sofistikuar. Këtë e pati dëshmur edhe Nebojsha Çoviqi, kur pati deklaruar se prania e forcave policoro-ushtarake është që të  mbrohet popullata serbe nga pjesa e Anamoravës.

Taktika e SANA’ës serbe është si zakonisht “pushto, mashtro, asimilo e sërish pushto” nga Beogradi tani krejtësisht është e qartë! Por edhe më i qartë është prononcimi i ish-presidentit Boris Tadiqit dhe klikës së tij shoveniste, se edhe pas opinionit të drejtë të GJND’së, kërkoi bisedime të reja rreth statusit të zgjidhur të Kosovës. Gjer më tani për ç’far u bë realitet nga kryeministri i Kosovës H. Thaçi dhe atij serb I. Daçiq me ndërmjetësuesen evropiane baroneshën C. Ashton. Kërkojmë urgjentisht nga faktori i jashtëm dhe ai i mbrendshëm, që kësaj situate kolonialiste serbe t’i jepet fund në Luginë të Preshevës, se neve shqiptarëve po na kërcnohet ardhmëria jonë etnike, ne mund t’a pësojmë keq, në të njejtën mënyrë si vëllezërit tanë muhaxhirë, të cilët u zhvendosën barbarisht, nga ushtria piromane dhe vrastare serbe nga trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore si nga:

   – Toplica,

   – Nishi,

   – Piroti,

   – Negotini,

   – Zajçari,

   – Prokupja,

   – Kurshumlia,

   – Leskoci,

   – Vraja… etj.

Ne, shqiptarët e Luginës së Preshevës, për fatin tonë të hidhur nën kolonializmin dhe hegjemonizmin serb, kemi vendosur vet me referendum gjithëpopullor më 1 dhe 2 mars 1992, dhe për ta vulosur më pastaj këtë plebiashit gjithë popullor me gjakun e derdhur të bijve tanë dëshmor të UÇPMB’së në të tria komunat tona shqiptare të Shqipërisë së Vjetër Verilindore si në: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. E jo sot disa të vetshpallur përfaqësues partiak të sojit dhe të sorollapit – millosheviqian e çubrilloviçijan që manipulojnë me fatin tragjik dhe dramatik të kësaj popullate të përvuajtur shqiptare në tria komunat tona shqiptare. Në fund sa herë që të tjerët kanë vendosur për fatin tonë, ne shqiptarët gjithmonë e kemi pësuar shumë keq dhe është dashur që të derdheshin pastaj lumej gjaku për të drejtat tona legjitime, edhe atë gjatë tërë historisë sonë të lavdishme, këtë jo që po e them unë si një ish i burgosur i ndëgjegjës shqiptare, por për këtë flet një det i tërë argumentesh dhe faktesh të pakontestueshme historiko diplomatike.

* Autori është  ish i burgosur politik dhe aktualisht kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve të Preshevës”

Filed Under: Opinion Tagged With: Koosva Lindore, Reshat Avdiu

Diaspora Shqiptare për Maqedoninë së shpejti me lëvizje kundër politikës diskriminuese të shqiptarëve

March 29, 2013 by dgreca

Ata kërkojnë aktivizim më të madh kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve, mungesës së demokracisë si dhe aktivizim të ndërgjegjes politike/

Nga Elida Zylbeari/

Aktivizohet më fuqishëm Diaspora Shqiptare për Maqedoninë (DSHM) për të mbrojtur interesat shqiptare në shtet. Sot para gazetarëve ata prezantuan projektin e tyre të ardhshëm “Maqedonia, opsioni shqiptar” që nënkupton ringjallje të shoqërisë shqiptare për të treguar kërkesat reale të tyre në Maqedoni. Ata kërkojnë aktivizim më të madh kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve, mungesës së demokracisë si dhe aktivizim të ndërgjegjes politike dhe demokratike për një aktivizëm qytetar kolektiv të vendosur i cili do të demaskojë politikat anti-shqiptare.

“Duke konstatuar se jeta politike shqiptare në Maqedoni ka degjeneruar në një udhëkryq që ka komprometuar dhe diskredituar keqas aktorët e politikës dhe të demokracisë në shoqërinë shqiptare. Duke konstatuar se ky degjenerim politik është bërë gati “normë” e sjelljeve politike të aktorëve të politikës dhe mënyrë e ardhjes dhe mbetjes së tyre në pushtet dhe faktin që shqiptarët janë në krizë politike, këshilli drejtues i Diasporës shqiptare për Maqedoni vendosi për të vënë në lëvizje platformën qytetare “Maqedonia, opsion shqiptar” i cili paraqitet si projekt i shoqërisë civile për një mobilizim të ri politik dhe demokratik të shqiptarëve në Maqedoni” ,tha mes tjerash kryetari DSHM-së, Xhevat Sherifi.

Koordinatori i projektit është kryetari i Organizatës së veteranëve të luftës në Maqedoni, Besim Hoda. Ai tha se aktivistët e DSHM-së në periudhën që vjen do të flasin me të gjithë aktorët e shoqërisë civile duke mos lënë anash as përfaqësuesit politik.

“Do të konsultohemi me të gjithë, do të zhvillojmë biseda me sektorin civil dhe do të mbledhim mendime për kërkesat reale të shqiptarëve në Maqedoni dhe mënyrën si ata duhet të prezantohen në këtë shtet i cili8 është i tyre por që nuk i përfill. Do të bëjmë një platformën të përbashkët me këto kërkesa dhe do tua prezantojmë partive politike, nëse ata nuk pajtohen me kërkesat tona të cilat në rend të parë do ta mbrojnë interesin shqiptar, ne do ta demaskojmë politikën e tyre dhe do të ndërmarrim masa të tjera ” tha Hoda.

*DSHM është organizatë ndërkombëtare joqeveritare e shoqërisë civile në diasporën shqiptare në Amerikë , Kanada dhe Evropë formuar në vitin 2012 në Chicago të Amerikës. /PortAlb

Filed Under: Opinion Tagged With: diaspora shqiptare, Elida Zyberi, kunder politikes diskreminuse

LUGINA E VJOSES ATY KU U KRYE DYLUFTIMI I FILIPIT V ME ROMAKËT

March 29, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA*/

Vjosa dhe lugina e saj  ,  shtrihen në jug të vendit. Disa autorë italian kanë kryer studime me të dhëna historike.Vjosa (Voiussa) sipas autorit italian Roberto Almagià është lumi i Gadishullit Ballkanik, e cila u themelua nga një grup (Pindos) në territorin grek, një lumë malor, me një  kurs të  thiktë ku shpërndahen  me pellgje të vogla, hynë turmë e saj në territorin shqiptar Sarandaporos, dhe koka  në një luginë gjatësore, mjaft të madhe, tarracë  në këmbët e masivit gëlqeror e  të thatë  Nemerčka, më pas është  gryka  e ngushtë quhetKlisura(Klëcyra ) dhe lumi është rritur ndërkohë  me Dhrino(Drino), kontribues i madh i saj, i cili kalonpellgun e Gjirokastrës.

Duke gjurmuar të dhënat për luginën e Drinosit thuhet se :Lugina e Drinos ka një nga përqendrimet më të mëdha të vendeve të lashta në të gjithë Shqipërinë. Ajo ka qenë gjithmonë një zonë e pasur dhe pjellore, një rrugë komunikimi me ngulime të rëndësishme. Që nga zona e Selosë, Dropulli i Sipërm në kufi me Greqinë, Melani dhe Sofratika, deri ne Lekël afër Tepelenës në pjesën veriore të luginës

Një pak më tej dhe më  poshtë kalon Vjosa( Voiussa) në Tepelenë duke e lënë zonën gëlqeror, hyn në rajonine kodrave terciare dhe pastaj, në rrëzë të fshatit Karbunarë derdhet në fushë bregdetare, ku shtrati është shumë  i madhe dhe është e mbushur vetëm në mënyrë të plotë këtu është arritur nga lumi i Vlorës, Shushica( Suscizza ).Goja e lumit  ka lëvizur disa herë në kohë historike: duket se në kohët e lashta lumivrapoi përgjatë këmbëve  e kodrave të Peshtanit deri në Apoloni, pastaj është kthyer direkt në perëndim në det. Në fillim të Mesjetës do të shkojë në jug, ku shtretërit e lumenjve të vjetër janë ende të dukshme nëgryka, dega ku  rrjedha aktive është  rreth 4 km në veri.

Vjosa (Voiussa) ka një gjatësi prej 237 km  dhe kullon një sipërfaqe ujëmbledhëse prej 6592 km katrore, nga të cilat 4357 në territorin shqiptar .Lumi sjell shumë çrregullime sidomos me përmbytjet  në stinën epranverës, që konsiderohen  të dhunshme. Trungu ekstrem  i parë në një planë ishte i lundrueshëm në kohët e antikitet, por sot ajo nuk është përdorur si e tillë, por Vjosa ( Voiussa) me luginën e tij të gjatë është mënyra më e mirë për të hyrë  nga deti në Shqipërinë jugore, një rrugë  që ishte për pjesën më të madhe natyrisht.

Një autor tjetër italian Gaetano De Sanctis duke shkruar për lumin Vjosa me emërtimin e lashtë të kohëve të antikitetit Aos në enciklopedinë italiane  viti 1929 thotë se:  Lumi në pjesën veriore të Epirit, sot( Voiussa) u zhvillua një betejë midis mbretit Filipit V të Maqedonise dhe romakëve. Në fillim të pranverës dhe verës  të viti 198. Filipi, për të mbrojtur atë nga sulmet ,që romakët ishin të përgatitur nga bazat e tyre në Shqipërinë e sotme dhe në veçanti nga Apolonia, ai mori një pozicion mbrojtës në Vjosë  (Aoo) afër Antigonia,rrënojat e cilës  shtrihen pranë Tepelenës.

Disa të dhëna të qëmtuara për Antigonen ku si burim është parku kombëtar Antigone: Antigonea, qyteti i dytë i provincës Epiriote të Kaonisë, pas Foinikes, si nga përmasat edhe nga rëndësia, kontrollonte të famshmen Via Egnatia që lidhte Dyrrachium (Durrësin), Apolloninë dhe Orikumin, me malësitë e Janinës dhe Epirit Jugor. Për shkak të pozitës së rëndësishme gjeografike, në një kodër dominuese te quajtur Jerma, në mes të luginës së Drinos, Antigonea u bë e njohur si përfaqësuese e kulmit të zhvillimit ekonomik.Sqarim:Antigonea ka qenë një qytet i lashtë i ndërtuar në shekullin e III p.e.s.. Rrënojat e tij ndodhen në Shqipëri 14 kilometra nga qyteti i Gjirokastrës.Ishte një qytet jetëshkurtër që jetoi veç rreth 150 vjet. Themelimi i qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit. Në fillim të shekullit III p.e.s Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vëmendjen e Berenices, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi atij dorën e së bijës, Antigoneas. Si mirënjohje për vjehrrën dhe gruan e tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigonea.)

Një tjetër luginë   e Vjosës ku bashkërrjedhje dhe Drino. Pozicioni i Filipit, i cili është përkufizuar nga Livio me frazën latine “quae ad Antigoneam fauces sunt, stena vocant Graeci”,, është kërkuar nga disa disi në rrjedhën e sipërme  e moderne  të bashkimit të dy lumenjve, në lindje i cili është më i afërt tek fshati Klisura( Këlcyra.) Por ky pozicion mund të anashkalohet lehtë, dhe nuk mbulojnë të gjithë rrugën nga Tepelena ku forcat  ushtarake të  udhëhequr në drejtim të Gjirokastrës, duke shkuar saktësisht në  rrjedhën e Drinos. Prandaj, pozita e Filipit për të gjetur disi më në veri, në afërsi të Tepelenën, në mënyrë që ai mund të mbulojë të dy rrugët brenda, atë që pasoi Drino dhe ai që pasoi  Vjosa (Aoo). Filipi u mbajt këtu në mbrojtje, NË front nga Publius Villio Tappulo, pastaj nga Titi Quinctius, Flamininus. Flamininus, pas dyzet ditëve të përdorura për të njohur vendin dhe përgatisin betejën se ai pretendonte të trajtohen të gjithë njohurit ushtarake, u përpoq  më një sulm frontal. Por, pasi në  këtë mënyrë nuk mund të merrte  sukses, duke pasur parasysh forcën e pozitës dhe llogoret të cilat u forcua kur ai  ka rinovuar sulmin, i dërgoi një departament të fortë prej rreth 5000 burrave në anashkalimin e pozicioneve të  armikut. Sulmi frontal është kryer me  kohë të ndryshme, kur Philipi kthjellët në pjesën e prapme vihet re shkëputja romake. Së shpejti urdhëroi tërheqje dhe ishte në gjendje për të shkëputur me pak viktima (rreth 2.000 meshkuj, gjatë një total prej ndoshta 20 ose 25 mijë ushtarë, shumë fuqi pothuajse të barabartë ose ndoshta më e madhe se ajo e dy legjionet e Flaminino), por duke e lënë kampin dhe të gjitha materialet e luftës në duart e armikut dhe  në depresion nga fitorja e ushtrisë, që romakët kishin treguar pothuajse pa asnjë plumb të shkrepur.

*Master.Anetar i Akademise Evropiane te Arteve

 

Filed Under: Histori Tagged With: aty ku u krye, dyluftimi, Gezim Llojdia, i Filipit me romaket, Lugina e Vjoses

A ka vend Demokracia Shqiptare për të Persekutuarit ?!

March 29, 2013 by dgreca

Konventa e III-të e Shoqates Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurëve dhe të Përndjekurve Politikë/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj*/

 Kalvari i vuajtjeve të një familjeje fisnike /

Ju sjell përshëndetjet nga Vlora e Pavarësisë, ku persekucioni nga diktatura komuniste ka qenë tejet çnjerëzor.

 Të nderuar pjesëmarrës!

 Të nderuar Shkëlqesi të Diplomacisë botërore që na nderoni me praninë tuaj në këtë tubim të rëndësishëm i cili është vlerë në konsolidimin e Demokracisë në Shqipëri dhe anëtarësimin e saj në BE.

 Të dashur Studentë, ju faleminderit që jeni sot me ne, që të mund të njihni sadopak vuajtjet e padrejta të gjysmës së shqiptarëve, me qëllim që t’i çoni më tej ëndrrat e parealizuara, amanetet e të parëve tanë ilirë, të gjyshërve dhe baballarëve që nuk do t’i tresë kurrë dheu.

 Të nderuar motra e vëllezër bashkëvuajtës të mohuar dhe fajtorë të pafajë! Jam si ju, pjesë e juaja, jam Vilhelme Vrana nga Kanina e Vlorës. Me familjen Vrana- Komneni historikisht ka lindur aristokracia feudale jo vetëm në Shqipëri, por në Evropën Jugëlindore në shek X-XI. Historia dhe fati i një të përndjekuri politik është edhe imi edhe yti dhe i gjithë atyre që e kanë hequr vërtet mbi shpinë kolerën e luftës së klasave që ishte shpikja më gjëmëmadhe, më vrastare dhe makabre e komunizmit që në Shqipëri u huajt nga sllavo- komunistët e Moskës dhe Beogradit. I mëshoj kësaj, se Shqipëria duhet marrë si model për botën e kulturuar, përsa i përket bashkëjetesës në harmoni të tri feve, kurse komunizmi utopist, jo shkencor na ndau e përçau, na shndërroi në armiq të betuar të njëri-tjetrit, ne, bijtë e një gjaku, të një race iliro -arbëre, më e vjetra e kontinentit. Ndaj Pashko Vasa ka thënë: “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria“. Shqiptarizmi, tradita dhe mbrojtja e këtyre trojeve të larë në gjak, e ka udhëhequr shqiptarin në shekuj gjatë pushtimeve të padrejta, sepse fati i Shqipërisë u luajt në tavolinat e diplomacisë së më të fortëve, duke e copëzuar atë mes shteteve fqinje. Për ju sjell thënien e Babait të Kombit Arbëror, Ismail Bej Vlora, që për shpalljen e një Pavarësie të cunguar u shpreh: “Tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të Mëdha.” Dhe pikërisht kur po vendosej fati i Shqipërisë, më 15 qershor 1913, Victor Frobinshkruan: “Shqipëria, dekania e racave, dhe më e vogla e shteteve”,artikull i ilustruar, botuar në revistën franceze, “Je sais tout”. I jap të drejtë studiuesit Frobin, sepse përmes shqipes sot deshifrohen gjuhët e vjetra që nuk ekzistojnë më.

Po ç’ndodhi me ne vallë? Për gjysëm shekulli bashkëjetoi tragjikomikja brenda një kombi vital, që po të ringrihej nga varri Shekspiri, Aligieri apo Artur Miller, do të shkruanin tragjedinë më të dhimbshme të një populli që e çmon lirinë sa jetën. Kolera komuniste varfëroi kombin materialisht dhe shplau mendjen njerëzore es hndërroi në shterpë. Trurin e individit e bëri kurban të ideve marksiste, deformoi moralin e shoqërisë shqiptare ku besa ishte vërtyt i shqiptarit. Ishin këto pasojat e luftës së egër klasore që bëri genocid brenda llojit dhe genit të vet, si askund në botë, aq më tepër në shek e XX.

Zonja dhe Zotërinj, sot dua të flasë për shtresën e vërtetë të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, jo për ata mashtrues, gënjeshtar, spiun të sigurimit të shtetit, që nuk iu mohua as preofesioni, as arsimi, as jeta apo puna në qytet , as u internuan apo t’u bënin apel çdo ditë sigurimsat dhe sot me  paturpësia më të madhe mbajnë statusin e të persekutuarit dhe më e bukura  tani kërkojnë edhe votëbesimin tonë për deputet,duke vazhduar të na fyejnë e denigrojnë, duke na rrëmbyer të vetmen pasuri që na ka mbetur, statusin e të përndjekurit që është dëshmi e mohimit human që na u bë për gjysëm shekulli. Kanë kurajo dhe na përplasin statusin para fytyrës duke na thënë: “Ju vuajtët, ju luftuat për rrëzimin e diktaturës dhe fitoret po i korrim ne. Ne ishim dje, ne jemi edhe sot. Dje baballarët tanë bënë luftën e klasave, vranë, burgosën,internuan e persekutuan familje dhe fise të tëra. Kurse sot, ne bijtë e xhelatëve dhe persekurorëve udhëheqim politikën shqiptare. Ne jemi më demokrat se ju që rrëzuat diktaturën. Ne kemi nevojë vetëm për 400 000 votat tuaja por jo për ju. Ju jeni bijë të vuajtjes dhe i përkisni mohimit që sjellë mosekzistencë… ”

Zhdukja në sistem e shtresës së pasur e të mesme, e cila përbën palcën e kombit që ka mbajtur peshën historike në kohëra, si dhe e intelektualëve të arsimuar në Universitetet më në zë të Evropës, nisi që nga viti 1943 deri në vitin 90. Edhe brenda fisit, madje edhe brenda familjes, si pjesë e kësaj shtrese të raskapitur e denigruar që jam, them se lufta e klasave ka pasur shkallë diferencimi. Njërin vëlla komunizmi e ndihmonte, madje e bënte gjykatsin e vëllait tjetër, që përfundonte në litar, me plumb apo në burg. Si fakt e jap nga rrethi im familjar. Ky ishte fati i paracaktuar nga diktatura për dy vëllezërit e gjyshes sime nga babai ,si dhe me qindra e mijëra të tjerë u ndoq politika përçarëse. Sot do të flas vretëm për një familje atdhetare e cila pësoi tragjedi.

Bëhet fjalë për familjen Vrana, një nga 5-6 familjet që themeluan Kaninën, pasardhëse e familjes së Princ Gjergj Arianiti, gjë për të cilën edhe pse ky mbiemër u shkaktoi vuajtje e dhembje të paimagjinuara, ata janë krenar për të. Kjo familje e pasur ka ndihmuar familjet e varfëra, i martonte dhe u bënte dasma jetimëve, ka ndihmuar luftën çlirimtare, ka strehuar 6 familje çame kur i përndoqi Greqia. Ende pa mbaruar lufta, e pagoi me internimin nga gjermanët në Mat’hauzen, të djalit,Skënder Vrana, që u ekzekutua më 9 maj 1945 në Aushvic, ish student i Harry Fulltzit dhe ishte lauruar në Univ. e Sienës(Firence) Itali. Menjëherë pas sekuestrim- shpronësimeve, burgosën nipin e kësaj familjeje, Shyqyri Sharra, tregtar e përkrahës i grupit të debutetëve, i cili s’u rezistoi dot torturave antinjerëzore në burgun e Bedenit (Kavajë) ku çdo ditë i varrosnin të gjallë, gjë që e detyroi të vetvritej. Vëllanë e tij, Kr/inxhinerin e Kënetës së Maliqit Abdyl Sharra e varën, si agjent amerikan. Pas këtyre Sigurimi i Shtetit nisi presion mbi të riun, kushëririn e parë të tyre, Batjar Vrana, vëlla i Skënderit, student i Tregtares Vlorë. Pse s’pranoi të bëhej spiun, i vunë dy gozhdë në samarin e mushkës me të cilën shkonte në shkollë. Kafsha u tërbua nga plagët e gozhdëve dhe e mori zvarrë të riun 18 vjeçar, që nga Vlora deri në Kaninë dhe në shtëpi nënës i çoi vetëm një këmbë nga gjuri e poshtë.Trupin ia mblodhën në qefinë natën me pishëtarë. Pas kësaj burgosën vëllanë e madh të tij, Mynyr Vrana, për agjitacion e propagandë, vetëm se nuk piu dollinë për mustaqet e Stalinit. Ai në burg, arrestuan vëllanë tjetër Veip Vrana, si sabotator në fabrikën e vajit Vlorë. Ishte paradoks sepse ai nuk punonte aty. Fëmijët e tij ishin: 11 vjeç, 9 vjeç, 6 vjeç dhe 2 mujash, kur u sekuestruan për së dyti, shtëpinë, mobiljet dhe i lanë me rrobat e trupit. Pas 15 muaj torturash mesjetare në hetuesi, e dënuan këtë baba e bashkëshort me burgim të përjetshëm. Pas apelit ia zbritën dënimin në 25 vjet heqje lirie. Vëllai i gruas së tij për të ruajtur pozitën ushtarake (kryetar i Degës Ushtarake), kërkoi që motra të divorcohej, e cila e kundërshtoi. Ishin katër fëmijë që u rritën jetim me baba gjallë, por nuk ka si nëna. Ajo grua e re, e bukur nuk i la fëmijët që të ngeleshin rrugëve në mëshirën e fatit. I internuan në një zonë kënetore të Fierit që me pak vite ndërprerje vazhdoi deri në vitin 1990. Për vite të tëra fëmijët brodhën nëpër dyert e botës vetëm për një kafshatë bukë.Ndërkohë qeveria shqiptare dënoi në mungesë edhe dy vëllezërit Sharra, Hysniu në Paris dhe Imeri, Shef Katedre i Shkencave ekzakte në Universitet (Romë). Burgosën edhe vëllanë tjetër të tyre Lekmi Sharrën, pse porositi një unazë ari për gruan, duke i shkaktuar një vdekje të llahtarshme. Pasi provoi torturat çnjerëzore të hetuesisë dhe sigurimit, levat shfarosëse të komunizmit, e kyçën brenda një kasaforte hermetike prej metali dhe në mëgjes u gjend i asfikuar. Për të mohuar krimin e tyre, xhelatët e hodhën nga kati i dytë i paraburgimit në rrugë. Vepër që shërbente për të frikësuar qytetarët e t’u jepnin mësim, se kështu e pësojnë armiqtë e popullit që kërkojnë të arratisen nga burgu i “drejtësisë” për krime të paqena.. Vdekja e tij plotësoi kuadrin e humbjes së 7 jetëve, fëmijë motre dhe vëllai. Ishin me prejardhje fisnike nga gjaku i arianitëve, ku 5 prej të cilëve ishin intelektualë, arsimuar në Universitetet perëndimore dhe dy me Tregtaren e Vlorës.

Shembull integrimi i të persekutuarëve në Shoqërinë Demokratike

  Unë,si autore e këtij shkrimi me që ma kërkuat këtë rrëfim, jam bijë dhe i përkas kësaj familjeje. Shkollën e kreva sa në interim, sa nga një fshat në tjetrin. U jam mirënjohëse njerëzve të mirë, të cilët më ndihmuan të kryeja shkollën pedagogjike. Punova si mësuese në fshat 4 vite dhe vazhdoja studimet e larta. Kur shteti komunist arsimoi njerëzit e vet , s’kishte më nevojë për të persekutuarit dhe i hodhi në rrugën e madhe. Atë kohë pësova tri dhembje. Më 16 gusht 1966 në Vlorë, u mohuan profesionin 165 intelektualëve, mes tyre edhe mua. Kisha vetëm tri lëndë për likuidim dhe më ndaluan diplomimin e Universitetit. Të drejtën e arsimit të lartë e rifitova pas kërkesës te Prokurori i Përgjithshëm, u diplomova pas 13 vitesh, por pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Një vit më vonë, korrik 1967 nisi një valë e re internimesh. Bashkë me ta u internua familja ime dhe tre xhaxhallarët e mi u riinternuan deri më 1990. Madje edhe djali i xhaxhait që mbeti në Mat’hauzen, jo vetëm e internuan por e çuan të jetonte në varrin e Sinan Pashait(dhëndërr i Sulltanit)  Po u drejtohem këtyre të përkëdhelurve të komunizmit, këtyre të persekutuarëve falsë, që sot kërkojnë votëbesimin tonë, e kanë provuar ndonjëherë të jetojnë në këneta dhe të paraqiten te oficerei i sigurimit çdo ditë, a kanë jetuar në angaret e duhanit, apo në kotecet e pulave të kooperativës si familja ime etje…? Jo, kurrë, sespe kur të tjerët internoheshin, ata shkonin për studime universitare, strehoheshin në pallatet e partisë dhe emëroheshin inxhiniera, drejtorë, mësuesa në shkollat e qytetit.

Viti 1990 shkëputi zinxhirët e skllavërisë të të persekutuarve dhe i vuri të gjitha familjet tona në krye të lëvizjes demokratike për përmbysjen e diktaturës dhe hedhjen e hapave të para të demokracisë. Kurse ata që u privilegjuan dhe sot hiqen të persekutuar ia mbathën nga frika e dhënies llogari. Kurse unë dhe të tjerët si unë, të mohuarit e diktaturës, më 1991 u rikthyem në arsim. Me 4-5 zonja të tjera formuam LDG. Duke qenë Kryetare LDG. Vlorë dhe anëtare e K.K.PDSh dhe LDGSh formulova peticionin e parë për të drejtat e gruas dhe mbi barazinë gjinore, drejtuar Parlamentit. Përmes publicistikës, sesioneve shkencore organizuar me specialiste të fushave sociale kam orientuar këtë segment të denigruar të shoqërisë(femrën) drejt integrimit,për të lufuar problemet sociale si: trafiku dhe përdorimi i drogës, trafiku i armëve, trafiku i qenieve njerëzore (femrave dhe fëmijëve) kriminaliteti, aborti tek të miturat, legalizimi dhe bashkimi i familjeve të emigrantëve etje… Pjesëmarrja aktive në problemet demokratike më bëri të gjejë veten, megjithëse vonë shpalosa talentin tim në fushën letrare. Sot jam një shkrimtare e afirmuar, vlerësuar nga kritika profesionale brenda e jashtë vendit, fituese e shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare si dhe autore në disa antologji si Shqipëri, Angli, Itali, Greqi, Rumani, Kosovë dhe Mal të Zi etje. Ndihem plotësisht e integruar moralisht dhe profesionalisht, pasi jam autore e 32 librave të botuar dhe 6 librave që presin dritën e botimit me të cilat si askush tjetër ndihmoj në zbutjen e problemeve sociale që shqetësojnë familjen dhe shoqërinë. Me gjithë këtë krijimtari, përsëri jam e varfër ekonomikisht, si gjithë shtresa e të persekutuarëve.

U drejtohem zotërinjëve të nderuar diplomatë të akredituar në Shqipëri me pyetjen:“A ka vend në Demokracinë Shqiptare për të Persekutuarit ?!”

Pse do të pyesni ju?

1-Papunësia e të persekutuarëve.Kur nuk u ofrohet punë fëmijëve tanë, kam të drejtë të them se im bir me shokët e tij të kompletuar me arsim, trainim, me gjuhë të huaja, është brezi i katërt që po persekutohet, sepse i mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit, gjë që pengon integrimin e tyre.

2-Kthimi i Pronës: Nuk është kthyer prona te pronari legjitim. Kjo u ndalon të persekutuarëve mundësinë e dhënies së vlerave të tyre në fusha të ndryshme. Nuk ka demokraci nëse prona nuk shkon tek i zoti.

3-Korrupsioni : Kjo gjëmë është një plagë që po grryen shoqërinë, ku paraja bën ligjin dhe detyrimisht antivlera mohon vlerën.

4-Falsiteti dhe gënjeshtra: Nëse nuk zgjidhen këto probleme kyçe, nuk funksionon shteti i së drejtës, aq më tepër kur ligjëvënësi, ekzekutivi apo juristi, nuk dihet se ç’identitet kanë, përderisa curriculumi i tyre është fals. Individë të tillë të dyshimtë të mos reklamohen në media, sepse i njeh lagjja, qyteti dhe e gjithë Shqipëria. Të gjithë e dinë se kush ishin nismëtarët në themelimin e PD, të LDG, si e vranë frikën, cilët ishin qëndrestarët e 97 dhe kush i korri fitoret duke ua shkuar ujin nën rrogoz me servilizëm, gënjeshtra, mashtrime, që janë disa të pafytyrë, njerëz pa principe dhe ideale, spiun ordiner. Ata ngrehin dorën vetëm të fitojnë simpatinë dhe të sigurojnë një post që nuk u takon. Për këtë e mbajnë gojën të kyçur ndaj çdo padrejtësie që këlthet dhe ulërinë me të madhe, që e sheh i verbri, e dëgjon edhe shurdhi. Këta njerëz të pacipë dhe të paturp, duhet të ngrihen dhe të rrëfejnë se cilët janë në të vërtetë. Demokracia e vërtetë kërkon realitet dhe jo falsifikim. Vota e të persekutuarit është e shenjtë, ndaj kurrë nuk mund t’i jepet një njeriu fals dhe të pabesë. Një demokraci me njerëz të tillë anonim, s’ka vend për të persekutuarit.

Fjala e mbajtur ne Konventen e III-të te Shoqates Mbarëkombëtare te Integrimit të Burgosurëve dhe të Përndjekurve Politikë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe te perndjekureve, e Integrimit, e Shoqates Kombetare, Konventa e III-te, politike

Kongresiti Engel: “Jam optimist për marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, në se arrihet me 2 Prill”

March 28, 2013 by dgreca

Biznesmeni dhe aktivisti Gjon Lleshaj organizoi një takim mbështetje me kongresistin Eliot Engel/

 Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK CITY : Kongresisti amerikan, Eliot Engel, në një takim me një grup mbështetsish të tij, mbrëmë në lokalin e famshëm në New York, Russian Tea Room, është deklaruar optimist rreth takimit më 2 prill dhe arritjes së një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, siç shpreson ai.

Kështu të paktën deklaroi zoti Engel, duke thënë se “Jam optimist dhe mendoj se për të dyja palët rruga më e mirë është marrëveshja dhe pastaj të implementojnë atë që kanë nënshkruar,” tha Engel në takimin që u mbajtë mbrëmë në New York, takim ky i cili u mbajt në mbështetje të fushatës së tij dhe ishte i organizuar dhe sponsorizuar nga afaristi i sukseshëm nga Kosova, në Amerikë, zoti Gjon Lleshaj.

Në këtë takim morën pjesë edhe gazetarët të komunitetit, si dhe Fatos Bytyqi vëllai i tre vëllezërve të vrarë në Serbi, gjatë luftës në Kosovë, vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, që u vranë barbarisht nga dora vrastare e regjimit të Millosheviqit në Petrovo Sello në vitin 1999. Mori pjesë edhe kandidati i ri shqiptar për Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut, Ken Biberaj dhe avokati amerikan Charles Christophe.

Takimi kaloi në një bised të hapur rreth Kosovës dhe çështje të tjera të shqiptarëve në Ballkan. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, bashkë-kryetar i grupit të Kongresit për çështjet shqiptare, mik i dëshmuar i shqiptarëve në SHBA, u shpreh i kënaqur për arrtijet e deritanishme dhe u tregua optimistë për Shqipërin dhe Kosovën, duke shpresuar se ato do të bëjnë përparime, së bashku drejt anëtarësimit në të gjitha strukturat Euro – Atlantike.

Duke folur rreth dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Engel tha se “Kosova dhe Serbia duhet të lëvizin paralelisht kah BE, duke shtuar se në konstatimin se Serbia pritet do të përfitojë nga marrëveshja me një rrugë të shkurtuar dhe shpejtuar kah Bashkimi Evropian, ndërsa Kosovës nuk i është premtuar asgjë të paktën publikisht,” tha zoti Eliot Engel anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, bashkë-kryetar i grupit të Kongresit për çështjet shqiptare, mik i dëshmuar i shqiptarëve në SHBA

Ai vlerësoi në të gjitha këndëvështrimet lidhjet e shkëlqyera dhe miqësin të SHBA, me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe shqiptarët, duke i cilësuar ato si në kulmin e tyre. Më pas anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, bashkë-kryetar i grupit të Kongresit për çështjet shqiptare, mik i dëshmuar i shqiptarëve në SHBA, solli kujtime interesante rreth fillimit të njohjes së Kosovës dhe çështjes së saj në dy dekada e fundit – kur si u shpreh ai “asnjeri në Kongres nuk e dinte se ku binte Kosova e jo madje të dinte se çfarë po ndodhte në Kosovë”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, Engel, Gjon Lleshaj, Kongresisti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5524
  • 5525
  • 5526
  • 5527
  • 5528
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT