• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Saimir Pirgu, artisti që krijon në mes dy kontinenteve

February 27, 2013 by dgreca

Nga Blerim Shabani/

Paralelisht Pirgu po përgatit shfaqje edhe në Nju Jork, ku luan krahas Placido Domingos së madh. Albinfo.ch ndoqi shfaqjen “Rigoletto” ku artisti shqiptar luan rolin kryesor dhe i mori atij një intervistë ,

Perdja në skenën e sallës luksoze të Operës së Cyrihut hapet me figurën dhe zërin e Saimir Pirgut, i cili luan rolin kryesor në shfaqjen “Rigoletto” të Gjuzepe Verdit. Dhe, perdja bie po ashtu me zërin e tij, që vjen nga prapaskena, duke kënduar arien e njohur “La donna è mobile”. Vetë subjekti i shfaqjes fokusohet në dramën jetësore të Rigoletto-s, palaços së oborrit, i cili vuan nga shtypja që i bëhet, veç tjerash dhe nga i zoti i tij, Duka i Mantovës, rol negativ, të cilin e luan Pirgu…

Saimiri është familjarizuar prej kohësh me Cyrihun, gjegjësisht me skenën operistike të këtij metropoli zviceran. Rreth 10 vite më parë ai ka luajtur në skenën e këtushme të operës rolin e Dukës së Mantovës në “Rigoletto-n“ e famshme të Verdit. Tash sërish në këtë shtëpi, ai luan po në “Rigoletto” dhe si gjithnjë, rolin e Dukës.

Para pak vitesh Pirgu kishte marrë pjesë me rolin kryesor, atë të Alfredos në një spektakël operistik të llojit të vet, në inskenimin e operës së njohur të Verdit “Traviata” të luajtur jo në skenë por në stacionin hekurudhor të Cyrihut. Loja impresionuese që bartej nga hapësirat mes peronave të trenit, te shkallët elektrike të stacionit e gjetiu, ishte transmetuar drejtpërdrejtë nga televizionet zvicerane. Dhe kishte lënë mbresa të thella te një publik i gjerë, i cili në kushte normale, vështirë “e gjen rrugën” deri tek teatri i operës…

Gjatë gjithë muajit shkurt Saimir Pirgu, tenori i ri, i njohur edhe si miku dhe pasuesi i denjë i Pavarotit, ishte sërish mysafir në metropolin zviceran. Në të gjitha, shtatë shfaqjet, salla ka qenë e mbushur tërësisht dhe biletat kanë qenë paraprakisht të shitura.

Kënaqësinë që të përjetojmë artin e tij të madh e patëm në shfaqjen e “Rigoletto-s” të dhënë të martën, më 26 shkurt në “Opernahus Zürich”. Me këtë rast ia “vodhëm” Pirgut pak minuta nga agjenda e tij e ngjeshur, për t`iu drejtuar lexuesve të albinfo.ch.

Albinfo.ch: Posa përfundoi shfaqja e operës “Rigoletto” të Verdit në skenën e Cyrihut. Bëhet fjalë për shfaqjen e fundit të këtij cikli, të filluar me premierën e dhënë më 3 shkurt. Si ndjeheni pas gjithë këtij angazhimi?

Saimir Pirgu: Në fakt “Rigoletton” nga 3 shkurti e këndej e kemi shfaqur gjithsej shtatë herë. Sigurisht, ka qenë një periudhe mjaft e ngjeshur me punë. Ndërsa këtu do të jem sërish në muajin maj, kur do ta shfaqim operën “Traviata” që jemi duke e realizuar në shtëpinë operistike “Metropolitan” të Nju Jorkut. Nesër do të jem në Nju Jork për të vazhduar provat. Premiera shfaqet më 14 mars.

Që t`ua përkujtoj, në Cyrih kam bërë “Rigoletto”-n edhe para dhjetë vitesh.

Albinfo.ch: Dhe, çfarë solli të re versioni më i ri i “Rigoletto”-s së Cyrihut?

Saimir Pirgu: Është një version modern, komplet i ri, i moduluar në kushtet e ditëve tona, përfshirë këtu edhe gjithë agresivitetin që karakterizon kohën tonë. Dhe këtu ka qenë edhe e bukura e kësaj shfaqjeje po aq sa edhe vështirësia e realizimit të saj. Ndër risitë hyn dhe skenografia qëllimisht e varfër dhe kostumet e kohës moderne që veshn artistët. Ndërsa shfaqja e para 10 viteve ka qenë brenda kornizave të klasikes.

Albinfo.ch: Ju, sigurisht edhe në shfaqjen e përmendur keni luajtur rolin e Dukës së Mantovës?

Saimir Pirgu: Po, sigurisht pasi që vetëm atë rol mund ta luaj unë…

Albinfo.ch: … Për shkak të moshës, ose tipit të zërit?

Saimir Pirgu: Për këto që thatë por edhe për shkakun se Duka di Mantova duhet të jetë i bukur, fascinant … (qesh)

Albinfo.ch: Kemi lexuar se në shfaqjet e para (nga fillimi i shkurtit) ka pasur edhe reagime të një pjese të publikut, nisur nga ky inskenim ndryshe…

Saimir Pirgu: Po, është e kuptueshme, gjithmonë do të ketë persona të tillë brenda publikut që duan ta shikojnë gjithnjë atë shfaqje me të cilën janë mësuar, me këtë rast, versionin klasik. Megjithatë, kritika, sidomos ajo ndërkombëtare dhe shtypi e kanë vlerësuar shumë lartë shfaqjen në këtë variant. Po ashtu është e kuptueshme se mund të ketë edhe zëra kundërshtues, sepse ky është teatri…

Albinfo.ch: Megjithatë është një inercion që publiku më lehtë të identifikohet me rolet pozitive se sa me ato negative, çfarë ishte roli juaj në shfaqjen “Rigoletto”. A keni përjetuar diç të tillë me rastin e kësaj opere?

Saimir Pirgu. Absolutisht jo. Sado që të jetë urrejtur Duka si njeri, atë e kanë dashur gjithmonë si rol. Sido që të jetë, ariet ndër më të famshmet në literaturën botërore të muzikës, janë pikërisht ato të Duka di Mantova-s si për shembull perla e njohur “La donna è mobile” etj.

Por nuk diskutohet, në këtë inskenim, roli im është edhe më negativ se në inskenimet tjera. Me tekstin e njëjtë, regjisorja e ka ashpërsuar paraqitjen e Dukës.

Albinfo.ch: Cila është shfaqja e radhës që jeni duke e përgatitur ose do ta filloni, pas “Rigoletto-s”?

Saimir Pirgu: Unë jam i angazhuar në më shumë se 20 role, në shtëpi të ndryshme operash, të cilat i shfaq paralelisht gjatë gjithë kohës.

Premiera e radhës që do ta kem është “Traviata” (bashkë me Placido Domingon) të cilën jam duke e përgatitur në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut, në mënyrë paralele me këtë të Cyrihut. Dmth. gjatë gjithë kësaj kohe të provave kam qenë “në ajër”, në relacionin Nju Jork-Cyrih. Pardje kam ardhur nga Nju Jorku dhe nesër (e mërkurë) do të fluturoj sërish për atje… Kështu do të jem edhe një kohë, pasi që seria tjetër e shfaqjeve të “Rigoletto”-s në Operën e Cyrihut do të jetë në muajin qershor. Dhe siç e përmenda, me “Traviata”-n do të jem këtu në muajin maj.(falenderojme stafin e Albinfo.ch per bashkepunim me Diellin)

Filed Under: Kulture Tagged With: artisti, Blerim Shabani, mes dy kontinenteve, qe krijon, Saimir Pirgu

Requiem për Vesel Kullën

February 27, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Ike Vesel i dashur! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe pothuajse fëmi kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Ishe i detyruar të rriteshe jetim pasi komunizmi të vrau atin tënd të nderuar. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Vesel i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta ku, atje në shtëpinë e kryetarit tonë të nderuar, Lalë Osmanit, mblidheshim dhe diskutonim për botimin e të parës gazetë nacionaliste, gazetës “Liria”, ku ti do të ishe njeri nga gazetarët më të mirë të saj. Ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Veseli i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për gazetarinë. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Donin të shkruanin për të vërtetën. Por, për fatin e tyre të keq, jetonin në një epokë të gabuar. Ata jetonin në atë epokë kur nuk mund të shprehnin ato që ëndërronin, ato që u buronin nga zemrat e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ky regjim shpikte lloj-lloj formula totalitare për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formula absurde që ndrydhnin talentet e mëdha dhe u hapnin rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë. Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Një nga këta ishte edhe Veseli.

Të nderuar familjarë. Mos derdhni lot. Në krahinat tona nuk e kanë zakon të derdhin lot për burrat e shquar. Atyre u thurrin vargje, u këndojnë këngë. Veseli ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e tij e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Veselin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që do të ra përsipër!

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: per Vesel Kullen, requiem, reshat kripa

MAFIA NUK BËN DOT ZGJEDHJE – OSE MEDITIM PËR 23 QERSHORIN

February 27, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

I pyetur më 2001 nga një media e Tiranës se a mendoj që në Shqipëri atëherë mund të bëheshin zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, unë jam përgjigjur se mafia nuk mund të bëjë as zgjedhje të lira, as zgjedhje të ndershme, as zgjedhje demokratike, mafia nuk mund të bëjë fare zgjedhje, mafia mund të bëjë vetëm farsë zgjedhore, mafia mund të bëjë vetëm mashtrim zgjedhor.
Medet për të, klasa politike e Shqipërisë, pa folur për periudhën para 2001, nuk e ka përgënjeshtruar ndonjëherë as gjatë këtyre 12 viteve të mëvonshme përcaktimin e mësipërm, përkundrazi vetëm sa e ka përforcuar bindjen time dhe bindjen e gjithkujt tjetër që i shikon me sytë e realitetit zgjedhjet në Shqipëri dhe të gjitha dukuritë që burojnë nga ato zgjedhje.

Nga njohësit e saj, mafia përshkruhet si një sistem i mbivendosjes së më të fortëve ndaj më të dobtëve. Bosi më i fortë kryeson kupolën e klanit, klani më i fortë kryeson kupolën e mafias përkatëse rajonale, mafia më e fortë rajonale kryeson mafiat më të gjera në shkallë vendi apo në shkallë ndërkombëtare. Ligjin e bën më i forti dhe pasojat i vuan më i dobëti. Meritat i merr më i forti dhe fajet i merr më i dobëti. Kurorat i merr më i forti dhe gjembat i merr më i dobëti. Të gjitha përplasjet, të gjitha marrëveshjet, të gjitha grindjet, të gjitha pajtimet bëhen për hapësira në terren dhe për hapësira në fusha të veprimtarisë – si politikë, ekonomi, trafiqe, kontrabanda, korrupsion. Për mbarëvajtjen e punëve të saj, mafia ka ritualet, kodet, rregullat, instancat. Në dukje xhungla të karakterizuara nga kaosi, nga anarshia, në të vërtetë, nga brenda mafiat karakterizohen dhe shquhen nga organizimi i përkryer, nga disiplina e hekurt, nga profesionizmi i lartë. Prej këndej mafia edhe ka marrë emërtimin tjetër: krim i organizuar. Armiku kryesor i mafias është shteti ligjor, është ligji, prandaj ajo synon që ta bëjë të pamundur funksionimin e ligjit, ta shdërrojë shtetin në një realitet iluzor, ta shndërrojë ligjin në një realitet iluzor, t’i bëjë njerëzit që, në skenat me iluzionistë, të mos iu besojnë syve të tyre, por t’iu besojnë asaj që iu servirin iluzionistët me ekipet e tyre dhe me rekuizitat e tyre.

Në vend që ta forcojë, konsolidojë dhe përkryejë institucionin e zgjedhjeve, si institucionin e vetëm ku populli ushtron sovranitetin e tij drejtpërdrejt nëpërmjet votës së tij të lirë, klasa politike e Shqipërisë ka bërë gjithçka për ta dobësuar këtë institucion, për ta komprometuar, për ta manipuluar, për ta shpërfytyuar dhe çoroditur, nga një palë zgjedhje tek të tjerat. Kështu institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri është shndërruar në arenën më të madhe e më të sofistikuar ku klasa politike ka ushtruar profesionin e saj të iluzionistes mafioze, i vetmi profesionizëm të cilin ajo e ka përfituar në këto vite të të ashtuquajturit pluralizëm politik.

Pikërisht më 2001, zgjedhjet në Shqipëri prodhonin një rezultat thellësisht të shtrembëruar, prodhonin edhe një dukuri monstër, siç ishte dukuria “Dushku”, ku nga një fshat i vetëm prodhoheshin 13 deputetë. Kjo realizohej falë ligjit zgjedhor mazhoritar me korrigjim proporcional, i cili favorizonte partinë kryesore, duke grabitur në mënyrë të përbindshme votat e partive të tjera. Ky ligj zgjedhor do t’i shndërrohej të njëjtës parti në bumerang katër vjet më vonë, më 2005, nëpërmjet dukurisë “SuperDushku”. Një tjetër truk iluzionist më 2009 do të prodhonte përsëri zgjedhje të diskutueshme.

Nga zgjedhjet qendrore tek ato lokale, deri edhe sot e kësaj dite, ka vazhduar dukuria e regjistrave të banorëve, dukuria e listave zgjedhore, dukuria e mbushjes masive të kutive, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit nëpër kuti edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Alaskë, edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Australi apo në Zelandën e Re, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit në kuti edhe nga ata që kishin ndërruar jetë prej dhjetëra vitesh tashmë, dukuria e votimit disa herë brenda të njëjtës ditë nëpër qendra të ndryshme votimi. Për të përmbysur realitetin e votës, klasa politike ka përdorur shërbimet shtetërore të informimit dhe të rendit, ka përdorur administratat shtetërore qendrore dhe lokale, ka përdorur hordhitë e militantëve, ka përdorur deri grupet kriminale më famëkeqe, ka përdorur autoritetin dhe ndikimin deri tek bosëve më të famshëm të krimit.

Shiblerja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e votave, nëpërmjet parave të thata në dorë, nëpërmjet punësimeve të familjarëve, nëpër dhënies së vizave për jashtë shtetit, nëpërmjet dhënies së favoreve apo premtimeve të favoreve, ka qenë dhe mbetet një nga dukuritë e shtrembërimit të realitetit të votës gjatë gjithë këtyre viteve. Tregu i shitblerjes bëhet më fitimprurësi duke përfshirë në vertikalen dhe horizontalen e tij komisionet dhe komisionerët nga instancat më të larta deri tek ato më të ulëtat.

Klima që i ka karakterizuar zgjedhjet deri sot ka qenë gjithnjë mbytëse për elektoratin, ka qenë frikësuese, e mbushur me shantazhe, me sulme, kundërsulme, sharje, me shtim galopant të krimit, sidomos të krimit makabër, ka qenë mediatizimi ekstrem i kësaj klime, kanë qenë tonet e larta, thirrjet mbi thirrje, britmat mbi britma, skenat ngjethëse në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, çjerrjet në konferencat e shtypit, shkëmbimet e sarkazmave mes zëdhënëseve të haremeve partiake dhe qeveritare, shpërndarja nëpërmjet ekranave të vegjë e duhmave të alkoolit, duhmave të parfumeve, shfryrjet e gogësimave nga gojët e hapura të politikanëve drejt e në fytyrën e publikut të tulatur e të nemitur.

Elektoratit në Shqipëria asnjëherë nuk i është mundësuar të dijë se për kë po voton, të dijë se kë ka sjellë në pushtet nëpërmjet daljes së tij tek kutia e votimit, nuk e di se çfarë lidhjesh kanë pasur me Sigurimin e Shtetit, me strukturat e spiunazhit brenda Partisë së Punës së Shqipërisë, çfarë lidhjesh kanë pasur me shërbimet e huaja antishqiptare, çfarë lidhjesh kanë pasur e kanë me botën e krimit të periudhës së tranzicionit drejtuesit e zgjedhur apo të emëruar gjatë këtij tranzicioni. Kundërshtimi i elektoratit shqiptar ndaj kësaj dikurie është bërë gjithnjë e më pasiv, duke parapëlqyer të rrijë në shtëpi, duke pranuar që të qeveriset jo nga më të mirët e më të mirëve, pora nga më të këqijtë e më të këqijve.

Në qoftë se në Shqipëri do të arrihet që votuesi të hedhë fletën e tij të votimit në mënyrë krejtësisht të pandërmjetësuar nga frika apo nga trysnia e kujtdo, në qoftë se kjo votë e tij do të numërohet, në qoftë se ajo do të shkojë në adresën e koalicionit apo partisë për të cilën ai ka votuar, në qoftë se të gjithë votuesit do t’iu binden vetëm urdhërave të ndërgjegjes së tyre, në qoftë se kjo bindje e çdo votuesi do të zbatohet pikë për pikë në rezultatin zgjedhor atëherë do të kemi realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, atëherë do t’ia kemi siguruar Shqipërisë institucionin e zgjedhjeve, atëherë do të kemi siguruar institucione të dala nga vota e popullit, atëherë do të kemi institucione që mund të flasin në emër të sovranit, pra në emër të popullit.

Në qoftë se votuesi do të marrë zemër që të dalë masivisht në votime, të hedhë fletën e tij të votimit për të përzënë nga ekranet e vegjël të përditshëm e të përnatshëm të buhaviturit nga viagrat, të nxirët nga injeksionet apo tymosjet, të çakërqejfurit a të çakërdisurit nga pushteti i gjithanshëm, të krekosurit nga plotfuqia, të pëlciturit nga vetëkënaqësia, pra, në qoftë se votuesi do të gjejë guximin të çlirohet nga tranzicioni, atëherë do të kemi një rezultat të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, një shtet, një shoqëri të shanseve të reja, një shtet dhe shoqëri të shpranguar në vullnetin e tyre për t’i kundërshtuar mafiat.

Duke folur në emër të sovranit, shumicat e derisotme, në të vërtetë vetëm sa kanë keqpërdorur, nëpërkëmbur, shkelur dhe poshtëruar emrin e sovranit, nderin e sovranit, fytyrën e sovranit, dinjitetin e sovranit, vetëm sa kanë uzurpuar institucionin e sovranit, kanë bërë vetë sovranin, ndërsa sovranin e kanë dëndur me iluzionin e lirisë, demokracisë, fanarit evropian dhe perëndimor, sa për t’ia pasur zili gjithë bota. Në të vërtetë, mafias iluzioniste të Shqipërisë, sidomos për lehtësinë e pashembullt me të cilën ka realizuar qëllimet e saj, është për t’ia pasur zili edhe vetë i famshmi Copperfield, iluzionisti deri sot me suksesin më të madh komercial, me një rekord të paarritshëm Gines, me çmime të panumërta ndërkombëtare nga industria argëtuese.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mafia, nuk mund te beje, Skender Bucpapaj, zgjedhje

Uashington : Një grup zëdhënsish nga qeveria Kosovës, po njihen me përvojën amerikane

February 27, 2013 by dgreca

Nga BEQIR SINA, Washington /

 WASHINGTON D.C: Një delegacion i zëdhënësve të qeverisë së Kosovës ndodhen këto ditë në kryeqytetin e SHBA, Uashington për të marrë pjesë në një seri takimesh dhe vizitash për çështje të komunikimit publik dhe të marrëdhënieve të qeverisë me shtypin, publikun, që njihen me përvojën amerikane. Ata vijnë kryesishtë nga kabinetet e qeverisë së Kosovës; dy prej tyre janë nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ministria e shëndetësisë, ajo e marrdhënieve publike, pushtetit lokal, financave, ministria e ambientit dhe ajo e palinfikimit si edhe ajo forcës së sigurisë së Kosovës..Dje, në Uashington delegacioni nga Kosova, tha se ka kaluar një ditë në Kongresin amerikan për të parë nga afër se si punojnë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërkohë që sot do të ketë takime në departamentin e Shtetit dhe atë të Drejtësisë

Ndërkohë, që po vijojnë vizitën, mysafirët nga Kosova, në hotelin “Four Session”, mbrëmë patën rastin të marrin pjesë në një pritje që dha ambasada e Kosovës, në Uashington me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në një pritje ku përveçë korit diplomatik në Uashington, kishin ardhur disa prej anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, qeverisë amerikane, leder të komunitetit dhe verprimtarë të dalluar.

Delegacionin nga Kosova në një takim të shkurtër e përshëndeti edhe miku i madh i shqiptarëve në Kongres, kongresisti demokrat i Nju Jorkut, bashkëkryesues i grupit të Çështjeve shqiptare në Kongres , Eliot Engell
“Jam shumë i gëzuar që po takohem me ju, tha kongresisti Engel në këtë ditë të shënuar për Kosovën, kur së bashku ne po festojmë pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke vlersuar këto takime të cilat sipas tij i kontribojnë edhe më shumë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara dhe të forcimit të aleancës dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.”

Anëtarët e delegacionit të qeverisë së Kosovës, i thanë gazetës Bota sot, se ata po viztoin SHBA , në mënyrë që të përfitohet nga praktikat amerikane, dhe që njihen me përvojën amerikane se si bëhet komunikimi pubilk dhe mërrëdhëniet shtyp me qeverinë nëpërmjet zëdhënseve të tyre.. Delegacioni nga Kosova, tha se pritet të zhvillojë gjatë këtyre ditëve edhe një serë takimesh të rëndësishme në Departamentin e Shtetiti dhe të Drejtësisë, institucionet e tjera të larta amerikane, kongresin dhe senatin amerikan.

Ata do të kenë gjithashtu edhe një vizitë disa ditore në Karolinën e Veriut në Really dhe Charlotte, ku do të njihen nga afër me përvojën amerikane në nivel lokal dhe shtetëror. Kjo është një vizita e parë e zëdhënësve të ndryshme të kabineteve të qeverisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një nga anëtarët e këtij delegacioni Dr. Faik Hoti drejtor në Departamentin e Shëndetësisë, i tha gazetës sonë se është majft i kënaqur me këtë vizitë. Ai vlersoi lart edhe kaoncidecën e kësaj vizite më festimet e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, që u mbajtë mbrëmë në Uashingon ku delagcioni i tyre mori pjesë, pritjen që dha ambasada e Kosovës në Uashington me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Dr. Hoti u shpreh se është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe që një delegacion i zëdhënësve qeveritar i cili po ndjek një program të lidershipit organizuar nga qeveria Amerikane, që në mënyrë koicidence po marrim pjesë edhe në shënimin e pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në kryeqytetin e SHBA, Uashington, një pritje kjo e organizuar nga ambasada e Kosoës në SHBA..

Ai tha se:”Ky është një moment jashtëzakonisht i lumtur që së bashku me miqt tanë të mëdhenjë , kogresmen, dhe zyrtarë të qeverisë amerikane, lider të komunitetit shqiptarë në SHBA, dhe bashkëatdhetarët tanë të festojmë së bashku, me njërëz që kan kontribuar shumë në pavarësinë dhe lirë e kosovës dhe ndajnë së bashku me ne të njëjtin gëzim për këtë ditë të shënuar. për shtetin më të ri të botës dhe zhvillimin e arritjeet e tij.” shprehet Dr. Faik Hoti drejtor në Departamentin e Shëndetësisë së qeverisë së Kosovës .

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, Eliot Engel, tkim, vizitojne Washingtonin, zedhensit e Koosves

KOMUNA E MALËSISË, LOJË POLITIKE E PODGORICËS

February 27, 2013 by dgreca

Nga Xheladin Zeneli/

Çështja e Komunës së Tuzit (Malësisë) është pjesë e programit,pothuajse e të  gjithë subjekteve politike shqiptare dhe të disa organizatave joqeveritare  dhe njëkohësisht është një ndër kërkesat e tyre kryesore.Gjithashtu,kjo çështje ka qenë temë e diskutimeve të niveleve të ndryshme,temë e disa elaborateve e projekteve, si dhe shkak i  protestave paqësore.

Kurse, që nga viti 1997 e deri më sot,së paku pesë herë është premtuar jetësimi i Komunës së Tuzit me të drejta të plota nga ana e qeveritarëve malazez  ,por deri më sot asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur.Poashtu,kërkesa e Komunës së Tuzit shpeshëherë ka qenë objekt negocimi në mes partisë në pushtet dhe faktorit politik shqiptar. Gjatë fushatave të ndryshme parazgjedhore ,në të kaluarën,zyrtarët e partisë në pushtet,duke përfshirë edhe kryetarin Millo Gjukanoviq, kanë vizituar trevën e Malësisë vetëm me një qëllim : që duke premtuar realizimin e komunës,të mbledhin vota  për Partinë Demokratike Socialiste (DPS).Dhe për fat të keq, deri më tani,kjo politikë ka pirë ujë.

Gjatë gjithë kësaj kohe,jo vetëm ndaj çështjes së Komunës së Tuzit,por në përgjithësi ndaj Malësisë,është udhëhequr një politikë neglizhente,inferiore dhe diskriminuese nga ana e Podgoricës zyrtare e cila është qasur çështjes së Komunës së Tuzit vetëm atëherë kur ky pushtet ka  parë mundësinë e përfitimit të vet politik.Pra, partia në pushtet e Millo Gjukanoviqit (PDS), e ka shfrytëzuar dhe gjithnjë vazhdon që t’a shfrytëzojë  deri në  maksimum kërkesën e drejtë të banorëve të Malësisë për  interesat,nevojat dhe qëllimet e veta politike . Sepse nuk shpjegohet ndryshe zvarritja me paramendim ,tashmë më shumë se dy dekada ,e realizimit të Komunës së plotë duke kushtëzuar jetësimin  e saj me arsyetime të pakuptimta dhe absurde.

Edhe sot ,çështja e Komunës së Tuzit është bërë temë e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat janë të  parashikuara që të mbahen me 7 Prill të këtij viti. Siç njoftojnë mediat, subjekteve politike shqiptare të cilat janë pjesë e koalicionit qeveritar,fillimisht iu është kërkuar për të mbështetur kandidatin e PDS-së, Filip Vujanoviq për president në zgjedhjet e muajit Prill.Si këmbim, partia në pushtet e Gjukanoviqit (PDS)) do të zhvillojë më vonë referendumin “konsulltativ” për statusin e plotë të komunës Tuzit.Përsëri, qeveria malazeze ,në mënyrë perfide dhe të kalkuluar,tenton që të përdorë çështjen e Komunës së Tuzit, si  mjet  për të arritur qëllimet e saja politike.Tani shtrohet pyetja se deri kur çështja e Komunës së Tuzit do të jetë objekt i marrëveshjeve apo çështje  kushtëzimi i njërës palë (pra, qeverisë  malazeze) ndaj palës tjetër(përfaqësuesve të subjekteve nacionale shqiptare) !?

Një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë lidhur me mosrealizimin e Komunës së plotë të Tuzit ,mban edhe  faktori politik shqiptar i cili nuk ka qenë sa duhet i vendosur apo këmbëngulës,unik dhe konsistent lidhur me  çështjen në fjalë,që nga fillimi.Gjithashtu,faktori politik shqiptar ka lejuar që shpeshëherë të manipulohet,nga ana e partisë në pushtet,në mes tjerash edhe me çështjen e Komunës, e cila ka përfituar nga ndasitë dhe nga mosuniteti i subjekteve politike shqiptare. Edhe në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, partitë politike apo kualicionet shqiptare që janë pjesë e qeverisë,deri më sot, nuk kanë arritur qendrim të njëjtë dhe kanë dallime sa i përket asaj  se a duhet apo nuk duhet përkrahur kandidati i PSD-së(DPS-it) për president të Malit të Zi.

 

 

Tendencat e shkëputjes së një komune dhe paradokset politike në rajon

 

Kur  janë në pyetje pozita e popujve pakicë në hapësirën e shteteve që u krijuan nga shpërbërja e Jugosllavisë,paradoksi më i madh është aplikimi i standardeve të ndryshëm (të dyfishtë,nganjëherë edhe të trefishtë)  në zgjidhjen e statusit të tyre brenda shtetit të tanishëm ku ata jetojnë. Të marrim për shembull serbët në veri të  Kosovës të cilët me përkrahjen e heshtur të komunitetit europian, po angazhohen për autonomi politiko-territoriale apo status special i cili, si i tillë  paraqet sfidë serioze për integritetin dhe tërësinë shtetërore të Kosovës.

Rasti tjetër i kërkesave ekstremiste serbe në rajon,paraqet iniciativa e Komunës Lubinje,territor  brenda Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës,me popullsi  shumicë të nacionalitetit serb.Komuna e Lubinjës gjindet në pjesën jug-lindore të Hercegovinës afër kufirit shtetëror me Malin e Zi dhe nëTetor të vitit të kaluar siç njofton portali  informativ në gjuhën malazeze (http://www.vijesti.me/ e datës 26/10/2012),zyrtarët e kësaj komune planifikojnë që të ftojnë banorët e vet  në referendum me qëllim që të votojnë për shkëputje nga republika e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe t’i bashkangjiten Malit të Zi !? Këte vendim ata e mbështesin  në Ligjin për referendum dhe në iniciativën qytetare të Republikës Serbe( RS) e cila është në fuqi që nga viti 2010. Nëse vjen deri te realizimi i një referendumi të tillë,ky do të ishte rasti i parë në këtë hapësirë të Ballkanit ku një komunë e një shteti fqinj shkëpuet dhe i bashkangjitet një shteti tjetër. Lidhur me këtë lajm, për befasi,nuk pati asnjë reagim nga instancat ndërkombëtare.

Derisa në njërën anë,një komune (komuniteti) të një shteti fqinj, i ofrohet mundësia e shkëputjes nga shteti të cilit ato i takojnë,në anën tjetër një pjese të shqiptarëve në Mal të Zi,respektivisht Malësisë,vazhdimisht iu mohohet një ndër drejtat e tyre fundamentale,e drejta e vetëqeverisjes së plotë lokale,si kërkesë minimale e shumicës autoktone shqiptare  në këtë trevë.Atyre, pra banorëve të Malësisë ,tash disa vite me rradhë iu është imponuar e ashtuquajtura Komunë urbane dhe sot  iu ofrohet njëfarë referendumi “konsulltativ”,i cili sipas disa ekspertëve të fushës përkatëse ,një gjë e tillë nuk ka bazë ligjore dhe do të duhej të ishte i papranueshëm.

Banorët e Malësisë kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të barabartë,ashtu si edhe bashkësitë e tjera etnike në Mal të Zi dhe kërkesa e tyre nuk kërcnon integritetin e shtetit të Malit të Zi dhe është  në përputhje me të gjitha ligjet,kartat dhe konventat ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale dhe decentralizimin e pushtetit ,prandaj edhe mos realizimi i drejtës së formimit të Komunës së plotë të tyre, është i pabazë dhe i pajustifikueshëm.

Është imperative që shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik të ngrisin zërin e tyre tani dhe  në mënyrë të unifikuar e me këmbëngulsi të kërkojnë  realizimin e Komunës së plotë të Tuzit,pa asnjë llojë referendumi dhe pa kurrfarë kushti apo ultimatumi nga ana e qeverisë së Malit të Zi,përndryshe çështja e realizimit ,të një ndër kërkesave më jetike të shqiptarëve në këtë shtet,do të vazhdojë që edhe më tutje të jetë lojë poltike e Podgoricës.

New York, 27 Shkurt 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Komuna e malesise, Loje e Podgorices, xheladin Zeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5547
  • 5548
  • 5549
  • 5550
  • 5551
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT