• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Distancë Shoqërore, Mbulesë Fytyre- Apo të Dyja Bashkë?

May 30, 2020 by dgreca

Shkruan Dr. Pashko CAMAJ/

Nenkryetar i Vatres/

Në dy muajt e fundit, kemi dëgjuar fjalë dhe fraza të reja që me siguri do të mbesin me ne për një kohë te gjatë. Fjalë sikurse ‘covid-19’, ‘rrafshimi i kurbës, ‘antitrupt’, ‘imuniteti’ dhe shumë të tjera, janë bërë pjesë e fjalorit tonë të përditshëm. Ndërsa fillojmë fazën e re të kthimit në aktivitete “normale” të përditshme, vazhdojmë praktikat që ndihmuan në uljen e rrezikut në nivele të pranueshme, në radhë të parë. Në këtë shkrim, do flasë edhe për dy fraza të reja, më të cilat e kemi pasuruar fjalorin tonë: “distancim shoqëror” dhe “mbulesë e fytyrës”.  Këtu janë disa informacione të rëndësishme që të gjithë mund t’i përdorim ndërsa vazhdojmë të luftojmë këtë armik të padukshëm.

Ç’ka është distanca shoqërore? 

Kjo është distanca fizike midis individëve, për të evituar rrezikun nga piklat e pështymës, që mund të transmetohen nga një person në një tjetër. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), distanca e duhur për parandalimin e transmetimit të Covid-19 në 6 këmbë (1.8 metra).

Mbulesat e fytyrës: 

Mbulesat e fytyrës mbulojnë hundën dhe gojën dhe zvogëlojnë ndjeshëm transmetimin e piklave në sipërfaqe, ose në një individ tjetër. Ato përfshijnë maska të gradës mjekësore deri në maskat shtëpiake. Po mësojmë se transmetimi viral, përmes të kolliturit, teshtitjes ose të folurit (veçanërisht të folurit me zë të lartë) janë mjetet kryesore të transmetimit. Pra, ndërsa vazhdojmë me larjen e duarve dhe higjenën, mund të kemi mbrojtje shumë më të mirë duke vazhduar distancimin shoqëror dhe duke përdorur mbulesa të fytyrës. Së bashku, këto  zvogëlojnë mundësinë e ekspozimit në radhë të parë, por edhe nëse ekspozohemi, ato zvogëlojnë ‘kohën’ dhe ‘përqendrimin’ e ekspozimit. Kjo do të thotë, ne mund të ndahemi shumë më mirë, nëse ekspozohemi 10 pikave që përmbajnë viruse, në vend të 1000 prej tyre!

Ekzistojnë dy lloje të mbulesave mbrojtëse: 

Maska të nivelit mjekësor dhe mbulesa jo-fromale apo ‘shtëpiake’ të fytyrës. Maska të nivelit mjekësor përfshijnë maska kirurgjikale dhe respiratorë N-95. Maska kirurgjikale për fytyrën përdoren për të bllokuar grimcat e mëdha dhe pikat qe nxirren gjatë frymëmarrjes (në ajër kur dikush kollitet ose teshtit). Maska të frymëmarrjes N-95 janë të dizajnuara për të filtruar tymin, grimcat e vogla dhe viruset e ajrit. Ndërsa, mbulesat jo-formale të fytyrës përfshijnë maskat të ripërdorshme, shami dhe shalle që përdoren në të njëjtën mënyrë si një maskë kirurgjikale, për t’ju mbrojtur nga grimcat e mëdha dhe pikat e frymëmarrjes. Sidoqoftë, këto lloj mbulesash mbrojtëse duhet të pastrohet ndërmjet përdorimeve dhe në përgjithësi nuk përdoret në një mjedis mjekësor. Gjithnjë, lani duart para dhe pas përdoroimit, pasi mund të ketë viruse ose bakterje të dëmshme në sipërfaqen e saj. 

Pak shkencë lidhur me transmetimin përmes ajërit: 

Studimet e fundit sugjerojnë që mbulesat e fytyrës shkurtojnë distancën e udhetitimi te pikave qe lagohen nga një person me më shumë se 90%. Ndërsa mbulesat e fytyrës nuk filtrojnë piklat në të njëjtën mënyrë si maskat N-95, ato rekomandohen tani si një mënyrë efektive për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, veçanërisht në mesin e personave që kanë virusin, por janë asimptomatikë.

Në Fund:

Mbulesat për fytyrë si maskat kirurgjikale, respiratorët N-95, si edhe mbulesat e fytyrës të bëra në shtëpi mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të përhapjes së viruseve. Mbani në mend se mbulesat jo-mjekësore të fytyrës janë efektive vetëm kundër përhapjes së virusit, nëse vazhdoni të merrni seriozisht masa për distancimin shoqëror dhe higjenën. Pra, përgjigjja në pyetjen nga fillimi është: vazhdoni me të dyja, me distancimin shoqëror, si një praktikë e mirë për të na mbajtur të sigurt, por nëse mundeni, plotësojeni atë dhe me përdorim te mbulesës së fytyrës.

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. Pashko Camaj, Dstance shoqerore, Mbulese fytyre

PIKTORI FERDINAND PACI-80 VJETORI I LINDJES

May 30, 2020 by dgreca

FERDINAND PACI (1940 – 1975)/

Shkruan:Fritz Radovani/Dielli/

Në 80 vjetorin e lindjes…

Oborri i shkollës Pedagogjike e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë me Ferdinand Pacin e, ma vonë si piktor të rijë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me dashtë artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori  po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesor Simoni, na fliste e na kshillonte…Na po përgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk dij asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit… 

Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 80 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia. 

Në shkollën pedagogjike Ferdinandi ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai. 

Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit. 

Ferdinandi mbas shumë përpjekjesh e nderhymjesh e nga ana e prof. Vladimir Janit, ma në fund, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme hyni në Institutin e Lartë të Arteve. 

Atje u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme… 

Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur unë hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…

Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht. Ferdinandi ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet.  

Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?” 

…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!

Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë! 

Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 45 vjet ma parë…

Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë. 

FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane! 

Ai ishte një zambak i bardhë i qytetit të Shkodres…Se, ashtu kishte edhe Shpirtin e Tij..

Në shenjë kujtimi ia kushtoj këta pak rreshta në këte 80 vjetor…

Melbourne, 30 Maji, 2020. 

Filed Under: Featured Tagged With: 80 vjet, Ferdinad Paci, Fritz radovani

STIGMA SI FAKTOR PENGUES NË KËRKIMIN E NDIHMËS DHE PËRMIRËSIMIN E SHËNDETIT MENDORË

May 30, 2020 by dgreca

Elvis Popaj, psikolog klinik/psikoterapist pranë Qendrës Shqiptare të Psikoterapisë Konjitiv – Bihejviorale, analizon për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, çështjet e shëndetit mendor në shoqëri si dhe menaxhimin, reduktimin e simptomave dhe përmirësimin e shëndetit mendor te personat e prekur. Me Elvis Popajn bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

ÇËSHTJET E SHËNDETIT MENDOR NËNVLERËSOHEN DHE PËRÇMOHEN NGA SHOQËRIA 

Fjala ‘stigmë’ rrjedh nga latinishtja ‘stigmat’ që e përkthyer në shqip do të thotë ‘shenjë’. Termi stigmë përdoret për të përshkruar një fenomen i cili gjykohet negativisht nga shoqëria dhe ndaj të cilit ka shumë paragjykime. Historikisht, çështjet e shëndetit mendorë janë trajtuar nga shoqëria në një mënyrë nënvlerësuese dhe përçmuese – si një ‘shenjë e turpshme’ që personat me çrregullime mendore mbartin. Edhe pse ankthi, gjendjet depresive, varësitë, psikozat, çrregullimet e të ngrënit etj, janë fenomene shumë të zakonshme, sërish është mjaft e vështirë të flitet hapur për to për shkak të stigmës që i rrethon ato. Për të kuptuar sesi lind dhe mbartet stigma në lidhje me çështjet e shëndetit mendorë duhet të shkojmë më herët, qëkur fëmijëve iu transmetohet që të ndjerit e frikës, ankthit, trishtimit apo cdo lloj emocioni tjetër të pakëndshëm, nuk është asgjë tjetër veçsë dobësi, turp apo pazotësi. Nëse fëmija shfaq frikë apo ankth, etiketohet si ‘frikacak’; nëse trishtohet është ‘qarraman’; nëse zemërohet është ‘i prapë’. Në këtë mënyrë, ne rritemi me mesazhin e gabuar që emocione të caktuara janë të papranueshme nga ambjenti përreth dhe si rrjedhim duhet ti fshehim, të mos i ekspozojmë apo ti mohojmë në mënyrë që të ndihemi më të sigurt dhe më të pranuar. Në fakt gjithsecili prej këtyre emocioneve ka një funksion të caktuar: fëmija është i frikësuar sepse ka dicka që e frikëson në ambjentin përreth, është i trishtuar sepse i mungon dikush apo dicka, është i zemëruar sepse nuk po i plotësohet një nevojë e caktuar legjitime. Dhe kur ndodh që këto emocione të intensifikohen më vonë si çrregullime të mirëfillta të ankthit apo depresionit bëjmë cmos që ti maskojmë në mënyrë që të mbrohemi nga gjykimi stigmatizues i të tjerëve apo/dhe i vetes. Në këtë mënyrë personat që përballen me çrregullime të shëndetit mendorë duhet të vuajnë vështirësi të dyfishta: nga njëra ata duhet të menaxhojnë vuajtjen e lidhur me çrregullimin mendorë që po përjetojnë dhe nga ana tjetër duhet të maskojnë këtë vuajtje për të mos u përballur me gjykimin stigmatizues të ambjentit përreth. Në momente të caktuara stigma brendësohet duke u kthyer në një rreth vicioz vetgjykues – në këtë mënyrë gjykimi stigmatizues ‘pse je kështu’, ‘pse ndihesh kështu’, ‘pse nuk bëhesh i fortë dhe ta kalosh këtë gjë’ kthehet në gjykime vetstigmatizuese të tipit ‘pse jam kështu’, ‘pse jam kaq i dobët sa të mos kem kontroll mbi ankthin tim’ duke e përkeqësuar ndjeshëm vuajtjen psikologjike.  

ALARMI I OBSH, 1 NË 4 PERSONA KALOJNË PROBLEME TË SHËNDETIT MENDOR 

E pra, çështjet e shëndetit mendorë janë aq të zakonshme sa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 4 persona në botë përjetojnë në një moment të jetës së tyre probleme të shëndetit mendorë. Kjo shifër pritet të jetë akoma më e lartë duke qënë se stigma, nuk i lejon shpesh individët të raportojnë çështjet e shëndetit mendorë hapur nëpër studime të ndryshme epidemiologjike. Një në katër veta do të thotë që në familjet tona, të paktën një prej nesh vuan çështje të shëndetit mendorë për të cilat në shumicën e rasteve nuk merr ndihmën e nevojshme. Studime të tjera pohojnë se rreth gjysma e Amerikanëve (46%) në një moment të jetës së tyre përballen me një vështirësi të shëndetit mendorë, qofshin këto çregullime të ankthit, çregullime të humorit, varësi nga substancat apo çregullime të tjera (Kessler et al, 2005). Pra një në dy persona në Amerikë përjetojnë në një moment të jetës së tyre probleme të lidhura me shëndetin mendorë.

PSE ËSHTË E VËSHTIRË TË FLITET PËR SHËNDETIN MENDOR 

Natyrshëm lind pyetja: përderisa çregullimet e shëndetit mendor janë kaq të zakonshme, përse është kaq e vështirë të flitet hapur për to dhe të kërkohet ndihmë kur po përballemi me to? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet ti rikthehemi sërish asaj çfarë po diskutonim në fillim: se si shfaqja e emocioneve të caktuara si frika, ankthi, trishtimi interpretohet si dobësi në shumë kultura përfshirë edhe kulturën tonë. Nëse ju referohemi statistikave të mësipërme problemet e shëndetit mendorë janë po aq në mos më të zakonshme se shumë nga sëmundjet fizike që na prekin gjatë ciklit të jetës sonë. Por nga ana tjetër për shumë prej nesh është e lehtë të themi që vuajmë nga gastriti por jo edhe aq e lehtë kur duhet të flasim për ankthin që përjetojmë, është e lehtë të ankohemi për dhimbjet e mëdha të migrenës por jo të flasim për ndjenjat e thella të pavlefshmërisë që vijnë bashkë me depresionin, është e lehtë të qahemi për dhimbje të ndryshme fizike që përjetojmë por jo të flasim për stresin kronik të pranishëm në jetën tonë. 

PËRMIRËSIMI DHE TRAJTIMI I PROBLEMEVE TË SHËNDETIT MENDOR 

Po, a përmirësohen problemet e shëndetit mendor dhe a ka mënyra për ti trajtuar ato? Fatkeqësisht stigma pengon shumë njerëz që të marrin ndihmën e duhur dhe aq të nevojshme kur përballen me çështjet e shëndetit mendor. Sot ekzistojnë shumë disiplina të ndryshme shkencore që ndihmojnë në menaxhimin, reduktimin e simptomave dhe përmirësimin e ndjeshëm të problemeve të lidhura me shëndetin mendorë. Pa u ndalur shumë gjatë tek përshkrimi i gjithsecilës – psikoterapia, medikamentet, ushtrimet fizike, meditimi, yoga etj – janë studjuar gjërësisht dhe vlerësuar si efektive në përmirësimin e shumë prej problemeve të shëndetit mendorë. Psikoterapia, për shembull është një mjet mjaft efektiv jo vetëm në reduktimin e vuajtjes që rrjedh nga prania e çrregullimit mendorë por gjithashtu një mekanizëm efikas që ndikon në rritjen e cilësisë së jetës, rritjen personale, përmirësimin e marrëdhënieve dhe orientimin drejt një jetë më të kuptimshme dhe më të plotë.    

Filed Under: Featured Tagged With: Elvis Popaj, Sokol Paja, Stigma

“Michigan Albanian Americans for Trump”, “fake name”…

May 30, 2020 by dgreca

Replikë Artikullit të z. Martin Vulaj, botuar në gazetën Dielli online, datë 29 Maj 2020:

“The original document of the conversation”/

NGA VALENTIN LUMAJ*

Nuk e njoh në person z. Martin Vulaj, prandaj nuk ndiej asgje tjeter vecse respekt ndaj tij që punon në menyrën e tij të ndershmërisë për komunitetin apo çështjen kombëtare.

Megjithatë unë dua të paraqes disa argumente që bien në kontradiktë me nje pjese nga çfarë shkruhet në artikull:

  1. Letra e derguar zevendes-pesidentit Pence eshte drejtuar nga “Michigan Albanian Americans for Trump”. Ky emer eshte fiktiv apo “fake name”, sepse nje organizate apo shoqate e tille nuk egziston as ne komunitet as e rregjistruar ne County apo askund.
  2.   Adresa e kesaj “Shoqates” qe eshte e shkruar ne leter eshte e residenca personale e z. Gjevalin Gega. A mund t’i shkruhet nen-presidentit te Amerikes gjoja ne emer te  komunitetit shqiptar me nje emer fallco dhe nje adrese te nje residence personale?!                
  3. Kjo leter eshte nenshkruar vetem nga z. Gjevalin Gega me shenimin “Kryetari”.  Une pyes: kryetari i kujt?  Ne ketu ne MI as kemi pare as kemi degjuar te jete themeluar kjo shoqate kaq e madhe me “lideret e komunitetit” dhe kryetar te jete zgjedhur

 z. Gega.

  • Z. Gjevalin Gega nuk perfaqeson askend perveç vetes se tij, ai nuk ben pjese apo perfaqeson asnje shoqate apo grupim te mirenjohur atdhetar ne MI.
  • Lista e “Michigan Albanian Community Leaders” perbehet vetem nga Shoqata Malsia dhe Shoqata Kosova, pasi te tjeret ne liste jane individe qe perfaqesojne vetem personin e vet. Edhe udheheqesit e kulteve fetare perfaqesojne vetem veten e tyre mbasi ata nuk und te perfaqesojne vullnetin politik te anetareve te vet. Po ashtu edhe perfaqesuesit e Televizioneve nuk perfaqesojne shikuesit e televizioneve te tyre.  Ne MI ka shoqata dhe organizata te tjera, te cilat z. Gegaj nuk arrin t’i manipuloje. Permend ketu institucionin e Konsullit te Nderit, Federata Vatra MI, Shoq. Kastrati, Shoq. Dukagjini. Albanian Roots MI, Shoq. Rapsha ne Mergim, etj.
  • Ne kete artikull shkruhet se kjo leter nuk ka lidhje me Peticionin e fundit derguar Presidentit Trump. Faktikisht ka nje lidhje sepse z. Gegaj eshte nje nga nismetaret dhe bashkepunuesit edhe te atij peticioni. Ai ka punuar shume per sigurimin e mbeshtetjes per kete peticion ketu ne Michigan, dhe ja ka arritur qellimit, mbasi ka bindur nje institucion fetar, ndersa dy institucione te tjera  as i ka pyetur as ua ka marre pelqimin. Me aq informacion qe kam, ata jane shume te indinjuar me kete veprim dhe mund te marrin edhe hapa ligjore.
  • Z. Gegaj, si firmetar i dy dokumenteve ne nje kohe te shkurter, i pari supporton Presidentin Trump dhe i dyti e sulmon Presidentin, dhe mohimi i lidhjes me te dytin, krijon nje konfuzion dhe nje opinion per nje dyzim qendrimi apo personaliteti.
  •  Sipas letres te ciles i referohet z. Vulaj, z. Gegaj eshte kryetar i shqiptareve qe mbeshtesin Trump-in, pra i shqiptareve republikane. Fakti  qe e ve ne pikepyetje te gjithe kete leter eshte se z. Gegaj eshte i deklaruar si INDIPENDENT.

Disa pyetje per autorin:

-mbi çfare baze e quani takimin e z. Pence me grupe etnike ne MI si takim special me z. Gega?

-si mund t’i konfirmoni si te verteta fjalet e z. Gega drejtuar z. Pense apo pergjigjen e z. Pence ne ate takim, a ka deshmitare qe e deshmojne kete?

-Kur thoni se “z. Pence u prek ne shpirt nga fjalet e Gjevalinit”, sim und t’a provoni kete. 

-si mund ti konfirmoni telefonatat e z. Tripmacher apo znj. Ahlers me z. Gega? Kush i ka degjuar apo regjistruar?

– Si mund t’a konfirmoni deklaraten e znj Ahler. Meqenese pati nje leter te shkruar, a keni ndonje pergjigje me shkrim apo vetem fjale ne ajer “according to Gegaj”?

-Edhe nje verejtje serioze per Peticion-shkruesit alla-Gjovalin Gegaj, alla-Richard Lukaj etj:

Mos i kompromentoni dhe mos u mundoni te fitoni kredibilitet duke perdorur emrin e bashkesive fetare. Bashkesite fetare nuk merren me politike.  Ka nje konflikt te madh ketu. Nje udheheqes i nje bashkesie fetare nuk mund te firmose nje peticion qe ska lidhje me religjionin, ne emer te gjithe anetare te asaj bashkesie. Udheheqesit fetare mund te merren me aktivitet politik apo kombetar si individ por jo si bashkesi. Sepse normalisht Trump apo Pense kane te drejte te pyesin: Cfare pune kane per shembull kishat apo xhamite te me kritikojne apo rekomandojne çfare duhet te bej apo mos te bej ne punen time si President/Vice i Amerikes?  Prandaj ju mund te shkruani emrin e tyre si individe por jo te bashkesise fetare qe perfaqesojne. Kete ta mesoni sa per kulture te punes tuaj.

Ne pamje te pare mund te duket sikur une kam nje qasje personale me z. Gega. Ne fakt nuk eshte ashtu, per me teper e adhuroj si nje punetor i palodhur dhe familjar i mire. 

E BERA KETE REPLIKE PER TE NDERGJEGJESUAR LEXUESIT, SE Z. GEGAJ APO TE TJERE, ME DASHJE, PA DIJE, PA VETDIJE, ME NAIVITET, PER POPULIZEM APO PER PAK EMER E ASHTU NEN TAVOLINE, PO I BEJNE NJE DEM SHUME TE MADH KOMUNITETIT SHQIPTAR, KOSOVES APO ÇESHTJES KOMBETARE. Prandaj ky reagim le te jete fillim i nje refketimi per te kuptuar gabimet ne menyre qe te  mos perseriten ne te ardhmen.

 “E thëna e së vërtetës nuk sjell ndonjë fitim; po ka një ëmbëlsie më vete, sepse te qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje”- ka thene themeluesi i Diellit. Per hater te Konices se Madh, tek Dielli nuk duhet te botohen çfredolloj artikujsh elozhe per individe qe i ndjek nga mbrapa vetem hija e vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: fake name, for Trump, Michigan Albanian Americans, Valentin Lumaj

Midis dy teatrove – Et’hem Haxhiademi

May 30, 2020 by dgreca

Shkruan:Shpend Sollaku Noe’/

Në të gdhirë piva një kafe me Et’hemin  e madh. Mbahej mirë. Ai e di ku ndodhet dhe fakti që eshtrat e tij u vidhen të afërmve i kalon shkarazi. 

Nuk është turpi im ai varr i zbrazët në Elbasan, më thotë ndër të tjera. Unë nderin tim nisa ta ndërtoj vetë, që herët. I vura në themelet lirizmin, i ngrita muret tragjikë kur eshtrat e mia ishin ende në formim e sipër. Me tragjedi të mëdha. Ato që do t’i mungonin popullit tim për një kohë të gjatë. Që po e shohin dritën e re pikërsisht së fundi. Falë Hortensias. Falë miqve të panumurt që llava e diktaturës nuk arriti t’i shkrumbëzojë.

Të kemi qenë afër, i them. Edhe kur përmendja e emrit tënd përbënte krim. Të kërkonim, të gjenim, të shpërndanim. Rrezikonim. Pa atë rrezikim do të kishim qenë të pandershëm.

E di, më thotë duke më rrahur shpatullat me sy të njomur.

Kafeja i është ftohur. Por frymëmarrja nuk e tradhëton. Ku jemi këtu, më pyet.

Në Lushnje, i përgjigjem.

Një qytet i pazgjidhshëm prej jetës time më thotë. Këtu në 1928-ën shkruajta “Aleksandri”-n. Kritikët kanë shprehur mendime të ndryshme rreth vendit që kjo vepër zë në krijimtarinë time. Për mua ndërkaq ka një kuptim të vëçantë botimi i saj. Ishte shpresa e përjetësimit. Edhe është. Dhe do mbetet besoj. Ajo që edhe më mban lidhur përjetësisht me Lushnjen tënde.

Lushnjarët të duan, i them. Edhe pse rrugë e insituzione mbajnë ende emra të persekutorëve të tu. E dije që me shumë mundësi je ti ai nëprefekti i një filmi me Tefta Tashkon?

Ah, sot po e dëgjoj. Megjithatë më duket sikur e kam ditur. E shkreta Tefta. Jo vetëm për ikjen e hershme. Por sidomos që nuk arriti të ketë operan e saj. Ndoshta edhe qe me fat. Kushdi çdo t’ikish ndodhur nëse nuk do të kish ikur nga kjo botë që në vitin 1947.

Për fat të mirë apo për të keq, i them.

Fatin varet sesi e lexon. Mua më duket fat i mirë. Sidomos i krahasuar me timin. 

Heshtje e rëndë. Që të dy jemi të përhumbur. Duhet ta thyej unë. Dhe nuk gjej një krismë tjetër veç fjalës “teatër”.

Ah, e dija që do të ma bëje këtë pyetje, më thotë me sytë përdhe. Kujton se nuk më dhëmbi ajo shëmbje me tradhëti e dhunë? Duhet një vepër e madhe ta mbulojë atë turp. Megjithëse besoj qe tashmë do të mbetet një turp historik. 

Unë e kam një zgjidhje, i them, për të tentuar një korrigjim të sjelljes së pushtetit ndaj artit dhe letërsisë.

Et’hemi i mirë m’i ngul sytë.

Është një zgjidhje që mund edhe të tingëllojë si një falje konkrete për ndalimin, burgosjen, fluturimin në mister të skeletit tënd. 

Tragjediani i madh tund kokën me mosbesim.

Dëgjomë deri në fund, i lutem.

Ai behet i gjithi veshë e sy. 

Ç’më thua nëse bëj të plasë si një eksploziv idenë që teatri i ri që do të ndërtohet të ketë emrin “Et’hem Haxhiademi- tragjedian”?

Kush më shumë se ty do të mund ta meritonte atë nder? Është nder i bazuar në talent të pakufishëm, i bazuar në vuajtjet e syrit dhe të penës në terrin e një qelie të egër, në fluturimin përtej jetës prej një dyshimi kurrë të pazbardhur, në humbjen e të mbeturave të një trupi tashmë të ligështuar prej krimit në pushtet. 

“Teatri Et’hem Haxhiademi- tragjedian i madh shqiptar, 1902-1965”. 

Nuk do të ishte e mrekullueshme?  Nuk do të ishte një “kërkojmë falje” e madhe për krime tashmë të paarkivueshme?

Do të vija një javë përpara në Shqipëri për ta festuar atë ditë. Shiritin le ta prisnin ata. Le të merrnin edhe meritat e vënies së atij emri tashmë të shenjtë për letrat shqiptare. Kush më tepër se ty, Et’hem i dashur, do ta meritonte atë nder? Kush do ta meritonte? Kush?

Kafeja e ftohtë nxin mbi tavolinë.

Filed Under: ESSE Tagged With: ETHEM HAXHIADEMI, Shpend Sollaku Noé

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 556
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT