• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DASMA TIRANSE” SI NJË DËSHMI E PASURISË ETNOGRAFIKE DHE LIRIKE NË TRADITËN E TIRANËS

June 7, 2021 by dgreca

Gazetarja Alba Kepi sjell para lexuesit librin e saj më të ri etnografik “Dasma Tiranse”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” në New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, gazetarja Alba Kepi shprehet se botimi “Dasma Tiranse” është një studim etnografik, e ka si qëllim evidentimin e traditës popullore, vlerave shpirtërore e kulturore të trevës së Tiranës. Vemendje e veçantë i është dedikuar në libër Etnopsikologjisë tiranse e lidhjes së banorëve me qytetin e Tiranës. Kapitujt e librit respektojnë ritualin e dasmës së hershme tiranse e kryefjala është folklori autokton, zakonet, tradita shpirtërore, këngët, vallet etj. “Dasma Tiranse” vë në pah dhe tiparet etnokulturore të artit dekorativ të veshjeve tiranse, aftësive krijuese të grave e vajzave në qëndisjen, endjen e pëlhurave, kombinimin e ngjyrave. “Dasma Tiranse” është një studim që përfshin etnografinë, etnokoreografinë dhe lirikën popullore. 

E VEÇANTA E STUDIMIT “DASMA TIRANSE”

Ky libër është një histori e vërtetë dashurie mes meje e qytetit tim të lindjes Tirana. Rrëfimi i kësaj ndjenje mban rrahjet e zemrës së stërgjyshërve e të gjyshërve të mi. Jam lindur e rritur në një familje tiranse, jam bijë e banorëve autoktone të këtij qyteti shekullor, e quaj këtë libër një kontribut për rrënjët e mia. Studimet universitare në fakultetin e Histori-Filologjisë dhe eksperienca disavjeçare në Drejtorinë e Muzeve të Tiranës si historiane, qenë shtysa për të kuptuar se sa të cunguar dhe të pashkruar e kishte lënë historigrafia komuniste traditën popullore të qytetit tim. Arkiva të mbushura me fotografi të retushuara, tekste shumëvjeçare këngësh popullore të redaktuara në përshtatje me himnet revolucionare të Partisë së Punës, zakone e rite të konsideruara si “shfaqje të huaja”, kishin vetëm një qëllim: harresën e plotë ndaj një historie të shkruar nga populli. Punimi “Dasma Tiranse” është mbi të gjitha një studim etnografik, e ka si qëllim evidentimin e traditës popullore, vlerave shpirtërore e kulturore të trevës së Tiranës. Është pjesë e pandarë e historisë së popullsisë së këtij territori. Çdo festë, gëzim, çdo ngjarje e shqetësim, çdo moment i rëndësishëm i jetës o qoftë një ditë e re, shoqërohej tek banorët autoktonë me një arkiv zakonesh e dokesh që i janë përcjellë brezave si një amanet shpirtëror i qytetit. Në kulm të tyre qëndron tradita e dasmës tiranse që mundi t’i rezistojë diktaturës komuniste e transformimeve që ka pësuar gjatë dekadave të fundit shoqëria shqiptare. 

STUDIMI OFRON SPEKTRIN E PAFUND TË VLERAVE TË PAKRAHASUESHME QË MBART TREVA TIRANSE

Mangësia e botimeve me tematikë studimin e traditës kulturore, popullore e tradicionale shqiptare është arsyeja e dytë e rëndësishme në realizmin e punimit “Dasma Tiranse”. Dhe pse i fokusuar në një ritual të caktuar, ky studim ofron spektrin e pafund të vlerave të pakrahasueshme që mbart treva Tiranse, tejet e begatë në këtë drejtim, e që kurrsesi nuk duhet lënë të humbasë e të zhduket. Në Tiranën e sotme, ku qyteti e rrethina është e mbipopulluar nga banorë të rinj, mbartës e përcjellës të zakoneve e traditave të vendorigjinës së tyre, bëhet e nevojshme dhe evidentimi e ruajtja e kulturës popullore autoktone. Dasma tiranse me elementët e saj përbërës ka njohur katër etapa zhvillimi: lindja e formimi i saj, që shkon deri në fund të shekullit të XIX; zhvillimi e lulëzimi etnografik deri në mes të shekullit të XX, duke shënuar një kulm në vitet ’30; përsiatja e kufizimi i tipareve e i origjinalitetit, në kushtet e një regjimi dikatorial deri fillim të viteve ’90 të shekullit të XX; transformimi e modernizimi i saj në ditët e sotme. Duke u bazuar në këtë kronologji historike kam evidentuar hap pas hapi tiparet e karakteristikat e saj. Një vemendje të veçantë i kam dedikuar Etnopsikologjisë tiranse e lidhjes së banorëve me qytetin. Të rrëfesh, siç thuhet ne dialektin autokton, adetet e dasmës tiranse, do të thotë të përshkosh historinë e zhvillimit të këtij qyteti si dhe evolucionin kulturor të popullsisë së tij. Tek rituali i dasmës kulmon qartë kultura, historia, patriotizmi i popullsisë së një territori që bashkarisht kanë nisur rrugështegtimin e tyre të jetës. 

NDRYSHIMET DEMOGRAFIKE E ROLI SOCIAL – POLITIK I SHTRESËS SË TREGTARËVE E ZANATÇINJVE AUTOKTONË

Një vend të rëndësishëm zë dhe historia e zhvillimit ekonomik e social të qytetit të Tiranës, ndryshimet demografike e roli social – politik i shtresës së tregtarëve e zanatçinjve autoktonë në zhvillimin e qytetit gjatë viteve ’30 të shekullit të XIX. Kapitujt e librit respektojnë ritualin e dasmës së hershme tiranse e kryefjala është folklori autokton, zakonet, tradita shpirtërore, këngët, vallet. Kapitujt kryesorë janë: Dhënia e fjalës (Fejesa) me transformimet që ka pësuar që nga rregullat e imponuara dikur nga Kanuni e deri më sot, Vadja (prerja e ditës së dasmës). Prerja e vades njihet në krahinën e Tiranës si caktimi i ditës së dasmës e është një moment të cilit i tregohet një kujdes i veçantë nga familjet e çiftit të ri, Përgatitja e dasmës në shtëpinë e nuses, Përgatitja e dasmës në shtëpinë e dhëndrrit, Dasma – ceremonia festive, gostia. Është momenti më sublim i festës familjare me një ngarkesë të fortë emocionale për të gjithë, këngët, vallet, veshjet, krushqit, nusja, dhëndri janë aktorët kryesorë të këtij kapitulli, Gostia që u shërbehet të ftuarve në dasmën tiranse ndjek një protokoll cerimonial që është tregues i qartë se kultura e popullsisë autoktone ka qënë shumë herët e ngjashme se ato që shohim të na imponohen sot nga agjensitë e organizimit të festave. Etika e kultura e respektimit të miqve e familjarëve, me rregullat e mënyra e ndarjes së tavolinave, cilësia e gatimit, menuja speciale janë shprehje të një emancipimi të familjes tiranse, vlerave e dinjitetit në respektimin e çdo të ftuari. Zbërthimi i këtij kapitulli vë në pah dhe tiparet etnokulturore të artit dekorativ të veshjeve tiranse, aftësive krijuese të grave e vajzave në qëndisjen, endjen e pëlhurave, kombinimin e ngjyrave etj. Ditët pas dasme: Ky kapitull ka të njëjtën vëmendje nga familja tiranse aq sa dhe ceremoniali i dasmës, e ku renditen ritualet e zakoneve të hyrjes së nuses në punë, kafeja e nuses, dorovitja, kthimin e saj në familjen e origjinës etj. Këngë e valle dasme tiranse: Qëllimi i këtij kapitulli është mbledhja e ruajtja e këngëve e valleve të hershme popullore tiranse me ndërgjegjësimin e përgjegjësinë e rrezikut të humbjes së tyre në ditët e sotme. 

DOKUMENTACIONI DHE MATERIALET E BOTIMIT

Libri “Dasma Tiranse” është bazuar në dokumente të mbledhura nga arkivat folkloristike e nga rrëfimet e autoktonëve. Një vend të veçantë i kam dedikuar në këtë studim rrëfimeve të banorëve autoktonë, takimeve e bisedave të drejtpërdrejta me gjyshe e nëna që e kanë jetuar dhe e kanë trashëguar ritualin e vërtetë të dasmës së hershme tiranse. Kam shfrytëzuar dhe studimin nga botime të realizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Historisë etj, si dhe tekste kërkimore me objekt etnografinë, etnokoreografinë, lirikën popullore. Disa prej tyre janë librat e etnografëve e historianëve të njohur shqiptarë si  “Dasma në Shqipëri” e Abaz Dojaka, “Shqipëria në 1923” Teki Selenica, “Shqipëria në 1921” Teki Selenica, “Martesa në Tiranë” Shefqet Nallbani, “Zakone në Tiranë” Xhemal Kusi, “Shqipëria e ilustruar”, “Tirana Kryeqyet” Mehdi Frashëri, “Tirana 1604-1937” etj.

E ZONJA E SHTËPISË, HËNA, LULJA, AJRI E JETA

Në një familje tradicionale tiranse zonja e shtëpisë, gruaja, nusja, vajza, motra, mbesa e stërmbesa, pra figura femërore në përgjithësi, kishte një rol kyç në vlerat e traditat e saj. Figura e femrës është busulla e  bashkëjetesës, sjelljes, kontributit ekonomik e social  në marrëdhënie me të gjithë anëtarët e së njëjtës familje. Për fat të keq historiografia komuniste femrën tiranse e ka trajtuar në mënyrë mediokre, të kushtëzuar nën mentalitetin diktatorial për të shpërfytyruar e manipuluar çdo vlerë të kësaj treve. Me synimin e poshtërimit të banorëve të Tiranës së pas Luftës së dytë Botërore, sistemi komunist doktrinizoi e falsifikoi historinë e etnografinë tiranse. Gruaja tiranse nga studiuesit e kësaj epoke, prezantohet si e përulur, pa asnjë të drejtë ekonomike, shërbëtore e burrit dhe e pavlefshme brënda familjes. Po për fat të keq në disa përpjekje të kryera gjatë viteve të fundit për të përcjellë historinë e zakoneve e riteve të traditës tiranse, përsëritet i njëjti gabim, i justifikuar nga referimi i vazhdueshëm që i bëhet materialeve të historiografisë komuniste, si dhe nga mosnjohja e mungesa e kulturës së informacionit të jetesës në një familje tiranse. Pozicioni i gruas tiranse brenda familjes, nuk ishte aspak më e ulët se pozita e çdo gruaje shqiptare në çdo familje shqiptare, pavarësisht krahinës ku ndodhej. Një fakt  i vërtetueshëm përmes etnografisë është se roli i femrës në familjen tradicionale tiranse ishte thelbësor, me dinjitetin e respektin si në çdo familje europiane. Nëse i Pari i shtëpisë ishte truri i familjes tiranse, Zonja e Shtëpisë, gruaja, nusja, vajza, mbesa e stërmbesa ishte zemra pa të cilën truri nuk mund të vinte në lëvizje asnjë mekanizëm jetësorë. 

KULTURA TIRANSE E VESHI GRUAN KOKË E KËMBË ME AR

Kultura tiranse e veshi gruan kokë e këmbë me ar, kostumi i saj tradicional ishte dhe është nga më të bukurit, më të kushtueshmit e më të vlerësuarit në kostumografinë popullore shqiptare. Bizhuteritë e ballit, të gushës, të gjoksit, të duarve e këmbëve dëshmonin vlerësimin e respektin për vlerën shpirtërore, sociale e ekonomike të gruas brenda familjes. Jeleku, këmisha, dimiqtë e çdo pjesë e veshjes së gruas, duhet të ishte ekskluzivisht e qëndisme me ar dhe e punuar mbi pëlhurën më të kushtueshme që ekzistonte në treg. Momenteve të caktuara të ditës i përgjigjej një veshje e veçantë për vajzën, gruan, o gratë më të moshuara. Të tilla ishin rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e dasmës, e sebepeve etj. Duke u bazuar në ligjet dokësore historiografia komuniste shqiptare e ka prezantuar gruan tiranse si pa asnjë të drejtë ekonomike. Dhe ky pohim bazohet në keqdashësinë për të mos njohur siç duhet realitetin. Gruaja tiranse ishte goca (vajza) tiranse e cila kishte mbërritur në familjen e burrit, me të gjitha pasuritë e tundshme e të patundshme të dhuruara nga familja e saj e origjinës, e që i duheshin për të përballuar jetën denjësisht. Fuqia ekonomike e gruas tiranse në shtëpinë e burrit, ishte e pandashme nga pasuria që bashkëshorti apo dhe vetë i Pari i shtëpisë zotëronte për çdo anëtar. Gruas tiranse nuk i mungonte asnjëherë e drejta për të pasur lirinë ekonomike në zgjedhjet apo nevojat e saj, kishte kapitalin e saj që e gëzonte dhe e administronte në mënyrë autonome. Mjaft vajza tiranse, në fillim vitet e ’90 studiuan e u diplomuan në Universitetet më të mira të Europës, të tjera specializuan aftësitë e tyre pranë kompanive më të sukseshme botërore, e shumë të tjera zgjodhën të bëheshin mësuese e të kontribonin në arsimin e popullsisë autoktone. Por dhe mjaft vajza e gra të familjeve tiranse u bënë pjesë aktive e bizneseve të familjes. Në familjen tiranse nuk ka ekzistuar kurrë as me ligj dokësor e as në mentalitet një grua shërbëtore. Gruan, burri e djali tirans e mbante mbi kaptinë (kokë) e i thurte vargjet e këngët më të bukura me krahasime më të bukura të natyrës si hëna, lulja, ajri e jeta. Në familjet tiranse ishte e zakonshme që vëllezërit e martuar, nënë e babë të jetonin në një zjerrm (banesë) e ky fakt çonte në domosdoshmërinë e krijimit të figurës së zonjës së shtëpisë. Ajo ishte pothuajse përherë gruaja e të Parit të shtëpisë e nëse ky nuk ishte i martuar mund të ishte një grua e familjes e përcaktuar nga ai për të kryer këtë rol. E zonja e shtëpisë zgjidhte rregullat për një bashkëjetësë të qetë me detyrimet që secili kishte në aktivitetet e përditshme. Disa nga vajzat e gratë e familjes ngarkoheshin të gatuanin, disa të tjera për pastërtinë, e të tjera që zakonisht ishin vajzat e pamartuar të shtëpisë,  merreshin me kujdesin ndaj fëmijëve të vegjël, pra ndaj nipërve e mbesave. Si Pari i shtëpise dhe e Zonja e shtëpisë karakterizohej nga urtësia e fjalës. Zonja e shtëpisë, kishte të njëjtën mënyrë jetese si çdo femër e familjes, pra dhe pse konsiderohej e tillë nuk gëzonte asnjë privilegj ndryshe. 

PJESË NGA LIBRI “DASMA TIRANSE”

Kënga e përcjelljes së vajzës nuse nga familja e saj e hyrja në shtëpinë e familjes së saj të re: 

“O c’janë këta krushqit tanë kështu-o

Nisen e s’po duken o

Nisen e s’po duken o

O i vonoka babaës nuses o

Osht tu e porositun o

Amanetni bijën time o

se e kom tue e rrut o…”

(e me rradhë vijnë në vargje porositë e nënës, vëllait, motrës…)

Një lajmëtar sjell lajmin se nusja doli nga shtëpia e babës e të gjithë nisin të këndojnë:

“Mirë se të na vish o nusja jonë

të na vijsh me sheqer në dorë,

O nusja dermonit o, dega selfionit o

O nusja dëshirit o, lulja e xhevahirit o…

“…O nusja e re o nusja e re,

Të shkojnë lotët rrëke rrëke,

O shkoja e fhsija dhondërr e

o ja fshij por s’ka me se…

O me mendilin e xhepit e

O e kom të re e prishet e

O të morrtë të keqen e

O të bi nusja tjetër e,

O ta mbështjell me letër e….”

Sapo nusja mbërrin në derën e burrit, çdo hap i saj shoqërohet me një ritual këngësh e vallesh të caktuara:

“O marshallah nusja si qeka

O marshallah shtatin ce paska,

O dhe ne të mira jemi,

por shtatin e nuses nuk e kemi …”

E mbajtur krahëve nga kunetërit e saj, o kushërijtë më të afërt të dhëndërrit, nusja i drejtohet oborrit ku grania këndon:

“O hyni nusja në oborr,

shtati nuses si vaporrr,

Ndërsa sapo shkel hajatin dëgjohet;

“O hyni nusja në hajat, shtati nuses si bajarak

O hyni nusja në hajat,

shtati nuses si bajrak…”

Oriz, karamele, sheqer e monedha i derdhen mbi trup për t’i sjellë lumturi, ëmbëlsirë e begati në jetë. Mbi kokë i vejnë qeleshet e burrave të shtëpisë e sa më shumë ti rrijnë në kokë, aq shumë fëmijë e gëzim ka për t’i sjell kësaj shtëpie. Pranë pragut të shtëpisë, i vejnë nën sqetull një parur buke, për begatinë e kësaj dere, ku e pret e vjehrra mes këngëve të granisë:

” O hyni nusja në shtëpi,

O shtati nuses si selvi…”

Filed Under: Featured Tagged With: Alba Kepi, Dasma Tiranase, Sokol Paja

RISHKRIMI I HISTORISË KOMBËTARE

June 7, 2021 by dgreca

ATA QË PO E RISHKRUAJNË HISTORINË KOMBËTARE JANË SHËRBYES TË POLITIKËS KOMUNISTE-STALINISTE-ENVERISTE

-Historiani Arben Llalla flet për Diellin e Vatrës në New York./

Historiani Arben Llalla është shprehur kundër rishikimit apo rishkrimit të historisë sonë kombëtare duke e quajtur një projekt që i shërben të kaluarës komuniste të Shqipërisë. Njerëzit që kanë mare përsipër kundrejt një pagese të majme, sipas Llallës  janë po ata që i kanë shërbyer diktaturës komuniste, historianë komunist-politikanë. Sipas Historianit Llalla qeveritë shqiptare janë të nënshtruara përballë Greqisë. Jeta politike, shoqërore, mediatike, fetare dhe ekonomike kontrollohet nga Athina. Historiani Arben Llalla akuzon edhe përçarësit e Vatrës, degën e jashtëligjshme dhe të përjashtuar nga Vatra, atë të Uashingtonit e cila i ka vjedhur librin dhe lexuar kumtesën e tij edhe pse ai ishte tërhequr nga një aktivitet jo produktiv mbi Arvanitasit. Me historianin Arben Llalla bisedoi gazetari i Diellit Sokol Paja

Akademia e Shkencave të Shqipërisë akordoi një projekt 300 milionësh për rishkrimin e historisë kombëtare, si e gjykoni këtë nismë? 

Nëse vëreni me kujdes janë po ata historian shtetëror, që nuk thonë historinë e vërtetë por e përziejnë një shumicë gënjeshtre me një pakicë të vërtetë dhe ua ofrojnë lexuesve si histori e vërtetë. Dua të them se ata që po përgatisin rishikim apo rishkrim të historisë sonë janë veç shërbyes të politikës komuniste-staliniste-enveriste. Besoj se historiografia që po rishkruhet nuk do zbulojë mitet e historiografisë komuniste, por do na krijojë mite të reja. Njerëzit që kanë marrë përsipër kundrejt një pagese të majme janë po ata që i kanë shërbyer diktaturës komuniste, historianë komunist-politikanë. Nga kryetari i Kuvendit, kryetari i Akademisë, etj., janë komunistë të dëshmuar, ish ministra të qeverive komuniste. Siç del nga konstatimet e shumë studiuesve, historianëve, publicistëve, gazetarëve shqiptar e të huaj, por edhe i imi, pjesa më e madhe e historiografisë shqiptare, e cila aty ku e sheh se kriteri antikomunistë-kombëtar nuk i leverdis, e fsheh ose e fshin, për të ndërtuar pa kritere “rrëfimin komunistë-kombëtar” që më shumë nuk i ka shërbyer të ardhmes afatgjatë të Shqipërisë. Kuptohet që projektet për një interpretim të ri të historisë, të shkruar shkencërisht, janë të vështira e të rënda, sepse ato nuk i shërbejnë mitologjisë popullore, dhe, si rrjedhim, as klasës politike –komuniste-majtiste. Historia ka një rol të rëndësishëm sepse ajo është përdorur e duhet të përdoret si një disiplinë e cila mund t’i formësojë kushtet mbështetëse dhe pranimit në bazë të një mirëkuptimi të përbashkët të së kaluarës. Për këtë kanë më shumë nevojë vendet e Ballkanit, historitë e të cilave janë të mbingarkuara me legjenda e mite. Përse në debate nuk ftohen historianët zëri kundër? Përse historianët e pavarur që nuk punojnë nëpër institucione shtetërore nuk ftohen të kontribuojnë?

Pse drejtësia ndërkombëtare ka heshtur përballë genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë? Si mendoni se do të zgjidhet çështja Çame? Pse shteti shqiptar asnjëherë nuk është angazhuar seriozisht për të zgjidhur këtë çështje? Si e gjykoni, çfarë fshihet pas përfitimit politik të politikës shqiptare me çështjen e Çamërisë? 

U deshën 15 vite që të rikthehen eshtrat e shqiptarëve, të vërtetohej se ishin shqiptar dhe jo ushtar grekë. Si pas viteve 1945 e në vazhdim, qeveritë shqiptare kanë qenë të nënshtruar para Greqisë. Qeveria diktatoriale e Enver Hoxhës nuk e ngriti zërin për çamët, genocidin, por i persekutoi çamët për ti bërë qejfin Greqisë. Po kështu edhe pas vitit 1990 qeveritë shqiptare kanë qenë vasal të Greqisë, duke realizuar me zell çdo kërkesë greke. Për fatin e keq asnjë qeveri shqiptare se kanë patur në programin e saj çështjen çame, kjo është një fatkeqësi e madhe të mohohet ekzistenca e një pjesë të kombit tënd. Nuk mundet që drejtësia ndërkombëtare të flasë kur vetë shteti shqiptar heshtë, nuk ka asnjë kërkesë apo denoncim nga qeveritë shqiptare që nga vitet 1950 e deri më sot. Duhet të themi se Greqia ka patur njerëzit e sajë të fuqishëm në çdo kabinet qeveritar të cilët me veprimet e tyre kanë punuar në dëm të Shqipërisë. Është tragjike t’ju them se Greqia u ka kërkuar qeverive shqiptare të mos ketë asnjë shqiptar nga Çamëria ministër. Edhe kur z.Idrizi u bë nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë pati reagime zyrtare nga Athina. Pra duket qartë se qeveritë shqiptare janë të nënshtruara përballë Greqisë. Jeta politike, shoqërore, mediatike, fetare dhe ekonomike kontrollohet nga Athina.

Duke iu referuar dy studimeve tuaja shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve, doja të na shpjegoje për lexuesit cili ka qenë roli i Arvanitasve në themelimin e Greqisë së re? Po në luftën italo-greke, me kë bashkëpunuan çamët? A ishte gjoja bashkëpunimi si preteks për spastrim etnik dhe genocid? 

Arvanitasit në shekullin 19 dhe fillim shekullit 20 kanë patur ndërgjegje shqiptare, janë sulmuar keq nga shteti dhe kisha greke dhe si rrjedhojë kemi asimilimin e dhunshëm të tyre. Grekët e rinj thonë se arvanitasit janë ardhës në Greqi, por e vërteta është se arvanitasit-pra shqiptarët janë vendas të tjerët, janë ardhacak. Libri im për Arvanitasit Themelues të Greqisë së Re, sjell të dhëna të reja që 1821 nuk ishte revolucion për pavarësinë e Greqisë por kryengritje për të grabitur pasurinë të pasurve. Pra kaçakët shqiptar të nxitur nga Rusia, Britania dhe Franca vrisnin dhe grabisnin karvanet e perandorisë osmane. Ku shumë herë shqiptarët u vranë me njeri-tjetrin. Qëllimi i Rusisë, Britanisë dhe Francës ishte shkatërrimi i Perandorisë Osmane në Ballkan si rrjedhojë kemi dhurimin e tokave shqiptare Serbisë dhe Greqisë. Shqiptarët e Çamërisë nuk kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por bashkëpunim zyrtar kishin qeveritë greke dhe batalionet e vllahëve për të themeluar Principatën e Vllahëve. Ka patur individë shqiptar diku 200 veta si bashkëpunëtorë, por shumica e çamëve ishin partizanë në ushtrinë EAM-ELAS. Ka patur rreth 3000 çamë partizanë. Deri më sot historianë dhe studiuesit grekë nuk na kanë ofruar asnjë foto apo dokument zyrtar të bashkëpunimit të çamëve me pushtuesit italian dhe gjermanë. Por qeveria e Enver Hoxhës e dëmtoi rëndë çështjen çame, deri aty sa çamët në Shqipëri quheshin të huaj, jo shqiptar, nënçmoheshin. Këto bëheshin me direktiva direkt nga Enver Hoxha. Përse Hoxha nuk përmendi asnjëherë çamët por përmendte vetëm Kosovën? 

Një degë e përjashtuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, një degë e jashtëligjshme dhe që ndodhet në proces gjyqësor me Vatrën mëmë, ju kishte ftuar në një simpozium, ju e refuzuat, çfarë ndodhi dhe pse u tërhoqët?

Është për të ardhur keq se si Federata Vatra që ka një kontribut të madh në çështjet kombëtare është përçarë. Shqiptarët në SHBA duhet të kapërcejnë vetveten e të bashkohen sepse janë shtylla e politikës së jashtme të shqiptarëve në botë. Nuk dua të besoj se grekët dhe serbët në SHBA kanë gisht në përçarjen e Vatrës. Sa për atë Simpoziumin për të cilin unë kam rezervat e mia si historian, vetëm simpozium nuk ishte. Aty pashë emra që nuk ishin profesionistë apo të kishin njohuritë e duhura për Temën e ARVANITASVE që do diskutonin. Kur mu bë ftesa nga organizatorët ua tërhoqa vëmendjen se nëse keni të ftuar jo profesionistë për temën unë nuk marr pjesë, më tej më nënçmuan duke më paraqitur si gazetar dhe jo historian. Duke kuptuar se kisha të bëja me një aktivitet jo zhvillues, që nuk do sillte gjëra serioze, u tërhoqa. Për fat të keq aty u lexuan punimet e mia, libri im sikur të ishin të tyre. Pra një kopje e shëmtuar nga ligjëruesit.

Cila është rëndësia specifike e regjistrimit të popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Është hera e dytë që regjistrimi në Maqedoninë e Veriut dështoi, kjo për shkaqe politike. Nuk është gjë e mirë që Maqedonia si anëtare e NATO-s dhe me pretendimet për tu anëtarësuar sa më shpejtë në BE, të dështojnë në regjistrimin e popullsisë. Regjistrimi i fundit në Maqedoni është kryer në 2002, fill pas krizës së luftës së 2001, një regjistrim që u krye në kushtet e urrejtjes midis etnive, presionet e pushtetit sllavo-maqedonas dhe ku popullsia ishte e frikësuar nga armët ilegale që dispononin. Regjistrimi i popullsisë së një vendi ka rëndësi të madhe sepse lidhet direkt me jetën politike, ekonomike e shoqërore. Pra, çdo vend e kryen regjistrimin normalisht çdo 10 vite dhe në bazë të shifrave të popullsisë së saj bën projektet e së ardhmes që lidhen me konsumimin ushqimor, rezervat e shtetit, vendet e punës, me pranimin e numrit të refugjatëve të kategorive të ndryshme, numrin e pakicave kombëtare, besimet fetare , etj. 

Kush është historiani Arben Llalla?

Arben Llalla ka lindur më 17 janar 1972 në qytetin e Elbasanit nga prindërit Pajtim Maliq Llalla dhe Matjane Nuseret Ligu. Nga babai ka origjinë nga qyteti i Gramshit dhe rrjedh nga një familje e madhe patriotike të cilët janë emra të ndritura të qytetit të këtij qyteti, stërgjyshi i tij quhej Beqir Llalla. Ndërsa familja e mëmës është nga Prongjia e Gjirokastrës dhe stërgjyshi i tij quhej Bajram Ligu. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje. Nga viti 1993 e deri 2004, ka jetuar dhe punuar në Greqi. Që nga viti 1997 ka punuar gazetar duke bashkëpunuar me shumë gazeta dhe revista shqiptare në botë. Në 1998 ka filluar të bashkëpunojë me Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë për studime historike dhe ka patur një bashkëpunim të ngushtë me studiuesin dhe shkrimtarin e njohur Aristidh Kola. Në vitin 2000 filloi të botonte studimet e para për jetën dhe kulturën e arvanitasve të Greqisë. Deri më sot ka botuar në disa revista dhe gazeta shqiptare mbi 50 punime shkencore historike që kanë të bëjnë në veçanti me arvanitasit që nga themelimi i shtetit grek 1821-2006. Në dhjetor të viti 1998 është themelues i “Forumit të Emigrantëve shqiptar”- dega Selanik, dhe deri më tetor 1999 ishte kryetar i saj. Në shkurt të vitit 2000 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”, ishte në këtë post deri më shtator 2000. Është i diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës në degën Histori me notë mesatare 8, 2006. Ka njohuri për gjuhën italiane dhe flet shumë mirë gjuhën greke. Që nga viti 2004, jeton në qytetin e Tetovës duke u marrë i pavarur me studime historike. Është i martuar me Teuta Kamberi dhe kanë një djalë. Më 2004 ishte përfaqësues Ekzekutiv në Maqedoni i Lobit shqiptaro-amerikan, në fushatën “PAVARËSIA E KOSOVËS TANI”, në mbështetje të rezolutës së Kongresit amerikan. Që nga viti 2010-2013, Arben Llalla ishte koordinator i zyrës së binjakëzimit të Bashkisë së Elbasanit dhe të Bashkisë së Tetovës. Më 2013, ishte kandidat për deputet në Qarkun e Elbasanit me partinë PDIU, çame. Nga viti 2013, e në vazhdim punon i pavarur si publicist. Është autor i librave: 1.) “Gjurmë të letërsisë së vjetër të shqiptarëve të Greqisë 1860-1889”, 2006, Tetovë, 2.) “Aristidh Kola dhe shtypi shqiptar”, 2007, Tetovë, 3.)“Demokrafia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut”, botuar më 2013, Tetovë, 4.) “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocitit në Çamëri”, botuar më 2016, Tetovë, më 2017 në Tiranë nga UETiranë, 2017, anglisht, 2018, Tetovë. Pra ribotuar 4 herë, me tirazh 5 mijë kopje, 5.) Arvanitët-Themeluesit e Greqisë së Re, botuar në 2020-2021 me tirazh 8 mijë kopje në gjuhën shqipe-anglisht-greqisht. 

Filed Under: Politike Tagged With: arben llalla, I HISTORISË KOMBËTARE, Rishkrimi, Sokol Paja

STUDENTJA E MJEKËSISË NGA FERIZAJ NË MISS UNIVERSE ALBANIA & KOSOVA 2021

June 7, 2021 by dgreca

NGA MHILL VELAJ/

 Po afrohet nata finale e Miss Univers Albania & Kosovo 2021, spektakël ky që do tê mbahet më 8 dhe 9 korrik. Ky event kaq i veçantë i bukurisë shqiptare, organizohet nga producenti Eduart Deda, i cili si çdo herë edhe këtë vit po merret me parapërgatitjen e vajzave që do të jenë konkurrente në spektaklin e madh të vitit 2021. Nga larg dhe përmës rrjeteve sociale, nga SHBA me vëmendje i kam përcjellë parapërgatitjet për këtë event të bukurisë Iliro-Shqiptare, dhe kam vërejtur vajzat tona përpos se janë të bukura janë edhe intelegjente dhe me plot sharm. Në këtë spektakël të bukurisë, në mesin e vajzave bukuroshe do jetë edhe 20 vjeçarja Yllka Lohaj nga Ferizaj. Ajo është studente e mjekësisë, drejtimi i Infermierisë, e cila punon në Klinikën Logopedike “Dialogos” në Ferizaj, ku pjesën më të madhe të kohës e kalon me fëmijët që kanë çrregullime në të folur dhe probleme neuro-zhvillimore. Duke qenë vajzë e dy prindërve atdhetar e ish të burgosur politik, ajo u edukua në frymën patriotike e atdhetare. Synim i saj është emancipimi dhe ngritja e vetdijes së njeriut tonë krahas botës bashkèkohore. “Humanizmi, bamirësia dhe veprimtaria e Nênës Tereze më trasojne rrugën drejt të bukurës dhe humanes sepse ajo është shembulli më sublim që na mëson se si duhet ecur rrugës së bukur të mirësisë dhe dashurisë dhe njerëzores. Këtë rrugë do ta vazhdoj kur para vetes kam shumë fëmijë me këto çrregullime të ndryshme e kushte të patka për t’u trajtuar dhe pikërisht kur e shoh se në vendin tim mungojnë kushtet elementare për trajtimin e tyre kam ëndërr që këta fëmijë të trajtohen dinjitetshëm e që më kanë bërë të kuptoj se të jesh ndryshe, nuk do të thotë të mos jesh pjesë e shoqërisë”, shprehet Yllka. Ajo është shpirt kërkues dhe qysh e vogël ka qenë pjesë e shtëpive të modës, ku edhe ka marr pjesë në sfilata të ndryshme. Poezia dhe natyra janë pjesë e jetës së saj, për faktin se nëna e saj poete, ka ndikuar që të jetë adhuruese e krijimtarisë artistike. “Në spektalin e Miss Univers Albania & Kosova, kam vendosur të jem pjesë e këtij eventi të bukurisë, për të treguar se sa magjike është të jesh një shpirt i bukur dhe i lirë”, shprehet Yllka e cila pretendon ta marrë çmimin e madh Mis Univers Kosova 2021…

Filed Under: Featured Tagged With: Mhill velaj, Miss Universe, Yllka Lohja

PELLUMB KULLA: I SHTRENJTI PIRO- NE MBULOJMË ME DHÈ VETËM SHTATIN TËND*

June 6, 2021 by dgreca

I shtrenjti Piro!.. Jemi mbledhur këtu rreth teje, krah shoqes tënde të jetës, Pavlinës së mirë dhe fëmijëve tuaj të mrekullueshëm, për të të përcjellë drejt banesës tënde të fundit. E dimë fort mirë se me mendje, ty sot po të përcjell e gjithë bota shqiptare. Është ajo gjithësi, e përhapur sot mbi tërë sipërfaqen e globit. U bënë dy ditë që po ndahet me ty duke të qenë mirënjohëse dhe shpreh vlerësimet më të larta, për ato që i dhe, për ato që i le dhe të siguron se do të mbetesh i paharruar, në jetë të jetëve.

Ne, shokët dhe miqtë e tu, të ardhur nga të katër anët e kontinentit amerikan, ku na solli rrota e fatit, jemi këtu të të themi se qëkurse i mbylle ata sytë e tu të dashur, bota shqiptare e ndjeu thellë ikjen tënde. Mjetet e komunikimit shtypi dhe media të kushtuan dritë të ngrohtë mbi artin e lartë realist, me të cilin trajtove veprat skenike të dramaturgjisë kombëtare, që edhe kur vuanin nga politizimi i tepruar, i bëre të dashura, bile edhe të paharrueshme, siç mbeten karakteret, Cuca, Jonuz Bruga, Gjenerali, Bektasahi me dy fytyra, Koz Dynjaja, dhe të tjerë… Falë talentit dhe meritës tënde, por edhe fatit që të pat puthur në ballë, ti, o vullkan krijues, u gjende në shoqërinë e artistëve legjendarë si Kadriu, Naimi, Violeta, Pitarka, Stavri Shkurti, kolegët martirë, Spahivogli dhe Luarasi, të gjithë këta që po të presin në qiellin e përjetshëm. 

Po aty, në qiellin e përjetësisë, ti do të gjesh mirënjohjen e gjenijve të letërsisë skenike, të Shekspirit, Brehtit, Milerit. Veprat e tyre, duke kapërcyer shumë pengesa, ti ua solle si ushqim shpirtëror artdashësve të uritur. Do të mbetet i paharruar roli yt i shkëlqyer i Edi Karbones që mbahet nga “realizimet aktoriale më të mira të teatrit shqiptar në kullotat e dramaturgjisë botërore” e plot arritje të tjera në fushën e aktrimit. 

Duke qenë udhëheqës e frymëzues, regjisori shkrihet e fshihet pas shkëlqimit të aktorëve që ai drejton dhe ata “padrejtësisht” marrin konkretësinë imazhin, pushtojnë vëmendjen e mijëra e mijëra spektatorëve, shumica e të cilëve nuk e dijnë, bile nuk e ndjejnë, nevojën ta dijnë pjesën e meritës së gjithanëshme të atij që i udhëhoqi, u dha frymë dhe i shtyu në lavdi. Por të tjerë dhe sidomos bashkëpunëtorët e tu, e dijnë se sa pjesë në famën dhe madhështinë e tyre, pat një regjisor si ty, Piro. Për aktorët, skenografët, kompozitorët e Korçës, Tiranës, Elbasanit, Prishtinës e Shkupit, Piro Mani ishte një rastësi fatlume që ata u magnetizuan nga talenti yt.

Personalisht do ta ruaj si një nga periudhat më të çmuara jashtëskenike, këtë amerikanen, teksa për bisedat tona, telefonoja Koloradon. E pastaj kur u bëmë fqinj në Nju Jork. shkëmbenim çdo javë edhe heraherës, çdo ditë mendimet mbi teatrin dhe jetën që patëm atje, në atdhe. 

Ne binim dakord se historia e vendit tonë do të mund të lexohej edhe nëpërmjet historisë së teatrit. Aty shfaqet qartë se si shtrëngimet dhe lëshimet në repertor, përkonin me dritëhijet në trurin e diktatorit të sëmurë nga paranoia. Historia dramatike e dramave të ndaluara e atyre që fituan kurora dhe u shkurorëzuan, e spektakleve që u bënë shkak përleshjesh të kryekrerëve, drama që dhanë shkas për internime, transferime dhe burgime autorësh, regjisorësh e piktorësh; e dramave pa vlerë që përfituan e dolën në dritë nga këto lloj përleshjesh… Teatri mund ta tregojë fare mirë, në gjuhën e vet, historinë e Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX.  

Ti kishe mendimin e urtë se edhe në dramën më të dobët regjisori i mirë gjen pa tjetër një qoshkë të bukur frymëzuese, një karakter interesant. Gjen, me siguri, një gozhdë ku lidhet kënaqësia estetike, frymëzimi. Pastaj artisti e zhvesh frutin e ëmbël nga lëvozhga ideologjike dhe arrin ta shijojë. A nuk e frymëzon regjisorin, thoshe ti, një vajzë që u mëson grave shkrim e këndim?! Një partizan 19 vjeçar, që jep jetën duke luftuar e nuk e merr vesh kurrë më, se gjaku i tij u përdor për një skllavëri tjetër më të egër se okupimi?!

Ti, Piro, gërmoje me guxim dhe këmbëngulje marramendëse…  Unë e pranoja hapur zilinë që më shkaktoje me një vepër alegorike si “Arturo Ui” e Brehtit, ku bashkë me ty, o regjisor i madh, ndritën të tërë yjet e aktorëve të angazhuar në të. Arturo Ui ishte personifikimi i karrieristit mizor, i diktatorit të pandalshëm para asgjëje në ngjitjen e tij, i demagogut populist, që është moskokëçarës nëse e besojnë apo jo, në ato që thotë. Ne, në Shqipëri, e kishim një të tillë, që na e pat zënë diellin, dhe na e pat bërë ditën natë. Por kishim dhe Brehtin, që sikur ta paskesh njohur, na e pikturoi atë. Ti, krah Brehtit, solle Viktor Eftimiun me “Prometeun” në përballjen e tij me Zeusin: solle Qamil Buxhelin me “Të pazëvëndësueshmin” – puse alegorie, që kanë mbetur nga shfaqjet më të bukura, që të nderojnë ty dhe teatrin ku punove.  Në kredot më të dashura estetike të Brehtit ka qenë ajo “Pesë dredhitë për të thënë të vërtetën në diktaturë”. Ja, këto tri vepra, më shumë se të tjerat ta bënë të mundur të shfaqje edhe ti dhelpërinë tënde të bukur dhe të kënaqje ambiciet e tua artistike, kënaqësi që i shijuan të gjithë veç e veç, pa deklaruar, pa komentuar e pa bërë gëk! E tillë ishte koha. 

Piro i dashur, e kemi diskutuar bashkarisht, kërkuar dhe gjetur, se përse artistët e skenës dhe ekranit zakonisht vajtohen në mënyrë mbarëpopullore në ikjet e tyre finale. Është një përparësi që kanë ata teksa mbushin miliona mbrëmje me gaz dhe ofshama familjare me të qeshura dhe përlotje.  Ndihet si pabarazi tek shohim që ata bien në sy edhe më shumë se sa kur ndahet nga jeta fv një mjek apo shkencëtar i përmasave të mëdha. Shkenca apo mjekësia nuk janë  dot lëndë e komenteve dhe diskutimeve nëpër familje. Artistët bëhen gati pjesë e familjes dhe kjo pabarazi është e kuptueshme dhe e përligjur. 

Ndaj largimi yt u ndje aq shumë në këto ditë. Se artistët vdesin ndryshe. Ne ti na ke mbledhur këtu, por ne nuk të varrosim dot, Piro Mani. Ne mbulojmë me dhè vetëm shtatin tënd të munduar nga lëngimi dhe vitet.

Ti mbetesh përjetësisht me adhuruesit e tu e vazhdon t’i gëzosh t’i mësosh, t’u japësh gaz e buzëqeshje dhe t’i frymëzosh, ashtu siç bëre tërë jetën tënde të ndritur.

I lehtë të qoftë dheu, Piro Mani!

Mamaroneck, Nju Jork, 5 qershor 2021

*-Fjalimi përcjellës i artistit të madh, Piro Mani-

Filed Under: Histori Tagged With: Lamtumira, pellumb Kulla, Piro Mani

MARIO DRAGHI DHE GJALLËRIMI I EKONOMISË: ARMËPUSHIMI I TARAFEVE

June 5, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Më së fundi Mario Draghi dhe grushti i ministrave e bashkëpuntorve kanë hapur një rrugë në xhungël edhe këtë herë. Nuk kanë përdorur sëpatën, por një dorezë kadifeje për të larguar një nga një, ëmbëlsisht, blloqet në rrugën e reformave ose ndonjë fjalë në tekstet e një dekreti, për t’i dhënë të gjithëve një arsye për t’u quajtur fitues. Krahinat e “interesuara”; nënsipërmarrjet do të jenë nën vërejtje, pra sindikatat mund të jenë të qeta dhe PD mund t’i shkruajë vetes një meritë; mbikqyrjet e sipërmarrjeve do të zhvishen nga pushtetet e tyre vetëm nëse do të flenë mbi vendimet. Të gjithë mund të thonë se kanë mbrojtur katrorin e tyre të pushtetit.  

Por thelbi është gjetiu: të rrethar nga i njëjti pesimizëm tipik italian i shumëve, edhe ndërmjet mbështetësve, Dragi dhe të tijtë shkojnë përpara. Janë duke hapur një rrugë ndërmjet xhunglës së vetove e të esnafeve saktësisht simbas tabelës së ecjes së premtuar. Më 30 prill u nis për Bruksel një Plan i gjallërimit dhe qëndrueshmërisë pesë herë më i imtësuar e i mprehtë se ai i trashëguar nga qeveria e mëparëshme (saktësisht 2480 faqe kundrejt 500). Brënda majit do të dalë në Gazetën Zyrtare dekreti që do të thjeshtësojë kalimet administrative për investimet dhe bazon mbi Pallatin Chiggi (drejtimi politik) e mbi Ministrinë e Ekonomisë(mbarështimi financiar) qeverinë e Recoveryt. E gjithë kjo me po-në e Lëvizjes 5 Yje, të Legës së Matteo Salvinit, të tjerë partive të shumicës, të Cgil të Maurizio Landinit e të Krahinave që deri pak orë më parë kërcënonin padi në Gjykatën kushtetuese. Tashmë nuk fluturon asnjë mizë. Na falni nëse është pak.

Do t’ishte naive të mendohej se gjithë kjo harmoni e papritur i kushtohet një çasti ndriçimi të klasave drejtuese italiane. Mbetemi si më parë të njëanshëm, dritëshkurtër, të prirur secili në mbrojtjen e tarafit tonë më shumë se t’interesit të përgjithshëm. Në këtë Draghi po sprovon të njëjtën parabolë që ka shoqëruar të tjera qeveri institucionale të thirrura në rastin e piskamave. Zakonisht ishin kriza financiare, këtë herë është shëndetësore. Por në fazën e parë të një qeverie teknike fiset e Vendit pezullojnë gjithmonë armiqësitë e ndërsjellta e mblidhen përqark njeriut të thirrur për t’i shpëtuar. Ose së paku e lenë të punojë. Më pas kafshimi i piskamës pakësohet, siç ndodh tani me pandeminë në sajë të fushatës vaksinore, veçoritë ngrenë krye. Secili duhet të ruajë truallin e vet, Lega me taksën e “sheshtë”, Lëvizja 5 Yje që ngulmon kundër një parimi qytetërimi siç është parashkrimi. Për të mos folur për sektarizmat në shoqëri: funksionarët e lartë të Shtetit në kryengritje kundër një reforme të administratës që lejon të punësohen ekspertë të nivelit të lartë me thirrje të drejtpërdrejta; sindikata që kërkon të mbajë ndalimin e pushimeve nga puna me ligj, rasti i vetëm në këtë pikë në të gjithë botën.

Kjo është xhungla në të cilën Draghi duhet të hapë udhën drejt reformave të lidhura me 204 miliard eurot e Recovery-t. Ndërmjet qershorit e korrikut e presin, ndërmjet të tjerave, reforma e rendit gjyqësor, masat e rekrutimit të nëpunësve shtetërorë, projekt-ligji për konkurrencën (konçesionet bregdetare të përfshira?) dhe paraqitja e projekt ligjit mbi reformën fiskale. Kjo e fundit do të duhej të bazohej mbi ”hulumtimin njohës” të komisioneve të Financave të Dhomës së Deputetëve e të Senatit e mund të tregojë së paku ndonjë objektiv themelor për t’i bërë taksat më pak armiqësore për ndërmarrjet e ndershme e më pak të padrejta kundrejt shtresës së mesme të nëpunësve shtetërorë.

A do të mundet Draghi të shkojë përpara, mbasi të ketë mbaruar piskama dhe armëpushimi relativ ndërmjet fiseve korporative italiane? Ndoshta po, mund t’i a dalë sepse ka një gjë të re. Shumë grupe interesi në këtë pikë janë aq të trumhasur, të ndarë në vetvete, aq të dobësuar nga rënia kombëtare, sa që edhe kërcënimet e tyre me veto tingëllojnë tani si rite të lodhura. Parashikohet një sektarizëm qullac. Mjafton pak për t’a bërë të mirë e ndonjëri në qeveri duket se e ka kuptuar.

Kjo natyrisht nuk do të thotë se të gjithë problemet janë zgjidhur. Invesitorët, vëndas apo të huaj po na thonë të kundërtën. Obligacionet e Shtetit italian të dhjetë viteve paguajnë një çmim me rrezik të ulët, por më të lartë se titujt grekë (më parë nuk ishte ashtu), ndërsa Thesari e ka të vështirë të organizojë hua për tridhjetë vjet sepse ka pak oreks në tregjet. Ankandet për energjinë e përtëritëshme n’Itali gjejnë interes as për të katërtën e ofertës, ndërsa në Spanjë për trefishin e saj. Kush mund të investojë mbi Vendin nguron, sepse nuk din se çfarë do të vijë mbas qeverisë Draghi. Tani kryeministri dhe të tijtë po hapin një udhë. Mbetet për të kuptuar nëse do të mbetet aq e ngushtë sa që  xhungla e Vendit të mbyllet mbas kalimit të tyre, apo të gjithë n’Itali do të vendosin të ndihmojnë “teknikët” për të krijuar një hapësirë të gjërë, një hapësirë drite që të mbetet. Është pyetja e madhe e viteve t’ardhëshme.
“Corriere della Sera”, 29 maj 2021    E përktheu Eugjen Merlika     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Gjallerimi I economize, Mario Draghi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT