Nga FEDERICO FUBINI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/
Më së fundi Mario Draghi dhe grushti i ministrave e bashkëpuntorve kanë hapur një rrugë në xhungël edhe këtë herë. Nuk kanë përdorur sëpatën, por një dorezë kadifeje për të larguar një nga një, ëmbëlsisht, blloqet në rrugën e reformave ose ndonjë fjalë në tekstet e një dekreti, për t’i dhënë të gjithëve një arsye për t’u quajtur fitues. Krahinat e “interesuara”; nënsipërmarrjet do të jenë nën vërejtje, pra sindikatat mund të jenë të qeta dhe PD mund t’i shkruajë vetes një meritë; mbikqyrjet e sipërmarrjeve do të zhvishen nga pushtetet e tyre vetëm nëse do të flenë mbi vendimet. Të gjithë mund të thonë se kanë mbrojtur katrorin e tyre të pushtetit.
Por thelbi është gjetiu: të rrethar nga i njëjti pesimizëm tipik italian i shumëve, edhe ndërmjet mbështetësve, Dragi dhe të tijtë shkojnë përpara. Janë duke hapur një rrugë ndërmjet xhunglës së vetove e të esnafeve saktësisht simbas tabelës së ecjes së premtuar. Më 30 prill u nis për Bruksel një Plan i gjallërimit dhe qëndrueshmërisë pesë herë më i imtësuar e i mprehtë se ai i trashëguar nga qeveria e mëparëshme (saktësisht 2480 faqe kundrejt 500). Brënda majit do të dalë në Gazetën Zyrtare dekreti që do të thjeshtësojë kalimet administrative për investimet dhe bazon mbi Pallatin Chiggi (drejtimi politik) e mbi Ministrinë e Ekonomisë(mbarështimi financiar) qeverinë e Recoveryt. E gjithë kjo me po-në e Lëvizjes 5 Yje, të Legës së Matteo Salvinit, të tjerë partive të shumicës, të Cgil të Maurizio Landinit e të Krahinave që deri pak orë më parë kërcënonin padi në Gjykatën kushtetuese. Tashmë nuk fluturon asnjë mizë. Na falni nëse është pak.
Do t’ishte naive të mendohej se gjithë kjo harmoni e papritur i kushtohet një çasti ndriçimi të klasave drejtuese italiane. Mbetemi si më parë të njëanshëm, dritëshkurtër, të prirur secili në mbrojtjen e tarafit tonë më shumë se t’interesit të përgjithshëm. Në këtë Draghi po sprovon të njëjtën parabolë që ka shoqëruar të tjera qeveri institucionale të thirrura në rastin e piskamave. Zakonisht ishin kriza financiare, këtë herë është shëndetësore. Por në fazën e parë të një qeverie teknike fiset e Vendit pezullojnë gjithmonë armiqësitë e ndërsjellta e mblidhen përqark njeriut të thirrur për t’i shpëtuar. Ose së paku e lenë të punojë. Më pas kafshimi i piskamës pakësohet, siç ndodh tani me pandeminë në sajë të fushatës vaksinore, veçoritë ngrenë krye. Secili duhet të ruajë truallin e vet, Lega me taksën e “sheshtë”, Lëvizja 5 Yje që ngulmon kundër një parimi qytetërimi siç është parashkrimi. Për të mos folur për sektarizmat në shoqëri: funksionarët e lartë të Shtetit në kryengritje kundër një reforme të administratës që lejon të punësohen ekspertë të nivelit të lartë me thirrje të drejtpërdrejta; sindikata që kërkon të mbajë ndalimin e pushimeve nga puna me ligj, rasti i vetëm në këtë pikë në të gjithë botën.
Kjo është xhungla në të cilën Draghi duhet të hapë udhën drejt reformave të lidhura me 204 miliard eurot e Recovery-t. Ndërmjet qershorit e korrikut e presin, ndërmjet të tjerave, reforma e rendit gjyqësor, masat e rekrutimit të nëpunësve shtetërorë, projekt-ligji për konkurrencën (konçesionet bregdetare të përfshira?) dhe paraqitja e projekt ligjit mbi reformën fiskale. Kjo e fundit do të duhej të bazohej mbi ”hulumtimin njohës” të komisioneve të Financave të Dhomës së Deputetëve e të Senatit e mund të tregojë së paku ndonjë objektiv themelor për t’i bërë taksat më pak armiqësore për ndërmarrjet e ndershme e më pak të padrejta kundrejt shtresës së mesme të nëpunësve shtetërorë.
A do të mundet Draghi të shkojë përpara, mbasi të ketë mbaruar piskama dhe armëpushimi relativ ndërmjet fiseve korporative italiane? Ndoshta po, mund t’i a dalë sepse ka një gjë të re. Shumë grupe interesi në këtë pikë janë aq të trumhasur, të ndarë në vetvete, aq të dobësuar nga rënia kombëtare, sa që edhe kërcënimet e tyre me veto tingëllojnë tani si rite të lodhura. Parashikohet një sektarizëm qullac. Mjafton pak për t’a bërë të mirë e ndonjëri në qeveri duket se e ka kuptuar.
Kjo natyrisht nuk do të thotë se të gjithë problemet janë zgjidhur. Invesitorët, vëndas apo të huaj po na thonë të kundërtën. Obligacionet e Shtetit italian të dhjetë viteve paguajnë një çmim me rrezik të ulët, por më të lartë se titujt grekë (më parë nuk ishte ashtu), ndërsa Thesari e ka të vështirë të organizojë hua për tridhjetë vjet sepse ka pak oreks në tregjet. Ankandet për energjinë e përtëritëshme n’Itali gjejnë interes as për të katërtën e ofertës, ndërsa në Spanjë për trefishin e saj. Kush mund të investojë mbi Vendin nguron, sepse nuk din se çfarë do të vijë mbas qeverisë Draghi. Tani kryeministri dhe të tijtë po hapin një udhë. Mbetet për të kuptuar nëse do të mbetet aq e ngushtë sa që xhungla e Vendit të mbyllet mbas kalimit të tyre, apo të gjithë n’Itali do të vendosin të ndihmojnë “teknikët” për të krijuar një hapësirë të gjërë, një hapësirë drite që të mbetet. Është pyetja e madhe e viteve t’ardhëshme.
“Corriere della Sera”, 29 maj 2021 E përktheu Eugjen Merlika