• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FITORJA ESHTE GJYSMAKE SEPSE DIKTATURA NUK U PERMBYS

January 3, 2013 by dgreca

Mendime për veprën e P. Kullës JO GJITHE TE VDEKURIT PREHEN NE PAQE/

Nga Prof. Asc. Dr. Thanas L. GJIKA/

Pëllumb Kulla, është një nga shkrimtarët tanë, që u dallua në vitet e diktaturës për nivel të lartë artistik, kurse mbas shkërmoqjes së diktaturës, po ecën jo në vijë orizontale ose zbritëse, por në vijë ngjitëse. Ashtu si Visar Zhiti, Fatos Kongoli, Roland Gjoza e pak të tjerë, Kulla po ecën drejt niveleve të reja gjithnjë e më të larta si krijues letrar dhe si studiues në fushën e historisë dhe të analizave politiko-shoqërore. Ai po shquhet mbi të gjithë këta për kurajon e tij civile lidhur me kritikën që i bën së sotmes, politikanëve rozë e blu.

Për vijën e tij ngjitëse dhe kurajon civile flasin vëllimi me skica humoristike Rrëfenja nga Amerika (2003), romani satirik Vdekja e Enver Hoxhës (2008), studimi i gjatë Teatri, kjo lojë magjepsëse (vëll.I-III më 2007 dhe vëll. IV më 2011), monografia shkencore Skënder Sallaku, ose si qeshnim në diktaturë (2002),. një mori e madhe artikujsh dhe vepra e re Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe (2012).

Kjo vepër është një studim historik mpleksur me analiza kritike të proceseve politiko-shoqërore nëpër të cilat kaloi shoqëria shqiptare në vitet 1943-2011. Aty janë dhënë me mjeshtëri portrete atdhetarësh e njerëzish të ndershëm të familjes Kulla, të cilët shteti diktatorial i pushkatoi, i vari, i vdiq në tortura e sipër, i dënoi me qindra vjet burgime e internime, ose i detyroi të merrnin rrugën e arratisjes e tani së fundi dhe rrugën e shpërnguljes. Të shumta janë portretet e bijve të kësaj familjeje të përshkruar me realizëm, që të ngjallin respekt e dashuri për bëmat e qëndresën e tyre. Jonuz Kulla plaku, Ajdini, Xheviti, Fehmia, Hodoja, Vedati si dhe disa të rinj, që po shkëlqejnë pas atdhesimit të ri këtu në Amerikën e largët si Gëzimi, Erbori, Enxhi, etj. Vepra mbyllet me riprodhimin e disa dokumenteve, për të mbështetur të vërtetat historike që ajo trajton. Tiparet e saj dalluese janë argumentimi logjik e faktik i ngjarjeve, konkluzionet e drejta, si dhe ndërtimi me një gjuhë sa shkencore po aq dhe artistike.

Duke qenë talent humoristik i lindur, Kulla u muar gjatë në teatrin e Fierit, për aq sa i lejohej, me trajtimin e temave aktuale, me goditjen e veseve, e zakoneve të këqia, e anëve të pamoralshme të shoqërisë. Rrahja në mënyrë të vijueshme e problemeve aktuale, e ka ndihmuar atë që në thelb të karakterit të tij krijues, të ketë mosarratisjen nga aktualiteti, pra luftën për t’i shërbyer së sotmes, kohës kur ai jeton e shkruan. Mesazhet e veprave të tij na ndihmojnë drejtpërsëdrejti për t’u kthjelluar lidhur me kuptimin e dukurive të sotme dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë për nesër.

Si shumica e krijuesve dhe studiuesve të shquar edhe ai është qytetar me ndërgjegje të lartë që ka si parim themelor: Indiferenca është antihumanizëm, është krim, parim ky i cili i bën këta njerëz armiq me qeveritarët, sepse ata përpiqen t’i thonë popullit të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, kurse qeveritarët shpesh herë gënjejnë dhe duan vetëm duartrokitje e lavdërime. Qeveritarët dhe politikanët nuk kuptojnë se kritikat konstruktive sado të hidhura të jenë, ato janë shumë më të vlefshme se lajkat e duartrokitjet e servilëve. T’u mbash mëri e të mos i vlerësosh të paktën me një pension të vecantë, krijues dhe studiues si P. Kulla, do të thotë të mos jesh politikan i ekuilibruar, të jesh zemërak e qefmbetës.

Ahmet Zogu, kur i vlerësoi kritikët e kundërshtarët e vet, Faik Konicën e Fan Nolin, duke u propozuar poste të larta si ambasador të parit dhe kryepeshkop të kishës Orthodokse Shqiptare të dytit, u tregua diplomat e politikan i një niveli më të lartë se qeveritarët dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët nuk i honepsin kritikat e P. Kullës dhe të kritikëve të tjerë objektivë, të cilët përpiqen t’i lënë mënjanë, pa i vlerësuar. Për të kuptuar këtë lënie në hije dhe mos vlerësim të intelektualëve të shquar si P. Kulla, S. Repishti, L. Pervizi, E. Merlika, M. Korca, Gj. Gjolekaj, Ilir Dardani, I. Karanxha, A. Cefa, K. Trabohini, etj, etj, që punojnë në diasporë pa u servilosur qeveritarëve e as opozitarëve, mjafton të përmendim se asnjë prej tyre nuk merr pension special nga shteti shqiptar, asnjë prej tyre nuk u ftua në manifestimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe as që u përmend në ndonjë nga listat e 100 personave eksellece që shpallën qytetet shqiptare gjatë këtyre manifestimeve.

Për të kuptuar cilësinë e verës së një buti mjafton të pijmë disa gllënjka prej saj, kështu edhe Pëllumb Kulla për të na treguar karakterin pervers të diktaturës shqiptare, dëmet e mëdha që ajo i krijoi popullit tonë në plan moral, ekonomik e politik, ai i jep ato duke treguar shkatërimin e familjes së madhe atdhetare të Kulljave, vëllezërve dhe pasardhësve të Jonuz Kullës, të cilët i kishin shërbyer çështjes kombëtare si mbrojtës me armë në Kongresin e Manastirit, si luftëtarë të çetave kryengritëse kundës zgjedhës osmane, si bashkëpunëtorë të Themistokli Gërmenjit për krijimin e Republikës Shqiptare së Korçës, etj. Shkaku i kësaj rokopuje ishte fakti se intelektuali i shquar Ajdin Kulla, djali i vogël i Jonuzit, kishte qenë shok klase në Normalen e Elbasanit me Nevzat Haznedarin nga Tërova. Ajdini, si nxënës i shkëlqyer kishte ngjallur zilinë e Nevzatit, nxënësit mediokër, njeriut që veshi këmishën e zezë të fashizmit në vitet 1940-1942, kurse më vonë u lidh me forcat komuniste dhe për të fituar besimin e PKSH e të udhëheqësit të saj, bëri gjithfarë vrasjesh e krimesh me një zell të papërmbajtur. Mbas luftës ai u emërua prokuror e më vonë arriti gradën e gjeneralit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kur ishte në pension ai vijoi të aktivizohej prej Ministrisë së P. B. për të torturuar e pushkatuar ish shokët e te luftës, viktimat e radhës, si Beqir Ballukun me shokë…

Ashtu si e pësuan prej Enver Hoxhës gjithë ata që dinin dobësitë e tij, po ashtu me dënime kapitale e pësuan edhe ata që dinin dobësitë e Nevzat Haznedarit, apo të besnikëve të tjerë të Enverit. Hakmarrës që nuk i kishte parë historia jonë e as ajo botërore, polli sistemi diktatorial komunist. Edhe pse nëna e vet i tha Nevzatit: Ki mëshirë dhe ndihmoi Kullat, se bukën e tyre e kemi akoma nëpër dhëmbët tona, ai dënoi e pushkatoi me dorën e tij shumë prej Kullave, midis të parëve, Ajdinin, yllin e karvanit të Kullave, sepse ai dinte dobësitë e tij. E arrestoi, e gjykoi dhe i dha dënimin me vdekje sepse kishte qenë ballist… koshient i Shqipërisë etnike. (Vlen të nënvizojmë këtu gjestin fisnik të Presidentit Topi, që në prag të lënies së detyrës së tij shtetërore dekoroi Ajdin Jonuz Kullën, me titullin e lartë “Nder i Kombit” duke përmbushur kërkesa të shumta për vlerësimin e këtij martiri të rrallë, i vizatuar në libër me dashuri e përpikmëri).

Për të justifikuar dënimet, njerëzit e krimit komunist krijonin një karakteristikë me pak fjalë për të ngjallur urrejtjen e popullit ndaj familjeve që duheshin persekutuar pambarimisht, në breza. Për Kullat u gjet formula: Ka strehuar Mbretin Zog gjatë largimit për në Greqi kur u sulmua Shqipëria prej Italisë Fashiste. Kjo karakteristikë i ndoqi Kullat brez pas brezi deri në fundosjen e diktaturës, madje edhe vetë autorin e librit…

Për t’i bërë më bindëse dhe më emocionuese ngjarjet dhe faktet, autori riprodhon të gjalla disa nga kujtimet e Kullave, si kujtimet e Sami Kullës, i cili ka qenë dhe nismëtari i kësaj vepre, grindjet e Vedatit me nëpunësin e emigracionit amerikan në Conecticut, etj, madje ai riprodhon dhe pjesë të tëra nga biseda imagjinare e Koço Devoles me Enver Hoxhën që gatitën Pëllumbi me Koçon dhe që e shfaqën me aq sukses këtu në Amerikë, etj. Në shërbim të këtij qëllimi është dhe shfrytëzimi i antitezës midis karakterit të lartë moral e atdhetar të bijve e bijave të Kullave dhe kundërshtarëve të tyre si Haznedari, që nuk rreshti së përndjekuri dhe dënuari Kullat; si dhe sekretarët e partisë në Zëmblak që nuk rreshtën së dërguari letra në qendër për t’i kujtuar partisë se Kullat ishin reaksionarë dhe tradhëtarë, etj.

E veçanta e Pëllumb Kullës, si thamë, është se ai nuk mjaftohet me vënien në dukje të krimeve gjatë kohës së diktaturës, ai shpalos me po aq vërtetësi e mëri edhe padrejtësitë e kohës së sotme, kohës mbas theqafjes së diktaturës, kur pritej përkrahja, rigjenerimi i familjeve të përndjekura, kthimi i dinjitetit të tyre, por forcat politike që erdhën në pushtet mbas 1991-it bënë pak në këtë drejtim…

Riprodhimi në kopertinë të librit i pamjes ballore të shtëpisë së Kullave në Zëmblak, ndërtuar madhështore më 1920, dhe e lënë pa asnjë përmirësim prej pushtetit lokal që e shtetëzoi gjatë diktaturës dhe që e mban edhe sot si një gjysmëgërmadhë, e krahasuar me shtëpitë e reja që kanë ndërtuar Kullajt e shpërngulur në Waterbury CT pranë parkut të këtij qyteti, shërben si një figurë pamore për të dëshmuar se diktatura shkatërroi, por edhe pasdiktatura nuk ndertoi atë që duhej.

Pronarët e vjetër të tokave dhe pasurive të tjera që i pati shtetëzuar diktatura, sot kanë marrë shumë pak, ato pasuri sot i kanë ndarë dhe po i gëzojnë komunistët e bijtë e nomenklaturës komuniste. Duke e vënë gishtin pikërisht në kjo plaga e fundit, autori mbërrin në përfundimet e veta të drejta: fitorja mbi diktaturën ishte një fitore e dhuruar, një fitore që nuk erdhi si pasojë e përmbysjes nga forcat e brendshme, shkërmoqjen e saj na e sollën rrethanat ndërkombëtare dhe forcat e jashtme. Në Shqipërinë e sotme nuk gjejnë dot hapësirë jetike forcat politike që vijnë nga radhët e të përndjekurve, ata që përbënin dhe përbëjnë forcat e vërteta opozitare të regjimit komunist. Ata janë degdisur me maryfete të ndryshme në diasporën e re, ose mbahen brenda vendit, por larg prej lojës politike. Në lojën politike pozitë – opozitë bëjnë pjesë vetëm ish komunistë, ish sigurimsa dhe bijtë e tyre, të cilët po e mashtrojnë popullin duke e shpallur veten të përndjekur, të shpronësuar, etj, etj. Me pak fjalë, Shqipërinë e sotme po e gëzojnë po komunistët me pasardhësit e tyre, ashtu si paratha Ramiz Alia, formuluesi i Katovicës shqiptare, para se të fillonin proceset e shpërbërjes së diktaturës.

Mesazhet e thella të veprës të nxitin të mendosh se gjatë Luftës Antifashiste paskej qenë më e lartë të ishe radhitur si antifashist në krahun e nacionalistëve të ndershëm, sepse gjatë asaj lufte dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të sundimit komunist, ish partizanët dhe komunistët e ndershëm u transformuan prej një grushti drejtuesish kriminelë në vegla qorre, në njerëz pa moral që ndiqnin, spiunonin, torturonin e vrisnin njerëz të pafajshëm, shqiptarë, që e donin atdheun po aq sa ata, në mos më shumë. E quajtura luftë e klasave ishte vetëm një parodi kriminale gjatë së cilës besnikët e partisë, të armatosur me pushtet, polici, Sigurim, gjyqe, burgje, kampe internimi, hartim biografish, etj, etj, luftonin për të mbajtur nën zap brez pas brezi njerëzit e paarmatosur, njerëzit që kishin ndonjë lidhje me kundërshtarët e dikurshëm të PKSH-së. E në këtë të quajtur luftë, besnikët e partisë varfëroheshin gjithnjë e më shumë nga tiparet e humanizmit, kurse të dënuarit i forconin këto tipare, për të cilat ka pasur dhe ka aq shumë nevojë shoqëria njerëzore.

Lidhur me të sotmen vepra të nxit të ndërgjegjësohesh, ashtu si është ndërgjegjësuar Pëllumb Kulla, ky ish simpatizant e përkrahës i zjarrtë i djeshëm PD-së dhe sot një kritik objektiv i saj. Qeveritarët e PD-së duhet të kuptojnë se sot nuk është më si në kohën e shpërthimeve romantike, koha e mbështetjes dhe e përkrahjes së tyre me tifozllëk të tepruar e viteve 1991-1997. Sot mbas 20 vjetësh nga shkërmoqja e diktaturës, populli kërkon që qeveritarët dhe politikanët demokratë të veprojnë si forcë e djathtë europiane dhe jo më si e djathtë e dalë prej partisë komuniste, ata duhet të përpiqen seriozisht për t’u shkëputur prej mendësisë së tyre të kaluar dhe të luftojnë për t’ua kthyer pronat pronarëve të vërtetë, kurse vetes dhe qytetarëve t’u japin dinjitetin e merituar, sidomos njerëzve të artit e të shkencës që punojnë në fusha të vështira, ku janë bërë aq shumë shtrembërime nga kalemxhinjtë e diktaturës dhe forcat armiqësore të jashtme.

Qeveritarët dhe politikanët e sotëm të PD-së, duhet të luftojnë seriozisht për t’ua kthyer realisht, jo vetëm në letër, pronat pronarëve të vërtetë, t’ i gjallërojnë dhe afrojnë këta si forcë politike, tu japin qytetarëve, sidomos artistëve e studiuesve, dinjitetin e merituar. Përndryshe ajo gjysma e popullit që i ka votuar, në vend që të shtohet mund të pakësohet…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Jo te gjithe te vdekurit, pellumb Kulla, prehen ne Paqe, Thanas Gjika

NJOFTIM MORTOR PËR SHËRBIMET FUNERALE TË TË NDJERIT ERION MEÇANI, 23 VJEÇ

January 2, 2013 by dgreca

Që nga momenti i marrjes së lajmit tragjik të vdekjes të 23 vjeçarit Erion Meçani, shqiptarët e Bronxit, nuk kanë rreshtur së  vizituari familjen Meçani. Mbrëmjen e së mërkurës të 2 Janarit, nga ora 6 e mbrëmjes e deri në orën 9 të mbrëmjes, qindra bashkatdhetarë kanë kryer homazhe pranë arkivolit me trupin e Erion Meçani në “Lucia Bros Funeral Home.” Me lot në sy ata ngushëllonin prindërit dhe motrën e Erionit,si dhe të afërmit dhe miqtë.

Edhe gjatë ditës së enjte, me 3 Janar, bashkadhetarët kane vazhduar qe t’i shprehin ngushëllime Familjes Meçani në Lucia Bros Funeral Home në adresën:

569 East  184th Street

Bronx, NY 10458

Shërbimet Funerale të ditës së enjte u kryen sipas këtij orari:

10.00 am deri në orën 2 pm

5 pm deri 9 pm

Sot, ditën e premte, 4 Janar, në orën 10 para dite do të mbahet mesha në  Our Lady of Mt. Carmel Church, e cila ndodhet në adresën:

627 East 187th Street, New York, NY 10458

Pas meshës, kortezhi do t’i drejtohet varrezës Cemetery of the Gate of Heaven, ku do të kryhet varrimi.

Filed Under: Kronike Tagged With: djali i Agronit, Erion Mecani, sherbimet funerale

NEW YORK CITY : Një person hidhet nga ura Ura Verrazano-Narrows

January 2, 2013 by dgreca

Policia thotë se shanset për mbijtesë janë të pakta megjithëse ata po vazhdojnë kërkimet/

STATEN ISLAND, NY – Zyrtarët e Policisë , zyrës së urgjencës në qytet thanë janë në kërkim pas marrjes së një telefonate se një preson është hedhur nga Ura Verrazano-Narrows, urën që lidh dy brigjet e ishujve Staten Island dhe Brooklyn në New York.
Person që besohet të jetë nën ujë, dhe mendohet të ketë vdekur pasi është hedhur nga një lartësi e madhe mes hapsirës dhe nivelit të ujit, thuhet sipas transmetimeve të radio emergjentës së qytetiti 10/10.
Incidenti thuhet se ka ndodhur pak para orës 04:00 pasdite me kohën lokale
Njësitë e shpëtimit detar me anije dhe motorbarka dhe helikopterët me rreze veprimi të New York Police Department janë të gjitha duke marrë pjesë në kërkimin e trupit të njeriut.
Policia tha se nuk e ka të qartë fare indetitetin e personit dhe as gjininë e tij – mbasi edhe telefonata ishte menjëherëshme dhe e pa qartë nëse ishte një mashkull apo femër./B.Sina/

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Verrazano Bridge, Nje person hidhet

Dialogu i kryeministrave “armiq”

January 2, 2013 by dgreca

Dikur armiq e tani në tavolinën e bisedimeve. /

Njëri ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e tjetri zëdhënës i Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit që po e luftonte me të gjitha mjetet pikërisht këtë formacion ushtarak.
Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës, kurse Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë.
Të ndodhur para një trysnie diplomatike ndërkombëtare ata kanë realizuar tashmë tri takime të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.
Për analistët e çështjeve politike këto takime shihen si nisje e një epoke të re në marrëdhëniet ndërmjet dyja vendeve. Por, ata nuk presin që Serbia të ndryshoj pozicionin karshi shtetit të Kosovës.
Drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se takimet Thaçi – Daçiq, deri më tani e kanë përshpejtuar vendimmarrjen në lidhje me zbatimin e rezultateve të dialogut paraprak në nivelin teknik.x

                       

Ilir Deda

“Do të jetë shumë me rëndësi se sa shpejt do të arrijnë t’i përfundojnë temat të cilat BE-ja pret që të përmbyllen gjatë janarit, shkurtit dhe marsit të vitit 2013. Këtu edhe do të testohet kjo aftësi e shpejtë vendimmarrëse e cila duhet të përcillet edhe me një retorikë e cila e ka mesazh më të fortë normalizimin e marrëdhënieve”, theskon Deda.
Bisedimet janë gjithmonë zgjidhje më e mirë sesa konfliktet, thotë në anën tjetër analisti dhe publicisti Halil Matoshi.
Ai pret që të paktën për marrëveshjet e arritura në nivelin teknik, Thaçi e Daçiq të pajtohen që ato të zbatohen muajt në vijim, pasi që Serbia nuk dëshiron ta humb edhe një rast për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq sa i përket Kosovës, Matoshi si dobi nga kato bisedime e sheh shmangien e konfliktit në veri.
“Agjenda integruese e Brukselit jo që e ka ndihmuar shumë Kosovën, mirëpo si do kudo është shmangur besoj, konflikti i hapur për veriun e Kosovës dhe në një mënyrë, de jure, do të thotë në letër, është ruajtur integriteti territorial i Kosovës”, vlerëson Matoshi.
Ndërsa për marrëveshjet e deritashme, Bashkimi Evropian ka toleruar Prishtinën dhe Beogradin që të bëjnë interpretime të dyfishta apo sipas qejfeve të tyre, një perceptim i tillë nuk do të kishte efekt nëse mëtohet të arrihet deri te një normalizim i marrëdhënieve midis dyja vendeve thotë Ilir Deda.
Ai pret që edhe BE-ja të jetë më e qartë në lidhje me temat që po i shtron në tavolinën e bisedimeve.
“Është shumë me rëndësi të shihet se si do të ecet përpara me temat në energjetike, tërheqjen e strukturave paralele të Serbisë nga veriu si dhe financimi i institucioneve tjera paralele serbe në veri dhe në pjesë tjera të Kosovës dhe të njëjtën kohë të shihet se si mund të përshpejtohet zbardhja e fatit të personave të pagjetur. Këto janë ato testet që do të tregojnë se a do të ketë përshpejtim në vendimmarrje dhe sa e shpejtë do të jetë kjo vendimmarrje”, ka thënë Deda.
Marrë parasysh interesin politik që ka sidomos Serbia për procesin integrues evropian, Halil Matoshi pret që ky dialog i nisur në nivelin politik të përmbyllet me një rezultat, qoftë edhe marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por e cila nuk do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Në anën tjetër Kosova detyrimisht do të ofroj edhe një zgjidhje për veriun e saj e cila do të rregullonte çështjen e vendosjes së institucioneve lokale dhe financimit të komunave veriore, por që nuk do të shkëpuste lidhjet e kësaj pjese me Serbinë, thotë Matoshi.
“Ky postulat rrjedh dhe ka qenë i pranueshëm qysh nga presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova që thoshte në angazhohemi për një shtet të pavarur dhe neutral, të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë dhe kjo deshtëm apo jo pas gati 15 apo 20 vjetëve po jetësohet thjeshtë në realitet”, thotë Matoshi.
Bisedimet Thaçi – Daçiq, në Prishtinë janë kundërshtuar kryesisht vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Kurse në Beograd, vet kryeministri serb Daçiq kishte qortuar mirëmbajtësit e rrugëse se si ata e kanë të vështirë t’i pastrojnë rrugët, kur ky si kryeministër është i detyruar të takohet, madje edhe me Hashim Thaçin.
Se pozicioni serb karshi Kosovës nuk ka ndryshuar në fund të vitit 2012 u dëshmua edhe me platformën serbe e cila përpiqej që ende Kosovën ta përfshinte si një krahinë serbe me status të pazgjidhur(Zijadin Gashi-Europa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dacic, Dy kryeministrat armiq, Thaci, Zijadin gashi

ALEANCA KUQ E ZI PARALAJMERON AGIMIN E ARTE TE GREQISE:

January 2, 2013 by dgreca

MOS I SHTRINI METASTAZAT NAZISTE BRENDA KUFIJEVE TE SHTETIT SHQIPTAR!/

Aleanca Kuq e Zi ka paralajmëruar nazistët grekë të Agimit të Artë të mos tentojnë të shtrijnë metastazat naziste brënda kufijve politik të shtetit shqiptar, duke u bërë të qartë se në të kundërt AK do i bëjë të kujtojnë humbjen tragjike në Betejën e Lëkurzit në fillim të shekullit të kaluar, lënien e kockave të fashistëve grekë të Metaksdasë në trojet tona gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dështimin fatal të monarko-fashsitëve greke në Shqipërinë e Jugut në vititn 1949.
Ky ka qenë reagimi i AK përmes një deklarate për mediat një ditë pasi partia greke “Agimi i Artë” në faqen e saj zyrtare reagoi me një gjuhë të ashpër ndaj kërkesës së partisë “Aleanca Kuq e Zi” për largimin nga Shqipëria të kryepeshkopit Anastas, duke i cilësuar shqiptarët “një komb kaçakësh që kërcënojne kryepeshkopin Anastas, duke përfituar nga dobësia dhe disfatizmi i Athinës dhe bëjnë kërkesa të egra dhe të pabaza për Çamërinë”.
“Në ditët e fundit të vitit 2012 dhe në ditën e parë të vitit 2013 mediat greke i kane bërë jehonë deklaratëve të nazizstëve të Agimit të Artë të Greqisë kundër Kombit Shqiptar në përgjithësi dhe Aleancës Kuqezi në vecanti.
Nazistët grekë të Agimit të Artë e quajnë Kombin Shqiptar “komb kacak” që nuk ka “me se të mburret”; e konsideron “një komb të bërë nga Italia, nga sionistët Amerikanë dhe Perandoria Osmane”. Nazistët grekë të Agimit të Artë e quajnë “pabazë dhe të egër kërkeksën shqiptare për cështjen Came” dhe paralajmërojnë se “do hapin degët e tyre brënda kufijve politikë të shtetit shqiptar, në Himarë, Tepelernë, Gjirokastër e Sarandë”.
Përballë këtij sulmi të orkestruar politik e mediatik të nazistëve grekë kundër Kombit Shqiptar, Qeveria e Berishës hesht duke demonstruar nënshtrimin servil të saj ndaj Athinës dhe nazistëve Grekë.
Aleanca Kuq e Zi ka lindur për t’i dalë zot Kombit Shqiptar, shqiptarëve kudo në botë dhe për të mbrojtur identitetin, vlerat dhe interesat tona nga cdo forcë që i kërcënon ato. Aleanca Kuq e zi është krenare për mbështetjen që na kanë dhënë aleatët tanë historike dhe perpsektivë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Turqia si dhe jemi të vendosur t’i kemi aleatë strategjikë përjetë.
Aleanca Kuq e Zi i bën me dije nazistëve grekë të Agimit të Artë se Kombi Shqiptar është kombi më i vjetër, më i kulturuar dhe më proevropian në Ballkan dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Kombin e Grek të falimentuar politikisht, ekonomikisht, institucionalisht e moralisht në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Nazistët grekë nuk mund të transferojnë dështimin e shtetit të tyre në trojet shqiptare dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Aleanca Kuq e Zi i bën me dije nazistëve grekë që si parti politike dhe aq më shumë nesër në qeverinë kuq e zi ne do e përfshijmë në agjendën tonë politiko-diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare zgjidhjen e cështjes e Camërisë si një cështje të drejtë dhe legjitime e Kombit Shqiptar. Turpin e këtij parlamenti që nuk po miraton rezolutëne mbi Camërinë do ta miratojë parlamenti i ardhshëm me votat kuq e zi.
Së fundi AK paralajmëron nazistët grekë të Agimit të Artë të mos tentojnë të shtrijnë metastazat naziste brënda kufijve politik të shtetit shqiptar sepse Aleanca Kuq e Zi do i bëjë të kujtojnë humbjen tragjike në Betejën e Lëkurzit në fillim të shekullit të kaluar, lënien e kockave të fashistëve grekë të Metaksdasë në trojet tona gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dështimin fatal të monarko-fashsitëve greke në Shqipërinë e Jugut në vititn 1949” thuhet në deklaratën e AK.
Më tej AK thekson se kjo parti është për politikë të fqinjësisë së mirë në rajon, por vetem të bazuar në marrëdhëniet e respektit të ndërsjelltë dhe në interesat reciproke.
“Nazistët grekë ta fiksojnë mirë në mëndje se në Shqipëri do i digjet toka nën këmbë dhe se teshtima e grekëve do trëmbë vetëm qeverinë e shtetasit Berisha por kurrë Kombin e popullin shqiptar” përfundon deklarata.(Kortezi Bota Sot)

Filed Under: Kronike Tagged With: Agimi i Arte, Aleanca Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5635
  • 5636
  • 5637
  • 5638
  • 5639
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT