• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIM FINAL PER KREMTIMIN E 100 VJETORIT TE PAVARESISE NE MICHIGAN

November 2, 2012 by dgreca

Nga Pjetër Jaku/

Në zyrën e Konsullit të nderit, z. Ekrem Bardha, të mërkuren me 31 Tetor 2012 u bë takimi për finalizimin e këtij jubileu historik në Komunitetin Shqiptar  të Detroitit.

Takimin e  kishte thirrur dhe e drejtonte, kryetari i Koimisionit për këto festime, Konsulli i nderit, z. Ekrem Bardha, i cili falenderoi të pranishmit për kontributin që kishin dhënë në këtë vit jubilar, si dhe  shfaqi disa mendime, që mbrëmja festive, si aktiviteti final i këtij aksioni historik të jetë ndryshe nga manifestimet e tjera.

Në takim mirrnin pjesë: Ekrem Bardha ( Konsull i Nderit dhe Kryetar i Këshillit të Teqesë Bektashjane), Dom Ndue Gjergji ( Famullitar i Kishës “Zoja Pajtore”, Don Fran Kola, ( Famullitar i Kishës së Shën Palit), Alfons Grishaj ( Kryetar i Degës  së Detroitit “Panfederata Vatra”), Gjergj Ivezaj ( Kryetar i Shoqatës “ Malësia e Madhe”, Ndue Ivanaj ( Kryetar i Lidhjes së Intelektualve), Taulant Kadia ( Drejtues i Qendres Ballkanike), Nikollë Vneshtaj ( Kryetar i Shoqatës “ Kastrati”), Mikel Demaj ( Kryetar i Shoqatës “ Kosova”), Luvigj Sterbyçi ( anëtar i Shoqatës “ Dukagjini” ish sekretar i Shoqatës në fillimin e këtij komisioni), Kolë Gjokaj ( Kryetar i Këshillit të Kishës së Shën Palit dhe Pjetër Jaku, botues i Revistës “ Kuvendi”.

Në takim u raportua nga secili për punën e bërë deri tani, ku ra në sy puna e mirë e  dy qendrave fetare më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Detroit, Kishës “ Zoja Pajtore” dhe Kishës së Shën Palit, ku përkatësisht do të bëhën aktivitetet kryesore të këtij 100 vjetori.

Dom Ndue Gjergji  sqaroi të pranishmit lidhur me  Akadaminë Solemne, që do të bëhët në Institucionin e tij me datën 24 Nëndor 2012, nga ora 10:00 Am deri në 4:00 Pm, me një pauzë një orëshe, nga ora 12:00 deri në orën 1:00, ku  për të pranishmit do të ketë një koktel të pasur edhe me ushqime.

Në këtë Akademi do të marrin pjesë me temat e tyre akademikë dhe profesorë të njohur, pothuaj nga të gjitha trevat shqiptare, për të cilët Dom Ndue Gjergji meriton një falenderim të veçantë. Me interes do të priten  kumtesat e Jusuf Buxhovit, At’ Anton Belushit, Sami Repishtit, Ardian Ndreces, Njazi Muhametit, Martin Berishes, Naum Priftit, Bahri Briskut,  Shaban Sinanit, Mergim Korçes dhe Gjovalin Kaçorrit.

Në përfundim të kësaj Akademia,  aktivisti i njohur Marash Nucullaj i fton organizatoret dhe referuesit në një darkë festive ne restorantin e tij. Përgaditja e kësaj Akademie Solemne  për 100 vjetorin e Pavrësisë së Shqipërisë është meritë e padiskutueshme e Dom Ndue Gjergjit dhe stafit të tij, megjithëse Dom Ndoi e  quan meritë e Komisionit të festës, pasi gjithnjë, sipas tij, është  konsultuar e bashkëpunuar me anëtarë të këtij komisioni.

Në dytën e dytë, ku edhe përfundon festimi  i këtij 100 vjetori, në Kishën e Shën Palit do të akomodohen afro një mijë pjesëmarrës, me një dekor festiv të parealizuar ndonjëherë, pa tavolinë nderi, pasi çdo pjesëmarrës do të ishte një i nderuar i veçanatë i asaj nate historike, me një meny shumë të pasur në tradicionalen festive të shqiptarëve të të gjitha trevave. Dekorimin e sallës e ka marrë përsipër t’a realizoi Donika Bardha. Kongresmenet, senatorët, majoret e bashkive me të njohura, me të cilët kanë të bëjnë shqiptarët, do të jenë në mesin e manifestuesve dhe do të përshendesin nga tryeza. Folësi kryesor do të jetë Dr.Prof. Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit Evropian në Tiranë, ish diplomat i njohur shqiptar. Në këtë darkë madhështore festive, përshendetjet do të regjistrohen dhe do të jenë koncize, për të mos u bërë të mërzitshme, të gërshetuara edhe me një program muzikor shumë të pasur, me këngëtarë të ftuar, që do të jenë surpriza e asaj mbrëmje madhështore, drejtuar nga aritstët e njohur të komunitetit tonë, të cilët muajt e fundin kanë finalizuar edhe shoqatën e tyre kulturore, si: Fran Gjoka, Arben Dervishi, Ndue Gejkaj etj.

Në këtë takim u diskutua edhe per Ditëtët e Letërsisë Shqipe, që organizon Revista “ Kuvendi” prej 11 vjetësh. Këtë vit , në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, që të jenë sa më afër me  manifestimin kryesor, do të bëhën me 17 dhe 18 Nëntor 2012 me frymën jubilare  të këtij pervjetori.

Pritet që në këta manifestim të ketë edhe surpriza të tjera, që kanë të bëjnë me komunitetin dhe aktivistë të veçantë të  çeshtjes shqiptare ndër vite.

Mbrëmjen festive do e transmetojnë disa Televizione Kombëtare e lokale, si dhe “Zeri i Amerikës”, pa përmendur këtu, gazetat e njohura” Dielli”, “ Illyria”, “Bota Sot” dhe Revista “ Kuvendi”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ekrem bardha, ne Michigan, Pjeter Jaku, takim final

ROLI I AMERIKËS NË BOTË

November 1, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara javën që vjen mbahen më në fund zgjedhjet për president, duke i dhënë fund kështu një fushate të gjatë dhe të lodhëshme por edhe shumë të shtrenjtë — një fushate gjatë së cilës janë debatuar dhe diskutuar çështje dhe probleme të ndryshme me të cilat përballet vendi, kryesisht ato ekonomike, buxhetore dhe financiare.  Ndonëse punësimi, ekonomia dhe deficiti i buxhetit  federal janë çështjet që preokupojnë më së shumëti zgjedhsit amerikanë.    Por megjithse interesimi i elektoratit amerikan për politikën e jashtme është tepër i ulët, në krahasim me problemet e mbrendshme dhe ato të jetës së përditshme, debati i tretë dhe i fundit midis dy kandidatëve për president, Barak Obama dhe Mit Romni, u përqendrua kryesisht mbi vizionin e këtyre dy burrave mbi marrëdhënjet ndërkombëtare si dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë në botë.

Ndër çështjet që u diskutuan dhe të cilat tani janë të një përparësie të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane,  ishin luftërat në Irak dhe Afganistan, programi i Iranit për prodhimin e armëve bërthamore, kërcënimet terroriste  nga Lindja e Mesme, politika amerikane ndaj Kinës dhe Rusisë, si dhe roli i Shteteve të Bashkuara si supërfuqia e vetme në botë.

Gjatë debatit, siç ka bërë gjatë gjithë fushatës, kandidati republikan Mit Romni e cilësoi Presidentin Obama si të dobët dhe reagues ndaj situatave botërore dhe jo si udhëheqës i një superfuqie botërore.   Ndërsa Presidenti Obama e karakterizoi  Guvernatorin Romni si të papërgjegjshëm dhe oportunist në kritikat e tija, duke paralajmëruar se qëndrimi më agresiv i Z. Romni ndaj gjendjes në Siri dhe në Iran, mund të rrezikojë një luftë të re, ndërsa vendi po bën përpjekje për t’u  tërhiqur  nga Iraku dhe Afganistani.  Z. Romni iu përgjigj akuzave të Presidentit Obama duke i thënë atij se ”sulmet kundër meje nuk janë një agjendë” e politikës së jashtëme,  ndërkohë që Z. Obama tha se Amerika është më e sigurt se katër vjetë më parë.   Ndërsa Z. Romni e uroi presidentin Obama për vrasjen e Osama bin Ladenit, ai iu përgjigj duke thënë se ”influenca e Amerikës nuk është në asnjë vend të botës më e madhe se ç’ishte katër vjetë më parë”.

Debati u ashpërsua midis dy kandidatëve kur Z. Romni kritikoi Z. Obama për atë që ai cilësoi si ”një turne botëror për të kërkuar falje” për ato që ka bërë Amerika, duke akuzuar presidentin Obama se ai e keqkupton rolin e Amerikës në historinë botërore kur thotë se Shtetet e Bashkuara u kanë “diktuar’’ vendeve të tjera.   ”Amerika”, shtoi Zoti Romni  ”nuk ka u ka diktuar vendeve të tjera, Amerika ka çliruar vendet e tjera nga diktatorë të ndryshëm.”

Debati mbi politikën e jashtme dhe rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë për katër vjetët e ardhëshëm do të marrë fund më 6 Nëntor.   Por ama një gjë është tepër e qartë, se cilido prej këtyre dy kandidatëve që do të fitoj në zgjedhjet e javës që vjen — do e s’do — do të përballet me një mori problemesh ndërkombëtare, të cilat do të prekin jetën e përditshme të amerikanëve dhe të cilat do kërkojnë angazhimin e plotë të presidentit të ardhëshëm  amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara.   Në arenën ndërkombëtare gjithëmonë dalin në shesh probleme të pa-parashikueshme dhe krijohen situata të papritshme, të cilat kërkojnë  dhe nevojitin vëmendjen dhe ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara.   Por ndër çështjet në krye të listës që do të kërkojnë, që në ditën e parë, vëmendjen e presidentit  amerikan, cilido qoftë ai, Obama ose Romni, do të jetë natyrisht gjëndja në Afganistan dhe pyetja se ç’do të ndodhë në atë vend kur të tërhiqen forcat amerikane më 2014.   Një çështje tjetër  shqetsuese për Amerikën dhe për botën është  programi bërthamor i Iranit dhe mundësia e një sulmi izraelit për të ndaluar Iranin që të prodhojë armë bëthamore.  Çka ndodhi me të ashtuquajturën ‘pranverë arabe”  dhe quo vadis Lindja e Mesme?   Çështjet e tjera kanë të bëjnë me rivalitetet e reja dhe të vjetëra të Shteteve të Bashkuara me Kinën dhe Rusinë.   Pyetja që po bëhet tani është nëse Rusia, me politikat e Putinit, është mike apo armike e Amerikës?   Si duhet trajtuar Kina komuniste dhe roli i saj gjithnjë e më i madh në fushën ekonomike, politike dhe ushtarake, sidomos kur të merren  parasyshë kërcënimet e fundit ndaj fqinjëve të saj në rajonin Aziatik dhe të Paqësorit, përfshirë Japoninë?   Megjithë mbarimit e luftës së ftohët, si Rusia ashtu edhe Kina siç duket e kanë ndër mendë të vazhdojnë të kundërshtojnë  influencën amerikane anë e mbanë botës, ndërkohë që regjimet në Moskë dhe Pekin, keqtrajtojnë dhe arrestojnë përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe burgosin kundështarët politikë, ndërsa në të njëjtën kohë kanë shënuar rritje të  dukshme të forcave të armatosura dhe atyre policore për të shtypur kundërshtarët politikë.

Por megjithë qëndrimet, që kandidatët për president Romni dhe Obama, pasqyruan dhe theksuan gjatë fushatës në lidhje me politikën e jashtme dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, qendrimet midis tyre, duke u bazuar sidomos në debatin e fundit që ata zhvilluan mbi politikën e jashtme, nuk dallojnë shumë nga njëri tjetri.   Mund të dallojnë nga mënyra se si i paraqitën  ata këto qendrime, por në substance mendimet e tyre janë pothuaj  identike.   Të dy kandidatët për president besojnë, siç tha edhe gazeta  Washington Post  se ”Vlerat politike dhe ekonomike të Amerikës duhet të triumfojnë në botë.”

Përputhja e qendrimeve ndodhë pjesërisht nga fakti se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara, sidomos në kohë krize, gëzon pothuaj gjithmonë përkrahjen e të dy partive kryesore politike në Amerikë, dhe në përpilimin e saj, mbi të gjitha, konsiderohet interesi kombëtar i vendit.  Si e tillë, ajo është një politikë institucionale dhe jo partiake.   Edhe këtë vit, dy kandidatët, përfaqsues të dy partive kryesore, mbi çështje të rëndësishme siç është Irani,  janë në pajtim se Teherani nuk duhet lejuar të prodhojë armë bërthamore.   Në lidhje me Afganistanin, të dy kandidatët janë dakord për tu tërhequr nga ai vend, megjithse Romni ka thënë se do të jetë më i ashpër se sa administrate e presdientit Obama në marrëdhënjet e Washingtonit me Rusinë dhe Kinën.   Romni dhe Obama gjithashtu  janë dakord për të mos ndërhyrë ushtarakisht në Siri dhe të dy thonë se ndërhyrja ushtarake në Iran do të ishte alternativa e fundit.

Në një artikull të nënshkruar  nga katër ish-sekretarë shteti (Kondolisa Rajs, Xhejms Bejker, Xhorxh Shultz dhe Henri Kisinger) ,në përkrahje të Mit Romnit, shkruajnë se “Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia më e madhe e botës, por mbi të gjitha Amerika vazhdon të jetë vendi më i pa-zëvëndsueshëm në botë – nga pikëpamja diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.’’   Ata thonë se “Amerika  është më e mirë kur ajo merr përsipër rolin  udhëheqës në botë….. një Amerikë e cila mbetet shpresa e botës – e një bote në paqë, drejtësi dhe demokraci.’’

Shpresojmë që qoftë Barak Obama, qoftë Mit Romni, cilit do që populli amerikan t’i dorëzoj frenat e qeverisë më 6 Nëntor,  të  punojë për një Amerikë të fortë në fushën ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, pasi një ‘’Amerikë e fortë do të thotë një botë në paqë.’’

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne Botes, Roli i Amerikes

SHEFI I OPOZITES U TAKUA NE SHERATON ME SEKRETAREN CLINTON

November 1, 2012 by dgreca

TIRANE- Kreu i PS-se, Partise em te madhe te opozites, Edi Rama ka falenderuar sekretaren amerikane te Shtetit, Klinton per viziten e saj ne vendin tone, per fjalimin fantastik ne Kuvend dhe per faktin qe sipas tij, gjeti kohe te degjonte edhe zerin e opozites.

Deklaraten Rama e ka bere permes nje konference per shtyp, nga selia roze, duke informuar publikisht per takimin e zhvilluar mes tij dhe sekretares amerikane, Klinton.

Duke falenderuar per ndihmen dhe mbeshtetjen e madhe qe SHBA i kane dhene vendit tone, Rama ka vleresuar se tepermi apelin e bere nga sekretarja Klinton per zgjedhjet e ardhshme.

“Cenimi i besimit te zgjedhjet, nuk duhet të kthehet në humbjen e besimit të popullit te fuqia e vullneti i vet. Do bëjmë cmos që besimi te vota të fitojë dhe ndihma e SHBA në këtë drejtim është jetike. Ja pse nënvizimi i qartë i saj për nevojën që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme dhe angazhimin e SHBA për të asistuar në përmbushjen e kësaj nevoje është burim i madh besimi se vendi do ndahet qershorin e ardhshëm nga problematika e zgjedhjeve”- tha Rama.

Sipas Rames, kurrë nuk do shterojë mirënjohja e shqiptarëve ndaj SHBA, për pavarësinë e Kosovës, mbështetjen e Shqipërisë si në rastin e anëtarësimit në NATO. “E garantova se ne do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë krah për krah në misionet e saj në botë” tha ai.

Filed Under: Kronike Tagged With: Edi Rama, HKlinton, sekretaren, takon

MIRENJOHJE PER SHQIPTARET

November 1, 2012 by dgreca

E dini shumë mirë që aq shumë shqiptaro-amerikanë shërbejnë në qeverinë tonë dhe në forcat tona të armatosura. Janë sipërmarrës e mësues, inxhinierë dhe artistë, udhëheqës fetarë, si dhe drejtojnë disa prej restoranteve më të mira në botë. Kultura shqiptare është një përbërës i pasur i jetës amerikane./

Nga Hillary CLINTON*/

Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe kam mundësinë që të flas përpara këtij parlamenti të një Shqipërie të lirë, të pavarur, sovrane e demokratike. Z. President, Zonja Kryetare, Z. Kryeministër, anëtarë të parlamentit, nderi është edhe më i madh sepse bashkohem me ju për të festuar jubileun tuaj – 100 vjet pavarësi. Ka qenë një fitore për të cilën keni luftuar shumë. Teksa po hyja me – më pëlqen shumë të them Zonjën Kryetare – me Kryetaren Topalli nëpër korridore, pashë fotot e paraardhësve tuaj. Në 100 vitet e fundit ka ndodhur aq shumë, por një gjë ka qenë e pandryshuar: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë miku dhe partneri juaj dhe për këtë jemi shumë krenarë. Lidhjet tona vetëm sa janë forcuar dhe shumëfishuar. Dhe nuk ka ndodhur vetëm mes qeverive tona; ka ndodhur mes popujve tanë. Populli amerikan dhe populli shqiptar ndajnë kapacitetin për të demonstruar zhdërvjelltësi dhe vendosmëri. Ju, ashtu si ne, keni qenë të vendosur për të qenë të lirë, për të ndërtuar një demokraci të gjallë dhe një ekonomi në lulëzim. Ju, ashtu si ne, zotëroni dëshirën e zjarrtë për të lënë pas përplasjet e vjetra dhe për të arritur një të ardhme paqeje dhe mundësie për të gjithë. Jam shumë mirënjohëse për këtë partneritet dhe për miqësinë tonë historike, ashtu siç jam mirënjohëse për kontributet që mijëra shqiptarë kanë dhënë për vendin tim. E dini shumë mirë që aq shumë shqiptaro-amerikanë shërbejnë në qeverinë tonë dhe në forcat tona të armatosura. Janë sipërmarrës e mësues, inxhinierë dhe artistë, udhëheqës fetarë, si dhe drejtojnë disa prej restoranteve më të mira në botë. Kultura shqiptare është një përbërës i pasur i jetës amerikane. Arrita ta njoh këtë mirë si senatore nga Nju Jorku për tetë vite. Dhe, Z. President, u ndjeva thellësisht e nderuar që mora sot Urdhrin e Flamurit Kombëtar. Këtë do ta adhuroj përgjithmonë. Ishte një tjetër simbol i miqësisë së fortë që kemi mes nesh. Njëqind vjet më parë si këtë muaj, Presidenti i SHBA Udrou Uillson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe ndaloi ndarjen e vendit tuaj gjatë pasojave të Luftës së Parë Botërore. Në dhjetëvjeçarët që pasuan, udhëheqësit amerikanë, si demokratë ashtu edhe republikanë, në mënyrë të përsëritur u ngritën për të mbështetur të drejtat dhe liritë tuaja, jo vetëm këtu në Shqipëri por anekënd rajonit. I vlerësova shumë fjalët e Kryetares mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur duke rivendosur shpejt marrëdhëniet me Shqipërinë në vitin 1991, në kohën e Presidentit Xhorxh H. Ë. Bush. Dhe, sigurisht, isha e nderuar dhe shumë e lumtur që dëgjova edhe një herë tjetër se çfarë kishte bërë im shoq, duke ngritur fondin e sipërmarrjeve. Si President, Presidenti Klinton themeloi një fond sipërmarrjeje për të sjellë investime amerikane në Shqipëri, për të mbështetur zgjedhjet demokratike këtu, dhe punoi me Shqipërinë dhe aleatët tanë në NATO për të mbrojtur Kosovën dhe për të rivendosur stabilitetin në rajon. Më pas, pesë vjet më parë, Presidenti Xhorxh Bush u bë presidenti i parë në detyrë që vizitonte Shqipërinë. Dhe, në vitin 2009, Presidenti Obama ishte krenar që ju mirëpriti juve, sëbashku me Kroacinë, si anëtarët tanë më të rinj në NATO. Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre. Teksa isha ulur në karrigen këtu pas meje, duke ju vështruar të gjithëve juve dhe duke parë fytyrat tuaja e duke menduar për prindërit e gjyshërit e stërgjyshërit tuaj dhe gjithçka që kanë hequr – pushtime, diktaturën komuniste, privime të ashpra – është e vështirë të besosh sot që jo shumë kohë më parë, Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Europë. Nuk kishit asgjë nga ato që keni sot: liri politike dhe shoqërore, vetë-vendosje, dhe shanse. Aq shumë shqiptarëve iu desh të braktisnin familjet e vendet e dashura për t’i kërkuar tjetërkund. Megjithatë, tani keni aq shumë për të festuar. Ky jubile nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën. Është edhe një sfidë se çfarë do të bëheni në të ardhmen. Njëzetë vite më parë, sapo po dilnit nga zgjedha e komunizmit; tani, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit përfshihen në debate dhe votojnë hapur ligjet e vendit, veprimtari që dikur ishin të pamundura. Në atë kohë, ekonomia juaj ishte e mbyllur dhe keni punuar fort për ta hapur, për të krijuar kushtet për sipërmarrje, tregti e investime, hedhjen e themeleve për mundësi edhe më të mira në të ardhmen. Në atë kohë, Shqipëria ishte vendi i qindra mijëra bunkerëve prej betoni, një provë e mosbesimit që udhëheqësit komunistë kishin jo vetëm ndaj kombeve të tjera, por edhe ndaj popullit të vet. Tani jeni anëtarë të vlefshëm të NATO-s, pjesëmarrës të suksesshëm në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan, dhe shpreh ngushëllimet e mia për humbjen e parë të një ushtari shqiptar atje. Po ecni drejt integrimit të plotë në Europë teksa kërkoni hyrjen në Bashkimin Europian. Të gjitha këto janë baza për festë. Por mendoj që amerikanët dhe shqiptarët nuk mund të jenë kurrë të kënaqur. Na duhet të pyesim veten, ç’mund të bëjmë më shumë? Si mund t’i përmirësojmë jetët e atyre të cilëve iu shërbejmë? Nuk mund të ndaleni tani. Keni potencialin të bëheni model, jo vetëm për këtë rajon, jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën. Dhe Shtetet e Bashkuara kanë interes të madh në suksesin tuaj. Jo vetëm duam të shohim marrëdhënien tonë të rritet edhe më e fortë, por duam t’ju shohim edhe juve të rriteni më të fortë. Duam të shohim ekonominë tuaj, demokracinë tuaj të shkaktojë zili tek kushdo tjetër. Mbështesim plotësisht aspiratat e Shqipërisë për në BE sepse mendojmë që kjo do t’ju bëjë më të fortë. Do të jetë diçka e mirë edhe për Europën dhe, ndonëse nuk kemi votë në atë aplikim për anëtarësim, do t’i themi kujtdo që do të dëgjojë se sa fort ju mbështesim. Shqipëria dhe populli shqiptar meritojnë një vend në familjen europiane të kombeve. Kjo është diçka jo vetëm për të mirën tuaj, por do ta bënte këtë kontinent më të paqtë e të sigurt. Por që kjo të ndodhë, muajt që vijnë paraqesin disa vendime kritike për ju që jeni në këtë sallë, për qeverinë tuaj dhe për popullin tuaj. Si mike dhe adhuruese e Shqipërisë, janë veçanërisht disa sfida që shpresoj do t’i përmbushni. Janë jetike për përparimin tuaj afatgjatë. Së pari, ju lutem të punoni për të siguruar që zgjedhjet tuaja të ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe që të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Në radhë të parë, kjo duhet në mënyrë që populli i Shqipërisë të mund të ketë besim tek rezultati dhe tek ju si udhëheqësit tuaj. Është po ashtu një sinjal i rëndësishëm për BE-në që politika shqiptare mund të funksionojë paqësisht dhe pa konflikte. E di që shumë prej jush jeni përqendruar në këtë çështje dhe po ndërmerrni tani hapa për të ngritur një proces të qartë dhe të efektshëm dhe për këtë ju përgëzoj. Si dikush që ka qenë në politikë e ka kandiduar në zgjedhje me kundërshti, në të cilat disa i kam fituar e disa jo, e di se sa e vështirë mund të jetë politika në botën moderne. Mund të dëshmoj edhe se si zgjedhjet tërheqin vëmendjen e botës sepse me TWitter dhe Facebook dhe komunikime të çastit, duhet të marrësh parasysh që gjithçka do mësohet, do shihet, çka është e mirë për demokracinë, por vendos një barrë shtesë mbi ne që jemi në drejtim. Ndaj, nxis jo vetëm udhëheqësit e Shqipërisë, por popullin, qytetarët e Shqipërisë, që të punojnë fort për t’i shndërruar këto zgjedhje të ardhshme një sukses që pasqyron thellësinë e përkushtimit tuaj ndaj demokracisë. Në të njëjtën kohë, është gjithmonë me rëndësi t’i kujtojmë vetes që konsolidimi i demokracisë kërkon më shumë se sa thjesht zgjedhjet. Kërkon sundimin e ligjit. Kërkon institucione të forta, përfshi një gjyqësor të efektshëm dhe të paanshëm. Kërkon që qeveria të jetë e hapur në mënyrë që qytetarët të na kërkojnë neve, drejtuesve, llogari. Atribute të tilla si këto sigurojnë që demokracia të japë rezultate konkrete për njerëzit. Dhe kur këto minohen, duhet dhënë llogari. Së dyti, ju nxis të përballeni me problemin që ndikon aq shumë demokraci në botë sot, dhe pikërisht korrupsionin. Kjo është një luftë që çdo vend duhet ta kryejë dhe të fitojë sepse në mbarë botën, korrupsioni është një kancer që gërryen shoqëritë. Shteron burimet, bllokon rritjen ekonomike, është mburojë për udhëheqës të paaftë dhe joetikë, dhe ndoshta më e keqja, krijon një kulturë pandëshkueshmërie që iu gërryen njerëzve vullnetin për të përmirësuar jetët dhe komunitetet e tyre. Për këtë nuk ka përgjigje të lehtë. Është po aq i vjetër sa natyra njerëzore. Jam e sigurt që nëse do të kishte një përgjigje të lehtë, bota do ta kishte zgjidhur këtë problem kohë më parë. Çrrënjosja e korrupsionit kërkon përpjekje të pandalshme dhe një përkushtim të përbashkët. Pavarësisht cilës parti i përkisni, pavarësisht cilat janë mosmarrëveshjet tuaja, nxis të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë të gjejnë vullnetin politik për të punuar sëbashku, për t’u përballur me këtë kërcënim ndaj pavarësisë suaj. Dhe kjo na drejton tek sfida e fundit që dua të ngre para jush, një sfidë që ka lidhje me gjithçka tjetër që përmenda. Që demokracia e Shqipërisë të lulëzojë, udhëheqësve të Shqipërisë do t’iu duhet të ndërtojnë një kulturë bashkëpunimi që kapërcen dallimet politike, ajo që Aleksis de Tokvil, historiani i madh i viteve të hershme të Amerikës, e quante zakonet e zemrës. Ato qëndrojnë në thelbin e çdo demokracie të suksesshme. Tani, kjo është një sfidë që disa vende nuk janë kurrë në gjendje ta kapërcejnë, por unë besoj se Shqipëria mundet. Përsëris që kam përvojë personale me këtë. Si senatore demokrate, kam punuar shpesh me republikanë në çdo krah për të zgjidhur probleme, për t’u përballur me çështje që ndikonin shtetin tim dhe vendin tim. Dhe mund të keni vënë re që tani shërbej si Sekretare Shteti për Presidentin Obama, ish-rivalin tim. Njerëz përreth botës vazhdojnë të më pyesin se si mundet që Presidenti Obama dhe unë të punojmë sëbashku çdo ditë si partnerë pasi kemi luftuar aq fort kundër njëri-tjetrit. Më besoni, kam bërë gjithçka për ta mundur. Por ai fitoi dhe pastaj më kërkoi të isha Sekretare Shteti e tij. Ndaj, kur më pyesin se si munden dy njerëz që nuk kanë lënë gjë pa thënë për njëri tjetrin, që kanë harxhuar dhjetëra miliona dollarë reklama kundër njëri tjetrit, mbështetësit e të cilëve përballeshin kudo – kundër njëri tjetrit, si mund të punoni bashkë ju të dy? Do t’jua tregoj, është një përgjigje shumë shumë e thjeshtë. Të dy e duam vendin tonë. Dhe e di që nuk ka asnjë shqiptar këtu që nuk e do Shqipërinë. Ndaj shpresoj që edhe ju do mund të gjeni rrugën tuaj për bashkëpunim të sinqertë e të qëndrueshëm. Ruajini besimet e ndryshme politike, besoni që mund të jeni një udhëheqës më i mirë se sa tjetri. Politika kështu e ka. Nuk do merreshit me të nëse nuk do besonit këtë për veten. Por në fund, vendosja e interesave vetiake dhe interesave partiake prapa interesave kombëtare është ajo që iu kërkohet udhëheqësve demokratikë. Megjithëse populli shqiptar mund t’i gjejë rrënjët e historisë mijëra vjet pas, kjo periudhë që vjen mund të jetë një prej periudhave më me pasoja me të cilat jeni përballur, për sa i përket mënyrës se si do të konsolidoni përgjithmonë dhuratën e demokracisë për brezat e ardhshëm. Dhe ka pyetje që ju, dhe vetëm ju, do duhet të ngrini dhe t’iu përgjigjeni: A do vazhdojë Shqipëria të ngrejë tullat e qeverisjes së mirë? A do të vazhdojnë udhëheqësit që të fitojnë besimin e njerëzve dhe të sigurojnë që qeveria të prodhojë rezultate? A do të lini mënjanë politikën personale dhe politikën partiake për të mirën e vendit? A do të kryeni reformat që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët? A do ta luftoni korrupsionin që iu vjen për shtat një pakice në kurriz të shumicës? A do të vazhdoni të bëni punën e madhe që kërkohet për të hyrë në Bashkimin Evropian, duke pranuar që ai ofron një rrugë të paqes dhe përparimit afatgjatë për qytetarët tuaj? A do të vazhdoni të shërbeni si model për rajonin dhe botën? Toleranca fetare që ekziston këtu në Shqipëri është një dhuratë e çmuar. Është e vështirë ta gjesh këtë në shumë vende në rajon dhe tjetërkund. Vlerësojeni atë. Përdoreni si një tjetër argument në favor të unikalitetit të këtij vendi të madh. Këto janë pyetje të vështira për t’iu përgjigjur. Nuk vij me përgjigjet këtu. Vij me pyetjet. Por vij edhe me një ndjenjë të thellë besimi tek ju. Dhe më lejoni të them që ndërsa merrni vendimet e vështira që kërkohen për përparimin tuaj të mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian, aty ku ju takon, Shtetet e Bashkuara do t’ju mbështesin në këto vendime të vështira. Ne besojmë që jemi bashkë në këtë, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria. E dimë se çfarë lloj bote duam për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm. Është një botë mundësish dhe tolerance dhe përfshirjeje. Është një botë e të drejtave të njeriut ku përfshihen të gjithë, që i japin çdo njeriu një shans për të përmbushur potencialin e dhënë nga perëndia. Dhe si udhëheqës të demokracive në shekullin e 21-të, është detyrimi ynë solemn për t’i dhënë këto rezultate për njerëzit që na kanë dhënë besimin. Ju shoh juve dhe shoh të ardhmen. Besoj që do të përballeni me sfidat dhe do të rrokni mundësitë e shekullit që kemi përpara. Dhe, të paktën unë, do t’ju nxis dhe do t’i tregoj kujtdo që do të dëgjojë se nëse doni të shihni demokracinë e vërtetë në veprim, shkoni në Shqipëri.
Urime dhe Perëndia ju bekoftë juve dhe Perëndia e bekoftë Shqipërinë.

Fjalimi ne Parlamentin e Shqiperise

Tirane, 1 Nentor 2012

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Fjalimi, i Hillary Klinton, ne Parlament

PRESIDENTI NISHANI NDEROI SEKRETAREN AMERIKANE TE SHTETIT, HILLARY CLINTON ME URDHERIN E FLAMURIT KOMBETAR

November 1, 2012 by dgreca

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi te enjten me 1 Nentor, me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me motivacionin:

“Për kontribut dhe merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha përpjekjet për përparim e mirëqenie, për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë e të hapur.

Për ndihmën e jashtëzakonshme në anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, si edhe për mbështetjen e çmuar për Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e cila përmbushi aspiratat e rajonit për liri e dinjitet.

Për kontribut të çmuar në konsolidimin e marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta e miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Urdhri më i lartë kombëtar i nderit iu dorëzua Sekretares Amerikane të Shtetit nga Kryetari i Shtetit Shqiptar gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Me këtë rast, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton u shpreh:“Zoti President,Të nderuar zyrtarë,

Më lejoni të shpreh ndjenjën e thellë të vlerësimit dhe nderit për marrjen e këtij Urdhri! Sigurisht që e pranoj sinqerisht në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të administratës së Presidentit Obama dhe në emër të Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten një partner i fuqishëm dhe një mik i Shqipërisë dhe për popullin e saj, teksa vijoni në të ardhmen të pavarur, të lirë, demokratike dhe me besim duke ndërtuar Shqipërinë që do të jetë një model i mirë dhe shembull për brezat që do të vijnë. Jam krenare që ju jam mike dhe do të mbetem e tillë.

Ju falenderoj për dhënien këtij nderi të jashtëzakonshëm dhe do të vijoj të bëj më të mirën time për ta merituar plotësisht. Ju e meritoni këtë plotësisht tani dhe në të ardhmen!”

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani theksoi:

“Për ne është një kënaqësi dhe nder që Sekretarja Amerikane e Shtetit pranoi këtë dekoratë të lartë të shtetit shqiptar. Përmes kësaj dekorate ne shprehim mirënjohjen për Sekretaren Klinton, qeverinë amerikane dhe për popullin amerikan, të cilët, jo vetëm në sfidat më të vështira të Shqipërisë kanë qenë pranë nesh, po dhe në çdo hap për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit.

Edhe një herë ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj!”

Tirane, 1 nëntor 2012

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: bujar nishani, Me Urdherine Flamurit, nderoi, presidenti, Sekretaren Clinton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5721
  • 5722
  • 5723
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT