• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËTIM TË KËNDSHËM DREJT VENDLINDJES!

May 9, 2020 by dgreca

AMBASADA E KOSOVËS NË WASHINGTON DHE KONSULLATA E PËRGJITHSHME NË NEW YORK NISËN DREJT VENDLINDJES 147 BASHKATDHETARË/

Njoftimin e ka bërë të njohur Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, Ambasadorja Teuta Sahatçija. Në postimin në faqen e saj në facebook, Sahatçija shkruan:

147 bashkatedhetarë u nisën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovë me fluturim të organizuar nga Ambasada e Kosovës në DC dhe Konsullata e Përgjithshme e RKS në New York. 108 prej tyre u nisën përmes aeroportit Newark nv New Jersey dhe të tjerët nga Washington DC. 

 Ishte një punë intensive për muaj të tërë me shumë thirrje e komunikim të përditshëm për ti akomoduar kërkesat e shtetasve të Kosovës për kthim.Dua ta përgëzoj Ambasadoren Çitaku dhe ekipin tim të mrekullueshëm të diplomatëve në New York, e në veçanti Konsullin Lulzim Krasniqi i cili ishte bartës i këtij organizimi nga Konsullata në New York. 
Udhëtarëve kthim të lehtë e të këndshëm në vendlindje!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ambasada dhe Konsullata e Kosoves

Koha me Maks Velon dhe koha pa Maks Velon

May 9, 2020 by dgreca

SHKRUAN: VISAR ZHITI/

Maksi na la dje. Edhe sot. Edhe nesër… Me të marrë lajmin tronditës, gjithë kohës kam menduar për të, kemi folur për të me miqtë e përbashkët në Tiranë, por dhe në Itali, edhe përtej oqeanit, në SHBA. Dhimbja është më e madhe se largësitë, e krahasueshme vetëm me atë që Maksi bëri dhe la, më shumë sesa aq, me kumtin që mbartin bëmat e tij.

Kumti i Maks Velos ka fuqinë të ndajë kohën, koha me Maks Velon dhe koha pa Maks Velon, që mund të jetë koha pa të, ku ai ishte dhe koha me të, ku ai s’është.

Maks Velo është intelektuali me ndërgjegje të lartë artisti, është artisti me ndërgjegje të lartë intelektuali, është miku i të gjithëve dhe kritiku i të gjithëve, në çdo kohë dhe në çdo vend, që do kur nuk e duan, që nuk do kur e duan.

Maksi është më i veçanti i të gjithëve dhe i mbart të gjitha veçantitë e të gjithëve te vetja.

Qytetar, i dashur, që kërkon ta duash, social dhe vetmitar, korrekt e i hapur, i gjendur dhe braktisës, shpotitës dhe nervoz, mik që të harron, i besës që nuk të beson, që e merr malli, që di të çmojë si askush veprën dhe virtytet, mbi të gjitha punëtor i palodhur i mendjes dhe i krahëve, që ecën, madje dhe me ngut, duke shkuar asgjëkund e kudo, duke ditur të jetë dhe atje ku s’është. Edhe tani që sapo nisi prehjen e fundit, ai nuk di të pushojë, i ka bërë të gjithë të flasin për të, të njohur dhe të panjohur, bashkëvuajtës dhe shtetarët e lartë, ata që e duan dhe ata që s’e duan, artistët kudo. Elitarët.

Maks Velo është elitë.

Korçari që lindi në Paris dhe që kishte pasaportë amerikane, që jetoi nën diktaturë dhe bëri art avanguardist, modern, arkitekti që pikturonte ndryshe, që shkonte në azilin e pleqve dhe u blinte atyre gdhendjet në dru si art parak, të çuditshëm, që dënohet për veprat e veta me 10 vjet burg, kubist në arkitekturë, impresionist në pikturë, ekstravagant në veshje, liberal në të folur, i pashoqërueshëm me këdo dhe mik me shumë gra, i hijshëm dhe sharmant më shumë nga ç’lejohej, lexues veprash të ndaluara në gjuhë të huaj etj., etj., gjithë këto krime për atëherë. Edhe pikturat ia dënuan me gjyq, i dogjën nja 300 vepra dhe i konfiskuan.

Po pallatet që ke projektuar ti, do t’i shembin? – e pyesja në burg, se ja shkrimtarëve u ndalohen librat. Tashmë ishim bërë miq, i thosha ç’të doja. Të burgosurit kishin merak atë pallatin e tij kubist, ku jetonin ata të realizmit socialist, atë ta hidhnin në erë me dinamit, po Maksi aty kishte miq të tij.

Maks Velo edhe në burg ishte artist, s’duronte dhe duronte padurueshëm, nuk përshtatej. “Ti s’bën si i burgosur”, – i thosha. Qeshte si i lirë, grindej kollaj, s’duronte banalitetin, trupmadh si një Heminguej, i panënshtruar, por jo rebel i çartur, i çartur në të folur me policët, spiunët apo hajdutët, elegant kur diskutonim një libër, një film, po, po elegant si burrë, edhe atje. Gjestet i kishte prej artisti, të shumta, s’kishte pranga t’ia lidhte. Në fëmijëri i kishte rënë pianos, – më thoshte. Nga gishtërinjtë e tij më dukej sikur pikonin tinguj dhe ngjyra, në sy i vezullonin ndriçime të largëta, fytyrëgjerë, ballin të madh e të pjerrët, vetullan, leshtor… nuk dua të zgjatem, kam shkruar për të, e kam personazh të dashur në burgologjinë time të Spaçit, “Rrugët e ferrit”, ku dhe atje ai bënte arkitektin, ngriti një tarracë, sajoi shkallë, rregullonte, e qytetëronte sadopak atë mjedis dhunues.

Ai edhe gjellën e burgut e bënte të pranueshme, mua më dukej sikur në kazan të kishin gatuar copa çizmesh të policëve, por Maksi nxirrte nga çanta e burgut ca vaj, uthull a limon, erëza, ndonjë kokërr ulliri, djathë, ç’i kishin sjellë familjarët, i hidhte mbi dy sahanët tanë, gjella e burgut qytetërohej. Burgu ka shumë uri, Maksi ishte dinjitoz në urinë e tij. Ushqimi është kulturë dhe histori, madje histori e njerëzimit më shumë se ajo nëpërmjet luftërave.

Maksi, fletëve që grisja nga librat apo revistat në burg dhe krijoja antologjitë e mia, u bënte kopertinat “me mjetet rrethanore”, u ngjiste figurina, me germat që i priste nga gazetat a revista të tjera sajonte titujt, emrat e autorëve, edhe sot i kam, janë botimet unikale në botë.

Pas burgut, kur vija në Tiranë kërkoja Maksin, ai ishte pjesë e bukur e kryeqytetit për mua, më priste, njoha nënën e tij, motrat, punët, më kishte ardhur dhe në Lushnjë, në shtëpi. Dhe kur ra diktatura, poezitë e burgut i botova, duke vënë në kopertinën e librit një vepër të tij.

Në postdiktaturë Maksi iu rikthye artit si profesionist, iu rikthye teatrit, lozhave të operës, miqësive me femrat, gazetave dhe ekraneve, shpërtheu më fuqishëm si zë i lirë intelektuali, u bë britmë drejtësie, mbrojtës i të drejtave të njeriut, i vlerave kulturore, i ikonave bizantine, onufriane etj., traditës, urbanistikës, që nga lahuta e deri te stadiumi, akuzë kundër korrupsionit, kritikonte hapur, që nga fanatikun e një xhamie e deri te kryeministri dhe punonte, punonte, pa pyetur se ç’bënin vitet me të.

Mbronte krishterimin si të ishte një ushtar 500-vjeçar i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, duke parë aty dhe kulturë të fortë morale, kolonë kryesore e kulturës perëndimore europiane, ngrihej kundër fundamentalizmit fetar dhe i keqkuptohej si antimyslimanizëm ngaqë Maksi e denonconte kudo që e ndeshte dhe midis tyre.

Hapi ekspozita, vazhdonte atë lloj të veçantë të pikturuari, silueta parake si te Matis, që po u ngjanin hijeve të të burgosurve, labi, cigania etj., iu kthye letërsisë, tregime të vrazhda, ese plot mendim, poezi si pikturat e tij, novela dramatike, deri edhe romane burgu, edhe dosjen e tij të dënimit, ashtu siç ishte, solli origjinalitet dhe forcë, dëshmi dhe avangardë sërish, albume të kombinuara të fjalës me ngjyrën, ku ndiqte të zezën, vazhdonte të pikturonte njeriun-prangë dhe njeriun shenjt, Nënë Terezën, krijoi universin e tij të papërsëritshëm si rrallëkush.

Maks Velo tashmë është një institucion, thashë në fjalën time në njërin nga përurimet e tij të para. Maksi shkoi në Paris e Romë, në Vjenë e Berlin, Varshavë etj., në SHBA, foli në konferenca, i mahniti me dëshmitë e tij dhe me arritjet e tij.

Bëri shumë miq, kudo në Shqipëri dhe jashtë saj, por dhe kundërshtarë, deri edhe familjarë, pati edhe kërcënues. Karakteri i tij që s’përshtatej, si lokalist, si antiverior, por kudo ai ishte si në shtëpinë e vet, si në kafene, po ai, i drejtpërdrejtë, nuk bënte kompromis për të vërtetën, keq nuk i bënte kurrkujt, qeveritë nuk donin ta kishin kundër, i rrezikshëm si armik, por mik nuk e bënë dot kurrë. Urrente dhe me humor dhe donte me seriozitet sublim. Maksi nuk të falte, por e donte faljen. Shpërfillës në rrugë, burrë i moshuar që edhe vraponte, edhe me pantallona të shkurtra, por që qëndronte të dëgjonte dhe të rëndomtën, me kërshëri të përhershme, mund të bënte një sherr, të bënte narcisin, por duke ruajtur madhështinë, sidomos atë të brendshmen.

U bë emblemë e kohës së tij. Koha pa Maks Velon do të jetë më e zbrazët, pa estetikën e kritikës së tij, të bukur deri në marrëzi, e ndryshme gjithsesi me kohën me Maks Velon. Prandaj vepra e tij, arritjet e tij duhen mbrojtur si pasuri e përbashkët.

Të fillohet që nga shtëpia, megjithëse ai nuk pati kurrë shtëpi të tij, as studio, as në kohën e tij, ndërsa ata që e dënuan kishin dhe vila, dhe sallone, dhe galeri dhe kur s’ishin në kohën e tyre.

Shtëpia e Maks Velos të bëhet muze dhe rrugica aty të marrë emrin e tij. Pikturat e tij të mbrohen dhe të ekspozohen dhe të bëhen albume me to. Të botohet vepra e plotë letrare e tij disavëllimshme.

Maksi po punonte dhe në skulpturë së fundmi. Ka vepra tronditëse, monumente, ato të kujtesës dhe të persekutimit, sheshet presin një vepër të tij.

E rëndësishme është fryma dhe dhimbja dhe kumti i atyre që vuajtën dhe qëndruan, që ajo të shndërrohet në kujtesë, në kujtesën e përvojës, të vlerave, të bëhet kulturë kombëtare, ku Maks Velo zë një vend qendror.

Liria dhe demokracia kanë nevojë për artin e Maks Velos me shokë, për guximin dhe qëndrimet, për vizionet prijatare, se si të thuash erdhi ajo kohë, për të cilën ata u dënuan.

Zhgënjimet, mashtrimet, vazhdimi i kohës së diktaturës në postdiktaturë me forma të reja demokratike, oligarkia e pasardhësve të atyre që bënë dhe mbajtën atë regjim, kërkojnë përballjen, zbulimin e të vërtetave, njohjen e persekutimit, të të persekutuarve dhe të persekutorëve patjetër.

Vepra e Maks Velos me shokë janë gjyqi dhe ndëshkimi moral, kujtesa e së vërtetës.

Koha me Maks Velon e dënuar është diktaturë dhe e dëmshme, nuk është koha e të gjithëve, por ngrirje e kohës.

Koha dhe me Maks Velon, dëshmitar i vuajtjes dhe artist, me krijimtarinë e tij të lirë, është kohë e të gjithëve, që sjell ardhmëri. Personalitete si Maks Velo tregojnë drejtimin…

Filed Under: Opinion Tagged With: Koha me Maks Velon, the koha pa Maks Velon, Visar Zhiti

Art botëror i frymëzuar nga historitë e Luftës së dytë Botërore

May 9, 2020 by dgreca

Monumenti i Rezistences ne Durres-epër e skulptorëve Hektor Dule dhe Fuat Dushku.

“Unë nuk kam asgjë tjetër për të ofruar përveç gjakut, lotëve dhe djersës.” Churchill/

Femijet e Luftes, Republika Cheke.

Nga Keze Kozeta Zylo/

Holokausti-Monument ne Moske.

Sot në këtë ditë 9 Maj, të vitit 1945 kujtojmë me përulje dhe respekt ditën e fitores botërore mbi nazizmin, i cili shkaktoi 50 milionë viktima në gjithë globin.  Nëpërmjet këtij shkrimi po sjellë disa copëza historie në vende të ndryshme të botës nëpërmjet artit, skulpturave dhe pikturave tabllo të realizuar nga skulptorë dhe artistë të famshëm në botë.  

ODHISE PASKALI-MATHAUZEN

Unë nuk kam qenë dëshmitare e Luftës së Dytë Botërore, por ka qenë babai me dy xhaxhallarët, tri burra të ndershëm, të urtë dhe të mençur sipas opinionit të Mezhgoranit dhe tepelenasve që i njohën. Atyre ju besoj më shumë, jua ndjej në palcë të shpirtit vuajtjen dhe dhimbjen, atyre ju besoj më shumë se gjykatësit më të shquar të botës, që realisht nuk di ndonjë emër… 

Memoriali i Luftes se II boterore ne Washington, veier e arkitektit Fridrich St, 29 maj 2004

Histori-shkruesit shqiptarë, mashtruesit dhe përfituesit e çdo kohe e kanë kot të manipulojnë popullin… Ata vetëm bëhen dhe më të pështirë… 

Shpesh ne na duhet të guxojmë me ata që përbaltin dhe për këtë frymëzohem nga Churchilli i cili ishte një politikan britanik, oficer i ushtrisë dhe shkrimtar. Ai ishte Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga maji 1940 deri në korrik 1945, kur e çoi vendin drejt fitores në Luftën e Dytë Botërore. Ai ka thene se: “Unë nuk kam asgjë tjetër për të ofruar përveç gjakut, lotëve dhe djersës.” “Perandoritë e së ardhmes janë perandoria e mendjes.” “Guximi është ajo që duhet të ngrihet dhe të flasë, është gjithashtu ajo që duhet për t’u ulur dhe dëgjuar.” “Përpjekja e vazhdueshme – jo forca apo inteligjenca – është çelësi për zhbllokimin e potencialit tonë.”

Epopeja e Mezhgoranit-Tablo nga Guri i Madhi/

Luftën Epope të Mezhgoranit nuk ka burrë nëne ta mohojë, dhe s’mund të guxojë kush, për këtë Luftë u ngrit gjithë populli trim dhe liridashë në këmbë, pa dallime pikëpamjesh, në këtë Luftë lanë kockat fashistët italianë. Dhe për këto kam sjellë fakte të pakundërshtueshme në shkrimet e mia. Në lidhje me këto fakte kokëfortë kam marrë falënderime dhe nga bij të ballistëve që jetonin dhe jetojnë akoma. Populli mezhgoranas është një shembull brilant i bashkëpunimit në Historinë e Luftës së Dytë Botërore, por histori-shkruesit as kanë pasur dhe as kanë ndërmend ta analizojnë…

E kam detyrë, dhimbje dhe krenari të ligjshme që të fillojë këto copëza historie në botë me Luften epope të Mezhgoranit ku ra heroikisht Asim Zeneli. Lufta e Mezhgoranit me Asim Zenelin në krye i cili la studimet në Akademinë ushtarake në Romë dhe erdhi si shqiponjë mali nga Progonati, sot Heroi i Popullit do të nderohet pergjithmonë.  Asim Zeneli ra si burrë në fushë të betejës në arën e Gjonajve, ara e të parëve të mi, dhe burrat e fshatit e ngritën në krah gati më shumë se një orë për ta çuar në varrezën e fshatit që quhej Hojmodh. Më duhet të përmend se midis tyre ishte dhe trimi Xha Mehmet Rrapo dhe Xha Orhan Cani të cilët nuk e hoqën nga supi Asim Zenelin deri në varrezë.

Monument perfaqesues me katershen fituse te Luftes II Ushtari britanik, amerikan, francen dhe sovjetik.

Oshëtima e Grykës së Mezhgoranit me bijte e saj që dhanë jetën në Luftën e Dytë Botërore kundër nazifashizmit do të jetë në rezonancë të përhershme me zërin e Akademikut Ushtarak Asim Zenelit, tenorit shqiptar Mentorit Xhemalit që interpretoi aq fuqishëm vargjet e poezisë “Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit” të shkrimtarit të mirënjohur Qamil Buxhelit dhe të kompozuar nga Artisti i Popullit Mustafa Krantja.

Tabloja e Epopesë së Mezhgoranit është në vaj në kanavacë, 270 cm x 210 cm, pikturuar nga Guri Madhi në vitin 1969, dhe ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, Shqipëri.

Shqipëria është e renditur zyrtarisht si pjesëmarrëse në Luftën e 2-të Botërore kundër bishës nazifashiste.  Odise Paskali skulptori i shquar i Kombit ka ndërtuar skulpturën “Partizani fitimtar”, skulpturë që është vendosur në ish-kampin nazist të Mauthausen që prej 1968-ës në kujtim të gjithë të rënëve për Liri dhe kontributit të popullit shqiptar në luftën kundër nazi-fashizmit.

Vexer e skulptorit Brazilian Azeved.

Një monument i rezistencës ndodhet në Durrës dhe i përkushtohet luftës së armatosur të popullit shqiptar kundër pushtimit fashist nga Italia, më 7 prill 1939. Vepër e skulptorëve Hektor Dule dhe Fuat Dushku.

Në këtë betejë ra Heroi i Popullit Mujo Ulqinaku i cili ishte oficer shqiptar i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, i njohur për rezistencën e tij ndaj forcave italiane gjatë pushtimit italian të Shqipërisë.

Në Atdheun tim të dytë në Amerikë ka disa memoriale në përkujtim të të rënëve në Luftë, unë përzgjodha Memorialin e Luftës së Dytë Botërore në Washington i cili është krijuar nga arkitekti Friedrich St. më 29 maj 2004 ideuar nga Presidenti George W. Bush.  Memoriali u ngrit për të nderuar 16 milion Amerikanët që shërbyen në Forcat e Armatosura gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më shumë se 400,000 Amerikanë që vdiqën gjatë këtij konflikti.

Nazizmi gjerman nuk kurseu as Ëngjëjt e botës, fëmijët e pafajshëm. Një memorial tronditës përkujton 82 fëmijë që iu dorëzuan nazistëve dhe u helmuan në Chełmno në Verën e vitit 1942 gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Përkujtimi është për Fëmijët Viktima të Luftës, Lidice është një skulpturë bronzi nga Marie Uchytilova në Lidice, Republika Çeke. Puna per ndërtimin e memorialit filloi, më 1980, por nuk kaloi deri në vitin 2000.  Dhjetë vjet pas vdekjes së skulptores Uchytilova, memoriali përfundoi nga burri i saj. 

“Kopshti i Paqes dhe Miqësisë” ngjitet në përmendore.

Qyteti polak kishte një kamp përqëndrimi nazist të ndërtuar në Luftën e Dytë Botërore. Në fakt, ishte kampi i parë gjerman i shfarosjes i ngritur posaçërisht për të kryer spastrime etnike përmes vrasjeve masive.

Në Francë në përkujtimet për 75-vjetorin e zbarkimeve të Ditës së D-it u bë vizitë nga udhëheqës botërorë tek memoriali që i jep një kuptim më të thellë Betejës së Normandisë dhe se si ndihmoi për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Ky memorial përfaqëson tre elementë: Krahët e Shpresës, përhapjen e Lirisë dhe Krahët e Vëllezërve. Skulptori francez Anilore Banon, krijoi Memorialin në 2004, i porositur nga qeveria franceze për të përkujtuar 60 vjetorin e Pushtimit D-Ditor të Normandisë.

Në Rusi është një memorial me katër ushtarë bronzi që qëndrojnë në këmbë të cilët përfaqësojnë fuqitë aleate të Britanisë, Francës, Sovjetikëve dhe Amerikës kundër nazistëve. Ndërsa Perëndimi shpesh portretizohet si fitimtar i Luftës së Dytë Botërore që mposhtën ushtrinë naziste, këtu në këtë memorial rusët janë heronjtë e Luftës së Madhe Patriotike, titulli rus për të njëjtin konflikt. Deri në vitin 1943, Bashkimi Sovjetik kishte humbur mbi pesë milion ushtarë, por prapë arriti të dilte nga lufta fitimtare më 1945, por me një shpenzim të rëndësishëm. Vlerësohet se afro 26 milion sovjetikë vdiqën gjatë luftës, përfshirë rreth 11 milion ushtarë, ndërsa ushtria naziste humbi rreth tre të katërtat e ushtrisë së tyre, kur u përfshinë në luftime Sovjetike.

Në Moskë është ngritur Memoriali i Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore.

Statujat përshkruajnë vuajtjet gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Eshte një përmendore e tmerrshme që përshkruan koston njerëzore të luftës.  Tragjedia e njerëzve përcjellë me forcë ulëritesë koston njerëzore përmes një varg njerëzish të emancipuar, të rreshtuar dhe që morfojnë në gurë varri. Sendet personale – arinjtë e lodhur të rënë, syzet e thyer dhe të ngjashme – janë shpërndarë sikur të hidhen nga pronarët e tyre, të cilët gjithashtu morfohen në entitete të padiskutueshme. Jo vetëm duke iu referuar persekutimit nazist të popullit hebre, Holokausti Rus gjithashtu i referohet viktimizimit nga nazistët të të burgosurve të luftës sovjetike, polakëve, sllavëve dhe socialistëve gjithashtu. Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, afër 3.5 milion sovjetikë humbën jetën në burgjet e luftës gjermane, dhe afro gjashtë milion hebrenj u vranë.

Një ide unike është realizuar nga skulptori Brazilian Nele Azevedo i cili ndërtoi 5,000 figurina të vogla akulli në shkallet e Sheshit Chamberlain në Birmingham, U.K., për të kujtuar burrat dhe gratë e humbura gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë civilët.  Shifrat e shkrirjes, fantazmë, të vendosura nga vullnetarët, krijuan një imazh vërtet tronditës dhe ato u kurorëzuan nga një figurë e kuqe që dukej sikur rrëzonte një gjurmë gjaku poshtë hapave.

Skulptori Azevedo Birmingham tha se:  “Skulpturat e mia kujtojnë njerëz që nuk mbahen mend, ashtu siç behet me emra njerëzish në monumentet e tjera.  Doja të shkëputesha nga tradicionalja e monumenteve.”  

Gjatë Luftës botërore një dhunim i rëndë ka qenë dhe skllaverimi i grave për seks me ushtarët kolonizatorë.  Skulptura “Gra të rehatuara” është një shprehje si eufemizëm për vajzat dhe gratë e detyruara që punuan në bordellet ushtarake japoneze gjatë kohës së luftës.  Për dhunimin seksual të tmerrshëm nga ushtarët japonezë aktivistët e Koresë së Jugut vlerësojnë se mund të ketë pasur deri në 200,000 viktima Koreane.

Kjo Lufte pati dhe korrespodentët e saj që raportonin direkt nga Lufta dhe njeri prej tyre ishte Ernie Pyle i cili do të mbahet mend si një nga korrespodentët e mëdhenj të Luftës në Amerikë. Dhe, falë një skulpture të re, jashtë ndërtesës së Shkollës Mediatike të Universitetit të Indianës në Bloomington, një Pyle e bronzizuar tani mund të mbahet mend si një nga “korrespondentët” e famshëm të Luftës.  Ndërsa korrespodentët e tjerë mbulonin gjeneralët dhe taktikat e tyre, Pyle jetonte në mesin e këmbësorëve të përgjithshëm dhe shkruante rreth tyre – si i përdornin helmetat, legenat e larjes, si pengoheshin kur marshonin natën, si luftonin duke shkruar letra në shtëpi për të përcjellë ato që provonin dhe si i varrosnin shokët e tyre.

Pyle u vra nga zjarri i armikut në ishullin Ie Shima më 18 prill 1945.

Si grua dhe si shkrimtare gjithmonë kam ndjesinë e pozitivitetit dhe dua ta mbyll me një puthje në skulpturë aty ku petalet e dashurise aromatizojne të ardhmen që po vinte nga fitorja…

Në Florida ndodhet skulptura që eshtë 9 metra e gjerë dhe 11 metra e lartë, dhe është ndërtuar nga Seward Johnson në 2005.  Artisti është i frymëzuar nga një fotografi e famshme të një puthjeje në Times Square Manhattan në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe arriti në Kopshtin Botanik McKee në Vero Beach Florida, më 11 Dhjetor, si pjesë e një ekspozite të re.

Arti botëror frymëzuar nga historitë e Luftës së Dytë Botërore na kujton se: “Heronjtë dhe dëshmorët që luftojnë për Lirinë e Atdheut nderohen përjetësisht!

(dita e 43-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

9 Maj, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Analiza Tagged With: Arti boteror, Keze Kozeta Zylo, Lufta e II Boterore

Një lloj soji allasoj

May 9, 2020 by dgreca

-Përse çirremi kur nuk na përfillin? Fare e thjeshtë jemi bërë si ata, një lloj soji allasoj./

Nga Ilir Levonja/

Quajeni si të doni por indinjatat publike a denoncimet nga foltoret e krerëve të politikës, nga presidenca etj., nuk kanë asnjë vlerë. Sado të indinjuar të tregoheni, sado të inatosur, prapë nuk përbën zhvillim, nuk ka domethënien që jemi shoqëri e konsoliduar demokratike. Ju bërtisni kot se në një farë mënyre si atyre që tërheqin zvarrë një zonjë, si shefave që kanë sipër as që u bëhet vonë. Atyre që tërheqin zvarrë janë duke u rrahur shpatullat shefat mbas kuintave, kurse ata që u tërhoqën vetëm sa do dalin dhe ankohen kamerave dhe kaq. U vjen mirë dhe nesër e duan për medalje, madje do mbushin kurrikulat dhe me siguri nëse rasti i bën shtetarë vdesin të qeverisin pa u ngopur si këta të sotshmit. Në një farë mënyre marrin huqet e njëri-tjetrit. Ju hiqeni sikur jeni të skandalizuar por nuk bëni asgjë tjetër, lojën e vasalëve, lojën e politikës. Edhe ju jeni njësoj si ata pasi jeni përfshirë të tërë në një lloj qarkullimi pështymash karshi njëri-tjetrit dhe kaq. Ju jeni po si ata që bëjnë gam-gam, kurse ata janë po ata që ju rrjepin të gjallë. U shpërndajnë nga një torbë me ushqime dhe ju ulërisni duke i ngritur në qiell, ziheni me ditë të tëra se e bëri mirë apo jo me këtë apo atë gjoja reformë. Se e vërteta është ajo që ju, nuk merakoseni për veten tuaj, nuk keni hallin tuaj, por hallin e tyre. Madje e keni me qejf maksimal të ndërsjellë ndaj ai që tërheq e bën me pasionin e kaut dhe ai që tërhiqet jargavitet me pështymat e lopës. Po kështu edhe ne që nevrikosemi kur shohim pamjet aq sa e kemi të pamundur të kuptojmë se nga duhet ta kapim, nga koka apo nga këmbët? Shqyhuni sa të doni se jeni skandalizuar por në të vërtetë nuk jeni. Po të ishit sot do flisnim ndryshe, por nuk jemi. Jemi shoqëri e lëmoshave dhe jo e personalitetit. Jemi skutha të rryshfetit jo e djersës së ballit. Mos u indinjoni kot, është një ngjarje rutinë, nesër do dali diçka tjetër. Pastaj të gjithë flisni në emër të popullit dhe e dini përse?, se popull nuk ka! Ai që është me pushtetin fërgon duart nga shtëpia dhe i kënaqet pamjeve zvarrë, ai që nuk është me qeverinë kërcet dhëmbët dhe thotë të njëjtin monolog, kriminelët, gjakpirësit, oligarkët etj. Kurse ai që nuk është as me të parin e as me të dytin, më keq nga dy të parët, skërmitet e thotë, kokat hëngshin. Ky soj është allasoj, as mish e as peshk, por duart i fërkon. Madje ky soj e ka për mburrje që nuk është as më njërin dhe as me tjetrin se që ta dini, që të tre nuk dinë të bisedojnë, të bashkëpunojnë, të ofrojnë, pra që tre llojet janë po njëlloj.

Tani përse indinjohemi kur nuk i japim zgjidhje? Përse denoncojmë kur nuk i heqim dot? Përse çirremi kur nuk na përfillin? Fare e thjeshtë jemi bërë si ata, një lloj soji allasoj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja

Falenderoni një mësues sot më shumë se kurrë-Eshtë java e mësuesve

May 9, 2020 by dgreca

SHKRUAN: MANJOLA BARÇI-KOZI/

“Ndikimi i një mësuesi të mirë nuk mund të fshihet kurrë”/

Kjo javë ishte java e mësuesve. Personalisht nuk besoj në një ditë ose një javë kur duhet të vlerësojmë diçka apo dikë. Unë besoj në shfaqjen e mirënjohjes dhe  vlerësimit të mësuesve për atë që ata bëjnë çdo ditë, por duke menduar për situatën që Amerika dhe gjithë bota po kalon së fundmi, unë mendoj se mësuesit me gjithçka që po bëjnë duhet të vlerësohen, dhe duartrokiten më shumë se kurrë. Këtu nuk po flas për para, (megjithëse do të ishte nje ide e mirë pasi të gjithë e dimë se mësuesit janë të nën-paguar – kjo ishte një shaka), unë po flas për të reflektuar në faktin se pse mësuesit janë kaq të rëndësishëm për shoqërinë e tashme dhe te ardhme. Mendoni për një mësues që ka pasur një ndikim të vërtetë në jetën tuaj, dhe ju hapi rrugën për tu bërë ai person qe jeni sot.

Kur shkollat ​​u mbyllën në New York, imazhet me humor pushtuan internetin nga mësuesit dhe dashamirësit e mësuesve. Njëra prej tyre që unë mendova se ishte shumë për të qeshur thoshte: “Nëse mendonit se mund të bënit një punë më të mirë në edukimin e fëmijëve tuaj sesa mësuesi i tyre, ju erdhi shansi që të shkëlqeni.” 

Kurrë nuk e kam fshehur faktin se për mua është më e lehtë të mësoj fëmijët e të tjerëve sesa të mitë (mbase jam një nënë e keqe dikush do të thoshte!) Fakti që ne nuk mund t’i mësojmë fëmijët tanë nuk na bën prindër të këqij. Kjo është arsyeja pse mësuesët ekzistojnë dhe paguhen apo jo? Kjo megjitatë, duhet te jetë një nga arsyet e shumta pse ne duhet t’i vlerësojmë ata më shumë se kurrë. 

Po dëgjoja një program ne radio sot, dhe u ndjeva mirë kur transmetuesi tha se mësuesit sot vlerësohen njësoj si punonjësit e shëndetësisë. Ndoshta kjo ka të bëjë me situatën, ndoshta me pjekurinë. Ndoshta jo, por unë, sot më shumë se kurrë i vlerësoj mësuesit e mi. Disa prej tyre më shumë se të tjerët. Dhe meqenëse mu paraqit rasti në mënyrë të përkryer, dua të falënderoj mësuesen time të klasës së parë Merjeme Rrasa, një nga mësuesit e shkollës 8-vjeçare Eftimija Selmanaj, mësuesit e shkollës së mesme, Shpend Sallaku, Noe,  Margarita Kola, si dhe shumë të tjerë, mbiemrat e të cilëve i kam harruar;  si mësues Sabriu, mësuese Arta e shumë e shumë të tjerë. Mbiemrat e harruar apo jo, disa nga ata do të jenë gjithmonë në zemrën dhe kujtesën time, për gjithçka qe kanë bërë për mua.

Tani më shumë se kurrë, edhe pse ndoshta nuk e keni bërë ndonjëherë, është koha për të treguar vlerësim dhe mirënjohje ndaj mësuesve tanë. 

Arsyeja # 1    

Mësuesit kurrë nuk heqin dorë nga ne, dhe ata besojnë tek ne dhe aftësite tona, më shumë sesa ne besojmë në vetvete. 

A keni pasur ndonjëherë një mësues që kishte besim tek ju më shumë sesa besonit në veten tuaj? Mendoni pak kur keni qenë në shkollë nëse ndonjëherë jeni dekurajuar dhe keni dashur të hiqni dorë nga një problem matematike, ose një hartim në gjuhë? Pastaj mendoni per atë mësues që ju thoshte: Unë e di që mund ta bësh. E di sepse ti je një student i zgjuar, i zellshëm dhe këmbëngulës.  Dhe në atë moment edhe pse keni qënë duke menduar se nuk do ja dilnit mbanë, e keni besuar mësuesin dhe nuk keni hequr dorë.

 Arsyeja #  2   

Mësuesit shpenzojnë shumë orë të panumërta dhe pa pagesë, për t’u përgatitur për studentët e tyre. 

A keni menduar ndonjëherë se si është e mundur që një mësues për vetëm 45-minuta në ditë që i lejohet që të planifikojë, është në gjëndje të përgatisë plane dhe materiale për pesë orë mësimi që ka në orarin ditor? Ja që nuk është e mundur. Kjo është arsyeja pse mësuesit shpenzojnë orë të panumërta pas punës, për t’u përgatitur për nxënësit e tyre. Kohë që ata e sakrifikojnë nga koha për familjet e tyre, fëmijët të tyre, dhe vetvetes. Dhe pastaj, a keni menduar ndonjëherë që lapsi apo fletorja që mësuesi jua dha juve dje dhe fëmijës suaj sot, ishte paguar me paratë e saj/tij? Për më tepër, a keni menduar ndonjëherë për letrat e hundëve gjatë gjithë dimrit, që ju erdhën në ndihmë kur nuk kishit shami, për të fshirë hundët që po ju pikonin, dhe ju ndihmuan të mos turpëroheshit para  gjithë klasës?

Arsyeja # 3 

Mësuesit na zgjerojne horizontin për të vëzhguar mundësi të reja, dhe na ndihmojnë të gjejmë pasionin tonë. 

Disa nga ne gjithmonë e kanë ditur se ç’fare i pasiononte si dhe ç’farë rruge do të merrnin në jetë. Megjithatë, disa të tjerë i detyrohen një mësuesi apo mësuese që i ka ndihmuar të ekplorojnë mundësi të reja, dhe i ka bërë të gjejnë pasionin e tyre të vërtetë. Sa studentë ndjehen të humbur dhe nuk e dinë se çfarë karriere të ndjekim, dhe me çfarë të merren në jetë? Ndoshta jeni bërë doktor apo arkitekt sot, por atëherë as vetë nuk e dinit që ishit kaq i mire në matematikë. Mendohu pak: Ndoshta ishte sepse një mësues besoi në aftësitë e tua. 

Prandaj falënderoni një mësues sot për atë që ka bërë për ju dikur, ose për fëmijën tuaj sot, për të zbuluar atë pasion që as ju vet nuk e dinit që ekzistonte!   

Arsyeja # 4     

Mësuesit janë gjithmonë të gatshëm jo vetëm të mësojnë, por edhe të këshillojnë. 

Mësuesët janë gjithmonë gati të japin këshilla të panumërta dhe t’ju ndihmojnë të ndjeheni mirë. Mendoni pak për ato ditë kur ndiheshit kaq të depresuar dhe nuk dinit ç’të bënit? Me prindërit nuk mund te flisnit dot sepse nuk donit që ata t’ju merrnin vesh sekretin (ndoshta ishte çështje dashurie!), por e dinit qe ai mësues apo mësuese që e pëlqenit, ishte gati t’ju dëgjonte. Me siguri edhe tani si prindër keni ndjerë nganjëherë se fëmija juaj dukej dhe sillej në një mënyrë të çuditshme, dhe ju nuk dinit ç’të bënit. Me siguri shumë herë nuk e keni ditur se fëmija ka qënë ndoshta duke biseduar me një mësues/e që e ka këshilluar gjatë orës  së tij/saj të pushimit, duke e ndihmuar fëmijën tuaj të dilte nga situata- ç’faredo që të ketë qënë. Mësuesit janë heronj të përditshëm pasi vërtet shpëtojnë  jetë, edhe pse nganjëherë nuk vihet re.

A keni menduar ndonjëherë për faktin se profesioni i një mësuesi hap rrugën për çdo profesion tjetër? Në rast se nuk keni bërë diçka të bukur për një mësues sot keni akoma kohë ta beni. I telefononi, I dërgoni një tekst dhe i tregoni se sa shumë i vlerësoni. Dërgojini një tufë me lule. E shkruajta këtë artikull për nder të gjithë mësuesve kudo që janë. 

Tani është radha juaj për të komentuar. A keni një arsye për të vlerësuar dhe falenderuar një mësues? Na tregoni historinë tuaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Manjola Barçi-Kozi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 594
  • 595
  • 596
  • 597
  • 598
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT